Igballe Novosella Mehmeti

Prishtina | Date: 13 janar, 2022 | Duration: 120 minuta

Ish koha e verës e zakonisht shkojshin në deti. Neve s’e kishim hallin e detit, e kishim problemin e vllaznive. Cili o në burg, cilit duhet me i bo paketë, ku osht’… Kisha marrë dy çanta të mdhaja. Më doket në atë kohë ish edhe Selatini edhe Sabriu, te dytë në burg. Me dy çanta të mdhaja edhe unë drejt. E takohum në qytet, në shesh [me nji shoqe], thotë, ‘Ku po shkon?’ Burgu ka qenë ku osht’ edhe sot. Na prej Dodonës e zakonisht shkojshum… Kena pasë të drejtë dy herë në javë, fillimisht dy herë në javë, pastaj jena bo ni herë në javë, të hanën edhe të ejten, me i çu veç teshat. Kurse çdo dy javë kur e kishim vizitën, jau çojshim edhe ushqimin.

Unë me dy çanta në dorë, po shkoj, thotë, ‘O Igballe, çka bone?’ Thashë, ‘Qe valla, ti?’ ‘Po shkon në pushim a?’ Thashë, ‘Po’. ‘Paske m’u kënaqë’. Thashë, ‘Po, po, u knaqsh edhe ti si unë’, a po din. Ajo s’e kuptoi mirë. Unë shkojsha në burg me çu paketa. […] Përndryshe, e kishin problemin te familjarët, fëmija e vegjël, nuset pa burra. Domethonë, nuk ish problemi jonë atëhere me shku në deti a diçka.


Anita Susuri (INTERVISTUESJA), Renea Begoli (Kamera)

Igballe Novosella Mehmeti u lind në vitin 1951, në Vushtrri. Ajo diplomoi nga Fakulteti Juridik në Universitetin e Prishtinës. Në vitin 1971, ajo u punësua në Sipërmarrjen e Rrugëve Magjistrale dhe Regjionale të Kosovës, ku punoi deri në vitin 1989. Pas luftës është rikthyer në punë dhe përfundimisht e braktisi në vitin 2002. Për një kohë, znj. Novosella Mehmeti, punoi edhe si shefe e shitjes në kompaninë e ndërtimit “Dardania”. Ajo është tani e pensionuar dhe jeton me familjen në Prishtinë. 

Igballe Novosella Mehmeti

Pjesa e Parë

Anita Susuri: Zonja Igballe, nëse mundeni me u prezantu, datën e lindjes, vendin, diçka për familjen, prejardhjen e juj…

Igballe Novosella Mehmeti: Unë jam Igballe Novosella Mehmeti. Rrjedh prej ni familje patriotike, ku gjithë jetën familja ime edhe unë kemi qenë të përcjellun. Burgosje, maltretime… unë gati u rrita para dyrve të burgjeve. Familja ime… edhe jo rastësisht, se edhe gjatë Luftës së Dytë Botërore, okupatori në atë kohë kishte burgosë… kishte marrë s’paku njëzetë e shtatë anëtarë të familjeve tona, të fshatit tonë, në mesin e tyne axha im edhe djali i axhës. Kështu që, unë u linda në Vushtrri, nga nëna Naile, nëna Naile Shala.

Baba im ishte Ismajl… Novosella. Veç baba im e kishte mbiemrin Novosella se kishte dalë prej fshatit Novosellë edhe e kishte mbajtë mbiemrin Novosella. Prindtë e mi prej fshatit Novosellë u shpërngulën në Vushtrri. Aty prindtë e mi e kanë pasë djalin e madh të lindur në Vush… në Maxhunaj, Novosellë, kurse në Vushtrri lindi nana ime edhe katër djemë tjerë edhe mu mas katër djemve… edhe ni djalë tjetër. Kështu që, edhe emrin ma kanë qitë Igball, nji motër mas pesë vllaznive. 1953-tën prindtë e mi u shpërngulën në Prishtinë. Në Prishtinë nana jem lindi edhe dy vajza të tjera. Kështu që, u rrita në Prishtinë, prej vitit 1953. Shkollën fill…

Anita Susuri: Para se me vazhdu veç deshta me t’pytë për… masi ke kalu në këtë pjesën e Luftës të Dytë Botërore që e përmendët. A dini diçka ma shumë për atë histori?

Igballe Novosella Mehmeti: Për atë histori osht’ shumë e pazbulume. Asniherë, fatkeqësisht, kurrë nuk u ditë me ata djemtë çka u bo, kurrë nuk u gjetën varrezat e tyne, përveç emrat e tyne qe ja u kanë trashëgu fëmive tjerë. Në atë kohë si duket kta ju kanë marrë drithin… kanë hi nëpër fshatra ju kanë marrë drithin edhe ju kanë ngarku me kerre, me kerre me kije edhe ju kanë marrë djemtë me veti, “Këta le te shprazin drithin edhe kanë me ja u… kem me ja u kthy fëminë”. Edhe ma s’u kthynë asnihere, n’atë kohë… nuk u ditë kurgjo për ta, nuk u ditë ku u bo, çka ndodhi a çka s’ndodhi.

Anita Susuri: I kanë marrë gjermanët apo serbët?

Igballe Novosella Mehmeti: Ja serbët, çfarë gjermanë. Gjermanët ishin shpëtimtarë për ne në atë kohë… serbët i murrën.

Anita Susuri: E pse baba juj osht’ largu prej Novosellës?

Igballe Novosella Mehmeti: Drejt me të thanë baba jem… nana i kish pasë vdekë shumë e re edhe osht’ rritë me njerkën e si duket masi u martu i ka lindë ni djalë edhe… ia ka marrë menja që muj me jetu në qyetet. “Shehër” i ka thanë Vushtrrisë (qesh). E ka marrë nanën tem nuse e re me gjithë djalin, “Nanë-mujsh,” thotë nana jem “e kom pasë Qazimin”. Edhe kanë shku në Vushtrri.

Anita Susuri: Ishit tu tregu për fëmijërinë në Prishtinë, për shkollën fillore…

Igballe Novosella Mehmeti: Shkollën fillore e kam kry… fillimisht kemi shku në shkollën “Vuk Karaxhiq”, “Elena Gjika” sot. Ndërkohë u ndërtu shkolla e re “Branisllav Nushiq”, shkolla “Gjergj Fishta”. Besoni neve na bartën gjysën e nxansëve që ishim afër asaj pjese, kështu që shkollën fillore e kreva në shkollën “Branisllav Nushiq” atëhere, në “Gjergj Fishtë”. U regjistrova në shkollë… {kollitet} më falni. Hala isha në shkollë fillore, në 68… në ‘64-tën u burgos vllau dhe atëhere filloi tmerri për familjen tonë. Vllau e kish nusen, Sabriu, me gjithë djalin gjashtë-mujsh Lirin… u burgos. [Ai ishte] në organizatën bashkë me Adem Demaçin. E la djalin e vogël me nusen e re, u dënu nanë vjet.

Kurse vllau Selatini të njejtin vit… ai u dënu se kishte qepë 90 flamuj se kur dulë para gjyqit… u dënu se ishte rrobaqepës me profesion. Selatini si Normalist u burgos, e majtën nja dy mujë ditë edhe e largunë prej shkollës. Ndërkohë Selatini e kreu Shkollën Normale. U regjistru në Fakultet Filozofik, u feju edhe… u bonë demonstratat e ‘68-ës. E për fëmijëni time unë s’di çka me thanë. Tan’ kohën kanë qenë burgosjet, me i bo gati paketat, me ju çu te burgu, me i pa vllazninë… qajo ishte fëminija ime.

Për këto punë, nuse të reja nëpër shpi, fëmija pa prindë… ishte nana që kujdesej ma s’shumti, baba im ishte bujk me profesion. Ndërkohë u rrit vllau ma i vogël Bedriu. Ai kryesisht është marrë me të gjithë, që e falënderoj edhe publikisht. Ai u murrë me shkollimin e neve, me mirëmbajtjen, me rritjen e fëmive që metshin të vllaznive, herë të njanit, herë të njanit, me çu nëpër burgje, m’ju çu paketat. Se Selatini u dënu nanë vjet, e la nusen e re, nusja pesë vjet e priti. Ai nejti n’burg pesë vjet. Na e pregatitëm nusen, e bonëm gati darsmën. Selatini dul prej burgut sikur të enjten e na e murrëm nusen të dillen. Edhe ish gëzim i madh.

Qato për neve, për familjen tonë, diqysh sikur prej ‘73-tës, se Selatini u lshu prej burgut ‘73-tën edhe Sabria ish n’burg. Ish nifarë jete si me thanë pak ishim që të gjithë së bashku. Në qat’ kohë, pak masanej u martu edhe Bedria, u martova edhe unë ‘75-tën. Selatini ish dalë prej burgut, kry ni vjeti e lindi Valonin. Valoni lindi më 28 nëntor edhe masanej tregon vllau sa torturat, “Kush valon edhe pse me 28 nëntor?” “Po 28 nëntor djali ka lindë n’spital, unë s’e kom regjistru”. Mas ni vjeti lindi Donika. Edhe më 15 shtator burgoset prapë Selatini, në organizatën e Adem Demaçit. Mbeti nusja e re, me dy fëmijë tash. Prapë tmerr mas tmerrit, tanë kohën vujtje. S’kemi pritë festë, me mërzi të mdhaja çdo Bajram. Nana ishte ajo që thojke, “Ishalla edhe qeky vjet, ishalla edhe qikjo… qiky Vit i Ri e bashkohëm të gjithë”.

Masi u martova mu m’lindi djali mas dy vjetësh. Sabriu prapë u burgos për darsmën e Gjakovës. U burgos, u dënu dy vjet. Prapë metën nusja e tij me fëmijë të vegjël. Kështu që, tmerret, burgosjet nuk… s’kishin të ndalur në familjen tonë. Në vitin… mu m’lindën… linda Kushtrimin të parin, Jasharin që e pagzumë me emrin e gjyshit, se kish… i kish vdekë burrit tem baba e ia pagzumë edhe në fund lindëm të tri… gjithë shoqet në vitin ‘82. Mas demonstratave ‘81-tën, grave shqiptare na qujtën si maqina që s’dinë kurgjo tjetër veç dinë me prodhu fëmijë. Edhe të gjitha të inatosura thojmë, “A din çka, kena me e nisë edhe ka ni fëmi të tona” (qesh).

Isha shku me u konsultu me Mekulkën, ish ni mjeke e mirë, gjinekologe në ato…

Anita Susuri: Sadete Mekuli…

Igballe Novosella Mehmeti: Po, Sadete Mekuli. Edhe thotë, “Sa fëmijë i ki?” Thashë, “I kom dy djem, po po du me e bo edhe njo”. M’kapi për qafe, “Neve qasi grash na duhen” (qesh). Edhe osht’ për çudi, të gjitha shoqet, nja pesë a gjashtë, kemi lindë djem n’atë kohë (buzëqesh). Ishte ‘81-ta, u bonë demonstratat e ‘81-tës masanej. Prapë burgosje, prapë maltretime në familje.

[Këtu ndërprehet intervista]

Anita Susuri: ‘79-tën keni mbetë.

Igballe Novosella Mehmeti: Në ‘79-tën, vllau Sabriu e kish nusen e re, tashti me pesë fëmijë. Kish dëgju qe po i rrezikohet me u burgosë. Thotë atë natë, ni mjek i njoftun, thotë ish kthy prej ndrrimit të natës, se vllau ishte rrobaqepës në atë kohë, thotë… Ramadan Xhema bile është ai mjeku, thotë “Më ka thanë Sabriu pramë i kom pasë dy UDB-ashë në spital edhe më kanë thanë që nesër na pret ni punë e madhe se kena me shku me burgosë te Novoselltë. Atëhere, vllau kish vendosë mos me u dorëzu. Thotë, “Unë tash nuk jom n’gjendje me i përballu torturat e burgut. E kom pergatitë xehrin në xhep të pantollave edhe nëse bi në dorë, unë kom me e mytë veten”.

[Këtu ndërprehet intervista]

Anita Susuri: Zonja Igballe ju thatë që si fëmijë ju ka ra shumë shpesh me shku te vllaznit nëpër burgje me i vizitu, me ju dërgu ushqim. Qysh ka qenë qajo periudhë, qysh i keni përgatitë ato, qysh keni shku deri atje, qysh jeni ndje ju si fëmijë?

Igballe Novosella Mehmeti: Qysh po… qysh ndjehet njeri fëmijë kur shkon me e vizitu vllaun në burg? Fillimisht vizitat… faktikisht veç rrobat ju çojshim dy herë në javë, të hanën edhe të enjten. Shpesh herë ka ndodhë ato teshat e palame kur i kena marrë prej burgut me qenë plot njolla gjaku prej torturave të burgut. Vizitat ishin një herë në dy javët. U munojshim me u koordinu, kush me shku kësaj radhe, e kush me shku kësaj radhe. Shpesh herë më kujtohet ato grilat e burgut, si tel, të shpeshtë (përlotet) Nana ia lypke, “Qite veç gishtin pak ta preku” {prekë gishtin e saj}, a pe din, se s’kish mundësi m’u kapë për dore as me folë kështu. Me vite të tana, herë te njani, herë te tjetri, ka ndodhë dytë për të njejten kohë [me qenë në burg]. Shpesh herë me ato çanta në shpi përgatitshim e ndodhke mas mundit që i kishim bo gati, i kishim përgatitë, t’i matke me kilogram, qikaq, nuk m’kujtohet saktësisht. Gjysën e gjonave na i gjujke, “Keni pru ma tepër se që osht’ e parapame”.

Anita Susuri: Në cilin burg kanë qenë?

Igballe Novosella Mehmeti: (Psherëtin) Në cilin? E në cilin jo (qesh). Në burg të Prishtinës kryesisht, kur jonë burgosë i kanë çu drejt në burg të Prishtinës. Masanej, ni kohë të gjatë ka nejtë, Selatini në Burgun e Prizrenit. Selatini ka majtë shumë vite në Burg të Pozharevcit. Kanë qenë të vështira ato nëpër burgjet e Pozharevcit. Më kujtohet si sot ish ftoft, atje bojnë dimnat shume të mdhaj. U dashke me shku Prishtinë – Fushë-Kosovë, në Fushë-Kosovë me hypë në tren. Prej Fushë-Kosovës me shku në autobus të Beogradit, me u nalë rrugës, me shku në Pozharevc. Prej Pozharevcit, Zabellë ka qenë vendi ku është burgu, se ne me… prej Pozharevcit kemi shku Zabellë niherë, ftoft i madh. Na rastisi me shku bashkë me motrën e Adem Demaçit, me Ajshen. A po mërdhihem s’ftofti, a po mërdhihem, ai pajtoni qysh frynë anash, domethonë ish…

Anita Susuri: Me pajton keni shku?

Igballe Novosella Mehmeti: Prej Pozharevcit deri në Zabellë. Pozharevci edhe Zabella nashta osht’ sa prej Prishtinë në Fushë-Kosovë, ish shumë ftoft i madh, nuk qarkullonte… Kurse prej Prishtinës në Fushë-Kosovë me tre… me autobus Prishtinë – Fushë-Kosovë. Prej autobu… hypshim ni autobus të Beogradit e nalshim për Pozharevc rrugës. E prej Pozharevcit, masanej aty pritshim me shku me diçka, me shku…

Anita Susuri: Deri te burgu.

Igballe Novosella Mehmeti: Po, deri te burgu. Në Zabellë u konë burgu.

Anita Susuri: E me kon keni shku zakonisht?

Igballe Novosella Mehmeti: Po me radhë kena shku. Kur jom shku unë, unë jom shku me nanën, najherë o shku baba. Najherë… ma vonë masanej kur e kemi ble kerrin, e ka ble vllau Bedriu, atëhere i ka çu fëminë e nuses, e nusen e me fëmijë, i ka çu me kerr. Se fillimisht s’kemi pasë kerr, masanej i ka bajtë vllau, i ka çu me… Ni kohë masanej, burgosjen e dytë Selatini e ka majtë disa… në Mitrovicë. Qaq kanë qenë të poshtër ata të Mitrovicës, m’kujtohet si sot, kryesisht shqiptarë. Më kujtohet si sot Valoni ish i vogël edhe kur shkumë, shkumë unë, nana edhe Elifja, nusja, me djalin në gryk. Kur shkumë te dera… unë s’kisha me hi asaj radhe, kish nusja me nanën. Te dera, thotë, “Është e ndalume vizita për fëmijë”. Nuk na e lanë djalin. Aq kajti djali e s’ju qkoqke nanës të vet. Kështu që, m’u dasht, unë hina në vizitë. Nusja me gjithë djalë metën n’kerr, nuk i lejunë me hi. Osht’ e ndalume vizita për fëmijë edhe nuk na lejunë me hi bashkë me fëmijë.

Anita Susuri: Vllaznit e juj, tregutë për flamujt që i kanë qepë, po çka kanë qenë aktivitet… aktivitetet që i kanë bo?

