Pjesa e Gjashtë
Mevlyde Mezini Saraçi: Oborri i burgut kishte çelë si ni lulishtë, sepse të burgosurit i kanë shfrytëzu për ta punu oborrin, për ta pa ni pamje të bukur. Kjo ka qenë ni maskë e Serbisë që të mendojnë se e kanë lulishtë edhe brenda. Edhe unë mendova, më kanë pru në lulishtë, po më rrahin e burgosin në lulishtë. Por, ajo zgjati veç dy-tre minuta derisa arrita te pranimi i Burgut të Grave në Lipjan. Aty u ballafaqova menjëherë me ato gardianet e tmerrshme serbe, ato kriminele që e krynin misionin e tyre në formën ma të vrazhdë. Por, mes tyre kishte qenë edhe ni shqiptare.
Unë në atë kohë nuk muja ta merrja me mend se si ni shqiptare punon police në burg, ishte e pakapshme. Dhe ajo detyrohej të fliste në gjuhën serbe për faktin për ta kuptu zyrtaret tjera, se ishte atëherë vetëm gjuhë zyrtare. Dhe unë refuzova të ju përgjigjem, tregova kokëfortësi. Ajo më luti, m’i merr shënimet, të shkoj në dhomën t’i ndrroj rrobat. T’i marrë ato veshjet e burgut e ta bëj ni lloj pastrimi, sepse atje katër ditë në qeli as s’kam ngrënë, as s’kam pirë, vetëm jam rrahur. Unë refuzova të gjitha. Pastaj kur më dërgoi në dhomë mi tha dy-tri fjalë shqip. Tha, “Unë jom Sanija, jom Sanije Bytyçi”, tha, “kom sakrifiku vetën edhe familjen për t’i ndihmu të burgosurat politike. Jom po e burgosur aq sa ju, po mundohem të jep kontribut”. Unë e shikova me mëri edhe nuk munda ta përceptoja fare dhe refuzova. Ajo insistoi tha, “Të lutem kuptom, unë jom për ju këtu”.
Kaluan disa ditë, unë nuk desha as të pranoj komunikim as kurgjo, por ma vonë e kuptova. Ajo e kishte informuar përmes mekanizmave të saj kryesinë e LDK-së, e kryesia e LDK-së familjen time që unë jom në Burgun e Lipjanit. Sepse për 17 ditë familja nuk e kanë ditë ku jom, a jom në Serbi, a jom në qeli në Gjakovë apo më kanë vrarë apo ku jom. Kjo ishte informata e parë kur ma solli Sanija. Tha, “Unë kom komuniku me Naser Osmanin. I kom tregu dhe Naseri i ka lajmëru familjen tënde dhe ata të kanë dërguar shumë të fala”. Eh, po, mirë shumë. Atëherë edhe e ka bërë ni komunikim përmes motrës time në Prishtinë dhe kur më ka sjellë informata të vërteta prej familjes time atëherë e kom kuptu se Sanija osht’ në burg për të na ndihmuar neve, dhe vërtetë na ka ndihmuar.
Por, nuk ka mund ta pengoj atë dhunën edhe terrorin që kemi pasë. Burgu, burg. Burg serb, burg hetues, burg i tmerrshëm. Unë isha ish deputete e kuvendit, kryetare e emergjencave, kryetare e Forumit të Gruas, kryetare e kryesisë. Me njiqind funksione të cilat nuk të jepnim emër, por obligim e sakrificë. Për ata unë isha person i duhur që më kishin zënë dhe mandej ato torturat tjera vazhduan. Aty në burg i kom taku edhe tri studente të Prizrenit, Behare Tafallari, Jehona Krasniqi edhe Leonora Morina. Të trija studente kanë qenë në fillet e para të UÇK-së, kanë pregatitë atë anën shëndetësore, kushtet e ndihmës të parë dhe i kanë zënë duke ushtruar edhe ato kanë qenë në burg me mua.
Ka ardhë pastaj Zahrije Podrimqaku nga Drenasi edhe atë e kanë torturuar pa masë. Ni muaj pas meje erdh Fatime Boshnjaku, të cilën e kanë zënë duke ndihmuar luftën. Ka qenë Gjyke, s’po më kujtohet mbiemri po Gjyka nga Regjioni i Gjakovës, po ashtu edhe ajo ka ndihmu luftën. Ka pasë edhe dy gra tjera me të cilat s’kam arritë t’i njoh në burg, por kemi qenë disa të burgosura politike. Ato janë mundu në çdo moment që neve të na krijojnë skena, që ne të tentojmë të ikin e të na nxojnë duke ikë për të na vrarë. Ne kemi qenë të kujdesshme, kemi ndihmu njëra-tjetrën aq sa kemi mundur.
