Nexhmi Zeqiri

Prishtina | Date: 29 mars, 2022 | Duration: 59 minuta

Kam qenë protagonist, kam qenë mjeku kryesor aty. Kam punu aty në Stantërg dhe atë ditë kur ka fillu greva kam qenë në ndrrimin e parë. Rreth orës 8:00 vjen një informacion, se ambulanca afër minierës osht’ aty, thotë, ‘Minatortë kanë hy në grevë’. Babën e kisha gjallë, nanën edhe krejt familjartë. Në Mitrovicë jetojshin ata. Edhe thojnë, ‘Ka fillu greva e minatorëve. Minatorët janë të pakënaqun. Prej sotit kanë hy në grevë edhe kanë dhanë fjalën që nuk dalin pa u realizu disa kërkesa të tyne’. Rreth orës 8:00 kanë fillu. Unë rreth orës 8:00 kam marrë lajmin që kjo ka ndodhë. […] Ni lloj greve urie, pakënaqësie me kërkesa të tyre. U alarmu Kosova, u alarmu Jugosllavia, Serbia edhe opinioni i gjërë evropian e botëror që ka fillu ni grevë e madhe e minatorëve në Stantërg. Ne si mjekë iu bashkangjitëm, se aty ishim edhe me detyrë me i ndihmue minatortë çka ka nevojë. Fillimisht ishin të lodhun, të rraskapitun. Ni natë, dy, fillojnë, fillon m’u keqësu situata edhe gjendja e tyre shëndetësore. Ne disa i dërguam në spital të Mitrovicës, po nuk dojshin me shku në Mitrovicë. Dojshin me nejtë aty çka ishin ma të sëmurë. […] Nuk dojke kërkush me shku në Mitrovicë sepse atje ishin do mjekë shqiptarë, do mjekë serbë të ciltë ishin kundër grevës të minatorëve edhe kundër… edhe i keqtrajtojshin.


Anita Susuri (intervistuesja), Renea Begolli (Kamera)

Nexhmi Zeqiri u lind në vitin 1958 në Podujevë. Studjoi mjekësinë në Beograd dhe Kragujevac. Ndërsa në vitin 1993, doktoroi në Universitetin e Tiranës. Si bursist i Trepçës, ai filloi të punojë si mjek i punës në minerën e Trepçës në vitin 1985. Aty qëndroi deri në largimin e dhunshëm nga puna në vitin 1990. Gjatë viteve 1990 punoi në ambulancën humanitare të “Nëna Terezë”, si dhe në një barnatore private. Z. Zeqiri ende punon si kardiolog dhe ka ordinancën e tij private në Prishtinë.

Nexhmi Zeqiri

Pjesa e Parë

Anita Susuri: Zotni Nexhmi, nëse mundeni m’u prezantu, me na tregu pak diçka për vetën edhe për prejardhjen e juj?

Nexhmi Zeqiri: Po. Përshëndetje juve edhe emisionit të juj. Unë quhem Nexhmi Zeqiri, i lindur më 11 maj, ‘58 në Podujevë. Gjeneza e familjes tonë osht’ nga fshati Bellasicë që osht’ fshati i fundit n’kufi me Serbinë. Të ardhun prej Toplicës në vitin, diku 1878, ku serbët i kanë përzanë shqiptartë prej trojeve tyne në Toplicë. Sanxhaku i Nishit u qujtë. Në atë kohë gjyshi im ka lëvizë me familjartë e vet edhe katragjyshin në fshatin Bellasicë. Aty m’ka lindë babai dhe axhallartë, hallat. Aty, baba im prej atij fshati ka dalë me ni fshat tjetër.

Gjyshi im, Bejtush Bellasica i njohur për atë kohë si njeri i zoti si njeri për kohën ka qenë mik me një Ahmet Selaci e zonës të Shalës. Kanë qenë njerëz që kanë pasë shumë bagëti, shumë. Dhe ai vendosë ni ditë me shitë atë pasuri edhe me ikë kah Rrafshi i Podujevës në këtë zonë, në një fshat Sfeçël. Blejnë një tokë, shet bagëtinë, shet edhe pronën që ka atje se rrezikohet prej serbëve, se osht’ në kufi me Kurshumlinë ajo zona jonë edhe me Leposaviçin pjesën tjetër. I rrezikum, shet pasurinë edhe menon me ardhë me ble tokën me një fshat që duhet Sfeçël.

Baba im në atë kohë i ka pasë gjashtë vjeç me axhallartë e mi që kanë qenë edhe pesë tjerë, me dy halla të mija. Mirëpo, ende pa i pru të gjithë antartë e familjes i dalin në pritë serbtë bashkarisht me disa shpihun shqiptar si gjithmonë që ka pasë te na njerzë, vasal të serbit dhe e vrajnë në moshën 37 vjeç. Detyrohen ato nanat, gratë e tyne m’i marrë fminë bashkarisht me disa vllazni të gjyshit edhe vijnë në fshatin Sfeçël. Të varfën, mbetën pa babë, mbetën pa pasuni.

Çka me ndodhë? Aty baba im në moshën gjashtë vjet ka ardhë në fshatin Sfeçël, tregova. Kanë punu tokën, kanë punue me bagëti dhe ni gjendje varfërie. Po foli krejt kto, kjo ka ndodhë, po them, rreth, para vitit 1930, diku 1927-8 nëse nuk gaboj. Pastaj u rritën baba me vllazni edhe tre vllazën. Fillimisht njo prej tyne shkunë me punu në Stari Tërg në Trepçë. Mori rrugën në kamë prej Sfeçle me disa miq e shokë. I marin edhe i punësojnë në kombinatin, në minierën Trepça. Baba jem kur ka shku atje me vllazninë e vet, axhallartë e mi në mosha shumë të re 16 vjet. U duftë me punu në minierë, puna e ranë. Janë punësue.

Kanë banue fillimisht… se rrugë e gjatë s’ka pasë transport, diku dhjetë orë në kamë prej Podujevës e nëpër fshatra e në Stari Tërg, Trepçe, domethonë minierë. Aty kanë banue nëpër, kanë qenë blloqe banimi për të vetmuar, pa familje. Kanë banu katër-pesë vetë, gjashë vetë ni dhomë me shtretër. Po janë kanë, kanë qenë banesa që i kanë maru angleztë, se Trepçën e kanë kolonizu angleztë ma herët, besoj keni njohuri. Aty kanë banu, kur kanë mujtë kanë shku, janë kthy në shpi mas ni jave, dy. Kanë vizitu familjarë, po kanë qenë pa familje.

Me kohë kanë marrë banesa prej Trepçe, kur ma vonë kanë bo ni stazh. Janë martue dhe kanë marrë familjet, kanë marrë banesa. Unë kam lindë në Podujevë, megjithëse atëherë baba ka qenë në Mitrovicë, sepse në atë kohë edhe pse ishe në Mitrovicë u dufke me shku gratë me punu në fshat se ishim në bashkësi, bashkallak. Unë tërë jetën e kom kalue, deri në moshën 40 vjeç, në Mitrovicë. E kom kry filloren në pjesën veriore e pastaj edhe gjimnazin.

Në kohën kur unë e kom kry filloren, pjesa veriore ka pasë shkollë, msim deri në klasën e katërt fillore. Jo ma shumë, se s’ka pasë shqiptarë. Gradualisht shqiptartë kanë marrë banesa edhe u rritë numri i shqiptarëve edhe i fëmive. Shumë me vështirësi osht’ hapë shkolla deri në klasën e tetë, po kanë qenë disa njerzë që e kanë nimu këtë proces. Dhe gjenerata e parë ka qenë e imja që deri në tetën në veri me kry filloren, se veç deri në katërtën [ka qenë]. Rezistencë prej serbëve mos me leju kto sene, po u krynë.

Edhe gjimnazin e kom mbaru në Mitrovicë në “Silvia Tomazini” shkollë që… gjimnazit shumë e mirë, shumë e fortë. Në vitin ‘73-‘74 ka qenë dikur kur kam fillue. ‘77- ‘78 kam mbaru gjimnazin dhe pastaj jam nisë për Beograd për me kry Fakultetin e Mjeksisë. Jom regjistru atje në Fakultet të Mjeksisë e mbarue dy-tre vite. Kam qenë edhe futbollist n’atë kohë edhe profesionist, u merrsha edhe me sport. Në Beograd u dufke punë e madhe, s’kishim njerëz, s’kishim… ni gjendje e randë. Prindtë me ni pagë. Me do bursa në të vërtetë na ka ofru Trepça n’atë kohë, na kanë ndihmu ato bursa. Na kanë ndihmu se prindtë edhe dy axhallarë i kam pasë, edhe dajën e kom pasë atje në Trepçë.

