Pjesa e Dytë
Anita Susuri: Po du, domethonë, po i ofrohemi viteve ‘68 kur kanë qenë demostratat. Ju veç fillut me m’tregu për shoqninë që keni kriju për bisedat, po nëse mundeni me na tregu qysh ka ardhë deri te ajo krejt? Organizimi?
Hasan Abazi: E keni fjalën për ‘68-ten?
Anita Susuri: Po, demostratat.
Hasan Abazi: Atëherë ne u regjistrunëm në fakultet edhe në shkolla t’larta në Prishtinë, dikush në Shkup, dikush në Rijekë, sikur që e thashë pak ma parë. Ni pjesë e tyne me hapjen e Fakultetit Teknik atëherë na që ishim në Prizren erdhëm edhe u regjistrunum në Fakultetin Teknik. Ata që ishin në Lublanë e disa në pjesë tjera, faktikisht fillum në Fakultetin Teknik në ‘67-ten. Vijum studimet. Në vitin ‘68… edhe kshtuqë filloj të njihemi në mes veti, ta zgjenojmë shoqërinë si në Ferizaj me shoktë që i përmenda pak më parë.
Po aty nuk janë kanë vetëm të Shkollës Teknike, tash u zgjenu me përfaqësues të Shkollës Normale edhe shkollave tjera që ishin në Ferizaj. Kështu që u bom ni shoqni pak ma e gjanë në krahasim me atë grupin. Celula kryesore është grupi prej dhetë personave. Unë për shkak se vllau i vogël u regjistru në Fakultetin e Pylltarisë në Shkup, atëherë ishte barra pak e randë për familjen që me na mbajtë te dyve. U hap ni konkurs në termo elektranën e Obliqit. Unë edhe studiojsha edhe fillova të punoj. T’i ndihmoj edhe vetit edhe familjes, në Obliqi.
Kështu që n’atë kohë punojsha në Obiliq, ‘67-’68 dhe i vazhdojsha studimet. Atje krijova ni shoqëri prej 45 vetve sa ishim në teknik e inxhinier në termo elektranë. Filloj aktiviteti për msimin në gjuhën shqipe. Për arsye se tanë kohën aty e kemi pasë nifar’ mësim për turbinat. Thojshin që ‘Nuk ka mundësi të mbahen ligjerata në gjuhën shqipe po duhet vetëm në gjuhën serbo-kroate’. Atëherë në bashkëpunim me disa inxhinier të termo elektranës po edhe na së bashku me koleg tjerë, ngulëm kamë n’atë kohë se ka mundësi të mbahet në gjuhën shqipe.
Kështu që filloj nifar’ greve në termo elektranë dhe arritëm sukses. I nxorëm msimin në gjuhën shqipe në termo elektranë. Krahas ksaj filloj edhe aktiviteti për organizimin e ‘68-tes. Arsyja pse u fillu organizimi i ‘68 ishim proçeset e amandamenteve të cilat ishin ndryshimet kushtetare në Jugosllavi edhe në republika edhe në krahina. Gjithnji ne si student ishim aktiv në kto shkrime dhe në kto biseda me intelektualët edhe të Prishtinës po edhe të tjertë se çka po ngjan me rastin tonë.
Ne e kishim ni bindje se osht’ momenti tash që Kosova të avansohet në republikë dhe të bashkohen edhe trojet tjera shqiptare në Republikën e Kosovës në ish Jugosllavi. Jo mundësia e ndarjes, nuk ka qenë atëherë në pytje. Po kryesisht kjo. Në tona nejat, si në punë, si në fakultet, si në Ferizaj me shokë tjerë, kur u tubojshim faktikisht i diskutojshim kto, kto tema. Kjo temë kryesisht lindi nga studentët, nga grupi i studentëve të Prishtinës. Grupi i vazhdimësisë të bacit Adem Demaçit.
Atëherë u shpërndajshin disa fleta, do si fletushka po edhe niherit u shpërndajke edhe romani Tradhëtia e Kapllan Resulit. Edhe pse ishte e ndalune, atëherë na studentët, brenda natës e lexojshim këtë roman dhe t’nesrit ia dorëzojshim shokut tjetër që ta vazhdojnë. Ishte ni frymëzim i asaj kohe për gjeneratën e studentëve tanë…
Anita Susuri: E kto trakte që po thuni janë shpërnda, kto fletushka çka kanë, çfarë përmbajtje kanë pasë për shembull?
