Sofra Poetike e Drenices, 10 Maj, 1998.

Sofra Poetike e Drenices, 10 Maj, 1998.

Sofra Poetike e Drenices, 10 Maj, 1998.

Sofra Poetike e Drenicës, 10 Maj, 1997.

Sofra Poetike e Drenices, 10 Maj, 1998.

Zahrije Podrimqaku

Poklek i Ri, Drenas | Date: 15 shkurt 2015 | Duration: 302 minuta

Kur n’ata [moment] po vjen ni bashkëpunëtor që u kanë i Këshillit, aty që ka punu n’Këshill goxha n’moshë i vjetër, Ismeti, po mbiemni i tij nuk m’kujtohet edhe po thotë, ‘Pasha Zotin, ti vajzë, Zahrije, Këshilli u rrethue krejt me inspektorë’, tha, ‘edhe p’e kërkojnë një vajzë me flokë kaçurrele’. Edhe i kisha flokët e gjata domethanë deri këtu {tregon gjatësinë e flokëve me duar}, i kisha kaçurrela flokët, krejt… edhe njeri i ri atëhere, ndryshe. Tash s’kish tjetër vajzë me flokë kaçurrela përveç meje (qeshë). Aty, po m’thotë Ibra, Ibrahim Makolli, ‘Po çka kanë punë ata me Zahrinë? Zahria osht’ me post t’vogël’. A po m’kupton? Ata s’pe dijnë se kush përcjellet, çfarë punë kom kry edhe qysh m’kanë përcjellë ata edhe qysh i kanë ditë punët sikur policët për shembull.

Edhe thanë, ‘Në qoftë se o për me na marrë, une jom sekretar i Këshillit, Behgjet Shala, ti je anëtar i kryesisë, baci Adem, kryetar’, tha, ‘[të] na marrin neve t’mëdhajëve, s’kanë punë me Zahrijen’. ‘Ani Zahri, a ki hongër bukë’? Thashë, ‘Jo, s’kom hangër’. Hajde, qitu afër Këshillit o ni burektore, e hamë kah nji burek”. […] Kur taman jena dalë, t’mu kanë vërsulë mu, drejtë te unë inspektorët edhe papritmas m’kanë kapë edhe m’kanë kontrollu se kanë menu që kam armë edhe jom e armatost. Edhe une e nxorra veç letërnjoftimin n’dorë edhe ma panë aty edhe tash Behgjetin ata s’kanë dashtë me marrë, me siguri… po edhe mu, edhe Ibrahim Makollin. Po, për Ibrahim Makollin kanë menu që osht’ Agron Ramadani. Se këta përmes telefonit, kur ka folë Agroni me zonën e Llaushës atje n’telefon, krejt përgjimet përmes telefonit i kanë bo.

Edhe n’atë moment, kur na kanë marrë Ibrahimin e mu, na kanë futë n’makinë edhe i kanë mbyllë dyert edhe ai e ka lajmru stacionin aty kryesor 92-shin, tha, po ia ban n’serbisht e unë e kuptova menihere, tha, ‘E morrëm Zahrijen edhe Agron Ramadanin’.


Jeta Rexha (Intervistuesja), Kaltrina Krasniqi (Kamera/ Intervistuesja)

Zahrije Podrimqaku ka lindur më 10 shkurt, 1970, në fshatin Krajkovë, komuna e Skenderajit. Në vitet e ‘90-ta, Podrimqaku zgjedhet kryetare e Forumit të Gruas në Lidhjen Demokratike të Kosovës, dega në Çikatovë të Re, më vonë edhe në kryesinë e degës në Drenas. Gjatë këtyre viteve ajo angazhohet si aktiviste në Këshillin për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut. Në 1998 ajo i bashkohet Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Podrimqaku është burgosur në po këtë vit nga regjimi i Millosheviqit dhe është liruar shumë kohë pas përfundimit të luftës, në 2001. Tani ajo punon në komunën e Drenasit si Zyrtare për të Drejtat e Njeriut dhe Barazi Gjinore.

Zahrije Podrimqaku

Fëmijëria 

[Pjesë e prerë nga video-intervista: intervistuesja e pyet të intervistuarën për fëmijërinë e saj.]

Zahrije Podrimqaku: Unë kam lindur 10 shkurt, 1970, në fshatin Krajkovë. I përkas një familje të madhe punëtore dhe e mirëpritur për bujari dhe atdhetari. Familja ime n’Drenicë ka qenë një familje e gjerë, ku përbëhet rreth 30 anëtarë t’familjes. Gjyshi im prej 21 fëmive që i ka pasë (qeshë), domethanë 16 i ka t’gjallë. Prej tyre janë shtatë djem dhe tjerat vajza.

Unë si fëmi, shkollën fillore e kam fillu në vendlindje, mësusja ime e parë ka qenë Bedrie Hoxha, që shfrytëzoj rastin t’a përshëndesë se ka qenë një mësuse shumë e mirë, na ka mësu mirë dhe na ka eduku mirë. Deri n’klasën e katërt, domethanë e kom kry shkollën fillore atje, pastaj me familje kur osht’, kur jemi nda nga familja që kemi qenë bashkarisht, ne kemi dalë n’Drenas dikun n’vitin ’82 dhe që nga klasa e pestë fillore, e kam filluar shkollën sot që osht’, quhet “Rasim Keqina” në Drenas, [aty] deri n’klasën e tetë. Gjatë shkollimit tim, domethanë që nga klasa e parë deri n’klasën e pestë kam qenë një nxanëse e shkëlqyshme, pastaj duke… me angazhime të mia edhe n’familje, se kemi qenë familje e madhe edhe kam qenë fëmia ma i madh, prindi m’ka punu jashtë, domethanë n’organizatë të Zagrebit n’atë kohë dhe osht’ dashtë me iu përkushtu familjes që në moshën rinore.

E mbaj n’mend n’atë kohë si nxanëse, klasën e gjashtë fillore, nga nëna ime e kom pasë t’punume nji xhemper që n’atë kohë ka qenë pakot e cigareve domthanë, filter, “Bozhur” u thirrshin cigaret, “Bozhur”. Që te nxanësit fjala “Bozhur” n’atë kohë u shqiptonte, “Bashkohuni o Zhugana, Urra Republikë”. Dhe, fjala “Filter” domethanë, “Fadili i Lutet Titos Epna Republikë”. Kështu që dashurinë për ta dashur atdheun, për t’kontribuar për atdheun, n’rend t’parë e kam marrë nga nana ime duke treguar historinë e gjyshit t’vet (qeshë), domethanë, Habib Ukiqit që ai n’atë kohë ka qenë njohës i shtatë gjuhëve t’huaja dhe ka qenë truprojë e Hasan Prishtinës dhe ku Hasan Prishtina e ka pasë edhe këshilltar, edhe truprojë edhe përkthyes. Edhe shkrunë librat nga Mehmet Rukiqi, thotë se në ni rast kur ata kanë qenë t’u udhëtu, Hasan Prishtina ka qenë deputet në parlamentin turk, edhe tregon se ai përmes pasqyrës e ka shpëtu nga një atentat Hasan Prishtinën n’Selanik.

Edhe nga këto histori që nëna ime ka treguar për gjyshin e vet n’atë kohë, që n’fund jeta e tij, n’fund e ka njekë UDB-a, domethanë, armiku, pushteti n’atë kohë, ai osht’ dalë në Shipni edhe sot e kësaj dite e ka vorrin n’Kukës. Gjithashtu, edhe dajën e kom pasë t’burgosun politik, Bajrushin. Si nxanëse nga ai n’klasën e gjashtë-shtatë fillore, kam bajtur një flamur me shqiponjë që tash p’i bajnë “Vetëvendosja” (qeshë), unë e kom bajtë n’atë kohë. Edhe i kom dashur me kurreshtje t’madhe simbolet kombëtare.

Më kujtohet nji rast, nji Shazije Sopi e ka pasë një dyqan t’akulloreve edhe une shkova n’dyqanin e saj, pastaj ajo kur ma pa shqiponjën ngjit n’gjoks, ma kërkoi t’ia jap. Edhe une i thashë, “Nuk muj me ta dhonë se ma ka dhonë daja jem.” Ajo ish kurreshtare [donte] që me këmbëngulje të ma marrë shqiponjën. Dikur, filloi e më ofroi, “Qe nji mijë dinarë t’kuqe.” Atëherë kanë qenë me kuaj t’kuq, “Qe dy mijë, qe tre mijë.” Thashë, “O kot e ke se edhe krejt dyqanin me ma jep, une s’ta jepi shqiponjën, se flamuri nuk shitet” (qeshë).

Kështu që kurreshtjen dhe dashurinë për me kontribu për atdheun e kom pasë nga familja. Edhe te familja e babgjyshit tem, n’vitet e ’50-të, ’55, babëgjyshi jem n’atë kohë e ka lëshu odën komplet se kanë qenë familje e pasur, se kanë punu, familje punëtore. Edhe e ka lëshu odën, mësuesit që kanë dhanë mësim n’Krajkovë n’atë kohë si Mehmet Rukiqi, Jusuf Rukiqi, domethanë kanë hangër, kanë pi, kanë flejtë sikur n’familje t’vet edhe kanë dhanë mësim n’fshat aty kur osht’ organizu për herë t’parë mësimi, domethanë me kurse n’ato vite. Gjithashtu edhe kanë dhanë ni kontribut t’madh, përveç mësuesve që iu kanë siguru banimin falas edhe ndërtimin e shkollës t’parë n’Krajkovë në vitet ’50-’55 kur osht’ ndërtu shkolla e parë n’Krajkovë, me fuqi punëtore. Domethanë, gjyshi e ka ndihmu ndërtimin e shkollës.

Gjithashtu, duhet t’përmendi këtu edhe shkollën e mesme që e kom kry n’gjimnazin “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”. Kom qenë një fëmi që e kom pasë një këmbëngulje edhe nji qëndrim, shkurtë nana jeme thotë, “Ke qenë gjithmonë kokëfortë, s’ke lëshu pe aty ku e ki ditë që ki t’drejtë” (qeshë). Edhe kjo ka qenë fëmijëria ime n’atë kohë që edhe sot ma përmend nana ime, thotë, “Nji punë kur ke dashtë me vepru dhe me ba, ke qenë gjithmonë kambëngulëse”.

Kemi qenë shtatë fëmijë, katër motra e tre vllazën. Unë ma i madhi fëmi jam prej t’gjithë fëmive tjerë. Fshati ka qenë i mirë, domethanë, ka qenë nji jetë mesatare se atëherë ka qenë familje t’mëdha, kanë jetu [bashkë] të gjitha familjet [e ngushta], jo familjet ndamas që osht’ sikurse sot me familje t’ngushta, por t’gjitha familjet kanë qenë me familje t’gjerë se ashtu jeta sociale, domethanë për me mujtë me kontribu edhe për familjet edhe për shkollimin e fëmive bashkarisht se nuk ka pasë… punësimi s’o kanë të gjithë. Për shembull, nji i punësum osht’ dashtë t’i mbajë të gjitha familjet n’atë kohë.

Më kujtohet kur… se ne, babëgjyshi jem ka mbajtë shumë dele, dikun rreth 150 copë dele edhe 30 copë lopë. Për nga ekonomia familjare, kemi qenë një familje mesatare që nuk kemi pasë probleme sociale sikur tjerët për shembull, se familjen e kom pasë punëtore. Unë kur… n’moshën, domethanë dej n’katër vjet kur i kom rujtë delet n’atë kohë, bashkë me shoqet aty të lagjes, dikush e merrke millin me veti, e dikush vajin, dikush mazën, qysh i kishim gjërat nëpër shpi, edhe gatujshim kuzhinë, domethanë përgatitshim ushqimin n’bjeshkë.

Edhe m’kujtohet ni rast, ni plak i Vuçakit vijke me kali n’trup t’Bjeshkës, prej Negrovci n’Krajkovë edhe në Drenas. Edhe po nuk m’kujtohet emri i tijna, edhe në ni rast erdh edhe na gjet ushqimin e përgatitë para se me hangër. Tha, “Valla axhi osht’ untë, une p’e ha, po ju prapë gatuni se po dijshi me gatu mirë”, edhe na e murrë nji pjesë t’ushqimit çka e kishim përgatitë.  Edhe ai person n’protestat e ’81-shës, tani se kur m’ka ra me djalin, kushërinin t’afërt t’familjes time me punu n’Këshill Komual për Financim me Berat Shalën edhe kur une e kom tregu këtë rast ai m’ka tregu se, “[Ai] Osht’ mixha jem Zahrije.” E ai person n’protesta me kali, ia kanë dhonë flamurin n’dorë edhe e ka çu te kuvendi prej gjimnazit, domethonë n’protesta ka qenë pjesëmarrës i protestave ai plak. E m’kujtohet ky rast shumë, kur na takoi neve n’Bjeshkë që na e kërkoi nji pjesë t’ushqimit edhe na ia dhamë.

Afërsinë ma t’madhe e kom pasë me prindërit e mi, se edhe gjyshja m’ka përkrahë, edhe gjyshi m’ka përkrahë. Zakonisht n’oda prej gjithë fëmive çka kemi qenë na fëmi kallabllak, n’oda unë kam qenë ma e pranushmja n’odë te burrat. E prej odave të Drenicës mujmë me nda momente kur t’vijmë te aktiviteti, gjatë aktivitetit që kom hyrë nëpër oda, por odën e babgjyshit tim për hyzmet, kam qenë ma e lehtë. Edhe kjo ka qenë arsyea që gjyshi jem m’ka pranu n’odë prej fëmive tjerë se asnjëherë nuk ke pasë rast që fëmia me nejtë n’odë. Për shembull, vijke babëgjyshi i dajve, derisa je përshëndetë me ta, ke nejtë me ta pak edhe menjiherë u dashtë me dalë, domethanë prej ode me shku n’shpi, se n’odë t’burrave fëmija s’kanë qenë, as fëmija as gratë s’kanë qenë t’pranushëm.

Nëpër oda ka pasë diciplinë, ka pasë rregull atëherë, domethanë, i zoti i shpisë kur ka folë ose mysafirit kur iu ka dhanë fjala osht’ ndëgju deri n’fund, ka pasë rregull.

Kaltrina Krasniqi: Kjo ka qenë ambient specifik për burra?

Zahrije Podrimqaku: Po kjo ka qenë ambient specifik për burra. N’atë kohë edhe nëpër familje edhe ushqimi për burra osht’ përgatitë i veçantë edhe gratë ka pasë rast për shembull, gratë që e kanë përgatitë ushqimin edhe s’e kanë hangër vet. Veç aromën që e kanë ni (qeshë).

Aktivizmi

[Pjesë e prerë nga video-intervista: intervistuesja e pyet të intervistuarën për periudhën e jetës së saj si aktiviste.]

Zahrije Podrimqaku: N’shkollë t’mesme kur kam shku me domethanë, me shoqëri, me shoqe dhe shokë kemi pasë afërsi, e kemi respektu njoni-tjetrin. Domethanë edhe osht’ ndëgju fjala e njoni-tjetrit, e kemi perkrahë dhe kemi qenë ma t’lidhun ma shumë se sot që janë nxanësit.

Kaltrina Krasniqi: Ku keni shku n’shkollë t’mesme?

Zahrije Podrimqaku: N’gjimnaz.

Kaltrina Krasniqi: N’cilin qytet? N’cilin vend?

Zahrije Podrimqaku: Në Drenas, ktu në Drenas shkollën e mesme e kam kry, po perveç shkollës une kom pasë edhe angazhime për familjen, se kom qenë fëmija ma i madh, baba m’ka punu n’këtë ndërmarrjen, t’Zagrebit që u thirrke… e Zagrebit atëherë. Domethanë ka pas punë n’terren, nëpër qytete t’ndryshme, gjithmonë gati ka qenë larg shpie, n’fund tani kur ka ardhë n’Obiliq. Mirëpo, me angazhime t’shpisë edhe me arkën e shpisë, me ekonominë e shpisë jom marrë qysh prej klases t’gjashtë fillore.

Pra, gjatë shkollës t’mesme kam marrë pjesë n’protestë, atëherë u solidarizojshëm me minatorët e Trepçës. Me 20 shkurt 1989, unë kam qenë nxanëse e vitit t’tretë, t’katërt, m’kujtohet dhe kam qenë pjesë e  atyre protestave.  Në ’89-tën, me 20 shkurt ‘89 ka qenë protesta e minatorëve, minatorët kur kanë hy n’zgafellë, ne jemi solidarizu me ta dhe une kam qenë pjesë e atyne protestave. Gjithashtu, kam qenë pjesë e protestave qe kanë ndodh me 31 janar të vitit 1990 në Drenas, ktu te hekurudha ku jonë  vrarë tre veta dhe rreth 26 veta, sa m’kujtohet, kanë qenë t’plagosun n’atë kohë. Veprimtarinë time, për shembull edhe angazhimin tim atëherë, për herë t’parë n’vitet ‘90-ta jam kyçur në Forumin e Gruas të Lidhjes Demokratike. Si kryetare e gruas jam zgjedh, atëhere n’atë kohë ku osht’ mbajtë mbledhja n’familjen e Hysen Elshanit, afër aty ku e kemi pasë, se atëherë vetëm nëpër familje i majshim mbledhjet, takimet ose n’shkolla qe ishin të lira që i kishim mundësitë.

Në aktivitetet e mia politike, përveç protestave, që kam qenë pjesë e protestave si nxanëse, kam fillu n’vitet e ‘90-ta, e thashë aty. E ceka ma herët kur ka qenë kryetare e Forumit të Gruas, Vahide Ibrixhi,  profesoreshë e gjuhës shqipe… edhe ajo ka ardhë ka pytë, se çdo fshat ku e ka kriju kryesinë ose për shembull n’çdo nëndegë ka pytë njiherë mirë për familjet për m’i angazhu vajzat t’cilat vijnë prej familjeve t’mdhaja, vajza që janë t’sjellshme që janë punëtore. Edhe kur ka pytë n’lagjen time, kojshitë e kanë drejtu te une edhe kanë thonë, “Nëse don punëtore, edhe për me punu, edhe vajze e sjellshme,” thotë, ”osht’ nji Zahrija ktu”. I tregojnë me emër edhe profesoresha Vahide ka ardhë drejtpërsëdrejti në familjen time, te baba im. Erdhë te unë, e unë i thashë, “Pa e pytë babën, nuk muj”. Tani ka ardhë mrena në familje në mbramje e ka pytë babin, i ka thonë, “Ti duhesh me ma jap vajzën tane, se m’kanë folë fjalë t’mira për vajzën tane. Edhe gjithku kam pytë rrethin ktu, une jam e intersume me angazhu do t’thotë n’aktivitete politike”. Që atëherë, u qujtë Lëvizje Demokratike, domethanë ishin t’gjithë populli, ishin n’përkrahje të kësaj lëvizje. Edhe baba jem i tha, “Une,” tha, “Zahrijen, kjo tash e ka kry shkollën e mesme osht’ regjistru në fakultet n’Pejë. Po, une nuk pata mundësi për me çu me shkollu, për shkak të situates se tash studentat…” N’atë kohë kanë qenë n’podrume, ku i majshin nëpër shpija që i majshin. “Edhe situata osht’ e atillë edhe larg udhëtimi jem, familje kallabllak, kam obligime për vëllezërit për me ia ndërtu shtëpiat”.

Baba jem ka qenë ma i madhi n’familje edhe u dashtë me kontribu për familjen e vet, t’gjithëve vëllazërve si vet me ia bo shpiat. Edhe pse na dulëm n’Drenas n’atë kohë dhe financimin edhe ekonominë ka investu deri sa gjithë vëllazërve ju ka ndërtu shtëpiat, krejt.  Edhe tha, “Unë nuk e pengoj, unë brengosem për shkollën e mesme, po për aktivitet une nuk e pengoj, vet le ta matë veten. Njo, le ta dinë se për me kontribu për popull osht’ mirë, po osht’ edhe rrezik. Le te matë vetën se a ka mundësi, kjo o vajze e re, munet m’u burgos. Nëse mund e banë dajakun.” Baba jem atëherë thojke, “Ej policisë, burgun, munet me vdekë, besa, besa nëse metë si vajzë e re për kontributin që e jep, i bjen me hi nëpër familje e nëpër fshatëra.” Tha, “Munet me mbetë edhe pa martu se mentaliteti osht’ i ulët i popullit. Se angazhimi i saj, se kjo osht’ shumë punëtore dhe angazhimi i saj e bon… le t’i matë këto. Kam qef dhe deshirë m’i japë afat.” Tha,  ”A mund i përballon ktyne, atëherë t’a jep përgjigjen”. Dhe une t’nesërmen shkova n’zyre te profesoresha edhe i thashë se une jam e gatshme m’u aktivizu n’aktivitet politik për me kontribu për popullin tim, pasi edhe prindi m’ka dhanë leje.

Kaltrina Krasniqi: Çfarë lloj aktiviteti ka qenë ai?

Zahrije Podrimqaku: Aktiviteti atëherë ka qenë nji aktvitet i gjerë, që ka pasë shumë rëndësi për venin tonë.  Une pasi u majt mbledhja, domethanë i tubova vajzat çka ishin t’shkollume t’moshës time edhe ma t’vjetra, t’gjitha. Edhe prej aty unë, domethanë, nga njerëzit u përkraha, që ato m’zgjedhën mu kryetare t’gruas t’atëherë të Lëvizjes Demokratike.  Dhe ne kemi majtë mbledhje t’rregullta me gra nëpër lagje, nëpër oda, kemi shfrytëzu dasmat n’atë kohë. Edhe kryesisht kanë qenë atëhere n’rend t’parë, e kemi bërë regjistrimin atëherë t’popullatës n’fshat, n’Çikatovë të Re, ku unë kam qenë kryetare e Forumit të Gruas për gra në atë kohë, vitet e ‘90-ta. E kemi ditë gjendjen atëherë t’saktë, sa banorë i ka fshati, sa jonë gra, sa jonë burra, sa fmi. Domethanë, e kemi bo regjistrimin e gjithë djemve n’atë kohë, sa meshkuj jonë ushtarë, për shkak se Serbia djemtë ushtarë n’atë kohë dihet që i vritke n’forma të ndryshme. Edhe i fajsojke vet se thojke, “Jo, ka bo vetëvrasje,” “jo ashtu, jo kështu”, dhe t’gjithë t’rijtë i kthejke n’arkivole.

Kryesisht te na ka pasë raste t’shumta n’atë kohë n’Drenicë edhe ky rast, tani kemi majtë takime me qytetarët, kemi bo propagandë, që asnjë familje mos t’a çojë djalin ushtarë ma. Kemi mbajtë mbledhje edhe me gra, edhe i kemi këshillu gratë dhe çikat që mos t’bajnë martesa t’reja, mos t’bahen martesa e vajzave pa dëshirën e tyne, edhe ecjen e zakoneve prapanike n’atë kohe te vajzat, te gratë. N’raste kur u martojshin, per shembull, mos me ba kerkesa që me e damtu familjen ekonomikisht, mos me ble ari, qysh kanë ble ktyneherë, ose me kriju pajën, qejzin që e punojshin vajzat. Domethanë, derisa nji nuse u merrke, gati u dobësojke ekonomikisht nji familje, u dobësojke kur e merrke ni nuse. E ne atëherë, n’çdo takim që e kemi ba, edhe me gratë edhe me vajzat i kemi këshillu që ato mos t’kerkojnë qe t’blejnë ari. Mjafton nji rreth, nji zingjir, nji parë vathë, e jo me ble ari qysh kanë ble n’kohët e mahershme. Ecja e zakoneve prapanike te veshjet, për shembull, te nuset, mos me marrë nusja dorën, se s’janë ato zakone tona, jonë zakone kur ka sundu turku këtu në Kosovë.  Mos me ble dimia dymbdhetë metra ma, qysh i kanë ble kah dymdhetë metra dimitë, e jelek t’arit, e zingjirë, e dy metra qystek, që i thojshin n’atë kohë. Qe une edhe i kom harru edhe tash domethanë, për t’gjitha këto ne me qytetarët kemi punu rresht që t’përmisohen ata,  edhe të shkojnë nji jetë ma përparimtare.

Kaltrina Krasniqi: A i kanë pranu njerëzit këto?

Zahrije Podrimqaku: Po, i kanë pranu.  N’kohën kur unë kam qenë kryetare e Forumit të Gruas në fshatin tim, nëndegë ka qenë profesoresha Vahide Ibrixhi edhe në nivel qendror ka qenë Flora Brovina, kryetare e Lëvizjes Demokratike për gratë n’atë kohë. Bile nji ditë, se disa dokumentacione m’kanë shpëtu nga lufta edhe e kisha nji proces-verbal, kur në ‘91-shën ia kom organizu doktoreshës Flora Brovina, nji takim. I kemi shfrytëzu edhe ditët e grave atëherë, domethanë, ditët e grave kur i marshim nuset që u bajshin dasmat të haneve, na i shfrytëzojshim ditët e grave. Aty i gjejshim gratë, aty i gjejshim edhe vajzat për me ju folë, për të gjitha, për shkollimin e vajzave.

Une kom ndihmu shumë vajza n’shkollim n’atë kohë kur prindët e vet i kanë nalë. Kemi pajtu familjet, ngatërresat, i kemi këshillu gratë që mos t’bahen shkakëtare këto, se gruja rolin ma t’madh n’familje, osht’ shtyllë e shpisë. Edhe mund ta lunë nji rol shumë t’rëndësishëm që mos t’bahen ngatërresat, n’atë kohë sa të hiqen ngatërresat, t’eleminohen ngatërresat. Mos me ardhe deri te vëlla-vrasja, ka pasë edhe vëlla-vrasje shumë atëherë. Tani u bojshin hakmarrjet mes familjeve, nëse vijke nji situatë e tillë tani familja familjen e hakmarrin për këto. Për këto kemi punu shume n’këtë drejtim. Une vet kam pasë rast nëpër oda që kom pajtu shumë familje, m’kanë përkrahë fshati edhe gratë edhe burrat, m’kanë përkrahë shumë.

Kaltrina Krasniqi: Çka zakonisht ishin problemet?

Zahrije Podrimqaku: Po, problemet, jo për mexha [kufiri i tokave] jo për gjana tjera, për pronat zakonisht. Për pronat ma s’shumti ka pasë, ose për vajza, ose nësë kishin probleme vajzat n’familje t’burrit edhe këtu vijke n’kontest edhe n’problem n’familje mes miqasisë. Edhe për këto ka pasë ni randësi shumë t’madhe që femnat me lujtë rolin e vet si shtyllë e shpisë. Domethanë si organizatore e familjes që të krijojë n’familje nji jetë ma t’mirë dhe t’i rritë fminë edhe vajzat edhe djemtë, me nji edukatë më t’mirë që t’eliminohen gjanat e vjetra që kanë qenë përpara n’familjet shqiptare.

Kaltrina Krasniqi: A e keni pasë problem, me pasë me zhvillu atë aktivitet politik? LDK-ja n’atë kohë ka qenë organizatë ilegale?

Zahrije Podrimqaku: Po, ka qenë problem, për shkak se policia, me bo me hasë n’polici t’arrestojke edhe t’merrke n’bisedë informative. Besa, besa, ka pasë edhe malltretime fizike, krejt. Pastaj, krahas aktivitetit n’këtë lëvizje ma vonë jom zgjedhë edhe n’kryesinë e degës n’Drenas, për hir t’aktivitetit tem. Ku në ’92-tën unë kam edhe një mirënjohje aty që muj t’ua tregoj. Edhe n’atë kohë jom shpërbly me nji mirënjohje, kam qenë aktivistja ma e devotshme. Domethanë, kam qenë punëtore edhe e kam ba nji aktivitet t’parreshtun, t’pandalun gjithmonë n’fshatin ku kom jetu, ktu n’Çikatovë të Re ku thirret sot Drenasi Tre.

Krahas kësaj, Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e ka dëgju zanin tim edhe që jam aktive, kur e marr punën, e marr me përgjegjësi. Ka ardhë n’familjen time Shaban Shala, që sot osht’ i vdekur, m’vjen keq që shkoi shumë herët nga jeta.  Ne kemi punu bashkë n’atë kohë edhe m’ka angazhu në Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave. Edhe në Këshill për Mbrojtjen e të Drejtave, edhe aty fillimisht jom angazhu si bashkëpunëtore e Këshillit. Pastaj, me punën time kam arritë që shumë shpejt t’jam n’kryesinë e Këshillit në Drenas, ku n’atë kohë ka qenë Agim Vrallaku, kryetar i Këshillit. Domethanë, Shaban Shala ka qenë nënkryetar, ka pasë veprimtarë tjerë, Gëzim Sheshani, ka qenë Ibrahim Hajdari, ka qenë…

Këshilli ka pasë veprimtarinë e vetë në t’gjitha fshatërat, edhe në t’gjitha fshatërat i ka pasë aktivistët e vet.  Mos qoftë dy, qoftë tre, n’bazë të fshatit qysh ka qenë, ma i madh. Se atëherë ka qenë nji reperesion i madh n’popullatën shqiptare, kryesisht n’Drenicë, ku u malltretojshin familjet, bastiseshin. Neve [na] osht’ dashtë me shku n’çdo familje edhe me marrë deklaratën, me fotografu rastin nesë ka qenë i malltretumë edhe meniherë me dhanë… domethanë me dhanë intervistë n’Prishtinë, m’i informu edhe organet e Këshillit, njëkohësisht edhe Komisionin për Informin t’Lëvizjes Demokratike n’atë kohë.

Kaltrina Krasniqi: A ka qenë për juve, gjatë kësaj periudhe keni qenë shumë e re, a ishte problematike për juve me u marrë me ketë aktivitetit?

Zahrije Podrimqaku: Po, ka qenë problematike, për shkak se une kam qenë vajzë e re edhe n’atë kohë t’pakta vajza kanë qenë, na edhe pse kur u kriju Kryesia, për shembull, u angazhunë shumë vajza aty në Kryesi. Edhe unë isha kryetare e asaj Kryesie, mirëpo dalë ngadalë secila e lajke punën edhe u elminiojshin femrat, jo u martojshin, jo e shihshin si punë t’vështire, jo… mirëpo, unë s’kam ditë me heqë [dorë] se unë e kam marrë me përgjegjësi edhe e kam dashtë, shkurtë, punën, aktivitetin. Për me dhanë kontributin për popullin tim kam dashtë shumë, edhe gjitha sfidave që i kom pasë edhe telashet edhe poblemet si vajzë e re atëherë, domethanë, nuk kanë mujtë m’u m’ndalë as me m’zhgënjy prej aktivietit tim.

Jeta n’Drenicë, n’gjithë popullatën gjendja ekonomike ka qenë e varfun. Përgjithësisht, muj t’thomë që ka qenë e vafun, se papunësia ka qenë e madhe. Domethanë, njerëzit u largunë prej punës t’gjithë kanë qenë, Fabrika Feronikli, Fabrika e Zogjëve këtu, Fabrika e Rrobaqepësisë. Domethanë “Kluzi”, n’atë kohë që ka qenë, punëtorët e “OP-Drenicës”, që u thirrke n’atë kohë, dhe t’gjithë njerëzit atëherë jonë mbajtë prej… kanë pasë ndihmë prej shoqatës “Nëna Tereza”, n’atë kohë që jonë ndihmu. Ka pasë ndihma solidare prej mërgimtarëve jashtë që kanë çu edhe mjete, kanë çu edhe mall, se n’atë kohë, tash për shembull mund t’a cek, na edhe Spitalin e Gjinekologjisë, edhe pse tek ne ka qenë shumicën e kohës, kanë qenë shqiptarë, vonë kanë ardh masat e dhunshme n’spital. Por m’kujtohet kur ajo kohë, nëpër… që njerëzt qe kanë pasë firma, ndërmarrje, kanë ndihmu shumë, firmat private, ku ne i grumbullojshim, ku nëpër spital kena grumbullu deterxhent, papuçe, rroba për gra qe lindin n’spital. Aty kemi marrë mjete që kemi ble barnat edhe kemi ndihmu spitalin n’atë kohë drejtpërdrejtë si Forum i Gruas. Bile edhe gruja e doktor Ibrahim Rugovës, qëtë vajzën e vogël që osht’ sot deputete, n’atë kohë e ka lind n’Drenas.

E populli kështu ma shumë jonë merrë me bujqësi, se njerëzit t’gjithë u largunë nga puna.  Ne kemi bërë edhe regjistrimin e njerëzve që jonë largu nga puna n’atë kohë. Arsimin osht’ dashtë me e mbajtë me vetfinancim, se unë kam qenë pjesë, domethanë, kam qenë e angazhume edhe në Këshill Komunal për Financim, ku i kom grumbullu edhe pagat e punëtorëve të arsimit n’atë kohë.

Po malltretimet këtu kanë qenë të mëdhaja, për shkak se ka qenë nji represion i policisë serbe ma i madh n’Drenicë. Për shkak se Drenica edhe n’lufta t’maherëshme njihet si trevë që nuk e ka përballu, domthanë, nënshtrimin. Nuk osht’… nji popull që nuk i osht’ nënshtru armikut kurrë, edhe për ketë rast, Serbia gjithmonë e ka pasë n’sy mas shumti, e ka pasë Drenicën. Edhe ju ka frigu, shkurtë, muj me thanë ma së shumti Drenicës n’atë kohë. Na, në Këshill n’atë kohë, osht’ bo nji punë e madhe. Ka qenë nji rast kur grupet guerile, domethanë, t’ushtrisë, qe e kanë bo sulmin, këtu te hekurudha, ku janë vra policët n’atë kohë, m’kujtohet dikun rreth orës 10 e 30 ka qenë, natën.

Kaltrina Krasniqi: Data?

Zahrije Podrimqaku: Data, ora, edhe tash t’tregoj me datë se kom fillu, se ka shku kohë e … Rasti i parë, për shembull, që osht’ bo sulmi, osht’ bo me 27 shtator ‘92-tën te stacioni i autobusave, ku aty jonë vra, a jonë vra, a jonë plagosë. Nji polic osht’ vra, njo osht’ plagosë nuk m’kujtohet mirë rasti, edhe me ketë rast policia meniherë ka marrë aksionin e vet  ku i ka bastisë familjet në Çikatovë të Re, n’Krajkovë, me rradhë edhe ka malltretu shumë njerëz n’atë kohë. Edhe angazhimi u dashke shumë i madh, se u dashke me shku m’i marrë, përveç informatës, me fotografu personin, me ba fotografitë edhe m’i dorëzu t’gjitha në Këshill për Mbrojtjen e të Drejtave, ku n’atë kohë kryetar i Këshilit ka qenë Adem Demaçi. Edhe anëtarë tjerë t’kryesisë kanë qenë edhe Shaban Shala, ka qenë anëtar i kryesisë n’atë kohë në Këshillin Qendror. Ka qenë Sami Kurteshi, ka qenë Shukrije Gashi, prej femnave, që me Shukrijen kemi pasë shumë, shumë nji bashkëpunim t’mirë.

Edhe kështu që, kemi kriju nji dosje na atëhere. Çdo delagacion që vijke edhe e ka vizitu Këshillin, ne kemi pasë materiale edhe kemi pasë fotografi t’rasteve që kanë ndodh, që ka pasë rrahje dhe malltretime fizike t’shpeshta t’familjarëve nëpër familje n’atë kohë që u bastisshin për armë. Familjet, qoftë kur ndëgjojshin se dikush prej familjes tyne osht’ angazhu, qoftë n’Ilegalitet, domethanë, të vemprimtarisë për t’kontribu për popullin e vet, i kanë ra në gjurmë. I kanë pasë edhe njerzit e vet, dihet, se edhe tek ne ka qenë i vështirë aktiviteti se s’ke qenë e pranume n’tana familjet. Nuk t’kanë pranu tana familjet, jo me strehu materialin, e jo… unë vet si veprimtare osht’ dashtë krejt materialin e Këshillit me majtë edhe të Këshillit për Financim edhe të Këshillit për Mbrojtje të Drejtave, o dashtë me mbajtë n’familjen time edhe me strehu.

Rasti i sulmit t’dytë në Drenas, mas sulmit të ‘92-tës, ka qenë me 23 maj të vitit 1993, te hekurudha. Ku me ketë rast, që ka ndodhë rreth orës 22 e 30, natën, meniherë i kemi ndëgju krismat edhe kanë ardhë forcat policore prej… edhe prej Mitrovice edhe prej Prishtine. Edhe jonë mushë forcat policore, dikun 1500 policë n’atë kohë kanë qenë. Çdo qytetar, që jonë hasë n’ta, që nuk e kanë ditë rastin çka ka ndodhë, atëherë n’atë kohë, osht’ malltretu, osht’ shtre për toke, i shkelshin me kamë qytetarët, se u dashke… unë meniherë e kom percjellë rastin, meniherë kur ka ndodhë rasti n’atë kohë, ky rast ka qenë shumë rast i ranë, edhe e kom informu bacën Adem. E kom informu n’atë kohë Fehmi Aganin, ka qenë anëtar i kryesisë,  Xhemail Mustafa ka qenë anëtar i komisionit. Kur ndodhke rasti, vetëm e vetëm për m’u ndëgju edhe m’u ba domethanë, lajmi m’u perhapë sa ma shpejtë u dashke m’i informu t’gjithë njerëzit, ku e dijshin ku jonë venet kyçe. I kishim numrat e telefonit, unë telefon nuk kom pasë n’familje, por e kom shfrytëzu herë n’kojshi herë kush ka pasë telefon jom shku e kom e kërku telefonin edhe e kom ba informimin.

Kaltrina Krasniqi: Kush i bojke këto sulme?

