Fëmijëria
[Pjesë e prerë nga video-intervista: intervistuesja kërkon nga e intervistuara ta prezantoj vetën dhe të flasë rreth fëmijërisë së saj.]
Luljeta Myftari Bajri: Unë jam Luljeta Bajri, jam lindur në Pejë në si me thonë, në flakën e luftës në vitin 1943 nga babai im Emrush Myftari dhe nëna Hajrie Mekuli Myftari. Të flas për fëmininë time ndoshta osht’ pak e dhimbshme, por sidoqoftë njerëzit kalojnë nëpër shumë peripeti të jetës. Ne e kem pasë fatin, unë dhe vllavi im Kujtimi, që qysh në moshë të re të mbesim pa prindë. Meqë babain tim, në vitin… dikun kah fundi i vitit ‘44, ose në fillim të vitit ‘45 e kanë ekzekutu, e kanë pushkatu dhe atë në Prishtinë në vendin që quhet Strelishte, tash diku te Taukbahçja. Dhe në atë vend natyrisht se kanë pushkatu edhe shumë njerëz tjerë, patriotë, personalitete të ndryshme dhe sot e kësaj dite ai ka ngelur pa varr.
Të flas për historinë e familjes sime, kam shumëçka të thom, edhe pse, ato i kam ndi prej tjerëve. Mas vdekjes së babait, unë kam qenë dikun nji vjet e diçka kur ka vdekë babai, e ndërsa nana ime ka qenë shtatëzanë dhe mbas katër-pesë muajve, mbas pushkatimit të babait, ajo ka lindë djalin, vllaun tim Kujtimin i cili si emën ka qenë i lanun amanet prej babait tim që me ia vu emnin Kujtim, se e ka pa se rrjedhat si po shkojnë edhe e ka pritë që diçka ka me ngja me te.
Kisha me folë pak edhe për historinë e babait tim. Babai im ka qenë vllau i tretë ma i vogli, ka pasë edhe dy vllazën tjerë Sherifin dhe Xheladinin të mesmin, edhe Emrushi babai im. Axha ma i madh Sherifi ka qenë nji njeri me ide shumë përparimtare. Mëduket atëherë ka qenë i përfshimë në lëvizjet që kanë qenë për demokratizim ma… ato kanë qenë do lëvizje të përbashkëta domethonë, edhe serbe edhe shqiptare për demokratizimin e shoqnisë. Ai ka pasë dëshirë që baba im të vazhdojë shkollimin dhe e ka dërgu… domethonë njihere e ka kry shkollën fillore.
Fillimisht nuk ka dashtë fort, nuk ka qenë fort për shkollë, nuk ka qenë fort i nxehtë, mirëpo e ka pasë nji mik të vetin, profesor në gjimnazin e Pejës, serb. Nji profesor i vjetër, i cili po ashtu ka qenë me ide shumë përparimtare për barazinë kombëtare, për ato krejt… edhe e ka vërejtë se Emrushi ka nji intelegjencë natyrale dhe i ka thonë, iu ka drejtu axhës tim i thotë, “Çka po don ky djalë?” “S’po don me shku në shkollë, s’di çka me bo. Une p’e angazhoj me punu rreth shpisë e rreth punëve e ktyne tjera…” Thotë, “A ma jep mu ta përgatisë?” Edhe ky e përgatitë, e sheh mandej regjistrohet e krynë, domethonë mas shkollës fillore shkon në gjimnaz, në gjimnaz dallohet si nxanës shumë i mirë. Bile në hartimet që i bon, ia përcjellin prej klasës në klasë t’u i lexu edhe t’u i thonë… se atëherë shkolla ka qenë në gjuhën serbo-kroate.
