Jeta Rexha: Zonja Alije, a mundeni me tregu diçka për jetën e juaj gjatë fëminisë, ku e keni kry shkollën fillore, cilat janë memoriet e tua ma t’bukura?
Alije Vokshi: Po, filloren e kom kry në Ferizaj meqenëse atëherë babën tim e transferojshin në Prizren, Gjilan… se ka punu në gjyq. Edhe aty filloren e kom fillu deri në vitin e tretë, mandej kalum këtu, erdhëm në Prishtinë edhe këtu në shkollën “Emin Duraku”, atje vazhdova. Mandej shkollën te “Elena Gjika” tash.
Jeta Rexha: Si ka fillu dëshira, si ka lindë dëshira për pikturë?
Alije Vokshi: Po, ka lindë prej shkollës fillore këtu në “Emin Duraku”, atëherë ka lindë, prej shkollës fillore edhe ka vazhdu.
Jeta Rexha: Domethanë ke vazhdu shkollën e mesme, ku?
Alije Vokshi: Shkollën e mesme këtu në gjimnaz e kom kry.
Jeta Rexha: Në “Sami Frashër”?
Alije Vokshi: Në…
Donjetë Berisha: “Ivo Lola” ka qenë.
Alije Vokshi: “Ivo Lola Ribar” ka qenë.
Jeta Rexha: Edhe pas shkollës së mesme ju keni vazhdu studimet, a po?
Alije Vokshi: Po. Jo, këtu në Shkollën e Lartë Pedagogjike njiherë, dy vjet. Manej profesori, profesori im ka pa që po punoj shumë mirë, i Malit të Zi, tha, “Ti duhesh me shku patjetër në Beograd me i vazhdu studimet sepse shumë mirë je t’u punu, portretet e tuja po na…” edhe atje shkova, në Beograd. Në Beograd kur shkova, provimin… nji javë ditë kemi punu për, me ngjyra, me vizatime, me… në fund, në fund e dhashë provimin, atëherë ka qenë shumë gëzim i madh për mu. Edhe profesorët të gjithë u afrunë te unë edhe më pytën, “Po këto pikturat e tuja…” Njena është një profesoreshë e pikturës atje, ajo m’ka pytë, “Po, keni diçka të veçantë, mbajeni këtë, shumë jeni t’u punu mirë”. Edhe nji profesor tjetër i Beogradit, Zoran Petrović[1] edhe ai ka lavdëru portretet e mia, kështu që ma dhanë një dëshirë që shumë ashtu me të vërtetë u gëzova shumë edhe kur e dhashë provimin atëherë shumë kom pasë gëzim t’madh.
Donjetë Berisha: A ka qenë vështirë me u regjistru?
Alije Vokshi: Po, tash mos me thanë unë po, veç kur e kom pa veten aty, emrin tim e kom pa… auu… çfarë gëzimi!
Donjetë Berisha: A keni pasë probleme me shku me studiu jashtë vendit, tu e marrë parasysh që në atë kohë vajzat nuk kanë qenë aq të lira me studiu.
Alije Vokshi: Unë as që kisha me shku në Beograd, po profesori, ai ka qenë shkaktar me shku unë atje.
Donjetë Berisha: E familja si e kanë pritë?
Alije Vokshi: Jo, familja çfart, nana, “Çfart, jo, s’ki me shku, ki me nejtë këtu me u martu, krejt shoqet t’u kanë martu,” po babai më lëshoi, ai tha, “Veç me shku!” E kështu pesë vjet atje. Dy këtu edhe atje tre, pesë.
Jeta Rexha: Si e kujtoni jetën studentore atje?
Alije Vokshi: Në fillim s’kom pasë as kredi, as bursë as… ka qenë vështirë pak. Gjithmonë babai im ka punu, na katër fëmijë. A me i shkollu a… atëherë rrogat kanë qenë, të ardhurat shumë të vogla. Në fillim kom pasë vështirësi, mandej kur veç e mora edhe bursën, stipendionin, edhe kredi, atëherë shumë, shumë mirë kom kalu. Blejsha piktura, blejsha ngjyra, blejsha pëlhurë, blejsha gjithçka. Ajo m’ka shpëtu shumë. Ai profesori ishte nga, profesori tjetër që kom qenë në klasën e tretë, në vitin e tretë në klasën e profesorit Milo Milunović[2], ai prej Malit të Zi, edhe ai te [Augusto] Giacometti[3] ka qenë ai, edhe ai kishte zakon me punu vetëm natyra të qeta, unë s’disha që kërkush s’guxon me u përzi në landën e… unë s’kom ditë.
