Pjesa e Tretë
Anita Susuri: E ʻ81-ten demostratat kur kanë qenë, a ju kujtohet çfarë gjendje u kanë?
Fehmi Elmazi: Po qysh sʼmë kujtohet, qysh sʼmë kujtohet. Mʼkujtohen krejt se unë e kom pasën zyrën te Bankosi, a din ku oshtʼ? Drejtoria e Kishnicës edhe Novoberdës që u kanë Akademia e Arteve tash që e kanë bo mas lufte. Qaty kom punu une prej ʻ72-shin deri ʻ90-ten. I kena përcjellë krejt. E po ta kallxoj ni ksi storie. Ni ditë demostrata, qetren ditë qashtu. Kur kanë dalë tenkat, e kisha ni shka që folke shqip ma mirë se shqiptartë, a po kupton? U kanë arsimtar, nifarʼ Cobi. Kur i ka pa tenkat që dolën, i pëlciti, nuk mujti pa e shpreh atë shovinizmin, “E” tha, “sad će da vide [srb.: Tash do ta shohin]”.
Unë nuk mujta pa reagu, a po kupton? Se isha i kallun. I pasha rininë atje tʼu i shkelë, tʼu i vra. Thashë, “Šta će da vide Cobi? [Çka kanë me pa Cobi?]” tha, “Sad će da vide tenkovi [Tash kanë me i pa tanket]”. Thashë, “Dobro, hoćeš da mi kažeš ti čija su ova deca? Tʼkuna janë qita fmi që kanë mʼi shkelë?” Thashë, “A pʼe sheh që po gabon”, thashë, “edhe djali yt munet me kanë qaty. Pse je shka ti oshtʼ tjetër punë. Po”, thashë, “edhe djali yt e i jemi munet me kanë”. Po du me thanën që ata gjithmonë nuk e shprehin deri tʼju vjen koha. Po unë sʼjom tutë. Ju kom thanë kshtu gjithmonë. E qashtu unë jom konë qaty nʼzyre, i kom përcjellë. Kom dalë nʼdemostrata për natʼ në mramje kur janë kanë, a din? Kha te fakulteti e asi…
Anita Susuri: Çka keni pa? Qysh…
Fehmi Elmazi: A?
Anita Susuri: Çka keni pa? Qysh ka qenë?
Fehmi Elmazi: Çka kemi pa, qyre, i kom pa për shembull kur te fakultetet nalt, te Mensa e Studentëve, kur i kanë qitën kto kantat e bërllogut e kanë zanë rrugën. Kanë bo probleme qishtu. Kanë qitʼ nʼrrugë, kanë pengu rrugën mos me ardhë policia. Rrehjet. Nihere isha, djalin nuk e lasha, e kom pasë djalin dhjetë vjet a njëmbëdhjetë, sa u kanë?
Nazmie Elmazi: Kom harru. 35 vjet i ka tash.
Fehmi Elmazi: Pʼi thom djalit, “Rri te shpija”. Unë jom dalë. Kur jom shku te fakulteti ata i rrehën. Nashta tʼkujtohet atë profesorin që e kanë rreh gratë kur i rrehen kta që kujtojshin që na jem komunista.
Anita Susuri: Po, Statovcin.
Fehmi Elmazi: Kur ia kërsitën, a po kupton? Qaty jom konë. Ai djali përmas. I kom pa krejt rrehjet e malltretimet, tonat i kom pa. I kom përcjellë në të vërtetë. Qishtu.
Anita Susuri: Pastaj ju lan, mas ni muji dolët. A e kishit ende… po mendoj ju keni punu deri ʻ90-ten po te vendi i punës a patët naj problem?
Fehmi Elmazi: Jo, qe po të tregoj. Unë kom pasë në punën teme suksese. E kom njoftë punën po e kom punu me përpikmëni. Jom shku ʻ72-shin me ni referant që e ka lshu njani para dy vjete. Oshtʼ kanë referent për mjete themelore. Jom shku në vend të tij. U kanë ni maqedon aty dhe unë qatʼ referent. Aty ish mbledhë puna dy vjet. Ti nʼkontabilitet nuk e di sa merr vesh veç mblidhet aty puna, duhet mʼu krye. Ka pasë mjete themelore shumë edhe inventar Novobërda edhe Kishnica. Ato u deshke krejt me ua nxjerrë amortizimin. Se amortizohen kah dhjetë përqind çdo vjet, a po kupton?
