Murat Bejta

Prishtinë | Date: 18 maj 2016 | Duration: 158 minuta

[Tiranë, 1979] Ai përcjellësi apo shoqëruesi që ishte me mua, paraqitej pra si profesor i gjuhës shqipe. Por unë duke biseduar në rrethana të ndryshme fitova bindjen se ai nuk ishte profesor i gjuhës shqipe. […] Duke ngrënë mëngjes nji ditë, thashë se ky nuk osht’ profesor i gjuhës shqipe, nuk osht’. ‘Qysh p’e din Murat?’ ‘Po e di se duke biseduar me të, ai ka shprehur disa fjalë, disa mendime, disa botëkuptime që nuk përputhen me fjalën e tij se osht’ profesor i gjuhës shqipe’.

[…] Ah, po, m’kishte thanë se ishte jo i shqipës, por profesor i kimisë, jo i shqipës, por profesor i kimisë. ‘Më keni thanë se jeni profesor i kimisë, prandaj më lejoni t’iu bëj një pytje. A mund të bëj pytjen, ju lutem?’ ‘Po, po’.  ‘Edhe gjatë mësimit në shkollën e mesme, por edhe më tej në jetën time gjerë më sot, kom dëgjuar se karboni osht’ dy valent dhe sot e kësaj dite, nuk e di çka do të thotë dy valent, dhe pse dy valent?’ ‘Le profesor ato, le…’ Kanë plasur të gjithë në gaz kolegët (qeshë), edhe u bindën që çka ju thashë.


Jeta Rexha (Intervistuesja), Noar Sahiti (Kamera)

Murat Bejta ka lindur më 1936 në Zhiti, komuna e Podujevës. Ai studioi gjuhën frenge në Univerzitetin e Beogradit dhe Zagrebit dhe u punësua si profesor në katedrën e gjuhës frenge në Univerzitetin e Prishtinës. Më 1978, ai publikoi “Fjalor Frengjisht-Shqip”. Më 1992, pas përjashtimit të shqipëtarëve nga puna, Bejta ftohet të ligjëroj Leksikologji dhe Semantikë në Univerzitetin e Sorbonës në Francë, ku punoi deri në pensionim në 2005. Ai vdiq më 16 dhjetor 2022.

Murat Bejta

Pjesa e Parë

Murat Bejta: Unë kam lindur në pranverën e vitit 1936, në fshatin Zhiti, të komunës së Podujevës. Pra, në pikëpamjet e largësisë, fshati ynë është larg Podujevës 25 kilometra dhe arrin deri në kufi me Serbinë. Osht’ nji ndër fshatërat e fundit shqipëtar e kosovar që shtrihen deri tek kufiri me Serbinë. Përafërsisht, fshati ynë nja katër deri pesë kilometra i ka larg nga kufiri i Serbisë. Shtrihet në drejtimin e një vendi të quajtur në Serbi, pikërisht në kufi me Kosovën, vend ai që e kanë shfrytëzuar edhe romakët, xehet e atij vendi, sepse ato ndërlidhen me xehëroret e Trepçës. Dhe krahina me minierat e ndryshme, së pari me plumb, që shtrihen deri n’atë pjesë pra kalojnë edhe nëpër vendin tonë.

Dhe, siç e thashë edhe pak më parë, duke u mbështetur në vitin e lindjes, e kom përjetuar aty në moshën tetë apo nëntë vjeçare Luftën e Dytë Botërore. Dhe e kom ndëgjuar krismat e pushkëve dhe të topave në mes të shqiptarëve që mbronin tokën e vetë, dhe çetnikëve serbë që dëshironin të futeshin në fshatërat tona, pra edhe në fshatin tonë për të na vrarë, për të na rrëmbyer, për të na masakruar dhe unë gjersa isha duke ruajtur bagëtinë në livadhet tona që i thonë ‘konaku i keq’. I thomë ‘i keq’ sepsë osht’ ni shpat i ashpër shumë, por për fat del në një vend n’kryet të rrafshët, që osht’ rrafsh dhe prej atij rrafshi pra, shihet edhe kufiri. Përndryshe, kufiri nuk shihet kur jemi duke u ngjitur përpjetë për të arritur në rrafshin e ‘konakut të keq’. Jo fort larg në pyll, për fat, gjendet edhe një krua me burim të ujit që nuk ndalet as në verë, as në dimër. Dhe atë e kemi shfrytëzuar gjithmonë edhe ne si barinjë, por edhe punëtorët që kanë kositur livadhin edhe ata apo ato që e kanë mbledhur barin dhe e kanë punuar deri sa kanë ngritur në fund të ‘konakut të keq’, pra mullarin, pra që i thonë sanët, në fund, dhe për ta afruar pakëz fshatit për të shkuar në dimër, nëpër borë me sajë e me qejë dhe për të ngarkuar atë saje dhe për të sjellë në oborr, pra për të ushqyer kafshët.

Dhe ja, ndodhi edhe mbarimi i Luftës së Dytë Botërore në vjeshtën e vitit 1944. Në ato anë të Kosovës, kjo ka ndodhur në fillim të muajit tetor, deri përafërsisht me 22 apo 23 nëntori 1944.

Jeta Rexha: Ku ka qenë familja jujë në qat’ kohë?

Murat Bejta: Familja jonë n’atë kohë ka qenë në fshat. Dhe… në shtëpi gjetëm… arkën me miell me kapak të tretur dhe të larguar edhe të grisur madje me grurë dhe misër të derdhur nëpër oborr dhe nëpër skajet e arave nën shtëpi që ishte një shpat për të shkuar deri te Kroni i Keq. Dhe, i kishim rrokullisur edhe tinarët e specave turshi dhe landëve të tjera ushqyese, madje siç thashë, në oborr e kishin lanë pra edhe arkën e miellit edhe të drithit. Kishte edhe mjete shpërthyese, si bomba, kapsolla të ndryshëm që ishin të rrezikshme, dhe unë si fëmijë që isha ende, nuk isha mjaft i vetëdijshëm për rrezikun që na kanosej, por që mua më kanosej drejtpërsëdrejti.

Dhe një ditë kur isha duke e ruajtur bagëtinë në vendet ku ishin për kullosë, dhe në kodrat dhe në luginat përreth arave dhe shtëpive të fshatit, une e gjeta nji kapsollë, kapsollë që ishte përgjysmë e mbushur, edhe përgjysmë e zbrazët. Ata që merren me armë, e kuptojnë fort mirë këtë gjendje se çka do t’thotë. Gjatësia e kësaj kapsolle ishte përafërsisht dhjetë-njëmbëdhjetë centimetra. Dhe sipas pra teknikës ushtarake, kapsolla ishte e mbushur përgjysmë. Une e morra në dorë, duke luajtur me të dhe duke lëvizur gati tërë ditën, deri në afrim të mbrëmjes për t’u kthyer tek shtëpia me bagëti. Ishte ftoftë dihet, vjeshtë dhe… para luftës, nuk kishim mundur të korrim të gjitha arat, sidomos misrin sepse ne jemi detyruar të shpërngulemi nga fshati ashtu sikurse krejt krahina e Llapit, e Gollakut e krejt edhe… Kamenica, Gjilani deri te Ferizaji, dhe pjesa e Shalës së Bajgorës deri te Mitrovica. Të gjithë kemi qenë të detyruar të shpërngulemi dhe të ikim me bagëti, me vesha dhe me tesha, dhe me ushqim aq sa kemi arritur të marrim për të shpëtuar nga uria dhe nga vdekja. Gjithmonë të ndjekur me pushkë dhe armë të tjera nga partizanët dhe çetnikët serbë.

Arritëm të largohemi larg e larg, së pari deri në fshatin Bajgorë ku i kom pasur edhe i kom dajtë ende, sepse nana ime ka lindur në fshatin Bajgorë. Pastaj, të nesërmen u detyruam të ikim përsëri për të shpëtuar. Kaluam nëpër livadhet e fshatit Bare, kaluam nëpër Tërstenë, fshatëra këto të komunës së Vushtrrisë. Dhe nën Tërstenë shtrihet nji fshat kogja i madh që atëhere i kanë thonë Pasomë, po tani i thonë Sumë. Aty, në skaj të fshatit, në nji lëndinë të gjerë me mure të gjera të shtëpisë pothujse gati si kështjellë që turqisht i thonë edhe kala (buzëqeshë)… ishte familja e njohur kreshnike, shqiptare, jo vetëm e shalës t’Bajgorës, por edhe mbarë shqiptare, e Sherif Vocës, Adem Vocës, Hetem Vocës dhe familjes së tyre.

Ne u vendosëm n’atë shtëpi, por kishte edhe familje të tjera që u vendosën aty dhe nuk i zente të gjithë njerëzit që ishin grumbulluar brenda në shtëpi, nëpër dhoma apo nëpër kuzhina. Dhe, ne por edhe të tjerët një numër kogja i madh, detyroheshim të flenim në oborr mbi kashtë, të mbuluar deri diku me batanije, pa jastëk, nganjëherë edhe të shtrirë mbi barë në të ftohtë. Kështu kemi qëndruar jashtë fshatit dhe shtëpive tona derisa u futëm pra, u larguan forcat gjermane dhe italiane që ishin deri atëherë në Kosovë, dhe erdhën partizanët u futën gjithkund. Erdhën deri atje, u futën n’Vushtrri, në Mitrovicë, por së pari jonë futur në Podujevë, sepse Podujeva osht’ në kufi. Podujeva osht’ shumë afër kufirit të sotëm që i thonë Merdarë dhe ku jonë edhe zyret e ndërtesat, pra kufitare ndërmjet Serbisë dhe Kosovës. Ne kemi qëndruar gjashtë javë jashtë shtëpisë sonë sikurse edhe fqinjët tanë dhe të tjerët. Dhe, siç dihet historikisht, Mitrovica osht’ çliruar me 23 nëntor, 1944.

