Pjesa e Tretë
Afide Topalli Kuka: Pas hetuesisë, gjithë asaj rrëmuje, osht’ ngritë, dikund në janar më duket aktakuza. Besa në shkurt kemi dalë në gjykim, njëmbëdhjetë veta kemi dalë. Kanë qenë dënimet prej nji deri në tetë vjet, prej ni vit e gjysë deri në tetë vjet kanë qenë. Ka zgjatë katër ditë gjykimi, të katërten ditë, se ka pasë edhe interesim të madh të gazetarëve, nuk janë leju. Organizata Amnesty International ka qenë në të katërten ditë, ju ka mundësu. Ato Organizata Amnesty International ka bo presion, presion qeverisë të Beogradit që na shtatëzanat me i liru me kusht. Me kusht që kur t’i bon fëmija ni vjet me shku me vujtë dënimin.
Bashkëshortin tim e dënunë katër vjet, mu ni vjet e gjysë, po u murrë vendim që na me u liru. Tasht nuk e harroj të katërten ditë ishin Grevat e Minatorëve, na nuk ishim larg. Se zakonisht kur u bojke diçka jashtë, shtypi s’u lejojke. Tashti më marrin mu, drejtori në zyren e vet, tha, “Mos folni, mos boni edhe duhet me nejtë mirë”. Kthehna unë edhe po e thirri këtë… se zakonisht folshim njëra me tjetrën kur s’ishin gardienët, kaniherë e lshojshin edhe folshim. Po e thirri, thashë, “Çka u bo?” Thashë, “U bo diçka jashtë”, thashë, “se qishtu s’ka ndodhë tri ditë kena shku në gjykim”, thashë, “asni ditë s’na kanë marrë, pse sot?” Tha, “Edhe mu”, tha, “diçka ka”, tha, “jashtë”. Në gjykim kur kemi shku, aty kemi marrë vesh që osht’ Greva e Minatorëve, që ka fillu veç.
Anita Susuri: Në shkurt ka fillu.
Afide Topalli Kuka: Po, në shkurt, me 24 shkurt.
Anita Susuri: ‘89-tën.
Afide Topalli Kuka: Po, mos gabofsha se 24 shkurti u konë dita e katërt e gjykimit që edhe u dënum. Kur jemi liru na, më kujtohet ni grup i studentave para gjykatës kish pasë ardhë në anën e kundërt. Tashti, nanat si nana, nana e Naserit ish hupë se djali met. Tasht unë me to t’u folë edhe vjen vllau, tha, “Hajdi se ni grup i studentave kanë ardhë me ju pa juve”, kemi dalë. Po ishmi, s’di çfarë gjendje ishmi, nuk e di as kush kanë qenë. Jemi përshëndetë, kemi folë, po nuk e di. Mu më erdh mirë se ni grup të ri me thanë 15-20 ishin ardhë. E jom liru.
Mirëpo, tashti unë në prill e linda vajzën, me 24 shkurt u lirova. Me 8 prill e kom lindë vajzën. Tashti u duft vajzën me regjistru pak me vonesë, e kom regjistru katër muj me vonesë lindjen. Vajza mbetë gjashtë javë pa emër, derisa ni letër me na çu Naseri prej burgut edhe e ka pagëzu emrin Besforta. Qiky emër e ka identifiku me qëndrimin tonë. Kështu. Çdo… se kur i bon fmija ni vjet, u dufke me shku me vujtë dënimin.
Mirëpo, unë katër fmi rend i kom pasë edhe veç i çojsha çertifikatën. Kohë pas kohe në ilegalitet, se valla i randë ilegaliteti. Kom nejtë… me kanë shtatzanë e me lindë nëpër shpija të huja ish vështirë, se as te mjektë s’guxojshe me shku, ku me shku te mjeku? Përveç vajzës të madhe që e kom lindë në spital, tre në shtëpi i kom lindë, po. Herë me ni shtëpi, shko ni natë atje, ni natë atje, dikur u pata lodhë valla, u lodha ma.
