Pjesa e Pestë
Anita Susuri: Zonja Emel, po du me folë, me kalu pak te vitete ‘80-ta. Ju keni punu në gjimnaz edhe ka pasë dinamika të ndryshme ndërmjet, po mendoj, n’krejt popullin po ma shumë është theksu te rinia me aktivitete që kanë pasë, që janë qujtë ilegale. Po m’intereson për demostratën e vitit ‘81. Ju m’thatë që keni qenë në Amerikë jeni kthyer…
Emel Pashoja: Unë jam kthyer, fëmija bash studentat edhe rinia ishin të mbledhura në Pallatin e Sporteve. Irfani duheshe t’më priste në Aeroportin e Beogradit po për shkak të situatës, se aty ishte nënshkruesi i apelit 200 e 12 një ndër iniciatorët edhe ndër të parët nënshkrues ishte etiketuar nga serbët edhe s’e kishin me sy të mirë. Nuk guxoj të udhëtoj gjer’ në Beograd të vij…
Anita Susuri: Çka ka qenë ky apeli?
Emel Pashoja: Apeli 200 e 12, Zekerija Cana që e ka shkruar për ndryshimet në Kushtetutën e Kosovës që të bëhen. Fëmija po kanë qenë atje, Sulejmani edhe Ganimetja ishin studenta, angazhimi i të gjithëve. Mirë, unë u ktheva ma nji gazetar tjetër që e priste të vjehrrën, ajo tash është në Amerikë, de fakto është në botën tjeter, dimenzionin tjetër, se vite kaluan. Ifrani po m’tregon, unë edhe atje dëgjoja lajmet. “O”, thashë, “a do të kthehem në shtëpi? Mos po kërset diçka e do të mbetem në Amerikë”.
Se lindur andej e tani mos po vdes në Amerikë. Kur erdha këtu Irfani po m’thotë, “Emel”, tha, “mirëseerdhe! A je mirë?” Tha. Po atëherë ishte edhe ajo mbyllja e minatorëve në zgafellë. Kishte nevojë edhe për ata…
Anita Susuri: Ajo ka qenë në ‘89-ten ka qenë.
Emel Pashoja: Atëherë ‘89-ten e zgafellës?
Anita Susuri: Po ‘89-ten.
Emel Pashoja: E ajo atëherë ishte kjo e studentëve…
Anita Susuri: ‘81-ten po ka pasë edhe ‘89-ten demostrata.
Emel Pashoja: Unë e di se fëmija, studentat po mblidhnin pare. Ju duheshin pare, për çka unë s’e di. M’tha, “Sa të dhanë dhuratë? Sa të dhanë para dhuratë?” Se ai ishte, kur shkoje në Amerikë të jepnin nga pesë nga dhjetë nga 15 dollar. Thashë, “Unë kam 700 dollar më janë mbledhur dhuratë”, Sulejmani tha, “M’i jep ato mua”, “Pse?” “Atje kemi neve plot studenta që janë të urtë që vijnë nga fshatrat edhe na duhen para në organizatë”. Krejt paratë çka m’i dhanë në Amerikë dhuratë unë ua dhurova për studenta (qeshë).
Po ashtu isha në dasmë, për atë po lidhet… mandej kur shkova ‘89-ten kur u ktheva ishte zgafella. Ishin ata minatorët brenda e unë përsëri isha në Amerikë. Atëherë kisha ni dasmë. Ato të hollat përsëri ia dhashë fëmijëve, “Çojeni atje për punëtorët e Trepçës”. Këtu në gjimnaz ka qenë e pamundur, kanë qenë diferencimet të pa durueshme që i kanë patur…
Anita Susuri: Kjo në vitin ‘81?
Emel Pashoja: ‘89.
Anita Susuri: ‘89?
Emel Pashoja: ‘89-ten, ‘87-ten, ato vite kanë qenë shumë të rënda për proçesin. Kur u bën që na përzun nga shkolla?
Anita Susuri: ‘90-tat, vitin ‘90-të.
