Pjesa e Parë
[00:00.4]
Anna Di Lellio: Jemi në Prishtinë, sot është 26 mars, 2026. Jemi me Merita Idrizi Behlulin. Edhe a mund të flasësh për familjen tënde, edhe vendin edhe vitin i lindjes,
[00:26.3]
diçka për prejardhjen.
Merita Idrizi Behluli: Okej. Unë jam Merita Idrizi Behluli kom lind në vitin 1963 në Mitrovicë, në komunën Mitrovicës.
[00:43.7]
Në vitin 1965 kemi ardh në Prishtinë. Në atë kohë kur ka qenë krahina e Kosovës, në atë kohë Prishtina si qendër i ka mbledh të gjithë intelektualët në Kosovë, rreth Kosovës, prej qyeteve të ndryshme për m’i kriju institucionet, për me i marr më të mirët prej vendeve të Kosovës.
[01:13.9]
Kështu që edhe edhe babi im ka qenë njëri ndër ta. Si një ekonomist i parë në Mitrovicë, besa ndoshta edhe në Kosovë, nuk e di sepse e ka përfunduar Fakultetin e Ekonomisë në Zagreb para Luftës së Dytë Botnore. Edhe kemi ardh në ‘60 e– e kanë ftu me ardh këtu në Prishtinë.
[01:35.7]
Mu në këtë shtëpi ku jemi edhe sot. Dhe muj me thanë që fëmijëria ime në atë kohë, këtu në Prishtinë, ka qenë me të vërtetë e lumtur. Tash bile diqysh si utopi po më duket, si një ëndërr që ka qenë atë kohë.
[01:53.1]
Për shembull, këtu afër shkolla përpara u qujt “Boro Vukmirović”, tash është “Gjergj Fishta”. Kemi pas foshnjoren, foshnjora do të thotë, kemi… parashkollor tash i thojmë, ka qenë me plot kukulla, kemi luajt me plot kuklla aty.
[02:08.1]
Në shkollë kemi hi me me pandufe. Kështu që ka qenë shkollë eksperimentale, me laborator, me sallë të edukatës fizike. Të gjitha pajisjet kanë qenë, me të vërtetë ka qenë një jetë, një fëmijëri e lumtur dhe pa brenga.
[02:32.2]
Edhe ne në atë kohë kemi mendu që krejt Kosova është ashtu, që krejt fëmijët e Kosovës i kanë kushtet e njejta, të gjithë kënaqen si na, shkojnë nëpër aktivitete të ndryshme shkollore. A në gara me biçikleta, a me rroshulla, a gara me i bo me i përgatitë disa raketa ku i çojshim në aeroport me i lëshu si lodra.
[03:01.3]
Nuk po di, muj me thanë që ajo ka qenë ndoshta koha më e mirë që e kom pas në jetë. Përveç mandej kur i kom lind vajzat, që ka qenë një jetë krejt tjetër kur e ke fëmijën. Kjo lumtuni ka zgjat rreth deri në vitin ‘80.
[03:28.5]
Tash nuk po du me shku ndoshta në personale në ‘79-në kur më ka vdekë nana, kur aty mandej, kur e kom përjetu vuajtjen e parë si një vajzë e re. Aty nuk po hy në detale, në këto emocionale, personale, po po mundona me u fokusu ma shumë në jetën publike në atë kohë, e cila ndërlidhet me jetën time private, po jo shumë personale.
[03:57.1]
S’jom e gatshme.
Ana Di Lellio: A ke gjyshe e gjysh?
Merita Idirizi Behluli: E tash, është e komplikume jeta personale sepse unë jam e adoptuar prej axhës. E deri 17 vjet kom mendu që prindët që më kanë… I don’t want to talk about this [Nuk dua të flas për këtë].
[04:18.1]
Por gjyshi dhe gjyshja biologjik, gjyshi biologjik ka qenë ballist. Edhe gjyshi biologjik në vitin 1945 ka emigru një herë në Greqi, mandej ka shku në Amerikë, në Boston, edhe aty ka jetu krejt jetën e vetë. Ndërsa gjyshja biologjike iu ka bashkangjit tek pas në vitet ‘60-a, do të thotë shumë më vonë. Edhe kanë jetu në Boston, afër kishës së Fan Nolit në Boston, në South Boston [Boston jugor] ata.
[04:49.7]
Po, po kthena tash prapë këtu në kohën e fëmijërisë këtu në Prishtinë, ku jemi kriju, ku siç thashë edhe më përpara, në vitet e ‘60-a, kur janë mbledh njerëz e shkollum prej Kosovës edhe kanë fillu me i kriju institucionet në Prishtinë, që atëherë edhe kanë qenë fëmijët ose prej Gjakovës, prej Gjilanit, prej Prizrenit, prej Mitrovicës.
