Fatmir Krypa

Prishtinë | Date: 3 mars, 2020 | Duration: 305 minuta

…kur unë kom shku në shkollë, kur ia spjegoj dikujt diçka thotë, ‘Çka është kjo?’ I thonim tafte. Tafte. Çka është taftja? Ka qenë një pllakë A4 më një kornizë të drunit, si tabelë e zezë, e hollë. Dhe njënën anë ka qenë pa vija, njënën anë ka qenë me vija të bukurshkrimit. Vija të gjana dhe të ngushta, të gjana dhe të ngushta. Njëra anë ka qenë e zbrazët, krejtësisht e zezë, dhe në të ne i shkrunim detyrat që na i jepte mësuesi në klasë dhe i zhvillonim në shtëpi, dhe ia kthejshim me një shkumës i cili e gërrithte, linte gjurmë të bardha, të hint a linte. Dhe ajo ishte fletorja, ajo ishte si me thanë të gjitha çka kishim, çka posedonim. […] çka ishte ma e keqja, ti duke shku në shkollë me tafte në krahë, ndonjë shok, ndonjë shok, s’mund ti them si shok ai, por dashakeqës, vinte dhe ta fshinte detyrën dhe ti shkojshe në shkollë pa detyrë.


Erëmirë Krasniqi (intervistuesja), Renea Begolli (Kamera)

Fatmir Krypa u lind në vitin 1942 në Gjakovë. Ai është ilustrator dhe grafist. Z. Krypa diplomoi nga Akademia e Arteve Aplikative në Beograd, në vitin 1968. Ndërdsa, studimet e magjistraturës i kreu në Akademinë e Arteve Figurative në Zagreb në vitin 1977. Z. Krypa punoi në Departamentin e Grafikës në Fakultetin e Arteve në Prishtinë, që nga themelimi në vitin 1973, deri në pensionimin e tij në vitin 2007. Ai ka pasur ekspozita të shumta vetijake, dhe pjesëmarrës i ekspozitave kolektive brenda dhe jashtë vendit. Ai është shpërblyer me shumë çmime kombëtare dhe ndërkombëtare. Aktualisht, jeton me familjen në Prishtinë.

Fatmir Krypa

Pjesa e Parë

Fatmir Krypa: Pra, po ja fillojmë… unë jam lindë në vitin 1942, në Gjakovë, në një familje zejtarësh. Kam pasë fatin prej një babe i cili më ka ushqy me dije dhe edukatë edhe respekt të punës, të cilin unë sot e përcjelli hap pas hapi kur shkoj në mendjen… atë e mbajë dhe në studion time. Vazhdimisht monitorojmë, tu i evoku gjërat të cilat kanë pasu gjatë jetës sime, dhe është një shembull i mirë që mu më ka mbajtë gjatë tanë jetës. Kur u prezantojsha si fmi, kur më pytshin qytetarët në ndonjë rast, “Djali i kujna je?” Kur i tregojsha se djali i Halil Krypës, “Respekt”. Nuk dishin të thonin fjalën “respekt”, por afërim i thojshin. “Shumë burrë i mirë, shumë burrë i ndershëm…” fjalë, epitetet ku ma të ndryshmet, ma të mirat.

Edhe unë atëherë si fëmi fort nuk i fokusojsha kto vëmendje, çka do të thotë kjo. Por me kalimin e kohës, unë fillova të monitoroj situatën se vërtetë qenkëm në një familje fatbardhësisht tu u eduku prej një njerit i cili edhe sot e mbajë një edukatë të tij, megjithëse jam shkollu 20 vite në shkollë. Por, ajo edukatë që më ka dhanë prindi nuk është edukatë as master, as doktoraturë, por është një edukatë e cila është e veçantë, prindore, jetësore e cila i nevojitet çdo njeriu. E edukata familjare është shumë e madhe për çdo krijesë që rritet e zhvillohet. Shkolla mund ta perfeksionojë, t’i jep kahje të ndryshme, mirëpo edukata familjare është shumë me rëndësi.

Erëmirë Krasniqi: Çfarë njeriu ka qenë baba i juaj edhe çfarë përvoja ka pasë?