Zahrije Podrimqaku: Policia serbe, ah, atëherë populli nuk ish në dijeni që ekziston, domethanë, po na veprimtarët kemi pasë dijeni nga pak, kemi qenë t’njohur me aktivitetin e Ushtrisë Çlrimitare t’Kosovës atëherë n’atë kohë.

Kaltrina Krasniqi: Domethanë, këto dy sulme ‘92, ‘93, a kanë qenë…?

Zahrije Podrimqaku: Tash dihet kjartë, për shembull, që sulmi te stacioni i autobusave n’atë kohë e ka bo Adem Jashari, Hashim Thaçi, sot Ramiz Lladrovci qe osht’… edhe pjesëmarrës tjerë.  Edhe policia, mëngjes herët përveç tanë natën që ka… njerëz prej të gjitha anëve, që ka malltretu, që kanë hasë, domethanë, ku osht’ sot rrethi këtu n’Drenas “Kryqi” që u qujke n’atë kohë. Midis qendrës të Drenasit që, atëherë, u vendosë edhe post-blloku i policëve serbë. S’ka pasë rrugë tjetër kah kalon, rrugët kanë qenë t’lidhne aty edhe çdo qytetar që osht’ malltretu në mëngjes herët, se atë natë, tonë natën kam qenë n’lidhje t’informimit. Domethanë, me Prishtinë drejtpërdrejtë, se telefonat ma n’Drenas, unë jom mundu ta informoj krytaren tem t’Forumit t’Gruas, këtu, Vahide Ibrixhin, që ka qenë femën edhe s’ka mujtë asniherë me marrë telefonin këtu. Po n’Prishtinë e merrshe ma lehtë, a këtu mes veti i mbyllën telefonat për lidhjet për Drenas, a për Prishtinë informimi u bajke.

Edhe atë natë, tonë natën e kom percjellë rastin, domethanë, kam qenë n’familje zgjutë edhe e kom përgatitë materialin. E kom strehu materialin e Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave, materialet e Këshillit Komunal për Financim, se zyret n’atë kohë kanë qenë edhe të Këshillit Komunal për Financim edhe t’Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave edhe të Këshillit për Arsim – domethanë, të gjitha institucionet, atëherë paralele që funksionojshin nën pushtetin e Serbisë, që na punojshim për popullin tonë, ata për shtetin e vetë, kanë qenë t’gjitha zyret – kanë qenë në shpinë e axhës tem, ku osht’ sot tuj banu Shaqir Podrimqaku. Se pasi që na i morrën zyret që i kemi pasë të Këshillit në BVI [Bashkësia Vetëqeverisëse e Interesit] të Arsimit që ka qenë, që osht’ qujtë atëherë ish BVI-ja e arsimit masi na i kanë marrë ato. Edhe masi isha vet veprimtare, une ua propozova shtëpinë e axhës tem dhe kështu që t’gjitha zyret kanë qenë n’shpinë e axhës tem. Edhe e kom pasë afër shpinë edhe nga frika se po bastiset, p’e çelin zyrën aty, e kom marrë t’gjithë materialin edhe e kom strehu. Tash n’mëngjes herët n’7 ora osht’ mushë zi Drenasi prej policëve.

Kaltrina Krasniqi: Kjo osht’ në ‘93-tën?

Zahrije Podrimqaku: Në ‘93-tën, qeky rasti kur ka ndodhë te hekurudha edhe ata qaq kanë qenë t’përgatitun, dikun përmbi 1500 policë kanë qenë krejt me jeleka kanë qenë t’armatosun, deri n’dhëmbë, serbë.  Forca t’mëdhaja kanë pasë n’atë kohë, edhe ju kanë hy renë bastistjeve. Unë i kom pasë dy vëllaznit e vogël, Martirin edhe Rilindin n’atë kohë. Edhe materialin e pata futë krejt n’kauç, n’krevet edhe i pata qitë vllaznit me flejtë, edhe thashë, bisedova me nanën, thashë “Nanë, mundësisht mos i le, për shkaku i fmive, le t’jenë pengesë, që fmija t’pengojnë që ata mos t’na gjejnë materialin. Tani edhe mujnë me m’arrestu mu edhe babën mujnë me rrehë”.

I kanë hi rend Çikatovës së Re ku atë ditë jonë bastisë 114 familje. Edhe masi kanë hy n’familjen tem, kanë tentu me thy derën e odës, ku une i kom pasë t’gjitha fotografitë. Oda e burrave qe u thirrke atëherë, t’gjitha fotografitë e të gjithë herojëve, prej Isa Boletinit, rend, Ismail Qemailit, Skënderbeut, i kom pasë t’ngjita n’muri krejt n’rama kanë qenë. Edhe ka tentu m’i mshu derës ai edhe nana i ka bërtitë policit, “Qitash e bi çelësin e hapi deren,” tha,” po mundësisht, t’u kisha lutë, mos e the derën!” I ka piskatë me ton t’naltë policit, edhe ai i mshoi derës edhe e thej. Edhe i murrë t’gjithë ramat, i thej për toke tha, “Ju terroristat po majshi ktu”.

Pas bastisjes n’shpi, komplet krejt, kur ka hy n’dhomë te nana jem, ka tentu m’u afru te fëmija dhe nana jeme i ka thanë, “A ki ti fëmi?” Kur ia ka përmen, “A ki fëmi tha?” “Mundësisht,” tha, “a p’e sheh djemtë flejtë ku janë aty?” Tha, “Kontrollo knej kah t’dush po djemtë prej gjumi mos m’i ço!” Këta edhe kishin frikë, fmija. Edhe e strehunë [materialin], se nuk ish rend që ishin n’gjumë. Po rrijshin, edhe nana u afrua afër tyne, tani policia ma s’e preki kauçin, kështu që shpëtoi materiali i Këshillit prej atyhit. Momentin kur e kanë kry bastisjen komplet, se rrobat çka ka, enë n’kuzhinë, krejt i kanë kontrollu, t’gjitha i kanë qitë n’tokë, me rroba me krejt çka kanë gjetë aty n’shpi. Edhe kur e kanë kry familjen teme atëhere kanë dalë n’kojshi. Baba jem nuk qëlloi aty. Me gjithë vllaun kanë qëllu atë natë te dajët.

Edhe n’kojshi kanë pasë mashkuj, se ku kanë gjetë mashkuj, këta i kanë marrë mashkujt, i kanë bastisë. Pas bastisjes i kanë futë nëpër makinat e tyre, nëpër pizgavera për me i marrë n’stacion t’policisë si i kanë marrë t’gjithë. A n’momentin kojshi afër aty, kur i kanë renditë burrat e kojshive të familjes Elshani aty, unë e kam marrë aparatin dhe n’atë kohë i kam fotografu me durë t’pshtetun për muri ata. Ku n’këtë rast edhe tash mas lufte nji djalë i tyne, Afrimi, ma ka përmend, tha “Zahrije, hallall t’koftë. Edhe ti,” tha, “ki qenë dreq.” Tha, “Çfarë guximi ki pasë. Kur ta kom pa,” tha, “na t’mbështetë për muri,” tha, “kur ta kom pa ty aparatin n’dorë, unë gati jam çmend. Qitash” tha, “taman ia shohin aparatin asaj edhe ka mundësi me na vra apo, a ku me ditë çka me na bo”. E kom pasë guximin, shkurt.

Por si e kanë kry familjën e atyne, tu menu që ata e kryejtën edhe familjet tjera, familja përballë meje e Muharrem Elshanit ka pasë atëhere telefonin. E une tash me e informu Shukrijen në Këshill atje, në Këshillin për Mbrojtjen e të Drejtave se çka po veprojnë policia, qysh po i bastisin edhe çka po bojnë që po i marrin burrat, se i murrën burrat, tani i pashë që i morrën burrat aty n’çdo familje edhe kom shku me i informu n’telefon. Ai kojshia me gru nuk ka qenë aty, veç dy vajza i ka pasë n’shpi edhe tash ata hala ishin kanë tu e bastisë familjën n’tavan. Edhe unë kom hy n’shpi edhe kur kom hy e kom kap telefonin, e m’kujtohet rasti kur ma ka bo vajza e tina, “Dada Zahrie, ulu, ulu, ulu, se n’tavan janë policia. Mos, mos gabo me folë n’telefon se t’ndëgjojnë”. Edhe kom mbyllë për nji moment telefonin deri sa janë largu ata. Kështu, gjithë bastisja që ka ndodhë, ata e kanë kry bastisjen, unë menjiherë pas tyne kom hi nëpër familje.

M’kujtohet rasti kur kom shku n’familjen e Ejup Hasit, ai ka djem shumë, nuk m’ kujtohet a i ka shtatë a tetë, por e di që ka shumë, janë familje e madhe. Edhe kish qenë tu i ra t’fikët grusë të axhës Ejup, “M’i kanë marrë djemtë e kanë me m’i mytë.” Se ata kur hyjshin pytshin se kush i ka vra policët. “A e dini se kush i ka vra policët?” Se kombi ka qenë plot policë, ka qenë komplet i çpumë blozhdë prej plumave. Bile qytetarët flitshin n’atë kohë, se thojshin se e kanë pru brej Bosnjes veç me e inskenu rastin ktu. Mirëpo rasti ka qenë (qeshë) i vërtetë, domethanë që ka qenë sulm i drejtpërdrejt prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, atëhere grupeve guerile, që kanë qenë n’ilegalietet që kanë funksionu në atë kohë si grupe guerile. Edhe kur i kom thanë asajna grusë të axhës Ejup, “Oj dada Leme,” thashë, “mos u mërzit edhe qetësoju.” I thashë edhe i kom ndihmu me ia hjekë t’ligtit, që i ka ra t’fiktë. Edhe kur i kom thanë, thashë, “Se nuk i kanë marrë vetëm djemtë e tu, po i kanë marrë në çdo familje ku kanë hy kta, i kanë marrë burrat krejt”. Kanë marrë djem edhe dymdhjetë vjeçar ka qenë nji Burim Deliu, që m’kujtohet n’atë kohë edhe ata e kanë marrë n’stacion t’policisë.

Që t’gjithë mashkujt deri dikur n’mbramje kah ora pesë, deri n’atë kohë nuk i kanë lëshu dhe i kanë rrehë. Që thojnë n’atë kohë, ka shku gjaku, krejt gjak muret e stacionit t’policsë kanë qenë, qaq malltertime t’mëdha kanë qenë n’Drenas, që kur janë lëshu njerezit n’atë kohë prej stacionit, atëherë i kanë pasë britë t’thyme, jo t’damtumë pjesë t’trupit, qaq rand që kanë qenë t’rrehun. Edhe kështu që unë shpi për shpi, ka e kanë kry kta bastisjen, kom hy e i kom marrë t’dhanat krejt t’mashkujve me emën, kë e kanë arrestu, kujna i ka pasë rast që i kanë plaçkitë, dikujt 500 euro, qysh iu kanë gjetë paret. Besa besë shiritin me lira gratë ktyneherë që i kanë pasë nandë copa lira, i kanë marrë, ari, krejt çka kanë gjetë nëpër familje, i kanë marrë. T’gjitha kto që i kam rregjistru n’atë mengjes une, që kur n’momentin kur kanë ardh veprimtarët prej terreni, Shaban Shala, Agim Llaku, Jakup Krasniqi, kur o ardhë drejtpërdrejt te qytetarët tani rend që ju kemi hi, t’gjitha i kom pasë t’gatshëm.

Ka qenë kjo gazetare n’atë kohë, Hamide Latifi edhe Zeqir Bekolli. M’kujtohet të gjitha të dhanat, se ma zyre s’kishim, e [të] gjithë veprimtarët tani kanë qenë n’familjen time n’atë kohë edhe… me vit t’lindjes, me numër sa janë marrë, me familje sa janë bastisë, t’gjithë informatën… që e para e kom dhanë lajmin për krejt këtë rast. Por familjën e kam pasë përkrahje (qeshet me sytë e përlotur), m’kanë përkrahë. M’kanë përkrahë edhe nana shumë edhe baba edhe motrat. Unë  ju kom borxh shumë familjës se shpesh herë i kom bo telashe edhe me shokë që i kam çu, nana s’ka pritu kurrë me përgadit ushqim, motrat s’kanë pritu kurrë, m’kanë nejtë gati shumë (qan), kërkoj falje.

Pas nji kohe u dashtë, masi që janë lëshu qytetarët prej stacionit t’policisë, u dashtë t’gjithëve me ia u çu mjekun n’shpi edhe prej mjekëve i vetmi ka qenë doktor Hafir Shala, që sot osht’ i zhdukun {fshinë lotin dhe përbihet}… që ju ka dhanë ndihmën qytetarëve (flet me frymëmarrje të rënduar) me barna me krejt bashkarisht. Me Shaban Shalën i kanë pru mjekët pa kufi prej Prishtine dhe ju kemi hi t’gjitha familjeve, ju kemi shpërnda barna t’gjithë njerëzve që janë malltretu n’stacion n’atë kohë.

Kaltrina Krasniqi: A po doni me pushu pak?

Zahrije Podrimqaku: Jo p’e vazhdojna!

Kaltrina Krasniqi: Çfarë ka qenë vitet e ‘90-ta, mas ‘93-tës? Ju keni vepru shumicën e kohës n’Drenicë, a po?

Zahrije Podrimqaku: Po! Shumicën e kohës edhe gjatë gjithë kohës unë kom vepru, domethanë, n’Komunë t’Drenasit dhe në t’gjitha fshatrat e komunës t’Drenasit.

Kaltrina Krasniqi: Qysh kanë vazhdu vitet e ‘90-ta prej ‘93-tës e matutje?

Zahrije Podrimqaku: Po kanë qenë të vështira, se ato fillunë prej largimit t’punëtorëve nga puna, domethanë ka pasë pengesa n’shkollim edhe t’studentëve. Tani për shkak të situatës t’randë që kanë qenë prindët tani kishin pengesat edhe vajzat për me shku n’shkollim. Mirëpo, ne n’çdo moment ju kemi gjetë popullit pranë dhe afër, qoftë me… e n’atë kohë prej Këshillit Komunal për Financim kemi dhanë edhe bursa. Dhjetë bursa kemi dhanë për studentë. Domethanë, me mjete që i kemi grumbullu nga Këshilli Komunal për Financim, përveç pagat të punëtorëve t’arsimit që u dashke me u siguru n’atë kohë, edhe bursa kemi nda. Kemi nda dhjetë bursa. Ju kemi ndihmu vajzave n’atë kohë prej firmave, ju kemi nxjerrë bursat prej firmave private për shkollimin e tyne vetëm e vetëm që ato mos me e lanë shkollimin n’gjysë, mos t’jesin pa shkollue.

Kaltrina Krasniqi: A u paten mbyllë krejt shkollat ktu?

Zahrije Podrimqaku: Me shkolla… kanë qenë t’hapura. Ka pasë pengesa për mbyllje, për shembull shkolla e gjimnazit disa herë, mirëpo prapë nxanësit nuk ka pasë kush që i ndal. Domethanë, këmbëngulja ka qenë atëherë që shqiptarët që asnjiherë urdhnat e serbëve, domethanë t’okupatorit mos me qenë të realizueshme edhe pse u dashke me shumë sakrificë për t’i mbrojtë ato.

Pas rastit të ‘93-tës, që ka qenë rast i randë, Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave n’atë kohë, qysh n’vitin 1993 me t’gjitha materialet që ka pasë, domethanë malltretimet n’Drenas osht, i kemi kriju n’gjyq të Hagës dosje të Sllobodan Millosheviqit. Domethanë, komuna e parë kemi qenë n’atë kohë që kemi kriju dosje. Në ‘93-tën ka punu Agim Rrellaku, Shaban Shala, une, Shqipe Ahmeti që e kemi kompletu dosjen. Edhe dosjen origjinale e kemi dorzu në Këshill në Prishtinë, nji kopje e kemi pasë ktu në Këshill në Drenas. Domethanë, qysh ’93-tën i kemi ngritë aktakuzë si Këshill për Mbrojtën e të Drejtave nga Drenasi për Sllobodan Millosheviqin, n’atë kohë për malltretimin n’komunën tonë.A

Lidhun me këtë rast, ka pasë maltretime dhe prej veprimtarëve shumë. Për shembull, me 28 Maj, menjiherë rasti që ndodhi me 23, me 28 Maj ka qenë i arrestumë Shaban Shala me gjithë vllaun e vet Emri Shalën ku janë maltretu n’mënyrëm ma mizore n’stacionin e policisë, sa që kur tregojshin, i kanë lidhë me kamë lartë {tregon me dorë lart} edhe i kanë maltretu edhe me kokë teposhtë {tregon me dorë poshtë kah toka}, tu i maltretu fizikisht.

Kaltrina Krasniqi: A ka qenë popullata e Drenicës në vazhdimësi e ekspozme ndaj dhunës?

Zahrije Podrimqaku: Popullata e Drenicës ka qenë n’vazhdimësi [e ekspozume] ndaj dhunës t’shtetit serb atëhere, mirëpo me gjithë atë vazhdimësi t’maltretimit të tyne, veprimtarët nuk ka pasë kush që i ndal. Kanë punu shumë njerëz. N’atë kohë janë anagazhu shumë njerëz, domethanë osht’ bo nji sakrificë e madhe.

Përveç Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave, unë kam qenë e kyçur në institucionin e Këshillit Komunal për Financim për atë kohë. Ky ka qenë nji insititucion që osht’ kriju n’atë kohë për ta financuar drejtpërdrejt financimin shqip. Une du ta ceki ktu se n’Këshillin Komunal për Financim n’atë kohë jam kyçur në vitin 1993 dhe kam bërë, njikohësisht kam qenë edhe si koordinatore e Këshillit për Drenas për grumbullimin e pagave t’punëtorëve t’arsimit n’atë kohë. Me Këshillin për grumbullimin e pagave, vetëm për pjesën e Drenasit, se Këshilli ka qenë i organizum n’shtatë nën-këshille. Domethanë, për shembull, Këshilli i Drenasit osht’ përfshi Çikatova e Re, osht’ përfshi Drenasi Njishi, osht’ përfshi Dyshi, osht’ përfshi Pokleku i Ri, Vaseleva dhe Pokleku i Vjetër.

Për gjitha kto fshatra që i kanë përfshi shkollën e Poklekut, shkollën ku sot osht’ Rrasim Kiçina që thirret edhe shkolla e Poklekut, domethanë shkolla “Fazli Graiçevci”, shkolla e Gllobarit, se edhe Gllobari ka qenë i përfshimë. Për këto tri shkolla kam pasë obligim e përgjegjësi, domethanë, grumbullimin e pagave t’arsimit unë si koordinatore, si kryetare e këtij nënkëshilli për grumbullimin e pagave. Ktu asht’ dasht ta organizojmë me veprimtarët që i kemi pasë n’teren, për shembull, n’fshatin Çikatovë të Re, m’kanë ndihmu shumë veprimtarë n’atë kohë për grumbullim t’pagave kohë pas kohe. Për shembull, Qazim Shala ka qenë, Hasan Elshani që m’ka ndihmu n’grumbullimin e pagave, ka qenë ky Qerkin Berisha, ka qenë Nezir Gashi. Mirëpo, në rastet më të shpeshta m’ka ndihmu me grumbullimin e pagave në Çikatovë të Vjetër, ka qenë Afrim Gllareva edhe ka qenë Halim Bajraktari, që sot osht’ dëshmor i kombit.

Kaltrina Krasniqi: Qysh u bojshin mbledhjet?

Zahrije Podrimqaku: Mbledhjen e ktyne t’hollave për shembull, kom shku në Çikatovë të Re, e kom thirrë veprimtarin që ka qenë i angazhum si bashkëpunëtori i Këshillit edhe i kemi hi shpi për shpi, domethanë nëpër oda. Atëherë, n’atë kohë me vendim secilës familje Këshilli Komunal për Financim ia lëshojke vendimin, familjet që e kishin dikan jashtë i kanë pasë dikun 180 euro për nji vit me i pagu, 180 Marka, se marka kanë qenë ato mjetet atëherë; e familjet që s’kanë pasë kërkon t’punsum i kanë pasë dy euro n’muaj, 24 euro n’vit. Për krejt vitin kanë qenë 24 marka n’vit. Dhe ne u dashke me grumbullu nëpër secilën familje, dikun ku u dashke me u sqaru ma shumë rreth këtij financimi. Me i bind njerëzit tu dashke me hy edhe nërpër oda deri sa e bindshe kryefamiljarin, qoftë grunë, qoftë burrin. Megjithëse, pak ata kanë pasë që kanë pasë, janë pyet atëherë për kuleta për mjete për me i dhanë. Drejtpërdrejt burrat janë pyet ma shumë.

Edhe, këto paga i grumbullojshim, dorëzoheshin në Këshill. Pastaj masi u grumbullojke shuma, nji pjesë e merrshëm prej tre përqindshit, atëherë që ka qenë t’mërgimtarëve, kontribut i mërgimtarëve drejtpërdrejt. Domethanë 150 mijë marka, 160 mijë marka gjermane shkojshin komplet për 950 punëtorë të arsimit n’atë kohë, për me ju dhanë pagat. Po aty osht’ dashtë një aktivitet i përditshëm me u bo në çdo familje. Domethanë, dihet te veprimtarët që kanë ni përgjegjësi, që e kanë marrë me shpirt gjanat. Edhe në rastet kur u rrezikojshin mosdhënja e pagave, për shembull, merrshëm aksione t’përditshme si fushatë t’gjithë veprimtarët prej Këshilli, kur kryetari i Këshillit n’atë kohë ka qenë Jakup Krasniqi. Ma vonë ma kanë dhanë edhe përgjegjësinë e arkës. Domethanë, me 8 qershor, 1995, kam qenë edhe arkatare n’nivel komunal që kam mbajt pagat e t’gjithë punëtorëve t’arsimit. Por, përveç pagave edhe arkës që kam qenë e angazhume n’zyre, unë terrenin se kam lanë kurrë. Se për terrenin ku kam qenë e caktume si koordinatore kom pasë përgjegjësi.

Për shembull, mëngjes herët u dashke me u çu. E kishe planin që e kishe bo për grumbullimin e pagave, me ardhë n’Poklek edhe Vaselievë, se nji fshat i marrke, kish fshat që ish ma i madh t’i merrke dy ditë, deri sa i përfundojshe t’gjitha familjet, por kish fshat që ti marrke vetëm një ditë. Për shembull, Pokleku i ka pasë 120 familje edhe kur i hyshe Poklekut u dashke me ardh n’shtatë mëngjes dilsha prej shpije, e hangsha bukën, herët u çojsha e u përgaditesha. E hangsha mëngjesin, se ti tash me mëngjes nuk mujshe me lyp bukë me nji familje. Mujshe me hangër nji obrok,[1] drekën për shembull, aty ku e gjajshe t’kthyne ose kish raste familje që na ftojshin e thojshin, “Sot masi koki n’terren n’fshatin tonë, ju për drekë jeni te na. Kryne aktivitetin, jeni për drektë te na tani prap e vazhdoni punën.” Se n’shpi s’mujshim me u kthy me hangër bukën se ish larg tani t’metke puna n’gjysë.

Edhe për mos me metë n’gjysë puna, mos me i metë aktiviteti n’gjysë na kena hangër ushqimin nëpër familje. N’shtatë u nisesha prej shpisë tem, vijsha vetun prej Drenasi, domethanë në Çikatovë të Re ku e kam shpinë n’Poplek trup arave. Por atëhere ka qenë nji siguri, se qytetarët kanë qenë shumë t’vetëdijshëm. Beso, une jam shumë mirënjohëse ndaj atyne qytetarëve se m’kanë pritë mirë familjet. Kurrë s’kam pasë probleme. Në çantë teme ka ndodhë deri në 3500 marka me i pasë që i kena grumbullu gjatë ditës n’fshat. Vetun kom shku. Ka pasë rast që qytetarët aty kanë shprehë dëshirë me m’përcjell me makinat e tyre deri te shpija, por shumicën e rasteve na kena ec n’kamë n’atë kohë. Se edhe familjet nuk kanë pasë t’gjitha makina. Kanë pasë vetëm ata që e kanë pasë dikënd jashtë ose kanë pasë naj firmë, jo sikur sot për shembull. Edhe u dashke me i hi rend fshatit, shpi për shpi, me i gumbullu mjetet. Ka qenë rast i vështirë, se t’vijke vështirë.

Për shembull, unë i kam taku nji familje që ka pasë gjithmonë [të mira materiale], edhe ka qenë e rëndë për mu me dalë me lypë. Ma ka pasë bo në Çikatovë të Re nji Hasan Barleti, nji plak, po ma bon, “E kujna je?” Thashë, “Jam e Ramës.” Tha, “More tregoma babgjyshin!” Thashë, “Jam mbesë e Hydë Ramës une.“ Edhe babgjyshin tem e kanë njoft tanë se ka qenë bukëdhanës edhe ka pasë odë të madhe, ka qenë shumë ekonomist. Kur s’ka bo nja, dy, veç kur e ka kap kokën, “Kuku për Hydë Ramën çfarë burri ka qenë (qeshë), e mbesa e tij me dal me lypë pare” (qeshë). Edhe kështu une veç u nala. Nuk u preksha prej njerëzve se (qeshet) nuk i kanë kuptu njerëzit tanë gjanat n’atë kohë. Kur e kryjti ai, une i thashë, “Axhë, une ty du me të tregu…” edhe ia tregova nji shembull të keq.

Morra disa vajza qe m’bijshin n’sy gjatë aktivitetit kur tubojsha mjete në Çikatovë të Re, edhe tash i thashë, “A o ma mirë me bo sikur qato q’i po bojnë?” Thashë, ia sqarova rastin komplet. Thashë, “A sikur une, se une s’kom dal me lyp për veti. Prej meje, prej punës time mbahen 950 punëtorë t’famlijes… t’arsimit, 950 punëtorë të familjes, sa anëtarë tash? Domethanë, gati gjysma e popullit mbahet prej djersës tem.” Thashë, “Kështu që, une jam krenare se kjo o nji kontribut edhe për popullin edhe për arsimin.” Thashë, “Se edhe këta arsimtarët, edhe kta e dijnë rrugën për mërgim, dijnë me dalë edhe jashtë. Por,” thashë, “mos me u mbyllë shkollat, mos me mbet nxansat edhe rinia analfabet e pa u shkollu, na këtë punë p’e bojmë për këtë qëllim.” Thashë, “Edhe kjo o qëllimi që te na mos me ngec arsimi mbrapa, mos me na u mbyll shkollat, edhe mos me i thanë faleminderit Serbisë edhe me ia shtre dorën, por na,” thashë, “me organizimet tona, me punën vullnetare tonë, me tregu që e dojmë shtetin tonë edhe dojmë me bo shtet”.

Kaltrina Krasniqi: Sa vjet e keni bo këtë punë?

Zahrije Podrimqaku: Dhetë vite rresht.

Kaltrina Krasniqi: Prej cilit vit deri me…?

Zahrije Podrimqaku: Prej ‘90-tës deri n’momentin kur jom burgosë, që jom ra n’burg deri me 8 qershor, ‘98-tën. Une e kom bo nji punë t’parreshtun edhe s’jom nalë kurrë n’aktivitet. E kom dashtë punën e aktivitetit. E kom pasë një krenari n’shpirt edhe kur i kom bo mirë njerëzve, për shembull, kujt kom mujt me u ndihmu njerëzve, qoftë me nji bursë, qoftë me ndihma, kur e kom çliru. Se na n’atë kohë…për shembull, rrobat, i angazhojshim familjet me i pastru rrobat që ju kanë mbetë fëmijëve që iu kanë rritë, iu kanë mbet rrobat e reja, me i hekuros, me na i dorëzu neve e na me ia çu familjeve të vorfuna. Ka qenë humaniteti në nivel te qytetarët. T’kanë përkrahë qytetarët për çdo organizim që kemi [ndër]marrë. Edhe ktu, ku kesh tu të thanë te financat, edhe nji plak u detyru me m’thirrë mu n’odë edhe tha, “Hajde mirë se ki me ardh, veç me hi mrena n’odë me pi nji kafe”.

Jom hi tani mrena, kemi bisedu ma gjatë edhe m’ka kërku falje për fjalën që ma ka thanë. Se ai e mur kta tragjike se qysh femna me dal nëpër shpija (qeshë) “n’vend se me,” tha, “me shku mu feju, e me u martu dikun, me lind fmi,” tha, “ti je dalë nëpër shpija po kërkon (qeshë) mjete”. Kur ia sqarova qëllimin, ai u bind edhe e binda, dhe arriti me m’kërku falje mu. Mirëpo, në përgjithësi jam shumë e knaqne, se qytetarët m’kanë prit shumë mirë, gjithmonë. Bile, m’ka pasë pytë njihere ky kryetari i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave, ky Agim Grellaku, ishin t’gjithë kolegët aty, t’gjithë veprimtarët pjesa më e madhe, e po m’shikon qeshtu (tregon menyrën si e shiqonte). Isha e vetmja vajzë. Domethanë në Këshill Komunal, isha e vetmja vajzë edhe kam qenë ma e reja prej t’gjithëve. Të gjithë kanë qenë mashkuj. Edhe po m’thotë, “Allahile, tregom drejt, qysh po kalon nëpër familje?” Thashë, “Allahile, a po don me të tregu drejt? Tash po të tregoj.” Thashë, “Une ku t’hi, ku t’dal unë sikur mbesa me dajë.” Mirëpo, thashë, “Edhe unë vetë sjellna mirë me ta”. Ka pasë rast kur jom shku qytetarit i kom thanë, “Nëse ki noj borxh që ki me e la për ngut, une pres, shkoj n’familje tjera, se une boj zgjidhje te tjerë qytetarë, por ti mos u ngushto. Mi jep mjetet herën tjetër. Me rëndësi është që ti duhet me kry obligimin tand për shtetin tand. Tash s’ki, e kryen ma vonë, nuk osht kurgjo”.

Mirëpo, ka pasë raste, ka pasë qytetarë që o dashtë me i’a lëshu dëftësën ndoshta për dy marka, veç pse thojke, “Le të m’shënon edhe mu emri n’kompjuter. Te kanë emrin n’kompjuter edhe une se po kontriboj për shtetin tem” (qeshë). Edhe u dashtë për dy marka me lëshu dëftesë. Kështu që, ka pasë fshatra që kanë qenë ekonomikisht t’dobët, kanë pagu ma dobët. Mirëpo, Drenasi në përgjithësi ka pagu mirë. Pokleku i Vjetër, afër Poklekut të Ri tash, kanë qenë ma t’organizumit. Mirëpo, edhe veprimtarët këtu, për shembull unë mund ta ceki në atë kohë, ka qenë për fillim nji mësuese, nji Hysnie Blakaj që tash osht’ në Gjermani edhe i ka pasë vjehërrinë [qysh] si nuse, [tani] si gru edhe nuk e pengojshin. M’ka ndihmu, tani ka qenë Dalip Haxhiu, m’ka ndihmu Nexhmedin Haxhiu në Poklek. Ka pasë shumë njerëz që kur shkojsha n’fshat me grumbullu pare, mjete domethanë, pagat e punëtorëve të arsimit, ka pasë dy vetë, tre vetë, katër vetë.

Ka qenë drejtori i shkollës ma vonë që o angazhu edhe ma vonë s’mu ka nda kurrë, drejtori i shkollës Rexhep Cërrvadiku, që sa herë kom ardh n’Poplek ai kurr… vetë drejtori nuk mu ka nda, e ka ardh nëpër familje me mu. Mirëpo, Pokleku n’atë kohë ka pri me mjete, se kanë dhanë ma s’shumti. Saqë, kur shkojsha në Këshill me dorëzu edhe prijke e para me paga, sepse secili fshat n’bazë të mjete qysh i jepshin n’atë kohë edhe shkolla i merrke ma herët rrogat. Ka pasë raste… profesor Jakupi n’atë kohë m’pat pyet, “Zahri, a bon te lamë Poklekun? Po m’vjen keq, se ata po dhajnë mjete e krejt, por kemi shkolla tjera mbrapa dhe dojmë me ia dhanë edhe të tjerve, se ju kena mbet shumë borxh me paga. Veç mjete në Këshill Komunal për Financim, prej çka kemi qenë anëtarë të Këshillit, si femën kam qenë ma e suksesshmja. Mirëpo, unë i kom pasë dy arsye, se unë kom mujt me hy edhe te burrat edhe te gratë (qeshet). Kjo ka qenë ajo që mu ma ka lehtësu punën në atë kohë.

Edhe hyjsha pa problem në odë të burrave por edhe pa problem shkojsha n’kuzhinë edhe te gratë. Ka pasë familje që edhe gratë më kanë ndihmu e m’kanë përkah t’u e nxit burrin që duhet me pagu edhe, ”Mos e lësho Zahrien thatë se s’bon, se si kjo vajzë kaq e re e po jep kontribut e ti obligimin tand duhesh me e pagu”. Edhe ka pasë gra, që gruja vet e ka bind burrin edhe i kanë dhanë mjetet. Mirëpo, edhe krejt qytetarët me informim e me domethanë, kur t’ia sqarosh mirë, për çdo organizim që e merrshëm n’atë kohë, shumica e qytetarëve kanë qenë në përkrahje. Dihet atata që s’kanë pasë edhe na i kemi kuptu.

Por ka pasë rast në atë kohë, tash për shembull, thojke, “Unë i kisha pagu, [por] nuk kam mjete,” thojke, “se kam qurana, kam pula, 24 euro une e kisha pagu”. Një rast une nuk e harroj, një qytetar tha, “Zahrije, që ki pare po ta shes quranin, 24 euro e kam quranin, e qe po t’i paguaj obligimet”. Edhe qashtu kom vepru. E kom pa marrë quranin te shpija (qeshet). Thashë, “Qe dëftesën, une i thom babës që une e kom ble e baba mi jep paret mu.” Thashë, “Unë po ta lëshoj dëftesën ty e baba mu m’i jep paret për me i dorzu n’shpi,” thashë, “e, e çoj quranin te shpija.” Edhe ka qenë atëhere kontabilisti Dibran Bajraktari, që sot s’osht’ në jetë. Ka qenë shumë njeri i mirë. Ka qenë edhe ai një veprimtar shumë i mirë edhe m’ka përkrahë shumë. Se, Jakupi ka qenë kryetar, Dibrani e ka mbajt kontabilitetin, Ahmet Morina ka qenë ma herët arkatarë e prej anena arkën e pata marrë une si arkatare. Tani n’momentin kur t’njejtën ditë kur une jam zgjedhë arkatare, domethanë, profesori Jakup, se une i thomë profesori Jakup, dha dorëheqje prej Këshillit si kryetar, tha, “Muj me ju ndihmu une kurdo që jeni n’terren, n’grumbullim, kurdo kur ndërrmerni aksione,” tha, “por tash duhet me u angazhu n’arsim”. Ai e muar detyrën si kryetar i Këshillit të Arsimit n’atë kohë edhe kryetari i Këshililt Komunal për Arsim u zgjodh Izet Ibrahimi. Domethanë, në të njejtën ditë kur unë jam zgjedh arkatare, me 8 qershor, ‘95-tën, Izet Ibrahimi osht’ zgjedh kryetar i Këshillit për Financim.

I kom ndihmu une t’gjitha, s’ka pasë institucion n’atë kohë që ka vepru që une nuk kom dhanë kontribut. Mirëpo, e kom lonë shumë anash familjen, a din. Po, e kom pasë përkrahjen edhe prej motrave edhe prej prindërve edhe prej vllaznëve, e kom pasë përkrahjen shumë t’madhe, shumë m’kanë përkrahë. Du ta ceki nji rast për shembull, shkolla në Çikatovë, n’atë kohë ka qenë gati e pafunksionume për m’u zhvillu arsimi. Edhe kryetar i aktivitetit n’atë kohë ka qenë Hasan Elshani edhe kanë qenë… unë kom qenë kryetare e nëndegës të Çikatovës të Re edhe e kemi marrë organizimin. Nji pjesë… edhe e morrëm edhe pëlqimin në Këshill Komunal për Arsim prej profesorit Jakup, që na t’i grumbullojmë mjetet veçantë edhe ato mjete mos t’i dorëzojna në Këshill. Po ato nuk ishin mjete që ishin obligime ndaj pagave që i kishin atëherë të Këshillit për Financim, po ato kanë qenë mjete vullnetare jashtë asaj page, asaj pjese që e kanë pasë obligim qytetarët. Kemi grumbullu kush ka dhanë cyment, kush zall, kush gurë ka ofru.

Shkolla n’atë kohë nuk ka pasë toalet. Domethanë, n’atë kohë me vet kontributin e qytetarëve, kush ka ofru mjete, kush zallin, kush cymentin, kemi ba organizimin edhe kemi ndërtu gjashtë kabina të WC-së në oborrin e shkollës, që edhe sot ajo shkollë i shfrytëzon, qaq mirë që i kemi punu. Ma mirë i kemi punu na n’atë kohë me vet vullnetarë se sot rrugët qysh i shtrojnë pushtetarët tonë (qeshë). Mirëpo, organizimi ka qenë në nivel. Kur e marrshum organizimin edhe mu m’kanë përkrahë shumë. Të gjithë veprimtarët n’atë kohë mashkuj thojshin, “Zahrija le t’na prijë se Çikatova e Re ka pasë shumë t’ardhun”, domethanë ka qenë sikur Dushanova, prej t’gjitha anëve, dikun 53 fshatëra jonë t’ardhun në Çikatovë të Re, njerëz. Që në Çikatovë të Re si kryetar i Çikatovës të Re asnjo mi ni vetë, dy, s’ka mujtë me majtë deri n’momentin kur e kom marrë une. Kur e kom marrë une si kryetare atëherë, e kom majtë deri n’fund deri kur jom burgosë. E kom majtë n’udhëheqje Çikatovën e Re se s’ëm kanë kundërshtu qytetarët edhe gjithmonë votat, ni votë ka ndodhë me qenë kundër ni here, se t’gjithë votat unanim m’i kanë dhanë mu, po dihet me punën tem. Kom punu shumë, edhe ata e shihshin angazhimin tem, po edhe m’kanë përkrahë shumë.

