Pjesa e Dytë
Anita Susuri: Patëm m’u kthy te kjo pjesa e shkrimit në pejton që ka qenë, thatë që u bo me qëllim që me tregu për juve çfarë familje jeni…
Shazije Gërguri Hasangjekaj: Po, po është e vërtetë. Në vitin 1964-ten në mars, isha t’u shku n’shkollë, takova me ni shok t’klasës edhe po m’pytë tha, “A ke marrën gazetën?” Thashë, “Nuk blejmë na gazeta. Pse ka diçka ni shkrim?” Tha, “Po”, thashë, “mos për babën tond?” Tha, “Jo për temin po për tanin”. Ni muj ditë unë kom qenë, s’po di qysh me thanën, si simbol i Prishtinës. Si dilsha n’rrugë dikush m’kqyrke, me simpati, e bija e Ajetit. Dikush me urrejtje, po flas për shqiptarët. Po qaq kom qenë aktuale për ato ditë.
Ni muj ditë ka shkru Rilindja, ‘Si u nxu Ajet Gërguri kryetar i ballistave të Kosovës?’ Edhe Večernje novosti edhe Rilindja. Ni muj ditë. Bile kisha pasë dëshirë ndonjë gazetar m’u angazhu me gjetë me përsërit edhe nihere. Atë pejton me shkru edhe niherë ni muj ditë për ata. Bile ka pasë bo ni i Shqipërisë ni emision shumë t’mirë për babën tem mas luftës. ‘I harruari’ ia ka pasë qit’ titullin. Se pak njerëz janë edhe na s’kena qenë fort tipa m’u imponu, jo kjo, jo kjo. Me pasë kanë dikush, o e bija Ajetit ish konë deputete tash, po unë s’jom për ato sene. Kush e meriton le t’përparon. Ai pejton ka qenë shumë bujë në ‘64-ten.
Anita Susuri: Po megjithatë, ju thatë që jeni njoftu me bashkëshortin e juj edhe…
Shazije Gërguri Hasangjekaj: A po. ‘66-ten nejse jena njoftu, ‘67-ten jena martu. Ky tasht i kanë thanë, “Ku don me feju vajzën e Ajet Gërgurit?” Ky i Malit të Zi ku e ka ditë kush osht’ Ajet Gërguri. Këtu e ka kry normalen në Prishtinë, në Beograd fakultetin kështu që ka qenë jashtë ngjarjeve. U marrë me sport, s’i ka interesu fort politika.
A patriot është ma patriot se të gjithë edhe ka thanë, “Bash që osht’ çika e Ajet Gërgurit, unë du me marrë për gru”. Bojshim hajgare, “Qe kosovarët s’guxun me të marrë”, thashë, “Edhe ti me fat i Malit të Zi”, thashë, “‘74-ten ra Rankoviqi, u ndrrun puntë krejt”. Veç ajo pejtoni ka qenë për shkak, unë po të tregoj, se bash ia qëllon moshën kur ne të dyjat ishim për martesë.
Anita Susuri: E a është marrë edhe motra juj me kto aktivitete?
Shazije Gërguri Hasangjekaj: Jo, motra ime ka kry vetëm klasën e pestë edhe ka thanë, “S’po du me shku në shkollë, du m’i ndihmu nanës me qepë”, edhe e ka lonë.
Anita Susuri: Ajo me zanat është marrë.
Shazije Gërguri Hasangjekaj: Po.
Anita Susuri: E pastaj dikun ma vonë kur jeni martu, po më duket, nuk e keni vazhdu ma aktivitetin apo edhe ma herët?
Shazije Gërguri Hasangjekaj: Jo, jo prej që jom martu jo ma. Prej që jom punësu ma s’kom pasë aktivitete. Kështu me ndihmu ma tepër humanitare tonve kur kom mujtën. Kështu me politikë valla kur te kqyrsh edhe ata pak jom asi… ‘90-ten, ‘90-ten më duket kur na erdhën masat e dhunshme edhe drejtoresha e Beogradit e prun në Prishtinë. Ajo ka qenë profesoreshë shumë e mirë që ju ka dhanë ktyne shoqeve të mia. Se ato shoqet e mia e kanë kry në Beograd shkollën e naltë, unë në Zagreb.
Shumë profesoreshë e mirë kështu, pa e ngarkune politikisht. Po e kanë pru grunë t’u i thonë që, ‘Atje s’po shkon puna mirë, e duhesh me rregullue punën’, edhe ia kanë dhanë ligjet, kishe “Qita, qita duhesh me ba”. Erdh aty ku punojshim na. Na shkrujshim latinisht edhe tha, “Jo duheni me shkru çirilicë”, tha, “se qishtu osht’ ligji”.
E tash unë, a din, kur je e msune me folë, krejt u shukatën kërkush s’foli, mu s’më la zoti rahat. Thashë, “Po profesoreshë, s’ka problem. Unë e para shkruj çirilicë. Po le të ndrrohet statusi i Kosovës se status të Kosovës shkrun ‘Ni gjuhë që mbahet prej popullatës me përqindje ma të madhe, duhet m’u shkru qajo ma së pari’. Këtu dihet që shqiptarë jemi ma shumë se serb”, asaj ia ktheva fjalën. Thashë, “Unë e para shkruj çirilicë, vetëm le ta ndrrojnë ligjin. Le ta bijnë që çirilica është gjuhë zyrtare në Kosovë”, tha, “T’paska hi irridenti në kry”, thashë, “Larg asaj”, thashë, “unë s’mirrna me ato sene”, thashë, “vetëm po foli në bazë të ligjit të Kosovës”.
