Lubica Berishiq

Janjevë | Date: 28 gusht, 2019 | Duration: 58 minuta

E kemi pasur atë ditë është quajtur Rifana tek ne. Në mbrëmjen e asaj feste, Shëngjergjit, aty mblidhej shoqëria kush dëshironte në shtëpi. Por më shumë ka qenë në Gllamë. E vendosnin tendën, dhe aty përgadisin, e ndezin zjarrin, pjekin qengj, dele kush çka dëshiron. Ka pije, këndim. Por ke mundur edhe të shkosh diçka të vjedhësh. Vetëm se, mendoj nuk ka qenë pastaj ka kaluar në shprehi që edhe diçka kështu ta marrësh. Por prej ushqimit që është përgaditur kush mund të vjedh, e han dhe përfundoi puna. Dhe këtë e kemi pasur zakon, fore kinse diçka të përmendet. Por shumë ka qenë, gjithë…

Kështu ka qenë çdo vit?

Çdo vit. Gjithë natën është kënduar deri në mëngjes, dikush po them në shtëpi. Pastaj i vendosnin ato luhatëset në kulm. Tani kemi ulluqe nuk bën. Ashtu në atë shtyllën e drurit dhe e vendosin litarin e lidhin, jastëkun dhe luhatet gjithë natën.


Erëmirë Krasniqi (Intervistuesja), Anita Susuri (ntervistuesja), Besarta Breznica (Kamera)

Lubica Berishiq u lind më 20 shkurt, 1947 në Janjevë. Ajo studjoi në Shkollën e Lartë Ekonomike në Ferizaj, në vitin 1964. Pas përfundimit të shkollës, punoi në puntorinë familjare ku kanë prodhuar lodra dhe produkte të tjera të plastikës. Në vitin 1984, Znj. Berishiq është punësuar në fabrikën “Metaliku” në Janjevë, ku ka punuar si afariste dhe administratore e faturave. Pas mbylljes së fabrikës në vitin 1999 në kohën e bombardimeve Berišić më nuk i është rikthyer fabrikës. Nga viti 2000 deri në pensionim, ajo punoi si mësimdhënëse në shkollën fillore “Shtjefën Gjeçovi” në Janjevë.

Lubica Berishiq

Pjesa e Parë

Anita Susuri: A mund të prezantoheni dhe të na thoni ndonjë gjë për familjen tuaj, paraardhësit tuaj dhe kujtimet tuaja më të hershme?

Lubica Berishiq: Po, unë jam Lubica Berishiq nga Janjeva, kroate.

Erëmirë Krasniqi: Flisni me neve, mos u ktheni kah kamera sepse nuk ka nevoj.

Lubica Berishiq: Mirë.

Anita Susuri: Ashtu do t’ju vjen më lehtë të prezantoheni. Ma thoni mua nëse bën.

Lubica Berishiq: A e ka ndezur ajo apo? Mirë, s’ka rëndësi. Domethënë duhet të flas edhe për nënën dhe të gjitha këto?

Erëmirë Krasniqi: Po, kur keni qenë fëmijë dhe kështu. Detaje të vogla që ne nuk i dijmë. Vetëm mos shikoni andej (qesh).

Lubica Berishiq: Mirë. Unë jam Lubica Berishiq, e lindur në Janjevë, kroate. Jam lindur në vitin 1947 prej babait Nikolla dhe nënës Katarina. Nuk e di…

Anita Susuri: A mundeni pak më shumë për atë jetën familjare? Sa fëmijë keni qenë?

Lubica Berishiq: Po, ne kemi qenë nëntë fëmijë, shtatë të gjallë. Dhe shkonim në shkollë këtu në Janjevë, kemi jetuar nga bujqësia, babai sa ka qenë vetëm. Pastaj më vonë kur në Janjevë ka ardhur rryma, prej viteve të ‘60-ta ashtu, atëherë kemi jetuar edhe prej zanatit. Kështu që, Janjeva ka përparuar pak. Prej familjes, nëse mund të them familjeve të varfëra. Kemi qenë në shkollë 1200 nxënës kështu që kemi pasur mjaft shokë, mjaft kujtime të bukura. Nuk shkohej askund me shkollë, e tillë ka qenë jeta për të gjithë prandaj edhe për ne. E kemi pasur babain shumë të ndershëm dhe të mirë, i cili na udhëzonte në të gjitha të mirat dhe ka punuar dikur sa ka mundur. Pas kësaj shkonte edhe në Maqedoni t’i punoj ato punët janjevase dhe pastaj ka qenë pak më mirë në shtëpi. Më së shumti më kujtohet kur kam qenë në klasën e parë, kam shkuar me nënën e kemi pasur një teze në Prizren, ajo na dërgonte atje. E kemi parë qytetin, Janjeva ka qenë ende ashtu por jetonim dhe ishim të kënaqur.

Erëmirë Krasniqi: Ju jeni lindur pas Luftës së Dytë Botërore?

Lubica Berishiq: Po.

Erëmirë Krasniqi: Si ka filluar jeta këtu pas luftës? A ju kanë folur për këtë? Si ka qenë?

Lubica Berishiq: Po. Flitej, mua babai më ka treguar si ka qenë e gjithë kjo dhe çfarë ka ngjarë gjatë luftës. Ai shkontë në Prishtinë, në atë vendin Matiçan. Ka qenë në ushtrime nëntë muaj, nëna ka mbetur vet, sa fëmijë i ka pasur atëherë, ‘45-tën një motër e kemi pasur. U lind pikërisht atëherë, është gjindur si ka mundur. Jeta ka qenë e vështirë atëherë po them, por pastaj kur e gjithë ajo ndodhi, rryma dhe kështu, pak ka përparuar.

Erëmirë Krasniqi: E çfarë ka bërë babai juaj në Matiçan?

Lubica Berishiq: Në ushtrime, si ushtar, po, po. Nëntë muaj.

Erëmirë Krasniqi: A ka folur për këtë pastaj?

Lubica Berishiq: Po, po. Ai na i ka treguar të gjitha këto…

Erëmirë Krasniqi: Çfarë ju ka treguar?

Lubica Berishiq: Si kanë pritur atje për mos dhashtë Zoti, bënin ushtrime dhe atë që…

Erëmirë Krasniqi: A ka luftuar ai?

Lubica Berishiq: Jo, jo, ka qenë në Shqipëri. Po, kanë qenë atëherë kur në Shqipëri ka qenë ashtu, ai na tregonte dhe e kanë pasur një frat tonin, prift. Dhe është dashur të qëndrojnë edhe pak atje, ai ju thotë, “Kur bëhet regjistrimi i ushtrisë, ju lajmërohuni si shqiptarë dhe pastaj”. Dhe kanë qenë, edhe bashkëshorti i hallës edhe shumë janjevas. Dhe thotë, ai ju ka bërë listën dhe menjëherë i kanë lëshuar, e serbët ata ende kanë mbetur atje, kështu që shkonin në këmbë, pa ushqim, pa… atëherë…

Anita Susuri: A ka qenë ai frat Serafini? Cili?

Lubica Berishiq: Jo, frat Pal Doda. Pal Doda, ashtu poshtë në Shqipëri [e kanë thirr], Pavlle, Pal.

Anita Susuri: E ju jeni fëmija i dytë me rend apo cili?

Lubica Berishiq: Jo, jo vëllau im në Zagreb u lind ‘34-tën pastaj motra ‘37-tën. Po. Unë jam e parafundit. Kështu.

Erëmirë Krasniqi: A mund të flisni pak më shumë për atë ditën e parë në shkollë? Ku ka qenë shkolla?