Na me vet kontribut, edhe ndërtimi atëherë vullnetar osht’ bo, as s’kemi pagu mjeshtër për ndërtimin e atyne gjashtë kabinave të WC-ve që i kemi ba n’atë kohë. Ka punu n’atë kohë që unë mund ta faleminderoj sot Adem Heta, ka punu Nezir Gashi, ka punu Et’hemi që mbiemni s’po m’kujtohet. Axha Et’hem i Çikatovës, i Baksit, familje t’Baksit, t’ardhun aty. Edhe kanë punu ni Fazli Salihu që une jom shumë mirënjohës edhe nihna borxhli ndaj atyne njerëzve edhe kur vij n’komunë munohna me iu ndihmu për shkak t’kontributit që kanë dhanë vullnetar atëhere n’atë kohë. Po edhe për ndihmat që i kanë nda “Nëna Terezë” n’atë kohë për qytetarë, për çdo familje që une i kom identifiku e kom ba regjistrimin, kryetar për Çikatovë të Re atëherë ka qenë Dastan Heta. Kemi pasë na shumë bashkëpunim t’mirë mes vete, mirëpo mu m’kanë respektu si kryetare. Ka ndodhë për shembull, Dastani ka qenë kryetar i shoqatës, m’ka thonë, “Zahrije, bane regjistrin, qat listë që t’ma jepsh ti, e verifikon se ti p’e ki mundësinë me hi mrena n’familje, me kqyrë a kanë a s’kanë familjet mill. Unë jam i gatshëm me realizu”. Edhe e realizojke.

Edhe du ta ceki ni rast për shembull, në Drenasin Dy kur kom dalë, në Drenas Dy si veprimtarë për grumbullim t’mjeteve. N’atë kohë e kemi pasë Bajram Bajraktarin. N’Gllobar m’vjen keq po nuk po m’kujtohet osht’ profesor ai djali, nuk po m’kujtohet emri i tijna se kisha pasë dëshirë me përmend, po kur t’e shkruj librin, nuk harroj me shkrujtë, me ia cekë emrin (buzëqeshë). Edhe m’kujtohet ai rast, shkova e gjeta veprimtarin n’shpi. Ish koha, e dille edhe Bajrami s’kish qenë te shpia e vet, tha nana e vet, “Valla, ka shku dikah me pa…,” a ni dasëm… nuk m’kujtohet mirë. Edhe për mos me m’shku dita kot, kisha shku n’familje të tijna për me marrë, për me i hy grumbullimit t’pagave në Drenasin Dy. Atëhere mendova, ku me hy, ku me hy, kom hy n’familje të Ali Bajraktarit. Ali Bajraktari ka qenë nji qytetar i mirë, ka qenë nji njeri që ka kontribu edhe n’kohën e mahershme. Baci Dibran e ka pasë t’afërm, mixhë e ka pasë Alinë, edhe ku me hy, ku me hy… se u dashke me i zgjedhë njerëzit për me dalë n’terren n’atë kohë, se me gjithkon nuk t’pranojshin n’familje mrena.

Edhe kur hyna po m’thotë ni fmi… une, “A ka mundësi me… a e ki babëgjyshin këtu?” Ai, “Po.” Thashë, “Thirrma, [tregoi] se po t’thirrë Zahrije Podrimqaku.” Edhe ka dalë axha Ali te dera, edhe p’i thomë une, “Axha Ali, une sot kom ardhë me iu përkushtu Drenasit, me i tubu pagat. Bajramin,” thashë, “nuk e paskna këtu, që e kena na bashkëpunëtor Këshilli, s’koka. Mu kthy n’shpi, po m’dhimet dita me shku e kotë. Kështu që, e kisha ni kërkesë prej teje,” thashë, “nëse ti ma kishe ndihmu.” “Urrno,” tha, “ça t’varet prej meje, une t’ndihmoj.” Tha, “A me t’dhanë mjete?” thashë, “Jo për ato, ti i ke kry obligimet. Po ti ki djem shumë, me ma dhonë njonin prej djemve të tu me m’shoqëru sot nëpër shpija, nëpër familje mos me shku vetun une, masi s’qenka Bajrami.” Edhe çka ka bo ky? I ka thirrë djem e nipa, krejt i ka ranisë. Edhe tash mendimin ky edhe buzën pak n’gaz edhe t’u mendu ky që une p’e zgjedhi dikon prej djemëve t’rijë, a po m’kupton, masi si femën e si vajzë e re {mbyllë syrin} (qeshë). Edhe këtu une shkova, edhe e zgjodha, tha, “Cilin, zgidhe?” Domethanë, e morra djalin ma t’madhin, Muratin, Murat Bajraktarin. Thashë, “Valla, une qito.” E ia nisi tha, “Po pse qito, ky i vjetër, çka po t’vyn?” Thashë, “Mu, qiky ka autoritet për m’i tubu mjetet. Këta të rijtë nuk i njef kërkush se nuk kish pasë problem. Po nëse pranon baci Murat, une e kisha zgjedhë bacin Murat.” E po qeshë ai, se në t’qeshun po thotë ai, “Jo, Murati ka me ardhë sot.” Thashë, “Nashta ta kom hupë naj argat, nashta ke pasë naj plan t’punës për djemtë me punu sot te shpia, po unë e kisha marrë bacin Murat”.

Edhe kështu që atë ditë n’terren me bacin Murat dikun 1500 marka i kemi grumbullu brenda ditës, gjatë krejt asaj kohe. Edhe ai ka ardhë m’ka shoqëru edhe normal që e ka pasë fshatin e vet, edhe venali aty, i ka njoftë edhe njerëzit, cilat familje kanë, cilat s’kanë, se ish vështirë me i ngushtu familjet që s’kanë, me hy e me kërku mjete. U dashke sa për mos me i nda, me hy edhe me i tregu pse kemi ardhë, po “Ty s’e kena njet me t’ngushtu se ta dijna gjendjen”.

Kështu që, qytetarët dashta me thanë, pavarësisht edhe pse s’kanë qenë veprimtarët aty, na kur kemi shku n’fshat, nuk jemi kthy po e kemi marrë gjithmonë ni qytetar që ka pasë autoritet në fshat. Familjet, e thashë edhe ma heret, ka pasë rast, nëse ti ke shku me ni veprimtar që ka dashtë me nihmu edhe ia ka njoftë familjen edhe ia ka njoftë biografinë nuk t’i ka dhanë mjetet. Noshta, shkas ka qenë personi që e ke pasë me vete edhe nuk t’i ka dhanë mjetet. Une pata ra shumë, se thashë ma herët Çikatova e Re ka qenë gjithë t’ardhun, njerëz t’ardhun edhe asnjoni nuk e ka njoftë tjetrin fort se ka qenë vend i banushëm prej t’gjitha fshatërave që kanë qenë t’ardhun. Edhe kur une e morra arkën, mu m’u deshke n’vend të tij, n’momentin që u angazhova me arkë, tash për me qenë ni njeri i përgjithshëm për m’i grumbullu mjetet n’atë kohë në 2003-tën… 2005-tën kur e morra arkën, u dashtë me gjetë ni njeri t’familjes që e dojnë qytetarët edhe që nuk sjellë probleme te qytetarët kur hyn n’oborrin e tyne.

Edhe t’u mendu, t’u mendu, ka qenë Familja e Shaban Bajraktarit në Çikatovë të Re që mu m’ka përkrahë në çdo aksion edhe Islam Bajraktarit. Domethanë, se edhe familjet për me hangër bukë u dashke m’i zgjedhë kur hijshe n’oda, për shembull, kur vijke koha e bukës. Edhe për me t’përkahë që me i nxitë edhe tjerët, u dashke me i zgjedhë familjet. Edhe masi e morra arkën, une u dashtë me gjetë n’vend timin, për Çikatovë t’Re tash ni person tjetër si bashkëpunëtor të Këshillit për me angazhu. Afrimi n’atë kohë, Afrim Gralleva u angazhu drejtpërsëdrejti në Këshill për Financim, për grumbullim, domethanë grumbullimin e mjeteve nëpër firma bashkë me Aziz Morinën. E kanë pasë terrenin t’gjitha firmat çka jonë t’komunës të Drenasit, nëpër fshatëra, grumbullimin këta dy e kanë pasë.

Edhe secili anëtar i Këshillit, i ka pasë, Ferat Shala e ka pasë pjesën e Llapushnikit knena, Selim Shabani e ka pasë nënkëshillin të Obrisë anena edhe Fehmi Haradini e ka pasë Fushëticën n’këtë pjesën knej. Izeti edhe pse ka qenë kryetar i Këshillit Komunal për Financim që u emëru si kryetar, e ka pasë pjesën e Komoranit. Domethanë, të gjithë për me i pasë pjesët e ndame, fshatrat e ndame për grumbullim t’mjeteve. Edhe une t’u mendu thashë, “Du me shku, Ramadan Bajraktari ka djem shumë edhe janë familje që janë me za, se nuk e caktunë ni person për grumbullim t’pagave që osht i padëshirushëm. Nuk m’kundërshton kërkush për to, edhe shkova në odë të Ramadan Bajraktarit edhe i thashë, “Une e kom marrë… nashta ke ndëgju, m’ka angazhu Këshilli, ma ka dhonë përgjegjësi arkën e Këshillit Komunal për Financim si arkatare. Tash une e mbaj terrenin, po e mbaj vetëm t’shtunën edhe t’dillën se për çdo ditë qysh e kom mbajtë, nuk muj mo me e mbajtë terrenin edhe për Çikatovë t’Re,” thashë, “unë jom ardhë edhe kur t’dal, edhe në Çikatovë të Re, unë prapë e ndihmoj. Jom ardhë, ni djalë tanin, cilin t’dush prej djemve që e din që osht’ i papritushëm edhe që osht’ i sjellshëm, me ma dhanë me kontribu.” Thashë, “Baci Ramë, se ki djem boll”.

Ai ia nisi po keshë, “A bash te une u drejtove a?” Thashë, “Kqyre baci Ramë, unë kisha mujtë me shku edhe n’familje tjera, po unë p’e shoh se n’këtë kohë, nuk t’pranon gjithkush nëpër familje. Çdo veprimtarë… veprimtarët që jonë [të] familjeve të mëdhaja, familjeve t’mira, e kanë vlerën e vet se s’un i kundërshton kush.” Për shembull, me thanë, “E ki këtë t’metë n’familje, ose këta. Edhe ti s’ki nevojë me ardhë n’familje teme ose me m’japë këshilla ose rreth ni organizimi për me kontribu ose diçka me m’folë ti mu për kontribut për shtetin e Kosovës, për Republikën e Kosovës.” Dhe masi iu drejtova une, i thashë, “Njonin prej djemëve cilin t’dush.” Edhe ai i kqyri tonë djemtë edhe ia nisi po qeshë edhe po thotë, “Qit hoxhën.” E kish pasë ni djalë që sot e ka dëshmor, Halim Bajraktarin. Ky e ka pasë shkollën e kryme për hoxhë, edhe ma ka dhanë Halimin.

Halimi ka qenë ni djalë shumë i mirë, ka qenë ni djalë shumë i vendost, edhe kur hyjshum…  ne fillumë me to, ai për herë t’parë që fillumë n’fshat me grumbullu mjete, hezitojke. “Hajt,” thojke, “shko ti n’shpi, une po nalna te dyrtë për me hy me i kërku mjetet.” Ka qenë gjashtë vjet ma i ri se une, ia rroksha dorën, “Hajde Halim, se une ty t’kom vëlla. Na jena vëlla e motër, edhe nëse t’përzajnë ty, kanë me m’përzanë edhe mu. Edhe mos ki frikë, ku t’hi une, n’shpi, n’shpi, te oxhaku, te oxhaku, n’kuzhinë, n’kuzhinë, ki me ardhë” (qeshë). Edhe kështu që, asnjëherë qytetarët kundërshtu nuk e kanë. E kanë dashtë shumë edhe ai ka qenë shumë i vendost. Tani ma vonë u vesh edhe ushtar, edhe sot osht’ dëshmor, osht’ vra n’fshatin Llapushnik te Granella.

Domethanë, me kta që u dashtë me zgjedhë njerëz, se kishe problem me shku me gjithkon nëpër familje. Unë ka pasë rast, kam pasë ni fat, për shembull që babgjyshin e babës tem Hydë Ramën e kanë njoftë shumë drenicasit. E kanë njoftë për shkak të odës t’madhe që e ka pasë, ka qenë bukë-dhanës, ka qenë shumë i gjymertë dhe shumë familje n’atë kohë, dikun katër-pesë fshatëra qysh thojke babgjyshi, i kemi majtë me bukë se kanë pasë tokë shumë, edhe krejt tokën e kanë pasë në ujitje n’burim t’ujit. Dikun deri në 25 hektar tokë edhe dhetë hektar mal i kanë pasë. Edhe ku kom hy, kur i tregojsha e kujna ja, edhe mbesë e kujna jam… “Ah, mbesë e Hydë Ramës, hajde.” Gjithkun n’oda, m’kanë qitë në krye veni, ku kom hy m’kanë respektu shumë. Mirëpo, këta po e them që lun rol shumë familja, se domethanë me punën e babgjyshit tem edhe t’katragjyshit që m’i kanë njoftë edhe babëgjyshin që kanë qenë njerëz të zotë… Babëgjyshi ka qenë sfidues i odave. Nuk ka pasë shkollë kështu, po ka qenë shumë politikan (qeshë). Për në oda i ka sfidu qaq sa thojnë, “Kur ka folë Tahir Hydi, tek mas nji javë dite, aty fshati e ka marrë vesh çka ka dashtë me thanë”.

Eh veprimtarë të familjeve të mira, e kanë lujtë rolin e vet edhe kanë pasë, domethanë, kanë arritë suksese ma shumë. Puna e Këshillit Komunal për Financim atëhere t’arsimit, t’punëtorëve t’arsimit osht’ pengu shumë nga policia serbe, nga pushteti serb i atëhershëm, që ata këmbëngulës kanë qenë që me e zhdukë Këshillin edhe mos me funksionu. Mirëpo, organizimi ynë, vendosshmëria jonë e ka ba ato që ne e kemi vazhdu punën, për shkak që me funksionu arsimi shqip, n’atë kohë me program t’Republikës t’Kosovës edhe pse Serbia ka pasë hequr dorë për financim t’punëtorëve t’arsimit që i pat lanë pa paga. Kjo heqi dorë vetëm prej pjesës të administratës, domethanë të pastrusve e ktyne, këta i pagujke me paga n’fillim. Edhe në fillim qaq solidarë kanë qenë këta, saqë të gjithë punëtorët e administratës që jonë pagu i kanë marrë pagat, qato paga i kanë nda përgjysë krejt punëtorëve t’arsimit n’fillim. Mo kur u bo Këshilli, kur u kriju Këshilli për Financim, u bo organizimi, mo s’ka pasë… domethanë s’ka pasë nevojë me u nda pagat e tyne, veç për ni kohë i kanë nda pagat bashkë me arsimtarët.  Me 2 korrik, domethanë, 2 korrik të vitit 1997, ka qenë festa e…

Kaltrina Krasniqi: Në ‘96?

Zahrije Podrimqaku: Në ‘96-tën, me 2 korrik të vitit 1996 asht’ ba bastisja e zyrës së Këshillit Komunal për Financim n’atë kohë të Drenasit ku jam arrestu unë. M’u ka konfisku vula, i gjithë materiali i Këshillit për Financim, domethanë, financat komplet. Edhe m’u kanë konfisku, ka qenë… obligimet që jonë grumbullu pagat mrena dite, 3145 marka n’atë kohë edhe 2525 dinarë m’i nxunën n’arkë. Nuk arritën… zyrën e arkës e kemi pasë n’shkollën… nuk e kemi pasë te zyret atje ku rrijshim edhe e organizojshim mbledhjet e takimet, po e kemi pasë të veçantë katin e dytë, ish-kabinet i Mbrojtjes që ka qenë t’arsimit, që kanë qenë armët e policia n’atë kohë, qaty e kemi pasë na zyrën e arkës. Edhe kur u dashke me punu për arkë, me shku me kry punën e arkës, i bomë barazimin e mjeteve edhe t’gjitha u dashke n’shkollë.

Edhe atë ditë ishte 2 korriku edhe na tha kryetari, “Të gjitha me qenë n’aktivitet edhe n’punë nesër.” Edhe une ia bana me dije valla kryetarit Hyzetit, thashë, “Kryetar, nesër osht 2 korriku festë, ka mundësi që me na sulmu policia për shkak t’festës”. Tha, “Zahri nesër duhet me qenë t’gjithë n’punë pavarësisht kush n’aktivitet. Edhe ti duhesh me qenë n’arkë.” Se në shkollë t’Dobroshevcit, nëse arrijmë me tubu gjysë page, se kur u tubojshin mjetet edhe kah gjysë page ia jepshum shkollave.  Kështu që n’momentin kur i ka dorëzu axha Aziz të firmave mjetet që i kish grumbullu, edhe ni obligues, dikun gati… dy obligues çka i pagunë kah 800-700 euro që kishin pasë borxhe. Arritën me u grumbullu qito mjete, se n’arkë nuk ka pasë, se gjithmonë arka n’mbramje u barazojke që mjetet n’momente shumë t’shpejta i hjekshum prej arke edhe i çojshum nëpër shkolla. A u banë gjysë page për ni shkollë, gjysë-gjysë, ni pjesë n’dinarë, ni pjesë n’marka. Edhe arkatari tani e dijke qysh me i nda atje t’gjithë n’pjesë t’barabartë dinarët, cka ishin marka, t’gjitha markat n’pjesë t’barabarta kështu që, mrena dite na e arritëm. E pata shënu dëftesën, vetëm e pritsha arkatarin e Dobroshevcit për me ardhë m’i marrë pagat ose edhe me qenë dikush, se ka ndodh edhe për qytetarë hiç pa ardhë arkatari, vijke ni punëtor i arsimit ose ni qytetar.

Na pagat, për mos me na u nxanë, gjithmonë u dashke me i bartë nëpër shkolla shpejt e shpejt dhe me iu nda punëtorëve. Edhe atë ditë, roja poshtë e shkollës, unë kam qenë n’katin e dytë, nuk ka mujtë me arritë, se s’i ka vërejtë me kohë policinë, me m’njoftu mu që un m’i skeju mjetet, m’i mshefë. Kanë ardh, m’kanë gjetë mu, drejt n’zyre edhe m’i nxunën këto 3145 euro, 2525 dinarë. Ma murrën materialin e arkës, m’i lëshunë ato, domethanë, dëshmitë që m’i murrën qaq mjete. Edhe e kishin pasë bastisë edhe zyrën këtu te shpia e axhës, afër shpisë tem, shpinë e bacit Sheqë, ku i kemi pasë zyret aty. E kishin bastisë edhe atje, e murrën edhe kompjuterin e Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave, kështu që t’gjithë veprimtarët i kanë bastisë edhe zyret, edhe mu m’murrën n’stacion, e kishin marrë edhe profesor Jakup Krasniqin edhe e kanë marrë n’pytje edhe Izet Ibrahimin edhe Imer Elshanin. T’gjithë veprimtarët i kanë marrë n’pytje aty, a mu edhe Jakupin na patën marrë n’stacion.

Mu m’patën majtë pesë orë, tanë ditën gati, pesë orë rrafsh m’kanë majtë n’stacion t’u m’maltretu. Fizikisht jo, nuk m’kanë maltretu atë ditë, por psiqikisht po, t’u mu kërcënu se, “Ti punon… qysh ti femën? Ti s’shkon me i kqyrë punët e tua… Për ça punon ti?” Lloj-lloj fjalë, fjalë që as nuk përmenën e nuk folen, n’forma tjera t’u u kërcënu edhe kështu që i morrën mjetet atë ditë. Dhe mas nji kohe, Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave ia u ka bo nji padi policisë me këta t’jashtmit. Edhe këta për me arritë ato që demek e kanë kriju grupin e vet, me na marrë n’pytje neve se na ka bo padi Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave për shkak se edhe Këshillit ia konfiskunë kompjuterin.

Mas ni kohe i kanë thirrë t’gjithë veprimtarët në bisedë informative n’stacion t’policisë, a mu katër ditë radhazi m’kanë marrë n’stacion për qatë rast. Edhe prej atij momenti, osht’ momenti që gjatë krejt aktivitetit tim, e kom ni veten shumë keq. Domethanë, jo pse une e kom ni veten keq se jam frigu kur m’kanë marrë n’bisedë informative, m’kanë marrë n’stacion, po e kom ni veten keq para qytetarëve që m’i konfiskunë mjetet, se ato janë djersë e qytetarëve, janë mjete t’qytetarëve. Qysh une kam sy, tash unë s’mujsha me bindë veten kurrqysh, thojsha qysh kom sy tash me dalë me kërku mjete për paga t’punëtorëve t’arsimit përderisa m’i ka marrë policia. E kom përjetu shumë randë. Se thojsha, qytetarët i kanë nda nga ushqimi i familjes ato mjete edhe i kanë dhanë për punëtorët e arsimit, e mu m’i morrën serbët. Domethanë, ka qenë rasti që unë si e re n’atë kohë, e kom përjetu shumë randë marrjen e mjeteve pse kanë qenë drejtpërdrejtë mjete kontribut i qytetarëve. Vetëm për këtë arsye e kom ni veten shumë keq edhe kam qenë shumë e brengosne.

Mirëpo, profesori Jakup m’ka folë shumë n’atë kohë, se m’ka përkrahë shumë edhe qaq m’ka përkrahë se e shihke kontributin tem që nuk u ndalsha kurrë. Ka pasë rast, nana jem i ka pasë shtatë vllazni te dajtë edhe darsma, kur i martojke vllazninë, a beson që n’dasma nuk shkojke. Kish dëshirë nana jeme me më marrë në dasma n’familje t’vet, une i thojsha, “Jo nanë, se osht’ e shtune, e dille edhe du me shfrytëzu, unë për ni t’shtune t’dille i tuboj pagat e ni shkolle. Shko ti n’dasëm shlirë, se une nuk po kam dëshirë me ardhë n’dasëm, unë po kam dëshirë me dalë me i tubu mjetet, pagat e punëtorëve t’arsimit se punëtorët e arsimit presin”.

Kaltrina Krasniqi: A ju kanë maltretu fizikisht mandej?

Zahrije Podrimqaku: Jo, fizikisht jo, veç n’bisedë informative, rrafsh katër herë jom marrë vetëm për këtë rast që m’kanë bastisë, edhe m’i gjetën mjetet.

Kaltrina Krasniqi: Çka ndodhi n’vitin 1997?

Zahrije Podrimqaku: E du me ta cekë rastin aty, masanej masi ka bo Këshilli padi për rastin që ia murrën kompjuterin edhe Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave, këta i thirrën t’gjithë veprimtarët me shku n’stacion. Shkoi me ftesa. Shkoi n’bisedë informative profesori Jakup, në stacion. Shkoi kryetari i Këshillit, Izet Ibrahimi, shkunë Ferat Shala n’atë kohë, Selim Shabani, Gëzim Shishani, Ukë Krasniqi, t’gjithë këta kenë n’stacion t’policisë rreth ngjarjes të Këshillit. Domethanë, rreth kësaj bastisje na pytshin edhe unë e Ymer Elshani, po m’thotë Ymer Elshani, osht’ ky poeti që me krejt familjen Serbia… vetëm ni vajzë i ka shpëtu nga familja, e kanë djegë n’rastin e Poplekit këtu me 17 prill ‘99-tën. Edhe po m’thotë ky, “Oj Zahrije?” Thashë, “Urrno, baci Ymer.” Se isha ma e reja, domethanë gjithmonë njerëzt çka kanë qenë ma t’vjetër i kom thirrë bac. Ata që kanë qenë moshatarë me mu, i kam thirrë vëllezër, edhe kështu që për me gjetë ni përkrahje si e vetmja femën n’atë kohë te ta, edhe për me m’përkrahë unë i kom respektu shumë. Po njihkohësisht edhe respekti i tyne ndaj meje ka qenë i njejtë.

Edhe po m’thotë, tha, “A po m’dëgjon mu? Unë e ti nuk shkojmë n’stacion t’policisë hiç.” Thashë, “Po t’ndëgjoj.” Jo që u frigojsha, po masi ai m’tha, ish ma i vjetër baci Ymer, “Po t’ndëgjoj.” Edhe kenë kta krejt, edhe po vjen profesori Jakup, kur erdh e kish kry, tha, “Nuk ish rrezik, jo.” Edhe po m’shikon mu {mbyllë syrin} me sy edhe po prekë pak si ngatë, a di. Tha, “S’ish rrezik, jo.” Tu mendu që une e re edhe Zahrija mos po frigohet. Edhe, kur n’ata [n’at moment], ata shkunë, na ishum n’zyre, kur erdh Xhafer Qorri me nji polic tjetër ka qenë. Ia kom harru emrin, se ia kom ditë emrin edhe t’atij serbit, po ky shqiptari ka qenë Xhafer Qorri.

Edhe isha në zyre unë, Idriz Hajdari, ish edhe baci Ymer edhe tash ata erdhën, “A i keni ftesat?” “Po.” “Çka po pritni ju?” Tha, baci Ymer, “Po t’ju vyftë shumë, hajde merrna.” Tha, “Na s’kem arsye pse me ardh atje.” Tha, “Çohnu, hajde, hypni n’makinë edhe drejt n’stacion t’policisë.” N’ata iu flugë Idriz Hajdari, thashë une, “Nuk ka ftesë Idriz Hajdari.” Idrizi ish djalë i ri edhe m’u dhimke, ky i ri edhe mos p’e maltretojnë fizikisht, edhe ka qenë pak si temperament, si tip temperament. Ai tha, “Pse ti je shefi a?” Mu m’u drejtu (qeshë). Tha, “Ti je shefi, a unë?” Tha, “Unë p’i thomë, ‘Hajde!’” Unë i thojsha ktij, “Mos hajde se s’ki ftesë. Ftesë kem veç unë e baci Ymer”.

Edhe kur shkumë n’stacion atje, po zbresum prej makine, tuj hy n’stacion t’policisë, po ma bon mu Idriz Hajdari se gjithë m’thojke teze, a di. Nuk m’thirrke n’emën po m’thojke teze, se ai nip i Elshanëve t’Baizës t’u menu që edhe unë prej Krajkove jom, fis Elshan. Edhe tash, teze m’thojke. “Teze,” tha, “urrno, po t’jepi përparsi.” Edhe une asi p’i thomë, “Ku po m’jep përparsi ti mu ktu ku t’jepin stupc a?” Thashë, “A qitu po m’jep përparsi a? Jepëm përparsi dikun tjetër se jo ktu ku t’rrehin dajak” (qeshë). Edhe aty kemi qeshë.

Baci Ymer m’kujtohet, kurrë nuk e harroj atë rast, e murrë i krehi flokët para se me shku edhe e rregulloi krevatën, tha, “Pak si zyrtar Zahri a? Noshta kanë pak mëshirë ndaj neve pak ma ndryshe. Kur na shohin edhe i vjetër…” Thashë, “Jo bre, jo. Hajt se kta tjerët kanë kalu mirë, edhe na kena me kalu mirë” (qeshë). Qiky ka qenë rasti i Këshillit të Financave, po kështu Këshilli i Financave ka qenë i sulmumë edhe markat kanë qenë të ndalume me ligj me t’u gjetë n’xhepa si qytetar i thjeshtë, e lene mo me u merrë institucioni me to. Edhe grumbullimi i mjeteve ka fillu deri në ‘98-tën domethanë, edhe ktu kur e kemi bo… në ‘98-tën kur u vendosë post-blloku në Drenas se qaq kishte maltretime t’mdhaja, se ndodhi edhe rasti i Likoshanit i 28 shkurtit, ‘98-tës. A une për herë t’parë, ajo që m’ka nxitë për shembull, tanë atë sakrificë që e kom ba, dëshirën ma t’madhe e kom pasë që edhe t’kyçem n’Ushtrinë Çlirimtare t’Kosovës.

Kyçja ime në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës ka qenë drejtpërdrejti lidhun me rastin kur osht’ ba vrasja e msusit Halit, me 26 nëntor… 27 nëntori, mujin e njimdhetë 1997-tën ka ndodhë rasti te, në Rezanë të Re, atje ku kanë qenë sulmet e drejtpërdrejta të ushtrisë serbe. Domethanë, makineria e ushtrisë serbe drejtpërdrejti e ka hasë me ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Tani krejt humbjen që e kanë ba ata aty, se fitusë kan qenë ushtarët e tonë drejtpërdrejtë edhe që i kanë nxanë pozitat aty. Kah kanë ardhë rrugës ata teposhtë, kah jonë zhdjergë kah shkolla, kanë gjujtë me automat edhe msusi Halit, domethanë Halit Geci, me ditarë në dorë osht’ vra mu t’u hy n’klasë te nxanësat n’atë kohë.

Ne si Këshill atëherë, kemi shku me Ibrahim Makollin, me Limken, Halime Morina që sot osht’ n’jetë. Ka qenë ni veprimtare shumë e mirë edhe shumë punëtore që i ka përkrahë shumë njerëzt nga terreni, sidomos komunave edhe komunës të Drenasit, i ka përkrahë shumë. Jonë ardh kta prej Prishtine, na kanë marrë, m’kanë marrë mu në Këshill në Drenas edhe kemi shku n’fshatin Llaushë. Aty jemi taku me ushtarët në ni odë, edhe na kanë tregu krejt për ngjarjen. T’plagosun n’këtë rast, nuk ka pasë asnjo prej ushtarëve tonë, përveç vrasjes të mësusit Halit. I kemi marrë t’dhanat, shënimet, e kemi bërë fotografi aty, edhe prej ktij rasti mu m’osht bo kërkesa drejtpërdrejti prej ushtarve, se, “Na vyjnë femra për me kontribu, se mujnë me depërtu ma lehtë, sidomos kur t’kem me bartë. Qoftë valixhe me armatim, qoftë me uniforma, prej ni qyteti me i sjellë deri te qëndrimet ku kanë qëndru ushtarët, qoftë n’familje, qoftë n’ato oda ku janë strehu ushtarët”.

Edhe këtu, domethanë n’këtë moment, une kom vendosë edhe ata për mos me m’thirrë drejtpërsdrejti me emër thanë, “Gjeje ti, që kur t’thrrasim na qoftë n’telefon, qoftë kshtu, mos ta përmenim emrin me t’rreziku edhe ty”. Edhe une thashë, “Une e kam n’xhep pseudonimin, se mu qytetarët e mi, kur t’dal me i grumbullu pagat e punëtorëve t’arsimit edhe çdo aksion që e marr, m’thojnë malësore” (qeshë). Edhe këtë emën ma ka vu baba i Shqipe Ahmetit, Arif Ahmeti, gjithë malësore m’ka thirrë, domethanë n’bazë t’angazhimit që e kom pasë une.

Edhe ktu, gjithmonë masi m’kanë thirrë, n’kontakte mo kurrë s’më kanë thirrë Zahrije, vetëm malësore. Mirëpo, policia serbe m’kish pas ra n’gjurmë. M’kujtohet ni rast, kur jom dalë n’stacion t’autobusave m’kanë dërgu me marrë… Aty ka qenë gabimi pak i tyne, se unë iu thojsha, “A keni lexu libra se nuk duhet përmes telefonit, se pavarësisht telefonat përgjohen, edhe zoni nihet.” Mirëpo, ata i kanë bo do gabime aty edhe noshta qaj shkak ka qenë që unë kom ra n’dorë t’policisë ma vonë. N’momentin kur m’kanë thonë se, “Ki me shku me marrë Zahri nji çantë me uniforma, e bjen ni femën e Gjilanit,” e kam t’shkrume ktu, “nji, Dije Lohaj edhe ki me dalë me marrë. Ka uniforma, ka jelekë antiplum, janë do paisje ushtarake, ka mundësi edhe me pasë edhe naj ksi bume t’vogla n’çantë. A po shkon me marrë?” Thashë, “Po, po shkoj”.

Edhe atë ditë, unë jom dalë n’stacion t’autobusave, jom shku me marrë qysh m’kanë thanë n’ora nji. Nuk ma kanë përshkru… me emën s’ma kanë dhanë këtë vajzën. Po m’thanë, “Osht’ nji vajzë veshun n’farmerka, qësi xhamperi ka, osht’ e dobët n’ftyrë, flokët i ka t’gjata deri ktu {prekë shpatullën}, edhe ki me marrë çantën prej asaj.” Edhe shkoj une n’stacion edhe n’bazë t’përshkrimit qysh ma kishin përshkru kta atë vajzën, unë p’e kërkoj. Tu e kërku, tu u sillë aty rrethit t’autobusave, thashë hajt te marrë ni gazetë edhe e maj n’dorë, kishe jom tu lexu diçka. Kur m’ka njoftë ai n’trafikë tu punu, ai personi që punon n’trafikë m’doket ka qenë i Rezallës, mesa m’kujtohet a i Likovcit, nuk e di. Tha, “Ty vajzë po t’njoh,” tha, “shumë mirë po t’njoh. Ti je veprimtare, je e Drenasit.” Thashë, “Po. E ti i kahit je?” Tha, “Jam prej Rezalle po nuk ka rëndsi me t’tregu, me rëndsi po t’njoh edhe po t’tregoj, a p’i sheh qata persona qatje drejt, ktheje kokën anej kqyri.” Thashë, “Po.” Dy persona t’gjatë, njoni n’farmerka, njoni me trenerka. Tha, “Këta jonë inspektorë edhe prej se ki ardhë ti, kta jonë t’u t’përcjellë”.

Edhe ka qenë ai rast për shembull, kur m’tha ai ashtu, thashë, “Mirë, a po del ti prej trafike pra? Dil edhe sillëm bashkë se une jom ardhë me kry punë edhe pa e kry punën une ashtu kshtu, nëse e kanë ndërmend me m’arrestu, m’arrestojnë ktu edhe… nuk shkoj pa e kry punën, për çka jom ardh. Po nëse ka mundësi me dalë me m’shoqëru kishe jam t’u nejtë me ty, ose t’u bisedu me ty.” Edhe aty tash, dulë ky djali edhe po sillem. Tuj dalë, t’u u sjellë edhe ata t’u na përcjellë neve. P’e shoh çantën, çantën e pashë, po atë vajzën jo. Edhe i thashë, “Ti qitash shko, se une çantën e gjeta.” Unë po kqyri e po afrohna rreth çantës, se çanta u shihke si çantë e madhe, ksi që bijnë mall prej jashtë. Baba jem kur shkojke jashtë për tregti me çanta t’mdhaja, qasi çanta njejtë. Edhe thashë, “Qikjo çantë duhet me qenë”.

Kur unë t’u e kqyrë çantën t’u e përcjellë, ka ardhë ajo vajza, trrak m’u ka afru qikjo Shehadija. Edhe, po thotë, “A je ti ajo vajza që po m’kërkon mu?” Thashë, “Po, vet.” Kur e pash ajo n’farmerka, e dobët, qashtu qysh ma kishin përshkru kta djemtë. Edhe tha, “Qe çantën.” Thashë “Hajde nihmomë pra, te marrum çantën edhe te shtijmë n’autobus.” Aty tha, “Jo valla, une s’muj me çu, se mu ma kanë bajtë qytetarët n’autobus, une as që e kom kapë çantën.” Thashë, “Hajde ti, se une e çoj çantën, t’çoj edhe ty, veç pak peshoje në njonën anë.” Ia kom bo edhe ajo e ka prekë n’gaz (qeshë). N’ata e kemi shti çantën n’autobus te bagazhi ku hyjnë ato, e kemi mbyllë, u mushë autobusi. M’ka përcjellë, m’ka vrejtë ai edhe me siguri i ka vrejtë edhe inspektorët ky shoferi i autobusave. Edhe veç o shku e ka çelë gepekun e autobusit edhe ma ka nxjerrë çantën. Thashë, “Pse p’e nxjerrë?” Tha, “Une nuk e lo këtë çantë se si t’dal, a p’e sheh te hymja aty n’dalje,” tha, “gjithmonë policia aty m’kontrollojnë komplet edhe m’nxjerrë problem edhe me qytetarë edhe mu edhe krejt m’nxjerrë problem, m’ban telashe.” Thashë, “Leje çantën kurgjo, une e kam përgjegjësinë për çantë. Nuk osht’ kurgja. Rrobat m’i ka çu ni hallë prej Gjermanie, e kam ni hallë edhe m’i ka çu. Ni maqinë t’shkrimit, s’kam kurgja n’ta.” “More,” tha, “nuk ta lejoj çantën n’autobus edhe s’ta lejoj”.