Pata lexu që nime, ku dominojnë popullata serbe ose shqiptare ma s’pari në qat’ gjuhë shkruhet. Te na dominojshin shqiptartë, kështu që ma s’pari shkrujshim latinisht ose shqip. I shtini receptat e barnave me shkru çirilicë. Kërkund nuk shkrun ajo, shkrun latinisht. Po ajo s’kish faj se i kish ardhë puna prej jashtë. Se ish shku ni mjeke jona, çka s’kish thanë në Beograd për to qysh p’i len shqiptarë me çu kry. E qata e di që, krejt u shukatën, unë apet thashë valla s’po shukatna, s’mujta m’u shukatë. Zaher rraja (qeshë).
Anita Susuri: Osht’ edhe ni pjesë e rëndësishme n’vitin ‘68 që ka ndodhë, janë demostratat që kanë ndodhë ku për herë t’parë osht’…
Shazije Gërguri Hasangjekaj: Po ‘68-ten, po, republikë, po. Unë qatëherë e kom pa lind vajzën. Djali i kunatit e dojsha i thojsha, “Dilni në demostrata. Hajt bre edhe nëse ju qesin prej pune, unë ka me iu mbajtë”, isha në punë. Thashë, “Hajt dilni në demostrata”. Kanë dalë, masive kanë qenë. Demostratat kanë qenë atëherë për lavdata, krejt populli u dalë. S’ka qenë kërkush i ndam knej andej. Krejt kanë qenë.
Po unë e kom pasë gjithnji ni frikë, jom konë ni tip i çuditshëm edhe tash jom. Për shembull, krejt ato organizime dyshoj mos osht’ edhe dikush i përfshin. O’ negative veç të shtin ty me folë për me të burgosë. A din që qasi mendime kom shumë. Pa e njoftë njerin, pa i besu çka di unë ti me çfarë po del, me çfarë qëllimi. Se shumë janë burgosë njerëzit në atë kohë, shumë. Diqysh gjithë jemi frikë, për çdo organizatë që të bohet që a janë krejt njerëzit e pastërt ata që çojnë. Se shumë kush mendon ndryshe, vepron ndryshe.
Anita Susuri: A ju kujtohet qajo ditë diçka prej qatyne demostratave?
Shazije Gërguri Hasangjekaj: Valla u konë, i kom pa, se e kom pasë banesën përballë soliterit, t’u ikë rinia, t’u i rreh policia. Ikshin ku mujshin, me hi nëpër shtëpija. Se s’bijke larg, u kthejshin… shumë kanë rreh. Shqiptartë gjithë ju ka shku koha t’u u rreh.
Anita Susuri: E si kanë qenë për juve këto kur keni dëgju për burgosjet e për shembull edhe për burgosjen e Adem Demaçit, për vrasjet në burg për shembull? Qysh jeni ndje ju? Kanë qenë njerëz që i keni njoftë?
Shazije Gërguri Hasangjekaj: Valla po. Bile qit’ Fazli Grajçevcin bash e kom njoftë mirë. I shkreti i ri ka qenë. Djalë i Drenicës, mësus. Ka ardhë m’u shkollu po ka qenë patriot i madh ai. As ni fjalë s’e ka folë në burg ai, për qata ka vdekë ai. Se s’ka dashtë kërkond me qit’. A ka vështirë me dalë djali me të ardhë… edhe s’i kanë lanë fare xhenazen me ia çelën, arkivolin.
Se kur të vdes në burg ushtarë nuk t’lojnë me çelë se edhe ushtarët të gjithë kanë qenë, asnjë s’ka vdekë në mënyrë normale. Ja e kanë helmu, ja e kanë mytë, as ni shqiptarë s’ka dekë prej smujes. Masnej nisën oficirat shqiptarë m’i helmu. Që kanë qenë nëpër Nish, nëpër knej. Ka qenë luftë e msheft. Shumë rinia na ka vdekë nëpër burgje po s’i dijna.
Anita Susuri: A keni shku ju nëpër varrime për shembull? Të ktyne të burgosurve?
Shazije Gërguri Hasangjekaj: Ja-a, ja-a, kom shku në të Ademit e ktyne kështu ku osht’ normale. Valla kur u lëshu Ademi prej burgut në herën e parë, më duket krejt Kosova janë shku me pa. Pa marrë parasysh, edhe situata nuk u kanë bash e qetë atëherë po të gjithë kanë shkue. S’di a ka lanë kush pa shku me pa.
Anita Susuri: Edhe ju keni shku?
Shazije Gërguri Hasangjekaj: Po. Atëherë ka qenë masive. Po shyqyr ke me jetë të gjatë e jetoj deri në 80 vjet.
Anita Susuri: E këto, na kanë tregu ma herët, që edhe kur kanë dalë prej burgut njerëzit edhe janë përcjellë edhe ata që po vijnë prej…
Shazije Gërguri Hasangjekaj: Vëllau jem bile kurrë s’ka qenë ni dalje në rrugë pa u përcjellë. Ai vazhdimisht… kur e ka kry burgun, fakultetin, ku me hi në punë edhe këta Jahnovt e Drenicës shumë na kanë dalë në ndihmë se edhe babën e kanë strehu shumë te ta. E a ka qenë kryetarë komune a çka ka punu njani i Janove, i ka thanë, “Konkuro në Gllogovc kishe s’po të njoh kush je”. Atje u punësu për herë t’parë, masi u dalë prej burgut, si ekonomist. Masnej prej atyhit u bartë në Prishtinë.