Igballe Novosella Mehmeti: Adem Demaçin e kena pasë kojshi, veç nja tre-katër shpi nërmjet (buzëqesh). Edhe këta krejt u rritën bashkë, rinia me to. Ai formoi organizata. Edhe i lypë kush don met vetëdëshirë, vllau organizohet edhe shkrujnë parolla, majnë mbledhje edhe organizojnë tubime. Edhe mirret vendimi me u qepë flamuj që për një ditë të caktume me i shpërnda nëpër krejt Kosovën. Vllau jem n’atë kohë ishte rrobaqepës edhe ai kishte kepë 90 flamuj, ku për të njejtën ditë, masanej rinia, nxansat e shkollave qysh ishin organizu, i kishin shpërnda nëpër krejt Kosovën.

Anita Susuri: Përmendët që keni qenë këtu në Prishtinë afër keni jetu me zotëri Demaçin. Qysh ka qenë krejt qajo lagje, thatë që keni jetu te [Hotel] Bozhuri dikun…

Igballe Novosella Mehmeti: Ah, jo unë kur jom martu te Bozhuri.

Anita Susuri: E kur keni qenë fmijë, ku keni jetu?

Igballe Novosella Mehmeti: Kemi jetu… tash është rruga “Afrim Loxha”. Bile po më vjen shumë mirë se Afrim Loxha shok i ngushtë i vllaut ka qenë. Ka qenë rruga e Rijekës afër Teatrit Dodona, përballë edhe qaty tashi është njani vlla. Tjertë kanë dalë, qaty unë jom ardhë si fëmijë edhe qaty jom rritë, qat’ lagje. Edhe Ademin e kena pasë kojshi. Baba jem ishte bujk n’atë kohë, merreshte me punë të bujqësisë. E maj men si sot sa herë kom çu unë kofe me… me kepë, kofe me patate me… me ju shpërnda se kanë qenë kushte tjera n’atë kohë e posaçërisht inxhja Nazë, nana e Adem Demaçit me nusen e re, me Xhemajlinë, që ish metë me fëmijë e me kushte të vështira tani ju… ju çojshim se i kishim do prodhime bujqësore që i kishim na të shpisë tonë.

Anita Susuri: Qysh ka qenë krejt jeta, po menoj edhe shoqërore në atë kohë edhe qysh keni kalu ju? Për shembull, nuk po flas tash për aktivitetet që jonë bo, po karshi asaj, çfarë jete u zhvillu në familjen e juj?

Igballe Novosella Mehmeti: Drejt me të thanë në familjen tonë osht’ zhvillu jetë normale… osht’ zhvillu jetë normale. Baba ka qenë bujk, masanej na jemi shku në shkollë, vllau i vogël hini në punë. Ekonomikisht gjithmonë kena qëndru mirë. Asniherë nana jem nuk lejoj qe shpia jonë të shndërrohet në vaj… tanë kohën, po nana ishte ajo që na majke, “Mirë jena, ka m’u bo”. Ajo e ka pasë atë mburrjen që e ka ni, “Unë që i kom djemtë nëpër burgje”, neve qajo mburrje na ka majtë. A beson asniherë në shpi tonë s’osht’ kajtë, s’osht’ vajtue, s’osht’… si thmitë pa baba, kemi qenë ma krenarë nashta se krejt fëmija e lagjes. Edhe pse shumë ka pasë prej tyne që s’na kanë folë a po din, “Po naj prishni Vllaznim-Bashkimin”. Mirëpo, na kemi qëndru e kemi pasë atë bindjen tonë.

Më kujtohet si sot na meti nusja e fejume e Selatinit edhe nana na shtijke me e knu nusen se kena me e marrë. Edhe… edhe naj msojke kangët. Nusja e ka emrin Elife, “Oj Elife he syret, p’e pret burrin qe pesë vjet. Qe pesë vjet që po rri robni, për me e bo Kosovën Shqipni”. A beson kur e kom kalu kufinin për herë të parë me shku në Shqipni, kom thanë me za t’madh, “Oh nana jem, Kosova u ba Shqipni. Ti nuk je me e pa, por na po shkojmë të lirë në Shqipni edhe po kthehem”. Domethanë, shpia jonë dhe familja jonë kanë qëndru…

Edhe ni tjetër harrova, çdo burgosje kur osht’ bo, nana jeme ia ka lshu zanin… kena pasë ato kasetat e rrumullakta. Ajo ka pasë qef me dëgju muzikë folkloristike, patriotike. Edhe kur e pajke që po mushet plot shpia me policë, ajo ia lshojke zonin e radios. Po krejt këta fëmijë të vegjël që i kemi rritë na, nuk ka asnjo që nuk osht’ rritë pa u zgidhë {bën sikur zgjidh diçka me duar}. Edhe teshat e tyne, edhe pelenat e tyne me i kontrollu, se mos kanë mshefë naj material armiqësor, mos kanë shkru diçka. Sa teshat, sa rrobat, sa dhomat e fjetjes, sa gjithçka osht’ gjujtë për toke. U kanë tmerr, ma keq se nëpër filma që i shohum dikun të tmerrshëm. Qashtu ka qenë, po përkundër qasaj, apet na jemi majtë shumë të fortë, shumë të…

Anita Susuri: Që i përmendët edhe që i keni pasë me fqinjë edhe me njerëz tjerë që ju kanë akuzu që po e prishni Vllaznim-Bashkimin…

Igballe Novosella Mehmeti: Po.

Anita Susuri: Deshta me ju pytë pak ma shume lidhur me qato. A kanë qenë fqinjët të afërt që kanë folë ato a…

Igballe Novosella Mehmeti: Po drejt me thanë edhe të afërt ka pasë edhe të largtë edhe ka pasë dikush që veç deri te dera më ka çu me kerr, s’kanë guxoftë m’u afru ngat derës, prej tutës se këto gjana kanë qenë krejt me përgjegjësi të madhe, a pe din, me t’pa dikush që osht’ tu nejtë, me t’pa që osht’ dikush tu shku, sa herë osht’ përcjellë familja jeme e ngushtë e burri jem e… o përcjellë që o shku në punë, u përcjellë qe o kthy. Domethanë, ka qenë përcjellja shumë e madhe n’atë kohë, ka qenë rreziku i madh, për ni fjalë janë burgosë njerëzia. Kështu që, ka pasë njerëz që jonë tutë.

Anita Susuri: A ju kujtohet ‘68-ën, demonstratat? Sigurisht vllaznit’ e juj kanë qenë, po mu po m’duket edhe ju keni qenë e vogël po…

Igballe Novosella Mehmeti: E vogël po kam qenë pjesëmarrëse në atë kohë. E vogël, po kam qenë pjesëmarrëse. Ishte 28 Nëntori, kish ra një borë e hollë ashtu. Unë e disha që tanë kohën po organizohej napër shpia, te shpia jonë krejt ata shokë që ishin burgosë masanej kishin nejtë napër shpia tona, kishin hangër në shpi tonë, kishin pi… nana bojke gati. Edhe tmerr, u kthy vllau Sabriu, thotë, “Tmerri u ba në qytet. Të lutna shko lype ni revole te daja Hakif”. E kemi pasë ni dajë (qesh). Edhe unë si e vogël shkoj i thom, “Daja Hakif, më ka çu Sabria me e lypë… ni allti” a po din. “Ik,” thotë, “shko te shpia” (qesh). Më bërtet, “Ik shko në shpi çfarë alltie”. U bo nomi, u vra atëhere… fillunë edhe vrasjet. Murat Mehmeti u vra atë ditë. U bo tmerri. U mledhën edhe fillunë burgosjet. Në atë kohë u burgos Selatini, si organizator i demonstratave. U burgosën nanë vetë. Ky u burgos me… u dënu me nanë vjet burg.

Anita Susuri: A ka qenë ‘68-ta hera e parë kur osht’ burgosë?

Igballe Novosella Mehmeti: Jo ish edhe ‘64-ta. Selatini ish burgosë edhe si Normalist, po i moshës jomadhore edhe e majtën nja dy-tre mujë. Edhe e largunë prej shkollës qat’ vit, mirëpo ai masanej e kreu privatisht edhe diplomoi. Në ‘68-ën ishte student, e kish marrë pas… e kish marrë indeksin. Osht’ ni ndjenjë e mirë kur e merr indeksin për herë të parë. Edhe u feju. E fejunë familjarisht, se n’atë kohë fejoheshin… nusen as s’e njofti, as s’e ka njoftë Selatini. Nusja o njoftu me Selatinin në burg nëpërmjet letrave. I kemi pasë letrat e caktume ni herë në mujt e zakonisht më shtijke nana me ia shkru. Më diktojke fjalë për fjalë, se nana jem s’ka ditë me shkru… edhe në fund ia lejshim ni copë me ia shkru nusja Selatinit edhe le ta mbyllë ajo që mos ta lexojmë na pjesën (qesh)… mos t’e lexojmë na pjesën e letrës edhe ia çojmë Selatinit.

Anita Susuri: Domethonë në burg janë njoftu.

Igballe Novosella Mehmeti: Po, faktikisht po. Jemi… kemi pasë nifarë miqasije, se nusja e vllaut e ka pasë çikën e hallës, mirëpo s’kanë folë asniherë bashkë, me folë s’bashku. Prandaj nana thotë p’e marrim nusen meniherë, me qata mysafirë që vijnë me e pa Selatinin. Na e çumë, i kepëm tesha e… bomë gjithçka se mirë qëndrojshim ekonomikisht. Edhe dhomën e gjumit ja bonëm gati edhe të gjitha edhe e murrëm nusen meniherë të dillen.

Anita Susuri: Po qysh ka qenë edhe ndoshta keni bisedu, sigurisht keni bisedu me to… qysh ka qenë edhe për ato qysh jonë ndje për shembull?

Igballe Novosella Mehmeti: Ato jonë ni me ni mburrje shumë të madhe. A po din, qajo i ka majtë. Edhe nuset nëpër shpi edhe fëmija nëpër shpi edhe gjithçka. Shpia jonë s’ka qenë tmerr, s’ka qenë vaj, s’ka qenë vajtim. Kur t’del… o dalë prej burgut, o… e kanë rrethu 15 policë noshta. Po kur osht’ dalë Selatini, s’jemi kthy na tu kajtë e tu vajtu. Nana o kanë ajo trimneshë, o kanë burrneshë, na ka thonë, “E lshojnë nesër. Unë mburrna për çka po i kom djemtë nëpër burgje”. Kështu që, edhe nuset i ka majtë ajo krenaria e vet, se vështirë ka qenë me pritë e fejume pa e njoftë, pa e ditë ni djalë e me e pritë pesë vjet prej burgut… mirëpo, gjithmonë i ka majtë ajo krenaria.

Anita Susuri: E a po na tregoni tash si keni hy ju në Ilegale edhe në këto organizata.

Igballe Novosella Mehmeti: Drejt me të thonë edhe burri jem deri vonë s’e ka ditë (qesh). Isha… isha nuse e re. Kam qenë noshta vajza ma e madhe e familjes. Kam qenë tanë kohën e lidhun ngusht me vllazni. Edhe deri vonë s’e kom ditë as qe jom anëtare e atij grupi apo organizate. Ka qenë Metush Krasniqi, ishte kryetar i qasaj organizate. Ish Shefki… Shefqet Strovci, i Strovcit ka qenë… Shefqet Jashari edhe vllau jem Sabriu. Edhe ma bjen ni tubë material me e shtypë [me makinë]. “A din me shtypë?” “Po, mor”, se unë e kisha kry shkollën ekonomike edhe në shkollë ekonomike e kemi pasë si landë daktilografinë… edhe disha me shtypë.

Edhe m’pruni ni tubë material ni here, dy here. Edhe thotë, “O mirë mos me i kallxu Fadilit”. Thashë, “Jo mor, se s’e din Fadili as kurgjo hiç” (qesh). Ka ndodhë shpesh herë, djalin e vogël Kushtrimin e kisha, ma merrke ngryk e çojke te nana e unë jetsha tu shtypë material. Dhe ish problem, materiali që e kishim shkru në dorëshkrim qysh me e rudhë, qysh me e qky, mos të dihet kërkun. Shpesh herë i kemi qky me dorë, me copë edhe i kemi gju në WC, i kemi tërhjekë me ujë që mos të dihet asni…

Masanej kisha me raportu, kohë mbas kohe, çka ndodhi. Nuk e dita ma kur na u dashke me raportu, mirëpo i kisha numrat e caktumë. Edhe tash ku me e mshefë numrin e telefonit. Me shkru në bllok s’guxoj, me shkru… me i majtë përmendsh nuk i maj shumë emra. Edhe m’duket si metodë e mirë dera kur të hapet, kjo priza, pjesa e derës jashtë që metë, i kisha të shkrumë disa numra të telefonit edhe m’thojke vllau raportoji, “Qikjo ka ndodhë sot, u ngritën qekaq flamuj në Kosovë, sot do të mbahet qekjo mbledhje”. Edhe deri…

Anita Susuri: E ju për shembull nuk e keni ditë kujt p’i lajmëroni veç…

Igballe Novosella Mehmeti: Unë hiç s’e kom ditë se ato jonë kanë gjana që nuk duhet m’i ditë kurkush. Deri ditën e fundit, kur o dalë Sabria prej Kosovës, që faktikisht u nis prej shpisë teme me dalë. Më ka thanë vllau, “Lajmroju që Sabria e lshoi Kosovën edhe fshij ata numra të telefonit”. Edhe mo nuk kom ditë kurgjo çka ka ndodhë masanej. Kom lajmëru, thom, “Sabria e lshoi Kosovën sot”.

Anita Susuri: Po, para kësaj, domethënë para se me u martu, a ka pasë ndonjë aktivitet tjetër që e keni bo, a keni qenë gjithmonë aktive?

Igballe Novosella Mehmeti: Gjithmonë kam qenë aktive, drejt me të thanë, noshta edhe pa e ditë tamanile, mirëpo gjithmonë kom vepru çka më kanë thanë, “Shko qitu, e merr qato e bone qeto”, kam qenë aktive gjithmonë.

Anita Susuri: Si jeni martu, si jeni njoftu me bashkëshortin e juj?

Igballe Novosella Mehmeti: (Qesh) S’e di çka me të thanë, jom… (qesh). Dëshira e flaktë me shku në shkollë, dëshira me kontribu për atdheun, ato martesat tona s’kanë qenë dashuri si të qitashit. Sa e kreva shkollën e mesme, u punësova në sipërmarrjen e rrugëve “Put” atëhere ishte. Edhe mas njo ni vjete diçka, mas njo… mas njo tri vjetëve, vjen ni kolege edhe m’thotë, “U takova me Fadil…” Fadil e ka emrin burri jem (qesh). “Ky është ni shok i imi” edhe ai shkoi në shpi t’vet edhe unë u ktheva në zyre tem. Më thërret me telefon e thotë, “A kishim mujtë me u taku?” “Me kon?” (qesh). “I kahit?” Tha, “Une jom Fadil Mehmeti”. “I kahit je?” Tha, “Jom i Llapit”. “Auuu {onomatope} ju llapjonët si fara e hithit” a po din (qesh). Edhe “ta shofim”.

Masanej u takumë dy herë nashta, s’treti i thashë, “Unë jom qekjo. Nëse don me pasë punë ma shumë me mu, drejtohu te vllau jem, vllau jem e ka dyqanin qetu. Nëse ata pranojnë, unë s’kom kurgja kundër”. Kështu që, m’pëlqej si njeri (qesh), s’muj me, me… ke kysmet masanej më fejunë në shpi. Kom nejtë e fejume noshta disa mujë. Edhe e caktumë dasmën (qesh). Masanej u bomë shokë, ma shumë shokë se dashnorë me të thonë. Edhe mirë na ka shku tonë kohën. Burri jem…

Anita Susuri: Shokut t’juj i keni tregu ose e ka ditë ai paraprakisht për familjen…

Igballe Novosella Mehmeti: E ka ditë për familjen tem edhe krejt. Edhe shumëkush i ka thanë, “S’ka me guxoftë me të marrë”. Thashë, “Po punë e madhe, n’guxoftë le të m’merr, mos guxoftë…” (qesh). Edhe, “S’ka me guxoftë me t’marrë”. “Edhe shumë njerëz” thotë, “më kanë thanë, ‘Kam me ble ni zemelë1, me ardhë me t’pa me zemelë në burg, se ti po bohesh miq me Novosellët e kanë me të burgosë’” (qesh). A në fakt, në burg nuk e murrën valla, veç ka nga mas punëve të tyne tanë jetën masanej.