[05:18.2]
Po për mendimin tem, qajo është Prishtina tash, qajo është shpirti i Prishtinës. Janë prishtinalitë tjerë të cilët kanë qenë këtu me esnaf, që janë marrë me zanatet e veta,
[05:34.6]
po ajo Prishtinë ka qenë qajo Prishtinë kasapët, por Prishtinën urbane, Prishtinën e re e kanë kriju këto gjenerata të ‘60-ave prej që kanë ardh në Prishtinë. Bile une qashtu e shoh. Ndoshta si tash me thanë që mas luftës së ‘99-ës Prishtina– kanë ardh shumë prej qyeteve tjera edhe tash është një realitet tjetër, një Prishtinë e re.
[06:01.6]
Ndoshta tash është ajo Prishtinë ma shumë e këtyne që kanë ardh sesa e jona që kemi ardh në ‘60-at. Sido që të jetë, ka qenë njëfarë utopie. Nuk e kemi ditë si fëmijë, siç thashë më herët, që kemi mendu që krejt [e kanë] shkollën me laboratore, foshnjoret me kukulla, salla e edukatës fizike me pajisje të mira, ka pas në krejt Kosovën.
[06:34.3]
Ashtu kemi mendu na. Në atë kohë kemi lujtë basketboll, kemi qenë ekipe të basketbollit, për shembull, në shkollë kemi qenë bashkë me serbë, bashkë me romë, krejt si një ekip kemi funksionu. Nuk kemi pas, në atë kohë, nuk kemi pas ndonjë ndamje, nuk i kemi ditë.
[06:55.4]
Mandej, për shembull, në qat kohë shkolla jonë, “Branislav Nušić” u quajt atëherë. E kemi pas si motër një shkollë të njëjtë “Branislav Nušić” në Beograd edhe ka njëherë në vit ose vishin, një vit vishin ata këtu, një vit na shkojshim atje në Beograd, me programe të ndryshme dhe më kujtohet një sallë e madhe kur e pata recitu une Migjenin “Pak dritë, pak dritë”, edhe të veshuna me dimija.
[07:27.6]
Nuk di pse na kanë veshë ashtu me– Po qaq shumë ka qenë e madhe sa une qaq u emocionova, e me pasion, sa edhe kajta t’u e recitu atë vjershë midis Beogradit. Nuk e di, arsimtarëve shumë ju pëlqeu, më përqafën, se ju duk shumë patriotike.
[07:44.9]
Unë ata s’e kom ditë, veç pse une qaq kisha frikë prej audiencës edhe e recitova. Atë kohë, s’di pse po e përmendi qëta, s’di pse m’u kujtu ky detaj. Edhe mandej, mas shkollës fillore këtu, e kisha në ish “Branislav Nušić”, tash “Gjergj Fishta”.
[08:06.8]
Mandej u regjistruam në gjimnaz, atëherë “Sami…”– “Ivo Lola Ribar”, tash “Sami Frashëri”. Edhe aty njëfarë– me arsimtarë të vështirë, me… bajagi shumë u dashtë me mësu, po për njëherë tash u bë një ndërrim, mësim i orientum.
[08:29.2]
Edhe ne nuk dishim çka do të bëhet, nuk do të mesim më në gjimnaz, edhe na, si me u orientu në dy vitet e fundit, duhet me u orientu në tjera drejtime. U bë një reformë në krejt ish-Jugosllavinë, e arsimimit, edhe pak qaty…
[08:45.0]
Prej aty mandej filluam, si duket prej aty, gjithmonë jeta jonë, e gjeneratës teme, ka qenë si në ndërrime, në reforma. Gjithmonë është dashtë me… Kanë qenë të panjohura, çka… Nuk ka qenë– nuk ke pa perspektivë,
[09:02.1]
nuk e ki ditë fundin çka do të jetë, po gjithmonë është rifillu diçka, edhe atëherë u rifillu. Tash, deri atëherë në shkollën “Ivo Lola Ribar”, tash “Sami Frashëri”, gjimnazi klasik ka qenë gjuhësor dhe shkencor. Tash, unë kam qenë e orientume me qenë në shkencor, po tash masi u bo mësimi i orientum, çka me marrë, ishim në panik,
[09:24.8]
Qysh– hajde ish një– Qëkjo me fizikë ma shumë, laborant i fizikës. Edhe për shkencor nuk kish tjetër. Ish një gjimnaz matematikor, aty nuk isha e interesume, po ma shumë shkencor, se prej aty kom mendu me shku në arkitekturë.
[09:41.1]
Anna Di Lellio: A po shkollimi është në gjuhën serbe apo–
Merita Idrizi Behluli: Jo, në gjuhën shqipe. Në gjuhën shqipe, por literaturën, atëherë ka qenë në gjuhën shqipe, kemi pas gjuhën serbe që e kemi mësu në shkollë, por romanet, gazetat, revistat e ndryshme, krejt i kemi lexu,
[10:00.5]
kryesisht kanë qenë në gjuhën serbe ato që na kanë interesu. Bile edhe romanet e përkthyme, të huaja, librat e përkthymë, na u dukshin më mirë të përkthymë në atë kohë që janë në serbisht, po e kuptojmë më mirë sesa në shqip, se ndoshta prej televizionit, apo qështut. Se nuk kemi pas…
[10:23.8]
Kemi pasë edhe literaturë shqip, patjetër ka pasë shumë, po nuk e di pse. Ndoshta mu dukë ma cool, siç është tash në anglisht. Ndoshta, s’po di, tash veç po e mendoj, se s’e kom mendu asnjëherë pse, po qështu ka qenë atëherë.