Hasan Abazi: Po edhe në demostrata domethonë ka qenë kjo fletushka e Adil Pirevës ma vonë që e kemi marrë. Se pas shumë debateve që u bonën n’atë kohë edhe kërkesave që Kosova të avansohet në statutin e republikës. Atëherë thjeshtazi politika jugosllave me bashkë burokracinë e politikanëve shqiptarë në Kosovë e heshtën zërin e popullit për avansimin e Kosovës në republikë. Kështu që filloj diskutimet se si, se si të nihet zëri jonë. Ktë s’pari e kanë ba, thashë, grupi i Adem Demaçit, i t’rive të Adem Demaçit.
Dhe atëherë duke biseduar ndërmjet veti ishin të gjithë të bindur se osht’ momenti për ni demostrim që t’nihet zëri jonë në… pasiqë u bllokun, na shtypi kërkesat nga politikanët e tjerë. M’kujtohet me shokët në termo elektranë kur bisedum n’këtë drejtim. Atëherë ishte fjala vetëm për Prishtinë, jo edhe për qendra tjera. Ishim të gjithë t’gatshëm t’i bashkangjitemi ktyne ngjarjeve në Prishtinë. M’kujtohet Gani Graca, Enver Latifi, Bahtiri e tjerë të cilët, Ilaz Pireva… edhe pse me Ilaz Pirevën kemi punu s’bashku në termo elektranë po nuk e kemi ditur që ai osht’ i lidhur drejt për së drejti me grupin e t’rive të Adem Demaçit.
Kështu që unë nuk e kisha ni obligim n’atë kohë. Vetëm të marrë pjesë edhe s’bashku me kolegët t’ju bashkangjesmi që t’bohet sa ma masovike. Me datën 25 nëntor duke u kthyer nga puna, në rrugën që çon kah fakultetet takoj Osman Dumoshin. Osmani po thotë, “O ku jeni ju ferizajlit? Kah qe dy ditë”, thotë, “që ju kërkoj”, “Hajde për hajër koft”, thom, “çka?” Mbas përshëndetjes shkum në byfen e Berishës. Atëherë në Shkollën e Lartë Pedagogjike ka qenë ni byfe e studentëve e qujshim byfeja e Berishës. Me pi nga ni kafe edhe me bisedue.
Në byfe aty bisedunum dhe Osmani e shpalosi atë që thotë, ‘Me datën 23 dhe 24 në shtëpinë time kemi vendosë që përveç Prishtinës të mbahen demostrata edhe në qendra tjera të Kosovës, në mesin e tyre edhe për Ferizaj’. Atëherë unë u gjinda në ni pozitë shumë t’randë për arsye se ishin vetëm dy ditë për demostrata. Po i thom Osmanit, “M’fal, krejt shoktë tjerë kanë shkue për Ferizaj me organizu që ata të vijnë dhe sa ma shumë demostrues në Prishtinë. Tash nuk ka mundësi për m’u bo ni organizim i tillë për dy ditë”.
Gjatë bisedës disa herë me Osmanin ma shpjegoj edhe për parollat t’cilat planifikojmë që të dalin në Prishtinë. E parolla kryesore ishte parolla ‘Vetëvendosje! Kushtetutë!’ Nga Osmani nuk e përmendi republikën por Osmani thotë se, simbas tina, ‘Se republikën do ta thirrin vet demostruesit’. Unë edhe nuk i premtova që do t’mundohna po nuk i premtova për arsye se isha i vetëm. Shokë tjerë të Ferizajit me t’cilët kisha mundësi për me bo ni organizim të tillë ishin në Ferizaj, s’ia disha mendimin e tyre.
Kështu që rashë në nifar’ depresioni t’ranë, e nijta ni barrë t’ranë të, me marrë për dy ditë me ba ni organizim. A me thanë jo, nuk ma thojke zemra as nuk ma thojke shpyrti që t’i thom Osmanit jo. Ai më njoftoj që ka ni organizim edhe në Gjilan edhe në Podujevë. Normalisht në ora 05:00, 15:55, do t’fillon, pesë minuta n’katër, do t’fillon demostrata në Prishtinë.