Lubica Berishiq: Shkollën e kemi këtu, kjo e para këtu ka qenë. Më dërgoi nëna, unë nuk e kam dashur aq shkollën, por kur kam filluar, nuk kam mundur asnjë ditë të mungoj, sikur do të më ik ndonjë gjë. E kam dashur, kam mësuar, kam qenë nxënëse e shkëlqyer për tetë vite. Por po them, as shkolla nuk ka pasur mjete që si sot, të shkojnë fëmijët nëpër shëtitje, të shkojnë, nuk kemi pasur ashtu. Por po them, kemi qenë të kënaqur dhe pas asaj shumë, shumë, shumë e kam dashur shkollën. Të mësoj, të, kështu…

Erëmirë Krasniqi: A ka pasur vajza në atë kohën kur keni shkuar ju në shkollë? Është fillimi i viteve të ‘50-ta.

Lubica Berishiq: Po kemi qenë edhe vajza edhe djem. Kemi qenë 30 në klasë. Kështu që, i kemi pasur dy klasë të para atëherë, pastaj nga katër. Kur kanë qenë nga 1200 nxënës, e shkolla ka qenë jo e pajisur, tani, tani ndoshta keni qenë në shkollë. Shkolla është shumë e bukur.

Anita Susuri: A keni shkuar ju në atë shkollën e vjetër, e cila ka qenë te kisha? A ka qenë ajo apo?

Lubica Berishiq: Unë kam shkuar këtu në shkollë por për shkak të mungesës së hapësirës, pastaj katër klasë kam shkuar atje.

Anita Susuri: Ku?

Lubica Berishiq: Atje po, andej ka qenë…

Anita Susuri: “Vlladimir Nazor”?

Lubica Berishiq: Po, po, në shkollë, në kishë. Atje kam qenë në klasën e katërt sepse, ashtu ka qenë.

Anita Susuri: A mund ta përshkruani më shumë atë shkollën, si është dukur?

Lubica Berishiq: Ne kemi…

Anita Susuri: Për shembull, si keni kaluar në atë shkollë?

Lubica Berishiq: Kemi pasur mësimdhënës, për dallim prej këtyre fshatrave. Mësimdhënës shumë të mirë nga Serbia, Vojvodina. Mësuesja ime ka qenë nga Sombori, kështu që kanë jetuar këtu, e jo udhëtojnë dhe kthehen duke u ngutur. Këtu kanë banuar mësimdhënësit dhe shumë të kuptueshëm dhe atëherë nuk kanë bërë kurrfarë probleme. Përndryshe, vetëm një mësimdhënës (qesh) filloi për fenë dhe këta kolegët e tjerë i thanë, “Prek në gjithçka por në fe jo”. Sepse ne gjithmonë kemi qenë të lidhur me kishën, prej fëmijërisë për shembull nëna na dërgonte në kishë, ajo të mbetet në shpirt. Dhe ashtu kemi…

Anita Susuri: Si kanë qenë ceremonitë, meshat të dielën? Çfarë kanë qenë?

Erëmirë Krasniqi: Ka qenë edhe një mundësi për juve të shoqëroheni?

Lubica Berishiq: Po, po, i kemi pasur, tri mesha. E kemi pasur meshën për të rinjtë në ora nëntë, pastaj në njëmbëdhjetë dhe në mbrëmje. Kemi pasur gjithmonë nga dy priftërinjë, tani është vetëm Don Mato. I kemi pasur murgeshat që kanë qenë aty në shërbim, ndihmonin. Tani gjithçka ka mbetur pa këto.

Anita Susuri: A janë veshur njerëzit veçantë kur kanë shkuar në meshë, ju dhe familja juaj?

Lubica Berishiq: Të dielën, po. Bëhesh gati, e din, shkonim në kishë kur ishin edhe festat poashtu, Krishtlindjet, Pashkët. Janjeva pas kësaj, kur kemi shkuar rinia dhe njerëzit e rritur, punonin edhe në Kroaci, Bosnje, Serbi dhe Maqedoni por për ato festat gjithmonë vinin në shtëpi. I kemi pasur kafenetë përplot dhe kishte këngë, të gjithë mblidheshin, lumturi. Kemi qenë shumë. Tani e shihni që nuk e kemi askënd as në shtëpi të hyj. Koha ka ndryshuar, njerëzit tonë janë shpërngulur të ‘90-tën, ‘92-tën dhe ‘95-tën edhe një herë. Kështu…

Erëmirë Krasniqi: Çka ka ende rreth asaj jetës, rreth kishës? A keni shkuar, a keni qenë anëtare e korit?

Lubica Berishiq: Kam qenë.

Erëmirë Krasniqi: A mundeni rreth kësaj?

Lubica Berishiq: Unë, duke filluar nga babai im, ai ka qenë anëtar i korit dhe ka qenë, atëherë disa evenimente, diçka përgaditej, ai ka qenë i kyçur në atë, në aktrim. Edhe nëna këndonte në kor, të gjithë kemi qenë këngëtarë. Unë shumë herë me këngëtarët, me kishën kam shkuar disa herë në Dubrovnik. Atje e kemi pasur garën Dani Nina[1] dhe kemi shkuar shumë me kishën. Kështu ndoshta nuk do të mund të shkoja, kur shkonim atje, e vizitonim domethënë Rijekën, Zarën, Splitin, të gjitha.

Erëmirë Krasniqi: Keni bërë gara me koret e tjera kishtare?

Lubica Berishiq: Po, kishtare. Në Zagreb, po.

Anita Susuri: A e keni fituar ndonjëherë vendin e parë apo?

Lubica Berishiq: Po, në Zagreb, po.

Anita Susuri: Kur ka qenë? Në cilin vit?

Lubica Berishiq: ‘90-të.

Erëmirë Krasniqi: E kur ka qenë hera juaj e parë që keni qenë jashtë Janjevës?

Anita Susuri: Që keni udhëtuar diku.

Lubica Berishiq: Hera e parë në Prizren, i kam pasur gjashtë vite, atëherë, e kemi pasur tezen në Bosnje, shkoja si e vogël me nënën.

Erëmirë Krasniqi: E kë e keni pasur në Prizren?

Lubica Berishiq: Në Prizren tezen gjithashtu. Nëna i ka pasur pesë motra.

Anita Susuri: Si keni shkuar deri atje? Çfarë transporti keni pasur?

Lubica Berishiq: Atëherë? Çfarë transporti ka qenë, ka qenë, treni. E pas kësaj tezja jonë është shpërngulur në Osijek. Shkonim edhe në Osijek.

Anita Susuri: A ju është dukur interesant treni kur e keni parë për herë të parë?

Lubica Berishiq: Si jo. Kemi pasur edhe kushërinj në Ferizaj, pastaj shkonim prej Lipjanit ashtu njejtë, babai e ka pasur motrën, atje është martuar. Pastaj shkonim me tren atje.

Anita Susuri: Këtu në Janjevë, domethënë shumica e familjeve kanë qenë të mëdha.

Lubica Berishiq: Po.

Anita Susuri: A mund të na flisni pak më shumë për familjen tuaj, shtëpinë tuaj, si i kujtoni ju të gjitha këto?