Anita Susuri: Po familja e tij edhe ai bashkëshorti juj, nuk ka qenë i involvumë ose…

Igballe Novosella Mehmeti: Jo, jo, jo jo, s’kanë qenë. Jo, s’kanë qenë. Por, drejt me të thanë s’kanë qenë kundër tyne, se s’kisha mujtë me jetu me ni njeri që osht’ kundër. I ka dashtë. Nacionalizmi, irredentizmin. Mirëpo, ka qenë asi njeri që e ka majtë veç drejtimin e vet. Ka qenë profesor i pedagogjisë. Masanej ka punu në Entin e Sigurimit Social. Kur jemi martu na, ka qenë gazetar, kanë pasë ata një gazetë dyjavëshe që e kanë botu. Ma vonë u zgjedh si kryeredaktor i qasaj gazetës. Deri në fund kur e largunë prej punës edhe ato. Në fund e largunë para të gjithëve, e kish shkru ni artikull për helmimet, kur u bonë helmiment në Kosovë. E kish gjetë ni artikull në Austri që kish shkru dikush, që osht’ e vërtetë që helmimet kanë qenë në Kosovë. Ia lexon drejtori edhe thotë, “Menihere tërhiqe”. Thotë, “Jo, unë s’muj me e terhjekë. Demanto ti, nëse nuk osht’ qashtu, ti demanto”. Mirëpo, prej të parëve e largunë prej punës.


1 Armë e vjetër.

Pjesa e Dytë

Anita Susuri: Deshta m’u kthy pak te shkollimi i mesëm, te shkolla e mesme, me na tregu pak diçka edhe për Prishtinën po edhe për jetën shoqërore, për shkollën, si keni kalu në atë kohë?

Igballe Novosella Mehmeti: Drejt me të thanë, mu m’doket që na ma shumë jemi kënaqë atëherë se të rinjtë e sotit që kënaqen (qesh). Na jemi kënaqë me pak gjona. Në Shkollë Ekonomike gjithmonë kam shku në kamë. Prej… shpinë e kom pasë te Teatri Dodona ku osht’ edhe tash edhe gjithmonë kom shku në kamë në Shkollë Ekonomike. Kemi qenë pesë vajza. 33 nxënës, tjerët djem, veç pesë vajza. Jom shoqnu ma shumë me djem se me, se me vajza (qesh). Kam mësu mirë. Zakonisht kush ka pasë me u pytë me notë, më thirrshin, “A po vjen qet’ orë, ulemi bashkë”.

Ka ndodhë kemi ikë krejt nxansat prej ni ore, “S’po na pëlqen”. E kemi pasë ni profesor, i kish katër landë edhe libra s’kishim. Kam qenë në drejtimin administrativ, u dashke me marrë shënime. Edhe niherë, niherë, edhe nervozohemi një ditë, “A ikëm?” Ikëm krejt. Edhe dolëm. Ka pasë ara, se Shkolla Ekonomike midis arave u kanë, s’ka pasë atëherë ndërtime po… E dhezim ni zjarr të madh edhe pjekim shtalba, u kënaqëm (qesh), u kënaqëm gjithë orën. Ka ktheheshim…

Anita Susuri: Në cilën pjesë?

Igballe Novosella Mehmeti: ‘70-ën, ‘69-ën, ‘70-ën… ‘71-tën e kom kry shkollën e mesme.

Anita Susuri: Po në cilën pjesë të Prishtinës ka qenë?

Igballe Novosella Mehmeti: Shkolla Ekonomike te Lakrishtja. Edhe tash po më doket osht’ ktu, te Lakrishtja. Kah u kthejshum prej shkollës të gjithë nxansat tu knu, tu ardhë nëpër qytet edhe deri ktu te “Tre Sheshirat” që jonë tash, dej qaty, n’atë anë kurgjo s’ka pasë. Krejt e pandërtume, ara. Kur vishim n’atë anë na u dokke si me ardhë te shpia, se ish ma… a din ma nxehtë se kish shpija. Vishëm tu knu krejt shokë e shoqe bashkë deri… Prishtina ishte ndryshe, nuk ish sikur sot. Kish ma pak ndërtime, ma pak hapësina… ma shumë hapësina të gjelbërimit.

Ish në trend atëherë korzoja, me dalë në korzë në mramje m’u veshë [bukur]. Edhe ni ditë po du me dalë, “Ku po shkon?” E kom pasë ni shoqe, thojsha, “Tash që jemi rritë bashkë edhe po plakemi bashkë” edhe prapë jena bashkë me të. Thotë vllau, “Ku po shkon?” Thashë, “Po dalë në korzë”. “Po çka lypë?” “Hajde bre bac,” se bac i thojmë atij vllaut. Thom, “Tash osht’ vaksuz”. Te na i thojmë vaksuz, a po e din, si paradarkë. Është ajo farë koha nashta prej orës shtatë deri në nanë maksimum… na në nanë u kthejshum në shpi. Thom, “Hajde bac me e pa, e kanë pastru rrugën, kanë çelë blinat”.

Ish koha e blinave, kanë qenë ata blinat e mirë, rreth korzës, ju vijke era e mirë. “Ju marrum erë, e shohum kush çka ka veshë, e shohum kush me kon po kalon (qesh). Edhe tash osht’ vaksuz, as nuk muj me msu, as nuk muj me punu punëdore,” se punojshim punëdorë, qinisshim, bojshim qejz, ajo, “Qysh ma ke hijeshu mu edhe une me dalë përditë me ty bashkë” (qesh). Ish, ishte kënaqësi me u taku me shokë me shoqe me…

Anita Susuri: Edhe më treguat për ni, kur ju ka pa ni shoqe me, me valixhe…

Igballe Novosella Mehmeti: (Qesh). Ish koha e verës e zakonisht shkojshin në deti. Neve s’e kishim hallin e detit, e kishim problemin e vllaznive. Cili o në burg, cilit duhet me i bo paketë, ku osht’… Ni ditë thirrin, e nxehtë. Kisha marrë dy çanta të mdhaja. Më doket në atë kohë ish edhe Selatini edhe Sabriu, te dytë në burg. Me dy çanta të mdhaja edhe unë drejt. E takohum në qytet, në shesh, thotë, “Ku po shkon?” Burgu ka qenë ku osht’ edhe sot. Na prej Dodonës e zakonisht shkojshum… Kena pasë të drejtë dy herë në javë, fillimisht dy herë në javë, pastaj jena bo ni herë në javë, të hanën edhe të ejten, me i çu veç teshat. Kurse çdo dy javë kur e kishim vizitën, jau çojshim edhe ushqimin.

Unë me dy çanta në dorë, po shkoj, thotë, “O Igballe, çka bone?” Thashë, “Qe valla, ti?” “Po shkon në pushim a?” Thashë, “Po”. “Paske m’u kënaqë”. Thashë, “Po, po, u knaqsh edhe ti si unë”, a po din. Ajo s’e kuptoi mirë. Unë shkojsha në burg me çu paketa. Thashë, “Po u kënaqsh edhe ti si unë”. Domethonë, për neve në atë kohë… edhe s’na pengojke pse s’kishim mundësi me shku në deti se s’ishin ato gjana për neve, na… shkojshim verës herë te axha, herë te dajtë. Përndryshe, e kishin problemin familjarët, fëmija e vegjël, nuset pa burra. Domethonë, nuk ish problemi jonë atëhere me shku në deti a diçka.

Anita Susuri: Ju kur keni shku… kur keni shku nëpër burgje kshtu vetë me i dërgu, a keni pasë naj frikë apo a keni mendu qe ka me ju ndodhë diçka e keqe juve?

Igballe Novosella Mehmeti: Drejt me thanë, s’më ka shku menja asniherë, a po di. Për mu s’ka qenë e rëndsishme qysh po i gjej, çka po nij. Ish e tmerrshme kur i merrshim teshat e palame të vllaut, të vllaznive, shpesh herë me njolla gjaku. Ish e tmerrshme, e dijshim që ato prej torturave të tyne jonë kanë. Kështu që, ne s’e kemi pasë frikën asniherë. Edhe sot, edhe atë ditë, unë nuk e di çka osht’ tuta, domethonë asniherë nuk di çka osht’ me thanë po frigohna. Nashta kushtet e jetës, nashta rrethanat, na kanë pjekë para kohe, na kanë trimnu. Edhe qeshtu.

Anita Susuri: Tregutë edhe që keni vizitu shpesh edhe kinemanë, Kino Rinia ka qenë atëherë.

Igballe Novosella Mehmeti: Po, ka qenë trend atëherë me shku me shoqe në Kino Rini, me shku ma herët, me e ble ni fitil fara edhe me shku në kinema. Ishim shku niherë bashkë me Fadilin (qesh), masi u fejova, shkojmë në kinema edhe… Për çudi (qesh), kur afrohem me e nxjerrë biletën, Fadili e kish harru kuletën me ni xhep tjetër. Dhe u ba ni hajgare e mirë aty. Kështu që e kemi frekuentu shpesh, s’ka pasë tjera zaten. Me dalë n’korzë, me hi n’ambëltore. Arabeska ka qenë ku osht’ tash Swiss Diamond.

E për herë të parë me hi dikun në restorant, jom hi me Fadilin. Edhe për çudi aty takohem me gjithë… me shoqen teme. Ata burrat tonë ishin njoftë mirë (qesh) e na s’e kemi ditë. Ajo kalonte me të, une dilsha për herë të parë me Fadilin. “A shkojmë?” “Shkojmë në Arabeskë”. S’e di, Arabeska ka qenë disi si kupe ashtu të ndara {demonstron një hark me duar} a p’e di si…? Dhe na të katërtit. Unë kom ditë shumë vica edhe kom bo shumë hajgare si e re.

Edhe ne dyjave na u tekë me keshë pse këta paskan qenë të njofshëm e na nuk e kemi ditë. Kesh e kesh. Edhe burri i asaj shoqës thotë, “Te neve” thotë, “shkon treni, por nalet najherë napër stacione,” a po din (qesh). Thashë, “Ja valla te na osht’ treni ekspres edhe kërkun… edhe napër asni stacion s’nalet (qesh). Kështu që, shëtitjet nëpër korza kanë qenë të rëndomta. Jemi bo bashkë me shoqe, kemi dalë najherë naj piknik. Kemi shku deri në Gërmi, kena shku në kamë. Më duket ma kanë qenë ato kënaqësitë, se neve atëherë jemi kënaqë me pak gjana. Edhe kur u bo ora nanë-dhetë, jemi kthy në shpi.

Anita Susuri: Çfarë filma zakonisht keni shiku? Çfarë filma ka pasë?

Igballe Novosella Mehmeti: Drejt me të thonë, ka pasë atëherë do, do filma indianë kanë ardhë. Për neve kanë qenë ma me rëndësi naj film patriotik diçka me pa. Nashta ish ngulitë në trunin tonë ajo farë edhe kemi pasë qef filma patriotikë, rallë najherë ka pasë. Edhe filma të dashnisë që kemi shku po… Në atë kohë edhe në teatër kena shku shumë. Kur ka ardhë naj shfaqje teatrale, posaçërisht nuset që i kena marrë, ju kemi kepë fustanë të gjatë se me fustan të gjatë o shku në teatër. Në teatër me fustan të gjatë, të zi, të rregullumë. Çdo pjesë teatrale që osht’ lujtë kemi shku edhe në teatër.

Anita Susuri: Në Kino Rini thatë që ka pasë edhe filma, nga Shqipëria…

Igballe Novosella Mehmeti: Ka pasë filma. Ka pasë filma nga Shqipëria. Pos najherë rralë kur ka ardhë naj film, ka qenë trend tash me i kallxu njana-tjetrës që ka ardhë ni film, kena me shku me e pa. Edhe ish kënaqësi e madhe për neve, diçka që përmendej Shqipëria, diçka që përmendej. Ndoshta pse ishim dhonë me mish e me shpirt për çlirimin e Kosovës, si nacionalista, irredentista. Na mbante qajo, që kemi me u bashku gjithmonë me Shqipni, që është Shqipnia nana jonë. Edhe pse kushtet atje s’kishin qenë fort të mira, po neve na ka majtë ajo…

Anita Susuri: A ju kujtohet kur keni dëgju për herë të parë film shqip, që po flet shqip?

Igballe Novosella Mehmeti: {Psherëtin}. Film shqip s’më kujtohet. Për herë të parë nuk më kujtohet kur kemi dëgju. Po ka pasë, në Kino Rini kena dëgju filma shqip, po s’më kujtohet i pari kur ka qenë. Mirëpo, në Kino Rini kena dëgju filma shqip.

Anita Susuri: A ka pasë edhe aktivitete tjera, për shembull kanë qenë do si ballo, si vallëzime që jonë majtë?

Igballe Novosella Mehmeti: Drejt me të thanë s’kom marrë pjesë në ato, s’kom marrë pjesë unë në ato. Ka pasë po qysh, ka pasë edhe ballo edhe gjëra, po për mu kah jom rritë ka qenë… kur jom bo studente mbasanej korzoja, se si e vogël në korzë nuk dilet. Mirëpo, kur jom bo studente kam qenë koxha e rregullt. Kah jemi kthy prej shkollës jemi nalë naj ambëltore, kemi bo hajgare. Kemi shku, po shkojmë ni vik… po shkojmë në Gërmi, jena mledhë me krejt shoqet e mahallës.

[Këtu ndërprehet intervista]

Anita Susuri: Tregutë për periudhën e rinisë, po menoj, të shkollës së mesme. Edhe per Kino Rininë folëm. Nëse doni edhe naj detaj me na tregu diçka që ju kujtohet tjetër prej qasaj periudhe.

Igballe Novosella Mehmeti: Po për nerë ka pasë shumë raste, kena pasë edhe raste të mira edhe pse i kom pasë vllaznitë napër burgje, na prapë jetën e kem vazhdu si jetë normale. Kam qenë shumë e shoqnume edhe me shokë edhe me shoqe edhe në shkollë edhe mas shkollës. Edhe me dalë në qytet edhe me shetitë edhe me shku në kinema me e pa naj film edhe m’u kthy në kamë prej shkollës se ishte ajo kënaqësia kah vijshim prej shkollës, tu u kthy krejt shokë e shoqe bashkë. Ndodhke naj rast kur kishum burgosje, ishin t’rana, ishin të mërzitshme, po tejkalohej, tejkalohej.

Në shpi punojshum punë dore, se atëherë çikat s’kem pasë telefona iphona (qesh) si tash. Kohën e lirë zakonisht e kemi kalu tu punu, tu qinisë, tu maru tentene. Edhe sot kam perden tetë metra që e kam maru me dorë. Edhe në zyre ka ndodhë njëqind herë kom punu e shtyje fijokën {shtyen me duar}, maro tentene {bën sikur po qëndis me duar}. Kur ka hi drejtori a dikush me më thirrë, e kom shty fijokën. Qashtu e kem kalu kohën. Kemi shetitë nëpër të afërm, me shku te halla, me shku te çika e hallës. Qashtu e ka kalu jetën rinia në atë kohë. S’ishin si, si sot. Qeshtu.

Anita Susuri: Ju pastaj e keni vazhdu edhe fakultetin, menjëherë apo…

Igballe Novosella Mehmeti: Po, meniherë e kom regjistru, po kom diplomu shumë vonë. Jom punësu meniherë. Kam qenë bursiste e Sipërmarrjes të Rrugëve. Atëherë jipeshin bursa edhe unë e fitova bursën për shkollë të mesme ekonomike. Mandej, sa diplomova, lypeshin praktikantë ju thojshin atëhere. Do të thotë m’pranunë si praktikante edhe m’pranunë në punë. Vitin e parë shkova, ish e pamundur me vazhdu. Kisha ligjëratat prej treve e na orarin e punës prej shtatve deri në tre.

Më kujtohet si sot pata problem me ni drejtor. Tha, “N’dash me shku në punë, n’dash me shku në fakultet, shko në fakultet”. Edhe udhëheqësat ishin ma ndryshe n’atë koë. Niherë ni rast, s’po du me e përmen drejtorin me emër, m’thotë, “Shko thirre…” ni kohë kom punu si sekretareshë e drejtorit. Tash po ju thojnë ndryshe, kërkush tash sekretareshë, asistente (qesh). Atëherë ju thojshin sekretareshë edhe më thotë, “Shko thirre ni daktilografe”. Shkova me kqyrë, ajo s’ish aty. Erdha edhe s’po i boj zo hiç.

Mas ni copë here thotë, “Hala s’ke shku? Shko thirre”. Tash s’kisha tjetër shteg, thashë “Nuk ish në zyre”. “Qysh nuk osht’ në zyre?” “Po drejtor nuk e di unë, s’ish në zyre”. “Hajde në zyre”, m’shtini mrena. “Ti maje ni evidencë, kush kur po shkon, kur kush po kthehet. {bën sikur po shkruan} Unë ty ta mundësoj me shku në fakultet”. Unë thashë, “Çka? Në sistematizimin e vendeve të punës tem nuk shkrun që unë me u bo shpiun. Unë i kom detyrat e caktume, unë nuk bohna shpiun i kërkujt”.

Ma boni me dorë, “Hajt, hajt, ta pafsha hajrin”. Kur m’ka thonë, t’jam kthy, “Ti me ma pa hajrin, unë jam gru e martume, ti s’ki, ti kurrë mu hajrin s’ki me ma pa.” Unë e disha me çfarë qëllimi ai e thojke për ashtu (qesh). Bërtet, “Hiçmani prej zyrës!” Se ma ndrrunë vendin e punës (qesh). Kam qenë fillimisht arrogante, ashtu diqysh me atë vetëbesimin tem edhe jom plakë qashtu, unë nuk di (qesh) {ngre supet}. Nashta si vajzë që jom rritë veç me vllazën edhe jom konë, nashta vetë natyra e krijon njeriun qashtu.

