Sazan Shita

Prishtinë | Date: 10 janar and 23 shkurt, 2019 | Duration: 153 minuta

Ernest Koliqi atëhere i ka çu tre qind arsimtarë këtu në Kosovë. Krejt anë e mbanë, nëpër fshat e krejt, u hapën shkollat shqipe. Në Mitrovicë, Bedri Gjinaj, ai ka qenë i lindun edhe i rritun në Mitrovicë, po i shkollum në Shqipëri. Si shkojshin atëhere msheftas… por shumë i aftë, tepër i aftë ka qenë. Aty kur kom shku, jo veç unë, por krejt klasën, spjegimi i parë ka qenë flamuri. Unë veç e kisha të njoftun, mirëpo ai spjegim i tina ka qenë si ngjitësi, tu ngjitke në tru menjihere çkado që flitke. Edhe filloi, mandej na tha, ‘Hajde tash te mësojmë kangën e flamurit.'{Reciton}

 ‘O ti flamur kuq e zi,

sa gaz e dashuri që të valon,

zemra gufon me ty

me ty përpara nëpër fushë e ara

nëpër mal e përroje

do të luftoj pa droje

 edhe e vogël pse jom

 si ushtar do të thom,

Sot që na ka ardhë dita e lirisë, 

Rrnoftë flamuri i Shqipënisë’. 

Kur kom shku në shtëpi ja kom recitu babës, çfarë t’përqafni m’ka bo, lotë i shkun prej gëzimit. Natyrisht ai jo vetëm… Ai vit shkollor ka qenë si me qenë nja dhjetë vjet shkollim. Çdo gja që na ka spjegu, dhe spjegimet i ka pasë qasi soji që i kuptojshe dhe menjëherë i përvetësojshe.”


Kaltrina Krasniqi (intervistuesja) Erëmirë Krasniqi (intervistuesja), Donjetë Berisha (Kamera), Besarta Breznica (Kamera)

Sazan Shita u lind në vitin 1928 në Mitrovicë. Me origjinë nga Gjakova, ajo dhe familja e saj u vendosën në Mitrovicë për shkak të biznesit të tyre. Zonja Shita e kreu shkollën e mesmë në Prishtinë dhe Tiranë gjatë okupimit italian në vitin 1939, dhe iu dha një bursë për shkollën e mesme Nëna Mbretëreshë në Tiranë. Zonja Shita nuk ndoqi një karrierë, por gjithnjë pati një pasion për teatrin dhe baletin. Aktualisht, zonja Shita jeton në Prishtinë me djalin dhe nipërit e saj.

Sazan Shita

Pjesa e Parë

Kaltrina Krasniqi: Zonja Sazan, a mundeni me na tregu çfarë fëminije keni pasë, edhe çfarë fëmije keni qenë?

Sazan Shita: Fëmijninë e kom pasë shumë t’mirë, edhe vet kom qenë e urtë, s’kom qenë… kom viju shkollën në kohën e Jugosllavisë të Vjetër n’gjuhën serbe. Në shtëpi vetëm shqip kemi folë…

Kaltrina Krasniqi: Ku keni jetu?

Sazan Shita: Në Mitrovicë. Prejardhjen e kemi gjakovare, po e lindun në Mitrovicë. E kom pasë vështirë, po e kom mësu. Klasën e tretë, fillore mendoj, na kanë pru mës… Jo mësuse, po ka qenë hoxha Mejrem, me na dhonë mësim feje. Ajo vetëm turqisht, tash edhe turiqshtja, edhe serbishtja, shumë vështirë. Por kur filloi arabisht me na thanë vjerrshat me i mësu, ato kursesi s’kom mujtë me i mësu, nuk e di pse. Noshta nuk e kom kuptu fare.

Edhe nji, nji rast… M’çoi disa herë nuk e dita, nji rast tha, “Dil!” Dola, “Mlidhi,” tha, “gishtat”. I mlodha {i mbledhë gishtat}, gjithmonë me një thupër ka ardhë, edhe me çarqaf, vetëm e zbulonte fytyrën me atë peçe. M’ka rrah sa ka mujtë n’këto thojë, nuk di a i kom pasë dhjetë vjet, a hala s’i kom pasë, n’klasën e tretë. Kiamet kom pasë…

Kaltrina Krasniqi: Sa fëmijë keni qenë?

Sazan Shita: Shtatë vajza, shtatë motra, edhe…

Kaltrina Krasniqi: Çka kanë bo prindërit e juj, me çka jonë marrë?

Sazan Shita: Me tregëti. Familje e madhe kemi qenë. Babën e kom pasë arsimdashës shumë. Kur osht’ bo koha për me shku në fakultet, ato gjyshi e ka leju. Jonë përgaditë, kanë qenë Xhafer Deva, baba, edhe vëllau i Xhafer Devës edhe dy tjerë. Valixhja e bome gati ka qenë, edhe t’nesërmen kish me udhëtu, kishin me udhëtu. Kur ka dalë gjyshi n’dyqan, këti dyqartë kanë thonë, “A ki djalë për mu hupë, që po don me çu në Vienë?” Thotë, “Jo, për shkollim”. “Ai mo nuk t’ktheht”.

Kur kthehet n’shpi i thote babës tim, “Hetem, nuk ki me shku”. “Qysh bre babë mos me shku?” S’kom djalë me hupë”. Ata shkojnë, ky metët. Mirëpo, aq shumë dëshpërohet sa fillon edhe me pi raki, edhe duhan. Dhe tash gjyshi e ka pa se djali po don me i hupë tu qenë në shtëpi, duqët, përpara kanë pasë duqë, i kanë, ja ka mushe me t’holla…

Kaltrina Krasniqi: Çka osht’ duqë?

Sazan Shita: Janë si strejcë, këtu përpara dhe mbrapa jonë t’vekit, u bajshin, duqë ju kanë thonë. Knej, edhe anej. I ka mushë me t’holla, i ka thonë me shku me marrë mall, për me mujtë me, me nxe për me punu. Mirëpo, ai me ato t’holla shëtitë, n’fund në Hungari zen vend. Edhe atje metët ma shumë se nji vjet, gjyshi s’ka ditë ka me e gjetë. Ma n’fund me Kryq të Kuq e kanë gjetë, edhe e kanë pru. Si ka ardhë në Mitrovicë, Beogradi e ka thirrë, ja ka marrë pasaportën edhe osht’ kthy. Atëhere e kanë martu menjiherë. Ka fillu jetën bashkëshortore. Kemi, jemi… Mandej na motrat, shtatë, shtatë motra…

Kaltrina Krasniqi: Me kon osht’ martu, kon e keni pasë nanë?

Sazan Shita: Nanë? E kom pasë Miradije Ibrani, e Mitrovicës ka qenë edhe ajo. Familje zejtare kanë qenë. I ka pasë dy vllazën edhe nji nanë. Ajo çdo gja që ka pa me sy ka punu, edhe ka thurrë, edhe ka qendisë, edhe… ka qenë shumë aftë. Edhe neve të gjithave motrave na ka, përpos shkollimi qaq sa kemi mujtë me u shkollu, edhe punëdorën… qe une hala, jom plakë edhe punoj.

Kaltrina Krasniqi: Me çfarë punë jonë marrë prindërit e tu? Me çfarë zeje osht’ marrë baba?

Sazan Shita: Fe?

Kaltrina Krasniqi: Zeje, me çfarë pune…

Sazan Shita: Bakall, qysh… Bakall ka pasë, minimarket, si këta minimarketat. Por natyrsht jo kështu e madhe, ma e vogël.

Kaltrina Krasniqi: Kanë shitë mallna?

Sazan Shita: Po.

Kaltrina Krasniqi: A ka pasë shumë gjakovarë tjerë në Mitrovicë n’atë kohë, a qysh?

Sazan Shita: Ka pasë. Ka pasë shumë. Në të vërtetë gjakovarët e kanë, po m’duket, Mitrovicën e kanë përparu. Se vendasit kanë qenë mjaft, t’paktën kështu tash une i gjykoj, atëhere s’kom ditë, por tash po.

Kaltrina Krasniqi: Tregomni edhe pak për qatë shkollimin e juj fillestar?

Sazan Shita: Edhe kur u rraha, nuk e di pse s’kom qajtë, as s’kom bëritë, veç jom metë. Nanën e dajës e kemi pasë afër shkollës, shpija jonë ka qenë shumë e largët prej shkollës. E kemi pasë n’shpi ni rroktar, Vehbiu, edhe nana e tij Shaha, e cila na runte në oborr, kemi qenë kallaballëk. A ky Vehbia i krynte punët e pazarit, ka kish nevojë nëpër shpi. Unë shkojsha te dajtë edhe ai vinte m’merrte dhe m’kthente n’shpi. Atë ditë kur shkova nana e dajës po m’thotë, “Çka ki?” I tregova. Tha, “Bujë sonte këtu te une, mos shko n’shpi”. Thashë, “E nana?” Tha, “Kur t’vjen Vehbia une i tregoj”.

Tash kur erdh koha për me fjet, atëherë flejshim n’dyshek, kështu n’tokë. Tha, “Shtroje afër shtratin, dyshekun edhe ndëgjo çka flas une, ti ndëgjo”. E fiki dritën, u afrova, ajo ja filloi, tha, “Cilën ju ka thonë?” Thashë, “Kulhuvallahin”. Tha, “Dëgjo…” Disa here ma tha, unë e mësa. Tash tha, “Tjetër?” Thashë, “Edhe Alhamdulillahin”. N’javët nji here kemi pasë mësim feje, po boll m’ka dalë. Edhe ata e mësova. Kur erdha koha për mësim ajo hoxha Mejrem tha, “Dil!” Dola. Ia thashë edhe njenën edhe tjetrën. “Heee, arnauta çytek1…” Tha boni, qishtu me dorë {lëvizë dorën}. Nuk dita…

Kaltrina Krasniqi: Çka domethonë ajo?

Sazan Shita: M’i rreh, shqiptarin veç me t’rrahne. Demek, m’ka rrah, e kom mësu, ndryshe… Edhe kur shkova n’shpi po i thom nanës, “Çka osht’ çytek?” Se s’dishna mirë turqisht, kuptojsha por jo… Tha, “Pse?” I tregova. Tha, “Mos i trego babës, se shkon bohet kiameti”. Nuk i tregova. Veç e kom pasë shumë vështirë.

Mandej kur aeroplanat gjermanë ma s’pari… se sa e pata kry filloren, ai baba dulë n’oborr, edhe nana, edhe na dy motrat ma t’mdhajat. Si i pa aeroplanat ja murrë shaminë prej kokës nanës sime, shami t’bardhë edhe i përshëndeti. “Ohoo” {onomatope}, thashë, “Bab, ku t’shohin ata naltë!” Tha, “Shohin, shohin”. Po e vogël kom qenë, hala e re, s’kom ditë…

Kaltrina Krasniqi: Kur e ki ditëlindjen, n’cilin vjet?

Sazan Shita: 1928, qitash në janar i boj 91. Veç nji moment, u largu baba, kur u kthyme abetare n’dorë, edhe dy flamuj t’vegjël, na stolisi krahnorin mu edhe motrën, na i spjegoj çka osht’ edhe abetarja në gjuhën shqipe, tha, “Alfabeti shqip tash e mas…” “Pse nuk m’ke tregu ma herët?” “S’ka qenë koha more babë, tashti osht’ koha…”

Kaltrina Krasniqi: E çfarë flamura?

Sazan Shita: Flamuri shqiptar me shqiponjë. Tash këta të Vetëvendosjes e vëjnë, i njejti qashtu ka qenë. Edhe erdh koha m’u hapë shkollat shqipe atëhere, se gjermanët… u liruam, m’u dok thu se… Nuk e dishim çka osht’, po kryesore ti po e mëson gjuhën, e po vazhdon. Ernest Koliqi atëhere i ka çu tre qind arsimtarë këtu në Kosovë. Krejt anë e mbanë, nëpër fshat e krejt, u hapën shkollat shqipe. Në Mitrovicë, Bedri Gjinaj, ai ka qenë i lindun edhe i rritun në Mitrovicë, po i shkollum në Shqipëri. Si shkojshin atëhere msheftas… por shumë i aftë, tepër i aftë ka qenë. Aty kur kom shku, jo veç unë, por krejt klasën, spjegimi i parë ka qenë flamuri. Unë veç e kisha të njoftun, mirëpo ai spjegim i tina ka qenë si ngjitësi, tu ngjitke në tru menjihere çkado që flitke.

Edhe filloi, mandej na tha, “Hajde tash te mësojmë kangën e flamurit”. {Reciton} “O ti flamur kuq e zi, sa gaz e dashuri, që të valon zemra gufon me ty, me ty përpara, nëpër fushë e ara, nëpër mal e përroje, do të luftoj pa droje, edhe e vogël pse jom, si ushtar do të thom, sot që na ka ardhë dita e lirisë, rrnoftë flamuri i Shqipënisë”. Kur kom shku në shtëpi, ja kom recitu babës, çfarë t’përqafni m’ka bo, lotë i shkun prej gëzimit. Natyrisht ai jo vetëm… Ai vit shkollor ka qenë si me qenë nja dhjetë vjet shkollim. Çdo gja që na ka spjegu, dhe spjegimet i ka pasë qasi soji që i kuptojshe dhe menjëherë i përvetësojshe.

Na ka mësu kangën, ajo vjershë edhe kangë, {Reciton} “Buria po bije, tamburi gjëmon, o shokë Kosovës Zot t’i dalim, se mbrojtje nga neve atëdheu kërkon, armikut ndjenjat t’ja kallim. Çdo trim i mirë, s’ka pse priton, në luftat e gjakshme, o vdes, o fiton. Gjithë ajka djelmnisë, këtu e në Kosovë, merr shpirt, merr zemër shqiptare, stërvitet, zhvillohet, gati për në luftë, nga lufta s’trembet. s’trembet shqiptari”.

Mandej “Unë jom shqiptar” {Reciton} “A e njifni ju flamurin? Këtë flamur t’shejtë që para m’del kuqë zi, këto bojna t’bukura, bojnë në ditë arbnorit, se t’parët e mi, kanë vdekur për liri. Jo kurrë s’kom me i harrue! Si ata du me qëndrue, tok të bëhet qielli bashkë me tokën mbarë, shqiptar unë jam, dhe du me qenë shqiptarë”. I thashë këto dyat, se kurrë nuk i kom ndëgju, sa vjet jonë bo, kurrë nji mësus nuk ka ditë me i, me i thanë. është deshtë me i përcjellë fëmijëve këto ka qenë… Por nuk e ka… Prandaj edhe i recitova t’jenë t’shkrume.

Kaltrina Krasniqi: A ka pasë vajza tjera?

Sazan Shita: Plotë. Vajza, djem plotë kemi pasë. Mandej na ka, na ka bo si me qenë shkollë e baletit, i shifni forografitë çfarë fotografishë jonë, kemi lujtë balet. Mandej teatër, “Besën” e Sami Frashërit e kemi lujtë. Merre me mend, unë qaq e vogël e kom lujtë Vahidën. Muharrem Bekteshi e ka lujtë Zymberin, Qemajl Deva e ka lujtë Begun. Mirushën edhe Rexhepin, kanë qenë vlla e motër, Lina e Vilson Shkreli. Ata edhe t’bukur kanë qenë, edhe kanë këndu mirë, edhe t’gjatë, t’mirë. {Reciton} “Ne jemi bi bari, s’na trembë borë, as shi, ne lirinë e dëshirojmë, andaj nëpër male rrojmë…” E këndojshin këtë kangë…

Por, kur e kom lujtë Besën merre me mend krejt publiku nuk m’kanë lonë me ecë, m’kanë çu kështu nëpër durë, prej dorës n’dorë sa u frigojshin mos po rrëzohna, prej që kanë, që… etshëm, të etshëm. E kemi lujtë edhe “Nanë e bijë” të [Vinçenc] Prennushit, {reciton} “Çke moj bijë që kjanë e fshanë, kjanë e fashën e vetllat vranë. Kjava shumë more lum nana, tu qëndisë m’ra gjilpana, m’ra gjilpana në ballku, e jam ulë tash me kërku. Nanë, dashnia m’ka molisë, prandaj qaj tu qëndisë… Tu thaftë goja bijë ç’po thue, a kaq shpejtë ti m’je tërbue? Bana e t’pashë tu dalë në derë, nuk shpëton, jo, mbetsha e mjerë”. Krejt këto prej vogjëlisë, prej Bedriut i kom. Edhe shumë, shumë, shumë tjera.

