Didarja. Rrëfimi jetësor i një Prizrenaseje

Miroslava Malešević

…serbishtja ka qenë gjuha e vetme me të cilën kam komunikuar me fëmijët e mi dhe nuk jam ndjerë e kërcënuar për shkak se ata nuk e dinin gjuhën shqipe. Ka qenë e rëndësishme që të kuptohemi, dhe jo me cilën gjuhë po shërbehemi. Të them të drejtëm, sot më pengon që e kam humbur mundësinë që me fëmijët e mi ta mësoja edhe unë ndonjërën nga gjuhët botërore, e jo pse atyre nuk ua kam mësuar gjuhën amtare. Familja ime në ndërkohë është zgjeruar, është internacionalizuar […] Duhet të dëgjosh atë esperanto kur këtu mblidhet e gjithë familja. Me burrin e Suzanës, Stefanin, që është francez me prejardhje hebreje, familjarët komunikojnë kryesisht në anglisht. Me Noamin, nipin tonë të vogël, flasim në frëngjisht. Të dytë flasin ngapak edhe serbisht, aq sa është e nevojshme për t’u marrë vesh për gjërat elementare, ndonëse çdo herë dikush duhet të na dalë në ndihmë me përkthim që Tosha dhe unë të mos ndihemi të lënë mbasdore. Suzanës dhe Goranit u pëlqen që ngandonjëherë të më drejtohen në turqisht, ky është edhe rasti ta freskojnë dijen e tyre të turqishtes, dhe kur të gjitha këto përzihen, të gjitha gjuhët dhe përkthimet, të bëhet sikur jemi në ndonjë tubim ndërkombëtar dhe jo në një drekë familjare. Mua thjesht më shijon kjo laramani gjuhësh.


Didara Gjorgjević (1930-2006) ishte një mësuese e lindur në Prizren e cila në vitet 1950 u bë politikane me profesion. Ajo ishte Sekretare e Konferencës së Grave të Krahinës së Kosovës, Përfaqësuese e zonës Prizren-Dragash në Asamblenë Federative Jugosllave (1968-73), anëtare e Drejtorise dhe Drejtoreshë e Këshillit për Politika Shëndetësore dhe Sociale përgjatë vitit 1986, dhe deputete në Shtëpinë e Republikave të Asamblesë Federative Jugosllave (1987-91) deri në pension. Në vitin 1998, ajo u largua nga Kosova për në Beograd.


Në vitin 2003, Miroslava Malešević, një antropologe në Institutin Etnografik të SANU në Beograd, dhe anëtare të Gratë në të Zeza, realizuan një varg intervistash të historisë gojore me Didara Gjorgjević. Ato takoheshin njëherë në javë për tre muaj. Rezultati i bisedave të tyre është libri Didara. Životna priča jedne Prizrenke [Etnološka biblioteka, Knjiga 14, Beograd 2004], i përkthyer në shqip nga Shkëlzen Maliqi [Didarja Qendra Multimedia, Prishtinë, 2016]. Publikimi serb është volumi i nëntë i serive, Identitetet Femërore, filluar nga Nadežda Radović në strukturën e bashkëpunimit ndërkombëtar Kujtimet e grave. Hulumtim mbi identitetin e grave në socializëm, të financuar nga Qendra për Studime Gjinore në Pragë.

Didara

Fragmente nga Miroslava Malešević, Didarja. Rrëfimi jetësor i një Prizrenaseje [Përktheu nga serbishtja nga Shkëlzen Maliqi], Qendra Multimedia, Prishtinë, 2016.

www.qendra.org / [email protected]

Titulli i Origjinalit, Didara. Životna priča jedne Prizrenke, Etnološka biblioteka, Knjiga 14, Beograd 2004.

 

                                                                                 […]

                                                                          FE­RE­XHJA

Pas klasës së pestë, pra kur i bëra dymbëdhjetë vjet, mua më erdhi koha për tu «maturuar» si vajzë. Sipas zakonit islamik, kur vajzës i vinin menstruacionet e para, kjo ishte shënja se ajo është rritur dhe se më nuk duhet të dalë në publik pa ferexhe. Njëkohësisht, për mua personalisht kjo nënkuptonte ndërprerjen e shkollimit. Unë e përjetova këtë si diçka që nënkuptohej, as nuk më shkonte në mend se mund të jetë ndryshe, sepse kjo ndryshe thjesht nuk ekzistonte. As babai nuk insistonte, mbase pse ishte kohë lufte. Sidoqoftë, pas përfundimit të klasës së pestë, unë ia dhashë lamtumirën shkollimit të mëtejmë pa ndonjë keqardhje. Mamaja tashmë e kishte qepur ferexhen time dhe gjithçka ishte bërë gati për përfshirjen në statusin tim të ri që e prisja: shoqërimin me vajzat tjera të mbluara, dasmat, ahengjet, përgatitja e pajës për martesë. Dëshiroja fort që të bëhem vajzë e rritur dhe që edhe të tjerët të më shohin si të tillë. Në Prizren ka qenë një zakon që ky ndryshim prej fëmijës në vajzë të zyrtarizohet me një ritual. Kur erdhi ky moment, nëna ime m’i palosi në një çantë disa rroba dhe ferexhen dhe më shpjegoi se çka duhej të bëja dhe ku duhej të shkoja. Ceremonia konsistonte në një shëtitje të fundit nëpër qytet, për t’i vizituar e vetme të gjitha vendet ku kam qenë si fëmijë, në mënyrë që një njëfarë dore t’ua shprehja lamtumirën atyre rrugëve dhe vendeve. Ishte si një paraqitje e ime e fundit para botës me fytyrë të pambuluar, pasi që në ato vende më nuk do të kthehesha kurrë fytyrhapur, siç e bëja këtë duke qenë fëmijë. Pra, shëtitja ishte përshendetje me fëmijërinë time. I gjithë ky tregim tash më duket shumë i trishtueshëm dhe shqetësues, por atëherë, më kujtohet shumë mirë, nuk vajtoja pse fëmijëria ime po përfundonte zyrtarisht. Përkundrazi, ngutesha që të rritem.

