Ana Morina: Ndoshta mund ta nisim duke folur pak për vendin nga vjen, për fëmijërinë tënde dhe mënyrën si je rritur. Pastaj, si arrite te praktika jote artistike?
Amie Barouh: Në rregull. Quhem Amie Barouh. Kam lindur në Japoni. Babai im është francez, me origjinë hebreje, hebre turk; të dy gjyshërit e mi janë nga Turqia. Nuk jam tamam franceze, por e kam këtë kulturë franceze. Jam rritur mes kulturës franceze dhe asaj japoneze, në një mjedis shumë artistik, sepse babai im është, ishte muzikant, këngëtar, producent dhe regjisor. Ndërsa nëna ime japoneze është artiste dhe–
(Qesh) Ajo dëshiron që të them diçka. Kishte edhe një galeri, kështu që ishim gjithmonë mes artistësh e muzikantësh, pra të rrethuar nga njerëz krijues. Babai na thoshte gjithmonë se duhej të kishim një pasion dhe se “kjo është gjëja më e rëndësishme”. Prandaj, për mua ishte krejt e natyrshme të bëhesha artiste. Në familjen tonë dukej më e çuditshme të mos ishe artiste… Edhe prindërit e mi dëshironin që të bëhesha artiste. E njëjta gjë vlente edhe për motrën time, e cila është muzikante. Vëllai im nuk është as artist, as muzikant, kështu që në këtë familje ai është i çuditshmi.
Erdha në Paris kur isha 17 vjeçe. Dëshiroja të merresha më shumë me art dhe në Francë kjo ishte më e lehtë. Më tërhiqnin shumë edhe kulturat e ndryshme me të cilat mund të njihesha, sepse në Japoni ka pothuajse vetëm japonezë dhe është shumë e vështirë të takosh njerëz që jetojnë në skajet e shoqërisë. Atje ndiqet një politikë sipas së cilës të gjithë duhet të jenë njësoj. Prandaj, kur erdha në Paris, bisedoja me çdo lloj njeriu që ishte i gatshëm të fliste me mua. Shumicën e tyre i takoja në rrugë. Ishin kryesisht njerëz të pastrehë ose romë, por, meqë vija nga Japonia, nuk dija asgjë për romët dhe nuk e kuptoja se ishin romë. Kështu u njoha me kulturën rome.
Vija nga Japonia dhe isha shumë naive. Bisedoja në rrugë me këdo që mundesha, për të mësuar rreth kulturave dhe mënyrave të tjera të jetesës, rreth asaj që do ta quaja ana e errët e kësaj bote moderne dhe kapitaliste. Më pas fillova të qëndroja gjithnjë e më shumë me ta. Ky burri rom që takova, Colin, ishte hapur homoseksual. Për këtë arsye e kisha shumë të lehtë të qëndroja me të. Ishte shumë gazmor dhe nuk kërkonte… nuk synonte ndonjë marrëdhënie të veçantë me mua apo diçka të tillë. Ishte thjesht një mik. Ishte shumë bujar dhe më merrte me vete kudo nëpër Paris.
Më çonte në periferi të Parisit dhe në kampin e romëve ku jetonte. Në atë kohë nuk kisha parë kurrë në jetën time një lagje me baraka, ndaj u trondita jashtëzakonisht shumë. Por u trondita edhe nga fakti se atje jetonin familje të tëra dhe se ekzistonte një organizim i plotë i jetës. Doja të mësoja më shumë: Cilët ishin ata? Si organizoheshin? Çfarë po ndodhte atje? Vendosa të qëndroja në atë lagje dhe të mësoja gjuhën. Kështu, jetova me familjen e tij për rreth një vit e gjysmë.
Në fillim qasja ime ishte më shumë artistike, por më pas dëshiroja të bëhesha si ata, të jetoja me ta gjatë gjithë jetës. Isha shumë… nuk e di, mendoj se janë shpirtra të lirë. Më pëlqente edhe jeta familjare. I dua fëmijët dhe asnjë nga ata fëmijë nuk shkonte në shkollë, prandaj gjithçka ishte vërtet plot gjallëri. Më tërhiqte shumë kjo… mënyra e tyre e të qenit, mendoj. Kështu e mësova gjuhën rome.