Fatmir Krypa: Ai… përvoja e tij ka qenë se ka pasë një dalje prej Gjakovës shumë shpesh, shumë herë. Ka qenë një tregtar, me profesion rrobaqepës. Dhe ka ble materialet në… për dyqanin e tij në Zagreb, Maribor, në Celje, Kranj… andena ku kanë qenë fabrikat e tekstilit. Dhe kështu importonte edhe modele të reja, importonte edhe me çmime më të volitshme për me i bo konkurrencë që atëherë të tregut. Dhe ishte i veçantë se nuk kishte asortiment të tillë, kolegët e tij nuk e kishin atë asortiment që ky e mbante. Dhe, ai me atë që lëvizte poshtë e lartë nëpër ish-Jugosllavi, ai vetvetiu e sjellte një gamë kulture të Zagrebit, Lubjanës, Sllovenisë… edhe ajo domosdoshmërisht binte… reflektohej te ne në familje, në sjelljen… Ai me qytetërimin e tij edhe njerëzit i bënte për vete.

Kështu që, une si fëmi i tina kom pasë atë përfitim që e kom ritransmetu në vete edhe në fëmijët e mi. Përveç anës pedagogjike, çka kom mësu në pedagogji e në psikologji gjatë shkollimit e gjatë leximit, e gjatë praktikës në jetë me studentë gjatë përvojës 50 vjeçare, une e kom gërshetu të kaluarën me këtë të sotit, t’u i harmonizu gjërat dhe t’u e dhanë një mendim ashtu adekuat për secilin fëmijë.

Erëmirë Krasniqi: Sa fëmijë keni qenë në familje?

Fatmir Krypa: Edhe ashtu si fëmijë ishtë një jetë e veçantë tash kur e shof nga këndvështrimi i moshës 78 vjeçare. Unë për herë të parë në lagjen ku jetonim, ndoshta ka qenë edhe topi i parë në lagje… po, po, në qytet të Gjakovës një prej topave të parë të llastikut {lëvizë duart sikur luan me top} kanë qenë që ma ka sjellë [baba] prej Zagrebit. Dhe ne nuk dinim me lujt me të, ai kcente shumë… ishim mësu me lujt me topa prej leshit që ja u nukshim lopëve leshin, e bojshim topin. Bojshim topa prej cuklave, me të lunim. Kurse kur ma sjelli baba atë top ishte, ishte befasi se si ai hedhej naltë e ne s’dinim sa duhët… edhe nuk dishim një herë hala me manovru me… si vepron një top i llastikut. Domethënë, deri në atë gjendje.

Ajo kohë kur unë kom shku në shkollë, kur ia spjegoj dikujt diçka thotë, “Çka është kjo?” I thonim tafte. Tafte. Çka është taftja? Ka qenë një pllakë A4 më një kornizë të drunit, si tabelë e zezë, e hollë. Dhe njenën anë ka qenë pa vija, njenën anë ka qenë me vija të bukurshkrimit. Vija të gjana dhe të ngushta, të gjana dhe të ngushta. Njëra anë ka qenë e zbrazët, krejtësisht e zezë, dhe në të ne i shkrunim detyrat që na i jepte mësuesi në klasë dhe i zhvillonim në shtëpi, dhe ia kthejshim me një shkumës i cili e gërrithte, linte gjurmë të bardha, të hint a linte. Dhe ajo ishte fletorja, ajo ishte si me thanë të gjitha çka kishim, çka posedonim. Megjithëse, abetarja ekzistonte për mësuesin. Kurse për ne abetarja në gjysëmvjetorin e parë nuk ka ekzistu. Ne gjysëmvjetorin e dytë na kanë dhanë abetarën. Por me gjetuninë e prindit, ai më ka… mu edhe disa shokë të mi, fletore më ka sjellë, fletore të cilat ma vonë fillunë të bahen përditshmëri e nxanësave të mavonshëm.

Por kjo, kur i them dikujt se në tafte ne kemi shkru matematikë, kemi vizatu, kemi llogaritë, kemi bo bukurshkrim. Dhe çka ishte ma e keqja, ti duke shku në shkollë me tafte në krahë, ndonjë shok, ndonjë shok, s’mund ti them si shok ai, por dashakeqës, vinte dhe ta fshinte detyrën dhe ti shkojshe në shkollë pa detyrë.

Erëmirë Krasniqi: Domethënë, krejt detyrat i bojshit në të njejtën tafte?

