Faik Bllata

Vushtrri | Date: 27 korrik, 2021 | Duration: 113 minuta

Neve [Radio] Televizioni i Prishtinës na dha lajmin që minatortë kanë hy në zgafellë. Une me shumë mjekë, me doktor Ademin, me plot mjekë. Ka pasë edhe mjekë që ka pasë Trepça të vet atje. E maj mend ditën e parë kom shku, kemi zbritë me lift në horizontet e Trepçës. Nuk osht’ ndjenjë e mirë me hi në lift, me zbrit 700-800-900 metra poshtë në zgafellë. Mirëpo, gjithë e kisha në mendje me shku me ju ndihmu atyne minatorëve. Unë kom qenë mjek i punëtorëve në vitet ‘80, e tanë minatortë më njofshin. U gëzunë shumë. Mora ni çantë barna, [siç] ju thashë që në atë kohë kanë qenë barnat pa pare edhe kontrollimet e krejt. Rezervumë barna të mjaftueshme, antibiotik kundër temperaturës, kundra kollit, kundra vjelljes, kundra helmimit. Edhe me çantë plotë barna i kom kontrollue. Po ditët e para, dy-tri ditët e para nuk ka pasë probleme shëndetësore. […] Vlen me cekë, osht’ shumë interesant, shumë minatorë kur gjendja e tyre shëndetësore osht’ keqësu, kur i kemi thanë që duhet gjithsesi me dalë prej minierës, ata s’kanë dashtë. Kanë thanë, ‘Veç i vdekun. Katër vetë munën me m’qitë e me më nda prej shokëve që janë grevistë.’


Anita Susuri (intervistuesja), Korab Krasniqi (Intervistuesi), Besarta Breznica (Kamera)

Faik Bllata u lind në vitin 1951 në fshatin Rashan, komuna e Mitrovicës. Diplomoi nga Fakulteti i Mjekësisë në Universitetin e Prishtinës në vitin 1981, dhe specializoi në vitin 1987 në Universitetin e Zagrebit. Nga viti 1981 deri në vitin 1992, punoi si mjek në spitalin e Mitrovicës. Pas largimit nga puna në vitet ‘90, Z. Bllata punoi në një ordinancë private. Pas luftës në vitin 1999 është kthyer në spitalin e Mitrovicës, ku vazhdoi profesionin e tij deri në vitin 2016. Zotëri Bllata tani punon dhe jeton më familjen e tij në Vushtrri.

Faik Bllata

Pjesa e Parë

Anita Susuri: Zotëri Faik, nëse mundeni me u prezantu, datën, vitin e lindjes, vendin, prejardhjen e juj? Diçka për familjen, fëmijërinë?

Faik Bllata: Unë jam Faik Bllata prej fshatit Rashan i lindur më 30.8.1851. Shkollën fillore e kom fillue si nëntë-vjeçar në fshatin Rashan. Pastaj, gjimnazin në Vushtrri. Fakultetin në Prishtinë dhe specializimin në Zagreb. Si fëmi jam rritë në ni familje atdhedashëse, arsimdashëse, sepse baba jem, lula të xhenetit ju boftë, i ka shkollue tre djem të mixhës e tre neve. Vllaun e madh e kom pasë inxhinier të elektroteknikës, une mjek, vllain e vogël kryetar gjygji, jurist i diplomum. E maj në mend kur baba në ditë të ramazanit ka shitë dru dy herë për me na shkollu.

Gjyshi jem, Xhemajl Bllata, ka marrë pjesë në luftën e Novi Pazarit me Shaban Polluzhën. Në vitin 1943 vlen me cekë që Xhemajli i ka strehue dymdhetë hebrenjë deri 1945-tën osht’ kulla jonë në Reshan, guri i punum me yllin e Davidit për hirë të atyne hebrenjëve. Vitin 1981 demostratat u plagosën shumë demostrues edhe në Mitrovicë na mjektë i kemi shërue nëpër shpija. Nuk kanë guxu me u lajmërue për shkak të regjimit edhe e kemi pasë bukur fshtirë, mirëpo ia kemi dalë. Në vitin 1988 filloi me ardhjen e Milloshit, Sllobodan Millosheviçit në krye të shtetit të Serbisë, fillunë represaljet e mdhaja dhe u pregatitë tereni për sigurimin e autonomisë. Pat’ shumë protesta, pat’ shumë demostrata.

E mbaj n’mend kur na erdhën dymdhetë të plagosun shumë randë, punojshim në tri salla na mjektë shqiptarë. Për çudi të madhe kishim mjekë kirurga serbë, asnji prej tyre nuk u ofru në sallën e operacionit me iu dhanë ndihmë pacientave. Katër na vdiqën, dy gjatë pritjes për me ardhë në operacion, dy në operacion, derisa demostruesit e tjerë i shpëtum. Kjo ka qenë ngjarje shumë e randë për neve, shumë e vështirë. Pastaj…

Anita Susuri: Po du pak me u kthy derisa arrijmë tek këto ngjarjet. Dashta me u nalë edhe te shkollimi juj. Na tregutë domethonë që baba ka punu edhe në çfarëdo mënyre osht’ mundu që me iu shkollu juve, po qysh ka qenë kjo rruga e shkollimit të juj? Domethonë, keni jetu në Vushtrri, a keni ardhë mas ni kohe, a qysh ka qenë?

Faik Bllata: Jo, kemi udhëtu, kemi udhëtu prej fshatit Rashan. Ni orë e gjysë osht’ rruga e gjatë, dimën, borë, shi, mjegull, kushte të vështira. Mirëpo, vullneti i madh edhe qëllimi jonë mos me ia hup munimin babës na ka ndihmue me krye edhe shkollën fillore edhe të mesmën. Në atë kohë ka qenë shpërblimi me krejt pesshe, pastaj edhe fakultetin. Mirëpo, ia kemi dalë. Nuk u konë lehtë ajo punë.

Anita Susuri: Familja juj, a ka qenë ma në za ose e njohun për atë vend?

Faik Bllata: Familja jonë, familja jonë ka qenë e përmendur se kanë punue shumë me bujqësi, kemi pasë shumë tokë, shumë ara, shumë livadhe, shumë mal edhe i kemi pasë tona të mirat. Ka qenë çerdhe e partizanëve. E shumë vetë kanë thanë që… edhe ma vonë kur kom msu une që… kanë thanë, “Murselin”, babën tem, “e kena pasë magje”. Osht’ ni fjali që i jep kuptim, për shembull prej magjës ti e merr bukën e gatun. Me thanë na, “Familjen e juj na e kena pasë magje. Kurdo që ka pasë nevojë na kanë dalë në ndihmë”.

Anita Susuri: Më tregutë edhe për hebrenjtë që i kanë strehu gjatë Luftës së Dytë Botërore, a keni pasë tani kontakt? A dini diçka për këto familje?

Faik Bllata: Ma vonë kom marrë vesh, ma vonë m’ka kallxue baba edhe aty rasisht se në atë kohë s’kanë guxu me thanë që… ata kanë ardhë, nja gjashtë muj ditë nuk kanë dalë prej shpisë hiç, derisa e kanë msu gjuhën shqipe. Gratë e tyne janë solidarizue shumë me gratë tona, me nanën tem e kta që janë kanë edhe kanë gatue, janë msu me qit’ flia. Masandej mashkujt janë dalë me korrë. Kur i kanë pytë njerëzit, “Kush janë këta?” Kanë thanë, “Dajtë”, se baba jem dajtë Mihaliqit, “Janë dajtë e Mihaliqit këtu, po na nimojnë”.

Anita Susuri: E ata hebrenjtë prej kah kanë ardhë ata? Kanë qenë vendas të vendit përreth a?

Faik Bllata: Jo, hebrenjë ka pasë shumë Kosova. Kanë strehue shumë. Mirëpo, kur i kanë pytë në Vushtrri, “Kush mundet”, se ata tre vllazni ishin kanë, “kush mundet kësaj familje m’i dale në ndihmë?” I kanë thanë që, “Pos te Xhemajl Bllata e ka mundësinë, e ka vendin, e ka odën, e ka shpija boll. E atje munden me ju dhanë ndihmë edhe me ju strehue”.

Anita Susuri: E, se po m’duket shumë interesante kjo pjesë e familjes të juj. A ju kujtohet juve qajo shpija qysh u konë si fëmi? A e kujtoni shpinë e babës të juj?

Faik Bllata: Oda, oda osht’ hala. Ma vonë ua tregoj në telefon. Oda hala ekziston e shpijat… ka qenë shumë odë e bukur, odë shumë e madhe edhe e punume. Veç gurin e oxhakut kur e kanë punue, ni mjeshtër dibran baba m’ka thanë që ka bo 18 ditë derisa e ka punu. Ai ka bujtë te na, ka nejtë edhe ka punue ditën derisa ka ra me flejt për me e ba qat’… kanë qenë të interesum për qat’ guri të oxhakut që e ka yllin e Davidit. Kanë qenë të interesum do shoqata hebrenje, shqiptare-hebrenje edhe kanë ardhë e kanë marrë intervistën prej meje. Unë thashë, ata janë qaq shumë janë bo të afërm sa edhe në mal edhe në ata edhe krejt kanë punue me babën teme e me mixhën tem.

Anita Susuri: E deshta tash me folë pak që e thashë edhe ma herët shkollimin e juj. Shkollën e mesme e keni përfundu…

Faik Bllata: Në Vushtrri.

Anita Susuri: Në Vushtrri. Qysh ka qenë qajo periudhë për juve? Kanë qenë vitet e ‘60-ta, jo, të ‘70-ta.

Faik Bllata: ‘68 deri në ‘72-tën shkollën e mesme. Po…

Anita Susuri: A ju kujtohet ajo periudhë kur kanë qenë demostratat?

Faik Bllata: Po, po, po. Kemi dalë edhe na nxansat, kanë dalë edhe profesorat. Na si të ri nuk e dishim shumë domethanien po ishim shumë të gzum. Në ‘68-ën une veç në klasën e parë në gjimnaz edhe kemi ikë prej shkollës nëpër shesh kemi defilu edhe ishim shumë të gzum që diçka po mujmë bojmë edhe na.

Anita Susuri: Qysh ka qenë qajo dita? A ka pasë dhunë prej policisë, a ka pasë…

Faik Bllata: Jo. Jo, te na në shkollë nuk ka pasë, te nxansat nuk ka pasë. Unë s’e di, mirëpo te nxansat jo.

Anita Susuri: Tjetër qysh ka kalu qajo periudhë? Domethonë, ‘74-tën ka qenë edhe kushtetuta…

Faik Bllata: Kushtetuta.

Anita Susuri: Që ka ndryshu, që u bo ni periudhë ma e mirë për Kosovën n’atë kohë, e qysh e keni pa ju?

Faik Bllata: Po prej ‘68-ën meniherë mas demostratave pak u përmirësu gjendja edhe politike edhe e përgjithshme në Kosovë. ‘74-tën veç kushtetuta u aprovue në njifarë kuptimi edhe rrethane, gati u barazue me republikat tjera, në atë kohë Krahina Autonome e Kosovës. Edhe nuk ka pasë nevojë Serbinë me pytë. Trepça, për shembull, akumullatorat kur i eksportojshin nëpër Rusi e nëpër shtete tjera, që ka qenë fabrika e akumullatorëve në Trepçë shumë e njoftun. Nuk i kanë pytë Serbinë hiç për ato kontrata që i kanë bo edhe morëm frymë lirisht.

Anita Susuri: Pastaj ju fakultetin e keni përfundu në Prishtinë.

Faik Bllata: Fakultetin në Prishtinë.

Anita Susuri: E qysh ka qenë qajo prej ni vendi, prej ni fshati, prej rrethinës të Vushtrrisë me shku në Prishtinë? Keni banu sigurisht.

Faik Bllata: Kemi banu në Prishtinë.

Anita Susuri: E qysh ka qenë atëherë Prishtina, jeta juj si student, qyteti qysh u konë?