Unë ato u dashtë krejt… e kom pasë ni maqinë të gjermanit 1933-shin. Me qata mʼu ka dashtë me i mshu rraga rrag {onomotope} rraga rrag {onomotope} rraga rrag {onomotope} me sjellë {shpjegon me duar para dhe mrapa}. Gjithë ditën nuk jom çue prej karrigës. Kur ka ardhë fundi i vjetit unë i kom kry krejt. Masi i kom kry ato krejt, ai i ka pasë krejt do janë konë gra të drejtorave qaty në drejtori. Janë kanë 17 shkina. Po mʼthotë, “Fehmi”, u kanë ni Gërkoviçi u kanë drejtor në Elektro Kosovën e Ferizajit, Ilana Gërkoviç. Po mʼthotë… ajo sʼe kish punu punën hiç, e kish lanë shkret. Ai e ka pa shefi po nuk e kanë hangër njani tjetrin kta, a po kupton?
Po mʼthotë, “Fehmi, a po del ktu në këtë referant?” “Po more”, thashë, “pse sʼdal”. Dal. Jom dalë. A beso krejt prej se u nisë firma, prej ʻ49-shit a ʻ50-shit, unë çdo dokument që u kanë e kom shfletue edhe e kom kqyrë poshtë që kena pasë atë maqinën e regjistrimit, a po kupton? Krejt a oshtʼ regjistrue a jo. Kur oshtʼ bo dy muj a tri unë krejt i kom qitën zero zero. Se u kanë e kuqe dhe e zezë, ato bashkohen bohet zero, a po kupton? Unë krejt qato i kom bashkue. Kurrë nʼgjyq nuk i kom hupë asni send.
Ai e ka pa që unë po e kryj punën, ia kom kry punën edhe mʼka çu nëpër Serbi. Mʼka çu në Shabac se kena punu na, Kishnica ka marrë. Në Beograd në Metal Servis krejt. Jom shkue ia kom pru disa milion pare që na kanë pasë borxh. E nuk kanë ditë mʼi lypë kta. E unë ia kom pru nuk e di sa milion tash veç sigurisht nja dhjetë milion a shtatë tetë milion. Ka ardhë nʼpytje ni shka që u kanë qaty kryetar i regjistrimit. Se na kena pasë regjistrimin kontinuel, ton vjetin. Se ka pasë shumë mjete Kishnica dhe Novoberda. Mʼka thanë… masi shkoj ai shkau, ai ma tʼmirë se unë sʼkish, unë punën ia krysha krejt. Mʼka qitʼ aty. “A po don me dalë?” “Po more”. E kisha rrogën ma tʼnaltë, a po kupton, ni kategori.
Jom dalë qaty. Ia kom kry. Kurrë vrejtje nuk kom pasë prej… ka ardhë, ma sʼpari vjen SDK-ja kta që oshtʼ kontabiliteti shoqnor. Kur vjen ma së pari vjen te ai, te referenti te une me ditë gjendjen. Se ma sʼpari merret gjendja e depos, e magazinës qysh oshtʼ aty e masanej shkojnë ato tjerat. Unë ia kom qitʼ krejt zero-zero. Kurrë ni vrejtje sʼe kom pasë. Qe qishtu. Për qita domethanë në punë kom kalu shumë mirë. Nuk mʼkanë ngux shkitë a shqiptartë po. Shqiptar u kanë njo, sʼpo du me ia përmend emrin, se u kanë i padijshëm. E kishte vllaun drejtor atje në shërbim të kontabilitetit.
