Pjesa e Pestë
Anita Susuri: E kur është afru koha për me dalë prej burgut a keni, po mendoj a e keni ditë që është fundi mo aty…
Martin Çuni: Po, po, po se u kry pjesa e dytë a, po, po.
Anita Susuri: Qysh kanë qenë qato ditë që e keni ditë që keni me dalë?
Martin Çuni: Ah po (buzëqeshë). Edhe aty u konë ni ngjarje pak para se me dalë. Tash në këtë pavionin e ekonomisë qesin fjalë gardianët i thojnë këtyne të burgosunve ordinar, “Vnonja menjën se këta shiptartë po na i helmojnë fermat” a po kupton, ku jonë kafshët a. Po na kallxoi dikush ne. Une meniherë e kom marrë ni kërkesë edhe me më kthy në izolim. Pa diskutim hiç. Tash une u bona i padisciplinum, u bona i padisciplinum, domethonë nuk u përmbaja atyne rregullave. Ka qenë e ndalume total, se ni kuzhinë e kemi pasë në oborr aty, jo në atë ndërtesën ku kemi nejt. E përpara asaj kuzhine ka qenë ni reshov ku qumshtin e kanë nxe ata që i kanë pasë fermat, tjetërkush jo. Me bo me zonë tjetërkon e çojshin në vetmi.
Tash une në pikë të ditës shkojsha e merrsha, na jepshin se ju jepsha perime atyne. Une me Sherifin kemi qenë te perimet. Edhe merrsha qumësht, e bojsha gjellën e kom bo kështu. Ata u bojshin kishe s’jonë tu më pa, se kanë mendu që unë po du tash pak para se me shku në shpi, po du me shku atje me ra në kontakt me ata që janë mrena. Dhe në fund pak me relaksu këtë, këtë fund bisede, ditën e mramë unë kam qenë t’u pregaditë gjellë edhe paska pa ardhë… se s’na kanë lëshu ditën bash kur kem pasë me dalë. E Sherifi më ka lyp tash tona anët. U ardhë, domethonë kanë telefonu që na dytë duhet me dalë. Për ni ditë më lëshunë me Sherif Konjufcën, baba i kryetarit të Kuvendit.
Anita Susuri: Mhm {onomatope}, Glauk Konjufcës.
Martin Çuni: Glaukut, po. E kom pasë kolegë, se ai ka qenë gazetar i Televizionit [Prishtinës]. Më ka lyp tona anët e ma së mrami më ka gjetë atje t’u pregadit gjellën une. “Martin”, thotë, “ku je?” Thotë, “Se na kanë lëshu jom t’u të lyp qe sa”. “Aiii”, thashë, “dreqi e hongërt! Na meti dreka pa hongër” (qesh). Ja nisi po bërtet, “A je… qysh bre po të bjen në mend për drekë”.
Anita Susuri: E ju keni pasë si lloj pune aty, aktivitet?
Martin Çuni: Po, po, kopsht me xhama, i mbulum ka qenë. Edhe ni rast kështu me Sherifin ka qenë interesant, ni ditë po më thotë, “Martin,” thotë, “bre qysh nuk u nervozove niherë”. Thashë, “Kqyre, Sherif çka po të thom me i dalë flaka Nishit tej përtej nuk nervozona”, “Leje po kush nervozohet m’u kallë Nishi!” (qesh).
Anita Susuri: (qesh) E qysh keni mrri pastaj deri në Prishtinë, a ka pasë naj…
Martin Çuni: Eh po, a shumë interesant osht’ ajo (buzëqeshë). Tu pritë, tash na e dinim që shiptarëve zakonisht se u deshke me marrë fletëlëshimin, fletëdaljen a qysh osht’ ajo. Edhe na tu pritë para dyrëve të jashtme të drejtorisë me Sherifin. Kur po vjen ni shok, ni avokat (buzëqeshë). Kam punu me te moti si mësus, kolegë domethonë. Kur më ka pa ma ka ngjitë në grykë {bën sikur përqaf dikend}. “Çka po bon ti këtu?” Thashë, “Na lëshunë,” thashë, “po kanë me na lonë deri në mramje këtu, se nuk na jepin fletëlëshimin. E deri në mramje kemi me metë”. Domethonë, natën kemi me metë m’u sjellë nëpër Nish.
Tha, “Mos ki dert”, tha, “se dej nesër kom me ju pritë te dyrët atje jashtë” edhe na priti, na pruni. Na pruni ka qenë ni Ragip Gubetini, shok i mirë. Po i them, “A bon bre të hyjmë në Nish ta boj ni telefonatë te shpia, se nuk e dinë nana, nuk e dinë. E po i bie pika a”. “Po more, kur dush” tha, “argat i juji jam”. E çfarë fati a. Bona telefon te shpia edhe shoqja aq u habit, saqë nuk ju ka kallxu atyne. Kanë qenë do shoqe aty edhe nana, nuk ju ka kallxu atyne. Por ka dalë ju ka kallxu në oborr babës e do musafirëve atje që i kish pasë, pa i kallxu ktyne mrena çka bohej. Edhe kur jom ardhë e kom gjetë oborrin plot me njerëz, krejt lagjja, krejt.