Thashë, “Për Prishtinë jemi t’gatshëm të gjithë se kemi diskutu me shokët”, të tina dhe të mitë, “në termo elektranë”, se ishin të qasaj gjenerate, “mirëpo për Ferizaj”, thashë, “m’fal, nashta…” tha, “Pavarësisht a muni me organizu a jo”, tha, “mirë kishte me qenën që në mënyrën masovike të vini në Prishtinë. Se osht’ qendra administrative edhe këtu e ka peshën e vet demostrata”. Edhe pse nuk e përjashtojmë mundësia e demostrimit edhe në qendra tjera, po këtu osht’ qendra administrative edhe bon jehonë ma t’madhe”. Kto ishin fjaltë e fundit të Osmanit edhe na u përshëndetëm.
Ai vazhdoj rrugën e unë dola n’rrugë. N’vend se t’vazhdoj rrugën kah banesa ku banojsha, isha kthy në anën e kundërt të rrugës. Po ato kur t’çon zoti kshtu, me thanë, me kry punën atëherë të drejton edhe n’atë drejtim. Posa dola po m’thotë ni ish arsimtar i Shkollës Emin Duraku i Shtimës, Sherif Beqa, “O Hasan”, thotë, “po kah je nisë knena n’këtë anë?” “O Sherif”, thashë, “shumë mirë që t’pashë ty”. Ai në shkollën e Shtimës ka dhanën vizatimin, artin vizatimor. Thashë, “Shumë mirë”, thashë, “që të takova ty”, “Hë?” Thashë, “E kom”, thashë, “ni detyrë, ma kanë dërgu njëni”.
Edhe pse Sherifi e njofke familjen e Dumoshve. Se të gjithë studentët e asaj kohe që kanë studiu ma herët në ni formë kanë pasë përkrahjen e familjes Dumoshi. Kur ia përmenda emrin, se Osman Dumoshi m’ka obligue që t’mirrna me organizimin e demostratës në Ferizaj nëse krijohen kushtet. Thashë, “Tash ti munësh m’i shkru parolla se dy ditë janë n’pytje”. E pashë që u skep pak në atë drejtim. Jo për shkak të frikës ose diçka po tha, “Kem problem për pare”, “Jo”, thashë, “mos ki dert”.
Atë ditë e kisha marrë unë rrogën në termo elektranë timen edhe t’ni far’ shokut Rexhep Rexhepit që banojshim bashku. Kshtu kisha plot pare për m’i ble materialin. Thashë, “Për material nuk ka problem”. Atëherë u drejtunum në Rilindje, shitorja e Rilindjes u kanë dhe ni shitore Prosfeta me ble hamer. Atëherë hameri u kanë ni letër e trashë kur bojshim na vizatim teknik. Se letra tjera s’kishim.
Shkunum me Sherifin. Po t’u shku te anena po m’thotë Sherifi thotë, “Në qoftëse dikush na pytë, i thu që janë në shkollën e lartë pedagogjike t’u përgatitë provimet e po m’vyn me bo vizatimet. Kjo le t’jetë parolla jonë në qoftëse dikush”. Se ajo ishte ni shumë e madhe e parollave me ble. Letra për parolla me ble. Kështu që e morëm në dy librari të asaj kohe në Prishtinë edhe u drejtum në banesën, u kanë në rrugën e Prizrenit numër 36. Në atë far’ banese jo fort e madhe ka qenë tri me katra. Aty kemi filluen me i shkru parollat.
Unë e kom pasë edhe ni cimer, ni Mehdi Salihu edhe i thashë, “A je i gatshëm që t’na ndihmojsh?” Tha, “Çka kom une?” Thashë, “Ti veç duhet të terësh ngjyrën e parollave”. Për arsye se vendi ishte i ngushtë e parollat për mos m’u prishën atëherë u dufke m’i terën…
Anita Susuri: Çfarë parolla keni shkru?
Hasan Abazi: Parollat krye kput parolla që u ka pri u kanë, ‘Vetëvendosje! Kushtetutë!’, shumicën e saj. ‘Dum universitet! Gjuha shqipe t’jetë e barabartë! Poshtë byrokracia!’ të gjitha kto. Veç krye kput parolla kryesore ka qenën, ‘Vetëvendosje! Kushtetutë!’. ‘Lirimi i t’burgosurve politik!’ E tjera, e tjera. Kto kanë qenën parollat kryesore. Deri në ora 05:00 në mëngjes të datës 26 i përfundum 150 parolla në atë kohë me Sherif Beqën. Sherif Beqën e vendosëm në banesën e atij shokut, Rexhep Rexhepi me flejt e unë rash nër parolla qashtu. Parollat përmi e deshta ta boj ni gjum sado kudo t’pushoj pak. Se ishte pak muzgu.