Anita Susuri: E bashkëshorti juj, a i ka vujtë katër vjet a pesë vjet?
Afide Topalli Kuka: Jo, bashkëshorti jem është i dënum shumë herë si recedivist, ‘82-tën i ka katër vjet, katër vjet ‘88-ën. Në mungesë në ‘95-tën, ‘98-ën, ka shumë. Mos të flasmi kështu sa herë osht’, po ai flet vet. Kur i… në vitin 1992 edhe Naseri ish i rrezikum edhe prej shokve erdh që duhet Naseri me lshu Kosovën patjetër. Kemi dalë në Shqipëri. Unë kam qenë lehonë tri ditë, tri javëshe. Kemi shku në Maqedoni e dibrantë na kanë qit’ në Shqipëri. Na s’kena pasë mjete, kësi dokumente, në mënyrë ilegale kemi dalë, ilegalisht.
Anita Susuri: Qysh në kamë apo?
Afide Topalli Kuka: Në kamë. Mu më kujtohet me ni familje që u vendosëm, Haki po mbiemri nuk më kujtohet, dibran ka qenë, edhe vajzën e kisha tri javëshe. Qitashti i kanë thanë Naserit, “Po ia nalim qit’ vajzën e vogël se kur të shkojsh në Shqipëri se edhe në Shqipëri nuk osht’ gjendje e mirë e kur të rahatoheni e të drejtoheni mirë e marrni”, po më thotë Naseri kështu ksëhtu, thashë, “Jo, ja kena me dalë krejt, ja asnjë”. Kur ka qenë edhe ni djalë i Gjilanit, nuk më kujtohet emri, me neve, kur e kemi kalu kufirin ilegal. Ai djalë i hastretit i kish pasë tetë motra, mos gabofsha, dhe kur jemi ardhë aty te zona e zjarrtë, se dibrantë na kanë qit’ me traktor kishe jena t’u qit’ pleh arave. Na përmi traktor kena hypë.
Kur kena ardhë te zona e zjarrtë, Naseri tha, “Ju ecni, unë do të nalem. Ma së mrami ia boj qaren vetit se e kom me veti”, thashë, “Qiky djali i hastretit le të del. Na ja kena me dalë krejt, ja kena me mbetë qitu”. Kisha djalin e madh ni vjet, se atëherë i kisha tre fmi. Djalin e madh e kisha dy vjet, ni vjet e çiken tri. Tasht kur kena ardhë në zonën e zjarrtë Besfortja i thotë, tha, “Shuj vllau jem”, ai s’kajke, “shuj vllau jem ti mos kajë se kur të dalim anej dada ka me t’ble banane”, edhe lot i shkojshin. Se edhe fmija e ndjejnë ata. Kemi nejt tre muj ditë se patëm… u nisëm për Gjermani për me shku po në Itali na kthynë. Kështu…
Anita Susuri: Në Shqipni te kush keni qenë?
Afide Topalli Kuka: Te Ylli Pinari kena nejtë.
Anita Susuri: A e keni pasë të njoftun apo?
Afide Topalli Kuka: Po, shok Naseri, shok e ka pasë. Edhe banesën e nanës të vet na lëshoi edhe kohën qatëherë ushqime që s’ka pasë se ‘92-ta u konë rrëmujë. Ka pasë mikun e vet, në kufi që punojke. Ushqime e krejt janë kujdesë shumë. Edhe pas ni muje a gjashtë jave, nuk e di, ni shok tjetër i Elbasanit ka ardhë na ka marrë, “Jo”, tha, “ju në banesë m’i majtë fmitë a? Jo”, tha, “se na kemi lopë, kemi kështu…” edhe kemi nejtë në Elbasan. Elbasani na u bo si shpi e dytë ajo shpi neve, jemi kthy prapë.
Anita Susuri: Deshta me ju pytë a osht’ kjo hera e parë që jeni shku në Shqipni qatëherë ‘92-tën?
Afide Topalli Kuka: Po, hera e parë.