Fatmir Krypa: Njejtën tafte, njejtën tafte. Po, po. Ajo fshihej me leckë, fshihej me leckë. Shpuza nuk ekzistonte në atë kohë. Shpuza nuk ekzistonte. Dhe ashtu ishte një jetë fëminore e shkollimit të vitit të parë. Para kësaj më kujtohet një ngjarje kur mbi Gjakovë defilohen aeroplanët të cilët tërhekshin forcat e Luftës së Dytë Botërore prej Greqisë, dhe kalonin ka Gjakova. Posa kisha dalë, kisha tre vjet. Ishte fundi i luftës dhe u mbush qielli me aeroplana. Kurrë s’kisha parë një gjë të tillë. Aeroplana, s’mund t’i numrojshe sa ishin shumë, ndoshta 80 deri në njëqind. Ishte mbushë qielli.

Një burrë në moshë ashtu 30, 40 vite më kapi për dore dhe rrugës kur dola në rrugë më tha, “Ik ndër një strehë.” Unë s’disha pse. Deri sa t’i jepsha përgjegje pse, ai më kapi për dore dhe më futi ndër një strehë edhe më tha se mund të më vrasin aeroplanat. Çka disha fëmi që munen me vra aeroplanat mu, çka iu kom bo une diçka. Por, ishte luftë, ata e dinin. E une nuk disha se për çka janë ata, se për çka është aeroplani, për herë të parë e shifsha. Edhe qiellin e mbushën plot dhe më kapi dhe më sjelli në një strehë. Streha ishte për nja 70 [centimetra], a një metër e gjatë, më terheki ndër atë strehë deri sa u largunë aeroplanat andej nga Peja.

Kur ndëgjonim mandej nga pleqtë se është bombardu Peja. Ajo ishte bombardimi i gabushëm sipas disa të dhënave, se është bo gabim që është bombardu Peja. Ajo në një farë forme gabim, apo ka qenë gabim i dhanë nga spiunazhi, ka dhanë me qëllim dikush apo ajo nuk i dihet përgjigje, akoma deri më sot. Viktima ka pasë shumë në Pejë, në njerëz dhe [dëme] në infrastrukturë. Këtë më kujtohet mandej kur e kom vizitu Pejën edhe kur e kom pa në realitet Pejën si qytet. Kur kom shku në Shkollën e Artit, kom vërejtë gjurmët ku janë bombardu vendet, lokacionet ku janë bombardu edhe të dhënat të cilat ma të detajshme të këtij rasti. Por, ta kalojmë këtë, të vazhdojmë me formën e vijimit të shkollimit…

Erëmirë Krasniqi: Zoti Krypa, çfarë familje keni qenë? Sa keni qenë e madhe?

Fatmir Krypa: Po nga familja kështu kemi qenë, unë kom qenë djali ma i madh në familje prej gjashtë fëmijëve. Dy motra dhe kemi qenë katër djem. Unë prej tyre ma i madhi, dhe prej kësaj kanë arritë të shkollohen me diploma master domethanë dy vëllaznit tjerë dhe unë. Në art nuk ka doktoraturë, se do ta kisha bërë, por në art nuk ka doktoraturë. Edhe vllau mas meje që ishte, ishte i interesum, ma tepër fokusohej nga zeja e prindit. Kurse motrat krynin gjimnazin edhe u martu njëna, u martu tjetra. Dhe kështu kanë metë me…

Erëmirë Krasniqi: A i ndimojshit babës si fëmijë?

Fatmir Krypa: E tani kështu. Në këtë pyetje është një përgjegjje shumë që e përdori vazhdimisht si moto, “Mos të humbet koha kot”. Atë e kom si moto. Edhe në familjen time e kom pasë edhe e kom në punën time sot. Unë në mëngjes e programoj ditën, çka do të bëjë paradite, çka do të bëjë gjithë ditën dhe në mramje. E planifikoj ditën. Një agjendë globale [të përgjithshme]. Mund të ndërhyjnë rastet kur mund të thërret dikush, një agjendë me shku, ndonjë kërkesë tjetër dhe ndryshon. Por në 80 përqind t’i përmbylli ato agjendat që i kom planifiku në mramje. Dhe vllau mas meje që ka qenë e ka vazhdu zejen e babës edhe mandena e ka ndrru edhe atë se iu mërzit, e ka pa që ndoshta në punësimin e kish me qenë diku ma mirë. Në ndërmarrjen “Agimi” u bo një mbikqyrës, një shef, mandena në Shtëpinë e Mallnave “Agimi” të Gjakovës, dhe aty përfundoi edhe karriera e tina se u bo lufta dhe ajo u mbyll. Mandena ka pasë punë tjera.