Ai ka qenë shumë pedant për orar të punës. Fiks në ora 07:00, në dhetë në 07:00 shkojke në punë lexojke gazetë në ora 07:00 e mbyllke me ia fillu punës. Thojsha, “Vëllau jem, po të shtijnë në burg”, edhe i mrami dilke. “Hiqu…” se krejt spitali kërkush nuk u dalë në ora 03:00, dhetë n’03:00, 07:10 mrrijna n’punë. “Mos shko se vallahi t’marrin n’burg. Thojnë ‘Çka po shkon ky kaq herët e çka po del kaq vonë’. Po rri, mos ju bazo orarit”.
Anita Susuri: Zonja Shazije, ju në vitet ‘80-’81-ten domethonë keni qenë t’u punu sigurisht…
Shazije Gërguri Hasangjekaj: Po, po.
Anita Susuri: Ka ndodhë edhe atëherë demostratat në vitin…
Shazije Gërguri Hasangjekaj: Po, ‘80-’81.
Anita Susuri: Si i keni përjetu ju këto?
Shazije Gërguri Hasangjekaj: Atë, nuk e di, a ka qenë ma vonë kjo që jonë helmu fmija. Edhe ato katastrofë jonë konë. Ato jonë fillu nëse s’gaboj te Mensa e Studentëve. Qaty kanë fillu prej asajna… ato kanë qenë të planifikune veç janë kapë te pjatat që me nisë ti ata… edhe qajo ‘81-shi na pruni po më duket qitu me shku kah republika. Patën sukses. Ato kanë qenë shumë masive.
Anita Susuri: Ku keni qenë ju kur ka…
Shazije Gërguri Hasangjekaj: N’punë kom qenë, n’punë, n’punë, n’punë.
Anita Susuri: A ju kujtohet qajo dita qysh ka shku krejt? Qysh ka qenë qyteti? Në çfarë gjendje?
Shazije Gërguri Hasangjekaj: Ka qenë katastrofë. Kastastrofë ka qenë. T’u ikë njerëzit, i kanë hapë njerëzit dyrtë me hi kush don që m’u strehu, mos me nxon dikond rrugës. Se kanë qenë student të jashtit. N’atë kohë kom pasë marrë unë, qitash ma kujtove, bile njo i Prizrenit m’duket ka qenë, a i fshatrave të Prizrenit, veç fshatarve që jetojnë në Prizren.
Djali e pat’ marrë, se atëherë djali ka qenë student. I morëm studentat nëpër shtëpija për shkak se u mbyll mensa edhe u mbyllën konviktet. Qe krejt kom harru, tash ma kujtove. E mora ni djalë te shpija njo ni muj ditë e kom majtë. Se s’kishin ku me shku se kanë marrë shumë njerëz nëpër shtëpia. Studentat që kanë qenë jashta Prishtinës.
Anita Susuri: I kanë marrë për shkak se u mbyll apo për shkak se ka qenë rrezik?
Shazije Gërguri Hasangjekaj: Jo, jo u mbyll. Me hongër s’kishin ku e sene edhe mensa u mbyll. Masnej bash ni i Prizrenit ka qenë ni djalë, emri s’më kujtohet, tash osht’ në Gjermani ai djalë. Edhe ai ka qenë student në stomatologji me djalin tem edhe e kom marrë në shtëpi.
Anita Susuri: A ka pasë edhe tjerë që kanë marrë…
Shazije Gërguri Hasangjekaj: Jo, n’hymje tem jo veç ka pasë krejt, i kanë strehu s’i kanë lanë studentat rrugëve. Ua kanë çelë, sidomos këta me shtëpija, u kanë hapë dyrtë s’i kanë lonë rrugëve. Populli jonë është shumë bujar në këto raste. E rrezikon edhe vetën edhe s’i intereson ma tutje përgjegjësinë pse e ka marrë. I kanë hapë dyrtë shumë. Për ata jena të mirë veç kur osht’ puna me zgjedhë vendin, atëherë kem qef m’u shty pak a më takon mu a ty. Qaty se kështu jena bujar.
Anita Susuri: Me 1 edhe 2 prill kanë qenë ato ma masivet, demostratat, ku janë bashku edhe populli punëtor që i thojnë…
Shazije Gërguri Hasangjekaj: Këto minierat a?
Anita Susuri: ‘81-ten ende po flas. A keni dalë edhe ju?
Shazije Gërguri Hasangjekaj: Jo, jo veç fmija, djemt. Jo unë jo. Qiky djali i madh ka dalë. Po dihet aty qysh u konë. Krejt ka qenë, krejt kanë… qaty zyrtarisht, hapun kanë thonë, “Republikë Kosova ja me hatër ja me luftë!” Qashtu u këndu n’atë kohë. Aty ka qenë haptas që e kanë lypur Kosovën me bo republikë.
Anita Susuri: Qysh ka vazhdu pas kësaj te ju n’punë me kolegët e tjerë? Bashkëpunimi si ka qenë? A u acaru pak?
Shazije Gërguri Hasangjekaj: Kemi pasë edhe serb aty. Po shiqo, ky kabineti jem personalisht po flas, ka qenë si kabinet i mbyllur na s’jena shoqnu me të pavijonit. Veç ni serb e kena pasë të Prizrenit e cila e ka ditë shqipen shumë bukur. Me fëmijë ka folë shqip, të ushtrimeve. Kështu as ajo s’u shoqnu me serbët e vet. Na të katërtat veç kena nejt ndamas me këto. Ajo pak e kqyrshin me urrejtje ato serbet po kjo nuk i regjistrojke hiç, nuk dilke me nejt me to fare. Rrijke me ne.