Kur mbaroi viti shkollor dymbëdhetë vajza të Kosovës na dhanë bursat edhe na çunë për Shqipni. Tetë veta… Shkollën “Nana Mbretneshë” në Tiranë. Katër veta, ku edhe une kom marrë pjesë qaty, katër veta. Shkollën e Dakës në Kamëz, Kamëzi osht’ si Gërrmija jonë, qashtu. Edhe aty, shumë kemi mësu. Nuk e di tash qysh mësojnë këta fëmijët tonë veç temel ka qenë. Mandej viti shkollor mbaroi, u kthymë, vazhdumë në Mitro… Këtu, në Prishtinë, edhe gjithnji qishtu tu shëtitë, mo atje…

Veç (kollitet) m’fal, kur kom shku në Tiranë prej spjegimit t’arsimtarit, t’atij mësuesit tonë Bedriut, une si kom zbritë e kom puthë tokën. Të gjithë kanë qajtë kur m’kanë pa… Vetëm shumë ka qenë i mirë, i mirë, i zgjutë edhe ka ditë me interpretu edhe me ditë me ta shti në zemër dijeninë.

Kaltrina Krasniqi: Qysh ka qenë, qysh ka qenë Tirana n’atë kohë?

Sazan Shita: Në atë kohë Tirana… Une nuk e kom shëtitë shumë Tiranën, vetëm rrugës kryesore, se kom qenë në internet, internat…

Kaltrina Krasniqi: Internat, po…

Sazan Shita: Internat, se mu murrë goja. Atëhere dajët e nanës sime kanë qenë rrobaqepësa, tesha të oficerëve kanë qepë. Aty çdo javë vinte na mirrte daja, jo vetëm mu, krejt t’katërtat, se të Kosovës jonë. Edhe bujshim nji natë, të nesërmen na kthejke prapë. Qatë kohë pak kom shëtitë… Kur kom shku herën e dytë, në ‘70-shin, atëherë ka qenë shumë ndryshim i madh.

Kaltrina Krasniqi: A keni mbajtë, a keni mbajtë shamia, a…

Sazan Shita: Jo, kurrë, kurrë. Baba s’na ka lonë kurrë, kurrë me veshë. Kërkujna! Veç nana si tona gratë që s’kanë pasë qare. Veç babën e kom pasë përparimtar. Ai… qe n’libër e kishin qitë, ky Fahri Buçinca ka shkru për Hasan Prishtinën… Une u habita kur e pashë ndër t’katërt… Unë e di për babën tem, po ndër t’katërt e kishin qitë nji fotografi palidhje, nuk osht’ ai baba jem. Aty t’cilët kanë qenë nji vjet në Hungari në shkollim. Qaty osht’ libri.

Po veç ka metë masnej pa shkollë pa… i dëshpërume ka qenë shumë baba. Kur i rritë motra jeme për shkollë menihere e ka regjistru. Mandej edhe mu, menihere edhe mu. Motra e madhe atëherë me tre mujë kursi pedagogjik ka qenë në Prishtinë. Ka qenë më kufij Prishtina, ne kemi qenë më gjerman, Prishtina me italian. Po tre mujë ka ardhë, e ka kry kursin pedagogjik edhe mësuse ka qenë. Po veç vala e madhe e asaj motrës tem, kiamet ka pasë. Kur t’vjen koha për Gjakovë t’tregoj çka ka ndodhë.

Kaltrina Krasniqi: Okej, mandej ju nji pjesë t’madhe t’fëmijënisë e keni kalu në Mitrovicë, a po?

Sazan Shita: Qysh?

Kaltrina Krasniqi: Një pjesë të madhe të fëmijnisë e keni kalu në Mitrovicë?

Sazan Shita: Në Mitrovicë, në Mitrovicëk krejt. Vetëm kur, lufta kur u bo atëherë çetnikët fillun… Na prej bombardimit ikshim, bile nji kohë kemi qenë në Boletin, në kullën e Isa Boletinit. E kemi pasë edhe një lopë, edhe lopën me vete e kemi pasë marrë. Mandej kur fillun ata çetnikët u ndigjojshin fjalët, u dilshin, baba goditi pesë qerre me kuaj, pesë trima, ata me armë n’krahë… Grunë e dajës e kemi pasë me barrë, fëmija i parë, daja ka qenë. Masnej nana e grusë t’dajës, vllau, edhe axha, edhe gjyshja ime, une, Melihati, motra jeme.

E qaty neve na veshin çarshafat, për mos, për me ardhë për Gjakovë me na largu prej Mitrovicës. Baba tha, “Mandena kur t’kthehen kta, une i marr edhe këto fëmijët, edhe nanën, edhe vijmë edhe na”. E kemi pasë atje nji shtëpi t’shprazët t’nji kushërinit, ata na pranun atje. Na kur zbritëm me çarshaf ishim, ai zoti i shpisë tha, “O ju me çarshaf e me cokule”. Cokule ka pasë ashtu këpuca t’gjata pak, po atëhere rrallë kush ka pasë. Na tham, “Na nuk po ikim prej partizanëve, po ikëm prej çetnikëve…”

Aty u hap shkolla, edhe mu menihere m’thirren me emër me dalë n’shkollë. Unë s’dojsha, m’u doke që po mes atje, dojsha sa ma shpejtë m’u kthy te… se nana me motrat metën në Mitrovicë. Po, dola në shkollë. Mas nji kohë e thirrën motrën komandë të vendit edhe ajo shkoi. I thanë, “Ke me shku në nji fshat atje për me dhanë mësim, edhe nesër m’u paraqitë”. Motra jeme… afër Mitrovicës fshati. Ajo nuk kish qenë e vërtetë ajo, por… tash erdh, i prou nji parë pantollë i qepi, nji batanije e murrë edhe e qepi. Ka qenë rrobaqepëse e mirë.

Kur dulë… kta plotë gjakovarë ka pasë të ikun në Gjakovë, të Mitrovicës po menoj në Gjakovë. Dikush i dha letra, dikush diçka, i futi nëpër xhepa edhe shkoj. Kur ka shku i kanë thanë, “Ti je e burgosne”. Ja kanë dhonë nji kurrir civil për me çu n’burg. Rrugës kjo e ka lutë, ka thonë, “Po t’lutna, vetëm hajde, afër o shpija, vetëm shkoj t’i lajmëroj gjyshës që jom e burgosne”. Kur erdh tha, “Ana mu po m’burgosin…” E mu ma boni, “Hiqma, bjerma atë kostimit tjetër se ky po m’dhimet”. E kish hallin me i largu letrat që i ka pasë. Edhe e burgosën.

Kaltrina Krasniqi: Pse e kanë burgosë?

Sazan Shita: Qysh?

Kaltrina Krasniqi: Pse e kanë burgosë?

Sazan Shita: Kanë thonë se o sekretarja e Bedri Gjinit. Diikush ka thonë e fejumja e Bedri Gjinit, dikush… Se Bedriu ka punu me Xhafer Devën shumë. Kur erdh daja, ne po i tregojmë, ai tha, “Bomani gati nji postoçi, nji plaf edhe nji jastëk. I murrë, shkoi, e kishin pranu. Atje n’burg e ka taku grunë e… S’po m’kujtohet tash emni, ni gru e cila ja ka dhonë duhanin… e Beqir Malokut, tash m’ra n’men nji Qalja, i’a ka dhonë… ka thonë, “Dhize”. Kjo motra jeme kurrë s’ka pi duhan, “Dhize, dhize”, edhe i ka metë duhani. Mandej i çojshim n’burg.

Kur i çojshin njerëzit prej burgut të Gjakovës në Prishtinë, ata mo nuk u kthehshin, secili osht’ pushkatu. Kur dikush erdh edhe po i thotë gjyshës sime, “E pamë përmi maqinë…” A din valixhet ku i vnojin? “Nji djalë edhe nji…” Ai mashkulli ka qenë vllau i grusë t’dajëm tem, djalë për hasret. “E kishin qitë nji plaf me hoka t’kuqe, po shkojnë për Prishtinë”. Kjo gruja dajës po i thotë nanës t’vet, se edhe ajo ishte atje, tha, “Po dojkan me i hupë të dytë”. Kjo vishet, bohet gati, shkon në Mitrovicë.

Në Mitrovicë kur ka shku, nona e Ali Shukriut, ka qenë ë fejume për dajën e grusë t’dajës, Bardhi. Vetë i shtati, si i fejum, vetë i shatati kur kanë udhëtu dikun, mo nuk jonë kthy kurrë s’kanë ditë. Ajo gruja ka pritë, ka pritë mandej u martu për babën e Ali Shukriut. Kjo shkon i thotë, Alije e ka pasë emnin ajo, i thotë, “T’lutna, qishtu, qishtu, qishtu veç edhe Melihatin, se baba i vet e ka n’vend t’djalit, nuk ka djalë, m’i shpëtu”. Atëhere nime nuk i humbën, veç burgu ka qenë qitu n’qosh, ku osht’ gjyqi, ni gjyq, aty ka qenë burgu.

Baba vjen prej Mitrovicës në Prishtinë edhe e lutë rojën thotë, “A bon kur t’del n’oborr, vetëm ta shoh, pak çelma derën, kurgjo s’po flas, as kurgjo”. Thotë, “Po more, axhë”. Ju ka dhimtë baba, plak. Kur e ka çelë pak derën, kjo motra jeme, abej i kemi thonë babës, thotë, “Abej, mirë jom, mos ki dert.” Ai thotë, baba, “Kuku ja bana sherrin rojës”. Po largohet menihere baba. Ka qenë shumë trime, pesë pare s’i ka dhonë. Në burg atje në Gjakovë ni Luba, oficer paska qenë, kur e ka pytë, e ka pytë, e kjo s… e ka fërfllu për dere i ka plasë gjaku prej hunve, e kjo ju ka thanë atyne dy rojeve që paskan qenë aty, thotë, “Hee po i len ju shqiptarët, vajzat shqiptare, ky shkau me m’malltretu”. Edhe e re ka qenë, vetëm edhe trime. Njeni nxjerrë alltinë don me vra qat’ Lubën, ky tjetri thotë, “Mos, se kurgjo s’bon me atë punë”. Se ta tregova sa ka qenë këtu.

E për Prishtinë me kusht e ka lëshu Ali Shukriu, i ka thonë mos me shku në Mitrovicë veç me nejtë në Prishtinë. Në Prishtinë këtu e kemi pasë axhën me banim. Ka flejt aty, ka hangër, osht’ la, e krejt mirëpo pare s’ka pasë për duhan, e thojke, “Duhani… shumë vështirë e kom pasë”. Ni serb, ku baba im paska pi në bodrum të tij raki, paska qëllu n’qytet në Prishtinë edhe e paska pa motrën time, e i thotë, “Kako si?” [Si jeni?] Gavra e ka pasë emrin, kjo i ka thonë, “Mirë krejt…” Edhe i ka nxjerrë s’di sa pare i ka dhonë. Baba nuk ja ka dhonë, po ky prej vetit ka thanë, “M’i ka dhonë baba në qoftë se e sheh vajzën teme në Prishtinë jepja”. Ato thojke, “Kurrë s’kom me i harru”. Edhe pse ka qenë serb, ka qenë mik me babën. Tash kemi pasë edhe t’mirë, edhe…. Erdhëm në Mitrovicë kur erdh koha për me u lëshu, erdhëm në Mitrovicë.

Kaltrina Krasniqi: Çka ka bo mandej motra juj?

Sazan Shita: Urdhno?

Kaltrina Krasniqi: Çka ka bo mas kësaj…

Sazan Shita: Mësuese.

Kaltrina Krasniqi: Ka punu tonë jetën mësuese?

Sazan Shita: Mësuese. E kanë transferu në Gilan, nuk e kanë lonë këtu. Edhe të fejumin, gjakovar ka qenë, Nevruz Nura, ai ka qenë arsimtar në Gjakovë. Edhe ata në Gilan, si dënim, i kanë çu. Në Gjakovë i kemi pasë mësuesit e mirë. Ni Sylejman Lleshi ka qenë shumë arsimtar i mirë i Shqipnisë, i dënumë edhe ai këtu. Skender Curri, Zef Nekaj, kanë qenë të gjithë t’mirë.

Qiky Zef Nekaj i ka ardhë koha për me punu Vehapi [Shita] me to në Prishtinë këtu, me ni zyre kanë qenë. Kur m’ka le djali mas vajzës, ai e ka shkru një kartolinë, “M’prositi e lumja nanë, dil te dera mori zanë. Dola pashë në oborr te ftoni fluturonte vëlla dragoni, para i dola, e përqafova, nanës në prehën ja lëshova. U bëftë nderë e vendit”. Kurrë s’kom me ja harru atij. Ka qenë katolik, veç shumë i mirë ka qenë, tepër i mirë. Shqiptar i flakët. Mandej, ai ka ikë, s’ka nejtë këtu, se nuk e kanë lanë rahat. Siç nuk i kanë lanë rahat as burrin tem, as motrën e burrit, te dytë në burg kanë qenë.

Kaltrina Krasniqi: A ka qenë motra juj e akuzume për bashkëpunim me gjerman, a pse ka shku…

Sazan Shita: Jo, jo, s’ka punu. Vetëm… ata në Mitrovicë… merre me mend, une hala s’i kom pasë 18 vjet, 17 e diçka, mu, e para kom qenë e regjistrume qe s’kom të drejtë votimi. Merre me mend ti. Une kom qenë e fejume me Vehapin, kur ka marrë vesh Vehapi ka ardhë në Mitrovicë, ka shku te Ilija Vakiqi, ka qenë kryetar, i ka thanë, “Kjo hala nuk ka të drejtë, e qysh…” Veç e kemi pasë kojshi do të Gicës ju thojshin, kanë qenë pesë vajza, e ni djalë, ato kishin qenë partizane, komuniste. Po na kemi qenë, na thojshin reaksionare, të gjithave. Ah, s’ka rrymë [i drejtohet intervistueses].

Kaltrina Krasniqi: Jo, ka. A mundeni veç mos m’i ndalë?

Sazan Shita: Jo, jo, ah… m’fal.

Kaltrina Krasniqi: N’rregull o.

Sazan Shita: Edhe tash kur dilshim prej, se u ktheva tash në shkollën fillore, me Bedriun që kom qenë. Kur dilshim rresht nepër qytet, “Sazan, prij, edhe nji, dy, ni dy, nisja por si fleta engjëllit të Zotit”. Edhe para shpisë t’tyne kalojshim. Halla e nanës sime ka qenë fqinjë më këta, e ka thanë, “Qikjo, kur t’na vjen dita jonë, kjo ka me pa”. Po m’thotë ajo halla, “Kqyr, se t’kanë marrë n’sy të keq”. Thashë, “Çka kanë me m’bo? Çka po boj une? Po knoj, po shkoj”. Une edhe ni plis, edhe rreth e rreth flamurin kuq e zi, trakën t’vume. Ato kanë marrë… si duket ato ma kanë bo atë punën e t’drejtës.

Kaltrina Krasniqi: E kur ju ka kthy e drejta e votës juve?

Sazan Shita: Kur jom martu, aty s’ka pasë… kush ka vetë… ne Gjakovë tash kur kom shku, Gjakova Vehapin e ka pasë krykreje, ka qenë sekretar në Këshill. Ni Djoko Pajkoviqi që ka qenë këtu, ka vra, ka konë prej Malit të Zi. Ai kish ndëgju që Vehapi kolonistat, këta të Malit të Zi që i kanë pru malazezët, nëpër shpija mi qitë, e nëpër… ky nuk i ka leju. Po vetë ni… baba i Faik Himës ka qenë njeri me përvojë, i ka thonë, “Kqyr Vehap, çka t’bojsh, krejt me dokumente se këtu s’ka besë”. Edhe kërkon dokumentin, dhe ja japin me shkrim që ai ka ardhë në Gjakovë edhe ka thanë, “Ku osht’ ai sekretarqiqi?” Me nënçmim, “Që po i… malazezët po i largon?” Edhe aty e merr teposhzën, kta prej atëhershit Vehapin ma nuk e kanë pa me sy të mirë.