E pashë që osht’ i vendos’t mos me m’marrë me autobus pr Drenas për me ardhë knena. Edhe aty p’i thomë ksaj vajzës se kjo deshti me ecë niherë. Thashë, “Jo, ti me ecë nuk ban pa e ditë çka po ndodh me mu.” Edhe e kemi kapë çantën, kjo prapë mu po m’thotë, “Po s’muj e çoj se o larg.” Thashë, “Ki me m’ndihmu edhe qështu trup drejt e ku osht’ sot ura, rrethi, që hin nër urë për me ardhë për Drenas rruga.” Thashë, “Dalum drejt aty,” thashë, “edhe tani ti shkon prej shpie edhe s’ka asni problem.” Thashë, “Une e çoj çantën, veç ngjitja ti çantës, une e çoj çantën”. Kap çantën une, edhe ajo në njonën anë. Kemi dalë te rruga kah. Edhe si kemi dalë te rruga, jom nalë n’trotuar, po pret aty, thashë, “Ti qitash ec!” Edhe une t’u i përcjellë makinat mos o’ naj qytetar, mos p’e njoh prej Drenasi me makinë, ose naj qytetar që osht’ taman kshtu familjar.

Kur p’e shoh, po vjen ni 101-sh i… edhe kqyrsha mos janë inspektorët me makinë t’tyne. Kur p’e shoh, ni 101-sh në ngjyrë t’portokallët, e kish pasë ni jargan t’blertë n’karrikat mrapa. Edhe aty thashë, “Qikjo osht’ veç familjar.” Trrak, për herë t’parë n’jetën time ia kom qitë dorën makinës si vajzë edhe jom dalë trrap. Gati dola n’asfallt ia qita dorën. Tha, “Urrno, çka ka, çfarë problemi ki?” Thashë, “Jo, s’kam asni problem, po a ka mundësi, e paske makinën e lirë,” thashë, “me m’marrë. Po t’paguj me m’çu deri n’Drenas.” “Po ku bre, larg n’Drenas.” Thashë, “Po t’paguj dhetë marka” n’atë kohë, dhetë marka n’atë kohë ishin t’mdhaja. Edhe tash, unë i kisha paret me i pagu. Thashë, “Po t’i dho dhetë marka, çomë deri n’Drenas.” “Po,” tha, “une e kam n’Sllatinë, n’Sllatinë e kam dyqanin, deri n’dyqan aty.” Po, para se me i thanë, “A po m’çon?” I kom thanë, e kom pytë, “I kahit je ti djalë?” Tha, “Jam i Sllatinës.” Thashë, “Çfarë mbiemni ki?” Tha, “Jam Zogian.” Thashë, “A jeni far burrash ju Zogianët?” Ia pata bo, tha, “Jena bre, po tash nuk p’e di, te shohum.” A di (qeshë). Thashë, “Ani pra ki me m’çu, une t’paguj, qështu”.

Atëherë tha, “Jo, une deri n’Sllatinë.” Thashë, “A ka mundësi me m’çu deri n’Koreticë? Une aty e kom hallën te Bekollët, te shpia e Zeqir Bekollit. Për vlla t’Zeqës e kam hallën teme edhe ma shumë hiç, edhe po t’paguj edhe prapë deri aty po t’paguj. Aty e ki afër.” Tha, “Ani bre, s’o problem hyp.” Thashë, “Ani zbrit pra, ndihmomë me çantë te shtijna n’gepek, se une s’muj me çu çantën vet”. E ka zbritë, m’ka ndihmu, e kena shti çantën n’gepek edhe jemi nisë për Drenas. Kur jemi nisë për Drenas, para se me ardh te rrethi ktu në Fushë Kosovë, osht’ nji rrugë për kështu {shpjegon me duar} që sot osht’… m’doket Fakulteti i bjen qasajde. Ka qenë mesit shpia aty edhe qajo rrugë t’qitke kah te lumi Sitnica, te ura. Domethanë, e kalon krejt Fushë Kosovën kshtu nëpër Batushë.

Tha, “Po une s’e di këtë rrugë.” Thashë, “Une e di, ka qenë mirë me i ra qisajde na, mos me hi” se ma merrke menja që ata ju thojnë me telefon, me toki-voki[2] atëherë qysh i thojshin. Ju thojnë policisë që osht’ filan veprimtarja t’u ardh edhe pritne. Thashë, “Ata jonë t’u m’pritë mu gjithqysh te rrethi n’Fushë Kosovë”, ku kanë qenë t’vendosun policia. Edhe na kemi ra nëpër atë fshat, kemi dalë kah te lumi, te ura, te lumi Sitnica edhe kemi ardhë drejt për Drenas. Edhe tash, une gjithmonë t’u e përcjellë makinën n’pasqyre.  Edhe kur kemi ardhë n’Krivovë që thirret ky veni n’Koreticë te Kroni i Mretit, aty teposhtëze ku osht’ qendra e biznesit knena. Rrugës p’e shoh n’pasqyre ni Mercedez i kaftë edhe dy inspektorë tanë. Hajt, thash, se s’dita qysh une me i tregu tash ktijna, qysh me ia spjegu.

Tu mendu une, tu mendu, thashë, “Shkojna!” U afrumë ma afër hallës ka te Bekollt, lagje Bekollt. “Ti djalë,” thashë, “une jam veprimtare”…po se kah erdhëm, ai kah bisedu, ia nisi para se me i pa une inspektorët, para se me m’thanë, ja nisi, “A ban me bisedu diçka?” Sikur mashkujt, a e din qysh e kanë, “Po m’pëlqen shumë, e shumë kokë, shumë vajzë… e sjellshme, koke shumë vajzë e mirë. Pom dukesh t’kom pa dikun. E kahit je?” I thashë,“Jam prej Drenasi une…” qështu, qështu, “halla m’i ka çu do rroba.” Atina rrugës kah vishum edhe tash tha, “Unë kisha pasë dëshirë me bisedu diçka me ty e…” ai n’atë aspekt me siguri ka qenë i pamartumë… s’e kom pytë. Edhe tash unë p’i thomë “Hajde kësi heri s’kam kohë, herën tjetër kur takohem.” (qeshë) Po ia boj une atina.

Edhe tash une rregullisht tu i përcjell n’pasqyre. Kur i pashë inspektorët, atëhere i kom thanë atij, “Ti djalë unë jam veprimtare e Këshillit Komunal për Financim edhe unë jam në sy të policisë. Atje n’stacion më kanë përcjellë policia, po t’njoftoj, por ti mos u frigo! Gjithë përgjegjësinë, çkado që ndodh e marr une. Edhe për çantë, përgjegjësine e marr une. Ti me qenë ai i vendost me thanë as s’e njoh, as s’e di e kahit a, as kush a, por e kom marrë me pagesë.” Thashë, “Qe dhetë marka ku i ki.” Tha, “Jo, s’ti marr! Jo, masi koka puna kshtu, kurrë s’ti marr.” E nuk m’i murrë paret. E thashë, “E ti ktheu qitu!” “Rruga,” kur erdhëm afër në Koreticë, thashë, “rruga o këtu! Unë qitu e kam hallën. Çomë para dyrve aty! Del e hjekum çantën bashkë edhe ti vazhdon rrugën tane”.

Thashë, “Kta ta kanë marrë regjistrimin, kanë me t’u kthy përmrapa, me t’ardhë te shpija me t’pytë për mu krejt, po ti mos u përlot. Ti qëndro n’fjalë të tuaja. Thuji m’ka pagu dhetë marka edhe une as s’e njoh as s’e di e kahit osht’.” Edhe jemi dalë jashtë edhe ai i’a nisi pak po frigohet edhe po thotë, “Ku-ku, motra jeme qysh… qysh nuk ëm tregojshe, qysh ma bone kta.” Po thashë, “Po ti hiç mos ki dert, se une ashtu u dashtë me ardhë me diçka. Une pergjegjësinë e marr vet. Edhe ata nëse tentojnë me të arrestu ty, unë kom me thanë, qe ku jam une, ky s’ka faj kurrgjo n’këtë drejtim.” I thashë, “Rri ti shlirë n’këtë punë”. Jemi nalë te dyert e Bekollve, aty te halla edhe ata e kanë kalu makinën tonë nja pesë metra para makinës edhe janë nalë, p’e shoh që po shkrujnë. Thashë, “A din çka? Kta po tuten ma shumë se na.” Po i thashë, “Zbrit!” ktijna, ktij djalit t’Zogianve. Thashë, “Zbrit ti, edhe ndihmon me çantë. Nëse kanë ndërmenë,” se kta te miqt janë familje kallabllak, thashë mos t’ju boj telashe, “me m’arrestu le të m’arrestojnë qetu”.

Prit, prit, prit, e çelim gepekin e ata hiç s’po lëvizin venit prej makinës, por rrijnë n’makinë. Atëhere i kam thanë atij, “Kape çantën veç mrapa…” ka qenë oborri i zidum duvar, thashë, “veç mrapa duvarit edhe une e mbylli derën, e ti veç vazhdo rrugën tane.” Thashë, “E kta kanë me t’u flugë përmrapa. Pa t’pytë s’e lanë. Veç ty mos ta nin, qëndro n’fjalë tane, kurrëfarë sherri s’ka me t’dalë.” Edhe aty une e kom ngre une çantën zhag, e mu kputë vega, se çanta e randë. S’ish kanë kurrkush n’oborr t’hallës edhe e kom çu n’kotec t’pulave, e kom mshefë. Edhe aty jom hi te halla, i kom thanë hallës, “Mi gjaj nji parë rroba të tjera, t’i ndërroj.” Thashë, t’paktën mos të m’njohin bile përmes rrobave t’ndryshoj diçka. Edhe ia kom marrë hallës nji jakne me kapuç kështu {tregon si e vendosë kapuçin} edhe i kom ndrru rrobat edhe i thashë, “Gjema Burimin për atë [e pakuptim.], le te merr nji kolicë.” E kemi marr çantën, e kemi qitë n’kolicë e i kom thanë djalit, “Ti me kolicë nisu përpara, une vi masi të kalojsh ti asfalltin edhe dilsh teposhte atje edhe shko…” e kom pasë hallën tjetër menjiherë te Balavit, se thash, “Ata vijnë ktu, e rrethojnë shpinë edhe e bastisin”. Thashë, “Po te ndrroj vendin prej atuhit”.

Masi i ndrrova rrobat, i mora rrobat e hallës edhe e mlova çantë me batanije, n’kolicë, i thashë djalit “çohu edhe rri aty se mos t’ma çelin çantën me pa se çka ka n’ta, se s’ban asht’ e ndalume çanta me u çelë.” “Jo,“ tezja tha, “selam deri sa t’vish ti te tezja [e pakuptim.] unë n’oborr rri.” Unë jam zhdjerg arave teposhtë, tani i kam ra tjetrës rrugë edhe tu e përcjell terenin deri sa jom shku te halla tjetër. Kur jam shku te halla tjetër i kom thanë “A ki dhomë me çelës?” Tha “Po!” Thashë, “Gjema çelsin edhe hajde ndihmom me qet çantë.” E kena marr çantën, e kom shtie, e kom mbyll me çelës. Dojsha me e siguru çantën mos me hetu ata çka ka n’çantë edhe mos me m’vrejt se ku jam e çka jam, e ku jam n’lidhje, me çfarë aktiviteti po merrna, perveç aktivitetit legal që e numrojshim na: Këshilli i Financave, Këshilli për Mbrojtjen e Drejtave, e institucionet tjera.

Edhe këtu e kom marr e kom shkru nji letër, e kom mbyll mirë me izolir edhe ia kom dhanë çikës t’hallës. I thashë, “Shko në Drenas edhe mos i jep as dajës Ramë, për babën tem, as dadës [e pakuptim] po drejtpërdrejt ja jep dajës Arsim, vllaut t’madh.” Se vllau i madh, Arsimi m’ndihmojke çdokund, qofte me makinë transportin si shofer, qoftë … um përkrahke. Se puna e ushtrisë, te prind nuk dojsha me e bo legale, se thojsha çka me bo me shpetu noj llaf nojkun edhe rrezikohen kta, m’rrezikojnë mu edhe i rrezikoj edhe shokët tjerë. Kshtu që, ky rast ktu e bjen çika, ia jep letrën edhe i tregon vllaut edhe thotë ,“Qe kshtu, qe kshtu inspektorët e kanë njekë. Kom ndrru venin prej hallës t’madhe atje te dada Shehide, kam kalu atje te Balavit atje te halla tjetër edhe jam ktu sonte. Nese vjen dikush, t’pytë dikush, dije qe une qitu jam. Ktu me ardh me m’marrë”.

Tash, kjo e diti, halla që une po buj ktu edhe u çu prej [e pakuptim]. A une me menime thashë, “Hallë! A ka dikush telefon ktu?” Tha, “Po, ka nji kojshi. Janë jashtë këtu.” Atëhere, veç familjet…zakonisht, nëpër fshatra [nuk] kanë pasë telefon, veç ata që kanë qenë, i kanë pasë djemët në mërgim që për me fol me ta. Se nuk kanë pasë kështu shumë njerez sikur sot. Edhe tash “Hajde…” thashë, “veshe mantillën edhe me më çue drejt te ajo familje, se une nuk e di.” Jena shku bashkë me hallën, çantë e mbylla n’dhomë edhe numrin e telefonit e kisha t’atyne n’Llaushë. Veç i kom thirrë n’telefon, e ju kom thanë “Unë jam personi që m’keni çu për rrugë, jam ardh! Ktu jam sonte. Mirë kom mrri.” Edhe e kom mbyllë telefonin. As emën as hiç. Edhe ata e kanë marr vesh. Tani ata tu mendu që jam ardh ktu, jam n’shpi tem, a din? Edhe t’armatost edhe janë shku te vllau jem. Thotë jena ardh, qështu, qështu Zahrija na ka pru uniformat për ushtarë. Thotë, “Jo, Zahrija ma ka çu nji letër. Nuk o ktu. Por, qe unë po vi me juve edhe shkojmë”. E erdhën n’Koroticë te Balavitë. Po mbramje, terr…veç o’ terru.

Edhe une u [e pakuptim] që u hoqa prej atuhit, masi erdhën me m’marrë edhe kap çantën… s’ish burri i hallës aty, veç halla me fmi. “E kthehu,” hallës,” e kthehu e kthehu.” Nuk o kthy, badihava. E hetoj ajo diçka. Shkurt ish kurreshare, “Qe unë po të ndihmoj.” Thashë, “Ti kthehu, qetu po përshëndetëm me ty, se qe m’ndihmon Arsimi”. Me vllaun e kena shti çantën n’gepek. Ata n’kerr janë kanë me automata, domethanë t’armatost me uniforma ushtarët edhe vllau jem me ta. E kemi qit çantën aty, kur ajo ka shku me e çel deren… kur e ka çel derën i ka pa ushtarët (qeshet) edhe ka bo kshtu {çon vetullat}, u tërhjek. “Uh, motër,” tha, “qysh ktu?” Thashë, “Motër, asnji za s’du me ta ni! As burrit, ruaj se gabon i tregon, Aas kurrkun mos fol kurrkun.” Thashë, “Ti per mu ndaq fol, po t’i marrin vllazninë e tu, se mu (qeshet), se mu smujnë me m’nxanë. Vllaznive tu i bojnë telashe (qeshet), jau bon sherrin vllazënive të tu.” [E pakuptim] babën teme edhe vllazënitë tjerë… kisha bisedën për axhallarët e mi. Thashë, “Ti trrak, mbylle, e mos gabo me fol me kurrkan kurrgjo”.

Edhe e kena vazhdu rrugën aty, nëpër Vasiljevë na trup rrugën, krejt maleve knena pa dalë n’asfalt hiç, ktu n’Poklek edhe drejt. Kur jemi ardhë te shpija jem, vllau ka zbritë edhe tha, “A po vjen Zahri?” Thashë, “Jo more! Gjithë këtë munim edhe gjithë këtë t’hjekme, tu m’njekë inspektorët deri n’Koreticë.. jam kurreshtare me pa, a kom pasë për çka mu lodhë a jo? Po du me shku atje” (qeshet). Edhe shkumë atje ka qenë… jemi shku… ky mësuesi, nuk mu kujtohet emri i tina…n’shpi të tij. Po! Skender Rreci. N’familje të Skender Rrecit, aty kom hangër darkë, gruaja e tina na ka kthy [na e ka qit darkën], krejt ushtarët kishin qenë aty. Edhe i kanë marrë, i kanë vesh uniformat, dylbi kish pasë, jelek anti-plumb edhe katër bume. Veç po ushtarë… për nja dhetë, 15 ushtarë, ka pasë uniforma n’qatë çantë. Veç qekjo ka qenë ai rast që une s’e harroj kurrë.

Kaltrina Krasniqi: Mandej ju kanë arrestu?

Zahrije Podrimqaku: Atu m’kishin pasë fotografu n’stacion t’autobusav, bashkë me Shehadijen m’kishin pasë fotografu… me çantë, kah e kemi qit çantën n’trup, fotografija se… n’momenti kur m’kanë arrestu, mu qatë fotografi ma qitën.

Kaltrina Krasniqi: Kur ju kanë arrestu edhe ku ju kanë arrestu?

Zahrije Podrimqaku: E tani, kjo ka shku mas nji viti tani. Arrestimi ka shku tani mas nji viti. Po t’thomë, se tani unë kam kry edhe shërbime tjera. Kam qenë ka n’fshatin Demjan. Më kujtohet emri i atij personi, nji Haliti ka qenë ish i burgosur politik, ku m’kanë çu ushtarët atje te nji Ibrahimi, kam marrë çantën me armatim… me ksi… fitila t’dinamitit. Barut ka qenë. Krejt fitila ka pesë, t’lidhun kanë qenë. Aty e kam marr një çantë, te Ibrahimi edhe m’ka përcjell qeky Haliti edhe aty kah jemi shku në… krejt bjeshkëve të Pashtrikit diku, pesë fshatra, n’male të Pashtrikut krejt mal nalt atje gati te kufini e kish pas qeky Ibrahimi shpinë… kru e kam marrë kta barut. Ka qenë borë e madhe, dimën, o Zot i madh! Dhetori ka qenë, dhetori i ‘97-tës… a ka qenë fillimi i janarit, nuk po m’kujtohet mirë. Veç kah ecëshe… brrum, brrum, brrum… por i kisha çizmet e forta (qeshet), se i pata marr n’Prishtinë, bash për ushtri i pata marr.

Bile, ka qenë rasti, kam qenë n’protesta me Agim Vrellakun, jena hi me nji dyqan edhe unë pare kisha, se baba jem ka punu shumë, o kanë shumë punëtor i madh edhe shitke n’treg. Masi e largunë prej pune tani shitke n’treg. Por për pare kurrë sëm ka lanë me hjekë. Gjithë më ka dhanë “Qe ku i ki paret, merr sa t’dush, le sa t’dush. Veç je femën edhe po ta jep baba mundësinë që mos me i’u nënshtru asnji mashkullit”. T’jem vetëvetja gjithë më ka thanë, kurrë pa pare s’ëm ka lanë. “Jo,” thojke, “se mun me metë pa pare, mun me deviju e me pësu kshtu, ti t’kish pare ma shumë sesa ata që po punojnë me ty”.

Edhe aty n’protesta, une i kisha paret me veti. Kur hynëm n’lokal, po m’kqyr Agimi, Agim Vrellaku ka qenë kryetar i Këshillit, bashkë me ta edhe p’i thomë shitësit, “Gjejëm nji parë çizme që i qëndrojnë lloqit, borës edhe shiut.” Tha, “Po janë shtrejt, oj vajzë!” Thashë, “Po sa mujnë me qenë?” Tha, “100 marka.” Thash, “Qe 100 marka.” Edhe i pata marrë qato çizme, veç për ushtri i pata marrë. Hala i kam aty te nana, i ruaj kështu për kujtim. Ju kam thanë (flet duke qeshur), “Mos mi hupni!” Se s’arrita me i shtjerrë (qeshë), m’kanë arrestu tani. E kështu që, ka jam shku n’bjeshkët e Pashtrikut, bora ish, ta merrke menja nuk t’lëshon por ku sharrojshe, deri këtu {tregon me dorë}. Brram, brrap, brrap, krejt pesë, gjashtë fshatrave e nuk jom lodhë.

Në nji rast qeky Haliti ma boni, tha, “Mirë ti! Qysh ti gjithë këtë rrugë n’kamë pe bon me mu si vajzë. Qysh po m’beson mu? Qysh arrite me m’besu?” Ka qenë me kontribu per atëdhe si vajzë, kontributi duhet m’u çmu dy- tri herë më shumë se i mashkullit, se te femna janë sfidat t’ndryshme, që femna mund përjeton edhe ka pengesa t’ndryshme që t’i bajnë njerëzit, por unë kam qenë këmbëngulëse edhe nuk iu kam nda aktivitetit kurrë. Kur ma boni këtë pyetje, për nji moment u preka a? Se thashë, çka osht ka menon ky njeri! A e din? Unë isha e re edhe ai e dike që unë jam veprimtare. Une e kisha besimin që ai ish i burgosun politik, për shembull, i ‘81-shës, rasti i ‘81-shës ish burgosë. Edhe kur m’tha, “Qysh ti pesë, gjashtë fshatra gjithë këtë rrugë bjeshkëve, ti bjeshkëve përpjetë?” Që e bajshim bjeshkëve të Pashtrikit. Tha, “Pe bon me mu, e qysh po e ki besimin?” Thashë, “Mirë bre ti shoq, ti je babë i fëmijëve, je i martum, unë muj mu kanë vajza jote. Unë këtu e kam besimin. Plus edhe njerëzit n’këtë botë janë ardhë me din e iman[3] qysh thojnë qety pleqtë.” Thashë, “Edhe njeri, mas pari unë i besoj vetëvetës, e kam besimin te vetëvetja. E kur e kam une besimin te vetëvetja, kurrkush nuk mundet kurrgjo me m’ba.” Edhe kësaj rruge, tani u kthy edhe m’kërkoj falje për fjalën që ma tha, “Unë kerkoj falje. Kërkoj falje, veç dashta me kqyrë qysh po reagon, e ti reagove shumë ashpër, e sene. Mos u prek e mos u idhëno, se unë t’respektoj si motër…” Thashë, “Krejt n’rregull, edhe unë ty. Për nji rrugë që jam nisë, është një kontribut për çështje kombëtare edhe une ty t’respektoj si vëlla.” Thashë, “Qe edhe unë jam veprimtare, gati dhjetë vjet aktivitet i kam edhe gjithmonë në mesin e mashkujve jam ni si motër me shumë vëllezër”. Edhe ai u befasu prej fjalëve të mia edhe disa herë ka kërku falje.

Kur jemi shku n’odë te Ibrahimi, e kemi marrë këtë çantën aty edhe kemi bisedu. Edhe po tregon ai për nja, “E kish pasë nji shpi, shumë e vogël…” zakonisht kto familjet rreth kufinit që kanë qenë [e pakuptim.] Kto kanë ra edhe pre e shumë… domethanë, armikut n’bashkëpunim me ta. Po tregon, tha, “Qështu, qështu,” po tregon atyne, “kjo shpija ktu asht e njanit që e ban postën n’Shqipni e n’Kosovë knena edhe bashkëpunon me serbet. Thashë, “Une kom me ta përcjell këtë amanet.” E na dha atë çantë me fitila t’barutit edhe tani une n’atë natë kom bujtë te ky Haliti n’familje. Ish kanë familje e madhe, domethanë, nanën me ksi veshje me drrasa që i kanë gratë kah ajo anë anena edhe m’pritën mirë e krejt. Tash ajo anë anej nuk marojnë çaj, por i kishin pasë gjygymat në gaz për mysafir drenicak. Edhe u çunë (qeshet) me maru çajin e rusit per mu (qeshet) edhe pse s’isha kurreshtare e çajit, a din? Se na kena pasë pemë gjithë n’Krekovë edhe ma shumë pemë kena përdor.

Edhe tash une bujta atë natë aty edhe ajo halla nji veshë t’punume, mu, këmbulëse, ma dha. “Merre, merre!” Unë thashë, “Jo, ti maje ktu se te ju s’paska luftë, se te na n’Drenicë ka luftë edhe une nuk muj me e marrë se janë tu i djegë shpijat atje. Edhe atje për çdo ditë ka bastisje, arrestime t’njerëzve edhe nuk i dihet punës.” Thashë, “Ma mirë maje ti veshjen kombëtare. Jam marak në këto veshat kombëtare t’shqiptarëve që janë traditë e vjetër e jona, por osht’ kohë që une nuk muj me e marrë me u ngarku me ta, se unë jam tjetër sen tu i punu (qeshë). Nuk kam kohë me e vesh kta”. Edhe ajo halla tash … shumë burrënore kish qenë edhe qaq mirë m’priti.

T’nersërmen tani Haliti m’përcjelli deri n’Gjakovë n’autobus. E une nuk e kom ditë që ka punkt n’Klinë. Por e përgadit me veshje jam kanë. E kom pasë nji mantil dekterna ktu {tregon me dorë kah gjuri} t’zezë, nji shall rrafsh e gjanë kaq {tregon me duar gjatësinë}, por e gjatë diku përmi dy metra, e kur u pështjellsha tash me ta u ba, taman u bajsha sikur hallë e vjetër kështu. Edhe ma shkurt u dashke me improvizu. Une… m’përcjelli Haliti, m’hypi n’autobus krejt e pshtjellët me atë shallën e… me dije me pantolla isha, n’çizmice që i pata ble për ushtri e sene, por e kisha edhe shallin që isha e përgadit, për shembull me u duk edhe si hallë e vjetër e shpisë me u improvizu me roba…me humb trag,[4] me humb fije. Edhe këtu, n’këtë rast, kur jam ardhë n’Klinë, po e shoh punkt-i[5] krejt me polic Serb. Mmmm. E kom pasë një gru afër me fëmijë. Unë kam që n’pjesën prej dritarës. çatën, veç e pata fut çantën me robë, kshtu karriga edhe e pata mbulu edhe me palltë edhe shall edhe u mbështjella. Edhe aty e kom nxjerr prej dokumentave, kom nda letërnjoftimin e Serbëve. Veç i kena pasë letërnjoftimat ksi Jugosllav që kanë qenë… edhe jam dalë e lashë këtu.

Po i thomë asaj grusë, “Afroji fëminë afër për knehit motra jeme se kam diçka t’rrezikshme n’çantë. Edhe pështetu si n’krah prej meje diqysh edhe fëmijën krej prej meje edhe une po du me u paraqitë si flejt. “Hiç,“ tha, “dert mos e ki”. Thashë, “Se kësi heri, që osht kismet me pështu mirë, që s’osht qektu shkova, e pat puna jeme” (qeshë). Edhe aty jam mbështetë për dritare, e pështjellme krejt si hallë e vjetër edhe me atë mantill edhe mbulova, edhe çantën, edhe ajo gruaja ma ndihmoji shumë. M’i afroi fëmitë krejt n’karrigë knena, une u shtyva e ja lëshova vendin asaj për me i ulë  edhe fëmijën knej prej pjese t’kamve t’mija. Edhe shumë m’ka mbrojtë ajo gruaja, që as emrin s’ia di as kah asht’ as kush asht’ edhe këtu jam mbështet te muri edhe tu menu te Zoti (qeshë) edhe qaty i kom ra shahadet… edhe pse unë kurrë s’jom falë as kurrgjo por… lutju Zotit e t’u i thanë, “O Zot jam tu punu për një qëndrim të drejtë edhe për një popull tem që asht i shkelun edhe për të drejtat e mia. Edhe ishalla more Zot tash po m’shpëton Zoti.” Edhe tu i mendu ato edhe tu i ra shahadet  edhe tu i lut Zotit nonstop… me mendime se jo kështu me folë. se kështu u paraqita flejtë, po me mendim drejtpërdrejt me lutje te Zoti.

Edhe ka hy polici, u nal autobusi, krejtve jau kanë marr letërnjoftimat edhe ka kqyr me emra kush janë. Mu nuk ma kërkoi letërnjoftimin, se une si flejtë. Veç që e ka zgatë kokën kështu, m’tha ajo gruaja… veç ajo gruaja çka m’ka tregu, se une s’kom mujtë me pa se jom paraqitë si flejtë me shall krejt gati kështu {tregon me dorë se si e ka mbuluar shalli fytyrën} e mlutë sytë, e pshtetun kështu… por isha edhe e lodhne, se m’ra tanë natën me nejtë pa gjum atje ku bujtëm n’atë familje atje dyzen t’u bisedu. Edhe, e kalum punktin aty.

Kur e kemi kalu punktin aty, kur kemi ardhë n’Llapushnik, kam zbrit n’Llapushnik. Se për Komoran e disha që ka punkt edhe këtu n’Llapushnik, tani jam hyp me nji makinë deri n’fshat temin edhe prej fshatit tem tani o ardhë vëllavi jem edhe jom shku n’shpi tem aty, i kom çu. E prej shpisë tem, tani i kom çu n’Llaushë, i kom dorëzu ushtrisë atje. Veç qeky ka qen… Zoti po m’ndihmojke gjithmonë kur po punoj për popull (qeshet), se rastet e ndryshme edhe rreziqet e ndryshme shumë (qeshet) kom kalu. Po m’ka shpëtu Zoti gjithëhere. Edhe … se njeri tash i ka harru edhe ngjarjet edhe ka shumë ngjarje që duhet me tregu se… (merr fryme thellë) njeri tash ka harru edhe ngjarjet që njeri duhet me tregu edhe sene. Por rreth kësajna këtu, këtij aktiviteti, këtij kontributi t’madh, por une po t’thomë që kontributi i femnës, n’bazë të asaj që unë kam përjetu, n’bazë të asaj rruge që unë kam ec, për mu nji femën që kontribuon, te populli shqiptarë duhet mu çmu dyfish ma shumë se te një mashkull. Se përveç kontributit edhe mundit edhe djersës që e derdh, ka edhe sfidën tjetër, sfidat t’ndryshme që përjeton karshi gjinisë tjetër.

Vlen t’ceket edhe rasti tjetër, për shembull që ka ndodh rasti i Likoshanit me 28 Shkurt, ‘98-tën, kur ndodhi ngjarja në Likoshan. Dhe në Likoshan, komplet me anëtarët e Këshillit për Mbrojtën e Drejtave edhe ekipin e mjekëve ku ka qenë, n’ekip t’mjekëve ka qenë Dr. Hafir Shala, që sot asht’ i zhdukun… Doktor Arsim Haxhiu, ka qenë një motër medicinale, nji Eldira Ahmeti edhe vllau im Arsim Podrimqaku. Kemi shku n’Likoshan me furgon të shtëpisë së shëndetit, shoferi me sa m’duket ka qenë Xhavit Musliu, që e ka vozitë furgonin. Kemi shku n’Likoshan edhe ju kemi ardh në ndihmë atyne familjeve edhe kur kemi shku aty, kishin qenë t’gjitha gratë e tubume me nji dhomë me nji shpi t’vjetër, muri dikund rreth 50 cm i asaj shtëpije, më kujtohet si sot, ka qenë i trashë. Edhe maspari kemi vizitu kufomat, ato t’gjitha kufomat, shënimet mjekët i kanë marrë, doktor Hafiri edhe Doktor Arsimi. Doktror Afiri zakonisht i ka marrë shënimet se ku i kanë plagat ata, ku i kanë plagosë e krejt edhe… Doktor Arsimi me vëllaun tem ia kanë hjekë rrobat t’gjitha kufomave që kanë qenë aty, me përjashtim kufomat e familjës të Likoshanit që i kish pasë marrë me veti policia. I kemi fotografu edhe i kemi marrë të dhanat, shënimet, t’gjithëve edhe aty mu ka drejtu Doktor Afiri edhe prindi i këtyne katër vëllezërve… i këtyre dy bineqëve që kanë qenë të Qerezit që i’u kanë vra djemtë edhe atina.

Se edhe familjet e Qerezit të Likoshanit kanë qenë bashkë, me nji vend [tjetër] kishin qenë gratë. M’u kanë lutë te tanë me shku te gratë, se lypin mu çmendë gratë. Edhe jam shku drejtpërdrejt te gratë aty. I kishin pasë, si sot mu kujtohet, dy sofra t’shtrune edhe kurrkush afër atyne sofrave jo. Krejt largaz, dy krelane me duqa qysh i kanë bo ktynehere me miell t’ngryt ishin kanë pjekne edhe speca me mazë t’qitne n’sofër edhe kurrkush pa u ulë me hangër prej vajit, prej piskamës. Aty i kom folë grave, i kom folë qesaj plakës që e kam marrë edhe n’intervistë që s’po mu kujtohet emri i sajna, se përveç 24 të vramë që kanë qenë aty, ka qenë edhe nji gru, nji Rukija, 24 vjeçare që shtatëzane, gati kohën për me lind. Domethanë, edhe nuk di me çka… kurrë s’un e di, por sipas asaj që thojshin ata, me pluma dum-dum ia kish pasë bo kokën krejt t’petaqtë. Krejt deformu kokën, komplet t’petaqt n’qit formë që e kish pasë t’deformume.

Edhe atë natë, përveç që ia kemi dhanë ndihmën e parë. Ia ka dhanë doktor Arsimi, doktor Afiri, injeksione edhe grave edhe vajzave, kush ka dashtë me marrë, kish që nuk dojshin me pranu me marrë.  Iu kemi dhanë edhe barna. Kemi nejtë deri vonë në Likoshan, domethanë, aty ka qenë nji tmerr. Krejt djem t’ri, secilin t’e kqyrsh ma i bukur se shoqi. Familja Likoshani, t’gjithë, nji nga nji, që i kishin pasë masakru, mrapa shpisë anena. Edhe… qysh e tregojke nji dëshmitar, dy djem t’ri, afër, n’kulm të nji shpie aty, që kanë shpëtu, afër oxhakut, krejt i kishin pasë pa atë tmerr me sy. Që sot janë gjallë ata djem.  Edhe emnat e tyne atëherë i pata marrë n’deklaratë, krejt që i kena percjell, kena kriju dosje me fotografi, me krejt, të gjithë ngjarjes.

Ma gjithë Kosova murrë jehonë prej atij rasti të Likoshanit edhe aty vetë varrimi, për shembull, me mijëra qytetarë që kanë qenë n’vorrim. Ka qenë rasti i randë, qysh thashë. Edhe aty veprimtarët kanë, secili, dikush me ekipë t’mjekëve, dikush forma tjera që kanë shku në Likoshan, edhe Shqipja me Ilfete Spahiun. Se në Këshill për Mbrojtjen e Drejtave ka pasë femra ma shumë, ka qenë Elmije Blakaj, domethanë, bashkëpunëtore për terren anej, Shqipja ka qenë për pjesën e Drenasit, për Këshill për Mbrojtjen e Drejtave edhe Ilfetja u kyç ma vonë, domethanë, n’vitin 1995, u kyç në Këshill për Mbrojtjen e Drejtave për herë t’parë, ka qenë studente, atëherë e Fakultetit Juridik. Edhe kjo ka qenë në Likoshan kur kemi shku, jemi taku, kish qenë bashkë me Shaban Shalën, kanë qenë në Likoshan, Ilfetja. A unë kom qenë me ekipin e mjekëve. Ma vonë tani edhe Shqipja ka qenë bashkë me Ilfeten, bile ju ka ra me bujtë n’familjen e Likoshanëve.

Veç ka qenë shumë rast i randë, ka qenë tmerr i randë. Kshtu që t’gjithë njerzit edhe aty, motra e ktyne, nja n’Zvicër që e kanë, për vllaznitë e vetë, se i shkunë dhjetë mashkuj, gjithë t’ri, secili ma i bukur se i shoqi. Ju ka thanë, ka thanë n’prezencë t’publikut aty, ditën kur u ardh prej Zvicrës dhe kur jonë varrosë ata, “Se me pasë qenë n’front, te të dhjetrit nuk kishin shku.” Domethanë, për vllazninë e vetë. Kshtu që ka qenë rast i randë, rasti i Likoshanit, po u ra rasti i Likoshanit edhe populli, të gjithë, krejt populli u ngrit në përkrahje të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Mirëpo, sa ka qenë dëshira e njerëzve për m’u veshë ushtarë, armatim s’ka pasë.

Para se me ndodhë rasti i Likoshanit, ushtria, m’kanë dërgu n’Prishtinë te Agron Ramadani, domethanë, kanë qenë dy javë ditë para s’e me ndodhë rasti i Likoshanit. Kam shku n’Prishtinë te Agron Ramadani, edhe m’kanë çu, “Shko se Agroni i ka disa armë edhe t’i jep.” Edhe unë e kom marrë taksistin, e kom pagu me pare edhe jom shku te Agroni edhe m’i ka dhanë armët. Tha, “A e din personi për çka je ardh?” I thashë, “Jo, taksisti s’din kurgjo çka ka ktu.” I kemi futë n’makinë ato, jom ardh për Drenas. Kah vij për Drenas, ktu ku nalen zakonisht prej autobusave, kur vijnë studentat për me hypë n’autobus lokal tani për m’e shku te Fakulteti, kjo pjesa ktu – qysh thirret nuk e di, para s’e me hy ndër urë t’Prishtinës, ktu n’hymje, ktu, te Shkolla Teknike edhe aty ka qenë nji trafikë, aty kishin qenë policia.

Edhe n’atë moment kanë qenë t’u i nalë makinat, rend t’u i nalë, domethanë, t’u i kontrollu. Kur n’atë moment para se m’u afru na me makinë tonë, makina që e kanë kontrollu para t’tonës… e kanë, e kontrollunë edhe jonë kthy mrapa me ble cigare prej trafikës, edhe na aty kemi kalu tani edhe jemi ardhë për Drenas edhe i kemi pru. Domethanë, armët që i ka pasë Agroni, për m’i dërgu n’Llaushë që u marrë vesh me ushtarët.  Edhe… masanej, natën, n’familje tem, masi i kom dërgu n’familje.  Natën kur kanë flejt t’gjithë, me vllaun tem, me qet Arsimin e kena pasë nji makinë t’madhe, e ka pasë marrë baba dikun 17.000 franga prej Zvicrës na patë pru, nji Rrahimi i Damanekut edhe ka qenë shumë makinë e mirë, po, perfuni ki mujtë m’e mshef çka t’dush, perfuni makinës. Edhe i ka marrë vllau jem, i ka lidhë aty. Edhe në nji ora t’natës masi kanë flejtë prindët, s’kanë ditë kurgjo, bashkë me vllaun jom çu e kena dhezë makinën edhe i kemi çu n’Llaushë.

