Pra, para së gjithash, Vila 31 nuk është thjesht një rezidencë në Tiranë. Ishte një vend jashtëzakonisht intensiv dhe i rëndë për të jetuar. Në njëfarë mënyre, ishte vendi i përkryer për projektin tim, sepse projekti im lidhej me pushtetin, autoritetin, gjininë dhe vdekjen, ndërsa korniza poetike që kisha zgjedhur ishte Hamleti. Ish-shtëpia e Enver Hoxhës ishte një vend i jashtëzakonshëm edhe në këtë aspekt. Kur mbërrin atje, në atë shtëpi që kishte qenë e mbyllur për shumë vjet, kupton se po jeton në ish-shtëpinë e një vrasësi. Prandaj, gjithçka rëndon shumë. […] Atje ëndërroja shumë. Për shembull, në ëndrrën e parë që pashë, po më helmonin. Kjo ndoshta është trauma e çdo diktatori. Por këtë e kuptova vetëm pas disa javësh. Çdo mëngjes i shkruaja të gjitha ëndrrat e mia. Duhet të them se ishin shumë të gjalla. Kohët e fundit nuk kam pasur ëndrra kaq të gjalla, por përgjithësisht i mbaj mend ëndrrat e mia. […] Dhe kjo i shtoi diçka veprës sime, sepse mendova: në rregull, nuk dua të flas për… dua t’u largohem të gjitha trajtimeve sensacionaliste dhe ekzotizuese të burrneshave në kulturën perëndimore. Për mua, ishte gjithashtu një mënyrë shumë e drejtpërdrejtë për t’u përfshirë dhe për ta mishëruar këtë diskutim, duke e përjetuar përmes trupit dhe poezisë. […] Prandaj, duke iu rikthyer Hamletit, mendova ta përdor si kornizë poetike, por Hamleti nuk vjen nga Shekspiri. Hamleti vjen nga kudo. Hamleti vjen nga legjendat e Veriut, prej shumë e shumë kohësh. Ekziston edhe një Hamlet persian. Ekziston edhe Hamleti i Amelia Rossellit. Pra, është diçka që, sërish, na përket të gjithëve dhe është një rit kalimi që flet për hakmarrjen, gjininë dhe vdekjen. Mendoj se përdorimi i trupit na jep mundësinë të punojmë në mënyrë universale.