Po kthehemi tash në fshat ku ishim pak më parë. Dhe nga momenti kur po afrohej mbrëmja për të kthyer bagëtinë në shtëpi brenda në vathet tona, në ahurin tonë, në oborr madje. I lashë duke kullotur sepse ende nuk kishte arritur terri i mbrëmjes. Në kodrat e fshatit vërejta se fqinjët ishin duke korrur misrin në arën që kufizohej me arën tonë që shtrihej deri te kufiri i arës së tyre nja 150 metra nga dera e oborrit të shtëpisë tonë. Në mes të dy arave ishte edhe gardhi dhe në mes të gardhit ishte një pemë që i thonë qershi. Por fshatarët i thonë qurshi (buzëqeshë). Dhe unë pastaj më vonë duke u shkolluar dhe duke mësuar me gjuhën shqipe por edhe me gjuhët e huaja, mësova edhe saktësinë e gjuhës shqipe. U afrova aty, e kishin përr t’u ngrohur, sepse ata që e korrnin misrin, kishin ndezur zjarrin për t’u ngrohur sepse bënte ftohtë.

Ishte vajza e një fqinji, Hysë e ka pasur emrin (buzëqeshë). Dhe kur më vërejti djali i hallës t’madhe Refiqe nga fshati Kaqanoll, të cilët jetonin edhe ata në shtëpinë tonë, sepse shtëpinë e tyre në Kaqanoll e kishin djegur partizanët. Ai djaloshi që ishte pothuajse moshatar me mua, me emrin Ibish, erdhi nga oborri i shtëpisë dhe u afrue te unë pranë zjarrit. Unë provoja ta shpërtheja kapsollën nga kurreshtja fëmijërore. Pata një fat që n’momentin kur e shtriva pranë prushit për t’i fryer, nuk shpërtheu sepse atëhere do t’më lente pa sy. Po u ngrita në gjunjë, Ibishi pranë meje në anën e majtë, ai mbante disa krande me flakë. Po une e mbaja kapsollën në dorën e majtë. Nuk më përshtatej ana e majtë e tij dhe morra një krande me flakë në dorën time të djathtë dhe kështu këtu e afrova {tregon me duar} për dy-tre sekonda. Shpërtheu kapsolli dhe ja m’i morri dy gishtat {tregon dorën dhe gishtat që i mungojnë} këtu, dhe gjysmën e pelqikut të dorës së majtë dhe merr zvarrë mbeten këta dy gishtërinjë këtu {tregon dorën} dhe pikonin plot gjak që m’i ndotte rrobat dhe gjoksin.

Unë atëhere s’durova dot, duke ecur drejt dyerve të shtëpisë, Ibishi qante gjithënji sepse atë disa grimca e kishin goditur në maje të gishtërinjëve dhe pakëz në vetullat apo qerpikët e njërit sy. Edhe Hysën, një grimcë e vogël e kishte goditur në pjesën e sipërme të vetullës, por për fat kishte shpëtuar pa goditje në sy. Edhe unë kisha shpëtuar për fatin tim pa goditjen në sy, edhe për fat ja edhe sot i kam këta sy që po shikoj (qeshë)… dhe mund të lexoj.

Por gishtërinjtë m’pengonin ato që kishin mbetë vetëm lëkura zvarrë {Improvizon hudhjen e lëkurës}, i kapa me dorë të djathtë dhe i hodha përtoke para se t’futesha n’oborr të shtëpisë. Dhe, nuk e di mo, a i ka mbledhur nana apo motrat apo çfarë kanë bërë me ata gishtërinjë (qeshë). Dhe, më shtrinë në shtratin e dhomës tonë. Aty më mori nëna dhe për të larguar gjakun e teshave që ishin gjakosur tërësisht, pastaj edhe fytyra… të tërhiqte një këmishë të leshët që ajo e kishte thurrur me dorë të vetë. E i mori gërshërët dhe i preu prej këtu {tregon pjesën e sipërme të dorës} deri te gjoksi dhe fyti. I tërhoqi dhe n’këtë anë i largoi dhe më mbuloi me një jorgan. Pastaj, vazhdova ashtu dhe mjekimi që do t’thotë pra, shërimi, deri diku për të mundur ta përdori këtë dorë ka zgjatur një vit, një vit e gjysmë. Pra me termin që thuhet në mjekësi, recidivizëm, recidivizmi [i lëndimit] është bërë shumë ngadalë, por ka mbetur edhe një pjesë shumë e rëndë sepse pjesa në maje të gishtërinjëve, të cilët kanë qenë pra të hequr, kanë mbetur të shpluar dhe nuk ishte ende mish për t’i mbuluar. Dhe sado që pak prekja diçka, shpërthente gjaku dhe nuk ndalej dot… po shpëtova!

Edhe dalë-ngadalë erdhi pranvera e vitit 1946, kur në shkollën… m’falni, kur në fshatin tonë, u hap shkolla fillore me klasë të parë, për të shkuar në klasën e parë të fillores, thirrjen e kishte marrë vëllai para meje, Maliqi. Ai përafërsisht ka qenë nja ni vit e gjysmë më i moshuar se unë. Dhe baba e pa thirrjen, mendoi, dhe i thotë Maliqit, “Eja këtu!” Edhe mua, “Ejani këtu. Maliq ti ke marrë thirrjen për të shkuar në shkollë, por pa ty une nuk mund të pres lisat e ahut, lisat e bungut dhe të drurëve të tjerë…” sepse kishin filluar të prenin lisat të shitnin drurë për të fituar kafshatën e gojës. “Murati ka mbetur pa gjysmën e dorës së majtë, ky sopatën nuk mund ta përdorë”. Natyrisht se edhe ai sikur shumë shqiptarë e kosovarë s’kanë ditur të thonë sopatë, por i kanë thanë sakicë (kollitet). “Sharrën, as sharrën s’mund ta mbajë Murati për të prerë dru edhe madje për të bë dërrasa. Pra, Murati do t’shkojë në vend tand. Dhe a po nin Murat, prej ditës kur t’shkojsh n’shkollë ti nuk je më Murati, po je Maliqi sepse m’denojnë”, siç kanë thonë atëhere njerëzit e pashkollë “më kaznitin” serbisht. “Pra, ti do t’shkojsh edhe n’emër të Maliqit, do të thirresh”.

Shkova dhe vazhdova mësimin dalë-ngadalë, mirë më shkonte. Mësues kishim një hoxhë, një hoxhë i familjes Azemi të Pollatës, dhe kjo familje jo vetëm në mbarë Llapin njihet si familje atdhetare, kombëtare dhe luftëtare, po edhe më tej. Sidomos, i pari i tyre, i quajtur Azem Pollata. Ai kishte nja katër apo pesë fëmijë të rritur, në mesin e të cilëve ishte edhe hoxha, që i kanë thanë Mulla Bahtiri. Person tjetër në atë anë duke filluar pothuajse që nga Podujeva që thashë, 25 kilometra larg, s’ka pasë njeri të nxënë. Me qëllim po e përdori fjalën të nxënë, sepse i nxënë do të thotë njeri së paku që di shkrim-lexim. Prandaj, ai që mëson quhet nxënës, nga folja nxë, dhe ai që s’din quhet në shqipe i panxënë, por shumica e njerëzve e përdorin fjalën me prejardhje greke sipas tingujve të… parë alfa dhe beta. Pra alfabeti jonë tingujt, kurse ai që nuk e di as t’i lexojnë, as t’i shkruejnë këta tinguj… thuhet me parashtesën greke me kuptim të kundërt të rrënjës, analfabet. Pra, i panxënë që s’di as shkrim as lexim.

Dhe unë… ai dinte pra, dinte edhe shqip të shkruante me shkronja latine, por gati [tërë] shkollimin e kishte bërë në gjuhën serbishte. Por, megjithatë, arithmetikën e dinte mirë, disa landë kështu fillestare, shkrim-lexim, bisedë. Dhe ai na msoi dy vite shkollore të para 1946-1947, klasën e parë dhe 1947-1948 klasën e dytë të shkollës fillore. Kisha sukses të shkëlqyeshëm, por edhe fizikisht isha i zhvilluar mirë, i shkathët isha. Arriti fundi i vitit shkollor në muajin qershor të vitit 1948. Pra, siç thashë, shkolla kishte marrë një shkresë me të cilën kërkonte që nxënësve të klasës së dytë t’u jipen dëftesat për të shkuar në kursin veror tre-mujor që ishte organizuar në Mitrovicë për mbarë Kosovën. Ne, nxënësit që mësuesi na kishte lëshuar dëftesat, dhe na kishe udhëzuar edhe propozuar madje edhe urdhëruar për të shkuar në Mitrovicë në kurs, atëhere ne e morrëm rrugën. Diku n’këmbë, diku me ndonji mjet tjetër, po atëhere autobus nuk ka pasur, as tren nuk ka pasur nga Podujeva, por vetëm nga FushëKosova ne kemi hypur në tren për të shkuar në Mitrovicë.

Kemi arritur atje, jemi vendosur në konvikt dhe jemi shpërndarë nëpër katër klasë që kishin filluar mësimin dhe ishin themeluar me një numër mesatar prej 33 deri 35 nxënës në klasë, A, B, C, D. Mua më rradhitën në klasën e parë, A. Ishim 33 nxënës, vazhdojmë mësimin. Mësuesit ishin shumica aty nga Mitrovica, por edhe nga qytetet e tjera të Kosovës, por edhe një numër i konsiderueshëm ishin mësuesë edhe nga Shqipëria që kishin ardhur gjatë viteve ‘41, ‘42 dhe ‘43 dhe kishin mbetur aty. Sidomos, mësuesi me mbiemrin Gjinaj që ishte i shquar… një tjetër me emrin Kasim dhe të tjerë.

Në fund të muajit gusht, pra mbaruam mësimin sepse duhet t’fillonte viti shkollor në muajin shtator. Dhe, sipas vendimit që kishin marrë, në klasën e dytë n’gjimnaz, do të regjistroheshim vetëm 35 nxënës prej këtyre katër klasëve edhe ata që kishin pasur sukses të shkëlqyeshëm, madje, me një listë për t’u regjistruar në klasën e dytë pa dëftesë shkollore. Për fat të mirë, në atë listë ishte edhe emri im. Ishte emri im, ndoshta po e teproj, por po them, prej tërë atyre nxënësve që ishin nga ana e Llapit e Podujevës deri te Prishtina, që deri diku i njifsha fshatërat… vetëm unë kisha qenë në atë listë me disa të tjerë të komunave të tjera. Pra, u ktheva në shtëpi qëndrova nja ni javë ditë, dhe u ktheva prapë në Mitrovicë. U regjistrova në klasën e tretë… apo… aty po, në klasën e dytë n’gjimnaz, që i thoshin semi-maturë. Kështu ka qenë llogaria pra (buzëqeshë).