1 Çytek nga turqishtja kötek, që do të thotë dajak, rrahje. Ndërsa, arnauta çytek, dajak për shqiptarin.

Pjesa e Dytë

Kaltrina Krasniqi: Kur jeni njoftu ju me Vehapin?

Sazan Shita: Në Gjakovë kur kom qenë.

Kaltrina Krasniqi: A po na tregoni pak për…

Sazan Shita: Po. Nihere ka ardhë në klasë na ka majtë ligjerata. Mas asajna, në Gjakova na kanë shti me lujtë balet se i kanë pa fotografitë… edhe sallën e atje në Gjakovë, si kafe, si çka ka qenë, nuk e di, veç ka qenë një sallë e madhe. Aty kom lujtë edhe unë. E tash kur u kry shfaqja, ai i zoti i kafës më uli, si aty, dy karrika ishin, Veahpin e kish ulë aty, edhe mu m’uli afër. Unë as që… veç puna e fatit. Mandej prej aty filloi njoftimi edhe u fejumë. Po tu qenë të fejumë, Vehapin e transferunë në Tiranë si përkthyes, prej shqipës në serbisht dhe anasjelltash. Në ndërkohë…

Kaltrina Krasniqi: Në cilin vjet osht’ kjo?

Sazan Shita: Qysh?

Kaltrina Krasniqi: Në cilin vjet?

Sazan Shita: Cilin vjet? Në ‘45.

Kaltrina Krasniqi: Mas luftës domethanë?

Sazan Shita: Po, po, mas luftës në Gjakovë. Mas luftës. Edhe në ndërkohë baba, ky axha i… vllau i vet i madhi edhe nana e shesin shpinë në Gjakovë, atëhere me dukat e kanë shitë. Edhe po dojnë mu transferu edhe këta me ble shpi në Tiranë. Mu më lajmëroi Vehapi, po thotë, “Kështu, kështu, kështu, po martohemi edhe ti hajde me ata”. Thashë, “Kursesi”. Tha, “Pse? Ti e don Shqipninë”. Thashë, “E du Shqipninë, po nuk muj m’u largu prej prindërve”. M’u dok shumë vështirë m’u largu, nuk di, fati. Veç… prej fatkeqësisë fat ka pasë. Ai mandej mas një kohë shkon te Enveri, se në presedium aty ka qenë, shkon te Enveri edhe i tregon…

Kaltrina Krasniqi: Te cili Enver?

Sazan Shita: Qysh?

Kaltrina Krasniqi: Te cili Enver?

Sazan Shita: Enver Hoxha. Qaty ka qenë Mehmet Shehu, krejt ajka. I thotë, “Unë jom i regjistrumë…” Se ka qenë i regjistrumë në Beograd në fakultet, “Në qoftë se osht’ e mundur, unë kisha pasë qef me vazhdu”. Ai për arsim e për kulturë, menihere… tri rroga ja ka dhanë pa pasë nevojë, pa punu, edhe e ka liru. Atëhere kur erdh në Gjakovë, mas ni kohe u martuam.

Kaltrina Krasniqi: E mandej?

Sazan Shita: Mandejne, mas martesës, në Gjakovë tash, u transferu në Prishtinë. Vllau i madh, i ka thonë vllaut të vet që une po du m’u nda. I ka pasë dy motra, dy vllazën edhe nanën, babën jo. Baba i ka pasë vdekë. “Mirë”, thotë. I thrrasin njerëzit, dahën. Tash ky me ato të holla, të gjithë thojshin, “O e ka marrë çikën e Ethemin, Idriz Devës, tash rrush e kumulla ka m’i bo paret Vehapi”. Se demek, jom mësu une me jetu mirë e në Gjakovë ka qenë jeta pak ma e thjeshtë. Edhe mu m’ra n’vesh ajo fjalë. I thashë, “Kqyre Vehap ça po t’thom, t’lutna bleje shpinë, se unë s’muj me i duru me folë njerëzit për mu pa nevojë”. Une me të vërtetë kom qenë e familjës… vetëm nuk jom mësu me jetu… na kemi qenë të thjeshtë. Baba nuk ka pasë lluks.

Kaltrina Krasniqi: Edhe ni here, qysh ka qenë emri i babës t’juj?

Sazan Shita: Ethem Deva, Ethem Idriz Deva. Në libër osht’ qaty.

Kaltrina Krasniqi: E Xhafer Devën çka e ka pasë?

Sazan Shita: Kusheri, të largët.

Kaltrina Krasniqi: Po familja Deva paskan qenë, bajagi shumë paska jetu në Mitrovicë, a po?

Sazan Shita: Po, ai librin që e ka shkru Xhafer Deva, 370 vjet që jonë shpërngulë prej katunit Deva, jo i Gjakovës. Po qaty osh’t katundi Deva, osht’ afër.

Kaltrina Krasniqi: E tregomni tash, mandej çka vendosi burri?

Sazan Shita: Eh, mandejne kur erdhëm këtu në Prishtinë, njëherë me nji shpi me qira, mandej në qit’ shpinë. Ktu ni Straja osht’ qitu kojshi, e ka pasë t’njoftun Vehapi, i ka thonë, “Mixha Sulë, a din dikun ti ni shpi që shitët, se kom nevojë mi ble?” Thotë, “Po, kojshi meje osht’ i ni doktor Panteliqi, osht’ shpi e mirë shumë”. Vjen, për ni gjysë ore, bon pazar, ja jep koparën, edhe shkon në mledhje. Kur vjen në shpi, tha, “E bleva shpinë. Edhe menihere nesër kemi m’u bajtë”. Edhe u bajtëm. Atëhere kjo shpi, ehe {onomatope}, ka qenë… s’ka pasë shpi ma t’mirë, për n’atë kohë.

Kaltrina Krasniqi: Sa osht’ e vjetër shpia juj?

Sazan Shita: Kumeditë sa, në kohë të Tuqisë, e yhyyy {onomatope} tapiat jonë qaq t’vjetra sa… vetëm osht’ renovu. Ni here edhe doktori e kish pasë renovu, mandejna edhe qiky djali jem osht’ arkitekt, edhe ky e ka… veç nuk e ka hupë atë pamjen e vjetër.

Kaltrina Krasniqi: I ka dikun njiqind vjet, ma shumë se njiqind vjet?

Sazan Shita: Qy qy, unë 70 e sa vjet jom qitu në shpi, njiqind vjet e kusur, ja dyqind, treqind vjet se… tepër, tepër e vjetër. Tash u bo halë në sy, “E blen shpinë e Panteliqit…” Hajt, hajt, hajt, e burgosën.

Kaltrina Krasniqi: Për çfarë arsye?

Sazan Shita: Ka i ka marrë paret tashti. A din qysh? Për ni vogëz t’vogël, don me bo t’madhe. Megjithëse, ky as nuk i ka shitë, as… vetëm… nejse s’osht’ me randsi. Une kom qenë shtatëzanë me çikën, vajzën time, Zanën. Ajo ke kiamet për ne. Tashti, dy motrat, vllau, une, nana e Vehapit… të gjtihë, ata tu u shkollu. Une qitu n’gjimnaz, kena pasë derën afër, dilsha në mësim.

Mandej hyni në punë motra e madhe e… s’kishim t’ardhuna. E Vehapit, motra e madhe e Vehapit, ajo u bo mësuesë. Ma s’pari n’shitore, veç mandena mësuese. Vazhdoi shkollën, edhe n’punë edhe vazhdojke. Kanë qenë shumë t’zgjutë. E kom pasë nanën e Vehapit tepër t’zgjutë, ajo ka qenë… veç që s’ka pasë shkollë, se e zgjutë tepër. Edhe fëmitë e kanë trashëgu, si duket edhe babën e kanë pasë, nuk e di për babën se nuk e kom pa, nuk e kom gjetë.

Tash m’leu vajza, tri ditësh, e kom çu n’burg qitu, ni dritare e vogël {ofshan} e kom afru. Qaty e ka pa Vehapi vajzën edhe mo nuk e ka pa, e ka pa kur kur ka ardhë në shpi, vetëm… njimbëdhetë mujë, prej nji vendi në vend tjetër. Në tre: Prishtinë, Gjakovë, Pejë. Nëpër OZNA tu i shëtitë, tu i marrë n’pytje. Njibëdhetë mujë e sa, mas aty… tha, kur shkova m’u taku, tha, “Sazan, a din çka don m’u bo? Du me pranu me thanë, ‘Unë e shita shpinë’. Për me mujtë m’u liru se jom mërzitë me këto malltretime”. Edhe hajde tash dolën në gjyq, për shpi që e ka shitë shpinë, me dukat që u shitë, pesë vjet… ky Ali Shukriu ka qenë prokuror…

Kaltrina Krasniqi: E pse çka ka lidhje që e ka shitë me dukat, a s’ka qenë ajo…

Sazan Shita: A din çka? Atëhere partizanët kishe, “S’dojna me u bo shpija, s’dojna me u bo kështu, dojna me konë tonë nisoj…” Pallavra kanë qenë ato të gjitha. Po qashtu ka qenë, nuk e di, kiamet veç ka qenë. Edhe, tash, Ali Shukriu ka qenë prokuror, thotë, “Najstrožnija kazna od ped godine” [Dënimi më rëndë prej pesë vitesh]. Gati dy vjet i ka pasë t’bome burgun. Ni Nikolla Vujaqiq… e çunë menihere prej këtuhit në Kukavicë, në Serbi atje, fellë… që ka punu me Vehapin bashkë, ka qenë shumë njeri i mirë edhe e ka dashtë Vehapin, e ka çmu, e ka ditë me kon po flet e çka po flet.

Erdh nihere me m’pa, edhe tha, “Znaš šta?” “A din çka? Une t’kisha propozu, merri krejt ato letrat edhe shko në Beograd ne presidium, atje e kom djalin, djalin e… vllaun brat od strica [djalin e dajës]”. Tha, Marko Vujaqiq, “Ti vetëm shko lype ata, edhe dorëzoja qito, mos ki gajle”. I mledha krejt çka pat edhe po shkoj në Mitrovicë me i thonë babës që po me shku në… “Jo,” tha, “Kush t’lëshon ty vetëm?” Shkumë bashkë. Ai treni ka pasë kallaballëk, ftoftë ka qenë, s’kish vend… malltretim, mos pyt. Nejse, mrrimë. Kur mrrimë…

Kaltrina Krasniqi: Në Beograd?

Sazan Shita: Në Beograd. Kur policin e rrugës e pytëm, na tregoi adresën krejt edhe edhe gjetëm presidium. Rojës poshtë po i thom, “Kështu, kështu, kështu”. Tha, “Le letrën e njoftimit edhe hyp naltë”. “Çfarë numri osht’?” Ma tregoi numrin. Edhe une drejtë shkallëve, trokita një herë kërkush s’mu lajmëru. Trokita herën e dytë, prapë, t’tretën herë e çela pak derën, s’osht’ kërkush. Hajt thashë po hi këtu afër derës mos osht’, kur hina aty, thashë, “M’u ka deshtë Marko Vujaqiq”. Tha, “Nuk osht’ sot, osht’ n’pushim, ti çka ki për to, lemi mu”. Ja lashë krejt.

Mirëpo, nuk u bona rahat. M’vike diqysh… thashë, “Une kisha pasë qef me taku, se m’ka thonë vllau i vet me taku, s’e di adresën, s’e di…” Ma dha adresën. Interesant shumë mirë janë sjellë aty, nuk ka qenë si këtu. Kur me qatë adresë na me babën e gjetëm banesën. Trokita, ma çelën derën. Kur e çelën, ni holl i madh katror me dyrë anash. Si ta çelshe derën, një tavolinë në mes, katër vetë ishin t’u lujtë me letra. Une pyta kush osht’, ai u çu n’kamë tha, “Une jom”. I tregova, tha, “Bez brige” [Pa gajle].

Tashti u kthymë me babën. Nuk di a nji muj, a dy u kthy. Dy vjet veç, se veç i kish bo gati dy vjet. Erdh mas dy vjete. Lypke punë, kursesi, kta shokët e vet… interesant s’kanë mujtë me duru njeriun qe din ma mirë, interesant osht’. Vetëm shumë vetjaka, ashtu kom formu bindje une, edhe e re kom qenë mjaft, po prapë bindje kom pasë që s’po e durojnë vetëm pse osht’ i aftë. Vehapi ka qenë shumë i aftë. Jo, veç pse osh’t burri jem veç ka qenë i gjithanshëm shumë. Mandej ka majtë n’men shumë.

E murr i shkruhu nji librin, qoftëse muj me majtë n’men “Tihi Don” i [Mihail] Shollohovit m’duket ka qenë, me dorë. Zanën n’prehën, Zana ka qenë e urtë, s’ka qenë… ai tu e përkthy. Mandej dikur, shkoi i tha, te Xhavit Nimani, tha, “Ose m’jepni punë ose une po shkoj te tullat, po prej tulla. Une s’muj me nejt”. Shiti disa tesha t’shpisë e disa sende, veç prapë nuk bojke. Mandej ja gjetën ni punë…

Kaltrina Krasniqi: Nji pytje t’ja u boj. Mas Luftës të Dytë Botnore, krejt ajo puna që e ka pasë baba juj me qatë zejën që osht’ marrë, a ka vazhdu m’u marrë me qatë punë, a ia kanë konfisku pronën… apo qysh ka qenë?

Sazan Shita: Jo, jo, jo. Ka punu me rrogë mandej. S’ka pasë mo tregëti atëhere. Gjyshi ka vdekë herët. Kta djemët, ni vëlla e ka pasë rrobaqepës, këta tjerët qishtu kanë punu, jonë futë nëpër punë, shumë t’ardhuna t’vogla. E shumë shpejtë mandej baba edhe në pension ka dalë. Veç nana ka qepë, motrat kanë punu, edhe kështu kanë jetu.

Familje e madhe kemi qenë shumë. Gjyshi jem kish qenë, që e vogël kom qenë, para syshë m’rrin ni plakë me flokë të kuqe, edhe me gishat të lyme kuq. Atëhere nuk e kom ditë çka jonë ato, veç i kom thanë nanës, “Kush osht’ qikjo plakë?” Thotë, “Shumë po t’bohet vesvese. Ni plakë”. “E po, pse osht’ qikjo plakë te na. I ka flokët e kuqe”. Interesant, nuk di a i kom pasë tri vjet, a katër vjet. Tha, “E ka marrë gjyshi jot për sevap, se s’ka pasë kërkend”.

Edhe ni kusheri të vetin, i pa martum, ka qenë i smutë, gruja e vllaut nuk e ka deshtë, se edhe vllau i ka vdekë atij, e ka marrë gjyshi n’shpi. Ai kish qenë tuberkuloz. Merre me mend na sa fëmi, e sa kallaballëk n’shpi, edhe atëhere kush ka ditë çka osht’ tuberkulozi. Veç baba im i ka thanë nanës, “Kqyre çka po t’thom, fëmijët mos me i zhdrypë poshtë. Vetëm leni n’oborr, edhe leni nalt, në atë dhomë mos m’i lanë me hi. Edhe kurgjo mos me i dhonë më hongër”. Se vishin atje ni limon, ni fishek me rrush, krejt, jo si tash, atëhere shumë ka qenë…

Gruja e axhës tem e ka pasë ni çikë t’bukur, që nuk di ashtu… qaq e kom pasë lakmi atë bukurinë e saj që s’ka. Ajo gjithmonë e ka lanë poshtë, edhe çka ka tepru, naj rrush a çka ka prekë ai, kumeditë, ajo e murrë tuberkulozin çika. Tetë fëmijë rend i kanë vdekë axhës tim, se nji mas nji që kanë shku. Ma n’fund menzi që ka shpëtu i pari djalë ka qenë, Kadri Deva, mandena katër vajza. Vajzat janë gjallë, ai ka vdekë para dy viteve.

Kaltrina Krasniqi: Tregomi pak, se ju keni jetu në Mitrovicë, mandej keni pasë familje edhe në Gjakovë, tregomni pak…

Sazan Shita: Familjën në Gjakovë? Pse? Familjën e martume a?