Dhe kështu që, vllaznit tjerë, njëni profesor në kibernetikë, e pat studiu kibernetikën. Tjetri maqinerinë në Zagreb, e ky kibernetikën në Beograd. Që të dy janë si me thanë, janë mundu që t’i fokusoj që të kenë sa më shumë profesion atë që është deficitare. Dhe iu kam… kanë gjetë përkrahje dhe financiare dhe kështu të gjitha… edukative edhe i kom trasu që ta vazhdojnë një drejtim të tillë. Dhe edhe njëni edhe tjetri e kanë përfundu me sukses, njëni në Beograd e tjetri në Zagreb.

Erëmirë Krasniqi: Mendova, kur keni qenë fëmijë, a i keni ndihmu babës?

Fatmir Krypa: E tani une kthehem nga vetja. Ishte qe thashë një kërkesë e prindit që mos ta humbja kohën kot. Ky motiv mbetet edhe sot. Shkollën e kisha larg nga shtëpia, skaj më skaj Gjakovës. Dhe gjithnjë më pyste në mbramje, referimi u deshtë raport për çdo mramje. Për çdo mramje u deshte m’i dhanë raport se çka kom bo sot, çka mendoj nesër, çka ki në plan nesër. Këtë kur e them, i thom faleminderit babës. Ai më linte në njëfarë forme një kënd sa për lodra ma të arsyeshmet, e jo të humbem krejt në lodra. “Prej shkollës nëse ki me mësu, kryj detyrat. Nëse nuk ke me mësu, eja në dyqan”. Edhe njënën duhej ta zgjedhshe. Të dalim me shokë, “Me lujt, me lujt, me lujt deri në pafundësi? Jo, jo”.

Në klasën e shtatë dhe në klasën e tetë u kriju teatri i fëmijëve në Gjakovë dhe unë së bashku me disa shokë të mi u përzgjedhëm në atë ekipë me lujt “Borëbardhën”, mandena “Kësulëkuqen”, e mandena edhe disa të tjera kështu. Me ka 20 premiera, asine repriza. Në Pejë shkojshim, në Gjakovë shkojshim edhe në shfaqje. Kështu që, m’u deshke me dhanë edhe kontributin në shoqninë tjetër të amatorizmit artistik. Dhe kështu që i thojsha babës, “Sot kom prova”. “Eh, po mirë, shko në prova”.

Por këndojsha edhe kështu, u deshke edhe në kor të shkollës të shkoj. Shkojsha në kor të shkollës kur kishim provat për ndonjë kremtë fundviti… mandena prova për teatër. Dhe krejt këto përfundojshin mbrenda ditës. Dhe dyqanin… dhe qitash e shtina maqinën, muj me pasë, dje e kom sjellë prej shtëpisë, maqinën e rrobaqepsisë, qe ktu e kom, e fotografojmë mandej. E sjella, se vajzës duhet të ia shkurtoj një parë trenerka.

Erëmirë Krasniqi: Domethënë, ai e ka bo edhe…

Fatmir Krypa: Unë zanatin e rrobaqepsisë e kom mësu në tërësi. E di plotësisht. Kjo ka qenë një moto e imja që ta mësoj zanatin. Shkollën po se po, zanatin. Kudo që të shkojsh me zanat… në Afrikë me të gjujt me parashut, me të gjujt dikun me një vend, munësh me jetu. Edhe ajo më pat dhanë edhe si motiv që ta mësoj edhe zanatin e fotografisë në Pejë. U pozicionova te një fotograf edhe ai, i bojsha fotografitë e mia që e kisha një Altix IV, një aparat të vjetër, Altix IV. Edhe bojsha fotografi kështu. I zhvillojsha aty. Dikur fillova edhe vetë me i zhvillu në emulsion te ai.

Fillova me i ndihmu se ai e kishte mangësi të pamurit. Unë isha në Shkollë të Artit atëherë. Por, para se të vijë te kjo, kur thashë nuk po defilojë nëpër një situatë, por po kaloj… e aty e mësova edhe zanatin e fotografit. Prej retushit të fotografisë, që ishte jashtëzakonisht vështirë, por synin e kisha jashtëzakonisht të mrehtë se isha nxanës i Shkollës së Artit. E bojsha fotografinë e retushit s’u vrejke a është e prekne fare, se në film u dashke me laps me bo retush. Në film. Dhe mësova të fotografoj në studio, se në natyrë, në enterierë, në eksterierë u bonë… me drita, pa drita këto u bonë krejt. Dhe të zhvillojë fotografinë, të bojsh retush, zanati i fotografit u mësu. Zanatin e rrobaqepsisë e kisha mësu.

