Zelije Kryeziu Ramadani

Prishtinë | Date: 3 prill, 2023 | Duration: 177 minuta

Aty më ka befasu qëndrimi i nanës tem, Zelfi, pa asni ditë shkollë. Po e dhanun me mish, me zemër, me shpirt për çështjen e Kosovës. [Aty] E kom pa atë nanën e guximshme, si shumë nana tjera të Kosovës kur u çu. Nana jem ka majtë shami, ka qenë e mbulume kur ka dalë jashtë në rrugë. Unë nuk p’e di, po për mu është befasi. Kur ajo u çu edhe po bohet gati, e lidhi atë farë fanullën kështu rreth gojës {përshkruan me duar se si e ka lidhë} e mushi me qepë. Fanullën e lidhi me qepë. Tash na dolëm krejt. Unë isha aty në ato radhët e para. Ishin edhe shumë gra tjera, ishin edhe shumë të tjerë. Na fillum me demostru, ‘Pavarësi, Demokraci, Republikë!’ Thanjet e kohës, ‘Liri!’ U gjujt bomba lotsjellës e para për atë lagje. Nuk e kini idenë. […] Nana jeme kur erdh ajo lotsjellësi i parë para demostruesve, nana jeme ka mbajtë dimija me pala, edhe me ato i hapi ato palat edhe u ulë përmbi atë bombë lotsjellës, atë lotsjellës. Na krejt të tmerrum po bojna, ‘Ma, ma, ma!’ Arriti me marrë atë lotsjellësin pa u shpërthy. Se ajo e kishte ata zzzz {onomotope} që bojke, hala pa e qit’ atë timin. […] Edhe ia kthen nana prapë [gazlotësjllësin]. E gjithë masa filloi të gjitha bombat çka vishin m’u mobilizu edhe m’i kthy prapa. Kjo ishte kulmi që i revoltonte policët se si po organizohen këta.


Anita Susuri (Intervistuesja), Renea Begolli (Kamera)

Zelije Kryeziu Ramadani u lind në vitin 1966 në Suharekë. Në vitin 1984 studioi në Fakultetin e Bujqësisë në Universitetin e Prishtinës. Nga viti 1982 deri 1987, për shkak të veprimtarisë politike në vazhdimësi është marrë në intervista informative nga Sigurimi Shtetëror. Në vitin 1995, për t’iu shmangur përndjekjes politike largohet në Gjermani. Aktivitetet e saj politik dhe kulturor, ajo e vazhdoi edhe në Gjermani ku jeton edhe sot. 

Zelije Kryeziu Ramadani

Pjesa e Parë

Anita Susuri: Zonja Zelie, nëse mundeni me u prezentu, datën e lindjes, vendin, diçka për prejardhjen e juj?

Zelije Kryeziu Ramadani: Faleminderit së pari juve që më keni zgjedhë mu që muj dishka me tregu për jetën teme. Përmes jetës teme edhe me dëshmu shumë gjana që kanë ndodhë në rininë teme e deri më sot. Unë quhem Zelije Kryeziu Ramadani, jam e lindur me 10 gusht 1966 në Suharekë. Jam fëmija i tetë i prindërve Rrahman dhe Zelfije Kryeziu. Prindërit e mi kanë pasë nantë fmi, pesë vajza edhe katër djem; që dëshira e nanës time kish qenë gjithmonë, atë gjithmonë na konfirmonte, që të ketë sa më shumë djem edhe vajza, djem edhe vajza, sepse na duhen për familje po edhe për… gjithmonë Kosova ka qenë e okupuar, na duhen edhe për luftë, e ka parapa atë.

Pse e them këtë? Se nëna ime e ka përjetu edhe dhimbjen e sot ktyne nanave që i kanë të zhdukun, se nana ime e ka pasë ni vlla dëshmor në Luftën Nacional-Çlirimtare; që ka ra në vitin 1944 në Sanxhak, e që nuk iu është gjetur kurrë varri. Për atë nashta ajo gjithë e ka pasë se thojke, “Nano prej shumit nuk ka zarar, prej pakit ka zarar”. E kështu që jemi rritë në ni familje nantë fëmi. Kushtet ekonomike i kemi pasë mesatare, nuk mundemi me thanë të varfëra. Sepse babai im ka pasë shumë tokë, kemi punu tokën. Në familjen tonë nuk ka pasur dallim vajza dhe djali. Kemi punu të gjithë edhe jemi shkollu të gjithë, me përjashtim të tre ma të mëdhajve, domethanë vllaut të madh edhe dy motrave që nuk kanë arritë.

Kanë arritë katër-pesë klasë fillore m’i kry, se vllai im është i lindur në vitin ‘46-tën domethanë i madhi, pastaj motra ‘48-ën kurse tjetra ‘50-ën. Këta tre kanë qenë me ni shkollim minimal. Kurse që nga vllau i dytë, domethanë që i bie fëmija i katërt i babait tim që ka qenë i lindur në vitin 1956-tën, ai është i pari që shkollohet në familjen tonë. Tashma asht’ i ndjerë. Ka qenë profesor i gjuhës shqipe, domethanë ka arritë me asi… pastaj vjen motra tjetër që ka thy tabutë e kohës. Ka qenë vajza e parë në komunën e Suharekës që e ka studiu edukatën fizike, ni vajzë e parë.

Pastaj vjen vllau tjetër Ramadani, që ka qenë, edhe sot osht’ jeton akoma, është profesor i muzikës. Pastaj është ni motër, edhe ajo nuk jeton e ndjera. Ajo ka qenë e privuar disa herë nga shteti, nuk e kanë leju, ka qenë e burgosur politike edhe nuk e kanë leju, ka qenë e burgosur politike. Përjashtohet disa herë nga shkolla. Pastaj vi unë me radhë që janë mundu shumë herë të më largojnë dhe nuk kam arritë, domethanë kam arritë me diplomë e kam veç shkollën e mesme, me diplomë. Ato tentimet ato do t’i shpjegoj ma vonë. Dhe vjen vllau i vogël, i ndjeri, ai ka qenë student, por për shkaqe politike ne nuk kemi arritë m’i përfundu gjanat.

Jam rritë me ni familje ku jam shumë falënderues nanës edhe babës tem. Pse? Unë e kom pa çka domethanë m’u rritë në familje të madhe, por me plot harmoni edhe me të drejta të barabarta. Kemi punu nëpër ara, nëpër vreshte, nëpër të gjitha vetëm mos me ia zgjatë dorën pushtetit, mos me u mvarë prej pushtetit. Edhe pse na kanë përjashtu, na kanë privu nga e drejta e punësimit në shtet, ne nuk kemi pasë frikë nga shteti. Kemi punu edhe kemi pasë ni jetë goxha të mirë. Domethanë, jemi konë në mesatarën e jetës së atëhershme.

Jam rritë në odë të burrave muj me thënë. Se oda e babës tem, Rrahman Dan Kryeziut ka qenë odë që e kanë gjetë konakun nga të gjitha viset e Kosovës edhe më gjerë. Pse po e them këtë? Se babai im ka qenë pjesëmarrës në ngritjen e flamurit kur është bërë në vitin 1968 e që e ka ngritur patrioti Haxhi Bajraktari, po osht’ ringritur nga babai im. Pse e them është ringritur? Sepse flamuri është vu në shtyllë pastaj kanë ardhë policia në atë kohë e kanë marrë flamurin e kanë futë në librarinë e qytetit, aty në qendër të Suharekës.

Pastaj babai im bashkë me ni grup shokësh e kanë thy me forcë atë derë. Policia dhe hetuesia, ata UDB-ashit e kohës kanë qenë mrena. Kanë arritë me marrë atë flamur edhe me ringritë edhe nji herë në shtyllë. Pastaj e kanë rujtë këtë ngjarje. E kam të regjistrume në kokë se e kam dëgju me dhjetra herë në odën e babës tem kur vishin njerëz nga e gjithë Kosova. Një gjë mund ta dëshmoj për babën tem që e kam dëgju për herë të parë edhe të fundit në vitin 1992, që sot e kam harru emrin e profesorit nga Prishtina… se babai im ka qenë dëshmitar i gjallë i masakrës së Tivarit. Po nuk na ka folë kurrë për masakrën e Tivarit, kurrë, kurrë! As nana nuk na ka folë.

E kur kemi fillu me dyshu, unë po flas për përshtypjet e mia. Ku kam fillu me dyshu që diçka me babën nuk osht’ në rregull, se babai im s’ka pasë qef me pa kukulla. Kukullat që lujnë fmija. Nuk i pëlqenin kukullat. Niherë e pata pytë nanën, jo atë se ai nuk u përgjigjke. Thashë, “Pse baba nuk don me pa kukulla?” Tha, “Moj nanë, nuk don me pa baba kukulla”, tha, “se kur janë kanë atje në Mal të Zi në Tivar”, tha, “baba”, tha, “ka pshtu…” s’muj me thanë falë se ata të shkretit i kanë pushkatu. Por kur ka gjujt ai rafalli, baba im ka ra i pari dhe mbi babën tim janë gjujt kufomat tjera dhe shumë të tjerë, jo vetëm baba im. Janë mbulu me kufoma dhe kanë nejt tanë natën dhe kanë pshtu domethanë.

Që nga ajo kohë, nuk e di, kurrë nuk e ka shpjegu pse ai nuk ka dashtë me i pa kukullat. E kom dëgju në detaje si e ka detajizu masakrën e Tivarit. Rasisht, unë në atë kohë isha e martume, dhe shkoj unë te baba edhe vjen nga Prishtina ni profesor, në moshë ka qenë atëherë që mjerisht ia kam harru emrin edhe mbiemrin, së bashku me ni student. Profesori kish qenë pjesëmarrës në masakrën e Tivarit po nuk i prezenton babës, nuk i thotë kom dëgju që ti ke qenë. I thotë, “Kom dëgju që ti je dëshmitar i gjallë, a mundesh me ma përshkru rrugëtimin deri…”. Aty e kom dëgju masakrën e Tivarit për herë të parë.

Kur e pata pytë babën, “Pse s’na ke tregu kurrë?” Ka qenë e vështirë në kohën tonë, sot për juve është shumë e lehtë m’u përmend masakra e Tivarit. Vetëm me përmend emrin masakra e Tivarit, ti je burgosë ndoshta me dhjetë, 15 vite burg. Se çka kanë bo n’atë kohë komunistat jugosllavë, po në bashkëpunim me komunistat e Shqipnisë… se unë e di shumë mirë rrugëtimin e masakrës së Tivarit, babai im ka qenë në atë kohë 17-18 vjeçar dhe thotë, “Vetëm na kanë mbledhë në Suharekë, na kanë thanë me ardhë te zadruga”, s’di qysh i thojshin atëherë, te kooperativa tash unë p’e përkthej. “Nuk e kena ditë. Kur na kanë mbledhë aty, na kanë thanë po shkojna m’i luftu forcat gjermane që kanë mbetë diku kah Bosnja, diku anena”.

I kanë grumbullu edhe janë nisë në kamë në Suharekë, në Prizren kanë dalë në Kukës edhe atë rrugëtimin. Pastaj kanë dalë te Miloti atje, janë kthy për Shkodër. Në Shkodër pastaj kanë hypë në ato barkat, anijet. Kur kanë dalë anën tjetër në Tivar atje, thotë, “Ka qenë ni pjesë shpat, shpatie, na nuk e kemi ditë ka pasë edhe partizanë edhe komunista të Jugosllavisë edhe të Shqipnisë që na kanë udhëheqë gjatë rrugës edhe”, thotë, “duke u afruar na për të zbarku, të partë kanë fillu m’u zbarku me dalë atje”, ato lloj topa, ato lloj mitroloza kanë qenë të mbuluara me pemë qysh i kanë masku ata. Edhe osht’ bo masakra ma e madhe nashta mas kohës së Enverit. Masakra ma e madhe në rininë shqiptare, djem kosovar, domethanë të Kosovës.

Tani thotë, ai e përshkrun shumë në detale si janë sjellë gjatë rrugës, sa njerëz kanë vdekë gjatë rrugës. Ai thoshte se, “Unë kom shpëtu falë…” Babai im s’ka pasë nanë po ka pasë njerkë, domethanë është kujdesë për babën tem kur e kanë marrë atë ditë. Ai thotë, “Ma ka dhanë ni copë bukë edhe ma ka shti në xhepa thellë”, që i ka pasë ai do pantollona që i përshkrujke. Thotë, “Edhe gjatë rrugës kur u lodhshim na, unë e shtisha dorën shumë thellë në ata xhepa edhe e nxjerrsha kah ni kashore bukë. Shumë vetë ajo kashore e bukës sa e han ni zog për neve ka qenë shpëtimi”. Të gjithë ata gjatë rrugës që nuk kanë mujtë me ecë, i kanë pushkatu në vend.

Ka zgjatë rruga katër-pesë ditë, se tash nuk e di sakt, domethanë po t’u pasë parasysh. Edhe për ata ka qenë masakra e Tivarit e tmerrshme edhe unë kam pasë fatin me ndëgju atë ngjarje direkt nga babai im. Kena insistu me marrë kur u bonën koha e kamerave, ai s’ka pranu me folë kurrë…

Anita Susuri: E çka ka ndodhë pastaj? A u kthy në shpi?

Zelije Kryeziu Ramadani: Po pastaj janë, babai im, domethanë Rrahman Kryeziu, osht’ Miftar Bajraktari, Musli Elshani, Qazim, jo Qazimi se Qazimi ka qenë i zanun rob e kanë marrë gjermanët në Gjermani katër vjet ka nejt. Nuk po lshohna me emra, se po kom qef pak m’i përmend, po tash mos po gaboj e nuk du… kanë qenë diku 12-13 unë që i di të Suharekës që babai im atë ditë ka pshtu me këta shokë. Nga ajo ditë deri në vdekjen, me 30 maj 1996-tën më ka vdekë babai, këta kanë qenë shokë kurrë nuk janë nda. Pastaj janë bo edhe miq me disa, kanë dhanë, kanë marrë.

Ai thotë, “Jena”, domethanë ky për vete thotë, “unë jam mbulu nga kufomat edhe kom mendu, kam nejtë tanë natën në atë pjesë të mbulume. Diku para mëngjesit kena nisë me lëvizë që kush jemi konë gjallë”, edhe thotë me qita që i përmenda disa, “atje jemi taku edhe pastaj jemi strehu nëpër fshatra të ndryshme aty të asaj zonës”. E tregon rastin thotë, “Te ni si pleme, si shpi ka dalë ni malazeze, grue malazeze edhe na ka dhanën ujë edhe ni copë bukë”. Si ka ardhë [në shpi], përshkrimin nuk e di, nuk e ka tregu edhe ai profesori nuk ka insistu.

Profesorit i ka interesu shkumja deri atje. Çka ish konë ma e mira, se unë emrin e brigadës e kom harru, kur e kryjti baba intervistën i tha, “Rrahman Dan Kryeziu, faleminderit që ke shumë i sinqertë, shumë i saktë. Në këtë brigadë kam qenë edhe unë. Kam pasë raste me intervistu njerëz po ose e kanë zmadhu e kanë bo… ose nuk janë konë në gjendje me folë”. Ai aty i tha. Mjerisht ia kom harru emrin. Ka shkru, ka shkru diku, kush na i ka çu nuk e di se në atë kohë u konë zor me mbajtë edhe libra se na kemi qenë të përndjekur politikë. Për atë [arsye] shumë sene s’muna m’i dëshmu as me fotografi, as… se neve çdo gja, çdo vit jena bastisë disa herë gjatë vitit. Nuk e di.

Ai thotë që, “Në këtë brigadë kam qenë edhe une”, thotë, “edhe vërtetë e ke përshkru ngjarjen ashtu siç ka qenë”. Janë kthy disa suharekas, pastaj baba u martu edhe mos gabofsha baba, se 16 vjeçar u martu, tash nuk e di, 16 vjeçar nana e baba janë martu se janë të lindur në vitin 1926-tës edhe nana edhe baba. Kanë zhvillu pastaj jetën këtu. Pastaj ju ka qasë baba, ka qenë vërtetë patriot i madh. Jam falënderus unë babës gjithmonë, se s’e ndaj babën edhe nanën se kanë qenë… baba im ka pasë katër vite shkollë, nana jem ka qenë analfabete.

Po mrena nanës teme kom thanë, ajo ka qenë njeri pa shkollë, por ka qenë enciklopedi. Ajo ka pasë fakultete në trunin e vet, ka qenë shumë e avancume me kohën, se e ka dashtë, e ka dashtë… edhe sot falë nanës nashta, po edhe babës, po nanës që ajo ka dashtë ka thanë, “Libri osht’ nanës, libri”. Ka shku në botën e amshushme me marakun… muj me ju dëshmu edhe me fotografi kur motra e ka botu librin e parë edhe kur ia kena dhanë, të parin ose të dytin, me sa dashuri e shfleton atë libër. Thu ti që po i gëlltitë ato shkronja edhe pse nuk e dijke asnjë shkronjë.

Nana na ka shty shumë që… “Nanës, çika duhet me pasë shkollë se bohet ma e zoja për vetëvetën”. Edhe baba që na ka përkrahë ma shumë vajzave se djemve. Jemi rritë, thashë, kur rritesh me ni familje prej nantë fëmijëve prej ni babe e prej ni nane që kurrë për asni moment nuk na kanë dallu, “Hajt se qiky osht’ djalë, e rri ti se je çikë, e ai bon me dalë”. Kena pasë edhe sot na që jena gjallë, pesë jena gjallë se katër na kanë vdekë, ne kemi pasë ni harmoni të jashtëzakonshme.

Mu më kujtohet kur merrshim traktorin, unë kam vozitë edhe traktor si 16-17 vjeçare. Hypshim në atë traktorin e famshëm, në atë rimorkio e traktorit domethanë vajza e djem. Pastaj kanë ardhë dy vajzat e hallës nga Prizreni kanë nejtë shumë te na, na kanë ndihmu gjatë fushës së verës. Vajza e hallës nga Samadraxha Fadilete Shala dhe këto dyja Florije Ejupaj dhe Miradije Ejupaj. Na u mbushke ajo rimorkioja me rini edhe shkojshim rrugës nëpër ara t’u knu edhe në mramje ose nesër vishin na merrshin në pytje, “Pse po hyni në traktor si në sistemin e Enver Hoxhës e po shkoni krejt me çika e me djem me traktor e po knoni kangë?” Ai sistem ka qenë i çuditshëm (qeshë).

Kështu që, unë pastaj regjistrohna në shkollën fillore. Shkollën fillore unë e kom pasë në Suharekë; që nga klasa e katërt e kom dashtë shumë artin, artin në përgjithësi. Edhe në atë kohë unë kom shkrujtë, shkruj unë herë mas here, por akoma s’i publikoj gjanat. Kam shkru poezi, kam pasë pasion recitimin. Domethanë që nga klasa e katërt fillore jam marrë me recitime, shkolla çka na ka angazhu. Pastaj, e përfundoj shkollën fillore dhe regjistrohem në gjimnazin, “Jeta e Re”, në Suharekë.

Kam pasë shumë andrra, e kom dashtë shumë shkollën, e kom dashtë në përgjithësi dijen. Në vitin 1982… po kthehna edhe niherë te ‘81-shi fillojnë demostratat e para në Prishtinë. Atëherë ishte vllau im Veseli edhe Zyrafeti kishin përfundu studimet. Po, Zyrafeti kish fillu shkollën, mësimin si mësimdhënëse e edukatës fizike në shkollën fillore. Vllau im në atë kohë Vesel Kryeziu që ishte profesor i gjuhës shqipe ishte ushtar. Demostratat fillunë edhe Zyrafeti merr pjesë në demostratën e Prishtinës të 1 prillit ‘81. Pse po e lidhi?

Edhe Myrveti motra ime, tashmë e ndjerë është, se ajo ka vdekë në vitin ‘97, ndeshje në komunikacion në Suedi. Ajo ishte gjimnaziste, domethanë vitin e tretë të shkollës së mesme edhe ajo merr pjesë në demostratën e 26 marsit në Prizren të vitit 1981. Unë isha në vitin e parë. Policia arrin motrën me e zanë, Zyrafetin jo, Myrvetin. E Myrveti ishte në atë kohë në gjimnaz në Suharekë, kurse vllau tjetër, Ramadani, ishte nxanës i shkollës të mesme, shkollës së muzikës në Prizren. Edhe Myrveti edhe Ramadani kishin marrë pjesë në demostratën e Prizrenit atë ditë. Ramadani ishte aty, Myrveti kishte shku e organizume me klasën e disa shokë e shoqe ishin informu që Prizreni ka pasë, ka me pasë demostratë.