Atëherë u ndan shumë, u ndan në grupacione, bojshin planet e tyne për ma tutje. Veç këta po më duket janë shumë ma të bashkun se na në raste të nevojës, shumë. Përlahen, shahen, çka osht’ ni e zezë po kur vjen puna e vendimit, e marrin njejtë. Qajo.
Anita Susuri: Qysh kanë vazhdu pastaj qato vitet?
Shazije Gërguri Hasangjekaj: Vitet, qaty pak, s’po di a osht’ kjo viti a cili osht’ që dulen punëtortë prej pune?
Anita Susuri: ‘90-ta.
Shazije Gërguri Hasangjekaj: A ‘90-ten domethonë a? Pak qaty kur i kanë qit’ në rregull, po ku s’i kanë qit’ unë gjithë jom konë që mos e lëshoni punën deri t’ju kapin përkrahi. Jo, jo s’e di a ka qenë në të ‘90-tat ky i sindikatës, Hajrullah Gorani që organizoj.
Anita Susuri: Për marshet diçka?
Shazije Gërguri Hasangjekaj: Jo, jo, me lëshu punën, si grevë e pat’ organizu Hajrullah Gorani, sindikata. Po s’po di a ka qenë ‘80-ta a ‘90-ta, s’po m’kujtohet. Po unë i thojsha, “Mos e lëshoni punën. Çka ka lidhje?” Për shembull, i hjekshin drejtora shqiptarë e ‘S’po du drejtorin serb me ndëgju’, “Po dëgjoje se e ki për hir të popullit se krejt pacientat janë shqiptarë, s’ki asni pacient serb. Aty ktu me dhanë dhetë vet, 20. Mos i lshoni vendat e punës. E kur t’kapë për krahi atëherë n’rregull. Sa s’ju kapë përkrahi…”
Po këta serbët e meçëm, e shprazën kirurgjinë se shqiptarë, “Jo se e hekën drejtorin shqiptarë e prun serb’, u çun, e lëshun punën vet. Kirurgjinë… gjinekologjinë ku ken’, ma s’shumti ku ka nevojë populli për kirurgji e… se për interno, për sy, krejt munësh m’i kry edhe n’shpi. Interno fort nuk qitën, veç kush dojke vet me dalë e gabun se veç për krahi kur t’më kapë. Ai për krahi s’kish mujtë me kapë krejt pavijonin, i kish kapë nja dy-tre vet.
Me rujt vendin e punës se lëndime kanë ardhë shqiptartë, të lëndun kanë ardhën edhe në gjinekologji gratë me lindë. Qato nuk jom për atë që e kanë lëshu punën. Se po ia bon favor dikuj hazër. Ai menzi ka prit me m’bo mu nervoz me lëshu punën. “Jo po punoni për shkije”, “S’po punoj për shkije, nuk osht’ vendi i shkijeve po vendi i Kosovës osht”. Unë çikën teme e kom pasë mjeke në interno, i kom thonë, “Me m’ngu mu nuk e lëshon”, tha, “Ti a je tranu? Krejt kanë shku veç unë me nejt”, thashë, “Unë me kanë në vend teje rri, le të shkojnë krejt”. Mos asi se vjen njeri që s’ka…
O’ kurrë s’e harroj ni gru, ‘90-tat atëherë kërsiti, ‘99-ta a kur kërsiti lufta, hala që s’ke, hala njerëzit u enshin rrugëve veç që krejt njerëzit e Kosovës u shpraz. Unë visha prej Ulpianës me pa nanën qitu. Kur një gru me kolic, kurrë s’e harroj atë detal, e shtyke djali i vet me çu në dializë në spital. Kuku, u tranova kur e pashë. Më tha, “A ki ni pikë ujë?” Prej asaj dites gjithë kom majtë ujë mas veti. Thashë, “Vallahi nuk kom”, thashë, “po ku po shkon more djalë i ri që si të hish në oborr të spitalit që nanën ta lëshojnë me shku në dializë ty t’mysin”, “E çka me bo?” T’u i sha mjekët vet me veti që e lanë dializën shkijeve.
Thashë, “Kqyr, ku ka me shku kjo?” Kurrë s’e harroj, e kom pytë vajzën, si ka ardhë mas luftës, ni gru qishtu qishtu e kom pa ia përshkruva tha, “Jo gjallë osht’. Na ka tregu që ka qenë në kohë të luftës në dializë”. E kurrë s’e harroj qat’ gru. Masnej ka vdekë ma vonë veç atë djalin çka m’u ka pasë dhimtë. 17 vjeçar e çojke nanën me kolicë prej Vranjevcit. Kit’ karrocën që e shtyn bërllogun, me to e çojke në dializë. E kur e ka çu, tash a ta bojnë mirë dializën, a s’ta bojnë, gjithçka duhesh me mendu. Se me të vërtetë edhe, ishalla, krejt serbët nuk janë njejtë me hi në gjynah me smujën. Qat’ rast m’kujtohet gjithë.
Anita Susuri: E ju a keni vazhdu punën?