Për mua Sanije Bytyçi e ka lujtë rolin e heroinës, sepse unë kom bërë edhe grevë urie. Gjashtë muj ditë nuk kom ngrënë ushqim të burgut. Por, kom hupë aq shumë kilogram, kom qenë aq dobët me shëndet por i kom dhënë vetës detyrë. Nuk du të ushqehem me ushqim të burgut, nuk e du ushqimin e Serbisë. Për mu ushqim ka qenë liria, aktiviteti, e jo ushqimi. Prandaj, familja osht’ detyru të më sjellë ushqim çdo dy javë dhe me atë ushqimin që ma ka sjellë familja unë e kom shty. Shumë herë ma kanë refuzu, ma kanë hudhë. Shumë herë më kanë detyru ta ha krejt ushqimin përniherë që ka qenë e pamundur. Por për të mos e kuptu që unë nuk e ha ushqimin e burgut, Sanija më thonte, “Vendose gjithë bukën në gjellë që mos derdhet gjella e pastaj mbështjelle me gazeta”, që na binin.
Unë kom lexu gazetat serbisht, i kom kërku shqip, m’i kanë ndalu dhe ato serbisht m’i kanë leju me cenzurë, i kanë pre lajmet ma të rëndësishme. Tani ato gazetat ishin me leje dhe unë i mbështjellsha ushqimin, gjellën me gjithë bukë të përzier edhe i hidhnim nëpër kanta të bërllogut, për të mos e kuptu që nuk e ha. Mirëpo, ato kishin nuhatë mënyrën, se ushqimi im ku po përfundon. Për fat të mirë pshtova prej tyre, por nuk pshtova prej torturave tjera. Këto ishin momentet ma të vështira në burg kur nuk kishe të drejtë asgjë, as të mendoje shqip. Kishe mundësi tanë ditën me ato provokacione, me ato sjellje. I kanë rrahë të burgosurat, ma shumë e kanë rrah Zahrijen edhe Beharen, e kanë rrah edhe Fatimen, neve na kanë torturu psiqikisht çdo sekond.
Çdo sekond kemi qenë në rrezik për vdekje. Me mu ka pasë ni obligim njëra prej gardienëve që të më zënë, sepse ka dëgju Sanije, gardianja Sanije ka dëgju që, “Po presim këtë ta gjejmë në ni moment”. Unë kom dalë, nuk e di as vet, ato grilat e dritares jom afru, ka qenë e ndaluar. Aty jo që kemi mujtë me pa diçka, por nëpër grila, po thjeshtë…
Anita Susuri: Jeni afru te grilat.
Mevlyde Mezini Saraçi: E ka dëgjuar zërin tim edhe për ni sekond e ka hapë derën me shpejtësi edhe me kondak drejt te unë. Unë u zura ashtu qysh isha, sepse nuk e dija as vet si u gjenda në këmbë në kohën kur u detyrojshim me qenë ulur. Ishim të caktuara krejt ditën çfarë të bëjmë, jo të jesh në dhomë në qeli e të ngritësh të ecësh, të caktuara. Kemi pasë për detyrim me komandën edhe me kontrollin e tyre të rreptë. Thashë, “Asgjë”, tha, “me kë komunikove jashtë?” Thashë, “Me kë ka me komuniku jashtë? Hiç s’po më duket komunikim. Unë jam brenda dhe përtej burgut ku ka me shku?” Dhe ajo m’u kërcënu shumë dhe ma vonë e gjeti momentin Sanija dhe erdh i tha, “Të lutem vetëm mbylle gojën, mos komuniko. Trimninë tënde ruaje për përjashtë, këtu mos e rreziko vetë. Sepse këtu po e gjejnë momentin, po dojnë me ardhë”.
Masnej ka pasë inskenime të ndryshme për me na vra. I kanë ndalë dritat, kanë gjujtë poshtë, po mendoj, ka pasë të shtëna poshtë, kanë ardhë i kanë përplasë dyrtë, na kanë bastisë dhomat, na kanë tmerru në çfarëdo kohe që kanë dashtë. Ka qenë tmerr edhe qëndrimi gjithëditor pa banjo. E kemi pasë të caktuar në mëngjes në banjo pesë minuta, në drekë para se të hajmë drekë edhe në mbrëmje në ora 6:00 ka përfundu. Por, nevojat fiziologjike nuk kanë orar dhe ne kemi qenë të shtrënguara të përdorim edhe mjete ndihmëse në ni ambient jo higjienik. Sepse nuk kryhen nevojat në dhomë, por këto kanë qenë torturat e burgut.
Vizitat i kemi pasë ni herë në dy javë. Momente ma të vështira kanë qenë takimi me familjen. E dhimbshme, e dhimbshme sepse familja duhej të kalonte gjithë ato barriera nëpër rrugë e të vinte të më shikonte mu në burg. E të gjithë ishin, fëmitë e mi e bashkëshorti im. Po kanë ardhë rregullisht. Janë ndrru ashtu siç ua ka leju Gjykata e Pejës. Kanë ardhë më kanë vizitu dhe neve na kanë bërë vizitat me ni dhomë ku ngjante si dhomë e mirë, dhomë e ditës. Ni tavolinë në mes, në dy anët me karrige, nuk ka pasë gjurmë të burgut aty. Ajo ka qenë ni mashtrim optik për familjarët. Me ni moment po vijnë në vizitë motra e madhe nga Mitrovica, Melihatja, Agimi, Valmira vajza ime edhe po më thotë motra, “Po ky nuk qenka burg”, thashë, “Jo, nuk osht’”. As nuk kisha guxim t’i thoja osht’ burg apo nuk osht’ burg, po as nuk doja ta mërzisja.