Shkojnë në Prizren edhe marrin pjesë në demostratë. Myrvetin e arrestojnë edhe neve na vjen lajmi në shpi që Myrvetin e arrestun. Por fati ka qenë se shkathtësia e saj me ni rrugicë të Prizrenit që muj me përshkru te te shtëpija, te hamami ajo pjesa, shumë mirë e di atë ngjarje, te hamami ka qenë, aty flas me gjana që kanë qenë në atë kohë sot nuk e di Prizrenin. Ju në qoftë se e mani mend… ka qenë ni rrojtore e rrumbullakët karshi hamamit…

Anita Susuri: Ende është aty.

Zelije Kryeziu Ramadani: A është ende?

Anita Susuri: Po.

Zelije Kryeziu Ramadani: Aty është një rrugicë, tashti një rrugicë. Policia këtu ju dalin, kordoni i parë fillon te qafa e pazarit se këta vijnë nga Shkolla e Lartë, studenta, nxansa vijnë në qendër të qytetit. Kur vijnë në këtë pjesën, domethanë m’u ngjitë nga hamami me shku nga Bazhdarane aty është një kordon shumë i madh i policive edhe arrijnë m’i, me lotsjellësa, me forcë fizike… edhe aty e arrestojnë motrën, Myrveten. Vllau e sheh, e sheh edhe një shoqe e asaj që ishte me Myrvetin. Kur hyn Myrveti në atë rrugicën që po e përshkrun, aty ai polici me siguri ka qenë i mirë edhe ka dashtë me dhanë shkas për me ikë Myrveti. Ajo thotë, “Veç është ndalë nja dy-tre hapa mrapa”, edhe thotë, “unë e kthej kokën”, Myrveti është nalë dy-tre hapa mrapa, ai ka ecë me ia dhanë mundësinë me ikë Myrveti.

Aty diku, aty te ajo lagje Myrveti u hi në shpi dhe e pret ni nanë e mrekullueshme që sot ia kena… unë nuk mbaj emra. Myrveti rrin pastaj diku ka qenë dreka edhe rrin deri në ora gjashtë në mramje te ajo nana. Neve na erdh lajmi në shpi që Myrveti u arrestu. Na kishim në atë kohë shumë materiale ilegale. Baba im që nga ‘74-ta është marrë, ka sjellë domethanë, me ndihmën e shokve revista ilegale të kohës, literaturë. Kemi lexu edhe na fmija i kemi shpërnda. Se në atë odën që thashë të famshme të babait tim kanë ardhë burrat nga gjithë Kosova e ma gjerë edhe gjithmonë është folë për çështjen e Kosovës, për okupimin e Kosovës, si duhet me ardhë deri te shlirimi i Kosovës, si duhet me i sensibilizu të rinjtë se ne jemi të shtypur, se ishte fallco Jugosllavia.

Thonte Kosova është e barabartë me federatën, Kosova ka qenë, domethanë e shtypur, e diskriminume e… duke ia marrë pasurinë, duke ia shfrytëzu Beogradi e krejt këto. Neve na erdh lajmi në shpi që Myrveti u arrestu edhe ne fillum… Zyrafeti atë ditë ishte, ishte kthyer nga Prishtina. Ishte në, në Suharekë edhe na fillum m’i sistemu disa gjana. M’i shti në tokë, se në atë kohë i pshtjellshim nëpër kova plastike edhe i futnim nëpër tokë edhe i mbulonim. Kurrë nuk e harroj atë moment, ishim edhe të mërzitur, çka do të ndodhë me Myrvetin.

Vllaun e pritshim, Ramadanin, me na… ishte autobusi në ora shtatë i fundit që vinte nga Prizreni për Suharekë. Tash na pritshim me babën, me nanën, me këta vllaznitë tjerë me motra, le të na vjen Ramadani edhe le të na tregon në Prizren çka u bo. Se e dhanë lajmin e kohës që, ata thanë, demostratë minimale, se ata kurrë s’e kanë tregu numrin e saktë. Tash po më del para sysh ajo dhoma ku ne ishim ulur. Myrveti hyni mrena e para, i mshoi derës, trokiti. Edhe kur e hapi derën, na të gjithë u çumë në kamë, u gzum, se na e dishim që ajo ishte e burgosur. Hyni edhe vllau Ramdani. U çumë, u përqafum. Për neve ishte ni fitore e madhe.

Ajo na tregojti se si kishte pshtu, këtë ngjarjen që e tregova. Pastaj ajo nana e mirë ia kishte ndrru të gjitha rrobat, jaknën edhe e kish përcjellë deri në stacion të policisë. Se tani filloi ajo ora policore, kontrollonin policia. Ajo e kish kap motrën, Myrvetin ia kish shti dorën i kish thanë, “Në qoftë se na nalin policia, unë jam halla jote, halla, ti ke ardhë edhe te halla në Prizren edhe tash po shkojsh në Suharekë”. Kështu që vijnë ata në, Myrveti edhe Ramdani atë natë, për neve ishte ni gzim shumë i madh.

Pastaj, pas ni jave në bazë të fotografive, kanë pasë foto e sene edhe i bijnë në gjurmë Myrvetit që ka qenë pjesëmarrëse në demostrata. I bijnë në gjurmë Rrahime Hoxha, shoqja e Myrvetit që ka marrë pjesë në demotrata, ka qenë Bajram Berisha. Ni grup i shokve të klasës të Myrvetit që kanë pasë besim. Se në atë kohë ti s’ke pasë besim secilit m’i tregu kush je, osht’ dashtë shumë me zgjedhë shoqninë. Ka qenë Bajram Berisha, Ymer Bala edhe Ismajl Morina, qita më kujtohen, shoktë e motrës që kanë marrë pjesë në atë demostratën.

Pas ni jave të gjithë këta merren në hetuesi në Suharekë, të gjithë këta pytën, “Ju keni qenë në demostrata”. Komiteti në atë kohë jep urdhër drejtorisë që motra e Myrvetit m’u përjashtu nga shkolla edhe ni muj pa përfundu, ose ni muj e gjysë. Se në qershor e përfundojshim shkollën, demostrata ka qenë në mars, diku ndoshta dy muj, dy-tre muj pa përfundu shkolla e përjashtojnë Myrvetin nga shkolla e mesme. Për herë të parë që Myrveti është e përjashtume, tri herë, tri vite radhazi.

Në vitin ‘82, vazhdoj me vite, tashmë na kishim fillu zgjerimin e aktiviteteve ilegale. Zyrafeti ishte e lidhur në Prishtinë me grupin ilegal të kohës. Ka qenë e lidhur me Nuhi Berishën, tash dëshmor. Në atë kohë është punu me treshe. Unë të kam njoftë ty edhe këte. Unë e kam njoftë veç Zyrafetin, të tjerat nuk jemi njoftë. Kështu që, ka funksionu treshja. Në atë kohë fillojnë përgatitjet, vijnë përgatitjen për vitin ‘82, përvjetori i demonstratave.

Zyrafetja arrestohet me 28 shkurt ose 29 shkurt, 28 se niherë katër vite shkurti i ka 29. 28 ose datën e saktë s’po e përmendi, në fund të shkurtit arrestohet. Sepse Myrveti kur e përjashtun vitin e kalum nga shkolla edhe ne hynëm në hetuesi. U shënjëzuam si familje irredentiste, nacionaliste, problematike. U ripërtri pushteti, ajo baba im që kishte bërë në ‘68-ën, ‘74-tën baba im merret në hetuesi për atë materialin ilegal të kohës edhe dënohen disa shokë të babait tim. Domethanë, shteti veç i kishte parasysh, “Ëhë… këtu është ky problematiku. Qy tash dolën këta pinjollat e këtij”.

Ne u shënjëzuam si familje. ‘82-tën fillon bastisja për herë të parë në shtëpinë tonë. Na në atë kohë ishim duke përgatitur pamfletin, “Popull shqiptar”, ia di vetëm titullin që ka qenë e lëvizjes të kohës. E ka përgatitë këtë pamflet me të njejtin titull, me të njejtin tekst osht’ shumëzua në të gjithë Kosovën. Është shpërndarë diku nga data nantë, dhjetë. Nashta në qytete tjera edhe pak ma herët. Për me mobilizu popullin edhe rininë në përvjetorin e parë të demostratave për 11 marsin e vitit 1982.

Ne që nga janari, Zyrafeti veç na kish pru neve, na kish angazhu… në atë kohë e kemi, me dorë i kemi shkru me dhjetëra, me qindra, me mijëra pamfleta muj me thanë. Na ishim në përgatitjen e ktyne aktiviteteve edhe si ka ardhë policia, si ka vendosë me ardhë në bastisje nuk e di. Ka qenë diku… me datë shumë saktë nuk e di, por po mbështetna në arrestimin e Zyrafetit, diku 23 shkurti, 24 shkurti në mëngjesin e hershëm të ftoftë. Diku në ora pesë të mëngjesit vijnë policia rrethekojnë shtëpinë tonë. Shtëpia e babait tim ndodhet në qendër të Suharekës, rruga, rrugica te ura, aty shtëpia. Në renditje është e pesta ose e gjashta, fare në qendër, aty në qendër.

Ne vajzat ishim në dhomën tonë të gjumit në ni shtëpi ma të vjetër edhe familja tjetër ishte, se ne kemi pasë dy shtëpia. Vetëm e di se kur kanë ardhë policia, kanë hy mrena pa paralajmërim, është rretheku shpija, kanë hy te shtëpia atje. Vetëm e di se ka ardhë nana edhe ka thanë, “Çohuni shpejt se na kanë rretheku policia”. Natyrisht na jemi veshë shpejt e shpejt edhe na kanë bo të gjithë familjen grumbull në shtëpinë, në dhomën e ditës ku rrishim ne. Ka fillu bastisja, bastisje shumë e madhe.

Aty, aty është marrë material nga ne, është marrë. Material ilegal jo, por është marrë, se ata ni shqiponje me ta pa të akuzojshin [për nacioanalizëm]. Osht’ marrë… se vllau im, profesori i gjuhës shqipe, ka pasë bibliotekën e vet domethanë. Osht’ marrë çka ka gjetë me shqiponje, çka kanë gjetë libra të Shqipërisë që vllau im i ka pasë të gjithë Rilindasit, të gjithë shkrimtartë. Është marrë edhe osht’ gjetë ni pjesë e ni parollës, e ni pamfletit është bo ni gabim, osht’ qky ajo, osht’ si është grimësu dhe është hudhë në tavan.

Vijnë policia edhe marrin materialin, e zojnë ni fletore të poezive të motrës, Zyrafetit. Zyrafeti ka shkru. E zojnë ni fletore temen, unë thashë në vitin e dytë tash, në ‘82-tën po flas, me poezi. I marrin të gjitha. Natyrisht, na kishim shkru edhe për Shqipninë, poezi të ndryshme. I marrin ato dy fletore. E gjojnë edhe qat’ pamfletën e grisur asi edhe e marrin Zyrafetin në hetuesi. Se ata kishin ardhë me qëllime të caktume. Tash unë po flas, unë sa di. E marrin Zyrafetin në hetuesi me fundin e shkurtit.

Pastaj Myrveti ndërkohë smuhet nga zorra qorrë, kjo motra. Shkon në Spitalin e Prizrenit operohet. Ata vijnë me arrestu Myrvetin edhe sa të del Myrveti, më doket të nesërmen se unë nuk jom shumë e sigurt. Zyrafeti thotë që nga spitali osht’ arrestu edhe po e lajmë kështu ose nga spitali ose atë ditë sa kishte dalë nga spitali e arrestojnë edhe Myrvetin edhe i marrin në hetuesi. Si fillim 24 orë i majnë në Suharekë, pastaj i çojnë në Prizren, pastaj i çojnë në Burgun e Mitrovicës.

Aq fort që kanë qëndru këto dyja. Te ne ka qenë pak ma e lehtë, se ne kemi pasë veprimtarinë… për mu edhe për Myrvetin ka qenë ma e lehtë se ne kemi pasë veprimtarinë me motrën tonë. Pastaj Zyrafeti ka qenë ajo lidhja tjetër. Edhe e marrin Myrvetin në hetuesi edhe e torturojnë edhe fizikisht edhe psiqikisht: ni njeri ni javë mas operacionit. E tregonte ajo shumë mirë. Në hetuesi gjatë natës në Prizren nxemjet, nxemjet qendrore këta gypat si janë, sikur ktu që janë kty gypat, atje lartë ia qesin prangën e lidhin Myrvetin dorën në prangën. Myrveti duhet me nejtë në kamë tanë natën dorën kështu {shpjegon duke mbajtur dorën lart} ni vajzë.

Në atë kohë Myrveti ka qenë 21-22 vjeçare, se pesë vjet para meje osht’. Përpos torturave fizike që e kishin rreh brutalisht e asi… ajo rrinte tonë natën në kamë edhe sa herë fillonte ai gjumi me e kotë, ato pranga shtrëngohen. Si të bjen dora ato shtrëngohen. Deri në mëngjes Myrvetit i hyn prangat thellë n’dorë. Pastaj e dërgojnë në Burgun e Mitrovicës. Me 10 mars të vitit ‘82, akoma jemi te ngjarja, pasi që ata nuk mrrijnë prej Myrvetit edhe Zyrafetit me nxjerrë kurgjo dëshmi hetuesit, vijnë më arrestojnë mue, 16 vjeçare.

Pjesa e Dytë

Zelije Kryeziu Ramadani: Tash unë e disha, e disha që, unë isha e vetëdijshme kisha ndihmu në atë pamfleta unë e shoqet e mija. Domethanë, unë po flas për grupin tim. Fërdane, Fërdane Gashi, Florie Gashi, Florie Jupaj. Na çka ishim ma të rejat. Se atyne në shkrimin e pamfletave kanë marrë pjesë me vllazni domethanë, të gjithë. Me motrat, me nuset, me mbesat, se na kqyrshim sa ma shumë me bo. Se pamfletat e Suharekës sa janë shkru, Zyrafeti i ka marrë i ka dërgu në Prishtinë, janë shpërnda në Prishtinë. Nga cili qytet kanë ardhë në Suharekë janë shpërnda të njejtën ditë, të njejtën natë gjithë Kosovën. Ky ka qenë bum {onomatope} i fortë për pushtetin.

Pastaj më marrin mu atë 10 marsin në hetuesi ka qenë ora, kurrë nuk e harroj, diku rreth orës gjashtë në mramje. Më vesh nana pak ma trash me nanën. I kisha edhe vllaun tem ma të ri, Naimi i ndjeri. Ai ishte i përfshirë ktu edhe vllau Ramadani. Kurrë nuk më harrohet kur thashë, “Unë po shkoj, po tash munësh me u konë edhe ti në rend”. Baba më porositi edhe nana… baba im kishte qenë në hetuesi, e dinte çka osht’ hetuesia. Tha, “Babës, m’u mundu me folë sa ma shkurt edhe mos i harro qato fjalë çka i thu edhe mos hiç këmbëngul në fjalët e para çka i ke thanë”, edhe, “hajt pasha babën se qishtu ia kena borxh atdheut”.

Kur hina, ka qenë ajo fiqa, fiq, fiq, auto i thojshin atij, asaj makinës. Kanë qenë dy policë që kanë ardhë më kanë marrë, edhe kur hi unë në atë makinën, nana ime ishte revoltu. Po nana ka qenë shumë e guximshme edhe ju tha dy policëve, “Çoni selam atij komandirit të juj: Dy vajza m’i burgosët, dy çika”, po shprehna kështu si ka thanë nana. “Dy çika m’i burgosët, ma morët edhe të tretën, po unë ka me bo sa të muj çika. E ju hajdi merrni se s’keni me mujtë me m’i sosë”. Edhe shkoj në hetuesi atje.

Ata insistonin mue, më insistonin që unë ta pranoja që pamfletat m’i ka dhanë Zyra, i ka pru prej Prishtinës. Ata e kishin ndërtu nifarë varianti, e Zyra i ka pru prej Prishtinës, e ti me Myrvetin i keni shpërnda. Ajo s’qëndrojke. Për ata unë isha shumë e sigurt që Zyra edhe Myrveti s’kanë tregu asgja, s’ka dalë asgja. E tash kanë ardhë me më marrë mue si ni 16 vjeçar me më frikësu edhe me ndërtu atë skenarin qysh ata donin. Kam pasë tortura, ni 16 vjeçare sa s’ta merr menja.

Me emër du me hi ktu. Atë natë jo vetëm mu, kanë qenë edhe… e vetmja vajzë kam qenë. Ka qenë edhe ni grup i djemve të asaj kohe Nexhat Kuqi, Ahmet Goxhaj, Florim Kuqi, Luan Kuqi. Në atë natë në hetuesi që kanë qenë për të njejtin pamfletë. Ishte shpërnda pamfleti në Suharekë. A e ka shpërnda qiky grupi i çunave sot e asaj dite… se në atë kohë ty nuk të ka vy informacioni, ma mirë mos me ditë se me ditë. Po atë natë në hetuesi, në dhoma të ndryshme që na merrshin… unë isha shumë e sigurt se s’kisha të boja me këtë grupin, unë kisha të boja me motrat e mija.

U fokusova thashë, “Unë nuk kom pa pamfleta, mu nuk më intereson kjo çështja e Kosovës”, u dufsha të thojsha, “mu më intereson vetëm shkollimi. Unë du me shku në shkollë, du m’u shkollu”. Ata më rrihnin. Ka qenë ai lloj pendreku, shufër e gomës e mushun me rërë edhe gjatë rrahjes njani m’i shkulte floktë, m’i shkulte floktë sa mujke. Tjetri m’i majke durtë edhe tjetri sjellke me pendrek. Ata kanë qenë Daut Morina hetues nga Prizreni, Ilaz Vranovci nga ni fshat i Suharekës sot nuk jeton ai ma, hetues nga Prizreni, Astrit Koshi, Idriz Gegaj. Për momentin nuk po më vijnë edhe… Sahit Zogaj ma vonë.

Se unë merrem në hetuesi që nga ‘82-ta deri ‘87-ën çdo vit. Çdo gja që ka ndodhë në Suharekë e kom bo, s’e kom bo, unë jom marrë në hetuesi. Me më dënu s’më kanë dënu, veç në hetuesi m’kanë marrë. Aq malltretime të forta më bojnë tanë natën edhe nuk arrijnë me marrë prej meje ata që ata kërkojshin: me akuzu unë Myrvetin edhe Zyrafetin. Më lirojnë me datën 11 mars. Në mëngjes herët, 6:30 dal nga stacioni policor i Suharekës. Kamtë m’u kishin ajë qikaq {përshkruan me duar që shumë} mrena natës. Se ata të rrihnin edhe përfundi edhe tani ta qitshin do ujë të ftohtë për mos me ni ti niherë ata.

Nga stacioni policor që i ka deri te shpija babës tem është 500-600 metra, unë me siguri kom bo 40 minuta, se kah shkilsha sa herë i ndrrojsha hapat, unë i ndisha dhimbje, dhimbje, dhimbje. Hy në shtëpi mrena, diku para orës shtatë. Kur më sheh nana në atë gjendje që jam, nana ime ish provu edhe me babën tem e me malltretimet ma përpara i kishte bo krypë e kepë gati, kypë, kepë, alkool. E kishte mushë atë llovorin edhe si hi unë mrena m’i math çorapat edhe m’i mushë me qepë. Po unë insistoja me çdo kusht me shku në shkollë. Unë du me shku në shkollë. Shkolla fillonte në ora tetë.

Shkolla prej shtëpisë tonë ka qenë dhjetë minuta edhe diku para orës, pak para tetve vjen shoqja jeme, Ferdane Gashi, që jam rritë, shoqe të klasës e kom pasë dhjetë vjet. Jam rritë, komshija im i parë. Edhe thom, “Po edhe unë du me ardhë në shkollë”, ajo më thotë mu kadale, “Mos e merr çantën”. Se atë ditë unë që s’isha kanë në shkollë ish përhapë lajmi… sa isha konë unë në hetuesi ish përhapë lajmi që me 11 mars ka demostrata në shkollë. I kishte organizu ni grup i rinisë. Po flas për përvjetorin e parë të demostratave [1982].

Unë shkoj në shkollë. Sa të hi në oborrin e shkollës nxansat, ni pjesë e madhe e nxansave edhe disa patriotë ishin të informum për demostratën edhe ne ngjitemi në shpatin e shkollës. Fillon demostrata. Unë nga hetuesia në demostratë. M’u doke vetja i harrova të rrehnet, i harrova plagët, i harrova të gjitha. M’u doke vetja që po fluturoj. Filloi ato brohoritjet, “Kosova Republikë!” “Republikë! Kushtetutë! Ja me hatër, ja me luftë!” “E dojnë barazi”, Kosova në atë federatën jugosllave, “Bashkohuni bashkë me ne”, kënga, “Ejani shokë, mblidhuni këtu këtu”. Nga më të ndryshmet.