Emel Pashoja: Përpara se të vijë deri te përzërja ishte ajo Serbia veç që bënte, ju jeni me Shqipëri edhe duheshe profesorët të gjithë të deklarohen, “Shqipëria i ka fajet”, e duheshe të fliste kundër shqiptarit, shqiptari kundër shqiptarit duhej të flisnin. Ishin ni situatë tepër e rëndë në, ju s’keni qenë të lindur. Ishte ni hajk [përndjekje] që quhet diferencim. Ti duheshe të diferencoheshe të thoshe, unë jam me Serbinë. Ai thoshte unë jam me këtë…
Ndër neve në atë kohë banonte ni profesor i katedrës së orientalistkës, Esad Durakoviqi. I cili sot është në Sarajevë. Ai përjetoj luftën atje edhe sikur e parandjente kur këtu vlonte. Ni natë po rrinim edhe i thoshte Irfanit, “O Irfan, është si është mund të bëhet gjithçka as që paramendonim që do të kris lufta. Po sidoqoftë ju shqiptarët e keni Shqipërinë përprapa është dikush që do t’ju mbrojë. Çka do të ndodhë me ne boshnjakët?” Edhe vërtetë boshnjakët e hëngrën pjesën më të rëndë të coptimit, të shkatërrimit të Jugosllavisë.
Se di a ishin në hije të gjërave përpara nja tri jave më duket u bë ni ekspozitë me fotografi që organizoj dhëndri im, Burim Muftiu, për Sarajevën, ‘Opsada [srb.: Rrethimi] më e gjatë’. Unë bile isha në atë hapjen e librit të asaj që kishte promovimin ajo shkrimtarja. Tregonte rastet se si kanë mbijetuar njerëzit. Tash unë e kam personin e gjallë i cili ka banuar në shtëpinë time. Këtu ku jam unë, këtu banonte ai. Se gruan farmaciste. Esadin tha, “Neve na ka shpëtuar shpija. Në oborr natën mbillnim piperka, lakra, qepë krejt edhe prej ushqimeve që i prodhonim vet në oborrin e shtëpisë kemi mbijetuar rrethimin e Sarajevës”.
Domethënë kanë qenë kohëra shumë të vështira për të cilat rinia dinë shumë pak, ani se ka shkrime, ka shënime po nuk janë të mjaftueshme që bota të njoftohet me realitetin me t’vërtetë çka ka bërë Serbia. Kur u mbyllën shkollat unë u detyrova, unë kesh e detyruar që të shkoj në penzion të parakohshëm për shkak se unë si referente në atë moment kisha sekretar, nuk kisha punë me plan programet mësimore. Ndërsa sekretari binte me grupin e profesorëve. Profesorët i përzun, ne administrata mbetëm të punojmë në shkollë akoma.
Na thoshin drejtorët edhe ata të arsimit, “Vazhdoni punoni se mirë është t’jeni brenda, na duhet ndonjë vërtetim, na duhet ndonjë gjë po mos t’ju kemi edhe juve neve mbetemi pa asgjë”. Se njerëzit kishin hala funksiononte shteti. Duheshe ndonjë vërtetim për dokumenta për kredi a për diçka. Vetëm vula e gjimnazit mund të përdorej, po të mos ishim neve çka do të bëhej. E unë ni ditë kthehem, po shkoj në shkollë, po shkoj në punë, kur shikoj mbi tavolinën time të punës të vendosura ditarët, ni kub ditarë. Unë s’kam praktikisht ku të ulem.
I them, në vendin e sekretarit e kanë sjellë ni profesor serb i cili jepte histori. Them unë, “Alek”, thashë, “çka është kjo situata?” Thashë, “Çka të bëj unë?” “Ç’të duash bëj”, tha, “shko në shtëpi”, thashë, “Si të shkoj në shtëpi? Me çfarë arsye”, thashë, “unë jam në vendin e punës”, tha, “Lëre punën”, thashë, “A po më thua ti”, thashë, “atëherë më jep vendim për çfarë arsye që ta lë unë punën”. Shkoj te drejtori, ishte nifar Branko Paunoviqi.
I them, “Branko, zašto sam ja van radnog mesta, Pse jam jashtë vendit t’punës?” “Po”, tha, “s’na duhesh”, “Po”, thashë, “ma jepni vendimin, unë e di ku i kërkoj të drejtat e mia. Ti vetëm ma dorëzo”, “Ndaq rri ndaq shko”, “E pastaj”, thashë, “që para publikut të deklaroni shqiptarët nuk duan të punojnë po i lën vendet e punës. Unë do t’rri kështu”, thashë, “ja duart kryç, kështu do t’rri”. Ni ditë unë s’kisha çfarë të bënja, shkova mora do krrabza edhe do pe edhe fillova po punoja. Zbrita poshtë te arkatarja e cila ishte serbe.
