Rinia
[Pjesë e prerë nga video-intervista: intervistuesja e pyet të intervistuarën për rininë e saj.]
Luljeta Bajri: Shkollën fillore, e kam kry në Pejë, atëhere jonë ndrru’… kom qenë njihere n’shkollën n’Karagaq atëhere quhej “Miladin Popoviç”, mandej u ndërtu shkolla “Ramiz Sadiku”, ktu shkollë e re, kem kalu’ ktu. Kom kalu’ shumë mirë, i kom pasë shoqet shumë t’mira. Kem bo shumë aktivitete, aktivitete t’lira, kori i shkollës, shëtitjet e ndryshme, mbas asej kom vazhdu’ në gjimnazin e Pejës. Domethonë n’gjimnazin e Pejës ka qenë viti ’56-’57, vitin e parë. Atëhere kemi qenë veç dy paralele shqipe. Në njënën paralele kanë qenë krejt mashkuj dhe paralelen tjetër ku kam qenë edhe une me shoqet e mia, kanë qenë njo 15 vajza edhe tjerët mashkuj. Muj me thanë se perioda ma e bukur e jetës time ka qenë në gjimnazin e Pejës. Kem pasë një shoqni shumë t’sinqertë edhe shumë t’mirë. Çdo pushim ose çdo ndojhere si gjithë nxanësit tjerë, ndojhere edhe kem ikë edhe prej orëve (qeshë), edhe i kem shfrytëzu’ ato për me shku’ deri te burimi, te kisha atje. Mandej, kem bo edhe shumë shëtitje edhe në Radavc, kshtu që deri në maturë kem kalu’ shumë bukur.
Matura ka qenë në vitin ’61-’62, domethonë kem qenë maturanta. Atëhere natyrisht se nuk boheshin organizime me festu’ mbramjen e maturës si tash që po bohet, s’kishte as lokale, as kurgjo. Ne e kishim kopshtin shumë t’madh, edhe shpinë e kishim t’madhe, se axha m’ka vdekë fatkeqësisht, edhe axha m’ka vdekë heret n’vitin ’57 kur unë kom qenë n’vitin e dytë n’gjimnaz. Fillimi i vitit t’dytë n’gjimnaz. Edhe vllau ka qenë dikun n’shkollën fillore. Edhe për ne kjo ka qenë edhe nji goditje se mbetëm pa… mbetëm vetëm me grunë e axhës. Gruja e axhës gjithashtu ka qenë nji gru shumë bujare, gru shumë e mirë e cila nuk e ka pasë kërkend t’vetin. S’ka pasë vlla, s’ka pasë motër, e vetme, plus e ka pasë nji djalë t’axhës – babën e Dervish Rozhajës.
Du me cekë edhe këte për Dervish Rozhajën. Dervish Rozhaja atëherë ishte student n’Beograd dhe nji student shumë i dallum, i cili mandej doktor shkence, ma i riu n’ish-Jugosllavi ka qenë, dikun n’moshën njizet e diçka vjeçare ka doktoru. Ai sa here vijke prej Beogradit, me vizitu’ familjen, rrijke nji ditë dy n’familje edhe menihere vijke te na sepse ktu kishte libra, me lexu’, domethonë kishte dëshirë me ardhë ktu për me u asi… Në nji mënyrë shpija jonë ka qenë, e kanë frekuentu shumë njerëz të cilët e kanë dashtë librin, e kanë dashtë domethonë… Kanë ardhë njerëzit t’cilët kanë qenë t’interesum n’atë kohë, n’atë kohë ka pasë shumë pak libra n’gjuhën shqipe domethonë, edhe gjitha ato revistat, ato librat jonë shfrytëzu’ prej ka ardhë Dervish Rozhaja, ka ardhë nji kushëri i joni Hasan Bala, i cili studionte m’duket për teknologji n’Sarajevë. Mandej, Jusuf Gërvallën e kem pasë ktu kojshi se ai u rritë te daja. Edhe ai shpesh vijke, ka qenë dikun gjeneratë me Kujtimin, ndoshta nji vjet ma i ri se Kujtimi. Edhe vijshin këtu u mbledhshin t’gjithë. Derisa tjerët lujshin me top ose diçka, Jusufi hypke naltë atje n’çardak edhe i merrke ato libra, revista ka qenë prej fillimit, ka qenë i interesum për lexim.