Lubica Berishiq: Po, gjyshi im që atëherë ka qenë në Amerikë, dhe në Bullgari për të punuar. Por ai fatkeqësisht në moshën 45 vjeçare është vrarë, kur në vreshtën tonë kanë ardhur serbët dhe pa arsye e kanë vrarë gjyshin tim. Babain e kam pasur të plagosur, me 17 vjet, atëherë as mjekët nuk kanë pasur në shtëpi infuzion, as… ai, gjyshi ka qenë i plagosur dhe deri sa e kanë sjellë në shtëpi, ai ka vdekur. Pastaj kemi pasur këtu kushërinjë, atë e kemi vendosur atje. Babai as që e ka ditur që ka vdekur [gjyshi], tek ne kur është varrimi, shkojnë deri te varret dhe këndojnë. Ata e kanë ndërprerë atë [këngën] që të mos dëgjoj ai sepse ka qenë shumë vështirë, gjithmonë kujdeseshin se si… Por ja, krahas asaj kurrë nuk i kemi urrejtur ata njerëz, nuk janë të gjithë të njejtë me ata që e kanë bërë këtë, kanë ardhur në vreshta dhe pa kurrfarë arsye ‘ajt gjuaj.

Anita Susuri: Në cilin vit është kjo?

Lubica Berishiq: Paj…

Erëmirë Krasniqi: A jeni lindur ju?

Anita Susuri: Jo, babai i saj i ka pasur 17 vjet.

Lubica Berishiq: Jo, jo babai as që është martuar, 17 vjet.

Anita Susuri: Kjo ka qenë ndoshta në vitet e ‘30-ta.

Lubica Berishiq: Po, po, e kemi përmendoren. Disi të gjitha janë…

Anita Susuri: Mirë, nëse nuk ju kujtohet mund të…

 

Erëmirë Krasniqi: A mundeni pak rreth kësaj, të na flisni rreth këtij zakoni që këndohet kur shkohet në varreza?

Lubica Berishiq: Po, po, rrugës prifti ynë, tani është Mato, ai këndon. Pastaj edhe njerëzit njejtë deri te varrezat, lart luten dhe pastaj…

Erëmirë Krasniqi: Si janë, ato janë këngë sakrale?

Lubica Berishiq: Po, po, kishtare.

Anita Susuri: A mundeni pak më detajisht të flisni për familjen tuaj, për shembull ju kur keni qenë e vogël, çfarë ka bërë nëna juaj, me çka është marr ajo?

Lubica Berishiq: Nëna jonë në atë kohë ka punuar me vegë. Në mënyrë që të kontriboj diçka e nuk ka qenë si sot, ka larë në dorë, jo me makinë, kemi qenë shumë fëmijë dhe nuk ka pasur si të merret me diçka tjetër. Me këto është marr dhe diçka ka mundur edhe të shes atëherë.

Anita Susuri: Çfarë punime ka bërë më shumë?

Lubica Berishiq: Më shumë i ka bërë këto përparëset, boshqet që i kanë bartur, e kemi edhe sot një jastek që ajo e ka punuar me vegë, lart e ruajmë në dhomë. Ndoshta do të dëshironit ta fotografoni, do t’ua tregoj. Atë e ka punuar ajo dhe kështu.

Anita Susuri: Për punën me vegë po flisni?

Lubica Berishiq: Po, nëna i ka punuar këto dhe tjetër nuk ka pasur çfarë të punoj atëherë.

Anita Susuri: Po ato veshjet ajo a i ka punuar me vegë apo?

Lubica Berishiq: Dhe i ka shitur.

Anita Susuri: I ka shitur.

Lubica Berishiq: Por vetëm kur ka qenë edhe e fejuar, atëherë të gjitha i ka përgaditur. Nuk ka pasur për të blerë atë-këtë. Atëherë të gjitha i përgadisnin ato, kanë qenë kohë tjera, ajo ka qenë gjatë e fejuar, tri vite. Dhe atëherë i ka përgaditur, ajo ka qenë prej familjes pak më të pasur por megjithatë, është martuar këtu dhe e ka pranuar edhe këtë jetë pak më të vështirë. Kështu që…

Erëmirë Krasniqi: A ka qenë edhe ajo nga Janjeva, nëna juaj?

Lubica Berishiq: Po, po.

Erëmirë Krasniqi: Çfarë familje ka pasur ajo?

Anita Susuri: Mbiemri?

Lubica Berishiq: Palliq.

Erëmirë Krasniqi: A prej Palliqëve?

Lubica Berishiq: Po.

Anita Susuri: A kanë qenë gra të caktuara që i kanë punuar këto veshje apo të gjitha gratë nga pak?

Lubica Berishiq: Po të gjitha kanë ditur, të gjitha, në atë mënyrë janë përgaditur për martesë, përndryshe asgjë tjetër nuk ke pasur për të blerë. Tani, ndryshe prej atëherë bash…

Anita Susuri: A e ka bartur nëna juaj veshjen [tradicionale]?

Lubica Berishiq: E ka bartur, po.

Anita Susuri: A mund të na e përshkruani atë?

Lubica Berishiq: Po, ajo ka bartur, i ka bartur dimijat, përparësen, boshqen, nuk e di si, pastaj lart atë, ashtu i kemi thënë ne, tani nuk e di, mintan[2], pastaj këmishën përfundi. E kur ka qenë pak më e moshuar, atëhere e kanë veshur prej materialit atë xhamadanin[3], ashtu i thonim. Dhe ato i ka bartur ajo, edhe nusja i ka bartur kur është martuar për vëllaun. Pastaj ka qenë në vizitë në Osijek dhe në Bosnje, pastaj atje i ka veshur fustanet dhe këtu nuk i ka veshur më [veshjet tradicionale]. Motra gjithashtu kur është martuar në Janjevë edhe ata kanë kërkuar që ajo të vesh veshje tradicionale, i ka bartur një kohë dhe kështu. I kanë bartur këtu gratë kurse tani fatkeqësisht nuk ka asnjë.

Anita Susuri: Deri në cilin vit i kanë bartur ato veshjet?

Lubica Berishiq: Po ndoshta ka dhjetë vite që nuk i ka më askush, sepse gratë kanë shkuar, disa kanë vdekur dhe më gjenerata e re nuk i vesh.

Anita Susuri: A i ke pasur edhe ti ato?

Lubica Berishiq: Unë dikur i veshja në dasma. Me të vërtetë ka qenë bukur ajo veshja solemne edhe në kishë kur vinim për Krishtlindje, prej lart ata, prej terace e shikojmë poshtë tubimin. Them, “Sa bukur, gratë të gjitha janë veshur”. Të gjitha njejtë në dasmë, të veshura me veshje të pasur, bukur është të shohësh. Veshjet i kemi pasur shumë të bukura.

Anita Susuri: I përmendët dasmat dhe si janë veshur gratë në atë veshjen speciale. A mund të flisni pak më shumë për dasma? Çfarë tradita keni pasur?

Lubica Berishiq: Po. Dasmat… Kemi pasur traditë, shkohet së pari në kishë, ata, normalisht në Komunë pastaj në kishë kurorëzohen dhe prej kishës nusja shkon në shtëpinë e saj te djali, ky që është kurorëzuar, në shtëpinë e tij. Pas drekës rreth orës tre shkon te nusja. Kështu ka qenë çdo të dielë e kemi pasur, shkonim për ta shikuar dasmën. Vallzonin në oborr dhe sa ka qenë Janjeva e madhe edhe nga katër dasma kanë qëlluar të dielën. E tani fatkeqësisht, unë nuk e mbaj mend kur ka pasur kurorëzim në Janjevë. Dhe ka qenë shumë… familja, shoqëria, bëhej muzikë nëpër rrugë. Janjeva e ngushtë, dëgjohej gjithçka, edhe këndimi dhe të gjitha, shumë bukur ka qenë. Vetëm të përmendet, tjetër nuk di.