Ni gru e lagjes tash, se këto janë… këto sene i kam të shkrume krejt a. E metme, prej sëmundjes ka metë e shkrume. E merr vesh i thotë djalit vet, “Ma afron…” kur ja merr menja që duhet me ardhë une, domethonë ka mesditja dikun. Thotë, “Ma afro shkamin, atë karrigen te dritarja që ta shoh Martinin ka vjen”. Edhe ka nejt deri në mramje, deri në mramje ka nejt. Dikur i thotë djali, “Hajde bre none, haje pak bukë” thotë, “se une po kqyri e të kallxoj”. Tamam sa janë ndrru, unë kisha pasë hy mrena asi, nuk ka mujt me më pa (qesh).
Anita Susuri: E deshta me ju pyt edhe… çka ke diçka…
Martin Çuni: Burgun nuk e kam pritë… unë kam pritë edhe ma shumë, edhe ma ronë a. Po si thotë ai mjeku si thotë, “Ky ka maru” a di, ai ka deshtë… ai e ka ditë domethonjen e atyne fjalëve, ai e ka ditë fort mirë. E ata kanë deshtë jo që të marojmë, po që të [çmendemi] {lëvizë duart afër kokës}. Po nuk kanë arritë.
Anita Susuri: Ka qenë veç viti ‘90 kur keni dalë ju.
Martin Çuni: ‘90.
Anita Susuri: Viti ‘90.
Martin Çuni: Në vitin ‘90 ka qenë ni ngjarje interesant, atë natë është vra, atë ditë është vra Rrahman Morina. Edhe kur vinin njerëzit më pastaj, shokët thonin, “Pse s’ke ardhë ma herët bre” (qesh).
Anita Susuri: Sa keni qenë në burg, a keni pasë për shembull gazeta ose lajme me ndëgju për ngjarjet çka po ndodhë?
Martin Çuni: Une tetë vjet s’kom pasë radio, as televizor, as kurgjo. Tetë vjet i ndamë nga bota. Nuk kam ditë as kush u dalë aktor i ri, as kush çka u bo, kurgjo.
Anita Susuri: E masi i keni marrë vesh krejt ngjarjet domethonë që kanë ndodhë, se vitet ‘90-ta kanë qenë të fshtira se. Në vitin ‘89 u bo ndrrimi i Kushtetutës, u mor autonomia e Kosovës, e njerëzit u largunë prej punës. Qysh kanë qenë pastaj këto vite, qysh i keni përjetu ju?
Martin Çuni: Të pritshme kanë qenë për ne, kanë qenë të pritshme, të pritshme. Kur vinin, se në dhomë vinin shokë, vinin kohë pas kohe, merrsha informata. Po informata, domethonë të mjeteve të informimit, jo s’ka pasë. Televizion une domethonë nuk kam pa tetë vjet.
Anita Susuri: Qysh kanë vazhdu vitet e ‘90-ta, më thatë më doket ‘91-tën keni shku…
Martin Çuni: E vitet e ‘90-a, ‘91-tën, ‘91-tën kam qenë prej Kosove, domethonë prej Radio Televizionit të atëhershëm, që ka qenë i largum a. Jom dërgu si reporter në Tiranë për përcjelljen e Kuvendit të Shiprisë, për, kam raportu për Radio Zagrebin, dy-tre mujë. Se une Shiprinë e kom vizitu domethonë qysh moti. Kam pasë miq atje, kam pasë. Po do ta rrëfej nji, nji ngjarje shumë interesante. Ata miq nuk më kanë harru, as s’i kom harru asniherë dhe tash i pata shkodranët, domethonë disa miq shkodranë. Bashkë me Ali Balin e kusherinin e Gjergj Fishtës, Tonin Fishtën, që kanë qenë krejt të Radio Shkodrës atëherë.
Dhe tash kur shkova aty mendova me i vizitu. Po më thotë Rikard Larja tha, “Martin, kur shkojsh kallxom se vi edhe unë”, se ai shkodran. “Kom qef me ardhë edhe une me ty”. Thashë, “Ani, s’ka problem” edhe i them. Shkumë. Te Tonini ma së pari, në qendër të Shkodrës e kishte pasë shpinë, banesën. Edhe Rikardi shumë i afërt me to, bam bam {onomatope} në derë, dera çelë, hyni {bën sikur hap derën}. Në derë të kuzhinës, e çeli derën e kuzhinës, ni gru e shtrime në fotele. E veshun, jo e mbulume, e veshun.
