Pjesa e Dytë
Anita Susuri: Nëse mundeni me na tregu për punën që e ka bo mixha juj…
Sami Shatri: Po.
Anita Susuri: Do të thotë në Shqipni edhe a ka ardhë në Kosovë me qëllimin e vetëm me taku familjen apo për me vazhdu aktivitetin tij?
Sami Shatri: Shiko, krejt ardhjet e Sali Shatrit kanë qenë për aktivitet. Se shpesh herë ai kur ka ardhë nuk ka mujt ta takoj fare familjen. Shpesh herë takimet janë bo krejt dikund tjetër. Për arsye se për shkaqe sigurie. Për shembull, përmendet n’atë shkrimin e Mehmet Muses ni takim që kanë pasë në Preshevë. Ni detyrë shumë sekrete bashkë me Shaban Brahën. Kanë shku në Preshevë, kanë pasë vendin ku takohen në ora dy t’natës që i kanë shpërnda detyrat edhe e kanë lanë në ora dy të natës të takohen.
Në ora dy t’natës është ardhë Shabani, po Saliu nuk ka mujtë t’vijë. N’atë, qysh e përshkrun Shaban Braha, n’atë kohë, domethonë kah ora dy nihen do krisma pushke dhe ai kujton që është vra. Dhe prit edhe pak, bile qysh e përshkrun ai, thotë, “Jom bo gati qysh ta formuloj ni tekst për Sali Shatrin për me nderu”. Kah ora tre vjen, ai thotë që, nin diçka te dushku aty dhe e sheh që… përqafohen dhe thotë që i tregon arsyen pse osht’ vonu. Pra, ka pasë iks raste për arsye se ka qenë grupi ma i kërkun n’atë kohë, grupi ma i kërkun.
Unë kom shumë kujtime, kshtu që shoh, për shembull, kur kem shku në kufi, në kohën kur osht’ shliru pak, janë përmirësu marrëdhaniet dhe kanë fillu të lëvizin njerëzit anej e knej. Gjyshja, jo, njerka e Saliut, jo nana se nana i ka vdekë herët, po njerka ka shku ta vizitoj. Se ai e ka dashtë shumë, e ka dashtë si nanën edhe ajo ka shku ta vizitoj. Kemi shku edhe na. Unë e mbaj mend si fmi i vogël viti ‘80 ka qenë ose ‘81 aty dikund. Jemi nisë aty dikund pesë vetura t’shkojmë në Vërmicë dhe ta shohim, bile ta shohim.
Kur kemi dalë në Klinë, na ka shoqëru ni veturë e policisë. Atëherë 101 zastavë i thojshin. Edhe na ka shoqëru deri në Vërmicë. Kur kemi mrri në atë zonën, zonën ku duhej të qëndronim ne duhet të afroheshin edhe ata deri aty. Na u ofrum aty, mbaj mend ni erë fryke, ni erë shumë e fortë edhe erdh Saliu erdh me familje t’vet me ni xhip të ushtrisë. U duke larg dhe dul. Mirëpo ai nuk u ofru. Tash ne si fmi na ishim shku për me pa për asi edhe pak u asi… se nuk lanë ata, jo jugosllavët po ata nuk lanë. Tash na thojshim pse, qysh, si.
Ma vonë… e kem pa veç ni distancë diku 70 metra. E mbaj mend që dul ajo gjyshja edhe ai prej atjehit folke t’madhe me ni na për secilin. Ky osht’ Sejdiu, ky është Emini, ky osht’ ky, ky. Po nuk u ofru. Ma vonë aty kishe ni kufitar, nifar’ Zija Gjonbalaj. Kufitari kryesor, doganier. Ma vonë n’konvikt unë isha me ni shok, nifar’ Bashkim Hasangjekaj, cimer. Rasisht t’u bisedu ai e kish pasë daj, Zija Gjonbalën e kish pasë daj. Zija Gjonbala baba i Bukurie Gjonbalës dhe Afrim Gjonabalës që kanë qenë në Bruksel që u lajmrojshin si korrespodent.
T’u bisedu ksi soji… ata vishin shpesh. Afrimi edhe Bukuria vishin te Bashkimi në konvikt aty. Niherë erdh ai Zijai domethonë veç ai për me pa nipin e vet, Bashkimin. P’e shoh unë, i njejti njeri që e kom pa atje. P’e pys, thom, ksi, ksi, “Na kemi qenë ni vizitë, a punon?” “Po”, tha, “punoj”, tha… po ia përshkruj unë thashë, “Jemi ardhë po ata nuk u ofrun”.