Unë e mora po e msoj. Po i thom, “Merri kartelat e nisja qysh niset prej A-së”. U shku i ka thanë atij vllaut tʼvet ka thanë, qishtu, qishtu. “Jo more”, ka thanë, “nuk tʼkom çu atje për kontabilist po tʼkom çu për shef”, a po kupton? Erdh po mʼthotë mu ashtu. “Jo, jo”, thashë, “unë i kryj puntë veç për ty mʼu msue”, “Sa për mu as ni fletë mos e prek”. I kom punu unë vet. A beson edhe tre referenta i kom pasë, nja dy janë kanë nuk e kanë prekë lapsin. U kanë ni futboller, nuk du me ia përmend emrin se nuk oshtʼ e hijshme. Beso 30 ditë nejke nuk e kapke lapsin me dorë. Unë u deshke me shku me ia kry puntë veç mos me bo fjalë se shefi ishte shka, a po kupton? E qe qishtu. Punën e kom kry ma së miri. Kurrë nʼpunë, në asni punë kurrë vrejtje nuk kom pasë. Qe qishtu.
Anita Susuri: Po mʼintereson edhe kujtesa e juj për ʻ88-ten marshet kur kanë fillu të minatorëve?
Fehmi Elmazi: Unë kom qenë me minatorët e Kishnicës, na jemi konë në ngjarje, na ju kemi ndihmue. Na çka kena mujtë ju kena çue. Po u deshtë fsheftë ato mʼi bo, a je kah kupton? Se jom konë nʼngjarje krejt unë. Me… saherë kanë bo grevë minatorët na me ta jemi konë, sidomos unë dhe shoktë e mi.
Anita Susuri: A ju kujtohet diçka prej grevës kur ka qenë?
Fehmi Elmazi: Po, po.
Anita Susuri: Çka ju kujtohet?
Fehmi Elmazi: Greva e minatorëve. Qyre po të tregoj. Kushtet veç ai që ka hi në minierë e din se çka oshtʼ miniera. Pa hi nuk e din. E ki imagjinatë. E sheh po është tjetër. Unë ma së pari kur kom shku në Kishnicë, ma së pari mʼkanë çue në Hajvali. Ti ke ni që oshtʼ Hajvalia miniera atje poshtë? Mʼkanë çu se kishte pasën, uji ka ardhën edhe i kish marrë, i kish mlue disa vagona, a po kupton? Që e bajnë xehën. Mʼkanë çu se unë e kisha referatin për mjete themelore. Mʼkanë çu me bo regjistrimin. Qatʼ herë kom hi në minierë ma së pari, a po kupton? E kom pa se çka oshtʼ.
Kom hi edhe atje ku oshtʼ thy se miniera është shumë interesant. Aty kur të hish ti doket që sʼka kurgjo. Po kur te pash pluhnin, se nuk ka pasë atëherë filtera, u kanë… ti tmerr. Kur te pashë tʼu vizllu drita kur të bijke, e pahshe zi çfarë pluhni është aty. Oshtʼ tmerr. E në minierë me nejt ai pa hangër bukë ni ditë, dy ditë, a din që nuk ka tmerr ma i madh. Vdekja nuk është kurgjo bre. Krejt ato i kom pa unë, krejt.
Anita Susuri: Mʼthatë që deri ʻ90-ten keni punu pastaj jeni largu…
Fehmi Elmazi: Deri me 30.08.ʼ90 qatëherë e kemi lshu na. Se na thanë sindikalistat ai mjekrra na murrë nʼqafë, a po kupton? Nuk po du me zgjatë ma shumë veç na ka marrë nʼqafë e lshum punën. Shkau qashtu nuk na kish qitʼ sikur ai. Po ai ka mendu që ideologjia qashtu, e bllokon. Sikur ky Albin Kurti që po don me blloku Serbinë, po ia nalë dinarin, a je kah kupton? Nashta nuk kom nevojë me folë për kta po jo, jo është e dhimbshme se Amerika u çu kundër neve. Kur të çohet Amerika kundër neve që sʼjemi kërkushi hiç bre. Në krahasim me botën. Nuk po flas që sʼjemi. Amo nuk kemi kurfarʼ fuqie, asni fuqi.
