Pjesa e Parë
Anita Susuri: Çka ju kujtohet nga fëmijëria?
Dragutin Ivanoviq: Nga fëmijëria ka shumë momente që i kujtoj me lumturi. Ka momente shumë të bukura por ka edhe pak më të vështira… Më kujtohet, do të ju them, ne në familje kemi qenë tetë. Kjo është karakteristike për Janjevën, por edhe në tërë Kosovën, apo jo?! Familja mesatare në Janjevë ka mundur të jetë diku në një periudhë të caktuar edhe dhjetë anëtarshe. Tek në kanë qenë tetë, pesë vëllezër, vëllezërit dhe tri motra. Unë jam njëri prej më të vegjëlve, vëllezërve më të vegjël. Përndryshe pas meje janë edhe tri motra. E tani çfarë më kujtohet… nuk janë kujtime aq të bukura sepse ashtu kanë qenë kohërat. I lindur ‘50-tën shikoni dhe tani ‘ajt nëse kujtoj nga mosha shtatë-tetë vjeçare, do të thotë është diku ‘56-ta, ‘57-ta dhe kështu…
Më kujtohet ajo kohë, fillimi i shkollës, nisja në klasë të parë që është interesante. Për çdo fëmijë ka qenë prandaj edhe për mua, por nuk ka pasur kushte si tani. Më kujtohet, kemi shkuar në shkollë e cila ka qenë në kuadër të kishës, kishës katolike, sepse këtu kryesisht, ju me siguri e dini, kryesisht ka qenë popullsia kroate deri diku në vitet ‘90, ‘91, ‘92. Më kujtohet ajo shkollë ka qenë e rrënuar, ka qenë e errët. Ne kemi qenë plot fëmijë e disa banka të drurit, të cilat tani nuk mund t’i përshkruaj mjaftueshëm mirë me fjalë. Duhet t’i shohësh, kanë qenë shumë jo funksionale. Por, megjithatë për neve kanë qenë të mira. Ne aty i morëm mësimet e para, takimi i parë me mësuesen, mësuesin dhe shoqërimi. Dhe veçanërisht çfarë më ka mbetur në mendje, kemi qenë shumë në paralele, në klasë.
Dhe ka qenë, ka qenë simpatike për neve. Mezi kemi pritur që të vij dita tjetër që të shkojmë prapë në shkollë. Dua të them që kemi shkuar me gëzim. Ja këto janë ashtu momentet e para që normalisht më kujtohen mua dhe secilit, sepse njeriu, të kujtohen ditët e para të shkollës dhe kështu…
Anita Susuri: E si ka qenë jeta në familje?
Dragutin Ivanoviq: Në familje jeta ka qenë e ngjashme edhe, edhe me atë në shkollë, ka qenë jo funksionale, ka qenë e vështirë. Kultura e jetesës ka qenë në nivel shumë të ulët, kushtet në të cilat është jetuar kanë qenë shumë të rënda. Familjet shumë-antarëshe apo jo, familja e madhe, dhe familjet e mëdha, mungesa e kushteve sjell gjithë atë që e përcjell, sepse një jetë normale e njeriut, atë nuk e kemi pasur. Kështu që, më kujtohen ato shtëpitë e vjetra, fryen era gjatë dimrit nuk mund të ngrohemi mjaft. Tetë prej neve edhe babai edhe nëna, dhjetë, do të thotë gjithsej, ‘ajt ndoshta në 50 metër katror. Kështu që, kjo më kujtohet, jo me aq lumturi por e mbaj mend.
Anita Susuri: Na keni folur për shtëpinë e vjetër…
Dragutin Ivanoviq: Shtëpia e vjetër, kushtet shumë të rënda, më kujtohet deri në vitin ‘62 nuk ka pasur as rrymë. Më kujtohet si djalosh i vogël i kam pasur dymbëdhjetë vjet kur e kemi marrë rrymën dhe kur e kemi parë si duket gjithë ajo, unë kam menduar që jam në një botë tjetër, nuk kam mundur ta kuptoj, kemi jetuar me njëfarë llampe me vajguri, njëfarë gazi vajguri, disa llamba karabine të cilat janë përdorur në miniera. Kështu që, kjo më kujtohet do të thotë, kushtet shumë të rënda, por me ardhjen e rrymës sado pak ndjehet një përmirësim, apo jo? E kemi lutur atëherë babain që sido që mundet, të na e blej një radio, të paktën ta kemi në shtëpi. Kështu që, kur e kemi fituar atë radion, atëherë gjithçka, si shkonin vitet, gjithçka ka shkuar disi më me lehtësi dhe më lehtë me ato, me ato kushte të jetesës dhe kështu… ja kjo, kjo më kujtohet si djalosh dymbëdhjetë vjeçar.