Rrethohet oborri, gjimnazi i Suharekës, “Jeta e Re”, osht’ i rrethum, goxha ka pozitë të madhe oborri. Osht’ i rrethum me tela. Rreth e rreth vijnë kordoni i policisë, por mrena në shkollë tashi, a s’ka leju drejtoria, pse nuk kanë hi ni herë policia, nuk e kam informacionin. Unë po flas unë sa kam pa. Protestojna aty edhe diku ndoshta mas ni ore kujdestari im i klasës, Hysni, Hysni Osmani nga Ferizaji, më ka dhanë BAT [Bazat e Arsimit Teknik], kujdestar klase. Ai kishte marrë vesh që unë kam qenë mramë në hetuesi.

Vjen, si sot më kujtohet, vjen në mesin e demostruesve. Aty ishin dy lloj të profesorave, profesora shpihuna që hishin në masë për m’i regjistru cilët nxansa kanë marrë pjesë e me raportu edhe profesora patriota që na stimulonin dhe që na përkrahnin. Vjen ai profesori nga unë edhe më thotë mu, “Zelije, Zelije”, tash unë p’i frikës asi thom, “Profesor, profesor”. Edhe vjen më kap mu edhe më thotë, “Ti duhesh me dalë nga turma, duhesh me dalë patjetër nga turma”, unë thom, “Pse me dalë?” Edhe ni grup i shokve të mi, tash që është bashkëshorti im, Asllani, Asllan Ramadani, Xhavit Elshani. Shoqet e mija Merishah Elshani, Firdane Gashi.

Më rrethekojnë edhe e dijnë që nga hetuesia kom ardhë më thojnë, “Duhesh me dalë, duhesh me dalë para se me u shpërnda demostrata, se je figurë e njofshme”. Arrij unë me dalë nga mrapa oborrit, ni pjesë arrij edhe nëpër rrugica edhe arrij në shtëpi. Nga shtëpia jonë, se ishte në qendër, akoma unë e shihja demostratën. Aty, domethanë, me 11 mars, me 12 mars mu më marrin prapë në hetuesi. Prapë i njejti, tashmë më thojshin, “Ke qenë pjesëmarrëse në demostratë”.

Po kam shpëtu se ni arsimtar, profesor i kohës, ni bashkëpunëtor i atyne kishte bo shumë foto. Po me siguri ai ka bo fotot masi kam dalë nga turma, se ai ka pasë shtëpinë afër. Kur kam kërku unë, kam insistu në hetuesi, kur më thonin, “Ti ke qenë pjesëmarrëse në demostratë”, unë thojsha, “Po qitni ju faktet. Qysh kom mujtë unë e rrehne llom me shku në shkollë e me marrë pjesë në demostrata?” Unë e kisha nifarë lloj argumenti. Fatmirësisht që ata nuk patën foto. Me foto se shumë nxansa i kanë burgosë, i kanë përjashtu, i kanë dënu në bazë të fotove.

Ata nuk patën foto edhe mu më lirun prapë, se në Suharekë kanë të drejtë me të majtë vetëm 24 orë. Në hetuesi të lirojnë, pastaj në qoftë se vazhdojnë procedurat duhet me shku në Prizren, pastaj në burg. Kështu osht’, ishte në atë kohë procedura e arrestimit. Më lirojnë prapë mu. Unë shkoj në shkollë edhe tash ishte ni gjendje e jashtëzakonshme, shumë e randë në shkollë mbretëronte. Komiteti i kohës bonte trysni te profesorat që me shku klasë për klasë edhe m’i çu nxansat njo nga njo edhe me thanë nxansat, “Na e dënojna këtë demostratë”, ishte ni luftë psiqike. Pushteti jugosllav e kishte kuptu që po i vjen fundi.

Përmes ktyne mobilizimeve, përmes bashkëpunëtorëve të vet, profesora nxansa po flas, ni pjesë shyqyr që ka qenë e vogël. Ata u munojshin me majtë gjallë Jugosllavinë t’u thanë, “Qe këta u pendunë, ke ni numër i vogël i nxansave edhe u pendunë”. Fillon në secilën klasë me shku drejtoria e shkollës edhe secili nxanës me thanë, “Po unë e dënoj këtë demostratë”. Ne ishim klasë, po flas në vitin e dytë gjimnaz, klasë shumë kompakte. Po mrena klasës tonë ishte ni shpiun që ne e dishim, ni nxanës i yni ishte shpiun. Ai ka qenë polic edhe e kanë vra tani pastaj gjatë luftës, se ai ka qenë bashkëpunëtor.

Ne e dishim që ai osht’ bashkëpunëtor. Po ne u lidhëm aq fortë me kujdestarin e klasës edhe na thojshim, kena me thanë, “Jo s’i dënojna”. T’u bisedu me kujdestarin, t’u, ai tha, “Osht’ ni formalitet goje, ju duhet me vazhdu shkollën”. Na si të gjithë klasa atë formalitetin kur erdh drejtoria e shkollës u çumë edhe e thamë, “I dënojna”, domethanë demostratat. Ata tash tentonin me më përjashtu mu nga shkolla se u bo dita, hera e dytë në hetuesi. Falë këtij profesorit, Hysni Osmanit, falë profesorit patriotit shumë të madh Shefki Muqaj, Shefqet Zeqiraj, Mursel Plakiqi, Islam Morina. Du m’i cekë do profesorë, kur ka ardhë puna me më përjashtu nxansat, domethanë, këta kanë këmbëngulë [që mos me të i përjashtojnë].

Në shumicën e klasëve ku kanë qenë këta kujdestarë, këta kanë këmbëngulë. “Të gjithë nxansat kanë qenë pjesëmarrës në demostratë. O kanë me u përjashtu të gjithë o s’kanë me u përjashtu asnjë”. Kështu që, në klasën tonë, nuk po flas për klasë të tjera, neve na qitën në parapërjashtim e unë pshtova nga përjashtimi. Pshtova dhe nuk u përjashtova. Dolëm në parapërjashtim. Pastaj, Myrveti dhe Zyrafeti veç ishin në burg. Myrvetin e dënojnë 60 ditë, dy muj burg për shkak të atij pamfletit të grisur që e kishin gjetë; që e merr përsipër Myrveti t’u thanë, “E kom gjetë dikund rrugës, nuk e di”. Hetimet vazhdonin te Zyrafeti.

Kështu që, Zyrafeti katër muj ka vazhdu hetimet pastaj dënohet, nuk i di detajet mirë si kanë zgjatë procedurat. Dënohet me ni vit e gjys burg. Vazhdojmë. Erdh viti ‘83, vllau im profesor i gjuhës shqipe ishte ushtar në atë kohë. Para se me shku ushtar punonte me ni shkollë, me ni fshat të Suharekës, arsimtar i gjuhës angleze, plus studionte gjuhën shqipe. Domethanë, ishte në prag të përfundimit. Se atëherë ishte edhe procedura e studimit me korrespodencë. U kthy. Tashmë i kishim dy motra të burgosura, dy vllezër të marrun në hetuesi. Ky Veseli edhe ishte i papërshtatshëm për pushtetin edhe nuk e lanë me punu.

Ky diplomoi, domethanë, pas ni kohe diplomoi. Për dhjetë vjet, domethanë deri në vitin 1999 Vesel Kryeziu i diplomum, profesor i gjuhës shqipe edhe ka pasë shkollën e lartë të gjuhës angleze nuk është leju me punu për shkak të veprimtarisë, që ishte pjesë e asaj veprimtarie edhe ai se ne ishim të gjithë. Myrveti përjashtohet nga shkolla tri vite radhazi, Zyrafeti burgoset. Fillojnë kështu edhe kështu fillon viti deri në vitin ‘84. Kur unë tash jom maturante, aktiviteti jonë s’kishte pushu për asni çast. As i imi, as i shokve të mi, as i familjes teme.

Në atë kohë, juve ndoshta ka me ju dokë shumë çudi, aktiviteti kryesor ka qenë me sensibilizu, me dhanë literaturë, me lexu, me pa që ne jemi të shtypur, me informu përmes gojës, me marrë njerëz nga pozita e pushtetit që kishte bo për veti me i kthy në anën tonë. Ata që ishin neutral me ua çelë sytë, knej është e drejta, jo anej nga Beogradi, po knej. Kjo ishte puna e përditshme e jona. Tashmë familjes Kryeziu të Ramadan dhe Zylfije Kryeziu fëmive të tyne, i kish mbetë e vetmja mundësi shati. Shati është ni mjet që e punojsh arën edhe leximi.

Kështu që, në vitin ‘84 unë mrri me kry shkollën e mesme me sukses të shkëlqyeshëm. Pasioni im ka qenë, unë e kam studiu biologjinë, e kom dashtë shumë natyrën. Kom regjistru, jom paraqit në Fakultetin e Bujqësisë, kom konkuru. Ishte me provim pranues. E jap provimin me notat maksimale. Renditem në listen e të pranuarve. Gjatë atij viti, gjatë atij pushimi tre-mujor, ne familja jonë jemi marrë me mbjelljen e duhanit.

Duhani është puna ma e lodhshme në bujqësi, që ti duhet të shkojsh në ora katër të mëngjesit tre, me vjelë atë duhanin me pru në shtëpi dhe fletë për flete me qit’ në gjilpërë. Me qit’ në atë penin e famshëm me varë në mur e m’u terë ai duhani. E në dimër me dorëzu e me qato të holla me jetu. Se na s’kemi pasë të ardhura, vetëm vllau i madh Musliu punonte si shofer. Të tjerët ishin të privuar nga puna e shtetit. Edhe pse tashma edhe Ramadani e përfundoi shkollën, ky vllau, shkollën e mesme të muzikës, u regjistru në fakultet. Unë u regjistrova.

Ne ishim të privuar nga puna e shtetit. Ne ju qasëm punës së arës, së fushave dhe e siguronim goxha ni ekonomi të mirë. Atëherë bujqësia ka pasë vlerë. Gjatë atij pushimi, unë kam mrri prej dëshirës që jam regjistru në fakultet, tash të më falni se mund të më rrokin edhe një çik emocionet. Prej dëshirës që unë u regjistrova në fakultet me notë mesatare, me vlerësimin e pikëve metedologji mos të gaboj edhe ni provim tjetër, që për momentin s’po më kujtohet, unë i kisha përgatitur gjatë verës akoma pa fillu ligjeratat. Se unë i kisha marrë literaturë nga, kam pasë familjarë tjerë që studionin në bujqësi.

Vjen 1 tetori i vitit ‘84, dita e parë e studimeve. Ma bon nana gati (qanë) atë çantën e famshme (qanë) të rrobave dhe së bashku me Ramadanin, me vllaun që është tre vite para meje. Ky ishte ma në vitin e fundit të studimeve dhe në shkollën e muzikës tash në Prishtinë. Shkoj unë për herë të parë në Prishtinë si studente. Ishte (qanë) ndarja e parë nga familja (qanë). Shkoj në fakultet, kuptohet me ndihmën e vllaut. E kam siguru ni banesë private. Banesa ka qenë te posta numër 3, osht’ në qendër, në qoftë se s’kom harru. Aty ka qenë, po flas për vitin ‘84, diku aty afër ka qenë Restaurant Rugova. Mrapa, ajo lagja tash nuk e di, unë e kom pasë banesën aty.

Kemi qenë në banesë bashkë me Lumnie Azemin e burgosur politike që ka qenë së bashku… Lumninë e kemi njoftë edhe sot e kom si motër, në bazë të Myrvetit edhe Zyrafetit që kanë qenë në burg. Lumja osht’ me moshë para meje, po për shkak të burgosjes, pas burgimit ajo arrin me u regjsitru në ndërtimtari, ndërtimtari mos harrofsha. Na jemi dy brucoshe, qysh na thojke vllau, që vijke me na vizitu edhe fillojna domethanë, fillojmë ligjeratat.

E kam bo rrugën nga ajo qendra aty banesën ku e kom pasë deri te Fakulteti i Bujqësisë që është atje te Fushë Kosova te rruga, çdo ditë në kamë. Kurrë nuk e kam ndi, m’u doke vetja që po fluturoj. Ka qenë ditë e hane, java e tretë e ligjeratave, domethanë, java e tretë, dy javë na nuk erdhëm në Suharekë bashkë me vllaun. Se ka qenë rregullore edhe vllavi tjerë edhe Zyrafeti edhe kush ka studiu niherë në dy javë me ardhë se ishte, rruga kushtonte. Na ishim shumë nxansa, shumë studenta i kemi sistemu gjithmonë gjanat. Ne morëm të holla për dy javë në Prishtinë bashkë me vllaun Ramadanin. Kur u kthym filloi java e tretë e studimeve.

Ka qenë ora diku rreth orës nantë të mëngjesit, në amfiteatrin e Fakultetit të Bujqësisë në orën e Mujë Rugovës, profesorit, vjen ni mirëmbajtës i fakultetit i afrohet Mujë Rugovës edhe pëshpërit diçka në vesh. Isha diku ka reni i tretë ose i katërti i amfiteatrit aty. Në amfiteatër në atë kohë i mbanim landtë e përgjithshme, të gjithë studentat për atë. Landtë profesionale i mbajshim nëpër katedra, nëpër ato. Po në amfiteatra ishte në atë kohë marksizmi, mbrojtja, ku e di do landë që së funksionin fare na i majshim.

Mujë Rugova ka qenë [profesor] landën e kimisë diçka, teknologjike, nuk e di landën mirë. Atë landë e majshim shumica e studentave. Nuk e di pse e majshim të përbashkët, se nuk ka qenë landë… Mujë Rugova ka ligjeru landë profesionale, jo me politikën. Ka qenë ni profesor shumë i respektum për mu, shumë i dashtun. Kam dëgju në atë kohë fjalë të mira për Mujë Rugovën. Tani ka me ua tregu ni koicidencë. Profesori… me mikrofon në amfiteatër është punu. Profesori Mujë Rugova i thërret disa emra të studentave djem edhe më thotë, “Zelije Kryeziu”, filani, filani thotë, “m’u lajmëru në dekanat”.

Çohna në kamë e sjelli kokën, amfiteatri plot. Katër ose pesë çuna edhe unë ni vajzë e vetme. Pse na thirrën në dekanat? Tash unë nuk e di, ka qenë në katin e dytë ose të tretë dekanati, nuk e di. Veç e di që jam ngjitë atyne shkallve edhe ajo rruga më është dukë me kilometra. Pse unë në dekanat? A ma e meçmja a ma budalla? Hy në dekanat, në atë zyrën. Ishte dekani i fakultetit, Agron Dedushi nga Gjakova edhe ni ndihmës, ni zëvendës i atij. Nuk e di ai. Ai Agron Dedushin e di.

U ulëm edhe më thojnë ata… kishte ardhë urdhëri nga Komiteti i Suharekës. Kishin çu informacione në fakultet që nga ajo që ua tregova historinë e babait tem edhe… deri vllaun Veselin në ushtri e marrin shumë herë në pytje për shkak të aktivitetit të motrave, pa e ditë vllau çka po bohet se ai ishte ushtar. Ishin mbledhë komplet informacionet ishin ardhë fakultetit. Me këmbëngulje me më largu nga fakulteti. Hi mrena, po unë e shoh atë shpirtin e atdhetarit të Agron Dedushit.

Ata që ishim, ata që ishin bashkëpunëtorë, ata mënyrën e komunikimit si fillojshin, aaa {onomatope} “Ju po doni me rrxu Jugosllavinë a? Pse a ka dikun ma mirë se Jugosllavia a?” Po ajo kultura e profesorit Agron, ajo atdhetarizmi unë ia lexova meniherë. Ai më tha, “Fol për vetën, kush je ti?” Unë i tregova, “Vi prej ni familje, me dy prind pa shkollë”, edhe tha, “Pse ki konkuru në fakultet? Se s’po du meniherë me dalë në politikë”. Me siguri u ndijke edhe ai keq, me siguri i kishin pa rezultatet e shkollimit të mijat, po hamendësoj këtu.

Unë i tregoj se na jena familje nantë anëtarëshe, kena shumë tokë. “Unë du”, thashë, “ato të mirat që mu familja m’i ka dhanë për shkollim, nesër me dalë ni inxhinier e zoja me kontribu për familjen teme edhe për shtetin edhe për të gjitha”. Më thotë mu, “Jeni marrë najherë në hetuesi ju ose familja juj?” Si e përmendi hetuesinë e pashë. Thashë, “Po”. I tregova që i kam pasë dy motra në burg, krejt. Më thotë mu, “Studente e nderume, me keqardhje duhet për momentin me të pushu nga studimet”, thotë, “po ta jep ni munëdsi mrena jave”, ishte e hanë, java e tretë që kishim fillu që thashë studimet.

Po ta jepi ni mundësi mrena javës me shku në Komitetin e Suharekës me siguru ni karakteristikë të famshme”, ishte atëherë ajo karakteristika që shkruhej, “Zelije Rrahmon Kryeziu, nxënsja e shkollës së mesme, vajza e filanit. Për shkaqe për veprimtari jo armiqësore”, qitu ka qenë dallimi, “i lejohen studimet ose për veprimtari armiqësore nuk i lejohen studimet”. Kjo ishte karakteristika e famshme.

Nga Fakulteti i Bujqësisë deri te banesa jem, aty ku e pata në qendër… kur kom ardhë te pjesa, tash po munona me kujtu Prishtinën atëherë me krahasu me të sotshëm, më duket ku osht’ busti i Nënës Terezë, ajo pjesa aty. Jam ulë në karrigë edhe për ni moment më ka hupë vetëdija. Ju betohem që asgjë nuk shtoj. Asgjë nuk zmadhoj. Jam ulë për ni moment… po unë në atë kohë e kam dhezë cigarën kaniherë. E kom dhezë cigaren edhe për ni moment më ka hupë vetëdija, nuk e kam ditë kush jam, ku jam edhe ku po shkoj. Po ajo ka zgjatë ndoshta me sekonda edhe më vjen vetëdija.

Shkoj në banesë ia la ni letër shoqes teme, Lumës. I tregoj, ia la në letër. Atëherë s’ka pasë telefona, m’i tregu vllaut që unë po nisna për Suharekë, se vllau im çdo natë vinte na merrte neve brucosheve dilshim m’u shëtitë në atë korzën e famshme të Prishtinës që për neve ishte, ishte… se e shëtitshim botën. Vi në Suharekë. Të nesërmen me babën, niherë shkova në Bashkësinë Lokale të Suharekës se më thanë Bashkësia Lokale ta lshon.

Nuk du me përmend për shkak se fëmive të personit në fjalë. Ai personi më thotë, “Jo, na nuk mujna me ta lshu karakteristikën, ti duhesh me shku drejt në Komitet. Se Komiteti ka ardhë urdhër, e ka peshu familjen e juj për veprimtarinë armiqësore edhe pasha bacën për juve s’ka shkollë”. Kështu më thotë ky personi. Të nesërmen unë shkoj me babën në Komitet. Ishin ardhë informacionet që unë kam ardhë nga Prishtina se ishin përgatitë tereni. Nuk e di pse ju kanë frikësu aq shumë familjes tonë, unë nuk e di, edhe sot nuk e kam…

Shkoj unë me babën, ai portiri kur na ka pa… Komiteti ka qenë, e kalojshe parkun e Suharekës edhe ajo ndërtesa aty. Është mbyllë dera e Komitetit. U mbyll dera e hymjes së Komitetit. Baba jem ka qenë edhe pjesëmarrës në Luftën Nacional-Çlirimtare që thashë ka pasë edhe librezën e luftëtarit. E kish pasë marrë me veti pa e ditë unë. Kur e shtyva atë derën me xhom, dera mbyllë. Baba jem osht’ pak impulsiv edhe unë i ngjaj atij. S’pret hiç i mshon derës edhe e then xhamin.

Vjen ai portiri. Portiri veç na kish pa neve, kish shku kish ardhë urdhër që ne jemi t’u hi mrena në Komitet. Baba kur e then xhamin, vjen ai portiri edhe baba i thotë, “Çele derën”, e çelë ai derën. Thotë… në atë moment, na kemi hi mrena, kryetari i Komitetit të Suharekës tashmë ishte Sokol Basha. Para dy viteve ka qenë drejtor i shkollës edhe zëvendës drejtor Musli Kabashi. Tash ishin avancu për kontributin ndaj pushtetit, ishin bërë kryetarë edhe nënkryetarë Komiteti.