Erëmirë Krasniqi: A qepshe për vete?

Fatmir Krypa: Po, po. Unë këmishat i kepsha për dymbëdhjetë minuta. Dymbëdhjetë minuta e kepsha një këmishë. Se bojshim gara me, se kena pasë edhe tre punëtorë tjerë te baba në dyqan. Kështu që, bojshim gara me punëtorët, kush po i kepë ma shpejtë. Dymbëdhjetë ka qenë norma të cilën e kom arritë më së shpejti. Dhe, kështu pantollat po ashtu. Mirëpo, kjo ishte vetëm sa për ta mësu zanatin edhe nuk disha se çka do bahet me mu. Une vizatimin e kisha mësu që heret, në mënyrë instikti. Edhe në klasën e katërt fillore e bona një portret të Skenderbeut që gjindej atëherë në librat e historisë, në profil. E mësojshim Skenderbeun por në vija të shkurta, sa për të mësu kush është Skenderbeu. Dhe ishte fotografia në faqen e… me një faqe të librit. Dhe une e marr atë edhe e rriti në fletë të bllokut numër katër, aq kena pasë blloka. Dhe mbasi që e punova, ia çoj mësuesit në orën e vizatimit edhe i thom, “A e kom vizatu mirë?” Edhe pak me një frikë a e din se a i përngjante Skenderbeut, e shihsha që po i përngjanë.

Edhe çdo punë që e bojsha ia tregojsha babës. E kom pasë një kontakt kështu si me thanë një… raporti ka qenë prind-fëmijë, por si me thanë unë mendojsha se din ai gjithçka. Ku din të vizatoj ai, a di? Por thonte se mirë, “Mirë është, po”. Ma bonte rrafsh ndoshta ndonjëherë, por më thonte se mirë, por edhe une i besojsha. Dhe atë ia çoj mësuesit, Mazllom Hoxha, një mësues shumë i përmbajtun, shumë edhe sikur të gjithë mësuesit e asaj kohe që kanë qenë shembull për nxanësin, për prindin, për kulturën e asaj kohës. Për çdo send kanë qenë shembull. Mësuesi ka qenë diçka si një njeri që e bon korigjimin e shoqnisë në çdo hap. Edhe me të pa në rrugë të keqe, “Kqyre djali i mirë se e ki keq”. A e din, në rrugë munët me të këshillu e lëne ma në klasë. Aq ka qenë roli i mësuesit kudo, në çdo vend. Edhe ka qenë respekti po ashtu i nxanësit ndaj mësuesit. Kur i ka thanë mësusi një gjë të tillë, ajo ka qenë një gjë e përmbyllun, e përkryme. Edhe e vërtetë, edhe e sinqertë që po thotë, dashamirësi. Jo vetëm sa për ta thanë.

Edhe ai më thotë se, “Kush të ka ndihmu?” A e din, më thotë mësuesi, a e di? “A të ka ndihmu dikush?” Unë isha më i madhi, s’kish kush me më ndihmu, çfarë! Po i them, “Jo, vetë e kom bo”, a e di. “Shumë bukur”, thotë, “shumë bukur. Ma jep këtë”. Edhe e ngjet me i thojshin patenta, do farë kapse me maje, të rrumbullakta me maje kanë qenë. Me katër patenta e ngjiti diku në mur të klasës atë fletën numër katër aty, Skenderbeun. Edhe mu m’u dokë uhaa {onomatope} mësuesi ma ka zgjedhë këto edhe nxansave ju erdh mirë, a di, kjo qysh po dika ky me vizatu, a di, po… Tashti isha [më i miri], a e din, prej nxanësave si të thojsh tash modesti, kemi qenë, po, 40 nxanësa në klasë.

Erëmirë Krasniqi: A ka pasë vajza në atë kohë?

Fatmir Krypa: Po, po, po, po, po, si jo. Ka pasë vajza. Edhe ka qenë një numër mjaft… edhe aty një rast kur m’u bo përzgjedhja e asajna, une fillova me mendu se ndoshta po dikem me vizatu. Ndoshta po dikem me vizatu, a din, po. Dhe të nesrit, ashtu gjatë javës mësuesi më thotë, “Fatmir, duhesh me i bo krejt hartat e gjeografisë”, që kishim mësu për lumenjët të Jugosllavisë së atëhershme. Sot di ta vizatoj tani hartën e kufirin e Jugosllavisë përmendësh. E di edhe lumenjët, liqenjët, malet, fushat, xehëroret, të gjitha ato t’i boj disa harta. Ato hartat ishin në gjysë hameri. Dhe ai i kishte porositë diku dy shtaga dhe i vënte shtagat dhe i virrte në klasë.