Dashta me ju tregu’ edhe këtë ngjarjen e maturës. E krymë maturën, dojshim me bo diçka me organizu’, edhe u mbledhëm po bisedojmë. Domethonë kem qenë një shoqni shumë e sinqertë edhe shokët e klasës kanë ardhë te une, na kem shku’ te shokët e klasës, nuk kem pasë ashtu ngurrime, ato… nji shoqni shumë e sinqertë. Thotë, “T’kishim me u taku’ me u mledhë diku, po s’po kemi ku”. Edhe une tash, “Une po e pys grun e axhës çka po m’thotë edhe vijmë, na e kem kopshtin ktu, edhe mledhëm n’kopsht”. Une p’e… tha, “Po nonë, ma mirë me ardhë këtuse me shku’ tjetër kah, ejani”. Kishim kopshtin shumë t’madh e t’bukur. Ishte nji pishë, pisha sot e kësaj dite osht’ aty, t’cilën e ka mbillë axha im diku n’vitin 1931 kur u ble kjo shpi, shpija këtu që osht’ e vjetër e babës. Atëhere erdhën shokët e klasës, e rregullum, i qitëm dritat, natyrisht muzikë e krejt (buzëqeshë). Krejt… ka qenë ngjarje edhe për krejt rrethin, se s’ishin, nuk organizoheshin atëherë. Edhe krejt kto muret përreth {dëfton kah muret e dhomës} kojshitë kishin hypë me pa çka po bojmë na, çka po knojmë e po lujmë (qeshë). Edhe, ajo kangë osht’ si nji kujtim i bukur prej mramjes t’maturës që e kem festu’ bashkë.
Kryhet matura. Ishin shumë t’pakëta mundësitë për me shku’ n’studime. Mandej axha na kishte vdekë, nuk kishim kurrëfar burimi për jetë. Natyrisht kem qenë familje ekonomikisht kem qenë n’rregull domethonë, se na ka lonë axha pasuni, shpinë e tokën, e nuk kem hekë kshtu. Mirëpo, për ndonji asi… plus gruja e axhës ish e lidhun shumë për ne, kshtu që asaj i dukej shumë e vështirë une tash m’e lonë, ishte e vjetër, relativisht e vjetër, m’e lonë une edhe me shku’ n’studime. Edhe une isha pajtu’ me ato, e kom kry maturën edhe mjafton. Mirëpo, daja im Esat Mekuli i cili ka pasë një kujdes shumë t’madh për ne, në vitin ’56 kur ka ajo bora e madhe n’Pejë, dy metra, bora e kuqe i thojshim. Se n’mes t’borës ka qenë edhe nji shirit qështu katër gishta {tregon dimenzionet me pëllëmbë}, ka qenë nji shirit i kuq. Bora dy metra ka qenë, domethonë o’ blloku’ krejt, çdo gja. Thojshin se prej kur kanë fry erënat n’Afrikë, e kanë pru atë zallin prej shkretëtinave.
Nejse, edhe daja im martohet me Sahadete Doku Mekuli, e Ohrit, mjeke. Edhe e bjen me vizitu’ dy motrat që i kishte t’martume ktu n’Pejë. Vijnë me tren natyrisht, se kjo rrugë s’ka ekzistu’, vetëm treni. Vijnë me tren edhe prej trenit me saja se s’kanë mujtë. Dhe kur kanë ardhë këtu te kjo rruga jonë para shpisë tonë, i thotë grusë t’dajës, kto ma ka tregu’ gruja e dajës, thotë, “Sahadet, ktu i kom dy fmitë t’motrës, na po shkojmë m’i vizitu’ edhe ato motrat tjera. Ti çka bon me kto motrat tjera, a m’i respekton a i don osht’ çashtja jote. Qeta dy fmijë, du me m’i kqyrë si me qenë fmitë tanë”. Edhe asej i ka mbetë ajo… {qet dorën n’gjoks}. Mandej masi vizitojnë, vijnë na vizitojnë edhe neve edhe ne çdo pushime shkojshim, masi gjyshi e gjyshja kalojnë në Prishtinë, na shkojshim për çdo pushime, shkojshim te daja, te gjyshi e te gjyshja. E kreva maturën edhe u ndala me aq.
