Kjo seri e intervistave dokumenton jetërat e artistëve dhe profesionistëve të artit të cilët kanë punuar në Kosovë dhe kanë qenë pjesë e skenës së artit që nga vitet 1970, dhe të cilët përgjatë dy dekadave kanë fituar njohje në hapësirën artistike jugosllave. Konteksti politik që i dha formë artit pamor u bë përfaqësues i epokës së artë të Kosovës në Jugosllavi. Kjo periudhë e prosperitetit ishte në thelb të secilës kujtesë institucionale, duke përfshirë edhe institucionet kulturore. Nuk është çudi që Galeria e Arteve në Prishtinë, e cila sot njihet si Galeria Kombëtare e Kosovës, u themelua në vitin 1979, duke u bërë institucioni i parë i artit që definonte se si punët artistike do të ekspozoheshin dhe do t’i komunikoheshin publikut.

Projekti i historisë gojore me artistët modernist të Kosovës është nisur në fund të vitit 2016 nga Iniciativa për Histori Gojore në bashkëpunim me Galerinë Kombëtare të Kosovës.

Lirije Buliqi

Skulptore

Dita e parë ka qenë… salla ekspozuese ka qenë shumë e madhe. Atëhere, bash te hymja në anën e djathtë më kujtohet nji sallë shumë e madhe, thashë, ‘Çka bohet këtu?’ Për ekspozita kur është bo pranimi i veprave për shembull, u pregaditke materiali për pranim, përmes doganës normal që kanë shku, por ka qenë edhe shpedicioni përpara, me shpediter i bijke veprat deri në Galeri. Domethonë, u konë pak ma e thjeshtë procedura e doganimit. Tani, nejse, u instalojshin punët. Kemi qenë nji ekip shumë i vogël prej gjashtë vetave dhe të gjithë u kyçshim në organizim të ekspozitave. […] Ka qenë drejtori Shyqri Nimani, Engjëll Berisha ka qenë kustos, e kemi pasë kontabilistin, e kemi… kom qenë une, teknik e kemi pasë Rrahmanin edhe nji pastrus. Domethonë, me këtë staf kemi startu. Galeria ka qenë ashtu e pozicionume, gjithëmonë kemi pasë shumë vizitorë, sepse ambienti ka qenë i tillë imponues. Pas ‘Boro dhe Ramizit’ ka qenë pazari edhe njerëzit vijshin me kese e direkt në Galeri. Ne kemi pasë shumë vizitorë prej profileve të ndryshme, jo vetëm artistë. Ka qenë nji kënaqësi, nji përvojë, nji diçka krejt ndryshe për mu. Ishte përvojë shumë e kandshme me u njoftu me artista, une  isha e re në moshë, ata ma të vjetër dhe nuk i njifsha. U dufke m’u prezentu kush është kush, derisa për nji periudhë bajagi të gjatë arrita me i njoftë të gjithë.

Hysni Krasniqi

Grafist

Inspirimi jem ma s’shumti osht’ në natyrë. Unë e marrë një fragment nga natyra edhe e përjetoj, e përjetoj me shpirt edhe me zemër, edhe e qes ose në letër ose në material ose në pëlhurë. Ajo për mu osht’ kreyesorja. […] Për shembull, unë i kom ‘Grunajat’. Pse i kom grunajat? Grunajat, populli jonë ka vujt për kafshore goje, ka vujt për kafshore goje. I kom pastaj “Trinat”, trinat. Çka jonë trinat? Trinat jonë mjet i cili gjithëherë bujku i ka përdorë, si me rrafshit tokën […]

Pastaj i kom ‘Xixëllonjat’. Çka o xixëllonja? Xixëllonja osht’ lajmëtari i parë që ka dalë, duku i parë në Kosovë në tokë të bukës. Atëherë e kanë ditë që na jena dalë në bukën e re, qajo osht’ xixëllonja. Ajo me atë feniksin kur bon cik cik {onomatope} ajo tregon që osht’ ardhë kona me korrë dikun. E qito. Tani i kom ‘Lulet e kujtimit’, ai vendi i jem ku kom lindë unë aty në Llukar, ma shumë kom nejt në Prishtinë. Në vendlindje aty osht’ krejt me lule, lulebore, lule thishte, lule vjollce. Po çfarë ere ka lule vjollce, po osht’ diçka e pabesueshme, sikurse m’u konë nifarë ere e ni parfimi.