Mbarova dy vite fakultet në Beograd, pastaj u transferova në Kragujevac. Lujsha futboll te ni klub atje të ish-Jugosllavisë. Edhe dy vite tjera i bana në Fakultet të Mjekësisë në Kragujevac. Vitin e fundit u ktheva, meqë isha në kontakt me ni shoqe të klasës që u dashurum gjatë kohës edhe e kisha simpati, me të cilën jetoj. Është doktoreshë, Sebahate Zeqiri është gruja ime dhe me të cilën kalum jetën vazhdimisht edhe në privacion edhe në jetë. Të cilën e falënderoj për përkrahjen që ma ka dhanë bashkë me prindtë e mi.

Anita Susuri: Zotni Nexhmi, kisha dashtë m’u kthy me iu pytë diçka se m’u dukë shumë interesante që e përmendët që baba juj ka punu…

Nexhmi Zeqiri: Ashtu osht’.

Anita Susuri: Para Luftës të Dytë, e po më intereson a ka punu edhe gjatë luftës sepse edhe para Luftës të Dytë Botërore ka pasë edhe rob që kanë qenë në Trepçe. A keni ndonjë tregim për babën e juj?

Nexhmi Zeqiri: Po, po. Jo, diçka të tillë nuk ma ka spjegu baba. Baba, në vitin, diku në Trepçe ka hy nëse s’gaboj, diku në vitet e ‘50-a, ‘48-‘50, n’qatë kohë ka hy në Trepçe. Në të vërtetë, po n’qatë kohë, po diçka rob s’më ka spjegue. Ka qenë punë e randë. Fillimisht kanë punue në shpuarje të thatë në pluhën shumë. Punë e randë, jashtëzakonisht e randë. Për fat baba ndërkohë e kryn ni shkollë nënpunësave sa ishte në Kishnicë, ma vonë edhe fakultetin. E ka ndihmu shkollimi, se babën e kom pasë inxhinier të xehtarisë ma vonë, a ka fillue si punëtor fizik.

Ma vonë e kryn ni shkollë që i ka çu kombinati me ngritë cilësinë e njerëzve të punës. Ka qenë mbikqyrës, kurse ma vonë edhe inxhinier. Punë e randë, punë e randë. Edhe unë për fat e kom pa atë punë të minatorëve, se kam punu edhe si mjek ma vonë. Kur mbarova fakultetin ‘84-‘85, unë u punësova në Zveçan, në dispanzerin e mjekësisë të punës. E kisha bursën, aty isha në një gjendje që fillova si mjek i ri edhe punë shumë me minatorë. Nëse keni ndonjë pytje në këtë proces, mos t’e elaboroj une noshta tepër.

Anita Susuri: Po, po më intereson edhe periudhën kur keni qenë fmi kanë qenë diku vitet e ‘60-ta domethonë.

Nexhmi Zeqiri: Ashtu osht’.

Anita Susuri: Edhe ka qenë periudha pak e vështirë për shkak të krejt këtyne që kanë ndodhë në periudhën e Rankoviçit domethonë, lëvizjet e popullsisë. Qysh e keni pa ju qytetin edhe shoqninë në atë kohë?

Nexhmi Zeqiri: Po ta them realitetin, une kom studiu në Beograd edhe në Kragujevac mjekësinë në vite të ‘70-a, në mesin e viteve të ‘70-a, ‘77-‘78 ka qenë koha kur une jom nisë për Beograd. Po ta foli me sinqeritet nuk e kom ni vetën inferior apo i injorum. Kom flejtë me serb në dhoma, në konvikte. Te rinia nuk osht’ pa ndonji gja e tillë. Po gjatë provimeve, kur kanë hy në provime ka ndodhë që i kom thanë profesoreshës, ni detal po ta spjegoj shumë interesant, “Të lutem a ka mundësi këtë pytje me kthy në gjuhën shqipe, pastaj ta them në gjuhën serbe?” Ma ka marrë indeksin ma ka gju hunve. Profesoreshë, ma ka gju ftyrës. Më ka thanë, “Ndash shqip, qy ku ki Tiranën edhe Prishtinën. Këtu osht’ Serbi këtu serbisht”, edhe m’rrxoi prej provimit. Domethonë, ka pasë te profesorat. E kom ditë për ni tetshe, nantëshe ma ka qit ni gjashtëshe.

A në shoqni kështu kom qenë njeri që e kam njoftë gjuhën, se jom rritë në veri të Mitrovicës nuk kom pasë shumë… po ta them realitetin. Unë nuk mund të them atë çka… vetëm mund ta foli që nuk e kom ni vetën keq. Edhe shqiptartë në përgjithësi, ni jetë që nuk, nuk jom dallu shumë pse jom shqiptarë te njerztë e zakonshëm apo kolegtë, a te naj profesor po, te dikush, te dikush jo. Kjo ka qenë periudhë.

Anita Susuri: Thatë që keni pasë bursë prej Trepçës për studime…

Nexhmi Zeqiri: Po, ashtu.

Anita Susuri: Qysh ka ndodhë krejt ky transferim prej Kosovës në Beograd? Qysh ju ka dokë juve si i ri?

Nexhmi Zeqiri: Ni jetë interesante, ni jetë e mirë, ni jetë pa shumë telashe. Ka qenë transporti me tren, me autobus. Nuk m’ka thanë dikush, “Hej, pse je shqiptar ti çka lypë ktu çka bon atje?” Kom mësu, e kam ditë gjuhën. Serbisht, serbo-kroatisht janë kanë librat. Ke mujtë me qarkullu ku të dushë në Jugosllavi me, domethonë… shërbimin shëndetësor ke mujtë me marrë ku të dush. Ndash në Ljubljanë, ndash në Zagreb, ndash në Maqedoni me librezë shëndetësore. Kështu që, kom lujtë futboll jom shoqnu me serbë jom shoqnu. Shumica kanë qenë të tillë, me boshnjakë, e me malazezë, e me kroatë, e sllovenë e qishtut.

Anita Susuri: Thatë që përveç studimeve jeni marrë edhe me sport…

Nexhmi Zeqiri: Po, me sport.

Anita Susuri: A jeni marrë edhe me jetë kulturore ose shoqërore?

Nexhmi Zeqiri: Në atë kohë në Beograd nuk ka pasë shumë ndonjë shoqatë që direkt… se sporti më ka tërhjekë knej ma tepër. E në Kragujevc kam qenë ma i vetmi shqiptar në mjekësi, s’ka pasë se ashtu ka qenë… Po unë lujsha futboll në ni klub “Radnički” të Kragujevcit, u qujtë në atë kohë edhe isha ma afër Mitrovicës se në Mitrovicë kam jetue. Beogradi i ka prej Mitrovicës 365, Kragujevac 200. M’u doke ma afër edhe kalova e lujsha futboll n’atë kohë. Kjo ka qenë në fund të viteve të ‘70-a, kah fundi. Domethonë, kom lëvizë kah, thuajse çdo dy javë isha kah shpija. U mërzitsha, afër, Kragujevac, Beograd. Në përgjithësi nuk kom fjalë të kqija për atë periudhë sa i përket jetës si shqiptarë. Po foli për në Serbi kur kam jetue.

Anita Susuri: Në Mitrovicë jeni kthy, thatë pas studimeve…

Nexhmi Zeqiri: Po.

Anita Susuri: Edhe për shkak të bursës osht’ dashtë me vazhdu…

Nexhmi Zeqiri: Po unë e kisha familjen aty, e kisha edhe të dashurën që u fejum pastaj që ishte edhe ajo në mjekësi në Prishtinë. Edhe ajo vike më vizitojke herë pas here mu edhe në Beograd e Kragujevac. Edhe u mërzita, doja të jem më afër saj. Vitin e fundit erdha këtu, u punësova në Zveçan në dispanzerin e mjekësisë të punës. Vazhdova me punu në vitin ‘80 e… Në të vërtetë, shkova në shërbim ushtarak pasi e kryva fakultetin. Veç fillova punën mas dy mujve. Isha në shërbim ushtarak në ish-Jugosllavi si mjek.