Vjen daja me grunë e vetë, edhe i drejtohen grusë t’axhës. I thojnë, “Xhixhë,” xhixhë i thojshim, “na jem ardhë me marrë Lulen për studime, m’e marrë n’Prishtinë me studiu’ atje”. “Ouu,” ajo ia nisë me qajtë thotë, “Une i kom rritë kta fmijë, tash po doni me m’i marrë t’gatshëm” natyrisht si edhe çdo prind. Thotë, “Nuk bon me lonë me maturë, osht’ gjynah, dojmë me marrë”. Ma në fund ajo bindet, “Mirë,” thotë, “atëherë une Kujtimin du me martu’, s’muj une me ndejtë vetun, ju po ma merrni çikën”. Kujtimi osht’ ma i ri se une (qeshë), domethonë 17 vjeçar. Ata fillunë me qeshë (buzëqeshë).
Nejse, edhe erdh koha une me shku’ në fakultet. E kujtoj atë ditë me shumë mall edhe me nji, une i pregatitsha teshat n’kofer për me shku’ për Prishtinë, gruja e axhës m’i nxirrke teshat prej koferi. Ajo qante pse une po shkoj n’Prishtinë, une qajsha pse ajo nuk po m’len me shku’ n’Prishtinë me vazhdu’ studimet. Edhe ma n’fund kur e pa që mo veç u lodha, “Hajt çika jeme, paloi teshat”, e msheli koferin, “Hajde po t’përcilli deri n’stacion”. Veç m’i qiti edhe kushtet, “Për çdo javë ki me ardhë me m’a pastru’ krejt shpinë, me m’i bo krejt punët, me m’i la teshat, krejt ato”. “Krejt,” thashë, “për çdo javë, unë kom m’i bo.” Edhe me t’vërtetë kom ardhë për çdo javë me ia rregullu’. Jo, se nuk muj, po e vjetër ka qenë (buzëqeshë).
Regjistrohna n’Fakultetin Juridik, ishte gjenerata e dytë e Fakultetit Juridik në kuadër të Universitetit t’Beogradit. Isha vetëm une shqiptare, ishte edhe nji tjetër e Mitrovicës nji Mykelefa Shabanoviç. Nanën e kishte myslimane e babën shqiptar, po nuk e dijke shqipen shumë, mirëpo e mante veten si shqiptare. Edhe ishin nja katër-pesë serbe malazeze, disa ishin ardhë prej Serbisë, disa prej ktuhit, edhe t’gjithë profesorët i kishim prej Universitetit t’Beogradit edhe t’Shkupit. Domethonë, msimi zhvillohej n’gjuhën serbo-kroate. Diku kem qenë 56-57 vetë mashkuj e femna krejt. N’gjeneratë me mu ka qenë edhe Adem Demaçi. Adem Demaçi e kishte kry Albanologjinë e mandej regjistrohet edhe me kry edhe Juridikun. Domethonë ishte viti ‘62-‘63 kur unë regjistrohna n’Fakultetin Juridik. E kryj vitin e parë, e kryj vitin e parë me sukses. Regjistrohna n’vitin e dytë, i ndëgjoj ligjëratat, jepi shumicën e provimeve. Msojsha se e kisha edhe atmosferën te daja shumë t’mirë. Domethonë, edhe atje me libra, me bibloteka, mandej i kisha bisedat me grunë e dajës, me dajën, të gjithë më motivojshin për me msu’ sa ma shumë.