Pas asaj shëtitjeje, siç parashihte «protokolli», kam shkuar te tezja ime si mysafire. Atje më prisnin, gjithçka e kishin bërë ujdi paraprakisht, edhe kjo ishte pjesë e ritualit.Tezja kishte dy vajza më të mëdha, tashmë edhe ato të bëra për martesë, dhe unë isha mysafire e tyre për disa ditë: ato më argëtonin, më njoftonin me shoqet e tyre, gjë që e kishte kuptimin se po më pranonin në rrethin e tyre, se duhet të ndjehesha e barabartë me to, se po bëhesha vajzë e rritur. Pasi që kaluan disa ditë, e gjatë kësaj kohe nuk kam guxuar të dal nga shtëpia e tezes, sërish sipas rregullave të zakonit, tezja m’i dha dhuratat që i kishte përgatitur për mua dhe ma vendosi ferexhen. U ktheva në shtëpi në rolin e ri. Nga ai moment, si grua, kurrë më nuk do të duhej të paraqitesha në publik me fytyrë të zbuluar.

Të gjitha ferexhet kanë qenë të qepura njësoj dhe me ngjyrë të njëjtë, të zezë, por dalloheshin për nga cilësia e materialit ato që i bartnin vajzat e reja, nga ato të grave të martuara dhe të atyre në moshë të shtyrë. Nuset e reja, për shembull, i bartnin ferexhet nga mëndafshi. Të gjitha ferexhet kishin dy pjesë: fundin e gjatë që mbulonte pjesën e poshtme të trupit, që në bel shtrëngohej me llastik; dhe pjesën e sipërme krejtësisht e mbyllur që vishej nga koka dhe kishte mëngë të gjata. Ferexhet qepeshin shumë të gjera, kështu që përfundi tyre ke mundur të veshësh edhe kapotën. Përmbi fytyrë vendosej pëlhura e tejdukshme, peqja.

Në rrugë dilej me pajisje të plotë, por kur shkonim diku si mysafire, në hapësira të mbyllura dhe mes grave, ferexhja hiqej. Nëse shkohej në ndonjë vizitë të shkurtër hiqej vetëm mbulesa e kokës. Në shtëpitë tona ferexhja nuk mbahej, as para kushërirëve gratë nuk mbuloheshin. Për këtë arsye në çdo shtëpi ekzistonte sistemi i shenjave që paralajmëronin vizitorët e njohur: për shembull, nëse porta trokitej dy herë e dinim se po vjen daja, ose axha, dhe e hapnim portën lirshëm. Në rast se nuk ishte sipas shenjës, pyesnim se kush është. Për postierin, të themi, nxirrej vetëm dora jashtë, nuk paraqiteshim me fytyrë para tij.

Kuptohet, ferexhja vetëm nga jashtë, sidomos pjesa e kokës, shikuesve të painfirmuar mund t’i lërë përshtypjen se të gjitha gratë janë veshur me të njëjtën uniformë të pa identitet. Statusi i kamjes, luksi, imagjinata, shija, të gjitha këto dilnin në pah kur gratë e hiqnin ferexhen. Dhe të gjitha këtyre gjërave i kushtohej vëmendje e madhe. Mua nëna mi blinte rrobat më të mira, gjithnjë më qepte diçka, për çdo rast të solemniteteve duhej të kisha fustane të reja. Njëkohësisht, furnizohesha edhe me qeiz, pajën për martesën time: peshqirët, çarçafët, mbulesat për tavolina, tentenet, gjithçka që do të më nevojitej në familjen time të ardhshme. Kjo ka qenë gjëja më e rëndësishme që përgatitej para martesës. Ka qenë zakon që me rastin e dasmës i gjithë qeizi të ekspozohet para publikut. Të gjitha pjesët e pajës ekspozoheshin dhe rrinin ashtu tërë ditën, kushdo që kishte dëshirë ka mundur t’i shihte, mu si në ndonjë ekspozitë, për këtë arsye vazjat, dhe sidomos nënat e tyre, mundoheshin që paja të jetë sa më reprezentative. Vajzat kopjonin mostrat e qëndismave njëra nga tjetra, kurse disa risi i fshihnin me xhelozi për t’i mahnitur vizitorët në momentin e duhur, etj.

Rrethi në të cilin qarkulloja në vitet e para të vajzërisë sime ka qenë shumë i kufizuar, por ndonjë tjetër rreth thjesht nuk ka ekzistuar, kështu bota ime në atë kohë nuk më është dukur edhe aq e vogël. Kohën e lirë e kaloja kryesisht me shoqet dhe duke bërë punë dore. Gjatë vizitave ka qenë e rëndësishme sidomos të mësonim se si vishen dhe pispillosen shoqet. Kemi qëndisur shumë, është dashur të përgatiten shumë gjëra për martesë, nuk dinim asnjëherë se kur do të mund të paraqitet nafaka jonë e vërtetë, e nuk mund të martoheshe e papërgatitur, kështu që edhe mua, si dhe vajzave tjera, në përgatitjen e pajës na ndihmonin nënat, gjyshet, hallat, tezet. Në atë kohë pata filluar të mësoja pranë nënës edhe gatimin, por kjo nuk më tërhiqte edhe aq shumë dhe në këtë aspekt asnjëherë nuk kam arritur t’i afrohem mjeshtërisë së nënës sime.

Festimet më të mëdha kanë qenë dasmat, sidomos kanagjeqet, nata e vajzërisë, në të cilat mblidhej rrethi i gjerë i vajzave. Kanagjeqi ishte ritual që organizohej para dasmës, me ç’rast bëhej depilimi i tërë trupit të nuses së ardhshme dhe ngjyrosja me këna (nga kjo edhe vinte emri kënagjeq – mbrëmje e kënimit). Pas ritualit nusja dilte para mysafireve, të cilat shërbeheshin me çaj dhe ëmbëlsira. Ajo ndërronte veshjet disa herë gjatë mbrëmjes, tregonte fustanet më të bukura, e veshte fustanin e nusërisë dhe me sjelljen e saj tregonte të gjitha maniret e duhura të një nuseje të ardhshme. Kështu ato që e kishin radhën për martesë i mësonin rregullat e caktuara. Por këto kanë qenë rastet kur edhe vajzat tjera tregoheshin me pamjen e tyre sa më të bukur. Gratë në moshë në këto ndeja shikonin me kujdes si janë veshur vajzat, sa stoli kanë, sa janë të bukura, sa elegante, çfarë sjellje kanë. Këtu praktikisht bëhej përzgjedhja e nuseve të ardhshme: nëse e tërheq vëmendjen e motrës, hallës, tezes, gruas së dajës etj. të ndonjë burri për të cilin kërkohej nusja, mund të dilte rasti i mirë për martesë.