Ishin pranuar katër klasët e fillores, katër vjeçare, klasa e parë gjimnaz e semi-maturës që ka qenë tri vjeçare dhe pastaj duhet të vazhdoja me klasën e dytë për të shkuar më tej. Pra ishte viti shkollor 1948-49 dhe u futa në klasën e dytë. Aty në gjimnaz para klasës t’dytë, në vitin… nji vit më parë, kishte qenë klasa që tani ishte në klasën e tretë. Në klasë të tretë merrej gjysmë matura. Në vitin shkollor 1948-49 unë vazhdova klasën e dytë, e mbarova me sukses. Në gjimnazin e Mitrovicës atëhere kishte qenë një klasë para nesh, pra klasa e tretë që sipas rregullave dhe ligjeve që deri në atë vit ishin në fuqi, gjysmë matura apo semi-matura përfundonte në fund të klasës së tretë kur jepeshin edhe provimet dhe merreshin dëftesat dhe diplomat.

Ajo klasë, e përfundoj pra klasën e tretë, por sipas ligjeve që thashë pak më parë, ata nuk mund të vazhdonin më tej për të vazhduar deri në maturë duke përfunduar pra klasën e tetë, por mbetën jashtë bankave të shkollës. Ne e kishim rradhën e semi-maturës pra, në vitin ‘49-50 në klasën e tretë. Ishin dy klasë, dy paralele pra, ta ceku edhe këtu se ndërtesa ku ne ishim vendosur dhe mbanim mësimin nuk ishte fare e përshtatshme për mësim. As hapësirë s’kishte të mjaftushme për 20 apo 25 nxënës në klasë, po s’kishte tjetër. Ishim të ngushtuar shumë dhe vazhdumë ashtu. Mbaruam klasën e tretë, iu nënshtrumë provimit të gjysmë-maturës edhe aty kalova me sukses të shkëlqyeshëm. Po, për fatin tonë, për vitin e ardhëm shkollor, u hap klasa e katërt dhe brezi ynë pra nuk pati ngecje, as humbje të vitit, por vazhduam rregullisht. Pra ishte çka të them, ‘50- ‘51 apo jo? Se klasën e tretë e kryem në ’49-50.

Pra ishim… pak më parë e thashë se ne ishim dy paralele, u regjistruam në klasën e katërt, dy paralele por këtyre dy paralele iu bashkangjitën nxënësit që paraprak kishin pushuar nji vit, dhe na u bashkuan. Edhe vazhdumë mësimet kështu deri në klasën e tetë. Në klasën e tetë pra ishte viti shkollor ’54-’55. Po, atëhere e kishim kaluar tani mo në ndërtesën e gjimnazit, ku deri në klasën e gjashtë apo të shtatë, nuk po më kujtohet saktësisht tani, kishin mësuar vetëm nxënësit serbë. Atëhere ne u vendosëm edhe ne shqiptarët në atë ndërtesë, me drejtorin Xhevdet Pula, profesorin e gjuhës shqipe dhe kujdestari i yni, poeti që ende osht’ gjallë, profesori i nderuar Rexhep Hoxha.

Mbaruam klasën e tetë, u futëm në provimet e maturës. Në klasë kemi qenë 24 nxënës, kurse në afatin e parë, pra në muajin qershor në fund, provimeve iu shtruan dymbëdhjetë nxënës në bazë të suksesit. Sipas rregullave, pa marrë parasysh suksesin në klasë, edhe të shkëlqyeshëm madje, duhet bërë provime me shkrim në gjuhën shqipe dhe në matematikë. Pra, unë kisha kaluar klasën e tetë me sukses të shkëlqyeshëm, i bëra edhe këto provime me shkrim, kisha sukses të shkëlqyeshëm dhe n’bazë të këtij suksesi lirohesha nga provimet me gojë. Dhe kështu ndodhi. Prej këtyre dymbëdhjetë nxënësve, pra u liruam nga provimet me gojë të maturës, unë Murat Bejta pra, Selvete Rudi dhe Ejup Hamiti, kurse të tjerët iu shtrunë provimeve me gojë dhe morrën sikurse edhe ne diplomën e maturës, dhe këtu përfundoi shkolla e mesme.

Derisa isha duke mësuar gjatë klasëve katër-pesë-gjashtë-shtatë-tetë, kemi pasur edhe disa profesorë me gjuhë amëtare serbe. Gjuhën frënge na e ka dhanë një femër serbe, Nataljia Tonaskovic. Unë mund të them edhe sot e kësaj dite se ajo ka punuar me përkushtim dhe me drejtësi. E përmenda gjuhën frenge me qëllim sepse gjatë mësimeve dhe pytjeve në klasë, në fund të vitit të tetë, ajo më propozoi e tha, “Murat, po t’propozoj të shkosh të studiosh gjuhën frënge, sepse nuk do t’kesh pengesa për të kryer edhe studimet universitare sepse ke, sukses të mirë dhe prirje të veçantë për këtë gjuhë përveç tjerash”. Po… unë… profesor serb kemi pasur edhe të latinishtes, serbishtes ajo dihet, edhe të filozofisë, por shkurt t’u them, megjithatë kemi pasur sukses.

E mbarova pra maturën, u ktheva në shtëpi. Babai më pyeti, “Qysh i ke punët? Si je? Ku je? A je ma i miri ti?” (qeshë) “A je ma i zoti?” “Po, po babë.” Thashë, “Shkëlqyeshëm edhe ma i zoti, edhe i pari i të gjithëve, se ti edhe nana m’keni ushqy mirë”. “Mos bo hajgare, se po ta rrasi shuplakë!” “Jo, jo, e vërtetë asht’.” “Atëhere pra, une po t’thomë me shkue, me studiue për doktor”, për doktor, veç për doktor. “Babë”, thashë, “une e kom ndërmend t’shkoj t’studioj frëngjishten”. “S’di une çka osht’ frengjishtja, për doktor me shkue” (qeshë). Edhe u binda, desha s’desha. U regjistrova në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Beogradit n’vitin ’55-56. Fillova mësimet, ligjeratat, por e vërejta që nuk isha aq i motivuar, si duket madje, sidomos në pikëpamje psikike, nuk isha disi aq i tërhequr, aq i disponuar. Dhe, i thashë vetes, do çregjistrohesh nga ky fakultet dhe do të shkosh të regjistrohesh në Degën e Gjuhës dhe Letërsisë Frënge pranë Fakultetit Filozofik që shtrihej afër Kalemegdanit në Beograd. Edhe ashtu veprova. U çregjistrova, shkova u regjistrova edhe vazhdova studimet. Për fat nuk pata pengesa, as në provime as administrative në pikëpamje të regjistrimit të semestrit dhe vazhdova studimet katër vjeçare.

Pra, mësimet dhe ligjeratat mbarunë në fund të vitit 1960, sipas rregullave normalisht dhe pastaj do t’fillonin provimet e diplomës. Para se të arrija te diploma në vitin 1959 isha në Francë, në seminar të gjuhës frënge për studentë të jashtëm, studentë të frëngjishtes. Seminari ishte i organizuar në ni qytet në bregdetin e Oqeanit Atlantik, atje nga ana e qytetit të njohur Bordeaux. Ky qytet i vogël ka qenë, por me nji plazhë të jashtëzakonshëm të bukur edhe të përshtatshëm që quhet Rua Jan, frëngjisht shqiptohet Rue Jean. Edhe aty qëndruam dy muaj, viti pra, ‘59.

U ktheva për të vazhduar pra, vitin shkollor ‘59- ‘60 pra, përfunduan mësimet dhe erdhi muaji qershor, muaji i provimeve, pra edhe muaji i provimeve të diplomës. Pra kishim provim s’pari me shkrim në gjuhën frënge, pastaj provim me gojë në gjuhën frënge dhe provim me gojë në letërsinë frënge. Pata sukses shumë të mirë, për të mos thanë të shkëlqyeshëm, sidomos në gjuhë, se gjuha për çudi më shkonte mirë dhe kisha nji motivim të jashtëzakonshëm. Por edhe letërsinë e kisha mësuar dhe nuk kisha rrezik të kisha notë të dobët. Provimin e fundit e pata me 20 qershor 1960, e morra pastaj diplomën edhe u ktheva në… te shtëpia në fshat. Po, gjatë atyre viteve baba kishte shitur shtëpinë dhe tokën në Zhiti dhe kishte blerë tokë në një fshat të komunës së Vushtrrisë që quhet Stanofc, Stanofci i Ulët sepse osht’ edhe Stanofci i Epërm.

Aty n’atë fshat kishin qenë të vendosur popullata qerkeze e Kaukazit të cilët ishin vendosur në atë vend pas Luftës së Krimesë në Kaukaz, luftës ruso-turke në vitin 1864. Kur i kanë pushtuar ato krahina, rusët dhe ky popull i ndershëm nuk kishte mundur të duronte masakrat dhe dhunimet e rusëve. Kishte marrë botën në sy, dhe në të katër drejtimet e horizontit tokësor të syve të njeriut kishin kaluar Detin e Zi për të kaluar në Evropën, në Ballkan, në jug deri te Siria dhe te Libani dhe në Tur… mbarë Turqinë edhe te Gjeorgjia e sotme. Dhe pra me udhëtimet e tyre, gjithmonë duke shikuar natyrën dhe ishin vendosur ma n’fund, kishin arritur deri në Kosovë dhe n’atë fshat që e përmenda ma parë në Stanofc, ne blemë aty tokë. Shtëpi, toka ishte e ni serbi, serbi kolonialist që kishte ardhur në Kosovë sikur shumë serbë me vendimet e Mbretërisë Serbe për të kolonizuar Kosovën, me serbë nga krahina e Kroacisë. I dijmë këto gjëra nga historia. Dhe siç thashë, tokën e blemë, shtrihej pranë lumit Llap, dhe në anën tjetër të këtij lumit Llap, në anën e majtë të rrjedhjes apo jo, gjindet më së shumti 600-700 kilo… pardon, metra as ni kilometër, fshati i banuar sot e kësaj dite, krejtësisht me serbë Priluzhë, që edhe sot e kësaj dite janë duke kërkuar komunë.

Jeta Rexha: E tash veç me ju pytë, çka botë ju masi u kthytë prej studimeve? Ju thatë jeni kthy në Stanofc apo?

Murat Bejta: N’Stanofc.

