Mes helmimit dhe panikut kolektiv: Rishikimi i sëmundjes masive të nxënësve në vitin 1990 në Kosovë

Autorë: Anna Di Lellio, Korab Krasniqi dhe Anita Susuri

Në tetorin e kaluar u ulëm në Beograd me Dušan Janjić  për të biseduar mbi jetën e tij prej intelektuali dhe politikani jugosllav, lidhjen e tij personale me Kosovën, vendlindjen e babait të tij dhe angazhimin e tij në çështjet e Kosovës. Në vitin 1990, ai ishte pjesë e Komitetit Qendror të Lidhjes Komuniste dhe Kosova ishte pjesë e portofolit të tij. E pyetëm për helmimin famëkeq të nxënësve shqiptarë atë vit, përkundër faktit që kishte dhënë dorëheqje nga pozita që mbante rreth të njëjtës kohë. Tre dekada më vonë, pikëvështrimi i tij është i prerë: “Autoritetet serbe e organizuan; qëllimi i tyre ishte të nxisin segregacionin.”

Janjić e mohon kategorikisht qëndrimin zyrtar serb, sipas të cilit nxënësit shqiptarë ose ishin shtirë si pjesë e një manovre të orkestruar nga separatistët, ose në rastin më të mirë o vuanin nga “histeria kolektive.”  Shqiptarët gjithmonë kanë argumentuar se helmimet ishin rezultat i një sulmi të qëllimshëm të shtetit serb, këndvështrim ky që së fundmi u konfimua në librin e Luljeta Pulës-Beqirit dhe në një forum të organizuar nga Instituti i Krimeve të Kryera gjatë Luftës në Kosovës (IKKL). Janjić na tha se në të vërtetë një substancë kimike ishte përdorur, duke shtuar se “substanca ishte vendosur në klasa, ishte shpërndarë në perde dhe që avujt e saj pastaj i kishin prodhuar ato efekte të pakëndëshme, irritim dhe të vjella.”

Sipas Janjić, pasi e kishte ngritur këtë çështje me pjesëtarë të shërbimit të inteligjencës gjatë një vizite në Izrael, atij personalisht i kishin thënë që kurrë të mos e përmendte këtë çështje.  Në vend të kësaj, ai u angazhua për të luftuar kundër segregimit në shkolla përmes organizatës së tij, Forumit për Marrëdhëniet Etnike.  Janjić i hedhë poshtë pretendimet thelbësore të të dy narrativave, asaj serbe dhe shqiptare, duke kontestuar pohimet se e gjithë ngjarja ishte e inskenuar ose se ishte sulm i organizuar nga shteti.  Sipas tij, incidentet e raportuara gjatë dy ditëve të para  shpjegohen me operacionin klandestin. Rastet e mëvonshme, sipas tij,  kuptohen më mirë si fenomen psikologjik. Sipas mendimit të tij, ky interpretim nuk e minimizon rëndësinë e ngjarjes: përkundrazi I thekson shkaqet shoqërore dhe politike të saj.

Si historianë të historisë gojore, ne vendosëm të hulumtojmë seriozisht teorinë që ai parashtron, me qëllim që të shkojmë përtej dy narrativave dominuese dhe konkurruese që rrethojnë këtë ngjarje. Këto interpretime ishin aq të rrënjosura dhe të kundërta me njëra tjetrën sa që në pragun e luftës së vitit 1998-1999, studiuesja e të drejtave të njeriut Julie Mertus i cilësoi si “dy të vërtëta” që ishin në qëndër të armiqësisë ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve. Që atëherë, kjo kornizë e “të dy vërtetave” është shndërruar në këndvështrimin kryesor përmes të cilit analizohet kujtesa historike e Kosovës, duke reduktuar polemikat komplekse historike në kundërvënie binare dhe duke e pamundësuar debatin.

Historia gojore si lëmi është veçanërisht e përshtatshme për ta kapërcyer këtë ngërç. Në vend që të pretendojë se zbulon “të vërtetën e vetme” që duhet të pranohet nga të gjithë, ajo mbështetet në një shumëllojshmëri burimesh, sidomos në intervistat me rrëfimet jetësore të protagonistëve, për të sfiduar interpretimet binare, ndihmon në ndërtimin e një rrëfimi të besueshëm të ngjarjes, duke e vendosur atë brenda një kornize më të gjerë kohore, me idenë se asnjë ngjarje nuk ndodh si pjesë e një kontesti të izoluar. Ne e nisëm hulumtimin tonë duke biseduar me ata që ishin të përfshirë drejtpërdrejt në këto ngjarje.