Anita Susuri: Në cilin vend keni shku?

Nexhmi Zeqiri: Kam qenë, fillimisht në Trebinje këtu në Mal të Zi, në kufi me Bosne. Pastaj në Novi Sad dy muaj dhe muajt tjerë kam qenë në Slloveni. Krejt në vende të ndryshme, në Kranj, në Skokjalov, në Bled, Goricë, ku kishte nevojë si mjek. Ishim gjeneratë e fundit që kem punu si mjek.

Anita Susuri: Çfarë trajtimi keni pasë që keni punu si mjek në ushtri?

Nexhmi Zeqiri: Të shkëlqyshëm. Ka pasë konsideratë, ka pasë respekt si mjek edhe pse isha mjek i mjekësisë të përgjithshme. Ka pasë tendenca prej disa ushtarakëve që me të futë në qorr sokaqe sa i përket problemeve. Mirëpo, isha rritë në atë zonë edhe e disha në të vërtetë tendencën. Si futbollist edhe si mjek më ka ndimu kjo që mos t’hy në ujëra që ata kanë dëshiru. Ju kom thanë, “Unë jom mjek, muj me folë për mjekësi muj me folë për sport”. I kom ikë problemeve, se ka pasë tentativa prej njerëzve serbë ushtarak. Jo prej sllovenëve, se shumicën e kom bo në Slloveni.

Anita Susuri: Në cilin klub keni lujtë?

Nexhmi Zeqiri: Klubi parë që kam lujtë ka qenë “Remonti”. “Remonti” në Mitrovicë. Pastaj, “Radnički” të Kragujevcit, pastaj “Shumadia” e Arangjellovcit do në Serbi kto…

Anita Susuri: Po m’duket edhe Trepça e ka pasë.

Nexhmi Zeqiri: Edhe Trepça ka qenë, edhe Trepça. E qishtu disa, disa…

Anita Susuri: A keni lujtë edhe për Trepçën?

Nexhmi Zeqiri: Po, ni kohë. Ni kohë kom qenë pjesë e… me disa shokë kem qenë për fat të mirë me këtë Rafet Prekazin që osht’ sot njo prej futbollistave të mirë. Ni klasë në gjimanz, pastaj kemi fillu në klubin “Remont”. “Remonti” ka qenë ni klub në atë kohë shumë i mirë, shumë i madh ku kanë dalë krejt lojtartë e “Trepçës” prej “Remontit”. Kjo ka qenë periudhë e rinisë time, e rinisë time.

Anita Susuri: Në Trepçe kur keni fillu?

Nexhmi Zeqiri: Në vitin ‘84-’85. Aty diku kom fillue dhe pastaj kam vazhdue shërbimin ushtarak. Pasi jam kthy kam vazhdu punën në Zveçan, pas ni viti. Aty punova në Zveçan nja dy-tri vite edhe m’transferuan në Stari Tërg me kërkesen e Aziz Abrashit dhe Burhan Kavajës. Erdhën nji ditë në vizitë mjekësore më thanë, “Doktor kem nevojë me të transferue në Stari Tërg edhe do ta dhajmë ni banesë ty atje fillimisht që janë në kuadër të ambulancës”, bashkë me ni koleg timin me familje. Nejse, unë veç u martova atëherë në vitin ‘85. Kisha gruan edhe shkum ne në Stari Tërg. Murëm nga ni banesë në kuadër të ambulancës. Kanë qenë përpara të rregullume. Mjektë kanë flejtë me familje në ambulancë. Kanë qenë banesa që i kanë dhanë angleztë ma herët këto banesa, jo ne. Fillum me punu, fillun proceset e ndryshme në vitin ‘88, marshi për në Prishtinë i minatorëve. Në vitin ‘89 edhe greva e minatorëve edhe greva e minatorëve.

Anita Susuri: Paraprakisht po më intereson çfarë, për shembull, çfarë vendime ka pasë? Çfarë ankesa kanë pasë puntortë? Qysh ka qenë puna?

Nexhmi Zeqiri: Për fat të mirë unë kam hy edhe në minierë disa herë, se ka pasë lëndime shumë. Si mjek ka ndodhë ni vdekje aksidentale kanë nxanë, ne i themi, xehja gjatë shpuarjes ka nxanë minatorin e ka mytë, sasi e madhe. Shpuarjet, ato me maqina. Pastaj ato trenat e vogël që e bartin xehen, aty ka mytë njerëz, ka mytë minatorë ose janë lëndue. Shpesh herë kemi shkue poshtë në minierë me disa metra nën tokë, horizonti tetë-nantë diku 1800 metra. Kemi konstatu vdekjen ose kemi ndihmue procesin e minatorëve për me i transportu naltë. Me iu dhanë ndihmën e parë aty se i ka nxanë xehja s’kanë mujtë me lëvizë.

Aty poshtë ka punu edhe tekniku, poshtë te miniera që ka qenë në shërbim, infermier. Pastaj na herë pas herë [kemi shku poshtë]. Ka pasë lëndime të formave të ndryshme. Osht’ edhe temperatura shumë e naltë, ka edhe lagështi, ka edhe ujë, ka edhe erna, ka situatë… ka ndodhë që prindin tem s’e kam njoftë. Kam shku m’i kërku kumeditë çka… m’u ka nevojitë ni diçka kur kam shku, se atje je krejt zi. Domethonë, gjithkund aty shkrun, “Me fat!” para hyrjes për arsye se ka rrezik jete edhe kushte të randa kanë qenë në atë kohë, në atë kohë.

Kjo ka qenë ajo puna ime që e kam ba si mjek. Naltë në Stari Tërg në ambulantë kem vizitue edhe minatortë edhe familjartë e tyre. Ka qenë tip i ambulancës që për minatortë dhe familjartë e tyre kem punu në atë zonë.

Anita Susuri: Në cilën pjesë ka qenë e ndame kjo…

Nexhmi Zeqiri: Kjo osht’ në pjesën që i takon Kosovës, tash pjesa jugore osht’ me kombinat. Zveçani ku kom fillu fillimisht ku osht’ në pjesën që i takon Zveçanit, serbët e menaxhojnë sot. Aty osht’ shkritorja dhe rafinerija. Aty u shkri xehja. Aty kemi bo edhe kujdestarinë ne stacionalen e kem pasë ku ka pasë edhe helmime shumë me plumb. Ku u shkri xehja temperaturat janë shumë të nalta 500-600, avujt e atyne xeheve kur janë shkri xehet kanë helmue minatortë. Helmimet me plumb janë shumë interesante. Për fat, kom pasë fat dhe me magjistru edhe me doktoru në Tiranë në këtë lami, “Helmimet me plumb në Stari Tërg, ndikimet e tyre në shumë faktorë…”

Anita Susuri: Cilat kanë qenë pasojat që i kanë pasë për shembull?

Nexhmi Zeqiri: Po pasojat, këta dhëmbët… po foli për pjesën e Zveçanit ku osht’ shkritorja. Në sistem nervor avujt e plumbit edhe metaleve tjera kanë dëmtu sistemin nervor. Pastaj dhëmbët kanë pasë shumica të dëmtum, eshtrat qashtu të dëmtum, se plumbi lidhet në eshra ma së shumti edhe në sistemi nervor. Këto dyja që e qujmë ne lokomotori i eshrave, sistemin nervor, këto dyja janë që i atakon ma së shumti. Po foli për pjesën e Zveçanit ku osht’ shkrirtorja.

Kurse në Stari Ttërg, sëmundja që e marrin minatortë quhet silikoza dioksidit të silicit. Janë mikro thërmija që atakojnë sistemin e mushkërive të frymëmarrjes dhe që dëmtojnë mushkëritë. Dhe kjo sëmundje si silikozë osht’ e njoftun, hyn në kuadër të sëmundjeve profesionale. Profesioni ua ka bo këto bashkë me këto helmimet tjera. Por, në Stari Tërg në minierë është silikoza, kurse në pjesën e Zveçanit ku bëhet shkrirja kemi helmimet me plumb. Akute që i qujmë ne edhe kronike, por ato akute janë ma kryesoret.

