Hulumtimi mbi Kosovën përmes artistëve kreativ të saj, synon të përmbledhë tregimet e jetës së personaliteteve të ndryshme nga fusha e letërsisë, artit pamor, kinemasë dhe teatrit. Dëshmitë nxerrin në pah diferencimet dhe pikëtakimet gjuhësore, duke dhënë një pasqyrim unik mbi luftën e gjeneratave të ndryshme të artistëve, të cilëve u është dashur të ballafaqohen në mënyrë që të dalin në skenën publike.

Lirije Buliqi

Skulptore

Dita e parë ka qenë… salla ekspozuese ka qenë shumë e madhe. Atëhere, bash te hymja në anën e djathtë më kujtohet nji sallë shumë e madhe, thashë, ‘Çka bohet këtu?’ Për ekspozita kur është bo pranimi i veprave për shembull, u pregaditke materiali për pranim, përmes doganës normal që kanë shku, por ka qenë edhe shpedicioni përpara, me shpediter i bijke veprat deri në Galeri. Domethonë, u konë pak ma e thjeshtë procedura e doganimit. Tani, nejse, u instalojshin punët. Kemi qenë nji ekip shumë i vogël prej gjashtë vetave dhe të gjithë u kyçshim në organizim të ekspozitave. […] Ka qenë drejtori Shyqri Nimani, Engjëll Berisha ka qenë kustos, e kemi pasë kontabilistin, e kemi… kom qenë une, teknik e kemi pasë Rrahmanin edhe nji pastrus. Domethonë, me këtë staf kemi startu. Galeria ka qenë ashtu e pozicionume, gjithëmonë kemi pasë shumë vizitorë, sepse ambienti ka qenë i tillë imponues. Pas ‘Boro dhe Ramizit’ ka qenë pazari edhe njerëzit vijshin me kese e direkt në Galeri. Ne kemi pasë shumë vizitorë prej profileve të ndryshme, jo vetëm artistë. Ka qenë nji kënaqësi, nji përvojë, nji diçka krejt ndryshe për mu. Ishte përvojë shumë e kandshme me u njoftu me artista, une  isha e re në moshë, ata ma të vjetër dhe nuk i njifsha. U dufke m’u prezentu kush është kush, derisa për nji periudhë bajagi të gjatë arrita me i njoftë të gjithë.

Hysni Krasniqi

Grafist

Inspirimi jem ma s’shumti osht’ në natyrë. Unë e marrë një fragment nga natyra edhe e përjetoj, e përjetoj me shpirt edhe me zemër, edhe e qes ose në letër ose në material ose në pëlhurë. Ajo për mu osht’ kreyesorja. […] Për shembull, unë i kom ‘Grunajat’. Pse i kom grunajat? Grunajat, populli jonë ka vujt për kafshore goje, ka vujt për kafshore goje. I kom pastaj “Trinat”, trinat. Çka jonë trinat? Trinat jonë mjet i cili gjithëherë bujku i ka përdorë, si me rrafshit tokën […]

Pastaj i kom ‘Xixëllonjat’. Çka o xixëllonja? Xixëllonja osht’ lajmëtari i parë që ka dalë, duku i parë në Kosovë në tokë të bukës. Atëherë e kanë ditë që na jena dalë në bukën e re, qajo osht’ xixëllonja. Ajo me atë feniksin kur bon cik cik {onomatope} ajo tregon që osht’ ardhë kona me korrë dikun. E qito. Tani i kom ‘Lulet e kujtimit’, ai vendi i jem ku kom lindë unë aty në Llukar, ma shumë kom nejt në Prishtinë. Në vendlindje aty osht’ krejt me lule, lulebore, lule thishte, lule vjollce. Po çfarë ere ka lule vjollce, po osht’ diçka e pabesueshme, sikurse m’u konë nifarë ere e ni parfimi.