Faik Bllata: Banojshim në banesë private. Vitin e parë kom qenë vet në banesë, e vitin e dytë pastaj me vlla, se ai Fakultetin Juridik. Prishtina n’atë kohë ka qenë e vogël, mirëpo qëllimin kryesor, cakun e kishim me kry fakultetin. Çdo vjet e kom regjistru vitin vijues qysh në shtator. E dishim për çka po shkojmë. Baba jonë ndjesë pasë, shkitë ma kanë vra babën, ka dhanë shumë edhe kemi pasë gjithmonë të holla mjaft. Nuk kemi hjekë kurgjo keq për shkollim edhe librat e krejt. Po vlen me cekë që, deri në vitin e tretë në Fakultet të Mjeksisë, shumicën e profesorave i kemi pasë të Beogradit. E tash merre me mend sa osht’ dashtë me msu.

Gjuhën serbishte shumë pak e kom ditë, u dufke me lexu. Sa u dufke me ditë shumë për me mujtë me marrë ni notë kaluse, para po e nxajmë… para ni profesori me renome evropiane i Serbisë. Nifarë Beshkoviçi që prej librit të tij mësojshim anatomi. Isha ulun me dy serbë, une në mes. Edhe pyetjet që ata s’i dishin, unë i dijsha. Edhe a din çka në fund? Mu ma qiti shtatshe edhe pse në ni moment ia shajti edhe nanën edhe zotin, tha, “Ky menzi, po belbëzon serbisht e po din ma mirë se juve”. Mu në fund ma dha shtatëshe, atyne nantëshe. Veç e kqyra, thashë, “Bravo, profesor!” U skuq. Mirëpo, qajo. E ma vonë tanaj kemi pasë edhe profesora të Shqipnisë prej vitit të katërt e deri të pestin ma i kemi pasë profesorat tonë.

Anita Susuri: Qysh ka qenë dallimi, çka ka qenë, për shembull profesorat e Shqipnisë? A jeni ndje ma të lirë, a jeni gzu që i keni profesora në gjuhë amëtare?

Faik Bllata: Ajo kohë ka qenë kohë kur për Shqipni na ishim në gjendje me dhanë edhe jetën. E dëgjojshim Radio Kuksin msheftas edhe na u gëzojshim, u kënaqshim. Kur na kanë ardhë profesorat e Shqipnisë, atëherë ne jemi gëzu shumë. E kanë pasë ni afërsi shumë të madhe me neve edhe na i kemi dashtë. Edhe ata kanë qenë shumë të kënaqun me punën tonë edhe me dijen tonë edhe në provime kur u pytshim ata u gëzojshin shumë. Na tërhiqke ajo me mësu shumë te ata profesora.

Anita Susuri: A ka pasë ndoshta edhe ndonjë këshillë ose që kanë bisedu me juve për gjendjen politike të vendit të tyre, por edhe të vendit, të Jugosllavisë? Çka kanë folë ata? A ju kujtohet juve?

Faik Bllata: Ka pasë shumë profesora, por në masë nuk kanë folë kur ishim shumë studenta. Por kur kemi qenë, më kujtohet në dy-tri raste kur kemi qenë dy-tre studenta kemi pasë qef me dalë me pi ni kafe ose me hangër ni drekë e aty janë çelë krejt. Aty kanë thanë, “Po na dhimni në çfarë sistemi po mësoni”. Po unë një here u bona pak i keq se ju thashë, “Po kjo krejt falë juve”. “Qysh?” tha. Thashë, “Po na jemi si jetima, na gjithmonë kena thanë nana Shqipni. Ju na keni lanë me na marrë Serbia në dorë kur keni mujtë edhe gjatë luftës edhe mas luftës mos me hekë dorë prej neve”, thashë, “na jena të vegjël e të pafuqishëm me mujtë me iu kundërvu regjimit të ish-Jugosllavisë”. S’u konë veç Serbia në atë kohë, po u konë krejt Jugosllavia. Kërkush nuk na ka dashtë. Ma në fund e pranoi që osht’ realiteti qashtu.

Anita Susuri: Po krahas kësaj që jeni koncentru në studim shumë. Po po du me ju pytë pak për jetën kulturore, argëtuese qysh ka qenë? A keni, a ka pasë atëherë teatër? Kinema?

Faik Bllata: Ka pasë. Në kinema kemi shku shpesh me vlla. Por, çka u konë atëherë ma mirë sesa tash, ka qenë korzoja. Ka qenë knaqësi e madhe kur kemi dalë në korzë. Në mramje gjithmonë e lejshim ni orë, dy orë me shëtitë. Edhe tash kur të dalim me vlla këtu në Vushtrri, prej tjetrës anë vijnë herë njanën anë, ti duhesh me ia lshu rrugën. Atëherë ka qenë reni, kur ke shku në të djathtë asnjë s’ta ka pre rrugën, reni tjetër, na kemi shku knej. Tash nuk ka ma, ka qenë kënaqësi e madhe. Në filma kemi shku shumë, por edhe teatër ka pasë. Ka qenë ni jetë shumë e mirë kulturore edhe zbavitëse edhe në atë kohë ke ndje kënaqësi të madhe.

Anita Susuri: Çfarë filma janë shiku në atë kohë ma shumë? Çfarë filma kanë qenë?

Faik Bllata: Ma shumë ka pasë filma Western. Filma shqip vonë kanë dalë “Era dhe Lisi”, “Lepuri me pesë kambë”. Do filma, mirëpo ata në teatër ma pak janë shfaqë. Po filmat Italian, filma lloje të ndryshme.

Anita Susuri: Pasi keni diplomu keni vazhdu me punu prej shpije?

Faik Bllata: Jo, jo. Une bursën e kom pasë prej Obiliqit, pesë vjet. E kanë qenë shumë solidarë. Gjithmonë ua kam ditë për faleminderit, sepse sipas rregullave unë kam dashtë me punu në Obiliq pesë vjet për aq kohë sa më kanë dhanë bursën. Mirëpo, ata më kanë lejue për shkak të largësisë, për shkak të nevojave të mdhaja në Mitrovicë se atëherë në vitet e ‘80-a ka pasë pak mjekë shqiptarë. Edhe më kanë lejue pa iu kthye kurfarë shpërblimi edhe i kom falënderue gjithmonë. E në Mitrovicë kom punue deri në vitin 1992 kur masat e dhunshme… na erdh vendimi, po e nxojmë nëse Korabi [intervistuesi] osht’ pacient, unë po e boj operacion, vizitë me folë serbisht, fletlëshimin me ia lshu serbisht. U konë ni Aca Belloviqi, e kishim shef të dhunshëm edhe ia kom rropllue tavolinën, kom thonë, “Jo, Aca Belloviqi, s’ka me ta mrri ymri ty kurrë me vlla tem me më shti me folë serbisht”. Për pesë minuta ma ka lëshu vendimin m’ka qitë prej pune.

Anita Susuri: Po paraprakisht nuk e dita qysh keni marrë vendim me u bo mjek, me e zgjedhë këtë profesion?

Faik Bllata: Sa mirë. Çfarë pytje e mirë! Kisha harrue gjithmonë. Kur kom qenë në klasën e shtatë fillore në Reshan, ish kohë e verës, baba u smu iu nxon fyti, iu aj fyti edhe me kerr të kuajve me çu deri në Mitrovicë. Në Mitrovicë nuk guxojnë me intervenu. Tani ma vonë e kom marrë vesh që e ka pasë ni abces, ni qelb të madh mrena në gojë. Në Prishtinë bojnë intervenim mjektë e fytit, të hunës edhe të veshit edhe ai shërohet. Kur neve në klasën e tetë që dojshim me krye na dhanë ni hartim, tash po i thojnë ese, “Çka don me u ba, çka don me shku në shkollë të mesme?” E unë aty kom thanë, “Do ta kryj gjimnazin, do të regjistrohna në Fakultetin e Mjekësisë por do t’bohem kirurg me shpëtu jetë të njerëzve qysh ma kanë pshtu mu mjektë babën”.

Anita Susuri: Ju ka lonë përshtypje…

Faik Bllata: Shumë. Domethonë, prej atëhershit unë e kom ditë cakun çka duhet me ba, ku duhet me mrri.

Anita Susuri: Pastaj domethonë diplomimi edhe kur e keni pasë diplomimin a ka qenë, si me thanë, e rezervume puna që thatë, po pastaj qysh keni marrë vendim me mbetë këtu e mos me shku në Prishtinë me u angazhu?

Faik Bllata: Une në atë kohë… se në vitin 1977 na kemi ardhë prej Reshanit këtu, masi e kisha ngat Mitrovicën, Vushtrrinë e kisha ma ngat, po kisha qef në Mitrovicë me jetu se unë jom në komunën e Mitrovicës, fshati im bën pjesë në komunën e Mitrovicës. E kisha qef atje me punu, sikur sot që kom diplomu të nesërmen ia kom nisë punës në Mitrovicë. Domethonë, pa konkurs se kanë pasë nevojë shumë të madhe. Në atë kohë ish drejtor i madhi profesor Sami Haxhibeqiri, që falë tina struktura e të punësumve u përmirësu dukshëm, se kanë qenë serbë në raport katër me ni me shqiptarë. Gjatë detyrës tina si drejtor arriti me bo dy me ni në favor të shqiptarëve strukturën e të punësuarve me motra, me mjekë, me krejt.

Anita Susuri: Fillutë me më tregu për demostratat e vitit ‘81 edhe për njerëzit që kanë ardhë për me u shëru. Po domethonë, ju privatisht i keni shëru ata po?

Faik Bllata: Shumicën e rasteve plagosjet në kamë, në durë, diku ku nuk ka rrokë ndonjë organ vital i kemi shëru nëpër shpija. Kanë qenë njerëzit të caktumë të Lidhjes Demokratike që i kanë gjetë njerëzit i kanë shënu edhe i kanë ditë shpijat ku janë të plagosun. E na kena shku nëpër shpija i kena shëru, se përndryshe ata kishin përfundu në burg. Kemi pasë nja, ma shumë se 25 raste të plagosun që i kemi shëru nëpër shpia.

Anita Susuri: Qysh kanë qenë krejt qato ditë? Qysh ka qenë? A ka qenë disa ditë? Po cilat kanë qenë rastet ma të kqija, ma të zorshme për juve, ma sfiduse? Duke pasë parasysh edhe që ka qenë, domethonë nifarë mënyre ilegale kjo se ata vetën e shpallin irredentist.

Faik Bllata: Ka qenë këtu… po sigurisht… këtu ka qenë vetëm ni e mirë e Zotit që në atë kohë shërbimet mjekësore kanë qenë falë në spital. Barnat kanë qenë falë në barnatore me përshkrimin në receta. E na i organizum njerëzit që edhe që s’janë hiç smutë me ardhë me u kontrollu, e qato barna që ia shkrujshim antibiotik, injeksione kundër dhimbjes, kundër helmimit, për shembull tetabolin me dhanë doza kundër helmimit të gjakut. Shkrum me bollëk dhe e kishim vendin ku u rezervojshin. Qajo ka qenë e mirë, se me kanë si sot që pacienti duhet m’i ble barnat kish me qenë katastrofale.

Mirëpo, qajo neve na ka ndihmu shumë gjithmonë se kemi mujtë me recept. Ni, dy, tre, pesë herë me ardhë ti me ni librezë tjetër. Për shembull, ardhshe ti për kontrollim. Thojsha, “Merre ti ni librezë ose dy libreza tjera edhe vjen” e i shënojshim edhe deponojshim barnat që… po nuk ka qenë qaq shumë stresuese për neve sa ka qenë entuziazëm i madh me mujtë me i ndihmu ni të plagosuri prej regjimit serb me i ndihmue në dy aspekte. Në aspektin e parë ish me i ndihmue me shëru qatë plagë, po ish ma madhore mos me përfundu ai në burg. Domethonë, nuk pritojshim kurrë hiç. Ka ndodhë deri në 1:00 të natës jom konë në teren nëpër shpija të plagosurve.

Anita Susuri: A keni pasë edhe ju ndoshta vizita prej policisë ose me ju marrë në pytje? Ose dikush që e njihni ju që e kanë marrë në pytje, mjekë?