Kaltrina Krasniqi: Jo, jo pytja osht’ kështu. Po mendoj, gjatë rinisë t’juj po i bjen që keni udhëtu në disa qytete, keni udhëtu në Mitrovicë, Gjakovë, Tiranë. Mandej jeni martu edhe keni ardhë në Prishtinë. Tregomni qysh ka qenë Prishtina qatëhere kur keni ardhë ju? Çfarë qyteti ka qenë?

Sazan Shita: Merre me mend, tashti qysh, une nuk muj as me paramendu… Mitrovica ka qenë e ndërtume ma mirë, Prishtina nuk ka qenë. Ka qenë… shtëpiat qitu naltë, ku osht’ bo blloku, kanë qenë shtëpitë bejlerëve. Qato shtëpi kanë qenë dy katëshe. Aty kanë qenë zotni tonë të Prishtinës. Tjera shtëpia nuk ka pasë, krejt rrugët, krejt… Ajo, tash ku osht’ spitali, hyyy {onomatope} atëhere thojshim, “Me shku n’spital…” Nuk ka qenë spitali, po rruga, kiamet u dokë, larg shumë. S’ka pasë ndërtesa t’mira.

Kaltrina Krasniqi: Domethonë qyteti osht’ ndërtu gjatë kohës kur keni fillu me jetu ju këtu?

Sazan Shita: Qashtu osht’.

Kaltrina Krasniqi: Tregomni pak qysh ka qenë qajo atmosferë e ndërtimit të qytetit?

Sazan Shita: U ndërtojke një ndërtesë, u lavdërojke, “U bo qikjo, u bo qikjo”. Tash merrshin edhe prej njerëzve që kishin rrogë, gjithkush ka dhonë t’holla. Jo shumë, po e kanë pasë t’caktume, qaq sa muj une me majtë n’men.

Kaltrina Krasniqi: E kanë dhonë kontributin për…

Sazan Shita: Po, po kanë ndërtu. Na… e harrova me t’thonë, na mandejna nuk… e burgosën Vehapin, neve na largunë prej kësaj shpisë. Djoko Pajkoviqi erdh u transferu këtu. Neve na çunë me ni shpi, Qendra e Pionerëve thojshin, aty tashti nuk osht’ Qendra e Pionerëve po… në qendër qitu të Prishtinës një shtëpi. Edhe aty ka qenë një dhomë me kartona n’dritare, mos pyt. E një pak ma e mirë naltë, naltë e poshtë. Ai i zoti i shpisë m’tha, “Sazan Deva, Sazan Deva, hajde nihere naltë”. Hypa. “Urdhno?” Thashë. Tha, “Po, e kom ni lutje”. “Urdhno”. Tha, “Kish qenë mirë dy dhomat poshtë ju me nejt, e na naltë dy, se i kom edhe une dy vajza…” Dy djem i ka pasë, por njonin në burg, Avni Hasani ka qenë. Tha, “Edhe ju pasni vajza edhe ni djalë, e përzimje e madhe”. Thashë, “Valla Hasan Efendi, une nuk di me t’u përgjegj tash, po e pys vjehrrën e t’tregoj”. Zbrita poshtë, “Hë,” tha, “Çka deshti?” I tregova. Tha, “Boll mirë. Po rrijmë na poshtë”. “Ani,” thashë, “Edhe une jom gati”. Veç çka kom bo, na nuk kishim t’holla për me i marrë njerëzit me na i rregullu disa gjana.

Kaltrina Krasniqi: Edhe ju mandej fillutë me jetu n’atë shpi edhe nuk kishit me çka me renovu, a po?

Sazan Shita: Po. Nana e Vehapit po m’thotë, “Sazan, po m’dhimësh ti se t’ka dalë punë”. Thashë, “Për veti e kemi”. Edhe une fillova ma s’pari bona qireq e zallë, i mbylla birat e… mandena gëlqerosa, e fshina, i lava krejt. Edhe pak kom qenë, pak i merr vetit inat që kom qenë tepër e përpikët, tepër kom punu. E kajhere thom faleminderës që kom punu se kom mrri deri qitu, se tu nejt plogështohet njeriu me të vërtetë. Edhe e rregullumë, nejtëm. Pesë vjet kemi nejt aty. Mas pesë vjete, kjo gruja e Djoko Pajkoviqit ka qenë ktu, edhe kjo Ollga Gllokovac me burrin e vet. Dy dhoma ata i kanë pasë, këto tjerat… mirëpo ajo ish konë dashnorja e Djoko Pajkoviqit, edhe kjo i zenë…

Kaltrina Krasniqi: Kush?

Sazan Shita: Gruja, Milica, gruja e Djokos, i zenë. Edhe thotë, “Unë n’atë shpi s’du me nejt mo. Ku osht’ tash RTK-ja, qaty kanë banu, prej ktuhit, atje. Mandej na thanë neve, “Hajde se u lëshu shpija”. U kthymë në shtëpi tonë. Këtu mandej m’ka le djali, Fatosi, mandej dhe Arbni, qiky që e patë. Kështu që, tre fëmijë, vajzën edhe dy djem i kom.

Kaltrina Krasniqi: A keni jetu vetëm ju me fëmijët e juj edhe Vehapin, a ka pasë edhe njerëz tjerë që kanë jetu këtu?

Sazan Shita: Po, ka pasë, Dy qiragji i këmi gjetë, ata në Radio Stacion kanë qenë, i binte violinës, m’doket ka qenë jevg, nuk di. T’paktën kështu u dukë. Edhe naltë Subotiqët përballë shpisë mandena jonë dalë. Po ata dulën, e ky që i binte violinës i tha, se edhe Vehapi punonte në Radio Stacion, tha, “Në qoftë se ma jepni një banesë nji dhomshe, po vazhdoj. Përndryshe, po kërkoj punë tjetër kah se osht’ e padurushme me jetu në atë bashkësi”. Ka qenë shumë vështirë, sidomos për mu, rond ka qenë.

Atëherë jia dhanë banesën, ai dulë. Mandejne ky Djoko Pajkoviqi e rregulloi punën qasi soji që baxhanaku i vet, motra e grusë me burrin, ai në UDB1 punojke, na prunë këtu. Prapë na me ta. Edhe ata shumë gjatë kanë nejt. Veç aq i mirë ka qenë ai Danillo Zelenoviq, u kanë i Ferizajit, që une s’muj me ia harru mirësinë e tina, se ka mujtë me i burgosë krejt naltë… Te na këtu u mledhshin, s’ka pasë televizor, ka tridhetë vetë, burra e gra në dhomë t’fjetjës, përmi shtretën gratë, burrat anash. Dhoma ka qenë e madhe sa kjo, pak nashta ma gjanë. Po prapë, a folshin, a çka s’folshin si njerëzit…

Po ai poshtë ka nejtë n’këtë dhomë, edhe n’dhomën tjetër përballë. Po kurrë ni here nuk na ka thirrë kërkush me thonë që Danillo ka thonë qishtu. Shumë i mirë ka qenë, tepër i mirë. A grunë nuk e ka pasë t’mirë. Gruja ka qenë mosvet. Po mendoj, për sjellje me ne. Se për kështu nuk di, vetëm në sjellje me ne burri ka qenë shumë i mirë.

Kaltrina Krasniqi: E ky, cila ka qenë arsyeja që kanë pasë t’drejtë krejt ata njerëz me ardhë me jetu në shtëpinë e juj?

Sazan Shita: Qashtu ka qenë, gjithkujna ja çojshin n’shpi dikon, atëhere ka qenë… në ‘47-shin. ‘46, ‘47, yhyyy {onopatope}…

Kaltrina Krasniqi: Edhe n’fund qysh u zgjidh problemi pronësorë i shpisë t’juj?

Sazan Shita: N’fund krejt, qishtu tu kërku Vehapi, ky Danillo… ai UDB-a ka pasë ndërtu banesën me s’di sa katëshe, ata ia dhanë atij. A ktyne tjerëve, dyve, ka kërku… aty ku punojke kërkojke banim, edhe u shlirojshim.

Kaltrina Krasniqi: Edhe kur u shlirutë përfundimisht? (qeshë)

Sazan Shita: (Qeshë) Vallahin kur jemi shliru ka qenë ndoshta ‘50 e… gjashtë vjet, a shtatë, që kemi qenë krejt vetëm, veç familja e Vehapit pa qiragji. Boll kemi…nja 17 vjet kom qenë gjithë me njerëz t’hujë. Hishin me këpuca, dilshin me këpuca, na laj (qeshë).

Kaltrina Krasniqi: Qysh filloi, qysh u bo jeta mas Luftës të Dytë Botërore kështu?

Sazan Shita: Qysh?

Kaltrina Krasniqi: Qysh u bo jeta mas Luftës të Dytë Botërore, në çfarë mënyre ndryshoi për ju?

Sazan Shita: Për mu ndryshoi se Vehapi punojke mirë, edhe une nuk kisha qef m’i lonë fëmitë edhe Vehapin m’i lonë… se ai ka qenë shumë pedant edhe ka punu n’shpi edhe n’zyre. Kom pasë dëshirë gjithmonë me ia bo drekën gati, mëngjesin, t’gjitha. Fëmitë me i kqyre vetë, me i eduku vetë, me iu këndu kange patriotike, vjerrsha. Krejt fëmitë edhe nipat, qiky Arbni nuk osht’, letërsinë s’e ka kry, po aq shkrunë mirë. Ata e ka prej babës t’vet. Edhe Zana kur ka qenë në Beograd n’studime ka pasë shkru në “Politika” ni artikull, krejt thojshin, “O Vehapi ja ka shkru, Vehapi ja ka shkru”. E mandejne e kanë pa që… se edhe mas Vehapit kta po shkrujnë.

Kaltrina Krasniqi: Edhe mandej me çka mirrën, çka bojmë fëmitë e juj?

Sazan Shita: Vajza ka qenë e shkëlqyshme prej fillimit. Këtu n’gjimnaz e ka kry gjimnazin. Në Beograd dulë një rregullore, kush osht’ prej fillimit shkëlqyshëm, me pesshe, hyn n’mjekësi pa provim pranues. E Zana gjithmonë thojke, “Une e du mjekësinë”. Une, “Çfarë mjekësie moj mamë, qe albanologjinë, e bon qishtu, e bon qishtu e doktorron…” Kur erdh koha për me shku, Vehapi menihere, “Po”. Une, “Jo”. M’u doke po m’shkon çika larg, mentë (qeshë).

Ajo tha, “Mamë, une për hatër tondin rri, veç t’a dish, 40 vjeçare me u bo une kom me ju shtru bankave t’mjekësisë”. “Shko pasha mamën, hajt, masi po don”. Edhe atje… veç osht’ mundu shumë, sidomos me nji landë, qaq shumë e ka mundu ai profesor, sa s’di me t’kallxu, farmakologjinë. Ajo ka qenë, a viti i tretë, a viti… nuk e di, tash s’maj n’men, veç po m’thotë, “Mamë, e kom ni shoqe, Nada, po m’lutët me ardhë, pushimet që jonë nja ni mujë, për me mujtë me mësu ajo prej meje se zotnoj mirë”. “Ani”, thashë, “pasha mamën hajde, hiç mos ki gajle”.

Une edhe t’kunatës, edhe t’kunatit, krejt shoqninë ja kom pritë e ja kom përcjellë, vetëm le t’shkollohen. Kur erdh, kur erdhën ato nejtën nja ni mujë ditë, edhe shkunë, tash provimin e kishin. Ajo çika e ka kalu provimin, kur ka hy Zana, “Zana Shita…” me nënçmim për… s’di çfarë… prejardhje t’kujna. Kjo ka qenë e flakët, ka qenë, thotë, “Çfarë, une jom kështu…” edhe nuk e pytë fare. Fare se pytë. Prapë ajo n’telefon, “Babë, qishtu m’ka ndodhë, kështu, kështu, kështu. Po t’lutna librin…” I tregoj çka me i pru.

Shkoi Vehapi në biblotekë, e murrë librin, shkoi në Beograd ia çoi. Edhe kjo ia çoi profesorit, i tha, “Prejardhja jonë, që qikjo osht’”. Ai e ka pa me siguri, ma n’fund e dha provimin, veç e ka mundu shumë. Tash këtu vishin profesorët e Beogradit me dhanë mësim nëpër fakultete. Shokët e Zanës, atëhere Zana pat diplomu…

Kaltrina Krasniqi: Për cilën periudhë jemi tu folë, cilat vite?

Sazan Shita: ‘72 ka qenë, po ‘72. Edhe kanë pasë shoqni, ky Belegu e krejt, që kanë qenë n’studime në Beograd. Tash ai thotë, “A e njifni nji Zana Shita?” Ata thonë, “Qysh s’e njofim, po. Pse?” “Kisha pasë qef me shku me iu bo nji vizitë”. Ata thonë, “Po, kur t’dushë”. E thërrasin Vehapin në telefon edhe i thonë, “Filan profesori, kështu, kështu, po don me ardhë”. Thotë, “Mirësevijnë”. Edhe e caktunë orën, e ditën, e krejt. Na e kemi pasë nji dhomë naltë, atje mbrapa shpisë, e ajo ka qenë e Zanës. Aty ka qenë edhe bibloteka… se tash e kemi qitë n’korridor se u ndërru plani.

Edhe ka pasë djali i madh, Fatosi, nji kitare, ai nuk i ka ra kitarës se s’ka ditë, por e kemi ble, ka mbetë për zbukurim n’kand t’dhomës. Tash erdh Esat Mekuli me Sadet Mekulin me nejtë, kemi qenë veç t’shpisë, kta t’shkune, t’ardhne. Erdh koha mu çu ata, i tha, “Esat, po t’lutna, kështu, kështu, kështu, t’kishe me nejt edhe pak kishe bo mirë”. Thotë, “Qysh jo more, po rrijmë”. Tash, hypëm naltë atje krejt. Edhe kta që erdhën, edhe… une, nejse, i kom shërby. A i ka ra njerëz intelektual, t’fortë, të dytë kta, Sadeti me Esatin, e krejt. Edhe çka ka bo, prej që e ka pa vetën gabim, thotë, “A bon qatë kitare me ma dhonë?” “Po”. Thotë, “Du me ju këndu nji kangë”. Edhe ja u ka këndu ni kangë, veç që s’ka kërku falje. Veç kemi qenë shumë t’gzushëm që ka ardhë e ka pa shqiptarët kush jonë, tashti na vetëm… Se edhe kemi shqiptarë plotë intelektual, veç ka qëllu që edhe Sadeti ka qenë këtu me Esatin.

Kaltrina Krasniqi: Për shkak te afilimit politik të zotnit Vehap, a kanë pasë probleme me u shkollu fëmitë e juj edhe me…

Sazan Shita: Zana, jo për shkak të Vehapit shumë. Zana ka pasë në gjimnaz problem. Drita Kursani, osht’ gjallë, shoqe e klasës, Zana ka pasë qef shumë me lexu edhe revistat, edhe krejt. Ni revistë, “Rinia” m’duket ka qenë, nuk po m’kujtohet mirë, edhe ajo thotë, “Ah, ti po lexon…” edhe shkon e paraqet në Komitet. Ajo qishtu… e kanë pasë pak n’sy se me t’vërtetë ka qenë, ka qenë e aftë.

Kaltrina Krasniqi: E fëmitë tjerë…

Sazan Shita: Tash po ju tregoj. Edhe vjen urdhni m’i lanë Zana, mos me shkollu… tutje… mos me pasë të drejtë, mos me pasë të drejtë për shkollim. Pse? S’di si e pat drejtori emrin… nejse, kujdestari dhe drejtori luftojnë dhe menxi që e rregullojnë për me kry maturën, se viti i katërt ka qenë. Djali i madh e ka kry Elektron këtu, shumë… bile nihere kur ka ardhë thotë, “Babë, e morra nonshe”. “Qysh babë s’morre dhetshe?” Tha, “Po babë, nonshe…” Po du me thonë ka pasë qef fëmitë sa ma shumë. Ky tjetri arkitekturën këtu. Këta s’kanë pasë probleme asi soji, veç në art s’jonë hi kurrënjoni. Se Vehapi ka vujtë shumë tu qenë n’parti, e qishtu.