Kjo ka qenë e tërë bota ime, asnjë dalje tjetër, asnjë udhëtim, libra, shoqëri meshkujsh, asgjë. E gjithë periudha e luftës për mua kaloi me këtë lloj vajzërie, në rrethin e mbyllur të moshatareve të mia.

 

[…]

                                                            KTHESA DRAMATIKE

A e kishin bindur babain tim këta njerëz të Partisë se po vjen koha e emancipimit të përgjithshëm, dhe a ka qenë kjo arsyeja pse i është kthyer dëshira e vjetër që unë të shkollohesha, ose ia kishte frikën pushtetit të ri dhe nga konformizmi i pastër vendosi që të ecë në hap me kohën, më ka mbetur e paqartë. Por, në jetën time ndodhi një kthesë e paimagjinueshme. Në vitin 1947, kishte ardhur direktiva nga Partia që të binden njerëzit më me influencë në qytet për domosdonë që gratë e mbuluara t’i heqin ferexhet. Këta njerëz me influencë duhej që me shembullin e tyre, pra në familjet e tyre, të tregonin se çfarë rruge duhet të ndiqet në shoqërinë e re. Babai im kishte qenë në mbledhjen e parë të tillë dhe menjëherë kishte marrë vendimin: vajza e tij do ta heqë ferexhen. Kuptohet, mua nuk më kishte pyetur fare.

Ishte konsultuar me Enverin i cili ishte pajtuar menjëherë dhe filloi të më «riedukonte». Vendimin e babait e pata përjetuar si dënim të tmerrshëm. Kur ma pat kumtuar se ia kishte dhënë fjalën Komitetit vendor të Partisë, unë mbeta e shokuar, gojëhapur, pa fuqi që ta kundërshtoja, ta pyesja çfarëdo. Tërë natën pata qarë. Nuk kam mundur ta paramendoja një situatë më të tmerrshme nga kjo në të cilën më shtynte vetë babi im. Isha shtatëmbëdhjetë vjeç, doja që të martohesha, të mos dallohesha nga moshataret e mia. E shihja para vetes Sadijen e pafat, vajzën e ndjerë të hallës sime dhe kisha frikë se do të më gjente fati i saj. Ajo të paktën e kishte zgjedhur vetë rrugën e saj, mua po më çonin në atë rrugë pa vullnetin tim. Ndihesha e mjerë dhe e pafuqishme, sikur babai me vendimin që ta heqja ferexhen po me dënonte që të ec rrugëve lakuriqe, sikur po më detyronte që të prostituohesha. Mendoja se nuk do të mund ta mbijetoja këtë turp.

Dhe atëherë erdhi edhe një shok i ri. Atë vit, mbase lidhur me aksionin e ferexheve, në Prizren është organizuar kursi i mësuesisë për shqiptarët. Duhej që në atë kurs, që zgjaste tre muaj, të aftësoheshin kuadrot shqiptare për punë në shkollat fillore, sepse kishte filluar aksioni i mësimit të shkrim-leximit të popullsisë. Babai kishte vendosur që unë ta vijoja kursin për mësuese. Gjithçka ishte kundër vullnetit tim dhe vinte aq shpejt. Nënën, sikur edhe mua, askush nuk e pyeste asgjë, por ajo mendonte arsyeshëm: «Nëse mbetesh te shtëpia, nuk di a do të mund të martohesh. Nëse do ta kesh pagën tënde, ndoshta do ta gjesh më lehtë ndonjë rast», pat thënë. Dhe vërtet, shumë shpejt u tregua se ai kursi kishte qenë gjasa ime e vetme, jo aq për martesë, por që jetës sime t’i jepja një drejtim të tillë. Dhe e nisa, sepse zgjedhje tjetër edhe nuk kisha.

 

E në kurs – dyzet djem dhe vetëm tri vajza. Në orët e mësimit shkoja gjithnjë me fustan me mëngë të gjata, e mbërthyer deri në fyt, ndonëse ishte verë dhe nga turpi nuk guxoja ta çoja shikimin e as t’i përshendesja njerëzit në rrugë. As ata nuk më përshendesnin mua. Kur kaloja rrugës më hedhnin lloj-lloj fjalësh, gratë dilnin të më shihnin, duke ia bërë me zë njëra-tjetrës – «Ejani ta shihni të bijën e Gani Tadës, po ecën pa ferexhe!» Më hapej toka nën këmbë nga turpi! Më kujtohet se Enveri ditën e parë të shkollës i kishte sjellë te shtëpia jonë ato dy vajzat tjera të kursit, që të njiheshim dhe së bashku të shkonim në shkollë, sepse nuk guxoja që ashtu «lakuriqe» të shkoja e vetme në mësim. Pranë shkollës ka qenë konvikti ku ishin vendosur të gjithë kursistët që vinin nga vendet tjera të Krahinës. Vijoheshin tre kurse, i ulti, i mesmi dhe i larti. Me mua, në kursin e ulët, ka qenë vetëm një vajzë tjetër.