Anita Susuri: Qysh ka qenë për juve me e balancu krejt këto? Edhe aktivizmin edhe jetën familjare edhe shkollimin edhe punën?

Igballe Novosella Mehmeti: Po nuk e di nashta njeri kur fokusohesh që duhesh me i kry qeto punë. Edhe sot nëse merr ti, ia ka dhanë vetit qeto detyra, prandaj nuk të doket gjo e vështirë. Jom munu asni kohë mos me e lanë të lirë, me punu punëdore edhe me shku n’punë edhe me rritë fëmi edhe me maru shpi edhe… Masanej u ndanë do kredita në punën ku unë punojsha, na ndanë pllace me kredi. Une e qita ni kërkesë edhe ma ndanë ni pllac. Tash ish problemi qysh me e pagu. Ishim te dytë me rroga, po më ndihmoi vllau. Vllau i vogël Bedriu m’ndihmoi me kredia, derisa i murrem krediat edhe murrëm me kredi pllacin.

E kishim ni banesë të vogël te Bozhuri ku të tregova [i drejtohet intervistuesës]. Kunati im ishte inxhinieri i parë i Llapit, Refik Mehmeti. Erdh atë natë me nejt edhe deri vonë nejti me neve. Tha, “Përhajr që jeni hi”. Ni banesë ni-dhomëshe, 35 metra katrorë. E kisha djalin e lindun Kushtrimin edhe isha shtatzane me bark sa koshi. Thashë, “Jo, përhajr qetu mos na thuj hiç, na ishalla prej ktuhit e drejt n’shpi tonë”. “S’muni në shpi t’juve”. Deri n’gjysë të natës llogariti, sa osht’ pjesëmarrja, sa kamata, sa ju bjen, “Nuk keni mundësi”. Dikur tha, “S’keni çka me hangër”, a po din, “me hi me kredita”. Thashë, “Aga Refik, mos u lodh, mos u lodh, unë kom vendosë. Pllacin ma kanë nda mu, e marrum ni kredi. Unë krejt rrogën e Fadilit e shti në kredi, me rrogë teme jetojna”. Thashë, “Kom me jetu ma mirë se ti” (qesh). Ai i kish tre fëmi e gruja s’i punojke, thashë, “Unë kom me jetu ma mirë se ti”.

Kështu që, e fillumë me ndërtu shpinë, e kem qet’ shpi edhe sot që e kom, me borxhe, me kredia, me… Mirëpo, kur… krejt perdet e shpisë e krejt llusterat e asaj kohe unë i kom maru tu… punojsha me pare, marojsha tentene me pare edhe shkojsha në punë. Edhe ju gatujsha argatëve, njëqind herë, se atëhere ni tullë me e qitë në shpi u dashtë me iu gatu argatëve, s’ka pasë sikur tash. Ka ndodhë në gjysë të natës jau kom ba drekën, jau kom zi tenxheren me pasul, jau kom bo mëngjesin, jau kom gri sallatën e veç krypën s’ja qitsha. “E Fadil, merri krejt senet e krejt edhe jau çon argatëve”, në Dragodan prej atjehit, se në Dragodan i nisëm temelat e shpisë. Edhe u maru shpia derisa dulëm.

Anita Susuri: Do të thotë, juve gjithmonë ju kanë njekë kto burgosjet në familjen e babës, te vllaznit. Më thatë që në ‘75-tën u burgosë…

Igballe Novosella Mehmeti: Selatini u burgosë në ‘75-tën.

Anita Susuri: Edhe ni djalë i vllaut…

Igballe Novosella Mehmeti: Jo, ai u dënu, ai ‘76-tën. Iliri, që e kish lonë baba i vet shtatë mujsh kur kish ra në burg, si i moshës jomadhore, punonte në ni dyqan, tash si fotograf, se ai nuk dike, rrobaqepës s’kish, atëhere u burgos. Dy vjet u dënu, shumë tortura të mdhaja, shumë maltretime. Djali e majke burgun në burg të Pejës. Ish e tmerrshme për familjen, se në ‘79-tën kur dulë. Jo, ky osht’ burgosë në ‘81-tën, në ‘80 e… mas demonstratave të ‘81-tës, më fal se i kom përzi.

Anita Susuri: Djali i vllaut?

Igballe Novosella Mehmeti: Djali i vllaut, po. A Selatini osht’ dënu në ‘75-tën, e ka lonë nusën me dy fëmi.

Anita Susuri: Nëse mundeni tash me folë edhe për vitin ‘79 kur e ka lshu Kosovën…

Igballe Novosella Mehmeti: Sabriu e ka lshu Kosovën po…

Anita Susuri: Si ka ardhë deri tek ajo çka ka ndodhë?

Igballe Novosella Mehmeti: Sabriu në fakt asniherë nuk ish shkëputë nga Lëvizja Ilegale. Gjithmonë osht’ marrë me, me punë. Gjithmonë çdokush që ka pasë nevojë ka shku te Sabria, te dyqani i tina jonë majtë mbledhjet, te dyqani i Sabrisë. Ai punojke si rrobaqepës edhe ju thotë të gjithë studentëve, “Qaj që diplomon”, thotë, “unë jau kepi teshat pa pare”. Atëhere s’ka pasë shumë tesha shumë që blejshin, “Ju e bini materialin edhe çdo studenti që e kryn fakultetin unë kom m’ja kep teshat pa pare”. Dikun fundi i dhjetorit, kishin vendosë me e bo edhe një burgosje nëpër Kosovë, kishin vendosë me e burgosë edhe Sabrinë. Atë natë, Ramadan Xhema, mjek në spital ka punu, vonë kah kthehet prej punës që ka punu në spital, ish afru te Sabria i kish thanë, “Pramë i kom pasë dy UDB-ashë, kishin pi shumë raki edhe jonë smu, thotë, ‘duhet me u shnoshë, nesër na pret ni punë e madhe, kena me shku me burgosë te Novoselltë’”.

Sabria masi kthehet prej dyqanit, i thotë nanës, “Unë jom i rrezikumë m’u burgosë edhe kom vendosë mos me ra n’dorë”. Tash ish koxha në kohë të shtyme. Thotë, “Edhe nëse burgosna unë nuk muj me i përballu torturat që bohen aty”. Mirëpo, thotë, “Po du me… kom vendosë me e pi xehrin nëse bi n’dorë, e kom kepë në xhep të pantollave”, se ai rrobaqepës ka qenë, në xhep të vogël të pantollave, atë xhepin e sahatit. “E çka me bo? Hajde po shkojmë te Igballi”. Te dytë vonë, kur po i bjen ziles te dera, kur dal, nana me gjithë Sabriun. “Hajde, hajr ju koftë. A po doni m’ju qitë diçka me hangër?” Tha, “Kem hangër, kena pi krejt, veç qeshtu, qeshtu osht’ puna. Na po bujna ktu sonte.” Tha, “Edhe nëse na rrethojnë, e kemi lonë Bedria me na lajmru”, vllau i vogël. Thotë, “Me na lajmëru Bedria, me na thanë që nana osht’ smutë nëse bon telefoni”. U shtrova venin, flejtën ata dytë.

Zakonisht burgosjet bëheshin herët në mëngjes kah ora tetë. Edhe të ejteve, nuk e di pse n’shpi tonë kanë burgosë të ejteve. Edhe ajo ditë ish e ejte. Edhe kah ora gjashtë, ra zilja e telefonit. E morra telefonin, thotë vllau, “Na rrethunë.” E mbylli veç telefonin edhe u hi në dhomë. Vllau veç ish veshë, ish çu, ulun ish kanë. Se interesant atina shumë i kallxojnë andrrat. Edhe sot kur sheh diçka thotë, “E kom pa andërr”, thotë, “e dita”. U çu, thotë, “Unë s’po du me ra n’dorë, unë kom vendosë me ikë”. Thotë nana, qaty e di që nana i ka thanë, “Mos dil, mos dil Sabri”.

E kish nusën me pesë fëmijë në shpi. Thotë, “Nanë nëse nuk bi n’dorë, më vrajnë ose e vras vetën unë”. “Nashtë,” thotë nana, “edhe nëse të vrajnë unë kom me të vorrosë ty si hero të Kosovës”. Mirëpo, ai kish vendosë me dalë edhe thotë, “Fadil, ku po më çon?” Fadili për fat të mirë atë ditë e kish marrë udhën, ni mbledhje e kish në Kaçanik. Thotë, “Unë po të çoj, po të çoj te vllau jem në Dumnicë. S’di ku me të çu tjetërkun”. Atëhere e çumja e Sabrisë ish rrezikim me burgosje Fadilit, rrezikim për krejt familjen e Fadilit. E qet në kerr edhe e çon në Dumnicë, se në Dumnicë, është i Dumnicës, e ka familjen atje. Edhe ju thotë çikave, “Mbajeni me ni dhomë të mbyllun që mos te sheh kërkush, derisa të bojmë naj zgjidhje ku po munet me shku Sabria”.

Sabria jet në Dumnicë atë natë, na kthehem në Prishtinë te shpia. Për çdo ditë kontrollojshin, e lypshin Sabrinë ku osht’. Kontrollojnë te mixhallartë në katun, në Novosellë. Kishin lypë te ni çikë e hallës, nëpër familje tona. Në tona anët të rrethum, kontrollojshin, rujshin para shpisë tonë, rujshin te vllaznia atje. Gjithë civilë, asnjoni i veshun me uniformë, se e dimë me uniformë. Edhe tash, na e pamë që po rrezikohet se tash kanë me hi me kontrollu gjithkah, duhet me e hjekë Sabrinë prej atyhit. Ku me shku? Vendosëm me e çu në Dumnicë… me e çu në Drenicë, në Drenicë te ni shok i vllaut, Fuat Hajdini, edhe sot osht’. Edhe thotë, “Une po e çoj te ni mixhë i veti”. Edhe tash u dashke unë me shku me e thirrë Fuatin.

Unë isha ajo që gjithmonë, edhe vetë insistoja edhe “Hajt se kjo duhet”. Djalin e kom pasë, m’ka lindë në maj, prej majit deri në dhjetor sa i bjen? Shtatë mujsh diçka. E marr ngrykë edhe shkoj te Fuati. Qysh me nxjerrë, qysh me i thane grusë të vet? Thom, “Fuat, e kishe atë kunatën në shpi shumë të smutë, e s’e kish burrin aty jonë metë veç fëmija vetë, u çmendën. Fadili osht’ në udhëtim zyrtar, djemtë, vllaznia e mi s’ishin asnjoni, s’po kom me kon me shku. A priton ti me m’çu?” Thotë, “Po more.” Ai u çu në kamë meniherë se e ditke që duhet me ardhë. Edhe me gjithë djalë në dorë dalim. Thotë, “Duhet me ju kallxu në shpi që në Drenicë nuk mujna me e çu se axha m’ka thanë, ‘S’ka problem le të vi le të rri sa të don, mirëpo unë msheft nuk guxoj me e majtë.” E me e majtë haptas qat’ ditë ti s’kish pasë nevojë ma shumë për me u burgosë.

Edhe unë u dashke me u kthy edhe niherë n’shpi. E qato skenat, ato rastet është si napër filma që shohum naj film. “Unë e lashë”, thashë, “djalin n’kerr te Fuati edhe u ktheva me ardhë në shpi”. Kontrolla në tona anët, e disha që po rujnë. Na i kishim dy parë dyrë, dy parë dyrë se kena majtë kafshët, edhe derën kryesore. Kah hina, hina për këtë derën tjetër. Edhe bisedojmë me to, thotë, “Le të vendosë vetë Sabria ku me shku. Na e dina çka me i bo, po duhet patjetër me e largu Sabriun sonte prej atyhit”. Tash qysh me dalë, që më njofin. E veshi ni mantill edhe e vnoj ni shall {bën sikur e lidh shallin me duar} që mos të dihna unë që kom hi, që jom qajo.

Dal për tjetrën anë edhe kah parku osht’ nifarë rrugice, prej shpisë tem {shpjegon drejtimet me duar} prej Dodonës, lidhet me shku te parku, atje e takoj Fuatin me gjithë djalë. Thotë, m’ka kajtë djali edhe osht’ ardhë dikush m’ka thanë, “Çka po të kanë fëmija?” I kom thonë, “Gruja ka harru diçka n’shpi se po dojna me e çu djalin te mjeku”. Ish rrezik edhe për Fuatin në atë kohë me e ditë ku po shkon, me e ditë çka po bon. Ai e kish ni kerr me ngjyrë teget, si kerret e policisë, s’e di a jonë kanë [Zastava] 128-sh a 101-sh a… qashtu kanë qenë kerret e policisë. Edhe drejt me të edhe shkoj në Dumnicë. Kur u afrumë te dera me kerr ngjyrë si kerri i policisë, u tronditën të gjithë se mendunë që mos është policia. Mirëpo, e panë që për fat t’mirë s’është. Aty e përqafa vllaun për hërë të fundit edhe masanej s’e kom pa nashta dymdhetë vjet.

Edhe ai dulë, e kish ni revole e shtiu përmas {bën sikur e vendos diçka mbrapa}, e vnoj ni kapuq, ka bajtë asi kapuqi të zi deri poshtë. Edhe hypi në kerr me Fuatin, unë meta atë natë bujta në Dumnicë me gjithë djalë. Ish e tmerrshme s’e dishim çka po ndodhë, çka s’po ndodhë. Fuati me gjithë Sabrinë, thotë, “Drejt çom në Gjakovë”. Në Gjakovë e ka pasë ni shok Sabria, Mark Murturi. E len Fuati aty edhe kthehet në shpi të vet. Masanej Marku qat’ natë, me gjithë gru, gruen e ka të Vuthajve, për Mal të Zi edhe e qet ky, e kalon kufinin në kamë. Ish 22 dhjetori atëhere, ish Dita e Armatës, të Jugosllavisë. Ata sigurisht e llogaritin nashta e festojnë tash se osht’ ditë feste për ta. Ky e kalon në kamë.

Thotë, “Ish ni skllotë, ni shiovinë”. Kalon del në Shqipni. Na kthehem knena, unë t’nesërmen e marr djalin edhe vij drejt te nana. Ish e tmerrshme, në dorë të Zotit çka po ndodhë, çka po bahet. Me ditë të tana shpia jonë osht’ kontrollu, policia vijke e lypke n’shpi, nuk e gjejshin. Na s’dishim kurrë ni fjalë çka po ndodhë, ku o shku, çka ka bo. Shkoj niherë te dera e burgut, thom veç mos, e lypi, “E kom vllaun ktu të burgosun të lutem”. Thotë, “Po, e kena ni Sabri”. Beso, knej kisha qef me kanë, knej m’lshunë kamtë se e disha që ka thanë, “Unë kom me mytë veten”. Kur dulë s’dyti, thotë, “Jo, se nuk o Sabri Novosella, osht’ Sabri Staracella”, ni tjetër mbiemër.

Kështu që, nja dy mujë na lujtëm mendsh për me ditë çka po ndodhë, çka s’po ndodhë. Mas dy mujve, Sabriu kish dalë në Turqi. Ata për punë të veta, se Isufi ish në Gjermani, ktyne ju duhke dikon me e çu në Turqi. Thotë, “Me ni anije, dy mujë ditë kom bo, që shkep mallna”, ia ka maru ni pashaportë me emën tjetër edhe mrrinë në Turqi. Në Turqi, e kena pasë, gruja e vllaut e ka pasë ni motër edhe ky shkon te ta. E shtin atë motrën m’ja shkru ni letër, me ia çu motrës të vet në Prishtinë. Edhe ndër të tjera e vetë, “Si jeni e qysh,” edhe thotë, “qysh është Iliri, a po i dhem veshi?” Iliri ish djali i vllaut, i madhi, edhe “A po lunë Albani me plluma, a po lun…” edhe ato jonë fjalë të Sabrisë se ajo nuk i njeh. Edhe qat’ herë e murrëm vesh që Sabria koka gjallë najkun.

Anita Susuri: Domethonë si me kode ka shkru?

Igballe Novosella Mehmeti: Po, po edhe ai e kish shkru edhe na e dishim që Ilirin s’e njef ajo gruja, as Albanin, se Iliri ish djali ma i madh i vllaut, e Albani ish ma i vogli.

Anita Susuri: E mas sa kohe ka qenë e sigurt që ai me folë me juve, mas qasaj, në telefon ose…

Igballe Novosella Mehmeti: Po mas njo dy-tre mujve masanej, mas qasaj mas nja dy-tre mujve. Masanej, tanë kohën unë kom majtë kontakte me to. Në punë edhe ata në zyre të drejtorit, se thojsha nuk përgjohet zyrja e drejtorit, se tjetërkah s’guxojshim. Në shpijat tona, tanë kohën osht’ përgju telefoni edhe në shpi tem edhe në shpi te… Po në punë thojsha nuk përgjohet se s’i shkon menja kujt, unë kom bisedu me to i kom tregu çka po ndodhë, çka s’po ndodhë. Edhe masanej unë jom shku me ni pashaportë të huj te Sabria. Mas njo dy-tri vjetve që s’e kisha pa hiç, u çmena, qysh me e pa, po vdes edhe më dhimti krytë disa mujë. Thom, “Fadil s’po di qysh me ja bo, po du me shku” {psherëtin}.