Shazije Gërguri Hasangjekaj: Unë kom nejt deri gati kur kanë hy kështu asi, kom marrë fmitë në ushtrime. Veç kur s’kanë ardhë fmija atëhere jom nalë. S’më ka ngucë kërkush. Në kabinet temin e asi… do pacientave ju ndihmojshim kur vishin prej syve që s’dishin ku janë, iu lajmërojshin prindërve që qaty i keni asi… shumë… m’duket që ka qenë para ‘90-tave që i ndrrun drejtorat që i lëshun kirurgjinë edhe gjinekologjinë, a po ‘90-tat qaty më duket ka qenë që masive dolën prej punave. Gorani prej sindikatave qato kur e ka pasë bo, nuk më kujtohet kur osht’ viti. Ai e pat’ organizu, “Mos shkoni n’punë”, kishe si protestë. Ata e morën serbët, “S’ke ardhë në punë”, edhe dhanë dorëhekje. Qajo.
Anita Susuri: A ju kujtohen këto marshet e minatorëve kur kanë fillu a pastaj…
Shazije Gërguri Hasangjekaj: Vitin nuk e di…
Anita Susuri: ‘88-ten.
Shazije Gërguri Hasangjekaj: ‘88-ten a? Epo…
Anita Susuri: A po ju kujtohen këto?
Shazije Gërguri Hasangjekaj: Jo nuk di veç i kom pa në lajme se kështu diçka s’kom pa.
Anita Susuri: E vitet e ‘90-ta në përgjithësi si kanë qenë për juve? Si ka qenë atmosfera e vendit?
Shazije Gërguri Hasangjekaj: Unë rrisha në ballkon e nisa m’i bo do shkrime palidhje. Kur i shisha serbët t’u hi e t’u vjedhë nëpër shtëpija unë isha në banesë. Nisa m’i shkru numrat e targave të kerreve, masnej thashë, po kush ka m’i kqyrë kto numra, a jom tranu? Na shkum te [afër shkollës] “Hasan Prishtina”, kanë pru diçka shumë me paketa, me paketa, me paketa. Masnej vishin i merrshin i çojshin… po flas për serbë. E kanë mush shkollën me diçka, e vishin i shprazshin me diçka. Paramilitar, paramilitar, paramilitar. Kuku qatëherë ka qenë tmerr.
Anita Susuri: Gjatë luftës keni qëndru këtu apo diku?
Shazije Gërguri Hasangjekaj: Po, këtu, këtu. Nana jem… jo në banesë teme nuk e kom pasë këtë shpi, mas lufte e kom marrë. Nana jem ka qenë shumë trimneshë, te motra ka nejt. Në rrugën tjetër ka parku ajo [rruga], perpara thirrej e Moraves. Tha, “Hijnë paramilitarët”, ka magjup kojshi, përmi to janë konë magjupt. Tha… ata u gzojshin se bashkëpunojshin me serbët. “Nana jem”, tha, “rat’”, tha, “i thashë, ‘Çu, çu se po vijnë serbët’ tha, ‘Po në ardhshin punë e madhe, çka kanë me na bo’”, tha edhe asi… ata magjupt kanë thonë, “Këta janë turqeli, mos i ngucni fort”.
Kur po çohet… s’jena konë turqeli po ai për me shpëtu, kojshi kishe. Se ai burri i vet katunar i Gllogjanit. Kur tha, “Hini aty mrena. Nana jem kadal po çohet: “Dobro jutro baka [srb.: Mirmengjesi gjyshe]” “Dobro jutro [srb.: Mirmengjesi]” thotë, “Çka po bon?” “Qe valla, jom ra qitu”, “A po t’ngucë kush?” Ka thanë, “Jo kërkush”, “Ani vazhdo e flej” (qeshë). Ata na hinë, “Çu, çu se po hijnë”, “Ani more edhe n’hifshin çka kanë me na bo”. Se kishin pasë ngucë. Në banesë nuk kanë hi. Se te na veç dy shtëpija kena qenë në banesë krejt janë ikën.
Anita Susuri: A ju kanë largu prej banese apo?
Shazije Gërguri Hasangjekaj: Jo.
Anita Susuri: A ka ndodhë që keni ndrru vendin?
Shazije Gërguri Hasangjekaj: Kena nejt bashkë me këtë, se di a e njeh këta, Spahinë e Prizrenit, me Spahinë e këta, me mësusen Emine, te ta kena nejt bashkë.
Anita Susuri: Diku n’qendër?
Shazije Gërguri Hasangjekaj: Jo në Ulpianë, përballë Shkollës “Hasan Prishtina”. Aty kena nejt e i kqyrshim. E kur hyn rusët, gjujshin qaty u frikësova hala që ishin me mu. A din pse u frigua, tash lufta u kry e dojshin fmija me dalë në dritare me kqyrë, jo t’mit. Dojshin me kqyrë në dritare. Thojsha, “Largohuni se po ju mytin, gjujshin rusët”. E thojsha, “Tash çka po fiton? Në fund të luftës po vdes”. Hala qeshin me mu, “U tut kjo kur hini rusi” (qeshë).
Anita Susuri: A ka qenë… më doket që ka pasë edhe problem për me siguru bukën e…
Shazije Gërguri Hasangjekaj: A, veç na gratë shkojshim, unë edhe msusja Emine. Shkojshim në Ulpianë n’ren pritshim. Për bukë burrat s’i kena lanë me dalë hiç. Ni muj e gjysë mshelën kanë qenë. Ajo shumë gru e zoja ka qenë e ndjera, vdiq tash. Ajo ka pasë furnizu me krejt shpijen, me makarona, me oriz me këto gjana që t’majnë pak edhe pa bukë. Shkojshim qaty renin pritshim, merrshim bukë.
Anita Susuri: A ju ka ndodhë naj ngjarje ose diçka që keni pa?