Anita Susuri: Çfarë muzike ka qenë, a ka pasur këndim? A ka qenë vetëm ndonjë grup që…?

Lubica Berishiq: Ka qenë, po, ka qenë grupi. Kemi pasur, nga Prishtina vinte një rom me klarinet e prej këtu i kanë pasur kitaret dhe ato gjërat, harmonika gjithashtu. Vinin dhe bënin muzikë.

Erëmirë Krasniqi: Ato këngët tuaja, këngët janjevase?

Lubica Berishiq: E më herët… Po, janë disa janjevase, por më shumë maqedonase janë kënduar. Ato janë të mira për valle (qesh) dhe kështu. E sa ka qenë babai ynë, atëherë nuk kishte transport, ai na tregonte. Domethënë, duhet të bëhet dasma, në mbrëmje vinin muzikantët nga Prishtina në këmbë, nuk ka pasur transport. Dhe atëherë thotë të shtunën vinin sepse është dashur të flenin në mënyrë që në mëngjes të jenë aty. Thotë, “Dëgjojmë muzikën”, ata menjëherë në kodër, në Gllamë ata bëjnë muzikë dhe thotë, “Dihet, kanë ardhur muzikantët” dhe kështu.

Anita Susuri: E keni përmendur edhe Gllamën, atje domethënë kanë qenë disa festa. Si ka qenë ajo?

Lubica Berishiq: A Shëngjergji. Shumë bukur ka qenë, më 23 prill. E kemi pasur atë ditën, te ne është quajtur rifana[4] një natë para Shëngjergjit është, aty mblidhet shoqëria kush dëshiron diçka në shtëpi por më shumë në Gllamë ka qenë. E ngrehin tendën dhe aty përgatisin, e ndezin zjarrin, pjekin qingja, dele, kush çka dëshiron, pije, këndim dhe nëse, por ke mundur edhe të shkosh diçka të vjedhësh (qesh). Vetëm se mendoj, nuk ka qenë kjo pastaj është bërë shprehi edhe kështu të marrësh por prej ushqimit që është përgatitur, kush mundet vjedh e han dhe përfundoj puna. Dhe këtë traditë e kemi pasur, si fore diçka të përmendet por shumë ka qenë… gjithë natën.

Erëmirë Krasniqi: Kjo ka qenë çdo vit?

Lubica Berishiq: Çdo vit. Gjithë natën këndohej deri në mëngjes, dikush po them në shtëpi. Pastaj i vendosnin ato hulajat, në kulm, tani i kemi olluqet nuk bën. Ashtu {tregon jashtë} në atë shtyllën e drurit dhe e vendosin litarin e lidhin, jastëkun dhe luhatet gjithë natën. Kështu, fshati si fshat i ka pasur zakonet e veta, kështu që…

Anita Susuri: A i kanë bërë këto më shumë të rinjtë apo ka pasur edhe të tjerë?

Lubica Berishiq: Ka pasur edhe të tjerë por më shumë kanë qenë të rinjtë. Të tjerët nuk kanë dalur në Gllama por ashtu nëpër shtëpi.

Erëmirë Krasniqi: Ju keni thënë që ju ka pëlqyer të shkoni në shkollë shumë. Kur ka ardhur koha për të mesmen, ku keni shkuar? Si ka qenë, çfarë tranzicioni ka qenë për juve?

Lubica Berishiq: Unë kam filluar, unë e kam filluar shkollën në Ferizaj, e kam fituar bursën dhe atje kam shkuar në shkollë. Nga Lipjani.

Erëmirë Krasniqi: Në cilin vit? Pse atje?

Lubica Berishiq: ‘60-‘62 atje ka qenë shkolla.

Erëmirë Krasniqi: Në gjuhën serbe? Në shkollën ekonomike, apo jo?

Lubica Berishiq: Mhm.

Erëmirë Krasniqi: Si ka qenë Ferizaji për juve? Apo keni jetuar vetëm në Janjevë?

Lubica Berishiq: E kam pasur banesën, e kam pritur vëllaun një vit në mënyrë që të shkoja me të dhe e kemi marrë banesën private. E kam pasur tezakun atje, kemi pasur njëfarë mbrojtje dhe kështu, shkonim te ata shpesh për drekë, të dielën më shumë. Dhe ka qenë bukur.

Erëmirë Krasniqi: Si ka qenë Ferizaji në atë kohë? A po ndërtohej, çfarë qyteti ka qenë?

Lubica Berishiq: Po ka qenë qytet i mirë, për atë kohë, vetëm ka qenë ashtu, Prishtina ka qenë gjithmonë më e zhvilluar por ke mundur të jetosh mirë, po, ke pasur çdo gjë të blesh e përballueshme për të gjithë dhe kështu. I mirë është.

Anita Susuri: A e ka vazhduar shkollën edhe ndonjëra prej shoqeve tuaja apo vetëm ju?

Lubica Berishiq: Meshkujt shkonin, këto femrat jo.

Anita Susuri: A ka qenë e çuditshme që juve ju kanë dërguar në shkollë, në atë kohë atëherë?

Lubica Berishiq: Jo, motra ime para meje ka shkuar diku atje në Beograd, në Pançevë në shkollë. Ka shkuar në Bosnje me burrin e tezës atje dhe babai e ka dërguar në mënyrë që të shkoj në Bosnje por pasi që nuk ka pasur mjete, atëherë e ka fituar bursën në Prishtinë dhe atje e ka përfunduar. E ato kanë qenë vetëm femra, 30 në shkollë, ka thënë që vetëm një profesor e kanë pasur këto të tjerat, edhe mësimdhënëset edhe drejtoresha, të gjitha kanë qenë gra. Kështu që, ajo e ka përfunduar atëherë, dhe para meje ka pasur që, vajza prej këtu që e kanë përfunduar shkollën para meje.

Anita Susuri: A ka pasur ndonjë paragjykim për gratë, vajzat që e kanë vazhduar [shkollimin]?

Lubica Berishiq: Po ka qenë pak, për këtë botë të vogël jo të zakonshme, por…

Anita Susuri: Për shembull çka, çfarë kanë bërë?

Lubica Berishiq: Çka ju duhet vajzave, do të martohet (qesh) ja kështu.

Anita Susuri: Domethënë ju sa vite keni qenë në Ferizaj?

Lubica Berishiq: Katër.

Anita Susuri: A keni ardhur për fundjavë?

Lubica Berishiq: Po, po, pastaj ka qenë autobusi, vija në shtëpi me autobus. Kemi pasur në mëngjes prej Janjevës dhe pasdite prej Ferizajit për Janjevë, kështu që kam mundur të vij. E atëherë edhe të shtunën shkohej në shkollë.

Erëmirë Krasniqi: E kur jeni kyçur në punëtorinë familjare?

Lubica Berishiq: Në punëtorinë familjare prej fëmijërisë. Po.

Erëmirë Krasniqi: Sa vjet i keni pasur?

Lubica Berishiq: Kam punuar, kur e kam përfunduar klasën e tetë, kam filluar të punoj por pastaj në shkollë. Familja ime ka punuar në shtëpi, nëna shkonte te motra në Osijek, kështu që na ka sjellë disa, i punonim disa kukulla prej sfungjerit, i punonim ato rrjetat i thurnim, plastikën e përpunonim por tani nuk na kujtohet se si e kemi bërë këtë. Blenim në “Jugoplastika[5]” në Prishtinë atë materialin dhe e bënim rrjetën, pastaj thash që e kemi përpunuar edhe plastikën që e kanë bërë njerëzit e tjerë. Pastaj jemi kyçur në prodhimin tonë dhe kemi punuar, dhe ka qenë mirë.