 

[…]

                                      KTHESA E RE: NJOHJA ME TODOR GJORGJEVIC

Në shtëpinë tonë ende punonte bujtina, dhe gjithnjë kishte shumë mysafirë. Unë më nuk ndihmoja te recepsioni, e kisha punën dhe pagën time. Aty vinin kryesisht disa punëtorë të Partisë. Unë pothuajse nuk i shihja, por njërin prej tyre megjithatë e pata pikasur, sepse vinte mjaft shpesh. Ishte ky Tosha Gjorgjeviqi, sekretari i Komitetit të Partisë në Dragash. Shkonte shpesh në Prishtinë për mbledhje, e Prizrenin e kishte stacion në rrugëtimin nga atje. Kur kthehej nga Prishtina, i vinte mbarë që të flente një natë në Prizren. Shpesh jemi takuar te shtëpia, por nuk komunikonim. Më dukej i bukur, këtë e pata vërejtur, dhe e hetoja se edhe ai më shikonte dhe se i pëlqeja, por më shumë se kaq nuk kam menduar. Ne u takonim botëve të ndryshme, nuk do ta merrja guximin për asgjë më teper sesa ato pak shikime që i shkëmbenim në fshehtësi. Për fatin tim, ai guxoi. Më ndali një ditë në qytet, u paraqit dhe shprehi dëshirën që të më përcillte deri te shtëpia. E pranova. Shëtisja në mes të ditës nëpër qendër të qytetit me një djalosh që nuk ishte shqiptar, plotësisht e vetëdijshme se çka po rrezikoja me këtë, por më pëlqente që të isha me të. Konsideroja se një mësuese mund t’ia lejonte vetes të shëtiste me një djalë, të paktën si shok, dhe se edhe të tjerët këtë do ta kuptonin në këtë mënyrë. Por këto shëtitjet tona, pas asaj të parës, u shpeshtuan, sepse ai paraqitej si rastësisht, gjithnjë kur unë i përfundoja orët e mësimdhënies, dhe gjithnjë më pëcillte deri te shtëpia, para syve të të gjithëve. Vetëm se rruga për në shtëpi bëhej gjithnjë e më e tërthortë, sepse po na bëhej e rëndësishme që sa më shumë kohë të kalonim duke shëtitur bashkë. Kjo ishte mënyra e vetme që të jemi bashkë më gjatë e të mos dukej e dyshimtë. Më pëlqente shoqëria e tij, e prisja që të paraqitej, por nuk e kisha guximin ta pranoja se isha e dashuruar. Në të vërtetë, nuk dija as që jam e dashuruar, sepse lidhja me një njeri të fesë dhe kombësisë tjetër më dukej sa krejtësisht e parealizueshme, po aq edhe e palejueshme, kështuqë nuk guxoja as ta ëndërroja një gjë të tillë. Kënaqesha vetëm me atë që kisha, bisedat shoqërore dhe shëtitjet kilometrike. Një ditë ai më ndeshi sërish si «rastësisht» në qendër të qytetit dhe pa një pa dy më tha se i pëlqej shumë, se për mua vjen në Prizren aq shpesh, me pak fjalë, ma tha se më dashuron. Unë u hutova, u mahnita, u frikësova – të gjithat përnjëherësh – nuk dija çka t’i them. Thosha, kishte vendosur ta provojë o krejt o asgjë. M’i tregoi të gjitha për veten, çka punonte, kë e kishte, të gjitha imtësitë, dhe në fund më tha se më do për grua, të martohet me mua, më kërkoi që të mendohem për propozimin. Komunist këmbë e krye, Toshës nuk i bënte fare përshtypje prejardhja jonë kombëtare e ndryshme. Ai jetonte në harmoni me bindjet e veta dhe sinqerisht besonte se koha e re është duke i zhdukur përgjithmonë paragjykimet e këtij lloji. Nuk e interesonte, andaj, as çka do të thonë prindërit e mi. E për këtë unë nuk dija se çka të them. Ta refuzoja? Nuk dija si mund ta bëja këtë, pasi që ai më pëlqente gjithnjë e më shumë? T’i tregoja babit? Do të më vriste ose do të vdiste vetë nga turpi!

Për vendimin tim ndikoi një djalë tjetër. Në të njejtën kohë ka qenë edhe një shqiptar nga Prizreni i cili më vardisej, më priste para shkollës, më thoshte se i pëlqeja dhe se do të vinte te shtëpia ime për të ma kërkuar dorën. Ky djalë mua nuk më pëlqente fare, nuk doja të kisha asgjë me të. Ma ngjallte refuzimin sidomos agresiviteti i tij, dëshironte të më prekte, provonte të më përqafonte, mbase mendonte se nga vajzat e sotme të lira nuk duhet të kërkohej leja për këso intimitete. Për dallim nga ky djali, Tosha ishte shumë më i përmbajtur, me shumë respekt. Definitivisht dhe tërësisht i pata pastruar hesapet më këtë djalosh në kokën time kur me një rast ai më tha se gruan e tij të ardhshme nuk do ta lejonte që të jetë e punësuar. Me këtë më pat goditur në krenarinë time. Pas gjithë asaj që e kisha kaluar, ai më kërkonte që të bëhesha një grua tradicionale nën hijen e tij! Për t’u kthyer në një rol të tillë as që mund të bëhej fjalë më. Tosha fliste ndryshe dhe unë i besoja. Por, qyteti i Prizrenit që i vërente të gjithat, i kishte regjistruar edhe shëtitjet e mia me Toshën, dhe llafet për këtë kishin arritur te ky djaloshsi dhe te nëna ime. Nënën e pata bindur lehtë se me Toshën nuk kam asgjë, se ato janë thjesht shpifje, kurse atij djalit gjërat i dukeshin shumë më të qarta. Andaj edhe ishte ngutur, ndonëse unë i pata thënë hapur se nuk dua të martohem me të, që ta dërgonte shkuesin, mësitin, për të më kërkuar zyrtarisht nga babai im.

Nëna më pat thënë se babai dhe ajo kishin vendosur t’ia japin pëlqimin. Mendonin se ai djali ishte në rregull, vinte nga një shtëpi e mirë, se me të do të kaloja mirë, dhe kështu me radhë. Unë qaja, e lusja që ta bindë babain ta ndërronte mendjen, i thosha se atë djalin nuk e dua, se nuk dua të martohem, por të gjitha këto nuk i bënin fare përshtypje. Nëna nuk e kuptonte. Por edhe nëse e kuptonte – nuk guxonte ta shprehte. Ajo më thoshte thjesht – «Mos po mendon se unë e doja babin tënd kur jam martuar? Dhe, ja, ne jemi duke jetuar në një martesë të mirë gati tridhjetë vjet». Unë gati sa nuk po çmendesha. Nuk e doja një martesë të «mirë» me kontratë, si të sajën, unë ëndërroja për një dashuri romantike.