Jeta Rexha: Mandej… ma keni përmend që mandej menihere keni fillu me punu si profesor në Mitrovicë.

Murat Bejta: Po.

Jeta Rexha: Qysh ka qenë ajo periudhë? Qysh keni shku në Mitrovicë?

Murat Bejta: Po shkojmë atje, po. Pra, ishim të vendosur në atë fshat dhe unë edhe e kisha borxh sepse e kishim bursën nga komuna e Mitrovicës për të studiuar në univerzitet. Dhe ishte një lloj borxhi të cilin duhej shpaguar. Dhe vendosja në vend të punës bëhej me vendim administrativ të organeve përkatëse komunale dhe unë kisha marrë vendimin për të filluar punën me 1 shtator 1960 në gji… pardon, në Shkollën Teknike në Mitrovicë që atëhere quhej “Boris Kidric. Dhe, brezi i parë në gjuhën shqipe në Shkollën Teknike kishte filluar para një viti, në vitin 1959. Përpara aty kanë mësuar vetëm serbët në gjuhën serbe. Aty ishte emëruar tanimë profesori i ndjerë, si drejtor, Milan Perkaj. Më priti mirë, më informoi për gjendjen, për disa udhëzime, për klasat e të tjera, por përveç tjerash m’tha, “Ti do të mbash mësim, jo vetëm në paralelet me gjuhë shqipe, por edhe në paralelet me gjuhë serbe” që i kanë thonë n’atë kohë serbo-kroate.

Pra, thashë se deri para ni viti aty nuk kishte pasur mësim në gjuhën shqipe, por në paralelet serbe unë gjeta disa shqiptarë. Përveç frëngjishtes, atëhere mësohej edhe gjuha shqipe. Ishin vitet fillestare kur mësohej edhe gjuha shqipe në paralelen e shkollës së mesme. Dhe më propozoi drejtori që unë të jepja mësimin e gjuhës shqipe edhe në paralelet serbe. Për fatin tim, që unë atyre iu jepja edhe gjuhën frënge kështu që nuk kisha pengesa të natyrës diciplinore, për të mos thanë të arrogacës apo të mos kujdesit dhe dukurive të tjera, sepse arsimtarët, profesorët e gjuhës shqipe, kolegët e mi që jepnin aty mësim, kishin pasur probleme dhe halle të mëdha në paralelet serbe. Po e përsëriti edhe një herë, për fat të mirë, unë nuk pata fare pengesa, por ishte një dukuri e veçantë e arsyshme apo e paarsyshme. Çdo njeri që do ta ndëgjojë këtë, le ta gjykojë me kokën e vetë se ata nxanës shqiptarë në paralelen serbe, kur ishte ora e shqipes, ata dilnin jashtë. Ata thoshin, në mendjen e tyre kinse ne jemi shqiptarë dhe ne s’kemi nevojë për gjuhën shqipe (qeshë). Më kuptoni ju lutem? {I drejtohet të pranishmëve}.

Jeta Rexha: Po.

Murat Bejta: Por për mu, kjo nuk parashtronte kurrëfarë problemi… fare, fare. Vazhdova punën në shkollën teknike deri në vjeshtën e vitit 1963. Gjatë… në ndërkohë gjatë këtyre viteve deri atëherë, Jugosllavia siç dihet kishte krijuar një lëvizje botërore bashkë me shtetet që kishin qenë koloni të deri atëherëshme dhe themeloi pra, lëvizjen e shteteve të pavarura. Dhe këto shtete, sidomos të Afrikës, sepse si anëtar i këtyre shteteve ishte nga Evropa vetëm Jugosllavia, filluan marrëdhaniet mes këtyre shteteve. Dihet se numri i shteteve që kishin qenë koloni të Francës në Afrikë ka qenë shumë i madh. Po përmendi disa, po filloj që nga veriu, Tunizia, Algjeria, Maroku, Mali, Senegali, Kameruni, Bregu i Fildishtë, Guinea, Guinea… se osht’ edhe nji tjetër, Guinea Bisao. Po kjo Guinea, dallohet me kryeqytetin Konakri. Dhe ato kishin nevojë për kuadro. Jugosllavia u ofronte kuadro, e shpalli konkursin federativ.

Unë konkurrova për gjuhën frënge dhe u pranova me t’parën. Shkuam në fillim të muajit nëntor, për të mos thënë në fund të muajit tetor. Unë shkova me grupin nga Jugosllavia me ni aeroplan me shoqen time me djalin e parë që i kishte 14 muaj dhe ajo ishte shtatëzënë me djalin e dytë. U vendosëm atje por nuk vazhduam shumë, u krijua dikun një mosmarrëveshje, dhe pas nji muaji u kthyem përsëri në Beograd. U ktheva prej Beogradit, por na paguan. Atë mujë na e pagoi Jugosllavia për fatin tonë, e ishte goxha mirë për atë kohë. U ktheva në Mitrovicë, mo detyrime nuk kisha ndaj shkollës teknike dhe shkova n’gjimnaz. U paraqita n’gjimnaz, më pranuan menjëherë. Drejtori ka qenë një serb, Dragan Mircvetnic, i kanë thënë. Deri atëhere në gjimnazin e përzier, s’ka pasur drejtor shqiptar, madje as zëvendës drejtor.

Vazhdova mësimin pranë gjimnazit atëhere ishte themeluar në gjuhën shqipe edhe paralelet e Shkollës Normale për t’u bërë mësues, edhe paralelet e shkollës ekonomike të mesme. Pranë gjimnazit ishte edhe një paralele në gjuhën turke, këtyre paraleleve edhe ndonjë paralele të gjimnazit shqipëtar. Sepse paraprakisht kolegu im gjatë studimeve që kishim bërë bashkë në Beograd, Bedri Deda, ai kishte filluar që më herët, dhe ai vazhdonte të mbante mësimin dhe ktu edhe ndodhi, e vazhdoi dhe punuam bashkarisht.

Ndodhi një ngjarje historike në mbarë Jugosllavinë, viti 1966. Pra, ndodhia dhe problemi politik me Aleksandër Rankoviqin dhe dihet se çka ka ndodhur. Pra, Aleksandër Rankoviqi dhe politika e tij deri diku ndryshoi dhe u zavendësua pak me nji përparim më të madh dhe një demokraci pakëz më të mirë në krahasim me të kaluarën, sidomos në krahasim me ideologjinë nacionaliste serbe, të ashtuquajtur serbo-sllave. Dhe erdhi koha për të shpallur konkurs për drejtor, ndodhi edhe kjo. Biseduam me shokë, me kolegë, sidomos me kolegun edhe shokun e klasës që ende osht’ gjallë për fat, profesori i fizikës Skender Skenderi dhe kushëriri i tij Ejup Hamiti, ai profesor i matematikës. Dhe disa profesorë të tjerë që ende kishin ndjenjat e përkatësisë kombëtare shqiptare, por për fat të keq edhe n’mesin e shqiptarëve ishin disa që më tepër përkrahnin gjuhën serbe dhe serbët. Ata nuk po i përmendi. Më thanë kolegët, “Murat, ti do të konkurrosh, vetëm ti. Dhe prej kolegëve tanë shqiptarë, do t’kuptohemi dhe t’mirremi vesh që vetëm ti do t’konkurrosh, kurse ne do t’pajtohemi dhe do t’votojmë për ty”. Fjalët e tyre po i them, se t’flas për veti nuk osht’ mirë, sepse në frëngjishte osht’ nji fjalë e urtë që thotë, “Le moi haïssable” që shqip do të thotë, “Uni” apo ital… pardon latinisht “Ego-ja”. Pra, uni i urrejtshëm, se dihet kush flet veç për vete shkakton urrejtjen para të tjerëve që dëgjojnë, apo që jonë me të.

Dhe pra, “Ne do t’votojmë për ty sepse s’pari sa i përket gjuhës serbe, s’ke fare pengesa”. E vërtetë se e msova edhe serbishten fort mirë meqë jom te kjo temë edhe kjo ide, gjatë studimeve kolegët dhe koleget më merrnin edhe në shtëpitë e tyre për të bërë ushtrimet e gjuhës frënge, por ata ishin serbë (buzëqeshë) dhe kështu… tjetër…

Jeta Rexha: A mundesh me na folë pak… keni qenë t’u punu në fjalorin e parë që e keni botu, a ka qenë viti ‘70, apo?

Murat Bejta: Tash, do t’shohim… tash do t’shohim. Të vazhdoj edhe pak këtu pastaj do të kthehemi te fjalori.

Jeta Rexha: Mirë.

Murat Bejta: Atëherë, edhe shkurt, “Guximin që e ke ti s’e ka askush. Prandaj, ti do t’bahesh drejtor.” Kështu m’thanë. Ashtu ndodhi edhe votuan, por atëhere meqë siç e përmendëm më parë, ishin edhe ato paralelet shtesë, numri i arsimtarëve shqiptarë ishte më i madh dhe e kishim shumicën e votave… dhe, më zgjodhën. Zëvendës, e zgjodhën nji serbe… ajo quhej Sofia Denda. Ajo nuk ka qenë aq e ngarkuar me ndjenja nacionaliste serbe për fat. Por për fatin e tij të keq, me ndjenja nacionaliste shoviniste mandej madje edhe anti-njerëzore, jonjerëzore ka qenë profesori i gjuhës serbo-kroate i serbishtes Miladin Raspopoviç. E përmenda me qëllim sepse po ceku një anekdotë çka ka ndodhë me të dhe me mua si drejtor. Në mledhjen e parë të këshillit të arsimtarëve, unë e propozova rendin e ditës duke folur shqip në gjuhën shqipe, pastaj edhe në gjuhën serbe. Nuk vonoi shumë, profesori i serbishtes Raspopoviç u ngrit në këmbë, u largua nga ulësja dhe u drejtua drejt derës për të dalë nga salla. E thirra, “Miladin,” po flas shqip se serbisht atij i kom folë atëhere “Miladin, ku po shkon kështu? S’ke marrë leje për asgjë!” “Po dal”, tha. “Atëherë,” thashë, “prit nji sekond”. Në gjuhën frënge osht’ nji fjalë e urtë që thotë, “Kush mungon, gabon”. “Ti me dëshirën tënde po mungon dhe do t’mungosh, prandej po gabon dhe do t’gabosh. Prandej, ik!” Edhe iku.