Kah ora 08:00 troket në derë njëri i dytë tash i cili faktikisht ma mundësoj vazhdimin e aktivitetit. Ishte Muhamet Sylejmani Mani, i cili kishte ardhë prej Ferizajit në Prishtinë me pytën se çka ka t’re edhe n’fakultet po edhe me pytë… zakonisht të gjithë që ardhshin prej Ferizajit, ma së pari ardhshin në banesën tonë aty. U takojshim, bisedojshim edhe vazhdojshim me aktivitete tjera. Edhe erdh. Ia çelëm derën, u fut mrena dhe pa parollat, “Çka janë”, tha, “kto? A për Prishtinë janë kto parolla?” Se s’kishte idenë që do t’pregatitën për Ferizaj.
Mas ni kohe duke pi kah ni çaj që na maroj Mehdi Saliu i tregoj thashë, “M’fal”, thashë, “du të tregoj”, thashë, “unë dje e kom marrë për obligim që të organizojmë edhe për Ferizaj demostrata edhe po pres nga ti a je i gatshëm që me m’përkrah se pram kto i kom shkru”. Nuk ia përmenda emrin e Sherifit, gjithnji duke rujtën konfidencialitetin e personit. Pa një pa dy pa asnjë hezitim tha, “Unë jom i gatshëm me të ndihmu edhe me u bo bashkë organizator”, “E”, thashë, “shumë mirë”. Domethonën unë tash mora edhe fuqinë e dytë pas ksaj që u kryjtën parollat.
U terën pjesët edhe menojshim tash se si të shkojmë për Ferizaj. Atëherë ishte para festët 28-29 nëntorit ishte edhe aktiviteti i policisë shumë i ngjeshur. Në çdo cep ishin policia, kontrolle, agjeturat e ish Jugosllavisë dhe ishte pak rrezik m’i bartë parollat prej Prishtinës në Ferizaj. Atëherë mendum se ardhke ni autobus, zakonisht në ora 04:00 pasdite prej Novi Pazarit, pazarit të ri. Dhe me atë shpesh herë na kemi udhëtu prej Ferizaj. Ai shkojke prej Novi Pazarit për Shkup dhe shumica e pasagjerëve ishin musliman të Novi Pazarit. Ashtu ata e thojshin, boshnjakët e Novi Pazarit. Po na e dijmë që prejardhja e tyre ka qenë gjithnji shqiptare po çka t’i bajmë.
Atëherë vendosëm që t’dalim afër spitalit ku nalet zakonisht autobusi. I mbledhëm parollat, i rregullum me anë të gazetës Rilindja dhe ashtu i morëm me Muhametin dhe shkunum në Ferizaj. Gjatë rrugës, ai kondukteri ishte i moshës tonë, e kishte pasë emrin Enver. Mani e pyti tha, “Si e ki emrin?” Tha, “E kom Enver”, tha, “E gëzofsh e paske ni emër t’mirë”. T’u aludu në emrin e Enver Hoxhës. Tani për fatin tonë nuk kishte pasë vende t’lira tjera edhe autobusi nuk u nal. Se na tash ishim në ni antkh mos po hyn naj kontrollë, na i zen parollat. Nuk osht’ problemi që a i zen parollat po ish problemi që nuk kemi mundësi të organizojmë demostratat.
Kah ora 05:00 pasdite mbrrinëm në Ferizaj. Në dyqanin e Muhamet Sylejmanit i vendosëm parollat me nifar’ tunelli. Baba i Muhametit punojke rrobe, posaçërisht xhamada punojshin për qytetarët e moshuar. Po nuk kishin qenë ata prezent aty kshtuqë Muhameti i vendosi parollat derisa të takohemi me shoktë tjerë në Ferizaj. Pasi i vendosëm parollat, u lirum nga ajo barrë. Atëherë fillunum me dalë në qytet. Duke shkuar, ende pa u diskutu kto me shokë tjerë takojshim nxanës, qytetarë posaçërisht Mani i njofke qytetarët e Ferizajit se si vendas edhe si njëri i cili u marrë me zejen e rrobaqepësisë atëherë i njifshin ma shumë qytetarët.