Fatmir Krypa

Grafist

… kur unë kom shku në shkollë, kur ia spjegoj dikujt diçka thotë, ‘Çka është kjo?’ I thonim tafte. Tafte. Çka është taftja? Ka qenë një pllakë A4 më një kornizë të drunit, si tabelë e zezë, e hollë. Dhe njënën anë ka qenë pa vija, njënën anë ka qenë me vija të bukurshkrimit. Vija të gjana dhe të ngushta, të gjana dhe të ngushta. Njëra anë ka qenë e zbrazët, krejtësisht e zezë, dhe në të ne i shkrunim detyrat që na i jepte mësuesi në klasë dhe i zhvillonim në shtëpi, dhe ia kthejshim me një shkumës i cili e gërrithte, linte gjurmë të bardha, të hint a linte. Dhe ajo ishte fletorja, ajo ishte si me thanë të gjitha çka kishim, çka posedonim. […] çka ishte ma e keqja, ti duke shku në shkollë me tafte në krahë, ndonjë shok, ndonjë shok, s’mund ti them si shok ai, por dashakeqës, vinte dhe ta fshinte detyrën dhe ti shkojshe në shkollë pa detyrë.

Rexhep Ferri

Piktor

Tajar Zavalani që e ka përkthy atë [‘Nënën’ e Maksim Gorkit], ai e pa se çka është komunizmi dul mandej e majke Radio Londrën. E nana ime u mytke tu e ndigju, ‘Po bjen sot komunizmi, po bjen nesër komunizmi’. Qysh njeriu nga njëri skaj shkon në skajin tjetër. Kur jemi kthy ne në Gjakovë…   neve na konfiskun krejt pasuninë edhe baba, baba, baba nuk, baba iki dulë, ai nuk… ai ka mendu që do të pshton në Gjakovë, nuk do të ketë nevojë me lonë familjen. Prej Fadil Hoxhës e deri te Sahit Bakalli, i ka pasë shokë shkolle edhe ka qenë mësus me ta bashkë nëpër Malësi të Gjakovës. 

Po u takum me Sahit Bakallin, përpara se me u taku me këta… edhe i thotë Sahit Bakalli, ‘Shihe Shaban, ti sonte nuk guxon me të nxonë nata në Gjakovë. Ne nuk mujmë me të pshtu prej sërbëve edhe prej malazezëve, se je nipi i Jakup Ferrit, i Hasan Ferrit, vëllau i Riza Ferrit, i Shemsi Ferrit që kanë udhëheqë luftën kundër partizanëve edhe vet je konë me ta. Por ti duhet me dalë me shku në Shipri, në Tropojë, ku ke qenë mësus, ku i ki miqtë tu atje se je i martum edhe kalon kjo furtunë dhe pshton disi’. Edhe e përcjellë e qet nga qyteti e shkon baba anej dhe ne mbesim. 

[…] njeriu kajhere, kur osht’ i vetmum, vetëm a osht’ nji njeri që i dinë dy fjalë shqip i duket si me pasë vëlla. Ai i thojke motër nanës edhe kjo vëlla, e nuk ishin as të njëjtit katun, as të njëtit qytet po të Malësisë të Gjakovës. Pashkë, daja Peshk i thojsha une. Edhe ka qenë njeri pa shkollë, po e pike duhanin si aristokrat – qashtu më dukej mua atëherë – me nji cigarllëk. Edhe ja çojke nana me ia shitë ato tesha, ato në vek çka bojke nana edhe ai ja lshojke nji grusht rrena nanës, ‘Zoja Hatixhe, kom dëgju prom Radio Londrën thanë qishtu, komunizmit s’ka me i nxonë java tap-rrap’. Dhe nona me atë rrenë e kalojke javën. Atëherë vike e hanja tjetër opet ja lshojke naj rrenë edhe kalun vitet e ne u rritëm.

Shyqri Nimani

Dizajner grafik

Më 1970 e themelum universitetin, që ishte një ngjarje jashtëzakonisht e madhe. Mandej mas tri-katër vjetësh e themelum edhe Fakultetin e Arteve që quhej Akademia e Arteve edhe fillum me seksionin e pikturës, të grafikës edhe të dizajnit grafik. […] U kthyen gjenerat për çka kishte investu Kosova, gjenerata ime edhe do para meje filluan të kthehen në Kosovë që ishte gjë e jashtëzakonshme shumë gjë e mirë.  Edhe atëherë filluan të themelohen institucionet e para të Kosovës. I dini cilat janë ato? Me teatër… edhe pse disa ishin edhe ma heret. Mirëpo filluan me marrë domethanë karakterin ma të fuqishëm edhe me u, me u formu shumë ma mirë dhe mandej filloi me u ndërtu Kosova Filmi, mandej Galeria e Arteve, mandej [Ansambli] Shota e këto tjera. Pra filloi Kosova ta merrte trajtën e një shteti domethanë i cili do të vijë me hatër apo që thojnë a me zor edhe pse ajo ndodhi me këtë të dytën.

