Sahit Berisha

Prishtinë | Date: 12 shkurt, 2024 | Duration: 286 minuta

[Shkolla Normale, 30 Tetor, 1968] Në momentin kur Xhavit Nimani ka marrë [fjalën]… shumë vonë u bo, ora gati 08:00 i natës…Unë u nervozova dhe jom shprehë në mënyrë arrogante i kom thanë, ‘Boll mo, mos na lodh’… Për këtë ditë, për këtë fjalim jom përgadit. Kom mësu do sene përmendësh. M’i ka mësu Ali Boletini, m’i ka mësu Hamëz Shala, Halil Alidema. Më shtishin m’i përsërit fjaltë. ‘Lype flamurin. Se me këtë flamur kanë luftu në luftën anti fashiste partizanët, lype. Lype zhvillimin e vendit. Lype pse po eksplatohet Trepça’… Bile Ali Boletini nuk më folke shumë me za t’naltë. Thojke, ‘Mos u bo si Halili që po i mëshon tavolinës, nuk i mshohet tavolinës. Aty nëse jeni, ke me i paraqit kërkesat’…Po pikë për pikë qato sikur vjershën kur e mëson, qato i kom përmend… Në ndërkohë tash ma unë kur jom ulë që e kom përfundu me fjalinë e fundit kom thanë, ‘Shok Xhavit, kot na man. Pa u liru ata prej burgut na nuk e kem ndërmend me ndërpre grevën. Këtë bojkotim të mësimit’… Me 4 dhjetor janë liru… Kjo ishte ni fitore e jona… Po mundësia me folë, me dhanë, me kërku ishte ma e madhe… Ni frymëzim që paska mundësi me i donëzu edhe figurat politike si Xhavit Nimanin.


Anita Susuri (Intervistuesja), Ana Morina (Kamera)

Sahit Berisha u lind në vitin 1947, në fshatin Leletiq të Lipjanit. Kreu Shkollën Normale dhe Fakultetin e Historisë në Universitetin e Prishtinës. U arrestua dhe vuajti dënim me burg si pjesëtar i Ilegales. Berisha dha mësim histori në gjimnaz deri në vitet ‘90, kur mori përgjegjësinë për sigurimin e Presidentit Ibrahim Rugova. Më pas u përfshi në veprimtari ndërlidhëse klandestine, në sigurimin e logjistikës dhe në shpërndarjen e informacioneve për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.