Edhe me nji autobus shkojshim deri te qyteti, prej qytetit të studentëve edhe është një hotel aty “Moska” në qendër të Beogradit, edhe aty e kom pa unë nji jevge, nji jevge ashtu magjupe si me thanë e veshun edhe mu më pëlqejshin shumë ato se i kishin karakteristike diçka, edhe e pyta, “A po don me ardhë?” Me autobus u duhke deri në Topčider[4] me shku, prej nji autobusi në autobusin tjetër me ndërru, e mora atë edhe lejoi ajo. Edhe e çova aty, e vendosa, kur shoqja ime po thotë, “Çka ki bo?” Tha, “S’ka dëshirë profesori me iu përzi në punë, në programin e profesorit. Ai don vetëm natyra të qeta me ba”.
Kuku, vetëm në fund kur u përfundu portreti i të gjithëve ka qenë shumë i kënaqun, shumë. Edhe kështu, edhe mu ma dha notën shkëlqyeshme. Ka pasë aty një prej Tuzllës, Tuzlla që është atje në Bosnje, ka pasë nji Nezir Čorbić është qujtë, ata e kanë dashtë edhe ato të gjithë, i kisha unë cimerkat aty, ato kur kanë ndi që unë shkëlqyeshme kanë thanë, “Merreni me mend, Alije Vokshi ka marrë shkëlqyeshëm, këtij Nezirit nuk ia ka dhanë,” edhe u ba, u çuan, nejse mirë. E tash te profesori tjetër në klasën tjetër vazhdova tash mbasi ky vdiq. Edhe ai punimet po i shiqon e sene në fund të vitit, vetëm i ka ba dy krahët kështu i ka shtri {shpjegon me duar}, se 50 a sa punime i kemi, i kemi rradhitë aty edhe, “Ah,” ka bërtitë kur i ka pa punimet e mia. E mu ma jepë dhjetëshe e asaj ia jepë gjashtëshe prej Beogradit që ka qenë, Mirjana Šimunović e këto gjëra… anipse kom qenë unë prej Kosovës edhe shqiptare, mu ma dha dhjetëshe. Kjo është fantazi, shumë mirë kom kalu me ata profesorët në Beograd, shumë mirë.
Mandej erdha këtu në Prishtinë, ‘68—tën atje e kom kry fakultetin edhe këtu nji profesor i Shkollës Normale, Engjëll Berisha tha, “Është shpallë konkursi, po dojmë na nji piktore”. Edhe unë konkurova në konkurs edhe u pranova, në vitin ‘69 në Normale punova, punova me studentë. Shumë të mirë i kom pasë studentët që sot kur më shohin, viti ‘69… sot kur më shohin, “Profesoreshë, profesoreshë,” fantastik janë, shumë janë të mirë. Edhe punova aty, mandej kalova në Akademinë e Arteve këtu në fakultet edhe kështu fillova me punu. Gjatë vitit, nji vit, gjatë vitit prej ‘69— ‘70 në Normale që punova e hapa një ekspozitë në foajenë e Teatrit. Hazir, Hazir Miftari ka qenë ai drejtor atëherë, i ndjeri tash që vdiq edhe që m’i ka pranu punimet aty me hapë ekspozitën.