Të gjitha ato detyra që ne i kalonim gjatë procesit mësimor më shtike t’ia vizatoj dhe unë i pasqyrojshim në klasë. Dhe kjo m’u dukë mu në klasën e katërt se është diçka një punë që po e boj, po menoj veç une, a e din, si… po modestia ka qenë tejet e madhe, tejet e madhe, tejet e madhe. As s’guxojsha ti thojsha vetit se unë po dikna diçka. Por s’di pse po e boj une këtë, se s’ka qenë moto te të rinjët të krenohen me një punë që unë e kom bo, a unë… edhe me rrejt, ajo ka qenë e pamundur, e lëne ma atë të vërtetën ta tregojsh, t’ia pasqyrojsh dikujt që e ke bo vet, që ta ka verifiku dikush ma i vjetër. Edhe ndonëse dojsha të barazojsha me landë të tjera. Qitu i kom dy libra…

Erëmirë Krasniqi: E krejt i mësojshit… krejt klasa mësojshit gjeografi përmes vizatimeve tuaja?

Fatmir Krypa: Po, po, ishin hartat. Ja kufiri, ja ku janë malet… Trigllavi, qe ku është maja e Trigllavit {tregon me gisht} e Slloveni, 2700 e sa metër, tash, 2800 a sa, po, është kjo e naltë. Kqyre këtu ku është kjo {tregon me gisht}, kjo është Panonine, kjo është fusha ma e madhe, qe ku është ktu, qe ku është… Dalmatët ku kanë qenë, krejt këto. Edhe aty ishin edhe historia, edhe gjeografia aty. Dhe une tashti fillova edhe vetvetiu të pasqyroja dhe dijen dhe në landë të tjera, se matematikën e disha mirë. E kisha një djalosh që punonte në dyqan te na dhe ai s’kishte detyrë në matematikë që nuk më shtinte me zhvillu në kohë të lirë. Kur s’kisha me punu diçka më shtinte me punu në matematikë. Matematikën e kisha diçka, përveç vizatimit si landë të dytë. Edhe ka qenë momenti kur a të studioj arkitekturën, a të studioj artet? Aty ka qenë një dilemë, por veproj 60 me 40 të studioj artet, se matematikën e kom dashtë…

Eh kështu tani… kur një ditë me qiti profesori në klasë me më… matematikë, po tash për me e marrë një notë. Dhe e qiti një kolegë që dinte, që ishin… Në klasë nuk kishte ma tepër të shkëlqyshëm se tre, katër studentë… tre, katër nxënës. Jo sikur tani, tërë klasa është e shkëlqyeshme ose 80 përqind. Atëherë kanë…

Erëmirë Krasniqi: Nuk mujshin krejt me përcjellë, a qysh…

Fatmir Krypa: Qysh?

Erëmirë Krasniqi: Nuk ishin krejt të aftë me u kyç në sistem…

Fatmir Krypa: Jo, jo, jo, po shiko tashti. Nuk kanë pasë kush të ngritë nivelin e tyre. Dhe nivelin tash po them na katër, pesë nxënës prej 40 nxënësve, çdo i dhjeti me qenë… 40 nxënës… 40 me qenë të shkëlqyshëm ishte bukur një krenari me qenë. Edhe na jepnin nga një libër, qitu e kom, ta tregoj mandena. “Për sukses të shkëlqyshëm i jepet ky libër filan fistekut”. Edhe në gjysëmvjetor edhe në fund të vitit, i kom ato dy libra. “Si u bë njeriu vigan?” Libri i parë i cili është përkthy në gjuhën shqipe, edhe “Tregim për bukën e bardhë”. Edhe ky ka qenë fillimi i përkthimeve nga literatura serbe, sepse s’kishe shkrimtarë të cilët… ma vonë Esad Mekuli me poezitë e tij e kështu.

Erëmirë Krasniqi: Po libra?