Anita Susuri: A kanë qenë edhe mjektë, për shembull, ju që keni përcaktu specializimin e mëhershëm?

Nexhmi Zeqiri: Po kemi përcaktu se qat’ lami e kom specializu une në vitin ‘88 e kam marrë specializimin prej Kosove. E kom fillu këtu, ma kanë ndërpre kom vazhdu me të holla të mija për shkak të grevës të minatorëve që ishte ‘89-ën. Dhe kam vazhdu pastaj në Zagreb dhe në vitin ‘91 e kam mbrojtë në Tiranë, pardon ‘93. ‘91 kom qenë në Zagreb, se filloi lufta u ktheva. Filloi lufta në Kroaci knej dhe në vitin ‘93 jam shku në Shqipëri dhe e kam marrë titullin specialist i sëmundjeve profesionale në mjekësi pune nga Shqipëria, nga Fakulteti i Mjekësisë. Kjo ka qenë ajo periudha që e mora une specializimin se u largova prej punës se filloi greva në ‘89. Grevë e cila ishte, nëse muj me kalu në këtë stazë apo jo…

Anita Susuri: Po deshta paraprakisht për marshin me folë…

Nexhmi Zeqiri: Po.

Anita Susuri: Ka fillu ‘88-ën…

Nexhmi Zeqiri: Ashtu osht’.

Anita Susuri: Disa muj ma herët para grevës…

Nexhmi Zeqiri: Ashtu osht’.

Anita Susuri: Edhe ka qenë ecja prej Stantërgut deri në Prishtinë…

Nexhmi Zeqiri: Prishtinë, e vërtetë.

Anita Susuri: Po mu po më intereson edhe ju të themi si ni punëtor të themi i atij…

Nexhmi Zeqiri: Ashtu. Kompleksi.

Anita Susuri: Si e keni pa këtë ngjarje prej asaj pike?

Nexhmi Zeqiri: Po, po ta them sinqerisht, marshi ishte ni paknaqësi në mesin e minatorëve për gjendjen e cila ishte aktuale në Kosovë. Me tentativa për me ndrru kushtetutën me iu marrë autonomia Kosovës dhe klasa punëtore si gjithmonë, minatortë janë popullatë ndoshta ma e varfun, po janë ndoshta ma e zgjuar, ma vizionare, i kanë pa senet pak ma ndryshe. Njerëzit thonë që ka qenë politike, ndoshta s’kanë pasë fuqi, ndoshta janë kanë servil të sistemit në kohë të ish-Jugosllavisë.

Minatortë kanë vendosë në qarqet e tyre me bo ni marsh si shenjë paknaqësie, në kamë deri në Prishtinë. Aty nuk kanë dashtë me hypë në autobusa, janë shku për disa orë prej Stari Tërgut deri në Prishtinë dhe aty filluan ato, ni lloj revolucioni për ni ngritje të vetëdijës ma të madhe dhe për politikajt e Kosovës në atë kohë. Ka qenë Azem Vllasi,Kaqusha Jashari, kanë qenë disa njerëz tjerë, Ali Shukriu atje në sistem.

Tentativa ishte m’i eliminu disa prej udhëheqjes të Kosovës që ishin servil të Serbisë dhe me iu thanë që ne nuk pajtohemi me suprimimin e autonomisë të Kosovës. Kosova ka qenë pjesë autonome e Serbisë, po me disa ingerenca federative. Jo si republikë, po me këtë mundësi sikurse gjashtë republika dhe dy krahina, kurse ne bojshim pjesë. Këtë suprimim të drejtave tona e panë të partë minatortë edhe u çunë në kamë reagun. Fillun marshimin edhe me i shpreh mos knaqësistë e tyre që ishin.

Ne si mjek ishim në gjendje gatishmërie. Në atë kohë kemi marshue në rast nevoje me iu dalë dikush, me iu dhanë ndihmë edhe ambulanca me i përcjellë mos po ndodhë dikush, mos po smuhet dikush, se kanë qenë minatortë njerëz të vjetër s’ka pasë të ri shumë.

Anita Susuri: Ju i keni përcjellë me ambulancë?

Nexhmi Zeqiri: Po, po, po. Po gjatë rrugës ne kemi shku, në prapavijë me kqyrë mos po lëndohet dikush, mos po ka nevojë diçka për ndihmë.

Anita Susuri: E a ka pasë ndonji incident?

Nexhmi Zeqiri: Jo, për fat të mirë jo. Për fat të mirë jo.

Anita Susuri: Shumica e minatorëve na kanë tregu që, për shembull gjatë rrugës minatortë kanë qenë me tesha të punës…

Nexhmi Zeqiri: Ashtu osht’, e vërtetë.

Anita Susuri: Edhe shumica prej tyre i kanë pasë ato qizmet e punës t’papërshtatshme…

Nexhmi Zeqiri: E vërtetë, e vërtetë.

Anita Susuri: A ju kujtohet…

Nexhmi Zeqiri: Po ka pasë lëndime të kamve që nuk kanë qenë serioze diçka, po normalisht me ecë me ato çizme dhetë orë në kamë, normalisht që ka telashe, probleme, telashe, probleme me siguri. Nuk kanë dashtë shumë me u eksponu ata me thanë, “Unë jom smutë”. Ata e kanë pasë qëllimin me ecë përpara, m’i mbrojtë të drejtat tona të shqiptarëve edhe nuk kanë mendu shumë për jetën e tyne. Nuk kanë mendu as për shëndetin e tyne. Kanë mendu për të ardhmën e fëmive të tyne.

Pjesa e Dytë

Anita Susuri: Pas disa muajve për shkak që situata nuk u rregullu, situata politike…

Nexhmi Zeqiri: Ashtu osht’.

Anita Susuri: Fillon edhe greva. Po më intereson tash këndvështrimi juj edhe krejt ngjarja qysh ka ndodhë, ashtu si e keni pa ju nëse mundeni me përshkru?

Nexhmi Zeqiri: Po greva e minatorëve nëse s’kam harrue, ka kalu kohë e gjatë, ka fillu dikun me 20 shkurt të vitit ‘89 dhe ka zgjatë dikun deri me 28 shkurt të vitit ‘89. Shumë gjëra kanë ndodhë mrena tetë ditëve, saqë s’muj për ni kohë kaq të shkurtë me i spjegue. Më kujtohet shkëlqyeshëm se si ka rrjedhë ngjarja. Kam qenë protagonist, kam qenë mjeku kryesor aty. Kam punu aty në Stari Tërg dhe atë ditë kur ka fillu greva kam qenë në ndrrimin e parë.

Rreth orës 8:00 vjen një informacion, se ambulanca afër minierës osht’ aty, thotë, “Minatortë kanë hy në grevë”. Babën e kisha gjallë, nanën edhe krejt familjartë. Në Mitrovicë jetojshin ata. Edhe thojnë, “Ka fillu greva e minatorëve. Minatorët janë të pakënaqun. Prej sotit kanë hy në grevë edhe kanë dhanë fjalën që nuk dalin pa u realizu disa kërkesa të tyne”. Rreth orës 8:00 kanë fillu. Unë rreth orës 8:00 kam marrë lajmin që kjo ka ndodhë.

Fillimisht ne vazhdum punën në ambulancë që ishte aty në Stantërg edhe gradualisht u imponu nevoja që të jemi pjesë, se disa minatorë vishin përmes ni kohe, kish edhe të smutë. Njëri prej tyre, ishte ni inxhinier me epilepsi dhe erdh naltë. Se inxhinieri e mbikqyrke punën e minatorëve, minatorët s’dojshin me punu, në grevë. Ai inxhinier, nuk e di a osht’ gjallë apo jo, erdh, me epilepsi ishte kanë edhe ne i dhamë ndihmën e parë në ambulancë në Stantërg.

Ma vonë u imponu nevoja me zbritë poshtë, me kqyrë ku janë minatortë. Ishin nëpër horizonte të ndryshme të vendosun edhe me kqyrë a janë në gjendje të mirë. Fillunë mos me marrë ushqim, mos me marrë me pi kurgjo. Ni lloj greve urie, paknaqësie me kërkesa të tyre. U alarmu Kosova, u alarmu Jugosllavia, Serbia edhe opinioni i gjërë evropian e botëror që ka fillu ni grevë e madhe e minatorëve në Stantërg. Ne si mjekë iu bashkangjitëm, se aty ishim edhe me detyrë me i ndihmue minatortë çka ka nevojë.

