Ekspozitë: Fushata e Pajtimit të Gjaqeve 1990—1991

Kuruar nga Erëmirë Krasniqi

Ekspozita Fushata e Pajtimit të Gjaqeve 1990—1991 është një sprovë në konstruktimin e një hapësire të kujtesës së gjallë, një mjedis që e çmon tregimtarinë dhe strukturat narrative që mundësojnë dialog historik dhe na ftojnë të mendojmë se çfarë do të thotë të kujtosh.

Tregimtaria këtu, e mbledhur nga intervistat e historisë gojore, prezantohet si një formë e re e të shkruarit të historisë, e cila mundohet t’i sfidojë tregimet dominante, në këtë mënyrë duke ua mundësuar një morie zërash të dëgjohen dhe të fuqizohen për ta treguar tregimin.

Koncepti kuratorial i ekspozitës Fushata e Pajtimit të Gjaqeve 1990—1991 vë në qendër praktikat imateriale, dijen e cila është intimisht e lidhur me kujtesën, dhe si e tillë trajton një histori e cila ka lënë fare pak apo aspak objekte materiale.

Në ballë të ekspozitës janë kujtimet e njerëzve që kanë falur gjakun. Për ata falja ka pasur kuptim të rëndësishëm kulturor. Ata rikthyen nderin duke e rikuptimësuar atë, u ripozicionuan si të barabartë përbrenda bashkësive të tyre, dhe përfundimisht i shkarkuan familjet e tyre nga institucioni i gjakmarrjes, u ndien të lirë.

 

EKIPI I EKSPOZITËS:

Anna Di Lellio, Aurela Kadriu, Donjeta Berisha, Fitim Shala, Kaltrina Krasniqi, Korab Krasniqi, Labinot Sponca, Dian Fishekqi, Nita Salihu-Hoxha, dhe Rozafa Imami. 

Dizajni grafik: Nita Salihu Hoxha, Studio Permanent

Arkitektura e ekspozitës: Diogo Passarinho

Kuratore dhe hulumtuese: Erëmirë Krasniqi

 

Artikujt mbi ekspozitën: Prishtina Insight dhe Balkan Perspectives.