Më thotë mjeku duhesh me e bo një CT. Atëherë CT s’ka pasë ktu, kishte në Beograd ose në Zagreb. Unë gjithmonë e majsha n’veti që po du me dalë me shku në Suedi (qesh) edhe te kush me marr pashaporta, familja jonë s’kemi pasë kërkush. Na i kishin, pushteti i atëhershëm, na i murrë neve pashaportat e ato. Se motrat e martume edhe une edhe tjetra edhe pse ishim me mbiemna tjerë, nuk na lejojshin. Atëherë, shkova me nejt te ni vajzë e kunatit edhe i thom, “Jam shumë smutë, po më dhem krytë, po du me shku me e ba ni CT në Zagreb”. Nëse nuk muj aty me caktu termin a diçka, me pasë pashaportë unë kisha në Gjermani, në Gjermani te një miku jonë. Thotë, “Jo, unë po ta jepi pashaportën”, thotë, “s’po i kallxoj,” burrit t’vet hiç. Edhe s’e di, s’e kemi diskutu najherë qysh ka qenë a qysh ka marrë vesh. Unë e marr pashaportën e saj.

Shkojmë në Zagreb, e bojmë CT-në. Më thotë, “T’u ka lodhë truni ma tepër se moshën që e ki”. Më dha diçka barna edhe tash shkumë në Gjermani, prej Gjermanisë i lajmëroj Sabrisë që po du me ardhë në Suedi. Sabria atëherë ish veç vetëm, familjen nuk e kish atje asnjani. Ish problem qysh me shku familja pa pashaporta kërkush. Atëherë, shkoj unë në Suedi, e gjej Sabrinë, vetë me ni banesë. Dulë na priti te… se me anije u dashke me shku, në Gjermani, në Danimarkë, prej Danimarkës deri në Suedi shkohej me anije. Hynëm me kerr edhe te kufini ish dalë Sabria na priti. Shkumë. Edhe atje s’guxofta me dalë, “Mos dil se me pasosh të huj, edhe kah ka njerëz, e merr në qafë”.

Unë i pata thanë asaj çikës të kunatit, “Nëse ndodh diçka, nëse m’nxajnë mu, ty nuk të rrokë kurgjo. Unë kom me thanë jom shku me nejt edhe ia kom vjedhë pasoshin, ajo nuk e di që ia kom marrë”. Se ish përgjegjësi edhe për të. Thom, “Ti rri pa merak, unë kom me thanë, unë ta kom vjedhë pasoshin. Ti nuk din kurgjo edhe përgjegjësia mbetet e imja”. Kështu që, nejta nja tri ditë a katër. Sabria e pruni listën që kishin dhanë pare për Kosovën, ish… e lexova ren, i pari, Sabria i kish dhanë 15 mijë marka, atëherë ishin marka. Kur dal te dera, ia shoh do këpucë të mdhaja. Thashë, “T’kujna janë qeto këpucë?” “Të mijat”. “Po vlla, a janë të mdhaja?” Tha, “Të mdhaja valla, po të lira i gjeta”. Domethonë, i kish dhanë 15 mijë marka për Kosovë e s’i kish ble ni palë këpucë për veti. Edhe m’u dhimt shumë kur e lashë vetë. Na boni me hongër. Pa gru, pa fmi, pa kërkon. Edhe vendosa, kom me bo çmos e çmos e çmos edhe kom me i… kom me ia çu grunë. Edhe qashtu ndodhi masanej.

Pjesa e Tretë

Anita Susuri: Qysh ka vazhdu edhe aktiviteti juj kto vite në Ilegale?

Igballe Novosella Mehmeti: Unë e ndërpreva aktivitetin, me ikjen e Sabrisë, unë s’kisha kontakte as nuk disha mo kurgjo.

Anita Susuri: Atëherë e keni ndërpre?

Igballe Novosella Mehmeti: Po, mbyllja e fundit ka qenë “Sabriu e lshoi Kosovën” parolla, edhe ma s’kom pasë asni lidhje kurgjo.

Anita Susuri: Cili, domethënë qaj vit ka qenë kur ka…

Igballe Novosella Mehmeti: ‘79-ta ka qenë, fundi i ‘79-tës.

Anita Susuri: Pastaj kanë qenë demonstratat e vitit ‘81.

Igballe Novosella Mehmeti: E po, masanej demonstratat e ‘81-tës. Mas demonstratave të ‘81-tës… Për demonstrata të ‘81-tës Selatinin e rrehën, e nxojnë në rrugë. Nuk ishin këta asnjoni në burg. Mas demonstratave të ‘81-tës, e burgosin Ilirin, Iliri djali i vllaut, i moshës jo madhore. Ndërkohë, ia çon Fadili grunë me fëmi Sabrisë, dy. Fëmija të mdhaj metën në shpi, e çon. Edhe a din qysh, pashaportën e hujë për Safetin, Safeti osht’ gruja e vllaut. Fëminë, djalin tem, pashaportën e dy djemve. Masanej, na i dhanë neve mas ‘75-tës, na i lejunë pashaportat. Sikur u lëshu ni fije autonomie e Kosovës e neve na i lejunë mas ‘75-tës. Jo ‘75-tës jo. Mas ‘80-ës. Se në ‘79-tën Sabria ka dalë prej Kosovës, se s’kom pasë pasosh, jom shku me pashaportë të hujë. Domethanë, mas ‘79-tës, mas… po mas ‘80-ës, mas ‘80-ës.

Atëhere, Fadili e qet grunë e Sabrisë me gjithë djalë, e marrin njanin pashaport të vetin, njanin të djalit. E çon Safetin te Sabria në Suedi. Masanej i çon dy çikat edhe ato te dyjat me pashaporta të huja. Se Fadili gjithmonë tu e rreziku veten e tu e rreziku venin e punës, masanej ish kryeredaktor i gazetës, domethënë ish goxha në pozitë. Po, e pajke…

Anita Susuri: Në cilën gazetë ka qenë kryeredaktor?

Igballe Novosella Mehmeti: Deri kur na kanë largu, atëherë kur e kanë largu prej punës, kur na largunë të gjithëve.

Anita Susuri: Në cilën gazetë?

Igballe Novosella Mehmeti: Urdhno?

Anita Susuri: Në cilën gazetë ka qenë?

Igballe Novosella Mehmeti: Gazeta “Tribuna”, atëherë e kanë pasë një gazetë të mrenshme, gazeta “Tribuna”, ky ishte kryeredaktor i saj.

Anita Susuri: Deshta me ju vetë edhe për kto pasaportat, qysh e kanë… qysh kanë arritë ashtu me të huja, atëherë kanë qenë edhe fotot po m’duket në pasaportë, i kanë ndryshu fotot?

Igballe Novosella Mehmeti: Kanë qenë fotot, po kontrollat nuk ishin shumë. Se e kanë ditë që nuk… nuk guxon kërkush. Plus, pasaportë, e ngjashme fotografia, e ngjashme mosha, a po din. Edhe s’ishin, po, s’ishin kontrollat shumë të mdhaja. Ja çon krejt fëminë, i mbesin dy fëmitë e mdhaj në shpi. Ilirin e ka çu Fadili mas dymdhetë vjetëve te Sabria. E kish lonë të vogël, kah rritet, të martumë, me nuse edhe me dy fëmijë.

Anita Susuri: Kur ka shku?

Igballe Novosella Mehmeti: Kur ka shku, po, ju ka shku prindve në Suedi. Tash e kish marrë pashaportin, Iliri me pashaportë të burrit të motrës Nazmisë. E në pashaportë i ka pasë dy fëminë. I ka pasë dy djem motra, a ky djalë e çikë. Po, s’kanë dyshu, s’ju ka shku mendja që guxojnë me bo qashtu diçka (qesh). Lirjani më kujtohet si sot. Thotë Fadili, thojke, “Sa e kalojshim kufinin”, ai ish Krenari, Krenari djali i vllaut, e tha, “Sa e kalojshim kufinin, ‘E axha Fadil qitash kush jam unë?’” A po din, “Unë qitash kush jam?” Thotë, “O ja kom çu Ilirin, kur o dalë Sabria osht’ përshëndetë me ta, burrë i martumë me dy fëmijë, që e kish lonë të vogël ky.

Anita Susuri: A kanë pasë edhe vllaznia tjerë e motrat probleme? Sigurisht kanë pasë me polici e me roje…

Igballe Novosella Mehmeti: Kanë pasë të tonë kanë qenë të burgosun, te tonë kanë qenë të burgosun, secili. Po, për fat të mirë neve fort nëpër puna, nuk na kanë… s’na kanë ngucë. Motra mas meje e ka kry shkollën e medicinës, osht’ punësu në spital. Motra e vogël ka punu, e ka kry shkollën teknike, ka punu në Dardani. Vllau e ka kry Fakultetin Ekonomik edhe fillimisht ka hi në punë në shkollë ekonomike. Masanej osht’ bo drejtor komercial në Fabrikën e Tjegullave. Edhe ai i ka pasë punët mirë, ai o kujdesë për të gjithë neve edhe për motrat edhe për vllazninë edhe për të gjithë. Ish vllau i vogël, se ai ish në punë, domethënë neve familjarëve tjerë nuk na kanë ngucë shumë.

Anita Susuri: Sa ka vazhdu ky persekutimi i vllaznive, prej vitit…

Igballe Novosella Mehmeti: Gjithë deri me çlirimin e Kosovës, deri në fund. Deri, deri masi… edhe izolimi kur ishte atëherë. Mas, domethënë, vllau Bedriu u izolu me 350 intelektualë të Kosovës, u burgosën për të njejtën ditë. Ishte e tmerrshme.

[Këtu ndërprehet intervista]

Igballe Novosella Mehmeti: Kështu që në ‘89-tën, kur iu murr autonomia Kosovës, kur u murr gjithçka prej Kosovës, atëhere u burgosën 350 intelektualë të Kosovës. Të gjithë drejtora të organizatave, njerëz, profesora, doktora. Ndër të tjerët, u burgos edhe Bedriu. Na erdh çudi. Thotë Donika, ish e vogël atëherë, thotë, “Babi u përshëndet me neve, na përqafi edhe thotë, ‘Mos u mërzitni për mu, po m’vijnë… kanë me m’pytë diçka’”. Menon që veç kanë me e pytë, menon që, Bedriu, po e burgosin Selatinin. Ata e kishin rrethu shpinë edhe shumica shqiptarë. Kur del, thotë, “Jo e kishin marrë Bedrinë”. Edhe më kujtohet si sot, s’e di me cilën burgosje, Ibush Kllokoqi, nana jem e kapi, thotë, “Lshom ta kapi për qafe djalin tu dalë”, i lidhun me pranga. Thotë [ajo], “Më shtyu sa qatje, ‘Largohu, ti s’je nana jeme’”. Kur del poshtë, thotë, “Jo e kanë marrë Bedrinë”. Na erdh çudi, qysh Bedria, ma pak ish burgosë, kta tjerët, Selatini…

Kur marrum vesh atë natë, lajmërojnë që i kanë burgosë 350 intelektualë të Kosovës, në mesin e tyne osht’ edhe Bedria. Kuuuh! {onomatope} Ai ish pa qef në atë kohë diçka prej ishijasit. Unë meniherë me ni tubë ilaçe, me ni kese, te dera e burgut, “Amon, veç t’ia jepi ilaçet, s’po du me e pa”, veç dojsha me e ditë a osht’ aty a jo. “Jo”, thotë, “ata nuk janë ktu”. “Qysh?” Thotë, “I kanë çu në Leskovc”. Kuku, u tranumë! Tash qysh me ja bo? “Fadil, po shkojna në Leskovc”. Selatinin s’guxojshim me e lonë me shku, Sabria ish n’mërgim, kush me shku? Thom, “Fadil, unë edhe ti”. Xheva, nusja e Bedrisë edhe Magbulja, motra mas meje, erdhën me mu. Sa jena shku te Xhamia e Llapit, Fadili e nali kerrin, thotë, “Igball, nalu ti”. Thotë, “Mos po na ndodhë diçka”, ish ‘89-ta, ish tmerri, “nalu se me na gjetë diçka, mos t’na mesin fëmija pa asnjonin”. “Unë s’nalna”, thom, “kurrë, pa shku me e pa Bedrinë”.

Ish e tmerrshme, jemi shku në burg të… cokasim në derë. “As rastësisht thashë nuk janë ktu”. “Qysh more s’jonë?” “Jo, në Prishtinë jonë”. Ai na rrejti, ata ishin konë në tortura, se masanej kur e kemi pa vllaun mas ni mujë dite, ish dobësu, ish bo… “Çka u bo?” “Nashtë”, thotë, “shyqyr që m’kanë burgosë mu se baci s’kish mujtë me i përballu torturat”. Ai ka qenë ma i shnoshë edhe ma i ri pak. Thotë, “Nashtë, shyqyr që m’kanë burgosë mu, se baci s’kish mujtë me i përballu torturat”. U kthymë prej Leskovcit, e njani prej tyne më tha, “Shpejt kthenu, qysh keni guxoftë, a po e shihni çfarë tmerri osht’, kthenu në shpi”. U kthymë në shpi, Bedria i majti dy mujë ditë. Dul, kish hupë peshë, kish pasë tortura të mdhaja. Po ju erdh diçka ni vendim, nga jashtë, ndërhyni dikush edhe ata i lirunë prej burgut.

Anita Susuri: Qysh ka vazhdu tani vitet ‘90, në punë keni qenë m’doket ende…

Igballe Novosella Mehmeti: Po, po në ‘90-tën kom qenë në punë si rëndomtë. Në ‘91-tën e linda edhe ni djalë. Vendosa, kisha dëshirë mos po m’bohet çikë, kom pasë tre djem edhe djalin e vogël edhe Taulantin. Isha në pushim të lindjes kur fillunë spastrimet etnike, me u largu njerëzit prej pune. Kur u mor qëndrim me i lshu vendet e punës. Unë e kisha shfrytëzu pushimin e lindjes. Ata i kishin largu fillimisht, drejtorat, udhëheqësat, po ndër ta edhe mu. Referente në administratë kam qenë. Edhe Kaqusha Jashari ishte drejtor me neve atëhere. Unë isha në pushim të lindjes. Ishin gjashtë mujë pushim të lindjes edhe gjashtë mujë me orar të shkurtumë. Unë vendosa me dalë me orar të shkurtumë, se më konvenojke ma mirë Atëhere burrin e kisha të papunë në shpi, le të rrin ai me djalë, unë po shkoj në punë.

Kur shkoj në punë, më thojnë, “Ty të kanë largu prej pune”. “Ja”, thashë, “mu, unë s’kom marrë vendim”. Ata, naj i kishin lshu vendimet. Tash ky drejtori i ri që kish ardhë, kishe burrë i mirë, s’kish lshu asni vendim tjetër, po me qata vendime që jonë kanë s’e lejke kërkon me hi në punë. E kemi pasë nifarë liste që u nënshkrujshim kur hishum në punë. Më thotë, Latif Krasniqi, referent për marrëdhanie atëhere, thotë, “Igballe, ti s’bon me u nënshkru”. “Çka? Bima more letrën aty, kush po të vetë”. Nënshkruhna. Ai sigurisht i tregon drejtorit, thotë, “Unë, ajo s’po dëgjon”. Thotë, çka bon ai, thotë, “Unë, le të vijnë le të nënshkruhën ktu”.

Po unë s’shkojsha vetë, shkojshim kah tre a katër kolegë bashkë. Unë n’mes të tyne jau marrsha letrën e nënshkrujsha edhe… edhe më thotë, “Ti, ti je e largume prej punës”. “N’ma dhafshi vendimin, unë jom e largume, përndryshe unë jom n’punë. Unë e kom shfrytëzu pushimin e lindjes”. Se ata u thirrshin sikur m’kanë qitë prej punës para se me e shfrytëzu pushimin e lindjes. Unë duhet me i kthy krejt paret që i kom marrë edhe thom, “Unë nuk po du me u largu prej punës. Ju po thoni me vetëdëshirë po i lëshoni e unë s’po du [me u largu]”, a din. Thashë, “Edhe ti mos harro, unë i kom pesë kunetë”, se burri jem osht’ vetë i pesti (qesh), “edhe katër vllazën edhe katër djem”. Thashë, ti mos harro, qeshtu me gisht, {drejton gishtin tregues}. Ma boni, tha, “Ti mi pretiš” [Srb.: Ti po më kërcënon]. Thashë, “Jo, unë s’po të kërcnohna veç po të kallxoj drejt”.

