Ky koleksion i intervistave të historisë gojore dokumenton jetën e artistëve dhe profesionistëve të artit të cilët punuan në Kosovë dhe ishin aktivë në kontekstin lokal të artit gjatë viteve 1970 dhe më tej. Gjatë dy dekadave në vijim, shumë prej tyre gradualisht fituan njohje në hapësirën më të gjerë të artit jugosllav. Konteksti politik që mundësoi zhvillimin e arteve pamore gjatë kësaj periudhe u bë përfaqësues i epokës së artë të Kosovës në Jugosllavi. Ishte një kohë e zhvillimit të hovshëm që shpesh konsiderohet të jetë në thelb të kujtesës kolektive të institucioneve kulturore. Në kuadër të këtyre përpjekjeve për ndërtimin e infrastrukturës kulturore, në vitin 1979 u themelua Galeria e Arteve në Prishtinë—tani Galeria Kombëtare e Kosovës—duke u bërë institucioni i parë që definonte se si punët artistike do të ekspozoheshin dhe do t’i komunikoheshin publikut.

Projekti i historisë gojore me artistët modernë vizualë të Kosovës është nisur në fund të vitit 2016 nga Iniciativa për Histori Gojore, në bashkëpunim me Galerinë Kombëtare të Kosovës. Në vitin 2022, ky koleksion i intervistave është depozituar gjithashtu për ruajtje afatgjatë në Arkivin Botëror të Arktikut (Arctic World Archive), Svalbard, Norvegji.

Fatmir Krypa

Grafist

…kur unë kom shku në shkollë, kur ia spjegoj dikujt diçka thotë, ‘Çka është kjo?’ I thonim tafte. Tafte. Çka është taftja? Ka qenë një pllakë A4 më një kornizë të drunit, si tabelë e zezë, e hollë. Dhe njënën anë ka qenë pa vija, njënën anë ka qenë me vija të bukurshkrimit. Vija të gjana dhe të ngushta, të gjana dhe të ngushta. Njëra anë ka qenë e zbrazët, krejtësisht e zezë, dhe në të ne i shkrunim detyrat që na i jepte mësuesi në klasë dhe i zhvillonim në shtëpi, dhe ia kthejshim me një shkumës i cili e gërrithte, linte gjurmë të bardha, të hint a linte. Dhe ajo ishte fletorja, ajo ishte si me thanë të gjitha çka kishim, çka posedonim. […] çka ishte ma e keqja, ti duke shku në shkollë me tafte në krahë, ndonjë shok, ndonjë shok, s’mund ti them si shok ai, por dashakeqës, vinte dhe ta fshinte detyrën dhe ti shkojshe në shkollë pa detyrë.

Lirije Buliqi

Artiste në qeramikë

Dita e parë ka qenë… salla ekspozuese ka qenë shumë e madhe. Atëhere, bash te hymja në anën e djathtë më kujtohet nji sallë shumë e madhe, thashë, ‘Çka bohet këtu?’ Për ekspozita kur është bo pranimi i veprave për shembull, u pregaditke materiali për pranim, përmes doganës normal që kanë shku, por ka qenë edhe shpedicioni përpara, me shpediter i bijke veprat deri në Galeri. Domethonë, u konë pak ma e thjeshtë procedura e doganimit. Tani, nejse, u instalojshin punët. Kemi qenë nji ekip shumë i vogël prej gjashtë vetave dhe të gjithë u kyçshim në organizim të ekspozitave. […] Ka qenë drejtori Shyqri Nimani, Engjëll Berisha ka qenë kustos, e kemi pasë kontabilistin, e kemi… kom qenë une, teknik e kemi pasë Rrahmanin edhe nji pastrus. Domethonë, me këtë staf kemi startu. Galeria ka qenë ashtu e pozicionume, gjithëmonë kemi pasë shumë vizitorë, sepse ambienti ka qenë i tillë imponues. Pas ‘Boro dhe Ramizit’ ka qenë pazari edhe njerëzit vijshin me kese e direkt në Galeri. Ne kemi pasë shumë vizitorë prej profileve të ndryshme, jo vetëm artistë. Ka qenë nji kënaqësi, nji përvojë, nji diçka krejt ndryshe për mu. Ishte përvojë shumë e kandshme me u njoftu me artista, une  isha e re në moshë, ata ma të vjetër dhe nuk i njifsha. U dufke m’u prezentu kush është kush, derisa për nji periudhë bajagi të gjatë arrita me i njoftë të gjithë.

Xhevdet Xhafa

Piktor

…te unë ishte nji preokupim, si ta kuptoj natyrën e gjallë, figurën e njeriut, gjymtyrët, fizionominë e kokës të njeriut… me nji strejcë, në krahë me disa fleta maqine, e mjete tjera ndihmëse, filloj të shetis në disa tregje të Pejës. Ma së shpeshti jom dalë në tregun e gjelbërt. Nga fshatrat në ditë pazari i bijshin prodhimet bujqësore me do kosha të mëdha e të vogla përplot me artikuj ushqimor. 