Edhe po i thotë, “Çohu se ka ardhë Martin Çuni” edhe ajo baff {onomatope} boni në komë. U përshëndetëm sikur me u pasë pa 500 herë. Ni gëzim i madh, po na i qet kafet. Thotë, “Tonini vjen, ka shku me ble diçka në treg edhe vjen menihere”. Tu na i pjekë kafet ajo erdh Tonini. Kur më ka pa Tonini s’ka mujt me folë asnji fjalë. Lotët {tregon kah sytë} sikur, sikur rigat e shiut si thotë populli. Edhe mas ni copë here erdh në veti. Tha, “Eu, Martin Çuni, mirë se të pruni Zoti. Qekjo gruja jeme qe tre mujë nuk u çu në komë të veta pa e majt dikush për krahësh, nga emocionet osht’ çu”.
Tash, sa herë kanë folë ata për mu? Sa… pa më pa ajo kurrë. Sa herë ka qenë emri im aty i përdorur mes shokëve, mes nejrëzve, mes… po më thotë, “Martin, nontë vjet sa ke qenë ti në burg shokët tonë atëherë që kanë qenë në Prishtinë atëhere, përshëndetja jonë kudo që jemi pa ka qenë ‘Martin’” {ngritë grushtin lartë}. Nontë vjet {ngritë gishtin tregues}. Se kjo osht’ fenomen psikologjik që prej emocioneve munët me, munët me pasë diçka. U ngritë në kamë gruja.
Anita Susuri: Po ju gjatë atyre viteve para se me ra në burg, a keni pasë edhe kështu kontakte me ta, po menoj jo veç atëherë kur keni shku ‘72-tën në Shipni, po…
Martin Çuni: Mas ‘72-tës kam pasë… më ata të ‘72-tës une kom pasë korrespondencë nonstop. Eh tash, mirë që ma kujtove këtë se domethonë ni ngjarje në ushtri, në ushtri. Ni shok i Drenicës, ja jep dikush, këta punëtorët tanë, ja jep dikush nji revistë “Shqipëria e Re”, po anglisht. Ajo ka qenë revistë shumë komplete, përpara u konë krejt a, e ilustrume, e mrekullushme. Ka qenë Metush Kolshi, ai djali që [e ka mbajtur]… ushtari. Mirëpo, tash ai nuk ka guxu me mbajt në atë farë kutinë e vet, në atë, që e ka pasë atë, syzën e vet. Nuk ka guxu me majt atë revistë, po ma mirë mu në radiostacion.
Tha, “Martin nashta këtu s’kontrollon kush asi” e tha, “maje”. E kanë pa krejt shokët a. Edhe e kom lonë aty. Po për sherr, për sherr e kishte pasë pa ni oficer, ni oficer. Edhe e raporton te komandanti kryesor. Po ishte ni djalë serb po i Mitrovicës, s’ja harroj mbiemrin Bashçareviq, tha, “Martin” tha, “mshefe revistën” tha, “se ta ka pa filani”. Raliq, nifarë Raliqi ka qenë me grade oficer. Dhe thashë vet me veti hajt se e di une çka me bo. Hec e mshefe, me mshef do të ishte shumë ma keq. Pritë, mas ni kohe më ka thirrë në raport komandanti, komandanti kryesor {ngritë gishtin tregues}. Edhe shkova une, unë e disha tash për çka e pritsha.
Ja nisi ai rrotull e rrotull aty. Edhe unë u bojsha kishe s’pe di a. Tha, “Mos të ka ra në dorë nji revistë e Shipërisë?”. “U po” thashë, “komandant, po”. Thashë… Tha, “Ka e more ti ato?” “Ahh” thashë, “unë kam qenë i parapagumë me revista të Shipërisë përmes ‘Jugoslovenska knjiges’ [Libri jugosllav]. Me ‘Arsimin popullor’ revistë pedagogjike edhe me ‘Mësusin’”. Atëherë që ka qenë diçka e rrallë a. Thashë, “Unë jam i parapagum me revistat në Shipni”, “Qysh” tha, “i parapagum?” Thashë, “Përmes ‘Jugoslovenska knjiges’ në krejt botën munesh me porosit ëçka të dush”. “Po a?” S’e kish ditë.
Anita Susuri: E kjo e vërtetë ka qenë?