Edhe du me tregu’ ktu nji detal për Adem Demaçin, ishte po domethonë viti ‘63, ‘63, ishte… organizohej Seminari i Gjuhës Shqipe në Prishtinë. Ishte hera e parë që organizohej seminari, dhe ishim në nji landën Fillet e së Drejtës, ishim me nji profesor prej Beogradit që na majke ligjëratat. Muj me thanë, edhe këtu muj me thanë se profesorët që kanë ardhë prej Beogradit kanë qenë shumë korrekt. Na kanë mbajtë ligjëratat shumë mirë, kanë majtë edhe ushtrime. Edhe në nji moment t’u… ligjëratat, ky Adem Demaçi e çon dorën edhe kërkon leje prej profesorit, thotë, “A bon me m’liru’ se mbahet ligjerata, Seminari i Gjuhës Shqipe në Prishtinë edhe unë jom gjuhëtar, kom dëshirë me shku’ marrë pjesë n’atë seminar.” Tha, profesori e pytë, iu drejtu’, “Albanski jezika?”, atëhere ishte Šiptarskijezik dhe ishte Albanski jezik (buzëqeshë), ishin dy gjuhë. Ky Adem Demaçi çohet edhe e mban ashtu, nji rafall si me thanë nji ligjeratë t’vogël (qeshë). Thotë, “Na jemi për ju, jemi t’gjithë albancipër t’hujtë, për ne na jem shqiptarë, për veti. Edhe gjuha nuk ka dallim Albanski jezik osht gjuha shqipe, osht’ e njejtë si n’Shipni, si kudo që flitet o’ gjuha shqipe.” Qaq shumë e mbajke me emocion e asi, saqë ai profesori i erdh keq që kërkoj falje, “M’fal, m’fal, t’lutem, unë s’kom ditë që ka asi. Kom mendu’ që ka dallim mes gjuhës shqipe dhe gjuhës… albanski jezik edhe šiptari jezik”, nejse edhe ai del prej atje. Ky osht’ moment për Adem Demaçin.
Edhe erdhi fundi i vitit t’dytë, viti ’64. Viti ’65 ishte për Kosovën vit mjaft i randë se ishte aksioni kur i qitën flamurat ma s’pari, edhe u burgosën shumë t’ri e t’reja. Edhe, mu m’kishte mbetë edhe nji provim me dhanë, me nji moment vikendi ishte edhe unë i thom grusë t’dajës, provimin e kisha edhe dy-tri ditë, i thom grusë t’dajës unë duhna me shku për Pejë. Ajo, “Mos shko për Pejë, e ki provimin, duhesh me dhonë”. “Diçka ka ngja,” unë nuk dijsha çka ka ngja, “une gjithqysh duhna me shku’ për Pejë”. Me tren vijmë n’Pejë. Kur vijmë n’Pejë këtu bash afër shtëpisë, n’këtë udhëkryqin për shkollën “8 marsi,” aty del nji vajzë edhe m’thërret “Luljeta, a je mirë, a je…?”Unë “Po, pse?”Thotë, “Kanë qitë fjalë se ty t’kanë burgosë edhe t’kanë pa me, t’lidhun me hekra n’durë, t’kanë çu n’burg”. “Jo,” thomë. “Pse çka ka ngja?”, thotë, “Mos vet çka ka ngja? M’a kanë marrë n’burg Selajdin Dacin”.Ishte motra e Selajdin Dacit. Kanë marrë n’burg shumë tjerë, Shefqet Deçanin e shumë njerëz këtu, t’cilët si duket ishin t’organizum.