Mbasi e krynë gjimnazin ai i propozon me shku në Beograd ky profesori edhe konkurron me nji shok të vetin Veli Dedi, i cili ka qenë nga Medvegja. Në Beograd nuk i pranojnë, domethonë i kthejnë edhe kthehet baba shumë i demoralizum me gjithë atë shokun e vet. Natyrisht se edhe mixha im, i vjen randë për atë çka ka ngja dhe e përgatitë terrenin që ilegalisht me i qitë në Shqipëri. Domethonë, kalojnë Emrushi edhe Veli Dedi, kalojnë në Shqipëri. Në Shqipëri edhe disa pejanë të tjerë kanë shku, Shaban Basha më duket, Xhemajl Kada dhe këta kanë shku ma herët. Edhe ata orientohen kah me shku nëpër shkolla. Veli Dedi edhe baba im shkojnë në Liceun e Korçës, ndërsa Shaban Basha me Xhemajl Kadën shkojnë në Torino me kry shkollën ushtarake atje.
Natyrisht se në Korçë, në Liceun françez të Korçës, aty takohet me shumë personalitete të kohës, dhe sa më kanë tregu edhe shokët e babës, ai ka qenë në nji gjeneratë me Enver Hoxhën. Domethonë, jonë njoftë prej Liceut të Korçës. Mbasi e kryn Liceun e Korçës, atëhere kjo osht’ koha, perioda e Mbretit Zog atëhere domethonë në Shqipëri. Meqë e kishte nevojë për kuadër ushtarak, atëhere ky me gjithë Veli Dedin shkojnë në shkollën ushtarake, domethonë si lloj akademie ushtarake në kohën e Zogut edhe e kryjnë me sukses. Mirëpo, situata në Shqipëri natyrisht që nuk ka qenë aq e mirë sa duhet. Këta kanë qenë me ide ma progresiste, kanë qenë ma të hapun.
Edhe në atë kohë, domethanë viti 1937, shpërthen lufta në Spanjë. Atëhere baba im, Veli Dedi, Xhemajl Kada, Shaban Basha shkojnë si vullnetarë në luftën e Spanjës edhe Justina Shkupi, nji motër medicinale e cila po ashtu e kishte kry nji shkollë speciale,më duket në Itali ose në Francë, nuk e di dhe ka qenë shoqe me Nanë Terezën, bashkë e kanë kry shkollën medicinale. Lajmrohet edhe ajo si vullnetare me shku, ajo ka qenë kosovare domethonë edhe kjo. Në Luftën e Spanjës kanë shku edhe prej Shipnisë edhe prej Maqedonisë, më duket edhe prej Malit të Zi. Domethonë, aty jonë mbledhë, si me thonë ajka intelektuale shqiptare, prej tëgjitha trojeve shqiptare.
Mirëpo, kta kanë qenë të organizum në Batalionin Garibaldi i cili ka pasë si sekretar ose si udhëheqës të atij Batalioni Luigji Longun, nji personalitet të njoftun italian, i cili mandej edhe mbas shlirimit ka qenë kryetar i Partisë Komuniste italiane më duket, nëse s’gaboj. Edhe aty kanë pasë kontakte, domethonë meqë kanë qenë në kuadër e Batalionit Garibaldi. Aty jonë njoftë edhe me shumë njerëz nga krejt Evropa që kanë ardhë. Për shembull, aty kanë qenë edhe shkrimtarët e njoftun si Orvelli, mandej ka qenë Hemingvej, kanë qenë edhe shumë personalitete tjera të kulturës, të artit, shkrimtarë. Edhe aty kanë pasë më duket edhe kontakte mes veti të mdhaja.
Çdo grup i ktyne vullnetarëve ka pasë, se ka botu edhe revistën, revistën e vetme në gjuhën, natyrisht anglezët në gjuhën angleze, italianët në gjuhën italiane. Shqiptarët si nji grup ma i vogël… edhe pse nji studiuese e cila e ka studiu… spanjolle, nuk po mëkujtohet, Suarez më duket emnin. Nuk po më kujtohet mbiemni veç, s’po më kujtohet emni. Ajo e ka studiu këtë grupin e vullnetarëve shqiptarë në Spanjë, edhe ka thonë se, meqenëse edhe proporcionalisht prej numrit të popullsisë ata kanë qenë nji grup jo i vogël. Dhe, çka osht’ për t’u cekur, të gjithë kanë qenë me përvojë ushtarake. Shumica kanë qenë me akademi ose shkolla të larta ushtarake. Domethonë, kanë qenë njerëz të përgatitun.