Kaltrina Krasniqi: Çka po bojmë na tash, osht’ qe jemi tu u mundu me mledhë rrëfime që kanë lidhje me Prishtinën, me jetën qysh ka qenë në Prishtinë. Po m’intereson tash gjatë viteve të ‘70, ‘80, a keni shku n’teatër, a keni…

Sazan Shita: Po.

Kaltrina Krasniqi: A po ma spjegoni pak qysh ka qenë qajo jeta kulturore atëhere? Cilat vende i keni frekuentu, a keni shku naj ëmbëltore, a ka pasë restorane, qysh ka qenë?

Sazan Shita: Po, për ëmbëltore nuk kom pasë qef, edhe kur kemi shku, une kurgjo, as s’kom pi as… Vehapi po. Vetëm atë akulloren n’korrnet, jo me lugë. Thojke, “Mirë, merre me korrnet si fëmitë e vegjël” (qeshë). Ma bojke, keshke. Në teatër kemi shku vazhdimisht. Bile në teatër Muharrem Qena ka pasë ardhë edhe Vehapit p’i thotë, “Jasniqi ka thanë me ardhë…” për mu, “në teatër” se ai e din që në Mitrovicë kom lujt si fëmi atëherë. Vehapi po thotë, “Po more, meniherë” thashë, “Për kënd po flet ti?” Tha, “Për ty” “Unë e kom gojën, s’du me shku” “More çu shko se po m’dhimesh n’shpi. Ti m’i pa shoqet tua n’zyre, knaqen. A pijnë kafe, a pijnë çaj, a knaqen muhabet rrijnë gati gjithë kohën. Ti ktu gjithë ditën veç punon”. “Ani, çka po punoj? Për fëmitë e mi, mos ki gajle. Ti mos ki gajle për mu une qishtu po më pëlqen”.

E në teatër kemi shku ai edhe ka qenë… ka shkru për teatër vazhdimisht kritik për teatër, e për filma, e për… kemi shëtitë boll dhe në Pulla kemi shku kur kanë qenë filmat shqiptar atje. Bile ni film, s’mbaj në mend tash cili ka qenë… ka qenë edhe Abdurrahman Shala atje dhe… n’film po mendoj se jo… e ky e ka lavdru atje, e ka lavdru. Kur u kthy ktu, ato janë shkru krejt edhe e kanë lexu kta artisat. Xhevat Qena i ka thanë, “Valla ky baca Vehap, atje na ka livdu e ktu na kritikojke…” thojke, “qysh bre me na kritiku ktu?” Thotë, “Po ju kom kritiku për me u bo ma t’mirë. Unë ju kom deshtë për qata. Atje ju kom dhanë çmimin çfare e keni meritu”. Kemi shëtitë shumë, kemi shku n’pushime, nëpër shpija kemi nejtë shumë, kafeve jo. Nëpër shpija jemi mledhë shumë, veç jom knaqë atëhere. Tashti televizori na murrë gojën e krejt, kurgjo s’po t’len, t’paktën kështu e di.

Kaltrina Krasniqi: A mundeni tash me pak fjalë me ma përshkru këto vjet e fundit t’jetës t’juj, çka keni bo, me çka jeni marrë? Se fëmitë nuk i keni këtu, a po?

Sazan Shita: Jo, vetëm djalin e vogël e kom këtu, dy nipat e vogël i kom këtu. Unë, sa ka qenë Vehapi… Vehapi para katër vjete m’ka lonë, në nëntor, me 8 nëntor [2014] janë bo katër vjet. Sa ka qenë ai, une s’kom pasë nevojë as me lexu se e kemi pasë Akademinë afër shpisë. Akademikët i kom pasë për ditë, jo t’njejtë… muhabetet që i kom ndi mu m’kanë ushqy. Kam qenë… pasunia ma e madhe për mu ka qenë ato çka kom ndigju.

Mas Vehapit, lexoj shumë. Lexoj afër njiqind faqe n’dite. Tash jom Petro Markon tu e lexu, “Halimi”, roman. E kom lexu, për s’dyti jom tu e lexu, se i kom lexu ma herët. Po u mërzita, qiky djali kur i kom mushë 90 vjet për ditëlindje m’ka pru nja 60 libra. Libra kemi boll, po prapë e din ai që unë kom qef libra. Edhe hajt thashë po e marr po kqyri. E çela Kadarenë “Keshtjella”, herët e kom lexu shumë. E lexova për s’dyti, m’u dok thu se e lexova tash. Se m’u kanë përzi, t’u lexu shumë edhe nuk… momentalisht po, veç mandena s’po di me i dallu. Edhe pleqnia, edhe tepër, tepër. Me lexim edhe punë dore. Edhe filma kqyri këtu, filma shqiptarë, kqyri naj teatër, naj qisi.

Kaltrina Krasniqi: A i keni motrat, a e keni dikon gjallë a?

Sazan Shita: Katër motra m’kanë lanë. Para dy vjete motra e madhe m’ka vdekë, 92 vjeçe ka qenë. I kom edhe dy motra, ma t’voglën e kom në Brezovicë edhe jeton atje, edhe e lëshon shpinë, si hotel e ka. E motra tjetër osht’ këtu në Prishtinë, tjetër nuk kom.

Kaltrina Krasniqi: Me cilën prej motrave keni qenë ma e afërt?

Sazan Shita: Me t’madhën, me t’madhën kom qenë shumë… edhe me t’voglën, se mas gjashtë motrave na ka pasë le një vëlla. E gëzimi jem ka qenë i papërshkrum. Kjo ka qenë në vitin ‘40 kur na ka le vëllau. Dathën kom shku babës me i tregu që na ka le djalë. Ai tha, “Hajt pasha babën, shko n’shpi”. Erdha tu qajtë, i thashë nanës, “Qysh bre baba qishtu, qishtu, qishtu…” “Qashtu e ka zakon, as nuk idhnohet, as nuk gëzohet, hiç mos ki gajle ti”. Mandejna, në vitin ‘42 na ka le motra e vogël, motra e shtatë. Veç shumë e kom deshtë. Shumë e kom deshtë, sa e vogël tu qenë kom dalë n’fotografi me të. Me asnjonën jo, me ata po. Kom dalë kshtu, veç jo bebe kur kanë qenë.

Kaltrina Krasniqi: E çka ka ndodhë me vëllaun?

Sazan Shita: Ka vdekë, dy mujë e gjysë. Vdiq.

Kaltrina Krasniqi: Kanë vdekë fëmitë shumë…

Sazan Shita: Qysh?

Kaltrina Krasniqi: Kanë vdekë shumë lehtë fëmitë n’atë kohë, a po?

Sazan Shita: Fati jonë, se na shtatë motra, kur vdiq thashë, “Qysh nuk na murrë neve…” Se baba m’tha, “Mos u mërzit bre bijë, se Zoti e ka dhanë, Zoti e ka marrë”. “Pse Zoti nuk na ka marrë neve, po ata?” Tha, “Zoti shkon e i zgjedhë lulet n’bahçe”. Për me m’qetësu mu.

Kaltrina Krasniqi: A ka qenë fetar?

Sazan Shita: Baba a? Bektashi ka qenë, veç përparimtarë. Naimin e këto krejt i ka ditë. Ata qashtu recitojnë mes veti.

Kaltrina Krasniqi: A ka qenë traditë familjare bektashizmi…

Sazan Shita: Jo, jo, vetëm baba. Jo. A te Vehapi, po. Vehapi babën e ka pasë edhe hallën, edhe axhën. Se në Gjakovë osht’ e përhapne shumë.

Kaltrina Krasniqi: Çka mendoni që ka qenë prej krejt këtyne vjetve jetë ma e randësishmja që ka ndodhë?

Sazan Shita: Mu a? Ma e randsëishmja ka qenë kur ka shpëtu Vehapi, për mu, prej çka ka hekë njimbëdhjetë mujë. Edhe atje kur ka shku ka pre dru, merre me mend, qe. Edhe për kurgjo hiç. Për mu qajo ka qenë. As lindja e fëmijëve jo. Qe s’kom pasë vëlla… kur m’ka le djali… bile kur m’ka le vajza, nona e Vehapit qaq u gëzu sa s’ka. Une thashë vetmeveti, “Po don me ma bo qefin”. Mirëpo, kur vajza ime lindi e pashë çka don me thonë m’u bo gjyshe. Se fëmija i gatshëm, edhe veç për qef e ki, ma lehtë ish edhe dashnia ma e madhe. Edhe nuk je e hutume mas punëve, mas… je ma e lirë. T’paktën kështu une e menoj. Tash e kom edhe nji mesë këtu t’djalit, t’nipit t’madh, ai osht’ Ardi Shita. Dridhna për to, e du shumë.

Stërgjyshe jom bo tri herë. Vajza e madhe e Zanës e ka nji djalë edhe nji vajzë, edhe këto tri u bonë. Jetën e kom pasë shumë t’lumtun, edhe si fëmijë edhe si e martume. Kom pasë peripeti, po ata kanë qenë t’kalushme. Kryesorja ka qenë që Vehapi nuk osht’ vetëm që m’ka deshtë, m’ka adhuru, ata e kom ni. Edhe ata që e kom ni une n’familjen e tine, shumë e kom deshtë, shumë e kom respektu. Nashta jo me i deshtë kështu, se njeri s’duhet me u bo… me thanë që… veç i kom respektu, i kom kqyrë. Bashkësi kemi qenë, secilën e kemi shkollu, e kemi martu, fëmitë po mendoj, vllaun e motrat. Edhe tashti pleqninë, sytë m’i kqyrë ky djali. Mo ata t’gurbetit larg jonë, vetëm tash bile vajza ka dashtë me ardhë, thashë, “Ru se çohësh me m’ardhë n’këtë kiamet”. Tha, “Gjithkush i thotë vajzës t’vet, ‘Hajde’, ti po m’prapton”.

Kaltrina Krasniqi: Ku e keni vajzën?

Sazan Shita: E kom në Amerikë. E qitash [para] katërdhetë vjeçe m’tha… Merre me mend doktorroi në Zagreb, edhe Salihamixhiqi e çoi me nifarë kursi ma të ngushtë [ma të specializum]. Ajo kur shkoi atje hulumtoi diçka për fëmijët, i çoi fjalë, tha, “Kështu, kështu, kështu…” Ai u gëzu shumë. Mirëpo Skender Boshnjaku me nifarë Trajkoviqin kanë thonë, “Për tri ditë n’ardhësh, mirë. Mos ardhësh, s’ka”. Ajo tha, “Me pas krah për tri ditë, une këtu edhe… kom formu edhe punë, e krejt”. Mirëpo, katërdhjetë vjeçare u duht me i dhonë ndryshimet n’fakulltet, ka pasë shumë provime. Vetëm doktorratën ja kanë pranu. Ata e ka pasë latinisht edhe me vizatime. Po vizatimet qysh i ka pasë… ato me vizatime me kqyrë e kuptojshe ti krejt çka po don me thanë. Edhe qishtu met atje.


1 UDB – Uprava Državne Bezbednosti, drejtoria shtetërore e sigurisë.

Pjesa e Tretë

Kaltrina Krasniqi: A mundeni, tash osht’ faza e fundit, veç t’flasim pak për periudhën e qisaj luftës t’fundit.

Sazan Shita: Qysh?

Kaltrina Krasniqi: T’flasim për periudhën e qisaj luftës t’fundit, ‘99. Qysh e keni e keni kalu qatë…

Sazan Shita: Ata… djali i madh i ka pasë djalë e vajzë, edhe grunë… t’ndamë kanë qenë, po kur filloi lufta, gruja tha, “Une po i marr fëmitë po dal në Shkup, prej Shkupit manej shkojmë”. Ky Fatosi, “Une nuk muj me i lanë valla fëmitë, ti shko”. Ai met këtu. Une isha dalë n’pazar, s’kisha qejf që ka nejt, drejtë me t’thonë. Kisha qef me shku të fëmitë e vet, te gruja. Kur erdha e gjeta bash qaty duke u rru, edhe ish bo sari si dylli. Po i thom, “Arbneshë…” nusës t’shpisë, “Arbnesha, çka kish Fatosi”. Tha, “Mamë, u mërzitë se i ka thanë gruja, ‘A po vjen, apo po nisna une për Amerikë?” Se motrën e ka pasë në Amerikë (kollitet). Edhe ky tash u bo… i ka… i ka thanë babës, “Hajde po shkojmë, edhe Arbni edhe krejt”. Baba i ka thanë, “Djali jem, ti shko, boll qe hiqesh nuk mendoj për ty, e për ne mos ki gajle”.

Tash ky i vogli, “Kurrsesi, nuk du me dalë kërkun”. Nihere , dy… erdhën do njerëz, a kanë qenë ushtarë, a kanë qenë paramilitarë, ata u përzijshin, s’di. Edhe po i thojnë Vehapit, “Çka punon ti?” Une qe, për mos me i thonë që [Këshillin] për të Drejtat e Njeriut, se ai… menihere… interesant nuk ka mshefë kurgjo. Çudi e madhe. Unë i thojsha, “Po ti disa gjana nuk bon…” “Sazan, nuk i kom mentë unë aty, unë flas”. “Mirë”. Dhe ai tha, “Përkthyes”. Tha, “Çka përkthen?” Tha, “Prej serbishtës në shqip, prej shqipës në serbisht”. I ka pasë bo rend ktu librat, tha, “Qito jonë prej shqipës në serbisht, e prej serbishtës në shqip qito”. “Ah, mirë”.

Pesë vetë kenë. Tha, “A e ki letrën e njoftimit?” “Po”. Ia nxjerri, ia dha. Dolëm përjashta, po thonë… ky djali i vogël ka qenë këtu hala, po n’shpi nuk ishte. Tha, “Šta ćemo sa ovog starca?” [Çka po kërkojmë prej këtij plaku?]. Une e ndiva. Tash kur bojnë me dalë, une po i thom, “A legitimacija?” [E dokumentat e identifikimit]. E kishin fërfllu mrapa qatje ni vend. Tha, “Ne treba mu njemu legitimacija” [Atij nuk i duhen më letrat identifikuese]. U ftofa krejt. Edhe dulën. Prita që mos po vijnë prapë. Dera u çelke automat prej s’mrenshmit, edhe kur t’bike nihere zilja e disha që jonë se serbisht folsha. Kur bike… ju kom thonë t’mijve, t’njoftunve, tri here. Bile, Adem Demaçi vike shpesh se për t’drejtat e njeriut ata… edhe ai gjithë kohën e luftës me motrën e vetë ka shëtitë nëpër qytet edhe thojke, “Qysh more s’po m’vrajnë qenët?” Ai nuk di qysh dojke me vra dikush. Çudi e madhe ka qenë.

Erdh edhe i ra njëherë zilit, unë po thom, “Ko je?” [Kush është?] Ai po thotë, “Ko je… Une jom…” Thashë, vetmeveti (qeshë)… edhe shkova, ia çela derën, edhe ia çela derën. Kur hynë ata mrena thashë, “Po t’lutna tjera here biri tri herë zilit, se une kur i bjen ni here serbisht flas”. Edhe kaloi kjo. Kur erdhën prapë nja tre vetë, “Daj mi kluč?” [Ama çelsin?] e kemi pasë nji kerr t’djalit. Ai tha, “Ami çelësat e kerrit”. Unë ia dhashë. Mirëpo, ai e kish prishë diçka nji pjesë, Arbni, i vogli, edhe nuk dhezke. Tha, “Une e ndreqi nesër”.

Ah, jo, përpara kësaj ka qenë ni Nada edhe ajo me Vehapin ka punu. Kom shku i kom thonë, “Po t’lutna ndreqni diqysh, rregullone punën Arbnin me largu prej shpisë se po tutna”. Tha, “Kqyrim”. Se une shkova vet, une dilsha. Serbisht disha, e veshne nuk kom qenë… se kto t’katunit vishin pizhamat përfuni e funin e gatë, tmerrin ta… kuku çka ka qenë rruga, tmerrin me ta… qato kanë hekë, se i kanë pa që… edhe i kanë përdorë qysh kanë dashtë. E tashti qata erdhën e lypën çelësin e kerrit, djali naltë ka qenë, ai ia dha. Edhe shkoi e dhezi t’voglin, dy kerre, njo i grusë, njo i veti. Qata t’grusë e dhezi edhe e murrën me veti.

