Muaji mars i vitit 1998 ishte muaj i protestave të shumta. Rrjeti joformal i grave organizoi tetë nga trembëdhjetë protestat paqësore të mbajtura në atë muaj, ato erdhën si reagim ndaj dhunës së ushtruar nga regjimi i Millosheviqit në Drenicë. Përmes protestave gratë i bënin thirrje bashkësisë ndërkombëtare të ndërhynin dhe t’i jepnin fund dhunës. Kjo seri e intervistave harton historinë e aktivizmit të grave në sferën publike dhe nxerr në pah format e rezistencës dhe pozicionimin politik të grave përgjatë 1998.

Intervistat janë bashkëprodhuar në partneritet me ForumZFD, Programi Univerzitar për Studime Gjinore dhe Hulumtim, dhe Iniciativës për Histori Gojore.

Lindita Cena

Juriste

Ata u bllokuan, domethanë nga forcat serbe dhe nuk kishin mundësi që të siguronin as ushqim, as barnat elementare për të cilat kishin nevojë se ishin të rrethuar nga forcat serbe. Protesta ka qenë e organizume për datën 16 mars 1998. Nisja është parapa të bëhet nga Dragodani te Ambasada Amerikane. Aty është mbledhë një numër shumë i madh i vajzave, grave, të  cilat, secila e kishim nga një bukë në dorë dhe barnat, me shpresë që me shku me, me ju dërgu familjarëve që kanë mbet të bllokum në Prekaz. Domethonë, qysh në tubim ka pasë provokime nga njerëz të ndryshëm. Po na nuk jemi ndalë. […] Afër shkollës bujqësore aty, domethonë përgjatë gjithë rrugës na kanë përcjellë njerzët me vetura, me regjistrimet sërbe. Edhe kanë provoku, kanë bërtitë, janë mundu me na frikësu ose me na… Po na s’jemi ndalë, kemi vazhdu rrugën tonë, as s’kemi bërtitë po e kemi ditë qëllimin për çka jemi duke shku atje. Në një moment nuk e mbaj mend as vet, sekondat janë konë në pytje kur dikush prej atynve që kanë provoku hyjnë me veturë brenda në turmën e protestuesve. Edhe aty nuk e di ma çka ka ndodh, se unë i kam humb ndjenjat, domethonë kam qenë njëra prej atyne të cilat më kanë shkelë me veturë edhe nuk e di. Nuk e mbaj në mend ngjarjen më çka ka ndodh aty.

Florina Duli

Drejtore ekzekutive e IKS

Protesta e parë ka qenë me letra, e dyta ka qenë me bukë për nanat edhe fëmijët e Drenicës. Ajo protesta me bukë ka qenë në kohën kur faktikisht Drenica ka qenë totalisht e izolume prej pjesës tjetër të Kosovës […] Hecja nuk ish thjeshtë qëllimi përnime për me i çu bukët, domethënë efekti që e kish medial për ndërkombëtar ma shumë, kështu që aty jemi kthy. […]  unë për veti e kom ble edhe mendoj që secili i ka… ka pasë edhe kanë shpërnda furrat kanë pru bukë, por ka pasë edhe shumë të tillë që e kanë ble kur janë nis prej shpie, meqenëse e kemi ditë që kemi me… nuk mundeni me marrë me mend nivelin e solidaritetit që ka qenë në atë kohë, osht’ i papërshkrushëm. Atëherë as nuk e ke mendu atë pjesën materiale të angazhimit në asnjë moment, gjithëmonë ka pasë. […] Tani ka pasë shumë protesta të cilat e kanë pasë thjesht simbolikën, domethënë kanë qenë veprimi që u dashtë edhe revolta që u dashtë me shpreh njerëzit, u dashtë me gjetë njëfarë mënyre njerëzit me nxerrë jashtë gjithë atë revolt që u ndërtu me vite të tona.

Gjylshen Doko Berisha

Drejtore e Muzeut të Gjilanit

Zonja Lemane ishte kushërira e parë e nënës sime, vajzë e dajës. Ajo e kishte kryer Normalen në Tiranë dhe ndoshta këtë dashurinë për studimin e gjuhës dhe letërisë shqipe e kam nga ajo. Sepse spjegimi i saj në shkollën fillore, domethonë prej klasës pestë deri në klasën e tetë ka qenë unik. Ajo merrte magnetofon atëhere edhe lëshonte poezitë e shkrimtarëve të njohur Naimit, Andon Zako Çajupit e tjerë. Edhe me recitale dhe muzikë edhe ne i ndëgjonim. Por ajo ishte kështu shumë shpirtmirë, po e kishte nji rreptësim në vetvete që ne edhe i frigoheshim. Unë e kisha teze. Kur vinte ajo në shtëpi te na në vizitë, unë dilja te dhoma tjetër. Nëna ime me zor më mirrte të shkoj. Thojsha, ‘Jo se ajo… unë e kam arsimtare, unë sun i dal përpara syve’. Edhe kështu kur më mirrte nana me zor, ajo gjithnjë më lavdëronte para nënës. Por që çka ka ndodhur, vonë shumë vonë, ka ndërru jetë tash para katër-pesë vitesh, unë kam shku te ajo e them, ‘Leman teze, mua më kanë pëlqyer shumë, ku i ke marrë ti ato inçizimet atëherë, të atyre poezive?’ Edhe është diçka që as sot s’e bën asnjë profesor. Tha, ‘I kom inçizu vet. Ka qenë zëri im’. Ajo e ka pasë një zë kumbues, shumë melodik, po unë si fëmi nuk kam besuar që mund të jetë i saj, kam kujtuar që është veç inçizim.