Kah i kemi çu policia veç na kanë percjell, domethanë dhe kur jemi shku atje, jonë befasu ushtarët, qysh unë kom mrri për m’i çu deri aty. Se [në] njifarë forme, si femën, a ku m’e ditë qysh t’vlersojshin, s’e a munet m’e i kry puntë, a s’munet, a me kaq besnikëri qe i kap gjanat edhe kaq me pergjegjësi t’madhe. Kështu që, masi i kemi lanë armët, na kanë lutë, “A po vini me ardh, m’e hangër bukë, a me nejt?” Na i kemi thanë, “Jo, s’e dinë kërkush që jemi ardh, m’e ndodh najsen.” Edhe i kemi mbyll dyrtë krejt vetëm, tonë flejtun i kemi lonë, kerkush, s’e kemi njoftu kërkon. Kah jemi kthy, prej statcionit t’autobusve në Skenderaj, na e kanë gjujtë makinën drejt me armë edhe vllau osht’ shumë vozitës i mire, se osht’ edhe instruktor i autoshkollës, e… ai e dinë qysh ka arritë m’i shpëtu sulmit, kur na kanë sulmu me armë aty edhe kena shpëtu. Ma n’fund jemi kthy n’shpi, jemi hi me ra me flejtë, as s’ka ditë familja kurgjo as s’ka ni kurgjo (qeshë), se edhe makina nuk u dëgju dhezun shumë, po edhe dyrtë ngadalë i kemi hapë edhe ngadalë i kemi mbyllë.

Edhe…mas rastit të Likoshanit, ka ndodhë masakra e Poklekut të Ri me 31 Maj. Edhe masakra e Poklekut të Ri me 31 Maj, kur ka ndodhë, domethanë, prej nji polici me emrin, me pseudonimin Llutka u thirrke. E ka pasë pseudonimin Llutka, që n’shënime të Këshillit edhe emrin ia kom ditë n’deklaratat që i kemi percjell me emër me mbiemër, krejt i kemi përcjell. Janë edhe sot në Këshill ato t’dhana. Ai, ku me ditë qysh u rrotullu prej shpejtësisë t’madhe, ktu në Poklek edhe ka thanë, i ka thirrë forcat, “Se m’kanë gjujtë terroristat, m’kanë gjujtë shqiptarët edhe UÇK-ja.” Edhe kanë ardhë forcat të mdhaja, i kanë hy Poklekut rend, ketë pjesën, lagjen e Poklekut të Ri. Edhe prej 500 metrave i kom përcjellë, komplet ngjarjen edhe i kom informu Këshillin drejtpërdrejt meniherë për rastin që ka ndodh edhe e kom përcjell informatën edhe në Këshill edhe në Komison për Informim te Xhemail Mustafa. Të gjitha familjet njiherë i kanë qitë jashtë, krejt gra edhe fëmijë edhe burra.

Burrat i kanë nda për njerën anë, i kanë shti me nji dhomë, me nji shpi.  Edhe gratë edhe fmitë i kanë renditë rrugës n’drejtim per Vasljevë, krejt. Të gjitha shpijave, iu kanë gju, u shihke prej vendit t’ngjarjes ku isha t’u e përcjell ngjarjen, u shihke që… po iu gjujnë me kanta, derivatet që djegen, naftë e benzin edhe ia shtijshin flakën. Para se m’i djeg, njiherë i kanë bastisë, a televizone, a kanë marrë orendi, a kanë mush kamionat, njiherë i kanë bastisë, çka kanë gjetë gjana me vlerë që atyne iu kanë hy n’punë edhe iu kanë pëlqy.  Pastaj i kanë djeg të gjitha shpijat. Edhe masi e kanë kry…po,  burrat çka i kanë nalë, gratë e fëmijtë për Vasiljevë, burrat çka i kanë nalë ktu, t’gjithë atë ditë i kanë ekzekutu. Masi jonë tërhjekë forcat, meniherë pas tërheqjës së forcave, une jom ardh n’Poklek. Edhe aty, kur kom tentu, kam qenë te zyrja e Këshillit, kanë qenë dikun 20 burra edhe iu kom thanë, ishin qytetarë tjerë po une isha veprimtare.

Xhemë Binaki, domethanë, i Gllobarit, që sot osht’ drejtor i administratës, ishte gazetar n’atë kohë. Edhe i kom thonë, “Xhemë, ti e ki detyrën si gazetar, për mos m’i marrë informatat prej meje t’gatshme, hajde n’vend t’ngjarjes, une du m’e shku atje.” Edhe e luta edhe s’erdh, “Jo,” tha,“nuk vij, pse jonë vra ata, unë nuk du m’e ardh m’u vra.” N’atë rast, Izet Binaki m’u ka flukë, tha, “Qe une vij edhe nuk t’la vet.” Thashë, “Jo ti s’po vjen, ti je qytetar i thjeshtë edhe m’u vra,” thashë, “kërkush kurgjo për ty nuk thotë, se nuk je i obligum me kurrfarë detyre.” Thashë, “Rri, i ki gjashtë fmijë, rri, nuk osht’ kjo punë e jotja për me ardh ti. Ata që e kanë detyrë me ardhë,” thashë, “nuk po vijnë. Une shkoj vetë.”  N’ata, jom nisë vet unë m’e ardh në Poklek. Kur e kom kalu urën, t’rrugës për Krajkovë, aty m’u ka flukë Qerkin Berisha. Edhe Qerkin Berisha n’atë moment…masi m’u ka flugë, thashë, “Pse erdhe edhe ti?” Tha, “Jo valla, nuk t’la vetëm kurrë.” Kur e kena kalu rrethin, që osht’ sot ktu mes qytetit që i lidhë rrugët, kemi dalë n’trotuar.

Ktu rrugës sa mujshin pejzgaverat, makinat e policisë, krejt me autoblinda, me krejt, t’u ardhë rrugës kryesore për në stacion. Edhe na tu ec ashtu, edhe aty, m’u ka drejtu Qerkini, tha, “Mos u prek Zahri, du m’e t’thanë diçka. Motra jem, a bon me ta shti krahun kishe jemë,” a din, “bashkëshortë,” tha, “nashta mendojnë, se mos po na ndodh najsen.” Edhe aty une i kom thonë, “O, shlirë,” thashë,“shtine dorën e kape krahun tem Qerkin, se unë s’kam asi komplekse, nuk vuj prej atyne komplekseve.” Thashë, “Po valla kot, vëllau jem, se m’u prej aeroplanit m’njohin. M’njohin si parën e kuqe, se kta jonë msu me mu përditë qishtu t’u m’pa n’terren edhe n’aktivitet.” Tha, “Po, nashta janë jabanxhi, nuk janë t’Drenasit e bile nuk na njohin.” Thashë, “Hiç s’o problem”. Edhe aty bashkë kemi ardhë, rrugës drejt, se s’kishe kah i bjen tjetër rrugë, m’u mshef prej tyne.

Edhe kur kemi hy n’Poklek, ktu e kemi vrejtë, domethanë, qysh i kanë marrë njerztë, kah ni meter e gjysë, vena, vena që i kanë lonë larg njoni-tjetrit, n’qata vena ku i kanë ekzekutu.  Aty ish derdhë gjaku, u shihshin gjurmët e gjakut, domethanë. Edhe kah ni metër njoni prej tjetrit larg, edhe u shihshin kur i kanë ngrehë edhe i kanë ngarku në rimorkio. Edhe sot ata njerëz që dhjetë janë, nja osht’ gjetë, nji Ardian Deliu, mrapa shpie osht’ gjetë kufoma e tina.  Ai e kish pasë, nji plumb ktu {prekë qafën} dhe nja drejt n’ball {prekë mesin e ballit} ia kanë dhanë prej afërsisë me revole. Me siguri edhe kufomat tjera t’gjitha që i kanë ngarku.  U shihke gjaku qysh osht’ derdhë, se ato u gjetën te zalli, tani te shpia e njonit të Plluzhinës ktu, ma lart. Aty u gjetën edhe pantollat, edhe rrypi, edhe dhamtë, edhe floktë edhe domethanë, ka rezistu njani prej tyne aty edhe e kanë masakru.

Veç ka qenë rast i randë, shpiat u digjshin. Gjaku asajde krejt i freskët, u shihke. Edhe n’aty, nji qen ish kanë, nji qen koxha i madh edhe nuk i lehke Qerkinit, drejt e n’mue edhe drejt veç n’sy m’kqyrke, m’e m’u vërsulë.  Edhe aty mos me pasë konë Qerkini, mu qeni, m’kish, qaty m’kish mytë. Se ka qenë edhe i helmumë me siguri, se ai kish qenë i tmerrumë qeni, prej krismave, prej zjarrit, qe kërsitshin kulmet kah u digjshin sa mujshin, krismat e kulmeve, t’u kërsitë, domethanë, prej zjarrit, qaq shumë zjarrë qe dilke. Edhe e ka nxjerr nji hu Qerkini edhe iu ka matë qenit aty, atëherë ka ngajtë qeni edhe ka hi n’kolibë t’vet. I kemi kqyrë t’gjitha shpijat rend dhe i kemi marrë shënimet e njerëzve e krejt sa me çu informatën e freskët. Masanej t’nesërmit kemi ardh, i kemi fotografu. Bile, nuk kishim aparat në Këshill, e kom marrë aparatin, jom shku te nji Rasim Musliu, e kom pytë i thashë, “Hajde, a priton me ardhë me mu,” thashë, “osht’ aparati yt, e din qysh me përdorë,“ thashë, “edhe une marrë shënime edhe ti i fotografon.”  Filmat i bleva vetë une, aparati ish i tijna. Une filmat i bleva vetë për me m’u gjind. Pesë filma t’aparatit që i kena bo, që e kena inçizu komplet ngjarjen.  Edhe qata filma tani edhe deklaratat që i kena marrë prej qytetarëve, komplet e kena kriju dosjen.


[1] Serb: obrok, shujtë.

[2] Ang: Talky-Walky, mjet komunikimi ne te ‘90-tat.

[3] Turk: din e iman, fe dhe besim.

[4] Serb: trag, gjurmë.

[5] Gjerman: punkt, pikë. Pikë e kontrollit policorë.

Burgu 

[Pjesë e prerë nga video-intervista: intervistuesja e pyet të intervistuarën për përjetimet e burgut.]

Me 8 qershor në ’98-tën m’ka thirrë Shaban Shala edhe m’ka thanë, tha, “Zahrije, ki me shku n’Prishtinë me na i marrë uniformat për njësi speciale. Janë uniforma t’zeza me xhepa, me jeleka, kanë xhepa edhe naltë edhe poshtë. Edhe pantollat jonë t’zi me xhepa t’mëdhajë, e din Behgjeti”, Behgjet Shala, ky që osht’ n’Këshill, sekretar i Këshillit. Tha, “Dilni bashkë, e zgjedhni me Behgjetin edhe me na i pru uniformat për njësi speciale”. Thashë, “Po mjetet?” “Mjetet,” tha, “Këshilli i pagunë atje krejt.” Tha, “Edhe me na i pru, po na vynë kamera, aparati për këtu me i pasë”. Edhe une aty i thashë, “Valla Shaban, une me shku shkoj, po une po t’kallxoj që nuk kthehna mo.” Tha, “A po tutesh a?” Thashë, “Nuk po tutna Shaban, po çoje Elfeten sa m’çon mu, une jom lodh, po shkoj n’terren e ju veç po rrini atje” (qeshë). Thashë, “Edhe çoje Elfeten.” “Jo,” tha, “o ra n’sy Elfetja.” Thashë, “E ku ra Elfetja n’sy?” Bash kështu ia kom bo. Thashë, “Ajo vonë u angazhu edhe nuk u dalë kurrë n’terren Elfetja për me ra n’sy t’policisë. Ata mu m’njohin, pesë herë m’ka ra me shku n’bisedë informative.” Aty tani tha, “Hajt, hajt mos bo hajgare, shko. A po tutesh a?” Thashë, “Jo, jo s’po tutna,” thashë, “ani pra se po shkoj”. Edhe për m’i tregu rastin që për shembull m’kanë përcjell ata e mujnë…

Po edhe [në] ni rast iu pata ikë, po protestat, morra pjesë n’protesta mas rastit t’Likoshanit, i majshim do protesta ulë, t’qeta kështu me zile, me… t’u i rrehë. Edhe, masi jonë kry ato, m’kanë njekë inspektorët, edhe une iu kom ikë, gati prej dore iu kom ikë. Ata jonë dalë katër a pesë prej kerrit sa jonë kanë n’kerr, une jom hi trup varrezave, e jom hi nëpër shpia n’lagje, e jom sjellë kështu tani kom shku n’zyre kah e kom pasë faksin kështu te shpia e Shaban Nezirit n’rrugë për Krajkovë. E kena pasë faksin ku e pagujshim zyrën e Këshillit për m’i përcjellë informatat aty. Kur shkoj aty, ish kanë profesori Jakup, edhe une isha mushë frymë që t’u ikë, edhe po m’thotë mu, “Ani, çka u ba Zahrije?” Thashë, “Valla profesor, jonë kah m’njekin inspektorët qështu-qështu, po u kthynë kur iu hina shpiave, zaher u frigunë mos ka najsen, mos po hasin n’rezistencë najkun,” thashë, “edhe u kthynë.” Thashë, “Po se m’kanë njekë, jom hi trup varrezave,” thashë, “i kom kalu telat.” Edhe ai t’u keshë, për me ma hekë mu, “Ja je tutë, se s’ka kurgjo, s’ka kurgjo” (qeshë). Ah une e dijsha mirë fort që jam n’përcjellje, se u shihshin përcjelljet.

Edhe tash, rastin për me shku atje, jom shku atë ditë n’kamë prej Krajkove heret jom shku. Po n’mbramje, kur m’thanë me shku t’nesërmit, domethanë me 8 qershor me shku, me na i marrë uniformat, n’mbramje jom çu jom shku, thashë t’shkoj t’foli ma afër edhe e pyta, thashë, “Ku osht’ Shabani?” “N’Likovc.” E jom çu jom shku n’Krajkovë, e prej Krajkove n’Likovc jom shku. Prej Krajkove jom shku n’kamë, prej Krajkove anena m’ka marrë ni kerr, po kurrë nuk e di kush ka qenë ai person edhe jom shku n’Likovc. Kur jom shku n’Likovc, e kom lypë Shaban Shalën edhe jom taku me Elfeten, tha, “Shabani nuk osht’ këtu”. Masi tha, “Nuk o’ këtu Shabani”, atëherë i pyta edhe ushtarët tjerë e e takova Rasim Kecinën që sot osht’ dëshmor. Aty Rasimi ma ka pagu ni Shweppes, ni lang “Valla, koke lodhë, ulu pusho pak, merr frymë, tani nisesh për n’Drenas”. Tani prej aty, prej Likovcit domethanë, jom ardhë deri n’Terdevc, jom ardhë me ni makinë edhe prej Terdevci edhe n’Baincë n’kamë jom ardhë deri n’Krajkovë.

Kur jom ardhë n’Krajkovë n’kamë, qaq u lodha shumë edhe u djersita, u ula përballë shkollës n’Krajkovë. Edhe po rri aty edhe po pushoj se u musha shumë frymë, krejt gati n’kamë m’ra gati shumica e fshatërave me i kalu. Edhe, m’u taku me Shabanin s’u takova për m’i sqaru senet për m’i thanë nuk muj shkoj se jam e rrezikume. Edhe ai ma la mu qit fjalë, “Ti nuk po shkon se po tutesh,” thashë, “Jo une me shku po, e m’u tutë hiç. Po po t’tregoj që m’u kthy, s’kom m’u kthy”. Kur t’u pushu, n’ato u ardhë vllau i Shaban Shalës, Elmi Shala, me kerr. Thashë, “Eu t’e kisha ditë e m’u ulë me pritë,” e thashë, “n’Terdevc atje e mos me ardhë n’kamë krejt kohën.” Thashë, “Se n’Likovc jom kanë.” “Kuku,” tha, “po m’u dhimbshme Zahrije. Po t’shoh që je skuqë e je djersitë”. Krejt lëkura e ftyrës m’u kish ba e skuqun prej lodhjes. Thashë, “Jo tash u ba…” “A tash a?” Thashë, “Po shkoj, po pushoj këtu te mixhallarët e mi edhe me këta e me diken m’zhdjergen se kom me shku për Prishtinë”.

Edhe n’ato, e kom marrë rrugën edhe drejt e n’Drenas. Prej Drenasi, veç iu kom thonë t’shpisë, po atje gjyshja jeme m’luti, “Mos shko bre bijë, mos shko, e mos shko”. Po se Drenasi krejt i boshatisun, asnji familje s’ka qenë aty, hiç. Veç une n’zyre që u dashke me ba informimin. Edhe une tentojsha me shku edhe ku ishin me nejtë [me] ushtarët. Po Shabani m’thojke, “Po na duhesh n’Drenas Zahrije, po na duhesh n’Drenas.” Edhe këtu tani um përcjelli gjyshja jeme deri te… larg kështu n’lagje, e t’u m’lutë, “Ma bre bijë, mos shko, e ma bre bijë mos shko, ma se tybe nuk t’shoh ma,” ma bajke, “nuk t’shoh ma” (qeshë). E lutëm, “Ndëgjomë, e ndëgjomë oj…” se gjyshes i kom thanë nona Hane, se Mihane e tash, “Oj nona Hanë, nuk kom qare pa shku se m’kanë thanë me shku, edhe iu kom thanë që shkoj edhe kom me shku”.

Edhe aty jom nisë, kom ardhë n’zyre këtu. Prej zyres e kom taku Xhemën, edhe m’tha, “Çka u ba Zahrije?” Thashë, “Kom me shku n’Prishtinë,” qështu-qështu kom me shku. Thashë, “Po unë shkova për m’u taku me Shabanin, m’i sqaru gjanat, m’i thanë që unë jam e rrezikume edhe nuk guxoj. Pra, s’e takova kërkon,”  thashë, “e ata m’i kanë kërku uniformat për njësi speciale, unë duhet m’i çu”. E morra dosjen komplet të Poplekut të Ri, pesë filma t’aparatit, krejt me deklarata me fotografi me krejt edhe e dërgova. Domethanë me Xhemën shkumë deri n’Gllanasellë. N’Gllanasellë e lypsha, Fehminë edhe Xhevën për m’i taku te dytë bashkë, po nuk kishin qenë n’Gllanasellë. Prej Gllanaselle aty, e kom taku Gëzimin, Gëzim Shishanin. Thashë, “Gëzim, me m’përcjellë,” se m’nxuni mo terri n’Dobroshevc. Thashë, “Me m’çu te gratë e juve me bujtë sante, kështu që nesër n’mëngjes me shku për Prishtinë.” Thashë me dalë n’Grabovc me hypë n’autobus edhe me shku n’Prishtinë.

N’ato [momente], m’çon Gëzimi n’shpi, kur shkoj n’shpi, tha “Qe ku e ki shpinë, qe çelësin, mbylle. Dhoma ki boll, vetë je.” Thashë, “Jo, une s’rrij këtu kurrë” tha, “Po jem edhe na.” Thashë, “Nuk muj une me nejtë, se une jom ma s’pari jom vajzë, jam pamartu, e re, m’thotë kush najsen a ma ngjet kush naj fjalë. Ku e ki grunë?” “Vallai,” tha, “grunë e kom n’Grabovc.” Tani thashë, “Përcillëm deri n’Grabovc.” Edhe qat natë, natën kah jena shku, ushtarët na thanë, “Mos shkoni se ka sulme te Obiliqi” edhe kem shku n’Grabovc. Kom bujtë n’familjen n’Grabovc.

Kur kom shku n’Grabovc qat natë kom bujtë aty te miqt e Gëzimit, Gëzim Shishanit e ka pasë edhe grunë t’vendosët me fmi. Edhe atë natë isha kanë lodhë t’u ecë se gjithë atë rrugë që e bana n’Likovc, e prej Likovci n’Krajkovë e n’Drenas. E tani n’Gllanasellë, e prej Gllanasellës n’Dobroshevc, edhe prej Dobroshevcit drejt n’Grabovc. Kështu që, menihere m’u t’u nejtë m’kish pasë marrë gjumi n’krevet ku kom qenë ulë qaty. Edhe veç ma kishin qitë ni batanije, m’kishin mbulu, edhe m’kanë lanë qashtu. Kur, e kish bo gati ni pulë ajo e zoja e shpisë, kunata e grusë t’Gëzimit, gruja e Hakisë, Haki Mjekiqit. Edhe tash po m’çon mu prej gjumit, “Çu me hangër bukë.” Thashë, “Pse bre m’çove se s’jom kanë untë se e kom marrë do bukë ma ka dhonë gruja e Xhemës. Rrugës kah jom ardhë e kom hangër edhe me djath edhe ma për nder t’a kisha ditë me m’pasë lonë me flejtë, se m’çove me hangër pulë”. Po qaq isha përgjumshëm, nuk m’lëshojke gjumi, p’i thomë, “A din çka?” qat supë që e ki pasë njet, qitma t’e ha shpejt e shpejt edhe gjoma venin ku kom me ra. Aty e kom hongër ata mish, krejt jonë çu, veç mishin as kurgjo tjetër. Jom çu, i kom la durtë edhe drejt e n’dhomë kom shku kom flejtë.

Diqysh e kisha nji parandjenjë, edhe kah i krehi flokët n’pasqyre, po mendoj edhe thashë, qe besa, nuk kom m’u kthy n’shpi ma, edhe pe kqyri veten n’pasqyre. Edhe p’i thomë asaj grusë, thashë “Bre, diqysh shumë jom ftofshëm për mos me shku se kanë me m’arrestu.” “Jo, bre” tha, “hajde veç ksi heri, tregoma [ku është Këshilli]”. Se, ajo me mu n’Prishtinë dojke me ardh, me msu Këshillin që “Kur t’kish diçka herave tjera me kry punë n’Këshill,  une e kam familjen t’Prishtinës edhe nuk bij n’sy, edhe shkoj. Veç msoma Këshillin, herave tjera çoj material edhe marr une edhe ia u bij juve pa problem.”– Ajo gruja. Shumë gru kështu burrënore dhe e zoja. E tha, “Se i kom mushë edhe dy shishe qumësht me ia çu vllaut masi e kom mjelë lopën”. Tha, “Po shkojna sot.” Hajde, “Po shkojna.” Po shkojna.

Dulëm te autobusi, po gjatë qëndrimit te stacioni i autobusave aty, aty e kom vërejtë që nji kerr i inspektorëve ka ardhë aty u sjellë edhe drejt për Prishtinë. Edhe ke njani që… i padëshirushëm që une s’kisha… m’pa n’autobus edhe m’njofke, edhe m’tha, “Pse mos me m’porositë mu, po me shku ti n’Këshill?” Domethonë, n’autobus ai me gjithë gru erdh edhe une aty dyshova shumë. Edhe shkumë na n’Këshill. Inspektorët n’qat kohë ishin kanë t’u m’pritë te shpia e Bajram Kelmendit. Po unë nuk i kom ra te shpia e Bajram Kelmendit drejt kështu, për me hi ku ka qenë Këshilli n’oborr të Medresës t’vjetër, po i kom ra… osht’ nji shpi e vjetër hala sot këtu, kur t’kthehesh për te zyret e qeverisë aty, edhe tani osht’ nji rrugë drejt t’çon te rruga e Medresës. Kah qajo shpia e vjetër i kom ra kështu {tregon me dorë anën e djathtë}. Kështu që m’ka ra kur jom shku veç rrugën me kalu qështu drejt katër metra edhe me qato katër metra rrugë, drejt n’oborr t’Këshillit.

Kom hy aty, e kom dorëzu dosjen. Kom bisedu me Limkën krejt. Edhe kjo gruja shkoi te vllavi i vet atje, tani tha, “Qe telefonin, veç m’thirrë prej Këshillit, edhe kur dalum, dalum bashkë me shku për Drenas”. Kur n’ata [moment] po vjen ni bashkëpunëtor që u kanë i Këshillit, aty që ka punu n’Këshill goxha n’moshë i vjetër, Ismeti, po mbiemni i tij nuk m’kujtohet edhe po thotë, “Pasha Zotin, ti vajzë, Zahrie, Këshilli u rrethue krejt me inspektorë,” tha, “edhe p’e kërkojnë një vajzë me flokë kaçurrele”. Edhe i kisha flokët e gjata domethanë deri këtu {tregon gjatësinë e flokëve me duar}, i kisha kaçurrela flokët, krejt… edhe njeri i ri atëhere, ndryshe. Tash s’kish tjetër vajzë me flokë kaçurrela përveç meje (qeshë). Aty, po m’thotë Ibra, Ibrahim Makolli, “Po çka kanë punë ata me Zahrinë? Zahria osht’ me post t’vogël.” A po m’kupton? Ata s’pe dijnë se kush përcjellet, çfarë punë kom kry edhe qysh m’kanë përcjellë ata edhe qysh i kanë ditë punët sikur policët për shembull.

Edhe thanë, në qoftë se o’ për me na marrë, “Une jom sekretar i Këshillit,” Behgjet Shala, “ti je anëtar i kryesisë; baci Adem, kryetar,” tha, “[të] na marrin neve t’mëdhajëve, s’kanë punë me Zahrijen.” “Ani Zahri, a ki hongër bukë?” thashë, “Jo, s’kom hangër.” “Hajde, qitu afër Këshillit o ni burektore, e hamë kah nji burek”. M’i kishin pasë ba gati ato kamerat, po i pritsha fotografitë, nji kopje t’fotografive. M’thanë, “A po don me i marrë me veti?” Thashë, “Po valla, le të m’jesin si dëshmi edhe mu, t’e kam nji kopje p’i pres fotografitë deri t’marohen.” “Marohen shumë shpejtë fotografitë, as 15 minuta s’vonohen”. Tha… se na i çunë filmat aty, tha, “I merrni kopjet e fotografive me veti, t’i kena ba gati kamerat, uniformat, krejt i kem bo gati. Po t’përcjellum me makinë deri n’Grabovc. Prej Grabovci e anej janë ushtria e UÇK-së edhe t’çojnë deri n’Shtab ku ki m’i çu uniformat”.

Kur, unë u nala, a di, edhe veç i kom hekë numrat e telefonit që i kom pasë t’zonës atje. Krejt çka kom pasë numrat e telefonit komplet bllokin me numrat e telefonit me t’ushtarëve, me t’shtabit, me krejt. Edhe… ia kom lanë Limkes – Halime Morinës, se Limke e kena thirrë. Edhe veç letërnjoftimin e shkijve e morra n’xhep. Kur taman jena dalë, t’mu kanë vërsulë mu, drejtë te unë inspektorët edhe papritmas m’kanë kapë edhe m’kanë kontrollu se kanë menu që kam armë edhe jom e armatost. Edhe une e nxorra veç letërnjoftimin n’dorë edhe ma panë aty edhe tash Behgjetin ata s’kanë dashtë me marrë, me siguri… po edhe mu, edhe Ibrahim Makollin. Po, për Ibrahim Makollin kanë menu që osht’ Agron Ramadani. Se këta përmes telefonit, kur ka folë Agroni me zonën e Llaushës atje n’telefon, krejt përgjimet përmes telefonit i kanë bo.

Edhe n’atë moment, kur na kanë marrë Ibrahimin e mu, na kanë futë n’makinë edhe i kanë mbyllë dyert edhe ai e ka lajmru stacionin aty kryesor 92-shin, tha, po ia ban n’serbisht e unë e kuptova menihere, tha, “E morrëm Zahrijen edhe Agron Ramadanin”. Unë e dita që nuk pe dijnë për Ibrën që o Ibrahim Makolli, po po menojnë që o Agron Ramadani, se n’fizionomi janë dytë si bjonda, t’ngjashëm. Qeky Ibrahim Makolli që ka qenë ministër për… emigrim… migracion.

Jeta Rexha: Punëve t’Jashtme?

Zahrije Podrimqaku: Po, botës t’jashtme. Ky ka qenë anëtar i Këshillit atëhere. Edhe tashti, na kanë çu n’stacion, në ‘92-sh, edhe na kanë futë n’dhoma. Njani n’dhomën numër nji, njani n’dhomën numër dy. Ma s’pari e kanë futë Ibrën, mu m’kanë çu n’dhomën numër dy. Edhe këtu tha, “Tash ti rri qitu prit, se na kena me festu, na e kena nxanë Shote Galicën n’polici”. Edhe aty krejt policët, Ibrën e kanë marrë n’pytje, edhe nji nga nji vijshin policia ma çelshin derën e hekshin kapelën edhe ma bojshin “Gde si Shote Galica?” [“Ku je Shote Galica?”] (qeshë). Tha, “Na kena sot zijafet, kena me festu që t’kena nxanë ty se t’kena kërku moti e qe na erdhe n’dorë e gjallë.” Une veç rrijsha, me qëndrim trrak edhe ma çoi Zoti ni gajret për ni t’keshme… (qeshë), si nuk di qysh me thanë. Edhe, n’makinë kur na kanë shti, une po ia boj Ibrës, pe preki n’gju kështu, edhe p’e shoh Ibra, unë s’e kom ditë, s’e kom njoftë Prishtinën. Për shembull, kom ditë me shku në Zyre të Informimit të Lidhjes Demokratike atje ku kanë qenë ku i kanë pasë zyret veprimtarët. Kom ditë me shku në Këshill për Mbrojtjen e të Drejtave, n’stacion t’autobusave, n’spital… do qendra qështu, por jo krejt, për shembull tana rrugët sikur këta që janë venali t’Prishtinës.

Edhe tash ata n’makinë t’u na çu n’rrugë për Tokëbahçe. Tash Ibra t’u menu, Zot çka ka ba, ai masanej masi jom liru prej burgut m’ka thanë, “Qitash po na çojnë me na pushkatu edhe Zot e din çka ka ba Zahrija,” (qeshë), “që po na çojnë knej, se knej, e dijsha që nuk osht’ 92-shi”. Ata nëpër Tokëbahçe krejt na kanë shëtitë qashtu edhe na kanë pru n’stacion në 92-sh. A unë t’u ia ba Ibrës… a di, “Ibro?” {prek gjurin} Ai t’u ma ba, “Mos m’prek, mos m’prek n’makinë” {prekë gjurin}.

Aty Ibra, e kish pasë kapë frika se mos po na çojnë diku me na pushkatu. Une hiç, njifar qetësie kështu n’veti, njifar gajreti edhe n’ftyrë diqysh si e qeshun, ma çoi Zoti atë t’qeshun ashtu edhe atë forcë për çudi. Kur kemi shku, që na çunë në 92-sh edhe rreth orës pesë, masi e kanë marrë n’pytje Ibrën, atëhere e kanë lshu gjatë ditës. Mu erdhën m’thanë, “Kolegun t’a lirumë, ti mbetesh këtu, se ti e din ku e ki futë kokën.” Domethanë që ke hy në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës edhe sipas tyne, ajo ka qenë rrugë e gabushme, tha, “Kolega yt lirohet.” Edhe aty m’kanë pytë rreth Agron Ramadanit, absolutisht nuk kom pranu me dhanë asnji rast për to. “A e njef, a diçka? A je kanë a?” Hiç s’kom pranu. Edhe pse, ata kishin qenë n’dijeni krejt se e kishin pas përgju, se Agroni ka pasë telefon n’shpi, edhe ata t’zonës kanë pasë telefon të Llaushës atje, krejt telefonin e tyne. Edhe m’kanë malltretu fizikisht me nji shipkë t’drunit, me shufër gome, a shuplaka, derisa jom alivanosë. Edhe qull m’patën bo me ujë, t’u m’gju me ujë tani.

N’dymdhetë t’natës, kanë tentu me m’lëshu, “Dil!” Me kërcënime, “Dil prej stacionit! Dil prej stacionit!” Thashë, “Nuk dal.” Tha, “Pse s’del?” Tha, “Une du me shku te gruja jem.” Thashë, “Po ti shko te gruja jote, shkoni te gratë e juja, këto janë objekte t’pushtetit, une rri këtu. N’mëngjes n’koftë nevoja shkoj n’mëngjes, natën nuk dal se s’kam ku me shku”. “Dil, e dil!” “Mirë,” thashë, “e kom ni hallë këtu n’Prishtinë, a ka mundësi me ma dhanë telefonin me thirrë dhandrin me ardhë deri te stacioni me m’marrë.” “Jo,” tha, “s’ki t’drejtë [në] telefon”. Une e dijsha që s’o ai ren që m’lëshojnë, po ata dojshin me t’malltretu edhe me t’qitë prej stacionit, se ni koleges tonë, ni Xhevat Bylykbashit, kur e patën arrestu, domethanë qështu n’njo t’natës e kishin pas qitë me forcë prej stacioni edhe ia kanë bo ni arrestim t’dytë edhe ia kanë qitë thesin kanë kqyrë me ia humbë fijen. Ka qenë bashkë i arrestumë me Xhemë Binakun, po fati i tij kish qenë që [për] Xhemën kanë intervenu njerëzit. Domethanë kanë intervenu njerëzt, e kanë nxjerrë me t’njofshëm, tani ata janë kapë mes veti inspektorët pse ky o lëshu me t’njofshëm, e ky jo. Edhe qaty n’krah t’Xhemës, del edhe Xhevati.

Edhe une e paramendojsha rastin që këta qëllimin e kanë me ma ba rastin e Xhevatit. Ata kategorik, “Dil!” E kam bile atë vendimin kur e kanë përgatitë n’dymdhetë t’natës edhe m’kanë shti me nënshkru. “Dil,” tha, “e kryve, tash ec prej shpije”. Fiks ora nji e natës ka qenë, dymdhetë deri n’nji qaty. “Dil, e dil!” S’pranojsha hiç, “S’dal prej objektit. S’janë objektet e juja, osht’ objekt i shtetit edhe ju muni me shku n’shpia t’juja. Une këtu kurgjo s’pengoj.  Osht’ roja… edhe nuk dal jashtë, s’pranoj kurrqysh”. E panë që unë jam e vendost kategorik, edhe isha n’gjendje shumë t’keqe. Isha shumë e lodhne edhe e maltretume. Ata prapë, t’u m’marrë n’pytje, t’u m’marrë n’pytje, kurrë asnji minut, tanë natën, kurrë rrafsh tri ditë me flejtë s’ëm kanë lonë.

Kaltrina Krasniqi: A kanë qenë shqiptarë a serbë?

Zahrije Podrimqaku: Jo serbë kanë qenë, po shqipen e kanë folë shumë kjartë. Ka qenë ni Behanke inspektor, që ai ma heret ka qenë inspektor edhe në Drenas. Ka qenë nji Periqi inspektor, e ni tjetër që ka qenë inspektor i tyne, emrin nuk ia di. Domethanë pytshin rreth veprimtarëve, rreth komandantëve për Fehmi Lladrovcin, për Jakup Krasniqin, për Shaban Shalën. “A osht’ Jakup Krasniqi në UÇK?” Thashë, “Nuk osht.” Tha, “Qysh nuk o Jakup Krasniqi?” Thashë, “Nuk osht’, une kurrë n’uniformë s’e kom pa,” thashë, “edhe ushtrisë i duhen djem t’shëndetshëm e djem t’ri, profesori Jakup osht’ i vjetër edhe i smutë prej sheqerit, i burgosun politik. Nuk osht’ në UÇK”. Edhe, po, po m’pytë për Shaban Shalën, tha, “Pse Shaban Shala ka ikë me makinë n’Potërk… kur… për çfarë arsye ka ikë? Ka qenë i veshun, ka pasë armatim, pse ka ikë edhe e ka lonë makinën n’Potërk?” Thashë, “Jo, as s’ka qenë i veshun, po nuk ka pasë patent shofer.” “Jo, s’osht’ e vërtetë,” tha, “edhe a o ai qiky?” “Jo s’osht’.” Ata me kambëngulje, “Jo s’osht.’” S’pranojsha, tani m’rrehshin, qështu…

Kaltrina Krasniqi: Çka ndodhi mandej?

Zahrije Podrimqaku: Edhe për Fehminë qashtu, m’kanë mundu shumë edhe për Fehminë edhe Xhevën. Bile, edhe n’aktakuzë e kom t’shkrume (qeshë). Kur ju kom thonë, “Unë des me zhig që s’e kom pa Fehminë edhe Xhevë Lladrovcin.” Edhe qashtu e kam t’shkrume n’aktakuzë (qeshë).

Edhe rrafsh tri ditë që m’kanë majtë n’stacion t’u m’malltretu, t’u m’marrë n’pytje, kurrë pa m’lanë me pushu. As vet nuk e kom ditë që jom qaq e fortë edhe që muj me i qëndru pagjumsisë qashtu. Nuk e kom besu, po aty e kom vërtetu se kanë thanë pleqtë, “Njeriu ish ma i fortë se guri.” Se, edhe shipka, forma qysh m’kanë malltretu… (qan) me dy durtë n’tavolinë… sa që… deri sa m’ka lëshu gjakderdhja”. M’falni… (qan).