Faik Bllata: Ma vonë, ‘89-tën po. ‘89-tën, po. Kanë qenë do, s’po du m’i cekë, do shqiptarë që kanë punue në UDB, s’po di qysh m’i thanë shqip, nifarë regjimi. Edhe, po, fatmirësisht se njani e ka ditë krejt, fatmirësisht që djali i ka bo ndeshje komunikacioni. Jom konë kujdestar në ‘88-ën në spital, si kirurg, ia kom bo djalin operacion ju ka ça shpretka, i ka pshtu. U ardhë në zyre ‘89-tën mas qatyne të plagosunve, që thashë të vramë shumë edhe i kom thonë, “Kujtoje veç pak djalin e tani mu merrëm në pytje”. Kanë thanë shumë që nuk kanë zemër për ata që kanë punu në atë regjim. Mirëpo, unë ia kom pa lotë kur i kanë dalë kur i kom thanë, “Ti edhe munësh me më burgosë”, s’po ia përmendi emrin as djalit të lëndum, as atij personi. Por, i kom thanë, “Si të shkojsh te shpija, tregoji djalit që ta kom burgosë mjekun që të ka shpëtue”. Me kry ulun me lotë ka dalë jashtë.

Anita Susuri: Deshta me folë për periudhën e viteve pas vitit ‘81, për krejt ato që kanë ndodhë, domethonë, diferencimet, dhuna ma e ashpërsume. Ju si mjek, si ka qenë jeta juj në qatë kohë? A ka pasë shumë raste që i keni mjeku që keni dëgju që i ka malltretu policia ose regjimi në atë periudhë? Si e keni përjetu qit’ kohë?

Faik Bllata: Fati ma i madh i Mitrovicës me rrethinë ka qenë ky, në atë kohë kryetar komune ka qenë Shahin Bajgora. Ma s’lehti prej diferencimeve edhe prej malltretimeve ka pshtu Mitrovica. Mu më kujtohet që forcat e armatosura, njësitë speciale të Serbisë edhe të ish-Jugosllavisë kanë ardhë mas pesë-gjashtë dite kur fillunë protestat, demostratat e ‘81-tës. Shahin Bajgora, qata policë ju tha, “Mu s’më nevojiten ma këtu policë, unë jom Zot shtëpie këtu”. I ka çu në Zubin Potok.

Mas dy javë dite kanë ardhë serbtë e Zubin Potokut para komunës kanë bo protestë që me i largue policinë, ato njësitet speciale prej Zubin Potokut. Shahin Bajgora i ka thanë, “I keni lypë, ju rrini atje, le të rrijnë. Vetëm nëse vendosë Jugosllavia me ua tërheqë, se unë s’muj me ua tërheqë”. E për qata ka qenë fat i madh që e ka pasë ni kryetar Mitrovica shumë patriot, ka dhanë kontribute shumë të mdhaja edhe s’i ka lanë shumë me u përzie në punën e tij. Për të burgosun ka pasë mjaft me emra nuk më kujtohen. Mirëpo, fatmirësisht këta pacienta që na i kemi shërue ilegalisht asnjë nuk ka ra në dorë të regjimit.

Anita Susuri: Eh, atëherë nëpër burgje po më intereson kjo kur i kanë malltretu njerëzit, a kanë pasë ata mjekë aty, a kush i ka kontrollu? Sigurisht prej regjimit kanë qenë të caktum.

Faik Bllata: Ka ndodhë kur ju ka keqësu gjendja shumë ndonjë të burgosuri dhe i kanë pru në spital të përcjellun me policë. E një rast po më kujtohet shumë, po ka pasë edhe tjerë. E kanë pru me pranga edhe unë iu kom thanë policëve, “Hiqnjani prangat!” “Jo nuk guxojmë se osht’ i rrezikshëm”, “Unë si mjek nuk më lejon etika mjekësore me kontrollue pacientin e lidhun. Derisa të osht’ në ordinancë teme ju garantoj që s’ka me ikë as s’ka me bo kurgjo hiç”. Qato raste kanë qenë të tmerrshme. Mirëpo, i kemi tejkalue.

Anita Susuri: Po du me më folë tash për ni pjesë tjetër të biografisë të juj, jeta familjare, takimi me bashkëshoren, krijimi i familjes? Kur ka ndodhë?

Faik Bllata: Nja pesë vjet e kom shty martesën veç që kom lypë ni vajzë me te tana të mirat, por kur e pashë që me krejt tanat s’muj me gjetë, vendosa me marrë ni çikë të Vinarcit. Ka qenë shumë interesant. Unë jepsha mësim në medicinë në atë kohë, vitet ‘82-tën, ‘81-tën edhe ‘82-tën. Erdh ni çikë me ni nxanëse me i marrë do barna edhe i kish pasë floktë e gjata. Ni prej kushteve që ka dashtë me kanë për me hy unë në bisedë, sikur me runda me kanë në rundin e parë, ka dashtë m’i pasë floktë e gjata. Edhe po i thom, “I paske floktë e gjata”, asaj çikës, asaj nxanësës. “Uh”, tha, “motra jeme i ka hala ma të gjata”, thashë, “Çka po thu bre? A muna me pa çka osht’?” Thotë, “Osht’ studente e gjuhës shqipe”. “A muna me pa?” Thotë, “Po”. Kur e kom pa, floktë deri në gjunjë. Edhe ajo ka qenë runda e parë që kemi bisedu.

Ato motrat medicionale që punojshin që e pashin që ardhke te une, “Faik, qita me marrë gjithqysh”. E në ‘83-tën kemi bo ni dasmë shumë të madhe, diku në atë kohë 106 kerre kanë shku në Vinarc edhe këtu në bashçe, se s’janë kanë këto shpijat, kanë qenë, e kena organizu në bashçe dasmën edhe e mora. Ma vonë tani e kryjti edhe fakultetin, punon si arsimtare këtu në Vushtrri. I ka edhe nja tri vjet me dalë në penzion. I kemi katër fëmi, dy djem e dy çika.

Anita Susuri: Me çka merren ata?

Faik Bllata: Djali madh osht’ specialist i syve, kur kanë pasë gara në gjimnaz kur e ka kry gjimnazin gara republikane në Kosovë, ai e ka nxanë vendin e parë në Gjilan në krejt Kosovën. Kanë dashtë, kur ka qenë, se në tana qytetet e Evropës ka qenë kah ni muj, kah dy muj mas specializimit. Në Londër ka qenë dy muj. M’ka thirrë në telefon, “Babi, po më lutin m’u ndalë”. Se e din anglishtën, e din gjermanishtën, e din spanjollishtën. “Po më lusin m’u nalë me punu këtu”, “Jo djali jem, hajde ktu”. Edhe ka ardhë. Punon në ni klinikë në Prishtinë e ka ordinancën edhe këtu qitu ni shpi ma poshtë se e jemja. E ka ni djalë dy vjeç e tre muj. Gruja i punon në Ministri të Punëve të Jashtme, osht’ si menaxhere e prokurimit a s’po di tamon saktë.

Çika e madhe e ka Fakultetin Juridik, e ka edhe masterin. Punon menaxhere e prokurimit në spital në Vushtrri. Djali i madh e ka Fakultetin e Fiskulturës, gjashtë vjet priti për punë. Çika jem e madhja ka prit 15 vjet për punë edhe s’e ka pasë kush gajle me u bazu në kontributin tim që e kom dhanë tanë kohën edhe para luftës edhe gjatë luftës edhe para luftës. Po mas 15 vjete u punësu. E djali shkoi, u njoftu me ni vajzë atje shqiptare në Cyrih në Zvicërr, aty osht’ martu. Çika e vogël osht’ me fakultet ekonomik, punon ni bankë këtu në Vushtrri, i ka ni çikë e tre djem. Çika e madhe e ka veç ni djalë. Kjo osht’ familja jeme.

Anita Susuri: Ju thatë që specializimin e keni bo në Kroaci…

Faik Bllata: Në Zagreb.

Anita Susuri: Kur e keni bo edhe qysh ka qenë kjo?

Faik Bllata: Në ‘86-tën specializimin në Zagreb. Me tregu diçka shumë interesant. Profesorat në Zagreb u gzojshin kur na shkojshim në specializim atje, kroat. Ni profesor Sillo Brqiqi me siguri nuk osht’ gjallë se u konë para penzionit, më ndajti edhe m’tha, “Faik” tha, “qita të katërit janë serbë. Ruju prej tyne”. Të nesërmen ni kirurg serb më pyti, “Pse s’jeni nalë në Beograd me specializu, po kaq larg jeni ardhë në Zagreb”, ju thashë, “Veç tu iu rujtë malltretimeve, tu iu rujtë provokimeve”, “Po qysh, në Beograd osht’ shteti ku boni pjesë edhe ju?” Thashë, “Jo, na jemi Kosovë. Na nuk bojmë pjesë”. I ka ardhë shumë rondë. E kom ni ka shanë nërmjet veti, kështu vet me veti edhe osht’ largu. Domethonë, trajtimi jonë në Zagreb ka qenë jashtëzakonisht i mirë.

Atje mëngjesin e bojshin motrat, e kanë pasë pauzën nja gjysë ore, e kanë pasë kuzhinën edhe gjithmonë më kanë thirrë me ta me iu bashkangjitë në mëngjes. Domethonë, kemi qenë shumë të mirëpritur. Edhe në operacione na kanë shpjegu shumë, aty kom mësu shumë gjana. Raste që ne nuk i kemi pasë. Po edhe mjetet [e punës] të mira. Skalperin që e bon ni operacion, ata ni operacion edhe e gjujshin. E i thashë ni motrës kryesore, “Qita skalpera që po i hupni mledhni ni tegull shtini e i çoj në Kosovë”. I erdh shumë rondë, tha, “Pse?” Thashë, “Se na i sterilizojmë shtatë-tetë herë deri në dhetë operacione i bojmë me nji, se na nuk kemi”. E atje i kanë pasë te tonat edhe aparaturën edhe mjektë. Ka ndodhë operacioni me zgjatë tetë orë e dhetë orë e… se prej tona qendrave ka qenë qendër Zagrebi prej ish-Jugusllavisë shumica e pacientëve janë shku atje.

Anita Susuri: Cilin vit e keni përfundu?

Faik Bllata: ‘87-ën e kom kry specializimin edhe jom kthye meniherë të nesërmen. Se n’atë kohë spitali t’ka çu në specializim edhe s’ke pasë nevojë hiç sikur tash, për shembull, mjektë m’dhimën shumë. E kryn specializimin ka nevojë shumë për mjek edhe presin me muj të tanë deri të punësohet. E atëherë na e kemi pasë punën tonë. Sikur sot e kom kry specializimin jom ardhë në shpi, të nesërmen ia kom nisë punës si specialist.

Pjesa e Dytë

Anita Susuri: Dashta tash me folë pak për marshin e minatorëve që ka qenë me 17 nëntor të ‘88-ës. Ata kanë shku n’kamë, shumica prej tyre prej…

Faik Bllata: Trepçe.

Anita Susuri: Stantërgut.

Faik Bllata: Ashtu.

Anita Susuri: Deri në Prishtinë. Qysh ka qenë gjendja e tyne? A keni qenë në kontakt me ta? A kanë kërku ndihmë pastaj?

Faik Bllata: Momentin kur na kemi mësue se minatorët e Trepçës kanë vendosë me shku në kamë deri në Prishtinë, në veti e kom ndje ni gëzim shumë t’madh edhe kom thanë kjo osht’ ni shkëndijë e ni shprese shumë të madhe, që kush tjetër pos minatorëve ka me ndikue që m’u rujtë autonomia e Kosovës. Na e dijshim, fillunë me 28 qershor në Gazimestan, Milloshi e ban ni diskutim të tmerrshëm për neve që Kosova osht’ pjesë e Serbisë edhe duhet m’u hjekë autonomia. E tash, shpesh here televizioni i qitke ka shkojnë minatortë në kamë.