Tha, “Tash unë po shkoj ma e qetë, se ti e paske pak ma mirë, vetëm që e mbyllun. Mos u mërzit, Kosova lirohet edhe ti lirohesh”. Kur shpërtheu në vaj Valmira, se ajo ka pa grilat, i ka pa edhe e ka ditë që jom në burg, i kanë spjegu edhe tjertë, ka lexu. Edhe qau shumë, tha, “Si nuk është burg?” Gardianja atëherë Sanija qëlloi në atë vizitë edhe i tha, “Çka po kërkon ti?” Tha, Valmira i tha, “Mbylle gojën!” Ajo tha, “Si guxon të më thuash mbylle gojën, jam police”, tha, “Puna madhe që je police”. Atëherë Sanija meqë nuk pat’ ndonjë kontrollë tjetër të policisë ishte vetëm ajo me neve buzëqeshi edhe tha, “Edhe unë jom police, po ti qenke ma e zoja se nëna yte”. Edhe Valmira ashtu me vajin e të qara u përshëndetëm e shkoi. Ishte vështirë.
Tani më kanë ardhë edhe familjartë e tjerë, por Pranverën nuk ma lejonin në vizitë. Pranvera ishte ma e vogla edhe e kishta harru pamjen e Pranverës. Sepse fëmitë i shihsha, mrena mujit i shhisha dhe e kërkoja Pranverën. Policia serbe për inat nuk e kishte dhënë lejën të vijë Pranvera në vizitë. Dhe unë herë e menoja të rritun, herë të vogël, herë foshnje, asniherë nuk më shkonte mendja ta shikoja ashtu siç u përshëndeta herën e fundit. Dhe sapo i hapja sytë, sytë e Pranverës vizatoheshin në dritare, në grila, por u coptojshin në mijëra pjesë se grilat ashtu ishin. Edhe unë krejt ditën kom qenë e shoqëruar me sytë e Pranverës. E shkrujta ni poezi, “Sytë e Pranverës” (qan). E shkrova në mendje (qan).
Anita Susuri: A doni me pushu pak?
Mevlyde Mezini Saraçi: Jo. Në mendje. E kishim të ndalume lapsin e letrën. Ma shumë vuaja sepse më duhej ta përsërisja në mendje që të mos e harroja (qan). Nga ana tjetër, më kishte marrë malli për Pranverën po ndjeja dhimbje pse m’i burgosë sytë e Pranverës. Nuk i mjaftonte burgu im, mu më dukej ashtu. Gjatë gjithë kohës deri jam liruar, sytë e Pranverës më kanë shoqëru në grilat e burgut. Pastaj për fat të mirë munda ta mbaj në mend atë poezi. Edhe sapo u lirova prej burgut e botova librin e parë, “Sytë e Pranverës” dhe disi ishte si ni shpagim për fëmijërinë e saj.
Nuk qaj për vujtjet e mia, qaj për fëmitë. Jo vetëm të mitë, por edhe të Kosovës. Mbase familja Jashari edhe shumë familje tjera, mijëra fëmi të tjerë e kanë dhënë jetën. Por edhe fëmitë e mi e kanë dhënë kontributin, sepse kanë qenë të rrezikuar çdo sekond. Sa herë është bastisë shtëpia, sa herë ma kanë marrë bashkëshortin, djalin, mua. Në burg, në vizita, në aktivitete, domethonë fëmijët e të gjithë Kosovës kanë jetuar pa fëmijëri. Prandaj, ndjehem si nënë e lumtur që ata kanë arritë të më kuptojnë. Sepse në vizitën e parë që ma bëri vajza, Rrezarta, ishte më e madhja edhe tha, “Mamë, qëndro krenare, gjithë Kosova po të përkrahë. Në të gjitha organizmat po përshëndetet puna jote edhe prej të gjithëve ki përkrahje. Mos u mërzit”.
Gjithashtu, përkrahje kom pasë prej tre avokatëve të mi. Njërin avokat ma ka porositë Sevdije Ahmeti, tani e ndjerë, ka qenë kryetare e shoqatës për ndihmë grave edhe e ka organize Lirie Osmani. Lirie Binishi Osmani ka qenë njëra prej avokateve. Ndërkaq, bashkëshorti im e ka siguru ni avokat nga Prizreni, Rexhep Hasani si dhe nga Peja, Shefqet Deçani. Shefqet Deçani e kishte pasë edhe babën të burgosur edhe vet kishte qenë i burgosur. Prandaj, ai vet kishte informata të jashtëzakonshme edhe brenda edhe jashtë burgut, gjithashtu edhe avokati i Prizrenit. Dhe kështu që, unë kisha mundësi brenda dy javësh ta kom vizitën me familje dhe tri vizita të avokatëve. Disi më mbanin gjallë ato vizita, por kërkesa ime ishte, “Du të lirohem nga burgu, nuk më intereson”.