Martin Çuni: Kjo ka qenë e vërtetë. Ka qenë e vërtetë kjo. Thashë, “Po me këtë revistë domethonë që e kam tash” thashë, “kjo, këta ma kanë çu gabim. A ma kanë çu me qëllim” thashë, “nuk e di”. A po kupton (buzëqeshë). Eh po, edhe ky shoku kur e ka marrë vesh, se ka kujtu që mos po e kallxoj emrin e tij. Taman puna (qesh) me u bo faqja e zezë. Tha, “A bon me e pa unë atë?” Thashë, “Po more, mos ma kthe hiç se anglisht o”, thashë, “unë nuk e marrë vesh anglishtën hiç”, “Aha”. Kurrë mo s’më thirri. Mas nji mujë e gjysë, prapë po thërret komandanti. E disha që diçka ka. Tha, “Çuni, a din çka të kom thirrë?” Thashë, “Nuk e di”. Tha, “Na ka ardhë ni letër anglisht” tha, “prej Anglie ni ushtari” tha, “a munesh me përkthy”. “Ah, komandant më fal, por une kom thonë që nuk e di anglishten. Nuk e di”.
[Këtu ndërprehet intervista]
Anita Susuri: Ju jeni edhe ndër themelusit e radios Kosova e Lirë, nëse mundeni me na tregu qysh kanë ndodh rrethanat e krijimit të kësaj radios?
Martin Çuni: Unë kur jom nisë nga Gjermania, të ju thom të vërtetën nuk kom ditë që ka mundësi ose ka nji teknikë për radio. Nuk kom mujt me marrë me mend. Mirëpo, kom bo ni marrëveshje me Deutsche Wellen me raportu për ta, edhe kom raportu në fillim. Shkurt deri sa e kanë marrë vesh ata në shtab i kanë kallxu Jakupit [Krasniqi] e më kanë thirrë meniherë atje nalt. Ma së pari jom ardhë une nëpër kufi, nëpër Shipni, e nëpër Pashtrik e atë farë… Të “Sulltani” domethonë te zona operative e Drenicës edhe s’i ka marr vesh Jakupi më ka thirrë, bile më ka përcjellë dëshmori Rasim Kiqina. Kemi ra në pike ditës nëpër, nëpër Vuçak a e dinë ku osht’? [i drejtohet intervistuesës] Te Komorani.
Anita Susuri: Aha.
Martin Çuni: Po. Edhe kemi shku. Po më thotë Jakupi, “Martin, a je ardhë turist a…?” (buzëqeshë). “Jo valla” thashë, “turist nuk jom ardhë”. Tha, “E kemi tehnikën e radios” tha, “për ni radio” tha “a ta merr menja që munësh?” Vërtetë u gëzova. U gëzova, se atë zanat e disha ma s’miri a, e kam pa. Fati mas ni javë, nuk ka shku java ka ardhë edhe… përgaditjen ideore e kishin pasë bo përpara shokët. Ahmet Qeriqi e Berat Luzha, do shokë në Krojmir. Dhe tehnika kishte qenë prej gushtit domethonë, kishte qenë prej verës.
U ardhë nga Kumanova, ka bo ni rrugë të çuditshme, cik-cak nëpër Kosovë deri ka ardhë në Berishë a. Kanë marrë pjesë shumë njerëz në, në atë punë. Ne u përpoqëm që për 28 Nandor ta bojmë po s’patëm, nuk patëm mundësi, s’arritëm, nuk arritëm dot. Se na duhej edhe diçka kështu plotësim aty. Na ka ndihmu, na ka ndihmu domethonë me, me shumë aspekte na kanë ndihmu si nga Prishtina disa shokë, më vjen keq tash me ja nisë me përmen, do muj me i përmend do s’muj, ma mirë… (qesh)
Anita Susuri: (qesh) Hiç asnjo.
Martin Çuni: A me shkrim i kom krejt, në shkrime i kom krejt a. Dhe ja fillum me 4 janar.
Anita Susuri: ‘99-tës?
Martin Çuni: Po. U përpoqëm që t’i bëjmë disa përgaditje që të dukej vërtetë nji radio profesionale a, jo si me dalë në dasëm, si me dalë në dasëm. Edhe problemin ma të madh e patëm me këtë shpicën, atë si i thojnë asaj shpicës hyrëse?
Anita Susuri: Xhingla a shpica?
Martin Çuni: Po. E tri ditë kem bo deri e kem bo për qefi. Edhe sot duket e mire, që edhe sot me mjete ku me ditë çfarë kemi ma e mirë s’munët m’u bo. E bomë. Prej terrenit domethonë nga ushtarët kam marrë, i kam pregadit teknikët. Po ka qenë fat, se unë në radio kam punu vet me të gjitha edhe punën e teknikut edhe punën e gazetarit, kështu që nuk kom pasë problem për atë punë hiç. E kemi promovu, kanë qenë domethonë shumë udhëheqës ushtarakë tonë atëhere, atë ditë në Berishë.