Osht’ ni sacrificë shumë e madhe e atyne gjithë minatorëve. Edhe iu kemi shumë borxh që për me mbrojtë autonominë edhe me ju dalë në ndihmë strukturave udhëheqëse, në atë kohë Azem Vllasi edhe Kaqusha Jashari. Me ju dalë ndihmë, me shkue deri në Prishtinë në kamë. Veç vullneti shumë i madh, veç vullneti shumë i madh se osht’ shumë zor. Deri këtu e Mitrovicë, prej Vushtrrie në Mitrovicë osht’ zor. Mirëpo, ata kanë shkue në kamë deri në Prishtinë.

Ka bo jehonë shumë të madhe ajo, ai marsh edhe ju kanë bashkangjitë edhe organizata tjera punuese edhe popullata. U mush stadioni krejt. Po ma së shumti që jam, e kam në mendje në kujtesë osht’ që shumë prej minatorëve iu ka përkeqësu gjendja shëndetësore. Po ma shumë kemi hjekë nja dy-tri javë ditë derisa ua kemi shëru kamtë e tyre. Si sot më paraftyrohet kamtë plot gjak, plotë bulla, ato ushla që kemi pasë shumë vështirë derisa ua kemi shëru kamtë. Me ecë aq gjatë osht’ shumë zor. Ka pasë raste kur shumë minatorë osht’ dashtë me ndërpre marshin se iu ka keqësu gjendja dhe i kanë marrë me kerr të ndihmës të shpejtë i kanë çue nëpër spitale.

Anita Susuri: Pastaj, pas marshit shumica e tyre edhe kanë qenë të kërkum prej policisë po edhe a kanë kërku prej juve si pushim mjekësor ose diçka?

Faik Bllata: Na, na, na ju kemi dhanë atyne. Çdo pacienti që ka ardhë për trajtim te na, se ai s’ka pasë mundësi ma me ecë, krejt kamtë me gjak. Na ua kemi dhanë kah ni muj pushim. Në atë kohë e kemi pasë mirë na mjektë, ke pasë mundësi me ia dhanë ni muj pushim pa komision. E për të, ato greva i ka udhëheq ma së shumti i madhi Avdi Uka edhe Veli Osmani. Ata kanë qenë shtyllë e fortë edhe e marshit po edhe e grevave. Ata i kanë dëgju tanë minatortë çka kanë thanë, i kanë dëgju shumë.

Anita Susuri: E kur ka fillu greva, qysh e keni kuptu ju? Qysh e keni marrë këtë lajm edhe nëse mundeni me tregu krejt përjetimin e juj në lidhje me grevë?

Faik Bllata: Me 20 shkurt të ‘89-ës, kur veç minatortë edhe shoqëria kosovare edhe populli i Kosovës e panë që po zhbëhet autonomia e Kosovës, minatortë vendosën me hy në grevë urie. Ni grevë e cila osht’ unikat thuajse në gjithë botën. Gjithë ata minatorë, nuk kanë hy për çashtje ekonomike, për rritjen e pagave, po kanë hy për mbrojtjen e autonomisë të Kosovës. Neve [Radio] Televizioni i Prishtinës na dha lajmin që minatortë kanë hy në zgafellë. Une me shumë mjekë, me doktor Ademin, me plot mjekë. Ka pasë edhe mjekë që kanë pasë Trepça të vet atje.

E maj mend ditën e parë kom shku, kemi zbritë me lift në horizontet e Trepçës. Nuk osht’ ndjenjë e mirë me hi në lift, me zbrit 700-800-900 metra poshtë në zgafellë. Mirëpo, gjithë e kisha në mendje me shku me ju ndihmu atyne minatorëve. Unë kom qenë mjek i punëtorëve në vite të ‘80-ta e tanë minatortë më njofshin. U gëzunë shumë. Mora ni çantë barna, [siç] ju thashë që në atë kohë kanë qenë barnat pa pare edhe kontrollimet e krejt. Rezervumë barna të mjaftueshme, antibiotik kundër temperaturës, kundra kollit, kundra vjelljes, kundra helmimit. Edhe me çantë plotë barna i kom kontrollue. Po ditët e para, dy-tri ditët e para nuk ka pasë probleme shëndetësore. Tek ma vonë fillunë se kish minatorë edhe të moshum, po edhe me sëmundje kronike. Se me punue brenda në minierë e m’i pasë mushknitë e mira ose shtypjen e mirë osht’ rast i rrallë.

Korab Krasniqi: Cilat janë konë problemet ma t’mdhaja që i keni pa?

Faik Bllata: Problemet ma t’mdhaja kanë qenë shtypja e gjakut e naltë, problemet me frymëmarrje edhe fillun dobësimi i përgjithshëm. Vlen me cekë, osht’ shumë interesant, shumë minatorë kur gjendja e tyre shëndetësore osht’ keqësu, kur i kemi thanë që duhet gjithsesi me dale prej minierës, ata s’kanë dashtë. Kanë thanë, “Veç i vdekun katër vet munën me m’qit e me m’nda prej shokëve që janë grevistë”. Aty e kom ndi vetën ma t’gzushëm, ma t’madhin edhe kom thanë, “E shef çka mundet ni shqiptar, ni minatorë me ba për çashtjen madhore, për çashtjen e Kosovës”.

Kemi pasë raste kur kemi pasë vdekje në familje, nuk kanë shku në vorrim. Vjen lajmi, që hynëm në këtë bisedë, vjen lajmi që Avdi Uka e ka vajzën shumë smutë, në gjendje shumë të randë. Kom qenë aty present kur ju ka thanë, “Vorret i dini, që ka vdekjen e vorrosni. Unë nuk dal prej minierës pa dalë të gjithë bashkë”. E shifni çfarë vullneti, çfarë motivimi kanë pasë minatortë. Edhe nja vlen me cekë, e kom cekë edhe shumë herë edhe në televizione, pa e mohue punën e Anton Çettës me studentë, jeni të ri mane mend që Aksioni i Faljes të Gjaqeve ka fillu në minierë në kohën e grevës janë falë gjaqet për hirë të grevistëve, për hir të minatorëve osht’ falë gjaku. E aty ka fillu.

Kemi pasë raste të rana e ma të rana që, se tetë ditë kom qenë me minatorë në minierë nëpër horizonte. Atje s’di, s’keni qenë asnjëherë atje në minierë?

Anita Susuri: Jo.

Faik Bllata: Po ta merr menja që s’po munësh me u ngi ajër. E që 900 metra thellë nën tokë, në tokë të shtrimë. Po ata që ishin ma mirë nuk ka mungu as kanga. Kur shkojshim na mjektë, ata ndiheshin shumë mirë edhe ma të gëzushëm edhe ma të motivum me qëndru. Po erdh momenti kur minatortë, ai regjim në krye me Rrahman Morinën, me Ali Shukriun e nënshkrunë që po dhanë dorëheqjen, se kërkesa e parë e minatorëve ishte që këta udhëheqësia e asaj kohe me dhanë dorëheqje. Edhe ju shkoj nënshkrimi që ka dhanë dorëheqje, ata i mashtruan.

Si sot e di, m’kujtohet dalja e minatorëve. Shumicën prej tyne kah dy vetë i kanë majtë. E përmenda përpara Avdi Ukën, ai ka qenë pa vetëdije. I lodhun, i rraskapitun. Tek masi i kemi dhanë infusion edhe terapinë përkatëse… shpesh here më ka thanë, “E kush m’i veshi mu pizhamat?” Prej ni natë Avdi Uka ka bujtë në Trepçë, në qat’ spitalin e improvizum. Shtatë ditë ka nejtë në spital në Mitrovicë, të tetën ditë ka përfundu në burg me drejtorat. Vlen me përmend, atë kohë drejtor ka qenë gjeneral Aziz Abrashi, me ndihmësin Burhan Kavajën edhe Ibush Jonuzin.

Kjo grevë vlen me u përmend edhe për atë arsye. Ma merr menja që ish rasti i vetëm edhe në Kosovë po nashta edhe në botë që drejtoria e Trepçës, drejtorë, me qenë nji zani me minatortë, me demostruesit, me protestuesit edhe me grevistët. Edhe ajo kohë ka qenë shumë e vështirë. E ata s’ju kanë nda kurrë grevistëve edhe minatorëve edhe grevistëve. Kanë qenë gjithë ni gojë. E ato merita aq të mdhaja janë për të madhin Aziz Abrashin. Nuk di a ia keni ni zanin a jo? Por, ai e ka udhëheqë grevën bashkë me shoktë e tina edhe që thashë me Avdi Ukën edhe Veli Osmanin. Edhe tjertë ishalla nuk ma shohin për të madhe që s’po i di krejt sa kanë qenë në atë këshillin grevist.

Korab Krasniqi: Më fal që po ju ndërpres kështu, por po më intereson. Minatortë na kanë shpjegu pak ma shumë atmosferën edhe mbështetjen që e kanë marrë mjekësore, keni pasë ni lloj spitali të improvizum…

Faik Bllata: Po, po, po.

Korab Krasniqi: Qysh u improvizu qajo pjesa? Qysh i keni organizu vizitat e minatorëve? Nëse mundeni me na shpjegu pak për qit aspektin e punës t’juj që e keni bo atje? A keni pasë mungesa të pajisjeve a qysh jeni furnizu? Të gjitha qito.

Faik Bllata: Jo, jo. Fatmirësisht, ju thashë që në atë kohë barnat kanë qenë pa pare. Në atë kohë kemi organizue edhe mjekë tjerë edhe na krejt që me sigurue sa ma shumë barna. Ka pasë mjaft infuzione, ka pasë mjaft motra edhe personel jo mjekësor. Për shembull, që s’kemi pasë në çka me ngjit me majtë infuzionin edhe ia kanë majtë me dorë, me dy orë e dy orë e gjysë e ni orë infuzionin. Ka qenë personi, për shembull, që e mbanë infuzionin. Ka qenë krejt e shtrume u konë ai spital i improvizum me pacienta.

Korab Krasniqi: Qysh e keni organizu spitalin?

Faik Bllata: Po meritë ma e madhe osht’ e mjekëve që kanë qenë të Trepçës. Ata e kanë organizue e na ju kemi ndihmu, na mjektë.

Anita Susuri: A jeni shku vullnetarisht a të caktum?

Faik Bllata: Vullnetarisht jemi shku, vullnetarisht, se në atë kohë ishin, tregova që ishin, e morën e morën ish problem që këta mjektë serbë që i kishim kirurgat ata u mundojshin neve në çfarëdo mënyre me na nalë mos me shku edhe regjimi… mirëpo, osht’ fat i mirë që udhëheqësia e Komunës së Mitrovicës në krye me Shahin Bajgorën na kanë rujtë edhe na kanë ndihmu shumë.

Anita Susuri: Ky spital ku ka qenë? A ka qenë në tenda, a qysh?

Faik Bllata: Jo, jo. Mrena në ato lokalet e Trepçës. Në atë kuzhinën aty e kena pasë improvizue spitalin.

Anita Susuri: Çka ka pasë tjetër, për shembull, ndonjë ankesë? E di që edhe me sy kanë pasë shumë problem…

Faik Bllata: Kanë pasë se terr. Edhe me sy kanë pasë shumë problem. Po kemi pasë pika të syve, yndyrë të syve, kena pasë mjekë të syve që kanë ardhë m’i kontrollu.

Anita Susuri: A ka pasë edhe psikolog?

Faik Bllata: Jo, jo. Në atë kohë psikolog s’ka pasë. Mirëpo na…

Anita Susuri: Qysh ka qenë gjendja emocionale?

Faik Bllata: Mirëpo, na ju folshim edhe ata e dishin qëllimin. U konë ma lehtë me i rezistue asaj traume të madhe që kanë pasë brenda, se u ditë për çka. Për çashtje madhore, për çashtjen e Kosovës.

Anita Susuri: E ju personalisht çfarë mendimi keni pasë atëherë? A ka me pasë diçka të mirë prej kësaj greve? A keni pritë diçka?