Kur erdhi Shefqet Deçani në vizitën e fundit, “Zonja Mevlyde, ti mund t’i paraqesësh padrejtësitë, dhunën që po ta shkaktojnë, por për t’u liruar është punë e imja” tha, “unë vetëm po të tregoj që liria nuk është larg”. Ka qenë trim, guximtar. Tha, “Ti qëndro e forte”, tha, “ne punojmë për ty. Mos mendo për lirinë”. Ndërkaq, kur erdhi Rexhep Hasani prej Prizrenit më rrëshqiti loti edhe ai u pikëllu. Tha, “Unë jom i pafuqishëm për ta ndalë lotin, por nuk jom i pafuqishëm që të punoj për ty. Por, për ty po punojmë të gjithë brenda edhe jashtë. Mos u shqetëso”. Kur vinte Lirie Osmani ishte si ni melodi. Prej katrorkave përreth burgut që nuk e di si duken, por më duket që ashtu kanë qenë siç i kom ndjerë, dëgjoheshin taket, këpucat e saj. Në momentin kur ishte koha e vizitës i ndëgjoja taket, atëherë e dija që do të dal prej dhomës dhe do të takohem me Lirien, do të marrë informata.
Lirie Osmani na mbante vullnetin se ishte avokate edhe e imja edhe e Zahrije Podrimqakut. Dhe thonte, “Mos u shqetëso, barrierat po hiqen”, nuk kishte guxim të tregonte të gjitha po, “koha po merr e mirë, rrugtë po happen”, dhe unë e shihja lirinë. Më thoshte, “Unë do të vi sa herë që kërkon, por edhe unë jom e rrezikuar”. Me ni rast i kam kërkuar të vijë Nekibe Kelmendi. Ka ardhë Nekibja, por e kanë penguar, nuk e kanë lënë të më vizitoj. Ndërkaq gëzimi ma i madh për të burgosurat në atë kohë, se qajo ka qenë mundësia, ka qenë vizita e Kryqit të Kuq Ndërkombëtar.
Ditën kur erdhi Kryqi i Kuq kishte pasë leje nga organet shtetërore të ish-Jugosllavisë që të na vizitoj. Dhe ata na dërguan poshtë në sallën e takimeve, ku unë e di që kom qëndru gjashtë orë në intervistë me Kryqin e Kuq. Jo që kemi bisedu gjashtë orë, por na ka lënë të lirë, na ka zgjatë biseda për të na mbajtur pak të lira. Aty na kanë dhënë nga ni kartele të antarësisë, ku dëshmohet që jemi të burgosura edhe jemi vizitu. Por, kurrë nuk e kom pa ma atë kartelë, menjiherë na kanë marrë. Aty përkthyesi ishte, po ai [i njejti] përkthyesi që kishte qenë me mu në Drenicë që u ndalua në Komoran. Në momentin kur më pa u pikëllu shumë, por nuk kishte guxim të shprehej nga përfaqësuesit e Kryqit të Kuq Ndërkombëtar. Vetëm më tha, “Mbaje mend, unë jom ai. Të lumtë për vepra!” Tash, “Unë jom ai”, nuk e disha kush osht’ ai. “Unë jom ai”. Kisha… nuk mund ta përceptoja Kryqin e Kuq me atë, se unë si figurë vetëm ni herë e kisha pa.
Por, duke menduar ditë me radhë, ditë e netë atëherë e lidha se ky përkthyesi i Kryqit të Kuq paska qenë me mua në Drenicë. Ka ndodhë me të edhe ni takim me të ma vonë mas luftës edhe më nuk e kam parë. Por ai na dha kurajo edhe të gjitha të burgosurat atë ditë patëm shansën të takohemi me persona ndërkombëtarë, të flasim të gjitha ankesat tona, sepse kushtet kanë qenë tmerrshme, sjelljet kanë qenë të tmerrshme edhe për çdo mëngjes kemi pritë kur po na dërgojnë në Serbi. Por, fati e deshti që u organizuan edhe organizmat ndërkombëtare edhe të tri studentet një muaj para meje i nxorën me apele ndërkombëtare. Ndërkaq, për mua kanë punu shumë organizatat ndërkombëtare, por ato s’kanë punu vet. Ka punu Doktor Edi Shukriu me Forumin e Gruas, ua ka dërgua letrat të gjitha organizmave ndërkombëtare, madje edhe Kofi Annan. I ka dërguar edhe një organizate ndërkombëtare me seli në Itali, të cilët i kanë dërguar Millosheviqit letër edhe kushtëzim që gjatë takimit tim të marrin pjesë organizatat ndërkombëtare.