Kur vij te shpija, shpija ish bastisë ish bo krejtësist, kishin çdo gja e kishin kthy, e kishin asi. Ftesa për bastisje kishte ardhë n’emën timin. Edhe aty përmendej edhe neni i cili ligjit penal atëhere të Serbisë. Kur vij e gjoj grunë e axhës të shtrime n’shtrat, gati pavetëdije, vllaun m’a kishin marrë në polici. Edhe une i afrohna grusë, edhe asaj i kishin thonë se Luljetën e kanë marrë n’burg. Ajo ishte tmerru’ krejtësisht, thotë, “Tash boll e kalumëatë kohë, atëherë tash prapë me na ngja t’njejtat…” Edhe une vij e i afrohna “Xhixhë, xhixhë!”, “Kush je ti?”Nuk po m’njef, “Luljeta!” “Jo, Luljetën e kanë marrë n’burg. M’kanë thonë që e kanë pa me durë t’lidhuna”. “Jo,” thashë “unë jom Luljeta”. “Kujtimin ma kanë marrë n’burg” une u tmerrova çka pashë. Po pres, mas pak po vjen Kujtimi. Ata e kishin lshu’ edhe i kishin thonë se gjithsesi duhet motrën me e thirrë me ardhë se a osht’ n’Prishtinë n’studime, m’e thirrë me ardhë ktu se Letërthirrija osht’ n’emën t’sajna. Arsyeja pse ishte bo kjo, nuk e di pse. Ndoshta pse e kishim atë dangën si familje, ndoshta edhe pse n’fakultet atje isha edhe kolege edhe me Adem Demaçin nuk di, nuk di pse. Edhe, vjen Kujtimi m’tregon, thotë, “Lule nesër n’ora tetë duhesh me shku’ n’Sekretariat”. Natyrisht se m’erdhi rondë, po s’kisha çka me bo, duhej t’nesërmen. Besa, jo n’ora tetë n’mëngjes po i kishin thonë dikur mbasdite, kur të dalin ata shërbysit prej atyhit.
T’nesërmen… bastisja ishte bo, ishin marrë disa libra që kanë mbetë. Edhe do revista që kanë mbetë prej librarisë. Na në mur, qysh e ka pasë vendosë baba nji fotografi të madhe të Skënderbeut, nuk e kem lëvizë kurrë prej murit atë fotografi, ajo ka qenë aty Skënderbeu. Edhe atë fotografi tha e kanë… kanë pytë, “Çka po ju duhet? Çka po ju duhet kjo fotografi ktu?”Demek Skënderbeun m’e mbajtë. Nejse, n’ora dy t’nesërmen vjen Kujtimi me mu edhe shkojmë n’Sekretariat. N’Sekretariat, Kujtimin nuk e lojnë me ardhë naltë, e ndalin poshtë. Edhe mu, natyrisht se derisa i kom hypë ato shkallave, zemra jeme e din e ka përjetu’ shumë rondë, mirëpo mandej e kom marrë veten edhe e kom hypë n’dhomën ku m’drejtun me shku’.
Aty ishte nji shqiptar, emnin nuk po muj me ia ditë s’po m’kujtohet, mbiemnin Haskaj, t’cilët kishin marrë pjesë këtu n’bastisje. Edhe mbi tavolinë e kishte qitë nji libër të Zogut, martesa e Zogut me ato fotografitë e Xheraldinës e ato motrat e Zogut e krejt. Disa revista aty edhe filloi pytja… Gjoja se une i kom furnizu’ shokët e klasës me libra, gjoja… e kem pasë “Lahutën e Malcis’” ju kom dhonë me lexu’… e qësi ia nisi gjëthfar asi. Une e mohojsha, thojsha, “S’osht’ e vërtetë. Hiç s’osht’ e vërtetë”. Kur e pa qi m’dha Zoti njifar force me u përmbajtë (buzëqeshë). Kur t’gjitha i mohova thashë, “Nuk osht’ e vëretetë”, atëherë filloi tha, “Kom dashtë me kapë atë fotografinë e Skënderbeut edhe m’e shkelë me komë edhe me e thy”. “Po,” thash “çka ka lidhje Skënderbeu me