Në të njëjtën kohë studioja në shkollën e arteve Beaux-Arts de Paris, por gjatë vitit të parë nuk arrita të shkoja pothuajse fare. Prandaj e përsërita vitin e parë. Pikërisht në atë periudhë fillova të filmoja pak. Në fakt, ishin ata që ma dhanë kamerën. Më kërkuan të filmoja një dasmë, kështu që fillova të filmoja. Pas kësaj vazhdova dhe pastaj fillova të merresha edhe me montazh. Filmi nuk ishte mjeti im i parë artistik. Në atë kohë isha piktore dhe vetëm atëherë fillova të filmoja.
Pas kësaj përvoje vazhdova të takoja romë të tjerë, sepse, sapo e mësova gjuhën, ajo u bë si një pasaportë që më mundësonte të lidhesha me romët në mbarë botën. Siç e dini, gjuha e tyre është një gjuhë ndërkombëtare.
Për shembull, kur shkova në Shqipëri, edhe pse nuk flisja shqip, munda të lidhesha me romët shqiptarë, sepse flisja gjuhën rome me ta. Pra, projekti në Tiranë kishte në qendër romët shqiptarë…
Ana Morina: Si mësove për Vilën 31 dhe çfarë të tërhoqi që të bëheshe pjesë e rezidencës?
Amie Barouh: Dikush… nuk e di, disa njerëz ma dërguan thirrjen për aplikim. Po.
Ana Morina: Të gjithë artistët i kemi pyetur pak edhe për vetë shtëpinë. Natyrisht, ajo është disi e ngarkuar politikisht dhe njerëzit në Shqipëri kanë pasur reagime të ndryshme ndaj saj, shumë reagime negative, por edhe disa pozitive. Si ishte për ty të qëndroje e të flije atje dhe, në njëfarë mënyre, të jetoje brenda gjithë asaj atmosfere?
Amie Barouh: Të them të drejtën, vetëm rreth dy javë para se të shkoja atje e kuptova se do të qëndroja në vilën e Hoxhës. Nuk e dija se ishte shtëpia e Enver Hoxhës. Unë kisha paraqitur këtë projekt për romët. Pastaj lexova një artikull dhe mendova: “Në fakt, kjo do të zhvillohet në vilën e Enver Hoxhës.” Dhe reagimi im ishte: “Uau.” Nuk e dija dhe as që mund ta përfytyroja se si do të ishte.
Erdhëm me karvanin tonë, kështu që isha me qenin, macen dhe bashkëshortin tim. Jetonim atje si familje; e kishim sjellë gjithë familjen. Edhe foshnjën që mbaja në bark, e dini. Meqë ra fjala, macja ime qëndroi në vilë.
Ana Morina: E takova macen tënde.
Amie Barouh: Po.
Ana Morina: Ndoshta mund të na tregosh për projektin me të cilin aplikove. Si u zhvillua ai gjatë kohës që qëndrove atje, ose si ndryshoi? A ndikoi në vetë veprën fakti që ndodheshe në shtëpinë e Enver Hoxhës?
Amie Barouh: Po. Projekti me të cilin aplikova kishte të bënte me një hulumtim mbi romët shqiptarë. Unë njoh shumë më tepër romë nga Rumania dhe njoh edhe disa romë nga Bjellorusia, por nuk kisha takuar kurrë romë shqiptarë dhe dëshiroja të kuptoja gjendjen e tyre atje.
Në fakt, është shumë interesante, sepse në Shqipëri marrëdhënia është krejtësisht ndryshe. Shqiptarët kanë me romët një marrëdhënie ndryshe nga ajo që kanë popujt e tjerë nëpër botë. Në Rumani, për shembull, ka shumë racizëm dhe ekziston edhe historia e skllavërisë së romëve. Ende mbizotëron i njëjti perceptim për ta. Në Shqipëri kuptova se kishte shumë më tepër ndërthurje mes njerëzve. Në përgjithësi, njerëzit kanë një imazh më pozitiv për romët, por racizmi vazhdon të ekzistojë. Vetëm se nuk është aq i dukshëm; është disi më i fshehur.