Fillimisht ishin të lodhun, të rraskapitun. Ni natë, dy, fillojnë, fillon m’u keqësu situata edhe gjendja e tyre shëndetësore. Ne disa i dërguam në Mitrovicë, po nuk dojshin me shku në Mitrovicë. Dojshin me nejtë aty çka ishin ma të sëmurë. Në mënyrë spontane e formuam një stacionar në menzën, restaurantin e minatorëve. Aty fillojnë m’i hjekë ato karrika edhe me i shtrue pacientë në disa batanije, disa sene me iu dhanë, ndonjë infuzion, ndonjë ingjeksion, ndonjë ndihmë çka të ka nevojë. Kjo u formu stacionari spontanisht, sepse fluksi filloi m’u rritë.

Ne jepshim ndihmë edhe [brenda] në minierë. Ka ndodhë aty se s’dojke me ardhë naltë në stacionar. Thotë, “Jo, unë nuk ndahna prej shokëve! Me ardhë naltë me u shtri komod, kurse shoktë e mi me nejtë [poshtë]”. Bile, bile disa e formun stacionarin diku me 20, 30, 40 shtretër. Nuk dojke kërkush me shku në Mitrovicë, sepse atje ishin do mjekë shqiptarë, do mjekë serbë të ciltë ishin kundër grevës të minatorëve edhe kundër… edhe i keqtrajtojshin. Ma nuk shkoj, asnja prej tyre.

Me ndihmën që u kemi dhanë ne, doktorat që ishim t’u punu aty edhe motrat edhe infermiertë tjerë, ma vonë erdh edhe ndihmë prej Prishtinës, prej Fakultetit të Mjekësisë edhe disa prej Mitrovicës, por barrën kryesore e kemi bajtë ne. Aty kishte edhe shpihun, doktora shqiptarë, ka, që sot janë në Beograd jetojnë, shqiptarë, ka. Sot janë në Beograd që kanë punu edhe kanë veprue në kundërshtim me vlerat tona që i kem pasë. Mirëpo, ne vazhdum me ndihmu procesin.

Dikur edhe do shtretër i sigurum prej këtyre bllokut të vetmumve ku kanë banue. Pacientët me infuzione me të gjitha aty i kanë marrë, aty i kanë marrë. Bile, nji, ndoshta ka vdekë, nji minatori ia dhamë ni banane me hangër, tha, “Une s’jom majmun”, tha, “une s’jom majmun. As portokall”, (qeshë) tha, “mos m’jepni këso. Une po shkoj poshtë, s’du me nejtë këtu ma, poshtë”. I sëmurë shkoj u kthy atje poshtë. Domethonë, kjo ka qenë ni periudhë shtatë-tetë ditore ku kemi referue për gjendjen alarmante si mjekë nëpër konferenca që i kem majtë atje poshtë në minierë.

Ni periudhë pastaj erdhën edhe këta, disa prej Serbie me vizitu Trepçën me vizitu atje, ministri i shëndetësisë në atë kohë i Jugosllavisë ka qenë ni maqedon, ni Janko Oboçki1. Në Kosovë ka qenë Skender Boshnjaku, i cili osht’ gjallë edhe sot edhe punon edhe vepron. Me të i kemi korespondu situatën, e kemi akceptu gjendjen, me ndihmën e tyre. Kanë qenë njerëz, ka qenë ministri i shëndetësisë të Kosovës. Kem kalu mirë me të, jashtëzakonisht, edhe prej kësaj dite e falënderoj, ni burrë i mirë. Bashkarisht e kemi organizu punën.

Anita Susuri: Po m’duket që ka pasë shumë, për shembull, edhe prej Sllovenisë, Kroacisë që kanë ofru ndihmë.

Nexhmi Zeqiri: Po, kanë ofru, bile ministri i Kroacisë, për fat t’keq e kom harru emrin e tina, edhe prej Sllovenisë kanë ardhë me ofrue ndihmë, domethonë ministri i shëndetësisë. Kanë ardhë edhe ekipe të cilat, të gazetarisë me alarmue situatën prej Sllovenie e ma tepër, prej Serbie jo. Kem pasë presione prej njerëzve mos me ju dhanë ndihmë aty, po me shku me u vizitu ata në Mitrovicë m’i çu. Mirëpo, ne edhe përkundër presioneve që i kishim prej drejtorëve tonë edhe prej… nuk jemi nalë, kem vazhdu punën aty me minatorë.

Shtatë ditë, me ni vajzën, Nitën, vajzën time, isha t’u e dëgju se m’thotë gruja… banojshim në Stantërg, m’thotë, “E kemi Nitën smutë”. M’u më kanë thirrë prej miniere e kom lshu statoskopin edhe jom shku drejtë poshtë. Domethonë, pa e vizitue meta vajzën teme për arsye se poshtë më thirrën, “Hajde me urgjencë”. Kjo ka qenë ni periudhë shumë shumë që e përjetoj sot, bajagi në mënyrë të veçantë. Kohë, kohë, kohë e randë.

Sot osht’ lehtë me dalë në protesta e me iu kundërvu sistemit tonë, po me iu kundërvu sistemit serb ka qenë… se i kem pasë automatat, e rrethune u kanë Kosova. Osht’ lehtë sot me dalë në protestë me gju kryeministrin, shumë e lehtë. Kështu. Shumë ka qenë ni situatë alarmante, se pacientët, minatorët nuk dojshin me hangër me pi, të revoltumë. Po në fund u mashtru klasa politike kosovare me të Jugosllavisë, i mashtroi minatorët me dalë. Jo po të hiqet ky prej funksionit, jo po hiqet ky prej funksioni.

Minatorët u burgosën, greva u krye. Minatorët nëpër burgje, minatorët nëpër procese gjyqësore, pa punë, në skamje. Kjo ka qenë periudha e ‘89-ës edhe e grevës. Nëse kam mujtë me elaboru pak a shumë kjo ka qenë.

Anita Susuri: Po, por po më interesojnë edhe do detaje, se për shembull, secili, secili, muj me thanë secili minatorë e ka përmend që kur kanë dalë me fasha…

Nexhmi Zeqiri: Ashtu, në sy po. Po poshtë osht’ terr me drita shumë të dobta të ndriçimit. Ata njerëzit menjëherë kur kanë dalë u dashtë me fasha. Menjëherë në bashkëpunim me ministrin e shëndetësisë, tonin edhe disa kroatë e tjerë, thonë, “Ma mirë osht’ me, m’u mbrojtë prej dritës se munet m’i dëmtu sytë”. Gjithë kanë dalë me fasha mbrojtëse, për arsye se tetë ditë e tetë netë ka ndodhë që ai s’ka pa. Terr osht’ në minierë, thuja drita të neonit, janë ato të dobta. Mandej ka qenë ni periudhë që gradualisht shumicën i kanë marrë i kanë burgosë edhe i kanë keqtrajtu edhe nëpër spitale edhe… periudhë e errët e ligë e jona. Kjo e vërtetë është çka po e potencon. Me fasha u duftë me dalë jashtë dhe me i mbrojtë sytë.

Anita Susuri: A ju kujtohet sa ka zgjatë qikjo dalja? Se kanë qenë 1300 minatorë.

Nexhmi Zeqiri: Po, vallai me të thanë të drejtën dikun shtatë, tetë orë, dhetë orë ka zgjatë, ka zgjatë. Po kemi qenë të organizum mirë. Për fat të mirë asni njeri nuk na ka dekë në minierë. Ka pasë minatorë që i ka vdekë ni anëtar i familjes, nuk ka dashtë me shku me varrosë, nuk ka dashtë m’i lanë shoktë. Ka qenë ni fjalë, ni besë ka qenë aty, a kupton? Sot s’ke ashtu. Minatortë me qenë ma të organizum sot se klasat politike e jonë. Sot kjo osht’ çudi e madhe, çudi e madhe! Se s’ka pasë interes personal aty askush, aty ka qenë interesi kombëtar. Dhe kjo e dallon atë periudhë me të sotit.