Anita Susuri: Qysh ju ka dokë Shqipnia?
Afide Topalli Kuka: Unë, të drejtën ta thom, unë vet kom thanë, ma mirë mos ta kisha pa qashtu hiç. E kisha mbetë me të kalumën qysh e kom menu, se shkollat mshelë, thy dyrë, thy dritare, qerdhe të shkatërrume, lodra, nëpër lloç me shkel njerëzit. Rrëmujë ish pasë konë, veç kom pasë thonë qita, ma mirë hiç. Por kaloi edhe kjo. Jemi kthy prapë në Kosovë herë në ilegalitet, herë në gjysë ilegaliteti. Ndërsa, 1994, në janar, në “Flakën e Janarit”, burri jem torturohet, si shumë shokë tjerë e shoqe tjera janë torturu shumë atë natë edhe ky.
Ia thynë krahun, kamën edhe kur erdh të nesërmen, kur erdh tha, fëmitë iu gjujtën, i largoi fmitë edhe shkoi nalt. Kur shkoi në dhomë tha, “Më kanë troshitë”, më tha, “më kanë mytë, po nanës mos i kallxo”. Thashë, “S’te ko ajo fije ti nanës mos me i kallxu, po të paskan shkatërru”. Mas dy-tri jave u dashtë me marrë vendim na me lëshu venin. Erdhën e kërkojshin Naserin prapë, ky me ni shpi tjetërdikund, unë tjetërkund me fmi. Të nesërmen kanë ardhë mu më kanë kërku. Jom konë djalin e vogël t’u e përkund, me gjithë djalë kemi dalë mes dy shpijave, e kemi qitu ni kapixhik na i thojna edhe kemi dalë nëpër lagje.
Krejt lagja u konë e bllokume. Prej pompës të benzinës me polici u konë edhe kemi dalë tani kemi shku ni fshat. Ni kojshi këtu e ka pasë traktorin e ka mush me pleh, unë me fmi kom dalë, m’i pleh jom hypë edhe kemi shku në atë fshatin. Vajzën e kom pasë dy vjeç, asaj ia kishin pasë mathë çizmet e djalit edhe i kishin ra me çorapa… kur jom shku hekur. Vendosëm na me dalë, mirëpo unë e sigurova ni dokument të udhëtimit, ni shoqe që ma dërgoi po i kishte pasë dy fmi. Dy fmitë e mdhoj metën me nanën e Naserit. Naseri shkoi në Shqipëri në spital, unë shkova në Gjermani. Pas gjashtë jave Naseri ia arriti me ardhë në Gjermani. Pas vendosjes tonë aty, fmitë meten ktu. Mas ni vjeti i kemi marrë fmitë.
Thirrë niherë nana e Naserit në telefon tha, “Unë i rujta deri tash”, tha, “po sot janë ardhë”, tha, “ma ka vnu”, tha, ajo origjinal, “pushkën në fyt”, tha, “ma kanë vnu m’i qit’ fmitë e Naserit”, tha, “unë te ko shkru me dekë, po për së gjalli fmitë s’ju lo”. I ka qit’ në kojshi se kjo ora 5:00 sa herë u çu ka dhanë fmive bukë edhe i ka qit’ në kojshi që edhe me ardhë [dikush], “Nuk o Naseri, nuk o gruja, nuk janë fmija. Nuk e di ku kanë shku kta, nuk e di unë”.
E kemi bo organizimin, ilegal i kanë qit’ për shkak se fmitë asni dokument edhe i kanë çu në Strugë. Prej Strugës te ni familje e ni shokut të Naserit, Xhevdet Murtishit. Baba i tij i ka qit’ pa asni dokument anej. E merr ni kombi, e mush me gra, nuse, çika, fmi, plaka. Thotë, “Ti nana e Naserit mos qit’ asni letër hiç”, në kufi i thojnë maqedontë, “Ku po shkoni?” “Në dasmë jemi t’u shku”, edhe i kemi qit’. Prej Shqipnisë tani i kemi marrë në Gjermani.