Mësova gjithashtu se Enver Hoxhën e kishte ushqyer me gji një grua rome. Në bibliotekën dhe koleksionin e tij kishte shumë libra për romët. Në fakt, ai ishte i interesuar të mësonte më shumë për ta dhe për përndjekjen e tyre. Gjatë komunizmit nuk i mënjanonte romët. Të gjithë romët me të cilët fola më thoshin se koha e Hoxhës kishte qenë një periudhë e mirë. Familjet qëndronin më shumë së bashku, bënin shumë muzikë dhe shqiptarët e romët e ndihmonin shumë njëri-tjetrin.
Pra, ata ndienin njëfarë nostalgjie për atë periudhë. Kapitalizmi është më i vështirë për ta, sepse të gjithë fëmijët janë larguar drejt vendeve të tjera dhe kultura po zhduket jashtëzakonisht shpejt. Askush nuk merret më me zanatet që ushtronin dikur dhe askush nuk bën më muzikë. Pra, në të vërtetë, është e gjithë kultura rome ajo që po zhduket bashkë me kapitalizmin. Dua të them, ky nuk është një rast i izoluar, por në Shqipëri kjo duket shumë qartë.
Ana Morina: Po, situata është shumë e ngjashme edhe këtu në Kosovë. Kur bisedoj me disa romë, ata thonë se gjatë periudhës së Jugosllavisë ishin shumë më të lirë. Nuk e shihnin dhe as nuk e kuptonin aq shumë dallimin, ose thjesht nuk i kushtonin vëmendje, sidomos fëmijët. Pastaj, me fillimin e viteve ’90, u detyruan të zgjidhnin nëse ishin në anën shqiptare apo në atë serbe. Ishte një trysni e fortë: “Duhet të jeni ose me njërën palë, ose me tjetrën.” Por ata nuk ishin rritur dhe edukuar për të bërë një zgjedhje të tillë.
Ndoshta mund të na tregosh pak se cili ishte fokusi yt kryesor kur iu afroheshe dhe bisedoje me ta. Çfarë dëshiroje më së shumti të mësoje? The se i pyete për dallimet mes periudhës komuniste dhe asaj pas komunizmit, por bashkëpunove edhe me Gimi Fortunën.
Amie Barouh: Po.
Ana Morina: Mund të më tregosh pak për këtë?
Amie Barouh: Po, patjetër. Kur mbërrita në Vilën 31, kontaktova të vetmin person për të cilin kisha një emër dhe të dhëna kontakti: Gimi Fortunën. Ai është aktivist rom dhe jeton në periferi të Tiranës. Atje ka një hapësirë që e quan “kopsht”, ku organizon veprimtari për fëmijët romë të lagjes përreth shtëpisë së tij. Është një lagje rome dhe egjiptiane. Ai duhet të jetë rreth 70 vjeç, ose ndoshta nga fundi i të gjashtëdhjetave, dhe është disi i lodhur.
Amie Barouh: Por në atë kohë, në fillim të viteve 2000… ai ishte, vendi ishte vërtet shumë aktiv dhe ofronte arsimim. Kur flasim me romë të rinj, me ata fëmijë të dikurshëm që sot kanë një punë ose janë më të integruar në shoqëri, shumë prej tyre janë arsimuar në shkollën e Gimit. Pra, në fillim të viteve 2000, shoqata e tij, Romani Baxt, ishte jashtëzakonisht aktive dhe shumë fëmijë vinin për të mësuar shqip, matematikë dhe gjuhën rome. Zhvillonin shumë veprimtari, si teatër, vallëzim dhe muzikë. Të gjithë fëmijët vinin dhe Gimi i pyeste: “Çfarë dëshironi të bëni?” Pastaj bënte atë që dëshironin ata. Nëse dëshironin të merreshin më shumë me teatër, bënin teatër. Ishte një hapësirë shumë e lirë për të mësuar, për të ndarë gjëra me njëri-tjetrin dhe për të përcjellë kulturën.
Kur e takova, isha me Bogdanin, bashkëshortin tim. Edhe ai e flet gjuhën rome, sepse është një e katërta rom. Është muzikant dhe u lidh shumë mirë me Gimin. E zhvilluam të gjithë rezidencën së bashku. Gimi më dha më shumë se 100 kaseta MiniDV me arkivin e veprimtarive që organizonte në atë kohë. Falë tyre mësova më shumë për llojin e veprimtarive që zhvillonin. Kështu, projekti im u bë digjitalizimi i të gjitha kasetave të tij dhe realizimi i një filmi.