Tash une te qajo Nada shkova se thanë, “Me t’pa nesër ktu… veç m’u çu me ikë. Treni nesër punon me shku për Shkup”. Unë i tregova, nejse shkoi tash, u bo qarja shkoi ai djali. Tash për s’dyti po vijnë. Çelësa marojke ni serb, kanë qenë do vllazën, katër-pesë vllazën te posta qaty, mrapa postës. Ju nashta nuk e dini, jeni t’reja. Njeni prej tyne ka qenë paramilitar. E ai ka ardhë ni herë edhe ka dalë, veç e ka pa kerrin edhe ka dalë. S’boni zo. A dy vetë tjerë mbrapa i rrishin.

Kur ni shok i Arbnit, ka qenë djalë për hastret, i vetmi, vike shpesh. E kishin pru letrën për m’u veshë paramilitar. Ai ikë. “A muj me nejt te ju?” Vehapi tha, “Neve na bon mirë, mirëse vjen”. Tash, kur erdh ai s’dyti, ai, tha… njeri me automat, tjetri… ky… tha, “Qitash une e ndreqi këta”. E çeli haubën… e çeli jo, po e kish marrë atë burmashinën, haubën, kapakun ja preu, e çeli. Edhe e shliroi, me ni kerr tjetër… rrotë… e lidhi kerrin me kerrin, edhe e murrën. E ai ish këtu, ai shoku i… “Aaa…” tha. I erdh keq. “Hajt”, thashë, “S’ka gajle. Le ta marrin”. Edhe ma dha një letër…

Nji epror tjetër përpara tha, “Nuk po mujmë… po na duhet ushtrisë, nuk po mujmë me i dhezë. Po kushdo që t’vijnë me ta marrë, “Traži ceduljicu” [Kërko fletëshënim]. Une edhe tash ktij kur erdhën m’i marrë, thashë, “A cediljicu?” [E fletëshënimi?] Se ka qenë ky me kta, e tha, “Doneću ti” [Do të ta sjellë]. Mas ni jave, Vehapi ish n’dhomë tjetër tu pushu, une isha tu… tha, “Qe kom ardhë ta kom pru”. Kur e morra po e lexoj {bënë sikur lexon} thashë, “Po une nuk ta kom shitë kerrin”. Tha, “Pogrešno” [gabim]. E kthej anena edhe e shkrou. Nuk m’vyjti kurgjo ajo, veç nejse. Edhe shkoi…

Hë, une i thashë, “Kqyre te na osht’ fjala, fjalë”. Përpara se me ma pru… Tha, “Edhe une e kom fjalën, fjalë. Pa t’a pru nuk e lo”. Une veç dashta, se jo qe mujta me marrë kerrin. Kur erdh me pru, tha, “E kom rregullu kerrin”. Edhe kur dulë po e shoh, tha, “A po don me pa?” “Po”. Atë plakardën e Sheshelit krejt n’dritare e kish asi… edhe po m’kqyrë mu çka po boj. “Ou”, thashë, “Shumë mirë po i rrika kjo, ky flamuri”. Merre me mend! Tash filloi, lufta u shihke që po kryhet. Ky shoku i Arbnit po m’thotë, “Shko lype kerrin. Shko se qitash munesh me marrë kerrin”. Une po i thom, “Eiii…” Tha, “Jo, jo, jo. E merr. A din çka? Thuju qe osht’ i djalit, e gjyshja kujtim ia ka ble, qishtu…” Po m’mson ai, une edhe… O kuku, çfarë {prekë kokën} kur e mendoj çka kom bo.

Dola, po shkoj. Kur shkova, aty ku ka qenë ushtria, s’osht’ kerri n’oborr. M’thanë që n’filan vend janë transferu. Une shkoj prej ni vendit n’ni vend. Do djemë t’rij nër ato… prej… kalimi nëpër ndërtesa që osht’, hishin ka dy vetë, “Stoj!” [Ndalo!] Edhe n’fund shkova. Kur shkova n’qata ku m’thanë, po m’thotë njeni, “Çka po don?” Thashë, “Qishtu, qishtu…” “Ama letrën e njoftimit, ama atë letrën (kollitet). E kom babën eprorë ktu”. Ia dhashë, masi ia dhashë m’ra n’men çka bona, gabova. Kur erdh, tha, “Nuk osht’ këtu. Ali ja ću da je nadjem. Ona je bila princeza grada…” [Mirëpo unë do ta gjejë. Ajo ka qenë princesha e qytetit]. Kerr i mirë ka qenë, i madh… “Ja ću da ga uzmem, nemoj više da ga tražiš” [Unë do ta marr, mos e kërko më]. “Dobro sinko, daj mi legitimaciju ti.” [Mirë, djali im, ma jep ti letrën e legjitimimit] Me t’mirë, kur e kom marrë, gzimi jem qe e morra e po du me ardhë.

Rrugës ni Skender Nuka thotë, “Kah je shku kështu?” Po i tregoj. Tha, “Mori a je mirë n’men? Ata njerëzit po shkojnë, ti automobilin”. Thashë, “Kajhere sorra t’i han trutë, s’kom çka me bo. Gabova”. Kur jom ardhë, pesë vetë para shpisë, paramilitarë. Dera çelë. Vehapi e kish marrë lopatën edhe fshisën para shpisë e kish lonë, ka dalë para shpisë, a kanë… nuk e di, veç para shpisë. Une marova, thashë, “Ho, tashti…” Ata te kojshitë krejt çka kanë plaqkitë me paketa i kanë strehu. Mirëpo, në ndërkohë ni kojshi i joni këtu shkoi e gozhdoi këtu me gozhda derën, ata s’mujshin. Tash kanë lypë me kcy prej ktuhit atje, po nërmjet dy, shpija jonë, edhe osht’ ajo shpi. Po une dej e morra vesh, dej e pashë Vehapin me sy, gjaku m’u ngri krejt. Ata e kcynë murin edhe…

Edhe ni here tjetër natën kanë ardhë, ushtria ka qenë n’gjimnaz. Këtu te kojshitë në mur ni poq, vetëm poqi ka qenë. Ajo kur ka fry fryma lëvizke, une as qe e kom vrejtë se nuk osht’ n’oborr timin. Jonë ardhë ushtarët, kanë trokitë, jom detyru me çelë derën. M’tha, “Çfarë sheje po i jepni ju aeroplanave me dritë?” “Çfarë drite?” Thashë, “Hyni mrena!” Hini mrena, po e kqyrë, tha, “Qe”. I thashë, “Po, ajo s’osht’ n’oborr temin, osht” n’oborr t’kojshive”. “Shko shyme”. Thashë, “Une jom femën, shkoni ju vet shymeni, kputni. Jeni ushtarë, shkoni”. Aty u trimnova se me të vërtetë natë ishte, a ka qenë ora 22:00 e mramjës, sa ka qenë… peripetitë (qeshë).

Kaltrina Krasniqi: Edhe mandej kur përfunoi lufta?

Sazan Shita: Kur maroi lufta, ky djali menihere erdh, ky i vogli. Zana mo ka pasë metë atje, edhe Fatosi met. Zana me vajzën e vetë jonë ardhë n’kufi me Maqedoninë, se neuropsikiatër, ajo psikologe ka qenë, i kanë… fëmitë e krejtë, edhe i kanë drejtu kush po don ku me shku, u ardhë me ndihmu, shkurt. Po na çon fjalë, “Shpejtë hajdeni se po ju marr me ju çu në Amerikë”. Vehapi tha, “Çfarë Amerike more, une tash jom rahat n’shpi teme, hiç, pshtumë”. Edhe ky djali u kthy, se ky ka pasë metë në Beograd. Ka dashtë me shku në Hungari, pasaporta e djalit t’vogël, tri vjeçarë ka qenë, nuk e ka pasë t’vërtetume. Veç në Beograd edhe ka hekë valla, veç shpëtoi, se ka pasë shoqni, do arkitekta i ka pasë që… kanë qenë me shokë. Qishtu. Tona u stabilizunë.

Kaltrina Krasniqi: Edhe qysh e pritët lajmin e shlirimit?

Sazan Shita: A din qysh? S’po dike njeri me u gëzu. Ajo trema e madhe e friga, ka qenë kiamet. Une për vetën time po flas…. Mandene, dhetë vetë në Amerikë metën. Dhetë vetë, nontë besa, jo dhetë, se i bona dhetë. Po kiamet ka qenë, nuk ka qenë lehtë. U dëgjojke këtu kangët çetnike që i lëshojshin me zë t’madh, uhhh {onomatope} çfarë kangësh, tmerrin ta shtishin, tmerrin ta shtishin. Edhe vetë pamja e tyne kur vishin tmerr ka qenë, a po shpëton, a jo. Fat kemi pasë. Nja dy-tre kojshi këtu kanë shpëtu, kanë qenë edhe ata, ma t’vjetër… jo, na kemi qenë ma t’vjetrit po s’kanë qenë t’ri po mendoj. T’ritë kanë pasë… vetëm ky, djali jem menxi që shkoi, edhe ato mujin e fundit.

Kaltrina Krasniqi: Kush?

Sazan Shita: Arbni, me nusën e me dy fëmitë që shkoi në Bograd me dalë në Hungari. Nejti sa kohë këtu, për ne ka qenë shumë vështirë…

Kaltrina Krasniqi: Çka ndodhi me atë djalin serb që erdh te ju?

Sazan Shita: Cili djalë? Ai serbi a? Ai shkoi për Beograd.

Kaltrina Krasniqi: Kur shkoi ai?

Sazan Shita: Ai shkoi masanejna, mas… bile bajagi ka nejt, se ka pasë shumë njerëz t’njoftun. Ka qenë njeri i mirë. E ka pasë ni nanë, grunë e ka pas çu në Beograd, nanën, “Teta Sazan, oćeš da dodješ kod mame?” [Tezja Sazan, a po vini tek nëna?] “Zorane, zašto?” [Zoran, pse?] Tha, “Nuk po don me ardhë. Une po i thom me ardhë”. Thashë, “Une vi veç n’qoftë se m’dëgjon mu i thom”. Ajo tha, “Krejt munin e sa vjete e krejt m’i lonë e me shku në Beograd, prej s’parit me u bo shpi. Nuk po m’shkohet”. Thashë, “Shko me djalin, shpinë kërkush nuk t’a merr, munësh me ardhë kur dushë”. Vetmeveti… nime kujtojsha që munët apet me ardhë, nuk m’u doke që largohen.

Ni here kanë ardhë derë m’derë, edhe këtu n’garazhë, i ranë garazhës, e njoni tjetrit tu i thonë, “Posle ćemo ovde da dodjemo” [Ma vonë kthehemi këtu]. Une isha n’oborr. E çela derën, po kqyri. Krejt prej shpiave i kanë përzanë njerëzit. Neve nuk na çeli derën, nuk na trokiti kërkush për me dalë. Edhe me pasë dashtë nuk e kisha çelë derën, kisha heshtë, se u dijke që osht’ fundi. E çela derën me shku me kqyrë tyrben, e din qitu n’qosh qe osht’, ni shoqe e kom pasë, Fatimën. Shkoj t’a shoh se… kur kom dalë prej s’naltit njerëzit rresht. Dikush ni najllon, dikush ni asi… Kuku {prekë gjoksin} o qitu diçka, u ktheva n’shpi thashë, “Vehap, qishtu, qishtu, qishtu…” Tha, “Le, mos m’kallxo”. Thashë, “Nuk mujta me shku te Fatimja”. Qysh i kanë përzanë prej s’naltit edhe krejt.

Kaltrina Krasniqi: Kta kanë qenë njerëzit që kanë jetu në Taslixhe, a po?

Sazan Shita: Qysh?

Kaltrina Krasniqi: Kta kanë qenë njerëzit që kanë jetu në Taslixhe, a po?

Sazan Shita: Taslixhe… krejt njerëzit, krejt, krejt.

Kaltrina Krasniqi: Ju ku i shifshit? Ju i shifshit prej…

Sazan Shita: Une dola në rrugë me shku te tyrbja.

Kaltrina Krasniqi: Po, de. Domethonë ti i ke pa qaty afër gjimnazit…

Sazan Shita: Afër gjimnazit, edhe kur e ktheva krytë turma, a din, kiamet, kiamet ka qenë. Shumë, shumë vështirë. E ni here, une për me shku të qikjo Fatimja edhe me i çu me hongër najsen, se vetëm ka qenë. E bona ni pite kallamoqe, na i thojmë laknur, e morra n’pjatë edhe po dal. Përballë nesh n’shpi kanë qenë do oficerë, do… njeni gjithmonë m’përshendetke… mos po t’narthin komët? [i drejtohet intervistueses]

Kaltrina Krasniqi: Jo, jo mirë.

Sazan Shita: M’përshendetke. Tha, “Ku po shkon?” Thashë, “Qishtu, qishtu kesh, po nuk ish aty. Mshelë ish dera, po kthehna. Urdhno a po ki qef, provoje”. “Jo”, tha, “Faleminderit”. Edhe kaloi. Tash herën e dytë, shkova prapë, ai prapë po del, m’u bo pak dyshimtë. Tha, “Ja sam iz Hrvatske, nisam srbin” [Unë jam nga Kroacia, nuk jam serb]. Thashë, “Hvala što ste… Edhe u largova. Domethanë deshti me pa që une, domethonë po tutna, e ka vrejtë noshta. Boll nuk u tregojsha, po mimika të tradhëton.

Kaltrina Krasniqi: E këto kolonat e njerëzve që i shihshit, ku shkojshin njerëzit?

Sazan Shita: Në tren. Në tren me shku për Shkup e për… me u shpërnda. Ahmet Mumxhiun, nuk di, matematicient ka qenë, ai ka metë në Bllacë. Aty ka vdekë, prej kallaballëkut që s’ka mujtë. Qitu kojshitë tanë kur i kom pa tu shku vetë i pesti, thashë, “Fahri, ku po shkoni?” Tha, “Po largohem”. “Kthehu more n’shpi tane, ku po don me shku atje me metë në Bllacë? A e din që Ahmeti ish dekë?” Ai, “Jo, more”. Thashë, “Vallahin n’radio e kom dëgju, kthehu”. Nuk u kthy. Kur mas ni kohe jonë kthy. Tha, “Dulë fjala jote”. Thashë, “Jo, fjala jeme, po qashtu osht’ koha e fundit”. Ajo nata e fundit ka qenë, Nazmi Gojanin ka shku e ka vra njeri”.

Kaltrina Krasniqi: Po.

Sazan Shita: Nata e fundit. Bajram Kelmendin me dy djemët… Kuku, kur kom shku me i pa, kiamet, kur kanë ardhe tri xhenaze n’shpi. Sa e fortë u majtë ajo gru, veç tregojke çka ka bo në Beograd, qysh i ka bo Bajrami… folke, ajo krejt atë historinë e burrit t’vet çka ka asi… vështirë e ka pasë. Tash veç ni çikë ju ka metë.

Kaltrina Krasniqi: Zonja Sazan, shumë faleminderit.

Sazan Shita: Me nderë qofsh, faleminderit edhe prej juve qe m’ngutë pallavrat.

Kaltrina Krasniqi: Na kemi pasë shumë dëshirë me ju taku, edhe me bo muhabet me juve. Nëse ju ndiheni që keni metë diçka pa na tregu…

Sazan Shita: Jo, ajo gjana të imta jonë. Ato kryesoret i thashë. Nuk ka, mirë…

Pjesa e Katërt

[Kjo pjesë e intervistës është realizuar më 23 shkurt, 2019. Me kërkesë të Znj. Shita u ulëm me të për të biseduar për gjëra tjera që kishin mbetur jashtë intervistës së realizuar më 10 janar, 2019]

Erëmirë Krasniqi: Okej, na deshtëm prapë me kalu nëpër fëmini, po dojmë me bo qat kapitullin e parë te fëminisë… A po ia fillojmë pra prej qaty që, po prej fëminisë.