Faik Bllata: Na, greva e urisë së minatorëve të Trepçës ka pasë jehonë shumë të madhe, jo veç në ish-Jugosllavi. Stipe Šuvar, ka ardhë mrena në minierë edhe e ka përkrahë grevën. Nuk i ka lutë me dale minatortë jashtë, mirëpo çka ka qenë ma së interesanti këtu që kanë qenë shumë të besës, shumë të lidhun. Unë frikën ma të madhe e kom pasë gjatë atyre ditëve mos ndonji minatorë po vdes. Se kanë qenë të betumë minatortë që nëse nji vdes këtu, krejt kena me vdekë, asnjo të gjallë s’kena me dalë jashtë. Ajo ka qenë ma së shtiri që mendojshim edhe lutshim Zotin mos me ndodhë edhe ndonji vdekje e minatorëve për shkak të përkeqësimit të gjendjes.

Korab Krasniqi: E ju vet a keni pasë ndonjë telashe me përkeqësimin e situatës?

Faik Bllata: Jo. Jo. Se na herë pas here kemi dalë. Kemi ardhë, për shembull edhe në punë në Mitrovicë, por kemi shku edhe atje. Si u kryjke orari i punës ose ma herët dalshim, domethonë na s’kemi qëndrue tetë ditë mrena. Na kemi nejtë në spitalin e improvizumë, kemi shku poshtë i kemi kontrollue, ni orë-dy orë rrishim me minatortë, dalshim masandej në punë tjera. Edhe s’më ka ra në mend kurrë hiç që ni lodhje, a që diçka.

Anita Susuri: E a keni vrejtë çfarë dallimi ka qenë prej ditës në ditë? A u përkeqësu gjendja, a qysh ka qenë?

Faik Bllata: Deri ditën e tretë ka qenë shumë mirë. Ka qenë atmosfera shumë e mirë e minatorëve. Tek ditën e katërt e tu vazhdu osht’ përkeqësu gjendja e përgjithshme e minatorëve, sidomos e minatorëve që ishin në moshë se këta që ishin të ri nuk kena pasë probleme.

Anita Susuri: A ka pasë ndonji minator që ma nuk e ka vazhdu grevën, s’ka mujtë, nuk ka qenë në gjendje të qëndrojë?

Faik Bllata: Kemi pasë që në atë farë kuptimin, ni detyrim i joni ka ndiku që nja tre minatorë që t’jenë në gjendje shumë t’randë me i shtri në spitalin e improvizum edhe s’i kemi lanë me u kthy. Se osht’ për çudi e madhe, veç sa u kfjellke minatori, i merrke infuzionin, i merrke vitaminat, me antibiotik, me krejt çka ka pasë nevojë edhe kundër dhimtës, kishin edhe dhimbje koke. Minatori automatikisht kur ia hiqshim infuzionin u çojke me shku në minierë. Mirëpo, disa prej tyne, na, a din qysh i mashtrum? Në vend që infuzioni m’u kry për dy orë ose ni orë e gjysë na e lejshim për m’u kry për pesë-gjashtë orë, ia nalshim pikat veç kah pak me pikë. I thojshim, “S’bon me u lëkunë se terpinë e ki këtu”. Se përndryshe ata kanë qenë, qaq kanë pasë vullnet të madh, qaq kanë pasë motivim të madh që me u kthy te shoktë. Kemi pasë prej tyne që ka kajtë, “Lëshomni se unë po du me shku te minatortë”.

Anita Susuri: Nëse ju kujtohet, mas grevës qajo ditë kur kanë dalë me fasha në sy, po ditën e nesërme po më duket ka ardhë policia i ka largu të gjithë, a ju kujtohet kjo?

Faik Bllata: Më kujtohet fort mirë. Më kujtohet shumë mirë që erdh vendimi që ai spital ushtarak me u zhbë dhe i morën pacientat, do që janë kanë të randë i çunë për spital edhe pse kishim edhe atje provokime në spital. Po shumicën prej tyne që ishin pak ma mirë, motrat në teren, mjektë, kanë shku nëpër shpija i kanë ngjitë infusion tri-katër ditë. Po vlen me cekë që ni doktor, ni kirurg që n’atë kohë e kishim shef të kirurgjisë, doktor Ademi, Adem Ademi, që si njeri edhe si profesionist unë kom thanë gjithmonë edhe 200 vjet nuk mundet me dalë edhe ni kirurg ma i aftë sesa ai. Krejt punën e mësimin unë e kom pasë prej durve tina.

Ai ka qenë kryeshef unë kom qenë n’atë kohë ni pozitë që jom mundu me dëshifru, ni pozitë që në atë kohë ka qenë, që edhe drejtori gjeneral pa marrëveshjen time nuk mundet me nënshkrue ni urdhër ose diçka. E tash menjëherë të nesërmen, doktor Ademin e largunë prej shefit të kirurgjisë, mu më largunë prej qatij funksioni. Menjëherë me ardhjen e masave të dhunshme, neve na largunë prej punës. E morëm vesh menjëherë që i burgosën Azem Vllasin, Aziz Abrashin, Burhan Kavajën, Ibush Jonuzin me Riza Musliun, me Avdi Ukën e tonë këta minatorë edhe udhëheqësinë e drejtorinë e Trepçës i burgosën. E aty ka qenë për neve shumë rondë.

Anita Susuri: Ju e keni vazhdu pastaj punën në mënyra private apo?

Faik Bllata: Na, në prillin e ‘92-tës më largunë prej punës, nja, deri në korrik ‘92-tës kurrë s’e harroj, i kisha mësu fëmitë me ju ble, i kisha katër fëmi diçka. Meniherë me t’u nalë të ardhunat, se rrogat kanë qenë shumë të mdhaja në atë kohë, tu u bazu me marka. Kanë qenë rrogat sa dhetë fishi i qisaj që i kanë kirurgat rrogat. E paret e gatshme po shkojshin shpejt. E thashë vet me veti po shpejt po harxhitkan pa punë. Po unë masi kisha zanatin kirurg, improvizova ni ordinancë në shpi të vjetër atje ku e kena pasë shpinë, ni dhomë si kuzhinë e kena pasë verore edhe ia fillova me punu. Fillunë kah pak syneti edhe naj pacient që ardhke me u kontrollu se e kishin besimin. Ata që e kishin besimin te unë ardhshin edhe masi m’qiten prej pune. Edhe atëherë kom thanë, “Shyqyr more Zot që nuk po metsha keq”.

Anita Susuri: Më tregutë për pajtimin e gjaqeve që ka fillu në minierë, po edhe që keni qenë pjesëmarrës në disa raste ku janë pajtu gjaqet, nëse mundeni për to pak me na tregu?

Faik Bllata: Nëse ka mundësi veç me shpjegu dy minuta punën e helmimeve të nxanësave të ‘90-ës e tani me shku te… isha edhe kujdestar, na erdhën raste shumë të randa, rrënqethëse. Nuk di a keni pa najherë në internet çfarë simptoma kanë pasë ato helmime të mdhaja. Dridhje të mdhaja, të hatashme, britma të mdhaja. Na u mush spitali. Shkolla e mesme të medicinës erdhën nxansat krejt. I qitëm kah dy nxansa në krevet, ma vonë nuk patëm, u mush krejt spitali. Edhe i shtrumë edhe në dysheme, do qebe që i kishim në spital, i shtrumë edhe nxanësat ua majshin infuzionat.

Nuk ju pëlqej kjo serbëve. Zoran Boshoviçi ka qenë neuropsikiatër vjen me i kontrollue edhe ju jep ni ilaq që ju jepet njerëzve shizofrenave. Unë aty kom reague shumë keq edhe i kom thanë, “Çfarë betimi ke bo ti të Hipokratit kur ju jep njerëzve”, që në ato raste ua jepshin qat’ injeksion i çojshin në Shtime. Domethonë, njerëzit shizofrenë, njerëzit trentë. Edhe jom konfrontue shumë keq me to edhe ai ka dalë prej spitalit. Mas nja tri dite erdh ni grup i policisë s’bashku me ni, kurrë s’e harroj, ka qenë prijës i tyne ni Ismet Ferati prej Barës, ata e njofsha shumë mirë se edhe ai dajtë në Bajgorë edhe unë dajtë në Bajgorë. Edhe i kom thanë, erdh, kishin bo urdhër drejtoria e spitalit që asnji helmues mos me qëndrue në spital. Policia erdhën m’i qitë. Edhe une i kom thanë, “Nëse veç pak ki ndjenja të shqiptarizmit, ni patriotit ose ni gjak shqiptari merri policët e ik prej ktuhit, se unë pa vdekë të helmumit nuk dalin prej spitalit”. E falënderoj shumë nga zemra i ka marrë atë ekip të policive nja dhetë, 15 vet edhe kanë shku. Pacientat derisa janë shërue nuk i kemi lëshu prej spitalit.

E për pytjen që ma bone, pajtimet e gjaqeve vitin ‘90 isha në ekip me të madhin Latif Berisha, po ashtu edhe me të madhin Adem Ademin, me hoxhën Mulla Osmanin e Zhabarit edhe unë isha në ekip edhe me studentë. Kemi pasë në atë kohë, ka qenë kënaqësi e madhe. Pak zor me i shku në familje dikujt që ju ka vra djali, që ju ka vra baba, mirëpo për hir të atij aksioni shumica 99 përqind e tyre e kanë falë gjakun. Pas ni pengesë, nuk po du në cilin katun me thanë, kanë shku dy here ekipa tjetër edhe unë jom kanë kujdestar s’kom mujtë me shku atë ditë me qat’ ekipë që jemi kanë edhe kur kom marrë vesh çfarë familje kom thanë, “Hajde po shkojmë edhe ni herë”. E kisha kerrin, i qita në kerr shkum aty. Se atij që ju kish vra baba, unë ia kisha bo djalin operacion, i kish shpërthy zorra qorre edhe u shnosh pa kurrfarë problemi.

A e din çka kom bo? Kur jena hi në odë mrena i kom thanë, “Thirrma djalin”, s’po ia përmendi emrin, “thirrma se po kom qef me pa pacientin”. E kom qit’ n’prehën e kom dush edhe i kom thanë, “Qita çka e kie?” Tha, “Babë”. “A e don shumë?” “Shumë”, tha, “e du”, “Qiky baba yt nuk po na e falë gjakun e babës të vet. Po dahet prej këtij karavani të faljeve të gjaqeve”, a din çka ka bo ai? U afrue m’ka kap për qafe tha, “Ma ke pshtu djalin, kanë qenë ni ekip tjetër i kom kthy. Po çohu në kamë he burrë se falë të koftë gjaku i babës tem. Për hir që e kape këtë djalë e qite n’prehën edhe ma ke pshtu djalin”. Atë rast s’e harroj kurrë.

Gjatë pajtimit të gjaqeve, ni rast s’e harroj. Dy vllazni keq nërmjet veti për nifarë vade. Jemi shku me i pajtue. Na priti aty vllau i madh na priti shumë mirë. Une i thashë profesor Latifit, “Më falni mu, se unë veç po du me shku me pa çka osht’ në pytje, çka janë prishë këta”. E kishin ni vadë që verës s’ka ujë hiç. Mujke m’i vaditë ajo vadë nja tri-katër kumlla. Thashë, “Qikjo s’po ju hika në udhë kurgjo”. Kishin maru ni bazen, po veç verës, veç dimrit me u mush bazeni po verës nuk mujke me shku ujtë asajde.

U ktheva në odë thashë, “Profesor Latif edhe Doktor Adem zgjidhja… u zgjidh kjo punë”. “Qysh?” Thashë, “Këtu ujë s’kish”. Dy familjet ka dy profesora. E i kom thanë, deshti me na kthy bukë se kem në mramje, “Darka osht’ gati”. Kishin marrë vesh që po shkojmë. Ju thashë, “Po çohem, këtu nuk hajmë bukë”. Ai i zoti i shpisë, “O Doktor Faik, nuk ju lshojmë pa bukë kurrë”, thashë, “Jo, veç me ni kusht. Ju po ua merrni ftyrën edhe fëmive të juj që i paske profesora e mësusa, po ua merrni ftyrën edhe fëmive që janë në shkollë fillore e s’kanë ftyrë me dalë dikund”. E kishin nanën hala gjallë, “Qajo nanë kur i sheh vllaznitë, djemtë e vetë që te njani-tjetri nuk shkojnë”, thashë, “na bukë me juve s’hamë. Thirre vllaun këtu me gjithë djem edhe po hami bukë te tanë bashkë. Edhe që s’ka boll harxh, kah ni kafshatë p’e marrim, po po du me hangër bashkë”.