Alije Vokshi

Piktore

Ky është mjeshtri që ka qenë në kerr me kuaj edhe e kom pa unë e kom nalë, i kom thanë, ‘A munesh me ardhë në atelie me ta bo portretin?’ ‘Po,’ ka thanë. Edhe e kom punu, edhe këto durtë shumë domethanë i lodhun, e ky, plisi, plisi prej ngjyrës nuk është ngjyra e bardhë sikurse e plisit, po unë ia kom punu ashtu që ka punu edhe që është lodhë, edhe që është ngjyra, pluhni. Edhe kur e ka pa në ekspozitën time të parë nji Jusuf Kelmendi ka qenë nji personalitet, edhe ka thanë, ‘Në këtë pikturë taman po shifet, me këto durë, i lodhun, me këto durë…. Shumë, shumë portret i mirë.’

Xhevdet Xhafa

Piktor

…te unë ishte nji preokupim, si ta kuptoj natyrën e gjallë, figurën e njeriut, gjymtyrët, fizionominë e kokës të njeriut… me nji strejcë, në krahë me disa fleta maqine, e mjete tjera ndihmëse, filloj të shetis në disa tregje të Pejës. Ma së shpeshti jom dalë në tregun e gjelbërt. Nga fshatrat në ditë pazari i bijshin prodhimet bujqësore me do kosha të mëdha e të vogla përplot me artikuj ushqimor. 

Vetë pronarët ishin veshë me ato veshje tradicionale, që ishin aktuale për vitet ‘50-ta, ‘60-ta. Edhe unë, me shpejtësi, me kënaqësi, fillojsha shpejt e shpejt, me realizu me vizatu atë pamje të bukur. Mandej shpesh kom shku edhe në stacionin e autobusave… aty pak ma vështirë e kom pasë me vizatu, pse udhëtartë gjithnjë lëvizshin. Mirëpo, pak simbas kujtesës pak simbas natyrës, ato vizatime që i bojsha ishin si një lloj kroki.

Tomislav Trifić

Artist grafik

Shtëpia ime ishte mëtanë rrugës nga fabrika e letrës, ‘Lepenka’ quhej. Meqenëse ata përpunonin letrën, unë në mbeturinat e tyre gjeja libra të ndryshme, dhe një ditë pahiri gjeta një libër mbi artin. Atëherë unë mblidhja të gjitha ato libra duke mos ditur e njohur askend në ato kohëra të hershme, në atë etapë. Më pas u dashurova në art, do të thotë përderisa e studioja vizuelisht librin. Ndërsa mësuesja e cila më mësonte artin, ajo kishte përfunduar mu atë Shkollë të Artit në Pejë.  Dhe kështu në biseda me të, ajo tha, ‘Ti do t’mund të shkoje aty. E shoh që ke talent.’

Blerim Luzha

Dizajner i tekstilit

Tash une po i shkruj, ‘Kom dëgju që jeni i njoftun, unë jom një student që studioj për artin. Jom prej Prishtinës’. Po i tregoj krejt. Edhe ai ma kthen, ma kthen përgjegjen valla për nja dy javë qashtu. Po ma kthen nji përgjegje saqë mendova ky njeri s’e paska as shkollën fillore, as nuk e fliste shqipen mirë, nuk e shkrunte edhe shkronjat si zhgarravinë, domethonë qashtu artistat shkrujnë. Edhe tash isha në dilemë a me ja kthy përgjegjen a jo, s’koka gjo puna e tij (qeshë). Mendja e të riut! Edhe mandej hajt thashë për kurtuazi thashë po i përgjegjna. Kur ju kom përgjegj domethonë pa u bo pesë, gjashtë ditë ma ka çu një pako me katalloga. Katalloga që atëherë ai kish ekspozu me Picasso, me Matisse, atëhere e pashë une kush është ai.

Agim Rudi

Skulptor

…Josip Broz Tito, kryetari i Jugosllavisë, ai e ka pasë nji vend Brione në Kroaci, e aty i ka marrë të gjithë artistat. Edhe këta artistat e mëdhej i kanë pasë ateletë, ky Zdenko Kalin ka pasë atelenë aty, kur ka dashtë ka shku. Ka qenë njeri i madh, kom mësu shumë, ka qenë, tash e di, neoklasik, neoklasik, i vjetër me standarde t’vjetra. Une kur jom shku atje, ai ka dalë, ia ka nisë m’u përgaditë për pension, në atë moshë ka qenë, ka pi cigare ‘Jugosllavia’ […] Prej tij kom mësu shumë, kom mësu që s’mundësh ti m’i mësu në art, nuk mundësh m’i mësu do sende, ka do sende që nuk shkrujnë n’libër. Do sende shkrujnë, në art nuk shkrujnë, duhesh me i pa, duhesh me i pa. Duhesh me pa ai kur e kapë me skulpturu, Zdenko Kalin, kur e ka kapë ndonjiherë punimin e vet. Ma shumë kom mësu prej qatij minutit, ma shumë kom mësu se shumë sende tjera, shumë libra qe i kom lexu dhe arti është… i ka fshehtësitë e veta.