Daja Sadik Stavileci dhe Enver Hoxha: një histori apokrife

Nga Shkëlzen Maliqi

Shkëlzen Maliqi është filozof, kritik arti, analist politik dhe intelektual. Gjatë viteve 1990 u përfshi dhe në politikë.Një nga themeluesit e Partisë Social-Demokrate të Kosovës dhe kryetar i saj i parë në vitin 1991-1993. Ka mbajtur pozicione drejtuese në organizatat e shoqërisë civile si Fondacioni Kosovar për Shoqërinë Civile (1995-2000) dhe Komiteti i Helsinkit i Kosovës (1990-1997).

Ky rrëfim i shkurtër është shkëputur nga libri, Shkëlzen Maliqi. Dialog me Baton Haxhiun, Tiranë: UET Press, 2011.


Daja Sadik Stavileci dhe Enver Hoxha: një histori apokrife

DAJA IM SADIK STAVILECI, HERO KOMBËTAR

Historia dhe shembulli i dajës Sadik vërtet ka qenë i rëndësishëm për mua. Në shtëpinë tonë, si dhe te daja tjetër, Tasim Stavileci, Sadiku zinte vendin e heorit kult, ikonës familjare.

Mua më pëlqente sidomos njëra fotografi, e formatit jo shumë të madh, e dajës Sadik si student. Porteti në gjysmëprofil, i buzëqeshur, me mantil të bardhë, në një kopsht me lile, dhe në prapavijë ndërtesa e spitalit në Bari, në Itali. Sadiku ka qenë i sëmurë nga tuberkulozi, dhe ishte fotografuar në ambientet e senatorit ku po kurohej.Sadiku na dukej shumë i pashëm dhe me një karizmë që nuk e kuptonim mirë.

Valboni, djali i madh i dajës Tasim, tani i ndjerë, me të cilin kam qenë moshatar dhe shumë i afërt, më tregonte shpesh një histori apokrife të vdekjes së dajës Sadik me Vojo Kushin dhe Xhorxhi Martinin në vitin 1942, në Tiranë. Sipas kësaj legjende, të cilës Valboni i besonte shumë, nuk ka qenë Vojo Kushi trimi që ka kërcyer mbi tanksin e armikut, por ka qenë pikërisht Sadkiu, por ja që të vërtetë e kishin shtrembëruar qëllimshëm Enver Hoxha dhe Partia e Punës për arsye se daja im, si njëri prej udhëheqësve të grupit të komunistëve të rinj, në kohën kur po bëheshin përpjekjet e bashkimit të grupeve të ndryshme dhe formimin e Partisë Komuniste të Shqipërisë, paskësh qenë kundër zgjedhjes së Enver Hoxhës në krye të partisë. Arsyeja tjetër për retushimin e ngjarjes, gjithnjë sipas versionit që e kam dëgjuar nga daja Tasim dhe gjyshja Zyhra, ka qenë prejardhja kosovare e Sadikut. “Në Shqipëri ka paragjykime ndaj kosovarëve. Ata na duan… Bile edhe komunistët, edhe pse shiten si internacionalistë, janë me paragjykime ndaj kosovarëve, i konsiderojnë malokë e të pagdhendur.” Kështu disi e shpjegonin faktin pse edhe shpallja e Sadikut hero i popullit është bërë me shumë vonesë.

Unë vetë nuk i kam besuar verbërisht këtij versioni apokrif që Sadikun e tregonte si kryeheroin e njërës prej ngjarjeve më të rëndësishme nga historia e rezistencës antifashiste në Tiranë.

Vdekja e tij së bashku me dy shokët gjithsesi ka qenë heroike, s’ka rëndësi se cili ka kërcyer mbi tank! Vetëm se djali i dajës Valboni, gjithnjë e kishte ëndërr që të sqaronte këtë padrejtësi dhe mashtrim. Në vitin 1971, kur familjarisht, për herë të parë pas 29 vjetësh patëm marrë lejen nga Tirana që të vizitonim dhe nderonim varrin e Sadikut, edhe një herë u pat ringjallë versioni familjar i neglizhimit të dajës Sadik për shkak të kujtesës hamarrëse të Enver Hoxhës. Gjatë qëndrimit në Tiranë shpresonim se do të takonim ndonjë shok të dajës, që do të na tregonte se çfarë kishte ndodhur në të vërtetë. Por, nuk takuam askënd dhe dëgjuam sërish vetëm verzionin zyrtar. As që na u dha rasti të hulumtonim të vërtetën…

Tani së fundmi kam zbuluar në internet një rrëfim të dëshmitarit që besoj se e tregon saktë se si kanë vdekur daja Sadik me Vojon Kushin dhe Xhorxhi Martinin. Kjo dëshmi është marrë nga kujtimet e Muharrem Llanajt, i cili pohon se ka qenë i katërti në grupin në përleshjen që ka ndodhur në një rrugicë të Kodrës së Kuqe në Tiranë, në shtëpinë e Ije Farkës. Llanaj, sipas kujtimeve që citohen në një sajt të internetit, pohon se tre heronjtë kishin vdekur ashtu si thuhet në versionin zyrtar, vetëm se askund nuk përmendet edhe emri i tij, që ka pasur fat dhe çuditërisht i ka shpëtuar ekzekutimit.

Por, sidoqoftë, mbetet fakti që daja Sadik ka qenë kundër Enver Hoxhës. Dhe kjo është sigurisht arsyeja pse histografia komuniste dhe propaganda enveriste e ka zgjedhur për kryehero Vojo Kushin, duke neglizhuar dy dëshmorët e tjerë. Në familjen tonë thjesht mbahej në mend kjo që Sadiku është deklaruar kundër Enver Hoxhës. Dhe unë që nga fëmijëria e kisha këtë si një argument më shumë për të qenë antienverist. Isha i bindur se daja Sadik e ka nuhatur mirë karakterin e Enver Hoxhës. E vlerësoja se ka qenë tepër intelegjent dhe largpamës. Enveri vërtet është treguar tiran, udhëheqës me karakter të keq dhe i rrezikshëm, ka vrarë, burgosur dhe internuar mijëra njerëz, e ka izoluar dhe shkretuar Shqipërinë, një vend aq të bukur dhe të pasur e ka kthyer në mjerim dhe kolaps total.

Download PDF