Të kthehemi tani… por unë vazhdova punën dhe duke krijuar të gjitha punët dhe detyrat. Që nga fillimi i mësimit të gjuhës frënge, vërejta se sidomos për nxënës, mungonte një fjalor frëngjisht-shqip. Dhe që në vitet ’64-’65 përafërsisht aty diçka, unë fillova me një fletore të madhe, ato fletoret e mëdha që kanë qenë si regjistër, ju e dini, i shkollës. Dhe përpilova në gjuhën e atëherëshme shqipe, dhe nuk i dija, pra jo gjuha e plotë standarde sepse standarde nuk ishte n’ato vite as në Shqipëri dhe as dija, duke konsultuar literaturë, duke punuar, por kisha vullnet të madh edhe dëshirë të madhe, por edhe qëndrueshmëri, nganjëherë edhe natën sidomos pas orëve të mësimeve, se gjatë ditës mbaja mësimet.

Mendoj, nuk kom bërë as tre vjet e kom përfunduar dorëshkrimin. Përafërisht në fjalor, kanë qenë të përfshira 41 mijë fjalë dhe përafërsisht 15 mijë shprehje të gjuhës frënge në gjuhën shqipe. Dhe, e dorëzova, e shtypa mandej me makinë, po vetë nuk mund ta shtypja me makinë. Gjeta daltilograf, e pagova, por atëhere s’ka pasur kompjuter (buzëqeshë), e dini se makinat e shkrimit kanë qenë. E përgatita dhe e dorëzova te ndërmarrja gazetare botuese “Rilindja”. I caktunë edhe tre recezentë, prej të cilëve nja dy edhe kolegë të mij të gjuhës frenge.

Pas disa vërejtjeve, pas disa propozimeve, pas disa konsultimeve që kogja kanë zgjatur, më në fund e gjetëm një zgjidhje për ta botuar. U botua pra në vitin 1975… pastaj pas disa viteve… jo në ‘78-tën, kërkoj falje, viti 1978. Dhe u shitë shpejt, nevojitej ribotimi, pra pas këtyre konsultimeve, pra u vendos edhe ribotimi që u bë në vitin 1985. Kështu nëse s’gaboj, po s’osht’ me randësi, pra nji veçori e ribotimit osht’ sidomos në pikëpamje shkencore, gjuhësore, profesionale, transkriptimi fonetik thuhet. Gjuha frenge osht’ nji gjuhë e veçantë në botë që shqiptimi nuk bëhet si shkruhet, për shembull në gjuhën shqipe, apo në gjuhë të tjera siç është italishtja, turqishtja apo edhe gjuhët sllave sidomos. Pra, frengjishtja osht’ edhe e vështirë për ta shqiptuar, ka shumë tinguj. Karakteristikë sidomos e veçantë në pikëpamje gjuhësore e frengjishtes janë tingujt hundorë. Pra, katër zanore gojore që themi ne i kanë edhe natyrën hundore. Por, këtu të mos ju lodhi. Për shembull, zanorja… këtu… nuk bohet shumë dallime, por unë si gjuhëtar e boj dallimin se edhe n’gjuhën shqipe i kemi dy zanore a, dy zanore o, dy zanore i, dy zanore u, madje edhe dy zanore y. Qe te y-ja shqipe po shkojmë, ne themi “dy djem” por themi “dy vajza”, nuk osht e njejta zanore. Pajtohemi? E kështu…

Jeta Rexha: Kërkoj ndjesë, tash duhna me ju pytë ma shumë për… gjatë viteve të ’80-ta kur osht’ bo shkëmbimi i profesorëve dhe mësusve në Kosovë edhe…

Murat Bejta: Në Shqipëri, po.

Jeta Rexha: Qysh ka qenë ajo periudhë?

Murat Bejta: Eh mirë. Mirë, edhe pak këtu edhe po vazhdojmë andej. Për ribotimin pra, kështu, kemi zanore hundore frenge À që rrjedh nga zanorja gojore A; pastaj  nga zanorja gojore A. Dhe dy, madje të veçanta që shqipja s’i ka as gojore, as hundore, që i ka frëngjishtja osht’ prej zanores É, È, edhe Ô, Œ. S’po ju lodhi më tej, apo jo… dhe në këtë drejtim po shkojmë më tej pra. Këtu nuk e përmendëm ende tezën e doktoratës, as temën e magjistraturës. Pra, unë qëndrova dhe punova edhe si mësimdhanës edhe si drejtor n’gjimnaz deri në fillim të viteve 1970. Në vitin 1970 pra, u hap universiteti i Prishtinës, dihen ato kushte. Pra ishte në mesin e degëve të ndryshme për studime, u hap edhe dega e gjuhës dhe letërsisë frënge. Dhe unë fillova të studioja diciplinat gjuhësore n’fillim pra, n’fillim. Fonetikën e gjuhës frënge, morfologjinë, pastaj leksikologjinë dhe semantikën sepse ende nuk ishin të zgjedhur të gjithë profesorët përkatës për të gjitha diciplinat gjuhësore, dhe ishte fillimi, po kuptohemi tani. Po meqë fillova mësimet, atëhere duhej së paku edhe magjistratura që tani anglisht thuhet master.

Edhe i thashë vetes, do të shkoj në Universitetin e Zagrebit se sa për Universitetin e Beogradit nuk kom mo çka të mësoj. Ata çka kanë ditur më kanë dhanë, unë çka kom mundur i kom mësua dhe përvetësuar. U regjistrova atje në degën pra Gjuhë dhe Letërsi Frënge por me specializim të veçantë në gjuhën frënge. Ishin profesorë shumë të aftë, profesionalisht jashtëzakonisht të aftë n’pikëpamje shkencore gjithashtu, por sidomos gjithashtu edhe n’pikëpamje shoqërore, kolegiale dhe njerëzore. Dhe, natyrisht dihet se n’atë nivel osht’ edhe nji profesor që caktohet si drejtues që i thonë mentor. Ai quhej Voj Mervinja, kishim edhe lëndë të tjera, ligjërata të tjera… dhe mirë shkonin, por natyrisht ato të tjerat jashtë gjuhës frënge zhvilloheshin në gjuhën kroate. Gjuha kroate osht’ diçka tipike dhe e veçantë dhe dallohet sidomos nga serbishtja, sepse serbishtja shumë në terminologjinë teknike shkencore përdorë fjalë të gjuhëve t’huaja, kurse kroatishtja, sipas modelit të gjermanishtes pra, përdorin terma të gjuhës amtare. Madje, madje ni dukuri e tillë dhe ni veprim i tillë, e detyron folësin dhe përdoruesin të përdorë nganjëhere, për të shprehur një dukuri, ndonji nocion, ndonji ide edhe me dy fjalë pra, përshkruese. Edhe se njo nuk mjafton, po kuptohemi.

Me atë gjuhë nuk kisha mjaft përvojë, por megjithatë e përvetësova dhe nuk pata kokëçarje. Por, nji dukuri e veçantë madje me përjashtim të ashtuquajtur, siç thuhet latinishte, “Nulla regula sine exceptio”. Nëse e përkthejmë shqip kjo do t’thotë, “Asnjë rregull nuk ka papërjashtime”. Pra unë bëra përjashtim në Universitetin e Zagrebit, në Fakultetin e Filologjisë. Profesori e mentori m’propozoi që temën e magjistraturës ta trajtoja në gjuhën frënge edhe ta mbroja në gjuhën frënge, sepse dihet rregulla osht’ që të gjitha këto të bahen në gjuhën e shtetit, pra në kroatisht. Por ai me qëllimet e veta dhe me dëshirën e vetë, edhe kështu ndodhi, edhe më përkrahu në organet vendimmarrëse për ta aprovuar kërkesën time, për ta përpiluar temën dhe për ta mbrojtur. Dhe kështu ndodhi dhe e mbrojta, por gjithënji duke mbajtur ligjerata në Degën e Gjuhës Frënge në Prishtinë, por duke vazhduar pothuajse një herë në muaj në Zagreb gjatë ditëve të fundit të javës. Qe kështu pra… ndodhi këto.

Pastaj, për doktoratë, menihere fillova të punoja dhe të mendoja po kisha menduar edhe më heret për temën e doktoratës. Po paraqes disa mendime personale individuale për të mos thanë vetjake apo egoiste. Ia shtrova vetes pytjen dhe detyrën, duke thënë, “Je shqiptar o Murat? Punon në vendin ku ligjëron për shqiptarë… edhe për serbë, po po nisemi nga shqiptarët. Dhe gjuhë amtare ke shqipen, ti Murat e mësove frëngjishten, u specializove. Edhe serbishten, po gjuhën amtare nuk e ke zotëruar ende si duhet, as nuk e sjellë kontribut të duhur dhe të nevojshëm për gjuhën amtare shqipe. Prandaj mendo dhe tezën e doktoratës ta bësh me një temë për gjuhën shqipe dhe në gjuhën shqipe”. Menova çmendova, dhe thashë ta ndërlidhi me profesionin tim, pra gjuha frënge që rrjedhë nga gjuha latine. Dhe, si gjuhë romane ato që e kanë rrënjën nga gjuha latine jonë pra edhe frengjishtja, italishtja, spanjishta, portugalishtja, dhe n’Ballkan rumanishtja, moldavishtja dhe gjuha e t’parëve tanë që u shtri prej Shqipërie e deri te Venediku, dalmatishtja. Pra, krahina e Dalmacisë që ka qenë e banuar diku me ilirë dhe osht’ quajtur latinisht Ilirikum që do t’thotë shqip… Iliri.

Dhe ata, ata jonë romanizuar, e kanë humbur gjuhën amtare sot e kësaj dite ka dëshmi dhe jonë të gjallë disa arbëreshë në Zarë, në Dalmaci, që dikur para nja 140 vjetëve kanë folur edhe dalmatisht. Folësi i fundit i dalmatishtes osht’ quajtur Antonio Odaina, i cili ka vdekur në vitin 1879, dhe me vdekjen e tij ka vdekur edhe dalmatishtja. Por kanë mbetur gjurmët, dhe unë si gjuhëtar dhe specialist duhej që edhe këtë gjuhë ta kisha parasysh. Prandej, punova, punova dhe e përpilova, e shtypa përsëri me makinë ende… daktilografi. Doli n’atë formatin A4, e dijmë çka osht’… 760 faqe (buzëqeshë). Edhe me analiza edhe me fjalor edhe me dallime veçmas për çdo gjuhë.