Atëherë nuk ka pasur as mjaftueshëm elektricista, mjeshtër që do t’ua instalonin atë [rrymën], sepse Janjeva atëherë ka qenë mjaft e madhe, në kuptimin që ishim shumë njerëz dhe të gjithë dëshironin ta instalonin atë sa më shpejt, e nuk ka pasur mjaftueshëm mjeshtër, elektricista. Dhe pastaj më kujtohet njëfarë Kosta, i cili ka ardhur diku nga thellësia e Serbisë me siguri, dhe pastaj, i them babait, “Po ‘ajt lute atë xhaxhi Kostën që të vij nesër që edhe neve të na ndriçoj”. Dhe kështu…
Anita Susuri: Me çka është marr babai juaj, dhe nëna?
Dragutin Ivanoviq: Nëna ka qenë amvise, e babai ka punuar në kooperativën bujqësore në Janjevë, ka qenë njëfarë kontabilisti, llogaritar dhe kështu.
Anita Susuri: A ka qenë njeri i shkolluar apo?
Dragutin Ivanoviq: I shkolluar jo, kjo ka qenë më shumë nga praktika, por më vonë me zhvillimin e asaj kooperative e ka përfunduar më vonë edhe [shkollën] e mesme ekonomike dhe kështu. Kështu që, i ka plotësuar disa kushte në mënyrë që të mund të punonte normalisht.
Anita Susuri: A ju kujtohet si është dukur Janjeva kur keni qenë ju i vogël?
Dragutin Ivanoviq: E më kujtohet shumë, shumë mirë. Dhe do të ju them, në fakt do t’ju tregoj disa detaje të cilat ashtu, më kanë mbetur në kujtim, të cilat i kujtoj edhe sot. Më kujtohen rrugët me baltë para së gjithash, familjet shumë antarshe, kushtet e rënda për jetë. Më kujtohet Janjeva gjatë verës pluhur i madh, nëse bie shi shumë baltë, e megjithatë nënat tona bënin çmos që ta mbajnë atë pastërtinë aq sa ishte e mundur, në mënyrë që të shkonim në shkollë si fëmijë të denjë, apo jo. Do të thotë, rrugët kanë qenë shumë të baltosura dhe nuk mundej pa çizme. Ҫizmet kanë qenë një rekvizitë bazike kur janë këmbët në pyetje, pa çizme nuk mundej.
Shkuarja në shkollë, të ju them, ishte shumë e vështirë. Në shkollë njejtë kushtet mjaft, mjaft të rënda i kishim sepse ka qenë periudhë e pasluftës, e kam fjalën për Luftën e Dytë Botërore sepse kanë kaluar gjithsej 15, 10, 15 vite. Nuk ka pasur ujë në shkollë, nuk kanë qenë nevojat elementare për një zhvillim normal të mësimit… Familjet shumë-anëtarshe, nuk ka për mëngjes, nëna atëherë, më kujtohet na përgadiste disa vezë e vendoste më shumë kripë se sa duhej, në mënyrë që ta zmadhonte atë shujtë dhe pastaj kjo shkaktonte etjen. E shkoja në shkollë dhe nuk kishte ujë për të pirë. Më kujtohet arsimtarja apo arsimtari i gjeografisë, na flet ai neve për Savën dhe Danubin, si është Danubi i pastër dhe i kthjellët e unë i etur, unë tani do të…
Anita Susuri: (qesh)
Dragutin Ivanoviq: Unë tani do të hyja në atë Danub, në atë Savën, unë i etur për një pikë ujë. Dhe pastaj menxi pres që ora, ora mësimore të përfundoj. Në shkollë nuk ka ujë, e shkojmë, tek fqinjët kishte bunarë të mirë. Ju e dini çka është bunari?
Anita Susuri: Po.