Të mitë kishin një javë ditë, ashtu ishte zakoni, për të dhënë përgjigjen e fundit. Kjo donte të thoshte se që nga java tjetër, kur babi t’ia kthente përgjigjen mësitit, unë do të bëhesha pronë e atij djaloshi, se ai do të dispononte me jetën time, do të vendoste për mua si për pronën e tij. A duhet të kthehem pesëdhjetë vjet prapa? Në atë kohë unë isha mishëruar me idenë se jam pioniere e ndryshimeve emancipuese ndër gratë e Prizrenit, dhe tani nuk mund t’i lejoja vetes që të më martonin kundër vullnetit tim. E prita Toshën në vendin ku e kishim lënë takimin dhe i tregova se çka po gatuhej për fatin tim. Sapo kishim filluar të «kalonim» ne të dy, përkatësisht, sapo kisha filluar të mendoja për ofertën e tij për martesë, isha e detyruar që të merrja një vendim të prerë dhe ia vura Toshës kushtin: «Përgjigjja ime është po, vetëm se vlen deri të hënën. Nëse do të martohesh me mua, duhet të ndërmarrësh diçka urgjentisht. Po qe se babai im ia jep fjalën atij djalit tjetër, atëherë nuk do të mund të bëjmë më asgjë. Kurrë më nuk do të më shohësh.» Në vetvete e thërrisja: «Ndihmë, më shpëto!» Edhe ai qe zënë në befasi, por ishte i vendosur fort se nuk duhej të më humbasë. E kishte plotësisht të qartë se nuk mund të presim fjalën e fejesës sime. E dinim po kështu se tani nuk ka kurrfarë kuptimi që ai të shkonte te babai im për të më kërkuar, nuk do ta merrte assesi pëlqimin. Në Prizren as për nga statusi nuk ka pasur martesa të përziera, dhe jo më mes dy kombësive të ndryshme, kështu që kjo do të ishte arsyeja e parë pse babai im nuk do ta pranonte. Edhe nëse ai do të ishte shqiptar, pozita politike e lartë e Toshës pa një «pedigre» të kënaqshëm, nuk do t’ia «mbushte syrin» babait. Pastaj, unë isha kërkuar zyrtarisht nga një «rast i mirë» («edhe i joni, edhe nga familja e mirë») dhe kjo për prindërit e mi gjithsesi dukej ofertë më e mirë se ajo nga një «askushi» nga Dragashi. Prandaj unë dhe Tosha u morëm vesh se nuk kemi zgjidhje tjetër pos që para ditës së kobshme të arratisesha me të. E pata prerë mendjen,  vendimi u mor. I besoja, e dija se nuk do të më zhgënjente.

 

                                                              IKJA NGA SHTËPIA

«Grabitjen» time e organizoi Tosha. E kishte njoftuar së pari kryetarin e Rrethit se unë po lidhem me të vullnatarisht dhe e kishte lutur atë që ta njoftonte babin tim se me kë kam ikur dhe ku do të jetonim. Kryetari i Rrethit ka qenë Maksut Skënderi, një mik i mirë i Toshës. Të shtunën në mbramje, dy ditë para se të skadonte afati që prindërit e mi e kishin caktuar për dhënien e pëlqimit të fejesës sime për djalin tjetër, sipas udhëzimeve të Toshës unë pata dalë të takohesha me Maksutin, i cili e kishte marrë rolin e «lidhjes». Nënës i pata thënë se po shkoja në shkollë për mbledhje. Për të mos zgjuar dyshime nuk mora me vete asgjë. Llogarisja se e gjithë drama do të përfundonte pas disa ditësh; babi do të zemërohet pak, por pasi që isha e përkëdhelura e tij, do të më falte. Shpresoja se do të më vinte shumë shpejt për vizitë dhe do të pajtoheshim. Nuk mendoja më thellë. Të jem e sinqertë, po të mos isha vetëm nëntëmbëdhjetë vjeçare dhe me litarin rreth qafës, nuk besoj se do të mund të merrja një vendim kaq radikal.

Me Maksutin shkova deri te dalja e qytetit, ku na prisnin në një kamion Tosha dhe shoferi. Kamionin e kishte marrë nga drejtori i ndërmarrjes së transporteve me pretekstin se i duhet për bartjen e ushtarëve, rojeve kufitare, nga Dragashi në Prizren. Ndonjë transport tjetër në atë kohë, ishte mbrëmje e së shtunës, nuk mund  të gjeje. Edhe vetë Tosha mezi që e kishte siguruar transportin për veten nga Dragashi, sepse linjat kanë qenë të parregullta. Sidoqoftë, unë erdha në vendin e caktuar për takimin dhe e pashë se shoferi i kamionit është një fqinj i yni. Nuk doja assesi të ulesha pranë tij në kabinë, sepse do të më njihte. Unë dhe Tosha u ulëm prapa në pjesën e kamionit të mbuluar me mushama, kurse Maksuti me shoferin përpara, në kabinë.

 

Në Dragash, pas disa orësh ngasjeje, na pritën vendasit me aheng dhe krisma, të gjithë ishin njoftuar, festohej martesa e sekretarit të Komitetit. Dalim nga kamioni, shoferi tani kupton se kë e kishte sjellë dhe për çfarë arsyeje. Ka menduar se e ka marrë ndonjë personalitet të rëndësishëm politik me detyrë sekrete. Si ka mundur ndryshe të kuptonte identitetin e personit nën mushama, i cili me kamion special udhëtonte natën për në Dragash i përcjellë nga sekretari i Komitetit? «Ç’bëre kështu, Didare?», ishte sinqerisht i shokuar kur më njohu.