Sazan Shita: Po, po, prej fëminisë, po. Fëminia ime në të vërtetë shumë e mirë ka qenë, por edhe me brenga pak. Me një familje të madhe, me shumë anëtarshe jemi rritë, 7 motra. Babën e kom pasë arsim dashës, edhe nuk na ka lanë pa shkollë. Unë kam qenë pak jo bash e urtë si dukët se 2 herë më ka rrahë nana, e maj në mend shumë mirë. Kemi qenë me ni plakë, nuk ka qenë shumë plakë po mu mu ka dokë plakë, e cila na ka rujt mos mu rrëzu, na ka kqyrë. E djali i vet Vehbia, ka qenë punët e jashtme i ka kry.

Ni herë nana ime ishte në kuzhinë, kuzhinën e kemi pasë shumë larg shtëpisë, shtëpia shumë e madhe ka qenë, me oborr të madh, me pemë, me perime, me lule. Lulet i ka kultivu baba, kemi pasë trandofile shumë, zymbyla kemi pasë një leh të madhe kur të çilshin, era të kënaqke. Kemi pasë zambaka dy llojesh, perimet i ka… i ka… axha i ka kultivu. Edhe në oborr e kemi pasë një kënd si një koritë e madhe e… gropë, i thojshin gropa e qyreqit, edhe e mbulume me lloq, me dhe. Mirëpo, një qoshe ku ata përditë kanë ly, kanë marrë gëlqeren, oborrit, shpia e madhe.

Prej Gjakovës nji kusherinë e babës tem na ka pru komplet dimie, kto shumë të bukra të vekit, të punume me dorë. Edhe nana ime shumë ka pasë qef me na veshë. Edhe nëpër oborr si lule na veshke. Atë ditë po i thom, “A po na vesh dimitë?” Unë kom qenë pesë vjeçare atëherë, e kom edhe fotografinë. Edhe na veshi. Motra e madhe, Melihati, e cila ka qenë dy vjetë e gjysë ma e madhe se unë tha “A munesh m’i kalu atë këndin aty ku ka qenë gëlqerja e zbulume?” I thashë “Kalo ti edhe unë e kaloj”. Ajo kaloi, edhe unë kalova, i zhlymë dimitë. E aty më ka rrehë nana, se më tha “Kqyr, mos u zhlyj”.

Herën e dytë më ka rrehë që e maj në mend mirë fort, kemi pasë në dhomën e ditës minder, me jastëka prej kashte. Ju nuk ja keni mbërri ato me siguri. Edhe një javë nana ka punu me gjyshen në kuzhinë. Një javë gruja e axhës mrena ka fshi. Edhe atëherë kam qenë, hala s’i kom pasë pesë vjet. Edhe ajo e fshini dhomën, dul, unë i kom marrë ata jastëka i kom qitë midis dhomës edhe po i shkeli me kamë. Kur ka hi kjo gruja e axhës tem, ni bërtimë të madhe, nana kujtoi çka u bo, vrap ka ardhë. Kur erdh “Çka u bo?” Tha, “Dhomën sa e fshiva, Sazani jastyktë m’i qiti midis dhomës”. “Pse moj bijë?” Thashë, “Po s’i ka bo si ti. Ti i shkelë me kamë, kjo nuk i ka shkelë me kamë”. Edhe qaty më ka rrehë mirë që s’muj me i harru kurrë. Gjyshja ime, nana e babës, i ka pasë do porta, ato porta kanë qenë të metalit, shkëlqejshin. Unë ja lypshnja me lujtë me porta.

Erëmirë Krasniqi: Çka janë portat?

Sazan Shita: Gugumon. A e dinë për… ë… ë.

Erëmirë Krasniqi: A okej, po, okej, si kilikera kështu.

Sazan Shita: Eh klikerat. Na porta, shqip. Tha “Jo, bre bijë, nuk jonë këto për lojë”. Thashë “Po mu po më pëlqejnë”. Tha “Ty po të pëlqejnë po me u sëmu dikush, me këto i shnoshi”. “Qysh i shnoshë me këto?” I thashë, edhe e vogël ishna shumë. Edhe tha, “Ja jepi pesë copa dikuj kuj ju kanë pshtjellë zorrët edhe i thom merre ni kerre me kuaj, katër vetë mane në kamë qatë të sëmutin edhe ka një ka një le ta përbinë, zorrët i rregullohen”. Edhe qashtu i ka shëru njerëzit. Edhe halla e babës tem, një herë jom sëmu shumë keq prej fytit. Babën s’e kemi pasë në shpi, ka qenë për rrugë. Edhe s’kom mujtë me hapë gojën. Kumeditë qelb a çka kom pasë në fyt. Nana tha, “Shko te halla Gjylzade, se ajo t’i shëron”. E kemi pasë afër shpisë. Kur shkova ajo e murrë gishtin, e ngjyu me një pluhën, edhe ajo kish qenë nishadër, mandej kom marrë vesh çka osht ajo, nishadër. E ka sitë edhe me qato, m’i ka fërku bajamet. Kur shkova në shpi, po marrë frymë lirisht. Këto janë kujtimet që s’muj me i harru.

Erëmirë Krasniqi: E kjo mjekësia popullore a ka qenë më shumë prezente se sa mjekët në atë kohë?

Sazan Shita: Po, po, te mjektë s’kanë shku njerëzit, por tash gjithkush nuk ka mujtë me shku edhe te mjektë edhe në qoftë se ka pasë. Familja jonë nuk ka qenë që s’kanë mujtë me shku, se kur babi im 86 vjet më përpara e ka pru rrobaqepësin në shtëpi, iu ka qepë fustanat këtyne dy nuseve, nanës edhe grusë të axhës, me pala, që ato jonë kanë kush i shifte, kush, kërkush s’ka veshë atëhere fustana. Po du me thanë varet prej familjeve, qysh kanë qenë familjet. Qito janë kujtimet e mia të fëminisë. Mandej në shkollimin e ki të shkrume.

Erëmirë Krasniqi: A ndalemi pra veç pak qitu? Po më intereson nëpër këtë farë strukturën e brendshme, organizimin e punës mrena në familje, e keni pasë atë plakën që u kujdesë për juve, edhe ni javë gruja e axhës i ka bo do punë, edhe ni javë nana e juve. Domethanë, ka qenë nifarë organizim i punës i brendshëm.

Sazan Shita: Po, po. E kanë pasë me rend. Një javë njëna mrena në shtëpi, një javë tjetra në oborr, në oborr larg si me qenë në derë të sokakit ka qenë ajo kuzhina. Larg prej ndërtesës. Jo, si tash kuzhina mrena. Edhe qashtu kanë punu.

Erëmirë Krasniqi: Çfarë shtëpie ka qenë? Çfarë…

Sazan Shita: Shpinë e kemi pasë shumë të madhe. Ka qenë për hesapin tim për atë kohë, tash kur e analizoj, tepër e mirë. Edhe oborr shumë kemi pasë, me rrush, me krejt çka… të gjitha pemët deri në mushmolla kemi pasë në oborr. Ato i qitshin me kashtë, me ni sandëk të drunit edhe i shtishin në podrum. Nuk e kemi pasë podrumin me pllaka me, podrum vetëm podrum, ni dritare të vogël aty i kanë mbajtë perimet, pemët të cilat mos m’u prishë.

Erëmirë Krasniqi: A ka qenë në stilin osman shtëpia apo… A ka qenë në stilin osman ajo shtëpia në Mitrovicë apo qysh?

Sazan Shita: Po e thjeshtë ka qenë kështu, nuk e di qysh po mendon ti.

Erëmirë Krasniqi: Po, po e përshkrun qe ka pasë mindera…

Sazan Shita: E mindera, ka pasë dollap të dyshekve, se përpara me dyshek kemi flejtë. Përfuni dyshekve ka qenë një dollap ku i kanë shti drutë. Një dollap tjetër ka qenë si dy katshe. Tabaki i çajit e xhygymat e sheqeri e këto kanë qëndru. Edhe e kemi pasë një hamamxhik. Ajo bajë, si bajë. Ajo ka qenë hamamxhik i vogël, aty jemi la.

Erëmirë Krasniqi: E ajo plaka kush ka qenë? A ka qenë gru e familjes që është kujdes për ju apo…

Sazan Shita: Që na ka kujdes? Jo, ajo ka qenë si duket magjupe me djalin. Se ka qenë mjaft e vrukt në fytyrë kështu, tash qysh po e analizoj. E ky Vehbia bukë na çojke në furrë edhe i bike. Pesë bukë u gatushin, afër katërdhjetë centimetra ato tepsiat, tash që i analizoj. Gjithmonë një bukë të misrit e kemi pasë. Atë bukën e misrit me përshesh e me… Kur kanë pasë sarma, kur kanë pasë mish me lakna gjithmonë ka qenë nji… ose mish me qepë.

Erëmirë Krasniqi: Ju përmendet që në lagje keni pasë edhe jahudi…

Sazan Shita: A te… te… te nana e nanës. Te nanëdaja, po. Aty afër kemi pasë tri shtëpi të jahudive. Ato nuk kanë pasë oborr fare, drejt në rrugë e kanë pasë shtëpinë. Pa oborr. Vetëm dilshin para shtëpisë, kanë pasë një… do ulëse do si shkoma të vegjël, u ulëshin. Gjithmonë tepsinë me farë të kungullit të pjekme përpara. Gjithmonë kanë hangër farë. Kanë punu burrat me… Na për shembull, lujshim me kukulla, u dufke kukullave me ja u bo naj dimi, naj fustan e bebeve ju bojshim edhe sallënxhak prej… Çka s’kemi bo. Edhe shkojshim merrshim, ata i kanë pasë copat prej secilit top pa material, ka një dhjetë cantinshe, për m’i pa [mostrat]. E na i merrshim qato që na pëlqejshin, shkojshim i merrshim gjoja për m’i pa në shpi për me ble. Shkurt i merrshim pa leje edhe i punojshim. Une me vajzën e tezës të nanës time kam qenë afër me ata, se motrat e mia nuk kanë lujt me kukulla sikur une. Ato krejt lojna tjera, unë me kukulla shumë kom pasë qejf. Kom bo edhe shtretën prej telit, e i pshtjellsha me këto letrat që jonë… që hapen pak kështu, s’di si quhën tash ato letra. Ka edhe tash asi letra po më duket. Edhe fjonga anash. Bojshna sallënxhak, a e din çka është sallënxhaki?

Erëmirë Krasniqi: Luhatëse…

Sazan Shita: Luhaçe, po. E bojshna katrore edhe e pështjillshna bukur me jastëk e me krejt si me qenë origjinal veç që kuklla… me kuklla.

Erëmirë Krasniqi: E këto tekstilet i merrshe prej jahudive…

Sazan Shita: Jahudive, ata jepshin. Ata kanë qenë kryesorë në Mitrovicë për me shitë këto. Dyqanet e tyre kanë qenë të furnizume. Tash nashta ka pasë edhe prej shqiptarve, po ato mbresën që ma kanë lanë ato dyqane kanë qenë. Se t’i jepshin, nuk folshin. Na i këputshim edhe i kthejshim, ata nuk i kontrollojshin se s’kanë pasë pse m’i kontrollu. S’ju ka marrë mendja që neve po na duhen dhetë cantin aty.

Erëmirë Krasniqi: A u shoqnojshin edhe familjet me…

Sazan Shita: Po, po. Sidomos me qit… qit nanën e qisaj Julianës e cila kur jonë ardhë gjermanët, përpara se me ardhë gjermanët, veç e dishin ata që kanë fillu m’i marrë jahuditë, e ka pru te daja im. “Amon, aga, të lutna merrma çikën, ruma Julianën”, e ka pasë emrin ka paës qenë shumë një vajzë e mirë, afër 25 vjeçare nashta ka qenë. Veç edhe e mirë, edhe e kemi pasë shumë afër, mendoj njeriu kur shoqënohet…

Erëmirë Krasniqi: Edhe ata gati se e kanë… Ai e ka ofru edhe si me falë… a po? Veç për me ia shpëtu jetën prindërit e kanë jep…

Sazan Shita: Tha, “Ty po ta lo amanet”. Tashti ai ka mujt edhe m’u martu me të se ka qenë shumë e bukur, shumë e mirë. Mirëpo, daja im… na shqiptartë jemi pak (qeshë), jemi egoista veç për veti, kemi qef tonët m’i kqyr. Edhe për martesë e për krejt, me shqiptari me shqiptarën. E me jahudinë çfarë të martuni. Po ajo nashta ka mendu ashtu.

Erëmirë Krasniqi: E tani edhe ata e kanë marrë…

Sazan Shita: Po, po. I ranë në fijet edhe asajna. Dikush spiunoi, ka pasë gjithçka. Me siguri dikush spiunoi.

Erëmirë Krasniqi: A ju kujtohet qysh e kanë bo qatë spastrim të jahudive në Mitrovicë? A kanë shku shpi për shpi? A ju kujtohen metodat të cilat i kanë përdorë?

Sazan Shita: Ata Feldgendarmerie1 i thojshin. Kur dilshin në rrugë me hapat që i lëshojshin në tokë tmerrin ta shtishin. Mo kur… u tremshe. Shumë kanë qenë të rreptë. Shumë. Qata i kanë marrë prej shpiave krejt. Edhe ju kanë mshelë dyrt e… çka janë bo ato shpi nuk e di.

Erëmirë Krasniqi: A ekzistojnë hala ato në Mitrovicë?

Sazan Shita: Jo, jo është… Mitrovica ka ndryshu mjaft, mjaft. Kanë bo ndërtime jonë bo, bile bile ajo rruga e gjyshës… e nanës të nanës, nuk di m’i gjetë ndoshta. Kaherë s’kom shku, se s’kom pasë pse me shku. Familjen jo. Ni motër që më ka pasë metë, ajo vinte ma shpesh knej edhe kështu.

Erëmirë Krasniqi: Në çfarë gjuhe flisnit… folshit me jahuditë?

Sazan Shita: Ata me gjuhën e vetë, çfarë gjuhe nuk e kemi kuptu.

Erëmirë Krasniqi: Jo, ju cilën gjuhë e kishit të përbashkët, me cilën gjuhë ju flisnit?

Sazan Shita: Me jahuditë a? Serbishtën. Serbisht. Serbisht ata dishin. Po. Serbisht edhe na e kemi zotnu serbishten.

Erëmirë Krasniqi: A shkojshit nëpër festat e tyne?

Sazan Shita: Jo.

Erëmirë Krasniqi: E ata të juajat?

Sazan Shita: Urdhno?

Erëmirë Krasniqi: E ata në festat e juaja a vishin?

Sazan Shita: Jo. Atë përzimje s’e kemi pasë. Nuk e di pse. Me serbë për shembull po. Serbtë vishin. Kemi pasë… baba e ka pasë ni Gospodja Mitra [Zonja Mitra] i thojshin. I ka pasë tre vajza edhe u shoqnojshim na me qato vajzat, si me qenë shqiptare, nuk kemi ditë me i dallu. Na fëmitë po mendoj. E këta të vjetrit e kanë ditë punën qysh është, po na s’kemi pasë asi. Ma vonë mandej po. Ma vonë… edhe unë ma vonë e kom kuptu që s’jemi për m’u shoqnu.

Erëmirë Krasniqi: A të kujtohet edhe naj çka tjetër rreth jahudive që nashta kish qenë mirë me na tregu?

Sazan Shita: Jo. Jo, jo, nuk më kujtohet.

Erëmirë Krasniqi: Qato shoqnimet midis familjeve të juaja çka kanë pru? Çfarë lloj miqësie? Naj diçka, naj detal…

Sazan Shita: Qysh?

Erëmirë Krasniqi: Qato shoqnimet qe i keni pasë në mes familjeve, çka kanë pru…

Sazan Shita: Me serbëve a?

Erëmirë Krasniqi: Jo. Jahuditë po më intereson.

Sazan Shita: A jahudive. Ato gratë kurgjo s’kanë punu, gjithë ditën kanë nejt. Secila ma e trashë se shoqja ka qenë. Vetëm nuset, dy nuse qe i kanë pasë kanë qenë të reja edhe qikjo Juliana, çika, nuk kanë qenë të trasha. Këto tjerat krejt. Gjithë ditën vetëm kanë hangër fara të kungullit. Unë s’di çka kanë punu mrena në shpi. Kur kanë mrri me punu?