Na i ka mina bacaqa [mina hedhës] a po kupton? Ai i ka aeroplanat i ka, tri lloj aeroplana. A e din Jugosllavia kur ka pasë aeroplana ma së pari? 1962-shin, unë jom konë ushtar ʻ61-shin, i ka pasë dy lloj tipa. Ora edhe Galep maje mend qita se oshtʼ interesant me ditë. Ora dhe Galep 1961-shin unë kur jom konë ushtar kanë çarkullu. E tash i ka kto që ia japin kinezët e rusët e kta tjerët.
Anita Susuri: E qatʼ kohë kur metet pa punë, çka keni bo pastaj?
Fehmi Elmazi: E qe po të kallxoj. Kur kom metë pa punë qikjo {bën me gisht nga bashkëshortja} e din, kom punu gjithçka. Kom punu roje te Arif Hoxha që ka pasë butikin, a e din? Nuk e din ku e ka. E ka kjo rruga që shkon mas teatrit. Aty që janë butikat, qaty. Qaty kom rujtën te ai. Për dhjetë euro kom rujtë 24 orë. Dhjetë orë, 12 orë a po kupton? Veç mos me ia zgjatë dorën kërkujt. E kom… si fmi me lypën e kom pasë tullusum edhe me lypë sʼkom lypë kurrë. Kom punu qaty edhe mʼkanë rreh policia. Oshtʼ në atë gazetën që e ka pasë qitë Adem Demaçi, nashta tʼkujtohet?
Anita Susuri: Cila ka qenë?
Fehmi Elmazi: Në vitin ʻ90 u kanë ni gazetë, duhesh me lypë. Aty e gjen që mʼkanë rreh. Krejt gjak u kanë ajo shitorja.
Anita Susuri: A ka pasë naj arsye?
Fehmi Elmazi: Jo kurfar arsye, veç kanë deshtë me vjedhë. Dikush mʼka thanë që i kanë thanën, se polic janë kanë ata, i kanë thanë që jom ushtar i Ibrahim Rugovës. Mʼkanë rreh, mʼi kanë thy dhomt edhe brit. Qe qishtu.
Anita Susuri: A ju kanë marrë edhe nʼpytje edhe në qitʼ kohë?
Fehmi Elmazi: Jo. Nuk më kanë marrë nʼpytje se nuk kanë pasë çka me më marrë mu nʼpytje, ata mʼkanë rreh. E ka ditë UDBA që i ka çue, a je kah kupton? Nuk kanë pasë ata çka me më marrë nʼpytje.
Anita Susuri: Po mendoj edhe naj rast tjetër.
Fehmi Elmazi: A jo, jo. Jo, jo. Mʼdoket edhe niherë mʼkanë marrë… kom harru.
Anita Susuri: Ju mʼtregut ma herët që keni bajtë ushtarë…
Fehmi Elmazi: Po, po. Qe po të tregoj. Lufta. Kusherini i ksaj {bën me gjeste nga bashkëshortja} që e kom çue oshtʼ major qitash i ushtrisë tonë. Major. Ai u kanë edhe me ni kusheri tʼvetin, po ai nuk ka nejtë, a po kupton? U tutë edhe nuk ka nejtë. A ky ka nejtën. Oshtʼ major edhe oshtʼ major që e ka kry shkollën krejt me amerikanët tash ky. Oshtʼ i zoti, oshtʼ… veç me pa. E ka grun profesoreshë, i ka fminë, mrekulli. Shumë i zoti. Driton e ka emrin. E qishtu. Kom çu edhe ushtarë. A tʼkallxova për këto elementet e Radio Kosovës dy herë që i kom çu?
Anita Susuri: Po mʼdoket jo për kta. Radio Kosovën nuk na ke tregu.
Fehmi Elmazi: Radio Kosovës, vllau i ksaj i ka çue i ka ble kha e kerri u konë ni Opel, i kemi ngarkue. Unë i kom çu deri te Shtimja, deri ku janë konë kta ushtarët e UÇK-së. Ata kanë dalë i kanë marrë i kanë çu atje. Se nuk kom pasë unë tʼdrejtë me shku atje, nuk mʼkanë lanë. Unë jom kthy me kerr te mas.