Ajo thotë, “Ej Emel, po vjen drejtori”, “Po”, thashë, “le t’vijë”. E kur erdhi tha, “Çka po bën?” Thashë, “Po qetësoj sistemin nervor”, “Pse?” Thashë, “Isha te psikiatri edhe më tha, ‘E vetmja punë që njeriun e qetëson është puna’ edhe unë”, thashë, “punën ma morët edhe tash po bëj me krrabza. Po duash”, thashë, “ta bëj ni xhemper”. Ajo ishte presion që ti të bëhesh çka të bësh punën ta lësh vet.
Nuk i mjaftoj ajo, ni ditë po m’thrret në zyrë. Po fati im në zyrë ishte arkatarja, jo po ekonomistja edhe sekretaresha që ishte malazeze. Ai më thotë mua, “Emel”, tha, “ulu edhe shkruj vendime për nxirrje nga puna të shqiptarëve, profesorëve”, thashë, “Mund t’i shkruj, unë s’jam sekretar. Unë jam referent për çështje të nxënësve. Ajo nuk është në përshkrimin e punëve të mia”. Ai kështu me brryl {mshon tavolinës} bam {onomotope} “Kur të them menjëherë shko dhe bëj vendimet”, thashë, “Unë nuk i bëj”, thashë, “po menjëherë po shkoj dhe po bëj ni deklaratë pse s’i bëj”.
Unë dalë prej zyrës shkoj me atë në dhomën time e marr makinën e shtypa edhe i shënoj, “Në prezencën e”, filan fistekut, ia shkrujta emrat e atyne të dyjave serbe, “të drejtorit nën presion fizik, që e goditi tavolinën duke mos munduar t’më godet mua, më detyroj t’bëj detyra t’punës të cilat nuk i takon përshkrimit të vendit të punës time. Unë”, thashë, “jam e detyruar ta japë këtë deklaratë nën presion, jo me vetëdëshirën time”.
E nënshkrujta, vura datën edhe i them asaj sekretareshës, “Të lutem ma protokolo këtë”. Ajo e mori, e protokolojti i vuri datë protokoli, e vuri në librin e protokolit e vuri edhe vulën rrumbullake edhe me tre kopje. Një aty, një drejtorit, një mua. E unë ia çova. Kur e pa ai çka ka bërë kjo filloj ta shaj i tha, “Kozo, dhi, a je e vetëdijshme ç’ke bërë?” Tha, “Qysh e ke protokoluar këtë dokument?”
“E”, thashë, “Branko, ju jeni mësuar”, thashë, “të kafshoni si gjarpri”, thashë, “edhe të ikni. Mos mendosh”, thashë, “se Emeli është budallë edhe nuk di çka po bën. Mos harro se kur erdhe ishte piliq [zog], haber s’kishe nga administrata. Unë 30 vjet në administratë po punoj. Unë të kam mësuar për punët e administratës”, po thashë, “ti po bën punë e cila është totalisht jo zyrtare. Këto janë ndryshime politike të cilat janë shkaktuar në carqe të caktuara. More Branko, leni rrugë dhisë ku një ditë të mundësh të ecësh nëpër Kosovë. Se me këto sjellje”, thashë, “ti as rrugën e dhisë nuk e ke lënë. A unë ty me këtë dokument kam me të ndjekë deri në Salzburg për të drejtat e njeriut që ma ke bërë këtë kërcënim”.
Doli nga takti, gati u çmend. “Grise këtë, asgjë s’po të them”, “Jo”, thashë, “ti”, thashë, “më shumë, mua s’më sheh këtu. Unë”, thashë, “shkoj në penzion”. E shikova, vajta në Entin e Sigurimit Social, po e shikoj, po e pyes ni nënpunës, “A ekziston akoma ligji a po funksionon që me 50 vjet moshë edhe me 30 vjet përvojë pune, unë mundem të shkoj në penzion?” “Ekziston”. “Është muaji qershor, a unë i mbusha 50 vjet në janar. Domethënë korrik, gusht, shtator. Edhe tre muj mua më mungojnë që të bëj 30 vjet përvojë pune”, thashë, “ekziston mundësia ta ble stazhin për tre muj?” “Ekziston”.