këtë periodë? Skënderbeu dihet kur ka jetu’, ai osht’ nji shëmbëlltyrë historike. Kjo nuk ka lidhje me kurgjo, ai osht’ shëmbëlltyrë historike. Po edhe që e kishit bo, s’kishit bo noj trimni t’madhe që kisht thy fotografinë e Skënderbeut, plus ajo fotografi qysh e ka vendosë baba im, qaty osht’ nuk e kem ngucë”. Edhe, nejse filloi prapë edhe me kërcënime. Aty e kishte edhe revolen afër te tavolina, tha, “Mirë, ti nuk po don me folë, me m’tregu’, me pranu’ ktu”. Thashë, ë “Unë, s’kom çka me pranu’, se s’jonë kto t’vërteta kurgjo. Jo natyrisht se dora e pushtetit osht’ e gjatë, mundet me bo çka t’don, mirëpo unë nuk kom çka me thonë tjetër”. “Mirë,” tha, “ti nuk don me thonë para meje, po jonë tjerë që s’ki qare pa i thonë”. Edhe une dal shkallave teposhte, vij te shpija, Kujtimi s’osht’. Kujtimin e kanë, policët e kanë shti mrenda atje, tash ai po frigohet për mu çka po bojnë me mu atje naltë. Unë tash po frigohna e kanë mbyllë Kujtimin masi m’lshunë, kanë qenë drama, drama shumë t’ronda.
Mbas nji kohe, Kujtimi i pytë ata e thotë, “More, motra çka ka ba?”. “Jo,” thojnë “motra ka dalë” edhe vjen Kujtimi mandej këtu te shpija (buzëqeshë), nejse gëzimi ishte i madh. Mbas asaj mo nuk m’kanë… mandej ma vonë fillunë domethonë ramja, filloi veç ajo era e ramjes së Rankoviçit, vitet e… Eh, gruja e axhës smutë n’shtrat. Kur na pa t’dyve natyrisht se ajo u bo…Prej asaj dite ajo nuk u çu mo prej shtratit, tetë mujë ka qenë e smutë, une i ndërpreva studimet se s’mujsha me e lanë. S’mujsha m’e lanë, s’kish kush me kqyrë. Ajo mas tetë mujve vdiq. Dhe, ka qenë për te nji goditje shumë e randë, goditje shumë e randë. Natyrisht edhe smundja, iu keqësu’ gjendja, situata, vdiq.
Unë mbeta ktu n’Pejë, vllau shkoi n’studime n’Sarajevë. Mandej, unë njoftohem me Ademin bashkëshortin tim. Dhe, mbas nji kohe Ademi ishte student n’Beograd, ishte kah fundi. Kur i kryn studimet, nji kohë jemi argëtu’ edhe mandej jemi martu’ n’vitin ’65, ’65. Martesa ime me Ademin ka qenë temë diskutimi nëpër konferencat e Partisë Komuniste, po, se ne ishim dy fmitë e baballarëve që ishin pushkatu’. Se edhe Ademit ia kanë pushkatu’ babën ktu në Tabje. Ktu kanë pushkatu’ shumë qytetarë t’Pejës, edhe t’njoftun. Sidoqoftë, (qeshë) dashnia osht’ ma e fuqishme se krejt, tonat, edhe ne martohemi n’vitin ’65.
Ademin e pranojnë n’punë në një koperativë bujqësore diçka, mbas dy muje i vijnë karakteristikat ku me ditë prej kah edhe e përjashtojnë prej pune dhe e çojnë ushtar. Unë mbes vetun prapë, vllaun e kisha n’studime. Mbes vetun, mirëpo vjen vjehrra jeme me jetu’ këtu n’shpi t’babës se shpija ishte vetun. Duhej dikush me ndejtë aty me mbikqyrë. Vjen vjehrra ime edhe domethonë nji vjet, mas nëntë muajve m’lindë djali se isha shtatzanë, m’lindë djali Mentori djali i parë. Edhe, në një mënyrë, domethonë plotësohet pak jeta, kujdesna rreth fëmiut, rreth punimit të kopshtit se s’kishim edhe burime për jetë, s’kishim shumë.