Fatmir Krypa

Grafist

… kur unë kom shku në shkollë, kur ia spjegoj dikujt diçka thotë, ‘Çka është kjo?’ I thonim tafte. Tafte. Çka është taftja? Ka qenë një pllakë A4 më një kornizë të drunit, si tabelë e zezë, e hollë. Dhe njënën anë ka qenë pa vija, njënën anë ka qenë me vija të bukurshkrimit. Vija të gjana dhe të ngushta, të gjana dhe të ngushta. Njëra anë ka qenë e zbrazët, krejtësisht e zezë, dhe në të ne i shkrunim detyrat që na i jepte mësuesi në klasë dhe i zhvillonim në shtëpi, dhe ia kthejshim me një shkumës i cili e gërrithte, linte gjurmë të bardha, të hint a linte. Dhe ajo ishte fletorja, ajo ishte si me thanë të gjitha çka kishim, çka posedonim. […] çka ishte ma e keqja, ti duke shku në shkollë me tafte në krahë, ndonjë shok, ndonjë shok, s’mund ti them si shok ai, por dashakeqës, vinte dhe ta fshinte detyrën dhe ti shkojshe në shkollë pa detyrë.

Rexhep Ferri

Piktor

Tajar Zavalani që e ka përkthy atë [‘Nënën’ e Maksim Gorkit], ai e pa se çka është komunizmi dul mandej e majke Radio Londrën. E nana ime u mytke tu e ndigju, ‘Po bjen sot komunizmi, po bjen nesër komunizmi’. Qysh njeriu nga njëri skaj shkon në skajin tjetër. Kur jemi kthy ne në Gjakovë…   neve na konfiskun krejt pasuninë edhe baba, baba, baba nuk, baba iki dulë, ai nuk… ai ka mendu që do të pshton në Gjakovë, nuk do të ketë nevojë me lonë familjen. Prej Fadil Hoxhës e deri te Sahit Bakalli, i ka pasë shokë shkolle edhe ka qenë mësus me ta bashkë nëpër Malësi të Gjakovës. 

Po u takum me Sahit Bakallin, përpara se me u taku me këta… edhe i thotë Sahit Bakalli, ‘Shihe Shaban, ti sonte nuk guxon me të nxonë nata në Gjakovë. Ne nuk mujmë me të pshtu prej sërbëve edhe prej malazezëve, se je nipi i Jakup Ferrit, i Hasan Ferrit, vëllau i Riza Ferrit, i Shemsi Ferrit që kanë udhëheqë luftën kundër partizanëve edhe vet je konë me ta. Por ti duhet me dalë me shku në Shipri, në Tropojë, ku ke qenë mësus, ku i ki miqtë tu atje se je i martum edhe kalon kjo furtunë dhe pshton disi’. Edhe e përcjellë e qet nga qyteti e shkon baba anej dhe ne mbesim. 

[…] njeriu kajhere, kur osht’ i vetmum, vetëm a osht’ nji njeri që i dinë dy fjalë shqip i duket si me pasë vëlla. Ai i thojke motër nanës edhe kjo vëlla, e nuk ishin as të njëjtit katun, as të njëtit qytet po të Malësisë të Gjakovës. Pashkë, daja Peshk i thojsha une. Edhe ka qenë njeri pa shkollë, po e pike duhanin si aristokrat – qashtu më dukej mua atëherë – me nji cigarllëk. Edhe ja çojke nana me ia shitë ato tesha, ato në vek çka bojke nana edhe ai ja lshojke nji grusht rrena nanës, ‘Zoja Hatixhe, kom dëgju prom Radio Londrën thanë qishtu, komunizmit s’ka me i nxonë java tap-rrap’. Dhe nona me atë rrenë e kalojke javën. Atëherë vike e hanja tjetër opet ja lshojke naj rrenë edhe kalun vitet e ne u rritëm.

Luljeta Çeku

Regjisore e teatrit

Jetën kulturore e kanë përmbush edhe këto shoqëritë kulturo-artisitke që kanë qenë në qytet të gjitha kombeve, kombësive si u qujshin atëherë, dhe unë paralel me teatrin kam qenë edhe anëtare e shoqërisë “Agimi”, dhe koncertet e tyre kanë qenë herë pas here, jo shumë shpesh po kanë qenë mjaft të mira, të suksesshme dhe edhe përvoja në atë shoqëri për mu ka qenë një eksperiencë e madhe. […] E unë kam pasë fatin që si 15, 16 vjeçe të shkoj në Gjermani me shoqërinë “Agimi” për shembull. Ajo ka qenë një gja shumë e bukur, se qyteti i Prizrenit me qytetin e Bingenit kanë qenë të vëllezëruar sikur që vazhdon tradita dhe sot.