Kemë punu ditë, natë, se kemi qenë ekip i vogël, grup i vogël a. Po kemi arritë, kemi arritë fati shumë interesant se asni pjesë rezervë nuk e kem pasë. Edhe në ato kushte çdo ditë monto e çmonto radion. Ajo ka qenë ni fantazi që mos me tu prishe diçka, gjatë tanë kohës që kemi punu nuk na ka ndodhë asni defekt. Dy javë masi jemi ardhë këtu na ka ndodhë defekti, po atëherë kanë shku në Shkup edhe i kanë gjet senet e ku di une. Amo atje kemi pasë shumë fat të madh se… edhe e kemi rujt fortë, e kemi rujt shumë.
Anita Susuri: E si reporter i Deutsche Velle keni punu edhe gjatë luftës apo?
Martin Çuni: Gjatë luftës, gjatë luftës. Gjatë luftës kam punu deri sa ja nisa me punu në radion tonë, tani mo s’pata kohë.
Anita Susuri: Në atë kohë e keni ndërpre?
Martin Çuni: Po, po.
Anita Susuri: E kjo radio…
Martin Çuni: Edhe pse Deutsche Velle ka pagu. A?
Anita Susuri: Më tregut ma herët për radion që u ndërpre në atë kohë që…
Martin Çuni: Na bombardun?
Anita Susuri: Po që ju bombardun, thatë që ka qenë edhe ni lajmërim tjetër prej juve që me tregu që nuk është shym radio.
Martin Çuni: Po, po.
Anita Susuri: Po po më intereson a ka vazhdu edhe ma tutje pastaj?
Martin Çuni: Po, po, po, se aty tamam e kemi ndërpre ne. Tash kolegët po thonë që mos me dhonë atë ditë program a. Deri sa ta bojmë një bunker, se erdhi koha, erdhi puna që pa bunker ishte e pamundur. Thashë unë, “Jo, s’bon pa dhonë program”. Edhe e dhamë. Eh informata e fundit në atë program ishte “Dëgjus të nderuar për shkaqe taktike, për disa ditë nuk do të japim program”. Eh, me qenë i prishun a munësh me dhonë atë informatë ti? Dëgjusi e din që ti s’ki me dhonë program nesër a. U demantu ajo e serbëve që u shkatërru Radio Kosova e Lirë dhe u informu që pas disa dite do të japim program prapë. Dhe ashtu ndodhi (buzëqeshë). Ajo ka qenë nji, ka qenë nji bombë e madhe për serbët, po.
Anita Susuri: Ju thatë që edhe gjatë luftës jeni sprovu me ngjarje të ndryshme…
Martin Çuni: Po shumë.
Anita Susuri: Edhe keni shpëtu…
Martin Çuni: Po, po, po. Atë rastin për radion e thashë si ka ndodhë, po. Shembull… se unë kam qenë në terren shpeshherë, shpeshherë kam qenë në terren. Nganjëherë kur dilja ka Drenica nji javë nuk mujshe m’u kthy normal. Gjithmonë në komë a, edhe kalohej nëpër terrene të vështira, jo rrugë normal a. Më ka ndodhë që kam qenë në fushën e gjujtjes. Shembull, ni rast po e them, në Qyqavicë ka qenë kjo, kisha me shku në vinë e frontit dhe më thanë që, “Ditën nuk ban me kalu, nuk ban me shku se në atë shpat janë serbët”, tonët ishin poshtë në lug, lugajë. Thashë, “Jo, unë s’kom qare pa shku edhe s’kom kohë me pritë”. “Eh mirë, në përgjegjësi tone”. Shkova rashë teposhtë nuk ndodhi kurgjo, nejta dy-tri orë, a nuk di sa dhe u ktheva përsëri. Kreva ça kisha me kry punë, do intervista do informata. U ngjita te livadhi përpjetë po vjen ni ushtar teposhtë.
Anita Susuri: Shqiptar a?
Martin Çuni: Po ushtar i joni.
Anita Susuri: Aha.
Martin Çuni: Ushtar i joni. Se kjo ana ishte e jona {përshkruan me duar} në atë shpatin tjetër ishin serbët. Edhe thashë, hajt vet me veti, p’e boj ni intervistë edhe me këtë ushtar. E kam nxjerrë magnetofonin edhe {bën sikur afron mikrofonin} ja kom nisë bisedën. Kur ka bo snajperka atje bam {onomatope} te ne plumbi, fishekë dumdum që jane të ndalume me norma ndërkombëtare. Ka ra pranë nesh, nuk na goditi. Ushtari ishte i ri po i them, “Cik-cak deri te mali {lëvizë gishtin zig-zag}, sa të munësh me vrapu”.
Edhe unë s’kom pasë kohë me nalë magnetofonin ka jemi ngjit bum {onomatope} atje, bum atje nuk mujti me na rrok kërkun, se tash në lëvizje osht’ pak ma fshtirë a. Mirëpo, ishim të ndalun edhe mos me na rrok, kjo është fenomen a. Edhe kur mrrimë në mal atje, po i them atij ushtari, “Eh” thashë, “idiotat paskan qenë ushtarë, shenjtar të dobët s’mujtën me na rrok” (qesh).