Hina në atë koridorin edhe baba tash e nxori librezën e luftëtarit. Po bërtet, baba im ka pasë pak zërin, ka folë me za të naltë. “Qysh bre nuk po ju vjen marre, marre duhet me ju ardhë ni luftëtarit të Luftës Nacional-Çlirimtare po i mshelet dera. Pse? Se po vjen me kërku të drejtën e fëmijës të vet”. Me këto fjalë na i afrohemi derës të zyrës të kryetarit të Komitetit të Sokol Basha. Ai, “Kadal mixhë, kadal. Na jena këtu për popullin”, tash ai po na merr neve me politikë.

Ulemi aty edhe baba po i thotë, “Kom ardhë me kërku pse ia keni ndalu çikës shkollën? Qysh bre nuk ju vjen marre?” Shkolla e mesme në Suharekë, ku unë e kom kry shkollën është tokë e babit të tij që e ka falë për shkollën. Shkolla teknike sot që është në Suharekë, është tokë e babait tim që ia kanë marrë për shkollën. Thotë, “Unë kom falë tokë për shkolla, m’i shkollu fëmijën e ju fëmijës tem me ia ndalu shkollën. Qysh bre nuk po ju vjen marre?”

Ai kur e sheh ngritjen e zanit të babës tem thotë, “Jo, jo”, thotë, “na nuk ia kena ndalu vajzës tane shkollën”, thotë, “le të shkon vajza nesër tash te ni tjetër kryetar Bashkësie Lokale”, se Suhareka ka qenë e ndame Suhareka një dhe Suhareka dy. Thotë, “Edhe aty e merr karakteristikën”. Na hjeki neve na Komiteti. Të nesërmen domethonë i bie ditë e mërkurë. Shkoj unë te kryetari i Bashkësisë Lokale të Suharekës nji që ka qenë fqinji im, fqinj me shtëpia. Hi aty edhe nuk më ka pëlqy mënyra… se unë po kaloj prej temës në temë.

Unë ia fali njerit kur duhet me zbatu detyrën se ai ka marrë rrogë, unë ia fali. Unë nuk ia fali njerit që e thotë ata që s’osht’ i obligum për me thanë. Sikur të isha unë mrena edhe me më thanë, “O mor bac, me keqardhje po ta jep qita”, unë sot ia kisha falë edhe isha konë në rregull. Po nuk ia fali, unë s’kam forcën nuk du me luftu, po të paktën moralisht nuk ia fali. Se kur kom hi mrena e para mënyrë kur m’ka thanë, “A ju çikat e Rrahmanit jeni çu peshë Kuku për babën e juj që ia qitët faqen e zezë”. Unë e kom kqyrë. “Kqyrë bre bac, merrni boni naj qejz keni m’u martu nesër e mos u merrni me këto punë se edhe mahallës faqën e zezë ia qitët”, kjo ka qenë. Fqinj e kom, aty me shpija.

Ma jep karakteristikën. Unë ia hudhi sytë, ka qenë ajo i lejohet apo s’i lejohet, veç kjo. E shoh aty që, “Nuk i lejohet”. Shumë e revoltume i thom, “Ti filan, për që ia kemi qit’ faqën e zezë atë thanjën që e the babës tem, ty duhet me të ardhë marre ti çka je t’u thanë. Se na nuk jena t’u bo kurgjo për personale po jena t’u bo që nesër edhe ti ki me pasë dobi, ja erdhi. Po ti ki m’u ni i turpërum, ndoshta ki me ia lonë turpërimin edhe fëmive tu për këto fjalë që i tha”. E marrë karakteristikën, nisëm për Prishtinë. E dorëzoj karakteristikën atje edhe më përjashtojnë nga fakulteti, sa të është Jugosllavia [kam qenë] pa të drejtë shkollimi.

E mora karakteristikën edhe shkova në Prishtinë edhe m’u komuniku që mu Komiteti i kohës ma ka ndalu shkollimin sa të është Jugosllavia. Kthehna shumë e mërzitun, shumë e revoltume, shumë… se në atë kohë kishte shumë të burgosur. Pjesëmarrës të demostratave të marrun në hetuesi që atë vit ishin regjistru ata bashkëmoshatarët e mi të gjithë. Isha e vetmja vajzë nga Suhareka dhe e vetmja nxanëse, po flas për ‘84-tën që m’u ndalu shkollimi.

Po thashë, falë prindërve, falë kësaj familje të madhe që ne ishim akoma e përkrahshim shoqi-shoqin atëherë baba, nana na thanë kështu, më ka thanë mu, “Nanës, jeta i ka kto”. “Babës, jeta i ka kto. Po ti duhesh me kanë krenare, ti je t’u e bo ni luftë me Jugosllavinë”. Atij personit aty kur më tha që, “Të gjitha muni me m’i bo, librin a keni me mujtë me ma nalë?” Unë i dhashë kta. Ju ktheva Suharekës, ju përkushtova punëve të bujqësisë të ju ndihmoj prindërve, vllaznive, motrave.

Tash na u bonëm tre në shtëpi. Veseli, Zyra edhe Myrveti veç ishin të privum me fakulteta rrinin në shpi. Isha unë i katërti person që u largova nga procesi [mësimor]. Vllavi Ramadani ishte në diplomimin e fundit [provimin e fundit para diplomimit]. Edhe ai e pritke i njejti fat dhe e priti i njejti fat. Se e kryjti shkollën edhe mbeti pa punë. Po na ju qasëm punëve bujqësore dhe i shpallëm luftë komitetlive edhe Jugosllavisë. Kemi luftu çdo moment. Përmes punës ilegale, po edhe konfrontim.

Më kujtohet ka qenë viti ‘85 ose ‘86 ishte ajo shtafetae famshme që vike e Titos që u përcjellke. Atë ditë ishin çu komitetlitë e kohës, policia në qendër të Suharekës kishin ndërtu binën, madhështinë, i kishin pru nxansat edhe po vjen shtafeta. Në maj se ajo me 25 maj u dorëzojke në Beograd pastaj. Tash me sa maj ka defilu nëpër Suharekë nuk e di. Vllavi Veseli na thotë neve, “Hypni të gjithë në rimorkio të traktorit”, na në qendër të Suharekës aty. Thotë, “kur e dëgjojna”, se shtafeta atë vit vijke nga Prizreni shkojke për Prishtinë. “Kur ta dëgjojmë zanin e atyre”, policive kur vijke ajo shtafeta, gjoja se pale kush po vjen, thotë, “ne dalim në qendër të qytetit edhe ia thejmë imazhin e shtafetës. Dalim me traktor se jem t’u shku në punë. Ju punën nga shteti na keni privu, tash ne po shkojmë në bashçe”.

Na rrijmë të gjithë në rimorkio të traktorit të gjithë vllaznit, motrat. Edhe kur e dëgjojmë atë sinjalin, dalim pikërisht te ura e Suharekës dalim aty. Vjen… kah keni ardhë ju tash Fabrika Ballkan tash ku osht’ Viva Freshi, në këtë pjesën këtu ne ngjitemi t’u ardhë knej se arat e tona u duke tani me thy rrugën me dalë në ara. Kordoni i policive, Idriz Gegaj, komandanti i policisë e disa ishin konë t’u ardhë para shtafetës. Kur na shohin neve çmenden ata edhe i bërtasin vllaut, “Nalu, nalu!” Se u dufke me respektu shtafetën ti, statuj me nejt. Na dolën përpara kordoni tjetër i policisë.

Vllavi e nali traktorin edhe me plot mllef i thojnë, “Idiot, idiot. A je t’u e ditë kush osht’ t’u ardhë?” Tash na e dijshim, po vllau i tha, “Jo, nuk e di. Pse?” Thotë, “Idiot, shtafeta osht’ t’u ardhë”, thotë, “ju keni dalë në rrugë”. Ai thotë, “Po, po në mramje unë s’kom çka me hangër, shtafetën s’e ha”, thotë, “unë po shkoj në ara”. Bohet ajo tollovia. Na marrin në hetuesi, na rrehin si zakonisht, si gjithmonë edhe kalon edhe kjo ditë. Që i bie kështu, që nga burgosja e Myrvetit edhe Zyrafetit, se s’po du me hi tash me radhë me vite sa herë jena marrë. Deri në vitin ‘89, po flas unë për vete, çdo vit jem marrë në hetuesi edhe vllaznit edhe motrat e kësaj familje. Me dhjetëra herë jena bastisë, me dhjetëra herë jena marrë në hetuesi, me dhjetra herë jena torturu.

Vetëm edhe ni rast du me cekë gjatë torturave patjetër këta duhet me mbetë, se në ‘83-ën bohet ni përgatitje nga Shemsije Elshani dhe Teuta Bekteshi nga Kumanova për atë parullën e madhe. Ato nuk arrijnë me zbulu për shkak të atij perit që kishte ra mbi postën e vjetër ai, domethanë nuk arrijnë plotfuqishëm me bo aksionin. Me arrestimin e Teuta Bekteshit edhe Shemsije Elshanit, meniherë arrestohemi edhe na tri çikat e familjes. Zyrafeti, Myrveti edhe Zelija. Unë tash i kisha 17 vjet. Valbone Elshani është çika e vajzës, çika e axhës të Shemsije Elshanit, 13 vjeçare.

Të tri motrat e mia, Teutën edhe Shemsinë i kishin nisë për burg. Të tri motrat e mia i mbajnë tonë ditën, domethonë na arrestojnë nga dreka edhe tanë kohën në dhomën në burg të stacionit policor. Kurse në pytje na merrshin vetëm mu edhe Valbonën. Unë isha në këtë dhomë hetuesie {prek krahun e djathtë}, Valbona 13 vjeçare në anën tjetër {prek krahun e majtë}. Aq fortë na rrahin saqë kur kanë hi në atë, veç ata që kanë hi e dijnë, edhe burrat ma të mdhaj kanë bërtitë. Na dëgjohet zani në krejt stacionin e policisë e në dhomën aty ku ishte Myrveti edhe Zyrafeti dëgjojnë vujtjet e tona. Ato mrrijnë me thy derën e asajna edhe dalin në koridor. T’u u përballë me policijen edhe tentojnë me hy me forcë ku ishim na.

Edhe ju vjen urdhëri tani ktyne UDB-ashave që na merrshin në pytje të njejtit, Sala se s’po më kujtohet mbiemri, Daut Morina, të njejtit UDB-ashat çdo herë janë konë, vinin nga Prizreni. Vjen aty domethonë e dëgjojnë ata zanin e Myrvetit edhe të Zyrafetit t’u thonë, “Mos u merrni me fmi, kto janë fmi lshoni janë t’pafajshëm. Merrnu me ne veç po na mbani mbyllë tanë ditën”. Pastaj i marrin edhe ato në hetuesi, domethonë, në pytje. Në mëngjes… se shpesh herë bojmë shaka me Zyrafetin, “Neve na kanë marrë, ti je rreh, të kanë shpërbly gjithmonë”, se unë isha ma e vogla. Prapë na lirojnë. Ky kalvar ka vazhdu me vite të tana. Derisa erdhi viti ‘89, burri im tashmë e kryjti burgun, pas pesë viteve u liru edhe unë u martova.

Pjesa e Tretë

Anita Susuri: Po du me folë tashti për ni pjesë, për pritjen që e keni bo ju kur osht’ dënu domethonë pesë vjet. Ndoshta keni qenë të fejum atëherë?

Zelije Kryeziu Ramadani: Jo. Unë kom pasë fatbardhësinë që jom rritë me ni familje, thashë, me plot liri. Ne me burrin tim as që kemi arritë m’i shtrëngu durtë. Ishte ajo dashuria e parë. Domethanë, ajo dashuria. Edhe ai ka pasë pasion interpretimin edhe unë, shkollimin jemi marrë edhe me aktivitete edhe krejt. Sa ma shfaq ai dashurinë ‘83-tën, ishte kryetar i grupit të të rinjëve të kohës, se s’po më kujtohet ajo Lëvizja Marksiste-Leniniste. Këta e organizojnë demostratën e vitit ‘84 në Suharekë. Ky grupi. Sa e kishim thanë dashurinë pa e shtërngu asni dorë, ky arrestohet, burgoset. Unë e kaloj këtë pjesën që thashë, regjistrohem në fakultet edhe krejt.

Në vitin ‘86 më vjen mu ni letër ilegalisht përmes familjes që domethonë tash familja jonë që osht’. Vjen ni letër edhe unë bile nuk e disha, a kishin fillu ato dashuriçkat na i kishim thanë, po nuk e disha si qëndron puna. Se ishte se unë kisha lidhje edhe me këtë grupin po unë e disha që këta nuk më kanë qit. Unë pshtova pa u dënu edhe falë ktyne. Ma shkurt, më vjen ajo shkëndija që ne jemi të dashurum akoma. Ai e kishte lajmëru në Burgun e Valevës, më kishin lajmëru mu si të fejume [të tij]. Më kishte lajmëru. Më vjen informacioni edhe kështu që unë insistoja edhe ai që të takohemi na në Valevë. Ishte puna në Valevë të Serbisë burgu.

E marrë unë djalin e tezës teme, Jashar Balën, që e kom ma shumë se vlla. Sot ai osht’ në Zvicërr, unë jam… po duhemi shumë. E krejt mrekullia e dashnisë tonë është që fëmija tonë sot janë, jetojnë pjesën në Gjermani, pjesa tjetër e Jasharit në Zvicërr. Po duhemi, shkojmë, vijmë. I thom atij tezakut tim, “Kështu, kështu, kështu, po du me bo ni vizitë, po du me shku te Asllani në burg”. Ai më thotë, “Okej edhe unë du me ardhë me ty”. Lidhemi me familjen e Asllanit. Familja tash, baba e Asllanit e dijke, familja jeme e dishin se unë… veç u mor vesh u dënu e kështu. E dishin po me nifarë [forme] p’e dina, s’pe dina.

Unë vendosa me shku në Valevë edhe i tregova motrave edhe i tregova vllaut tim të vogël, ky mas meje që ishte edhe Veselit, vllaut, profesorit. Thashë, “Unë du me shku për Valevë, po mos ta dijnë prindërit”. S’doja m’i bo merak edhe doja pak gjysëm-ilegal me bo këtë. Shkum në Burgun e Valevës, ishte ni emocion që mu ma dridhke shpirtin, zemrën. Kur shkum aty, babës të Asllanit i thojnë, “Ti munësh me hi në vizitë”, mu nuk më lejohet vizita se nuk kom dëshmi që jom e fejume. Mbesim te porta e burgut, unë edhe tezaku im. Baba i Asllanit hin në vizitë. Vizita zgjatke ni orë. I kisha humbur shpresat. Tezaku im e kishte ni optimizëm më thojke mu, “Ti ki me hi ktu”.

Nuk e di, janë çu të njëmbëdhjetë të burgosur politikë në atë burg që kanë qenë edhe kanë protestu, por nuk m’u leju mue vizita, ata kanë hi në grevë urie. E shohim ni kerr policie që vjen te porta, në atë kerr të policisë ish kanë drejtori i burgut. E kishin trazu shqiptartë atje në Valevë. Shkojnë atje, paraqitet, domethanë Asllani tashma burri im edhe i thotë, “Më ka ardhë e fejumja, unë du m’u taku”. Me urdhërin e drejtorit të burgut më lejohet vizita. Hy në burg edhe për atë pritjen drejtori gjoja se m’u bo i mirë na jepin tri orë vizitë. Ishte takimi i parë edhe i fundit për pesë vjet. Aty në burg kishte edhe të burgosur tjerë edhe familje tjera. Por të paktën ne i shtrëngum durtë edhe u lidhëm, u rilidhëm me ata. Kjo ishte domethanë deri në vitin ‘89.

Anita Susuri: E a ka pasë naj përjashtim, se zakonisht kemi dëgju që shumë shkurt kanë qenë vizitat?

Zelije Kryeziu Ramadani: Vizitat, shiko, tash vizitat varen prej burgut në burg. Vizitat në burgjet hetuese qysh ka qenë Mitrovica, se tash unë du me përshkru edhe qysh ka qenë në Burgun e Mitrovicës kur kemi shku kur ishte Myrveti edhe Zyrafeti. Tashti prindërit e mi edhe ne e kishim merakin që Zyrafeti u arrestu, po ishte e shëndoshë. Myrveti me ato vujtjet, me atë operacionin. Çka osht’ ma e mira se gjithmonë, qysh m’i ka tregu Myrveti edhe Zyrafeti, se unë në burg s’kam qenë, sa… Zyrafeti thotë, “Kur ka ardhë Myrveti në burg”, nuk kanë qenë me ni dhomë, se ata e kanë ditë pushteti që këto janë motra. Po thojke, “Aq mirë e kena përgatitë atë komunikimin mrapa skenës që kur dilshin gardianët, kur metke ai koridori thatë e ato dhomat, ato çeli që janë konë”, thotë, “ne hypshim me ni karrige në derë edhe bisedojshim dhoma prej dhomës”. Sikur këtu me qenë ni dritare e vogël edhe atje dritarja tjetër. I thojshim… atje ka pasë emra ilegal.

Shkon Myrveti edhe informon që dhoma, domethonë ku ishte Zyrafeti, se unë nuk i di m’i tregu dhomat me numër qysh i dijnë ato. “Vjen ni informacion”, thotë Zyrafeti, “ka ardhë ni çikë nga Suhareka. Osht’ e keqtrajtume, po osht’ edhe e operume”. Zyrës i shkon menja, Zyrafetit, më falni se na i thojna Zyra. Zyrafetit i shkon menja edhe thotë, “Osht’ motra jeme”. Kjo motra, Myrveti, e merr pseudonimin në burg Lule. E Zyrafeti nuk po e thom, se s’jom e sigurt tash m’u ka përzi pseudonimi. Komunikojnë me këto pseudonimet. Tash na mezi e pritshim vizitën e parë me shku në Mitrovicë, m’i vizitu te dyja. Shkojnë vizitën e parë… pesë anëtarë të familjes kanë të drejtë në vizitë me kanë, pesë. Në mesin e pesve kam qenë edhe unë në vizitën e parë. Domethanë, unë kam shku deri në Mitrovicë po mu nuk m’u ka leju me hy mrena. Tash hyn nana, motra, vllavi edhe baba më duket ka qenë.

Vizita në Mitrovicë ka qenë ajo rrjeta [në dhomën e vizitës], ajo, pastaj ka qenë ni shtyllë kështu {shpjegon me duar në formë të drejtë} edhe ti të burgosurin ke mujtë vetëm me pa përmes rrjetave. Ato hynin me ni derë, kështu u kanë dera {përshkruan formën e derës}, këtu u kanë ajo rrjeta, ajo vinin nga ajo dera familja rrike ktu. Tash po tregoj sipas anëtarëve të familjes se mu nuk më lejohet vizita me hy mrena. Nuk i di shkaqet, nuk i di. Unë pres jashtë, vjen Zyrafeti e para. Ka qenë rregull m’i qitë durtë mrapa {vendosë duart e saj mrapa}. S’ke guxu m’i qitë përpara edhe me bisedu me familjen. Bisedojnë mirë.

E kena pasë fatin se nana jonë ka qenë shumë optimiste. Ai njeri kurrë s’ka ditë m’u mërzit, kurrë, kurrë, kurrë! Ajo ta ka dhanë forcën, kurajon, ajo të gjitha. Me atë qëndrimin dy police e rujshin Zyrafetin, këta knena. Nana i thotë, “Qysh je çika jem?” Kjo i thotë, “Mirë jam nanë, mirë”, “Hajt pasha nanën se shpejt kena me ndreqë situatën e Kosovës” (qeshë). Aty shkëmbehen… dy deri në tre minuta ishin vizitat, tash e largojnë… edhe kjo më kujtohet Myrveti qysh ma ka tregue, se mas burgut unë kom nejtë tani me ni dhomë kom flejt me motrën teme. Ajo më ka tregu shumë ngjarje.

Tash Myrveti t’u menu që kur të shkojna në vizitë kur të na vjen familja na qesin dy motrat edhe shihemi. Këto kanë mendu ashtu. Tash hiqet Myrveti. E tërhjekin Zyrafetin edhe vjen Myrveti. Myrveti e keqtrajtume edhe Zyrafeti e keqtrajtume. Se në atë kohë tregojke ajo, “Shyqyr që s’kena pasë të drejtë m’i qit’ durtë përpara se ke qenë e mavijosur, e ajme”. Vjen Myrveti, e malltretume skajshmërisht. Akoma varra t’u i kullu. E lodhme, e zbehtë, e dobët. Kur e sheh nana për ni moment, ia grrynë shpirtin nanës ajo. Se e sheh Zyrafeti ma e mirë me shëndet, domethanë. Myrveti shumë, shumë e zbehtë. Kur dalim aty, unë ku e pritsha jashtë, nana nihet pak e thyme. Thotë, “O veç le t’i shnoshet qajo varrë. Se e veta qysh je çika jem? A t’u ka shnosh varra?” Kjo i thotë, “Jo hala”.