Ajnishahe Azemi

Profesore e filozofisë dhe sociologjisë

T’u bashkëbisedu me nxanësa, bashkë me ta e pamë të arsyshme dhe vendosëm që ta hapim shkollën tonë [Xhevdet Doda], po ish karakteristik se si ta hapim shkollën në të dy anët, në dy pjesët {tregon me gishta} e shkollës ishin dy tanka. Tash na vendosëm t’u bisedu me ta se nëse e hapim derën e shkollës, hymjen ku ishte kryesore, ata meniherë na shohin, na ndërprejnë edhe nuk bojmë kurgjo edhe pastaj dhuna, represioni ndaj nesh. Edhe ju thashë, ‘Po, a dini çka? Na kemi leje ta hapim shkollën dika tjetër’, se e njihsha mirë, se punojsha prej kohësh. Thashë, ‘Meqenëse kjo është ndërtesë e vjetër edhe i ka do grila, po ato grila janë të mundshme, që ndoshta ju mundeni edhe diçka bashkë mundemi me i hjekë ato grila edhe me hy ka…’ dritarja ka qenë e podrumit, të banjove {përshkruan me dorë} të podrumit. Edhe kemi shku atje bashkë me ata 17 nxënës edhe vendosëm me hap. […] E as nuk na pengun, e as nuk erdhën e tjerë me na pengu për në hapjen e saj. Edhe na mbetëm në atë shkollë. Normalisht, pastaj në shkollë kanë ardhë, ‘Qysh e hapët?’ e tjerë, po jo me na hjekë. Ndoshta ajo ka qenë, qysh me thonë, ni manovër politike që ata para botës ndërkombëtare me thonë që, ‘Na po i lojmë, po këta s’po dojnë. Qe e kemi ni rast që po punojnë në objektin shkollor se na po i lojmë, nuk po i pengojmë’.

Flora Brovina

Poete/Mjeke

Motra ime ishte qaq e vogël kur kemi vizitu babën në Pejë. Burgu i Pejës ishte plotë me t’burgosun shqiptarë. Pse e di këtë? Si fëmijë, pra isha e vogël nuk shkojsha në shkollë. E di sepse para burgut mblidheshim krejt familjet që kishin me hy me i vizitu të burgosurit edhe me ndonjë torbë kështu n’dorë {bënë se mbanë torbë në dorë}.

[…] Po këto trishtime që i bartë fëmijëria do të na përcjellin tanë jetën, sepse fëmijëria len gjurmë. Për fat mua nuk më ka shëndrru në një njeri të urrejtjës, por m’pëlqen që nuk m’ka mundë harresa. I mbaj n’mend, për shkak se kurrë nuk i marr si personale, por kujtoj që i ndaj me gjithë ata njerëz që pritshin me i pa të vetët në burg. I ndaj me gjithë ata njerëz që kane qenë të, të leqitur, familje të dënuara politike të leqitura nga shoqëria dhe kur as kojshiu nuk ka ardhë më t’vizitu sepse ka pasë frikë.

Albertina Ajeti-Binaku

Arkitekte

…nuk ka qenë tendenca me i jap konotacion politik. Ka qenë më tepër për me jap konotacion humanitar, sepse familjet me ditë t’tana, me javë t’tana ka qenë të rrethekuara. Nuk kanë pasë lëvizje t’lirë, domethonë me dalë më u furnizu me ushqim e me gjana tjera. Edhe kjo ka qenë. Domethonë, ne si nana, si femra, me bashkëndje me nanat në atë kohë në Drenicë, të cilat nuk kanë pasë ushqim për fëmijët e tyre. […] Edhe e di që kemi qenë si, domethonë ka qenë si kolonë edhe anash kanë qenë forcat policore. Deri sa kemi mrri në atë pikë, mandej nuk na kanë leju me shku ma tutje. [Gratë] Kanë kërku me negociu, mirëpo nuk kanë qenë të gatshëm. Ashtu në mënyrë, me fjali urdhërore na kanë thanë, ‘Duheni mu kthy, përndryshe nuk mujmë me rreziku, sepse mandej mundet me ju ndodh diçka, s’mujmë me ju mbrojtë…’