Anita Susuri: (qesh) E kur kuptut që përfundoi lufta ku keni qenë ju, qysh e keni pritë këtë lajm?
Martin Çuni: Po ishte befasi e mirë, nuk ishte e pritshme aq shpejtë, nuk ishte e pritshme aq shpejt, sepse pa hy forcat tokësore s’ka gjo. Edhe kur u bo ajo vërtetë ishte shumë e madhe. Unë kam ardhë në Prishtinë, e kam gjetë shtëpinë të bome rrafsh me tokë. Domethonë jo të rrëzume po krejt senet çka ka pasë të vlefshme janë marrë Po çka jam frigu ma së shumti librat mos pi merr, mos pi djegin, a mos pi marrin. Krejt i kanë marrë, pos nuk e kanë marr veshjen kombëtare të grusë teme edhe nuk i kanë marrë librat. Asni libër s’e ka prekë kush me dorë.
Anita Susuri: E familja juj ku ka qenë gjatë luftës?
Martin Çuni: Gjatë luftës kanë qenë këtu, mirëpo kur i kanë përzonë krejt shiptartë i kanë përzonë edhe ata.
Anita Susuri: Kanë shku në Maqedoni me siguri?
Martin Çuni: Po, po.
Anita Susuri: Po du me folë pak për familjen me u kthy edhe te periudha kur keni qenë ju në burg qysh ka qenë situata e familjes? Për shembull edhe situata ekonomike po edhe qysh e kanë pritë ata…
Martin Çuni: Jo e mirë. Ka qenë jo e mirë qe pse, une le që s’kom vllazën, po as mixhallarë nuk kom. Po shoqnia, e shokët, e familja, rrethi i gjonë janë mundu, janë përpjekë. Mirëpo, fillimisht nuk ka pasë edhe gjithkush guxim. Rrallë, rrallë që ka guxu dikush haptaz a. Niherë më thotë shoqja ime, në fillim kish mall me ndërru ni fjalë goje me diken. Nuk guxonin njerëzit me ardhë. Edhe vjen ni lypëse, ni rome, ni jevge. Vjen me lyp thotë, “E kom marrë me zor e kom shti në oborr veç me folë, me folë me to”. E nona ka vujtë shumë, sidomos gjatë burgut ka vujtë shumë, se u dashtë, u dashtë nonë vjet me strajcë në krahë {prekë shpatullën}.
Anita Susuri: A ju kanë ardhë shpesh në vizita?
Martin Çuni: Jo, s’kanë mujt shpesh se s’kanë pasë mundësi. Mirëpo, kanë ardhë në Prokuplje, në Nish kanë ardhë, por jo qaq shpesh, jo shpesh, jo. Edhe nuk i kam lonë edhe vet, po edhe s’kanë mujt, s’kanë mujt. Fëminë tetë vjet nuk m’i kanë lonë, nonë vjet s’i kam pasë në prehën, s’më kanë lonë me… jo.
Anita Susuri: A i keni pa, a kanë ardhë me ju vizitu?
Martin Çuni: Po, kanë ardhë, kanë ardhë. Kanë ardhë rrallë shumë, po kanë ardhë.
Anita Susuri: Ju i keni dy djem po më duket…
Martin Çuni: Dy djem edhe ni vajzë.
Anita Susuri: Edhe ni vajzë.
Martin Çuni: Po.
Anita Susuri: I keni pasë te tretë në atë kohë?
Martin Çuni: Ja-a, ja-a. Njenin e kam në pleqni (qesh)
Anita Susuri: Vajzën nashta, a djalin?
Martin Çuni: Djalin, djalin. Kur kam ra në burg vajzën e kam lonë tetë mujsh e djalin dy vjet e gjysë.
Anita Susuri: A kanë ndodhë ndoshta ndonjëherë, ndonji rast që nuk ju kanë njoftë në burg?
Martin Çuni: Jaa, jo, jo. Nuk ka ndodhë se ju kanë folë shumë, i kanë pasë edhe fotografitë edhe… Bile, njiherë vijnë në burg të Nishit, djali ka qenë pak ma i madh edhe ajo vajza… se kur kanë ardhë letrat, i kanë ardhë ma shumë shoqes se ktyne a din. Thotë, “Babi” thotë, “ti mamin, nonën e don ma shumë se ne, se po i shkrun ma shumë letra” a di. “Jo”, them, “juve ju kam fëmijë, ate e kam…”. E djali thotë, “Le bre babë se kjo budallicë, bon pytje palidhje” (buzëqeshë). Po i thotë asaj (qesh).
Anita Susuri: E mas luftës ju më thatë që keni qenë ushtrus detyre si drejtor në RTK.
Martin Çuni: Po, i emnum nga qeveria, po.
Anita Susuri: Qysh ka vazhdu ajo pastaj?