Bogdani takoi gjithashtu shumë muzikantë romë, me të cilët realizoi një koncert-performancë në Vilën 31. Organizuam edhe Ditën e Romëve, më 8 prill. Është dita e përkujtimit të përndjekjeve. Arritëm ta organizonim në Vilën 31, ndaj ishte shumë e rëndësishme që të zhvillohej pikërisht atje. Edhe për romët kishte një simbolikë shumë të bukur të hynin në vilën e Hoxhës, të performonin dhe të flisnin për gjendjen e romëve në Shqipëri. Atje kishte edhe shumë aktivistë. Ky ishte projekti ynë në Shqipëri dhe tani po vazhdoj të punoj me arkivat e Gimit.
Ana Morina: Për ata që nuk ishin atje, në vilë po shfaqej një film dhe ju organizuat Ditën e Romëve, me performanca dhe biseda. Apo jo?
Amie Barouh: Po. Filmi që shfaqa në vilë përbëhej nga arkivat e tij, arkivat e Gimit. Nuk kisha bërë fare montazh. Ishte thjesht… një rrjedhë e vazhdueshme; si quhet?
Diona Budima: Një cikël.
Amie Barouh: Ishte një instalacion brenda karvanit, me dy televizorë të vjetër, sepse materialet kishin atë formatin katror. Përzgjodha disa çaste interesante nga kasetat. Nuk kisha pasur kohë të merresha siç duhej me montazhin. Ende jam duke–
Ana Morina: Mund të na tregosh pak se cilat pjesë përzgjodhe? Çfarë përmbanin dhe çfarë ndodhte në ato materiale arkivore?
Amie Barouh: Në rregull. Përzgjodha… Kishte një pjesë që tregonte përcjelljen e njohurive. Ishte, nuk e di si quhet, por kjo… Ah, ndoshta mund të më ndihmoni.
[Videoja u ndërpre në këtë pikë]
Amie Barouh: Një shportë e thurur? Pra, është një shportë e bërë… një shportë e punuar me gjethe shumë të gjata. Me to thurin shporta. Nuk e di nëse… Por është diçka që e bëjnë edhe romët francezë. Gjeta një video ku i prisnin gjethet, i linin të thaheshin dhe më pas u tregonin fëmijëve se si të bënin një shportë të tillë. Gimi u fliste të gjithë fëmijëve në gjuhën rome. Këtë çast vendosa ta përzgjidhja.
Pashë gjithashtu shumë fëmijë që mësonin muzikë dhe luanin jashtëzakonisht bukur. Në fund organizonin një festival. Disa këndonin, disa luanin fizarmonikë ose violinë, ndërsa të tjerët kërcenin. Ishte një festival vërtet i bukur, vetëm me fëmijë të të gjitha moshave. Kishte edhe çaste kur të rriturit organizonin festa. Do të thosha se gjysma e kasetave përbëhej nga festa dhe muzikë.
Ajo lloj muzike sot nuk është më e njëjtë. Tani është më shumë tallava dhe, e dini, ka ndryshuar disi. Muzika që kishin atëherë ishte vërtet e bukur. Nuk ia di saktësisht emrin, por ishte një lloj muzike tipike rome, ose ndoshta ishte e ndërthurur edhe me kulturën shqiptare. Sidoqoftë, muzika ishte jashtëzakonisht e bukur.
Përzgjodha edhe disa çaste nga orët e ndryshme mësimore. Gjithashtu gjeta, si quhet ai, Edi Rama? Edi Ramën, rreth 20 vjet më parë, duke bërë muzikë me të gjithë fëmijët. Ai luante fizarmonikë me fëmijët romë.
Ana Morina: Karvani nuk qëndroi vetëm përpara vilës, por udhëtoi edhe nëpër fshatra, nëse nuk gaboj.
Amie Barouh: Ky ishte plani, por kur pamë gjendjen e rrugëve, na u duk disi e rrezikshme. Në fund nuk udhëtuam me karvanin ashtu siç kishim dashur, por morëm makinën.