Baba im ka qenë oficier i artilerisë dhe ato sa më ka spjegu, aty prej Shqipërisë ka qenë edhe shkrimtari Petro Marko, aty domethonë kanë kriju marrëdhanie shoqnore shumë të mira. Petro Marko ka qenë i moshës ma të re edhe për ta mbrojtur… edhe ka pasë talent për shkrime. Atëhere baba nuk e len kto me shku në front, e çon te italianët, e prezenton e thotë, “Ky osht’ shkrimtar edhe gazetar i mirë. Osht’ shumë ma me interes ky me raportu edhe me shkru për çka po ngjet,” domethonë me luftën në front, “sesa me shku edhe me u vra në luftë”.
Shkojnë nji grup prej 15 vetëve nga shkolla fillore “8 Marsi” në vizitë të shkollave të Shqipërisë. Unë nuk di prej nga kishte marrë vesh se kemi me shku. Edhe kur kem shku në Durrës, në një hotel aty… në korridor më ka thirrë, aty ku ishim në grup, më thërret një njeri. Më thërret edhe më thotë, “Po të presim, në atë sallën tjetër. Po të pret Petro Marko edhe Justina Shkupi”. Justina Shkupi tash ju tregova edhe ma heret se ka qenë në Luftën e Spanjës edhe ajo përmendet në romanin “Hasta la Vista” si infermierja Drita. Edhe, kur më kanë pa (buzëqeshë), kanë qenë emocionet edhe tynet edhe të mijat, kanë qenë shumë tëfuqishme.
Kanë fillu te dytë mme më përqafu edhe me na shku lotë edhe atyne edhe mu. Tha, “Po na vjen shumë mirë që me u taku me vajzën e Emrushit”, edhe aty kem fillu mandej me evokimin e kujtimeve prej Luftës së Spanjës e prej… mandej më kanë marrë edhe në shtëpi, aty kanë thirrë edhe kta disa luftarë të Spanjës. Më kanë çu në shpinë e nji luftarit të Spanjës, Ramiz Varvarica, i cili ishte martu me nji spanjolle, edhe kishte marrë grunë në Shipni te ajo… domethonë, kanë qenë emocione shumë të fuqishme, edhe nga ana ime se shihesha për herë të parë. Babën s’e kisha njoftë fare e tash shihesha me shokët e babës.
Lura Limani: Çka tjetër ju kanë tregu për babën gjatë luftës?
Luljeta Myftari Bajri: Urdhno?
Lura Limani: Çka tjetër ju kanë tregu për babën gjatë luftës?
Luljeta Myftari Bajri: Gjatë luftës baba im ka qenë domethonë me ide të majta. Me ide të majta ka qenë për ate që populli shqiptar prej Luftës së Dytë Botërore të dalë si popull i barabartë me gjithë popujt tjerë të ish- Jugosllavisë, të Jugosllavisë… nejse. Ka qenë në… kur osht’ majtë Mledhja e Bujanit, ata kanë fillu veç tu i pa idetë e tij, natyrisht se ktu ndikimi ka qenë edhe i ktyne komunistave serbë edhe malazezë të cilët jonë njoftë qysh prej Luftës së Spanjës edhe ata gjithnje jonë mundu atje shqiptarët me i lonë në plan të dytë, domethonë me i injoru krejt. Baba shumë ka, në atë drejtim, ka pasë konfrontime qysh në Spanjë me komunistat serbë edhe malazezë. Edhe kur osht’ kthy mandej, kur jonë kthy prej Spanjës… aha prej kur ka kapitullu domethonë lufta e Spanjës, ata kanë kalu në Francë.