Dy-tre minuta u kanë vizita edhe të merrshin, “Hajde u kry, qikaq”. A në burgjet kur e ke kry hetuesinë, në burgje tjera kur ke kalu në burgun e lirë gjoja, atëherë vizitat kanë ndryshu. Se na kur kemi shku, ka kalu Zyrafeti nga Burgu i Mitrovicës në Burgun e Lipjanit, pastaj ka qenë vizita e lirë. Pastaj ka qenë ni sallë kanë shku, kanë pasë të drejtë sa familje janë kanë, pesë, gjashtë, përniherë me hi në atë sallën. Secili i burgosur ka shku te familja e vet, po bashkarisht ke mujtë me bo vizitën edhe ka qenë diku vizita ni orë. Këtu osht’ dallimi mes burgut hetues edhe burgut të lirë, gjoja të lirë. Myrveti i manë dy muj ditë burg edhe lirohet në maj të vitit ‘82. Zyrafeti vazhdon domethonë me burg tjera.

Anita Susuri: Po më intereson pak ma shumë me ditë për këto aktivitet që i keni bo. Qysh kanë shku? Qysh jeni marrë vesh? Çfarë rregullash keni pasë?

Zelije Kryeziu Ramadani: Në atë kohë u punu në konspiracion të plotë. U konë ni thanje e famshme, “Ma mirë mos me ditë se me ditë”, edhe, “Mos vet shumë”. Domethonë, kjo ka qarkullu. A çdo gja është bë në mënyrë thashë ilegale. Po flas… qëllimi kryesor ka qenë me përgatitë popullin, me sensibilizu popullin, klasën punëtore, masën, rininë, me kuptu ata që: o njerëz na jemi të pushtum; o populli im i mirë na jemi të shkelur e të privuar nga çdo e drejtë edhe ne duhet me ngritë zanin se po s’e ngritëm ne zanin kurrë nuk ka me na ardhë liria.

Këto kanë fillu gjeneratat para neve gjithmonë. Në kontinuitet ka qenë kjo lëvizje, kurrë s’ka pushu për shlirimin e Kosovës. E ka bo Adem Demaçi, e kanë bo për Adem Demaçin. Kanë vazhdu të gjithë aktivistët, mos t’i përmendi me radhë. Pastaj edhe në diasporë edhe këtu, grupet ilegale të kohës, grupi Marksist-Leninist. Secili qytet i ka pasë grupet e veta. Grupet janë koordinu përmes veti përmes tresheve. Thashë, në Suharekë unë nuk di, unë e njoh Zyrafetin që na ka pru materialin, që na ka udhëzu çka duhet me bo.

Domethonë, gjithmonë para përvjetoreve të demostratave, domethonë kur vijke 11 marsi, 26 marsi, 1 dhe 2 prilli. Çdo vit qëllimi kryesor u konë m’u organizu në secilin qytet këto demostrata, me ngritë zanin populli. Kadal kadale ka shku t’u sensibilizu populli, t’u e përqafu idenë tonë. Se edhe shka u konë ma e zorshmja në atë kohë, se po nisna prej familjes teme, mu kur m’kanë pa shumica e personave, s’po thom shumica, po ni pjesë. Se na kemi pasë edhe shokë e shoqe që na kanë dashtë, nuk janë friksu. Po ka pasë edhe njerëz që nuk janë nalë në qytet me më folë.

Unë kur m’u privu… unë kam punu punë bujqësore dhe e kom dashtë bujqësinë. Unë nga mosha pesë-gjashtë vjeçare jam marrë me tregti. Kam shitë speca, patlixhana, bostan, zarzavate deri edhe kur m’largunë nga fakulteti unë nuk kam pasë paragjykime. Unë kam qenë njeri pa komplekse. Mu s’më ka interesu sa vjet i kom, se unë s’kom bo kurgjo keq. Mu s’më ka ardhë marre me shitë në treg, mu nuk më ka ardhë marre. I kom gra traktorit, kom shku me livru. I kom bo krejt puntë. Unë i kom gra biçikletës n’atë kohë. Unë kom thy tabu domethonë.

Mu nuk më ka interesu çka thojnë të tjerët, a osht’ e dobishme për mu edhe familjen? Këto janë konë domethanë në atë kohë që njerëzit të kanë kqyrë me ni sy kritik që, “A kqyri çikat e Rrahmanit ose çikat e filanit po bojnë politikë”. Për fillimin u konë kishe e marrshme m’u marrë me politikë, e marrshme. Po tani u sensbilizunë. Pra, qëllimi kryesor i krejt neve rinisë të kohës, paraardhësve edhe neve më pas u konë me sensbilizu popullin. Me shpërnda pamfleta, me shkru pamfleta, me shkru parolla.

Për shembull, u çojshim në mëngjes herët shkojshim në punë në ara. Midis asfalltit, e merrshim atë… ngjyrat e zeza janë konë me ni tas edhe e shkrujshe “KR”. Ni “KR”, e tronditke Komitetin edhe… kështu u konë. Na s’kena luftu me armë, na kena luftu me këto mjete. T’u shkru parolla, t’u shpërnda pamfleta, t’u shpërnda literaturë, t’u organizu demostrata. Domethanë, qiky u konë aktiviteti jonë deri në vitin ‘90-të.

Tash po dal te e ‘90-ta. Isha shtatzanë. Nga java e dytë e janarit fillojnë demostratat. Se ke ni pauzë, ‘84… ke ni dy vjeçar ni pauzë ni asi. Pastaj doli në skenë LDK-ja u formu këtu edhe tash fillunë demostratat, “Liri, Demokraci, Pavarësi!” Kjo është e… se në Suharekë janë bo dy ose tri javë për çdo ditë demostrata, për çdo ditë. Unë isha tashmë shtatzanë në muajin e shtatë-tetë. Do të thotë, tash me djalin Demokratin, i madhi quhet Demokrat.

Në odën e babës Rrahman që e kemi pasë rrëzë dyerve, ajo odë nuk ka qenë vetëm e babës tim. Ajo ka qenë odë e krejt njerëzve, e burrave, e grave, e vajzave të krejt Kosovës, të Maqedonisë, të Malit të Zi. Se atë e tregojnë edhe kjo tribuna që ishte para tri dite; që ato gra, ato çika, ata çuna që kanë ardhë edhe legal edhe ilegal, se te na kanë nejtë edhe ilegalisht vajzat nga qytete të ndryshme. Erdhën në atë odën e famshme të Suharekës atë ditë mas 41 vjete.

Në atë odën që ka qenë e hapur edhe për nuset edhe për vajzat. Aty nuk u konë odë veç e burrave, aty u brumosë me këtë idenë, me këtë patriotizmin e krejt këto. Erdh viti ‘90-të, tashma vllau Veseli ishte në krye të LDK-së. Zyrafeti u martu, ishte nanë. U informum që ka me pasë demostrata. Zyrafeti atje ku jetonte, me ni fshat në Klinë atje, Gllarevë edhe erdhi. Erdhi motra tjetër Myrveti. Unë këtu kam jetu [në Suharekë] edhe shkum edhe e pritëm demostratën e parë.

Ishte dhanë urdhëri që jo me qenë veç ni demostratë, po me qenë në shumë punkta. Në ditën e parë e fillum demostratën në qendër të qytetit, pikërisht te ura, domethonë qendra është. Aty fillojnë brohoritjet e para, aty masa fillon vjen nga Hoteli Ballkan. Te Hoteli Ballkan ishte kordoni me ato tankat, pizgauer i thojshin se jo tankë. Ishin pizgauertë e vendosur edhe kur dolën në kamë policia edhe mos me leju m’u ngjitë demostruesit ma larg.

Kur erdhëm aty, fillunë me gjujtë me bomba lotsjellësi, me bomba uji, ka qenë ni lloj i bombave. Ditën e parë protestum në qendër të qytetit, pastaj u shpërndamë. Interesant… normal që kanë qenë… për atë demostratë të rijtë e kohës tash po flas, ishte vllau im i ndjerë Naim Kryeziu, Bexhet Kuqi, Dashnor Elshani, Isuf Kuqi. Një rini, ma të ri se na. Ata i kishin marrë, kuptohet me urdhërin e ma të mdhajve tash, kishin edhe LDK-ja edhe këto grupet ilegale kishin kordinu senet me fillu demostratat masive në krejt Kosovën. Unë po flas për Suharekën, për vitin ‘90-të.

Këta shkojshin nëpër fshatra veç ju thojshin, për shembull, “Të hanën ka demostratë”. Populli ishte lodhë, populli mezi priste me dalë në rrugë, popullit iu kish mbushë kupa. Ditën e parë kemi demostru në qendër të qytetit. Si ka ardhë informacioni nuk e di. Ditën e dytë… domethonë, në mramje aty te ajo oda babës u mbledhën këta krerët edhe bojshin i caktojshin rregullat. Tham, “Tash jo me dalë në qendër”, se veç të nesërmen erdhën edhe policia nga Serbia. Sa kenë policia shqiptare ishte pak ma ndryshe, tash erdh edhe nga Serbia. Por në secilën lagje me u protestu që me i çorientu polictë.

Atëherë te lagja e babait tim ku ishte shtëpia e prindërve të mi ishim na krejt familja. Në mramje fillunë m’u nda detyrat. Aty ishin familjet Kuqi, Gashi, Kryeziu, Hajdari, Gegaj. Familje po flas me mbiemra. Pikërisht para dyrve të babës e të nanës, të familjes edhe dyrve të Mustafë Kuqit ishte ni lloj sheshi u mblodhën demostruesit. Po flas për ditën e dytë të janarit të vitit ‘90-të, nuk i di datat, po mundohna me përshkru kështu.

Policia ishin pozicionu te ura pikërisht, se u shihke nga ura pikërisht, se u shihke nga ura kjo pjesa këtu. U mblodhë masa e njerëzve, nga familja jonë nga të gjitha këto familje që i përmenda me mbiemër. Të gjithë familjarët ishin pjesëmarrës edhe nga fshatrat kishin ardhë. U protesohej në lagjen tonë, protestohej nga Lagja e Bylykbashëve, protestohej nga Lagja e Berishve, protesohej nga kjo pjesa kah erdhët ju. Ajo pjesa ka e bonët [rrugën] ju ka qenë plot. Në të gjitha sheshet, ku ishin sheshe u protestonte në atë kohë.

Ne në shtëpinë tonë kishim edhe fëmi, domethonë fëmi beba. Kishin edhe shumë. Atëherë na i caktum detyrat, ni pjesë e grave të reja me marrë ato kovat e famshme me atë kosin. Tjertë me ujin, tjertë me qepët edhe me shpërnda. Se kur u shpërndarje gazi lotsjellës vetëm qepa të shpëtojke. I fërkojshe pak sytë me qepë ose e merrshe qepën në gojë edhe ta hiqte atë frymëmarrjen që ta ndalke ai gazi.

Është shumë interesant, në ditën e dytë… unë kom lexu shumë, shumë libra historie. E kom pasë Shote Galicën idhull, idhull. E kom pasë Mic Sokolin idhull, e kom pasë shumë, shumë. Unë aty më ka befasu qëndrimi i nanës tem, Zelfi, pa asni ditë shkollë. Po e dhanë me mish, me zemër, me shpirt për çështjen e Kosovës. [Aty] E kom pa atë nanën e guximshme, si shumë nana tjera të Kosovës kur u çu. Nana jem ka majtë shami, ka qenë e mbulume kur ka dalë jashtë në rrugë.

Unë nuk p’e di, po për mu është befasi. Kur ajo u çu edhe po bohet gati, e lidhi atë farë fanullën kështu rreth gojës {përshkruan me duar se si e ka lidhë} e mushi me qepë. Fanullën e lidhi me qepë. Tash na dolëm krejt. Unë isha aty në ato radhët e para. Ishin edhe shumë gra tjera, ishin edhe shumë të tjerë. Na fillum me demostru, “Pavarësi, Demokraci, Republikë!” Thanjet e kohës, “Liri!” U gjujt bomba lotsjellës e para për atë lagje. Nuk e kini idenë.

Është filmi, “Gunat mbi tela”, në atë kohë. Parashkruese se si në kohën kur kanë luftue Lëvizjet e Kaçakve ndaj turqve, kur janë mundu me ato pastaçijat m’i mbulu ato bombat. Na jemi ushqy shumë nga filmat e kohës. E kur e pashë nanën tem atë ditë, ato gunat mbi tela ato. Nana jeme kur erdh ajo lotsjellësi i parë para demostruesve, nana jeme ka mbajtë dimija me pala, edhe me ato i hapi ato palat edhe u ulë përmbi atë bombë lotsjellës, atë lotsjellës. Na krejt të tmerrum po bojna, “Ma, ma, ma!” Arriti me marrë atë lotsjellësin pa u shpërthy. Se ajo e kishte ata zzzz {onomotope} që bojke, hala pa e qit’ atë timin.

Ia kthej me durë mrapa policve që kishin hy tash. Makineria rrijke në urë, forcat këmbësore kishin hy deri gati afër dyrve, ne ku protestonim. Edhe ia kthen nana prapë [gazin lotësjllës]. E gjithë masa filloi të gjitha bombat çka vishin m’u mobilizu edhe m’i kthy prapa. Kjo ishte kulmi që i revoltonte policët se si po organizohen këta. Domethonë nga spontaniteti. Pastaj aty filluan… ka pasë shumë të lëndum edhe fizikisht, se ajo bomba gazlotsjellës me bo me të ra, kudo që të bijke në trup të shkaktojke plagë.

Është demostru tanë ditën. Është shpërnda ujë, është shpërnda buka, është shpërnda… këto gratë e famshme, këto heroinat e kohës, këto nana të mira, këto nuse të mira, çika të mira të organizume. Ka pasë demostrues nga të gjitha rrethet. E bojshim nga ni copë bukë e nga ni copë djathë e prejshim edhe e qitshim në ato shporta edhe i hishim masave të demostruesve, ujë. Ky ka qenë për çdo ditë, çdo ditë janë bo këto demostrata. Deri më 29 mars, 29 janar ‘90-tës po flas.

Unë isha shtatzanë, isha e lodhur, protestova disa ditë radhazi. Vendosa me ardhë këtu, në qit’ shpinë ku jena në Lagjen e Shirokës. Na dhanë urdhër që me pushu pak. Erdhëm. Të nesërmen u bo edhe ni demostratë, 29 po e përshkruj, 29 mars. Të… domethanë, pas disa ditëve erdhi, ishte kërkesë e popullatës e lagjes tonë që m’u shamngë pak me dalë ku ishte ma hapur. Se fmija, e vunin të vegjlit ato bombat lotsjellës. Ata fillunë me gjujtë edhe në dhomë mrena i shtishin gazin lotsjellës.

Erdhi qëndrimi që jo me u protestu nëpër lagje tashti, po me dalë në atë pjesën kah erdhët ju. Atëherë ka qenë, nuk ka pasë kaq shumë shpija. M’u protestu në atë pjesën anej. Po e përshkruj ditën e asaj ditës 29 janari demostratës të vitit ‘90-të. Atë ditë unë s’kam qenë në demostratë, atë ditë isha ktu [në shtëpi brenda]. Isha pak, nuk isha bash mirë me shëndet, isha në prag thuajse të lindjes. Se mu djali i parë më ka lindë me 24 shkurt. E unë në shtatzani isha pjesëmarrëse në demostrata.

E ndëgjoj këtu që po protestohet, po vijnë policia këtu, po bohet kaos. Se këto shtëpija s’kanë qenë këtu, na e kena pasë shtëpijën buzë rrugës, tash janë kunetija rend. Ni pjesë e popullatës, fshati Sopi është anej, kishin ardhë këtu në rrugën kryesore kishin vu barrikada që mos me ia mundësu… se në cilin qytet, për shembull, nëse në Suharekë kishte numër të madh të demostruesve vinin forca shtesë nga Prizreni. Apo anasjelltas. Këtu u mobilizojshin gjatë natës, futshin barikada, qitshin goma, dru, gurë që mos me mujtë me kalu kerret e policisë aq shpejt.

Ishin bo gjatë natës shumë kordone nga popullata në këtë rrugën kryesore. Na e kishim shpijen buzë rrugës edhe unë filloj p’e shoh që në Suharekë po dëgjohen zhurma po nihen asi. Po i thom bashkëshortit tim, “A prapë demostrata a? A thanë me pushu?” Tanë ditën është protestu atë ditë në Suharekë. Diku nga masditja vonë, katër ose pesë se tash po tutna me dhanë orë të saktë, se nuk po jom shumë e sigurtë. I dëgjoj rafallat e automatikut tër, tër, tër {onomotope} dëgjoj, unë po flas këtu çka kom dëgju.

Në atë moment më vjen ni ndjenjë shumë e keqe, ni parandjenjë thom meniherë bashkëshortit tim, “Dikush prej familjes tonë u vra”. Të nesërmen në mëngjes, atë natë ishte vra kushëriri im. Domethonë, baba i atij edhe baba im ishin djem të axhallarëve, si po i bjen kusherinjë. 29 vjeçar mos gabofsha, 30 vjeçar ndoshta, s’po më kujtohet, i ri. Me atë kushërinin çdo natë, ishte në protesta, çdo natë vinte në atë odën e famshme rrishim mas darke. Ai ka qenë i shëndetshëm, Milit Kryeziu, i shëndetshëm, i madh, i guximshëm. Tregon vllau Ramadani, pasaj si e kom dëgju…

Të nesërmen në mëngjes unë i thom bashkëshortit tim, “Ne duhet me depërtu me hi në Suharekë. I vrami po më thotë zemra se osht’ i joni”. Çohemi na e marim ni televizion të vogël veç sa për improvizim edhe nisemi në kamë me shku në Suharekë. Këtu sa ngjitesh në këtë pjesën përpjetë post-blloku i parë i policisë. Na po i thojna, “Unë nuk jom mirë. Jom shtatzanë po du me shku te mjeku edhe qiky televizori na u ka prishë edhe po dojna me çu me ndreqë”. Na kontrollun leternjoftimat pa problem na lshunë.

Vramja e kusherinit tem atë ditë, me 29-tin, tash unë po flas për 30 janar. Në Suharekë ishin vetëm policia edhe ato zogjët e zinjë si i thojnë laraska, a si i thojnë, korb. Mëngjes i hershëm, ishte mëngjes i hershëm, [ora] shtatë. Nifarë qetësie që ta futke tmerrin. Hi unë ngadalë, hi aty te ura vi në rrugën e qytetit, te familja jeme. Të gjithë anëtarët e familjes, domethonë ma të rinjtë ishin shku te kusherini se ai ishte vra.

Kur osht’, tash p’e tregoj vllau si ma ka tregu, Ramadani. Thotë, “Kemi qenë në protestë”, vllavi Ramadani, vllavi i madh Musliu, që ka qenë, tash e tregoj edhe ngjarjen tjetër. Edhe shumë të tjerë kanë qenë në qet’ turmën. “Ky”, thotë, “kusherini është vra nga posta e qytetit me snajper”. Ka qenë ma i madhi, e ka pasë atë shaminë e kuqe të lidhne kështu {përshkruan shaminë e hollë të lidhur rreth ballit} edhe nga posta e qytetit e kanë shenjëzu dhe e kanë vra.

Thotë vllau, thotë, “Na jena kanë t’u protestu krejt, ka pasë krisma ka pasë”, thotë, “ky vetëm e kena pa që ka ra për toke”. Me atë rast janë plagosë, s’du me dhanë emra edhe fshatra se nuk jam shumë e sigurtë, janë plagosë edhe dy-tre të tjerë. Kanë fillu tash me u mobilizu qysh m’i marrë, qysh m’i çu populli. Aty ni bashkëvendas i yni, ni Azizi i Islamit thotë, “Unë e kom kamionin, merrne kamionin tonë”. I qesin do kësi shilte, do shilte edhe thojnë, “Po s’kena shofer”.

Qiky vllau jem, Musli Kryeziu, ma i madhi thotë, “Shofer jam unë”. Edhe i ngarkojnë ata në atë kamionin edhe vllavi bashkë me disa bashkëvendas i marrin edhe i çojnë në stacionin policor të Suharekës, në stacionin shëndetësor, shtëpinë e shëndetit të Suharekës. Ata të plagosurit i nalin, Militin më duket e lanë këtu ata i nisin për Prizren po tani i merr ndihma e shpejtë. Veç vllau thotë, “Ne kemi qenë aty kur ka ra ai, kur osht’ vra”.