Të gjitha këto dokumente i kom, i ruaj. Dhe mua më kanë ndihmuar që të mos ngritet aktakuza. Kom arritë të lirohem me ndërmjetësim të organizatave ndërkombëtare, sigurisht edhe përpjekjes së avokatëve, por edhe mungesës së dëshmive. Sepse unë nuk kom pranu asni dëshmitar. Të gjitha dëshmitë e Serbisë i kom refuzu. Gjatë burgosjes pra ka qenë nifarë rregulli, ligj, i ish-Jugosllavisë që nëse nuk arrihet të pregatitet aktakuza brenda 180 ditëve janë detyru të të lirojnë. E unë e kom pasë fatin që para burgimin ta kom së pari për 30 ditë nga Gjykata Komunale e Prizrenit. Herën e dytë më kanë dërgu në Prishtinë në Gjykatë të Qarkut te Danica Marinkoviç, krye kriminelja që ende jeton dhe është prapë krye kriminele. Ka bërë gjykimet më të rënda dhe ka dorë në krimet shqiptare, e cila s’më ka leju të përgjigjem në gjuhën shqipe, as në prani të avokatëve, por me tortura më ka detyru të jep deklaratë.
Por, prapë, për fat unë i kom dhanë deklaratat të cilat i kom, që nuk kam pranu asni vepër për askënd. Dhe herën e tretë, mu më është vazhduar paraburgimi prej Gjykatës Supreme të Serbisë dhe për mua ai ka qenë vendim i tmerrshëm, sepse kur të merret Gjykata Supreme e Serbisë me ni rast si unë si terroriste që kom furnizu edhe ndihmu Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, parashihej dënimi dhetë vjet deri në burgim të përjetshëm. Mirëpo, unë isha e sigurtë që Kosova nuk do të mbetej përjetësisht në burg. Kështu që, liria ime ishte kushtëzuar me lirinë e Kosovës.
Kur përfundoi dita e fundit, 180 ditë, gjatë gjithë ditës pranë grilave të burgut ka pritë biri im Diamandi, bashkëshorti Agimi, djemtë e hallës, Burhan Kavaja, Rasim Kavaja, Rexhep Kavaja, të gjithë kanë pritë mos po lirohem dhe të më dërgojnë në Prishtinë. Sepse ka qenë edhe ni rrezik pastaj pas lirimit ku do të shkoj, se unë kom qenë në ni teren të panjohur. Mirëpo, nuk ndodhi. Mbaroi orari zyrtar edhe unë e humba çdo shpresë. Kur përfundoi ora 4:00, e dita që unë do të mbetem në burg derisa të lirohet Kosova edhe do të ngritet aktakuza. Mirëpo, presioni ndërkombëtar i ka detyru gjykatat që përmes edhe avokatëve të mi, që Gjykata e Pejës të merr vendim për lirim, sepse nuk ka arritë të ngritet aktakuza brenda afatit ligjor.
Në atë kohë bashkëshorti im ka qenë… ditën kur, domethonë ka komuniku me avokatin, i kanë tregu që do të lirohem pas orarit të punës. Tani ky gëzim i im u shkurtu. Erdhi shefja e gardianëve që nuk më kujtohet emri saj, e ka pasë sjelljen e mirë me shpirt krimineli. Por, për të dhënë ni kozmetikë, ni përshtypje edhe tha, “Zonjë, të ka marrë malli për familjen?” Thashë, “Jo”, tha, “A don me shku në shpi?” Thashë, “S’o problem i jemi me shku në shpi, kur të vjen koha shkoj”. Edhe e kish pasë ni letër të palume, po kishte qenë ajo pjesë pjesë format A4 vendimi, diku rreth dymbëdhjetë faqe. Vendim për burgun. Ndërkaq, për mu vetëm ni kopje. Por nuk ma dha asni dokument, vetëm ma tregoi. Tha, “Sapo mbrriu me faks ni dokument. Ti je e lirë, pesë minuta i ki kohë jashtë dyrve të burgut”. Unë as nuk e dija si duket burgu, si kam ardhë atë ditë më kanë futë e kom pa atë lulishtë edhe ma tepër…
Tha, “Tash do të përcjellë gardianja, ndonjëra nga gardianet edhe vetëm pesë minuta”. Pesë minuta nuk kisha kohë as me u përshëndetë me shoqet e dhomës, as me marrë asgjë prej shpisë. Atëherë, po ju thom shoqeve, “Ti mbaje këtë veshje, ti këtë, ti këtë”. Vetëm disa enë plastike i kom marrë me veti që jom ushqy në burg. Se ka qenë edhe karakteristikë ushqimi im, jom ushqy me lugën time plastike, me ni pjatë të pastikës, s’kom dashtë me përdorë as pjatat e burgut. Dhe ato i mora me vete dhe tasin plastik. Madje, madje, tasin e kom pasë si mjet shërimi kur na kanë ngrënë shumë ato insektet e vogla gjatë verës që ka pasë burgu, ka qenë ni torturë e veçantë. Unë i ujitsha durtë për m’i shpëtu prej të enjturave prej insekteve. Dhe atë tasin e mora. Pak, shumë pak gjëra të mia personale edhe dola te dera e burgut.