Po m’thotë tha, “E mor’ Shatër, Sali Shatrin e ki axhë ti?” Thashë, “Po”, tha, “A e din ti që sa herë del Sali Shatri nga Tirana na”, tha, “tollovitem ktu”. E kish fjalën për zonën kufitare. “Meniherë”, tha, “bohet alarm, bohet”, a din po qeshë, “Sa herë del”, tha, “ai nga Tirana, lëvizë”, tha, “na”, tha, “ktu tollovitem”, tha, “e mos u bon marak”, tha, “shkaqe sigurie ka qenë”, kshtu ma la. Mirëpo m’boni përshtypje që tha, “Saherë, saherë del ai jashtë Tirane na tollovitem”. Domethonë m’boni përshtypje ajo që kanë pasë informata.
Anita Susuri: E axhi juj në Shqipni, në Tiranë çfarë roli ka pasë? Me çka u marrë pastaj?
Sami Shatri: Ai ka qenë, në bazë të shkrimeve që kom përcjellë ktu, ai Mehmet Musë Bala, në vitin 1950 ai e ka, e ka udhëheq sektorin e veçantë për Kosovën. E ka udhëheq. Ka qenë me grad kolonel n’atë kohë. Ka qenë i ri, vitin 1950 ai ka dashtë m’i pasë rreth 30 vjet. Ma vonë i kanë hjekë gradat, në Shqipëri nuk kanë pasë grada. Po me atë gradën kolonel ka qenë n’atë kohë. Kryesisht ka punu në operativë. Domethonë ai ka qenë kryesisht për punë në teren. Punë në Kosovë, në Mal të Zi, në Maqedoni edhe në Turqi.
E kom ni shkrim n’lidhje me ata, osht’ shumë interesant. Ni fotografi e cila qarkullon prej Turqie dhe sigurimi prej Turqie e bjen në Istog dhe i thrret vllaun e Sali Shatrit dhe në bisedë informative ka qenë Sali Shatri në Turqi. Domethonë, detyrat e tij kanë qenë ashtu. Ai ka vdekë në vitin 1984. Ka vdekë në, në zonën kufitare nga infrakti n’zemër. Kjo është interesant lajmi kur na u ka komuniku vdekja e tina. Ka qenë 4 nëndor, 1984.
Vllau i Naser Shatrit, Skenderi, ka ardhë dhe na ka thanë n’shpi që, “Përcillni lajmet se e kem pa mixhën Sali në televizion”. Lajmet e para të orës 18:00 që i jepke RTSh-ja atëherë, i kishin pasë qit’. Kish qenë përvjetori i ni brigade dhe ai kish qenë me anëtarë tjerë të komiteti qendror dhe anëtarë tjerë aty. Mandena i kem përcjellë lajmet e orës tetë edhe orës 22:00, që i mbajshin ata dhe e kem pa. E kem pa. Domethonë ka qenë ni ditë para vdekjes. Ai faktikisht, na e kem pa me 4 nëndor e kanë qit’ dhe telegrami ka ardhë me 5 nëndor që ka ndrru jetë.
Po kur ka ardhë ai telegram me t’thanë t’drejtën babai i tina nuk besojke. Thojke, “Jo more, osht’ kjo informatë e UDB-së kom pasë edhe raste tjera. Nuk ka vdekë Saliu”. Kemi ardhë në Prishtinë, e kanë lanë ni bisedë telefonike familja e tina. Halla Buqe domethonë gruja e Sali Shatrit me fmi dhe na kem qenë unë, ka qenë Dilja, çika axhës, Shabani vllau im edhe Nexhati, vllau i Haki Shatrit edhe Muhamet Shatrit. Kemi qenë aty për me folë n’telefon dhe me konstatu tamon qysh osht’ puna.
Kem pasë thirrje në ora gjashtë, nuk ke mujt me marrë deri n’ora 20:00. Për arsye se asi soji ka qenë atëherë, lidhjet telefonike me Tiranë u konë shumë vështirë. Ka ora 20:00 kem marrë lidhje dhe kem marrë vesh nga gruja e tina që Sali Shatri ka ndrru jetë. Ka bo kërkesë mixha atëherë, Isai t’shkoj, s’e kanë leju. N’momentin kur osht’ konstatu vdekja e tina kem hapë t’pane aty dhe meniherë ka ardhë kryetari i komitetit të Istogut, në atë kohë Krist Gegaj ka qenë dhe katër polic.