Në ndërkohë lajmëtari, të cilin e kishte dërguar Maksuti, e lajmëroi familjen time se kisha ikur. Ky njeri na pat treguar më vonë se mezi kishte mbledhur forcën të hynte në shtëpi dhe ta shikonte në sy babin tim, ndihej sikur ai vetë kishte bërë ndonjë mëkat. Atje ai, së bashku me mamin dhe babain tim, kishte përjetuar një dramë të tmerrshme. Nëna e kishte humbur vetëdijen, babai kishte mbetur pa fjalë nga shoku. Lajmi ishte përhapur gjatë mbramjes nëpër qytet, kishin filluar të vinin kushërinjtë të vërtetonin nëse lajmi është i vërtetë, janë mbledhur njerëzit në shtëpinë e prindërve si për  ngushëllime. E bija e përkëdhelur e Gani Tadës ka ikur, dhe këtë pas një serbi! E ka shkelur fjalën e tij! Këtë turp babai nuk ka mundur të ma falte. Po atë natë e kishte shpallur se për shtëpinë e tij unë jam e vdekur dhe ua ka ndaluar të gjithëve që emrin tim ta përmendnin ndonjëherë. Për familjen time atë mbrëmje unë kisha pushuar së ekzistuari.

 

                                                                            […]

                                         MBI KOMBIN, GJUHËN DHE IDEN­TI­TE­TI

Për shkak të martesës së përzier nuk kam hequr dorë nga përkatësia ime kombëtare, por me kohë jam bërë me përcaktim të fuqishëm jugosllav. E përjetoja veten si një jugo-shqiptare. Mu kështu, edhe njëra edhe tjetra si një përzierje e barabartë. Natyrisht se për këtë përzierje të barabartë më së shumti kontribuonte jeta me Toshën, sidomos kur i linda fëmijët. Nëse nuk do të jetoja në martesë të përzier, me gjasë do të mund të quhesha «shqiptare ndër jugosllavët». Kështu, me të dhe me fëmijët ndihesha me barazpeshë dhe në çdo aspekt edhe shqiptare, edhe jugosllave. Fëmijët e mi, për shembull, mësonin në gjuhën serbe (në atë kohë quhej gjuhë serbo-kroate), në shtëpi flisnim serbisht, mua kjo në asnjë mënyrë nuk më rrezikonte. Me Toshën që nga fillimi flisja vetëm serbisht, e pastaj edhe me familjen e tij, sepse ata nuk e dinin gjuhën shqipe. Në familjen e tij paralelisht komunikohej edhe në gjuhën vllehe. Këtë gjuhë, për mua të panjohur, për herë të parë e pata dëgjuar nga nëna e tij. Deri atëherë nuk kam ditur as që ekzistonte. Tosha, ndërkaq, nuk e dinte mirë gjuhën vllehe, supozoj ngase ka jetuar në shoqëri me fëmijët serbë dhe shumë pak kohë e kalonte te shtëpia. Gorani si i vogël ka mësuar nga Dada shumë këngë në atë gjuhë, sikundër që edhe unë ia pata mësuar disa këngë shqiptare, por asnjërën prej këtyre gjuhëve ai nuk e fliste. E ka mësuar mjaft mirë turqishten duke qëndruar si fëmijë në Prizren, kurse Suzana gjatë studimeve e ka mësuar turqishten me seriozitet, por unë këtë prej saj nuk e kam kërkuar. E të mitë në Prizren edhe më pak. Të gjithë flisnim rrjedhshëm të tri gjuhët dhe kurrë nuk shtrohej pyetja rreth kësaj, automatikisht kalonim në gjuhën serbe kur vinim në vizitë, për shkak të fëmijëve dhe Toshës. Për mua ka qenë e rëndësishme që vazhdimisht ta ushtroja serbokroatishten, më së shumti për shkak të shkollimit, me qëllim që ta mësoja gjuhën letrare. Llogarisja, shqipen nuk mund ta harroja, le ta mësoja të paktën serbishten sa më mirë.

Ne të dy mendonim se shkollimi i fëmijëve tanë duhet të jetë në gjuhën serbo-kroate, për shkak të mundësive më të mëdha në jetën e tyre të ardhshme. Mbase kam gabuar që nuk ua kam mësuar edhe gjuhën shqipe, që të paktën me ta nuk kam folur në gjuhën time. Shumë miq më kanë bërë vërejtje për këtë, me gjasa me të drejtë, por ja, thjesht, nuk e kam bërë. Ka shumë arsye për këtë. Ndoshta më e rendësishmja është se unë vetë jam rritur mes dy gjuhëve të ndryshme, shqipes dhe turqishtes, të cilat në shtëpinë e prindërve të mi e kishin statusin krejtësisht të barabartë, kështu që unë edhe mendoja, që nga rinia, në të dy këto gjuhë. Nuk e kam ndërtuar, si shumica e njerëzve të tjerë, ndjenjën e lidhjes vetëm për një gjuhë. Dygjuhësia ka qenë që nga fillimi veti e parë e identitetit tim personal, kështu që edhe gjuhën e tretë, serbishten, që nga fëmijëria e kam pranuar me lehtësi, gjë që për shumicën e njerëzve nuk është e zakonshme. Për këtë shkak nuk kam insistuar për gjuhën shqipe në komunikimin me fëmijët e mi, duke besuar se edhe ata do t’i mësonin, duke u rritur, të tri gjuhët. Fëmijët e mi e kanë arritur njohjen pasive të gjuhës shqipe, por nuk e kanë folur asnjëherë. Edhe ato pak gjëra që i dinin nga rinia, më vonë nuk i kanë ringjallur duke  praktikuar. Thelbi qe se ata nuk kanë qenë të detyruar që ta mësonin. Shoqëroheshin në mënyrë të barabartë me të gjithë fëmijët, por nuk kishin arsye ta marrin mundin për ta mësuar gjuhën tjetër, sepse të gjithë fëmijët shqiptarë (edhe turqit dhe romët), sidomos në qytetet, e dinin gjuhën serbe. Pa marrë parasysh barazinë e gjuhëve sipas Kushtetutës, gjuha serbe ka qenë dominante në Krahinë në kohën kur ata janë rritur. Dokumentet, mbishkrimet, shenjat e komunikacionit, të gjitha kanë qenë me të vërtetë në dy gjuhë, por në komunikimin e përditshëm konsiderohej normale që serbët dhe shqiptarët të komunikojnë mes vetes vetëm në serbisht, përkatësisht se për serbët nuk është e obligueshme që ta flisnin gjuhën shqipe. Besoj se shumica e kuptonin, por nuk e përdornin. Edhe burri im e dinte shqipen, por nuk e fliste, gjoja pse ai e dinte një version «katundar», joletrar të shqipes, të cilën e kishte mësuar si fëmijë. Sa për shembull, deri nga mesi i viteve të gjashtëdhjetë (para shkarkimit të Rankoviqit, e edhe pas kësaj) fëmijët shqiptarë (me turqit dhe kombësitë tjera) e kishin gjuhën serbo-kroate lëndë të obligueshme për mësim, ndërkaq që fëmijët serbë dhe malazezë nuk e mësonin gjuhën shqipe. Atëherë erdhi direktiva që në klasat serbe të futet lënda e gjuhës shqipe, çka u prit me pakënaqësi të madhe. Prindërit protestuan në mbledhjet me autoritetet e arsimit dhe atëherë është bërë një zgjidhje kompromisi që edhe serbishtja edhe shqipja të bëhen lëndë fakultative. Më kujtohet se në atë kohë Gorani im vijonte shkollën e mesme dhe një herë e pata pyetur se si i shkon mësimi i gjuhës shqipe, a i duhet farë ndihme, llogarisja se të paktën janë duke mësuar sado pak, por ai më tregoi se që nga fillimi askush në klasë nuk ka qenë i interesuar të dëgjonte arsimtarin e shqipes, kështu që ai as nuk përpiqej t’i mbante orët e mësimit. Në fillim qe përpjekur të fliste me zë më të lartë se zhurma e nxënësve, por pastaj kishte hequr dorë, kështu që orën e shqipes nxënësit e klasave serbe e shfrytëzonin për t’i përgatitur orët vijuese, kurse arsimtari gjatë asaj kohe vetëm i lexonte gazetat. Me gjasë e njëjta gjë ka ndodhur edhe me serbishten si lëndë fakultative për klasat shqiptare.