Vjehrra punojke në nji… ishte punësu’ sado kishte metë shumë e re, e vejë 22 vjeçare me dy djem jetima, o’ dashtë me i shkollu’ ata fmijë, o’ detyru’ me hi edhe n’punë, njifar kooperative diku ka punu’. Njanin djalë e kishte n’Prizren – Mehdi Bajri, studionte muzikën, shkollën e mesme t’muzikës. Ademi ishte n’Beograd, duhej me i çu pare edhe atij n’Beograd, atëhere domethonë. Kshtu qi, mbas nji vjete Ademi ka qenë n’Bostonë ushtar, mbas nji vjete kthehet, edhe e pranojnë në punë në Gjykatën në Gjyrakovc. Mbas Gjyrakovcit kthehet në punë në Gjyqin e Pejës, Gjyqin e Pejës.
Atëhere Ademi, prej Gjyqit t’Pejës, Gjyqit Komunal si praktikant në Gjyrakovc kalon në Gjyqin Komunal në Pejë. Natyrisht se atëhere fillojnë pak edhe demokratizimi era, deri atëhere gjykimet ishin mbajtë në gjuhën serbo-kroate. Tash kur vijnë gjyqtarët shqiptarë fillojnë proqeset gjyqësore m’u mbajtë n’gjuhën shqipe edhe veç fillon nji frymë tjetër nëpër gjyqe. Unë do t’ju tregoj vetëm nji detal. Kur ka fillu’ punën Ademi në gjyq, i vjen nji i fshatit një punë që ka pasë n’gjyq edhe ai përapara kur ka ardhë, deri sa ka ardhë n’gjyq, gjyqtarët kanë qenë serbë. Dhe e kanë detyru’ para zyres t’gjyqtarit ku ka qenë, me i hekë kpucët, me e hekë ato, me e heqë kapelën osht’ deshtë, kapuqin e bardhë edhe me i hekë kpucët edhe m’e hy aty. Edhe ata qysh ishin msu’ n’atë… Ademi tash, Ademi ishte aty gjyqatar edhe vjen i hekë kpucat i shkreti, edhe ashtu i përvujtun dhe i drejtohet… “Pse i ke hekë kpucat?”, thotë “Na kanë detyru’ me i hekë kpucat, nuk ke mujtë me hy kpuca aty”. Thotë, “Kthehu veshi kpucat!”.
Ka fillu’ nji frymë e re në gjyqe, aty jonë punësu’ mandej shumë përpos Ademit, ka qenë AbdylAziz Daci, Shefqet Deçani, kryetar i gjyqit ka qenë Mikel Marku – nji njeri i cili i ka përkrahë shumë, i cili i mandej tragjikisht ka pësu’, t’u e rrahë e kanë mbytë aty n’vitet ’90, ’98, ’97 ashtu. Tu e pa se situata në gjyqe po ndryshon, ka fillu’ nji liberalizim, ato seancat mbaheshin në gjuhën shqipe, krejt… Në nji moment ka qenë viti ’71 po m’duket, del letra e Titos. Letra e Titos, e cila i gjykon, domethonë i gjykon këto… proqese që kishin fillu’ nëpër gjyqe. Jo vetëm n’Kosovë, po krejt m’duket ka qenë nji fushatë n’krejt Jugosllavinë.
Mirëpo, ma s’shumit natyrisht që sulmohen gjyqet shqipe, edhe sipas kësaj letre përjashtohen nga gjyqi Ademi edhe Abdyl Aziz Daci. Përjashtohet edhe nji serb, gjoja me ballancu’ pak situatën se nuk po sulmohen vetëm shqiptarët po edhe ata serbët, edhe ata serbët ka qenë nji gjyqtar i dështum, i cili ka pi shumë raki… nejse çashtja e tyne, i përjashtojnë. Kjo osht’ goditja e dytë, përjashtimi i dytë prej punës. Edhe ne mbesim prapë, pa kurrëfar burimesh për jetë.