Unë isha aty te dera me prit njerëz kush vishin dhe e di që ka ardhë ai. Kom qenë aty. M’ka thanë, “Ti ma thrret Isen”. E kom thirrë mixhën. Ata e kem pasë edhe arsimtar, ai ka qenë arsimtar i matematikës dhe i erdh keq. Tha, “Isa, unë kom ardhë”, tha, “për ni punë”, tha… mixha thotë, “S’ka problem, urdhno, çka po don?” Tha, “T’pane s’bon”, “Pse”, thotë, “s’bon t’pane”, “Për arsye”, thotë, “se Sali Shatri ka vdekë si armik i Jugosllavisë”. Mixha i thotë, “Shiqo, ai ka qenë armik i Jugosllavisë po ai ka qenë vllau jem që ma ka bo nana unë derën nuk e mbylli. Ti lej policët kush don me ardhë vjen”, “Jem kojshi”. Tha, “Mu po m’vjen keq po është urdhër prej nalti”.
Atëherë u kthyn ata, na kem majtë derën çelë. Njerëz kanë ardhë kryesisht natën, kryesisht natën për arsye se koha ka qenë që u përcillshin e ishin nëpër punë dhe është mbajtë e pamja. Mandej Isai është leju, tash, domethonë ai ka vdekë në nëndor të vitit 1984, ai është leju t’shkoj në pranverën e vitit 1985 te familja e Saliut. Po nuk ka pasë rast ta, ta përcjelli vorrimin, nuk ka pasë rast. Kjo ka qenë. Sali Shatri ka lanë katër fmi, domethonë sot janë, jetojnë në Tiranë. Ni vajzë e ka në Amerikë ndërsa tre tjerë janë në Tiranë. Punojnë, veprojnë, ksi soj është ajo.
Anita Susuri: Mundemi me vazhdu për kthimin e…
Sami Shatri: Po. Domethonë pas kthimit nga internimi kur vijnë në shtëpi, nuk gjojnë asgja n’shpi. Asgja domethanë. As prej bagëtie, as prej gjanave t’shkatërrune t’gjitha. Se serbin e kishin pasë hjekë kur janë ardhë këta. Shpija e pa fshime, pa… fillojnë jetën e re. Kujtojnë që do ta fillojnë atë jetë t’re, mirëpo vazhdojnë probleme tjera. Domethonë, meniherë mas internimit s’ka shku ni vit, burgoset prapë Isai edhe baba i Sali Shatrit në Burgun e Nishit edhe Goli Otokut.
Bile në ni dramë në Teatrin Popullor, nata e fundit e Goli Otokut quhet ajo, osht’ shfaq disa herë, përmenden aty. Domethonë burgosen jo vetëm këta por burgoset ni rreth i gjanë. Burgoset Osmon Shatri djali i mixhës të Sali Shatrit. Burgoset daja i Sali Shatrit Zekë Ibrahimaj. Burgosen dy vëllezërit e njerkës së Sali Shatrit, domethonë Zelfijes, Nezir Blakaj dhe Osmon Blakaj. Burgosen disa nga Isniqi t’familjeve të Tahirsylve, e familje Bala disa. Domethonë, krejt aty ku ka pasë baza, ku ka nejt Sali Shatri, burgosen ata njerëz. Me vite, dikush ma pak e dikush ma shumë e tjera.
Anita Susuri: A kanë pasë kshtu gjygje ose…
Sami Shatri: Po, po. Kta kanë pasë gjygje, pos atyne që kanë qenë në Goli Otok. Në bazë të, se unë nuk e kom ditë, po n’bazë të ni libre që e shkrun Meriman Braha për Goli Otokun, shumica e t’burgosurve, domethonë, ai e përmendi ni shifër, rreth shtatë mijë e diçka… rreth tre mijë e diçka s’ka evidencë hiç për ta, faktikisht që kanë qenë n’burg. Ka edhe prej tyne që kanë lanë eshnat atje po nuk osht’ në evidencë fare.
Në Burgun e Nishit po. E di mirë vishin shoktë të burgut që kanë qenë bashkë. Ka qenë ni Mulla Ramë Govori. Bile dy rrugë e kanë emrin e tina, njona në Prishtinë tjetra në Podujevë. Ka qenë i dënun, ai ka qenë si NDSH-ist. Ka qenë i dënun shumë vite. Ai vinte, u ka mbetë shoqni, vinte shpesh herë te na. Bile n’vit pa ardhë niherë nuk e lejke, në Tomoc.