Ju sosën puntë. E çoj njanin, “Çu shko thirri”. Shkojnë e vijnë përfaqohen ia bojnë njani-tjetrit hallall. Une dola në oborr t’u kajtë. Pak jom i dhimbshëm ma shumë nashta sesa që duhet. Nana e tyne m’kap për qafe thotë, “O djali jem, allahu t’i rujtë evlad, allahu të gzoftë që mujte m’i ulë ni sofër këta dy djem, se zemra m’plaske kur nuk shkojshin me njani-tjetrin. Edhe saherë kanë pasë konflikt veç jom tutë kur po ndodhë ma e keqja”. E këto dy raste më kujtohen ma së shumti.

Anita Susuri: Qysh ka vazhdu pastaj qajo, sa raste, për shembull, a ka pasë raste që…

Faik Bllata: Shumë. Shumë ka pasë raste, po vetëm ni rast nuk kemi mujtë m’i pajtu. Sot e asaj dite nuk janë pajtu.

Anita Susuri: Qata po du me t’pytë çfarë rasti ka qenë ajo?

Faik Bllata: E kanë vra ni djalë të ri edhe s’po du me ia përmend emrin katunit edhe s’kanë mujtë kurrë me ba ballë. Ka ardhë edhe Anton Çetta në ndihmë te na. Koka edhe ni katun në komunën e Vushtrrisë që jemi shku edhe me Anton Çettën me ekipin tonë edhe aty s’kanë bo ballë, qito dy familje veç janë që s’kena mujtë m’i pajtu. Pajtimet i majshim në bari para xhamisë, në oborrin e xhamisë. Muni me gjetë naj here në internet me hi ku kom folë une, ku ka folë Adem Ademi, ku Latif Berisha, ku Mulla Osmani i Zhabarit. E ka qenë kënaqësi e madhe se u bajke ni grumbull shumë i madh i njerëzve edhe për hatër të Zotit, për hatër të rinisë shqiptare, për hatër të situatës e fali gjakun e djalit, dy mashkuj, tre ka ndodhë.

Po u konë interesant rruga prej xhamisë osht’ nja 70-80 metra, gjithmonë dy kerre të policisë serbe kanë qenë në rrugë. Atyne ju dhimke shumë që ka qenë kjo parapregatitje që m’u pajtu gjaqet, që nesër me pasë me fillu lufta mos me kanë në hasmeri me njani-tjetrin.

Anita Susuri: E këto familje që po thuni nuk janë pajtu, a ka pasë vrasje tjera mes tyre?

Faik Bllata: Jo, s’ka pasë. Sot e asaj dite. Jom mundu edhe vitin e kalum jom mundue. Kom pasë qef me marrë Mulla Fatmirin, ia keni ni zanin. Atina gjithmonë i thom, “Anton Çetta i ri”, se ai pajton shumë gjaqe po nuk na kanë pranue. Nji prej tyne po se e kom shumë shok po ai që osht’ kryesori osht’ në Prishtinë. Ai s’ka deshtë me ardhë. Unë jom shku në shpi tyne kom marrë aksionin se kjo i ka qe nja 35-36 vjet që ka ndodhë ajo vrasje, po nuk janë pajtu kurrë. Veç qito dy raste janë.

Anita Susuri: A kanë mbetë të ngujumë apo…

Faik Bllata: Jo. Jo. Dalin, dalin dy partë. S’janë nguju asniherë.

Pjesa e Tretë

Anita Susuri: Qysh kanë vazhdu, po m’intereson, vitet e ‘90-a për juve edhe që keni punu në klinika private, ka qenë situata e acarume politike? Qysh ka kalu për juve?

Faik Bllata: Situata politike ka fillu m’u acaru ma së shumti në vitin 1997. Nëpër shpija që ka pasë rrahje, dy policë shkojshin në katun që i rrehshin i përgjakshin… kom shkue gjithmonë. Kishin pasë, nifarë djali, ni Muharrem i Merovcit, ai m’kujtohet ma së shumti. Çika jem, une s’kom pasë ku m’i ngjitë infuzion. Krejt i mavijosun, krejt hematome. I thirrim na hematome në mjekësi kur gjaku kur shpërthen edhe lëkura nxihet. Krejt trupi. S’kom mujtë unë m’i ngjit infusion atij djali. Ni injeksion ia kom dhanë në kukë se s’kom pasë. Qaq rast i ranë, qaq i rrehun shumë nuk kom pa.

Ata e kanë, këto raste i kanë pshtjellë e kanë pre ni dash e me lëkuren e tij e kanë pshtjellë. Se edhe mjekësia popullore, përpara moti s’ka pasë mjekë, po kanë ditë nifarë mënyre qysh m’i zbutë simptomat e sëmundjes. Jom shku nëpër shpija m’i kepë rastet, po tani filloi ‘98-a. Unë jom mjeku i parë i kësaj treve që jom shku në Qirez te të plagosurit. Kaçevë kom shku në odë të Sheremet Sejdiut që ju kanë vra katër djemtë, katër-pesë minuta une s’kom ditë vetën ku jom, s’kom mujt me folë kur jom hi në odë.

Ata kishin pasë mendue që unë jom shurdh-memec. Me kanë para ni prindi që ju kanë vra katër djem, fillimi i luftës se ma vonë tani u vrajtën kah shumë, për mu ka qenë momenti ma i randë gjatë praktikës teme mjekësore. Kur erdha n’veti, kur e çela gojën aty fola, aty ish ni i plagosun, Sefer Nebihi, që ju kanë vra dy djem edhe reja shtatëzanë. Ia kom shëru ato plagë e mandej gjithmonë jom kanë në shërbim të tyne.

T’u ardhë niherë më kujtohet ni rast prej Prelloci t’u ardhë, te Prelloci e qita ni plak në kerr. E kom pasë kerrin 101, m’i rrxoj do instrumente edhe ju nala m’i palu m’tha, “Çka janë këto? Kush je ti? Çka je? Çka janë gjithë kto halete?” Thashë, “Unë jom kirurg, jom konë në Qirez te të plagosurit”. E ma boni ni pytje, tha, “A bon me m’kallxu diçka”, “Që di po”, tha, “A”, tha, “po tutesh që po shkon?” Thashë, “Vallahi, boll!” Tha, “E pse po shkon masi po tutesh?” Thashë, “Po të kallxoj. Prej shpisë kur po dahna me evlad e deri në Dubovc”, nuk po di ni katun qatje osht’ nja pesë-gjashtë kilometra, thashë, “derisa po shkoj në Dubovc nuk po më terën sytë se s’po di a i shoh evlad ma a jo”.

Tha, “Pse po shkon masi po tutesh?” Thashë, “Osht’ diçka ma e madhe që po më shtin me shku. Unë jom kirurg ata kanë nevojë për mu. Po shkoj që nëse vrahna në luftë me ju lonë ni emër, ni emër të mirë fëmive të mi, nipave të mi, stërnimave të mi. Që me thanë baba jonë, gjyshi jonë, stërgjyshi jonë u vra në luftë t’u ju dhonë ndihmë pacietit që e ka plagosë shkau. Po nëse jes gjallë, po du me kanë me ballë çelë me çelë derën e ordinances e në rrugë e në autobus, e në dekë e në drekë e kahdo që të shkoj mos me u rrudhë kurrë”. Tha, “Valla, po t’marrë lakmi”. Thashë, “Qysh e ka shkru Zoti, qashtu ka me u bo”.

Anita Susuri: A e keni pasë problem lumin me kalu?

Faik Bllata: E kemi pasë shumë problem. Shumicën e rasteve i kom organizu. Ka ardhë njeri i besueshëm te unë m’i ka marrë instrumentet e ka ra arave këtu e ka shku deri te ura e Sitnicës, kur une kom dalë te ura anej edhe ai me çantë m’i ka dhanë. Se me kalu nëpër kerr… po unë e kom pasë ni strategji të mirë. Grunë e fëminë i pata bo telashe. E merrsha grunë e fëminë e i shtisha në kerr, kishe po shkojmë me nejt dikund edhe ma nuk dyshojshin. E masandej hishim në shpi gruja bile, “Po shko vetëm”, “Oj nuse ma mirë m’u rujtë”. Osht’ dashtë, për shembull në oborr kur e kom shti kerrin, osht’ dashtë edhe gruja edhe fëmija ose me nejt në kerr ose me hi mrena. Shumicën e rasteve rrijshin në kerr derisa ju jepsha ndihmë pacientave. U kanë zor.

Une falë gjindshmërisë time, falë komandantit Ilaz Kodrës që une e pyeta nihere. Thashë, “Mu po më duhet me shku nëpër terene te të plagosunit. Nëse vjen puna ngusht, a guxoj une me gjujtë cunga e gur mbi juve?” Ai ish konë me vizion të lartë, tha, “O Faik, ti na vyn veç i gjallë, ti i vdekun s’na vyn kurgjo hiç. Une e kom automatin me veti, nëse më vjen puna ngushtë plumbin e fundit e ruj për veti e s’bi në dorë të shkaut”. E qajo tani mu m’ka nimu shumë. Mu niherë që m’kanë nxonë, që ni rast po e quj para pushkatimit e tjerat raste s’po ju tregoj.

T’u shku rrugës më kanë nxanë në Novolan te nifarë mullini që e kanë pasë maru, po nuk osht’ funksional. Më nxunën t’u shku në Zhilivodë te të plagosurit. Nifarë komandant Duraku, Jashar Jashari i Strovcit, në aksion që i vrajtën shumë policë e shumë të plagosur. Ai aksion i parë ma i suksesshmi që u konë i ushtrisë tonë. M’i gjujnë instrumentet, më qesin ngat do therrave afër rrugës. Vjen ni polic, m’i lidhë sytë. Folën me komandantin edhe ai ju thotë, “Ia kena gjetë instrumentet krejt, pushkatone”.

Vjen ni polic me m’i lidhë sytë, thashë, “Jo. Unë po du m’i pa plumbat kah m’bijnë”, tha, “Terrorist, ni terrorist e kemi nxanë”. Thashë, “Mu veç po m’vjen keq për ni punë që po m’vrani si terrorist”, thashë, “unë s’jom terrorist. Jom t’u shku në Mihaliq…” E kisha lanë une Korab [i drejtohet intervistuesit] n’çdo katun kah ni palë të ngjofshëm i shënova me emra. Për shembull, që qito instrumente jom nisë me ia bo dy djemtë Mustafës në Mihaliq [synet]. E kisha dajë të babës. Thashë, “Edhe po m’dhimet ni fli po ma hupni që na ka pregatitë drekë edhe niqind mark po m’i hupni, se sa për që po mendoni që po shkoj te UÇK-ja”, thashë, “ju kurrë s’ja keni inati sa ia kom une. As që marrë vesh për ta bile hiç”.

U dalë ma larg njani e ka thirrë prapë edhe e niva kah i thotë, “Ky ia paska mërzi UÇK-së, po ky po shkon në Mihaliq te Rexhep Mustafa me ia bo dy djem synet”. U kthy te une, ai që ma majke automatin te krytë e hiqi automatin tha, “Hajt veç ha edhe pak fli për neve”. Kur jom shku në Zhilivodë te të plagosurit që u plagosën, kurrë s’e harroj, se ka vdekë Jashar Jashari i Strovcit, komandant Duraku, ka thanë, “Çka ki bre? Qehrja e dekës të paska ra”. Thashë, “Hala s’mu ka hjekë a?” Tha, “Vallahi çka po të shoh koke sari shumë”. Thashë, “E me ditë ti ku jom konë une ishe sari edhe ti”. Tha, “Ku?” Thashë, “S’të kallxoj”. Tha, “Pashë Zotin”. Thashë, “E qysh me të kallxu une që kom pshtu prej policisë, tash ti më vranë”. Unë e kisha edhe pacient edhe shok para luftës. Tha, “Jo, kallxom”. Kur i kallxova thashë, “Gjithçka kom folë për juve” (qeshë). Tha, “E qysh dite?” Thashë, “T’u iu falenderue Ilaz Kodrës”, thashë, “ai m’ka mësu”.