Edhe unë kom qenë shumë e kënaqun që jo vetëm njiherë po edhe disa herë që kom hapë ekspozitë më ka leju në foajenë e Teatrit, edhe kjo ka qenë për mu… shumë, shumë, shumë gjëra të mira më kanë ndodhë edhe në Normale edhe këtu mandej kur erdha në fakultet me studentë. Edhe studentët më kanë ndihmu shumë, shumë në biseda në…. E tash të gjithë ata studenta që kanë qenë që iu kom dhanë mësim janë në Akademi aty, profesorë. Edhe diçka kalojmë fantazi shumë, edhe qe kështu fillova me pikturu në atelie pikturojsha, i mersha prapë në atelie këtu, nji fshatar… ka qenë me këto kerret që kanë qenë me kuaj e me… edhe unë po e shoh në rrugë aty, në të vërtetë qe këtu përballë e kam pasë shtëpinë, te nana ime isha. Edhe e pashë që ishte bash kështu për me pikturu edhe i thashë, “A po vjen për me të pikturu në atelie?” “Po,” erdhi, edhe atëherë çfarë, çfarë…
Edhe shumë ka qenë interesant në ekspozitën që e kom pasë njeni po më pytë, një person, po thotë, “E kjo shumë interesant, po shifet që është me këto durtë e mëdhaja, punëtore që ka…” Edhe atë plisin ia kom punu ashtu pak si që është pak ngjyrë ma të mbylltë, jo të bardhë të pastër por prej punës që ka punu, edhe shumë interesant i ka pëlqy shumicës, e qe kështu…
Mandej në vitet e ‘77—ta po hapet konkursi për specializim, se përpara shkojshin në specializim. Edhe unë po konkuroj edhe po mar me shku në Paris, e po i lo fëmijët… po e lo bashkëshortin tim të ndjerë doktor Bylbyl Shehun, pediatër ka qenë, edhe dy vajzat e mia. Artën gjashtë vjeçare, kur ka fillu me shku në shkollë po e lo, edhe vajzën tjetër Visaren katër vjeçare. Unë mendoj se kështu asnjë shqiptare s’ka qenë zakon që me shku me lanë fëmijët e burrin, po unë po shkoj. Edhe atje shkova e vëllau im më dërgoi atje, se ai ka qenë ma përpara, Skënder, Skënder Vokshi montazhën e ka kry në Paris edhe i ka ditë këto gjëra. Edhe shkum te, shkum te ajo profesoresha që i pranon këta studentat për specializim, edhe kishte edhe prej republikave tjera studentë kishte, mirëpo mu ajo ma dha atelienë ma të shtrenjtë, akademinë ma të shtrenjtë.
Donjetë Berisha: Prej Kosovës a ka pasë tjerë?
Alije Vokshi: Jo, s’ka pasë, vetëm unë. Vetëm unë kom qenë. Edhe qekjo, qekjo është. Aty them atelieja ma e shtrenjtë ka qenë, se piktorët ma të njohur, ai piktori që ka qenë se Pablo Picasso, George Braque dhe Montmartre e kanë formu nji grup që ka qenë edhe ky, edhe qiky profesori, edhe ky profesori i njoftun.
Jeta Rexha: E si keni kalu jetën studentore atje?
Alije Vokshi: …edhe ky, atë grup e kanë qujtë grup Le Bateau—Lavoir. Atje mirë, mirë kom kalu. I kom pasë pak do vështirësi se Parisi e sende, mirëpo mirë, mirë kom kalu. Edhe tash me dëshirë të madhe i përkujtoj këto gjëra, këto gjëra fantastike që jonë shumë. E unë shkoj te vajza çdo… dy herë në vjet në Londër, e aty është një qendër e madhe që ka biblioteka për art për film për muzikë, edhe unë shkoj aty i shiqoj librat edhe para dy vjete, tri, a sa ka? E pashë aty nji libër që në atë libër ishte emri i profesorit tim që kom qenë unë aty, edhe e nji piktorit shumë të madh që ka qenë aty emri i atij. Edhe kur erdha këtu, i shënova titujt e librit edhe i thashë vajzës me ma ble me ma dërgu me postë, edhe ma ka dërgu. Kur e kom marrë atë libër, kom shëtitë nëpër Prishtinë, “Oh Alije, çfarë gëzimi!” S’di, nji gëzim sikurse, s’po di si me iu thanë, shumë jom gëzu.
Edhe tash po më mbajnë këto gjëra, tash po më, edhe po më motivojnë me punu edhe ma tepër. Kjo është! Përndryshe këtu në Akademi me studentat shumë mirë e çoj, shumë, ata shumë më dojnë mu, shumë. Një bisedë të mirë, një edukatë të mirë e kanë. Këto projekte që po i bajnë, jo vetëm për piktorë, po këta të rinjtë tanë edhe jashtë që po përparojnë edhe po shkojnë, kjo është diçka e pabesueshme. Shumë, shumë jonë t’u përparu këta tanët. Nji profesor ka qenë aty nji Kadrush Rama, djali i tij atje në Londër a në arkitekturë a s’di ku, veç ka ba nji përparim të madh, shumë është i lavdueshëm, shumë është i… ai tjetri, tjetri… djali, ky Sislej i Xhevdet Xhafës edhe ai po bon fantazi, do performanca do, fantastike. Kështu që, shqiptarët jonë shumë, shumë të zgjut, shumë të edukum, shumë… ata jashtë jonë t’u përparu, ajo është diçka shumë e kënaqshme.