Anita Susuri: A e ka organizu qat’ kombi veç me i qit’ ata?
Afide Topalli Kuka: Veç për m’i qit’ fmitë, veç për m’i qit’ fmitë. Kanë bo shumë njerëzit, se kqyre, na pa Kaçanikun s’kishim mujtë me bo kurgjo, na kanë ndihmu. Se dy të burgosun me i majtë as dikush në punë mos me kanë, me ni penzion nuk u konë lehtë. Jo s’kish mujtë as në vizitë me na ardhë. Na kanë majtë Kaçaniku, na ka majtë shoqnia, na ka majtë rrethi. Kudo kena pasë kah ni shpi fshat e qytet. Çdo qytet kemi pasë [miq] në Maqedoni, kemi pasë kudo që jemi konë. Në Shqipëri qashtu, gjithnji s’na kanë majtë neve. Unë, mu më kujtohet kur kemi dalë në Shqipni prej Hakiu prej Dibrës tri herë ka pru pare te na. Se [e kishin parasysh që] s’kanë kah me marrë kta, nuk kanë kah me marrë e çka ju bojnë fmive?
Unë ju falënderohna krejtve edhe t’u u nisë prej qisaj lagje, na kanë rujtë, kanë vëzhgu. Se sa herë kanë ardhë policia na kanë rretheku veç na ma herët jena konë lajmëru, na jena hjekë prej shpijes, jena tërhjekë shumë herë. Unë i falënderoj me zemër e me shpirt e me qindra herë të gjithë ata që na kanë ndihmu. Se na pa na ndihmu dikush s’kishim mujtë gja me ba. Kështu që, i vlerësoj unë krejt. Edhe ni gja e thom, çdo kush që e ka dhanë ni gotë ujë për të mirën e vendit, për lirinë e vendit unë e respektoj edhe e çmoj shumë.
Anita Susuri: E në vitet e ‘90-ta që keni dalë jashtë në Gjermani…
Afide Topalli Kuka: Jo, në ‘94-tën në Gjermani, po.
Anita Susuri: Deri në ‘98-ën më doket keni nejtë?
Afide Topalli Kuka: Jo, deri, Naseri ‘98-ën osht’ kthy, po unë deri në janar, me 20 janar, 2000-tën.
Anita Susuri: Mas luftës.
Afide Topalli Kuka: Po. Unë të drejtën ta thom, kur jemi kthy, se mu kurrë mirë Gjermania s’mu ka bo, kurrë hiç! Kur jemi kthy ka Shkupi, kur kemi hi në kufi në Han të Elezit, nuk e di çfarë ndjenje ishte m’u ka çelë diçka, ni frymëmarrje e lehtë midis krahnorëve edhe i thom vjehrrës, “Hinëm në Kosovë”. Tha, “Jo, ku p’e din?” Thashë, “Qitash kam me vetë kondukterin”. Une, “A hinëm në Kosovë?” “Po”. Se vet ajri, vet, nuk e di çfarë ndjenje, se unë s’e kom menu kurrë që kom me pa Kosovën, kurrë këtë vend. Por falë Ushtrisë Çlirimtare që është strombullari i të gjithave, të gjithave që kemi arritë lirinë osht’ Ushtria Çlirimtare, e madhja ushtri që përulem.
E sot arkitektët e Ushtrisë Çlirimtare t’i majnë në burg padrejtësisht, kjo osht’ e randë për krejt Kosovën, nuk osht’ veç për ta. Unë uroj, uroj sa ma shpejtë të lirohen, sa ma shpejtë edhe drejtësia le të triumfojë. Se liria po ka çmim, sakrifica, burgosja, besa, vrasja e të gjitha. Me nisë, për shembull, kemi edhe ushtarë që vishin në arkivole, djemtë ma të mirë të familjes ma të mirë. Deri ktu që u ardhë u bo mund, u bo sakrificë e madhe, t’u fillu prej Luftës së Dytë Botërore e kemi NDSH-në, e kemi vitin 1968, demostratat, ‘81-shi që i ka tund themelet e ish Jugosllavisë. Vitet e ‘90-ta që ni lëvizje u bo që e çoi krejt popullin në kambë, e ndërgjegjësoi, e ndërgjegjësoi. Edhe kemi luftën, Ushtrinë Çlirimtare, të madhen që i përulem deri në fund të jetës time.