E qata po thom, kanë qenë momente të randa e ma të randa. Edhe një du me u tregue. Me 7 mars, ‘98-ën më thrrasin për ni pacient në Dubovc i plagosun, Sadik Halili. I vetmi ai, se tash plot thojnë shumë iu kena ndihmu Prekazëve, dalin njo e dy e tre. Po të vetmit që kanë shku me dekë kanë qenë ai me vlla të vet, Isakun. Isaku u vra në oborr të Jasharëve që u shku atje me ju ndihmu e ky u plagu shumë rond, shumë shumë rond dhe vazhdimisht jom shkue me shëru. Sot e asaj dite e kam mikun ma të mirë, kurrë s’më ka harru. Gjithë vjen, rrin, pijmë ni çaj, a naj kafe e bojmë muhabet. Shpesh më thrret edhe në telefon. Qikjo.

Me 18 prill, ‘98-ës u formu edhe zona e Shalës, brigada 141 në Shalë. Unë në Zaberxh. Shkova atje edhe u gëzova shumë, se në Drenicë kur më vetshin prej kahit je, s’ju kallxojsha, “Vushtrrisë”. M’ardhke keq me ju kallxu pse Shala nuk formoi hala ushtri. E u gëzova, shkova atje me komandant Dajën e gjeta Kadri Kastratin, ju çova edhe do harxh edhe do pare ua lashë. Edhe thashë, “Prej sotit edhe në zonën e juve çkado që t’ju nevojitet jom në disponim me juve”. Në ofenzivën e shtatorit të ‘98-ës në shtator, me 15 shtator, i kom pasë 19 ushtarë të plagosur. 14 orë e gjysë nuk kom pasë kohë me pi ujë. E shpesh i kom pytë ato motra, “Pse bile s’na qitshi do ujë?” “Doktor Faik, as na s’kemi pi”. Ka pasë plagosje shumë të randë. Me sy të nxjerrun, me kamë të amputume, me zorrë jashtë… tragjedi e madhe.

Të nesërmen i kemi, se na u afrunë forcat serbe shumë ngat, i kemi transportu nëpër Kovaçicë, nëpër Vesekovc e deri në Sllakovc. Ni natë kena bujtë aty e masandej i kemi qitë të plagosurit në Gradicë, atje ku ka qenë doktor Leci. Ai u vra. Nuk dihet në çfarë rrethana u vra, po ma ka këputë shpirtin se ka qenë shumë doktor i mirë. Pastaj ma vonë, rastet të randa ma të randa. Më kujtohet ni, me 3 janar të ‘99-ës plagoset për vdekje komandant Besi edhe vrahet ni ushtar bashkë me ta që janë kanë, qitash më bjen mend emri.

E une jom shku natën. Ka ardhë me më marrë Ibush Jonuzi me vlla të vet. Kemi shku deri në Smrekonicë, nuk e kemi gjetë kërkon. Kërkush s’na kallxoi ku osht’. Kur jom kthy kom thirrë në telefon ni komandant thotë, “Janë në pasomë dikund”. Tani ka ardhë Rifar Mustafa i Smrekonicës, Ajet Dedija, ai ka qenë komandant që m’ka thirrë. Ka ardhë prej Smrekonicës me gjithë gru e me gjithë kunatë. Gjoja se osht’ sëmutë ajo e m’kanë marrë këtu.

Që i përmende punktet pare [i drejtohet intervistuesës], tri punkte i kemi kalue kërkush nuk na ka ndalë. Kom shkue e kom gjetë pa vetëdije komandant Besin, thye kamën, copa të granatës, i premë në shumë vena. Nja ni orë derisa ia kom kepë krejt ato plagë edhe ia kom ngjitë kamën në gips edhe e kemi transportue për Shalë nalt. Prej ushtarëve të plagosun rond që thashë ‘98-ën ofenzivën e shtatorit ka qenë Sherif Rama, dy orë e gjysë në trup tina kom bo operacione derisa i kom kry. Sot osht’ gjallë.

Por, veç edhe një [ngjarje] gjatë luftës, masakrën e Studimes du me përmend. Prej spitalit në Kovaqicës mandej u transportum e bonum se prej Bajgorës na u duft me u largu ’99-tes, prill. Masandej mora vesh që ni granadë në fshatin Dumnicë janë vra shumë e janë plagos shumë vet e tani në kam prej Vesekovci deri në Sllakovc ku ish ni spital ushtarak jem ardhë n’kam. I kem gjetë ata t’plagosur po ni prej tyre edhe Faruk Beqiri, e kom në fotografi qaty veç ata. Ai edhe, ai ka qenë shumë i plagosur rond. Në qato momente kur ish ai në spital ni mëngjes nuk shkova në vizitë hiç. Ai ish bo marak se i rrisha te krytë shumë. “Koka mërzit Faiku prej meje”, u ka thonë motrave, “se s’po vjen me m’vizitu”.

Po ni ditë përpara ni çikë e Vushtrrisë erdh, “Ni gru e kojshive osht’ në gjendje shumë të randë”. Ju thom atyne motrave, “Ngjitja ni infuzion edhe ni injeksion kundra dhimtve, si te kryj qit’ operacion ia shtoj terapinë”. Ta kallxojke Zoti, ish bo ni kohë e gjatë që s’disha ku i kom evlad, ku i kom vllaznitë, ku e kom babën. P’e veti atë çikën, “Çika jeme, prej kahit po vini?” Tha, “Prej Vushtrrisë”. Thashë… çka m’u dokë e ngat Korab [i drejtohet intervistuesit]. Thashë, “Edhe une jetoj në Vushtrri”. Tha, “Po, shok mjek, po të ngjoh”, tha, “a u mërzite shumë për babë?” E aty më lëshunë kamtë, katër-pesë, gjashtë minuta veç meta, s’disha kurgjo.

I lumi allah kur m’dha forcat, aty iu kom lut Zotit, jarabi more rumi mendtë në kry. Qe baba që ma kanë vra shkitë {bën me dorë nga fotografia} t’u e rujtë pragun e shpisë. Me 27 prill e kishin pasë vra këtu. Qikjo shpi e kallme e vllaut të madh e vllaut të vogël nuk iu ka kallë shpia e aty ish kanë. Ka qëndru derisa ju ka harxhu municioni, mirëpo kanë hy mrena e kanë vra. E ai Faruku me 2 maj dha shpirt. E vorrosëm. Veç t’u e vorrosë hala pa u kry krejt vorrimi krismat në kodër të panumërta granatimet edhe neve na u dha urdhëri mjekëve edhe motrave me hy në kolonë me të plagosun. Kishim shumë të plagosun. Kurrë s’ia fali vetës gabimin që hyna në kolonë, sepse në atë farë kuptimi ti po bjen në gojë të ujkut. Po për hir të pacientëve u detyrova me hy në kolonë.

Mbramjen e 2 majit [1999], neve na rrethunë policia. Hynën në kolonë, fillunë vrasjet. 116 vetë janë vra atë ditë. Kom pasë momente shumë të randa, shumë të plagosun, shumë të vramë, shumë vaj, shumë britmë. Kur erdhëm me qat’ kolonë, na që ishim gjallë kur erdhëm te asfallti edhe pse goxha i maskum me nifarë jakne si të keqe pak edhe kqyrsha te poshtë, ni polic m’kish pasë njoftë. Edhe m’u ka afrue m’ka ra shkelma derisa jom alivanosë. Jom rrxu në asfallt, por për çudi nuk më vrajtën. Kur e pashë që po pshtoj edhe fillova në kolonë na nalën qitu te kooperativa bujqësore hinëm brenda atë natë bujtëm aty. Katër vetë vdiqën në traktora të plagosur. Natën në guj e brryla, se si u çojshe gjujshin me automat policia. Shkun nëpër, me ju dhanë ndihmë pacientave të plagosur, por katër prej tyne vdiqën.

Të nesërmen fillunë policia erdhën asajde me na nda kond dojshin me marrë me çue në kamion. Veç edhe p’e ceku që fëmija kajshin untë, kajshin për ujë. E ka qenë ni motel aty, do shkina ngat aty qeshmja aty e ujë nifarë rrethi aty u konë si gardh s’lajshin me marrë ujë, por me pagu me pare. Unë kisha pare mjaft e shumë vetë që lypshin fëmija ujë, “Hajt se qitash, hajt se qitash”, ia kom ble se ose ni shishë ose ni kantë diçka dhetë mark e shitshin. E ma vonë njani, thashë, “Qysh bre s’ja blejshe fëmive?” “Oh”, tha, “m’i kanë marrë shkijet krejt. Asni pare s’e kom pasë me veti”.

E maj mend na dajtën prej kolonës, aty që ishim brenda. Unë i kom pasë durtë të lidhme qishtu {bën me duar te qafa} edhe tre vetë me hyp në kamion. Ni kamion i lopve, të gjave që kanë bajtë. Kur ka ardhë ni polic me të shpejt m’ka kap për krahi, “Eja me mu”. Unë thashë sigurisht po dojnë me m’vra para masës, me ju dhanë tmerr krejt masës. Kur jemi largu pesë-gjashtë metra m’ka thanë, “Mos u tut se je i pshtum prej meje”. Ai ish konë boshnjak.

Nifarë Jakup Izmakun që e kom pasë shok shumë të ngushtë, në vitin ‘97 vjen te une me ia bo ni operacion në bark, nifarë lipomi sa voja. Më erdh shumë mërzi edhe e qes Jakupin në koridor thashë, “Po të thrret telefoni”. “Pse bre ma ke pru policin këtu? Po une në rrugë m’i pa po m’vjen mërzi”. “Shok mjek”, tha, “ma ka bo ni të mirë të madhe. Osht’ boshnjak edhe nëse kushton 50 mark operacioni, une t’i paguj 150”. U kry operacioni, “Sa duhet?” Thashë, “Jakupi pagun për ty”. E shkoi.

Tha, “Më ke bo operacion, s’më ke marrë pare hiç. Me kolonën e parë, me traktorin e parë që del sa t’i mbledhim këta tjertë që po dojna m’i mbledhë, me traktorin e parë ki me dalë prej ktuhit”. Me traktorin e parë me do të Tërstenëve hypi në traktor më marrin. Kur vi qitu në rrugë, unë kisha informata jo të sakta që fëmija e mi janë te do në Pasomë, te ni Isa Sadiku ka qenë arsimtar, që janë fëmija mi. Kom zbrit prej traktorit kom shku arave. Ni ngat shpijave që ish konë ngat, thotë, “Hajde oborreve se dje qitu e kanë vra njanin që ka hi arave”.

E tash gëzimi ma i madh në jetë teme u konë kur jom afru nja 20 metra e çika e vogël, Shkëlqesa, m’ka vrejtë edhe po thotë, “Babi!” Ka nga prej meje e kom kap ngryp e kom përqaf. Kur jom shku mrena në shpi i kom gjetë edhe fëmitë tjerë. Gruja ish kanë t’u ia qeth do flokë ni çike aty të kojshive. I kanë kallxu, “Erdh Faiku” (qanë). Edhe tanaj pshtova.

Korab Krasniqi: Babën qysh, po mendoj, s’e kuptove derisa ishe në spital…

Faik Bllata: Derisa isha në spital ushtarak kur e kom kuptu, kallxova ajo çika.

Korab Krasniqi: E kur u takove me familjen, po mendoj, e kishin varrosë veç ma a qysh?