Unë erdha tashi në shpi ai ish ikë… tash po kthena te 30 janari. E shoh vllaun Ramadanin vetëm ai kish qenë në shpi edhe gruja tij tjertë kishin shku n’ë atë kohë m’u përgatitë te ajo familja. Se ka qenë… sot për gjeneratën e re këto ngjarje nuk e di, ndoshta thojnë po ani ka vdekë ai, u vra. Po u konë shumë guxim i madh, m’u çu ti me shku në të pame te dikush që e kanë vra policia se e ke pësu ti edhe krejt familja jote. Na, janë solidarizu Suhareka shumica po ka pasë edhe frikacaka, ka pasë edhe shpihuna s’e përjashtoj as ata. Unë po flas unë prej prizmit tem si e kom pa.

Më thotë vllau kur hi unë mrena, thom, “Kush u vra pramë në Suharekë”, ai thotë, “Militi”. Më goditi se Militi ishte vllau im. Ni njeri që e kishte lanë grujen e re e me tre fëmi. Ishte i vetmi krah pune. Shkojmë pastaj atje te shpija e Militit bashkë me bashkëshortin tem, se na ishim edhe në mahallë si thuhet. Përgatitet ajo, tashmë vllau, me LDK-në e Suharekës i kishin marrë masat me organizu vorrimin.

Ka qenë numri i pjesëmarrësve lirisht mujsh me thanë, lirisht mujsh me thanë deri dhetë mijë vetë. Sa masa të dhunshme, sa terror, sa burgosje popullit i hupi frika. Ishte ni pjesë, thashë, ai sensibilizimi me gjenerata të tana, po du me lidhë, e boni të vetën. Tasht popullit i kishte hupë frika. Tash ishin në numër të vogël ata që u dallojshin që s’e përqafonin idenë tonë që nashta para 20 viteve ishte utopike. Ka mujtë me ndodhë kjo. Gjithmonë mas çdo demostrate kur u ulshim me analizu, ne ëndërronim për një Kosovë të lirë, për një jetë të lirë.

Pjesa e Katërt

Anita Susuri: Bashkëshorti juj kur ka dalë prej burgut, si ka ndodhë pastaj martesa?

Zelije Kryeziu Ramadani: Po, po. Bashkëshorti im lirohet me 19 janar të vitit ‘89-të nga burgu, 19 janar të ‘89-tes. Vjen… rrugën e bon, shkon baba i bashkëshortit tim edhe ni djalë i dajës që ishte shok i burrit tim edhe i imi në shkollën e mesme. Shkojnë me marrë në Valevë. Vjen me tren. Atë natë nuk kam fjetë tanë natën, s’kam fjetë, s’ka pasë shumë punë. I kom pasë si ata shoktë e mi, Myrvetin po flas, vllaun Ramadanin, vllaun Naimin. Këta e dinin që Asllani po lirohet nga burgu.

Ai mrrijke prej Valevës diku… se ni pjesë e bojshin me tren deri në Ferizaj e pastaj me autobus. Vjen diku në mëngjes herët. Unë nisna kah ora nantë prej Suharekës, prej shpijes me ardhë qitu {bën me gisht te shpija në të cilën janë}. Po nuk u konë e lehtë me ardhë këtu. Në atë kohë po flas gjithmonë. Se janë konë katër, kah shpija e babait tim deri këtu janë konë katër post-blloqe të famshme që ka ndodhë shumë rrallë, ne që ishim të shënjëzuar, me kalu pa e hangër naj rrehë te naj njani post-bllok veç pse je shqiptarë. Se tash ishin masat e dhunshme. Tash ishin… veç se je shqiptarë. Nuk mujsh me shpjegu.

Unë thom, unë edhe krejt rinia ti nuk ke pasë siguri, nuk ke pasë siguri. Ti ke dalë po nuk e ke ditë a ki m’u kthy. U konë shumë e pasigurtë jeta. Vi ktu, nuk kanë qenë këto shpija, ka qenë ni shtëpi e vjetër. Burri im, domethonë ka pasë tre vllazën edhe ky vet i katërti. Babën ia largojnë nga puna. Ky jetonte në atë kohë veç me babën edhe dy vllazën ma të ri edhe nanën. Domethonë, ishin katër anëtarë familje. Vi unë këtu edhe në atë shtëpinë e vjetër edhe e shoh për herë të parë, përqafimin e parë.

Natën e parë e kemi kalu tanë natën t’u i tregu… atëherë ka qenë e para dhe kurrë më burri im s’ka pranu me folë. Sikur ai baba im që foli vetëm niherë edhe ky. Atë natë kemi bisedu për të kalumen, domethanë. Ai kish nevojë nifarë rrëfimi me bo, me u liru edhe për vujtjet çka kishte përjetu. Sepse ai në Burgun e Valevës ka ndodhë greva më e gjatë, tri javë ditë pa ushqim, pa ujë, pa… sot osht’ e pakapshme. Kanë protestu vetëm për me ia lejue librat shqip me ju ardhë se s’kanë pasë libra shqip edhe gazeta shqip.

Aty burri im e pëson ni infeksion të veshkave. Aty tani fillon problemi me veshka, pastaj formohen gurët, pastaj shteti s’i beson që ky osht’ i smutë. Pastaj vjen puna që ky me u operu edhe operohet. Nga 65-68 kilogram sa ka hi në spital, nga spitali del 25 kilogram, nuk e keni idenë. Thotë, “Më kanë pshtjellë”. Thjeshtë ata e kanë lanë me vdekë, po kur nuk thotë Zoti edhe kur nuk don fati. Domethonë, atë natë çmallemi, bisedojmë, ishte nata e parë. Familja jeme e dinte që unë kom ardhë.

Ne e shpallëm fejesën pa fejesë edhe në atë kohë. Sot për atë e thom, më pëlqejnë që kena bo ndryshimet e para, një ndër të parat, s’po thom të parat, po një ndër të parat. Edhe jam falënderues skajshmërisht prindërve t’mi se nuk ka qenë e lehtë për rrethin. Po flas para 34 vjete. Nga ato paragjykimet e fqinjëve. Që kur vinte qiky, unë nuk kisha, veç qiky personi unë nuk kisha tjerë burra veç qita, edhe e sulmonin babën tem, “S’po t’vjen marre po ju vjen ai djali po ju hin mrena”.

Megjithëse edhe Zyrafeti është tetë vjet para meje tash burri i Zyrafetit ish domethanë i dashur i ma herët. Edhe ai vinte. Po ai vinte e merrte dhe dilke n’qytet. Unë e theva tabunë. Burri im vinte edhe flente, bashkëjetonim ne në atë kuptimin. Ne nuk kishim kushte me bashkëjetu se kushtet kanë qenë shumë të vështira, po ne bashkëjetonim. Ni pjesë këtu ni pjesë te prindërit e mi. Pastaj na ram në sy se u lidhëm na dy irredentista, na dy nacionalista.

Na dy që për vite të tëra unë e kisha mohu këtë lidhje. Ata thojshin, unë e kisha mohu te shteti, “Jo s’e njoh, unë e kom pasë shok klase me atë s’flas, s’kom pasë kurrë komunikim”. Tashti kjo na rikthehej dhe fillunë tashti masa të reja. Filloi aktiviteti me LDK-në, filloi prapë marrjet në hetuesi, unë isha shtatzanë. Mbeta shtatzanë në vitin ‘90-të. Fillunë demostratat edhe erdh momenti i lindjes së djalit të madh tonit, Demokratit. Që unë kam shumë gjurmë, disa ngjarje që m’u kanë lanë ato gjurmë të thella në shpirtin tem.

23 shkurti i vitit ‘90-të, orë policore. Mas gjithë atij kalvarit të demostratave, mas gjithë atina vrasjeve, janë vra edhe të tjerë po tash me emra s’po muj m’i dhanë. Më duket njo i Peqanit dhe të tjerë. Tashti përfundunë demostratat, hini ora policore, masa të dhunshme, nata e 23 shkurtit. Dhimbje pa fund ndaj një lindje. Ni pritje në lindje. Orë policore. Kushte të jashtëzakonshme, domethonë të kqija, pa asni të ardhur, asni të ardhur. Dy të ri ishim martu. Ne u martum ni dasmë të thjeshtë edhe me ca shokë edhe dy familjet edhe e bonëm formalitetin për shkak të shtetit edhe asi… pa asni të ardhur. Në shpi tonë s’kishte të ardhura.

Me ndihmën e familjarëve të mi gjithmonë. Kanë qenë ata ekonomikisht ma të fortë edhe m’u sigurun ca kushte për lindje. Atë natën e 23 shkurtit, ftoftë, orë policore, dhimbjet më erdhën, makinë s’kishim. Detyrohet bashkëshorti im me dalë nëpër rrugë ilegale. Ka qenë ni zëvendës komandir i policisë këtu në Shirokë, Ramadan, për momentin më hupi mbiemri. I vetmi ai kishte telefon në këtë pjesë, telefon shpije. Ndrecaj, Ramadan Ndrecaj. Shkon bashkëshorti im aty edhe i tregon, thotë, “Baci Ramadan, e kom grujen”, domethonë, “për lindje”. Thotë, “S’kom makinë, s’kom kurgjo, çka mundësh me më ndihmu”.

Ai e thirrë stacionin policor të Suharekës ju thotë, “Boni gati ni fletë vërtetim për me pasë të drejtë me udhëtu personi në fjalë”. Se ti dilshe në rrugë pa vërtetim, pa asni të vrajshinm s’vetshin. Deri t’i tregojshe ti kush je, çka po bojsh ai i Serbijes e kryjke punën e vet. Ma shkurtm me ndihmën e falë këtij Ramadan Ndrecës. Shkon bashkëshorti im tani deri në shtëpinë e shëndetit në Suharekë e marrin ni makinë të ndihmës të parë edhe vijnë më marrin mu këtu. Shkojmë në Prizren. Nga Suhareka deri në Prizren 15 ose më shumë post-blloqe edhe mezi arri dikund nga ora tre e mëngjesit më lind djali, Demokrati.

I gjithë meraku im ka qenë se dy javtë e fundit mas atyne demostratave, mas atyne lotsjellsave, t’u e pasë arasysh çfarë gazi kisha fut në organizmin tim. Unë e shihja gjithmonë që fmija im do të lind ja pa kokë, ja pa kamë, ja pa asi… po lindi ni djalë i shëndetshëm. Vazhdoi jeta jonë. ‘91-ten, unë mbeta shtatzanë meniherë. Me 31 mars ‘91-tes kur ishin ditët, zgjedhja e parë e lirë në Shqipëri, filloi demokracia lindi Atdheu. Po na e kena se, na jemi shokë me fëmi. Se unë i kom dy djem edhe ni vjazë edhe diskutojmë pa fund historinë e krejt jetës teme e dijnë fëmija.

Unë tregoj ngjarje pa fund se duke tregu edhe ata e dijnë kush jena kanë, kush jena edhe çka. Po dhe më njofin ma shumë po edhe unë e zbrazi dhe knaqna me tregime. Me 31 mars, Atdheu, gjithmonë e ka pasë fatin se mas lindjes së Demokratit mas dy muje, mas ni jave na hapet mundësia e parë m’u punësu unë edhe burri im masi erdha nga spitali. Ne kemi pasë shtëpinë, ni shpi tjetër buzë rrugës e aty e hapëm me shitë material ndërtimor. Tani u lirunë pak masat. U hapë privatizimi dhe nuk kishe nevojë me kërku leje nga shteti a ban me u punësu.

Nifarë lloj reforme erdhi edhe na u punësum të dytë si shitësa në atë shtëpinë, në atë dyqanin e gjërave ushqimore. U hap. Sigurum të ardhura. Kështu që, na gjithmonë i thojmë Atdheut, “Ti je djali i sefasë, se Demokrati është i kijametit” (qeshë). Lindi Atdheu, ne vazhdum veprimtarinë tashti me LDK-në. Fillon [Fushata] Pajtimi i Gjaqeve, i gjithë populli u çu në kamë. Aktivitetet vazhdojshin edhe policia prapë nuk na lishin të qetë edhe 15 tetor ‘95-tes bashkëshorti im, ne vendosëm me lshu Kosovën.

Na u ndalu ajo punësimi prapë. Tash unë pritsha, rrisha gjysmë -ilegal, ilegal. Dikush e dinte që jam ilegal, dikush kishe unë po rri te nana, kishe unë po rri te tezja. Me dy fmi, tashmë Demokrati pesë vjeçar, Atdheu katër vjeçar. Me 15 nëntor të vitit ‘95 unë e lshoj Kosovën, nisëm për Zvicërr. Kjo është plaga e dytë te unë, pas asaj të largimit nga policia. I kisha veç 28 vjet. E merrsha ni rrugë që unë e kam të shkrume, gati t’i thom roman, tregim çka të dush. Rrugë e panjohur me dy fmi, pa e ditë ku po shkoj. Unë e disha që po nisna për Zvicërr, kah, qysh, tek…

Neve na bje rasti m’u vendosë në qytetin Schlos të Stukenbrock. Në mes tri qyteteve ma të mdhaja, Bielefeld, Gutersloh, Paderborn. Është ni qytet i vogël 23-24 mijë banorë. Aty në Stukenbrock në fshatin Zene, Zen, Zene, se atje thuhet ma së pari qyteti pastaj thuhet fshati. Si me thanë Gjinovc Suharekë, atje thuhet, ose Prishtinë ni fshat i Prishtinës, qishtu janë të lidhne. Osht’ Stukenbrock, Zene, ka qenë kamp i përqendrimit të Hitlerit, që kanë nejtë të burgosurit. Shteti gjerman, faleminderit prej shtetit gjerman, e ka kthy në shtëpia azili. Na dërgojnë neve aty.

Mas gjashtë muje na vje kthimi i parë. Mbi 20 mijë marka borxh, pesë javë rrugëtim, peripecitë që i tregova të fmive. M’u kthy përsëri në shtetin që më kishte ndjekur, na kishte kushtëzu me lshu venin. Unë sot kah i tregoj ngjarjet, nuk e di kah më ka ardhë forca, kah i kom marrë ato energji. Sot nuk po i besoj vetës ma. Fati e ka dashtë, unë në atë kohë e kom folë anglishten, se mu masi më kanë largu nga Prishtina jom regjistru në Prizren. Më kanë largu nga Prizreni jam regjistru në Gjilan edhe unë jam me shkollë të mesme, unë s’kam diplomë.

Unë në atë kohë e flitsha anglishten, vetëm anglisht komunikojsha, nga pak, jo shumë po m’u marrë vesh. Vjen ajo punëtorja sociale që ishte për neve edhe na tregon, i thojna na, me përkthys gjithmonë e kena pasë ni djalë, ni çun i ri që na përkthejke pa të holla pa kurgjo. Neve gjithmonë na është lidhë fati, fatkeqësia. Në atë heim [gjermanisht: vendbanim] ku shkum ne e gjetëm vllavin e shokut t’ë burgut të burrit tim, në Burgun e Valevës. Vllau i atij ishte. Ai ishte ni djalë i ri në atë kohë, 18-20 vjeçar, e fliste gjermanishtën bukur.

Na e fitum ni përkthyes pa të holla, se Gjermania ka qenë shumë e ngathët, shumë e mangët për përkthyes. Azilantat kanë hjekë shumë për përkthyes. Me ndihmën e këtij çunit, këtij përkthyesit punëtorja sociale ma tregon rrugën thotë, “Ju mbase keni qenë të burgosur, të përndjekur”, thotë, “duhet me i shkru Amnesty International edhe ajo munet me ju dërgu naj informacion”. Këto informacione na i paraqesim në gjygj edhe për me rifillu ni seancë, ni procedurë për kërkim azili për herë të dytë.

Na thotë kjo Melani Anderson që ka qenë përfaqësuese e Amnesty International, po flas për vitin ‘96 tash, “Din edhe shqip”. Na e morëm me dorë, na dha adresën e shkrujmë, Kingdown, kurrë s’e harroj atë adresën e famshme. E shkrujmë, në Londër, i shkrujmë me dorë, “Jemi një çift…” e përshkrujmë rrugën e të gjitha edhe ia dërgojmë. Mbas ni jave na vjen ni letër e famshme. Se atëherë neve sociali, na ishim nën masat e socialit, na bijke postën.

Na vjen ni zarf i madh {bën me duar formën e zarfit në formë katrori}. E hapim atë zarfin. 20 faqe nuk e di sa veç informacion mbi veprimtarinë tonë. Që kanë fillu nga babai im, Amnesty qaq mirë e informume. Falë punëtorëve këtu kush kanë punu. Nga babai im ‘68-ten, ‘74-ten. Nga veprimtaria e motrave, vllezërve të mi e me radhë. Nga veprimtaria e bashkëshortit tim, e imja e të gjitha me data, me orë, me krejt. E çojmë në gjykatën, s’e di qysh i kanë thanë, tash s’po muj me kujtu.

Kur e shohin, se kur ki diçka shtesë dokumentacion, ata nuk guxojnë me të kthy, s’kanë qare pa të hapë seancë tjetër se ti e bojsh edhe ni lutje. Shkojmë. 21 mars, prilli ka qenë, prilli ka qenë ‘97-tes shkojmë na në seancë gjyqësore në Minden. Kur e shohim gjyqtartë e kanë lexu, se ajo u përkthy tani gjermanisht, kur e kanë lexu veprimtarinë tonë edhe kush jemi, osht’ rasti i parë në qat’ rrethin po flas unë. Se ne jemi rrethi Gytersllohit që na njifet qëndrimi në gjykatë.

Pas marrjes së qëndrimit në gjykatë u konë rregullore, u dufke me pritë edhe ty ta jepshin një, për shembull, një pashaportë të azilit gjerman. Kishte të drejtë automatikisht tash m’u punësu, kërkim pune. Kishe të drejtë edhe me, me dalë në banesë. Se na e kishim ni dhomë. Akoma ishim… ni vit e gjysë e bonëm, akoma ishim me këtë dhomën këtu. Tashi edhe te kjo pikë është… gjithmonë te unë në jetën teme, 56 vjet, e kam ni të mirë në të keqe motra. Fatin e fatkeqësi binak. Tash vijnë ‘97-ten. E morëm qëndrimin, na u lehtësu shpirti. Nisëm me marrë frymë pak më lehtë.

Mbeta shtatzanë. Pritsha, ma konfirmun që e kam vajzë. Ishte ni gëzim i papërshkrum. Ishte edhe ni lehtësim për neve se ishte aty, thojshin, se kur të vjen fëmija kur lind në Gjermani automatikisht i takon shtetësia. Automatikisht për neve Gjermania ishte interesume për rini. Kjo vajza jonë e shenjta jonë na sjellke fatin. Mbeta unë shtatzanë deri kah muji i tetë isha mirë. Pastaj m’u keqësu gjendja, shëndeti, shtatzania. Isha me tension shumë të ultë edhe më shqetësojshin mjektë se mujsha me hupë fminë.

Tash mbeta shtatzanë edhe ndryshimi i peshës, mua ma shkaktoi ni problem shëndetësor. Pas gjithë atyne vujtjeve unë kisha ra me peshë 52 kilogram, i kisha të lindur dy fmi. Ato gratë aty shqiptare që gjetëm pa numër komunitete tjera, s’më besojshin që këta dy janë fëmitë e mi, se unë isha ni njeri 52 kilogram, ni drrasë. Kur mbeta shtatzanë me vajzën, unë hypa në 86 kilogram. Në mujin e tetë m’u fillunë problemet, tensioni i ultë, pesha, këto ishin problemet. Tri-katër herë përfundova në spital. Ishte shumë frikë e madhe që unë muj me hupë fëmijen.

Me 21 mars ‘97 motra ime Myrveti, shoqja ime, gjysma shpirtit tim (qan) bën ndeshje dhe mbytet në vend (qan). I konfirmohet lajmi burrit tim. Familja e dijke që unë kom probleme shëndetësore. Shkon burri përmes përkthysve i tregon gjendjen teme edhe mjektë i thojnë, “Kurrsesi nuk mund me marrë me kuptu kjo vdekjen e motres se kjo është në prag edhe e humb fëmijen, por humb edhe kjo”. Atë natë kur m’u ka myt motra, unë e kom pa andërr.

Unë i thojsha, “Ti nuk ki me shku ma kurrë me punu, se unë kom punu për ty”, e kisha pasë ni tubë të madhe parash, nuk e di çfare edhe ia tregojsha asaj që, “Këto janë paret për ty, unë kom punu për ty. Ti nuk ki me shku me punu ma”. Mu m’u kishte mbytë motra në vend. Familjet ishin informu. U bojke përpjekje si me dërgu në, motra kishte shtetësi, shteti jugosllav nuk ia lejon vorrimin në Kosovë. Atëherë vllau Veseli përpiqet përmes Ambasadës të Beogradit me, dërgu pleqtë, prindërit në Suedi për vorrim.