Anita Susuri: Deshta me ju pytë për vitet që keni qenë në Gjermani, a keni vazhdu aktivitetin? Për shembull, ka pasë që janë angazhu me dërgim të materialeve, financim e këto.
Afide Topalli Kuka: Të drejtën ta them unë, bashkëshorti im osht’ marrë. Se na i kemi pasë fmitë shumë të vegjël edhe osht’ dashtë dikush m’u marrë. Mirëpo, sa herë ku ka pasë nevoja unë i kom ndihmu. Kur ka qenë e nevojshme i kom ndihmu a me naj protestë, a me diçka tjetër. Mirëpo, kryekput unë vet s’jom konë e involvume. Unë jom marrë me fmi, po.
Anita Susuri: E gjatë kohës të luftës thatë që bashkëshorti juj osht’ kthy në Kosovë…
Afide Topalli Kuka: Po.
Anita Susuri: Qysh ka qenë përjetimi juj? A keni pasë kontakt me familjen? Me bashkëshortin?
Afide Topalli Kuka: Po, kemi pasë, kemi pasë përmes telefonit. Ndonjëherë qashtu puna ka qenë, ndonjëherë ka ardhë edhe në Gjermani, ka nejtë ni ditë, dy edhe osht’ kthy, po, osht’ kthy. Mirëpo, ne kemi qenë të pregatitur sa herë, ne kemi ditë që pa luftë nuk shlirohet Kosova as me burg, as me na mytë kah njo kah njo përditë edhe me na rreh përditë. Pa luftë, pa ia kthy grykën e pushkës na e kemi ditë këtë punë. Po, po, osht’ ndërgjegjësu, se në fillim ka qenë ma herët në vite të ‘80-ta para viteve të ‘80-ta u konë problem se u konë telashja u konë te ndërgjegjësimi i njerëzve. Se që të mos përkrahin njerëzit e tu, popullata, krejt, telashe osht’. Mirëpo, janë ndërgjegjësu njerëzit. Dalëngadalë shkollimi, universiteti e ka bo të vetën, krejt, leximi, kto e kanë bo të vetën.
Anita Susuri: Po. E qysh e keni marrë lajmin që osht’ shliru Kosova? Çfarë ndjenje ka qenë për juve?
Afide Topalli Kuka: Po të tham, kur e kom marrë lajmin derisa unë jom kthy m’u ka dokë që përditë jom t’u dekë në Gjermani e s’jom t’u e pa lirinë e Kosovës, s’jom t’u e pa. Qashtu jom ngulfatë. Se çdo herë, se gjatë luftës, na bukë s’kemi hangër pa qajtë, s’kemi mujtë. Masakër aty, masakër aty, masakër aty.
Anita Susuri: Qysh ka vazhdu jeta juj kur jeni kthy ktu?
Afide Topalli Kuka: Po na jena ardhë me atë entuziazmin shumë të madh. Ka vazhdu mirë. Ni kohë, se ni kohë kemi qenë të papunë. Mirëpo, unë në vitin 2000 në shtator jom punësu në gjimnaz. Pas ni viti kom kalu në Kuvendin Komunal. Punoj si shef e Sektorit të Arkivës edhe burri punon. Kështu që, na kemi qenë mirë. Se na kemi jetu edhe bash kur s’kemi pasë hiç, kemi ditë edhe kur të kena edhe kur s’kena. Kështu që, mirë ka vazhdu. Na ka majtë liria, idealet, për shkak se kemi sakrifiku të erdhëm në këtë ditë. Na ka mjaftu që çizmen serbe mos me e pa kurrë hiç, po.