Në vitin 1990, si nxënëse e vitit të parë në gjimnazin e Mitrovicës, Mirlinda Idrizi Nuredini e pati të vështirë të kthehej në shkollë pas pushimit dimëror: “Para se të hynim në shkollë, pa asnjë paralajmërim, e mbyllën atë. Pastaj, më vonë, ndryshuan orarin: serbët shkonin në mëngjes, shqiptarët në mesditë.” Si njëra prej tetë fëmijëve të një minatori të Trepçës, ajo u rrit në një familje të madhe, të ngjeshur në një banesë dy-dhomëshe të ndërmarrjes në pjesën veriore të Mitrovicës.Gjatë shkollës fillore ajo ishte shoqëruar me fëmijë serbë, duke marrë pjesë në aktivitete sportive dhe ekskursione në Serbi. Ajo fliste rrjedhshëm serbisht dhe dinte të lexonte alfabetin cirilik.

Në fillim të vitit 1990, i gjithë sistemi arsimor i Kosovës ishte paralizuar nga grevat. Nxënësit serbë, të mbështetur nga autoritetet, pretendonin se ndiheshin të pasigurt dhe kërkonin klasa dhe konvikte të ndara. Më 5 mars, pas një vizite në Beograd të një delegacioni prej 600 nxënësish serbë, Beogradi vendosi t’i kalonte klasat në gjuhën serbokroate në turnin e paradites.

Në atë kohë, Kosova ndodhej nën gjendje të jashtëzakonshme, e cila zbatohej nga forcat jugosllave të stacionuara në Kosovë si dhe nga njësitë speciale të policisë. Një fushatë e gjerë e rezistencës paqësore kundër heqjes së autonomisë së Kosovës, e udhëhequr nga minatorët grevistë të ndërmarrjes Trepça, ishte shtypur. Policia kishte vrarë dhjetëra protestues shqiptarë. Sllobodan Millosheviqi, që atëherë ishte President i Serbisë, njoftoi se mijëra serbë së shpejti do të shpërnguleshin në Kosovë përkrah forcave policore për të ndryshuar ekuilibrin e saj demografik.

Si një adoleshente e zakonshme, Mirlinda kishte pak vetëdije politike, por ishte tepër e ndjeshme ndaj ankthit të të rriturve përreth saj. Motra e saj më e madhe, Valdete Idrizi, kujton një ndjenjë të përhapur frike: “Në fakt nuk e dije se nga po vinte, ishim aq të hutuar, thjesht nuk e dinim se çfarë po ndodhte.” Në këtë sfond, më 19 mars,  mediat shtetërore raportuan se disa nxënës shqiptarë në Podujevë ishin sëmurë pasi kishin nuhatur një erë të pakëndshme. Simptoma të ngjashme u raportuan më pas tek mijëra nxënës në mbarë Kosovën, dhe lajmi zuri faqen e parë të gazetës Rilindja.

Në Mitrovicë, Mirlinda pa dhjetëra shokë të klasës duke u dridhë papritur dhe duke bërtitë nga krizat e konvulsioneve. Fillimisht e paprekur, ajo u ndihmoi prindërve që kishin vrapuar drejt shkollës për t’i dërguar fëmijët e tyre në spital, deri në momentin kur edhe ajo vet filloi të përjetonte simptoma: “Ishte e tmerrshme sepse dhimbja ishte e papërshkrueshme. Fillonte te gishtat e këmbëve, pastaj te barku, sytë… derisa humbje vetëdijen dhe pastaj nuk dije më asgjë.” Në Prishtinë, Drita Simnica pa gjysmën e klasës së saj duke përjetuar atë që ajo mendonte se ishin kriza epileptike.