Bisedum, ‘Çka ua merr menja? A jeni për ni demostratë nesër? A na përkrahni?’ Shumica e tyne na përkrahshin po kishte edhe prej tyne që nuk e dishin çka osht’ demostrata. Kështu që ishte ni çashtje për arsye se deri n’atë kohë nuk ka pasë demostrata. Atëherë m’u ka dashtë një grupi prej dy-tre vetve t’ju shpjegoj se cila osht’ demostrata. ‘Kur kemi bo protestë për Vietnam’. Atëherë lufta ishte në Vietnam. Qashtu edhe parolla edhe qashtu kalojmë. ‘E tash p’e dijmë se çka koka demostrata’. Kështu që kah ora 06:00-06:30 në kthinën e Hotel Lubetenit i takonum edhe shoktë tjerë. Do ardhshin ma vonë veç kryesore u tubum na shoktë e celula e organizimit të demostratës në Ferizaj.
Aty ishte Ismet Ramadani, Avdullah Zymberi, Ibrahim Sylejmani, Mustafë Sejdiu, Hajredin Salihu, Beqir Beqiri. Këta ishin faktikisht të vendosun në atë tryezë ku mrrinëm edhe unë edhe Muhamet Sylejmani. Ma vonë kah ora 11:30, nga, Rijeka erdh Hysen Muhaxheri. Student edhe koleg i joni i shkollës teknike. Ai na u bashkangjit në atë mramje. Kështu që aty u vendos definitivisht, pasi i njoftova unë dhe Muhameti që ‘Përveç Prishtinës osht’ bo vendimi që t’bohet organizimi edhe n’qendra tjera’. “Kam marrë si obligim moral, jo obligim obligativ, po obligim moral që të bojmë organizimin edhe në Ferizaj”. I njoftova që osht’ përgatitën parollat, janë pru, janë t’gatshme vetëm duhet t’vendosen në korniza të druve.
Atëherë i pari që e mur’ fjalën ishte Ismet Ramadani i cili tha, “Unë jom”, tha, “për me organizu”, edhe pse ishte vetëm ni ditë. Faktikisht ishte, tashti, me 26 ishte mramja derisa na bisedojshim na faktikisht ajo koha shkojke. Faktikisht ishte vetëm 27 paradite se si m’u bo organizimi. Mas Ismet Ramadanit e mur’ fjalën edhe Avdullah Zymberi po edhe të tjerët edhe në bashkëbisedim të gjithë unanimisht përkrahën organizimin e demostratës me 27. Këtu i dajtëm detyrat se kush çka do t’kryj, obligimet. Si koordinim të punëve mbeta unë, ndërsa referatin për shkrurje e mur’ Ismet Ramadani dhe Avdullah Zymberi. Ata e morën që ta shkrujnë referatin i cili do t’lexohet para demostruesve në qendër të qytetit.
Aty Ismet Ramadani tha se ‘Unë edhe e marrë e shkruj referatin edhe e lexoj para qytetarëve, para demostruesve’. Kështu që ni barrë t’madhe e murr’ Ismet Ramadani, i ndjerë. Këtë shok e kanë vra forcat serbe me datën 25 mars 1999. Faktikisht nga aktivitetet që janë ba t’ma hershme ka qenë n’sy të pushtetit. Për shkollën normale e dajtëm Muhametin, Muhamet Sylejmani e murr’ obligimin edhe Mustafë Sejdiu për shkollën normale. Për shkollën teknike e mora unë dhe Avdullah Zymberi obligim që me mobilizu. Për shkollën ekonomike e morën kolegët e tjerë aty Beqir Beqiri e tjerë. U mur’ përsipër që Beqiri të sjellë letrat për përgatitjen e kornizave në vendin ku do ta caktoj unë.
Unë e mora obligim që ne me gjetë ni banesë, ni vend të cilin e kisha veç synim qysh ma herët. Ka qenën banesa e nifar’ Hasan Salihut në rrugën Zenel Hajdini. Aty e disha që nuk ka t’përzin me qytetarë. Janë kushtet për me grumbullu materialin. Kështu që në ora 12:00 e përfundum mbledhjen dhe të gjithë u vendosëm që ditën e nesërme të shkruhet ni parollë. ‘Vetëvendosje! Kushtetutë! Republikë!’ Ktë e propozoj Hysen Muhaxheri, i cili erdh nga Rijeka dhe tha se ‘Nga Kroacia ka lajme që Kosova duhet ta fitoj republikën’. Prandaj e thotë, “Na duhet të shkrujmë”, unë i thashë se, ‘Këtë sugjerim nuk e kom po do ta thrrasin qytetarët vet’, “Jo”, tha, “ne”, tha, “do ta shkrujmë”.
