Më kujtohet kemi shku… disa herë, jo veç une po plot profesorë, i kanë nal i kanë marr i kanë çu në stacion, i kanë rrehë. Edhe e kishim përvjetorin 28 nëntori, na në krejt Kosovën u murrëm vesh me LASH-in, atëherë u konë Lidhja e Arsimtarëve Shkrimtarëve, Shoqata e Kosovës, që me majt me 25 [nëntor] në krejt Kosovën. Po e kanë zbulu ata edhe vijnë, ishim në Klinë të Epër, vijnë na marrin, na lidhin para krejt nxanësav na çojnë në polici, na çojnë në gjyq (qeshë). Unë nuk jam prej atyne që ankona, po kur na çunë në polici për me na kontrollu më ra me çizme këtu {tregon vendin te këmba}, qe ku e kom këtu.
Atëherë e kena pasë vendos në krejt Kosovën fotografitë e Skenderbeut me i qit nëpër shkolla. Edhe kur erdhën ata i gjetën. Erdhën policia me ata pizgaverat me ata krejt, na shtinën ni dhomë, tani na palunë në qasi, janë konë si kompanjolla, njo mi njo gati në polici edhe mu më çunë edhe në gjyq. Aty për fat, po them për fat qëlloj ni nxanëse e jemja po malazeze, se tjerët i ka dënu deri tri vjet.
Xhafer Murtezaj u lind në fshatin Klinë e Poshtme në Komunën e Skenderajt. E ka përfunduar Shkollën Normale “Hasan Prishtina” në Mitrovicë. Në vitin 1968 ka filluar të punoj si mësues, ndërsa në gjimnazin “Ramiz Sadiku” sot “Hamëz Jashari” në Skenderaj ka filluar të punoj në vitin 1973. Në këtë gjimnaz ka punuar deri në pensionim. Zoti Murtezaj sot jeton me familje në Komunën e Prishtinës.