Paniku dhe kaosi pushtuan shkollat teksa mësuesit nxituan t’i dërgonin nxënësit me simptoma në spital. Në Skenderaj, makina e Xhafer Ismailit “nuk ndalej kurrë”, ndërsa Vehbi Xani fitoi nofkën “mushka” për shkak të udhëtimeve të tij të pandërprera. Në Gjilan, Gjylshen Doko Berisha i shtriu nxënësit e sëmurë në korridor: “Nuk isha e profesionit të mjekësisë, por përpiqesha t’ua fusja dorën në gojë që të mos u kthehej gjuha prapa e t’ua nxinte frymën.”

Paniku dhe kaosi u përhapën edhe te prindërit, të cilët dyshonin se uji ishte helmuar dhe filluan t’i tërhiqnin kolektivisht fëmijët e tyre nga shkolla. Në shtëpi në Prishtinë, “ndiqnim lajmet në televizor,” thotë Linda Gusia, e cila ishte dymbëdhjetë vjeçe aso kohe, “dhe ekzistonte një frikë e vazhdueshme se mos nuhasnim ndonjë lloj ere, se mos dikush nuk po ndihej mirë atë ditë.” Ndërkohë, prindërit e panikuar të fëmijëve të prekur mbushën korridoret dhe oborret e spitalit, ku u përballën me policinë që përpiqej t’i largonte të gjithë nga ambientet e spitalit, përfshirë edhe pacientët.

Mjekët dhe infermierët ishin ndoshta më të hutuarit nga të gjithë. Dr. Mahir Morina, specialist i veshit, hundës dhe fytit në Pejë, u ndie i mbingarkuar nga fluksi i papritur i pacientëve që vërshuan spitalin. Fillimisht të gjithë mjekët morën pjesë në trajtimin e nxënësve të prekur, por mjekët serbë, me një përjashtim, u distancuan shpejt nga kujdesi ndaj tyre. Në një incident, Dr. Zoran Boshkoviq, neuropsikiatër në Mitrovicë, u përpoq t’u jepte medikamente antipsikotike pacientëve të rinj dhe kërcënoi se do t’i dërgonte në institucionin psikiatrik në Shtime, gjë që e shtyu Dr. Faik Bllatën të përballej publikisht me të. Mjekët serbë kryesisht i hidhnin poshtë simptomat e pacientëve si të sajuara. Dr. Morina nuk ishte dakord: “Ishte e qartë se ata ishin në gjendje të rëndë, se nuk po shtireshin.” Por meqenëse as ai dhe as të tjerët nuk mund ta përcaktonin shkakun e sëmundjes së tyre, atyre u mbeti vetëm t’u jepnin infuzione ose qetësues.

Më 24 mars, autoritetet serbe konstatuan se nuk ishin gjetur gjurmë të helmimit kimik në mostrat e ujit, ushqimit apo gjakut të mbledhura nga Kosova dhe të ekzaminuara nga Akademia Mjekësore Ushtarake në Beograd. Në mes të prillit, Komisioni Federativ jugosllav që po hetonte krizën doli me përfundim se bëhej fjalë për një fenomen psikogjen, apo histeri kolektive. Sipas gazetës Politika, incidenti ishte një provokim i inskenuar nga separatistët shqiptarë, që përbënte një “formë speciale të luftës”. Ky interpretim gjeti jehonë në të gjithë shtypin serb, përfshirë gazetën Borba dhe gazetën lokale Jedinstvo, dhe u pranua gjerësisht nga opinioni publik serb.

Gazeta Borba iu referua një episodi të ngjashëm në vitin 1983 që përfshinte nxënëse në Bregun Perëndimor, i cili u cilësua si “histeri kolektive”, e shkaktuar nga paniku. Megjithatë, artikulli nuk përmendi faktin që hetimi për atë rast ishte kryer nga Qendra për Kontrollin e Sëmundjeve me seli në SHBA dhe nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, të cilat nuk gjetën prova mbi shkakun e helmimit. Ashtu sikurse reagoi Serbia ndaj ngjarjeve në Kosovë, autoritetet izraelite dyshuan se helmimi ishte i inskenuar. Por për dallim nga autoritetet serbe, Izraeli lejoi një hetim të pavarur nga organizata ndërkombëtare që u besonin popullata palestineze.