Dragutin Ivanoviq: Kishte bunarë të mirë, dhe pastaj kur e shohim ujin, mendoj se jam njeriu më i lumtur në botë. Ja kjo, kjo më ka mbetur në mendje, ajo orë e përshkrimit të tokës apo gjeografisë, sido që doni, Danubi dhe Sava si rrjedhin të pastër e unë i etur. Dhe më kujtohet që është dashur të punojmë në shkollë përkatësisht të mësojmë në tri ndërrime. Kështu që ndërrimi i tretë i nxënësve ka qenë nëpër terr, sidomos ka qenë e papërshtatshme në ditët e shkurtëra të dimrit dhe të vjeshtës. Errësira bie shumë herët e ne duhej të shkonim në shkollë, ndonjëherë ka pasur edhe stuhi, por për Zotin jemi frikësuar edhe nga qentë e fshatit dhe kështu me radhë. Ja kjo më ka mbetur, ka pasur shumë fëmijë ato vitet kur unë kam qenë në klasë të shtatë-tetë, kanë qenë rreth njëmijë e dyqind nxënës apo njëmijë e dyqind, sido që dëshironi, nxënës, e kushtet shumë të rënda.
Anita Susuri: A është i njejti objekt që është tani te kisha apo është renovuar?
Dragutin Ivanoviq: Eh, do t’ju tregoj, me rritjen e numrit të nxënësve, shumë herët e kemi braktisur objektin në kishë. Aty kam qenë në të parën, të dytën [klasë] ‘ajt në vitin ‘56 dhe ‘57. Pastaj është bërë shkolla në këtë lokacion ku edhe është tani. Nuk e di saktë në cilin vit, por e di që herët e kemi braktisur objektin në kishë, kemi kaluar në këtë shkollë ku sidoqoftë, sidoqoftë ka qenë diçka më e lehtë sepse megjithatë ajo ishte e re. Edhe pse nuk është ajo në, në formën e sotme etj. Por ka qenë më lehtë edhe me zhvillimin e shkollës edhe me rritjen e numrit të nxënësve, pastaj është bërë edhe një objekt, që do të thoshim edhe një krah i shkollës kështu që e kemi tejkaluar, eliminuar atë ndërrimin e tretë për të cilin po flisja pak më parë.
Anita Susuri: Do të thotë, katër vite i keni kaluar në atë shkollën e vjetër?
Dragutin Ivanoviq: Në atë shkollën e vjetër, pikërisht ashtu dhe pastaj ndoshta pas katër – pesë viteve. Pas luftës më kujtohet mua mirë si djalosh ndërtimi i asaj shkollës së re, neve na vinte mirë kemi luajtur… pak i kemi penguar ata njerëzit të cilët është dashur ta përfundojnë këtë [shkollë] sa më shpejtë dhe të punojnë, por na ka ardhur edhe më mirë sepse vet lokacioni ka qenë më i gjerë dhe kemi mundur të luajmë më mirë si fëmijë, dhe kështu…
Anita Susuri: A ju kujtohet infrastruktura e Janjevës? Si kanë qenë shtëpitë?
Dragutin Ivanoviq: Si jo, infrastruktura në Janjevë në atë kohë për të cilën po flasim e ka pasur një stil të ndërtimit të shtëpive, ky ka qenë stili i ndërtimit turk, ndërtimi i tipit lindor të shtëpive. Shtëpitë kanë qenë të ndërtuara nga materialet shumë të thjeshta. Kur them prej materialeve të thjeshta më shumë ka qenë prezent guri në atë pjesën e poshtme ku është themeli i shtëpisë. E pjesa tjetër është bërë, ku ta di prej ndonjë druri, kombinim i drurit dhe baltës. Pastaj artifi… pastaj qerpiç ajo është e baltës, tullë prej balte. Kur ka ardhur ajo atëherë ka qenë më lehtë të ndërtohet shtëpia. Por përgjithësisht kanë qenë jo funksionale.
Në një hapësirë ka qenë vatra, e dini çfarë është vatra? Përafërsisht aty ke gatuar, aty ke ndenjur, aty je shoqëruar. Dhe aty përafërsisht ka qenë si thuhet sot dhoma e ditës apo ndonjë sallon dhe kështu me radhë. Do të thotë, shtëpitë kanë qenë të stilit të Lindjes e vet konfiguracioni i vendit ka qenë i tillë që rrugët kanë qenë të ngushta. Aty është pak, e shihni edhe sot është një konfiguracion i tillë, nuk ka mjaft hapsirë. Kështu që, mungesa e asaj hapsire edhe e ka determinuar çfarë do të jenë edhe shtëpitë. Do të thotë, në përgjithësi shumë të dendura, të ngushta dhe jo funksionale.