Kur shkoj në zyre, ma kanë zanë venin tem në punës, e kanë pru njo tjetër edhe s’lshohet më. Nuk ma lshon venin. Ajo sa dilke në mëngjes, unë u ulsha në karrigë temen, ku kom qenë gjithë (qesh). Edhe dy-tri herë vijnë, më thotë drejtori, “Duhet me e lshu punën, a din, osht’ keq, vjen policia të merr”. Jo, në fakt s’pari më thirri në zyre. Më thotë, “Po ti jepim për tri vjet rrogën”. Ka prej shoqeve të mija që i kanë marrë. Ka prej shoqeve të mija që i kanë marrë për tri vjet. Thashë, “Unë s’po du me e shitë venin tem të punës. Ju po thoni me vetëdëshirë shqiptarët po i lshojnë venet e punës. Unë po du me punu edhe nuk e shes venin tem me pare”. “Po vijnë të marrin me polici”. Ju thom, “S’ka problem, le t’më marrin”.

Të nesërmen në mëngjes vjen policia te dera, m’qet në kerr edhe drejt në stacion policor. “Edhe mos gabo me ardhë ma”. Unë prapë veshna, mathna, të nesërmen në mëngjes [aty]. 15 herë me kerr m’kanë marrë të policisë. Edhe ka shkru dy herë gazeta, po s’po… për çudi s’po muj me i gjetë ata artikuj. Nuk e di niherë “Bujku”, atëhere ishte “Bujku” në vend të “Rilindjes” kur… s’kom mujtë me i gjetë ata artikuj. Edhe prapë të nesërmen vjen policia me m’marrë. Më thirrin tash, më kërcnojnë në zyre të drejtorit. Thotë “Ti duhesh me…” “Po pse bre unë me e lshu venin e punës? Po unë s’po du me e lshu, unë s’po du me e shitë venin e punës”. Edhe ia boj me gisht qeshtu drejtorit {drejton gishtin tregues}, thashë, “Kqyre”, ishin dy me uniforma të policisë, thashë, “qeky po don me m’i lonë katër fëmi pa bukë, ishalla këtij Zoti ia len pa durë e pa kamë”. M’qitën në kerr të policisë, prapë në polici (qesh).

Apet të nesërmen më qesin, “Mos shko!” Unë thojsha, “S’kom qare pa ardhë. Amani vendimin që po m’qitni prej punës, unë po e lshoj punën. Unë e kom shfrytëzu pushimin e lindjes edhe s’kom qare tash pa punu. E une duhna me e kthy” thojsha, “nëse une e lshoj punën, duhna me e kthy që e kom shfrytëzu pushimin e lindjes”. Faktikisht qashtu ishte, se ata vendimin ma kishin shkru mu para se me e çelë pushimin e lindjes. Shumë here, ni here poshtë te shkallët. Tash kishin marrë vendim me më rujtë para dere, mos me më lanë me hi mrena hiç. Thashë… “S’bon me hi mrena!” “O unë e kom tensionin shumë të ulët”, thom, “nëse s’hi me e pi ni kafe, qetash rrzohna” (qesh). Edhe e thirri ato në bufe e kemi pasë, “Të lutna”, thom, “ama ni kafe”. Ma ka qitë qeshtu për dritare. Edhe dy policë po m’rujnë, unë p’e pi kafen, (qesh) unë p’e pi kafen.

Dulë, jo drejtori gjeneral, ni drejtor teknik, shka. “Šta čekate, udrite” [Srb.: Çfarë po prisni, godisni], “mshojani”. Unë qysh e kom pasë jaknen veç e kom çelë {hap setrën}, thashë, “Mshomani, çka po pritni?” Ai njoni tha, “Nikad na ženske nisam udarao”, a po din, “Kurrë femna unë s’kom gjutjë”. Edhe disa herë, disa herë, shumë herë, unë shkojsha në zyre, ata m’thirrshin. Ish ni serbe që unë i kisha nimu kur u punësu aty, ish daktilografe. U dashke me e pranu njo edhe nejse lidhje mas lidhje, isha anëtare e Pleqësisë, e pranumë.

Pak diçka me m’pa, ajo ma thirrke policinë. “Qysh moj”, i thom, “s’po të vjen keq, po a e din që unë ty t’kom pru këtu?” “Eh, došlo je moje vreme sad, e…” [Srb.: Eh, ka ardhur koha ime tani…] a gjithë ma bojke, “Moja Igbala, moja Igbala. E do…” [Srb.: Igballja ime, Igballja ime] domethanë, “Tash është ardhë dita jeme edhe duhet me të thirrë”. Dej asaj serbes që ish ulë n’ven tem, i thom, “Unë ty s’kom çka me t’bo, ti je ardhë ma ke zanë venin tem të punës. Po unë ty e di kush je, e di ku e ki shpinë, e di kon e ki burrë, e di dhomën tane ku flen ti, unë e di sa fëmijë i ki”. A në fakt s’ja disha kurgjo, në fakt nuk ja disha asnjo (qesh) veç për inati ta tmerroj.

Niherë tjetër erdhën apet m’murrën në stacionin e… faktikisht te burgu ku osht’. Edhe më thotë njani, “A e din që të burgosim?” Thashë, “S’ka problem, burgosnëm. Bile, ha bukë pa pare” (qesh). “Fminë po m’i leni pa bukë. Bile, unë n’shkofsha në burg, unë ha bukë pa pare”. Deri në fund, unë prapë mas qasaj bisede, apet në sabah në punë. U tmerrojshin goxha kolegët, se ishin tutë s’ishin mësu ashtu me pa me polici, po unë isha rritë nëpër polici edhe s’më çojke peshë. Nuk u tutsha, pse hypsha vetë në kerr të policisë e pse më çojshin.

Herën e fundit m’çunë në stacion, nuk e di cilin stacion, te shkolla, te parku është stacioni i katërt më doket është përtej shpisë të Veli Devës është ni stacion policor aty. Edhe tash është stacion policor. “Çka është problemi?” Se veç m’bishin. Thashë, “A di çka? Unë s’po di qysh, unë veç po lypi me ma shkru ata vendimin që po m’largojnë prej pune. Merre me men”, thashë, “sikur ti je n’vend tand të punës, po vjen dikush për krahi edhe po t’qet jashtë, qysh kishe me reagu?” “Unë i kom katër fëmijë, burrin e kom të papunë, po më lojnë pa, pa…” “A din çka”, tha, “unë tjetër s’muj kurgjo me bo veç prej qetij stacioni kurrë ma kërkush s’ka me ardhë me t’marrë”. Edhe vërtet doli, mo nuk erdh kërkush me m’marrë.

Masanej gjashtë mujë shkova pa rrogë, pa kurgjo, tu u shty, tu më përbuzë. Po unë kisha vendosë mos me dalë prej punës se kështu ashtu thojshin, “Ju me vetëdëshirë po i lshoni venet e punës”. Edhe në fund bana ankesë Minstrisë të Rrugëve, se ajo deri vonë ish Drejtoria e Rrugëve të Kosovës, po ma vonë masanej kur i murrë të gjitha kompetencat Serbia, ish e Beogradit, unë bona shumë herë ankesa edhe fitova, m’i kompenzunë qato mujtë. Edhe në fund na largunë krejtve, nuk u bo shumë kohë kur na largunë të gjithve.

Anita Susuri: Në ‘91-tën ju kanë largu a po?

Igballe Novosella Mehmeti: Urdhno?

Anita Susuri: Në ‘91-tën ju kanë largu?

Igballe Novosella Mehmeti: Po, po, po në ‘91-tën. Në ‘91-tën masanej na largunë të gjithve.

Anita Susuri: Pastaj as bashkëshorti juj s’ka punu as ju a po?

Igballe Novosella Mehmeti: Urdhno?

Anita Susuri: As bashkëshorti juj s’ka punu as ju?

Igballe Novosella Mehmeti: Jo, burrin ma kanë qitë ma herët, bashkëshortin. Unë them në gjendje ekonomike, keq, me katër fëmijë të vogël. U munojshim me e bo najfarë tregtie, me shku najherë në Turqi me ble naj diçka qashtu, si shumica e shqiptarëve të Kosovës që metën n’atë kohë.

Anita Susuri: Në këto vite ka fillu edhe sistemi paralel…

Igballe Novosella Mehmeti: Po, po, po…

Anita Susuri: U formunë partitë, LDK-ja e…

Igballe Novosella Mehmeti: U formu LDK-ja e n’dash me ditë meniherë Selatini masanej u bo anëtar i partisë edhe m’jepke me krah letra. E unë jom shku e para nëpër krejt lagjen tonë, jom hi, me fletore nër krah se thojsha gru e nashta nuk ju bjen në sy. Jom hi te Bajram Kelmendi edhe i kom shti me nënshkru për me u anëtarësu. Të gjithë ren edhe në punë edhe ku kom nejt, se atëherë ish veç partia… veç Lidhja Demokratike. Edhe i kom shti të gjithë ren m’u nënshkru e me dengë të nënshkrume masanej i çojsha te shoqata, te zyrja e LDK-së ku osht’ edhe tash. Domethanë, jom mundu në çdo mënyrë, çdo… me bo diçka për Kosovën edhe atëherë edhe ma vonë edhe gjithëherë.

Anita Susuri: Qysh kanë vazhdu vitet e ‘90-ta për juve? A keni qenë edhe në këto aktivitetet e grave që jonë bo…

Igballe Novosella Mehmeti: Gjithkun, gjithkun, e para. Ku osht’ bo naj aktivitet, unë kom qenë në të. Edhe në demonstrata edhe në protesta edhe në demonstrata edhe sa herë jom la me ujë të nxehtë që na kanë qitë rrugëve. Sa herë jemi shku me ka ni bukë nër sqetull, jemi nisë deri në Mitrovicë deri te ura e Ibrit, jom shku në kamë prej Prishtinës. Edhe pse jom kanë nanë, edhe pse kom pasë fëmi edhe…

Anita Susuri: A ju kujtohen ma me detaje qeto demonstratat, për shembull të grave këto që kanë qenë, me bukë në dorë ose me çelësa, me letra të bardha?

Igballe Novosella Mehmeti: Me çelësa, me gjithçka. Edhe me çelsa edhe me bukë edhe me kërsitje edhe në mramje nëpër shpia edhe gjithkun çka ka ndodhë edhe çka o bo diçka, jom kanë në mesin e të gjitha grave të Kosovës. Domethanë, jena munu gjithkush n’atë mënyrën e vet me e kundërshtu armikun prej kohësh. Ni kohë, masanej kur u bo lufta, unë jom kanë tu punu në Kryq të Kuq, në Kryq të Kuq të Kosovës. Mledha nëpër krejt mahallën tonë tesha, batanije e sene edhe i dorëzumë në Kryq të Kuq. Kryqi i Kuq i Kosovës ka qenë, jo te Kryqi, nifarë zyre si e vogël, si mrapa Muzeut të Kosovës.

Edhe aty i kom njoftë gjithë kta, e kom njoftë doktorin që u myt, që ra n’mina, Shpëtim Rrobajn. Aty kom punu me Jusuf Dedushajn, kena shpërnda rroba, kena shpërnda tesha. Se lufta në Drenicë u kall. Metën pa shpija. Erdhën po, fillunë me ardhë ndihma nga jashtë. Qaty kena shpërnda ndihma, tanë kohën kom punu nja dy-tre mujë derisa ka krisë lufta. Edhe atë ditë që ish bo tmerri, unë hala po shkoj. Unë po shkoj në punë, thotë dikush, “Ik, shko në shpi! Çfarë pune ma, s’ka puna kurgjo!” Deri masanej kur kanë fillu bombardimet.

Anita Susuri: Po du edhe pak me dëgju prej juve vitet e ‘90-ta qysh kanë qenë, qysh ka qenë atmosfera. Në qytet a është vrejtë ajo, se për shembull në Drenicë e në këto zonat luftës shumë ma…

Igballe Novosella Mehmeti: Drejt me të thanë deri vonë jo. Qaq m’ka brengosë, deri vonë nuk u ni kurgjo, plot restoranet e Prishtinës kanë qenë. Lufta në Drenicë u kallke, unë gjithë ditën punojsha në Kryq të Kuq. Isha në kontakt me ata njerëz. Vishin gratë me fëmijë të vegjël, “Kom lonë çka kom pasë gjallë”, tash lypke ni litër qumësht për fëmiun. Kurse kah qyteti nëpër Prishtinë, thu ti s’ka ndodhë asgja. Është e vërtetë edhe shumë mirë e maj mend qat’ punë. Deri i rroku për veti secilin e atëhere tani…

Anita Susuri: A ju kujtohet dita, faktikisht nata, kur kanë fillu bombardimet?

Igballe Novosella Mehmeti: Po qysh jo. Se ne, vllaznia mi ikën prej shpijave të tyne. Unë i thirri do thom, “Hajdeni te shpija”. Vllau ish në mërgim, Sabriun s’e kishim pa hala, ai ish në Shqip… në Turq… në Suedi me familje t’vet me krejt. Masanej, prej Suedisë shkoi në Shqipni. Në Shqipni filloi me ndërtu edhe veç ishim në kontakte telefonike. Dikush shkoi drejt te ai atë natë të bombardimeve, Bedria me fëmijë t’vet, vllau ma i vogël. Selatini ish shku. Na pashaporta s’kishim, që s’kishe qysh me ikë, qysh me dalë jashtë. Edhe thojsha, “S’e lshoj Kosovën, po nuk e lshoj Kosovën kurrë. Veç po rrejnë”.

Kishim ble, ushqime, gjana i kishim mshelë edhe nëse ndodh diçka na po rrijna n’shpi. Atë natë të bombardimeve, Kushtrimi… tanë natën nejtën nëpër ballkona, [ai] edhe Bedria edhe dulën. U bombardu këtu policia. “Dajë, kqyre! S’ki me pasë kurrë rast mo me pa kto skena”. Ish gëzim i madh për neve. Na lajmrojke prej Shqipnisë djali i vllaut, “U nis [aeroplani]” Se si duket bombardimet u shihshin ma përpara prej atjehit. “Priti qikaq se po t’i bijmë”. Ish gëzim i madh për krejt shqiptarët, pritshim shpëtimtarët.

Ma herët unë kisha folë me vllaun. Me Sabrinë kah komunikojsha, kur shkova me pashaportë të hujë te ai, “Çka kom me bo bre, kur shlirohet Kosova bre, kallxom a ka shans me u shliru?” “A din çka, kur t’i nijshë tenkat e gjermanit që jonë hi nëpër Kosovë, atëherë Kosova shlirohet”. “Po me serbë çka bohet?” “Me serbë? Ka me t’ardhë gjynah prej tyne edhe ki me kajtë”. “Ja”, thashë “me kajtë kurrë, nashta gjynah m’vjen”(qesh). Thashë, “Nashta kam me m’ardh gjynah”, e që osht’ e vërtetë masanej që m’erdhi gjynah. Kur u kthymë masanej prej luftës, për njërën m’erdh gjynah. Kur u kthymë më thotë, “A ma blen ni bukë?” A beson që m’erdh gjynah prej saj. Edhe m’ranë n’men fjalt e vllaut, thashë, “Me kajtë s’po kaj, po gjynah po m’vjen”. S’guxojke me dalë, “A po ma blen ni bukë?”

Kështu që, gëzim i madh ishte për të gjithë shqiptarët kur bombardoi Serbia. Edhe vendosa mos me dalë prej shpisë edhe s’kom me dalë edhe kom me nejtë në shpi. Vllau i vogël Bedriu dulë në mëngjes. I murrë fëminë e vet n’kerr edhe shkoi. Thashë, “Merrma djalin, njanin”. Jashari, ai i dyti u tutke shumë. Tha, “Mos m’thuj motër, krejt fëminë e mdhaj i kom. Po m’ndodhë diçka me fmijë t’mi, s’kom çka me t’bo, s’muj me ta marr! Me m’ndodhë diçka edhe me fëmijë tond”. Kështu që, metëm na, me krejt fëminë, metëm te shpia. “Kthenu”, thojsha, “nëpër shpia”. U vra…

Anita Susuri: Bajram Kelmendi.

Igballe Novosella Mehmeti: Bajram Kelmendi, e në vorrim të tina murrën pjesë familja jeme. Djemtë me shtatë-tetë vetë shkunë e vorrosën. Na ishim në Dragodan e ishim ma afër aty. Edhe kur u kthymë prej varrimit, thashë, “Rrini!” U tmerrunë krejt qyteti, ish problem ku me ble bukë. Policia, maxhuptë e mahallave qata shpërndajshin bukën. Bajram, për drekë të Bajramit, unë i nala te shpia. Në shpi teme ishum njëzetë vetë. Edhe tash po vijnë me turma, prej poshtit, prej rrugës, “Kthenu!” Tha, “Të kallxoj sa ta shtinë automatin n’gojë, ki me e pa ti qysh ki me u kthy”.

U ninë krismat edhe kah shpia jonë, gati ma rrokën Kushtrimin, djalin e madh. Ai disa herë kish tentu me shku në luftë. Me shokë ni natë u vonu shumë, unë u bona marak, desh u tranova. Thotë, “Na kanë thanë ‘S’kem armë, bukë s’kena m’ju dhanë. Rrini n’gatishmëri, nëse ndodh diçka, na ju lajmërojna’”. Edhe u detyrumë me e lshu shpinë, me dalë me fëmi, me dy-tre kerre me kon kem. “S’po du me e lshu Kosovën, s’po du me dalë jashtë, prej atyhit”.