Kur dola te dera e burgut, mbeta me ni çantë, kah të shkoj. Nuk e dija unë ku është burgu, as kah më kanë pru. As s’kisha para me vete, as transport, as asgjë. Ata kishin shku që më kanë pritë tërë ditën, sepse mbaroi orari, dhe me vonesë, mbas dy orëve, pasi ka përfundu orari zyrtar [më lëshuan]. Aty kishte qenë ni objekt, ni kafiteri, aty kriminelët. Dhe unë u futa, nuk kisha rrugëdalje. Edhe ni kamarier i burgosur po thotë, “Zojë çka po don?” I thashë, “Ni kafe”. “A ki me çka me pagu? Jo”, tha, “nuk shërbejm na”, “Po mirë”, thashë, “a bon pesë minuta”, “Po”, tha, “çka don me bo pesë minuta?” Thashë, “Nuk e di. Por, jom liru duhet me shku në shpi”, tha, “Unë jom i burgosun, shërbej këtu” tha, “ik sa ma parë”, tha, “se i njejti burg osht’ edhe këtu”.
Unë tash e kom kthy shpinën po du m’u kthy n’drejtim kah dera m’ka nalë dy durë mrapa me më përshëndetë {bën me duar tek supet}. Unë mendova që tash erdhën përsëri policia dhe thashë përfundoi epoka ime, dhe tash jom në durë të pasigurta, prapë në burg, kom qenë në regjistër si e burgosun, ka pasë dëshmitarë. Dhe e kam kthy kokën, kur e kom pa djali hallës, Rexhep Kavaja. Kur e ka lajmëru burri që Mevlydja osht’ liru, më lajmëroi avokati ai ka qëllu në rrugë informatë mas informate ka ardhë me makinë shi i madh, tmerr. Ka udhëtu si pa kokë edhe nuk kemi mund të flasim, veç në përqafim. Ai më ka përqafu, më ka fut në makinë edhe krejt kohën kemi qarë bashkë. Dhe drejt më ka dërgu te banesa e Burhan Kavajës, te djali hallës, sepse e kom pasë hallën gjallë.
Ata e kishin pregatitë drekën. Por, para se të ngjitem në banesë, djali tjetër i hallës, Rasim Kavaja që ne e qujmë Ramadan, kishte pasë bisedu me ni që i shkurton floktë, me ni frizer i cili i kishte thënë, “Nëse ju keni qasje, kur lirohet prej burgut du me ia pre floktë që mos me çu në familje me pa me ato flokë”, qysh m’u kanë rritë në formë të parregullt, të tmerrshme në burg, “Të mos tmerrohen se osht’ ni pamje e tmerrushme për fëmitë me të pa ashtu”. Edhe po më thotë, “Te frizeri”, thashë, “Jo”, isha liru prej burgut, unë me shku te frizeri, tha, “Jo për frizurë, vetëm t’i shkurtojmë pak floktë”. Edhe më kanë çu shpejt e shpejt, m’i kanë la floktë, m’i kanë shkurtu edhe kom shku te halla, domethonë, te Burhani. Edhe e di kur e ka marrë telefonin, Burhan Kavaja e ka lajmëru Enver Malokun, tanimë i ndjerë, edhe i thotë, “Enver, u liru Mevlydja”, ai i thotë, “Ma jep Mevlydën”. Ai u gzu shumë edhe tha, “Besom, po qaj prej gëzimit”.
Tani unë e kisha hallin si të shkoj në Gjakovë te fëmitë, se fëmitë pritshin. Mirëpo, ka qenë ni strategji e avokatëve të mi që mu më ka dalë pozitive. Atë natë t’mos udhëtoj, sepse Serbia më ka liru jashtë orarit të punës në mënyrë që të më zë dikush rrugës të më ekzekutoj. Në mënyrë që nuk ka përgjegjësi burgu. Edhe unë insistoj gjatë gjithë kohës, “Sonte dua të kthehem në Gjakovë”, “Jo”. Arriti edhe avokati, Shefqet Deçani edhe Agimi, bashkëshorti im, edhe atë natë e bëmë gjumin te djali hallës. Edhe të nesërmen në mëngjes, Rexhepi, i cili erdhi më mori te Burgu i Lipjanit me makinën e vet më ka dërgu deri në Pejë. Pastaj, për t’i hupë gjurmët në Pejë kemi ndalu në shtëpinë e avokatit nja dy orë e për mu ishin shekuj se unë doja t’i shikoja fëmitë. Atëherë, prej aty në autobus deri në Gjakovë.
Autobusi në Gjakovë nga Peja kalon nga dera ime. Kur kom mbrri te dera i kom thanë, “Ma ndalë këtu” (qan), ai vozitësi mbetë. Thashë, “Unë jom e burgosun, jom liru”. Edhe e kom harru atë çantën me disa gjëra të mia personale. Edhe ai e kapi vozitësi krytë në dorë, po më sheh gru e dobtë, e lodhun, e dërrmuar edhe shkoi. Kur hyra në oborr kishin ardhë me më pritë jashtëzakonisht shumë njerëz, fëmitë e mi, ato takime të tmerrshme. M’i ka xhiru vajza e fqinjëve, Zana, e cila jeton në Norvegji me atë kamerën e madhe po në formë…
Anita Susuri: Amatore.