Erëmirë Krasniqi: E permende që kta nuk kanë pasë oborr… kta e kanë shfrytëzu me maru dyqan apo…

Sazan Shita: Jo, jo. Ashtu i kanë pasë shtëpiat.

Erëmirë Krasniqi: Okej.

Sazan Shita: Shtëpinë e ka pasë si na këtë shtëpi me pasë drejt në rrugë. Ashtu e kanë pasë edhe ata.

Erëmirë Krasniqi: E shqiptarët e kanë pasë edhe murin e jashtëm, a qysh?

Sazan Shita: Po, shqiptarët kërkush s’maj në mend qe ka pasë qasi shpie.

Erëmirë Krasniqi: Shumë interesant.

Sazan Shita: A njëna, qikjo nana e Julianës, e ka pasë… e ka pasë me… me shkallë, e poshtë e ka pasë një furrë. Furrë… bukëpjekës. A këto dy shtëpitë tjera jo, drejt në rrugë e kanë pasë, kurgjo s’kanë pasë.

Erëmirë Krasniqi: A ju kujtohet kuzhina e atyne? Çka kanë hangër?

Sazan Shita: S’kom hi mrena.

Erëmirë Krasniqi: Jo, jo, po mendoj lloji i ushqimeve, a i njejtë sikur i joni?

Sazan Shita: Nuk di. Nuk e di, se masi s’kemi hi… s’kemi hi në shtëpi të tyne kurrë. Vetëm para shpisë që i kemi pa. Se jo, mrena në shpi jo. Nuk të kanë qasë se ndoshta kishim hi, po…

Erëmirë Krasniqi: Zoja Sazan, ju deshtët me na… me rivizitu prapë luftën.

Sazan Shita: Po.

Erëmirë Krasniqi: Ken do detale të cilat ju kanë kujtu, e ju dukë me randësi me i dokumentu. A po shkojmë në qat moment?

Sazan Shita: Po, po. Po.

Erëmirë Krasniqi: Qysh ke lufta për juve?

Sazan Shita: Të dy djemtë nuk kanë dashtë me dalë pa ne përjashta. Ose me ne ose ata me metë. Djali të madh nusja, Iliriana, i ka pasë dy fëmije, Artën edhe Arin. Ajo meniherë i ka marrë fëmitë edhe i ka thanë Fatosit, “Fatos, une nuk i lo fëmitë këtu, une po shkoj në Shkup, hajde edhe ti”. Ai, “Jo, pa prind nuk vi”. Edhe kur një ditë pa u mbyllë rruga, unë kom qenë në pazar, kur jom kthy e kom gjetë… Kta e kom thanë një herë… edhe i kish ardhë shumë keq. Tha, “Me më falë që po u a kthej shpinën”. Na u gëzumë që po shkon te familja e vet. Arbni me nusën edhe me dy fëmitë, Ardin edhe Albin. Albi ka qenë tre vjeçarë. Ai 26 ditë ka qëndru me ne këtu. Gjitha peripetitë, të gjitha ato kiametet i kanë përjetu edhe ata bashkë me ne. Arbni i vnonte shkallët edhe shifke flaka kur u dhizke noj shtëpi, u doke thu se është para shpisë. Natën ish kiamet flakë. Përballë shtëpisë tonë qitu qaq flakë e madhe sa t’u doke thu se po të vjen…

Erëmirë Krasniqi: A u kall naj shtëpi e kojshive këtu apo…

Sazan Shita: Po, përballë, përballë.

Erëmirë Krasniqi: Kem tu folë për shpinë e kojshive kur u kallë, a kanë qenë ata të përfshimë në politikë apo pse bash shpia e tyne?

Sazan Shita: Jo. Jo, jo, jo. Po kanë qenë këtu në mahallën tonë ka qenë vetëm një shtëpi serbe. I ka pasë tre djem. Një Djurdja, Djurdja i thojshin. Ata djemtë i ka pasë shumë të praptë. Kur i kanë përzanë, për fat neve nuk na erdhën, vetëm e kemi ni garazhën që dikush i ka ra me kamë. Nuk na ka hy mrena as nuk na ka trokit kërkush… kemi metë pa dalë, se krejt ata i kanë përzanë. Bile, mandena mas luftës kur ka ardhë ai i zoti i shpisë m’u taku, ata kanë metë përjashta. I kanë thanë, “Qiti paret”. Ka thanë “S’kom pare”. E ka marrë vajzën të voglën edhe i ka thanë, “Ose qiti paret ose ta qita në pus”. Edhe u detyru ai edhe i kanë thanë m’u largu.

Unë kom dalë në vetëshërbim. Kom ble bukë edhe qumësht për me ju dhanë edhe atyne se i ka pasë pesë fëmi ajo gruja. Trokita, s’po del kërkush. Po këqyri prej vrimës, po shof do këpuca që i vishke e vike orë e çast te ne. Këpuca si nallane kështu, po. Edhe erdha në shpi po i thom, “Vehap nuk jonë… te kojshitë kërkush nuk ishte”. Kur mandena u murrë vesh qe i kanë përzanë. E ata jonë ardhë kanë banu aty një kohë.

Erëmirë Krasniqi: Paramilitarët?

Sazan Shita: Qaj… qaj… qata serbët se jo… Një boshçe me tesha të çikave para shtëpisë tonë e ka lanë se s’ka mujtë m’i bajtë, m’i çu në shtëpi të vetë. Une e pashë po u largova. Çka po më duhet… se e çilsha derën kaniherë me këqyrë. Veç kur e pamë një natë, flaka, u kall krejt shpia, çfarë kiameti ishte. Në rrugën e Bajram Kelmendit shtëpiat që janë kallë, merre me mend, na këtu e shifshim thu se është para shtëpise tonë. Qysh ish natën ajo flakë po të tmerrojke. E krejt ai Arbni shkallët e i kontrollojke cilat shtëpi po digjen edhe mendojshim se edhe te ne do të vinë me na kallë. Veç kemi qenë, ata e kanë pa që na po himë e po dalim, sidomos une se kta jo tjerët. S’i kom lanë, veç une po. Edhe serbishten e kom zotnu pak ma mirë. Edhe e veshne kom qenë normal, si… nashta edhe nuk e kanë ditë që jam shqiptare se kur kom dalë me folë në telefon mandena me fëmitë ata çfarë te teatri, çfarë kangësh, çetnikët, tmerrin ta shtike kanga, tmerrin.

Erëmirë Krasniqi: Ku shkojshit me folë me telefon?

Sazan Shita: Me një shpi atje motrën e kom pasë afër… afër spitalit, në banesë. E atë banesën aty kanë qenë familje shumë, nuk e kanë prekë. Edhe telefonin ja u kanë lanë. A neve telefonin na patën hekë, nuk e kemi pasë. Kom dalë dy, tre here, ma tepër jo.

Erëmirë Krasniqi: A dilshin me pritë për bukë a…

Sazan Shita: Qysh jo. Qaty në vetëshërbim rreshti ka qenë. Na çdo gjë e kemi pasë në shtëpi. Veç unë dilshna ma tepër për këta kojshitë se më vike gjynah, fëmitë. Ai thojke, “Mori teze veç një gjysmë thesi miell më ka metë, s’kom ma shumë për fëmitë”. Ai nuk mrrini as qatë gjysë thesi me përdorë se e përzunë. E përzunë krejt.

Erëmirë Krasniqi: A krejt mahallën e kanë përzanë, a veç disa?

Sazan Shita: Valla edhe një njeri kojshi është qaty ka pasë metë në shpi, nuk e kanë trazu se krejt, krejt kanë dalë. Krejt, kur jom dalë nihere me shku te… te Sahat Kulla është një teqe. Aty e kom pasë shoqe qat Fatimën. Kohë pas kohe kom shku te ajo, ose m’i çu diçka ose m’i pa. Edhe kur kom shku një here, kur e kom pa turmën e njerëzve prej së naltit s’kom mujt me qëndru. Edhe kom ardhë në shpi i kom thanë, “Vehap, qishtu qishtu”. Tha “Mos më trego”.

Erëmirë Krasniqi: Njerëzit që i kanë shty prej qytetit, i kanë hekë, shqiptarët qe i kanë përzanë prej shpiave…

Sazan Shita: Krejt, krejt, krejt. Si me qenë dele.

Erëmirë Krasniqi: E kah i shtyjshin?

Sazan Shita: Drejt prej së naltit, drejt teposhtë shkojshin. Tashti, a i kanë çu në stacion, a i kanë çu ka Shqipnia une nuk e di, vetëm… shumë njerëz.

Erëmirë Krasniqi: Qysh vendosët ju me qëndru këtu në shpi?

Sazan Shita: Eh tash… Kur erdhën nja katër-pesë vetë një herë, Arbni ish këtu, po nuk hypën nalt, vetëm erdhën këtu në dhomë poshtë. Folën me Vehapin, une i thashë a jonë përkthys, është përkthys, se ish për të drejtat e njeriut, bile materialet m’i ka pasë dhanë m’i mshefë. E tha, “Sazan, fshehi, veç mos te dijë unë, se me më pytë une ju tregoj”. Unë e gropova tokën, e kemi një oborr të vogël mbrapa shpisë. E gropova e i sigurova, i shtina në dhe. Edhe shpëtunë. Kur erdhën një natë dy vetë, të dytë të armatosun. Njëni shumë i gjatë, tjetri pak ma i shkurtë trrap, trrap, trrap {onomatope} edhe njëni drejt nalt. Nalt ishtë Arbni me familje, me fëmitë e me grunë. Na dytë poshtë.

Ky që ishte poshtë e kish automatin e i tha Vehapit “Ulu në shkalltën e dytë. Ulu.” Edhe automatin te goja ja majti. Mandej i tha “Qiti paret”. Ai i murrë portofolin e qeli. Tha “Vetëm qato pare a? Qiti paret”. Ky djali nalt kur ndiu qiti paret, i dha atij që ishte nalt, edhe ai zhdrypi tha, “Idemo” [Shkojmë]. Tha “Nesër mos me ju gjetë këtu”. Tash djali po thotë, “Mam, po dalim krejt”. “T’lutna mam shkoni ju, dilni, për ne mos keni dert”. Na kemi pasë vendosë me metë në shpi. Ishim të moshumë, ku kishim me shku? Çka bohët le të bohët në shpi tonë. Mirëpo, këta fëmitë rehat s’kanë qenë. Qatëherë ky shpëtoi edhe dul jasht. E një ditë, një ushtar, ajo ka qenë dita e fundit… dita e fundit…

Erëmirë Krasniqi: E bombardimeve a?

Sazan Shita: Ah, tash bombardimet. Kur kanë qenë bombat, kur bishin, ky djali i vogli, Albi, tre vjeçar prej së naltit vraponte vike këtu me gjetë strehim nër tavolinë qaty hike, “Qitu te baba Hap une po rri”, ju doke vetja që po shpëton këtu… gjynah ka qenë. Ata sytë i xixëllojshin djalit prej frikës. Shumë tmerr ka qenë. E ajo nata e fundit, kur ka qenë ky… Nazmi Gojanin që e kanë mytë. E Nazmi Gojani ka qenë në shpi të vetë, ka hy, e ka vra, ja ka marrë të hollat. E ka vra edhe të nesërmen ose të masnesrit ma luftë nuk ka pasë. Po du me thanë dita e fundit. Edhe erdh një ushtar edhe po thotë, “Erdha në banjo m’u la”. Thashë, “Nuk e di a kemi ujë a jo”. Kishimi ujë, po… edhe çka kisha… s’kisha si. Kur i thashë, “Izuj se”, deshi kpucat atëherë e pa që jemi na shqiptar. Tha ,“Po shkoj diku tjetër”. Njëzet e gjashtë ditë ka nejt…

Erëmirë Krasniqi: Ka shku në Shkup a qysh?

Sazan Shita: Jo vallai kanë shku për me shku… me dalë jashta shtetit s’di në cilin vend ka qenë, kom harru. Po shpëtunë, kryesore shpëtunë.

Erëmirë Krasniqi: E qysh e pritët 12 qershorin, ditën e çlirimit të Prishtinës?

Sazan Shita: Edhe 12 qershorin kur i pashë une ushtarët që jonë ardhë…

Erëmirë Krasniqi: Jemi te 12 qershori kur erdhën ushtarët. Po tregona edhe cilët ushtarë kanë ardhë ma së pari? Edhe qysh kanë shku ata të tjerët?

Sazan Shita: Ushtarët në rrugë, plot. Edhe si i pashë m’u dokën thu se janë të untë. Këtu afër shkollës “Elena Gjika”. Jom ardhë në shpi i kom bo disa sendviça edhe t’u dalë Zekeria Cana erdh, e kemi pasë mik të shpisë. Tha, “Ku po shkon e zoja e shpisë?” Thashë, “Qaty do ushtarë i pashë”. Tha, “A e paç faqën e bardhë”. Erdh nejti edhe po na tregon për Bajram Kelmendin. Meniherë shkova se kemi pasë njoftësi me to. Ajo Nekibja ishte, i pritshin kufomat.

Erëmirë Krasniqi: Kjo është meni… ditët e para të bombardimeve, kur i kanë vra a jeni tu folë për…

Sazan Shita: Jo, i kanë, i kanë… i kanë vra…

Erëmirë Krasniqi: Me 24 qatëhere…

Sazan Shita: Disa ditë përpara… përpara çlirimit.

Erëmirë Krasniqi: Jo, jo. Ata janë vra në natën e parë të bombardimeve. Bajram Kelmendi me djemtë.

Sazan Shita: Epo nuk po i di, vetëm kryesore e di që kur kom shku i kanë pru kufomat edhe s’kanë mujtë naltë me i çu se sandëkët ishin të mëdhenjë e shkallët ishin të ngushta, i lanë poshtë. Po Nekibja… shumë keq po më vjen që s’kom mujt me i majtë në mend fjalët e sajna. Tre mashqit m’i hupë edhe me qëndru, i lumtë, është m’u habit njeriu. E këta ushtarët mandena, krejt mahalla u çu në kamë, gëzimi i madh u bo.

Erëmirë Krasniqi: A ish UÇK-ja, a ishin kta të NATO-s?

Sazan Shita: Jo, jo, të NATO-s. Jo UÇK-ja. UÇK-në nuk e kam pa ktu në Prishtinë, po… në Prishtinë, unë krejt Prishtinën nuk e kom shetitë, po këtu mahallën tonë vetëm këta të NATO-s. Se këta fëmitë mandena e qata që kanë pasë metë këtu… qysh, kur, qysh murren vesh të gjithë me dalë ashtu në rrugë me lule e me çfarë gëzimi, i papërshkrumë ka qenë.

Erëmirë Krasniqi: E ju qysh e kuptut lajmin që po hin NATO-ja? Qysh u nditë të sigurtë me dalë mas… Ju i keni pa krejt llojet e ushtrisë tu hi e tu dalë, po qysh e keni ditë që jeni të sigurtë tash?

Sazan Shita: Po të sigurtë se edhe lajmet i ndëgjojshim edhe televizori ish. Mandej, Vehapi ka punu për të drejtat e njeriut. Aty çdo gjë ka qenë ku është e ku s’është. Lajmin aty e kanë pasë edhe për Bajram Kelmendin e për krejt.

Erëmirë Krasniqi: E qysh komunikojke Vehapi në atë kohë, po mendoj qysh e majke komunikimin me të tjerët anëtarë të Këshillit të të Drejtave të Njeriut?

Sazan Shita: Ka qenë… ka qenë një… një vajzë, tash ja kom harru emrin, e cila ka depërtu kur ka qenë kiameti më i madh s’di në cilin fshat. Edhe i ki inçizu. Edhe ka ardhë ktu te ne edhe i ka tregu Vehapit krejt. Jo, Vehapi nuk ka dalë, vetëm ata kanë ardhë në shpi. Për shembull, Adem Demaçi orë e çast ka ardhë. Edhe ai dilke me motrën e vet, krah për krahi, bile ju kom tregu përpara kom folë për to. Edhe…

Erëmirë Krasniqi: A po e përmbyllim qitu a….

Sazan Shita: Jo s’kom mo… s’po më kujtohet.


1 Gjerman.: Feldgendarmerie, ushtri e terrenit, fushës.

Download PDF