Anita Susuri: Pastaj kur e keni përfunduar shkollën fillore, çka u bë pastaj?
Dragutin Ivanoviq: E pastaj e dini vijnë ato, ato më të rënda, më të rënda ashtu të them, vuajtjet e njeriut. Pastaj e kam ndjekur shkollën teknike, këtu në afërsi nuk ka pasur kështu që është dashur klasën e parë ta regjistroj në Ferizaj, Ferizaj. Më kujtohen ditët e para shkollore, sidomos më kujtohet konvikti, nuk e di a e dini ju, është shtëpi për nxënësit. Dhe në atë konviktin në Ferizaj kemi qenë nga të gjitha shkollat, edhe e mësimdhënjes, edhe gjimnazi edhe ekonomia… Ka qenë shumë bukur dhe simpatike, edhe pse kushtet nuk kanë qenë normale, unë shpesh te kjo bisedë po kthehem te kushtet e asaj kohe. As në atë konvikt nuk ka pasur kushedi se çfarë standarde, por ka qenë shumë bukur dhe simpatike. Së pari kemi qenë të rinj, por veçanërisht na ka mbetur në mendje shoqërimi i bukur.
Aty ka qenë me të vërtetë konvikti i nxënësve shumëkombësh. Ka pasur shqiptarë, ka pasur kroatë, ka pasur serbë, ka pasur romë, të gjithë kemi qenë në atë konviktin, dhe mund t’ju them që shumë mirë ka qenë. Kjo më ka mbetur në kujtim, vitet e para sepse vitet e tjera pastaj kam kaluar, kemi kaluar një grup që kemi qenë nga Janjeva këtu. Përndryshe, na ka dhënë bursë fabrika “Metaliku”, pastaj vitet tjera kemi kaluar në Prishtinë, ku e kemi pasur më lehtë, më afër. Pastaj kemi pasur kushte më të mira në Prishtinë, më kujtohet, ‘ajt ‘67-tën apo ‘68-tën është ndërtuar një konvikt i ri, apo internat si është quajtur, ku kemi qenë vetëm tre në dhomë, shumë-funksionale, bukur. Atëherë kemi mundur më shumë t’i përkushtohemi mësimit dhe kështu.
Anita Susuri: Kur e keni filluar shkollën e mesme, a ka qenë kjo hera e parë që keni shkuar jashtë Janjevës?
Dragutin Ivanoviq: Jo, nuk ka qenë hera e parë. Sepse edhe para kësaj, babai më mori disa herë në Zagreb, sepse vëllau më i madh atëherë tashmë jetonte në Zagreb. Atje shërbeu në APJ[1] ushtrinë, dhe pas ushtrisë menjëherë mbeti në një fabrikë në Zagreb, kështu që nuk është hera e parë. Shpeshherë si djalosh, prindi, babai më merrte në Zagreb, kështu që kjo nuk ishte hera e parë që jam larguar nga Janjeva.
Anita Susuri: Si e keni përjetuar atë udhëtimin, si ju është dukur?
Dragutin Ivanoviq: Paj shikoni, si çdo njeriu të ri, si çdo djalosh që niset nga një mjedis shumë i largët në gjerësi, në hapësirë, në një mjedis tjetër, për herë të parë e gjithë kjo ishte shumë interesante për mua, por me një dozë të vogël të frikës, çfarë, kur do të mbërrijmë. Atëherë normalisht për herë të parë e kam parë trenin, trenin, apo jo, dhe deri atëherë e kam parë vetëm në foto si duket dhe tani vetëm ajo hyrje, ajo hapësirë në tren, e gjithë kjo ka qenë simpatike për mua. Pastaj figurat nëpër të cilat kalonim, natyra dhe pejsazhi kanë qenë shumë të dashura sepse përveç këtyre kodrave, deri atëherë asgjë nuk kam parë, kështu që e gjithë kjo ka qenë shumë interesante dhe ajo rrugë më ka kaluar shumë shpejtë. Ndryshe nga babai, i cili, vitet e kanë bërë të veten apo jo, mërzitet, e kur do të mbërrijmë, e ndonjë ndalesë, e gjithë kjo nuk ka qenë e tipit modern sikur tani apo jo, por ai udhëtim ka qenë shumë interesant për mua, sidomos natyra dhe gjithë ajo që më rrethonte dhe kështu.