Pjesa e Dytë

Dhe për fatin edhe timin, por edhe të mbarë shqiptarëve nga Kosova dhe posaqërisht neve profesorëve universitarë për të shkuar në Shqipëri për specializime dhe hulumtime shkencore. Edhe unë pra shkova n’vitin 1979 aty nga fundi për të qëndruar si i tërë grupi gjatë nji muaj dite, shkuam. Por… megjithatë ende ishin kushtet dhe rrethanat e politikës dhe të regjimit komunist që dihet se çfarë ka qenë. Dhe nuk po futem në te… a po a? [shprehje habie në fytyrë].

Jeta Rexha: Ëhë.

Murat Bejta: Dhe, përveç tjerash vërejtë që ne na ndanë edhe s’paku një person apo dy na përcillnin gjithmonë edhe n’veturë. Madje edhe duke ngrënë mëngjes, drekë apo darkë… dhe kur shkonim në biblotekë apo në ndonjë institucion tjetër për të hulumtuar sipas planit tonë ata deri te dera e hyrjes na përcillnin. Pothuajse ishte nji lloj burgu me roje e përcjellje të përhershme. Po bëj një diversion dhe po paraqes ndosha një ngjarje jo aq të këndshme, të paraqes apo…?

Jeta Rexha: Po, po, lirisht.

Murat Bejta: Ai përcjellësi apo shoqëruesi që ishte me mua, paraqitej pra si profesor i gjuhës shqipe. Por unë duke biseduar në rrethana të ndryshme fitova bindjen se ai nuk ishte profesor i gjuhës shqipe. Këtë ua thashë disa kolegëve me t’cilët sidomos ishin në restorant duke ngrënë apo duke pushuar. Në mesin e tyre ishin edhe disa albanologë. Në mesin e tyre konkretisht me emër ka qenë edhe Agim Deva, ai ka qenë edhe poet, ju e dini, por ai vdiq herët. A osht’ ashtu apo jo? Po ishte edhe nji tjetër profesor, asistent i gjuhës shqipe, por për momentin nuk po m’kujtohet emri i tij, që kishte formim jashtëzakonisht të saktë, të thellë edhe të mirë të gjuhës dhe letërsisë shqipe. Por për fat të keq edhe ai ka vdekur, herët ka vdekur. Por ishte pranuar edhe ai në katedër të gjuhës shqipe si asistent. Duke ngrënë mëngjes nji ditë, thashë se ky nuk osht’ profesor i gjuhës shqipe, nuk osht’. “Qysh p’e din Murat?” “Po e di se duke biseduar me të, ai ka shprehur disa fjalë, disa mendime, disa botëkuptime që nuk përputhen me fjalën e tij, se osht’ profesor i gjuhës shqipe. Dhe, ju do t’bindeni me provën time që unë do ta bëj për të dëshmuar këto mendime dhe këto fjalë që po ju them dhe ju do të dëgjoni. Do t’jeni dëshmitar, mendoj që keni mjaft ide për të gjykuar” atyre kolegëve. Mirë…

Të nesërmen, pas mëngjesit, rëndom pinim edhe kafe, por ai gjithënji më shoqëronte. Duke pirë kafe ishim diç më shumë të grumbulluar. Nuk e di a ia kom ditur emrin, sot nuk ia di, ndoshta i kom thanë me emër ose i kom thanë ‘shok’, se n’Shqipëri atëhere s’ka guxuar kush të përdorë fjalën ‘zotëri’, se une kisha shprehinë të përdori fjalën ‘zotëri’ sipas kulturës franceze. Edhe m’duket që i kom thanë disi me emër dhe, “Ju më keni thanë se….” Ah, po, m’kishte thanë se ishte jo i shqipës, por profesor i kimisë, jo i shqipës, por profesor i kimisë, “Më keni thanë se jeni profesor i kimisë, prandaj më lejoni t’iu bëj një pytje. A mund të bëj pytjen, ju lutem?” “Po, po.” “Edhe gjatë mësimit në shkollën e mesme, por edhe më tej në jetën time gjerë më sot kom dëgjuar se karboni osht’ dy valent dhe sot e kësaj dite, nuk e di çka do të thotë dy valent, dhe pse dy valent”. “Le profesor ato, le…” Kanë plasur të gjithë në gaz kolegët (qeshë), edhe u bindën që çka ju thashë. Ja pra, ky digresion që e bëra dhe kërkoj ndjesë për këtë digresion (buzëqeshë).

Jeta Rexha: A vazhdojmë tash…

Murat Bejta: Hajde.

Jeta Rexha: Qysh ka qenë sfida jujë kur keni shku me e pa Eqrem Çabejin?

Murat Bejta: Ah falemnderit që ma përkujtuat edhe këtë… edhe këtë ndodhi (buzëqeshë). Sipas planit, sipas programit, ne që ditën e parë duhet të paraqitnim planin tonë, programin tonë dhe edhe personat me t’cilët do të dëshironim të diskutonim dhe të konsultoheshim. Pra, unë siç e thashë kisha propozuar profesorin e nderuar Eqrem Çabejin. Por kaloi një javë, unë nuk e pashë, as nuk mund ta takoja profesorin Eqrem Çabej. Ç’të bëj? Mendova, çmendova, duhet thashë edhe unë të bëj një dredhi para dredhive të tyre (buzëqeshë). Dhe nuk e respektova planin e organizimit edhe të përcjelljes. Pra, qëllimi im ishte të shkëputesha nga përcjellësi edhe të përpiqesha të gjeja profesor Çabejin.

Dhe thashë kështu, në mëngjes nuk do t’shkoj në orën e caktuar me kolegë, do t’shkoj pasi ata ta kryejnë. Pra, për t’iu shmangë përcjelljes, atij kimistit të paqenë. Dhe edhe aty, kohës, orarit të kafesë, kur ata dolën nga restoranti pra nga hoteli edhe u larguan, atëhere une shkova. Hangra nja dy-tri kafshatë edhe dola në qytet. U drejtova të shkoj drejt biblotekës kombëtare. Me qëllim për të takuar, për ta gjetur Eqrem Çabejin, sepse akoma nuk e kisha parë me sy, as s’e kisha takuar. Për fatin tim, para se të hyja në biblotekë në ato shkallët e njohura të biblotekës kombëtare në Tiranë, po e vërej profesor Çabejin. I afrohem edhe u përshëndeta me të, përse edhe kishte ardhur aty në Tiranë. Dhe i propozova që nëse sot nuk jeni gati apo sipas orarit tuaj, apo sipas disponimit tuaj, më caktoni ditën edhe orën edhe vendin ku do të takohemi. Ai me plot kuptim m’a caktoi ditën e nesërme edhe orën edhe vendin, pra brenda në biblotekë. Shkova të nesërmen, e takova, i tregova përse, kisha një kopje të doktoratës që kisha pregaditur pra për t’ia dorëzuar në mënyrë që ai të mund ta lexonte edhe të më jepte mendimin e vetë. Kështu edhe ndodhi, e shikoj, ishte diç e randë peshë por… megjithatë ia doli ta mbante n’dorë.

Edhe i thashë, “Ju më caktoni kohën sado që nevojitet për të lexuar këtë dhe më caktoni ditën, vendin dhe orën kur do t’takohemi për të biseduar, për t’diskutuar”. Edhe kështu ndodhi, më caktoi nja pesë ditë. Edhe u kuptuam… edhe më caktoi takimin, u takuam përsëri edhe e pyeta, thashë, “Profesor Çabej, ju lutem a mund të më jepni këshilla për këtë tezë të doktoratës? A keni vërejtje, a keni plotësime, a keni sugjerime në mënyrë që ta shtypi përfundimisht për ta mbrojtur? Dhe mjerisht, unë do t’dëshiroja që edhe ju të jeni anëtar i jurisë për mbrojtje por marrëdhaniet politiko-shoqërore të Kosovës dhe të Shqipërisë nuk po lejojnë punë të këtilla”. “Profesor Murat,” më tha “dëgjoni, s’ka nevojë… s’kishte fare nevojë t’i flisni këto fjalë, as sugjerime, as plotësime. Po ju propozoj që sa më shpejtë të shkoni në Prishtinë dhe të uleni e ta mbroni doktoratën tuaj. Osht’ për mrekulli çdo gja”. Dhe kështu ndodhi.

Jeta Rexha: Qysh ke kur u kthytë ju n’Prishtinë?

Murat Bejta: Pra, ne… ne sipas programit duhej të qëndronim 30 ditë në Shqipëri, kështu ishte programi. Ashtu siç kishim shkuar të gjithë të ktheheshim të gjithë me një autobus. Disa shokë, sidomos ata të Albanologjisë, por edhe disa të tjerë, filluan të mërziteshin, filluan të bezdiseshin sidomos nga ato përcjelljet që bëheshin në çdo pikë të lëvizjes së këmbëve tona. Dhe unë me Agim Devën e mendouam nji lloj dredhie apo mahi. Sidomos ai asistenti i gjuhës shqipe, kolegu i Agim Devës, ai bezdisej shumë dhe filloi të mërzitej. Eh, mirë thashë, thashë, “Agim, po ti ç’mendon?” “Jo”, tha “mirë, unë po qëndroj”. Thashë, “Unë do t’bëj nji shaka, në lidhje me këtë çka po ndodhë”. Dhe duke ngrënë mëngjes apo duke pirë kafe, unë do t’propozoj diçka dhe atij i thashë n’besë, “Ty po t’them çka do t’them, por të mos u tregosh të tjerëve. Unë do t’propozoj para tyre se kom nevojë për konsultime më të gjera dhe të kërkoj vazhdimin e qëndrimit të hulumtimeve”. Kështu veprova të nesërmen.

Agim,” thashë, “unë nuk e kam përfunduar programin prandej kom nevojë që ta vazhdoj edhe pas 30 ditëve, do ta bëj një kërkesë. Po ti?” “Edhe unë.” Tha. Sa mbaruan këto fjalë, asistenti i gjuhës shqipe madje u ngritëm nga karrikja në këmbë, i brengosur madje i mërzitur për të mos thënë, i nervozuar. Jo s’po dëshiroj ta imitoj sepse bërtiti kogja shumë e unë nuk po dua ta imitoj (qeshë). “Jo! Çka? Une nesër kom me marrë malin n’kamë edhe m’u kthy n’Prishtinë, e ju boni çka t’doni” (qeshë). Ne qeshëm pakëz dhe i tregumë e u zbutë pak, vazhdumë tek në ditën e 30 dhe u kthyem në Prishtinë.