Domethënë, ata e kanë atë “Bingen Fest” se e kanë pasë bashkëpunimin me, me “Progresin” e Prizrenit, domethanë prodhusit e venës që është në Krushë, Krushën e Madhe edhe me Rahovecin. Kështu që, unë kam qenë dhe për herë të parë me aeroplan kam fluturu si 16 vjeçe, në atë kohë ka qenë diçka e rrallë dhe jo e zakonshme. Të njejtin udhëtim e kemi përsëritë edhe njëherë mas dy viteve dhe me shoqërinë “Agimi” kam qenë edhe në festivalin në Turqi, në Itali edhe në shumë vende të tjera të Jugosllavisë. Kemi qenë edhe pjesëmarrës të olimpiadës në Sarajevë, unë kom udhëheqë koncertin e shoqnisë. Kemi qenë të ftuar për olimpiadë, në vitin 1984. […]

Ajo ka qenë kënaqësi e posaçme për të gjithë, sepse ajo rini edhe prindërit e tyre nuk kishin mundësi, jo gjithë prindërit që ata fëmijë të shkojnë diku, të shohin një vend tjetër. Dhe ajo ka qenë ai satisfaksioni ose shpërblimi që e merrshin edhe natyrisht u shpërblejshin me diplomë, me diçka, me ndonjë mirënjohje për rolin që e kishin aty dhe ajo ishte kënaqësia e tyne.

Pranvera Badivuku

Kompozitore

A din, shumë, nuk e di çka kanë ba, shumë jonë end me gjana. Maqina për shembull ka shku poshtë, nji shporet i vjetër ka ardhë të unë naltë, a din, s’di si i kanë bajtë ato, ato gjana. Shumë ç’rregullim ka qenë ndërtesa, banesat e shprazta, pa kurgjo mrenda. Veç fotografitë nuk i kanë prekë, edhe disa dokumente kështu. Se ajo ka qenë megjithëatë ndërtesë.

E një, një banore aty, ajo ka qenë dallmatine, ma e vjetër, s’kanë pasë ku me shku, edhe ka qenë aty. Tregonte se kamionin gjithmonë e kanë afru deri te hymja, për mos me pa çka po marrin, çka po ngarkojnë. Kasetat, kemi pasë na shumë video kaseta, po krejt muzike serioze, t’inçizume, t’ndryshme. Bashkëshorti ka qenë shumë i dhanun mas muzikës klasike e inçizojke instrumentist, e orkestra, e t’ndryshme. Ato i kemi gjetë n’hymje tjetër. Domethanë gana t’pakuptimta kanë ndodhë, nuk e di, nuk e di.

Po interesant ishte se si po i kujtohej njeriut krejt çka ka pasë, tash kështu shumë herë mendon njeriu se nuk din çka ka, po kur po t’mungojshin… Ka qenë pak qesharake. E pata bo listën çka po mungon krejt, se e disha dollapat si i kom pasë. E vetëm notat, notat, kangët e mija e kështu, i pata, i pata hudhë mbrapa dollapit, aty ka pasë njëfarë shprazëti por nuk shkonte poshtë, e qaty i kom gjetë.

Sevim Baki

Artiste/Këngëtare

Kur isha shumë e re, ishte një këngë e Emel Sayın, Sevda sevmessen [Kur nuk dashuron, dashuro]… quhej Rüzgar [Era], isha shumë e re dhe e imitoja shpesh. Kur kusherinjtë e mi vinin, thoja, ‘Dëshironi t’a imitoj Emel Sayın?’ Ulesha, vëja jastëkët në tokë, flokët në një anë {tregon me duar}, thoja, “Merreni tharësen e flokëve që flokët e mija të dukeshin sikur po i fryen era si asaj në video.’ Ata më duartrokisnin. Kur vinte ndonjë musafir, babai im thoshte, ‘Hajde, këndo disa këngë.’ Tani, kur e mendoj, mund të them që ka pasur shenja që do të jem e lidhur me muzikën.

Shkëlzen Maliqi

Filozof

Unë i thashë, ‘Kom ardhë me paraqitë një temë që nuk ekziston: Estetika bizantine’. Ai menjiherë kceu prej karrigës, tha, ‘Kush t’ka dezinformu ashtu? Qysh nuk ekziston?’ (Qeshë) ‘Mirë’, thashë unë. Tha, ‘Boma nji, nji koncept’. Unë pata nisë me lexu edhe ma herët do sene. Kur ia pruna atë draftin, ka qenë nja dy-tri tema kështu me tema që po du me i realizu. Edhe i kqyri tha, ‘Po, ti po don me bo libër’ (qeshë). Thashë, ‘Jo, jo veç qeshtu…’ Tha, ‘Mirë, vazhdo!’