Në shkollën tetë vjeçare “Vuk Karadžić”, nji profesoreshë, nji arsimtare na ka dhanë gjuhë frënge, edhe ajo na dërgonte ndonjëherë në shtëpi me i marrë do lule me i dërgu sene. Edhe e ka pasë djalin, kur isha në specializim unë në Paris, nji piktor i Pejës, nji Daut Berisha është shumë piktor i mirë, e hapi një ekspozitë aty në Paris edhe ishin edhe, ishin edhe ato disa të Beogradit, disa shoqe që kanë studiu diçka aty në Beograd, edhe më njoftën mu ato, edhe ishin me këta, me djalin e kësaj [profesoreshës] së gjuhës frenge që ka dhanë, edhe ai po më shiqon mu unë po e shiqoj ata, i thashë, “Mos jeni djali i asaj që ka dhanë gjuhë frenge?” Edhe po thashë, Lutica ajo mbiemrin, u çudit edhe ai tha, “Çfarë Parisi,” në tetë vjeçare tash në vitet ‘77 me u pa, edhe qeshtu ishte kjo.
E vëllau im më pruni aty në Paris me kerr, shkum aty afër. E Emile Zola shumë me Cezanne jonë shoqnu edhe e ka dashtë shumë Emile Zola Paul Cezanne. Këtë po e them që kur e ka shkrujtë një libër Emile Zola, e ka shkrujtë “Në parajsën e femrave” e në atë libër shkrun, thotë se, “Vajza me dy fëmijë, me një vëlla edhe me nji motër dorë për dore kanë ardhë në Paris prej një fshati se iu vdes baba, edhe vijnë te axha këtu edhe kur kanë hy, kur kanë hy në Paris në ato qendra, ato…. Jonë hutu, jonë…. Edhe të gjitha ato gjëra, ato rrugët, ato unë kur e kom lexu atë unë kom mendu se unë jom në atë… se njëjtë mu vëllau jem më ka dërgu atëherë, e po i shiqoj uau… shumë m’u ka dukë interesant ai roman, se edhe mu më ka ndodhë ashtu njëjtë çka e ka punu Zola, ai libër, “Në parajsën e femrave” është…
Jeta Rexha: A iu kujtohet piktura juj e parë që e keni bo, si iu ka ardhë ideja?
Alije Vokshi: Po, pikturën e parë që e kom bo ka qenë nji jevge që e kom marrë me bo portret, me portretu. Edhe atë pikturë ma kanë ble këta, kur e panë këta ekspozitën, drejtori i “Rilindjes”. Edhe ajo pikturë dikush e ka marrë dikush… ajo ka qenë shumë pikturë e mirë sepse kur vishin këta me majtë në Akademi të Shkencave, në Teatër, të Shqipërisë kur vishin këta shkrimtarët e të gjithë e mershin atë pikturën time, plakën edhe e vendosshin aty në binë, edhe ajo ka qenë si, si… shumë e kanë pëlqy atë pikturë.
Jeta Rexha: Ndoshta nji pikturë ose diçka tjetër ku ju e keni pasë nji frymëzim ma profesional nashta?
Alije Vokshi: Portreti ka qenë për mu, portreti.
Jeta Rexha: Domethonë ajo ka qenë diçka ma e veçantë për juve?
Alije Vokshi: Po vetëm portreti, portretet. Masnej edhe më kanë udhëzu edhe profesorët, këtu të Shkollës së Lartë Pedagogjike, “Puno portrete se shumë mirë je t’u punu”.