Selman Kelmendi ende e kujton se si babai i tij, një teknik shëndetësor në Gjakovë, filloi të shqetësohej që policia po pengonte punën e gazetarëve të huaj, që po konfiskonte dosje dhe po ndalonte dërgimin e mostrave të urinës dhe gjakut në laboratorët jashtë vendit. Hava Shala dyshon se shoqja e saj, Nurije Zeka, u vra së bashku me Naser Veliun në një aksident rrugor të inskenuar qëllimisht nga shërbimet e sigurimit shtetëror, ndërsa po udhëtonin drejt Zvicrës me mostra të mbledhura të nxënësve të prekur.

Shtypi shtetëror serb botoi artikuj në ballinë ku akuzonte nxënësit shqiptarë për aktrim, stafin mjekësor shqiptar për paaftësi dhe korrupsion, separatistët për nxitje të dhunës kundër serbëve dhe malazezëve, si dhe policët shqiptarë për bashkëfajësi me bashkëkombësit e tyre. Deri më 28 mars, Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë kishte marrë kontrollin e plotë operacional në Kosovë dhe kishte filluar shkarkimin e shefave të stacioneve policore dhe të policëve. Gjatë kësaj kohe filloi edhe spastrimi i mjekëve shqiptarë dhe deri në korrik të gjithë u përjashtuan nga spitalet.

Gjatë përballjes me një krizë shumë të ngjashme në vitet 2022–2023, ndërkohë që po shtypnin lëvizjen “Gra, Jetë, Liri”,autoritetet iraniane adoptuan taktika shumë të ngjashme me ato të përdorura nga Serbia. Ato vendosën forca sigurie për të penguar gazetarët, ndaluan xhirimet në repartet e urgjencës në spitale, ushtruan trysni për t’i heshtur personelin mjekësor dhe shpërndanë turmat e familjeve që po protestonin. Hetimet zyrtare prodhuan përfundime kontradiktore dhe të pabesueshme, duke ia atribuar shpesh incidentet ndërhyrjes nga agjentë të huaj, ndërkohë që gazetarët dhe prindërit u arrestuan dhe u ndoqën penalisht.

Në Prishtinë në vitin 1990, gazetari dhe veprimtari Halil Matoshi u arrestua me një grup prej pesë kolegësh nën akuzën se kishin inskenuar sëmundje kolektive. Në Ferizaj, oficerët ushtarakë serbë i futën tytën e pushkës në gojë priftit katolik Don Lush Gjergjit, që e kishte kthyer kishën e tij në qendër emergjence, duke e akuzuar se po strehonte “aktorë”. Më vonë, autoritetet pretenduan se fëmijët ishin helmuar pikërisht në atë kishë.

Dërgimi i mostrave për t’u testuar nga laboratorë të pavarur jashtë vendit u shndërrua në një sipërmarrje të guximshme. Me ndihmën e një shoferi malazez, Gani Musolli, shef i stafit teknik në Pejë, arriti t’i dërgonte me sukses mostrat e gjakut në Prishtinë, prej nga u transportuan për në Lubjanë. Resmije Cana na tregoi se si djali i saj, Liraku, arriti disi t’i shmangej vëzhgimit të autoriteteve për të depërtuar në Zagreb me mostrat e çmuara.  Përmes lidhjeve personale të Veton Surroit, Dr. Bernard Benedetti of Médecins du Monde vizitoi Kosovën. Pëkundër vëzhgimit të regjimit dhe bojkotimit të hetimit, ai arriti eventualisht t’i analizojë mostrat e gjakut në Gjenevë, duke arritur në përfundimin se nxënësit ishin helmuar nga një agjent kimik i llojit organofosfat. Toksikologu belg, Dr. A. Heyndrickx, arriti në një përfundim të ngjashëm, por shkakun e helmimit ia atribuoi agjentit sarin.

Në Zagreb, biokimisti kroat Dr. Franjo Plavšić gjithashtu identifikoi gjurmë të pesticideve organofosfate në gjashtë mostra të urinës së nxënësve nga Podujeva, duke ofruar prova se helmimi nuk kishte qenë i inskenuar. Autoritetet shtetërore ushtruan aq shumë trysni mbi Dr. Plavšićin, saqë ai nuk i prezantoi gjetjet e tij në konferencën e mbajtur me 9 qershor 1990 në Zagreb, me titull “Kosova: Një sprovë e ndërgjegjes mjekësore”. Në vend të tij, otorinolaringologu Dr. Besnik Bardhi nga Gjakova lexoi punimin e Plavšićit. Dr. Bardhi kishte luajtur rol kyç në organizimin e asaj konference të madhe të profesionistëve të mjekësisë dhe politikanëve, nën patronatin e Dr. Slobodan Lang, një figurë e shquar e sektorin të shëndetësisë në Kroaci.