Edhe aty mas tri dite, që m’kanë majtë këtu, mas krejt atyne maltretimeve, mas krejt pytjeve, m’kanë dërgu n’Lipjan, n’burgun e Lipjanit. Edhe atje kur kom shku, m’kanë dërgu vonë prej burgut. Rrugës m’kanë thonë, “Jo po t’gjujmë qitu, jo po t’gjujmë qitu, po t’vrasum qitu.” n’forma t’tjera, “Jo s’ki me dalë kurrë prej burgut.” Lloj-lloj kërcënime, lloj-lloj fjalësh. Edhe, po para se me shku për Lipjan {fshin lotët}, tha, “Na e kryjtëm me ty, po nëse don mos me qëndru n’burg, i ki tri oferta. Ofertën e parë e ki, nëse don, po ta bojmë pasaportën edhe po t’qesum jashtë n’cilin shtet t’dush ti, na t’qesum, veç mos m’u kthy n’Drenicë.” Thashë, “Ja, kurrë s’dal jashtë se s’e lëshoj venin tem. Nuk kam nevojë pse me dalë jashtë.” Tha, “Mirë, ofertën e dytë e ki me jetu n’Prishtinë. Ti hallat i paske këtu, me bashkëpunu me neve je e lirume prej burgut.” Thashë, “As këto kurrë s’e pranoj. Me ditë që kurrë s’dal prej burgut, se kurrë këtë ofertë me punu kundër popullit tem, s’e pranoj.” Edhe “Ofertën e tretë,” tha, “e ki, na jem qitu tre, nëse pranon me ardhë me neve n’kafiteri,” edhe trup tha, “me flejtë me neve.” Thashë, “Ja-a, nuk e kom rujtë vajzërinë tem për juve,” thashë, “as me ma qitë kusht mu me prishë vajzërinë tem, une për m’u liru prej burgut,” thashë, “mu s’ëm vyn jeta m’u liru prej burgut nëse une dhetë vjet aktivitet, edhe ato e kom ba ni aktivitet krejt me burra se s’ka pasë femra. N’fund me dështu me juve, kurrë s’e pranoj. Ma përpara e pranoj vrasjen se kushtin që ma parashtroni ju.” “Mirë,” tha, “nuk ka problem, ti mbetesh n’burg deri sa t’plakesh, edhe na t’dërgojmë n’Lipjan n’burgun e femrave.” Edhe m’çunë n’burg t’femrave n’Lipjan.

Në orë t’vona masdite, aty kur jom shku, m’ka kontrollu ni motër medicinale, tha, “Hajde te mjeku m’u kontrollu.” Edhe m’shtini m’u zhveshë, ajo m’pa n’gjendjen qysh jom, edhe ju tha, “S’ka kurgjo,” tha, “shumë mirë osht’, shnosh si molla, çohne m’u pastru”. Jom shku n’banjo, jom pastru, m’i kanë dhanë pigjamet edhe do rroba kështu, do t’burgosneve, t’këqija, derisa t’i pastroj rrobat e mia edhe pantollat edhe setrën e kisha temen. Edhe masanej, t’u nejtë, t’u nejtë, mas nji kohe, masi që u pastrova, m’u terën flokët krejt, m’kanë shti n’dhomën numër nji me Behare Tavallarin. Beharja ka qenë e Prizrenit, kanë qenë tri  studenta aty, që i kishin pas arrestu nja ni mujë a dy para meje, 20 maji m’doket të ‘98-tës, unë me 8 qershor. Edhe aty, p’i ndëgjoj n’korridor t’u bisedu, e dita që kanë me m’qitë prapë me m’maltretu. Edhe m’kanë marrë, m’kanë qitë jashtë n’korridor, qikjo Nadica Bošković edhe ni Sladjana Arcic, t’dyjat kanë qenë t’Lipjanit. Une emrat tek masanej ia u kom msu, e pata gjetë ni dokumentacion nër shkallë ku ishin kanë emrat e të gjitha gardieneve edhe aty i pata lexu, se ma shumë me pseudonime u thirrshin, edhe me emra t’shkurtë. E aty i pata msu emrat, prej qatij regjistri nër shkallë n’korridor që e pata gjetë n’burg, emrat e gardieneve. M’kanë qitë m’kanë rrehë n’korridor pastaj m’kanë shti n’dhomë edhe m’kanë lanë. Tani kom flejtë, natën kanë ardhë rregullisht m’kanë kqyrë derisa nuk jom shku une n’Lipjan, kishin qenë për t’gjitha t’burgosnet dyert e hapne. N’momentin kur kom shku une, domethanë, osht’ ndryshu me diciplinë, me t’gjitha jonë ndryshu, se n’burg mu m’kanë trajtu si personin ma t’rrezikshëm. Domethanë, femna ma e rrezikshme prej t’gjitha femnave tjera. Bile dikur, fillova me ju mërzitë edhe shqiptareve, që m’vjen keq me thanë a, se m’thojshin, “Sa s’ke qenë ti n’burg, na kena ba sefa. N’momentin që erdhe ti, na jem t’u hekë, për shkak tanin po na mbyllin dyert me shula e me çelësa, se nuk na kanë mbyllë kështu. Kemi komuniku, dyert hapun i kemi pasë mes veti e krejt.” Edhe, aty, po m’thotë gardianja, tha, “Qe tri ditë jena t’u t’pritë.” Domethanë, ish kanë i përgatitun arrestimi jem prej tyne.

Edhe ni rast du me cekë, gjatë marrjes n’pytje sa kam qenë në 92-sh, inspektori folke me dikon drejtpërdrejti prej Drenasi shqip… ai folke shqip me to, ky e ndëgjojke n’telefon se u ndëgjojke krejt zani i telefonit kah i spjegojke për mu. Edhe, ka ardhë… nesër n’mëngjes ka ardhë ni gardiene, ni Sanija, gardiene, ka qenë shqiptare. Edhe aty i kom thanë, thashë, “A muj me folë diçka n’besë me ty edhe a je e sigurtë?” tha, “Po.” Thashë, “Mundësisht i çon fjalë gjithqysh deri në Këshill për Mbrojtjen e të Drejtave edhe me shku e m’i çu fjalë Agron Ramadanit m’u largu, se kanë me arrestu se ishin n’dijeni për çdo gja”. E kishin përgju telefonin. Se gjatë maltretimeve kur unë s’kom pranu kurgja, ata ma kanë lëshu inçizimin n’telefon kur ka folë drejtpërdrejtë Agroni me shtab atje. Edhe i kanë thanë ata se kem me çue Zahrinë me marrë armatimin. Edhe n’momentin kur m’kanë maltretu ata edhe m’kanë dhanë zor se ti je ushtare e Ushtrisë Çirimtare të Kosovës me pseudonimin “Malësorja”, unë s’kom pranu hiç, ata ma kanë qitë fotografinë tem që m’kishin fotografu n’stacion t’autobusave. Edhe m’thanë, “A e njef këta? Kush o kjo?” Thashë, “Une.” “Po kjo tjetra?” Thashë, “Këto s’e njoh”. Ma kanë përshkru, osht’ e hollë, ka rroba farmerka, osht’ e imët n’trup, “As s’e di kush o, as s’e di kah o!” Thashë, “Munesh lirisht me m’mytë se nuk di kurgja për to.” Edhe fakt ish që s’dijsha.

Edhe, tre mujë ditë rresht gjatë qëndrimit n’burgun e Lipjanit, o kanë ardhë prej orës dhetë n’mëngjes m’kanë marrë n’pytje, o n’mbramje prej orës shtatë deri n’dhetë, njimdhetë, kanihere deri n’dymdhetë t’u m’marrë n’pytje. Rrafsh tre mujë ditë. Bukën mi tavolinë n’mramje kur ish darka, qashtu u jepke buka pa e hangër, une t’u u marrë n’pytje. Hajshin krejt gratë, une isha t’u u marrë n’pytje, t’u m’maltretu psiqikisht edhe fizikisht. Veç maltretimet n’burg t’Lipjanit i kom pasë rresht.

Ia di ni rast shumë për nder Behare Tavallarit, ajo e ka pi cigaren se une s’e kom pi cigaren, nuk e du duhanin kurrë. Edhe ka pi ksi cigare “Lucky Strike” që shkrun, edhe aty n’mes e kanë ngjyrën e kuqe me shkronjat e zeza. Edhe tash, m’çoi dreqi mu, se kur je ushtare edhe e dhanun mas nji veprimtarie, edhe thashë, po ia qes dy gishta përmi cigares edhe p’i thomë, “Qy, qy, simboli i UÇK-së, U-Ç-K veç Ç edhe ni shejë aty edhe UÇK.” Edhe tash Beharja, “P’i prejna pra”, edhe i kemi pre dy paqeta të duhanit, njo ajo, njo une me kah tri shkronja. Po une, n’xhep. Po Beharja, çka bon ajo tash? Kur na qesin neve n’shëtitje, ajo shkon edhe e qet, e shtin këtë pjesën e… qesen që osht’ me pllastikë e pshtjellun pako e cigares. Edhe e futa atë pjesën e kuqe me shkronja t’zeza aty edhe e shkrujti n’letër, e kish pasë shoqja e saj Jehona që ka qenë n’dhomën tjetër ditëlindjen. Edhe po thotë, “Po ia uroj ditëlindjen.” Edhe ia shkrujti aty se i boftë 120 vjet, urime ditëlindja e krejt.  E kjo po ia shkrunë me laps… me ksi t’qibritit se jo laps, s’kena pasë laps, me t’qibritit.

Edhe tash, kur na dulëm n’shëtitje n’dymdhetë ora, kur o koha, t’qesin me i ba njo dy-tri kruga jashtë n’shëtitore. Edhe shkon Suzana, ka qenë njo e vogël me trup e shkurtë e Batushës, serbe, po mbiemni i saj nuk m’kujtohet veç si emën Suzanë e ka pasë, me trup t’shkurtë ka qenë. Ajo e ka pi duhanin edhe me siguri ka shku me ia vjedhë cigaret se i ka vjedhë gjithë, sa herë na kanë qitë n’shëtitje e ka shfrytëzu rastin ka vjedhë cigare t’burgosunëve. Edhe tash, shkon aty me i marrë cigaret, mirëpo kur e sheh i bjen n’sy ajo. More, s’ka bo njo, t’dytën veç e ka çelë dritaren edhe ka thirrë, “Hajde drejtë mrena, urgjent n’dhomë.” Edhe po thotë Beharja, “Kuku, ma ka gjetë letrën!”

Kjo e shkrujti, “Du m’i thanë, me e lutë gardienen se Jehona e ka ditëlindjen, a po ia çon qit letër” a di, se jo vet me ia dhanë n’mënyrë ilegale, se s’kish qysh. Se na përcillshin, domethanë kur t’qitshin n’shëtitje t’përcillshin, kur t’bijshin t’përcillshin; ajo përmrapa ti s’kishe qysh me komuniku. Veç e shfrytëzojshim rastin kur ish naj gardiene shqiptare për shembull. Aty kanë mujtë me shfrytëzu rastin m’i çu shpijunat gratë edhe me ia dhanë naj informatë edhe m’i folë diçka derisa e kanë pastru korridorin kush e ka pasë rradhën, dhomat qysh i kanë pasë me ren për pastrimin e korridorit.

Kur shkumë aty, p’i bjen dy fleta t’bardha, dy kimika, tha, “Shkruje deklaratën, letra që osht’ e jotja e Behares,” tha, “edhe UÇK-ja osht’ e jotja se ti je UÇK.” Edhe tash s’ëm shkrujke n’aktakuzë ushtare e Ushtrisë Çlirimtare t’Kosovës me pseudonimin ‘Malësorja’, edhe tash ato e kanë lexu aktakuzën, e dijshin vepritmarinë tem. Edhe, mu ma bojshin, “Xhevë UÇK“, bone men drejtori me ekipën e vet vijke kur m’qitshin n’shëtitore me shëtitë e m’kqyrke kah ecsha, se kurrë me gjithë ato maltretime, kurrë kokën ulë nuk e kam ecë n’shëtitore. Edhe mashkujt sot ma përmenin, bile kish pas thanë njo i Shtimes, “Qajo me kokë lart, veç drenicake o, se kqyri këto tonat”, se i ka pasë dy çikat t’vetat aty, edhe këto tjerat çka kanë qenë. Thotë, “Kqyri këto tonat. Ajo veç drenicake o, se krytë veç nalt e man”, ia u ban këtyne djemve tonë që kanë qenë aty t’Drenicës n’burg.

Edhe tash, thashë, “Une nuk e shkruj. Pse me shkru une?” ajo te une s’e gjet. Tash ajo kur shkoi poshtë, u murrëm vesh me Beharen, Beharja tha, “Zahri, me na rrehë, se me na rrehë dyjat, ti mos prano që… mos shkruj deklaratë. Unë s’kam qare pa e shkru se o gjetë n’cigare t’mia” (qeshë). “Këta e dijnë që ti s’e pin duhanin, edhe rrehë për rrehë, ti boll po rrehesh përditë, unë s’jom rrehë kurrë, kësi heri t’e provoj”. Se s’i kishin maltretu këto t’rejat, asnjo s’i kishin maltretu fizikisht. Për herë t’parë Beharja u maltretu, qasi heri.

Mirëpo, këtyne iu dhimsha une, Behares iu dhimsha edhe tash Beharja tha, “Ti mos gabo me shkru deklaratë, me marrë ai deklaratë tande përderisa s’e ka gjetë këta. Ku e ki tanden Zahrije?” e nxorra dorën e kisha n’xhep t’trenerkave, thashë, “Qe ku e kam, n’xhep”. Tash edhe me kqyrë n’xhep, ajo nuk dihet, se letër e qkyme hollë. Edhe tash, kur erdh ajo nalt, Beharja e shkrujti, si e kom shkrue, “E kom shoqen, sot e ka ditëlindjen, edhe une e kom shkru për me ia dhanë gardienës n’dorë, për me përcjellë përmes gardienës”. Ata ia murrën atë, “Jo ti ke thanë, ‘Rrnoftë Brigada 120, e UÇK-së’ ke shkru me prapavijë…” domethanë e murrën që (qeshë) zonë t’ushtrisë ato, me brigadë, me numër 120… edhe këta UÇK.

“Shkruje,” tha, “UÇK-ja poshtë”. Thashë, “S’e shkruj! A e ki gjetë te une? Jo. Unë duhanin s’e pi. Pse me shkru? S’e shkruj edhe s’e shkruj!” thashë. “More shkruje,” presion e… kërcënim e, hiç s’pranova me shkru. E shkrujti Beharja, e murrën atë fletë t’Behares, temen e murrën t’pastër, pa shkru. Edhe çka banën? Mbikqyrësja vjen edhe e thirrë ni shqiptare që sot osht’ n’burg t’Lipjanit shefe. M’kanë thanë mu shefe, t’burgosnet që kanë shku t’Drenasit aty, se une s’jom shku kurrë asajde. Bile, kur i kom ra për herë t’parë në ni seminar që jena shku për Prishtinë, i kena ra nëpër Lipjan. Për herë t’parë kur m’ka ra n’sy burgu i Lipjanit, aty t’fikët ka dashtë me m’ra, qaq e kom përjetu rand kalimin asajde, saqë s’un e merr me mend.

Edhe tashti, p’i thotë ksajna, “Rrehe ti”, edhe drejtori… Kjo, une boll i thashë, “Mos e rreh. Ruju se gabon, mos e rreh. S’ki zor,” i pata thanë. Gjithë i thojsha, “Heke uniformën, ça po vjen n’punë këtu me punu me shkije? Bukë kanë boll shqiptarët me t’majtë”. Edhe burri m’doket jashtë i kish pas punu. Se plot, me uniformë edhe dukat t’ngjitë n’qafë {prek qafën}. Edhe aty, ajo pranoi me rrehë Beharen, edhe e rrehi. E m’erdh inati pse e rrehi shqiptarja. Tani për s’dytë, e rrehi edhe gardienja tjetër ajo Danica po m’doket, po Danica e rrehi se tha, “Kjo shqiptare, t’ka sjellë pak”. Edhe e vërtetë, edhe Beharja tha, “Oj Zahrije, m’ka ra, po nuk m’ka ra shumë qysh sjellin këto, po veç sa me mbulu urdhnin e sajna. M’ka ra pak.” “Nuk u dashtë me ndëgju urdhnin e saj e me rrehë shqiptarë, nuk u dashtë me t’rrahë”. Edhe thashë, “S’ja kapshe pendrekun, me to u dashtë m’u rrehë” une asajna. “Jo,” tha, “hiç, m’ka ra pak, nashtë, hiqu tyne”.

Edhe kjo prej sikletit tani, që e maltretunë, s’u maltretu hiç, edhe vajza e re, edhe drejtë prej fakultetit, domethanë viti i parë i fakultetit, prej shkolle drejtë këtu, e tani iu kish pas lëshu uji (qeshë). Iu kish pas derdhë uji kur osht’ maltretu. Edhe i ndërroi aty rrobat krejt, e krejt qivita trupin ksajde që e rrehi shkina për s’dytë. E qështu ka qenë ky rast. Këtë rast ia di shumë për nderë, që i vetmi osht’ ky rast që m’ka shpëtu prej Behares pa u rrehë. Se e murrë sipër veti veç vet, se tha, “Ty po t’rrehin shpesh po t’maltretojnë, unë s’jom rrehë kurrë. E ashtu kështu kanë me m’rrehë, bile ti shpëto kësaj rradhe.” Edhe qështu… veç për çdo mujë rresht m’kanë maltretu n’burg t’Lipjanit.

Kaltrina Krasniqi: Ku keni shku mas burgut t’Lipjanit?

Zahrie Podrimqaku: Me 25 dhetor jom dënu n’Prishtinë, m’u ka majtë gjyqi, m’kanë çu.

Kaltrina Krasniqi: Kjo osht’ n’vitin 19…?

Zahrie Podrimqaku: Në ‘98-tën. Me 25 dhetor t’vitit 1998, domethanë jom dalë n’gjyq n’Prishtinë aty, edhe e kishin arrestu edhe Agron Ramadanin. Aty e morra vesh që e kanë arrestu. Edhe pse Agroni kish qenë n’Gllanasellë n’momentin që jom arrestu une, u shku n’Drenicë. Edhe e kish lutë Fehmija, Fehmi Lladrovci, “Rri mos shko, se t’arrestojnë masi u arrestu Zahrija, u ra n’dorë e krejt.” Ai u çu u ardhë. Edhe ka mujtë me i ikë arrestimit, me nejtë n’Drenicë për shembull. Po u çu u ardhë, “Jo se mos po m’i bojnë problem familjes, se sa i bojnë problem familjes për mu, masi e kam familjen n’Prishtinë, bile t’përballen veç me mu ata”. Faktikisht, ky shkon n’shpi, ata shkojnë e arrestojnë menihere.

Kaltrina Krasniqi: Ju?

Zahrie Podrimqaku: Edhe une, u majt gjyqi atë ditë. Jena dalë n’gjyq, i kom pasë avokatë Lirije Osmanin, e kom pasë Ahmet Gjinovcin, të dytë. E kom pasë Dastan Rukiqin, tre avokatë, të tretë i kom pasë që kanë qenë veprimtarë të Këshillit. M’patën lutë inspektorët, “A e don avokatin shka?” thashë, “Me ditë që kurrë s’dal prej kësaj dere, se ti m’ke arrestu, ti me m’rrehë, ti me m’maltretu. Ti m’i ke vra vëllazninë,” thashë, “po vret shqiptarë për ditë, edhe ti me m’mbrojtë a? Nuk ka te une hiç as rast nuk ka, me ditë që sot m’lëshon prej burgu, unë shka avokat nuk marr”.

Edhe tre veprimtarët e Këshillit, domethanë Këshilli i ka angazhu rreth meje. Une jam mirënjohës ndaj tyre edhe i falemnderoj shumë. M’kanë vizitu shumë, mirëpo ma vonë Dastanin e kishin pas arrestu (qeshë). Edhe po m’thotë ni kolege n’dhomë, kah e çojnë te mjeku qaq shumë që e kanë maltretu. Edhe thotë… sa kam qenë… domethanë pa dënu, para se me ardhë koha e gjyqit, e kishin pas arrestu Dastanin. Tani Dastani s’ka mujtë me ardhë n’gjyq, ka ardhë vetëm Liria edhe Ahmeti, vetëm këta dy. Edhe tha, “Zahrije, avokati…” “Pse, çka s’po vjen?” tha, “Jo valla, koka këtu, qe pe çojnë te mjeku”. Tha, “Dastani koka,” ni kolege aty e dhomës.

Edhe me 25 dhetor kur u majtë gjyqi, aty n’gjyq edhe sot e kom t’shkrume n’aktakuzë kur m’kanë pytë se i përket nji grupi terrorist… për mu terroriste. E po m’pytë, “Shtetase e kujna je?” thashë, “Shtetase e Republikës t’Kosovës” (buzëqeshë). Tha, “Ku e ki atë Republikë?” thashë, “Për herë t’parë n’jetën time jam shumë e lumtur që jam pagu nga Këshilli Komunal për Financim. E kam marrë nji pagë, sado e vogël për mu, shumë e madhe, vetëm e vetëm se për herë t’parë n’jeten time pagën e parë e marr nga Republika e Kosovës”.

Desh u çmendën policia aty, e gjyqi, e krejt me gjyqtarë aty. Ka qenë nji femën prokurore edhe aty iu ka kthy mixhës tem nji polic se m’u majtën nji herë [gjyqi], m’erdhën prindët, po m’çunë n’milici lidhë edhe dështoi, se i kishin humbë çelësat e këtyne prangave, edhe iu dështoi gjyqi se s’mujshin m’i gjetë. Edhe tash n’gjyq me durë lidhë, nuk kanë t’drejtë me gjyku. Herën e dytë, prindi s’ka mujtë me ardhë, o ardhë vetëm axha edhe ka marrë pjesë. A të Agronit, kanë qenë komplet familja, dajët e babës e krejt kanë qenë prezent. Edhe kur m’tha, tha, “I përket grupit terrorist… ajo osht’ ushtri terroriste… ata janë kriminelë” e gjithçka po thotë për ushtrinë tonë aty prokurorja.

Thashë, “Jam shumë e lumtur që i përkas Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, edhe këtë gjyq t’jujin unë nuk e njoh” (buzëqeshë). T’gjitha këto i kam t’shkrume edhe n’aktakuzë. Ata n’momentin… Agroni e dha deklaratën, po e dha serbisht. Une nuk e kom njoftë serbishten, e kom kuptu aty-këtu, po krejt me kuptu ngjarjen, jo. Edhe tash gjatë gjykimit, kur e ka dhanë ai intervistën serbisht, po m’thotë Liria mu, tha, “Zahrije, osht’ kah t’ngarkon, po thotë se m’ka futë Zahrija në ni mbledhje n’Dobroshevc që osht’ majtë, që ka qenë ky me bacën Adem. Prej atëherëshit m’ka futë në UÇK me forcë, me dhunë. M’ka kërcënu edhe s’kom pasë qare pa hi.” Tha, “Çu kundërshto,” thashë, “Jo nuk e kundështoj” tha, “po ta rëndon veprën.” Thashë, “O ky o i martumë, o babë i fëmive. Sot le t’e lëshojnë. Krejt kam me bajtë se une e kam vëlla. Une nuk çohna këta me kundërshtu. N’koftë nevoja edhe burgun e tij une e baj, se une s’e la kërkon keq. Fëmi s’kam te shpia, ni trup njeri, ku rafsha e mos u vrafsha.” Thashë, “Baci Adem e ka përdorë, shpesh e përdorë këtë shprehje. Edhe baba jem ka edhe çika edhe djem boll, une e kam zgjedhë rrugën tem, une duhet me kry deri n’fund”.

Kah jemi shku gardienja, kah m’kanë çu n’burg t’Lipjanit t’u m’kërcënu e t’u m’thonë, “Ti për Kosovën Republikë a? Ti për Kosovën Republikë? UÇK?” Edhe une hiç s’bajsha za. Kur m’kanë çu n’Lipjan mrena, e m’ka futë n’dhomë, o shku ka bisedu me gardiena atje edhe menihere naltë u ngjitë edhe m’ka nxjerrë edhe m’ka qitë m’ka shtreh n’korridor. “Kjo,” tha, “osht’ për Kosovën Republikë” (qeshë). Çka me bo? Edhe qështu…

Tani, edhe pse u dënova, prapë maltretimet kanë qenë t’njejta, s’ka pasë asnji dallim pse ka qenë dënimi…

Kaltrina Krasniqi: Sa ka qenë?

Zahrie Podrimqaku: U dënova katër vite edhe shkalla e dytë, edhe pse avokati e bani ankesë, prapë domethanë, asnji ditë s’ma hoq. Veç m’erdh e vërtetume i njejti vendim i gjyqit kështu që, n’momentin kur… po gjatë qëndrimit n’Lipjan, rrafsh tre ditë, n’kohën ma t’ftoftë domethanë shtatori, tetori, nandori m’kanë çu, me fmi kom nejtë n’beton pa dritë, pa dritare. Para se me dalë n’gjyq ka qenë rasti. Edhe aty, ka qenë qaq ftoftë, me do batanije si t’kuajve që i mlojnë, qasi. Me trenerka bijsha veshë, krejt me rroba qysh isha veshë edhe me ato, edhe s’ia lejke qaq ftoftë. Prej s’ftofti, kisha dhimbje shumë t’mëdhaja, m’kapi reuma edhe m’u çu ni lemzë. M’u pat bo si sëmundje, shumë kompleks, kom mendu që m’jet për gjithë jetën, po m’u hoq, m’u eliminu. Kur shkova n’Pozharec, m’u eliminu.

Kaltrina Krasniqi: Kur keni shku n’Pozharec?

Zahrie Podrimqaku: Me 10 qershor në ‘99-tën. Edhe këtu tani, mas tre mujë dite, kur jom dalë, m’u kishin pas skuqë sytë krejt mrena gjak se ka qenë krejt terr. Domethanë, s’ka pasë hiç dritë edhe ftoftë n’podrum, veç gardienet kur vijshin me m’a pru bukën edhe s’ke pasë tjetër aty. Kur filloi me m’ngucë lemza, që shumë m’ngucke, ka qenë qeky Dastan Thaçi, ka punu, i thojshin ‘vesheraj’ aty n’burg, ku pastrohen aty rrobat e burgut te lavatriçja. Edhe me siguri ky ka qenë tip i lirë kështu, i denum me shkallë t’dytë e krejt t’përfundume, edhe shkurt e trup ka pasë pare, kush ka dashtë me bo marrëveshje me ta, ka depërtu ma lehtë. Po une s’kom dashtë marrëveshje me ta me bo kurrë. E kom trajtu si armik, edhe m’kanë trajtu taman si armik (qeshë) edhe aty.

Edhe ky folke për dritare, e nijsha t’u i thonë, kur m’ngucke mu lemza, thojke, “O gajret bre, se gati, gati, dulëm. O gajret bre” bojke. Kur m’nxorrën prej vetmisë, se u afru koha, këta me siguri e kanë pasë ma heret kohën e gjyqit kur kom me dalë, edhe për me m’çu n’gjyq, kur m’çunë n’dhomë, n’mëngjes po vjen… u kanë ni Danica, plakë, ni gardiene. Po ajo mu rrehë s’ëm ka kurrë, hiç. Bërtitë e kërcënu kështu po, po kurrë mu me m’ra asnjihere, prej t’gjitha gardieneve t’tjera, ajo mu ra s’ëm ka asnjihere. Edhe, po thotë, erdh, p’e çelë, e kish pasë ajo renin dhomën me pastru. N’burg që e pastrojnë me ren aty objektin t’burgosnet femna dhomat me ren, edhe po thotë, tha, “Hajde dhoma juj e ka renin me fshi sot” po ia u bonë atyne. Ish Mevlude Saraçi, ish nji Kumrije Vocaj e Mitrovicës, ka qenë e smutë si psiqikisht, si… ma shkurt, ka qenë tip i qetë kështu, po kah nji moment u bajke agresive.

Edhe tash s’di edhe cila ka qenë prej femnave aty, ma shkurtë, na tria kemi qenë. Veç t’zijtë e syve m’u doke veç pak. Edhe ato bile prej vetmisë, kur m’kanë hjekë ka intervenu nji Lumturije Ferizi, ka qenë për firmë. Kish qenë n’humbje firma, ka qenë njo nji mujë n’burg, e ka pasë avokat Azem Vllasin. Edhe ajo… ky Azem Vllasi mirret me drejtorin e burgut edhe kjo ka intervenu te Azemi me hekë qat vajzën e Drenicës prej vetmisë se, “Gjynah, veç ato e maltretojnë edhe e mytën.” Thotë, “O shumë e re e po m’dhimet.” Edhe po, se m’patën pytë, tha, “Çka e ki ti Azem Vllasin?” Thashë, “Kurgjo.” “A e njeh?” Thashë, “Veç n’televizor e kom pa.” Thashë.

Po tani ma rroki që Lumturija, kah kanë pastru gratë n’vetmi, o ardhë ma ka çelë edhe m’ka thonë, “Veç n’kofsha gjallë, pa intervenu me t’hekë prej ktuhit, kurrë s’e lo.” Edhe tani, qato, se kur m’hoqën m’pytën. Kur ma çelën derën prej vetmisë m’pytën, “Çka e ki Azem Vllasin?” thashë, “S’e kam kurgjo.” “A e njef?” “Veç n’televizor e kom pa, kurrë tjetër.” Edhe aty e morra vesh që ai ka intervenu.

Tani e kom kry gjyqin aty, masanej Mevliden e lirunë. Po nuk m’kujtohet rasti, n’janar m’doket të ‘99-tës e kanë liru… a e kanë liru n’fund t’nantorit të ‘98-tës, nuk m’kujtohet rasti kur e kanë liru, veç e di që u kanë bo borë si skllotë, qështu, me shi ka ra kur e kanë liru Mevliden. Edhe meta n’dhomë unë veç me qit Kumrijën qito t’smutën. Po edhe ma heret kur jem shku, n’momentin kur jom shku, pak kohë kom metë me Abetaren. Tani, Gjyke Memaj e kom pasë n’dhomë.

Masi u liru Gjyka tani e kom pasë ni serbe. Jo, Gjyken e paskan qitë n’dhomën tjetër, para se m’u liru, edhe ma kanë pru ni serbe n’dhomë. Domethanë, ni kohë t’gjatë kom nejtë me qit serben që kish qenë për vrasje e kish pasë mytë ni Asllanin, ni plak t’Ferizajit. Këta e kom pasë une n’dhomë. Edhe përmes kësaj boll m’kanë maltretu gardienet. Po, edhe masi shkoi Mevlidja, përmes qisaj Kumrijes. E shtijshin këta për me m’thanë se “Si t’flejsh ti, une kom me t’furrë.” Edhe kjo tash… kishim vizitë na, kjo s’kish kurrë, e kish pas mytë vllaun e vet me mashë kur ka qenë fmi e mitur, edhe tani e kanë pru aty. Edhe ka mbetë aty, e familja mo s’ka pranu me marrë.

Tash ato manipulojshin me to. Çdo herë t’u manipulu edhe po m’thotë ajo mu, tha, “Si t’flejsh, une kom me t’furrë.” U dashke m’i dhanë me hangër krejt vizitën çka ma bijke baba, me portokaj, me molla, çka kisha, veç me marrë me t’mirë ato. Edhe ni rast, m’hini ni menje e keqe edhe thashë kjo osht’ bugulinë, budallë, kjo nuk din edhe ato po punojnë me to, p’e përpunojnë. Edhe t’ flejtë me kasavet e kom pa andërr, “Ti po don me m’furrë.” Kom piskatë.

Edhe rasti tjetër, në ni rast qikjo Nadica e shtyn ato me m’ngucë edhe une i rash ni shuplakë. Po t’kallxoj t’drejtën i rash se s’mujta me përballu edhe iu kërcënova. Edhe n’ato [momente], ka ardhë ajo edhe ma ka pru fletën mu, “Shkruje që e ki rrehë.” Unë s’e pranojsha, “S’osht’ e vërtetë që e kom rrehë.” Edhe s’e pranojsha që e kom rrehë. “Shkruje!” Bre n’atë anë, bre n’këtë anë, “Shkruje!” Hiç nuk pranojsha me shkrujtë, edhe m’nxuni m’maltretoi tani qikjo Nadica. Edhe s’lashë gja pa i thanë, i thashë, “Ti a ki fmi? A ki…?” Pata ndëgju që e ka nji fmi me t’meta n’shpi, edhe kur ia kom përmen i ka ardhë shumë shtirë. Thashë… edhe këta te fëmija, janë goxha t’ndijshëm serbët kur t’i prekësh. Edhe shkaku i saj, t’u punu me to, me qit Kumrije Vocën, domethanë m’kanë maltretu përmes sajna.

Kaltrina Krasniqi: Mandej ndodhën bombardimet e NATO-s.

Zahrije Podrimqaku: Po, tani…

Kaltrina Krasniqi: A keni qenë n’atë kohë n’burg?

Zahrije Podrimqaku: Tani kur ndodhën bombardimet e NATO-s, mu m’shtinën në ni dhomë me Iliriana Jahën. Iliriana Jaha edhe ajo ka qenë për vrasje, edhe ajo ka qenë bashkëpunëtore me to. Sa që gjatë qëndrimit une, n’burgun e Lipjanit, këta serbët sa mujshin plaqkitshin bagëtitë nëpër familje shqiptare. Plaqkitnin domethanë pulat, gjelat, zogjtë, gjithçka plaqkitnin aty. Beso, u nijshin gjaja, lopët t’u u gërvatë, sikur insan iu shkojke e gërvamja. Edhe këto, qikjo Vera me qit Ilirianën, shkojshin, edhe nji zojë e re që ka qenë për vrasje, edhe ajo burrin e kish pas vra. Ka qenë ni tip kriminele, muj me thanë shlirë, edhe tha me plot përgjegjësi. Asnji trohë mëshirë s’kishin ndaj neve që ishim shqiptare. Këto shkojshin, mirrshin lopët, gatujshin n’kuzhinë për serbet, që serbet shkojshin nëpër zona t’luftës n’Drenicë e nëpër fshatëra tjera, n’Shtime e n’qytete tjera prej atyhit ku u strehojshin e flejshin ato.

Edhe gjatë këtij rasti ato ju thojnë se edhe Zahrija osht’ e nji familje, ju përket familjes t’madhe, ka pasë lopë edhe dhenë n’familje, babgjyshi i vet, edhe Zahrija s’ka punë që nuk din me kry. Edhe këto vijnë e tentojnë, qikjo Sladjana me Nadicen tentojnë me m’çu me shku m’i mjelë lopët edhe kategorik me shku, une nuk pranova. Thashë, “Muni me m’vra, muni me m’mytë, se nuk jom ardhë une me ju shërby juve.” Edhe nuk pranova me shku.

Tani gjatë bombardimeve unë jom kanë n’dhomë me Ilirianën. Ditën e bombardimeve kur ka ndodh me 24 mars, 1999. Po atë ditë n’mbramje domethanë, fillojshin bombardimet. Para se me u terru n’kohën e masditës, prej dritare n’largësi, se me u afru s’guxojshe hiç, po e sheh që kjo Iliriana e prunën nji vajzë t’re, flokë kaçurrele. Domethanë osht’ nji Dhurata Berisha, gazetare që e kishin nxanë n’zonë t’Llapit. Edhe ia marrin me aparata me çka ka pasë, kjo inçizime krejt edhe e bijnë drejt aty. Kur e prunën n’burg t’Lipjanit, atë natë aty, e kanë çveshë me tona rrobat, krejt qysh e ka ba nana e vet, edhe e kanë maltretu fizikisht qaq randë sa s’un e merr me mend. Edhe u ndëgjojke nalt krejt se muri i hollë akustik, krejt u ndigjojshin bisedat. Ato thojnë, “Edhe muri ka veshë n’burg, edhe sy.” Edhe tash mas maltretimit t’sajna p’e pysin mbikqyrësen, ni Liliana ka qenë mbikqyrëse e burgut aty serbe edhe p’i thojnë, “N’cilën dhomë me dërgu kit terroristen?” Tha, “Çoje n’dhomën ma t’rrezikshme, ti e din te terroristja tjetër.” Për n’dhomë tem.

Edhe e prunën n’dhomë me mu edhe me Ilirianën. Atë natë Beharja ish n’gjendje t’randë, e kapi temperaturë e ethe, e maltretume qaq randë sa s’un e merr me mend. Në çdo moment nga frika thojsha mos po jep shpirt, mos po vdes n’burg atë natë. E pytsha, “Behare, si je?”

Kaltrina Krasniqi: Beharja a Dhurata?

Zahrije Podrimqaku: Kjo Dhurata. “Dhurata, si je?” “O keq,” tha, “jom Zahrije, edhe u mërdhina”. Kjo ka qenë veç me ni pigjame edhe krejt e çveshun edhe e zbathne që ia kanë marrë t’gjitha rrobat që ia kanë la, veshun vetëm qajo pigjame veshë. Aty i thashë, “Prit se une i kam dy parë pigjame veshë” se u dashke m’u veshë trashë për m’u mbrojtë pak prej pendrekut. Domethanë shufra e gomës me ra… kur t’bijke n’rroba t’holla edhe lëkurën t’a hiqke. Edhe… unë e dijsha që n’sy halë për maltretime, sa here ata dojshin me ba qef, ata m’kishin mu. Nuk kishin femna tjera. Se s’i maltretojshin femnat tjera.