Anita Susuri: A e keni pasur hapsirën e veçantë në shtëpi ku keni punuar?

Lubica Berishiq: Jo, këtu kemi punuar në dhomë, ajo makina ka qenë këtu përpara.

Erëmirë Krasniqi: E familja juaj a shkonte, dikush prej juve a shkonte në Kroaci të punonte gjatë verës?

Lubica Berishiq: Jo, jo. Babai punonte në Maqedoni, e vëllau një kohë ka qenë në Bosnje sepse atje e kemi pasur tezën prandaj ai ka qenë i njoftuar ku, çfarë të bëj dhe kështu. Atje nuk ka qenë bash…

Anita Susuri: Kur keni filluar ju të punoni?

Lubica Berishiq: Ku? Te “Metaliku”?

Anita Susuri: Së pari pastaj…

Lubica Berishiq: Kam pritur gjatë, deri ‘84-tën.

Erëmirë Krasniqi: Si ka ardhur deri te ajo që keni…

Lubica Berishiq: Paj ju nevojitej një punëtore, unë u lajmërova në konkurs, motra ime punonte atje por për dallim prej të tjerëve, nuk ka kërkuar lidhje, asgjë unë vet jam gjindur e ajo vetëm ka heshtur. Më kanë pranuar dhe ashtu kam punuar, por kam pritur gjatë.

Erëmirë Krasniqi: Çka keni punuar?

Lubica Berishiq: Afariste, administratore e faturave.

Erëmirë Krasniqi: E keni përmendur që keni punuar 15 vite. Si ka qenë në “Metaliku” ato vite?

Lubica Berishiq: Po, në “Metaliku” ka qenë shumë bukur. Ne çdo mëngjes mblidheshim më shumë në një zyre që ka qenë e madhe, aty kanë qenë shqiptarët, një serbe. Shkonim ne, motra ime prej kontabilitetit, kemi pasur edhe romë dhe të gjithë. Pastaj pijmë kafe, bëjmë shaka, bisedojmë dhe pastaj secili në punë të vet. Kurrë asgjë nuk kemi shikuar me të vërtetë por pastaj si ka ardhur…

Anita Susuri: E çka kanë prodhuar?

Erëmirë Krasniqi: A mund të na flisni më shumë rreth kësaj?

Anita Susuri: Rreth punës së tyre, prodhimit?

Lubica Berishiq: Po, po, tek ne në “Metaliku”, kemi pasur përpunimin e aluminit dhe bravat. Domethënë, ato janë, ato shandanët, tenxheret, bravat, këto janë. Pastaj më vonë pak më shumë është zhvilluar “Metaliku”, kemi pasur kurorën e tapës, ashtu janë quajtur ato kapakët e shisheve. Ka qenë punë shumë fitimprurëse dhe ke fituar mirë prej saj. E kemi pasur drejtor Dedin, ai ka qenë shumë i shkathët, pastaj e kanë ndërtuar një fabrikë në Skenderaj, për përpunimin e plastikës, ja kjo tavolinë është prej atje. Edhe ajo fabrika ka punuar shumë mirë, pastaj kemi dëgjuar që dikush nga Serbia i ka blerë ato makinat, prodhimet dhe i ka marr në Serbi. Kështu që, Skenderaji më nuk ishte. Kemi qenë 1200 punëtorë bashkë me Skenderajin.

Anita Susuri: Çfarë domethënje ka pasur “Metaliku” për janjevasit?

Lubica Berishiq: Po, po. Të tonët  e kanë themeluar “Metalikun”, për shembull edhe babai im kur u hap “Metaliku”, vet i kanë futur mjetet e veta dhe janë gjindur, kanë filluar me pak. Kështu që, “Metaliku” pastaj është formuar…

Erëmirë Krasniqi: Pastaj e ka marr atë shteti apo?

Lubica Berishiq: Jo, është privatizuar tani.

Erëmirë Krasniqi: Jo, po mendoj pas të ‘90-tave.

Lubica Berishiq: Aha, po, po, po. Po, domethënë atëherë “Metaliku” është themeluar ‘47-tën.


[1] Festival i këngës.

[2] Xhaketë orientale e qëndisur, me mëngë të gjata.

[3] Pjesë e sipërme e veshjes tradicionale orientale, e cila punohet prej leshit. Mund të jetë me mëngë të shkurtra ose pa mëngë.

[4] Argëtim, ndejë.

[5]Jugoplastika ka qenë kompani kroate, selia e së cilës ishte në qytetin e Splitit. Jugoplastika ka pasur të punësuar rreth 13,000 punëtorë, në 180 dyqane nëpër Jugosllavi dhe ka prodhuar mbi 3,200 produkte të ndryshme të plastikës.

Pjesa e Dytë

Anita Susuri: A i keni shitur ato ndonjëherë në treg diku apo vetëm ju keni dhënë atyre që kanë blerë në Janjevë?

Lubica Berishiq: Po, ato prodhime i kemi shitur këtu në Janjevë, nuk shkonim askund, e më herët babai shkonte në Maqedoni, po. I kanë pasur ato prodhimet e plastikës këtu, pastaj bizhuteria dhe ato.

Erëmirë Krasniqi: E keni pasur tregun këtu çdo të premte, apo jo?

Lubica Berishiq: Po, treg shumë të madh.

Anita Susuri: Si ka qenë? Na tregoni pak për këtë.

Lubica Berishiq: Tregu, mund t’ju them me të gjithë që flas, “Ne në Janjevë i sillnim të gjitha dhe të gjitha i shisnim”. Edhe në Lipjan kur shkojmë tani në treg nga Janjeva, “Ah si kemi punuar atje”. Edhe këta serbët, ata gjithashtu sillnin çdo mëngjes qumësht dhe vinin në treg. Edhe ata thonë, “A shtëpi e kemi pasur këtë Janjevën, ka qenë bukur kur vinim”. Unë them, “Ejani edhe tani”. Nuk vijnë, vetëm një grua dhe dy meshkuj vijnë në treg.

Erëmirë Krasniqi: Përse?

Lubica Berishiq: Janë frikësuar atëherë kur ka qenë dhe…

Erëmirë Krasniqi: Por në, kur keni qenë ju e re, tregu ka qenë përplot me njerëz prej rrethit, apo jo?

Lubica Berishiq: Po, po, vinin.

Erëmirë Krasniqi: Dhe të gjithë i sillnin gjërat e veta?

Lubica Berishiq: Prodhimet e veta, po.

Anita Susuri: Janjeva ka pasur mjaft prodhim, por çdo gjë që është sjellë këtu është shitur. Çfarë kanë sjellë ata, çka i është nevojitur Janjevës?

Lubica Berishiq: Janjevës i është nevojitur qumështi, pemët, perimet, ato i kanë shitur, pasuli, të gjitha që nevojiten.

Erëmirë Krasniqi: Ju këtu nuk i keni prodhuar ato?

Lubica Berishiq: Jo, tek ne nuk ka kopshte, nuk ka, shumë dobët, nuk ka. I tillë është vendi edhe ujë nuk ka pasur kurrë. Prandaj, kemi hequr keq për këto edhe sot e kësaj dite.

Anita Susuri: Unë kam dëgjuar që ka pasur mjaft lloje të pemëve në Janjevë. Kur ka qenë kështu?