Anita Susuri: A keni pasë ndonjëherë problem te kto pikat që kanë qenë punktet?
Fehmi Elmazi: Jo nuk kom pasë se unë veç dy herë jom kanë. Vllau i ksaj {tregon nga bashkëshortja} ka pasë edhe ka mbetë gjallë tʼu i falënderu OSBE-së, atij komandantit, qysh e patʼ ai emrin, qitash mʼdul. E din ai plaki? Ai plaki që u kanë që po vjen te kta të vramt që po vjen…
Anita Susuri: Po, po pʼe di.
Fehmi Elmazi: Mʼdul hatri tash.
Anita Susuri: Edhe mu mʼdul prej menjes.
Fehmi Elmazi: Nejse, nuk oshtʼ me rëndësi, po ai.
Anita Susuri: Në Reçak që ke a po?
Fehmi Elmazi: Në Reçak u kanë.
Anita Susuri: Po bre po, mʼdul edhe mu.
Fehmi Elmazi: Ai u kanë. Se vllau i ksaj ka shkue oshtʼ formues i UÇK-së. Me Jakup Krasniqin shok tʼburgut, janë konë në burg bashkë. E kanë vazhdu ata dy. Jakupi u kanë naltë e ky ka ardhën ka pru material, ka pru… iu ka çu atje ushtarëve. Hala pa e ditë që ka UÇK. A po kupton? Niherë e ka nalën shkit në punkt. E kanë nalën, ia kanë marrë leternjoftimin, e kanë thirrë bazën. I kanë thanë, “Likvidone”, a po kupton? Po fati i tij ka ardhë në qatʼ moment ky gjipi i OSBE edhe ata i kanë thanë, “Beži [srb.: ikë]” edhe ka pshtu. Qe qishtu. Unë jo a vllau i ksaj po. Qe qita e ka përjetu Ilmi Ramadani. “Beži” qaty ka pshtu.
Anita Susuri: Ju mʼtregut edhe ma herët pak për luftën, mirëpo po mʼintereson bombardimet kur kanë fillu. A keni qenë ktu?
Fehmi Elmazi: Ktu kom nejtë ton kohën. Në Prishtinë jom konë. Ndaq me ditë ti gzimi ma i madh i jemi oshtʼ kur ka krisë ma së pari në Hajvali. Se ma së pari ka krisë në Hajvali masanena ka vazhdu ktu. E mbaj mend se e kom pasë te posta banesën, ni banesë me qera në katin e gjashtë jom konë. E kom pasë ni ballkon e kqyrsha krejt. Atje e shihsha poshtë që oshtʼ ushtria edhe kah. Krejt ato kur i gjujshin ushtrinë e ku dalke flaka unë i kom përcjellë.
Bile tʼu nejtë, qe ku oshtʼ gruja, djali, “Oʼ bab mos dil bre se po tʼvrasin” (qan). Unë, “Jo, ka me dalë”. Kur ia nisi djali mʼu asi atëherë e lash, e lash unë niherë sa shkoj ai me ra. Se unë gjithë natën veç i pritsha aeroplanat a po shkojnë në Serbi, a po kupton? Se për ktu e dijsha. Po veç i përcillsha a po shkojnë në Serbi. Kur shkun në Serbi kriske bombardimi. Krejt i kom përcjellë. A beson copat kur i kanë mshu ktu kazermës kanë ra ktu te banesa jeme, copat. Edhe postës kur i kanë mshue jom konë te halla e ksaj {tregon nga bashkëshortja} copat na kanë ra qaty. Krejt i kom përjetu ato.
Anita Susuri: E qyteti nʼçfarë gjendje u kanë? Njerëzit?
Fehmi Elmazi: Qyteti qe po të kallxoj. Qyteti ka qenë i vdekun. Sidomos masi i kanë njekë kta që i çun, ti e din qysh i kanë qitʼ prej shpijave? Edhe mu mʼkanë qitʼ prej shpijës me gjithë qita {tregon nga bashkëshortja}. Po unë nuk kom dalë për arsye se ku tʼmë nalshin emrin mʼkishin likfidu. E për qata nuk kom dalë se mʼkanë qitën kur na kanë qitʼ prej banesës, u ardhë Teuta, kunata e ksaj ka thanë, “Na qitën neve prej banesës”. Ma poshtë e ka pasë banesën ajo. Tha, “Edhe po vijmë”. Po vijnë, po vijnë. Çka kisha me ba. Kanë ardhë ata.