Dr. Flora Brovina ishte gjithashtu në Zagreb. Si pediatre, ajo vazhdimisht trajtoi pacientët në klinika dhe shtëpi me një ekip mjekësor mobil gjatë valëve pasuese të sëmundjeve kolektive, gjatë vitit 1990 dhe në vitin 1996. Dr. Brovina trajtoi edhe dy vajza serbe të cilat kishin shoqe shqiptare dhe për të cilat ajo dyshonte se ishin sëmurë në të njëjtën kohë me moshataret e tyre. Ndonëse Brovina nuk dyshoi asnjëherë se bëhej fjalë për një formë helmimi, ajo besonte se faktorët psikologjikë mund të shpjegonin raste të caktuara. Metë Shala, arsimtar i muzikës në Pejë, kujton se kishte parë vajza që u sëmurën në dy raste, herën e dytë menjëherë pasi kishin parë shoqet e tyre të përjetonin kriza konvulsionesh.

Meqenëse të prekurit nga sëmundja ishin kryesisht, ndonëse jo ekskluzivisht, vajza të reja, gjinia dhe mosha u përmendën shpesh për të mbështetur teorinë e “histerisë kolektive”. Në fakt, njerëz të moshave dhe prejardhjeve të ndryshme u sëmurën në mbarë Kosovën. Infermierja Xhejrane Lokaj kujton se simptoma të ngjashme u raportuan edhe në repartin e gjinekologjisë të Spitalit të Prishtinës. Nerimane Kamberi, gazetare që mbulonte ngjarjet për revistën Zëri, ishte rrugës për në zyrë kur pësoi një krizë konvulsionesh dhe humbi vetëdijen. Edhe fëmijët parashkollorë u prekën, siç vuri në dukje Dr. Bardhi në konferencën e Zagrebit, duke sfiduar teorinë e “histerisë kolektive” të parashtruar nga psikiatri i njohur beogradas Dr.Ljubomir Erić, njëherit anëtar i Akademisë Serbe të Shkencave dhe Arteve (ASHAS), shpjegimi i të cilit mbështetej në supozimet mbi paqëndrueshmërinë e supozuar të vajzave të reja.

Përqëndrimi në teorinë e “histerinë kolektive” ofroi një formë të përshtatshme për të devijuar vëmendjen nga përdorimi i mundshëm i një agjenti kimik për të ndezur krizën, pavarësisht gjetjeve të ekspertëve të pavarur që raportuan se kishin zbuluar gjurmë të substancave të tilla në disa mostra. Etiketimi i vjetruar psikiatrik i “histerisë kolektive” u përdor gjithashtu për t’i cilësuar si të tillë të gjithë ata që mund të kishin përjetuar reagime kolektive somatike ndaj ankthit, ndjenjë e përbashkët e një komuniteti që jetonte nën pushtimin ushtarak. Ky etiketim u përdor për ta zhvendosur përgjegjësinë nga veprimet e dhunshme shtetërore tek vetë viktimat. Studiuesit bashkëkohorë, përfshirë sociologun mjekësor Robert Bartholomew, e kanë riformuluar këtë fenomen si “sulm kolektiv ankthi”, duke pranuar alivanosjen, konvulsionet, të vjellat dhe vështirësitë në frymëmarrje si manifestime reale somatike të një paniku kolektiv.

Me fjalë të tjera, ndërsa nxënësit dhe të tjerët që pësuan një sëmundje të papritur në Kosovë në vitin 1990 u ekspozuan ndaj një agjenti kimik dhe u helmuan, të gjithë pa përjashtim u prekën nga politika helmuese e Serbisë së Millosheviqit.

Hulumtimi kryhet në partneritet midis Iniciativës Kosovare për Historinë Gojore (KOHI) dhe Pro Peace Kosovo, dhe mbështetet nga Fondacioni Heinrich Böll (HBS) dhe Ministria Federale Gjermane për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (BMZ).

[Ky artikull fillimisht është shkruar në anglisht].