Anita Susuri: Po m’intereson edhe ju si mjek, qysh e keni pa ndryshimin e gjendjes të minatorëve prej ditës në ditë? Edhe gjendjen psiqike, po edhe fizike.

Nexhmi Zeqiri: Gjendja psiqike edhe fizike ka qenë për ditë t’u u rëndue, domethonë ne në atë kohë, po ta foli veç ni çashtje që fjalimet që i kanë majtë minatortë në minierë kur kanë qenë udhëheqësit jugosllavë m’i vizitu minatortë, ato sot asni politikan i joni s’munet me t’i majtë. Asni shkresë, vetëm me fjalë të veta.

Saqë ni moment, ni prej, ni Mursel Haziri ka qenë osht’ jashtë dikun besoj edhe e pyet ni Radisha Gaciqi ka qenë, ish në funksion kroat, thotë, “Edhe baba jem ka qenë minatorë”, thotë, “ti a je minatorë që po elaboron kaq mirë”, atij, “Po, po”, thotë, “edhe baba jem ka qenë minatorë, po une di shkrim, lexim dhe lexoj”, thotë, “S’po të besoj që je minator”. Thotë, “Jo, besom se minator jom”. Ata nuk kanë mujtë m’u bindë që ka minatorë kaq të meçëm edhe të zot. Kanë kujtu që janë krejt analfabetë.

Anita Susuri: A keni qenë aty kur ka ardhë ndonjëherë ndonjë delegacion?

Nexhmi Zeqiri: Po, po. I kemi përcjellë, për shembull, me ashensor. Kanë hy bashkë me Radisha Gaciqin dhe Stipe Shuvari, kroat. Në atë kohë Stipe Shuvari, ni funksioner. Edhe kemi shku në lift, në ashensor bashkë. Edhe njani p’i thotë, “Vallahi, s’kanë me na lanë me dalë minatortë”, thotë, “Me t’vërtetë?” U friku ai Stipe Shuvari edhe Radisha Gaciqi edhe do tjerë që kanë qenë.

Shkum në minierë majtën fjalim dy-tre minatorë. Ata qaq shumë u emocionunë, a për të mirë, a për të keq, a janë këta minatorë. Aq fjalime në nivel mbahen, saqë ni moment njëri prej minatorëve u rrxue, i ra të fliktë. I dhamë ndihmën aty, aty i kom rianimu une vet. Isa Qosja i ka pasë këto fotografi gjatë rianimimit, a ia kanë marrë ndërkohë gjatë masanej, Isa Qosja regjisor ka qenë. Ka qenë aty prezent se u xhirojke ajo, ai moment që m’u përcjellë pastaj që erdhën udhëheqësit e Jugosllavisë me i vizitu minatortë.

Mirëpo ata thanë, “Nuk dalim”. Ai Stipe Shuvari thotë, “Me të vërtetë këta e kanë fjalën, se baba im”, thotë, “ka qenë minator dhe minatortë janë dora e parë e njerëzve që i shohin sendet”. Kjo ka qenë ajo periudha. Ne pastaj vazhduam punën edhe pak. Na largunë prej pune, diku…

Anita Susuri: Çka keni mendu ju që ka me ndodhë tash? E keni pa krejt pasojat e grevës, e keni pa…

Nexhmi Zeqiri: Po, neve, neve, minatortë edhe disa udhëheqës i murrën në burg edhe i dënun me disa muaj burg. Neve bashkë me disa kolegë, kishim, na murrën edhe ne policia edhe na thanë, “Kush ju ka shti me formu stacionarin aty? Pse ju jepshi ndihmë atje e nuk i çojshi [në spital të Mitrovicës]?” Ne ju spjegum që ka qenë kjo spontanisht e imponune, jo me planifikim.

U dufke disa kohë, disa ditë kemi shku rresht me dy-tri shokë në stacion policor në pyetje, “Si ka ndodhë ngjarja?” Por, ne për fat të mirë, ndoshta na ka shpëtu edhe prezenca e ministrit të Jugosllavisë në atë kohë që ishte, edhe ai ishte ardhë aty me vizitu ato, edhe e ministrit tonë Skender Boshnjakut edhe ishim ne si mjek aty të punësum. Aty kem pasë detyrë me dhanë ndihmën. Kështu që, ni aspekt në atë sferë nuk na dënunë, në atë aspektin me burg apo me diçka. Po kur erdh pastaj koha e këtyne largimit prej pune, ne na largunë prej pune, na largunë prej pune dhe mbetëm pa punë.

Anita Susuri: A keni qenë ju edhe kur ka ndodhë greva e dytë? Ka qenë edhe ni grevë e dytë?

Nexhmi Zeqiri: Po, po. Kom qenë, aty kom qenë…

Anita Susuri: Që dhunshëm i kanë hjekë.

Nexhmi Zeqiri: Dhunshëm i kanë largue, janë hi me polici edhe i kanë hekë njerztë prej miniere i kanë marrë.

Anita Susuri: Ata nuk kanë pasë as ndihmë, as kurgjo…

Nexhmi Zeqiri: Jo, jo, jo, jo. Vet i kanë marrë i kanë çu në polici. Ish sistemi ma ndryshe, se ishin ma pak herën e dytë.

Anita Susuri: Ka qenë edhe ni drejtor i dhunshëm atëherë?

Nexhmi Zeqiri: Po, po, e di. Shala nëse s’gaboj. Shala, po emrin ia kom harru. Ti paske njohuri se e ke hulumtu procesin (qeshë). E di drejtor i dhunshëm.

Anita Susuri: Jo, po m’duket deri n’vitin ‘90 ka funksionu…

Nexhmi Zeqiri: Qashtu osht’.

Anita Susuri: Po, po, më intereson se shumica na kanë tregu që pas ksaj grevës mo puna nuk ka vazhdu në normalitet.

Nexhmi Zeqiri: Jo, normalitet ma s’ka pasë. Këta puntortë të dhunshëm, puntorë kështu, drejtor servil. Ajo bërthama ma u shkapërderdh. Neve na ofrunë disa dokumentacione, “A e njihni shtetin serb?” Ne e informum edhe sindikatën tonë të pavarur, isha kryetar i saj. E kemi, në Bajgorë e kemi formue sindikatën. Ishin do mjekë ma të vjetër se unë, ju ofrova, “Jo ne s’po guxojmë, s’po mujmë”. Edhe në Bajgorë në një shtëpi të një infermieri e formumë Sindikatën e Pavarur të Entit të Mjekësisë të Punës Trepça. Ia dërgum drejtorit, edhe drejtori maqedon ka qenë i jonë, tha, “More, ma kështu se Serbia është e fortë”, thashë, “Në rregull ne nuk do të jem pjesë e sindikatës”.

Për fat të keq nja dy doktoresha shqiptare nuk u antarësuan në sindikatën tonë. E formuam sindikatën tonë e cila funksionoi, na largunë shumicën prej punës, disa mbetën në punë. Ishte detyrë që a e pranojmë ne Serbinë si, ishte në kontradiktë me vendin e punës. Mbetëm pa punë, vazhdumë aktivitetin tonë sindikal, politik edhe ka pasë njerëz shumë besnik që s’u përkulën. Të gjitha i kanë lonë për me vazhdu misionin e për m’u largu prej Serbie, kjo ka qenë ni periudhë…

Anita Susuri: Po më intereson tash vitet e ‘90-ta qysh ka vazhdu për juve? Pa punë…

Nexhmi Zeqiri: Po, shumë problematike. U organizum rreth sindikatës, unë isha edhe pjesë e Sindikatës të Pavarur të Shëndetësisë, në Kryesi të Kosovës, me të ndjerin doktor Bajram Rexhepin edhe me disa tjerë kolegë e formumë sindikatën në nivel të Kosovës, të pavarur të shëndetësisë. U mundojshim me organizu edhe me i ndihmu disa kolegë. Ne pastaj u organizum dhe hapëm një ambulancë që quhej ambulanca humanitare. Doktor Bajrami Rexhepi, ish kryeministri…

Anita Susuri: Në Mitrovicë apo?