Në Francë jonë tubu domethonë të gjithë aty. Në Francë ka pasë studenta shqiptarë shumë që kanë studiu atje. Mandej ka qenë edhe ky Ali Kelmendi si anëtar i Kominterit më duket, Lëvizja Komuniste. Edhe në Francë jonë taku mandej dhe me Zeqeria Rexha, po ashtu intelektual i shquar shqiptar, ka studiu në Francë në Lion. Atëhere takohen në Paris dhe vendosin me e botu nji gazetë në gjuhën shqipe, gazeta quhet “Sazani”. Po më vjen shumë keq se i kom pasë edhe ato gazeta këtu, po gjatë luftës kur o djegë shpija, me shpi jonë djegë edhe shumë materiale. Kem arritë diçka me shpëtu, shumë pak.
Edhe mandej prej Francës, Zogu nuk i pranon me u kthy në Shipni, meqë kanë qenë me ide komuniste. Atëhere baba shkon në Turqi, shkon në Palestinë, shkon në kto shtetet e Lindjes. Domethonë, në Turqi fillon propagandën kundër shpërnguljes së serbëve… qy serbëve (buzëqeshë), më fal… kundër shpërnguljes së shqiptarëve në Turqi. Prej Turqisë kthehet mandena edhe natyrisht se kyçet në Lëvizjen Komuniste këtu në Pejë. Mirëpo, gjithnji edhe e kanë respektu si kuadër i përgatitun, si kuadër i shkollum, si njeri i cili i ka ditë pesë-gjashtë gjuhë të huja. Mirëpo, edhe ia kanë pasë gjithënji frigën, se ai prej fillimit i ka tregu idetë e veta se shqiptarët duhën me dalë prej kësaj lufte si komb në veti, me pas të drejtat si gjithë popujt tjerë. Ajo natyrisht, se disave nuk iu ka pëlqy.
Kështu që, në një kohë ai pak edhe tërhjeket prej lëvizjes edhe e hapë librarinë e parë në Pejë. Libraria quhej “Libraria Skënderbej – Vllazën Myftari”. Mirëpo, fillimisht ai e udhëheqë librarinë e ma vonë detyrohet me kalu edhe në ilegalitet, se gjithënji italianët e përndjekin, mandej e burgosin, ka qenë në burgun e Tiranës. Atëhere i thotë, në librari punon axha im Xheladini edhe e merr edhe nanën time me punu në librari.
Baba im kur kthehet prej Spanjës, prej Spanjës e prej Francës e knej, meqë në luftën e Spanjës vritet Xhemajl Kada edhe vritet Asim Vokshi dy shokë të ngushtë të babës. Ai ato çka kanë mbetë, domethonë kujtimet e teshat e Xhemajl Kadës, i bjen në familjen e Xhemajl Kadës domethonë te Rexhë Kada. Gruja e Rexhë Kadës ka qenë tezja ime, Sheqere Kada. Edhe aty, nejse vijnë mandej ngushllimet për vrasjen e Xhemajlit, edhe ai ka qenë oficer me grada të nalta i ka kry në Itali. Edhe baba ka qenë shumë i indinjum dhe atje në Spanjë ka pasë edhe konflikte edhe me kta udhëheqësit e Garibaldit se thotë, “Ju neve shqiptarëve gjithmonë po na qitni në vijat e para të luftës, ndërsa të jujt po i runi”.
Edhe thotë, “Aty na vriten dy oficerë të mirë, dy ushtarakë të mirë të cilët kanë mujtë me udhëheqë e jo me qenë në vijat e para tëluftës”. Atëhere e pytë babën tem, i thotë, “Emrush, çka don tash ti me bo? Duhesh me kriju familje.” “Nuk muj se une jom me… se po merrna me politikë, me ide, nuk du me marrë në qafë asnji vajzë të re. Edhe, nuk ka të shkollume që mujnë me më kuptu. Nuk du me i marrë në qafë”. “Jo,” thotë “unë ta gjoj nji vajzë. Osht’ kjo balldëskja ime [motra e bashkëshortes], Hajria – çika e Hoxhë Nokshiqit në Plavë, e cila e ka kry Shkollën Mbretënore në Beograd, Shkollën Mbretënore për amvise në Beograd”.