Kjo më vonë do të sjellë probleme të mëdha. Nga fundi i viteve të gjashtëdhjeta gjendja ndryshoi në thelb. Së pari, në planin politik Kosova fitoi autonomi të gjerë (sidomos që nga ndryshimi i Kushtetutës në vitin 1974). Shteti filloi të investonte fonde të mëdha për zhvillimin ekonomik të Krahinës, si dhe për shkollim, kulturë etj. Është themeluar Universiteti i Prishtinës, dhe bëhej gjithnjë e më i madh numri i shqiptarëve që diplomën e fakultetit e fitonin duke mësuar në gjuhën amtare. Qenë hapur konviktet e studentëve, gjë që ka qenë me rëndësi të veçantë për shkollimin e vajzave nga fshatrat. Më parë djemve u lejohej që të shkonin në qytet për shkollim, kurse me vajzat kjo ndodhte shumë më rrallë. Ndërkaq tani shumë vajza e kishin edhe mundësinë që të iknin nga shtëpia për të studiuar, sepse gjenin strehim në konviktet e studentëve. Kjo ka qenë e rëndësishme jo vetëm për shkak të rritjes së numrit të vajzave me diplomë fakulteti, por edhe për zbutjen e një problemi tjetër që me vite të tëra tensiononte marrëdhëniet në Kosovë. Bëhet fjalë për «problemin» e natalitetit të lartë të shqiptarëve, i cili në situatat e ndryshme paraqitej si problem serioz social dhe politik dhe ndikonte negativisht në marrëdhëniet ndërnacionale. Vetë fakti se tani këto vajza po studionin kishte për pasojë shtyrjen e periudhës reproduktive të tyre, ato e fillonin atë më vonë pasi që bëheshin njëzet e katër ose njëzet e pesë vjeç, dhe jo më si pesëmbëdhjetë ose gjashtëmbëdhjetë vjeçare, siç ka qenë zakoni nëpër fshatra. Pos kësaj, vajzat me diplomë të fakultetit synonin që të punësoheshin dhe edhe kjo rrethanë zvogëlonte mundësinë që ato të lindnin shumë fëmijë. Kështu që njëra nga mënyrat më efikase për zvogëlimin e natalitetit ishte hapja e konvikteve pa pagesë për vajzat studente nga fshatrat.

Me kohë në Krahinë rritet numri i vendeve të punës dhe rritet edhe numri i shqiptarëve në pozitat udhëheqëse. Për të plotësuar kuotën e përfaqësimit proporcional kombëtar në punësim, shqiptarët tani kishin përparësi gjatë punësimit. Për herë të parë në konkurset për punësim si kusht paraqitej edhe njohja e dy gjuhëve, të cilin kusht serbët dhe malazezët, në shumicën e rasteve, nuk e plotësonin, andaj edhe rritej pakënaqësia e tyre. Shumë shpejt shqiptarët u bënë shumicë dominuese në jetën politike në Kosovë. Gjuha shqipe me të shpejtë është bërë gjuhë dominuese në komunikimin publik, dhe e dukshme ishte edhe rritja e nacionalizmit shqiptar. Përnjëherë shqiptarët refuzonin që ta flisnin serbishten (për shembull në sportele, në mbledhjet publike dhe të ngjashme), për çka serbët dhe malazezët filluan të ndiheshin të rrezikuar. Natyrisht, nuk kanë ndodhur këto procese gjithnjë nga arsyet nacionliste. Po e jap vetëm një shembull se si kjo zhvillohej në praktikën e përditshmërisë: një ditë pata shkuar në ordinancën e vëllait për ta shëruar një dhëmb. Nuk e kisha bërë prenotimin e terminit, llogarisja se do të më pranonte pa rend pasi që jam motra e tij. Mirëpo, para dyerve të ordinancës së tij prisnin diku rreth dhjetë veta, dhe ai më kërkoi falje, nuk mund të më pranonte, por iu lut kolegut, para ordinancës së tij nuk priste askush rendin. E pyeta: «A je ti aq i mirë si dentist, apo kolegu punon me shumë nge pasi që ti paske kaq shumë pacientë?»Ymeri qeshi. Arseyeja është, më tha, se kolegu nuk e di gjuhën shqipe e pacientët janë kryesisht shqiptarë. Shumica prej tyre janë nga fshatrat, nuk e dinë mirë serbishten. Pra, me shumicën e pacientëve ky dentisti tjetër nuk merrej vesh, kurse njerëzit duan që të bisedojnë me mjekun, t’ia shpjegojnë çfarë halli kanë, të krijojnë besim të ndërsjellë. Kështu që mungonte gjëja më e rëndësishme, besimi i ndërsjellë, dhe kjo për shkak të mosnjohjes së gjuhës. Njerëzit shkonin tek ai ku mund ta gjenin besimin. Me gjasa, kishte edhe të tillë që refuzonin t’i drejtoheshin mjekut në gjuhën serbe, thjesht nga protesta, sepse mund ta bënin këtë. Rezultati ka qenë, si në rastin e Ymerit, se njëri dentist ishte tepër i ngarkuar me punë, sepse i fliste të dy gjuhët dhe i shkonin pacientët e të gjitha «ngjyrave» dhe përkatësive, kurse tjetri priste që t’i vinte ndonjë pacient si puna ime.