Ai tregojke, e tregojke vetëm ni rast për Isain që ka qenë me ta n’burg. “Ishim”, tha, “n’burg dhe hupi”, tha, “Isai edhe morëm vesh”, tha, “që e kanë marrë”, ata i kanë thanë vetmi, “në qeli. Nga informatat e burgut, nga gazeta, shtypi atje që ka shku”, tha, “msum që në rrethin e Pejës ka ndodhë ni konflikt i armatosur në mes të grupit diverzant edhe ushtrisë jugosllave dhe kanë mbetë të vrarë disa persona. Atëherë n’lidhje me atë rast e kanë izolu Isain”.
Domethonë për arsye se vllau i tyne ka kryesu atë grup dhe ka pasë ushtar të mbytur të Jugosllavisë. “E kanë lanë në vetmi rreth ni muj aty”. E tregonin n’odë ata disa herë kur vijke ai. Vijke i nderumi Mulla Ramë Govori. Ni njeri shumë i fortë edhe tregonte. Ai ka qenë humorist, bonte hajgare shumë bonte. “Kur e lshun… se nuk e dishim”, tha, “hiç çka u bo me Isain, a e kanë pushkatu a çka u bo. Kur e lshun”, tha, “kish ardhë në 30 kilogram. Edhe ka ardhë”, tha, “prej meje. M’shkun”, tha, “lot”. Ka qenë shumë i fortë, “E vështirë”, tha, “kom kajt najherë. Po m’shkun vetëvetiu kur e pashë”.
Ai që kanë bo hajgare mes veti i thotë, “Au Mulla Ramë po i lig koke bre”. Tash ky i thotë, “O nuk po kaj”, thotë, “që t’kanë bo kshtu po po kaj”, thotë, “që t’kanë lanë gjallë” (qeshë) tha, “u përqafum”. Kanë pasë shumë, ka pasë shumë aso raste. Ka pasë tortura të jashtëzakonshme. Shembull tregojnë që në qelitë e burgjeve serbe edhe gjarpnin e kanë shti. Tregojnë që, tregojnë që, njeriu po u shoqnojke edhe me gjarpën. Për shembull mixha i ka kapë me dorë gjarpnijt. E di nuk e kish problem atë punë hiç, na u tutshim. Domethonë u msu. Ksi soji.
Mas internimit atje kanë fillu vujtje tjera. Baba i Saliut është lshu ma herët. Për arsye se ligji ka qenë asi soji që sa ma afër te kish personin, dënimi është ma i vogël. Për arsye se baba djalin e ndihmon se e ka djalë, e ka. Po varet edhe prej aktivitetit që kanë pasë. Mandej lshohen këta tjertë me radhë nga burgu. Shembull daja i Sali Shatrit i ka majtë tetë vjet burg, tetë vjet burg. Mandej këta të Isniqit kanë majtë shumë burg. Gjithë këta kanë qenë ku kanë qenë baza ku këta jonë strehu, jonë ushqy.
Shembull Emin Shatri, baba i Muhamet Shatrit edhe Haki Shatrit tregojke që saherë ka ardhë Saliu, nuk ka ardhë direkt në familjen e tina po ka ardhë… se ata i kanë pasë shpijat pak ma larg. Gruja e Emin Shatrit, e nderuara dada Xufë tregojke baci Emin, “Kurrë n’jetë”, tha, se ai u ardhë natën, u ardhë në dy t’natës, në tre t’natës edhe i kanë pasë ato trokitjet e caktune. “Veç trokiste n’xhom”, tha, “unë u çojsha edhe veç e preksha grujen ajo”, tha, “e dijke, u çojke. Qysh bre osht vonë, qysh me ma nxjerrë gjumin? E ka ditë çka, u çu e ka përgatitën bukën osht’ pshtjellë buka edhe ju ka çu. Ai ka shku, ky ka ditë ku me shku n’vendin e caktun, ju ka çu buka”.
Domethonë gratë shqiptare janë të jashtëzakonshme. Ato osht’ dashtë të mbahen në ni konspiracion tepër t’madh edhe u dashtë t’kesh ni vullnet t’fortë që… se ajo nuk ka ndodhë niherë. Ajo ka ndodhë shumë herë. Shpesh herë baca Emin tregojke që ka flejt veshun, në mënyrë që kur t’vijnë sa ma shpejt me kanë i gatshëm me i ofru ato që ia kanë ofru. Këso peripetish kanë pasë, këso vujtjesh. Mas kryerjes së burgimit, domethonë mas kohës së internimit, domethonë ka qenë ni burgim përpara kohës së internimit, internimi mandej prap burgosja tjetër.