U tutshin njerëzit, u tranojshin. As sʼguxojshin me folë, as me dalë, as nʼtelefona. Unë nuk jom tutë beso. Sʼjom tutë kurrë, jo atëherë po… ajo frika normale ka qenë po jo mʼu tutë sikur dikushi që bojshin av, iv {onomotope}. Ju kom thonë, “Rrini, mos gaboni me dalë deri tʼju qesin. Se kur tʼdalsh kur tʼshkojsh atje tʼthojnë, ʻA ke ikë?ʼ Ti thu, ʻJo mʼkanë qitʼ prej shpijeʼ”. Qita e kom ba, qita kom mujtë me ba. E kom nalë krejt ndërtesën deri janë ardhë ata me mitroleza. Kur janë ardhë me mitroleza atëherë ju kom thanë, “Ma mos qitni trimni se sʼkeni trimni. Nuk ki armë nuk ki trimni”. Unë e kom pasë ni shtatshe ni vallter, çka mutin bon me to? Ai e kish mitrolezat aty, a po kupton? E qe qishtu. Nuk u kanë lehtë. Lehtë nuk u kanë. Qe qishtu.
Anita Susuri: E kur u shliru?
Fehmi Elmazi: E kur u shlirum gzimi jem… se qe po të tregoj. Ni natë përpara kur kanë hi rustë, unë jom kanë te shpija e Sami Pejës, nuk e di a e din ku oshtʼ?
Anita Susuri: E di që ka vdekë nʼatë kohë…
Fehmi Elmazi: Profesori. Profesori u dekë ni ditë a dy përpara. E kom pasë shok unë ata. Ai shok jo po tek të burgut jemi konë shokë tʼburgut. E nuk e kemi kqyrë moshën a i ka ai 50 a 20 a 30. Jemi konë shokë tʼngushtë edhe vllau i ksaj {tregon nga bashkëshortja}. E kemi taku te Tre Sheshirat me gjithë kta
{tregon nga bashkëshortja} u gzu që na pa. Po thotë, “Hec me shku”, te ai, te shpija atij. “Ani Baca Sami”. Na nuk kemi shku, po ai qatʼ ditë ka vdekë masdite. Po tʼnesrit na jemi shku te shpija e tij kemi nejtë deri nʼfund. E tash natën e fundit që po thu kur kanë hi rustë unë jom konë në shtëpi të Sami Pejës. Djalin e tij… fmitë nuk i ka pasë. Unë me gru ai me gru edhe nanën e ka pasë.
Po të tregoj, ai e ka pasë ni shtatshe unë ni shtatshe allti. Nuk kemi dalë për trimni na se sʼkishe, tʼkallxova me ta nuk mujshe kurfarʼ trimërie me ba. Po bile me mʼvra. Me ia kërsit plumin mos me thanë që sʼia kërsita plumin edhe mʼvrau. E din qikjo kur kanë ardhë e kanë marrë ma shumë u tutën ai prej Nazmijes që po gjun sesa ata policia. Se qata vishin vjedhshin ata. U kanë ni gjakovar që u marrë, ni Faik Fruthi, djemtë e tij janë marrë me biznis. E kanë pasë pare nʼshpi. Ai u kanë kojshi i tij e vijshin kalojshin nëpër oborr të ktina e shkojshin vjedhshin atje. A beson ia kanë hjekë ata të hekrit ia kanë hjekë edhe me vjedhë. Kanë vjedhë policia.