Mevlyde Mezini Saraçi: Amatore, po. Edhe me lëvizje, po i ka inçizu ato momentet e para të takimit me fëmitë e mi te dera e oborrit deri në hymje. Ka qenë ni moment gëzimi edhe pikëllimi, se unë i lash edhe disa shoqe në burg. Unë u lirova, po nuk u lirova komplet. Edhe vazhdun torturat. Vetëm dy ditë unë i kom qëndru në shpi, kom pritë mysafirë edhe prej ditës të tretë pas lirimit kom vazhdu aktivitetin, nuk e kom ndërpre. Edhe pse e kom pasë të kushtëzuar edhe e kom dokumentin që, “Hetimet nuk kanë përfunduar, hetimet vazhdojnë”. Por, unë kom vazhdu punën edhe aktivitetin deri në çlirimin e Kosovës. E tani ka ngjarje tjera kur kanë ardhë Serbia me më likfidu me datën 27 mars, në mbrëmje…
Anita Susuri: Në vitin ‘99 a po?
Mevlyde Mezini Saraçi: Po, në vitin ‘99, po. Se unë kom vazhdu aktivitetin, domethonë deri kur kanë fillu sulmet e NATO-s. Tri ditë para sulmeve të NATO-s jemi largu nga zyrat, se morëm informatë në Prishtinë prej Fehmi Aganit që, “Sulmet janë në prag, po lidhjet fizike mos i shkëputni”. Ne u largum nga objekti, por mbanim lidhjet fizike. Po masnej u vështirësun rrethanat. Rruga ime ka qenë e banuar me shumë serbë e malazezë, kriminelë që janë edhe sot të përndjekur me lista po nuk janë dënuar, as nuk janë gjykuar. Ata kanë bërë shumë krime dhe ata kanë ardhë për të më likfidu me datën 27 mars 1999, në orën 21:15 minuta. Por, fati jonë atë natë që ne kemi ikë nga oborri fqinjëve kemi depërtu edhe masnej kanë vazhdu krajatat tjera. Kur jemi shpërnda shtatë anëtarë në katër pjesë, kur nuk e kom ditë ku i kom fëmitë, kur kom mbetë në rrugë se janë friku prej meje shumë familje, dhe me të drejtë se duhet me matë çdo veprim me kohën.
Është lehtë sot t’i akuzoj, por me kohën. Sepse, kudo ka pasë gra e fëmi, burrat gjithmonë janë mshefë, se n’fillim i ndjekshin burrat. Mirëpo, mu më ndjekshin si veprimtare. Dhe kur kom mbetë në rrugë, unë jom dëshmitare e krismave, sulmeve të 2 prillit kur janë vra familja Vejsa edhe shumë familje tjera. Në lagjen te stacioni i autobusave, unë kom qenë në qiellin e hapur bashkë me bashkëshorin tem Agimin edhe me 30 djem e burra të lagjes, s’kemi pasë kah të shkojmë. Fati ka dashtë që të shpëtojmë, sepse edhe në fatkeqësi kishte fat. Shumë herë e kom kërku vdekjen kur mbeta rrugëve dhe i thoja burrit, “Më lejo të shkoj në shkallë të shtëpisë. Nuk do të futem brenda, le të vijnë le të më gjejnë, le të më likfidojnë bile le të shpëton lagja”. Sepse gjithë lagja ka qenë e përndjekur disa ditë me radhë duke më kërku mua.
Po fati ka deshtë që nuk m’kanë gjetë edhe fatkeqësia e madhe që në lagjen tonë mbi 85 të vrarë janë edhe ata me datën 1, 2 edhe 16 prill. Janë njerëz që i kom njoftë, që kom bashkëpunu, janë fëmi që janë moshatar të fmive të mi. Janë krime që nuk harrohen, janë gjenocid dhe asnjë njeri nuk është dënuar, edhe pse të gjithë familjarët kanë dëshmu me emra për kriminelët. E tani aktiviteti im ka vazhdu në forma të ndryshme, por në liri. Çdo rrugë ka qenë ma e lehtë, por unë jam munduar gjithë kohën t’ju dalë borxh njerëzve të vrarë. Jam munduar duke iu bërë përkujtime çdo vit me 1, 2 prill edhe 16. Kom organizu përkujtime të jashtëzakonshme me mijëra veta, kemi bërë homazhe çdo vjet.