Fatmir Krypa: Urdhno? Libra nuk kishte. Doli ma vonë “Rrushi ka nisë me u pjekë” i shkrimtarit Sinan Hasani, por ai ishte vitet e mëvonshme, shumë mëvonshme. Ai është romani i parë shqiptar që ka dalë, “Rrushi ka nisë me u pjekë” i Sinan Hasanit. Fatëkeqsisht nga një njeri që mandena e devalvoi vetën politikisht, ku edhe vepra e tina, ndoshta e para që është shkru si roman i parë nuk permendet. Nuk din kush. Nuk e permend kush. Nuk e vlerëson kush, se e njollosi vetën, e njollosi edhe artin e shkrimit me punën e tij që bëri në politikë. Po them, se une polikan nuk kam qenë edhe nuk jam, nuk mirrem, por ashtu e menjanuan atë krijimtarinë e tina.

Dhe kështu që, me atë… në gjysëmvjetorin e dytë se është, ktu po e zo pak në spikamë këtë vitin e katërt se ajo është një trampolinë prej të tjerëve, prej vetës, që kom ba në vështrim me artin. Dhe në gjysëmvjetorin e dytë më shkoi mësuesi Mazllom, më erdh një tjetër Salih Canhasi, një burrë ma i vjetër. Ishim mësu me atë mësuesin e ri. Ishim mësu, ai ishte ma alegro, ma i përafërt. Ky ishte ma me përvojë, kishte ma përvojë edhe… por disi na, si vajza ime e dytë kur donim ta regjistronim në klasën e parë, “E du mësuesen e bukur babi, e du mësuesen e bukur nanë”.

Edhe na donim mësuesin me qenë i bukur. A ky Salihi nuk ishte me atë, por mandena ai e boni, e kompenzoi atë fizikus me punën e tij, me gjestet e tij, me vlerat e tij. E boni të bukur vetvetën. Ma të bukur sesa që ishte ndoshta, ndoshta, mësuesi Mazllom, të cilin e kom një respekt të madh. Edhe kurdo që e kom pa, jemi pa, e kujtonim me mallë njëni-tjetrin, ato vizatimet që i bëja. Atëherë i kujtonim. Kur më ka vdekë edhe nana, ngushllimet që m’i ka bo, ju thotë, “Fatmiri ka qenë një prej nxanësave ma të mirë që kom pasë”. Ne sobën e burrave aty, që s’sishte vendi, por ai e thoshte, “E kom pasë nxanës të mirë”.

E kur një ditë ky mësuesi Salih, kishim orën e vizatimit, kjo është shumë me randësi për mu, vitale. Ishte ora e vizatimit, pushimi ishte i gjatë, 15 minutësh. Kishim dalë të gjithë jashtë. Mësuesi Salih e kishte gjetë një perspektivë, një rrugë, në perspektivë, ndërtesa ma e madhe, ma e vogël dhe ma e vogël, si zvogëlohej në një libër. Dhe donte me e vizatu në dërrasë të zezë për me e mësu na perpsektivën, çka është perspektiva, me mësu me e vizatu shpia qysh duket në fillim e madhe, e njëjta shtëpi, por kur shiqohet prej së largu, po edhe e njëjta shtëpi ku është e dyta, e treta, dukën se janë ma të vogla. Ato në realitet janë të njejta. Dhe ka marrë me vizatu, ato ju kishin pasë rrëzu, s’kish pasë mujt m’i vizatu.

Ku e morra vesh une? Po më thërret kujdestari, se edhe mësuesi Salih më shtini me punu mu disa vizatime mandena. Të gjithë kryetarët e Republikave, se m’pa edhe ky, “Kush i ka bo këto harta?” “Kush e ka bo këtë?” “Fatmiri”. A din? Eh më shtini me i bo mandena krejt kryetarët e Republikave të asaj kohe që ishin të Jugosllavisë. Lazar Kolisevski, nga Maqedonia. Djura Pucar “Stari”, prej Vojvodinës. Ivan Gosnjak, ka qenë prej Kroacisë. Petar Stambolic, ka qenë prej Serbisë, e të tjerë, e të tjerë. Kështu prej gjashtë republikave, me i bo krejt kta kryetarët e Republikave, me i bo. Kishim mësu na në aty edhe tashti më shtini ai me ia vizatu aty.