Anita Susuri: Do të thotë pas shkollës së mesme, keni thënë që pas një kohe keni shkuar në Prishtinë. Si ka qenë?
Dragutin Ivanoviq: Në Prishtinë ka qenë, ju thashë, e kam pasur, e kam pasur më të lehtë të udhëtoj, më afër e kemi… Edhe pse nuk kanë funksionuar mirë sikur tani linjat e autobusit dhe pjesa tjetër e transportit. Sidoqoftë, ka qenë më e lehtë, kam mundur në mëngjes të shkoj në mësim dhe pasdite të kthehem në shtëpi. Por as ajo nuk ka qenë aq e thjeshtë sepse gjithsej njëherë në ditë shkonte busi. Duhej, e shfrytëzoja pastaj Prishtinë-Kishnicë e shpeshherë ka pasur brenda ditës, por prej Kishnicës pastaj në këmbë mbi këto kodra duhej një orë. Ja kjo është afërsisht ka qenë diçka më e lehtë, por kur e kemi fituar vendin në konviktin e nxënësve në Prishtinë, atëherë e gjithë ajo u përmbledh në gjithsej një herë, një herë në javë.
Do të thotë, të dielën vinim në shtëpi dhe merrnim me vete në ndonjë çantë pak më shumë rroba të papastërta, atëherë nëna i lante ato dhe të hanën ktheheshim. Sidoqoftë, ka qenë pak më lehtë. Prishtina ka qenë interesante në krahasim, nëse do të, është e pakrahasueshme tani dhe atëherë, por jeta ka qenë mjaft simpatike, dinamike. Ka qenë një rrugë, një restoran, më kujtohet kinemaja “Vllaznimi”, shkonim si djelmosha, nganjëherë edhe i lëshonim orët nëse është filmi i mirë, apo jo? Kështu që, Prishtina ka qenë shumë, shumë interesante, një vend shumë interesant qytezë tipike e Lindjes. Por tani nga ky kënd dhe nga kjo perspektivë, dhe me këtë mënyrë të mendimit mendoj se shumë pak është investuar në atë qytet.
Kjo është një pikëpamje e imja dhe nuk do të doja tani të politizoja asgjë rreth kësaj. Më shumë dua të them që Prishtina e ka pasur atëherë kinema “Vllaznimin”, që ka qenë interesante për neve, njëfarë restoranti “Ekspres”, a është quajtur “Avalla” apo “Beogradi”, nuk po më kujtohet, kjo më kujtohet.
Anita Susuri: Ku tjetër për shembull keni shkuar nëpër Prishtinë, a keni dalur?
Dragutin Ivanoviq: Paj dalje të organizuara nuk ka pasur. Shkonim tek, tek njëri – tjetri, te disa shokë, dhe në shkollën teknike kemi qenë edhe djem edhe vajza aty nga Prishtina. Kështu që, ndonjëherë na thërrisnin të shkonim edhe në shtëpi te ata, në shtëpi, kështu që dalje të organizuara nuk kishte. E gjithë ajo ka qenë individuale por më shumë në qytet aty dhe rrethin më të afërt. Më kujtohet Gërmia dhe kur bëhej verës kjo nxehtësia e padurueshme, atëherë hajde pak deri në Gërmi dhe kështu.
Anita Susuri: A keni, sa keni udhëtuar ashtu nga Prishtina në Janjevë?
Dragutin Ivanoviq: Të gjithë, të gjithë shkollën e mesme deri sa e kam përfunduar. Do të thotë, diku tri-katër vjet, sepse njëra ka mbetur në Ferizaj e këto janë do të thotë tre vite, kështu ka qenë gjithnjë.
Anita Susuri: Çdo ditë keni udhëtuar ashtu?