Martin Çuni: Për mu ishte diçka shumë e mundimshme se… shumë e papritshme. Po me ato mundësitë e mia që i kam pasë pranu senet nuk i kam. Nuk kam pranu as humbjen e asni centimetri të pasunisë të Radio Televizionit, as humbjen e asni punëtori. E mandej mos paqim nevojë, mos paqim nevojë për ta i lirojmë a. Mirëpo, ajo s’u bo. Po kemi… domethonë, fillimisht në televizion, në radio e në televizion kemi hy me dhunë a, se edhe mas lufte ishin ata, ishin ata. Po fati, kaloi mirë. Po në Radio kur kemi hy na kanë pritë me kallasha, shkijet mrena me kallasha na kanë pritë.
Anita Susuri: E kur keni ardhë ju në Prishtinë? Çfarë date ka qenë?
Martin Çuni: Meniherë mas, une kom ardhë në Prishtinë mas shpalljes disa ditë, s’ka pasë shumë. Po, disa ditë.
Anita Susuri: Ka qenë edhe rrezik atëherë, meniherë?
Martin Çuni: Po ka qenë, ka qenë. Tash merre me mend ishin ata edhe… po kalum. Po tani me i gjetë ata punëtorët tonë, shumica nuk ishin këtu a. U dashtë me shku herë në Ferizaj, herë atje, herë atje me i lyp njerëzit a, për me e bo ekipin.
Anita Susuri: Qysh ka vazhdu pastaj puna?
Martin Çuni: Po ndëgjo, kur e pashë që nuk, nuk u përfillën kërkesat tona thjeshtë, nuk u përfillën. Nuk ma murr menja me u nënshtru, thjeshtë nuk ma murr menja. Dhe e bona ni tubim të gjithë punëtorëve të Radio Televizionit në Sallën e Kuqe në Pallatin e Rinisë. E thirra edhe Dan Eversin, Dan Eversi ka qenë shef i OSBE-së atëherë, a çka ka qenë. Erdhi me… përpara majti takim kështu në katër sy, jo në katër sy po… në rreth të ngushtë…
Anita Susuri: Kolektivin…
Martin Çuni: Jo, jo, kolektivin e ngushtë, por me udhëheqësit që ishin. Po, me disa. Aty ishte edhe ajo shefja e… që ishte ardhë nga Radio Parisi, serbe. Ishin edhe disa këshilltarë të Dan Eversit për informim këtu dhe tash e lypën mendimin tem. E ja u thashë të gjitha. Më pastaj erdhi në mledhje të punëtorëve mas atij takimi… po thom qysh e ka përjetu ajo serbja e Radio Parisit, shkoi Dan Eversi e s’mujti m’i nalë lotët. “Si” tha, “nuk e the për ne nji fjalë të mirë?” Thashë, “Zojë, kallxom cilën fjalë të mirë?” {ngrehë duart}. Por, fatkeqësisht tjerët pak ma se kanë mujt pak me frenu, nji troh kanë mujt me frenu. Jo me lëshu në ler krejt, në ler nuk lëshohet krejt. Une nuk mujta më lëshu në ler. Edhe e ndi, edhe pse për mu ishte shumë rondë e ndi, e ndi ndoshta që vetën e kam shpëtu që kam shku, dola përsëri kah kam ardhë.
Anita Susuri: Jeni largu prej…
Martin Çuni: Po, po.
Anita Susuri: E cilat kanë qenë qeto kërkesa që s’jonë pranu?
Martin Çuni: Po asni, asni kërkesë e jona nuk o pranu. Asni kërkesë e shiptarëve.
Anita Susuri: Çfarë kërkesa kanë qenë për shembull?
Martin Çuni: Kthimi i krejt pasunisë tonë, se e kishin përvetësu. Kthimi i krejt pasunisë, kthimi i punëtorëve. Këto kanë qenë dy themeloret.
Anita Susuri: Nuk i kanë kthy punëtorët?
Martin Çuni: Jo, jo.
Anita Susuri: E pas kësaj, pasi e keni lënë RTK-në, çka keni vazhdu pas radios?
Martin Çuni: Atëherë une kom vazhdu, para lufte ka qenë aktiviteti politik, ama politik kombëtarë e jo, jo partiake a. E mas lufte prapë ka qenë aktiviteti kombëtarë, por kulturor jo politik. Politikën s’e kam dashtë asniherë, për politikë s’isha ra kurrë në burg, po… {ngritë supet}. Për parti asnjëherë s’kam… se parti domethonë pjesë, unë kurrë nuk kam dashtë me qenë pjesë e atdheut, po tanësia e atdheut. Pse me qenë i veç nji pjesë? S’di a e thashë drejtë a, a po më kupton?
Anita Susuri: Po, po.