[E intervistuara ngritet në këmbë përpara pikturave të saj dhe ua shpjegon ato të pranishmeve]
Këto janë dy figura, portretet e fundit që i kom punu. Para atyne që kanë marrë poza që kanë qenë, këto dy të fundit kanë ndryshu, domethanë s’kanë qenë të njëjta. Kurse këto dy të fundit janë me ngjyra të çelta, pavarësinë kur e kemi marrë atëherë, atëherë gjithçka më dukej bardhë, bardhë, bardhë. Këtu vallëzimin, edhe aty është nji femën e cila është t’u vallëzu, këto janë ngjyra ma të çelta, dallohen. Edhe këtu janë dy, dy portrete pak ma, të fundit këto, të fundit.
Ky është portreti i vajzës Visare, Visare Selimaj, kjo kur ka qenë këtu në shkollën “Meto Bajraktari” kom bo portretin, edhe qe kështu. E tash ta qes këtë plakun. Ky është mjeshtri që ka qenë në kerr me kuaj edhe e kom pa unë e kom nalë, i kom thanë, “A munesh me ardhë në atelie me ta bo portretin?” “Po,” ka thanë. Edhe e kom punu, edhe këto durtë shumë domethanë i lodhun, e ky, plisi, plisi prej ngjyrës nuk është ngjyra e bardhë sikurse e plisit, po unë ia kom punu ashtu që ka punu edhe që është lodhë, edhe që është ngjyra, pluhni. Edhe kur e ka pa në ekspozitën time të parë nji Jusuf Kelmendi ka qenë nji personalitet, edhe ka thanë, “Në këtë pikturë taman po shifet, me këto durë, i lodhun, me këto durë…. Shumë, shumë portret i mirë”. E ka pëlqy.
Gjatë luftës na mbetëm këtu në shtëpi, unë dhe bashkëshorti im i ndjerë, vajza shkoi në Maqedoni atëherë kur shkun të gjithë. Edhe na, përballë e kom pasë vëllaun tim, përballë me shtëpi, edhe po del gruja e vëllaut, po thotë, unë, perdet ishin edhe i pata çelë perdet, tha “Qe erdhën!” Edhe unë isha në dhomë aty, shkova në dhomë ku ishte shtri Bylbyli, edhe thashë le ta pin nji hap njiherë se ka qenë, e ka pasë disa herë këtë sëmundjen e zemrës, i thashë, “Pije nji hap njiherë,” “Pse,” tha, “çka u ba?” I thashë, “Pije nji hap njiherë”. E ka pi hapin e ata erdhën, këta të policisë e krejt, edhe i morëm do karrika do sene me i çu në tavan, morëm bukë i çumë aty, do plafa do sene, hypëm aty edhe po presim kur kanë me ardhë. Mirëpo, ata kanë shku drejt anej, edhe tash shkun ata jonë kthy [prej nga kanë ardhur] na po rrijmë, po rrijmë, po rrijmë aty. Kur po vjen vëllau, po vjen ky kojshiu se na pat’ thanë për drekë njani, po vjen, “Ku o Bylbyli?” Ka mendu se ka vdekë, se s’po përgjigjet. E dikur dolëm edhe i tregum, “Qishtu, qishtu ka ndodhë”.
Jeta Rexha: Cilat janë planet tuaja për të ardhmen?
Alije Vokshi: Nji ekspozitë me hapë.
Jeta Rexha: Këtu në Kosovë.
Alije Vokshi: Po, këtu në Kosovë.
[1] Zoran Petrović (1921-1996) u lind në Sakule, Serbi. AI ka studiuar në Akademinë e Arteve të Bukura në Beograd, ka diplomuar më 1948. Ai ka punuar si profesor në Akademi, ishte anëtar i grupit Samostalni [Të pavarurit] dhe njëri ndër themeluesit e Decembarska Grupa [Grupi i dhjetorit] në Zrenjanin të Serbisë.
[2] Milo Milunović (1897-1967) u lind në Cetinje, Mal të Zi, por ishte i arsimuar në Shkodër, Shqipëri. Ai ishte piktor, kritik i artit dhe njëri nga themeluesit dhe profesorët e parë në Akakdeminë a Arteve në Beograd, Serbi (1937).
[3] Augusto Giacometti (1877-1947) ishte piktor Zvicerran nga Stampa, Graubünden. Ishte piktor prominent në lëvizjen Art Nouveau dhe Simbolizëm, dhe njihet për punën e tij – pikturë në xham [stained glass], dhe si një ithtar i muraleve dhe disenjues i posterëve.
[4] Topčider është park malor dhe lagje urbane e Beogradit, kryeqytet i Serbisë.