Faik Bllata: Vllau i madh ka qenë kësajde, nuk ka ikë edhe ka shku ka marrë leje në polici me fjalë të mixhës janë shku e kanë varros. Qajo osht’ ni satisfaksion që e dijna ku osht’ vorri, se ma së shumti më dhimë n shumë familje që s’e dijnë vorrin e babës, a të djalit, a të dikujt. E na vorrin e kemi. Babën e kanë varrosë edhe ni hoxhë ish pasë konë qillu aty edhe me ritual tamon qysh osht’ e kishin varrosë.

Anita Susuri: E qysh e kuptut që…

Faik Bllata: E për shpirt të babës që ma kanë vra shkitë, i vuna vetit detyrë, se kanë mujtë me mbetë edhe fëmija mi jetim, i vuna vetit detyrë që nuk ka jetim që ju ka vra baba në luftë me pagu te une. 482 jetima që i kom bo synet falë {e tregon ni dosje}.

Anita Susuri: Mas luftës?

Faik Bllata: Mbas luftës. Edhe qat’ ditë që i kom ndihmu ni jetimi, që i kom ndihmu ni skamnori e që i ndihmoj edhe sot tri here ma shumë po kom punë. Kur afrona te tavolina qitu e shkruj raportin mjekësor te pacientat, ma së pari e kqyri babën (qan). Për shpirt tina ia la ma lirë edhe gjithmonë ju thom pacientit, “Që ki mundësinë paguj, që s’e ki, e ki falë”. Qat’ ditë që i ndihmoj ni skamnori, tri herë ma shumë kom punë. Unë shkepi ndihma shumë, unë jetoj me ju ndihmu njerëzve. Për çdo ramazan, dy-tri ditë para ramazanit i shkepi dikund kah 1200-1500 euro ndihma edhe për bajram edhe do familje që i di që janë keq, që janë jetima, ju ndihmoj shumë.

Nuk e la vetën keq se faleminderit prej Zotit kam punë mjaft. Edhe pse me 30.08 i mbushi 70 vjet i lumi allah m’ka çu edhe mendjen e hajrit edhe dorën edhe intervenime kirurgjike edhe syneti, kam pacienta mjaft edhe s’jam keq materialisht. Tanë fëmija nëpër punë, po dëshira jem osht’ veç m’i ndihmu ni skamnori. Edhe pacientat qe sa vjet punoj, qe 41 vjet gjithmonë kanë besimin te unë. Unë i luti ma së pari kur vjen dikush ni operacion me kry, ia shpjegoj, “Shko në spital e ki pa pare”, “Jo shok mjek, na e dijmë spitali ku osht’ po na kemi qef në dorë tane”. E kanë besimin.

Për hak të qatij besimit që kanë e për shpirt të babës që aq shumë ka bo për neve, ju kallxova që dy herë në ditë, në ramazan, në pikë dimrit ka shitë dru për me na shkollu. E tash nuk du me ia hupë. Në punkt të Stanovcit e nalin babën, veç edhe qita për babë. E nalin babën, ni punkt të Stanovci, s’di a keni ni ka qenë ni punkt famkeq aty kanë rreh e kanë vra shumë njerëz. Ka vjen prej nipave të vet prej Stanovcit e nalin. Ua vret syrin plisi edhe i thojnë, “Plak hiqe plisin edhe shkele me kamë”, baba jem lula të xhenetit iu boftë, e shtin dorën në xhep edhe i nxjerrë dhetë mark, “Qe”, thotë, “po ua paguj plumat po kom qef me pa plumat kah t’u mbijnë, jo si kukaviat me m’ra ju mas shpine”.

Këta m’ka kallxu ni Shaban Bllata me gru e me fëmi që u konë prezent qaty. Baba ju thotë, “Largonu ju prej ktyhit se kanë bo njet me më vra e mos t’ju vjen juve naj plum”. E për hatër të Zotit e për shpirt të babës që në ato momente të randa nuk e ka hjekë plisin, plak me plis të bardhë hala në ordinancë temen s’ka. Edhe djalit i kom thanë, “Që të vjen naj burrë me plis të bardhë dhetë euro e ki kontrollimin e synit. Shënoje, unë kom me t’i dhanë 30 euro, veç pare mos iu merr njerëzve me plis të bardhë”. Kjo osht’.

Anita Susuri: Po m’intereson dita kur osht’ shliru Kosova, qysh e keni kuptu? Ku jeni kanë?

Faik Bllata: Dita kur u shliru Kosova jom konë nja 700 metra larg prej kësaj shpisë te qata Pasomët se kishim të plagosun edhe n’atë rreth plot. E tanaj mundësia ma për me dalë prej qytetit me 3 prill kur jena ardhë këtu, mundësi ma për me dalë nuk ka pasë. Kemi ni në lajme kur marrëveshja e Kumanovës [është arritë], por hala s’besojshim. Kemi besue vetëm kur helikopterat e NATO-s kanë zbrit n’do livadhe janë qaty naltë. S’ka pasë shpija hiç. Atëherë ka qenë gëzimi ma i madh për neve. Kjo ka ndodhë me 16 [qershor, 1999]kur kanë zbrit forcat e NATO-s këtu. Me qat’ natë, na në mramje kemi ardhë në shpi këtu.

Shpija e djegun krejt, po dy dhoma knej që i kom në ordinance pata mendu m’i bo spital privat edhe për operacione ato në ciment ato s’janë kallë. Nuk e bona spitalin privat, a din pse? Se nuk kisha pasë kufarë fitimi prej operacionit me anestezion të përgjithshëm. Se shpirtin qysh e kom une nuk kisha mujtë m’i marrë pare sa duhet. Ti duhesh me pagu edhe anesteziologun, me pagu edhe motrat, m’i pagu edhe barnat. E thashë mjafton me qito veç me anestenzion lokal që janë m’i ba, e jo me ba spitalin. Nuk kom guxoftë. Edhe pse kom pasë mundësi të gjitha mjetet m’i ble, veç me konë paq e me ftyrë para popullit e mos me m’sha dikush.

Se veç t’ju tregoj diçka, Adem Ademin që e përmenda e çeli spitalin e vet edhe për operacion. Shkova nja dy-tri operacione i ndihmova. Po vjen njani po më thotë, “M’i ka lypë 300 mark për ni zorrë qorre. Qysh ka mujtë me m’i lypë?” Thashë, “O burrë, ato s’janë tona të tijna. Niqind mark osht’ dashtë me pagu anestenziologun e motrat e mjetet e sterilizimin e krejt. Doktor Ademit nuk i jesin mi 70-80 euro në xhep të tina të paqa”. Tek qatëherë… a shkojshin në spital të shtetit, nifarë Jankoviqit ia jepshin 300 mark që ia bojke dikond operacion. A për privat ia nisën me kesh e për qata nuk e kom çelë spitalin këtu, po e kom lonë veç me qit’ ordinancë kirurgjike.

Korab Krasniqi: Rruga ku jetoni sot e ka mbiemrin Bllata që osht’ sigurt i familjes të juj. Në emër të kujt osht’?

Faik Bllata: Në emën të babës tem.

Korab Krasniqi: A na shpjegon pak qysh osht’ vendosë?

Faik Bllata: Une s’e kom ditë kurgjo hiç kur i kanë bo emërtimet e rrugëve. Kjo rrugë ka qenë rruga e Vëllezërve Frashëri, përpara. Edhe u mburrshim që osht’ rruga e Vëllezërve Frashëri. Mirëpo komuna kur i kanë bo ndamjen, emërtimin e rrugëve, ni Sami Istrefi meritat ma të mdhaja i ka pasë ai. Ai më ka thanë, “Cilin vend në qytet po don m’u ngjitë rruga e babës tond? Që e ka dhanë jetën t’u e mbrojtë pragun e shpisë”. Jom kujtue gjatë. Ka thanë, “Ti veç zgjidh, qitja gishtin. I dijmë meritat e tua edhe të babës tond që me bicikletë në atë pleqni t’vet u shku në Reshan u ka çu ndihma ushtarëve, gjithë u konë me ta”, thotë, “e ku të dush”. Jom nalë jom kujtu e kom vet vllaun, “Qysh të dush ti bonja”. Kom marrë vendimin… edhe me grunë teme e kom vet.

Kom thanë, “A din çka? Po m’vjen boll zor me ia hjekë Vëllezërit Frashëri rrugës, se jena mësu qe sa vjet mirëpo rrugës po du masi po m’thojnë ku po don po du me ia ngjitë”. Që sahere të dalë, sahere të hy në rrugë, saherë më thrrasin pacientat, “Rruga?” Une i thom, “Rruga Mursel Bllata”. Edhe m’doket shumë mirë (qanë). E ni vetën shumë të gëzushëm. E ka edhe ni rrugë në Rashan, rruga kryesore e ka emrin Mursel Bllata, atje veç kur m’kanë thanë që ia kanë ngjitë. Edhe atje kur shkoj në Rashan, se jom i Rashanit shkoj shpesh atje në ato tokat tona ku i kem edhe atje kur e shoh zemra më bohet mal.

Anita Susuri: Nëse doni edhe diçka me shtu për fund me tregu, nëse na kemi harru…

Faik Bllata: Une juve ju falënderoj shumë. S’kom fjalë me ju falënderu që keni marrë këtë rrugë të gjatë prej atjehit me i nda disa kujtime me mu. Shumë, shumë prej tyre i kom harru, shumë tjera s’më bijnë në mend, a din pse? Unë s’jom i mire para televizionit. Di me folë në odë të burrave, di me folë me njerëz, por jo ajo trema po diqysh të hupin fjaltë para televizionit se ndryshe flasim kur jemi bashkë e ndryshe kur këtë inçizim e sheh dikush tjetër. E para televizionit kurrë s’jom konë bash bash i shlirë.

S’kom fjalë me ju falënderu. Allahu ju ndihmoftë për këtë punë që po e boni se kjo mbetet në histori, për këtë aksion që keni marrë me qit’ fakte edhe të reja për grevën e minatorëve kjo osht’ madhore. Une i pata thanë edhe Kolë Berishës, në atë kohë ka qenë edhe kryetar i Kuvendit të Kosovës, po më doket 2004-tën a kur, që ni pllakë përkujtimore duhet në horizontin e nantë m’u vu edhe m’u thanë, “Këtu janë themelet e shtetësisë së Kosovës”.

Harrova veç edhe diçka osht’ shumë me rëndësi me folë. Veli Osmani që ju thashë me Avdi Ukën kanë qenë shtyllë e qasaj greve të urisë edhe protestave edhe marshit, 2003-tën, 2004-tën iu keqësu gjendja e përgjithshme. Unë jom shku shpesh në shpi me kontrollu edhe me i dhanë ndihmë e infuziona e injeksione e krejt. Në bisedë e sipër 2005-tën ai ka ndrru jetë, nja dy javë, tri javë para se me vdekë ma ka lanë ni amanet. Tha, “Doktor Faik”, tha, “po folet m’u pavarësu Kosova m’u bo shtet. Qat’ ditë që të bohet shtet me ardhë deri te vorri jem e me më kallxu”, thashë, “Veli, nuk dihet cili vdesim përpara. Nashta unë vdes përpara. Ti që je gjallë vjen te vorri jem më kallxon”.

Dha shpirt. 2008-ën kur u pavarësu Kosova me 17 shkurt, me 18 shkurt une e kom marrë Avdi Ukën e jemi shku te vorri tina. Edhe jom ulë edhe i kom thanë, “Veli Osmani, prej sotit Kosova osht’ shtet”. Të nesërmen, jo mas tri dite, me 21-tin java e minatorëve, unë e kom marrë fjalën se minatortë m’kanë dashtë shumë e m’dojnë shumë edhe shërbime ju boj falas sot e asaj dite. S’ka minatorë që ka pagu shërbim te une. E kom thanë mes tjerash, “Unë amanetin e Veli Osmanit e kom çu n’vend. Jom shku te vorri tij edhe kom thanë që Kosova osht’ ba shtet”. Ma shumë nuk kam, ju falënderoj shumë.

Anita Susuri: Faleminderit shumë.

Download PDF