Anita Susuri: A ju ka përzanë policia, ushtria, apo vetë e keni lanë?

Igballe Novosella Mehmeti: Ja na përzunën policia, ushtria, qata po të thom de edhe me krisma të pushkëve gati na rrokën. Se unë ju bërtita, “Kthehnu!” Prej fundit të Dragodanit, vijshin ka na. Edhe me gra, me fëmi, “Kthehnu!” Thojsha ku po shkoni. Më thojnë ni tubë gra, “Të kallxojmë deri sa të vijnë”. Edhe vishin, tu ardhë knena, knena kah na. Kur u ninë krismat tu gju ka shpia jonë. Atëherë, hinëm i madh e i vogël edhe thashë, “Ku? Hajde po shkojmë te vllaznia mi”. Çfare shkumi, në Dodonë atje ish bo tmerri. Hymë në ni shpi të ni kojshisë. U ninë krismat, sigurisht tu vra. Ata familjarët e mi nuk ish metë asnjo aty. Kanë ikë kush qysh kanë mujtë. Prej atyhit, shkojmë te shpia e kunatit, të njanit.

Anita Susuri: Në Prishtinë apo?

Igballe Novosella Mehmeti: Në Prishtinë, në tre-katër vena jemi enë, se në Prishtinë jonë kunetët, tre shpia. Jemi shku në Breg të Diellit, te ai, edhe prej atyhit na kanë… aty bujtëm, u bomë edhe fëmija e kunatit tjetër, u bomë shumë anëtarë të familjes. Merre men, ë ’nesërmen na i len dikush ni letër te dera. “Largonu”, thotë, “se ju largojmë na”. “S’po largohem”, thojshim, “s’po dojna me shku”. Po shkumë masanej te tjetri kunat edhe te tjetri atë natë ish tmerr. Na rrethunë policia mrena edhe Kushtrimi me gjithë djalin e kunatit, ata e kishin pasë një revole edhe thojnë, “Po dojna, kena me gjujtë”.

E niva që osht’ ardhë, vijnë policia mrena, unë e vnoj shpinën e qasaj dere që s’dojsha me i lonë me hi mrena. Dikush thojke, “Qetu jonë”. “S’jonë, qat’ tjetrën anë shkunë fëmija”. Ata dalin për dritare, për katin e parë, u gjunë për dritare, kcej Kushtrimi me gjithë djalin e kunatit. Ai djali i kunatit ma i shnoshë, u vra, s’kish mujtë. Ky, del mas shpie, u ninë krismat që gjujtën, na iku dikush. U bo tmerri, u shashtrisa. Këta shkunë të tonë, na pritshim te dera. “Ikni!” Ia murrën Fadilit kerrin. Menxi që na e kthynë, unë u shashtrisa, Kushtrimi nuk osht’. Lyp në tjetrën anë s’ka, dil në tjetrën anë, deri të kojshive dikush na bojnë me gisht, “Ikni!’

Shkumë te kunati, tash tjetri, në Breg të Diellit edhe ai osht’ te banesa, e në banesë të tina hinëm. U shashtrisëm. U ktheva edhe niherë rreth e rreth, çka u bo, mos u metë dikah i vramë. Për fat të tina, ish konë e bllokume, ish djegë ni kerr edhe ata s’kanë mujtë me i ra, jonë kthy në tjetrën anë. Na jemi shku te shpia, kanë nisë me m’thonë, “Mos u mërzit”. Unë u shashtrisa, “Qysh po m’thoni ‘mos u mërzit?’” Kur pak ma vonë e shoh Kushtrimin prej poshtit tu ardhë. Ata ia kishin hapë derën, kojshitë përballë, e kishin majtë deri o qetësu situata. I kish mathë ni parë këpucë të tyne, se dathun o dalë, s’ka pasë çka me mathë. Edhe këta kanë piskatë për dritare, ai veç na e ka bo me dorë, “Shuni!” {bën sikur e qep gojën} prej poshtë se mos po m’nin dikush. Ish gzim, kur hini në derë. Me thonë qe ai po më smuhet masanej (qanë). Edhe vendosëm me dalë edhe na. S’ka mo çka, s’kem çka me pritë, vendosëm me dalë edhe na.

Pjesa e Katërt

Anita Susuri: Qeto lëvizje që i keni bo mrena Prishtinës, në çfarë gjendje o kanë Prishtina në atë kohë?

Igballe Novosella Mehmeti: O kanë në gjendje të tmerrshme. Dy herë unë me Fadilin, me marrë ushqime tash, se nejtëm disa ditë në shpi të kunatit. Po shkojna në Dragodan me marrë ushqim se na kishim rezervu ushqim, se unë thojsha, “S’e lshoj shpinë, kena me nejtë në shpi”. Më kujtohet niherë te dyve, te Domi i Studentave. I bijmë trup për me i ra, na kanë rrethu te dytë. “Stoj! [Srb.: Ndal] Ku po shkoni?” Na kanë mshtetë te dyve me durë për muri {ngrit duart sikur i mbështet për muri}. “Ku po shkoni?” “Po shkojna te shpija”. Na kanë hallakatë nëpër xhepa. Për fat të mirë ia kanë gjetë Fadilit nja dy-treqind marka se ishum munu me i da kapak pare me i marrë, se nuk u ditke çka po ndodhë me neve.

I kanë… na kanë mshu shkelm. Njoni piskatke “Udrite, šta čekate!” [Srb.: Godisni, çfarë po prisni!] a unë, u pregatitëm, veç po i kërsasin pushkës, te dytë bashkë ishum. Se tjertë s’guxojshin me dalë prej shpije (qesh). Edhe pshtumë edhe aty. Jemi ardhë deri… Dragodani, Arbëria ka qenë zonë ushtarake e rrethume me shirit të kuq rreth e rreth, se atje u vendosën. Na tha njani, “Unë po ju lejoj, po nuk ju lejojnë nalt ata me hy”. Thashë, “Na po provojna me shku në shpi” edhe jemi shku niherë deri në shpi, i kem mushë dy çanta me mish e me sene me hangër. Ishum bo shumë kallabllak te kunata e s’kishim çka hamë. Ka qenë tmerr gjithë qytetin, në tona anët… edhe qeshtu.

Anita Susuri: Keni qëndru gjatë gjithë kohës në Prishtinë, keni…

Igballe Novosella Mehmeti: Jo, jemi largu. Jemi largu diçka shumë pak, tani kemi nejt. Nashta në fund të prillit, s’e di, kemi nejt 30 ditë m’doket. E kemi dalë, merre men, masi jemi largu niherë, jemi shku nëpër kolona. Edhe na thanë, “Jo se u arrit marrëveshja, kthenu!” Kemi nejt katër ditë n’kufi, në Bllacë, n’kufi kah Sharri, jo kah Kaçaniku, kah Elez Hani. Katër ditë kena nejt, u mërdhimë, dikur dhezshëm zjarr me nejt, hangshëm pak bukë çka na kanë dhanë. Na prunë ndihma, bukë, bajshum, herë njo herë njo, sa me i ngi fëminë. Veç Jasharin s’e kom pasë me veti, e murrë motra kur dul. Se ai u tutke ma shumë, e murr motra. Nuk disha, s’di sa kohë s’kom ditë për to çka ndodhi.

Edhe merre me men, me men në krye njeri, vijnë thojnë, “U mbrri marrëveshja, kthenu, çka po pritni, ma nuk ju ngucë kërkush”. U kthynë do kerre. “A kthehem?” “Kthehem”. Rrugës tu ardhë, kur kemi mrri te Veterniku n’atë anë, plot me mjekrra, me thika të mdhaja na bojshin. “Kuku për neve, ku po shkojmë na?” {i përplasë shuplakat}. U kthymë apet edhe kena nejt edhe nja katër-pesë ditë, apet jena enë. Erdhëm drejt në Dragodan. Në Dragodan para derës tonë, ni kerr i hapun, ni njeri i dekun në to. U shashtrisëm, tmerr. Edhe u kthymë, shkumë te tjetri kunat. Kemi nejt edhe nja dy-tri ditë.

Tash qysh me e gjetë mënyrën me dalë? Dikur dul me autobusa. Edhe na m’doket e kemi lonë kerrin aty, jemi dalë me autobus. E kemi lonë kerrin, jena hypë n’autobus. Bajshin njerëz dikush. Edhe na kanë nalë te kufini, jonë hi, para kufinit, jonë hi në autobus edhe i kanë zgedhë djemtë. Oh u shashtrisa, e kisha djalin e madh atëherë. S’e di sa ka qenë Kushtrimi, ai është [gjeneratë] i ‘77-tës, nashta njo, po nizetë vjet, po. Edhe ia kom dhonë ni çikë të kunatit të vogël, “Shtreju mirë, mos të nxojnë. E qite çikën n’prehën mos ta shohin ftyrën”, se i zgedhshin.

I rrehën poshtë, u ninë zanat. U shashtrisëm! Na zbritën neve të gjithëve prej autobusit. “Ku po shkoni?” “Po shkojmë në Maqedoni”. “Pse?” Thashë, “Se po tutëm prej bombardimeve”, vetëmeveti, po tutëm prej juve, po… “Po tutëm prej bombardimeve”. Edhe e kalumë kufinin. Edhe tash na ra me pritë te kufini, qaq tmerr e qaq tollovi e… Aty a din qysh, regjistrojshin qekaq vetë, sikur kafshë me t’dhanë. “Dulën pesë burra, pesë gra, katër gra, katër fëmijë”, qashtu ishin.

[Këtu ndërprehet intervista]

Igballe Novosella Mehmeti: Begaj, begaj” [Srb.: Ikë, ikë], Kushtrimi ish, i gatë ka qenë. Edhe iu afru njani me pendrek me ia mshu, “Pse po shtyhesh?” Unë kom piskatë. Ai djali ia kapi pendrekun prej dore, patën me e rrehë shumë mos të hisha unë midis te dyve. “Largohu”, piskata unë, piskatën tjertë, “Largohu”, thom, “a pak na kanë rrehë na kanë mytë atje edhe këtu po doni me na rrehë”. U bo ni tollovi e madhe, u bo ni tmerr, po pshtoj pa u rreh shumë. Kalumë, me autobusa gjithë natën. Edhe na kanë çu në Çegran. Në Çegran na kanë çu, jonë vendosë nëpër kampe. Po te na ish shku vllau ma herët, Selatini edhe djalin e gjeta atje unë, Jasharin, kur shkova.

U vendosëm ni shpi qe na e kishin lshu shqiptarët e Maqedonisë. Na pritën si vllazën, të tonë nëpër shpija të veta. Po me na majtë me ushqime, s’kishin as ata për veti, u dashtë tash me shku me pritë ushqime. E tmerrshme me dalë me mledhë ndihma, me lypë me u ushqy. Dikur u mësumë (qesh), dikur u mësumë, dalshum me marrë. E unë djalin e tretë e kisha në Angli. Metëm pa puna te dytë, fëmija ishin rritë, katër fëmi, me çka me i majtë? Qitshin me pare njerzia jashtë. Edhe cilin me e çu, kta dy të mdhajt, thojsha, me shku s’më kthehen. Ai 16 vjeç o kanë ma i… kështu ma o kujdesë për veti, ma…

Anita Susuri: I gjindshëm?

Igballe Novosella Mehmeti: Ma i gjindshëm. Thojsha, me shku ky kthehet apet najherë. Edhe… e kur e kom bo gati e kom qitë djalin 16 vjeç, nxanës i shkëlqyeshëm, në vit të tretë në shkollë të mesme, e la shkollën. Ish e tmerrshme. Shkoi atje, priti djali i kunatit edhe hini në punë meniherë dikun. Edhe meniherë nisi me na çu pare. Edhe në Çegran m’i çoi 500 marka atëherë. Të tinat ishit të dhimshme, ato paret e tina me i harxhu po… (qesh). Edhe për Kosovë jemi kthy nashta autobusi i parë që osht’ kthy në Kosovë na jemi ardhë.

Anita Susuri: Qysh e keni marrë lajmin, që u çliru Kosova?

Igballe Novosella Mehmeti: Po tanë kohën, çka kena pasë tjetër me bo, veç me ngu lajme e me ngu radio e kush çka kena mujtë. Edhe u gzumë, ish gzim i madh që nuk përshkruhet. Erdh edhe vllau prej Shqipnisë, ky vllau që s’e kishim pa vite të gjata, erdh edhe ai. Vetë e familjën jo, veç ai erdh me neve bashkë, u bashkangjitëm. Jena ardhë me autobusa, e bash te qata e autobusat e atëherit, që na thanë, “Ju prejmë me thika”, ata u bojshin gati i mushshin traktorat. Ata tash me ikë e me ardhë na nëpër shpia tona.

Na u kthymë, shkumë drejt në shpi të tonë. U kthy me neve edhe vllau Sabriu, që s’ish kanë nizetë vjet në Kosovë. Motra s’e lshoi Kosovën asniherë, motra Magbuli qajo që ka qenë motër medicinale, me tre djemtë. U tranumë për to, fati i saj, në shpi… në lagje të sajna ka pasë shumë serbë. Edhe ajo nejti mshelë tonë kohën. Boll me tuta me friga, po nuk e nguci kërkush. Ajo na e kish bo drekën edhe na pritke. Na erdhëm me autobusa, dikush me kerre. Vllau tha, “Unë s’po du me hi hiç në shpi, po du me shku drejt te vorret”, se i kish dekë baba edhe nana, na kishin vdekë, ai s’i kish pa asnjanin. Shkumë drejt te varrezat. Nana jem është nana Naile, që ia la baja edhe emrin “Nana Naile”. Ia ka lanë emrin e nanës.

Anita Susuri: Nanës juj a?

Igballe Novosella Mehmeti: Po, po, unë jam vajza e nënës Naile.

Anita Susuri: A po a? S’e kom ditë.

Igballe Novosella Mehmeti: Unë jom vajza e nanës Naile.

Anita Susuri: Ah, sa mirë.

Igballe Novosella Mehmeti: Edhe shkumë te varrezat, i kish mlu bari deri qitu {e vendos dorën mbi gjoks}, menxi që i gjetëm vorrin e nanës edhe të babës. Masanej u kthymë te motra hangrëm drekë.

Anita Susuri: E qysh e gjetët shpinë e juj, Prishtinën?

Igballe Novosella Mehmeti: Drejt me të thanë, Prishtina s’ka qenë e damtume qysh kanë mujtë me e damtu. S’ka qenë e djegne, krejt në Arbëri janë djegë dy shpija. Ata si duket e kanë rujtë për veti, kanë menu qe po kthehen, se me pasë ditë që po hupin, Prishtinën s’e kishin leju kurrë me u bo qashtu. Nuk u bonë dame të mdhaja. Ka pasë vjedhje, gjana të vlefshme çka kanë pasë. Mirëpo, në shpi tonë kishin thy diçka, kishin marrë do gjona të vlefshmë. Unë e pata rujtë do në tavan arin, se kom pasë ari shumë. E kisha mshefë ni ven, thashë, n’u djegtë shpia, le të djeget edhe ai. Nuk e kish gjetë kurgjo. E tollovitë, tmerr s’guxojshim me hi në oborr, ish bo bari deri në fyt.

U kthymë, u pastrumë, u gzumë. Thojsha, “S’na dënoi Zoti”, se nuk, nuk u damtumë, as kërkush, u kthymë të tanë napër shpia. U kthy edhe Sabria që s’ish kanë shumë vjet. Gjithë asaj vere m’u dhimshin njerëzit që tregojshin, “Qekaq të vramë këtu, qekaq të vramë këtu”. Thojsha, “Na rujti Zoti”. Mirëpo, për mue erdh tmerri masanej. Krye ni vjeti, m’u smu Kushtrimi (qanë).

[Këtu ndërprehet intervista]

Anita Susuri: Pas luftës, si ka vazhdu pastaj jeta juj?

Igballe Novosella Mehmeti: Mas luftës, mirë u kthymë, u kthymë të gjithë gjallë, çka osht’ me randësi, asnjo nuk na u vra. Edhe pse kishim vujtë dikush ma shumë, dikush ma pak. Po u kthymë të gjithë edhe familja e gjanë edhe kah axhallartë edhe kah dajtë edhe kah familja jonë, u kthymë edhe… Në fshat atje ja u kishin djegë shpijat te tanve, se vllaznia mi kanë shpija. Baba ku e ka pasë tokën e vet, atje kanë shpija, ato i kishin djegë të gjitha. Kurse në qytet, në Prishtinë, Prishtina pak ka qenë e damtume. Sigurisht e rume për veti, Prishtina ka qenë pak e damtume.

Shpija jonë nuk ish damtu, ishin thy diçka, ishin rrzu. Kanë marrë diçka gjana të vlefshme, mirëpo kryesisht shpinë e gjetëm [mirë]. Fëmija u kthynë mirë, ishin rritë, fillunë, hinën në punë. Kushtrimi hini në Kryq të Kuq. Jashari punoi në OSBE meniherë, e dishin gjuhën angleze shumë mirë. Mu m’thirrën me u kthy në punë. Ish gzim i madh mas aq shumë vitesh me u kthy në punë. Erdhën në kamë te shpia edhe më thirrën dy inxhiniera. S’di sa mujë kena punu, kena marrë prej shpije, dikush çaj, dikush kafe me pi, se s’kishim rrogë as kurgjo. Por ish ajo dëshira e madhe, ai gzimi i madh.