Tash do të ju tregoj pak historinë, se gjyshi me gjyshen më kanë jetu’ deri vonë. Domethonë, unë kom qenë 14 vjeçare kur më ka vdekë gjyshi, mandej ma vonë më ka vdekë gjyshja. Edhe, ne çdo pushim kur e kishim, axha na çojke në Plavë mu edhe vllaun. Meqë nuk kishte shumë komunikacion kah gryka e Rugovës, atëherë e porostike nji njeri me nji kali, edhe dy kosha anash. Gruja e axhës na përgatitke nji asi edhe une nji kosh, nji kosh vllau dhe shkojshim kah Qafa e Dillit. Në Qafë të Dillit, axha na ndalke gjithë, ka qenë nji burim I ujit, me pi me hongër diçka dhe me pushu. Edhe, na tregojke, kanë qenë katër varre aty. Tregojke, thojke, “Janë katër varre, njeni prej varreve osht’ i vllaut tim Sherifit, i cili ka shku si vullnetar me luftu në kufinin malazez, për mos me hy ushtria malazeze, për mos me hy në Kosovë, edhe aty bjen si dëshmor”. Domethonë, sot edhe kësaj dite vorri osht’ atje.
Nejse, tash po ju tregoj për nanën time. Nana ime e krynë atë Shkollën Mbretërore. Mbreti, domethonë Aleksandri atëhere i ish-Jugosllavisë e çon nji shkresë në Plavë. Gjyshi im ka qenë imam në xhaminë kryesore aty të Plavës, ku thotë se nji vajzë prej Plavës e Gusisë mundet me ardhë, mund ta dërgoni në Shkollën e Amviseve në Beograd. Edhe ajo paraqitet para xhematit. Mirëpo, kërkush nuk pranoi, thanë, “Jo, nuk i çojmë vajzat atje me u ba…” domethonë qysh e kanë përdorë atëhere (buzëqeshë), “me u ba shkina”. Edhe gjyshi thotë, “Mirë, unë e kom pasë obligim me paraqitë këte, une e çoj vajzën time.” Edhe e çon nanën time. Kjo ka qenë motra e katërt me rradhë. Pasi e krynë atë Shkollën e Amviseve me nji sukses shumë të mirë, më vjen keq që nuk e kom, ia kanë dhonë edhe ate stemën e kunorës, ajo si kunorë ashtu e punume, e prarume me ari, plus edhe diplomën. Jonë kallë edhe ato krejt.
Kthehet në Plavë edhe ajo domethonë i mledhë, bohet si nji, i mledhë krejt vajzat e Plavës, iu jep këshilla për përgatitjen e ushqimit, si duhet me i rritë fëmitë, për… si duhet me i rritë foshnjet, si duhet… i mëson punëdore, krejt ato përvojat që i ka marrë në atë shkollën e Beogradit. Edhe, kur i propozon Rexhë Kada për këte, atëhere takohen me… vjen ajo ktu në Pejë, nana ime. Takohet me babën, fejohen edhe mbas nji kohe martohen. Ka qenë martesa e babës tim pak si njifarë senzacioni në Pejë, se osht’ hera e parë që vjen ni nuse në Pejë me vella të bardha. Plus, shkon baba me marrë me mobilin e vet privat që e ka pasë. Këtu kanë qenë edhe fotografijat, jonë kallë krejt. Edhe, gjyshi im e përgatitë nji përcjellje shumë të mirë edhe dinjitoze, thërret musafirë shumë edhe vjen nana ime ktu në Pejë me jetu mandej.