Jeta Rexha: Kisha dashtë me ju pytë pak për vitin ’91? Bash me datën 3 korrik 1992… 1991 kur ka qenë tubimi nëse s’gaboj, i sindikatës të punonjësve të Universitetit?

Murat Bejta: Para shkallëve të Fakultetit tonë.

Jeta Rexha: Qashtu, po. A m’tregon t’lutna ma shumë për organizimin edhe çka ka qenë krejt arsyea e asaj edhe çka ka ndodhë me juve mas tubimit?

Murat Bejta: Mirë… pra do t’futemi edhe në këtë ngjarje.

Jeta Rexha: T’lutna.

Murat Bejta: Po vetëm të pij një pikë ujë. Siç dihet se çka ndodhi tash po flasim për Universitetin e Prishtinës sepse ndryshimet ndodhën edhe në institucionet e tjera kosovare nga politika serbe, politika e Millosheviçit. Siç dihet, pra ne na larguan nga lokalet e Fakultetit. Pra na përjashtuan, si studentët ashtu edhe profesorët. Dihet që falë mirëkuptimit të njerëzve dhe të popullit shqiptar, ne vazhduam punën edhe në shtëpitë private, këtë e dijmë të gjithë. Por, që nga fillimi kur kjo ndodhi, aty nga fundi i muajit qershor 1991 pra… pas tubimit serbo-mal në Gazimestan te përmendorja e tyre. Me 28 qershor, dita e tyre që i thonë “Vidovdan”, kur erdhi edhe Millosheviçi për të mbajtur fjalimin e tij nacionalist. Për të vrarë shqiptarët, për të mbytur shqiptarët dhe për të larguar shqiptarët nga trojet e tyre, siç ndodhi, siç ndodhi më vonë. Dhe… ne që atëherë e kishim themeluar Sindikatën e Pavarur të Punonjësve të Universitetit të Prishtinës. Kishim formuar edhe organet drejtuese, me kryetar, me nënkryetar, me sekretar e të tjera, e të tjera. Dhe mbanim mbledhje duke shqyrtuar problemet që paraqiteshin konkretisht, sidomos çështjen e mbajtjes së mësimit dhe të lokaleve. Po, edhe politikisht pas atij tubimi pra serbo-sllav në Gazimestan, Gazimestan quhet apo jo?

Jeta Rexha: Qashtu.

Murat Bejta: Atëhere, vendosëm që t’organizojmë një tubim të studentëve dhe të punonjësve të Universitetit të Prishtinës. Dhe menjëherë e caktuam 3 korrikun, 1991. Meqë deri diku edhe i dinim veprimet e policisë, të ushtrisë, madje edhe të paramilitarëve serbë që kishin filluar masakrat e tyre dhe idetë e tyre. Bëmë një program tejet të shkurtër për ta paraqitur para atyre pjesëmarrësve dhe të shpërndahemi sa më shpejtë duke iu shmangur viktimave, pra vrasjeve, prangave në duar dhe futjeve në burg. Sipas rrethanave, kushteve, po tash… edhe profesionale por edhe gjuhësore, por edhe teknike, kryetari propozon para kryesisë, thotë, “Murat Bejta të merr fjalën, të paraqitet dhe ne të shpërndahemi pastaj”, dhe kështu vepruam. Une e pergadita shpejtë një fjalë, pra me pikat që ma merrte mendja, edhe kolegëve pra me marrëveshje që duhej të paraqitnim botërisht për gjendjen që u krijua, për gjendjen që edhe do t’keqësohej më shumë, dhe për pasojat që do të paraqiteshin.

Pra, siç thashë, nuk kishim as mjete teknike, as megafon, as altoparlant, as zmadhues të zërit, prandaj kryetari tha, “Murat ty po ta japim këtë detyrë dhe këtë ngarkesë, e sidomos në bazë të gjuhës tënde dhe zërit tënd”. E përgadita pra atë fjalë. Për fatin tim ia fillova pra në mes aty hapësirën, në mes të dy shkallëve që jonë shkallët e para dhe shkallët e dyta, dhe gjithënji osht’ mesi aty. Rreth meje ishin sidomos anëtarët e kryesisë, kurse prej shkallëve e tutje krejt hapësira e oborrit të Fakultetit Filozofik e deri te Grandi te Bibloteka Kombëtare shqiptare kosovare, deri lart te menza e studentëve, rruga ishte e mbushur krejtësisht me studentë me punëtorë, por edhe me njerëz. Ia dola të përfundoja fjalën time, aty nga fundi, filluan goditjet, rrahjet dhe largimi i pjesëmarrësve me tortura të jashtëzakonshme barbare, tortura fizike sidomos, madje edhe me klithma edhe sharje në gjuhën serbe të policëve, madje edhe të ushtarëve dhe të paramilitarëve.

Së shpejti pra, u shpërnda masa, unë u ktheva në zyren… e me kryetare e kryetarit. Ndenjëm pak dhe dolëm për t’u kthyer në shtëpi. Te dera e hyrjes, ku jonë rojet e dini, aty ishte policia, na u afrua. “Ju,” tha, “e mbajtët fjalën para këtij populli?” “Po.” “Ju quheni Murat Bejta?” “Po.” “Më jepni letërnjoftimin” “Po.” “Ju,” tha, “do t’vini me ne.” “Jo,” thashë, “po kthehem n’zyren time.” “Atëherë,” tha, “shtrij durtë edhe po t’i lidhi”. Edhe m’i lidhën duart edhe m’drejtuan drejtë te gjykatësi për kundërvajtje i cili pas… pra bisedës më denoi 60 ditë burg që fillova që atë ditë t’i mbaja në burgun e Prishtinës deri në fund të 60 ditëve. Por, gjatë asaj kohe kom pasur gjithënji përcjellje, gjithënji… pastaj marrje në pytje me gjithëfarë pyetjesh duke më akuzuar, duke m’u kërcënuar që krijuan te unë bindjen se unë sa të dilja pas atyre 60 ditëve nga burgu, do të ndjekesha edhe penalisht dhe se isha në listën e të ndjekurve penalisht dhe do të ekzekutohesha. Po shkojmë më tej apo po ndalemi?

Jeta Rexha: Ndoshta shkurtimisht me vazhdu qysh ju keni vazhdu në Sorbonë?

Murat Bejta: Qashtu aty. A vazhdojmë?

Jeta Rexha: Ëhë.

Murat Bejta: Derisa kisha qëndruar në burg gjatë asaj kohe, pra sidomos ambasada franceze në Beograd ishte interesuar për mua dhe për fatin tim, dhe kishte telefonuar në shtëpi. Shoqja u kishte thanë se Murati osht’ në burg, ata e dijnë edhe e kanë ditur se çfarë… si do të vepronin dhe çka kishte ndodhur dhe meqë e kishin kuptuar se burgimi do të zgjatte 60 ditë, e kishin kuptuar kur do të isha në shtëpi dhe më telefonuan. U tregova se çka kishte ndodhur, por edhe shkurt iu thashë, “Mu edhe m’kanë përjashtu nga puna, edhe kom qenë n’burg, por kam rrezik të jetës”. “Profesor Murat, a pranoni ju të vini në Francë edhe të vazhdoni punën dhe ligjeratat tuaja profesionale në degën e gjuhës frënge dhe të filologjisë romane, sidomos me dy diciplinat gjuhësore të veçanta, siç janë leksikologjia dhe semantika” (buzëqeshë). “Po pranoj” thashë. “Ne do t’bisedojmë me organet tona dhe do t’ju thërrasim përsëri”.

Më telefonuan pas dy-tri ditëve. Pra ata, kishin biseduar me Ministrinë e Arsimit me Ministrinë e Punëve të Jashtme, me organet e sigurimit dhe të diplomacisë edhe unë iu thashë se duhet të vini të më merrni me veturën e korit diplomatik që e ka imunitetin e mos-kontrollimit policor sepse nuk guxoj të lëvizi, se më zanë dhe meniherë më vrasin. Mirë… “Kur të vijmë?” “Ejani me datë… kaq, në orën 1:00. Pesëdhjetë metra në zbritje nga hyrja në Hotelin Grand,” ku u takuam sot ti edhe unë {i drejtohet intervistueses}…“osht’ nji ndalesë autobusi. Natyrisht që atëhere nuk ka… se ka shumë rrallë autobus se osht’ natë, por unë do ta lo valixhen aty, kurse vetë nuk guxoj të qëndroj pranë valixhes, po do t’dalë në anën e kundërt dhe do t’ju pres juve kur t’arrini aty, t’iu afrohem”. Kështu edhe veprova. Erdhën, u përshëndetëm, u futa brenda edhde vazhdoj rruga për Beograd natën. Arritëm n’aeroport, u futëm në lokalet e aeroportit nëpër korridorin që nuk kontrollohet në bazë të imunitetit të personaliteteve të diplomacisë sipas rregullave botërore. Kështu edhe ndodhi, deri në hyrje në avion. Dhe kështu ndodhi edhe në dalje nga avioni në Paris, me përcjellje të tilla dhe drejtë e në hotel. Dhe kështu qëndrova një kohë, derisa u rregulluan të gjithë çështjet edhe administrative, edhe ligjore, edhe profesionale, edhe kolegiale.

Dhe fillova pra, të mbaj ligjeratat siç thashë pak më parë për studentët e vitit të tretë që sipas programit të tanishëm evropian të programit të Bolojnës, pra me vitin e tretë merret edhe diploma. A osht’ ashtu? Në leksikologji dhe semantikë në vitin e tretë, por meqë koleget i dinin edhe njohuritë e mija dhe formimin profesional edhe të shumë gjuhëve të tjera të huaja, por edhe lëndë të tjera gjuhësore, sidomos. Dhe më propozojnë që në kuadër të leksikologjisë dhe semantikës, t’u mbaj ligjerata dhe ushtrime edhe studentëve të artit e dramës, sidomos, duke vënë theksin mbi profesionin e tyre në skenë pra të dramës, duke u mbështetur në lëndët e tyre profesionale, landa kryesore që quhet Prozodi që është vetëm për ata, e që ka të bëjë me elemente gjuhësore, me kuptime të tyre rrethanat e përdorimit të këtyre elementeve, me harmoninë e këtyre elementeve, me theksin e këtyre elementeve, me intonacionin, me ritmin dhe harmoninë, me ndalesat dhe pushimet, me kërkesat dhe britmat e vajtimet. Dhe pastaj, ata duke pasur parasysh edhe këto rrethana, në fund të vitit për të përpiluar edhe temën e tyre të magjistraturës kërkuan nga unë që t’u lejoja të regjistronin zërin tim për ta analizuar.