Anita Susuri: Kjo puna në arkiv qysh po ju shkon? Çfarë dokumente?
Afide Topalli Kuka: Po mirë, mirë. Kryesisht janë të Kuvendit Komunal, prej ‘46-tes deri më tani.
Anita Susuri: A mundeni me na përshkru, për shembull, ndonjë dokument shumë të rëndësishëm ose diçka që ju ka lonë përshtypje?
Afide Topalli Kuka: Po ka, ka përshtypje. Ajo osht’ histori, histori ka. Për shembull, aty janë edhe të organizatave shoqërore politike që kanë përpara, dënimet, leqitjet, se shumë që kom harru me përmend edhe si familje që na kanë leqit Komitetet atëherë të Lidhjes të Komunistëve. E si thonë populli, “Koftë hanktë pitja, tepsija ka mbetë”, aty linqimet që janë bo, shpifjet që janë bo, shantazhet që janë bo krejt janë aty.
Anita Susuri: Zonja Afide, nëse doni edhe diçka me shtu ose…
Afide Topalli Kuka: Nuk e di, nëse s’më bjen në mend, p’e di, çka të thom…
Anita Susuri: Faleminderit shumë.
Afide Topalli Kuka: Po ndoshta na nuk kena mujtë krejt me i përfshi në detale. Kemi bo përpjekje që do ma kryesore, do, po ndoshta edhe ma kryesorja ka mbetë. Kena bo na përpjekje, kena bo na përpjekje që t’i thojna ato gjanat ma kryesoret, se lapsi s’e kap çfarë periudhe ka qenë, jo veç për mu po për krejt shoqet e mija, e shoktë e mi. Shoktë e idealit, lapsi s’e kap. Po kemi bo përpjekje deri dikund po ndoshta edhe ma e rëndësishme ka mbetë najsen. Ndoshta edhe kom hy në hak të dikujt që s’kom folë diçka, nuk e di. Por, ata që m’ka ra ndër mend e kom thanë.
Anita Susuri: Faleminderit shumë.
Afide Topalli Kuka: Gjithashtu faleminderit prej juve. Ju uroj suksese në punë, në familje e gjitha të mirat.
[Këtu ndërprehet intervista]
Anita Susuri: Zonja Afide, deshtët me shtu disa pikë që i përmendët ma herët, nëse doni urdhnoni na tregoni për to.
Afide Topalli Kuka: Po vërtetë ka kalu ni kohë e gjatë edhe për ni kohë të shkurtë nuk mund t’i përmbledhësh të gjitha.
[Këtu ndërprehet intervista]
Kështu që, gjatë hetuesisë e kam fjalën, përveç ditën e natë që na marrshin në pytje edhe niherë ditën kanë ardhë më kanë marrë në pytje në lokale të Sigurimit Shtetnor në Mitrovicë edhe i kishin hap dyert të gjitha zyreve, e kishin bo errët edhe mu në anën e kundërt me ni zyre. Për disa orë vetëm më kanë lanë ashtu. E kanë lshu ni muzikë, sikur në filma horror u konë ajo muzikë edhe zhurmë ka pasë, “Të vras, të vras”, u kthejke përgjigja, “Më vrit”. Unë nuk e dija a po e torturojnë dikë apo inskenim osht’ kjo punë.
Se e kanë bo që nuk jemi thy në asni mënyrë edhe kanë dashtë, me na, me na thy shpirtërisht edhe thotë njëni, thotë, “Naserin”, thotë, “pram e kena vra”, përpos nji orë apo nuk e di se sa ka zgjatë ajo muzikë e ajo zhurmë. “E kena vra”, thotë, “pram. A don me pa? Që don”, thotë, “munësh me dalë anej”, por unë çdo herë e kom pas pregatitë vetën edhe me kanë ni realitet që Sigurimi Shtetnor jugosllav kta vetëm gënjejnë. Edhe për gënjeshtër, edhe për gënjeshtër e kom marrë këta. Tashti, “Ti nuk e ke tregu as puntë e tua, as gjysën, as gjysën, na s’kena me të lanë as në Burrel”, tjetri thojke, “Jo more, kurrë s’ka për ta parë”.