Natyrisht, se menihere fillojnë peripetitë, burgosjet e babës. Për katër vjet sa kanë jetu bashkë, ma shumë nuk ka qenë te shpija se ka qenë. Kohë mbas kohe ka ardhë, nëpër burgje nëpër andej. Edhe, kur e pushkatojnë babën, nana mbetet domethonë me mu si fmi, edhe lindë mandej edhe vllau. Ktu basitset shpija edhe e qesin me pushkatu axhën tim ktu në kopsht. Meqë e kërkojshin nji radiostacion, duheshin me gjetë pretekst pse ishte pushkatu. Edhe ka qenë, preteksti për pushkatim ka qenë se ka qenë anëtar i Intelligence Service-it, mbasi e ka ditë gjuhën angleze. Plus, e kishte pasë edhe nji mike angleze njifarë Flavia Kingston po mëduket, që ka jetu në Zagreb edhe ka ardhë, ka qenë edhe këtu te na në Pejë disa herë ktu në familjen tonë. Domethonë edhe e konfiskojnë pasuninë e babës.
Baba meqë e ka pa situata kah po shkon, ka pasë biblotekë shumë të pasun me libra jo vetëm në gjuhën shqipe, po edhe në gjuhë tjera. Meqë ka qenë në Itali, ka shëtitë nëpër Evropë domethonë. Tu e pa situatën çfare osht’, krejt biblotekën e murrën në ato isbet e vjetra që kanë qenë në shpinë e babës aty edhe e ve nji mur… plus edhe materialet që kanë qenë të librarisë. Natyrisht se krejt aty nuk ishin, mbesin edhe shumë libra edhe jashtë. Diçka që më ka mbetë prej fëminisë time, ka pasë prej të gjitha qendrave në Evropë ku janë botu revistat shqipe, i kem pasë ktu. Kem pasë revistën “Vatra”, revistën “Dielli”, revistën “Flamuri i Arbërit”. Nuk po më kujtohen edhe tash, veç në qendrën domethonë në Amerikë, Faik Konica ku ka vepru me gjithë Fan Nolin edhe ato revista.
Fatkeqësisht, meqë kem qenë gjithnjë në mbikqyrjen e Shërbimit Sekret, domethonë si familje, dikush që ka qenë prezent kur asht’ ba murimi, kur jonë hi ato librat, ka lajmru. Meqenëse nuk kanë gjetë, atëhere krejt kopshtin e kanë groposë gjoja me lypë radiostacionin. E kanë qitë axhën me u pushkatu, nana ime ka shku i ka thonë, “Unë jam gruaja e Emrushit. Ne e kem këte tëvetmin mashkull te shpija, nëse duhet m’u pushkatu, pushkatomni mu”. Nejse, radiostacion nuk gjejnë kurgjo edhe atëhere e rrëzojnë murin, kanë bajtë me qerre dy-tri ditë. Natyrisht qysh më ka tregu axha, se unë kom qenë atëhere e vogël, dy vjeçe e gjysë. E marrin krejt biblotekën me libra me makina të shkrimit, me material çka ka pasë aty edhe shkojnë. Nanës time mandej i keqësohet gjendja shëndetësore edhe meqenëse gjithnji nën mbikqyrjen përcjelljen prej familjes, ia bjen domethonë… kem qenë si familje e anatemume pak. Jo prej popullit, në popull kem pasë autoritet shumë të madh, të gjithë na kanë respektu.
Bile, më kujtohet ka qenë nji profesor i gjimnazit të Pejës, shok me babën, Mikel Marku. Nji profesor i cili ka dhonë gjuhën serbo-kroate në gjimnazin për paralelet shqipe. Edhe në çdo 28 nandor ai vijke me na vizitu neve dhe na bijke libra, na bijke fletore, lapsa. I thojke axhës, “Xhelë, Emrushi të gjithëve na ka përkrahë, na ka dhonë libra, na ka dhonë materiale, s’ka kqyrë. Na ka dhonë krejt çka kem dashtë prej librarisë, na duhem me u kujdesë për fëmitë e Emrushit pasi kanë mbetë pa prindë”. Nana ime, i propozon mjeku me shku në Plavë masi iu ka keqësu gjendja shumë, edhe shkon në Plavë me ne dytë.