Shkoj në Entin e Sigurimit Social po e ble stazhin për tre muj edhe penzionohem. U detyrova të penzionohem para kohe që t’i ikë shqetësimeve psikike që m’i bënte. Se prej atij momentit unë jam sëmurë nga tensioni, që atëherë unë jam në mjekime mandej problemet e zemrës e të gjitha nga torturat psikike që m’i ka bërë ai në vendin e punës.
Anita Susuri: Ka qenë viti ‘96?
Emel Pashoja: ‘96, ‘96.
Anita Susuri: Si ka vazhdu pastaj jeta? Sigurisht edhe bashkëshorti juj ka mbetë pa punë?
Emel Pashoja: Ata punonin nëpër shtëpitë private çika jeme, as ai s’merrte rrogë. Unë rrogën time që e merrja edhe ajo bibliotekistja se ishim dy shqiptare, neve e ndanim me sekretarin rrogën. Unë gjysmën, gjysmë ajo që t’kishte çka të merrte Zymberi. Se përndryshe djali mbetej pa para. E ndanim atë kohë që punuam që vazhduam në atë torturë që u bë për të gjithë edhe për neve. Në atë rast çdo kusht, ajo ishte atëherë, kjo organizata që 3 përqind kemi paguar kontribute sipas mundësive, çdo kush ndihmonte bënte.
Po neve që të jepnim ndonjë shumë… fëmijët i kishim jashtë, të dy fëmijët ishin në Londër. Se për Nolin, Noli ishte 16 vjet, 17 s’i kish bërë. Tri herë na erdh ftesa për ushtri. Veç kishte filluar lufta në Bosnje, në këtë, në Bosnje edhe në Kroaci. Shpëtimi i vërtetë e dërguam djalin në Londër. A Sulejmanin, djalin e madh, për gjashtë muj duheshe të diplomonte, u mbyllën fakultetet e dërguam në Londër me para të përfundoj fakultetin. Domethënë këto kanë qenë trazira të cilat na kanë shkundur shumë në jetë. Po kjo ka qenë për krejt shqiptarët edhe për neve.
Unë mbrrita të penzionohem. Mirëpo ajo sa zgjati? Tre vjet, as tre vjet të plota jo. ‘99-ten na i kputen penzionen edhe na mbetëm zero. Ashtu që mandej duheshe të prisja të bëhem 65 vjet se me 50 u penzionova. Të pres të bëhem 65 vjet të pres të marrë diçka nga Kosova. Kam kërkuar, mbasi jemi shtetas të Maqedonisë, kemi dy shtetësi. Makedonia me Serbinë kanë marrëveshje për penzione. Nuk na i realizon, nuk patëm mundësi t’na realizon.
Gjersa ajo advokatja e Beogradit ishte aq e pa ftyrë saqë më tha, “Ej”, tha, “po shikoj në librezë të punës tënde po shkrun që je turke”, “Po”, thashë, “jam turke po çka më ndihmon ajo?” “Po le të shkruhet edhe Irfani turk që të mund t’i merrni penzionet”, thashë, “Irfani”, thashë, “del në urë”, thashë, “edhe e lëshon dorën të lypë”, thashë, “edhe atë gjë nuk e bën”, thashë, “a çfarë fitimi kam unë nga ajo që jam turke?” Thashë, “Unë jam turke e pastërt”, thashë, “nuk jam turke si këtu që po bëhet politikisht për shkak të interesit të bëhem turk”, e thashë, “asniherë kundër shumicës së njerëzve nuk dua të punoj”.
Se këtë ia thashë edhe Brankos. Thashë, “Branko, le t’i shkruj vendimet Avdullahu”, thashë, “atë e ke kryes të detyrës”, tha, “On je turčin”, “Nije turčin”, “Ai është turk”, “Nuk është turk”, thashë, “të pastër, ai është shqiptar. Po për shkaqe të interesit”, thashë, “po paraqitet si turk”, thashë, “të mbetet këtu. E nëse jam turke unë, unë jam turke edhe si turke”, thashë, “unë nuk dua kundra popullit shqiptar të punoj edhe s’dua ta bëj këtë punë. Më përjashto, iki nga puna mbaroj punën, ma jep vendimin, shkoj”.
Anita Susuri: Zonja Emel, e përmendet edhe vitin ‘99, faktikisht prej ‘98-tes ka fillu seriozisht m’u acaru situata prej luftës…
Emel Pashoja: Po.