Shazije Gërguri Hasangjekaj: Po dalshim… qishut ju kom nxon për të madhe disa njerëzve prej Vranjevcit vishin knej rruge lypshin çaj. Bash ish mangu për atë çaj, m’i myt dikush, i merrshin edhe fmitë me veti. Tani dul nifar’ ligji, s’di a ishte gënjeshtër e dikujna, që me shku m’u lajmëru te parku dikun. Ish kishe ni zyre m’i marrë do numra, s’di çka thojshin. Thashë, “Hiqu tyne”, aty i mashtrojshin njerëzit, vishin pritshin në ren.
Kur u bojshim ren në Ulpianë, krejt t’ri. Thojsha, kuku qitash me gju ni bombë i rahaton. Se për veti e kisha moshën, 60 e kusur vjet. Thojsha, krejt këta rini shkojnë. A din sa ish reni i gjatë veç shqiptarë, aty-ktu naj serb. Qaty gjithë jom frikësue. Thojsha s’ju duhet shumë, kah t’kalon ni automat edhe që ish kanë tre-katër serb kurgjo s’ish bo, i myt 30 shqiptarë. Qaty gjithë jom frikësu, për bukë kur kom pritë. Shumë i çojshin fminë me ble. Se edhe nuk i jepshin kah ni bukë, dy, e u dufshin me ardhë kah dy-tre vet prej ni shtëpije. S’po di çka me thonë, ka qenë tmerr për krejt.
Latra Demaçi: E ju thatë që vllau ka vdekë në vitin ‘99…
Shazije Gërguri Hasangjekaj: Po në Gjermani.
Latra Demaçi: A ju kujtohet koha kur ka dalë prej burgut? Qysh e keni përjetu? A ka vazhdu përndjekja në atë kohë?
Shazije Gërguri Hasangjekaj: Jo, jo ai në vazhdim është përndjekë. Edhe këta të burgut janë sikur hajnat kur t’vjedhin e kur t’lypin diçka s’e gjen, i kapin krejt. Edhe krejt këta të burgosurit kur ka ardhë ndonjë delegacion prej Beogradit, e kanë pasë si obligim i kanë mbledhë i kanë burgosë edhe i kanë lëshu. Veç i kanë shti në burg që të mos bojnë diçka. Ajo ka qenë sikur adet me thanë. Krejt të burgosurit politikisht janë mbledhën, i kanë burgosë ni natë, dy derisa janë kry këto…
Anita Susuri: Si izolim.
Shazije Gërguri Hasangjekaj: Si izolim i kanë marrë ata janë konë të përndjekun, ata të burgosurit. Gjithnji vllau jem ka thanë, “Çdo hap e kom njerin që m’përcjellë edhe garant shqiptar”. U konë tip që s’ka folë shumë. Boll m’jet marak që s’kom mujtë kurrë me ia marrë fjalën se kush osht’ ai person. Se ai e paska ditë. Se ndoshta ai fryhet si ma patrioti tash. Unë jom për m’i qit’ ata njerëz në mejdon, n’koftë edhe djali jem n’pytje, pse jo.
Anita Susuri: E ‘99-ten thatë që ka ndrru jetë…
Shazije Gërguri Hasangjekaj: Ka ndrru në Gjermani. Se…
Anita Susuri: Gjatë luftës ka qenë dikur apo?
Shazije Gërguri Hasangjekaj: Jo, ai ka shku para luftës në Gjermani. Si jonë bo kVto trazira ai ka shku në Gjermani pa gru niherë. Ni djalë e ka pasë. Ma vonë i ka shku gruja qishtu për mali qysh kanë shku. Ka nejt refugjat dikund, kuku sa keq. Kur ka vdekë, se ai ka lind në Fier, edhe mos m’u vorros në Gjermani, prej Gjermanisë e kanë çu në Fier e kanë vorros. Vorrin me babgjyshin e vet. Se s’ka pasë vend. Atje osht’ vorros. Veç ceremoninë fort mirë ia kanë bo në Shqipni. Se këtu s’ke pasë qysh me pru.
Anita Susuri: N’cilin vit ka qenë kjo?
Shazije Gërguri Hasangjekaj: ‘99-ten, luftë ka qenë kur ka vdekë ai.
Anita Susuri: Luftë ka qenë a?
Shazije Gërguri Hasangjekaj: Po, po, po.
Anita Susuri: Ju s’keni mujtë me shku?
Shazije Gërguri Hasangjekaj: Jo, jo. S’e kena pa, dhetë vjet s’e kena pa. S’ka pasë as telefona si tash. I ri valla ka dekë, 63 vjet.
Anita Susuri: Ka qenë i smutë a?
Shazije Gërguri Hasangjekaj: Po, kish qenë, n’ciroz të mëlqisë. Atje në Gjermani po të tregojshin edhe kur ki me vdekë, mjekët. Ndaq prano ndaq mos e prano. Ai ka qenë shumë patriot. Atij s’i ka interesu pasurina, s’i ka interesu kurgjo. Atij veç kombi i ka interesu. Edhe me vdekë unë s’u konë ngusht. Edhe në burg kish hek shumë. Kuku çfarë malltretime ia kishin bo atina në burg.
Anita Susuri: Në cilat burgje ka qenë?
Shazije Gërguri Hasangjekaj: Në Nish. Se i ka hangër dy, njo për babën njo për veti.