Atëherë ram dakord që ta përgatitim edhe qat’ parollë e shkrume me ni drrasë, panel që i kanë thanë, iveric n’atë kohë. E shkrujtëm, ‘Vetëvendosje!’ me ngjyrë të kuqe, ‘Kushtetutë! Republikë!’. Ajo parollë iu ka pri demostratave tani me datën e 27 nëntorit. Me 27-tin të gjithë ishin aktiv edhe bashkëorganizatorët, se s’muj t’i la anash bashkëorganizatorët, Enver Ramadanin e shumë koleg tjerë. Të cilët shkollave t’mesme pa hezitim kanë ndihmue në këtë drejtim.
Faktikisht deri në ora 12:00 të ditës janë siguru edhe kornizat e parollave, janë siguru flamujt, flamuri jugosllav, flamuri i partisë dhe nga kafeneja Skenderbeut, ni djalë i shkollës normale me sygjerimin tim ka shku e ka nxjerrë flamurin… se disa kohë ma herët në këtë kafën skënderbeu osht’ qit’ flamuri i vizatum shqiptar dhe nga ajo kohë shkojshim edhe ne si t’ri me kqyrë me vëzhgu përreth asaj kafehane flamurin. Atëherë ishte diçka ende e ndalune, ende nuk ishte pru vendimi që flamuri kombëtarë të valvitet. Kështu që i kemi grumbullu dhe kah ora 02:00 unë si i ri, isha bo pa rru. Thashë, ‘Si muj me dalë para demostruesve, para nxanësve’, se shumica e tyne ishin nxanës, student ‘n’këtë formë’.
Hina te ni berberhane aty edhe po i thom, “A ka mundësi me m’shpejtu për me m’rru se kom nifar’ pune”, për mos m’i tregu për çka ish fjala. Tamon filloj berberi që të asi erdh Ismet Ramadani dhe Avdullah Zymberi edhe n’vesh po m’thojnë se, ‘U alarmu policia edhe komuna. Shpejt duhet të organizohemi se përndryshe dështon organizimi’. Atëherë e kom fshi sapunin dhe jom dalë, e kom gjetë ni kerr. Se çerrja të cilën ne pritshim që t’i bartë parollat duhke me ardhën në ora 14:20, dhjetë minuta para nisjes së demostrimit. Demostrimin e vendosëm ni natë ma herët. Fillon në ora 14:30 dhe përfundon në 15:30. Domethonë për ni orë të t’kem kohë që t’shkojmë për Prishtinë.
Atëherë e kom marrë ni çerre t’parkune, atëherë i kemi thanë ne para modës, dhe ai tha, “Jo se kalin e kom”, çerrja ka qenë e ni fshatit të Reqakut të Shtimës. Thashë, “O’ bre materiali osht’ i lehtë a din edhe unë paguj mirë”, “Sa pagun?” Thashë, “Po 500 dinar”. 500 dinar ishin si me thanë 500 euro. Atij iu dok shuma e madhe edhe e kthej kalin për me shku m’i marrë materialet. Mirëpo ai nuk i grahke kalit se iu dhimke, kali i vet a p’e din. Atëherë u detyrova unë me ia marrë kalin për arsye se kisha përvojë na fëmijëria dhe e shpejtova. E shpejtova çashtjen.
Mbrriva te internati, vendi ku ishin tubu studentët, qytetarë, nxanësit e shkollës t’mesme ekonomike, tregtisë, teknikës, normales. Kto ishin edhe të gjimnazit. Qat’ kohë ni numër sa ka qenë i mundshëm të grumbullohet. Aty m’kujtohet momenti kur i kemi pru si njifar’ hezitimi i qytetarëve. Atëherë kom thirrë shoktë edhe studentë a din që t’i marrin parollat edhe t’fillon marshimi. E kisha qëllimin jo veç unë po edhe shoktë tjerë, organizator që ishim, që sa më parë t’fillon marshimi. T’u e ditë që mujnë me ardhë në çdo moment me na rretheku aty policia edhe tash si fëmijë ka mundësi edhe me u frikësu edhe me dështu ajo.