Kurse më tej, në katedrën e gjuhës dhe letërsisë angleze më propozuan, atyre studentëve t’iu mbaj fonetikën e gjuhës frënge si gjuhë amëtare që e kishin ata se ata studionin anglishten. Edhe atyre iu mbajta nji vit shkollor, patën sukses, mirë. Po atë vit, osht’ dega e gjuhëve të huaja, i thonë në shqip po e shqiptoj, L-E-A; frëngjisht thuhet EL-Ë-A, që do t’thotë… jo…. L-A-E, pra langue étranger appliké, që do t’thotë gjuha e huaj e zbatuar. Ashtu siç edhe unë e kisha frangjishten si profesion, ata do ta kishin, pra, frengjishten por si gjuhë të huaj. Studentëve të cilët e studiojnë frëngjishten si gjuhë të huaj, siç e kisha studiuar unë. Atyre për t’iu mbajtur nji gjuhë të huaj, e kanë n’program në vitin e tretë, program të shpejtë, të gjallë, që zgjatë një muaj ditë, gjuhë e panjohur. Pra, kërkohet ashtu. Dhe unë e mbajta edhe për gjuhën shqipe, dhe rezultati i tyre ishte me notën më të lartë se mesatare. Qe kështu…

Jeta Rexha: Zoti Murat tash… kishim dashtë me kalu te aktiviteti i jujë në Pajtimin e Gjaqeve. Qysh keni qenë i involvumë edhe çka kanë qenë detyrat e juja përgjatë kësaj periudhe?

Murat Bejta: Pra… këtu futemi edhe në historinë e popullit shqiptar dhe posaçërisht meqë ishim të ndarë nga Shqipëria edhe në historinë e popullit shqiptar kosovar. Siç e dijmë, pra populli shqipëtar ka bërë gjatë shekujve edhe vrasje edhe plagosje edhe ngatërresa mes veti, mes njëri-tjetrit. Dhe kjo dukuri ishte përhapur me t’madhe. Rrethanat, kushtet, ndërhyrësit, pjesëmarrësit kanë qenë të lloj-llojshëm, madje të themi edhe ashtu, jo vetëm individuale, por këtu të themi se edhe regjimi anti-shqiptar shovinist serbo-sllav ka pasur dorën e vetë në përçarje dhe në vrasje.

Prandaj, ne si intelektualë që ishim, duke pasur parasysh këtë gjendje, këto rrethana, sidomos këto pasoja dhe dukuritë që kishin ndodhur dhe pasojat që ishin krijuar, thashë gjatë shekujve, jo gjatë viteve…Dhe, mjerisht ta përdori fjalën, ishte bërë traditë e shqiptarit të vriste jo vetëm dikon më të largët, por edhe të afërmin e vetë, që mjerisht këtu, për ta përshkuar këtë… për ta cilësuar këtë, për ta analizuar këtë, dhe për të sjellë përfundime nevojiten shumë fjalë, shumë mendime, shumë rrethana, shumë kushte të jashtëzakonshme. Po kuptohemi?

Por megjithatë, unë do t’bëj përpjekjen të paraqes edhe disa rrethana. Pra, ne vendosëm me disa intelektualë sidomos pra pedagogë të universitetit, por edhe intelektualë të tjerë, me punëtorë shkencorë, sidomos të Institutit Albanalogjik të Prishtinës. Pra sidomos me historianë, me profesorë të gjuhës dhe letërsisë shqipe por edhe me profesione të tjera. Dhe kështu, po paraqes vetëm Këshillin pra, Themelor… {nxerrë një listë nga xhepi}, Këshillin pra Qendror që ne e qujtëm Lëvizja për Faljen e Gjaqeve, të Plagëve dhe të Ngatërresave. Ishte kjo, ndodhi në fillim të marsit të vitit 1990, dhe prijës madje edhe kryetar i këtij këshilli ishte Anton Çetta, ishte edhe pra edhe profesor Murat Bejta, unë që jam duke folur. Profesor doktor Mark… m’falni, profesor Musa Limani, profesor i Fakultetit Ekonomik; profesor doktor Rexhep Mehmeti ka qenë profesor i kimisë; profesor Sami Peja; profesor doktor Mujë Rugova, ky ka qenë pra Këshilli Themelor. Dhe në pikëpamje të organizimit drejtpërdrejtë zyrtarisht, kemi vepruar deri në fillim të muajit shkurt 199… pra prej fillimit t’shkurtit në ’90 deri me maj… në muajin maj, 1992.

Pra, ne kemi bashkëpunuar edhe me këshillat rajonale edhe komunale në këtë drejtim. Dhe për këto punë kemi pasë edhe përgjegjësit e këtyre këshillave, i kemi kontaktuar. Kemi bërë të gjitha regjistrimet, të gjitha ngjarjet, të gjitha rrethanat, të gjitha kushtet dhe dukuritë e tjera, sidomos ato themelore dhe thelbësore për të gjetur mënyrën e pajtimit të gjaqeve. Dhe gjatë kësaj periudhe, por mjerisht po e them edhe këtë se ajo ka ndodhur edhe pas mbarimit zyrtar të kësaj periudhe, përsëri po thomë, edhe mjerisht që ndodhë edhe sot. Dhe sidomos, edhe këtu po boj digresion, sidomos në Shqipëri osht’ duke u përhapur me t’madhe pra, dukuria e vrasjeve dhe e plagesave, plagëve. Kështu që, ne gjatë kësaj kohe kemi vizituar çdo familje që ka pasur për të falur gjakun, por paraprakisht kemi vizituar edhe dorasin për t’i mësuar rrethanat. Për t’i ditur ngjarjet dhe rrethanat dhe për të mos gabuar dhe për të gjetur mënyrën më të pështatshme dhe më të pranushme për t’ia arritur qëllimit, për të falur gjaqet.

Këshillat rajonale pra, që thashë edhe komunale kanë qenë të formuar në të gjitha anët e Kosovës, në komunat e gjithë anëve të Kosovës që me bashkëpunimin me ata, ne kemi vizituar shtëpitë nganjëherë edhe në rrethana edhe kushte të tjera edhe në vende të tjera. Ka pasur raste ku zoti i shtëpisë nuk ka pasur vend për t’na pranuar. Ka pasur raste kur zoti i shtëpisë ka thanë, “Unë nuk kom bukë për të ngrënë se le mo për të pranuar dikë brenda në shtëpi”, dhe raste të ndryshme. Për fat, ne kemi gjetur mënyrat për të vizituar shtëpitë, për të takuar përgjegjësin, apo përgjegjësit, familjet, anëtarët e familjeve, duke nënkuptuar edhe meshkujt edhe femrat edhe djemtë edhe vajzat edhe bijat, madje edhe miqt nganjëherë sepse rrethanat kanë qenë dhe janë të lloj-llojshme. Në mënyrë që të mos mbetej asgjë pezull, sidomos për të ardhmen dhe të mos gjendeshin arsye të paqena, për të gjetur ndonji thyerje të besës, apo ndonjë vrasje edhe pas faljes. Ia kemi arritur këtij qëllimi dhe deri në kushtet dhe rrethanat që kanë ndryshuar edhe gjatë luftës në vitin 1999 dhe ’98 apo jo… osht’ mbajtur fjala. Dhe ende në ni numër, në ni përqindje të madhe vazhdon të mbahet.

Të ceku këtë dhe kështu që, unë sa kom qëndruar pastaj në Francë prej fillimit të vitit ’92 deri në vitin 2005 pra deri në pension, kom organizuar shqiptarët në Francë, kom themeluar Shoqatën e Shqiptarëve në Francë, kom organizuar jo vetëm mësimin për shqiptarët, për fëmitë e shqiptarëve në Francë në gjuhën amtare shqipe edhe kemi ndihmuar njerëzit për nevoja të ndryshme dhe Kosovën. Dhe kështu kemi organizuar manifestime për çështje t’Kosovës në qytetet tjera të Parisit, në Belgjikë, në Zvicër, në Gjermani, në Itali dhe në vende të tjera gjithënji me oranizatat dhe shoqatat shqiptare për çështjen shqiptare që ishte në pytje dhe në rend të ditës.

Jeta Rexha: Zoti Murat, noshta veç kishim dashtë me e përmbyllë këtë pjesën për pajtimin e gjaqeve. Tash ni pytje pak ma specifike, a ju kujtohet apo mundeni me na folë për noj rast kur nuk osht’ falë gjaku?

Murat Bejta: (Shprehë habi në fytyrë) Po ka pasur edhe raste të tilla, por shumë të rralla… shumë të rralla. Po e marr nji rast, nëse m’lejoni.

Jeta Rexha: Sigurisht.

Murat Bejta: Personi dhe familja që duhej të falte gjakun, banonte në një fshat të komunës së Podujevës, ne sidomos në këtë anë të Llapit, po e ceku edhe këtë, unë edhe si i lindur në këtë anë të Llapit, me vendlindjen time Zhiti… pra edhe i kom organizuar, por edhe i kom vizituar me anëtarët e Këshillit madje edhe kryesor, me profesorin Anton Çetta dhe e kem pasur edhe një tjetër anëtar shumë të rëndësishëm, shumë të zellshëm, profesori i gjuhës shqipe në Shkollën e Lartë Pedagogjike në Gjakovë, por që ka banuar në Prishtinë, Shefqet Canhasi dhe që me to, shkurt të them, nuk matet askush në çdo pikëpamje, osht’ shembull tipik. Ishin edhe anëtarët e këshillit lokal të vendit, edhe komunal dhe filluam bisedën. Në shumicën e rasteve, po e teproj, ma lenin fjalën mua sepse kisha edhe një përvojë shumë të thellë. Madje, edhe jo vetëm sociale edhe shoqërore, por edhe psikologjike, morale, dhe kombëtare njerëzore.

Download PDF