Anita Susuri: ‘99-ten thatë që keni qenë nonstop në Prishtinë po edhe pak para se me përfundu ose në përfundim të luftës m’tregut ni ngjarje që keni dalë…
Shazije Gërguri Hasangjekaj: Ajo ka qenë ngjarje pa arsye me hupë kokën. Shkum, se burri s’pat’ dalë ni muj e gjysë. Hajde shkojmë n’postë, ndëgjum që po lshohen telefonat. Kur him aty mrena ishin konë do si të vesht, tash a paramilitar a çka kanë qenë, ulun. Dy sportele punojshin njo djathtas njo majtas. Burri shkoj majtas, tha, “Shko ti anej”. Unë e pashë ni prishtinali këtu thashë hajt të shkoj te ai. Nuk i fola serbisht as turqisht po shqip. Thashë, “Kom ndëgju i kanë lëshu telefonat a?” Kur t’kanë kcy ata paramilitarët, nanën e babën ma shanë. Më thanë, “Këtu osht’ Serbia, pse flet ti shqip?” Njani, si duket u çu me bo diçka fizikisht po tjetrin e kom dëgju kur ka thënë, “Lëre”. Se ishim pak të moshum, s’ishim rini.
Tash e kisha frikën kur të dal prej ndërtesës që si t’dali na gjujnë jashtë. Thashë çka bom në fund të luftës shkum pa arsye. Kur dolëm jashtë, s’po guxoj me kthy kokën mrapa fare me kqyrë çka u bo. Ngjitem shkallave përpjetë. Kur erdhëm te posta te shkalltë naltë, u ndalëm me ni njeri me bisedu thashë, pa e kthy kokën me kqyrë çka po bohet. Kërkush s’na kish përcjellë. Atëherë shkum në shpi, thashë, “A që kem kah përfundojmë dy arkivole pa nevojë”.
Se burri jem krejt kohën e brejke ndërgjegja me nejt… ky ishte atëherë nja 65 vjeç më duket. Me nejt unë në shtëpi. “Dil more shko lufto, kush po t’nalë?” Osht’ shumë trim. “Dil shko lufto, kush po t’nalë? Unë rri vetëm a s’e kom njet me dalë prej Prishtinës”. Unë frikacakja shumë jom konë pasë bo trimneshë. Unë si duket në raste ku duhet po trimnona. Po thom, bohet bohet edhe u kry. Ai ish shumë e brejke… edhe seriozisht i thojsha, “Shko lufto, rri vetëm kurgjo s’bohet”.
Djemt i kom pasë, djalin e vogël e kom pasë në Austri, student. Djali i madh veç kish dalë refugjat. E qata me ju përshkrue, kurrë s’e harroj. E përcjella djalin tem edhe t’motrës se i lypshin për ushtri shumë. Me shku në Shkup me hyp në aeroplan e me shku për Slloveni. Ka qenë ni biletë e aeroplanit ni mujore m’u shëtitën, me nejtën si studenta. Rrugës t’u shku polic, polic, polic, unë u tranova. Po na ndalin këtu, po na ndalin këtu, po na ndalin.
Mrrijmë deri në Shkup diqysh. Këta të ritë kqyrë për dritare unë piskat, “Ulne kokën poshtë”. Kur mrrijmë në Shkup, kurrë s’e harroj atë moment, gjyna që s’di me shkru. Kish shqiptar, pleq, të prunë fminë m’i largu prej ushtrisë. S’kishe ku me qit’ kamën prej njerëzve. Plot, plot, plot t’u i largu fminë e vet. Çka m’la përshtypje ni plak, ni fëmijë 15 vjeçar i katundit, i shkreti kurgjo s’dike. E çojke djalin veç me hekë prej ktuhit. “Ku p’e çon?” “Nuk di”.
Tash këta fëmija e kishin biletën për aeroplan, nuk po ateron aeroplani. Shka me bo s’kisha pare me veti. A din qysh jom konë bo? Si ato lypset. Si e shisha ni ftyrë si të njofshme thojsha… për me nxjerrë biletën tash me shku tjetër vend. Te njerëzit që i njifsha që mujsha m’ju kthy paret. “A ki me m’i dhanë 500 euro?”, 500 marka, “Jo s’ka”, “A ki se m’kanë metë fëmija këtu?” Kërkush s’kish me m’dhanë me nxjerrë biletë për Zvicërr ose për diku tjetër. Po edhe ata s’kishin numrin e kufizun.
Thashë, “Hini në Shkup fleni se nashta nesër masnesër ateron”. Nejtën në Shkup, kishin flejt ni natë në hotel edhe ata u frikësojsha m’i lanë. Kena pasë do fqinj të Prishtinës që u martu vajza atje në Shkup e thërras ata, fort mirë i kishin pasë pritë. Ai dhandrri, as nuk e njifsha kush osht’, tha, “Mos u mërzitni, në qoftëse s’ka mundësi prej Shkupit me ateru, unë ka me t’i çu në Sofje fëminë edhe ka m’i hyp në aeroplan edhe mos u bo marak, fëmija kanë me shku për rrugë”.
Qashtu ndodhi. Fëmija shkun prej Shkupit. Veç ai plaku me atë djalin kurrë s’mu ka largu mendja çka ka bo. Se apet fmija tanë kanë qenë të dalun e të shkollun e kanë shëtitë nëpër edhe përpara. S’janë konë që s’dinë m’u gjind. Po ai i moshun, djali 15 vjeç. Ka pasë raste për me kajtën e ato mos m’u ndalë rrugës t’u kajtë, se s’po din çfarë ndihme m’i dhanë.
Anita Susuri: A kanë arritë pastaj?
Shazije Gërguri Hasangjekaj: Po, djemt e mi kanë mrri kanë shku në Gjermani.