Edhe, para Dhuratës, kom harru me cekë rastin, po këtu po du me kry te Dhurata. Ia dhashë pigjamet edhe i veshi, edhe atëherë dikur ma vonë t’u e pytë rregullisht s’më merrke gjumi. Edhe p’i thomë, “Dhurata, a je mirë?” Tha, “Zahrije, jom ngrohë qitash, m’ke pështu me pigjame.” Edhe këtu, para Dhuratës ka ardhë Shaha Isafi e Gjakovës. Sot osht’ police n’Gjakovë. E kam nji shoqe t’mirë që osht’ shumë shoqe besnike edhe ka qenë e guximshme. Edhe na tregoi që na e kishum t’dijshme natën kur kanë me fillu bombardimet, domethanë se gratë t’u e fshi t’dhomës t’sajna që iu ka tregu ajo edhe thotë, “Jem fitues, çështja e Kosovës shumë mirë po shkon. Kanë hy t’hujtë këtu edhe bombardimet kanë me fillu me datën 24. Domethanë datën veç e dijshum kur kanë me fillu, se na njoftoi Shaha. Edhe atë natë n’burg kur kanë fillu bombardimet, t’gjithë policia me çka ka fillu personeli, komplet me gardiene me t’gjitha, krejt kanë kqyrë me gjetë bira t’minit ku m’u futë n’to (qeshë). Jonë hi nëpër podrume t’burgut. Edhe na i kanë mbyllë dyert neve a me shulë a me çelësa a me çka kanë pasë mundësi, na kanë lanë mbyllë.

Dhuratën, tani për çdo ditë, n’momentin qat natë, masi e kanë maltretu Dhuratën edhe e kanë maltretu edhe Shahën, Shaha Isafin. M’kanë qitë edhe mu, m’kanë maltretu, domethanë qat natë që kanë fillu bombardimet. Për çdo ditë gjatë bombardimeve që kanë pasë me m’maltretu mu, Dhuratën edhe Shahën. Falë Zoti, Dhuratës pesë ditë, domethanë deri t’premten nuk i ra ma shumë me nejtë se si gazetare, me siguri Kryqi i Kuq edhe ndërkombëtarët ndërhynë edhe e lëshunë. U lëshu ajo, veç që e kishum frikën, kurrë s’e kom pasë besimin që ajo ka mujtë me qenë gjallë. Thashë, si ka dalë prej burgut, dikun veç e kanë mytë, ose naj punkt, ose e kanë nalë, ose e kanë keqpërdorë. Edhe, Dhurata o tash n’Amerikë, m’vjen mirë që ka arritë edhe m’u martu, ka fmi. Komunikoj edhe me to.

Edhe mas daljes t’Dhuratës mu e Shahën na kanë maltretu rresht. Llogarit, këta s’kanë kursy edhe Igballe Xhafën që ka qenë shtatëzanë, e Ferizajit. Po ato nuk e kanë maltretu trupit, po, e kanë maltretu durëve se e kanë pasë frikën që ka qenë e regjistrume në Kryq Ndërkombëtar, prej Kryqit të Kuq Ndërkombëtar që osht’ edhe shtatëzanë edhe… Po edhe asaj durëve ia kanë dhanë disa shufra. A mu edhe Shahën, rregullisht dy javë ditë kurrë pa u nalë. Beso, deri sa ka ardhë ekipi i burgut me drejtorë, edhe ka hi n’tana dhomat. Mu m’vjen keq prej atyne që i kam kolege edhe n’përgjithësi prej femnave pse nuk e kanë t’gjitha femnat guximin edhe me tregu realitetin. Hyn drejtori, ku me ditë, ka qenë me naj delegacion që e ka dërgu, e ka vizitu burgun e sene, “Qysh po kaloni?” “Mirë.” “Qysh po kaloni?” “Mirë.” “Qysh po kaloni?” “Mirë.” Kur ka hasë te dhoma jem, kur ka ardhë n’dhomë tem tha, “Ça i keni punët, qysh po kaloni?” Thashë, “Qysh ‘Qysh po kaloni?’” Thashë, “Pse a s’pe din ti a? Me urdhnin tand na jem t’u u rrehë sikur lopët.” “Une,” tha, “s’di kurgjo.” Ai serioz, i qetë, “Une s’di kurgjo.” Thashë, “Ti s’din? Asnji punëtore e jotja pa urdhnin tand nuk guxon me i sjellë t’burgosneve me ligj.” Thashë, “Urdhni yt osht’ ky. Ti je ai që po na maltreton, vjen na shet men, ‘Qysh po kaloni?’ Se s’pe din ti. Ti e din çka hamë, ti e din çka pijmë. E din edhe sa herë n’ditë maltretohem”.

Nuk kishin ato… si u bajke fiks ora dymdhetë, e lshojshin magnetofonin n’kupë t’qiellit, zanin që kishin me ia lëshu, edhe kah katër-pesë veta m’u ngjitën edhe m’nxirrshin mu edhe Shahën. Se, Dhurata iu shpëtoi falë Zotit, boll e kanë munu, boll e kanë maltretu n’durë… po na ishum aty.

Kaltrina Krasniqi: Mandej me përfundimin e bombardimeve, çka ndodhi?

Zahrie Podrimqaku: Edhe tash prej momentit kur ke drejtori me qat ekip, nuk jam në ngjarje kush ka qenë ai ekip që ka dashtë me na vizitu edhe që u deklarova qështu, mo na i kanë nalë maltretimet. Edhe sot Shaha m’falemnderon, thotë, “Re ti… se te une… këto thanë, ‘Mirë’, unë çka me folë, kur thanë ‘mirë’ koleget e mia?” Kur tash t’rrehet kolegja edhe ti t’mos hangsh maltretime fizike, psiqikisht normal që edhe ti maltretohesh. Barëm tregoje realitetin, po jo, nuk guxojshin. T’jes mirë me serbët edhe t’shpëtoj vet. Kjo osht’ shumë e keqe, se kur je i lidhun si grup, je ma i fuqishëm, edhe aty s’un t’then kërkush. Po edhe aty kish… edhe burgu nuk ish i njejtë për t’gjithë. Se dikush pe kalojke kështu burgun {kërset gishtat} pa e hongër asnji shuplakë, pa u kërcënu prej kërkujt. Po dikush… p’e lajke për t’gjithë, e une e kom pasë atë fat.

Edhe… me 20 prill, po me 20 prill ka ardhë, e kanë pru doktoreshën Flora Brovina n’burg. Edhe aty kur e kanë pru, doktoresha ka qenë poshtë n’intervistë. N’momentin kur u ardhë Sladjana Arcic edhe e ka hapë derën te une tha, “T’ka ardhë ni kolege e jotja,” tha, “a e njef ti?” Thashë, “Nuk e njoh.” Tha, “Doktoresha Flora Brovina, qysh ti s’e njeh?” Unë e njofsha, po asaj s’ia boja me dije që e njof.  Se une me njoftë e njofsha, e kishim pasë qysh n’fillim kur e kisha fillu veprimtarinë ajo ka qenë në nivel qendror, kryetare e grusë e Forumit të Lëvizjes Demokratike në atë kohë.

Edhe tash, aty, e prunën doktoreshën, unë isha n’dhomën numër nji, ato e futën n’dhomën numër dy se na i ndrrojshin dhomat. Na ndrrojshin edhe… s’të lejshin, si e shihshin që ki muhabet me ni kolege, s’të lejke, sidomos mu, hiç. Ose ma shtijke atë shkinën, ose qat t’smutën. Unë kurrë pa njonën ose pa tjetrën s’kom nejtë n’dhomë. Vetëm momentin ma t’mirë n’dhomë e kom kalu kur e kom pasë Gjyke Memaj kur, dometha, isha me Beharen n’fillim. Kur shkova, tani masi e prunën Gjyke Memaj, nanë e pesë fëmijëve, amvise, erdh n’dhomën tem; Beharen e qitën n’dhomë me Mevlyde Saraçin. Edhe aty… m’kujtohet ai rast kur u hi kjo, e kishin pas maltretu se vllaun e ka pasë ushtar këtë… Muharremin, emrin e ka vllau i saj, pseudonimin ‘Giça’ e ka pasë. Ka qenë n’anën e Deçanit atje, se kjo n’Zhur osht’ e martume, familjen e ka t’Junikut të Deçanit.

Edhe… kur u ardhë, kur e ka shti n’dhomë gardienja, u ngrita n’kamë edhe e prita n’kamë. Tash, e ka mbyllë derën gardienja e kom ulë n’tavolinë, kisha lang t’vizitës prindi që m’bijke, langje. E qita langun përpara, e qita kutinë me keksa përpara, “Ha,” thashë, “se noshta je untë”. E njoftova, unë jom qikjo, qikjo, “nji veprimtare, jam vajzë, kom punu qështu për qato jom n’burg.” Edhe p’e pys kto, “A ke punu n’aktivitet?” “Jo,” tha, “veç për shkak t’vllaut se m’kanë pa t’u u enë me vlla, m’kanë marrë.” E u mërzit, i kish lanë fëmitë te shpia. Munohu me i dhanë gajret qashtu, i pata thonë, thashë, “Hiç mos u mërzit motra Gjykë, ti për nji mujë ditë ki me dalë prej ktuhit. Ti je pa faj, ti kurgjo s’ke punu, edhe ty t’lëshojnë” (buzëqeshë).

Edhe tash dikur u qetësu, pe kqyrë dhomën {inspekton dhomën} tha, “Qiky osht’ burgu a?” thashë, “Po.” Thashë, “Pse qysh e ki mendu ti burgun?” tha, “Kom thonë n’burg m’çojnë me naj dhomë t’terravt. A qitu flejmë, n’qita kreveta?” I shihke krevetat me çarshafa t’bardhë edhe t’ngrehun ding kështu, qysh i rregullojnë n’burg, s’të lojnë ndryshe me i rregullu. Edhe tash tha, “Po këtu koka si n’spital” (qeshë) e këtu ma ka qitë gazin, kurrë s’e harroj atë rast. “Këtu,” tha, “koka si n’spital” (qeshë).  Thashë, “Si n’spital, po pak ma ndryshe, se n’spital s’të rrehë kërkush, e këtu ki kujdes.” Thashë, “Veç me folë mos fol, edhe ti je nanë amvise, ty s’të ngucë kërkush, besoj se s’kanë me t’rrehë.” Edhe kaloi mirë, nuk e maltretunë. Qajo Lumturia që dulë, ia gjet avokatin. Burrin n’Zvicër, pare ka pasë, e nxorrë burri i vet me pare. Kështu që unë jom gëzu kur u shku ajo prej shpije, veç për hir që ka qenë nanë e fëmive.

E kom pasë edhe Fatime Boshnjakun, ka qenë profesoreshë e anglishtes, edhe këto n’dhomë e kom pasë. Po, nuk e lanë shumë se e panë që e kombinojmë mirë. Se ajo ish intelektuale, e kuptojke jetën tem edhe une ato po, e Gjakovës. Edhe kemi kalu mirë, po na lanë n’kohë t’shkurtë, me thanë, krejt nji mujë… nji mujë e gjysë na kanë lanë. Edhe, në ni rast u koqitë ajo, i pata thanë, “Profesoreshë, ki kujdes se ti je… masi je veprimtare e “Nëna Terezës”, nuk t’maltretojnë fizikisht. Masi n’Gjakovë s’të kanë maltretu kur t’kanë marrë, sikur mu që m’kanë maltretu në ‘92-sh, edhe ktu e kalon mirë”. “Jo,” tha, “ligji osht’ qështu.” Ajo e njofke serbishte mirë edhe thashë, “O profesoreshë, këtu nuk ka ligj. Këtu po t’thomë, këtu ligj s’ka. Kjo osht’ kohë e luftës. Ky o’ burg i luftës. Këtu ligj s’ka”.

Edhe nuk di çka, hasi diçka me gardienën i tha, “Ligji osht’ qështu.” “Ligji a?” “Po!” Edhe e patën qit e patën rrehë kogja shumë. E ajo e vjetër, edhe kështu e dobët prej shëndeti e m’u pat dhimtë shumë. Tani kur e maltretunë ma hoqën prej dhome, e qitën n’dhomën tjetër. Edhe ajo i ka majtë dikun gjashtë mujë, a shtatë. Qashtu motra Gjyke i ka majtë dikun nja tre mujë, a katër, nuk kanë majtë shumë. Mevlydja qashtu i ka majtë gjashtë mujë, mo Mevlyden e kanë lëshu pa gjyq pa krejt. Me këto bojsha hajgare, “Hajt se ti je e LDK-së, ty t’lëshojnë pa gjyq” (qeshë). Edhe nime qashtu i erdh puna. Edhe aty me maltretu s’e kanë maltretu edhe Mevlyden. As ajo nuk osht’ maltretu.

Kështu që, me 10 qershor neve na kanë çu për Pozharevc, atë ditë pa na tregu se ku po na dërgojnë. Na kanë çu heret n’ora pesë t’mëngjesit, edhe na kanë qitë n’korridor, na kanë lidhë durtë me sigjima [konop i hollë], t’gjitha femrave. Edhe prapë na kanë futë n’dhoma. Tha, “Dojmë me ju hekë prej ktuhit” po nuk tregojshin ku. Këto dyja që shkojshin, punojshin n’kuzhinë, trijat, Vera, Zoja edhe qikjo Iliriana, këto e kishin marrë vesh aty n’kuzhinë, edhe thanë, “Po na dërgojnë n’burgun e Pozharevcit”.

Atëherë, na t’u nejtë qashtu, t’u pritë… prit, prit, prit, durtë lidhë edhe çka bona une, kishim nevojë me dalë n’toalet. Na toaletin n’dhomë e kena pasë. Aty e ke pasë n’dhomë, kantë t’plastikës, t’mushët me nji pjesë t’ujit n’fund. Aty ke pasë me i kry domethanë me urinu… t’gjitha, me i la durtë për me hangër bukë aty, krejt çka ke pasë, aty i ke pasë. Qysh jena mundu vet me e majtë pastërtinë, jo me i qitë shampon t’flokëve mos me i ardhë era aty, jo u munojshum n’forma për me majtë pastërtinë për veti ku ishum.

Edhe tash, këto, “O kuku, qysh me…?” Edhe i kom zgidhë durtë e mia. Ma s’pari e kom nxjerrë dorën, i kom nxjerrë t’miat, e kom lidhë sigjimin ku muj i shti durtë edhe i hjeki kollaj. Edhe ia kom lidhë shoqeve që i kom pasë n’dhomë qashtu, n’qat formë. Edhe i shpëtova ato edhe veten. Thashë, “Qitash kur t’i nini shkallët t’u rrumbllu, ose për nevoja t’juja hiqne dorën. Kur t’i nini shkallët veç futne dorën mrena.” Edhe na u lirumë atëhere, se po metëm shumë keq me durë lidhë.

Kur jemi nisë për Pozharevc, kah na kanë renditë ren, t’parën m’kanë qitë mu edhe pse ka qenë doktoresha Flora Brovina ma e vjetër, t’parën m’kanë qitë mu. Mirëpo, doktoresha ka qenë si humaniste, ndryshe, trajtim tjetër ka pasë. Për shembull, e ka pasë vizitën t’rregullt edhe n’Lipjan vizitën e rregullt, edhe n’Pozharevc.  Çdo dy javë i ka ardhë burri, t’gjithë n’vizitë. Ka qenë n’informim për familje i ka shpëtu… ku e ka pasë. Na s’kemi ditë… me 5 mars të ‘99-tës kur na kanë ndërpre edhe na e kanë ndalu vizitën, mo s’kemi pasë as s’kemi ditë sen. Une bile kom mendu për babën tem, thashë e kanë vra rrugës edhe mo s’ka kush vjen. Vllaun, e di se e kanë kërku, Arsimin. Se m’ka ndihmu shumë edhe m’ka përkrahë shumë gjithkun. Ata e kanë lypë këmbëngulës, Arsimin, e dijsha që ai s’guxon me marrë rrugën për Lipjan se ata ma s’e kanë dashtë me shti n’dorë ato, po s’kanë mujtë me nxanë.

Edhe, po du me cekë ni rast që osht’ shumë me rëndsi. Gjatë qëndrimit n’burg t’Lipjanit, para se… masi jom dënu. Edhe… jo, para se me u dënu ka qenë. Daja i babës tem, Adem Bytyqi, e çon djalin e vet, e ka ni djalë n’Zvicër edhe çon qit Mehdi Bytyqin, domethanë kushëri, t’dytë bashkë, n’Krajkovë te baba jem edhe i thotë, “Thuj Ramës, ki sa t’dush pare veç me nxerrë Zahrinë prej burgut.” Edhe tash po m’thotë baba n’prezencë t’gardienve aty. Ish ni polic se kur vijke vizita, që ishin mashkuj dikush prej familjes, vijke nji polic edhe gardienet femna. Edhe po m’thotë n’prezencë t’policit aty, tha, “Daja Adem m’ka thonë veç çoje nji njeri, paret kurrë s’ki nevojë me m’i kthy edhe me nxjerrë Zahrinë prej burgu.” A din çka i kom thonë babës tem? Thashë, “A din çka po t’thomë une ty babë? Falemnderit që je ardhë me m’pa, po t’kom thonë nji qind herë mos hajde se me bo m’u vra këtu vllaznia, motrat e tua, me na u vra vllau sherri teje,” thashë, “kështu, unë e kom zgjedhë rrugën tem edhe këtu po du me nejtë, edhe këtu nuk kom ardhë me bo pazar me shkije.“ Thashë, “Ndëgjoj që nji cent ia jep serbit ti për mu,” thashë, “t’je metë pa pare, t’je metë edhe pa vajzë”.

Une edhe avokatëve kur jonë ardhë n’vizitë ju kom thonë, “Keni kujdes, unë kom kontribu, kom punu për popull, edhe s’du me m’i marrë babës ni cent me përjashtim ato mjete çka ju shkojnë juve për shpenzime t’rrugës. Se jo qysh marrin avokatët pare.” Edhe s’kom pranu m’i dhan pare kërkuj. Edhe që kesh t’u t’thonë, thashë, kur na kanë nxerrë prej dhomave, me na hypë n’autobusa për Pozharevc aty, po thotë, “Hajde Podrimqaku, prij e para.” Edhe kah jena dalë na, ka qenë ushtria e tyne komplet me uniforma ushtarake, edhe policë në njonën anë, na përmes tyne kena kalu. Edhe aty na ka kqyrë mrrolt nji serb n’uniformë ushtarake, ushtar i Serbisë. Edhe ka thonë, e shajti ligjin tha, “Se une e di çka ju kisha ba ktyne.” Kemi hypë n’autobus, i kanë hypë n’autobus me femna edhe nji pjesë t’burgosun që kanë qenë t’lidhun me fasha. Domethanë, t’plagosun edhe plaga dove pa pastru ju kish pas marrë erë, e n’gjendje shumë t’ranë. N’fund t’autobusit ata, na femnat t’gjitha ma përpara.

N’autobus tonë ka qenë edhe Enver Sekiraqa. Ai komunikojke me Afërdita Zekën, ka qenë e Vitomiricës n’burg me neve, po këto s’e kanë maltretu kurrë serbët n’burg, hiç, hiç, hiç. As kërcënu, as maltretu as hiç. Se e kish pasë nji dajë t’babës, domethanë spiun i Serbisë ni Adem Mujën edhe babën e kish pasë shumar[1]. Bile une, kur e prunën n’dhomë me mu, p’e flet gjuhën serbe në gjuhë letrare. Edhe p’i thomë une, “A p’i njef ti këto, shoqe i ki a?” T’u mendu une që kjo po njifet, qaq lirshëm që folke me gardiene. Tha, “Jo, nuk p’i njof, po p’e njof gjuhën.” Thashë, “E ku e ki msu gjuhën?” Tha, “Kena malazezë kojshi e boshnjakë e…” mirëpo, ajo e kish pasë edhe motrën t’martume për boshnjak, po nuk tregojke. Masanej e pata marrë vesh, masi dola prej burgu. Kur shkumë n’familje t’saj, p’e nij n’serbisht t’u folë djalin e motrës t’sajna. Pe pysë, “Çka o’ ky fmi? A i serbëve osht’ a?”  “Jo, i motrës. Osht’ e martume qitu n’kojshi për boshnjak.” Ma shkurt, e kish pasë familjen t’përzime me ta edhe ajo ka jetu si bos n’burg. Edhe pse s’ka pasë vizitë, ato nuk e kanë kërcënu kurrë. E kish pasë në mbrojtje edhe dajën e babës anej, shpiun i Serbisë UDB-ash, edhe qashtu…

Kështu që, n’autobus na kanë nalë me ni ven me pushu autobusat, në Nish me sa m’kujtohet aty. E n’autobus kish pasë edhe t’Drenicës. E une nuk i kom njoftë se djemtë krejt flokët e rrume. Edhe aty n’autbus jom çu kom thonë, “Unë jam e Drenicës,” thashë, “a ka naj drenicak këtu?” U çu nji djalë i ri po qe emni s’po m’kujtohet, i kam t’shkrume n’punë atje kush ka qenë n’autobus, me nji fletore. Edhe thashë, “Po ju njoftoj une kush jam,” thashë, “unë jam qajo vajza që kom punu n’Drenicë, i kom tubu paret e msusave nëpër shpia, se kom qenë n’Likoshan. A po m’njihni?” “Po, Zahrija.” Ata me emën “Zahrija!” (buzëqeshë) M’njoftën, po unë s’i njofsha se flokët e rrume edhe e kishin humbë atë fizionominë krejt prej maltretimeve t’rana që ia u kanë bo.

Edhe në Nish kur na kanë nalë gardieni serb i ka pru shishat me ujë. Tha, “Femnat me pi ujë, mashkujt kurrësesi s’ban me pi.” Edhe tash n’momentin që i ka shti shishat ai. Tha, “Qai që ju jep mashkujve, ka m’u nda keq prej neve, ka m’u maltretu”. Une e kom marrë shishen edhe thashë, “Une nuk pi ujë para mashkujve.” Thashë, “Merrne shishen, pini ujë edhe mos t’ia u nin, se une dha llogari për kto.” E vendosa, m’rrehën, m’rrehën, isha msu m’u rrehë, isha kalitë (qeshë). Edhe kështu që, aty kom rreziku edhe i kom dhanë mashkujve ujë, edhe s’i kom lanë pa ujë. Edhe sot kur takohem, ata e përmenin nëpër oda edhe m’falemnderojnë shumë (qeshë).

Kështu që, du me thanë, Enver Sekiraqa bisedojke me qit Afërdita Zekën edhe p’e kqyrë nihere se une e dijsha që rasti i tij, tregojshin që lëvizshin i fshijshin zyret edhe qikjo Vera, qikjo Zoja, e qikjo Iliriana prej Pejës, e tregojshin për to që osht’ [në burg për] përdhunim. Ai tetë vjet për dhunim i dënumë, edhe ato dhunim femnash shqiptare, ia u ka qitë serbëve, studenteve, i ka lidhë për radiatori edhe i ka dhunu. Qështu tregojshin n’burg tash. A ka qenë ngjarje… veç e di që për dhunim ka qenë. Edhe ajo folke lirshëm me to. Doktoresha Flora Brovina aty ka intervenu edhe i ka bërtitë Afërditës, “Pse po flet me to?” Edhe ai iu ka drejtu Afërditës edhe i ka thanë, “Kush o’ qajo mrrolaqe qatje që po m’kqyrë mrrolt?” Për mu.

Tha, p’i thotë Afërdita, “Kjo e Drenicës, drenicake osht’”. Pastaj na kanë çu n’Pozharevc, kemi mrri dikun kah ora dhetë, a nantë n’mramje, derisa na i legjitimunë krejt, e na kontrollunë t’gjitha me çka ka. Edhe aty, atë t’gjitha femnat që kemi shku prej Kosove, me t’burgosne politike, me këto ordinere, kemi flejtë me ni dhomë, kishin qenë plot kreveta, njo mi njo, domethanë, edhe kemi flejtë bashkë. Une edhe doktoresha Flora e kemi pasë krevetin afër. Domthanë, ka qenë rasti i dytë me Florën që jam taku. Nji here n’burg t’Lipjanit kur na kanë çu me pre pula, na kanë qitë me pre pula, aty jemi taku. Edhe rasti i dytë ka qenë n’Pozharevc kur kemi flejtë qat natë s’bashku.

Edhe mandej t’nesërmen këto që kanë qenë pa dënu i kanë çu n’paraburgim. Mu m’kanë lanë me këto, ka qenë kjo… qikjo që e lindi djalin n’Pozharevc, Igballe Xhafa. Edhe kom qenë me këto tri ordineret këtu. Domthanë, e vetmja kom qenë këtu si e dënume politike, tjerat, doktoreshën e çunë me këto vajzat tjera atje, me këto t’Shtimes, me Zyhrijen edhe me këtë tjetrën po ia harroj emrin qysh e ka pasë. Njona e ka pasë emrin Zyhri, tjetra Lejla e ka pasë edhe ato vajzat kanë qenë… edhe babën e kanë pasë n’burg, edhe vllaun, edhe ato i kanë maltretu shumë.

Edhe gjatë qëndrimit nji mujë ditë na kanë majtë me ni dhomë që u thirrke ‘Karantinë’ e thirrishin atë burg. Edhe këtë Igballen që ke shtatzanë e çunë n’qat objektin ku rrijnë shtatzanat. Domethanë e ndanë vetun atje, se ushqimin e ka pasë t’veçantë si shtatzanë prej Kryqit të Kuq që e kanë pasë.

Une kom nejtë tani veç me këto trija, kam qenë me qito tri ordineret n’dhomë ktu nji mujë ditë. Gjatë nji mujë ditëve, sa kom nejtë aty ka qenë nji gardiene Natasha me emën, kish qenë n’burg atje t’u punu. Kah tri herë n’javë…tri herë n’ditë që m’ka maltretu. Edhe ato maltretimet ka qenë tre a katër kilogramë çelësa, krejt t’lidhun trashë qëkaq t’burgut {tregon madhësinë me duar}. Me qata çelësa vijke, ma bijke mëngjesin, kur ma bijke drekën edhe kur ma bijke darkën që m’maltretojke. Edhe i shtijke ato punëtoret e kuzhinës se e lajshin bukën n’tavolinë. Ju thojke këtyne kolegeve t’mia ordinere që ishin, “Ulnu ju hani, kjo ka punë me mu knena.” M’shtijke n’dhomën tjetër edhe m’maltretojke me qata çelësa. Sa mujsha me u mbrojtë, mujsha. Bile, shpesh kam probleme me kokë… telashe n’shëndet. Edhe thojke, “Ty t’kanë ardhë informatat e këqija prej Kosove. Se ti je terroriste, snajperiste, ke vra policë”. Qështu…

Mas nji mujë dite ka ardhë Kryqi i Kuq Ndërkombëtar, edhe aty i kom tregu Kryqit të Kuq. “Qysh po kaloni?” “Shumë keq,” thashë, “tri herë n’ditë e kom orarin, tri herë n’ditë e kom orarin, tri herë n’javë”. Domethanë, saqë shqiptaret tona, edhe pse ishin ordinere aty, kur vijke dita që e kisha kohën m’u maltretu si orar, si terapi, maltretim fizik, thojshin, “Ça osht’ nesër?” Se kishin frikë që mos nuk p’e kujtoj une. “Çka osht’ nesër?” Po s’kishe çka ju ban. Edhe bindu, kur m’ka ra mas familjes n’Pozharevc që e ka angazhu avokatin, e kom pasë Hysni Bytyqin, ka qenë i Suharekës  po ka jetu n’Beograd, e kom pasë avokat. Edhe ai vijke edhe te familja kah edhe m’tregoi që, “T’kanë pshtu familja prej lufte.” Bile i kishin pasë qitë në Gjermani këta masi… edhe kur m’tha se i kanë qitë n’Gjermani ato n’prezencën e gardienës i pata thonë, “A ja u marunë qejfin shkaut, e e lëshunë Kosovën a? Paskan bo gabim shumë t’madh!” (qeshë). Edhe ma ka bo ai, “Shuj, shuj mos i ba problem vetit se… nuk kanë pasë qare, krejt populli,” tha, “janë dalë. Jo veç familja jote.” Tha,“I kanë qitë me dhunë, i kanë dëbu prej shpijave”.

Edhe… gjatë kohës sa kam qenë n’Lipjan, babën tem… kur ka ardhë n’vizitë te une, e kanë marrë, e kanë çu n’Prishtinë, e kanë lidhë tanë natën për radiatori, e kanë maltretu se “Pse ti p’i çon terroristës bukë?” Edhe n’familje kanë ardhë, ma kanë maltretu motrën, nanën ma kanë rrehë, grunë e axhës edhe gjyshen. Edhe babgjyshin ma kanë maltretu, për shkak temin që kam qenë n’burg. Edhe a e din çka i kanë thanë motrës? “Nuk po mujna Zahrinë n’burg atje, edhe na p’e nxjerrim hakun e Zahries”.

Kaltrina Krasniqi: Mandej n’vitin 2001…?

Zahrije Podrimqaku: Edhe Kryqi i Kuq u nxorrë prej qasaj që i thojshin karantinë. Mas asaj nuk m’kanë maltretu mo fizikisht. M’i kanë nalë maltretimet atë mujë. Veç që maltretime psiqike kom pasë boll se m’qitën me serbe me fjetë. Krejt serbe n’paviljon, veç une shqiptare. Kurrë e qetë s’kom mujtë me fjetë natën. U dashke me dalë, e ka pasë gati ni hekter burgu i Pozharevcit, u dashke me dalë me fjetë, m’u kotë n’bari me m’marrë gjumi ditën. E shtrojsha nji paketë për me mujtë me qëndru natën për me nejtë çutë, se n’çdo moment m’thojshin serbet, “Jo kena me t’mytë, jo kena me t’furrë”.

Në nji rast e nxuna nji serbe, m’kish pasë kotë gjumi edhe e nijsha parketin n’Pozharevc. Tash t’u kërsitë ‘krrap-krrap’ se parketi i rrallë, që e kanë la prej ujit edhe tash mu m’kish pasë kotë gjumi. Kur n’atë moment unë kom pa andërr që m’ka ngulfatë ajo mu n’fyt edhe…. {ilustron makthin} menxi m’ka dalë gjumi, ‘trrap’ ia nxuna serbes, dymdhetë vjet e denume ka qenë… dy durtë n’gjoks. Edhe p’i thomë n’serbisht, se e pata msu n’Pozharevc serbishten, e msova s’pata qare se e shihsha gratë e tyne përgatitshin lloj-lloj skenash për mu. Edhe u dashtë me msu, edhe ato…. as s’ëm lajshin libër, as s’ëm lajshin gazetë, as s’ëm lajshin kurgjo hiç, s’kom pasë t’drejtë kurgjo. Veç që tuj ndigju tuj folë, edhe t’u paramenu që qikjo fjalë p’i bjen kështu, kjo kështu, kjo fjalë kështu, qështu e kom msu serbishten n’Pozharevc.

Edhe n’Pozharevc, nuk e ceka aty, krejt grave ia u lanë rrobat, t’vetmes mu, rrobat m’i murrën komplet. Edhe m’lanë veç me uniformën e burgut me nji fund fustani, dathë pa qorapa. Bindu, qisaj zojë e re shqiptare, nantë parë qorapa i ka pasë edhe ato tona t’reja n’paketë, pa mathë. Jo këto ça i ka pasë t’mathta, po këto pa mathë nantë parë i ka pasë. Ia lypa nji parë qorapa ksi t’gjata, t’grave, t’mira që jonë t’kafta, të ktynehershit qysh i kanë ble gratë. Edhe… se nirthsha, ftoftë, nuk pranoi me m’i dhanë, s’mi dha se s’mi dha. “Jo,” tha, “se m’del problem prej gardienës.” Thashë, “Po une nuk e kam që m’i ke dhanë ti, i thomë m’i ka dhanë ni serbe, ose i kom pasë dikun, ose…” nuk pranoi me m’i dhanë, se s’pranoi.

N’ata, kur na kanë qitë jashtë, nji Hata Kurti kish qenë për vrasje aty n’Pozharevc, dikun dymdhetë vite e dënume, ajo m’tha, “A din me qepë?” Thashë, “Po.” Tha, “Po ta gjej nji gjilponë, po t’i gjej do hollohopke, janë t’çkyme n’fund, edhe do qorapa, po qepi edhe po t’i jepi.” Thashë, “More ti gjemi gjilponën edhe pejtë se une me qepë i qepi.” Tash i morra edhe gërshanët ajo m’i siguroi prej grave që kanë qenë t’dënume shumë aty n’paviljon.

Edhe i morra une, i qepa ato qorapë, i qepa ato hollohopke. Qorapat kanë qenë t’gjata deri këtu {prekë gjurin}, edhe hollohopket deri këtu t’gjata {tregon këmbën}. I kom veshë pastaj me qato, krejt kohën derisa u angazhu familja, edhe m’ka ra n’fije për avokatin, se s’kishin pasë ditë as që jom gjallë. Dikush, “Jo, e kanë qitë prej burgut t’Pozharevcit. Jo, e kanë vra n’forma t’ndryshme”. N’fund kur e ka angazhu avokatin vllavi jem, e ka marrë adresën e qitij avokatit në Këshill atje edhe u taku me to. Ai u ardhë prej Beogradit, u taku me vllaun edhe u ardhë m’ka vizitu. Beso, dikur tani e maltretunë fizikisht avokatin, e ka pasë nji djalë t’hastretit, nji vajzë, djali i hastretit edhe grunë.

Edhe tash aty, m’ka respektu shumë ai, shumë m’ka vlerësu. Edhe p’i thomë une, “Baci Hysni, mos hajde!” E kishin pasë maltretu nji kohë t’gjatë, nuk erdh hiç. Kur p’e shohë gazetën, tuj e pshtjellë nji serbe kantën e mbeturinave me to, p’e shoh fotografinë e tij. Thashë, “A ka mundësi qat gazetë t’e kqyri?” Kur p’e kqyrë, “Uh Zahrije, avokati yt koka.” Kur p’e lexoj, maltretimet e tijna, rresht qysh ia kanë ba, e kishin pasë maltretu ranë, sa që i kanë lanë për t’vdekun gru e burrë n’banesë e tani fëmia kanë intervenu, e Kryqi i Kuq. Edhe e marr ia shkruj nji letër atijna, ai n’qat gjendje, kur e merr letrën e lexon, i thotë djalit, “Çomë ta shoh Zahrinë” (qeshë dhe qanë).

Edhe tash, kur erdh te une, atje koftë, krejt kafkën {prekë kafkën} ia kishin pasë thy, t’lidhtë me fasha e kish pasë, edhe iu dridhke dora qështu {shkundë dorën}. Thashë, “Baci Hysni, koke shumë keq, mos hajde mo!” (qanë). Tha, “Për sa të m’rrehin damarët, për sa ma lanë këtë derë çelë, baci për ty edhe për Nait Hasanin, për ty prej femnave njo edhe për Nait Hasanin te mashkujt dy, unë kurrë nuk kam me u nalë,” tha, “se ju jeni taman shqiptarë.” Kështu ma ka përmendë. Mo tani, edhe qat rast, edhe s’ka mujtë me ardhë.

N’fund, po, edhe nji rast tjetër, po… paketën tani ma çojshin me postë gjithë, ai paketat m’i prujke. A e beson… paketa jem gjithë o nda, n’gjashtë vene sa u ardhë. Se dy i gjeta n’Pozharevc, shqiptare, që kanë qenë për vrasje. Njona për vrasje, njona e kish pasë shkelë me bicikëll ni serb edhe e denunë tri vite atje. Po gati kish kalu psiqikisht, a u paraqitke vet qashtu a, nuk e di. E u munojsha unë m’e përkrahë e me… n’vizitë nuk i vijke kërkush, veç paketën gjithë e kom nda n’gjashtë vena. Hatën… qat tjetrën ia kom harru emrin, që e ka shkelë qat fmi t’serbit që ka qenë e dënume tri vite, po ka qenë qikjo Zoja, Vera, Iliriana, qikjo tjetra e smuta e Mitrovicës Kumrije Vocaj edhe për veti. Për t’gjitha që i kom lypë avokatit grillonka për dimën, tona i kom veshë se s’kanë pasë asnjo prej familjeve t’veta.

Dikur verës, vonë i ramë prej Zvicre, tani motra ia çojke paketën, veç kurrë s’kom mujtë me hongër paketën veç për veti, ushqimin gjithë e kom nda. Se ushqimin unë mo nuk e kom hongër n’Pozharevc t’serbve, ka qenë me mish t’thiut, m’vijke gërdi me vjellë se qimja n’mish aty sikur tel edhe une jam shumë e ndishme n’organizëm, m’vijke me vjellë. Mirëpo, une pare kisha n’depozitë, m’çojke familja edhe marrsha… bijke qumësht, paketën qumësht pluhun taze. E marrsha tasin prej “Nënë Terezës”, Selim Leku që ia kish pasë dhanë babës gjithë për mu me ma pru atje.

Edhe tashti, e marrsha qumështin pluhur, e vlojsha edhe pare kisha, blejsha cigare. Unë duhanin s’e pijsha, po e pijshin serbet, krejt e pijshin aty. Tash, nji here n’javë na qesin speca fafarona n’kuzhinë, edhe nji here n’javë na qitshin tranguj. Tash une dy cigare, ia marrsha ni trangull serbes me dy cigare. Edhe i tubojsha trangujt, i marrsha, i prejsha edhe i shtijsha turshi. Turshitë për marak me tranguj. Edhe e nxajsha kosin me tharmë buke. E vjedhsha korën e bukës n’kuzhinë, se atje na kontrollojshin gjithë prej kuzhinës kur shkojshin n’paviljon. Po e futsha n’këtë pjesën ktu {prekë krahun} t’kmishës edhe tash kur i çojsha durtë kështu {çon duart horizontalisht} edhe korja e bukës shkojke nalt, ajo t’kontrollojke knena {prekë brijtë}.