Me Gimin krijuam një lidhje të vërtetë. Ai na çoi kudo nëpër Shqipëri, kryesisht në zonat pranë Tiranës, por edhe në të gjitha fshatrat ku njihte njerëz që mund të ishin interesantë për ne. Ishte çdo ditë pranë nesh dhe e merrte projektin shumë seriozisht. Ishte një bashkëpunim i vërtetë, edhe për organizimin e Ditës së Romëve. Më pas shkuam në Durrës për të realizuar një performancë. I gjithë projekti u zhvillua nga unë, Gimi dhe Bogdani.
Ana Morina: Gjatë këtyre udhëtimeve a filmove gjithashtu? A zhvillove intervista? Në përshkrimin e projektit kishte një pjesë ku thuhej se i pyesje fëmijët për ëndrrat e tyre, duke u përpjekur që t’i lidhje ato me arkivat.
Amie Barouh: Po, ky ishte projekti, por në fakt ajo pjesë nuk u realizua. Dëshironim ta bënim, por nuk i pyetëm fëmijët për ëndrrat e tyre. Zhvilluam vetëm intervista me disa njerëz, kryesisht të rritur, të cilët kishin më shumë për të treguar rreth komunizmit dhe periudhës pas komunizmit. Pjesa për ëndrrat ishte ideja fillestare. Ndoshta do ta realizojmë më vonë, por atëherë nuk patëm mundësi.
Ana Morina: Ndoshta kjo është e ardhmja e projektit? Do t’i marrësh këto intervista dhe do t’i shfaqësh gjithashtu? A u shfaqën ato në vilë?
Amie Barouh: Do të doja të punoja më tej me arkivat dhe intervistat, për të parë se çfarë forme do të marrë e gjithë kjo. Kur realizoj filma, ata janë gjithmonë shumë impresionistë, eksperimentalë. Nuk di si ta shpjegoj… Nuk tregoj histori me një vijë të qartë rrëfimore dhe nuk realizoj dokumentarë me një rrëfim të drejtpërdrejtë e të lehtë për t’u ndjekur. Më pëlqen që filmat të jenë më impresionistë. Kështu më pëlqen ta bëj montazhin, sepse përpiqem të jem shumë e sinqertë me ndjenjat e mia, me atë që ndjeva kur isha atje dhe me atë që pashë. Prandaj nuk e di ende se çfarë forme do të marrë. Duhet të punoj më shumë me pamjet.
Ana Morina: Fole pak për largimin e shumë të rinjve dhe për faktin se këngët, traditat dhe ritualet nuk janë më njësoj. A u përpoqe t’i filmoje posaçërisht këto gjëra, në mënyrë që të ruhen? A është kjo qasja jote e përgjithshme kur punon me pakicat?
Amie Barouh: Shkuam në një fshat ku kishte shumë muzikantë dhe kjo ishte e vetmja herë kur pashë të rinj…
Diona Budima: [e padëgjueshme, 30:57]
Amie Barouh: Po, [e padëgjueshme, 31:00], po, po. Në atë fshat takuam shumë muzikantë dhe ata interpretuan për ne këngë vërtet tradicionale rome, këngë të romëve shqiptarë. Takuam edhe disa muzikantë të rinj dhe i filmova.
Në fakt, dëshironim të krijonim një studio atje, sepse ata na thanë se kjo ishte ajo që u nevojitej. U duhej një vend ku të mund të luanin, të takoheshin dhe t’ua tregonin muzikën më shumë fëmijëve, në mënyrë që t’ua mësonin edhe atyre.
Më pas shkuam në një vend pranë Durrësit. Atje takuam një nënë e cila më tregoi shumë rrëfenja, të ngjashme me ato që u tregonin gjyshërit e tyre. Në kohën kur nuk kishte ende televizorë dhe telefona, njerëzit mblidheshin natën rreth zjarrit dhe tregonin histori. Kjo grua dinte shumë rrëfenja të tilla, të cilat janë gjithashtu pjesë e kulturës.
Kjo traditë po zhduket vërtet. Është pjesë e traditës gojore… kështu quhet, apo jo?
Ana Morina: Po.