Anita Susuri: Prej Shkupit?
Shazije Gërguri Hasangjekaj: Po prej Shkupit. Kanë shëtitë. T’pa lanë, të rrugës, t’u ndrru herë ni tren, herë ni tren. Tha, “Njana ike prej neve kur na shihke kështu, nifar’ udhëheqëse ish kanë e ni fabrikës. Po kur hini”, tha, “n’bisedë me ne, e pa që nuk jena rrebela, s’jena rrugaqa as kurgjo na ofroj”, tha, “punë në fabrikë të sajna”, tha, “se e pa që s’jem prej atyne që kena dalë me vjedh ose m’u rrugav”, tha, “na ofroj punë n’fabrikë”, tha, “sa i lam përshtypje”, tha, “jena konë bo pa u la dy-tri ditë rrugëve”. Ka shumë peripeti. S’osht’ mirë m’i vajtu ato të kalunet.
Anita Susuri: A ju kujtohet KFOR-i kur ka hy? A i keni pa?
Shazije Gërguri Hasangjekaj: Jo m’i pa s’i kom pa veç thom qajo rusi m’ka tutë shumë kur u hi (qeshë). Po fëmija janë knaqë, fëmija janë knaqë. Krejt nëpër dritare, krejt, kuku çka kanë bo fëmitë. Sa vjeç keni qenë atëherë?
Anita Susuri: Shtatë.
Shazije Gërguri Hasangjekaj: E vogël. E çka kanë bo fëmija prej gzimit, shumë, shumë.
Anita Susuri: Pastaj si vazhdoj për juve jeta? Jeni kthy në punë?
Shazije Gërguri Hasangjekaj: Po, po.
Anita Susuri: Kur jeni kthy? Meniherë?
Shazije Gërguri Hasangjekaj: Kur hini lufta meniherë si kanë hi KFOR-i, po mendoj NATO që e qetësoj situatën meniherë kena fillu punën. Spitali normal ka punue. Janë kthy edhe mjekt prej jashtit që kanë ikën nëpër Shkupa, nëpër knej janë kthy normal ka vazhdu puna.
Anita Susuri: Deri cilin vit kur jeni penzionu?
Shazije Gërguri Hasangjekaj: Jom penzionu në 2009-ten më duket. Kur ken’ këto helmimi i nxanësve?
Anita Susuri: Po, deshta me ju pytë…
Shazije Gërguri Hasangjekaj: Edhe aty ka pasë punë spitali shumë. Unë konkretisht jo se e kom pasë punën pak si të ndane, ju thashë, si kabinet ka qenë ai. Po pavijonet e këto ka pasë shumë.
Anita Susuri: A keni pa ndonjë rast?
Shazije Gërguri Hasangjekaj: Po plot, qe edhe djali jem ka qenë i helmum. Ky që osht’ nalt. Ai ka qenë i helmum, ka qenë në gjimanz.
Anita Susuri: Qysh ka ndodhë krejt?
Shazije Gërguri Hasangjekaj: Krejt nifar’ si t’fikt, si histeri si ni agresiviteti. Që nuk mujshe m’i ra n’fije a osht’ e vërtetë a mujshe me thanë mos po asi… po kumeditë çka ju kanë qit që mos me ditë çka po bon. S’kanë qenë të vetëdijshëm çka po bojnë. Piskatshin, gjeste të pakontrollune. Krejt ka qenë lidhje me sistemin nervor më duket. Qata e kanë pasë. Se kur ta çmendin mendjen suksesi osht’ ma i mirë, si me të qit’ ni smundje. Mendjen e ki krejt. Kanë pasë fëmija shumë keq kanë qenë.
Anita Susuri: E qysh e keni kuptu ju që djali juj e ka? A ju kanë thirrë në shkollë a?
Shazije Gërguri Hasangjekaj: Jo, jo. Ka qenë në spital e tani kur u kthy m’ka tregu. Mas nja tri-katër ditë nuk e lash me dalë, a din, m’u izolu, psiqikisht m’u qetësu pak. Ai ka qenë i ri, t’dytën klasë a të tretën të shkollës të mesme. Po kanë qenë masive. Ato kah 100 vet n’ditë kanë ardhë n’spital. S’di motrat qysh kanë mujtë m’ju ardhë përreth. Aty janë angazhu krejt, krejt, krejt janë angazhu. Po nime jena popull i mirë. Kur kem kto raste s’kqyrim a osht’ rasti jem a i joti a i kujna, veç m’i dhanë ndihmë. Për ata jena shembull për botën po për do sene tjera s’po mujna m’u pajtu (qeshë).
Anita Susuri: E djali juj qysh e ka përshkru? A ka pasë kështu mundim a diçka a?
Shazije Gërguri Hasangjekaj: Qajo, mundim edhe dridhje. Dridhje kanë pasë shumë. Edhe me vjellë edhe, “Si shqetësim psiqik”, tha, “u dridhshim”. Aty kanë qit’ diçka. Kanë qit’ se qyre, e re i kom ndi që, nejse kjo nuk është për inxhizim, masnej e flasim. Se nuk janë këto sene të përditshme.
Anita Susuri: Në rregull zonja Shazije, nëse keni edhe diçka që doni me shtu për fund ose që mendoni që keni harru…
Shazije Gërguri Hasangjekaj: Ju falënderoj që keni ardhë, që me ditë edhe rinia çka ka qenë e kalunja e njerëzve. Ishalla kanë sukses edhe përshëndetje, krejt politikant le të bashkohen.