Dragutin Ivanoviq: Jo, ju kam thënë, që disa muaj ndoshta kemi udhëtuar çdo ditë, pastaj është ndërtuar ky konvikti i nxënësve për të cilin po flisnim. Atëherë internati i ri ka qenë i përfunduar dhe ne aty e kemi fituar vendin, kështu që një herë, një herë në javë, një herë kemi udhëtuar. Do të thotë, një herë në javë kemi ardhur, kështu që çdo ditë ka qenë me ndërtimin dhe përfundimin e konviktit, një ditë do të thotë ka shkuar në histori, në të kaluarën…
Anita Susuri: E kur keni qenë ju të rinj a keni, a ju kujtohet Janjeva, jeta në Janjevë?
Dragutin Ivanoviq: Si nuk më kujtohet?! Jeta në Janjevë në ato vite ka qenë mjaft dinamike. Në një vend kështu të vogël, hapësirë të vogël, të vendosur, përkatësisht kanë jetuar shumë njerëz. Në ato vite, mua më kujtohen disa regjistra ‘ajt të vitit ‘70, ‘71, kanë jetuar rreth katër mijë njerëz. Dhe ka qenë shumë interesante që numri aq i madh i njerëzve të jetë në një hapësirë aq të vogël dhe më kujtohet që ka qenë shumë romantike. Shumë simpatike ka qenë të jetosh në secilën prej këtyre rrugëve, sokaqeve, mund të dëgjohej kënga, serenada, kitaret, secili e ka pasur shoqërinë e vet dhe ne kemi kënduar nëpër rrugë. Askush nuk na ngacmonte, asnjërin ne nuk e kemi ngacmuar, ato kanë qenë këngët, serenadat e qeta të lehta.
Pak mundësi për një argëtim më dinamik, kështu që vetëvetes ia kemi krijuar disa kushte që jetën ta kemi më interesante. Më kujtohet atëherë fundi i ‘60-tave, ndërtimi i Shtëpisë së Kulturës dhe e kemi fituar sallën e kinemasë dhe pastaj kjo ka qenë për, kjo ka qenë ideja që ne mund ta shikojmë Din Martinin apo jo dhe disa filma me kauboj dhe kështu. Pastaj e kemi pasur më të lehtë dhe më simpatike. Çdo të diel mblidheshim në atë Shtëpi. Kanë qenë ato ballot kombëtare, vallzimet, muzika e gjallë. Normalisht të cilën e kemi bërë vet, e kemi finansuar dhe kështu me radhë.
Anita Susuri: A ju kujtohet diçka, diçka që ju ka ndodhur juve aty në atë kinema apo kur keni qenë në ato organizimet?
Dragutin Ivanoviq: Në një, nuk e di në çfarë kuptimi po mendoni kur më pyetni a ju kujtohet, nuk e di a në kuptimin negativ apo pozitiv…
Anita Susuri: Jo, në atë pozitiv, për shembull, a keni shkuar me shoqëri apo çfarë keni shikuar atje…
Dragutin Ivanoviq: Gjëra pozitive ka pasur shumë. Nëse do më pyesnit për ato negative, nuk do të më kujtohet, shumë pak kanë qenë në jetë, edhe pse ka pasur ato, ato lindën si pasojë e çapkënërisë djaloshare të një të riu. Por pozitive shumë… më kujtohet rasti kur nuk kishim para për të blerë më shumë kitara, më shumë daulle, më shumë instrumente që do të na lehtësonin dhe përmirësonin kualitetin e atyre ballove. Dhe pastaj nëse mund të shprehem ashtu, i mërzisnim ata njerëzit në komunë na jepni investoni pak në rini, “Jepni investoni, na nevojiten më shumë para, për atë për këtë”. Kështu që, më kujtohet sa herë që kishim momente të tilla e na jepnin pak para dhe pastaj ne mblidhnim dhe më kujtohet se atëherë e kemi formuar orkestrën tamburine. Dhe kjo ka qenë, kjo ka qenë për, në atë kohë me të vërtetë bazike, jo vetëm për Janjevën por për të gjithë këta fshatrat këtu dhe kështu me radhë.
Anita Susuri: A keni luajtur edhe ju ndonjë instrument?
Dragutin Ivanoviq: Po, kam luajtur kitarë dhe bas kitarë, deri sa në një moment e kam thyer këtë dorën dhe nuk mund ta, kështu që po, si jo. Kam qenë shumë aktiv në të gjitha këto, prej blerjes përmes [të hollave që fitonim] luajtjes, organizimit dhe kështu me radhë.