Krejt kjo përgatitje zgjati tri javë. Motra ka vdekë me 21 mars, po shkoj kronologjikisht tash për me ardhë sa ka zgjatë. Është shumë interesant, se thashë, mu ndjenja më tha. Kur u zgjova të nesrit në mëngjes ka qenë ditë e shtunë, 21 mars ‘97-tes . Motra ka bo ndeshje dikun t’u shku mysafir te Zyrafeti edhe është mytë. 22 mars mëngjes në gjumë unë. Unë kom pasë ni dhomë dy metra me pesë, s’kom pasë punë kurgjo, fshije qata. Krejt gratë rrishin në oborr qaty.

I kom pasë dy shoqe edhe i kom, po tash na ka nda, jena largu nëpër qytete. Kimetin edhe Nazlijen edhe ju thom, “Sot jam shumë keq, e kam ni parandjenjë që diçka ka ndodhë në familjen teme. Po çka ka ndodhë nuk e di”. Ama definitivisht, parandjenja më thojke që ka ndodhë diçka e madhe. Atë ditë ishte e dille, burrin tem e informojnë që u mytë motra. Ky ia tregon gjendjen shëndetësore, domethonë qysh e kom unë, konsultohen me mjekun. Nana jeme i thotë, e porosit burrin tem, “Të lutna Asllan, bën përpjekje që derisa të lind Dona”, Dona, vajza jem quhet tash Liridona, “që Zela mos ta merr vesh. Se unë njo e vorrosa, s’po du me vorros ma”. Domethonë, nuk e kishe vorros po ajo kishte vdekë tashi asi…

Vetëm unë e shoh ndryshimin në ftyrën e bashkëshortit tem. Unë e shihsha që ai njeri ka ndryshu diçka. Kur e vetsha ai thojke, “Jo, kurgjo”. Ai kish shku, ju kish tregu qityne dy shoqeve të mija edhe dy burrave. Kërkush tjetër kush në atë hajmin, jena konë 150 familje në ato nuk e ka ditë përpos qito dyja edhe bashkëshorti im çka ka ndodhë me mu. U konë interesant, motra ka vdekë me 21 mars, Liridona ka lindë me 6 prill. Motra jeme është varrosë me 2 prill, pas dy javë e ca.

Mu më kanë tregu me 12 prill. Pesë javë e diçka. Për pesë javë e diçka unë nuk e kom përmend tjetër kond përpos qat’ emrin e qasaj motre. Kur ma kanë tregu këto gratë që e dishin, unë nuk e di. 925 marka në telefon i kom harxhu. Mu m’ë thojke brendësia që diçka ka ndodhë. Aq mirë i kishin kordinu gjanat. E pamja për motrën ka zgjatë pesë javë ditë. Derisa janë nisë prindërit me shku me vorros edhe pesë javë tjera masi u vorros ajo. Diku dy muj ka zgjatë në Suharekë te familja.

Aq mirë i kishin kordinu senet familjartë e mi për me më pshtu mu (qan). E kishin bo telefonin me marrë, e pamja, gratë aty, telefonin, me marrë veç nana jeme që ishte e fortë edhe ni kunatë, inxhja ime, nana jem e dytë, kërkush tjetër kush. Këta e kom të tregume masanej nga motrat, nga vllaznit. Unë sa folsha në telefon, i vetsha qysh jeni, m’u doke që janë mirë, u munojsha m’i thanë vetit. Derisa vijsha te hajmi, ka qenë nja pesë minuta kabina e telefonit, mu ajo ndërdija, ajo mërzija më thojke, diçka nuk osht’ në rregull shko në telefon.

U konë parolla, se na kena punu në ilegalitet me parolla. Kur kena dashtë me kry ni aksion, lumi i madh, deti i thellë diçka kështu. Parolla e bashkëshortit tim me familjartë e mi në Suedi, domethonë, edhe në Kosovë ishte, sa herë, unë kurrë nuk e kam sjellë numrin e telefonit. Sa herë dilshim ai thojke, “Qe dolëm me hallën Zelë me ecë”. Domethonë ka qenë parolla që halla Zelë s’po din hala kurgjo. Masanej tash kur i rikujtojsha ato.

Në moment thojshin familjartë në Kosovë kur cingrrojke telefoni, ka pasë rasti nga 50-60 gra kanë ardhë përniherë, janë ngri ato gratë se po thirrë Zela në telefon, pip {onomotope}. Dilke nana jem e më jepke forcë mu (qan), e më majke me atë pozitivitetin. Erdh momenti unë shkova në spital për herë të tretë, të katërten me lindë vajzën, o shpirti jem, gjysma jeme e dytë (qan), ka lindë me 6 prill, 11:02 minuta të natës. E kisha pritë unë atë moment. E mori, kushtet e mira në Gjermani me lindë.

Të nesërmit në mëngjes, kjo po më thotë mu {bën me dorë kah vetja} ty nuk osht’ t’u të dashtë kërkush se s’po të thirrë në telefon kërkush, mbrendësia jem. Po më thotë ajo mu [brendësia] që ty të ka ndodhë diçka edhe po ta mshefin krejt. Burri ishte në hajm me ata dy djemt, me dy zemrat e mamit edhe vjen me më pa. Unë i thom, “Urgjentisht du me dalë nga spitali. Me mue ka ndodhë diçka, po nuk e di çka ka ndodhë”. I kom thy rregullat e spitalit edhe për pesë ditë kom dalë nga spitali. Ishte e diell që lindi Dona, të premten dola nga spitali, pesë-gjashtë ditë.

Të shtunen shkojmë atje te do familjar të mi edhe kishin organizu edhe aty, e kishin thirrë nanën… tashma nana e baba kishin shku në Suedi, ishte vorros motra, ishin akoma në Suedi se kanë nejtë ni muj. Unë kisha shku te ata te të afërmit e mi, e kishin thirrë nanën edhe babën në telefon, e kishin lanë telefonin hapur të shpijës. Edhe tash mu ai personi, djali halles teme, nisi me folë për nanën teme, për heroizmin e nanës teme, për demostratat, t’u më folë për nanën pa kufi.

Mu po më vjen shumë çudi edhe po i thom atij, “Po unë e di kush osht’ nana jeme”, ai tash po më thotë, “Po de”, inxhja i thojke ai, “osht’ shumë burrnore, është shumë e fortë. Ama ti nuk e ngjojsh qëndrimin e inxhes qitash qysh ka nejtë”. Unë p’e kqyri. Thotë, “Se na jena konë në Suedi”, unë prapë p’e kqyri, thotë, “se jena konë në Suedi se ti duhesh m’u bo e fortë, shumë e fortë se tezja Ete na ka lanë”. Tezja Ete, motrës Myrvetit na i kemi thonë Ete.

Në natyrën teme nuk është me bërtitë, unë kurrë s’bërtas në fatkeqësi. E kom kqyrë edhe niherë edhe i kom thonë, “Qysh?” Burri im gjatë pesë javëve i kishin bo planet. Se mu më tregojshin, “Po shkon nana në Suedi, po shkon baba në Suedi”. Gjoja se po martohet ni djalë i motrës teme, ishte i fejum. E motrës në Kosovë s’ia kanë dhanë vizën, po ia kanë dhanë nanës edhe babës. Unë kisha folë tri-katër herë n’ë telefon, pesë-gjashtë herë me nanën e me babën në Suedi.

Unë e kërkojsha këtë motrën, mu më thojshin se kjo ka shku në Holandë me punu, në, më falni, në Danimarkë e para ni muje nuk munët m’u kthy se qashtu osht’ kontrata. Unë e lypsha motrën. Se thojsha, “Ju keni ardhë, ajo hala s’po vjen me ju taku”. Unë lypsha me folë në telefon, më thojshin nuk ka telefon, se atëherë fati u konë që s’ka pasë edhe më mashtrunë. Kur ma kumtoi ai që unë e realizova që motra më ka vdekë, mu më humbi të pamurit (qan). Isha si thojnë populli shtatzanë, llahusë a si i thojnë asaj. Nuk e di.

E di që u bo terr, nuk u pa ma. Qishtu ia kom bo kokës {vendos duart mbi kokë} edhe vazhdimisht rrisha qishtu se m’u doke që qitu diçka më ka ndodhë {mbi kokë} diçka m’ra. Nuk e kom ditë që unë nanën edhe babën i kom t’u më ni, domethonë në ngjarje, edhe Zyrafetin. Se pleqt ishin te Zyrafeti tashma. Terr, s’po shoh. Po ma shpjegojnë tash qysh u mytë, qysh kanë shku e kanë vorrosë, qysh ka qëndru nana, qysh ka qëndru baba. Unë krejt ngjarjen p’e ni, po s’po shoh, nuk po shoh kurgjo.

Po më thojnë tash mu, “Hajde se po të pret nana edhe baba me folë”, (qan). Për ata nanën teme e kom model të jetës se më ka msu qysh m’u përballë me jetën, qysh me luftu fatkeqësinë, po qysh mos me psu psiqikisht edhe çka domethonë fjala nanë, nanë, nanë, gjysma jonë. Unë qashtu pa të pamur, s’i kallxojsha kërkujna që s’un po shoh. Shkoj te telefoni. Tash unë e përjetojsha ni tragjedi, po unë nuk e kisha gajle për veti. Unë e kisha gajle nana edhe baba. Unë po menoj që ata ma kishin tregu, po në trurin tim ish pjekë që qitash nana edhe baba kur ta marrin vesh çka kanë me bo. Unë gajlen e atyne.

E marrë telefonin edhe i thom nanës, “Alo, nanë”, ajo me atë butësi, me atë dashni, me atë forcë më thotë, “O çika jeme, a ke dalë prej spitalit a? Qysh të kam?” Unë prapë s’po shoh, hala nuk po shoh. Po i thom, ai zani i qetë i nanës, te unë s’e di, ma krijoi ni emocion pozitiv edhe po i thom, “Oj nanë, a ka vdekë dada Etë a?” Ajo më tha, “Po, loçka nanës”. Thashë, “E ti çka po bojsh edhe baba?” Babën e kom pasë ma të dobët, ai veç, sipas Zyrafetit, “Ai”, tha, “veç kajke në heshtje edhe dëgjojke”.

Nana më tha, “Po zemra nanës, çika jem, unë i kom pasë nanë fmi, unë i besoj Zotit shumë edhe çka t’më vjen prej Zotit unë e respektoj. Ju kom pasë nantë fëmi shumë të dashur, shumë të dashur mes veti, shumë punëtorë, shumë të ngushtëm. Kurrë probleme s’na keni sjellë. Tash ka ardhë ni moment që unë m’u bo bashkë me nanat tjera që ia kanë marrë fmijën ma herët”. E kom vetë, “A nuk po mërzitesh ti nanë hiç a?” Ajo më ka thanë, “Jo loçkë”. Në momentin kur nana jeme më ka thanë, “Jo loçkë”. Unë kom nisë me pa qoshën e asaj dhome.

Unë nuk di, nuk di me shpjegu kta. Nuk e di sa keni me më kuptu, unë kom nisë me pa qoshën aty. Nisa tash me vete me thanë, diçka po ndodhë mirë me mu. I thom, “Nanë në qoftë se ti nuk mërzitesh edhe unë s’ka m’u mërzitë”. Flas me nanën. Froca e nanës, qetësia e nanës ma kthej të pamurin. E marrë babën me folë, baba veç dy fjalë edhe nuk munët me folë. Tash për mu filloji lufta tjetër se unë s’kisha pa kurgjo, s’kisha ni kurgjo.

Unë vishin njerëzit me më pa. Na jena solidarë, njerëzit, shqiptartë, kudo që jena. Unë nuk i pranojsha ngushëllimet, nuk i pranojsha derisa fati e kish dashtë që Zyrafeti e kish inxhizu vorrimin krejt edhe kur unë i tregova që jom keq, s’po realizoj kurgjo. Ajo ma çoi kasetën edhe unë e di çka osht’ me ia mshef njerëzve edhe kom bo apel kurrë të keqën mos e mshifni, se veç ai që e përjeton e din çka domethanë. Tjetra forca e nanës teme u kthy nga Suedia, krye javës e mori vizën për Gjermani edhe erdh te unë me mu gjend ngat edhe e realizova.

Domethonë, më lindi vajza, më hupi motra ose më hupi motra, më lindi vajza edhe këtu fati dhe fatkeqësia bashkë. Pastaj na meniherë me… thashë në prill, në mars s’po më kujtohet, e kemi marrë qëndrimin, na është njoftë e drejta e banimit, kemi gjetë banesë 90 metra katorë edhe kemi dalë. Tani kemi apliku për punë. Kemi punu, burri edhe sot punon në atë firmë, është mirëmbajtës i makinerisë të asaj firmës. Borxhet 20 mijë marka, borxhe, borxhe. Rrogat që i merrshim burri im e ka pasë për fillim 600 marka euro rrogën e 585 euro e kemi pasë banesën me pagu.

Kemi punu punë çka ma të ndryshmet. Kopshte, mure. Edhe unë si gru s’e kom kqyrë çfarë pune osht’ a osht’ punë, në të bardhë e në të zezë edhe kemi ardhë. I kemi shkollu fmijen, janë shkollu se me ndihmën e atyne. Tash du me tregu edhe ni rast emocional që lidhet me këtë ngjarje. Fmija u rritën, u shkollunë, u punësunë, u integrunë. Lufta na gjeti në banesë, këtë banesën këtu. Filloi, ne merrshim pjesë me Liridonën, edhe për qata e ka emrin Liridona nëpër demostrata me sensibilizu luftën.

U kyçëm me gjithë shpirtë veprimtarisë sa kishim na mundësi, mbledhshim ndihma për refugjatët, mbledhshim “Tre përqindshin”, aktiv gjatë tanë kohës. Lufta na gjeti, domethonë në banesë, po fillum jetën. Po hala unë andërr nuk mujsha me pa, andërr se jo realitet, a ka me mujtë unë me i la borxhet edhe me jetu normalitet me hangër, me të dalë paret me hangër. Se me pasë makinë e këto tjera unë andërr s’un i kom menu se jo m’i pasë. Deri këtu te lufta.

Pjesa e Pestë

Zelije Kryeziu Ramadani: Familja ime në Kosovë e pati ni peripeci edhe gjatë luftës. Nana jeme, nana jonë e shenjta, në masakrën e Berishve që ka ndodhë, atë nuk e di për momentin se jam e emocionume. Ata e kanë pushkatu, i kanë, po, pushkatu, si me thanë, kanë pushkatu në atë shitoren e famshme. Diku në mëngjes fillon largimi i shqiptarëve, familja ime në mes të qytetit. E gjithë lagja që e përmenda Kuq, Gash edhe Kryezi tubohen në qendër të qytetit, te ni shesh aty te ura. Jipet urdhëri m’u nda burrat veç edhe gratë veç.

Në kolonë ishte baba im, vllau Musliu ma i madhi, vllau Veseli, dy vllaznia mi e kishin ni djalë, se vllau i madh s’ka pasë fmi, edhe vllau i atyne. Jipet urdhëri m’u nda burrat veç, gratë veç. Burrat m’i pushkatu, gratë me pshtu. Në kolonë thashë ishin katër anëtarë nga familja jem. Nana jeme që ka qenë njeri fetar, fetar, jo, fetar përparimtar. Kur ka ardhë, kur ka ardhë nga Shqipëria në Kosovë, unë kom ardhë meniherë. Si janë kthy kom ardhë prej Gjermanijes. Mu më ka interesu edhe ana psikologjike edhe shpirtërore e atyne njerëzve në ato luftëra. Secilin e kom pytë veç e veç prej kandit ai si e ka pa.

Tash po e tregoj dëshminë e nanës, thotë, “Kur i ndajtën burrat veç edhe gratë veç mu më erdh ni za në vesh. ‘Falu, lute Zotin’”. Ajo me atë shaminë e bardhë në krye, tha, “E hjeka shaminë edhe e qita midis tokës, armët gati m’i pushkatu krejt qata burra”, njiqind e sa jonë konë qikjo lagje. “Gratë knej kqyrshim edhe çikat edhe krejt. Unë”, tha, “e kom shtri atë të kokës, atë shamijën edhe jom lutë edhe i kom thanë Zotit me za”. Në atë moment, në kordonin e policisë ndodhet ni boshnjak, ni Ramiz, ni boshnjak polic. Kur e sheh nanën t’u u falë ia kthen armën ktyne policve.

Thotë, “Mos gjuni”, thotë, “se ju i vrani ata, unë ka me vra sa t’muj me vra”. Komandiri jep urdhër edhe i thotë këtij boshnjakut sipas dëshmive të masës aty edhe të vllezrive. I thotë, “Ti a po dush m’u bo si kta irredentista”, qysh na kanë thanë. Ai thotë, “Jo këta s’më dhimen hiç, po unë i tutna Zotit. Plaka osht’ e lidhne drejt me Zotin”. Vjen urdhëri tre minuta kohë, kush largohet pshton, kush jetë ktu pushkatohet. Për tre minuta falë parkut të qytetit zhduket masa edhe nuk vrahet kërkush. Kjo për mu kur e kom ndëgju këtë ngjarje, thashë, shumë kohë më është dashtë me hjekë nga truri.

Peripecitë e familjes janë si krejt familjartë, dalin në Shqipëri por na mbetet motra e dytë, që edhe ajo sot nuk jeton është dekë nga kanceri. Mbetet motra e dytë me djalin edhe me burrin. Zyrafeti, Myrveti në Suedi, Zela në Gjermani, të tjerët në Shqipni. Për javë të tëra në titrat e atij televizionit të famshëm që u kërkojshin TVSH të humburit që e kena kërku motrën.

Motra ka dalë, ka mbetë me ushtri në ato malet e Suharekës, ka gatu për ushtarë edhe diku ndoshta dy javë-tri se s’po muj me thanë, para se m’u kthy e kemi marrë vesh që osht’ gjallë. Ata kthehen në qershor të ‘99-tes nga Shqipëria, unë vi në shtator të ‘99-tes mas tri vjete e gjysë në Kosovë. Kjo është rrugëtimi im deri në ‘99-ten.

Anita Susuri: Qysh e keni gjetë vendin kur keni mrri?

Zelije Kryeziu Ramadani: Qysh e kem gjetë vendin? Kur kom hi në Maqedoni, na kena ardhë me autobus, Rumani, ato i kena bo tri ditë e tri netë rrugë. Kur kena hi në Maqedoni, te ky kufini tash që osht’ edhe deri në Suharekë kena pa shpija të djegme, oxhaqe në kamë, shkatërrim, erë. Na vishim mas tri vjet e gjyse prej ni shteti shumë mirë të ndërtum, pastërti, natyrë krejt; që edhe sot, pa dashtë mos me më keqkuptu edhe publiku edhe ju edhe krejt, se kur jetosh ni muj me ni shtet, kur shohësh rregull, rregull, rregull edhe kur vish e shohësh ni parregullsi nuk e dish truni qysh s’un i përpunon gjanat.

E mu m’u bonën tri vjet e gjysë. Malli tri vjet e gjysë, hera e parë që isha në Kosovë. Nga Maqedonia deri në Suharekë muj me thanë 80 përqind kom pa djegie, shkatërrim, 20 përqind… natyra ishte e gjelbërume, shtatori, po nuk e di, nuk kom pa. Unë nuk di që kom pa pemë, se truni jem u bo… jo veç unë po edhe fmija. Tash ma fmija i kishin bo, ishte ‘99-ta dhjetë vjet njani, nantë vjet, tri vjet e gjysë, katër vajza, po mundohna m’i kujtu. Ish kanë shumë interesant se pa folë une me fmi edhe pa folë burri me fmi, na kemi ardhë me autobus.

Kur jemi kthy në Gjermani, se atje të vesin në shkollë për përshtypjet. Te fmija u konë karakteristikë kur e kanë përshkru atë luftën, ju ka bo përshtypje pse asni shpi e djegme nuk e ka pasë oxhakin e rrxumë. Krejt oxhaqet në kamë (qeshë). Kjo është fitorja, kjo është ai sinjali që na nuk bijmë krejt për toke. E pam ni Kosovë të shkatërrume. Nuk e kanë ditë familjartë e mi që po vijna, se s’ka pasë telefon, s’ka funksionu. Se unë ju thashë sa kenë në Shqipni, “Po du me ardhë”. Ata më bonën apel, jo se ka bomba s’kena ku me flejt, shtëpijat e kallme.

Unë bashkë me bashkëshortin tim s’na u pritke edhe erdhëm pa ju tregu. Kur kena ardhë në Suharekë, tash fillon tjetra. Na kemi nejtë dy javë. Mu më interesojke secilin me vetë veç e veç. I kom vetë edhe këta fmitë e vllaznit, këto vajzat që kanë pasë njana dhjetë e tjetra dymdhetë, “Qysh jeni ndi ju kur i keni pa gjyshi, babin, axhën që po ua vrasin?” Secili nga fmija, mu më ka interesu edhe ana psikologjike. Po qitu du me thanë që kur je ti në prag të ni fatkeqësie mpihesh, nuk dish me menu, sipas atyne.