Lubica Berishiq: Pemë ka pasur po them, deri sa, deri sa janë marr me bujqësi edhe ne kemi pasur vreshta shumë gjatë. I kemi pasur të gjitha pemët por ka pasur edhe njerëz që nuk kanë pasur vreshta prandaj shiteshin ato që vinin.

Anita Susuri: Ju nuk jeni martuar?

Lubica Berishiq: Jo.

Anita Susuri: Përse?

Lubica Berishiq: Ndoshta pak kam zgjedhur dhe kështu (qesh).

Anita Susuri: Mos ka qenë ndoshta problem shkollimi?

Lubica Berishiq: Jo, jo. Jo, nuk ka penguar asgjë ajo. Vetëm se unë kam zgjedhur dhe nuk e kam kuptuar që më ka kaluar gjenerata dhe u bë çka u bë.

Erëmirë Krasniqi: Ju i keni pasur disa festa dhe njëra prej tyre ka qenë edhe maskenballi, mashkare[1]. A mund të na flisni për këto?

Lubica Berishiq: Unë çdo vit jam veshur në ato, ajo ka qenë veshje këndej diku rreth Prizrenit, atë edhe e kam dashur më së shumti. Që kur kam qenë e vogël vinin këtu tek unë këta djemtë, më të mëdhenj, djelmoshat. “Hajde!” Më thonë dhe më marrin e më vendosnin në ato qerret. Shkonim nëpër Janjevë. Edhe, edhe sa kam qenë e vogël, unë pastaj edhe më tutje kam vazhduar të veshem. E gjithë Janjeva, nuk ka pasur shtëpi që nuk është përgaditur për atë ditë. Shumë bukur ka qenë, tani… nuk maskohet askush.

Anita Susuri: Si ka qenë?

Lubica Berishiq: Të gjithë vendosnin disa maska, disi visheshin. Femra në mashkull, e këta meshkujt visheshin në rroba të femrave. Por grimi ashtu, kur paraqitej dikush nuk mund ta njihje. Sa më shumë grim dhe veshje të rrobave të ndryshme…

Anita Susuri: E ju jeni veshur vetëm me veshje tradicionale apo keni pasur ndonjë maskë?

Lubica Berishiq: Jo, maskë jo. Grim dhe në kokë ato shamitë e tyre atje.

Erëmirë Krasniqi: E pse pikërisht atë?

Lubica Berishiq: Kështu e kam dashur disi atë, i kam pasur në shtëpi prej nënës, mund t’i merrja prej saj që të mos kërkoj gjetiu dhe të sajat [i bartja].

Erëmirë Krasniqi: A keni fotografi?

Lubica Berishiq: Unë mendoj që i kam këtu. A dëshironi t’i shikoni fotografitë tani?

Erëmirë Krasniqi: Unë do t’i shikoj, e Anita do të flas me ju deri sa ju…

Lubica Berishiq: Aty ku e keni gishtin poshtë është nëna dhe babai {tregon kah fotografitë}.

Anita Susuri: Kur keni punuar ju në “Metaliku” si ka qenë atëherë? Domethënë a ka pasur, çfarë perspektive ju ka dhënë “Metaliku” njerëzve këtu?

Lubica Berishiq: Në fillim njerëzit kanë mundur t’i ndërtojnë edhe shtëpiat me atë [punë]. Këndej njëra nga fqinjet, bashkëshorti i punonte, ka mundur, ka qenë ndryshe edhe pagat kanë qenë të mëdha dhe kështu. Ke mundur…

Anita Susuri: A keni pasur këtu në Janjevë, për shembull shqiptare apo shqiptar, turqi me të cilët keni pasur shoqëri? Si ka qenë atëherë?

Lubica Berishiq: Po a e dini çka, vëllau im është një vit pas meje, ata kanë pasur edhe shqiptarë edhe turqi kanë qenë bashkë në klasë. Kurse ne, romët gjithmonë me neve kanë shkuar, kështu që edhe sot e kësaj dite por përndryshe… Dikush që ka shkuar në atë shkollë, vetëm unë nuk kam pasur në klasë pastaj vëllau im pas një viti ju thashë {zhurmë prej jashtë}.

Anita Susuri: A mundeni edhe një herë, nuk ju dëgjova fare?

Lubica Berishiq: Nuk më dëgjove?

Anita Susuri: Për shkak të veturës, më falni.

Lubica Berishiq: Aha, po them vëllau im është një vit pas meje por ai ka pasur në klasë edhe fëmijë shqiptarë dhe disa kanë qenë edhe fëmijë turq. E unë në klasë nuk kam pasur ashtu. Pastaj më vonë janë regjistruar si kanë dashur. Kemi pasur, shumë ka qenë bukur edhe mësimdhënës të kombësisë shqiptare. Këtu kemi shkuar në shkollën e vjetër, askush nuk i ka shikuar këto pasi që mësimdhënësi ishte në detyrë. Nëse ti gabon, atëherë pak kanë mundur edhe (qesh) ndryshe prej tash. Nuk ka pasur aty a të ka goditur mësimdhënësi i kombësisë shqiptare, apo serbe dhe kështu. Asgjë nuk është…

Anita Susuri: Dhe të ‘90-tave këtu domethënë situata ka filluar pak të ndryshoj në Janjevë. Si kanë qenë ato vite për juve? Për ty, për shembull.

Lubica Berishiq: Për neve ‘92-ta [ka qenë] shumë e vështirë. Çdo, çdo mëngjes shkonim te “Metaliku”, e sheh se si nga katër kamiona po shpërngulen, po i ngarkojnë njerëzit dhe themi, “Çka do të ndodh me neve?” Kjo është, vjen përshëndetet familja, miqtë. Vëllau gjithashtu na ka shkuar ‘92-tën. Dhe më shumë ju vinin, e shihni familjet kanë qenë me shumë fëmijë dhe vinin ftesat, kur filloi ajo, vinin ftesat për ushtri. Dhe fëmijët e shkretë, çfarë të bëjnë, përmes Maqedonisë deri sa i fiton letrat prej Kroacisë, shkonin. Motra ime kurrë më as që ka ardhur, 27 vite dhe kështu.

Anita Susuri: Kemi folur për vitet e ‘90-ta dhe shkuarjen e kroatëve janjevas.

Lubica Berishiq: Po.

Anita Susuri: Kjo ka qenë domethënë, si e keni përjetuar ju këtë?

Lubica Berishiq: Po them, shumë vështirë. Kemi shkuar në mëngjes në punë, e shikon nga katër kamiona, pesë, po ngarkohen, po shkojnë për Kroaci, ne mendojmë çka do të ndodh tani me neve, kinse ja që kemi mbetur këtu. Kanë shkuar miqtë, familja, vinin përshëndeteshin. Nëna ime thoshte, “Kuku edhe sa unë kështu do t’i përcjell?” Vëllau ka shkuar ‘92-tën në gusht, pastaj ajo ka vdekur në muajin e dhjetë. Nuk ka mundur më të duroj ashtu. Të gjithë, vetëm një motër e kemi këtu, prej familjes askend.

Anita Susuri: Me kë jetoni sot?

Lubica Berishiq: Këtu? Me vëllaun.

Anita Susuri: Vetëm ju dhe vëllau keni marr vendim të qëndroni, përse?

Lubica Berishiq: Paj atëherë nuk kemi pasur mundësi ta blejmë shtëpinë e as tani. Dhe nuk na shkohej të jetojmë me qera. Babai dhe nëna kanë qenë ende të gjallë ‘92-tën, ju tregova që nëna ka vdekur, babai ‘94-tën dhe kështu.

