Zyrafete Berisha Lushaj

Prishtinë | Date: 17 nëntor, 2021 | Duration: 75 minuta

Po ishin përvjetori i demostratave t’vitit ‘81. Unë asokohe jetoja n’konvikt, në Qendër të Studentëve, n’konvikt edhe sigurisht nuk m’kalojke asnigja pa e marrë vesh, pa e ditë. Edhe isha përgatitun që do t’ndodhë diçka, isha përgatitun se ishte edhe vllau në Lëvizje edhe isha e përgatitun që nëse ndodhë diçka, une e di çka t’flas, e di ku jom edhe e kom ditë shumë mirë qëllimin. […] Unë dola me shoqe para oborrit t’konvikteve studentore. Takohna edhe me vllaun, takohna me shumë shoqe, me shumë kolegë. Nuk e kom ditë që ne po fotografohemi, secilën pozitë sepse ishin masat shumë të rrepta policore. Ishin jashtëzakonisht të rrepta. Kështu që, ranë n’gjurmë edhe pas ni kohe na burgosen mu, vllaun edhe ni shoqe. Tri vetë përniherë na kanë arrestu. Edhe pastaj aty kanë fillu torturat nën hetime ni kohë derisa janë caktu ditët e burgut. Ka qenë ni periudhë shumë shumë e tmerrshme, për shkakun që u dashtë me ditë çka po flet. Problemi im ish me i mbrojtë tjertë, nuk ish atëherë problemi jem. […] Mirëpo, m’kujtohet që vllavi tri vjet para meje ishte ma i guximshëm, ishte ma edhe thotë, ‘Mos fol!’ Veç këtë pjesë e mbaj mend.


Anita Susuri (Intervistuesja), Renea Begolli (Kamera)

Zyrafete Berisha Lushaj u lind në vitin 1962, në fshatin Pozharë të Deçanit. Në vitin 1982 e ka regjistruar Fakultetin Filologjik, dega Letërsi e gjuhë shqipe në Universitetin e Prishtinës. Zonja Berisha-Lushaj punoi pesë vite në arsim dhe një vit në bibliotekë si vullnetare. Ajo është nënë e pesë fëmijëve dhe jeton me familjen në Deçan.