Pas këtij ka ra politika e Rankoviqit, u shliru pak situata, ka ardhë viti ‘74, vërtetë vitit ‘68. Janë bo përgatitjet për flamur. Grupet diverzante kanë pru flamuj nga Shqipëria, kanë shkepë flamuj. Ajo dihet në mënyrë ilegale. Për shembull, dihet kur, kur njeri i caktun, patriot i caktun në Kosovë e kanë, e kanë ngrit flamurin në tren. Ato s’e kanë pa hiç. Treni ka kalu për Beograd ka shku në Athinë. Ajo osht’ ni vepër e madhe që kanë bo djemtë e Pejës. Tash nuk e di saktësisht kush po shkrun, ka shkrime. Ata flamuj kanë ardhë nga Shqipëria.
Kanë ardhë libra kanë ardhë. Ni punë e madhe osht’ bo për shkollimin e femrës. N’atë kohë ka qenë shumë vështirë t’binden, sidomos pjesa e fshatarëve, që femrat t’shkojnë n’shkollë. Për shembull, unë e di bisedën që ka pasë Saliu me njerëz që ka pasë kontakt për punën e shkollimit të femrës. Ata kanë thanë, “Po Sali qysh po dalin femrat jashtë traditës tonë?” Edhe ai i ka bind kshtu, ka thanë, “Ju jeni n’luftë, sikur me qenë n’front. Në front krejt nuk shpëtojnë, dikush bjen. Po me rëndësi është fitorja”, edhe ka thanë, “a ma mirë kur e çoni grun ose motrën te mjeku me kontrollu ni mjeke shqiptare apo serbi?”
Kadal dal kanë fillu si n’fshatin tonë, si n’fshatra përreth të shkojnë femra n’shkollë. Me vështirësi t’mëdha. Disa nuk kanë pranu, disa nuk i kanë çu hiç. Mirëpo ka shpërthy ajo, ka asi, edhe mas ni kohe, mas dhjetë vite veç u bo masovike. Ma ka qenë turp për dikond që nuk e lejon vajzën t’shkon n’shkollë. U bo ni punë e jashtëzakonshme. Mandej përgatitje për vitin ‘68. Përgatitja e demostratave të vitit 1968. Formimi i grupeve ilegale që kanë punu në ilegalitet. Të gjitha janë dirigju, janë dirigju nga sektori i veçantë për Kosovën.
Sektori i veçantë për Kosovën që na s’e kem ditë, shembull ka punu edhe në mbledhjen e armëve. I nderuari, tash i ndjeri, Ramush Tahiri, ish këshilltari i presidentit Rugova, në ni intervistë që thotë, thotë, “Kur kemi qenë në Shqipëri, na ka prit Ramiz Alia dhe na ka dhanë çelsin e depove të armëve. Atë çelës e ka pasë veç ministri i mbrojtjes edhe ju kanë dhanë edhe i kanë çu”, ai thojke që i kena vizitu, s’e di në Durrës m’doket, edhe “kur kem hi, ajo depo e pa hapne fare me armë”, do të thotë, “këto janë të destinune për juve”.
Qysh ai e thotë në ni intervistë në televizion që e kom dëgju. Ai shkon, Ibrahim Rugova kish qenë n’atë kohë në vizitë, në Gjermani kur shkon e takon Bujar Bukoshin dhe Rugovën dhe i thotë ksi, ksi, ksi osht’ puna. Rugova i thotë, “Duhet të konsultohem niherë me Shtetet e Bashkune të Amerikës e mandej të marrim vendim”, dhe ashtu u bo. Domethonë krejt ato kanë qenë punë të sektorit të veçantë. Punë e sektorit të veçantë ka qenë edhe afrimi, afrimi i të djathtës dhe të majtës, sa këta kanë pasë mundësi. Për shembull, takimi i Demali Pozharit. Demali Pozhari ka qenë krye ballisti, ka qenë në emigrim. U bo takimi i Demali Pozharit me Enver Hoxhën, direkt. Ajo u bo përmes kontakteve të grupeve diverzante.