E kom vetë nanën, i kom vetë kunatat, i kom vetë krejt. Mu për dy javë ditë nuk kom pa kurrë biseda me qeshë, po luftë, luftë, vrasje. Tashi për mu filloi lufta në afërsi t’u i përjetu ngjarjet që m’i tregojshin. Dy ditë jom konë pa u kthy në Kosovë, në Gjermani, unë nuk e kom pa vetin, për dy javë ditë çfarë dobësimi edhe çfarë ndryshimi kisha bo në ftyrë. Ju thotë nana, na rrishim, prapë ata familja madhe, na u mblodhëm aty në atë shpijen. Ju thotë nana, “Bollni mo se doni me tranu çikën. Hajde të keshim e hajde të folim”. Falë qatyne dy ditëve unë prapë ato të kqijat i palosa në tru e mora pak qeshje, mora pak dhe u nisa. U nisa për Gjermani.

Unë vi çdo vit, dy-tri herë, katër-pesë herë në vit. Nga gyrbeti kur kena ardhë jo vetëm lagja, po edhe Suhareka na kanë marrë lakmi. Jemi konë nantë fmi, krejt të martum, krejt në harmoni. Po thashë ‘97-ten na ndodhi fatkeqësia e motrës, pastaj na erdhën fatkeqësi tjera. 2014-ten vdiq vllau i vogël nga kanceri, 2015-ten vdiq motra e dytë nga kanceri. Vllau 42 vjeçar, motra 62 vjeçare. 2006-ten vdiq babai, s’mujta me ardhë me vorros. Atë e kam peng se unë aplikova për shtetësi.

Pastaj, në 2018-ten më vdiq nana. Ai emocioni, ajo që më lidhke, ajo që ma jipke forcën, ajo që kurrë niherë nuk ia kena pa mërzinë, kurrë. Edhe kur janë dalë prej neve të mira e të kqija, kurrë. U kanë forca, frymëzimi, qëndrimi i gjithve, personalisht i imi. Pastaj, më vdiq vllau, shpirti jem, se unë jom shumë diferencë në moshë prej profesorit të gjuhës, të gjuhës shqipe nga… në 2020-ten, a po? 2020-ten nga pandemia. Që kurrë s’i kemi bo pushimet ndamas. Që ka qenë ai ekskurzioni i famshëm i pranverës që ai e bojke, shkojshim me këta autobusat. Visha unë enkas nga Gjermania u mbledhshim krejt vllezërit, kunatat, motrat shkojshim në ekskurzion.

2020, pikërisht në shtator 2020-tes vllau vdes me 8 shtator. Në shtatorin e 2021-tes i vdes reja e vllaut 36 vjeçare dhe i le re fmi, nga kanceri. Në shtator të 2021-tes smuhet vllau i madh nga pandemia, në prag të vdekjes. Vi nga Gjermania dhe thom, “Unë du me shku me vdekë me vllaun. O ka m’u shëru, o në qoftë se ka thanë vllau ka me vdekë me vllaun”. Se vllau e kishte ni djalë. Ai djali e kishte gruan me kancer, kjo që vdiq. Vllau me pandemi, vllau tjetër na vdiq. E pashë të arsyeshme që qitash vllau jem ka nevojë për mu.

I hypa aeroplanit erdha. E shoqërova dhjetë ditë në spital. Ia pashë dy herë vdekjen, dy herë vdekjen. Forca, kujdesi, të gjitha, djalit të atij, e emja dhe gjithë të tjerëve. Vllau sot jeton edhe sot na jena shokë me vllaun tem të madhin, që unë e kam si babë. Kjo është pjesa e jetës. Sa i përket integrimit, tash do të flas te integrimi. Qëllimi kryesor u konë i joni me mrri diçka në Gjermani. Qëllimi kryesor u konë i jemi, jam feministe, jam feministe, edhe sot punoj në këtë frymë, me i qit’ gratë jashtë punëve të shpisë, jashtë përditshmërisë të punës. Me u relaksu me bo diçka.

Kështu që, na veç fillum me mbledhjen e ndihmave gjatë luftës, na u popullarizum. I kom dikund do gazeta për me ju dëshmu, po nuk e di tash, s’mu ka kujtu. Fillum na me gazetat e qytetit me kërku ndihmë për luftën. Na si familje Ramadani, në atë qytetin e vogël thashë me 22 mijë banorë na u njoftëm përmes gazetave, e dishin familja Ramadani. Bijshin ndihma në atë pikën ku i mblidhshim neve. Jo veç unë e burri jem, po të gjithë shqiptartë. U popullarizu me gjermanët. Filloi ajo lidhja.

Pastaj na punum shumë. Punojshim në firmë. Unë punojsha me ni firmë montazhë pjesë të ndryshme me montu. Bashkëshorti punonte në atë firmën mirëmbajtës. Po në firmën time ishte e mira për fat se unë kisha të drejtë me marrë punë edhe në shpi. Puntë kanë qenë të vogla. Me vulosë bileta, me montu shtrafa të ndryshëm, kështu edhe unë i merrsha edhe me kreativitet i shtijsha fmijen në punë. Aty mas darkes në mramje në atë sallonin i ranojshim ato paketat edhe në formë t’u lujtë, sikur kur të lujsh me lodra na lujshim me ato punë edhe dalë nga dalë t’u punu, t’u u rritë fmija i lajtëm borxhet.

Për herë të parë morrëm frymë pa pasë borxh. Fmija nisën m’u rritë. Djali madh, edhe këtu e kam emocionin, kur ka shku në ditën e parë në shkollë, se këtij i ka ra pesë vjet, gjashtë vjet pa shku në qerdhe me shku në shkollë. Ajo ditë ka qenë shumë e sikletshme për Demokratin, se kur e kom përcjellë për shkollë, ne ishim në hajm hala, ky vijke shtatë kilometra me autobus në shkollë.

U frikësu e unë i thashë, “Demokrat, edhe mami kur ka shku në shkollë s’kom ditë kurgjo po jom mësu”, edhe këtu e kom emocion. Më tha, “Po mami po ti të paktën e ke kuptu msusin tond. Unë nuk e kuptoj msusin tem”. Kjo ajo gjurma që mu ma la. Me plot frikë, me plot borxhe, me plot erdh gjysmë vjetori i parë, mbledhja e parë. Ato mbledhjet janë konë çdo, po na s’e kena ditë gjuhën, s’e kena ditë ma shkurt.

Takimi i parë me msusen. Me plot frikë t’u u tutë çka ka me thanë msusja për Demokratin. Kur shkum msusja na surprizoi, na tha se, “Demokrati është ni fmi inteligjent”. Demokrati ka ditë me shkru edhe me lexu para se me hi në shkollë. Domethonë, kena bashkëpunu. Tha, “Demokrati ka mrri me zanë kursin, gjuhën gjermane gati sa fmitë gjermanë” (buzëqeshë). Pastaj, qëllimi dytë i joni u konë që fmive tonë përpos shkollës edhe asaj punës që na nimojshin mramjeve me ia bo edhe aktivitetet, mos me u bo bajat.

Na kena jetu këtu me aktivitete, na jena rreh për me shku me bo ni shfaqje, na jena rreh për me shku ni kangë. Atje s’të rrihke kërkush, të përkrah shteti. I kena regjistru në futboll. Të dy çunat janë angazhu në futboll, në atë ekipin e qytetit. Pastaj në moshën, në klasën e katërt Demokrati lidhet për herën e parë me grupin e teatrit të shkollë, me ni msuse. Demokrati ishte, sa i bie, gjashtë-dhjetë vjeçar, dhjetë ose njëmbëdhjetë. Dona, Liridona ishte tri vjet e gjysë, katër. Për herë të parë Demokrati edhe Liridones i caktohet roli i parë.

Është ni dramë ni orë e gjysë. Nuk e di, ka qenë tema respekt, natyrë, gjeneratë, respekt. Përgatiten, vie shfaqja, shfaqet në shkollë. Ni shkollë e madhe. Në secilën shkollë është teatri mrena në koridor. Domethonë, o bina janë krejt të rregullume. Shkojna na. Djali, domethonë, Demokrati edhe Liridona i kishin tregu msuses… unë e kam, unë kam lujt teatër edhe burri im në teatër. Fati na ka lanë kah ni fotografi me pasë dëshmi. Ju kanë tregu msusave që nana jonë edhe baba jonë kanë lu teatër në Kosovë. Tash ata neve na shishin me ni sy pak ma ndryshe.

Kur shkum atë ditë në shfaqje, kur dulën këta dy në skenë (qan) unë kam nejtë gjatë tanë kohës t’u kajtë, se unë tash jom bo e ligsht. Vjen ajo msusja edhe më thotë, “Mos qaj se këta kanë me u bo ma artista se ti” (qeshë). E kështu që, fmija krahas futbollit merren edhe me teatër. Në klasën e shtatë kyçet në teatër edhe Atdheu. Po Atdheu e ka në shpirt futbollin sot. E ka, e ka, e ka pasion. Po tash nuk din me dallu të dashurën, grujen e vet, futbollin edhe teatrin (qeshë). Kështu që, fmija merren me teatër, merren me krejt.

Në klasën e shtatë edhe Dona në klasën e dytë, pesë vjet diferenca marrin pjesë me ni projekt, me ni film të shkurtë, metrazhit të shkurtë në shkollën tashma Real Shule i thojnë ata. Për Holokaustin tema diçka. Na ishim në atë qytetin ku kishte ndodhë. E shfaqin atë filmin edhe qaq ju ka dalë i mirë, kuptohet me gjermanë me nacionalitete të ndryshme, po unë po flas në këtë rast tash për fmijen e mi. Ky film nominohet në Biennale të Berlinit në filmat e metrazhit të shkurtë të amatorëve edhe e zanë venin e dytë.

Kështu që, tash po e lidhi, këta vazhdojnë, shkollohen. Sot i kanë të kryme fakultetet, punojnë krejt. Krejt merren me teatër. Tash në shtëpinë tonë, thashë, përpos që Demokrati e ka të kryme magjistraturën për shkenca politike edhe është në prag të juridikut. E ka të kryne edhe shkollën për teatër, pedagog i teatrit. Atdheu e ka shkollën për fushën e turizmit, nuk e di, komunikacioni se p’e ngatërroj, komunikacionit. E ka edhe teatër pedagog. Dona vazhdon në fushën e edukimit edhe e ka, osht’ t’u shku në vitin e fundit teatër pedagog.

Dorentina, nusja jonë e madhe, vajza jeme se unë s’i dalloj për mu janë vajza, është profesoreshë e gjuhës gjermane dhe histori edhe e ka të kryne pedagog. U bonën katër pedagogë në shpinë tonë. Albulena, vajza jonë tjetër, është në fushën e mjekësisë. Ajo punon mbi dymdhetë vjet. Është e avancume i ka mbi 30 avancime atje që është asi dhe vazhdon. Vetëm Albulena nuk merret me teatër (qeshë). E kena dhandrrin tonë, që është ni djalë shumë i mirë, që vazhdon studimet është në vitin e katërt, të tretin. Ai tash ka fillu m’i pëlqy teatri (qeshë).

Kështu që, fmija krahas ktyne gjanave shkollimit, integrimit, merren edhe me teatrin. E kjo marrja me teatrin mu më ka rikthy në Gjermani. Me insistimin e fmive, ata më kanë thanë që borxhet t’u kryjtën, na u rritëm, u martum, u punësum. Demokrati e ka shpijen e vet me Dorentinën. Atdheu e ka shpijen e vet me Albulenën. Na jena në shpi të Demokratit edhe të Dorentinës. Ata banojnë në Dusseldorf se punojnë në Dusseldorf.

Me ju kthy unë vetvetës, m’u marrë me vetvetën, m’u marrë me aktivitet edhe pse krahas asnja që thashë, periudhës së mbledhjes së ndihmave edhe krejt, jam marrë ni kohë po tani gajlet e borxhet e kto, e kto. Tash unë që nga 2010-ta, kur m’u ka dhanë mundësia, kur kom shku me kry kursin e gjuhës shqipe [gjermane], m’u ka dhanë mundësia niherë me punu me gratë, me fmitë e atyne grave. Pastaj kom kalu deri 2014-ten kom punu ndihmës pedagoge.

Mas vdekjes të vllaut rash pak moralisht edhe dojsha psiqikën me lanë me pushu e fizikën me ngritë, ju ktheva kësaj firmës prapë. Tash punoj me ni furrë buke, dyqan. Osht’ edhe ëmbëlsira edhe kafe edhe këto krejt. Punoj veç katër orë në ditë e krejt kohën tjetër ia kushtoj aktiviteteve. Punoj në tri shoqata të grave të qytetit, internacionale edhe shoqatën e grave shqiptare. Punoj me nxansa disa vite, tri-katër vite kom punu gjuhën shqipe, vullnetarisht, veç m’i msu nxansat, “Ta msojmë gjuhën shqipe përmes aktiviteteve”. Pa financa, pa kurgjo. Kam punu dy drama. Vet i shkruj tekstet, vet e boj regjinë me ndihmën e fmive. Në gjuhën shqipe që i kom realizu me fmitë shqiptarë.

Punoj me gra, mblidhemi. Jam në përpjekje për me fut në skenë, “Vllezëri e interes”. Ju jeni të reja, të Kristo Floqit që është e shkrume në vitin 1936, ni korçar, mërgimtar i viteve ‘36-ta, “Vllezëri e interes”. Unë e kam lujtë në vitin 1982 para mërgimtarëve të kohës. Pastaj kur ma ndaloi Komiteti aktivitetin në teatër. Tash e kam, e kam bo grupin mundohna me gratë mujsha me fut kta, e kam qëllim parësor. Pra jeta jem prej krejt atyne ngritjeve, zbritjeve, ramjeve, mosbesimeve, frika ka ardhë në normalitet që sot jetojna me ni shtet demokratik. Nuk po thom ma mirë, po jetojmë si gjermantë.

Tash emocionin e fundit para tri jave. Atdheu me ni shok aktor, aktor që lun CDF është program shtetëror, filmat i shfaqen. E kanë marrë ni projekt, e kanë ndërtu ni dramë dy orëshe për refugjatët. E kanë bo ni… se atje ndërtohet drama, tash unë e kom mësu, nuk osht’, nuk osht’ e thatë si ktu. E marrish “Vllazëri interes”, i ndajsh rolet dhe e lexojsh. Atje luhet aq mirë me libra, përpunohet, nuk e di sa keni me më kuptu.

Tema e dramës ka qenë dialogu në mes Albert Kamy, i famshmi, Atdhe Ramadanit një shqiptarë nga Kosova dhe Ahmet, s’po m’kujtohet mbiemri. Një pianist i famshëm nga Cyrih. E kanë ndërtu ni tekst, t’u u mbështetë në Albert Kamy edhe në rrotullimin e atij shkëmbit, e kanë ndërtu. Ata e kanë ndërtu, e kanë bo tekstin, e kanë përpunu. Ni aktor i mirëfilltë edhe ni regjisor i ardhshëm edhe ni aktor. Te tre fmija lujnë shumë mirë. E kanë ndërtu edhe shkon jipet shfaqja para ni muje.

Atdheu neve s’na tregon kurgjo hiç, po dy ditë përpara shfaqjes, atje duhet m’i rezervu biletat ni muj përpara, edhe vijna na krejt familja. Dy parë miq që i kena edhe tre parë edhe të Nasimit edhe shkojmë komplet në premierë. Unë veç e kom ni Atdheun t’u thonë, “Keni me ardhë me pa ni dramë që s’e keni pa kurrë edhe ka m’u përmend Asllani”, Asllani është burri jem. Unë s’ia kom vnu veshin. Paska m’u përmend Asllani, paska m’u kallxu okej.

Shkojna në dramë edhe ulemi në radhën e parë. Del Albert Kamy, se po i shkoj shkurt, del Albert Kamy, Atdhe Ramadani nga Kosova dhe Ahmet, që mjerisht ia harrova, nga Cyrih. Fillon Albert Kamy me tregu ngjarjen e jetën e vet në moshën 27 vjeçare çmimin nobel. Ktu është edhe filozofia e dramës se ka mrena ksaj drame shumë filozofi, shumë mësime në jetë. Fillon Alber Kamy m’i tregu Atdheut edhe Ahmetit se, “Në moshën 27 vjeçare kam marrë çmimin nobel, po kurrë s’jom konë i knaqun në jetë se nuk kom pasë kohë me nejt me vajzat edhe me grujen. Se më kanë pengu padrejtësitë e jetës, më kanë pengu dallimi klasa, varfëria ato, padrejtësia”, krejt i tregon.

Këta dy azilantat që kishin ardhë në Gjermani çuditën. Alber Kamy me çmimin nobel nuk osht’ i knaqun me jetë, e na? Tash unë isha fokusu, unë po flas unë për vetën. Unë isha fokusu në ngjarjen edhe me kuptu gjermanishtën, domethonë m’u munu me kuptu. Atdheu fillon dialogun. Fillonte m’i kallxu Albert Kamys thotë, “Edhe unë jam një shqiptar nga Kosova”, thotë, “nana jem edhe baba jem kanë marrë rrugë ilegale kanë ardhë në Gjermani. Rrugën ilegale munet me kuptu veç ai që e ka bo ilegalisht”, e thotë, “nana jem, baba jem e ka lshu Kosovën para nanës”, thotë, “nana jem me dy fmi e ka bo rrugën ilegale, pesë javë i ka zgjatë rruga”.

Tash kur ka fillu Atdheu me folë për jetën teme, unë kom nisë me kajt edhe kom nisë me pa edhe niherë ngjarjen teme. Zoti e deshi që unë za nuk qitsha, veç me rridhshin ata lot. Ni pjesë e publikut tash ka nisë me m’pa mu. Kur m’ka pa Atdheu që unë po qaj, ai filloi gjoksi me iu, aty në interpretim. Fillon tash me tregu qysh kena ardhë në Gjermani, këto që tregova. Ato paketat e famshme edhe thotë ajo që m’ka emocionu krejt, krejt, krejt, thotë, “Nana jem edhe baba jem s’kanë dashtë me na ngarku trunin neve. Kur ka ardhë koha te borxhet, ata kanë folë me gjuhë”. Na kena folë serbisht në atë kohë.

Na nuk e kena ditë sa borxhe i kanë, po unë e kom lexu n’sytë e nanës, në ftyrën e nanës, në ftyrën e babës që këta njerëz kanë halle. Me atë spontanitetin, me atë qysh na shtishin në punë”, ky po i kallxon Albert Kamys. Edhe thotë, “Na u rritëm, lajtëm borxhet, shkojshin t’u ra borxhet, 20 mijë, dhetë mijë, s’ka ma. Na u shkollum, sot jena krejt të shkollum. Jetojmë me ni vlla”, Demokratin, “jetoj me ni motër që e du shumë e zihemi shumë”, jemi zanë shumë, “edhe jom shumë i lumtur me jetën edhe që nga 2008-ta e kom shtetësinë”.

Mu ajo ngjarja që e tregoi, ai e kishte shti në rol se drama vazhdon është shumë, shumë… edhe pritet tash në konkurime në asi. Më la pa fjalë. Tanë kohën, tani ngjarja kaloi te jeta e këtij Ahmetit që është hala, hala, hala ma e zorshme. Filloi tani me këtë këngën e Sizifit me këto asi. Unë tanë kohën meta pa fjalë edhe thashë, “Nesër”, ishte nata e dytë, “ka me ardhë prapë. Pram s’kom pa kurgjo, pram kom kajt”. Kështu që, kjo është jeta jeme.

Anita Susuri: Zonja Zelije nëse s’keni edhe diçka me shtu… edhe unë u emocionova më shkoi zani edhe mu. Nëse s’keni edhe diçka mundemi me përfundu. Ju kisha falënderu shumë!

Zelije Kryeziu Ramadani: Jo falënderimi duhet me u bo nga ana jeme për juve. Unë ju jam mirënjohës sa të jetë jeta. Dy gjana i kom pasë në menen teme gjithmonë. Nuk e du m’u dukë, e urrej, m’u dukë. Po kom qef me kallxu. T’u kallxu të njofin njerëzit, këto ngjarje falë juve, faleminderit, dikush ka m’i ndëgju. Rinia edhe mosha jem edhe ma të rijtë edhe ma të vjetrit. Qishtu shkruhet historia.

Anita Susuri: Faleminderit shumë edhe një herë!

Zelije Kryeziu Ramadani: Faleminderit juve shumë, shumë, shumë!

Download PDF