Saranda Bogujevci

Prishtinë | Date: 7 shkurt, 2018 | Duration: 7 minuta

Saranda Bogujevci (1986), Anëtare e Parlamentit, Podujevë


Aurela Kadriu (Intervistuesja), Donjetë Berisha (Kamera)

Saranda Bogujevci

Aurela Kadriu: A e mban n’mend veren e vitit 2007, ose qysh e mban n’mend veren e vitit 2007?

Saranda Bogujevci: Veren?

Aurela Kadriu: E vitit 2007, domethanë vera para shpalljës të pavarësisë.

Saranda Bogujevci: Po, tash (qeshë) tash po m’kujtohet. N’fakt ka qenë, 2007 kshtu ka qenë kohë kur shumë gjana kanë ndodhë. Kemi pasë nji projekt me artistë nga Kosova që për herë t’parë jonë ekspozu në, në Angli. Kshtu që gjatë atij viti m’ka ra shumë shpesh me ardhë n’Kosovë. Ka qenë, domethanë koha e studimeve, për mu kështu ka qenë nji vit shumë i, i ngarkumë po me, me projekte interesante, me gjana interesante që kanë ndodhë. Në… Verën e 2007-tës, muj me t’thanë pjesën ma t’madhe t’asaj kohe e kom kalu në, në Shqipëri edhe ni pjesë kom qenë në Kosovë.

Aurela Kadriu: A na tregon kur ke dëgju për herë t’parë ose kur e ke kuptu ti për herë t’parë që Kosova ka me shpallë pavarësinë?

Saranda Bogujevci: S’muj me t’thanë, osht’ e vështirë se nganjiherë ashtu përqendrohesh n’kujtime t’caktume edhe nuk i mendon pjesën tjetër.

Aurela Kadriu: Po me çka e ndërlidhë kur menon?

Saranda Bogujevci: Me t’thanë t’drejten pavarësinë e Kosovës e ndërlidhi me, domethanë atë kohë kur osht’ shpallë pavarësia e Kosovës unë kom qenë në Kanadë me studime, pata ba kështu shkëmbim mes Univerzitetit që kam qenë në Manchester. Dhe kam qenë për gjashtë mujë n’Kanadë domethanë edhe gjatë qasaj kohe kur osht’, kur ka, kur osht’ folë domethanë edhe kur osht’ shpallë pavarësia e Kosovës unë kom qenë atje. Kshtu gjithçka domethanë kur flitet për, për kujtimin e qasaj kohe t’shpalljës t’pavarësisë të Kosovës kam qenë në, domethanë e lidhi gjithë herë me, me Kanadën (buzeqeshë).

Aurela Kadriu: A na tregon çfarë domethanje ka pasë për ty pavarësia? Çka ke menu atë ditë kur u shpallë?

Saranda Bogujevci: Ka qenë t’them t’drejten nji festë e madhe, domethanë meniherë osht’ oragnizu në qendër të Torontos janë mbledhë shqiptarët. M’kujtohet ma, që ka qenë nderë për mu, ma patën dhanë edhe fjalën domethanë me i’u drejtu të gjithë bashkatdhetarëve që janë mbledhë në, në Toronto. M’kujtohet pata… domethanë me, me familjarët qe i kisha, dhe shoqninë që i kisha në, në Kanadë, gjithë fëmive dhe domethanë çka ishin gjenerata ma t’reja ja u pata vizatu shqiponjën, ajo n’fotografi që, që i patëm ba. Ka qenë ashtu festë shumë e madhe.

M’kujtohet nji ditë para shpalljes se pavarësisë ashtu, për shkak qe si komunitet domethanë i shqiptarëve ka qenë koxha i madh edhe ku do qe ecshe, pak ashtu ta qojke mallin e, sikur me kanë në, në Kosovë. Po i pajshe domethanë më kerre, me flamur, tu festu domethanë. E masandej, t’nesermën kur u shpallë pavarësia e Kosovës ashtu, ka qenë nji festë, festë e madhe. Ka qenë shumë ftoftë (qeshë) po domethanë osht’, osht’ festu ka qenë nji festë e madhe.

Aurela Kadriu: A e keni pa live apo… seancën?

Saranda Bogujevci: Po, po. Patjetër, patjetër. Ma s’pari domethanë, ma s’pari e kemi, e kemi përcjellë shpalljen e pavarësisë masandej dhomethanë krejt shqiptarët të organizumë… Ashtu kanë qenë rrugët e bllokume deri në qendër të Torontos për shkak që kanë ardhë domethanë t’gjithë shqiptarët që kanë qenë rreth, rreth Torontos. Patëm festu domethanë në pjesën e qytetit, qendrës t’qytetit në Toronto. Masandej ma vonë jonë bo edhe organizime, organizime tjera që janë mbledhë…

Ka qenë interesnt për shkak që gjatë qasaj kohe kam taku shumë.. për shkak që si komunitet osht’ koxha i madh edhe, domethanë komuniteti i sërbëve, koratëve, t’vendeve të ballakanit n’pjesën ku kam qenë në Kanadë. Edhe ka qenë shumë interesant ajo përvoja me t’ritë sërb, edhe përceptimi i tyre i shpalljës t’pavarësisë t’Kosovës. Pjesa ma e madhe e tyne kanë qenë domethanë shumë t’vegjël kur kanë shku në Kanadë, se kanë lindë atje. Ose pjesa ma e madhe e familjeve t’tyne kanë qenë për shembull serb prej Kroacisë ose prej Bosnjës ose… A din, jo tamam prej, prej Serbisë. Eh ish shumë interesnt me pa debatet qe u bojshin mes t’rive të Kosovës domethanë edhe t’rive që ishin serb.

Aurela Kadriu: A na tregon detaje prej…

Saranda Bogujevci: Paj… U kanë shumë interesant sa, çfarë vendoshmërie kishin që Kosova osht’ e Serbisë edhe pse kurrë nuk kishin qenë n’Kosovë, shumë pak dishin rreth Kosovës. Po ajo u vrejke shumë ashtu që osht’ diçka që osht’ përcjellë prej familjarëve edhe jo ata që e kuptojshin ma s’mirti. Edhe ish shumë interesant mi pa përshembull se e kishin njifar vendosshmërie edhe ashtu i’a jepshin njifarë t’drejte vetvetës me t’thanë ty… Mu nuk guxojshin as me i hi atij muhabeti kshtu që kurrë nuk m’kanë thanë kurgjo për shkak që e dishin historinë e, e familjës edhe ishin shumë t’kujdesshëm po përshembull diskutimet që i bojshin me tjerët. Edhe e kishin atëfarë vendosshmërinë që Kosova osht’ e Serbisë. Po e pajshe që ish diçka që jo n’fakt që ata e kuptojshin qaq, ose kishin besim tamam t’tyne po ish diçka që ish përcjellë prej, prej familjës. Se përshembull n’mramje kur dojshin me dalë për shkak që i pajshe, seclin vend që shkojshe, për shkak që jetojshin në nji vend t’njejtë, nuk i interesojke prej cilit vend je ose harrojke ai prej cilit vend e ka familjën. Po u pajke sa shumë, çfarë influence ish domethanë direkt prej, prej familjës. Jo pse atyne i’u interesojke shumë. Kështu që, edhe kjo ka qenë përvojë interesant për mu.

Download PDF