Tri herë “Po”: Historia e nëntë

Raif Musa dhe Valdete Bajrami Musa

Ky është rrëfimi i nëntë nga cikli prej dhjetë rrëfimesh mbi Lëvizjen e Pajtimit të Gjaqeve të vitit 1990. Rrëfyesit janë Raif Musa dhe Valdete Bajrami Musa, burrë dhe grua, profesionistë në teknologjinë e informacionit nga Ferizaji, të cilët ishin aktivistë të Lëvizjes.

Në Godanc është një rast shumë interesant, profesori taman zbret prej kerrit e gjanë nji laps, edhe kur erdh në tubim ata me veti tha, “Deri sot”, tha “Jonë vra nërmjet veti shqiptarët, edhe kanë luftu me pushkë, po na sot e tutje kem me luftu me laps, këtë laps po ia la shkollës së  fshatit në muze le ta runë”. Edhe nuk e di a e kanë atë laps, detaj interesant. […] E prej ktuhit në Greme ajo Imrane Abdullahu Hajra ka qenë kryetare e Forumit të Gruas së LDK-së në komunën e Ferizajit, ajo ka marrë pjesë në tubim, normal si strukturë e asaj kohe, edhe ajo e pat’ dhanë propozimin që Këshilli në Nivel Qendror me u thirrë Anton Çetta. Tani qat’ propozimin e saj këtu në Godanc, unë veç e kom bartë para masës, edhepse profesori ka refuzue kategorikisht, nuk ka pranu me ndodhë ajo. Edhe ky Kokrruki m’pat kapë për dore mu edhe tha, i tha masës, “Unë p’e përkrahi propozimin e vëllaut tem, edhe kom qef që masa me thanë tri herë, ‘Po’”, edhe kanë thanë krejt masa tri herë, “Po”, a din masë e madhe, mirëpo prapë profesori s’pranojke. Kur është majtë tani Kuvendi i Parë i Këshillave të Pajtimit, në rend dite ka hi edhe kjo, edhepse studentat e Pejës nuk kanë pranu domethanë ajo është qashtu, s’dojshin me pranu se menojshin që p’e merr profesori përsipër, po ja u merr munin atyne, a realisht profesori u kanë shumë modest, edhe nuk u vendos.

E aty në [fshatin] Osek Hylë është vendosë, na s’kem prezentu po është vendosë që Këshilli në Nivel Qendror me u thirrë Anton Çetta edhe domethanë ka fillu me u thirrë edhe deri në fund. Në maj… në maj të 1992-tës është majtë Kuvendi i Këshillave të Pajtimit në Institut Albanologjik. Aty është vendosë me u ndërpre, me marrë fund Pajtimet, 1530 gjaqe jonë kanë të pajtume deri në qat’ kohë edhe me u nxjerrë nji libër në nivel të Kosovës, përgjegjës e kanë caktu në atë kohë u kanë magjistër, tash është Prof. Dr. Zymer Neziri, ai u kanë redaktor. Edhe unë e kom propozu prej anës tonë, unë s’kisha gradë shkencore, e kom propozu Liman Rushitin me na përfaqësu si Ferizaj, a din, rajonin tonë. Edhe është dalë libri, është libri edhepse me mangësi të shumëta për shkak që shumë Këshilla nuk kanë majtë shënime, jonë disa. Na s’kem pasë atë problem Këshilli jonë, i kemi pasë domethanë të detajume, jemi të vetmit që të parët i kemi dorëzu shënimet edhe të detajume, sepse na u dashtë me mbajtë shënime në vazhdimësi, profesori më pat thanë, i kom shumë herët në shkurt të 1990-tës, “Ku të shkojsh merri sa anëtar të familjes jonë ku falet gjaku edhe sa anëtarë të familjes ku e falni gjakun”. E unë gjithkun i kom marrë ato shënime, tani kur i kom dorëzu i kom dorëzu taman detajisht, e ka shumë prej tyne që as nuk kishin marrë shënime as, ndoshta me i ditë i kanë ditë po nëse nuk i shkrun ato harrohen, nashta edhe unë i kisha harru mos me i pas shkrujtë.

[…] Unë kështu në vija të trasha, edhe unë edhe gruja i majë në men krejt rastet, nëntdhjetë përqind të rasteve i majë në men në vija të trasha, po thom se naj detaj hupë normal. Mirëpo, është shumë interesant që mas 20 viteve e kem ba nji ekspeditë me kta {I drejtohet bashkëshortes së vet e cila është prezente}, kem shku në do familje që e kanë falë gjakun edhe na kanë pritë shumë mirë, sikur para…domethanë sikur në vitet e ‘90-ta na kanë pritë mirë na kanë ba muhabet mirë edhe kanë shprehë dëshirë edhe ma shpesh me i vizitu. Edhepse tash kur e kuptojshin që unë s’jom kërkun u befasojshin, ata menojshin që unë jom në naj pozitë dikun në qeveri për shkak se në atë kohë kom pasë pozitë shumë të madhe edhe tash atë bindjen që, “Ky duhet me kanë dikun”. Mu s’um brenë ajo, unë jom kanë idealist në atë kohë, kom pasë qef me i kry do punë, i kom kry edhe jom orientu kah kom pasë qef tutje. Jom orientu në sport, jom kanë sportist e kom vazhdu me sport, edhe kjo e ka vazhdu sportin. Në të vërtetë unë edhe gjatë qasaj kohe pak jom kanë i dhantë, po prej ‘92-tës e ‘99 unë jom kyçë në sport e në politikë hiç. Ma mirë!