Kadal kadal, duke punu mandej në hapjen e universitetit. Hapja e universitetit në Prishtinë, ardhja e profesorëve nga Tirana me dhanë msim, punë e jashtëzakonshme. Janë zgjedhë profesorët ma t’mirë. Unë kom pasë rast me profesor t’mirë t’bisedoj. Për shembull kur ka ardhë Kristian Bukuroshi, kish qenë ni matematicient i njohur. Çfarë kulture ka pasë, çfarë niveli ka pasë, Rexhep Mejdani. Domethonë të gjithë ata kanë ardhë, kanë dhanë msim ktu dhe mandej kanë… librat e tyne që është bo nifar’ pjesë e Kushtetutës e ‘74-tes ni demokratizim i brendshëm dhe gjithë ato kanë lujt rolin e vet.
Derisa ka ardhë ‘81-shi, viti ‘81, ne e dijmë. Sigurisht ju jeni t’reja nuk e mbani mend. Viti ‘81, tash mendimi jem është, i ka parapri shumë televizioni i Tiranës. Domethonë, Shqipnia ka investu shumë në transmetuesin e RTSh-së dhe në vitin 1979, ‘79-ten m’duket ka qenë, kur për herë t’parë e ka mbulu territorin e Kosovës televizioni shqiptar. Unë mbaj mend natën e parë të emisionit ka qenë 28 nëndori a ka qenë ‘79-shi a ‘78-shi nuk e di se nuk muj, edhe kish qenë duke vallëzu Ansambli Shtetnor i Kangëve dhe Valleve. Ata i përgatitshin mirë n’atë kohë. Rastësisht e asi dhe u shfaq televizioni shqiptar.
Prej asaj kohe ka ndrru situata. Sepse deri n’atë kohë për shembull ne që kemi qenë t’ri n’atë kohë jemi konë të frymëzun, të ndikun, jo të frymëzun. Se na frymëzimin e kem pasë nga familja po të ndikun se s’kem pasë tjetër çka me pa, televizionin serb të Beogradit. E mbaj mend si sot ato seriet e tyne “Pozorište u kući [srb.: Tetatër në shtëpi]” do far’ filmash, “Valter brani Sarajevo [srb.: Valteri mbron Sarajevën]”
Kemi qenë të ndikun për arsye se edhe n’shkollë kur shkojsha ato u diskutojshin si i kishin pa kshtu. Televizioni shqiptar i pret ato si me shpat dhe mandej fillojnë Kosova në përgjithësi ta ndjekun, ta ndjekun televizionin shqiptar. T’i ndjekun dramat, filmat, artistat. Mandej nuk folke kërkush ma për Milena Draviqin ose Dragan Nikoliqin po folke për Tinka Kurtin, Sadhe Procin, Ndrekë Luca. Gjithë artistë shqiptarë që, që ishin. Kangtë, emisionet.
Ata kanë pasë, për shembull, t’premtën ka qenë ni emision ngjarje dhe data, gjithmonë e kanë pasë ata. Ata gjithmonë u konë ose për figurën e Isa Boletinit ose të Azem Bejtës ose Hasan Prishtinës. Njerëzit kanë mujt, kush ka dashtë, m’u ndiku. Kush s’ka dashtë… se unë kaniherë i shoh do në Shqipëri dalin do thojnë, “Na nuk kem ditë kurgjo për Kosovën”. Po kur na kem marrë vesh përmes tyne, përmes atyne emisioneve po sigurisht ata s’e kanë kqyrë i ka interesu diçka ose televizion italian ose diçka tjetër. Ajo tani televizioni ka bo punën e vet. Ardhja e grupeve në koncerte me artist shumë t’zot e kanë bo punën e vet.
Anita Susuri: A ju ka ra juve me i pa kto për shembull shfaqjet që kanë ardhë? Ansamblet?
Sami Shatri: Po, po, po. I kem pa. Sa unë kom, sa mosha jem e ka mrri ata. Për arsye se mandej ‘81-sha i prishë marrëdhaniet dhe ndalohen ato. Kanë qenë tepër të pregaditne, tepër kanë qenë mikëpritëse mirëpo edhe masa ka qenë… e mbaj mend ni koncert në Prishtinë që nuk i kanë zanë, domethonë, numri i biletave ka qenë i kufizun. Aq njerëz ka pasë përjashtë që edhe pse nuk u ndëgjojke mirë atje po rrishin aty, rrishin aty. Aq ka qenë frymëzimi i madh. Mos t’flasim për, për atë kohë kanë fillu edhe burgosjet. Dikush që ka shpreh naj parollë e ka përdorë ose diçka, “Rrnoftë Shqipëria”, ose, “Kosova është Shqipëri”, meniherë është burgosë. Meniherë ka qenë procedura në 60 ditë, kësi soji.