U kthymë nëpër punë, e lshumë shpinë Zyrës Amerikane. Na e lypën me qira shpinë e bomë meremet, e ndreqëm, e lshumë meniherë me qira. U tranu edhe s’dashti Fadili, s’dashti, po deri kur u smu Kushtrimi dhe… i shnoshë kujna i ka shku menja që ai ka me u smu prej ni sëmundje të keqe. U kthy Bashkimi prej Anglisë, nejti ni kohë që s’e kisha pa dy vjet. Ish 16 vjeç e kur u kthy tash ish rritë nizetë satin. U bomë krejt familja bashkë. Ish knaqësi e madhe. Beso tanë verën m’u dhimshin, kajsha për ata njerëzit që tanë kohën lajmërojshin qekaq jonë myte, nanat e shkreta kanë metë.

Ndërkohë, thotë Kushtrimi, “Jom smutë”. “Pse bre nanë?” “Po m’dhem lukthi”. “Po çfarë lukthi ty?” “Shko në spital”, thom, “shko more në spital”. Bile pasna harru me e marrë ni fotografinë e parë e kom pasë të spitalit me Kushtrimin. E majtëm, që me kanë fatkeqësia ma e madhe e mjekësisë tonë që njeriu shkon dam derisa i gjinet diagnoza. Nejti napër spitale, nja dy mujë poshtë-naltë. Lut dikon, thirr dikon, “Merre, amon, amon”. Ia prunë shokët e vet plot pashaporta, “Dil me pashaportë”. Edhe qashtu ndodhi, me ni pashaportë të ni shokut. Fadili u munu me e vazhdu pasoshin e vet, ia vazhdoi dikush fallc si duket, e ia nalën pashaportën krejt.

Meta veç unë, unë me Kushtrimin. Edhe nëpërmjet Tiranës, erdh edhe vllau Sabriu që ish në Shqipni. Shkumë në Stamboll. Atje u zbulu sëmundja e tina. Ish e tmerrshme (qanë). Edhe po, ai qaq i fortë, qaq… nejtëm ni kohë, ia nisi me marrë kimioterapi. U kthymë në Prishtinë. Ni luftë e tmerrshme. Kushtrimi e kishte ni vajzë që kaloi me to, që kurrë s’u martu, qe nizetë vjet s’u martu kurrë. I nejti ngat deri në momentin e fundit, nejti me to bashkë. U munumë me bo gjithçka, po në fund s’boni kurgjo. Kushtrimi me 16 janar, 2002 vdiq (qanë). Për mu u rrotullu bota gjithçka. Mirëpo, prapë jom munu me e shty, me e shty me gjyks, s’po du me u dorëzu edhe s’po du {fshin lotët}.

Familja ime ekonomikisht shumë e fortë kanë qenë. Unë Kaqushës nuk ia harroj kurrë. Më majti disa mujë në pushime. Edhe kah e kom pasë me e mjeku djalin nëpër spitale edhe më majke nëpër pushime mjekësore, “Mos e bo problem”. Masanej nejta njo gjashtë mujë pushim pa pagesë edhe niherë tre mujë. Dikur thotë, “Duhesh me vendosë ja me ardhë në punë, nuk muj ma shumë”. Edhe thashë, “Unë po e lshoj punën, s’po muj”. Ishin vite shumë të rana, shumë të vështira për mu (qanë).

Atëherë vllau u kthy prej Suedisë, ai kish ndërtu disa objekte në Shqipni edhe e hapi Dardania Company, si firma e parë e ndërtimit në Prishtinë. Më thirrën me shku me punu aty, po “S’muj!” “Ki me ardhë me neve, jemi krejt bashkë”. Edhe u punësova, isha shefe e shitjes, merresha me shitje aty në atë kohë. Drejt me të thanë m’u dhimtën fëmia mi. Ni familje qaq të pasun, tash me i lanë fëminë e mi mos me pasë. U munova me mish e me shpirt edhe fillova edhe për veti pak me ndërtu. Shpinë ia lshumë Zyrës Amerikane që na nimoi shumë. E kom pasë pesë vjet me qira. Faktikisht s’di sa kohë na shkunë mas mjekimit të Kushtrimit. S’lamë spital amerikan, s’lamë Tiranë, s’lamë dikun pa e çu. Mirëpo, sëmundja ish qaq e egër që nuk pat’ kush që i del përpara. Edhe qishtu.

Mas disa vjetëve masanej Taulanti e kreu shkollën e mesme edhe kish qef me shku me studiu për xhez-kitarë. Shkoi me dhanë provim pranues në Austri, në Graz. Atje e jep provimin edhe i thojnë ata, “Po, është gjynah me metë ti ktu, për xhaz osht’ Amerika. S’ki ktu çka munesh me msu ma shumë”. Më thotë, “Nanë ka shku qeshtu, po jonë shpenzime shumë të mdhaja”, nuk më thojke me shku. Une drejt me të thanë, u menova, u menova. Thashë, unë harxhova qaq shumë për Kushtrimin, për ilaçe, bile kta për qef po shkon.

I kishim punët mirë, fillova me u marrë edhe unë me ndërtime pak. Diçka kish pru djali prej Anglisë, kish punu s’di sa vjet. Shpinë ia kishim lshu Zyrës Amerikane e kështu. Edhe qëndronim mirë ekonomikisht. E provova naj bursë naj diçka, nuk pati kurgjo. Dikun e ka pasë 40 mijë dollarë vitin. Taulantin e çova në Amerikë. Ai mrriti suksesin n’qato çka dashti vetë, u bo prej ma të mirëve. Diçka i ndihmunë pastaj shkolla, vitin e fundit pa pare. Diçka ia dulë vetë, edhe pse ish vështirë me jetu në Amerikë, se na s’kishim mundësi me i çu tash edhe për banesë edhe për tjerat. Ai vetë ia doli. E ka marrë me veti edhe vajzën e ka pasë që ka kalu me të. Tash jonë bashkë.

Anita Susuri: E ju keni… e keni ndërpre punën aty edhe nuk keni arritë me u pensionu a po? Te e rrugëve kjo?

Igballe Novosella Mehmeti: Jo, jom pensionu unë.

Anita Susuri: Jeni pensioni?

Igballe Novosella Mehmeti: Po, po. Po, po. E kom mrri moshën, kur i kom bo 65 vjet. Kur i kom bo 65 vjet, jom pensionu edhe e kom mrri moshën me i mrri ato 15 vite që po i kërkojnë. Edhe është ni fatkeqësi shumë e madhe, domethanë krejt qata që i ka qitë serbi prej punë atëherë, këta po i favorizojnë. Ata që i kanë largu, këta s’po mujnë me e marrë pensionin. Duhet me kanë 15 vjet para ‘89-tës.

Anita Susuri: Zonja Igballe…

Igballe Novosella Mehmeti: Edhe unë…

Anita Susuri: Po, vazhdoni.

Igballe Novosella Mehmeti: Jom punësu në ‘71-tën domethonë deri ‘79-tën [mendon ‘89-tën], kom pasë 15 vjet mjaftueshëm, m’ka dalë qajo si ndihmë sociale, nuk është pension në fakt po e kom mrri me e marrë.

Anita Susuri: Deshta me u kthy pak se m’tregutë ndërkohë që keni marrë pjesë edhe në pajtimin e gjaqeve, nëse mundeni pak me na e tregu përvojën e juj.

Igballe Novosella Mehmeti: Në atë kohë, Flamuri, osht’ Flamur Gashi, banonte në shpi teme. Na e kemi pasë shpinë në Arbëri, e në katin e poshtëm e kemi pasë poshtë. Bile ni ditë i thom, ai ishte me partinë, me Lidhjen Demokratike, thom, “Pse bre Flamur veç Lidhjen Demokratike?” Thotë, “Ti je ajo e para që ma ke pru listën me u nënshkru edhe unë s’du me dalë prej atyhit”. Kështu që, gjithë jena munu me kontribuu diçka. Kena marrë pjesë nëpër pajtime të gjaqeve disa herë edhe në atë pajtimin e madh te…

Anita Susuri: Te Verrat e Llukës?

Igballe Novosella Mehmeti: Te Verrat e Llukës. Shkumë të gjithë me atë entuziazmin e madh, me atë gzimin që po ndodh diçka e mirë për Kosovën. Na njekën policia, na bonën llom kah u kthymë, menxi që u kthymë. Kështu që, direkt s’kom marrë pjesë se s’kom pasë naj rast, mirëpo jom shku nëpër tubime, nëpër gjithkun ku ka ndodhë diçka.

Anita Susuri: Qysh ju ka dokë kjo iniciativë juve, qysh jeni ndje kur keni marrë pjesë në ato pajtime?

Igballe Novosella Mehmeti: Osht’, osht’… s’di çka me të thanë, aty jonë ndjenja të përzime. Raste shumë të rana, dikujt që ju ka vra djali e tash me ja zgatë dorën e pajtimit. Mirëpo, veç ata që jonë të fortë, veç ata që kanë zemër të madhe e bojnë. Ajo të kujton librin e Adem Demaçit kur e kom lexu, “Jo atyne që janë trima me e ngritë dorën e krimit, po atyne që janë trima me e shtri dorën e pajtimit”. Domethonë, gjithmonë m’ka shku n’men. Aty ka pasë edhe lotë edhe gëzim edhe ndjenja të përzime. Po për Kosovën ish ni hap shumë i mirë. Shkojke ngat… me i lonë zakonet e vjetra me i hudhë, me e zgatë dorën e pajtimit, me qenë të gjithë të bashkumë.

Anita Susuri: A ju kujtohet naj rast specifik, ose që ju ka lanë juve, që ju ka mbetë…

Igballe Novosella Mehmeti: Po drejt me të thanë, të gjitha jonë kanë raste specifike. Nuk e din cilin me e veçu se të gjitha kanë qenë raste shumë të dhimbshme. Raste të dhimbshme, ka pasë nanë që ia ka falë gjakun e djalit. Ka pasë babë që ka pajtu për gjakun e djalit. Ka pasë motra që s’ka pasë hiç kërkon veç të vetmin vlla e kanë hupë… edhe motra u çu e ka zgjatë dorën. Domethanë, ndjenja shumë të përzime, shumë idhnim, shumë mërzi. Mirëpo, edhe ni krenari që e kanë… se ata të tanë jonë ni krenarë kur jonë pajtu të gjithë, jonë ra me ni gojë.

Anita Susuri: Me siguri për juve ka qenë shume e rëndësishme edhe dita e shpalljes së pavarësisë? Qysh ka qenë për juve ajo ditë?

Igballe Novosella Mehmeti: (Buzëqesh). Unë drejt me të thanë ni kohë masanej unë kom punë në Kllokot, në banjën “Nana Naile”.

Anita Susuri: A është e familjes juj a po…

Igballe Novosella Mehmeti: E vllaut osht’. Vllau e ka banjën “Nana Naile” edhe ia ka lanë emrin e nanës. Nanën s’e kish pa shumë vite edhe pse nana jem ka shku dy herë me pashaporta të huja e ka pa. Mirëpo, nizetë vjet s’ish. Baba s’e ka pa asniherë, masi ka dalë. Vllau për shpirt të babës e ka maru minaren e xhamisë, se babën e kemi pasë shumë fetar. S’ka qenë hoxhë, po ka qenë fetar kështu, adhurues i fesë. Në fshatin tonë Maxhunaj e ka maru minaren e xhamisë.

Kurse, banjën “Nana Naile”, ia ka lanë emrin e nanës, “Nana Naile”. Edhe pse vllau Bedriu pati dashtë me ia lanë [Naile] emrin vajzës se i lindi vajza e fundit. Thotë, “Nanë, po du me ia lanë emrin ton se unë mo nuk boj fëmi”. “Ja”, thotë nana, “kurrë emrin tem me m’shajtë. Unë po du me ia lanë emrin”. Edhe ia ka lanë emrin Vjendita, “Se ka me me na ardhë dita najherë”. Edhe ia la emrin Vjendita.

Kështu që, kur u shpall pavarësia, unë isha në Kllokot. Edhe ish gzim i papërshkrumë, ish ndjenjë e… nuk di qysh me thonë për diçka që je munu, që ke lindë, je rritë gjithmonë n’atë frymën e patriotizmit, me pa diçka për shqiptarët. Që jemi mytë tu thanë tonë kohën, “Vetëvendosje, liri, demokraci, pavarësi”. Edhe tash erdhi dita e qasaj pavarësie. Drejt me të thanë, mos t’isha… mërzinë e madhe që e kisha për djalë, ish gzim i papërshkrumë (qanë).

Anita Susuri: Zonja Igballe nëse doni edhe diçka me shtu, nëse unë s’ju kom vetë ose s’kom ditë me ju…

Igballe Novosella Mehmeti: Veç po du me ju kallxu edhe qysh u bona shofere n’moshën 68-vjeçare (qesh).

Anita Susuri: Okej (qesh).

Igballe Novosella Mehmeti: Qysh u bona shofere n’moshën 68-vjeçare (qesh).

[Këtu ndërprehet intervista]

Igballe Novosella Mehmeti: Na e kishim ble ni pllac në Shqipni. Ajo dëshira e madhe gjithmonë ish për Shqipninë, për Shqipninë edhe faktikisht Shqipnia edhe Kosova jonë një. Tashi s’kem kufi, s’kem kurgjo. E fitova nënshtetësinë shqiptare. Edhe pse dojnë boll letra, si me e fitu nënshtetësine gjermane osht’ nisoj (qesh). Edhe sa rrisha gjithë verën atje, shoh shumë gra të katunit aty që jonë shofere. Thom, “Pa e provu…” Kom pasë rast niqind herë, mirëpo sa ishin fëmija që u rritën pak, ishin kushtet ekonomike ato që… le t’jepin provime djemtë. Masanej, mas Kushtrimit kom menu që s’kom me mujtë me jetu unë, jo me vozitë.

Kështu që, gjithçka po shkojke me kohë. Thom, “A din çka? Kom me provu. S’besoj që kom me mujtë me u bo shofere, po s’paku ta provoj”. Edhe e regjistrova autoshkollën në Qerret. Edhe shkova me pytë, “A ka kohë të kufizume, a ka moshë të kufizume?” (qesh). Thotë, “Jo, s’ka moshë. Nëse mjeku ta jepë çertifikatën mjekësore që je e aftë për me vozitë”, thotë, “s’ka kurrëfarë problemi”. Unë faktikisht isha mirë me shnetë edhe ushtrova disa ditë. Bile gjatë ushtrimeve, gjatë ligjëratave, na bojke me pytje instruktori, thotë, “S’po ju vjen marre! Kjo si nana e juve po i kupton ma mirë”. Qeshesha. Jo, jo, si nana, si gjyshja juve, si gjyshja juve (qesh).

Edhe e dhashë provimin për shofere. Ushtrojsha mirë se Qerreti është ni ven i rrafshët që ka hapësina mjaftueshëm me ushtru. Edhe e shkruj, atje në Shqipni zakonisht e shkrujnë “shofere e re”, mrapa e qesin ni copë letër me pasë kujdes tjerët (qesh). E unë bojsha hajgare, thojsha, “Shofere e re? Kur te nalë dikush, gruja plakë, çfarë shofere e re” (qesh). Edhe tash vetë po shkoj. Bile kohëve të fundit diçka Fadili po ka problem me sy, nuk po sheh mirë, s’po guxon me vozitë, e po e vozis unë. Edhe pse po tutet koxha shumë, thom, “Hajt se unë s’jom tutë me ty 45 vjet e tash ti po tutesh”. Mirëpo, për çudi në popullin tonë hala osht’ ai diskriminimi i gjinisë femnore. Hala sikur kanë frikë prej femnave.

Me ditë kah shkojna edhe ra, kur u nalëm te kufini, ra Fadili me i dorëzu dokumentat se ish n’këtë anë ajo kabina, n’anën e Fadilit. Edhe e pytë ai, “O axhë, a po tutesh?” Tha, “Jo, pse?” Tha, “Që po t’vozitë plaka”. Thashë, “Ua, ma s’pari u plaksh ti edhe tjetra deri kur ky diskriminim ndaj gjinisë femrore”. Thashë, “Po ky axha osht’ koxha ma i vjetër se unë” (qesh). Thashë, “Me m’pasë vozitë mu, a m’kishe vetë ‘A po tutesh që po të vozitë ky axha, ky plaku?’” Kështu që, u bana edhe shofere në pleqni.

Anita Susuri: Në rregull, nëse doni edhe diçka tash nuk po di…

Igballe Novosella Mehmeti: Nuk di, kom mjaftueshëm, s’po du me hallakatë ma sene tjera (qesh). Ishalla ka dalë…

Anita Susuri: Faleminderit shumë pra edhe për durimin edhe për kohën që na e keni nda.

Igballe Novosella Mehmeti: Faleminderit edhe juve për ftesën.

Anita Susuri: Me nder qofshi.

Download PDF