Ky ishte bërë trend gjatë viteve të shtatëdhjeta. Shumë serbë nuk kanë mundur të pajtoheshin me ndryshimin e gjendjes, përkatësisht humbjen e privilegjeve të mëparshme, kur nënkuptohej se në grupet e përbëra duhej të flitej vetëm në gjuhën serbe. Kjo situatë, të cilën njëra palë deri në vitet e gjashtëdhjeta e konsideronte si normale, pala tjetër ashiqare nuk e ka konsideruar si diçka normale. Mosekzistimi i vullnetit që komshiu i parë të respektohet edhe me njohjen e gjuhës së tij, madje edhe vetëm simbolike, shumica e shqiptarëve e ka përjetuar si demonstrim të epërsisë dhe pushtetit serb, dhe kjo tani u kthehej si bumerang në trajtën e nacionalizmit shqiptar. Për shembull, një bashkëpunëtor i Toshës dhe mik i ynë i mirë, më pat thënë një herë hapur se është i lumtur që e ka për drejtor Toshën, «sepse nuk do ta duronte që shef i tij të ishte ndonjë shqiptar». «E po mirë, ti e di se çka jam unë për nga kombësia, si mund të ma thuash mua një gjë të tillë?» i pata thënë. «Jo, Didare, nuk është njësoj, sepse ti je diçka tjetër», qe përgjigjur ai. Unë vërtet isha diçka tjetër, por jo në kuptimin si mendonte ky miku ynë. Kam qenë «diçka tjetër» edhe për njërën palë, edhe për palën tjetër. Megjithatë, më duhet ta pranoj se për këto çështje të ndjeshme në atë kohë nuk kam menduar mjaftueshëm. Siç duket, nuk kam pasur dhimbje të mjaftueshme. Kaloja nga një gjuhë në gjuhën tjetër pa vështirësi, sipas nevojës, duke mos u ofenduar që shumica nuk bënte kështu. Nuk u jepja rëndësi as përqeshjeve kur bëja ndonjë gabim me rasat në gjuhën serbe. Këto përqeshje i konsideroja si mungesë të kulturës personale të atyre dhe nuk prekesha, ashtu sikundër që nuk prekesha edhe kur më perqeshte dikush nga shqiptarët për shkak se i kisha «tëhuajtur» fëmijët.

Sa u përket fëmijëve të mi, mendoja se është e mjaftueshme t’i mësoja se është më e rëndësishme ajo çka flet një njeri sesa në cilën gjuhë ai flet. Ky ka qenë qëndrimi im personal si dhe i përbashkët i familjes. Dhe është bërë edhe karakteristika kryesore e jetës sime dhe të fëmijëve të mi. Suzana ime tani jeton në Paris dhe natyrisht se më së shumti e flet frëngjishten. Gorani prej kohësh jeton në relacionin Beograd – Nju Jork, prandaj edhe më së shumti e flet anglishten. Megjithatë, që të dy e ndjejnë serbishten si gjuhë amtare, ndonëse nuk e kanë amtare. Gorani, kur e kishin pyetur ca miq amerikanë se a është serbishtja gjuha e tij amtare, është përgjigjur: «Fatkeqësisht unë nuk e flas gjuhën amtare as të babait tim e as të nënës sime, por e flas gjuhën amtare të vajzës sime» – një përgjigje e shkelqyeshme, sepse Masha, gruaja e tij, është serbe. Mua personalisht nuk më ka penguar pse serbishtja ka qenë gjuha e vetme me të cilën kam komunikuar me fëmijët e mi dhe nuk jam ndjerë e kërcënuar për shkak se ata nuk e dinin gjuhën shqipe. Ka qenë e rëndësishme që të kuptohemi, dhe jo me cilën gjuhë po shërbehemi. Të them të drejtëm, sot më pengon që e kam humbur mundësinë që me fëmijët e mi ta mësoja edhe unë ndonjërën nga gjuhët botërore, e jo pse atyre nuk ua kam mësuar gjuhën amtare. Familja ime në ndërkohë është zgjeruar, është internacionalizuar, kanë ardhur anëtarët e rinj që nuk flasin gjuhët e kësaj treve dhe komunikimi me ta është paksa i vështirësuar, pasi që ai rregulli «fol serbishten që të të kuptojë tërë bota» për ta nuk vlen, edhe pse arrijmë që disi të kuptohemi. Kur ke vullnet të mirë, gjen edhe mënyrën për t’u kuptuar. Duhet të dëgjosh atë esperanto kur këtu mblidhet e gjithë familja. Me burrin e Suzanës, Stefanin, që është francez me prejardhje hebreje, familjarët komunikojnë kryesisht në anglisht. Me Noamin, nipin tonë të vogël, flasim në frëngjisht. Të dytë flasin ngapak edhe serbisht, aq sa është e nevojshme për t’u marrë vesh për gjërat elementare, ndonëse çdo herë dikush duhet të na dalë në ndihmë me përkthim që Tosha dhe unë të mos ndihemi të lënë mbasdore. Suzanës dhe Goranit u pëlqen që ngandonjëherë të më drejtohen në turqisht, ky është edhe rasti ta freskojnë dijen e tyre të turqishtes, dhe kur të gjitha këto përzihen, të gjitha gjuhët dhe përkthimet, të bëhet sikur jemi në ndonjë tubim ndërkombëtar dhe jo në një drekë familjare. Mua thjesht më shijon kjo laramani gjuhësh.

Download PDF