Martin Çuni: Se parti në frëngjisht domethonë pjesë. Pjesë.
Anita Susuri: Tani keni qenë i angazhum në nji organizatë a po?
Martin Çuni: Po, jo e kom themelu me disa miq të mi, miq e shokë e të letrave a, e kemi themelu Shoqatën e Shkrimtarëve dhe Krijuesëve Shqiptarë në Gjermani, e cila ka pasë mjaft sukses, mjaft sukses. Krejt me vetë financim, krejt me vetë financim. S’kemi pasë prej kërka kurgjo. Po tubimet që i kem bo atëherë i kem bo me krijusë a, me krijusë kryesisht. Nuk kanë qenë me dhjetëra, po kanë qenë me qindra. Pastaj çka osht’ për mu shumë e rëndësishme edhe nëpër shtete tjera të Evropës janë bo shoqata të tilla simotra. Edhe krijusit e kanë gjetë veten. Thuja të gjitha shtetet e Evropës pa pasë ni kësi shoqate nuk ka. Po edhe takohmi bashkë. Janë promovu shumë vepra, shumë, vepra të mëdhaja, shumë vepra janë promovu.
Anita Susuri: E ato vepra kanë qenë të anëtarëve?
Martin Çuni: Të anëtarëve, të anëtarëve.
Anita Susuri: Deshta me ju pyt edhe për përmbyllje, kur ka ndodhë pavarësia si e keni pritë ju? Qysh kanë qenë emocionet?
Martin Çuni: Në aeroplan kam qenë t’u shku për Amerikë (qesh). Edhe e kom shkru ni poezi.
Anita Susuri: (qesh) Po ajo u konë diçka e papritshme se nuk e dishim saktë datën.
Martin Çuni: Po, po.
Anita Susuri: E qysh e keni pritë ju?
Martin Çuni: Padyshim tepër mirë, tepër mirë.
Anita Susuri: A keni mendu që ka me ndodhë ma shpejt, a ma vonë a?
Martin Çuni: Jo, unë kam pritë që ndodhë, pak vonë veç, vonë pat ardhë. Niherë ni takim me nji politikan gjerman, që ka qenë përfaqësus edhe në Evropë i cili ka marroë pjesë edhe në këto takime, bisedimet me Beogradin, me Millosheviqin, me… thotë niherë, mirëpo thotë mos me dhonë për… për ata s’po ja thom as emrin, mos me dhonë për publik. Masi ka përfundu domethonë lufta edhe u dashtë me u tërheq Serbia bohet takimi atje në Beograd që të pranohet kjo që ndodhi, kjo ndamja. I thonë… ma vonë domethonë bohet takimi, ma vonë a, takimi ma vonë. Se u bonë do vite deri sa u zgjat pavarësia, deri sa… Po tash kur erdhi koha me u fol për pavarësinë, a di çka i kishin thonë udheheqësit e Beogradit, “Pse nuk e keni bo meniherë [pavarësinë]?” “Pse?” Thotë, “Me pasë bo meniherë i kish metë se Millosheviqi e humbi Kosovën, e tash po na metët që na e humbëm Kosovën e jo Millosheviqi” (buzëqeshë). Edhe nime ka… u vonu, u vonu shumë. Shumë e vërtetë që u vonu shumë.
Anita Susuri: Zoti Martin nëse doni për fund diçka me shtu? Ose diçka me tregu që unë s’kom pyt, ose që menoni se osht’ e vlefshme me u cekë?
Martin Çuni: Me folë o kollaj, po me punë është bukur fshtirë. Unë për veten me atë kaqikun tem, që thotë populli, çka kom mujt me bo jom përpjekë, veten nuk e kom kursy. Bile bash hiç a, e ni paqa bo kujt keq, i kom bo vetëm veti edhe grusë teme. E nëse dikujt i kom borxh për këtë punë i kam vetëm asaj, as vetes s’i kam, se vetës ja pafsha hajrin a. Po borxh i kam shoqes time, për ate tash e kom bo ni vepër, që jane letrat që ja kom dërgu shoqes time nga burgu edhe titullin ja kom vu “Mrikë, jeta ime”.
Anita Susuri: Emrin e zonjës?
Martin Çuni: Po të shoqës. Po jane letra dedikuar asaj veç. Dhe këto i bojnë veç gratë shqiptare. A të kallxova jarani atje në Sërbi për disa ditë i tha shoqja “Pa-pa!” (buzëqeshë). Po, kështu.
Anita Susuri: Faleminderit shumë për intervistë…
Martin Çuni: Ju lutem, ju lutem.
Anita Susuri: …edhe për kohën.
Martin Çuni: Se osht’ e pamundur me i thonë të gjitha, duhet kohë e libra edhe s’di a do të mundem me i qitë krejt (qesh).
Anita Susuri: Qashtu osht’. Faleminderit edhe njëherë shumë!