Anita Susuri: Qysh kanë qenë këto vite për juve? Si ka qenë atmosfera në familje po edhe në qytet?
Emel Pashoja: Shiko, të jetosh ni vend të trazuar është shumë vështirë. Po ne familisht kemi qenë të solidarizuar me lëvizjen. Djali im ka punuar në IRC, ky që e ka picerinë tash, Noli. Ka ndihmuar, ka punuar, ka qenë në teren, ka qenë me anëtarët e UÇK-së, kemi falur sendet. Kur ka shkuar, kur ka parë në çfarë gjendje janë njerëzit në Drenicë çka kam pasë jorgan e çebe e mbulesë e tesha, bundat që i kemi patur origjinal të rëndat i kemi dhënë.
Se kur na treguan se atje në ahur ku po flen hajvanët aty flenë edhe njerëzit e s’kanë me çka mbulohen, unë bundat të trupit tim e të Irfanit thashë, “Aman, ndonjë fëmijë, ndonjë plak, ndonjë njeri le të mbulohet në vend të jorganit”, thashë, “merri çoji”. Noli e ka falur edhe veturën e vet për atë. Domethënë kemi ndihmuar sipas mundësisë. Plus asaj i morrëm dy veta, motër e vëlla nga Suhareka, studenta të cilët ishin këtu me studime. I kemi mbajtur këtu në shtëpi pa kurfar’ kompenzimi. Vetëm që të mbarojnë studimet.
Ata kryjnë studimet, u bënë njerëz të vyshëm mirëpo për fat të keq edhe n’dokumenta është, unë emocionohem dhe s’mund ta përballoj këtë gjë. Fadili i cili diplomoj, ndejti në shtëpinë tonë, erdhi u falënderua për ndihmën që ua kemi dhënë edhe atë djalë e kanë vrarë (qanë) ndër të parët kur filluan bombardimet. Fadili është një nga viktimat e shumta po të cilin e kam njoftë. Ka ndejtë tri vjet në shtëpi. Më dhem zemra, jo për atë, po për t’gjithë ata që kanë humbur (qanë).
Anita Susuri: A doni me pushu pak? Ta ndalim pak?
Emel Pashoja: Jo s’ka gjë. Kjo është pjesë e jetës, kjo është pjesë e jetës të hidhur të cilën duhet dikush ta dijë e të kuptoj nëpër çka ka kaluar Kosova. Le t’mbetët e shënuar, e regjistruar sepse kanë bërë shumë të padrejta.
Anita Susuri: Zonja Emel, ju në kohën kur ka pasë mungesë të bukës, kur ka pasë rrezik për me dalë, si ka qenë kjo kohë për ju?
Emel Pashoja: Diçka kishim, diçka kursenim, diçka falnim. Kjo është. Solidaritet gjer’ në fund. Domethënë asni lluks. Po atje ku ka qenë e nevojshme kemi vajtur edhe nëpër shtëpia njerëzve hiç pa ditur kush jemi. Filani ish pa këtë, i kemi lënë jo ni thes miell, jo disa paketa me vaj, me sheqer me çkado qoftë, jo veshmbathje. Kemi vajtur në fshat. Me Irfanin kemi mbushur thasë me këpucë prej fëmijëve, me tesha, me sende, me të gjitha mundësitë kemi ndihmuar.
Anita Susuri: Kur kanë filluar bombardimet a keni qenë këtu?
Emel Pashoja: Jo. Ne shkuam në Prespë.
Anita Susuri: Kur keni shku?
Emel Pashoja: Shkum në Prespë se na detyroj djali. Se djali punonte me IRC atëherë kur e ndaluan këtë politikanin me flokë të bardhë në OSCE që punonte. Të gjitha këta që…
Anita Susuri: Që është vra?
Emel Pashoja: Jo është i gjallë edhe tash është këtu bile në kufi ju tha atyre tha, “Tani”, tha, “po më përzini nga Kosova po do vijë koha që unë në Kosovë pa pasaportë do futem”. Tash mosha ime është që emrat edhe nuk jam në gjendje t’i mbaj mend po s’është problem. Ai ju kishte thënë… këta punonin me IRC-në për ndihma që jepej. “Juve jeni në listë për t’u eliminuar, duhet të lëshoni Kosovën menjëherë”. E Noli kalonte me gruan e vet tha, “Mam”, tha, “unë po e marr Pranverën, nesër në orën 06:00…” William Walker u kishte thënë, “Menjëherë duhet të largoheni”.