Anita Susuri: Ne kemi dëgjuar që këtu ka qenë edhe Shesheli në vitet e ‘90-ta.

Lubica Berishiq: Po, po.

Anita Susuri: Si ka qenë atëherë?

Lubica Berishiq: Vetëm ne nuk e kemi ditur që po vjen, njerëzit janë frikësuar, fshehnin nga njëri-tjetri vetëm kur thoshin, “Ka qenë Shesheli”. Ka qenë, dihet kush është Shesheli (qesh) dhe përse duhet të frikësohemi prej tij.

Anita Susuri: Ju nuk keni qenë këtu kur ka ardhur ai?

Lubica Berishiq: Nuk e kemi ditur. Ne kemi qenë në shtëpi, por nuk e kemi ditur që po vjen. Atje ai në qendër.

Erëmirë Krasniqi: A ka pasur panikë apo?

Lubica Berishiq: Po them, njerëzit janë frikësuar dhe kanë shkuar te njëri-tjetri, në mënyrë që të jeni bashkë në shtëpi po them që nuk e kemi ditur.

Erëmirë Krasniqi: E me çka është folur?

Anita Susuri: Për çka është folur?

Lubica Berishiq: Jo, ai ka shkuar në polici dhe është shëtitur atje deri te varrezat dhe teposhtë dhe ka shkuar.

Anita Susuri: Çfarë kanë folur njerëzit për shembull që do të bëhet diçka apo çka kanë menduar ata rreth kësaj?

Lubica Berishiq: Janë frikësuar, se çfarë do të bën ai, por mirë që nuk ka bërë asgjë.

Anita Susuri: Në vitet e ‘90-ta edhe shqiptarët domethënë e kanë lëshuar punën në “Metaliku”. Si ka qenë atëherë?

Lubica Berishiq: Si ka qenë…

Anita Susuri: Si ka ardhur deri te kjo dhe si jeni ndjerë ju?

Lubica Berishiq: Ata kanë ardhur për shembull për ta përzënë për shembull këtë shefin, drejtorin, atë. Dhe të gjithë punëtorët kanë shkuar pas tyre dhe kështu. Ne kemi mbetur aty edhe pak dhe e kemi lënë. Mirë me të vërtetë ka pasur mirëkuptim me të vërtetë mirë.

Erëmirë Krasniqi: A mund të na tregoni si ka vazhduar puna atëherë te “Metaliku”?

Lubica Berishiq: Puna, çka është punuar në“Metaliku”?

Erëmirë Krasniqi: A ka ndikuar situata politike në punën e “Metalikut”? Sepse ka pasur edhe lufta në Jugosllavi.

Anita Susuri: A ka ndryshuar diçka?

Lubica Berishiq: Jo, atëherë asgjë nuk ka pasur. Pastaj vetëm kanë ardhur t’i përzënë këta drejtora dhe punëtorët kanë shkuar pas tyre.

Erëmirë Krasniqi: E prodhimi, a ka ndikuar edhe në prodhim apo?

Anita Susuri: A është ndaluar prodhimi?

Lubica Berishiq: Pas kësaj? Si jo, si.

Anita Susuri: A ka ndikuar edhe lufta, të gjitha luftërat që kanë qenë atëherë nëpër Jugosllavi, a ka ndikuar në prodhim dhe në atë që është, domethënë nëpër Jugosllavi…

Lubica Berishiq: Po ka ndikuar ajo, kur është ndarë Sllovenia dhe Kroacia. I merrnim lëndët e para nga Sllovenia, e di acidet, punonin punëtorët me galvanizim. Thotë, “Au, derdh, derdh, kursesi nuk mund të arrish që ta bësh mirë. Sepse nga Sllovenia merrej, pastaj Serbia ka filluar ashtu të prodhoj, si jo. Gjithçka është ngushtuar, edhe lëndët e para.

Erëmirë Krasniqi: Dhe kur është mbyllur “Metaliku”?

Lubica Berishiq: Kur kanë filluar bombardimet ‘99-tën.

Erëmirë Krasniqi: Deri atëherë? Dhe si ka ardhur deri te ai vendim? E di që për shkak të bombardimeve, si ju është komunikuar?

Anita Susuri: Si ju kanë thënë juve që nuk do të punoni më?

Lubica Berishiq: “Kanë filluar bombardimet, shkoni në shtëpi për shkak të sigurisë” dhe ka mbetur ashtu.

Anita Susuri: Më kurrë nuk jeni kthyer?

Lubica Berishiq: Jo.

Anita Susuri: A është folur që diçka prapë do të hapet atëherë në atë kohë? Çka keni menduar ju, për shembull çka do të ndodh?

Lubica Berishiq: Po them, unë kam menduar do të jetë vetëm një vit, do të punoj në shkollë dhe do të kthehem por kurrë më asgjë nuk është bërë. Askush as nuk na ka ftuar, as ata nuk kanë punuar, ka mbetur ashtu.

Erëmirë Krasniqi: A mund të na flisni më me detaje, nëse bën. Si ka filluar jeta pas luftës, 2000-tën? Si jeni kyçur me punën në shkollë, të gjitha që na i keni thënë privatisht nëse mundeni edhe para kamerës?

Lubica Berishiq: Atëherë kështu, unë kam mbetur pa punë sikur të gjithë ne që kemi punuar te “Metaliku”. Shkolla nuk ka punuar deri në vitin 2000 në gjysmë vjetorin e dytë kemi filluar të punojmë, kërkonin, vendasit kërkonin të jenë vetëm kroatët nga Janjeva dhe kështu që kemi filluar edhe pa profesionin që nuk e kemi pasur, kemi punuar. Unë dy, dy gjenerata i kam nxjerrë, prej të parës deri të katërtën dhe pastaj e kanë sjellë serben dhe kam mbetur pa punë. Por ju tregova që pa marr parasysh, unë e merrja pagën prej Lipjanit, Komunës së Lipjanit.

Erëmirë Krasniqi: E si ka qenë puna me fëmijë?

Lubica Berishiq: Interesante, ndryshe prej “Metalikut”, mirë, dhe ka pasur shoqëri aty kur takoheshim të gjithë edhe serbët edhe shqiptarët, më thonë, “Më nuk kthehet ajo”. Them, “Nuk kthehet, por prapë edhe me fëmijët është mirë të punohet”.

Anita Susuri: Më tregoni si ka ardhur Don Matej te ju dhe e ka kërkuar këtë prej juve e ju nuk keni dashur.

Lubica Berishiq: Po ka ardhur Don Mato për bekimin e shtëpisë, kjo është pas Vitit të Ri dhe thotë, “A dëshironi të punoni në shkollë?” Unë them, “Si të punoj? Unë nuk kam punuar aty, unë nuk di të punoj”. “Do të gjindesh, ju jeni njerëz të punës dhe do të gjindesh”. Kështu që, pak edhe me frikë, kam filluar të punoj 200-tën. Pastaj kam qenë edhe vet e kënaqur me punën time madje edhe nxënësit dhe prindërit, kanë qenë me mua, të kënaqur me punën time. Kanë punuar domethënë me mua edhe kroatët, pastaj prapë kanë ardhur njejtë ka qenë.

Erëmirë Krasniqi: Sa fëmijë kanë qenë atje?

Lubica Berishiq: Unë në klasë të parë i kam pasur 23, po, 2000-tën dhe më të rinj. Na e kanë pranuar gjithë vitin shkollor. Normalisht pak e shkurtuan, është dashur sa më shpejtë ta mësojmë materialin dhe të, na e kanë pranuar edhe fëmijëve edhe neve. Dhe kështu…

Anita Susuri: Çka ka qenë më e vështirë kur keni filluar të punoni si mësuese?