[…] Edhe njëfarë dore dojsha me u bo bizantolog, me e mësu greqishtën e vjetër. Kom pasë fillu me mësu do kurse atje, por veç atëherë gati patëm hy në vitet e ‘80-ta, u ndërru edhe situata në Jugosllavi, edhe statusi im si me…. Në vitin ‘78 u pata punësu edhe në Fakultetin Filologjik në Beograd, dega e Albanologjisë. Tash, a din, të gjithëve na kapi pak edhe politika edhe këto sene edhe nuk më dukej më interesant me u marrë me atë, a din. Edhe pse kom pasë gjithmonë ide me kry atë, me botu atë punimin, me punu edhe pak. Vetëm pas 20 vjetëve, domethonë 1999 e kom botu qatë vëllimin e parë në shqip të ‘Estetikës Bizantine’.

Flora Brovina

Poete

Motra ime ishte qaq e vogël kur kemi vizitu babën në Pejë. Burgu i Pejës ishte plotë me t’burgosun shqiptarë. Pse e di këtë? Si fëmijë, pra isha e vogël nuk shkojsha në shkollë. E di sepse para burgut mblidheshim krejt familjet që kishin me hy me i vizitu të burgosurit edhe me ndonjë torbë kështu n’dorë {bënë se mbanë torbë në dorë}.

[…] Po këto trishtime që i bartë fëmijëria do të na përcjellin tanë jetën, sepse fëmijëria len gjurmë. Për fat mua nuk më ka shëndrru në një njeri të urrejtjës, por m’pëlqen që nuk m’ka mundë harresa. I mbaj n’mend, për shkak se kurrë nuk i marr si personale, por kujtoj që i ndaj me gjithë ata njerëz që pritshin me i pa të vetët në burg. I ndaj me gjithë ata njerëz që kane qenë të, të leqitur, familje të dënuara politike të leqitura nga shoqëria dhe kur as kojshiu nuk ka ardhë më t’vizitu sepse ka pasë frikë.

Abdullah Zeneli

Botues/Shkrimtar

Atëhere bëhej tollovi e madhe [në] këto kinematë që kemi pasë. Domethanë, Kinema Rinia, Kinema Vllaznimi dhe Kinema e Armatës Popullore, APJ që quhej […] Kinemaja ‘Vllaznimi’ ka qenë te ABC-ja që osht’ sot. Kinema ‘Rinia’ osht’ këtu përballë këtu {tregon me dorë nga dritarja}, përballë Qafës. Ndërsa APJ ku ishte UNMIK-u. Edhe tash m’duket e kanë rihapë. Rastësisht qëllova një ditë kur pashë disa njerëz aty dhe m’erdhi mirë. E mbaj n’mend shumë mirë dhe atë kinema. Dhe mbaheshin nganjëherë… na çonin edhe koncerte të ndryshme frymore, të instrumenteve… edhe shfaqje të ndryshme teatrale. E kam ndjekë edhe si fëmijë teatrin. E kam dashur shumë.[…] Krijimet më të mira domethanë botërore vinin. N’atë kohë ka qenë interesante ato aventurat e indianëve. ‘Vinetu’ [Winnetou] për shembull ka qenë. ‘Vinetu’ le që e kem përcjellë n’film, po ka qenë edhe një adaptim teatral. Po mbaj n’mend edhe një diçka shumë interesante të asaj periudhe. Bie fjala kur kam kalu një ditë qytetit edhe kam pa një reklamë, shfaqet ‘Tartufi’ në vitin 1962, unë kom qenë njëmbëdhjetë vjeç atëherë. Shkoj blej biletën edhe kom shku e kom pa shfaqjen. Dhe m’ka interesu domethanë ‘Tartufi’ i Molierit, shekulli i XVII, mesi i shekullit të 17… Ato flokët e gjata {prekë flokët e tij} domethanë të atyre aristokracisë franqeze. Edhe për mu ishte një botë krejt e re, shumë interesante. Ndoshta është edhe periudha edhe e Beatles dhe unë kam kriju njëfar lloj adhurimi ndaj flokëve të gjata dhe nga ajo kohë unë i kam flokët e gjata (buzeqeshë).