Vetë pronarët ishin veshë me ato veshje tradicionale, që ishin aktuale për vitet ‘50-ta, ‘60-ta. Edhe unë, me shpejtësi, me kënaqësi, fillojsha shpejt e shpejt, me realizu me vizatu atë pamje të bukur. Mandej shpesh kom shku edhe në stacionin e autobusave… aty pak ma vështirë e kom pasë me vizatu, pse udhëtartë gjithnjë lëvizshin. Mirëpo, pak simbas kujtesës pak simbas natyrës, ato vizatime që i bojsha ishin si një lloj kroki

Hysni Krasniqi

Grafist

Inspirimi jem ma s’shumti osht’ në natyrë. Unë e marrë një fragment nga natyra edhe e përjetoj, e përjetoj me shpirt edhe me zemër, edhe e qes ose në letër ose në material ose në pëlhurë. Ajo për mu osht’ kreyesorja. […] Për shembull, unë i kom ‘Grunajat’. Pse i kom grunajat? Grunajat, populli jonë ka vujt për kafshore goje, ka vujt për kafshore goje. I kom pastaj ‘Trinat’, trinat. Çka jonë trinat? Trinat jonë mjet i cili gjithëherë bujku i ka përdorë, si me rrafshit tokën […]

Pastaj i kom ‘Xixëllonjat’. Çka o xixëllonja? Xixëllonja osht’ lajmëtari i parë që ka dalë, duku i parë në Kosovë në tokë të bukës. Atëherë e kanë ditë që na jena dalë në bukën e re, qajo osht’ xixëllonja. Ajo me atë feniksin kur bon cik cik {onomatope} ajo tregon që osht’ ardhë kona me korrë dikun. E qito. Tani i kom ‘Lulet e kujtimit’, ai vendi i jem ku kom lindë unë aty në Llukar, ma shumë kom nejt në Prishtinë. Në vendlindje aty osht’ krejt me lule, lulebore, lule thishte, lule vjollce. Po çfarë ere ka lule vjollce, po osht’ diçka e pabesueshme, sikurse m’u konë nifarë ere e ni parfimi.

Alije Vokshi

Piktore

Ky është mjeshtri që ka qenë në kerr me kuaj edhe e kom pa unë e kom nalë, i kom thanë, ‘A munesh me ardhë në atelie me ta bo portretin?’ ‘Po,’ ka thanë. Edhe e kom punu, edhe këto durtë shumë domethanë i lodhun, e ky, plisi, plisi prej ngjyrës nuk është ngjyra e bardhë sikurse e plisit, po unë ia kom punu ashtu që ka punu edhe që është lodhë, edhe që është ngjyra, pluhni. Edhe kur e ka pa në ekspozitën time të parë nji Jusuf Kelmendi ka qenë nji personalitet, edhe ka thanë, ‘Në këtë pikturë taman po shifet, me këto durë, i lodhun, me këto durë…. Shumë, shumë portret i mirë.’

Shyqri Nimani

Dizajner Grafik

Rexhep Ferri

Piktor

Tajar Zavalani që e ka përkthy atë [‘Nënën’ e Maksim Gorkit], ai e pa se çka është komunizmi dul mandej e majke Radio Londrën. E nana ime u mytke tu e ndigju, ‘Po bjen sot komunizmi, po bjen nesër komunizmi’. Qysh njeriu nga njëri skaj shkon në skajin tjetër. Kur jemi kthy ne në Gjakovë…   neve na konfiskun krejt pasuninë edhe baba, baba, baba nuk, baba iki dulë, ai nuk… ai ka mendu që do të pshton në Gjakovë, nuk do të ketë nevojë me lonë familjen. Prej Fadil Hoxhës e deri te Sahit Bakalli, i ka pasë shokë shkolle edhe ka qenë mësus me ta bashkë nëpër Malësi të Gjakovës. 

 

Po u takum me Sahit Bakallin, përpara se me u taku me këta… edhe i thotë Sahit Bakalli, ‘Shihe Shaban, ti sonte nuk guxon me të nxonë nata në Gjakovë. Ne nuk mujmë me të pshtu prej sërbëve edhe prej malazezëve, se je nipi i Jakup Ferrit, i Hasan Ferrit, vëllau i Riza Ferrit, i Shemsi Ferrit që kanë udhëheqë luftën kundër partizanëve edhe vet je konë me ta. Por ti duhet me dalë me shku në Shipri, në Tropojë, ku ke qenë mësus, ku i ki miqtë tu atje se je i martum edhe kalon kjo furtunë dhe pshton disi’. Edhe e përcjellë e qet nga qyteti e shkon baba anej dhe ne mbesim. 

 

[…] njeriu kajhere, kur osht’ i vetmum, vetëm a osht’ nji njeri që i dinë dy fjalë shqip i duket si me pasë vëlla. Ai i thojke motër nanës edhe kjo vëlla, e nuk ishin as të njëjtit katun, as të njëtit qytet po të Malësisë të Gjakovës. Pashkë, daja Peshk i thojsha une. Edhe ka qenë njeri pa shkollë, po e pike duhanin si aristokrat – qashtu më dukej mua atëherë – me nji cigarllëk. Edhe ja çojke nana me ia shitë ato tesha, ato në vek çka bojke nana edhe ai ja lshojke nji grusht rrena nanës, ‘Zoja Hatixhe, kom dëgju prom Radio Londrën thanë qishtu, komunizmit s’ka me i nxonë java tap-rrap’. Dhe nona me atë rrenë e kalojke javën. Atëherë vike e hanja tjetër opet ja lshojke naj rrenë edhe kalun vitet e ne u rritëm.