Lubica Berishiq: Më vështirë, kur kam hyrë ditën e parë, thashë, “Zot a do ja dal mbanë?” Po i shikoj ata fëmijët para meje. Thashë ky është themeli, si shtëpinë kur fillon ta ndërtosh por po them, shumë jam munduar dhe kam dashur të punoj dhe e kam pasur një, mësuese kroate në Nish dhe kështu që prej saj shumë gjëra… Ajo më thotë, “Hajde mos harxho në telefon, eja tek unë”. Dhe unë shkova, e mora motrën dhe shkova në Nish. Gruaja m’i dha disa materiale, m’i tregoj, më udhëzoj. Kam marr pjesë në orë mësimore atë ditë dhe kështu që me të vërtetë kam mundur të kem sukses në atë.

Anita Susuri: Sa vite keni punuar në shkollë?

Lubica Berishiq: Pastaj kam punuar edhe katër, domethënë tetë. Dy gjenerata pastaj edhe katër vite pa nxënës dhe pastaj edhe katër vite pa nxënës ashtu. Dhe kështu…

Erëmirë Krasniqi: Kur jeni pensionuar? I ka gjashtë-shtatë vite, apo jo? Sa vjet i ke ti?

Lubica Berishiq: 72.

Erëmirë Krasniqi: Domethënë qe shtatë vite keni dalur në pension.

Lubica Berishiq: Shtatë vite.

Erëmirë Krasniqi: E kur e keni mbajtur mësimin…

Anita Susuri: Kur e keni mbajtur mësimin.

Erëmirë Krasniqi: A e keni ruajtur të folurit janjevas apo, si ja keni… ?

Lubica Berishiq: Jo [të folurit] janjevas (qesh) jam munduar pak më shumë që fëmijët, siç është në libër, kështu që vetëm në gjuhën serbe. Punonim në “Metaliku”, drejtori im ka qenë nga Prishtina, Genti dhe më thotë, “Unë ju fajësoj shumë”. Them “Pse?” “Përse nuk flisni kroatisht”. I them, “Si drejtor? Të gjithë flasin aty ashtu”. Shkollat serbe dhe ato, nga? Tani e kemi televizionin kroat e mund të mësosh edhe më shumë e ashtu, po them ashtu është ajo. Nuk duhet, çfarë të bësh kur ashtu ka qenë.

Anita Susuri: Në shkollë keni mësuar me libra serbe?

Lubica Berishiq: Me [libra] serbe po. Edhe sot e kësaj dite.

Anita Susuri: Përse?

Lubica Berishiq: Nuk e di, ministria e Kosovës thotë, “Merrni librat e boshnjakëve”. Është dashur të mundohen, vëllau im kur ka filluar, edhe ai punonte në shkollë. Kur ka filluar të punoj, ka pasur teknikë dhe art figurativ. Është dashur nuk e di cilin vit ta fusin edhe gjuhën kroate, por këta nga Serbia nuk kanë dashur, as që i kanë treguar dikujt, që ka pasur të drejtë në dy orë mësimore në javë. Pas kësaj e kanë futur kroatishten, ia kanë ofruar vëllaut dhe vëllau im ka dhënë kroatisht. Unë jam munduar, vinin këtu për Shën Kolën nga Vojvodina dhe nga Subotica, unë jam njoftuar me atë që ka qenë president për kroatët, njëri ka qenë nga krahina e Vojvodinës. Dhe na kanë dhënë vizit-kartela dhe kur ka filluar vëllau im të punoj kroatisht, ai e ka pasur të lehtësuar falë Kroacisë. E ka mikun, ata i dërguan të gjitha por ai e ka vetëm në kroatisht këtë programin. E ai i ka pasur vetëm dy orë mësimore, unë i kam thirr në Suboticë, ata ia dërguan librat edhe planin dhe kështu u gjind edhe ai.

Anita Susuri: Ju keni punuar, shkolla e parë që ka qenë, “Vlladimir Nazor” pastaj keni kaluar këndej, kur ka qenë kjo? Pas luftës?

Lubica Berishiq: Po, tek ne është ende “Vlladimir Nazor” për serbët, programi serb e shkolla quhet “Janjeva”.

Anita Susuri: “Shtjefën Gjeçovi” quhet?

Lubica Berishiq: Po.

Anita Susuri: E ju ende e thërrisni “Vlladimir Nazor”?

Lubica Berishiq: Edhe njërën edhe tjetrën (qesh).

Anita Susuri: Nuk e kam ditur.

Lubica Berishiq: Me të vërtetë nuk ka, nuk e keni ditur.

Anita Susuri: A keni diçka edhe për fund të na tregoni, nëse diçka keni harruar? A dëshironi edhe diçka të shtoni?

Erëmirë Krasniqi: Diçka më shumë rreth historisë tuaj, historisë personale? Që neve nuk na ka rënë ndërmend të pyesim?

Anita Susuri: Për shembull, këtë nuk e kemi ditur (qesh), që shkolla i ka dy emra.

Lubica Berishiq: Po, po. Po ja, Kroacia është vend i bukur dhe të gjitha por këtu jemi mësuar dhe do të na vinte rëndë të shkonim nga këtu. Por të gjithë, edhe xhaxhai, edhe ata të xhaxhait, edhe tezja edhe familja saj edhe dajët të gjithë janë atje, por kemi mbetur të lidhur edhe në atë kohë po them, nuk kemi mundur ta blejmë shtëpinë, as tani. Kemi mbetur pak, kështu që…

Anita Susuri: A mund të na flisni diçka për Letnicën, edhe për atë peligrinazhin si thuhet?

Lubica Berishiq: Po, në Letnicë më 15 gusht shkohet në peligrinazh, Zonja e Madhe dhe me 8 shtator Zonja e Vogël. E tonët nga Janjeva shkonin para 26 dhe qëndronin atje, ku, i keni parë ato fotografitë ku kanë qëndruar atje. Dhe shkohej nëpër shtëpia, paguan për ato ditë dhe çdo mbrëmje në kishë, pasdite mblidheshim rreth zjarrit, këngë. Ndonjë ditë pjekin patate, ndonjë ditë ato kokoshkat, diçka përgaditet për tu ngrënë, këngë dhe kështu ka qenë. Dikur shkohej me qerre, nuk ka pasur vetura. Shkohej gjatë, nga dymbëdhjetë orë. E tani…

Erëmirë Krasniqi: A keni kënduar ju në kor?

Lubica Berishiq: Po. Po, ata në Letnicë, nuk e kanë pasur pikërisht korin. Një vit një prift janjevas na ka paguar dhomën për këngëtarët, ushqimin, shkonim për ta ngrënë në kishë. Kështu që, gjithmonë edhe kur vinim në shtëpi ata na sillnin dhurata, qingj, atë-këtë. Dhe ata na jepnin nga tri-katër qingja dhe lart në kodër kishim, shkonim, i merrnim saçat dhe të gjitha. Pastaj gjithë ditën piqnim dhe shoqëroheshim atje.

Erëmirë Krasniqi: Okej, ju falemnderit shumë.

Anita Susuri: Ju faleminderit shumë.


[1] Karneval që bëhet para Kreshmës. Në nder të festës, njerëzit maskoheshin në mënyra të ndryshme. Burrat visheshin si gratë, gratë sikur burrat. Por, poashtu ka pasur veshje të frikshme që merrnin trajtë të shtazëve të egra.

Download PDF