Kërkush s’e ka ditë që jom prej fshatit. Kur kom ardhë në Prishtinë, kanë mendu se unë jom vajzë e ndonjë funksionari, se jom vajzë ose nga Prishtina, ose nga Peja, ose nga Gjakova. Ça kisha lidhje une me ata? Edhe ma vonë, a din, tani, se ata me qat bindje, edhe nuk më kanë asi masanej kurgjo, po masanej tani, t’u më thonë: ‘Pse a s’je e Gjakovës?’ Thojsha: ‘Pse more duhet me qenë?’ Edhe ky profesori Ramiz tha: ‘Kadal bre çikë se po du me t’vetë diçka’. Bash qështu, a din. Në oborr, masi dola. Thashë: ‘Urdhno profesor’. Tha: ‘A bon me ditë e kahit je?’ Thashë: ‘Po profesor’. Tha: ‘Po a je e Pejës?’ Thashë: ‘Jo, s’jom e Pejës’. ‘E Prishtinës?’ ‘Jo’. ‘E kahit je?’ Thashë: ‘Krejt kontra jom. Jom e Pozheranit. A e din ku është Pozhorani? Jom e katunit. Jom një katunare e qytetnume’. Bash qështu. S’di, i kom pasë do far nocione kështu që më vijshin aty për aty kur m’i imponojshin njerëzit, edhe ia dhasha pastaj vetit qato epitete. Thojsha: ‘Jom katunare, po e qytetnume’. Tha: ‘Mirë, se une po të dalloj ty, po të shoh vazhdimisht me garderobë, krejt po dallohësh’. A din? ‘Edhe e ki një edukatë krejt tjetër, në ecje, në lëvizje, në shoqni, po të shoh. E ki një qëndrim ndryshe’. Thashë: ‘Mirë bre profesor’. Tani po më thotë: ‘Mirë. E garderobën kush po ta bon? Kon e ke ti kreator?’ Thasë: ‘Çfarë–’ As s’e disha çka është kreatori. Thashë: ‘Profesor’. Tha, ‘Urdhno? A po më tregon?’ Thashë: ‘Po, profesor. E keni përballë. Para jush po qëndron’. Tha: ‘E ku? Çka?’ Thashë: ‘Qe, qe’. Bash kështu po ia boj me dorë. Thashë: ‘Unë jom’. Tha: ‘Qysh ti, katunare, edhe qështu me ditë?’ Thashë: ‘Profesor, më fal, i kahit je ti?’ Tha: ‘Unë jom i Pejës’. Thashë: ‘S’është e vërtetë. Ti je i Rugovës’. Tha: ‘Po, i Rugovës jom’. Se masanej na tregon çka ka hjekë kur ka shku në Pejë në shkollë të mesme, çka ka përjetu, që t’u e kqyrë demek si katunar edhe ata. E thashë: ‘Profesor, Pozhorani, në krahasim prej nga je ti, është rrafsh. Është një qytet me një kulturë shumë të ngritun. Ka edhe njerëz që–’ Intelektual është fjalë e madhe për mendimin tim, se me i thonë vetit intelektual, duhet me qenë i informum në shumë aspekte.
Miradije Ramiqi, u lind në vitin 1953, në Pozheran të Vitisë. Idetë e saj artistike shprehen përmes pikturës dhe poezisë. Në vitin 1978 diplomoi nga Akademia e Arteve të Bukura, Dega e Pikturës, në klasë të profesorëve Rexhep Ferri dhe Muslim Mulliqi. Një vit më vonë realizoi specializimin në Paris, Francë. Magjistoi në vitin 1997 në Pikturë në Universitetin e Prishtinës me temën “Arti në udhëtim rreth rikuptimësisë së tij”. Nga viti 1978 deri 2017 mori pjesë në gjithësej 27 ekspozita kombëtare dhe ndërkombëtare. Është autore e katër përmbledhjeve me poezi: “Drithërim ngjyrash” (1981), “Shi në pasqyrë” (1990), “Pëshpërim mbretërie” (2000), “Hirësi përrallore” (2010). Ndër të tjera, është anëtare e rregullt në Shoqatën e e Artistëve Figurativ dhe Aplikativ të Kosovës, Akademisë Evropiane të Arteve në Bruksel dhe në Lidhjen e Shkrimtarëve të Kosovës.