Por, sivjet kom arritë ta bëj ni projekt realitet, ta boj librin për krimet e luftës 1999, domethonë, 1, 2 prill ‘99, si monografi kushtuar martirëve, dëshmorëve të bashkësisë të parë lokale aty ku jetoj, ku i kom përjetu ato tmerre. Edhe gjithë librin e kam punuar vet në bashkëpunim me familjarë edhe e kom mbledhë penzionin gjatë ni viti dhe e kom botu me mjete të mia, ua kam bërë dhuratë familjeve me 2 prill. Me 2 prill e kom bërë promovimin në Gjakovë në Pallatin e Kulturës “Arsim Vokshi”, në prani të familjarëve. Ka qenë promovim krejt ndryshe, jo promovim i im si shkrimtare, por promovimi i vlerave të lirisë, promovimi i martirëve, të dëshmorëve dhe për familjen ka qenë dhurata ma e madhe që kom mujtë me ua bo deri tani.
Jom shumë krenare që kom mbrri me bo, ka qenë shumë vështirë me i mbledhë mjetet, sepse unë gëzoj ni penzion si të gjithë tjertë, kontributdhënëse dhe nuk kom të ardhura tjera. Por, dëshira ime ka qenë që për ata që janë të pavdekshëm dhe unë jom e vdekshme, e kom obligim të bëjë diçka dhe e bëra. Mandej, aktiviteti vazhdon. Nuk du t’i akuzoj individë të ndryshëm për padrejtësi, por padrejtësitë e mia kanë vazhdu edhe mbas luftës prej njerëzve me interesa të ngushta. Ka mungu edhe përkrahja e Lidhjes Demokratike, jo vetëm për mu, por për krejt gratë që kanë dhanë shumë kontribut me dekada. Deri më vdekjen e Ibrahim Rugovës, presidentit historik, kemi pasë përkrahje edhe oferta edhe respekt edhe punë. Pas vdekjes së presidentit Doktor Ibrahim Rugova, Lidhja Demokratike disi e murrë të mrapshtën me interesa të ngushta, mungoi edhe përkrahja e grave ndaj grave, u zëvendësunë gratë me gra si numra. Por, mua nuk ma penguan aktivitetin, sepse unë kom punu në baza vullnetare edhe pse 13 vite kom mbetë e pa punë si profesoreshë e gjuhës dhe letërsisë.
Pastaj kom vazhdu studimet master në menaxhimin e emergjencave ndërkombëtare për të parë se a kam ditur t’i menaxhoj emergjencat në rrafshin kombëtar në një kohë lufte, dhe kom arritur ta bëjë edhe një punim shkencor. Kam bërë shumë seminare, por tema e diplomës është një punim shkencor i pranuar, është fushë e veçantë, marrëdhëniet ndërkombëtare edhe emergjencat ndërkombëtare për të cilat nuk kom mundur të bëjë një botim, sigurisht në marrëveshje me Kolegjin Biznesi që është edhe pronar i përbashkët me mua i materialit tim, sepse si student e kemi obligim t’ua japim edhe të drejtën, domethonë kolegjit si institucion.
Kisha pasë dëshirë edhe atë ta botoj. Shkruaj, botoj, marrë pjesë në aktivitete humanitare, vizitoj familjarë, u rri karshi me ato mundësi të mia. Jom aktive në pjesë të ndryshme të aktiviteteve, në promovime, në organizime. Kom punu ni vit si kryetare e shoqatës Qendra Kombëtare e Shkrimtarëve “Gjakova”, në grumbullimin e dëshmive për krime lufte, të cilat i kemi deponuar bashkë me koleget e tjera në Prokurorinë Speciale për Krime Lufte. Kemi bashkëpunu edhe me policinë. Vazhdoj të punoj gjithçka në dobi të kombit pa kompenzim, sepse për mu është kompenzim liria e Kosovës. Familja ime edhe është bagazhi im moral, intelektual edhe atdhetar ndaj kombit, ndaj atdheut edhe ndaj gjithë njerëzve të mirë.
Anita Susuri: Zonja Mevlyde, nëse keni edhe diçka me shtu që keni harru, nëse mendoni që duhet me u cekë mundeni me thanë.
Mevlyde Mezini Saraçi: Unë mendoj se kom shumë momente të rëndësishme në jetë që është shumë vështirë për ni takim apo bisedë. Por dua të them që jom shumë mirënjohëse për juve edhe organizatën e juj që po boni shpalosjen e aktiviteteve tona historike, sepse sigurisht që jo vetëm unë, por na jemi si njerëz të vdekshëm, dhe historia jonë, domethonë aktiviteti edhe kontributi individual vdes bashkë me njeriun se ato mbesin të thëna apo të pashkruar. Përveç formës që unë dua ta plasoj përmes shkrimeve të mia poetike, në roman, në libra monografik, për mua është ni moment shumë i rëndësishëm, jom shumë mirënjohëse, shumë falënderuese që ni gjeneratë e re ka kaq shumë interesim edhe po bon ni punë të dokumentuar për Kosovën. Kjo është baza e historisë së Kosovës të cilën ju e plasoni edhe te gjeneratat e sotshme, po edhe të ardhshme dhe e ngritni vetëdijen e popullit tonë se gjërat e shkruara dhe të regjistruara mbesin historike dhe janë bazament i fortë për të vazhduar më tutje. Faleminderit shumë.
Anita Susuri: Faleminderit shumë.