Vajza ime punonte në Zyrën Amerikane, bashkë me burrë, bashkë me burrin jo, burri s’ishte vetëm Ganka punonte. Pastaj ajo punoi me burrin në KFOR. Ajo ishte në Zyrën Amerikane edhe i kanë thënë që, “Duhet të largoheni menjëherë se jeni në listë”. E Irfani tha, “Nuk e marrim veturën e mbushim me benzin e lëmë në garazhdë edhe”, tha, “merri fëmijët edhe disa tesha edhe ikim”, “Hajde bre Irfan, ky idioti”, thashë, “nënshkruan s’ka çka bën”, për Millosheviqin e kisha fjalën. “Emel”, tha, “nuk mund të eksperimentojmë me fëmijë”, tha, “a nuk po e sheh çka po ndodhë në Bosnje edhe në Kroaci. Merri fëmijët”, tha, “po ikim në Prespë”.
Unë ni kufer vetëm tesha për fëmijët, se vajza banonte këtu te unë. Ndërtonin shtëpinë në Marigonë. I mora fëmijët, ishin të vegjël. Djali ishte dhjetë vjeç, Fati në ‘90-ten është lindur, ashtu nëntë vjeçar. Vajza ishte pesë vjeçe, as pesë të plota…
Anita Susuri: Nipi edhe mbesa?
Emel Pashoja: Nipi edhe mbesa. Vetëm ata me autobus edhe e thërras ni shoqe time. Ajo është nga Prespa, burrin e ka është mjek i ORL-së, Doktor Hasani. I them, “Myvedet, merri fëmitë, i ke të vegjël ikë të ikim në Prespë. Ti e ke shtëpinë unë”, shtëpia s’ishte ndërtuar atë tonën që kemi tani po thashë, “kemi shtëpi të shokëve, kemi plot shtëpi ku të vendosemi edhe të ikim prej këtu”, “Jo”, “Merre”, thashë, “nuk është situata në rregull”. Atëherë ajo dy të vegjëlit i mori, tre ma të rritur mbetën me babën e vet. Hasani mbeti si mjek tha, “Mos kom nevojë për kta të UÇK-së të ndihmoj”.
Neve shkuam. Të nesërmen filluan bombardimet. Bile fjetëm ni natë në Shkup te kunata, kunata kishte banesën. Ajo vet ishte në Zelandë të Re. Banesa u mbush plot. Se gjithkush e njihte kunatën time edhe vajza e vet edhe… se vajza e martuar për burrin nga Prizreni e ka. Neve kur e pam neve se sa shumë njerëz u bëm aty tham, “Po ikim në Prespë. Çkado që t’jetë pastaj do vijmë”. Fëmijët vazhduan të punojnë edhe Noli edhe Pranvera punonin me IRC. Tash duhet të vijë Ganimeti. Problemi i madh ajo përgjigjej për fondin krejt çka hynte të holla në Zyrën Amerikante kalonte nëpër duart e saj, ajo ishte përgjegjëse.
Çka bën? E merr atë kacën me pare me veturë edhe nisen të shkojnë. Se ajo ishte nënshtetëse makedonase mirëpo burri kosovar, burri s’kishte. Erdhën në atë zonën neutrale. Ganimetën e lëshojnë të kalojnë, Burimin e mbajnë aty. Në Makedoni po mbahet tubim, po mbahet mbledhje, po përgatiten, si i thonë, kanali nëpër të cilin… planet janë bërë ku do të dërgohen njerëzit. Do shpërndahen kosovarët. Irfani kishte ni nxanës të vet nga Manastiri i cili ishte me ni detyrë shumë të lartë në Shkup.
Tha, “Do provoj t’i thrras atij po t’mundet të intervenoj që ta kalojnë edhe dhëndrrin, mos të mbetet që të mbetet në ato ku ishte në Stankovc edhe ato vende të rrethuara ku ishin shqiptarët”. Me një fjalë, jo, ai Burimi paraqitej rregullisht mot për mot në Maqedoni deshte të merrte pasaportë makedoni si dhëndërr, si i martuar e martesë më shumë se dhjetë vjet. Për fat ata kishin ndër të parit telefon celular. Ganimeti me telefon celular i lajmërohet Zyres Amerikane, “Aman ma dërgo çertifikatën e kurorëzimit”, se ata të Makedonisë kërkonin çertifikatë kurorëzimi.