Pas ni heshtje dolën, pas ni heshtje, prapë u kthyn. “Çka po ta merr menja? A po vjen me pa?” Edhe unë ngula kambë që nuk osht’ e vërtetë, janë t’u më gënjy. Thashë, “Jo”, “Ej”, tha, “po çka ta ninë ty”, tha, “plot burra ka Kosova”, tha, “plot burra ka”, tha kështu. Me të kqyrë me të ofendu. Dikur tjetri e tha, “Po”, tha, nji pas nji, përveç dy që ishin prezent erdhke herë njo herë njo, herë nji, herë nji.
[Këtu ndërprehet intervista]
Edhe kështu që tjetri erdh thotë, “Po jo as për së gjalli e as për së dekti s’keni me pa kurrë. Njënin kena me lëshu njani ne majna, njënin ashtu, njënin ashtu”. Edhe aty unë e kuptova që nuk osht’…
Anita Susuri: Po lujnë.
Afide Topalli Kuka: Po, po lujnë. Kjo ka zgjatë shumë kështu që më lashin qaty, as nuk folshin, as… u enshin. Rrëmuja shkojke në anën tjetër edhe kështu që kjo më ka mbetë në mendje që kanë qenë gjithçka në gjendje me bo veç për me të thy moralisht, fizikisht e të gjitha anët me të shkatërru në familje. Tani u kthejshin, “Pse ti je martu me Naserin?” Këtij ia kanë pasë ndalu të drejtën e studimit në të gjitha universitetet e ish Jugosllavisë. Une fakultetin, “Për çka kemi fakultet? Për shka kështu…?” Kanë kqyrë… tani vjehrra ime kur ka ardhë në vizitë, gjithçka i kanë thanë, “Për shka ti e man atë nuse?”
Po faleminderit prej saj, kurrë ni fjalë. Përveç vizitat që ka ardhë rregullisht më ka përkrahë, më ka mbështetë çdo herë. Asni fjalë nuk ka dalë prej rrethit edhe kom pasë ni respekt shumë të madh, përveç në familje tem prej ku kom dalë, po edhe në familjen e burrit, me vllezër të Naserit, me motra, me të gjithë. Ende e kam respektin. Asnji prej familjarëve të Naserit, kur shkoj me bo muhabet me nejtë për qef, nuk ndodhë mu me më pritë ulë ose me më përvjellë me më thonë, “Ditën e mirë!” [Derisa janë] ulë. Respekt të veçantë kom.
Edhe ni gjë që nuk më ra ndërmend te familja ime. Vllai im përveç angazhimeve si veprimtar, vllau im i madhi Avdi Topalli ka qenë edhe pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në zonën operative të Nerodimes. Ka qenë në mërgim, osht’ kthy prej mërgimit edhe ka ardhë në luftë. Ni gja kisha me thanë, dy herë, e dënume penalisht kam qenë, pavarësisht që nuk, s’jam dënu me dënime drakonike se ka pasë shokë e shoqe me dënime shumë të nalta, janë dënu.
Por, megjithatë, nuk ka qenë e lehtë. Asni njeri, asni shok, asni shoqe me psu prej meje, me u marrë në biseda, me u arrestu, apo gjatë hetuesisë për shkak timin të torturohet dikush. Apo ni nanë të qanë për ni djalë apo për ni vajzë, kjo nuk ka ndodhë. Jam shumë e lumtur që kom arritë se sa herë e kom lut Zotin, “Ej Zot, bonëm të fortë, bonëm të fortë të qëndroj e mos të jep emra”, edhe më ndihmoi Zoti. Më shtini Zoti atë mendje të qëndroj e fortë edhe dola faqebardhë.
Anita Susuri: Faleminderit shumë!
Afide Topalli Kuka: Faleminderit! Gjitha të mirat prej meje e prej juve.