Edhe ta vizatojsh edhe ta rujsh karakterin nuk ishte gja e vogël. Se aty një imtësi e vogël të ia bojsh tani ke një hark në sy nalt, edhe një poshtë. Por, asnjëni s’e kemi synin të njejtë. Dy harqe i kemi, asnjëni s’e ka synin e njajtë. Ta bojsh ma të hapët, ma të pjerrët, ndryshon karakteri. Hunën ma të gjanë, hunën të gjatë, buzën ma të trashë, buzën ma të hollë, ballin ma të ngushtë, ti e ndryshon karakterin. E ti tash duheshe me i vlerësu mirë këto proporcione. E s’e di une i pata… në mënyrë instinkte, si fëmijë, i pata përvetësu.

Edhe tash po e lidhi me mësuesin Salih. S’ka mujt me i vizatu, e ka fshi me shpuzë. Mirëpo, shpuza ka qenë e terur. E ka fshi, disa herë e ka fshi, sipërfaqsisht. Ama sytë e mi kanë qenë aq të mprehtë, sa e vrejta në tabelë se është fshi ma parë shtëpijat të cilat u dukshin si të rrëzume. Jo në perspektivë me qëndru ato, por ato u rrëzojshin. S’ka mujt. “Kujdestar, ku është Fatmiri? Thirre Fatmirin”. Vrap une. Thotë, “A din me vizatu këtë?” Po e kqyri, rrugicë me tri shtëpia njëna anë, tri shtëpia tre-katëshe njëna anë, tri shtëpia tre-katëshe tjetra e në perspektivë. Ma e madhe, ma e vogël dhe ma e vogël. Ashtu edhe ana tjetër. Edhe une pa vizatu asnjëherë në perspektivë i thom, “Po”. S’e di ku morra guximin edhe kjo bash sot i boj pyetje vetit, “Si kom marrë guximin m’i thanë po?” Edhe i thashë, “Po”. Edhe morra e vizatova ashtu siç ishte në libër.

Kur ju afrova tabelës e pashë se mësuesi kishte vizatu ma parë, s’kishte mujt ta vizatonte, e kishte fshi. Edhe mu kjo më erdh si me thanë keqardhje, por krahas kësaj keqardhje edhe një mburrje, që tashti une po vizatoj ma mirë se mësuesi. Uaa {onomatope} kush jom une? Në klasë të katërt me një mësues me shumë përvoje, me një njeri që… jashtëzakonisht pedagog. Mandena qe thashë, e boni vetën të bukur, të mençëm te une sikur të ishte ai gjithçka mbi mu. Edhe e vizatova. As nuk më tha mos i thuj kuj se e ke vizatu ti. Por unë kurrën e kurrës deri mbas vdekjes të tina, Salih Canhasit, ndjesë pastë, nuk e kam thanë kta. Po pse edhe mos ta them? Se nuk është e thane ai si pedagog me ditë me vizatu. Por ka qenë një pedagog i mirëfilltë për të gjitha të tjerat që mu më ka majtë në atë gjysëmvjetor të dytë. Në një rank shumë të lartë të punës time që kom ba me landët e tjera dhe me landën e vizatimit.

Edhe, kështu që, unë gjatë tonë jetës e kom përmend, e kom përmend, edhe në biografinë time, në monografinë time do ta kem portretin e tina. Do ta kem fotografinë e tina, se jemi nxanësa te dalur në shkolle fillore, me flokë të rrumë, se baba aty ka pasë princip, këtu kom pasë një vërejtje te ai, por hajde guxo me i thanë pse. Kur bojshim me dalë me shku në fotografi për fund të vitit m’i jepke paret me shku te berberi, me shku m’u qethë. Jo, m’u qethë, por me rru tërësisht kokën. Ashtu bënim të gjithë pothuajse, fëmijët. Dhe jam në fotografi të klasës së tretë, fotografinë e klasës së katërt me flokë të rrumë. Po mirë, ajo është fizikusi, aty ështe. Megjithëatë, është një e vërtetë, një biografi, një ashtu që une e kom parasysh.

Dhe me këtë njohuri që pata përmbledhë, se edhe e kom edhe nënshkrimin e tij, që do t’ia deponoj, do t’ia… në monografinë time këtu që e kom. Edhe që më ka dhuru atë libër, shkrimin e tina dokument që e kom, do ta… se sa herë ta shof më del fotografia e tij përballë. Edhe e kom një respekt të veçantë. Kjo, viti i katërt ka qenë për mu një bazament që e ndërtova vitin, e ndërtova veten me landët e tjera me një sukses të shkëlqyshëm e me një njohuri që kisha përfitu nga vizatimi dhe vazhdova mandej në klasën e pestë e të gjashtën e….

Download PDF