Ata menjëherë i bëjnë fotokopje i dërgojnë atje në polici. Me 1000 të zeza kalon edhe Burimi. S’ishte puna se ishte ajo, po në veturë unë kisha fshehur paratë e Zyrës Amerikane, s’di sa mijëra dollar ka patur, ajo vet e di. Kur kaluan matanë pastaj ajo menjiherë shkon në shërbimin e Zyrës Amerikane në Shkup thotë, “Unë veç shpëtova po”, tha, “frika më kapi këtu të mos mbetëm”. Ata pastaj e shpërblejnë bile 500 dollar ia kanë dhënë shpërblim. “Po ti”, tha, “a je në vete”, tha, “a shikon njeriu lëkurën të shpëtojë apo paratë e Amerikës? Amerika do t’i bënte paret, ti duhej të shpëtonte”, “Jo, kjo është obligimi im”. Domethënë ajo është tepër përparimore.
Bëri dorëzimin e kacës dhe pastaj menjëherë vazhduan ata të punojnë. Punuan në Makedoni sa punuan mandej u bë kjo ku kush do të shkoj. Vajza me atë rast, kunata ime ishte atje ju bëri ftesë. Shkuan dhe qëndrojti tri vjet në Amerikë. Mori shtetësinë amerikane u kthye. Nuk u kthy në Zyrën Amerikane të punoj po vajti në KFOR.
Anita Susuri: Gjatë udhëtimit deri në Maqedoni…
Emel Pashoja: Me autobus.
Anita Susuri: Çka keni pa rrugës? Çka keni përjetu?
Emel Pashoja: Rrugës tmerr. Na thoshin njiherë pak para se të dalim nga Kaçaniku, aty ndërmjet Kaçanikut edhe Elez Hanit autobusi u ndal. U tutëm edhe thanë, “Nga dy anët e malëve janë stacionuar snajperista”. Fëmijët kërkonin nevojë të bënin. “Aman”, thashë, “bëjeni në bregë, bëjeni si bëjeni mos më detyroni t’ju nxjerrë jashtë”. Dikur mori urdhnesë shoferi, zaher i tha dikush që t’i lejojnë autobusët të kalojnë edhe na lejuan. Po kush me çka mbrrinte ashtu shkonte. Mirëpo prej të nesërmen ma fillojti ma zi e ma zi e mandej në Maqedoni nuk pranuan njeri dhe u krijuan ato stacionet ku i tubuan si vend njerëzit nëpër…
Filluan nga shtëpia t’i nxjerrin edhe krejt. Këtu Doktor Hasani kur dëgjovi se çka po ndodh Irfani i thotë me telefon, “Hasan shpejt shko te une në shtëpi vetura është në garazhdë është plot me benzin. Merre veturën, merri djemt edhe biri nga Tetova. Mos shko ktej se ktej shumë keq po lëshojnë makedonët. Nga Tetova prap se prap gjindet ndonjë shqiptar kufitar që është polic edhe do t’shpëtosh”. Ai e merr veturën edhe vjen. Po kur arrin nja dy kilometra, prej Tetovës kolona shumë e madhe edhe ekziston mundësia në çdo minut Makedonia të thotë nuk pranojmë më shumë. Se askush asgjë s’dinte se çka do të ndodhë.
Atëherë Hasani e fut në ni lendinë e lë veturën edhe i thotë djemve, “Mbathjani, po kalojmë në këmbë”. Ashtu që vetura mbeti, e lanë, mbetë. Në këmbë edhe kaluan kufirin. Ata mandej qëndruan tre muaj kur u fut me ato forcat e amerikës pastaj këtu. Noli masi punonte me ata, ndër të parët erdhën këtu. Noli erdhi në shtëpi. Thashë, “Noli çfarë s’kam dëgjuar që kanë lënë bomba, kanë lënë këtë, kanë lënë atë. Aman me kujdes, ki kujdes si futesh në shtëpi çka do të gjesh”.
Tha, “Niherë të të them”, tha, “nuk mundem ta gjej derën ku është nga bari që është rritur si gjungëll shtëpija”, thashë, “Mos ndiz as televizor asni gje, hiqi kyçet e rrymës”, thashë, “me bateri manipulo, shiko se mos kanë vënë ndonjë bombë në këto aparatet e televizionit ti e ndez edhe eksplodon”, “Hajt”, tha, “mos ki gajle do të kontrolloj unë”. Pastaj s’kishte diçka. Mirëpo çdo gjë kishin shkatërruar.