Qatʼ natë e kanë vra atë Nazmi Gojanin poshtë. Ka krisë mitrolezi te dera. Beso na nuk kishim kurgjo. Ajo banesa qysh oshtʼ shpija, ai ka dalë me ni qosh që mos me mujtë me na rrokë direkt a po kupton? Unë jom dalë me ni qosh edhe kemi nejtë qaty deri u qetësu situata. Qashtu kemi nejtë. A po kupton? Mʼu tutë sʼjemi tutë as unë asi ai, tybe pesë pare nuk i kemi dhanë. Po ata krisën krisën, kur u bo 10:00 a 12:00 a ju bo boll edhe e nalën e shkun. Qeni na u trishtu. E ka pasë vuçijak, cofi prej tutës. Se kur te nin pushkën qeni shashtriset. E qe qishtu u kanë ajo natë u kanë tmerr. Tmerr. A din çka oshtʼ? Tʼka vra kush ka deshtë, sʼka ni për kurgjo. Qe qishtu.
Anita Susuri: E kur ka hi KFOR-i kshtu?
Fehmi Elmazi: A?
Anita Susuri: KFOR-i…
Fehmi Elmazi: A ja kur ka hi KFOR-i ma kur ka hi kom dalë e kom pritën atje KFOR-in unë. E kom pritë si zotin KFOR-in. Bashkë me gruan kemi dalë te spitali e kena pritë. Erdh zoti. Për mu është zoti nʼdynja Amerika po ky Kurti nuk pʼe njeh se ky oshtʼ i pa fe, ky oshtʼ kijamet. Gruja tha, “Mos fol për politikë”. Vallahi po foli se na ka prishë puntë, na ka tmerru oshtʼ tʼu na prishë me Amerikë krejt, qishtu.
Anita Susuri: Mas luftës a ju ra me punu a u pensionut a qysh? Fehmi Elmazi: Pas luftës kom punu. Ku kom punu Nazmi ma së pari? Nazmie Elmazi: Ka punu privat tani në Ministri të Punës.
Fehmi Elmazi: E di që kom punu ma sʼmrami…
Anita Susuri: Në Ministri të Punës po thotë.
Fehmi Elmazi: Po, po në Ministri të Punës prej qatyhit jom pensionu. Po. Se kom punu edhe te ky Sabri Novosella njo pesë muj a gjashtë. Po i ka puntë e veta, mʼheki. Unë shkova e kisha ni shok aty në Ministri të Punës tha, “A po vjen roje?” Roje, roje veç bukë, veç mos me nejt pa… jom hi si roje po masanej kanë pasë nevojë nʼadministratë… me ditë ti pluhnin që e kom hangër unë qaty. A din çka kom punu? Me vjet, 20 vjet dokumentat, vendimet që i kan ëpru prej botës së jashtme, krejt janë kanë qaty sʼi ka prekë kërkush veç kur ju kanë dhanë pare ata ia kanë gjetë landën. Ndryshe krejt janë kanë qaty. I kom punu.
Mʼka thirrë… e kom pasë shok atë drejtorin tha, “Hajde Fehmi me na ndihmu”. E jemi shku i kom klasifiku ia kom qitʼ numrat ma së pari. Mirëpo prap i kanë gjujtë qaty. Atëherë kur e ka pa ai ashtu mʼka qitʼ mu atje naltë. Krejt pluhnin që e kom hangër unë të bombardimeve qaty as nʼburg as kërkund
nuk e kom hangër. Po a beson, kur u ardhë viti i ri asni fletë nuk u kanë pa ua çu referentave pa u kry. Qashtu e kom lanë. As ni fletë. E kom kry punën. A ni rojtar tha, “Oʼ lej o Fehmi”, tha, “se kërkush qitu”, tha, “qe 30 e sa vjet punoj nuk i ka asi”. Ata sʼkanë deshtë, i kanë lanë për mʼi gjujtë. Kur ju ke dhanë pare u shku iu ka gjetë landa. Qe qishtu. Unë krejt ia kom çu referentave.
Anita Susuri: Zoti Fehmi, nëse doni edhe për fund diçka me shtu, nëse doni…
Fehmi Elmazi: Unë kom shumë me folë po le tʼshkojmë me qikaq.
Anita Susuri: Ani faleminderit shumë!
Fehmi Elmazi: Faleminderit edhe prej juve!