Nexhmi Zeqiri: Në Mitrovicë, në Mitrovicë jetojshim. Ishim njerëzit që lishin, i largunë prej spitalit edhe prej qendrave tjera dhe formum ni spital që u qujke [Spitali] Humanitar-Popullor. E formum aty në Tavnik dikund, në Tavnik ni lagje në Mitrovicë. Aty punojshim 24 orë. E formumë edhe jepshim ndihmë. Punojke laboratori, të gjithë mjektë u angazhunë, ditë e natë 24 orë. Kemi bo punë të madhe në atë kohë. Plus përmes sindikatës i kemi ndihmu disa mjekë për familjet e tyre që s’kishin mundësi me…

Une punojsha aty në atë ambulancë, besa kom punu edhe në ni… isha specialist edhe punojsha, shitsha barna në ni barnatore për me mbajtë familjen. Kjo ka qenë ni periudhë pa punë me vështirësi. Ma vonë u hap edhe ambulanca “Nëna Terezë”. Aty kom qenë pjesë aktive edhe kam qenë drejtor i tri ambulancave: njo në Koshtovë, nji në Mitrovicë dhe nji në, dy në Mitrovicë në Bair. Tri ambulanca ku përmes shoqatës që ishte baza në Prishtinë, dega në Mitrovicë dhe jepshim shërbime shëndetësore. Kjo ka ndodhë n’vitin ‘93-’94-’95.

Kemi punu në mënyrë aktive në ambulanca të “Nënës Terezë”. Une edhe gruja ime u aktivizu. Ajo është mjeke edhe kolegë të tjerë. Të gjithë kemi punu në ambulancat e “Nënës Terezë” dhe në ambulancën popullore në Mitrovicë pa pagesë. Vetëm, po, ndihma merrshim makarona, pasul e disa gjësende tjera ushqimore që na ofroje shoqata e “Nënës Terezë”. Por rroga s’kena pasë.

Anita Susuri: E qysh keni mujtë me jetu në atë mënyrë?

Nexhmi Zeqiri: Po, në atë kohë shumë me vështirësi. Jeta osht’ gjithçfare, por me qito gjërat ushqimore që i merrshim prej “Nënës Terezë” kemi mbijetu. Unë thashë, kom punu edhe me ni barnatore, e kisha ni rrogë 300 marka nëse nuk gaboj. Te disa djem që kishin hapë ni barnatore me ato edhe me qito ndihma tjera kem jetue, kem punue. Fëmitë e vegjël i kom pasë, jetojshim në veri të Mitrovicës.

Besa unë edhe gruja kem punu edhe në shkollën e mesme të mjeksisë të Mitrovicës, që nëpër shpija i kem majtë mësimin. Jem pjesë aktive edhe e arsimit. Kemi punue shumë edhe në këtë. Domethonë, në ambulancën popullore në Mitrovicë, në ambulancën “Nëna Terezë” edhe në arsim. Këto kanë qenë tri gjërat që kemi punue gjatë kësaj kohe.

Anita Susuri: Qysh ka qenë me punu në shtëpitë shkolla?

Nexhmi Zeqiri: Shumë e randë. Kushte jo të mira. Vullnet i madh, por policia rrike te dritarja. Na nxirrke, “Çka po boni ktu?” Qe qishtu me qito farë problemesh jemi ballafaqu. Sa dush telashe.

Anita Susuri: A ka mujtë me qenë proces normal i mësimit?

Nexhmi Zeqiri: Deri diku po. Deri diku po. Nuk mund të them që kemi bo kumeditë sa, por procesin s’e kemi ndalë kurrë. Nëpër shtëpija kemi mbajtë mësimin, në shkolla. Po foli për shkollën e mjekësisë të Mitrovicës, aty ku kam punu. Kjo ka qenë.

Anita Susuri: Qysh kanë qenë vitet, ‘98-ën veç, qysh me thanë, prej vrasjes së Jasharajve veç kemi bo ni luftë…

Nexhmi Zeqiri: Qashtu.

Anita Susuri: U bo ni intensitet ma i madh i luftës. Qysh kanë qenë për juve?

Nexhmi Zeqiri: Vite të randa, shumë të randa. Ishte ni erë e luftës. Në vitin ‘98 filloi ai procesi, ndoshta, ‘97-ën s’më kujtohet bash mirë. Filluan këto njësitë guerile në krye me Zahir Pajazitin edhe shoktë e tij, nëpër stacionet policore të ndryshme të Kosovës, ma tepër që ata serbtë që kanë qenë policë ma të vrazhdë me shku edhe me i sulmue. Pra, Zahir Pajaziti me shokë. Dhe filloi m’u acaru situata, filloi puna m’u rreziku jeta.

Mirëpo, ne vazhdum aktivitetin tonë, vazhdum jetën tonë. Nuk kem dalë jashtë shtetit edhe pse kem mujtë, na u ka ofrue që ishim, po nuk e kem ni vetën shpirtnisht mirë me lshu Kosovën n’atë kohë edhe pse ka qenë kohë e randë. Unë edhe gruja kem mujtë dytë me shku jashtë me dy fëmitë. Komod na u kanë ofru mundësitë si mjekë që ishim të largum prej pune dhunshëm, por jo nejtëm në Kosovë. Fillunë proceset e kundërvënies të armatosur të njerëzve tanë edhe ne ishim pjesë aktive edhe e këtij procesi, me gjithë gruan.

Gjatë luftës meniherë fillunë problemet në vitin ‘98-‘99, lufta. Gjatë kësaj kohe ne ende ishim në Mitrovicë me dy fëmi banojshim, besa me qira se banesat nuk na i dhanë ma, mbetëm pa banesa. Dulëm me qira ni pjesë, në veriore, po në pjesën veriore. Aty zhvillojshim aktivitetin për çdo ditë me shokë, kishim takime, kishim… edhe filloi lufta e madhe. Në Drenicë ka fillu ma herët se çdokund edhe Mitrovica ia ka ni atë erën.

Ne u angazhumë me doktor Bajramin edhe me disa kolegë tjerë që të jemi pjesë aktive dhe filluam shkuarjen në Shalë, shkojshim me radhë, shkojshim me radhë. Ma tepër kirurgët edhe ortopedët e këta, por edhe ne si specialistë kemi shku në Shalë, në regjion me kujdestari. Gjatë luftës…

Anita Susuri: Keni shku me iu ofru ushtarëve…

Nexhmi Zeqiri: Po, po, ndihmë, po. Po edhe gjatë luftës kur filloi bombardimi i NATO-s, diku ka filluar me datë 24 mars. Ne atë kohë kemi qenë në veri të rrezikum sa të dush. Afër spitalit kem banu, në pjesën veriore kanë qenë edhe prindtë. Atë natë është vra Latif Berisha, shkrimtari i njohur dhe aktivisti i LDK-së, Agim Hajrizi me djalin e vet, që ka qenë shok me djalin tem ni klasë. Janë vra edhe disa tjerë me 24 mars natën kanë qenë bombardime, vrasje shqiptarëve.

Atë natë kemi nejtë në veri. I kom marrë edhe prindtë që kanë qenë në banese edhe kanë nejtë me neve në qat’ shpi ku kam qenë me qira. Të nesërmen kemi shku poshtë, i lamë ato çka ka me do valigje të vogla edhe u largum në pjesën jugore. Atje dikun kemi shku në Tavnik, osht’ ni lagje te do të afërm. Pastaj kemi shku në Zhegrovë te do të afërm, që baba i grusë i ka pasë të afërm, shokë. Edhe na kanë majtë nja ni javë aty.

Gjatë kësaj kohe u kanë ambulanca aty, doktor Bajrami që ka organizue me disa kolegë tjerë. Unë edhe gruja, gruja i vizitonte fëmitë, unë i asistojsha doktor Bajramit në ni ambulancë një pesë-gjashtë ditë. Ka ndodhë kjo ni javë me rreziqe, lëvizje herë prej ni shpie ni shpi. Kjo ka qenë gjatë kësaj periudhe. Dhe ne vendosëm, të rrezikum, çka me ba? S’kishim kah me ia majtë. Thjeshtë isha me dy fëmi, me prindtë, me vllaun.