Kur kish hyrë brenda, këtu në kat ku rrinte vajza, ajo i kishte këto mobilet e lëkurës të gjitha me thika të prera, të qara. Dhëndri pasi është fotograf me profesion, të gjitha aparatet ia kishin vjedhur, ni aparat s’e kishin lënë. Sipër te unë në dollapet gjë s’gjeta. Dërrasat (qeshë). Ajo friza zbrazur pa ushqime. Po për ushqime thanë që shqiptarët i kanë marrë se ata që kanë qenë që kanë mbetur s’kanë patur çka t’hanë, kanë ardhur edhe ku kanë gjetur ushqime kanë ngrënë. Hallall i paqin, punë e madhe. Secilës gjë i gjindet njeriut jo. Ashtu që tejkaloj.
Anita Susuri: Ju në korrik u kthyet?
Emel Pashoja: As tre-katër ditë menjëherë.
Anita Susuri: A në qershor menjëherë.
Emel Pashoja: Menjëherë, menjëherë. Me 11 u bë hyrja e forcave, ne me 15 erdhëm.
Anita Susuri: Si e keni gjetë krejt vendin, po mendoj, qytetin po edhe Kosovën derisa keni udhëtu, si ka qenë? Çka keni pa?
Emel Pashoja: Ne vetëm shikonim të vinim në shtëpi. Se atëherë e kishim shtëpinë pak më ndryshe se këtë e kemi ndërtuar më vonë. Se u martu djali u bën fëmija edhe kishte nevojë për më shumë hapësirë. Ashtu që shtëpija e parë, kjo pjesë ishte po këto shtyllat e ktheza janë shtuar me shtëpinë që u ngrit edhe një kat mandej. Po asgjë, besom, a u futa në shtëpi… vjehrra më pat’ lënë porosi, se ka kaluar tre-katër lufta në jetë. E thoshte, “Vetëm njeri të shpëtoj se të gjitha gjërat vijnë në vend”. Ashtu që blije ni tavolinë, blije ni karrige, blije ni çilim.
Televizorët i kishin lënë, s’i kishin trazuar. Mirëpo çikës mobilet krejt. Ato ia kishin shkatërru. Pastaj morëm disa kauça të thjeshtë derisa… edhe ashtu ata mandej kur kaluan në shtëpi të vet ju duheshin të tjera. E ndërtuan shtëpinë.
Anita Susuri: Si jeni rikuperu pastaj pas luftës?
Emel Pashoja: I gjalli e bën të vetën. Fëmijët dërgonin prej atje të holla. Penzione s’kishim se neve na ndërprejtën menjëherë, s’kishte penzion, çfarë.
Anita Susuri: A ka vazhdu bashkëshorti juj punën si profesor më?
Emel Pashoja: Vazhdojti, vazhdojti. E thirrën pastaj punovi edhe tre-katër vjet në fakultet derisa pastaj u mbush. Filluan të… jo 65 i bëra. Po jepnin ndihma s’e di prej kuj na jipnin pare, prej ku merrnim. Irfani pak nga fakulteti aty nga ni fond kishin formuar, s’e di prej ku vinte ai fondi. Mirëpo shumicën e shpenzimeve fëmijët e bënin prej Londrës, na dërgonin prej atje. Mua më kujtohet kur u bëra 60 vjet, 65 edhe kur fillova të marrë penzion ajo ishte 25 euro. Me 25 euro fillova e tash në 210, ndihmë sociale. A kur dola dola me 600 marka në atë kohë.
Anita Susuri: Po. Zonja Emel nëse doni edhe diçka me shtu për fund?
Emel Pashoja: Unë, si thonë, nëse ju kam dhënë mjaftueshëm material…
Anita Susuri: Zonja Emel, ju falënderoj shumë për kohën edhe për rrëfimet e juja!
Emel Pashoja: Unë gjithashtu, si në fillim që thashë, faleminderit! Unë po ju përgëzoj për aksionin që keni marrë edhe disa gjëra nuk duhet të falen, nuk duhet të harrohen po duhet të dokumentohen. Vetëm të shkruar, vetëm të inxhizuar mundemi t’i dalim botës përpara, të tregojmë për realitetin nëpër të cilin ka kaluar Kosova.