Amie Barouh: Po. Për mua ishte shumë e rëndësishme, sepse shpesh i pyes romët në Rumani ose në Francë: “A mund të më tregoni ndonjë histori të vjetër që keni dëgjuar nga gjyshja juaj?” Askush nuk di më ndonjë të tillë. I harrojnë shumë, shumë shpejt. Ndërsa kjo grua dinte histori që zgjatnin edhe një orë. Prandaj ishte shumë e rëndësishme për mua që ta filmoja.
Ana Morina: Edhe në historinë gojore, nga përvoja ime kam kuptuar se pikërisht kur njerëzit flasin për ëndrrat, shpresat ose rrëfenjat e fëmijërisë, në të vërtetë po ruhet trashëgimia kulturore. Prandaj mendoj se kjo ka shumë rëndësi.
Edhe këtu në Kosovë kam vërejtur se romët nga qytete të ndryshme flasin dialekte të ndryshme dhe ndihen disi të shkëputur nga njëri-tjetri, megjithëse ne ndoshta i shohim si shumë të ngjashëm. A e vërejte këtë edhe në Shqipëri? A kishte shumë dallime mes romëve në pjesë të ndryshme të Shqipërisë, ose ndoshta edhe në krahasim me Francën?
Amie Barouh: Po. Ajo që kuptuam ishte se disa flasin më shumë në gjuhën rome, ndërsa të tjerët e përziejnë shumë me shqipen. Për ne, ky ishte dallimi. Unë e kam mësuar gjuhën rome me romët rumunë, prandaj përdor shumë fjalë rumanisht kur flas në gjuhën rome.
Gimi, për shembull, ngaqë e njeh shumë mirë gjuhën, fliste një variant më të pastër të gjuhës rome. Njerëzit e tjerë e përzienin shumë me shqipen. Prandaj dukej pothuajse si një gjuhë tjetër, por përsëri arrinim ta kuptonim njëri-tjetrin. Ishte disi e vështirë, por arrinim të kuptoheshim.
Edhe në Rumani gjuha ndryshon nga një qytet në tjetrin. Të njëjtën gjë e thonë në mënyra të ndryshme dhe kanë thekse të ndryshme, por mendoj se përsëri mund të kuptohen.
Kur dëshirojmë, mund ta kuptojmë njëri-tjetrin. Por nëse njerëzit janë tashmë të ndarë, i përkasin klaneve të ndryshme dhe nuk dëshirojnë ta kuptojnë njëri-tjetrin, atëherë nuk do të kuptohen. Ne ishim të huaj dhe nuk kishim lidhje me njërën apo tjetrën familje, prandaj për ne ishte ndryshe.
Ana Morina: Në rregull. Ndoshta, për ta mbyllur, mund të na tregosh se çfarë planesh ke tani. The se do të thellohesh më shumë në këto arkiva, por a po punon edhe për diçka tjetër?
Amie Barouh: Po. Në fakt, tema e ëndrrave është shumë e lidhur me të gjithë punën time. Projekti që nuk arrita ta realizoja, por që dëshiroja ta bëja në Shqipëri duke intervistuar fëmijët për ëndrrat e tyre, lidhet drejtpërdrejt me punën time të tanishme.
E gjithë puna ime ka të bëjë me pjesët e padukshme të realitetit dhe me kufirin mes realitetit dhe imagjinatës: çfarë është e vërtetë, çfarë është e rreme, çfarë shohim, çfarë nuk mund të shohim dhe çfarë quajmë reale. Pra…
Ana Morina: A i sheh arkivat si pjesë të këtij kufiri, apo i vendos më shumë nga ana e realitetit?
Amie Barouh: Arkivat më duken interesante sepse flasin për të shkuarën. Kur punoj me këto ëndrra, e shkuara është njëkohësisht edhe e tashmja. Më pëlqen t’i ndërthur kohët dhe vendet. Edhe për këtë arsye rrëfimi im nuk ndjek një vijë klasike, sepse më pëlqen të kaloj nëpër vende dhe kohë të ndryshme, për të mbërritur diku që ndodhet pikërisht në kufirin mes realitetit dhe imagjinatës.
Diçka mund të ketë përfunduar, por në të vërtetë vazhdon të jetë ende këtu. Nuk dëshiroj të bëj një dallim të prerë mes së shkuarës dhe së tashmes, ose mes shpirtërores dhe… realitetit…