Vazhduam me lëvizë diku kah, thotë doktor Bajrami, “Kah 2:00 ora të natës ma nuk jemi në këtë ambulancë, kqyr ti je me fëmi e me prindër e me grue bone zgjidhjen kah t’munësh, qysh t’munësh. Unë grujen s’e kom këtu, vajzën s’e kom këtu në Kosovë. E kam revolën, kam dy bomba, kam eksploziv n’dorë atyne nuk iu bi. E kom ma lehtë”, doktor Bajrami. Ka qenë ni njeri i madh, ni patriot i madh që pak ka shokë, pak ka shokë.

Ne u shkapërderdhëm, u përshëndetëm. Mora Agnesën shkum deri në stacion unë me pa a ka lëvizje për dikah, po kishe për Maqedoni autobus. Mora vendim bashkë me familjarë me ecë me ikë për me shku për Maqedoni. Gruja shkoi, nanën e ka pasë në veri ende. E luti, “Hajde bre, hajde!” Ajo ka vdekë pas luftës këtu në Prishtinë. “Jo”, tha, “i kom edhe do fëmi në Prishtinë, nuk muj m’i lanë as ata”. Të shkapërderdhun.

Dulëm në Maqedoni ni natë, dy edhe vazhdum për Gjermani. U vendosëm të merakosun, të mërzitun me familje me… pas dy-tri jave une, ma dhanë ni pashaportë me u kthye me e pa çka ka mundësi. Met gruja me fëmi edhe me familjartë e tjerë. Unë ma nuk u ktheva në Gjermani. Meniherë u kyçëm, ishin franqezët në veri të Mitrovicës, filloi me punue edhe shqiptartë në këto institucione, ne si mjekë. Dhe unë hyra me ni banesë të serbëve, s’kishim në veri ku me hy. Po foli në pjesën jugore, afër shtëpisë së shëndetit sot ku osht’ në Mitrovicë. Edhe i thashë gruas, “Merri fëmitë e hypi aeroplanit e eja”, edhe ajo mas tri jave erdh.

Fillum bashkë punën në Spitalin e Mitrovicës. Me autobusa shkojshim se s’kishe ndryshe qysh. Me ndihmën e këtyre të UNMIK-ut na çojshin, me siguri shumë të brishtë. Zoti na ka shpëtu pa na vra serbtë n’atë kohë, se ishim hala kujtojshim që e kemi marrë krejt Kosovën. Edhe vazhdum me punue, erdh koha me protesta me probleme të serbëve, u mshel Spitali i Mitrovicës. Dhe mas nja katër-pesë dite vendosa me ardhë në Prishtinë me vazhdu punën edhe jetën.

Nja dy vjet kam udhëtue prapë prej Mitrovicës për Prishtinë dhe pas saj kohe u vendosa me familje në Prishtinë, ku edhe sot vazhdoj jetën dhe punën në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës bashkë me gruan e cila osht’ profesoreshë e doktoreshë e fiziatrisë, fizioterapisë. Me dy fëmi.

Anita Susuri: Po m’intereson edhe diçka me luftën…

Nexhmi Zeqiri: Urdhno.

Anita Susuri: Do kolona që kanë qenë në Mitrovicë që i kanë detyru njerëzit me dalë prej shpijave të veta…

Nexhmi Zeqiri: Po.

Anita Susuri: Juve nuk ju ka ndodhë kjo?

Nexhmi Zeqiri: Une kom dalë herët prej vendit ku kam qenë, se kam qenë non stop i rrethumë prej serbëve aty. Si kolonë jo, unë kom dalë menjëherë prej shpisë, domethonë me 25 mars, 26. Kam shku në pjesën jugore iu kam bashkangjitë doktor Bajramit edhe mjekimit të sëmurëve.

Anita Susuri: E ky rrugëtim deri në Maqedoni qysh ka qenë? Qysh ka qenë rruga?

Nexhmi Zeqiri: Rrugë mos e përjetoftë njeri. Po foli nga frika, s’na ka ndodhë asgja. Mirëpo, na nalshin policia edhe ata paramilitartë u frikojsha për vajzën e vogël e kishte njerzë tjerë, plot ka qenë autobusi. Edhe ni situatë jo e këndshme. Kisha edhe vllaun me gruan e me fëmi, po vajzën e kisha pak ma të zhvilluar, u frikësojshim se t’merrshin të nxjerrshin prej autobusit edhe ma si pajshin familjartë. Deri në Shkup, po mendoj deri në Han të Elezit me njiqind peripeti, njiqind peripeti. Për fat të mirë shpëtum ma të keqës, për fat të mirë.

Anita Susuri: Po kur jeni kthy prej Gjermanisë, qysh e keni gjetë vendin? Në çfarë gjendje?

Nexhmi Zeqiri: Ni gjendje, po e thom, era shkrum i vinte në atë zhargonin popullor me përmend, aromë e djegies, aromë e pluhurit, shumë sene të rrënume. Me 5 korrik [1999] po m’duket kom ardhë këtu në Prishtinë edhe jam kthy në Mitrovicë te motra me e pa qaty në pjesën jugore. Ni natë kom flejtë te halla në Prishtinë, të nesërmen te motra edhe pastaj e kom vizitu edhe vjehrrën në veri. Ajo e ndjera aty ka qëndru shumë stoike, s’ka dashtë me lshu shpinë kurrë. Aty ka nejtë gjatë gjithë luftës, në veri në mesin e serbëve. Por fati e ka shpëtue, fati e ka shpëtu.

Anita Susuri: Ju thatë që sot jetoni në Prishtinë edhe po e vazhdoni këtu punën…

Nexhmi Zeqiri: Po.

Anita Susuri: Keni edhe fëmitë e juj…

Nexhmi Zeqiri: Ashtu osht’.

Anita Susuri: Qysh po ju kalon tash jeta?

Nexhmi Zeqiri: Po ni jetë deri diku e knaqshme për arsye se klasa politike në Kosovë nuk osht’ t’u punu marë e mirë qysh duhet. Janë t’u e shiqu interesin personal e interesin e partive të veta. Nuk i kem menu kështu këtë gjendje. Unë jom kthy shumë me vullnet prej Gjermanisë me ni makinë Golf 2-sh. Jam nisë prej Gjermanisë përmes Italisë me ardhë shumë i lumtur këtu. Ka qenë kolonë e madhe e njerëzve. Kam bo 10-15 orë 20 deri jom ardhë në Prishtinë prej Durrësit, dhe në këtë gjendje s’e ke menu, unë s’e kam menu, as shumica e njerëzve. Vet fjalori i njerëzve që janë në parlament është nën çdo nivel.

Ni minator sot iu jep leksion këtyne njerëzve. Po ta them me sinqeritetin ma të madh. Osht’ e turpshme, e dhimbshme me u marrë me vetë vetën Parlamenti i Kosovës, e për inati të njani tjetit mos me ecë ligjet e mos m’i miratu ligjet çka janë të Kosovës. Kjo osht’. Partitë politike sikur janë formu me i rregullu puntë e veta, puntë e veta. Saqë sot po e shihni ekzodin e të rinjëve kosovar që osht’ për me qajtë që lëvizin çdo ditë për kah Europa me mundësi të lloj-llojshme vetëm të hiqem prej Kosovës. Pa rend, pa rregull, pa ligj, pa punësim meritor, jo përmes njerëzve, klaneve. Ky osht’ problemi që ka me na kushtu ni ditë shtrejtë, po qishtu qenka jeta.

Anita Susuri: Zotni Nexhmi, nëse doni edhe diçka me shtu për fund.

Nexhmi Zeqiri: Unë nuk kom çka shtoj veç ishalla këndellet klasa politike e punon për shtet e jo për pushtet. Me pushtu popullin e vet është shumë lehtë, për çdo pushtet. Por për shtet me e ngritë nivelin e cilësinë e me çu amanetin e atyre që kanë dhanë jetën, duhet me punu pak ma ndryshe. Ishalla këndellet kjo klasë politike edhe krejt ata që nesër merren me politikë.

Anita Susuri: Faleminderit shumë për kohën.

Nexhmi Zeqiri: Faleminderit juve m’kthytë me ni kohë shumë interesante, ju falënderoj nga zemra.


1Janko Oboçki (Dibër, 20 tetor 1935) – ish-kirurg maqedonas, neurokirurg, kryeministër dhe ministër i shëndetësisë i RSFJ-së dhe SR Maqedonisë.

Download PDF