E marrsha qumështin e vlojsha taman qysh nxinet kosi edhe i pata marrë prej Lipjani kantat. Edhe m’pat thonë gardienja, “Ça p’i merr këto me veti?” Thashë, “Ça p’e di ku na çojnë. A kena me çka m’u la? A s’kena. M’gjinden, s’i dihet çfarë rasti.” Se kantat me murmulladë e me këto ushqime që m’i bijke baba prej shpije kur e kisha vizitën n’Lipjan edhe tani m’patën metë ato, ato i morra me veti. Edhe m’tha shkina, “Lej, lej!” Po s’i lashë. Thashë, “S’i dihet për çka m’gjinden.” Edhe m’u gjindën mu për turshi edhe për ushqim.

Edhe si kesh tuj thonë, e marojsha… e nxajsha kosin, qumështin pluhur si e vlojsha, deri u ftofke pak, deri sa e shtijsha gishtin… u taman… ‘trrak’ korën e bukës, e mbyllsha. Kur u çojsha n’mëngjes kosi, nuk u lëkundke korja. U nxake kosi bukë. Edhe tash, qashtu me speca fafarona marojsha langun edhe i lejsha tona ato far kantat jashtë. Jashtë ka pasë pisha, burgu n’dytin kat, edhe ka pasë kit mrezhën këtu që nuk bijshin poshtë. Edhe i lajsha aty, e i mshefsha prej gardienës, se n’dhomë me t’u gjetë… ndryshe kalojshe. Edhe këtu, kur shkojsha n’kuzhinë, ni tepsi t’hallvës që ma çojke baba me tanhavëll, qasi t’thatë i qitsha dy-tri speca fafarona, pak lang, ni turshi, ‘trrak’ nërsjetëll edhe me qato e hanksha bukën.

Unë qështu krejt kohën n’Pozharevc e kom siguru. Ose ka pasë rast, qata mishin… slanin [sallamë] që i thojshin, mishin e thiut që i thojshin ato serbet, nuk e gjuj… ato ma lypshin, po unë nuk ia u jepsha pa diçka. Se kanihere na qitshin vezë për mëngjes ose pashtetë. Thojsha, “Bima nji pashtetë, merre mishin e thiut.” Ato për mish t’thiut, mentë i lijshin. Edhe i ndrrojsha ushqimet, ose kisha vizita prej shpije, tash gjana t’bleme çka ishin, ua marrsha pa problem se ishin t’sigurta. E bojsha ndërrim, edhe n’qit formë e kom siguru ushqimin atje. A buka, bukën nuk e gatujshin enkas veç për neve veçantë se i kishin 150 gra t’veta t’burgosne. Unë s’kisha pa kurrë, për herë t’parë, bile ia u pata bo thashë, kur m’thojshin që ki me nejtë qikaq vjet, thashë “Po nji mujë ditë vullnetare isha ardh veç me ju pa juve 150 gra, se unë s’kom ni kurrë n’Kosovë që shkojnë gratë n’burg kështu” (qeshë). A reja, me vjehërr, me çikë, me krejt për krime t’ndryshme.

Du me cekë edhe nji rast kur dikush prej femnave serbe aty n’burg, shtin diçka edhe ndëgjojnë përmes grave. Aty përcillet informata edhe ndëgjojnë që përmes vizitave ka shti dikush prej femrave… aty e përmendshin, s’po du me përmendë para kamere, njifar mjeti aty n’burg gratë. Edhe tash t’i hinën n’kontrollë krejt burgut. Kur i hijnë kontrollë krejt burgut, n’dhomë tem kur vjen gardienja, une mrena n’palë t’jastakut e kisha marrë e kisha çky prej gazetave serbe, fotografinë e Hashim Thaçit. Edhe isha kurreshtare me lexu, po tash jashtë nuk guxojsha. N’korridor s’guxojsha, hajt kur e gjej rastin me lexu, e lexoj n’dhomë tem ose kur jam vet, ose diçka.

Edhe aty pastaj… kur e gjetën fotografinë ato e murrën me veti. Domethanë, pas bastisjes komplet t’krevetave, t’gjitha femnave edhe t’krevetit tem, edhe e murrën atë fotografi. Kur e kanë kry bastisjen krejt, m’kanë thirrë poshtë n’zyre, edhe ato m’kanë çu drejt n’podrum. M’kanë shti m’u zhveshë, aty kom pasë ni frikë shumë t’madhe, thashë mos po ma bijnë kon për me m’dhunu. Rasti, kur ato veprunë ashtu, m’çunë n’podrum edhe po m’i tregojnë… ishin kanë do mjete kah t’burgosnit n’kohën ma t’hershme n’burg, n’kohën kur i kanë maltretu nëpër ato… edhe po m’thotë, “Qitu krejt shqiptarët nëpër qito far’dhe qet i kena maltretu nëpër qito mjete. Qikjo ta ban qështu, qikjo qështu, qikjo qështu,” po m’i spjegojnë edhe tha, “edhe ty kena me ta bo qështu.” S’e kisha frikën për maltretimin, atë fizik, e kisha frikën tjetër. Aty iu kom frigu thashë mos po ma bijnë kon.

Edhe aty, m’kanë kërcënu, m’kanë maltretu edhe jonë mundu kambëngulës me m’shti me shkelë fotografinë e Hashim Thaqit, edhe nuk e kom shkelë. A e beson, katër-pesë veta, ngreh n’atë anë, ngreh këtë anë t’u u mundu me m’shti me shkelë. Thashë, “S’e shkeli, osht’ simbol i Ushtrisë Çlirimtare t’Kosovës, edhe une nuk e shkeli”.

Kaltrina Krasniqi: A i ke ra pishmon që s’e ke shkelë?

Zahrije Podrimqaku: Jo, edhe sot me qenë n’burg, nuk e shkeli se secili njeri çka ban, edhe veprën e vet që e prishë, e prishë me punën e vet. Po e ndreqë, e ndreqë me punën e vet (qeshë). Qështu…

Edhe ni rast tjetër du me cekë, kur kam qenë shumë smutë, dikun shtatë ditë rresht sa që u aja. Edhe kisha dhimbje t’madhe, veshi i majtë edhe syni m’lotojke, lotët deri këtu m’shkojshin {prekë mjekrrën}. E dhimbje qaq t’madhe kisha, sa s’un e merr me mend. Edhe prej dhimbjes, shkoi m’u ajë trupi. U aja krejt, edhe meta edhe ratë. Edhe vijshin, edhe ditën edhe natën vijshin serbet, “A o’ gjallë, a jo?” T’u m’kqyrë, edhe s’ëm kanë çu te mjeku.

N’fund gjatë… problemin që thashë, smundjes që kom pasë, m’dulë krejt prej asaj smundje shtatë ditëshe, m’dulë ni alergji jashtë edhe m’u krujke trupi krejt, edhe gjak t’u u kru. Aty kanë reagu serbet. Presionin që e kanë ba për me m’dërgu te mjeku, serbet, jonë shku krejt gratë e paviljonit. “Na nuk mujna me pa n’ksi gjendje. Nuk po mujmë me hangër bukë prej saj, as kurgjo”. Se u bana me ftyrë e me krejt, zhugë. Alergjia m’dulë jashtë. Aty, kur m’ka dalë ajo si zhugë jashtë si alergji, ni serbe shumë plakë, diku 90 vjet kish qenë serbe, u shmangë prej shkinave edhe m’a ka bo, tha, “Pshtove, edhe mos ta nin, Kosovën e ki fitu. Prej smundjes i pshtove, se kjo osht’ alergji. Me t’pas pëlcitë mrena, t’kish mytë n’ven.            Kështu, pse je e ajne, e zhuga jashtë, hiç mos t’vjen mërzi. Edhe mos t’çofshin te mjeku, mos je ngushtë hiç.” Tha, “Une kom punu, n’Beograd jom konë n’pushtet për ni kohë t’gjatë e qe ku kom përfundu. Qështu janë, ky o qësi shteti. E ti t’jesh krenare, Kosovën e ki tanden, e ki fitu, edhe për krenarinë tande, qëndrimin tand se ki qëndru taman. Edhe atje e keni ni kryetar t’bukur, t’mirë, e keni zgjedhë Hashim Thaçin” (qeshë). Po se u komentojshin zgjedhjet kur u bonë këtu, bile ka pasë thanë ni serbe, tha, “Nëse zgjidhet Rugova, o ma mirë për neve. Nëse zgjidhet Hashim Thaçi, nuk osht’ mirë për neve.” I komentojshin ato zgjedhjet.

Edhe, kjo plaka serbe po m’thotë, tha, “Ju në Shqipëri e keni pasë Enver Hoxhën, t’bukur, edhe n’Kosovë Thaçin e keni t’bukur. T’gjithë kryetarët e bukur p’i zgjidhni” (qeshë). Edhe kur m’tha për smundje, e dita që ajo osht’ n’ngjarje përmes ktyne edhe që ma dha këtë informatë. Tani m’çunë te mjeku, mas intervenimit që intervenunë serbët edhe iu bonë presion që s’po mujmë me pa n’kit gjendje edhe m’dhanë ineksione, m’çunë n’Pozharevc edhe m’i nxorrën dy dhamtë e fundit. E qato e kam pikë se nuk kanë qenë dhamtë e prishun asnjani. Asnji shejë s’kanë pasë hiç pse m’i hoqën, tha, “Ndrysh nuk të ç’ajet trupi edhe e ki prej dhamve”. Dhamtë e shnoshë m’i hoqën.  Po unë për me bo qare n’gjendjen çfare isha, as nuk e dijsha rastin çka a qysh po ndodhë me mu, edhe kështu që pranova, edhe m’i hoqën dhamtë.

[Fragment i prerë – vendim editorial]

Tha, “Une jam mjeke, e kom dhanë betimin e Hipokratit, une nuk damtoj. Bash përkundrazi jam kurreshtare me pa, po kontrollën duhet me ta bo se e kam urdhnin prej drejtoreshës t’burgut.” Edhe m’kontrolloi krejt.

[Fragment i prerë – vendim editorial]

Tani Flora sa here që… i kthynë prej burgut ku kanë qenë n’paraburgim këto. Mu m’qitën n’paviljon me serbët. Edhe kur i kthynë ato n’burg, komunikojshim ilegalisht me Florën kanihere n’burg. Bile, s’e harroj kurrë ni rast, pata rreziku, e pata pagu ni femën maxhupe edhe ia pata çu kafën për dritare. Rrezikoi maxhupja se une e pagujta, ia blejta dy kese kafe asajna edhe s’di… ia marova ni korpë, se marojsha korpa prej shelgjeve t’burgut që kanë qenë t’lshume atje. Edhe me qato korpa, i shitsha edhe sigurojsha ushqimin. Kështu që, ia pata çu tani Florës kafën, tha, “M’ka ra huj për kafe.” Thashë, “Hajt se du me provu ni maxhupe qitu që po rrin, i thomë ‘Po t’blej diçka’, noshta rrezikon”. Ajo rrezikoi, iu afru te dritarja, kjo dritaren çelë edhe e ka marrë, edhe e ka pi. Edhe s’e ka ditë kush kurrë, s’e kanë marrë vesh prej gardieneve.

E kur m’thojke Flora, n’mëngjes kur komunikojshin, une e rujsha rastin, kur ishin serbet t’u vlu kafe, kurrë s’shkojsha me u afru aty se thojsha p’e gjejnë rastin me m’maltretu. Se ato menxi s’dojshin me pritë nji shkas. Llogarit kur vijshin, me ba me ma gjetë ni gazetë n’dorë, vijshin ma kapshin edhe ma ngrihshin me t’shtrejtë. Edhe tash, veç shkaku m’u rrehë une me to, edhe ato m’u ba tana [bashkë] edhe me m’rrehë mu. Mirëpo une… edhe u tërhiqsha n’formën që as mos me metë e ligë, po edhe mos me pasë shkaqe të ngatërresave me to.

[Fragment i prerë – vendim editorial]

Kështu që, erdh koha, u lirunë t’gjitha femnat shqiptare.

Kaltrina Krasniqi: Qysh jeni liru?

Zahrije Podrimqaku: Nji nga nji, doktoresha Flora u liru, u lirunë do t’Shtimes, u liru doktoresha Flora. Une për sa femna që janë liru prej burgut kom qarrosë. Hatën ma s’pari, këto ordineret i qarrossha, qoftë me kafe, qoftë me langje, se thojsha edhe ni shqiptar ma pak n’burg, edhe ni shqiptar ma pak n’burg. Kështu që, jam liru e fundit prej t’gjitha femrave shqiptare. Edhe n’momentin kur… nji ditë para se me u liru, na çunë n’ara me mjellë qepë, ka qenë marsi. Edhe me 15 mars na çunë n’ara. Shkumë n’ara me mjellë qepë edhe une tash arpagjikun që ma lanë me mjellë aty. Rrijsha në ni ven edhe ato kur i kryjtën renet krejt, kur gardienet t’u m’përcjellë mu i kanë çu t’burgosnet.

Edhe po vjen ni e burgosne e po thotë, “Pse s’po mjellë? S’po punon. Nal t’msoj.” Edhe aty, u bona nervoz, edhe ashtu isha veç vetun prej shqiptareve edhe thashë, “A po largohesh?” E kapa ni vazë t’dheut n’dorë, thashë, “Mrena minutave me m’u largu, jo, jo,” serbisht p’i thomë, “ta dava kokën me qit vazë.” Ajo s’po hiqet hiç tuj folë, “Po t’msoj.” I thashë, “Largohu kriminele!” I kom bërtitë fort me za t’lartë aty.  Thashë, “Ti je kriminele, edhe ju krejt jeni shtet kriminel, se nuk mjelli edhe nuk du me mjellë. Du me nejtë veç n’ajr t’pastër”.

N’ata jonë grumbullu krejt gardienet. “Paja këtu”, une gardienës, e pa që punë… vazin hiç s’e lshojsha. Aty ka ardhë ka intervenu ni shef, kish qenë shef burgu, n’burgun e Lipjanit, po shqip folke ai. Edhe ai ka ardhë m’ka folë shqip. Edhe gardienet e kanë ditë t’tana shqipen, kurrë s’kanë pranu me folë shqip, kurrë, kurrë, kurrë, hiç n’asnji rast. Edhe t’kanë kuptu se tana janë lind e rritë qitu, t’Lipjanit. E tani qiky personel erdh atje n’Pozharevc. Edhe ai iu ka thanë atyne, “Lene ato, mos i bani za se o nervoz edhe mos iu afroni kërkush ngatë”. Aty i kanë mledhë krejt gratë, i kanë futë n’autobus edhe une edhe e ndërprejtën punën prej qatij problemi që e bona une n’ara edhe n’a çunë n’paviljon. Kur shkumë n’paviljon thashë, “Ha qitash!” Veç pritsha n’çdo moment ndëshkimin. Thojsha o kanë me m’çu n’vetmi, me m’lidhë, me m’lanë lidhë, o kanë me m’maltretu fizikisht. Veç qito dyja i pritsha, diçka ka me ndodh.

Prit, prit, prit… erdh darka, shkumë n’kuzhinë. Zakonisht n’kuzhinë i lexojshin letrat për m’i çu n’ara t’burgosnet. Edhe ato pastaj i lexunë emrat, emrin tem s’ma lexunë hiç. Thashë, ha nëse sante s’ndërmarrin masa ndaj meje për rastin që ka ndodhë n’ara, me siguri nesër. Edhe tash e kryjtëm kuzhinën, shkumë me flejtë. Edhe natën, e pashë ni andërr natën, diqysh se vendlindja ku kom lind, vendi ka pemë shumë, pesë qind trupa pemë i kena atje, se jena familje punëtore edhe me bujqësi kena punu shumë si familje. Nuk ka pemë që s’asht’ n’ato troje, po kem edhe ujtë. Kështu që muj me thonë n’Drenicë se ven ma t’mirë ku kom lindë une aty, nuk ka kërkun. Ka ujë shumë, edhe ka pemë shumë edhe gjitha t’mirat janë aty, o freski e madhe. Edhe tash, p’e shoh livadhin gjelbërim – andrrën, mollat e shkundta krejt, tuba-tuba t’kuqe. Po n’ato molla une tuj kqyrë edhe tuj u enë nëpër atë livadh edhe n’atë moment diqysh erdh drejtoresha e burgut edhe mbikqyrësja. Edhe une po afrohna po ia u mushi dy kese me molla atyne edhe p’ia dha edhe ato si idhët m’kqyrën e s’mi morrën mollat.

Tash kur m’dulë gjumi n’mëngjes, e kom pasë ni… se masi m’ndodhi qai problemi që e nxuna t’u m’furrë atë serben n’gjum atëherë, unë kërkova kategorik se mo s’pranova me fjetë n’atë dhomë edhe kërkova me ndërru dhomën. Tani, unë kërkova nji dhomë tjetër, ato s’ëm qitën ku kërkova unë, po m’ra ma mirë se m’qitën me ni dhomë ma t’vogël ku isha unë vet e pesta. Edhe n’tanë atë dhomë, ish ni bullgare e Bullgarisë e Sofies, ish ni maxhupe edhe ish ni serbe e Kragujevcit, ish ni hungareze, edhe unë shqiptare. Domethanë, asnjo s’ishum… tona ishum t’kombeve t’ndryshme. Edhe p’i tregoj qisajna Lilit, Lili e ka pasë emrin. P’i tregoj, thashë, “Lil, nalu veç pak se po kam punë me ty,” qështu, qështu, “sonte e kom pa nji andërr.” Tha, “Zahrija tekst t’kanë çu n’ara promë, t’a kanë thirrë emrin. E ki vendimin n’zyre që ki me shku prej shpije se gjelbrimi… ngjyra e kuqe e mollës, janë gëzimi. Gjelbrimi o… populli gzohet që shkon ti n’shpi” (qeshë). “Edhe mollat që s’ti kanë marrë këto,” tha, “ktyne iu metë pikë që s’e ki kry edhe ni vit këtu me kry krejt burgun, se gjithmonë ta kanë majtë nër hunë që ki me nejtë katër vite. Faktikisht s’e kanë paramendu që ki me nejtë tri”.

E atëhere Amerika ia kushtëzoi financat Serbisë edhe grupe-grupe nxerrte t’gjithë burgosnit. Edhe m’erdh rradha edhe mue, edhe pse dola e fundit prej femrave, isha e knaqur veç pse s’e lashë asnjo prej femrave atje. Edhe tash t’u m’thonë ajo, “Edhe problemi që t’ka ndodhë n’ara, ty gjithë t’kanë maltretu, t’kanë pasë n’sy për t’keq. Nuk e kishin lanë pa t’maltretu, po me siguri e ki vendimin për me shku prej shpije”. Edhe kështu që, ish ditë e premte ajo ditë, data 16, une t’u nejtë qaty, ajo marojke n’sallë te televizori, marojke xhamper ajo bullgarka, edhe unë t’u pritë atje a po m’thirrin me m’maltretu, apo çka po bahet.

Kur ka thirrë ajo… kur kurrierka, “Podrimqaku hajde n’zyre kah te policia!” Shkova atje, po m’thotë gardienia, “Je bo dje shumë nervoz, ke qenë smutë e hajde t’çoj te mjeku.” Unë e kisha përcjellë se doktoreshën Florën kur e kanë liru, e kanë çu te mjeku. Afërditën qashtu, i kom pa n’oborr t’u e çu te mjeku. Edhe secilën që e lshojshin, e çojshin njihere e kontrollojshin, demek që e lëshumë, kishe “Je lëshu n’gjendje t’rregulltë edhe po shkon e shnoshë prej shpie”. Kur m’çunë te mjeku, atëhere po m’thotë ajo, “Qysh je? A p’e merr qit kokërr me pi?” Thashë, “Jo, s’pe marr.” Nji kokërr ngjyrë t’pembe si brufen.  Tha, “Për qetësim,” e sene, “merre se je konë nervoz.” Thashë, “Jo, nuk jam smutë, mirë jam.” Edhe, “Ani,” tha, “Pse a po shkoj n’shpi a?” “Jo, pse kush po t’thotë ty?” doktoresha, “Kush po t’thotë ty?” Thashë, “Që p’i shoh qito librat e trasha për me nënshkru qito,” thashë, “veç njeri kur shkon prej shpie, se ndryshe s’di pse njeri me nëshkru njeri kur o smutë që vjen te mjeku.” “Jo, jo,” tha, “s’e ki ndërmend me shku n’shpi. Nëshkruje qitu!” E nënshkruva.

Aty e morra vesh, edhe e kisha bindjen e sigurtë që kom me shku te shpia. Edhe, po m’thotë gardienia, “Ku e ki dhomën?” thashë, “Dhoma numër tre, kati i dytë.” “Hajde me mu n’dhomë tonde”. Kur kom shku atje m’ka thonë, “Ulu qatje n’krevet, hape arkën”, i kemi pasë do sandeq t’drunit, si të ktyneherit, rrobat e tona, gjanat çka i kemi pasë për pastrim e krejt. “Çka jonë rrobat tua, merri e këto tjerat leji.” Thashë, “Pse?” Tha, “Po, po shkon prej shpie.” Thashë, “Po a? Ani.” “Pse,” tha, “s’po gzohesh, hiç s’po reagon?” Thashë, “Po çka kom me u gzu? Plot burgjet shqiptarë, veç une po shkoj prej shpie, çka? Plot mashkujt ktu.” “Ah…” tha, “po ti po del vet prej burgut”. Thashë, “S’ka lidhje që po dal vet”. Edhe tha, “Merri rrobat,” i kom marrë rrobat, “me shku te dhoma e vizitave, drejt atje! Asnji fjalë as mos m’i tregu kuj, as mos me ditë kush, asnji gruje mos m’i dhanë shejë që po del prej shpie se krejt gratë çohen n’protesta edhe n’greva. Kanë thanë, ‘Nëse lëshohet kjo, na kem me hi n’grevë!’” Gratë e tyne serbe.

Atje i kom marrë rrobat, i kom veshë. Jom përshëndetë me të Kryqit t’Kuq, o ardhë drejtoresha e burgut. Ma ka pru ni libër qështu drejtë, edhe ajo e trashë qikaq {tregon madhësinë me duar}. Tha, “Para se me shku, du me t’i ba dy pytje?” Thashë, “Urrno!” Tha, “A don me marrë automatin e me vra serbë si t’shkojsh n’Kosovë?” Thashë, “Po, une e di që lufta o kry.” Tha, “Jo, s’u kry.” Thashë, “Po ani, kqyri n’varësisht prej situate”, ia lashë me qit fjalë. Tash, “Varësisht prej situate se une e di që s’ka mo rend aty, lufta o kry”.

[Fragment i prerë – vendim editorial]

Prej aty, thanë, “Jonë lshu dikun 46 mashkuj sot” edhe kishe s’ka ven me çu edhe kto, nuk ka ven. Tha, “Kto, p’e çojmë sonte n’Beograd”. Prej burgut m’hoqën me datën 16, m’çunë n’Beograd n’zyre të Kryqit t’Kuq edhe…  thashë, “E pse mu n’Beograd? Pse s’po m’çoni deri n’Prishtinë qysh i çoni tanë t’burgosnit?” “Jo, sante hiç s’ka. A je kanë najhere n’Beograd?” Thashë, “Jo, s’jom kanë.” Tha, “S’e ki pa Beogradin, po t’çojmë me pa Beogradin.” Edhe m’kanë çu në ndërtesë të Kryqit t’Kuq, aty ka ardhë ni femën shqiptare, shqip m’ka folë, tha, “Jam e Suharekës, po jetoj këtu me familje.” Thashë, “Mirë, a ki me nejtë sante me mu këtu?” Tha, “Po.” Edhe m’ka lanë vet, e unë po dal n’qytet. Për pak m’ka lonë vetë atë natë. Edhe tanë natën unë vet, kurrë pa flejtë asnji minut hiç. Gati sa krejt burgi ma ka bo qajo natë n’Beograd.

Rrapllojshin dyrtë, ‘bam-bum’, ‘bam-bum’, ‘bam-bum’,‘bam-bum’, as s’guxojsha me ra, as hiç. P’e shoh ni telefon n’atë farë zyre edhe e kom marrë telefonin. Edhe drejtë kom thirrë n’familje kah. Edhe po thirri po flas me familje, thashë, “Une jom lëshu prej burgut, po jam n’Beograd, sante nuk vij. Mos m’pritni sonte.” Tha, “Qashtu e kemi ni lajmin që je liru e jem t’u pritë.” Thashë, “Jo, mos pritni sante, tek nesër se m’kanë pru n’banesa të Kryqit të Kuq. Kah n’Beograd jam edhe unë sante jam vet me ni zyre m’kanë shti ktu. Kërkush s’osht’ jam veç vet.” Edhe e provova telefonin, kur ‘trrak’ ma ndërprejtën telefonin. Zaher ka qenë e inçizume, edhe u ndërpre.

Qashtu, e u lodha pa gjum, as me flejtë, s’guxojsha me flejtë se m’rrambllojshin dyrtë, thojsha po hin dikush, une ktu vetun. Edhe me stres tanë natën, me frikë. Kur, hajt thashë t’dal për seri t’rrezikoj t’hi n’banjo. Se prej lodhjes me djersë u bana, e ujë m’u banën flokët e ftyra mos vet. Thashë t’hi n’banjo t’pastrohna. Jom hi jom pastru n’atë banjo shpejt e shpejt me nji qind frikë. Edhe jom dalë, peshkirat, i kisha rrobat e mia aty që i kom pasë n’burg me vete edhe m’u kanë terë flokët edhe ma kaloi gjumin krejt uji edhe m’freskoi. Edhe n’tetë ora… n’tetë jo po, n’shtatë ora jonë ardhë m’kanë marrë edhe jom nisë knena për Kosovë. Dikun rreth orës dymdhetë a njo kom mrri n’Merdare.

(Qeshë) Aty ma ka bo nji pytje nji ushtar amerikan se dulën kta të Kryqit të Kuq tonë tani, prej Kryqit të Kuq të Serbisë. M’i morrën rrobat e krejt edhe ka qenë ky Sebastiani edhe ni Nadia, ndërkombëtarë po, po këta gjuhën shqip e folshin, me mu folshin shqip (buzëqeshë). Edhe këta, kur m’i morrën rrobat m’nali qai ushtari, i tha këtij, n’anglisht i foli, tha, “A ban me bisedu?” Edhe ma spjegoi ky Sebastiani, tha, “Po thotë qysh p’e ninë veten?” Thashë, “Po deri këtu te kufini, deri më tani gati tri vite e kom thithë ni ajr shumë t’ndytë, e tash p’e nij freskinë n’trup, edhe po m’ngjallen edhe qelizat e trupit. P’e ndij ni aromë shumë t’mirë, ni ajr shumë t’pastër t’Kosovës (qan dhe qeshë). Edhe në Kryq të Kuq te zyret, kishin qenë tani familja edhe sebepat e mi, miqtë, mixhallarët t’u m’pritë disa qytetarë edhe me ta tani kom ardhë n’Drenicë.

Kaltrina Krasniqi: Çka boni sot?

Zahire Podrimqaku: Po atëhere jom kanë shumë e fortë (qeshë). Jom përshëndetë me antarë t’familjes e me krejt, po asnji pikë loti s’kam qitë (qeshë). Tash pak, zaher edhe mosha, nuk po muj me i përballu, se kam qenë shumë e fortë. Se edhe rastin kur ka qenë nana n’burg me m’vizitu me 2 nëntor të 2000-tës për herë t’parë mas dy viteve… edhe ato që kom harru me cekë, edhe ndij obligim për… me cekë, edhe aty kom qëndru shumë e fortë. Se nji ditë përpara, kur u liru doktoresha, Kryqi i Kuq m’kontaktunë edhe m’lajmrunë se t’a bijna nanën n’vizitë edhe u përgatita psiqikisht. Aty kur kom hy te dhoma e vizitave, nana jeme osht’ skuqë pak edhe une i kom thanë, “Nanë ti e din çka t’kom thanë, une iki menihere n’paviljon edhe s’rri me ty”. Atëherë kjo u forcu edhe kena ba pak bisedë.

Aty gardieni, nana e ktyne vajzave ordinere që ia prunën n’vizitë, iu tha, “Vajzat e juja lirohen.” Edhe Afërdita ka qenë aty. “Edhe kjo,” tha, “lirohet, po,” nanës teme iu drejtu, “kjo e jotja nuk lirohet.” Une i thashë, “Ti nanë hiç mos ki dert se para teje mrrij n’Kosovë” (qeshë). Kështu, s’ia kom lanë kurrë asnji fjalë. Edhe, gati nji mujë ditë kom pasë vizita prej qytetarëve. M’kanë pritë mirë t’gjithë. T’gjithat shkollat me kolektiv jonë ardh m’kanë vizitu. T’gjitha institucionet jonë ardh me kolektive t’veta m’kanë vizitu.


[1] Serb: šumar, roje e pyllit.

Jeta Profesionale 

[Pjesë e prerë nga video-intervista: intervistuesja e pyet të intervistuarën për jetën e saj profesionale dhe karrierën.]

Zahrie Podrimqaku: Kur o’ ardhë baci Adem me Këshill komplet, me t’gjithë anëtarët e Këshillit me m’vizitu, m’ka thanë, tha, “Zara, a kenë t’Komunës me t’pa?” Thashë, “Po.” “A t’kanë premtu naj vend t’punës, a diçka?” Thashë, “Valla, sëm kanë thanë kurgjo.” “A t’thanë, a s’të thanë, ti tash personi që o’ këtu, kryetari i Këshillit,” tha, “ti tash kryje vizitën,” tha, “bacit, ti ki me udhëheqë Këshillin këtu edhe Këshilli ta jep nji pagë. Nuk osht’ pagë e madhe, po pak sa me qenë aktive edhe merresh prapë me Këshillin”.

Kaltrina Krasniqi: A osht’ kjo puna që e bani hala sot?

Zahrie Podrimqaku: Ja, n’Këshill kam punu deri n’dhjetor të 2002-tës, n’dhjetor të 2002-tës osht’ shpallë konkursi për zyrtarët për Barazi Gjinore në t’gjitha komunat e Kosovës, edhe aty mu m’ka ra, domethanë gazetën kur e kom marrë me lexu atë ditë se komuna ka shpallë konkurs për Barazi Gjinore, aty shkrujke se duhet t’jetë që ka punu n’organizata humanitare që e njeh terrenin, osht’ komunikative, e pa pritushme me komunikim edhe me qytetarët edhe mu secilën herë m’hijke n’shpirt kjo se m’u përshtatke nji pune që e kisha punu para lufte. Edhe, shkurt, e marr gazetën e paloj, edhe e mshefa nër setër t’pantollave. E po shkoj edhe drejt u drejtua tek kryeshefi ekzekutiv, nuk kish qenë aty. U drejtua tek këshilltari i tij Gëzim Sheshani edhe p’i thomë, thashë, “Gëzim, a ka mundësi, a ban une me konkurru n’qit konkurs që ish shpallë? Aty shkrujke shkolla e mesme, po përgatitja superiore osht’ e mirëseardhun.” “Mirëpo,” thashë, “kanë thanë se kryeshefi osht’ strikt n’respektim t’ligjit, Avdyl Krasniqi”. Avdyli ka qenë kryeshef ekzekutiv, vllau i profesorit Jakup Krasniqi që ka qenë kryetar i parlamentit.

Edhe, tha, “Me bo me konkuru najnjo me fakulltet?” Une isha regjistru n’fakulltet, mirëpo edhe aktiviteti, u angazhova n’aktivitet edhe krejt, edhe metë n’gjysë edhe kushtet për shkak t’situatës ke qysh ke, prindi jem shkurt m’tha, “Edhe nuk i kam mundësitë financiare edhe situata o qysh o, merru veç me aktivitet”.  Edhe Gëzimi m’tha, “Shko, merre aplikacionin.” Shkova e morra, tha, “edhe thirre Ibrën,” Ibrahim Hajdari, ish-koleg i jemi, qiky që kom punu para lufte edhe Gëzimi ashtu po. E tha, “I mushim aplikacionet.” M’i shkrujtën, m’i nënshkrujtën referencat kur shkumë, kush t’i ka dhanë. Edhe p’i thotë Ibrës, “Mos t’i çon aplikcionet poshtë n’arhivë, po lej n’zyre. Kush t’vjen me i marrë aplikacionet për me apliku, thuj me marrë merre, po dije që ka apliku Zahrija. Zahrijën e njofin t’gjithë qytetarët edhe s’besoj që ka me ardh deri n’problem.” Edhe n’fakt ashtu ka qenë, une kam shumë respekt ndaj nji Zejnepe Gllareva e Verbovcit, ajo e ka pasë fakulltetin. Vjen e merr aplikacionin edhe kur thotë Ibra kështu, ajo hekë dorë, thotë, “Ja, n’kohën kur unë jom shkollu, Zahrija ka punu për neve, i ka financu nantë qind punëtorë t’arsimit edhe ka kontribu shumë.” Une nuk muj me iu bo konkurrent asaj edhe kemi qenë tre konkurrentë, po tretë kemi qenë me shkollë t’mesme n’atë kohë.

Edhe u punësova. Ka qenë n’komision Edit Harxhi, kjo e Shqipërisë. Atëherë ka punu me ndërkombëtarët me këta t’UNMIK-ut, që ka qenë ministre për integrime. Edhe ambasadore ka qenë, tash n’Shqipëri osht’ atje. E ajo ka qenë t’u punu atje. Ajo ka qenë drejtpërdrejti n’komision, nji e huja, edhe njo prej komunës të Drenasit, tre [vetë], kur m’kanë marrë n’pytje. Unë iu lshova, po me hi aty ata dy konkurrentë që kenë para meje kur kom hi une. Edhe po m’pytë ajo përshkrimin e detyrave t’punës, si vjershë. Po m’thotë ajo, “A e din çfarë pune?” Po ia spjegoj krejt çka kom punu, se i pashë n’konkurs. Edhe i përgatita, edhe tani po m’pytë, “Ku ke punu?” P’i tregoj, “Qështu, në Këshill për Mbrojtjen e të Drejtave, në Këshill Komunal për Financim. Kam qenë edhe kryetare për Migrues në degë në Çikatovë t’Re , edhe kryetare e nëndegës edhe n’burg qikaq.” “More,” tha, “shko,” ish ni restorant qaty, “unë kom me ardh kafe me qarrosë për ty, se asnjo s’o përgjegjë, jo veç n’komunë tande, po n’krejt Kosovën t’gjitha zyrtaret për barazi gjinore që i kom marrë n’intervistë asnjo s’mu ka përgjigjë sikur ti.” Tha, “Unë jam shumë e kënaqne, jom metë e befasume.” Edhe p’i thotë Ibra, “Jo, kjo o shkelje e ligjit me thanë që menjihere je pranu n’punë.” “More,” tha, “qitu për qito s’pe veti ligjin hiç, menihere po ia dho lajmin.” Tha, “Veç le t’shkon, une p’e paguj kafen”.

Edhe kom fillu si Zyrtare për Barazi Gjinore. Mirëpo i kom përkrahë me ni shkollim t’njejtë kur kanë qenë n’raport femna me mashkuj, gjithmonë i kom përkrahë femnat. Kom lobu që sa ma shumë t’ketë drejtoresha femra edhe nëpër shkolla edhe n’departamentet e komunës, nëpër drejtori. Mirëpo, nuk di çka me thanë, te femrat këto partitë politike, femrat që jonë t’zojat edhe t’guximshme, nuk i mbajnë nëpër parti politike, po i majnë qësi femna që jonë t’nënshtrume edhe prej atyne e vendosin njo ose dy.

 

Ëndrrat 

[Pjesë e prerë nga video-intervista: intervistuesja e pyet të intervistuarër se cilat ishin ëndrrat e saj në jetë dhe nëse ka arritë t’i përmbushë ato.]

Zahrije Podrimqaku: N’bazë të historisë të babgjyshit t’nanës që e kom pasë, se ai ka qenë kapiten me gradë ushtarake, edhe ai ka qenë i burgosun politik n’Vushtrri. Kanë qenë gjithmonë që Kosova jo veç me qenë Republikë sot qysh osht’, po me qenë e bashkume me Shqipërinë. Edhe une Shqipërinë e kom dashtë shumë, edhe ajo ka qenë që edhe burrin sot e kam shqiptar nga Shqipëria (qeshë). Edhe këto kanë qenë andrrat e mia, që Kosova t’jetë e bashkume me Shqipërinë. Mirë osht’, osht’ punu, e sot osht’ fjala e lirë që flet lirshëm, që nuk e ki serbin me gjithë ato maltretime, presione psiqike e sene. Janë udhëheqjet tona, osht’ bo nji punë e mirë, po jo qysh e kemi mendu Kosovën.

Kaltrina Krasniqi: Falemnderit shumë.

Zahrije Podrimqaku: Kështu që, une e kam nji mesazh për fund, kryesisht për femnat, që n’rrugën për t’cilën nisen, pavarësisht sfidave t’ndryshme, pavarësisht pengesave t’ndryshme, ato t’jenë këmbëngulëse qoftë patën pengesa, qoftë suksese, që mos t’ndalen n’andrrat e tyne, që t’ia arrijnë, se vetëm kështu t’ia arrijnë qëllimin. Edhe mesazhi tjetër osht’ që të përkrahin njana-tjetrën, t’janë ma t’lidhne se kur ato janë t’lidhne mes veti, t’gjitha femnat janë ma t’fuqishme edhe mund t’arrijnë çdo qëllim.

 

Download PDF