Anita Susuri: A keni luajtur muzikë të huaj apo vetëm…
Dragutin Ivanoviq: Më shumë është luajtur romanca e lehtë vendore, këngët e vjetra qytetare të bukura. E për besë i pranishëm ka qenë edhe Tom Xhons [Tom Jones], kanë qenë të pranishëm edhe Bitëllsat [Beatles] kështu që kemi luajtur edhe njërën edhe tjetrën. Fatkeqësisht shumë pak kemi… ose nuk i kemi ditur apo ku ta di unë… Kënge popullore kemi pasur shumë pak, më shumë jemi orientuar në atë muzikën e cila ka qenë më moderne në atë kohë. Janë ato, për shembull Misha Kovaç apo ku ta di unë Jevremoviqi. Madje edhe disa këngë tona të vjetra prizrenase, dhe kështu me radhë.
Anita Susuri: (kollitet) A ju kujtohen disa objekte të vjetra këtu në Janjevë, për shembull, çarshia, xhamia, kisha?
Dragutin Ivanoviq: Shumë, shumë me kënaqësi nganjëherë kthehem, me trishtim dhe melankoli për ato objektet që nuk janë më në atë formë. Më kujtohet si jo, më keni pyetur pikërisht për xhaminë. Ja e cila është aty afër, afër neve. Më kujtohet si fëmijë ajo xhamia e vjetër ku kemi ditur të shkojmë të luajmë me rruaza dhe kështu me radhë. Ajo ka qenë disi në formën e sotme e ruajtur, shpejt e kanë renovuar. Më kujtohet edhe kisha, normalisht, unë duhet të ju them edhe pse nuk më keni pyetur, kisha ka qenë shumë me ndikim për zhvillimin e të rinjve.
Kisha ka pasur shumë ndikim në zhvillimin e të rinjve. Kisha është, kur them ka pasur shumë ndikim, vlen për çdo aspekt. Normalisht para së gjithash në atë shpirtëror por atje kemi ditur të… Pingpongu i parë që ka arritur në këtë hapësirë më të gjerë, duke përjashtuar normalisht Prishtinën, ne e kemi pasur në kishë. Ne aty jemi mbledhur, kemi vallëzuar, kënduar, e shfrytëzonim atë pingpongun. Ndryshe nga shkolla, në kishë ka pasur shumë instrumente. Më kujtohet organoja, që ka qenë njëra nga më modernet në atë kohë edhe tash. Atje i kemi mësuar të parat, notat e para. Atje kemi fituar krahas asaj që ju tregova në aspektin shpirtëror, ne gjithashtu fituam një kulturë të caktuar perëndimore, nëse mund të shprehem kështu. Sepse aty priftërinjtë katolikë, më shumë kanë qenë sllovenë dhe ata normalisht me vete kanë sjellë disa zakone të tyre dhe pjesë të kulturës të cilën na e kanë mbjellur neve.
Kështu që më kujtohet kisha si institucion, deri tani ju fola, e më kujtohet që ka qenë edhe shumë e vjetër. Shkojmë në kishë për meshë e tani për ato ceremonitë duhet të gjunjëzohesh, duhet t’i përlyesh pantollonat. Dhe pastaj më kujtohet nëna më jepte pak letër ose prej ndonjë fletore ose prej ndonjë gazete thotë, “T’i vendosësh,” thotë, “pantollonat nuk mund t’i laj gjithnjë, nuk kemi mjaft ujë”. Ka qenë do të thotë normalisht në një gjendje më të rëndë se që është sot, dhe kjo më kujtohet. Pastaj më kujtohet zyrja e famullisë, ajo është shtëpia ku kanë jetuar dhe banuar priftërinjtë dhe motrat e nderit. Ajo ka qenë një shtëpi e vjetër, një stil tipik i Lindjes me ato shkallët e brendshme të drurit të cilat janë lëkundur dhe këmbët kanë mundur të… Më kujtohet do të thotë edhe kjo, ka qenë, ka qenë shumë e vështirë edhe për ata priftërinjtë në kushte të tilla por si ka qenë populli, ashtu edhe ata dhe ndryshe nuk ka mundur, apo jo…
[1] Armata Popullore Jugosllave.