Kështu që filloj marshimi. E patëm edhe fotografinë e Titës e kemi marrë me qëllim. Që kur e kem fotografinë e Titës nuk na ngucin policia. Kjo ka qenë moda. Ata na thanë ma vonë se, ‘E keni kamoflu ju që keni marrë fotografinë e Titës se ju jeni konë kundra Titës’. Mbas 100 metrave erdh kryetari i komunës, sekretari i partisë e funksionar në polici civile, jo të uniformës dhe na doli n’rrugë. Atëherë Sinan Sahiti ka qenë kryetar i komunës edhe po thotë, “Kjo duhet m’u nalë se kjo osht’ vepër e Rankoviqit”. Atëherë filloj t’u nxen gjakrat, ajo na ndihmoj që edhe ma shumë tash të marrim ni vrull që t’mbrrijmë në qendër të qytetit.
Konfrontimin e patëm aty me udhëheqësijen po ata kur e panë alarmimin e demostruesve u largun nga vendi. Po na kishin qitën përpreken te moda, rruga trekandëshi i rrugës Neredime, Shtime edhe qendër e qytetit. Aty e kishin bo ni kolonë të policisë dhe deri t’mrrijmë te kolona atëherë kom ftu të gjithë shoktë student edhe do ma t’gjatë, kanë qenë do taraba. U thynën tarabat e banesave edhe atëherë filloj konfrontimi nërmjet policisë edhe demostruesve. M’kujtohet që unë me ni koleg dojshim me ia nxjerrë pedrekin ni policit n’dorë po ata p’e lidhshin për dore që s’kishte mundësi. Kolona t’u piskat, ‘Vetëvendosje! Kushtetutë! Republikë!’ mrrijnë në qendër të qytetit, e thyn kordonin e policisë edhe mrrinëm në qendër të qytetit.
Qendra e qytetit faktikisht na e patëm planifiku që Ismet Ramadanit me ia qitën me ni karrocë t’hamamit që t’jetë mbi qytetarë mirëpo ato kishin qenë të lidhura me dry edhe ne nuk patëm mundësi ta nxjerrim atë. E hypëm në ni bankinë të luleve edhe ai filloj ta lexoj referatin aty. Me fillimin e leximit të referatit shkoj deri në gjystë të referatit. Atëherë intervenun policia me gjithë zjarrfikës edhe filloj konfrontimi nërmjet policisë edhe demostruesve. Por na patëm sugjeru demostruesit që njerzit civil që janë mos m’i ngucën, pavarësisht që vijnë. Këta policët civil e shfrytëzojnë rastin edhe mrapa neve vijnë m’gjujnë s’pari mu para policisë edhe zjarrfikësve edhe ma vonë edhe Ismet Ramadanin. Na rrafën policia edhe na lagën kshtu. Po megjithatë demostrimi vazhdoj.
Demostrimi ka vazhdu deri në ora 15:30. Koha… e kishim qëllimin që në ora 15:00 të dalin edhe punëtortë nga uzinat dhe ta shofin, t’i shofin fmitë e vet se çka janë t’u kërku. Nuk kemi dashtë t’i përzijmë punëtortë në demostrata. Me qëllim të rujtjes së tyne se i largojshin nga puna e me largimin e ni punëtori nga puna ishte problem edhe familja. Kështu që tanë kohën me shokë kemi bisedu që mos me pasë t’inkuadrun punëtorë por t’jenë bartës kryesor studentët e Ferizajit, normalisht edhe me nxanësit që janë në Ferizaj.
Kështu që ne në 15:30 në Ferizaj u grumbullu diku ni numër deri pesë mijë demostruesve. Ktë e kanë përcjellën edhe nëpërmjet Radio Ferizajit po edhe njiherit gjatë hetuesisë këtë pytje ma kanë shkru disa herë, “Si mujt ju t’i grumbulloni mrena dy dite pesë mijë vet? Kur ne tre muj ditë për ni miting duhet me bo propagandë e me menzi që i bijmë pesë mijë vet në ni miting?”…
Anita Susuri: E n’demostrata a ka pasë t’plagosun?
Hasan Abazi: Ni… unë sipas meje vajza e cila e ka bajtën fotografinë e Titës i ka mshu ni polic dhe e ka lëndu e tani kolegët e vet kanë çu deri në ambullantë. Ma vonë kom ndëgju që ka pasën kshtu të lëndun prej demostruesve po për shkak të situatës burgosjes nuk janë lajmëru. Ndërsa polic ka pasë edhe zjarrfikës të lëndun. Ka pasë edhe dame materiale.