Lura Limani: Në cilat vite?
Luljeta Myftari Bajri: Urdhno?
Lura Limani: Në cilat vite?
Luljeta Myftari Bajri: Vitet ‘44. Fundi i ‘44-shit, domethonë mas pushkatimit të babës, ose fillimi i ‘45-tës ashtu. Shkon në Plavë te prindtë e vet sdhe atje kujdesen natyrisht nana e vet, motrat e veta. Në vitin ‘46, plus aty kujdesen edhe dy mjekë hungarezë të cilët kanë qenë miqtë e gjyshit tim, që kanë ardhë gjatë Luftës të Dytë Botnore dhe iu ka pëlqy shumë Plava si vend piktoresk me liqenin e ato. Nuk jonë kthy në Hungari, kanë mbetë në Plavë aty si mjekë. Edhe ata vazhdimisht kanë ardhë me u kujdesë për nanën.
Une dy vjet e gjysë, diçka ma tepër, na vdes nana. Na vdes nana dhe ne mbesim në Plavë te gjyshi e gjyshja. Aty e kem pasë edhe nji teze vajzë, tezen Fatime e cila vendosë mos me u martu, vetëm me na rritë neve. Mirëpo, ktu në familjem time të axhës domethonë mbeten disa vdekje, domethonë pushkatohet… vdes në frontin e luftës axha Sherifi, vdes nana ime, pushkatohet baba, domethonë familja mbetet vetëm me axhën, edhe dy gratë e axhës, asaj që i vritet burri atje edhe… atëhere axha im vjen në Plavë me na marrë neve. Gjyshja me tezen nuk dojnë me ndi me na lshu. Kush me na kqyrë? Mendojnë se kanë me na kqyrë ma mirë atje në Plavë.
Mirëpo, axha ia hekë kapelën gjyshit edhe i thotë, “Të lutem, na kemi qaq tragjedi të randa kem përjetu, barëm fëmitë, ama njerin prej fëmive”. Edhe shkon i thotë, “Une nuk muj me u kthy pa njërin, pa një fëmi”. “Ani,” thotë, “cilin po don Xhelë me marrë?” Thotë, “Valla, une p’e marrë vajzën”. Edhe më merr, axha më merr mu, më bjen ktu në Pejë. Mirëpo, tanë kohën as une nuk jom këtu e qetë, edhe pse e vogël, se po e lypi vllaun (buzëqeshë). Edhe vllau andena… jem msu bashkë me qenë. Atëhere e merr gjyshi, mbas nji kohe e merr edhe vllaun e bjen, domethonë na rritemi te axha.
Axha ka pasë edhe gruja e axhës kanë pasë kujdes maksimal, nuk kanë pasë fëmi. Domethonë edhe atyne iu ka plotësu një dëshirë, që na kanë pasë fëmi neve. Axha ka bo çmos që na me pasë fëmininë sa ma të lumtun, sa ma të bukur. Na i ka plotësu tëgjitha kushtet, kem vazhdu shkollën, domethonë ka qenë, unë bile në momente mendoj se nuk kom bo për fëmitë e mi, qaq sa ka bo axha edhe gruja e axhës për ne. Axha ka qenë nji njeri shumë i mençëm, i hapun. Mu nuk më ka ndalë, për qe kanë qenë vitet, natyrisht vitet kur vajzat nuk jonë lonë bash për me shku në aktivitetet shkollore e ato, mu s’më kanë ndalë kurrë. Domethonë, çdo aktivitet që osht’ bo në shkollë, korin e shkollës, orkestrën e shkollës, ekskurzionet e shkollës, tona ato sletet që kanë qenë nëatë kohë, mu kurrë nuk më kanë ndalë. Në nji mënyrë, në krah temin mandej kanë fillu edhe shoqet e mija, meqë axha ka pasë autoritet këtu në rrethin ku ka jetu edhe ku ka…