[10:40.4]
Bile revistat mezi s’pritshim ka një herë në javë ka pasë. Jo, njëherë në fillore “Zabavnik” është quajt. Ka qenë edhe edukative, mandej tjerat “Star”, “Dvoje”, “Vikend romana”, gjithçka që kemi lexu në atë kohë.
[10:59.8]
Po sido që të jetë, prapë na kemi jetu në Prishtinë, po prapë korzoja ka qenë e ndame. Kanë qenë shqiptarë, ana e shqiptarëve dhe e serbëve. Qyshdo që të jetë. Vetëm që në shkollë e kemi pasë, për shembull, basketboll kur kemi lujtë, kemi qenë bashkë. Në kor kemi këndu bashkë, po ka qenë ajo ndasija si në hije, po s’është vërejtë nashta shumë, na si fëmijë s’e kemi pa shumë, po ka qenë në njëfarë forme.
[11:27.2]
Edhe mandej, si qysh thashë, ishte reforma në arsim dhe u dashtë me marrë me… laboranti i fizikës, me shku te Normalja, e kemi quajtë atëherë, tash është AUK-u aty, Universiteti Amerikan i Prishtinës, edhe na shkum në vitin e tretë dhe të katërt.
[11:49.9]
Po në atë vit mandej, ‘80-ën, vdes Tito. Na shkojmë krejt si shkollë, na organizojnë, shkojmë në Dedinje me përcjellë Titon. Më kujtohet ai eskurzion, ai si eskurzion, shumë jemi kënaqë në tren.
[12:07.5]
Me tren patëm shku patëm shku deri në Beograd. Mandej kur shkuam aty, u ndijke në Dedinje vetëm do të… shpezëve, aty do zana shumë të çuditshëm. Ti si u tutshe, po diçka edhe na erdh me keshë, mandej s’guxojshim me keshë.
[12:29.9]
Arsimtari– na erdhi me keshë për njëherë në atë– Shumë e mbaj mend, s’di, njëfarë ndjenje, gjelbërim i madh, zanat e ndryshëm, na po keshim, arsimtari po na bërtet diçka, po ka qenë shumë interesant. Po prej asaj kohe mandej veç filluan, kur filluan demonstratat në ‘81-shin, na ishim prap në shkollë normale.
[12:53.7]
Mezi erdhëm prej… prej… Nuk e dishim çka po ndodh. A po e sheh, disa të rinj tjerë, 16 vjeçarë, 17 vjeçarë, tash po del që e kanë ditë, po na nuk e kemi ditë. Kemi jetu ndoshta si në njëfarë bubble, nuk e kemi di çka [po ndodhë]. Jemi trishtu, çka po ndodh tash? Çka? Demonstratat studentat që i fillun.
[13:17.7]
Edhe për njëherë filloi tash menjëherë dhe Prishtina, prej atëherë po më duket Prishtina e mur, për mu, filloi një ngjyrë e përhimt me mbizotnu. Prej atëherë Prishtina është e përhimt.
[13:34.2]
Ka fillu me u bo përhimt. E në fëmijëni ka qenë me plot ngjyra, me plot ngjyra, me erë të bagremit, po mandej aty– E kur i nijshim çka po ndodh me demonstrata, u bë ora policore, na metëm në shpi, tenkat lëvizshin.
[13:52.7]
U ndryshu gjithçka, s’dishim çka po ndodh. Na ishim në vit të katërt të shkollës së mesme. Na pak përpara u bojshim gati çfarë fustani me kepë, me ble, për mbramje të maturës, ku me shku në ekskurzion.
[14:12.5]
Ato krejt u anulun. Për njëherë krejt, prap një reformë, për ne prap– Edhe nijshim, për njëherë fillun me u bo ndamje edhe ma të mëdhaja, e shihshim një realitet ndryshe. I vrajshin demonstruesit.
[14:32.3]
Ke një– s’po di qysh me thanë, një… për njëherë ma ndryshe u bo. Po prap andërroja unë, për shembull, u bojsha gati, dojsha me shku në Beograd me studiu arkitekturën, një shoqe jeme dojke dramaturgji.
[14:49.5]
Si fillum me u interesu, me u bo gati, po ke situata, tash për njëherë nuk dishim çka po ndodh. Nuk e kemi ditë çka ka m’u bo me të vërtetë, po… Edhe nejse, arkitektura ashtu, unë u regjistrova në arkitekturë me pasion, që hala me inercion të shku që kjo është mirë, ka m’u bo, kemi perspektivë, na kemi me kry shkollën, mandej kemi me marë banesë, kemi me jetu të lumtur.
[15:19.2]
Po mandej, në atë kohë na ende në ish-Jugosllavi, për shembull, i kishim pasaportat. Pasaporta jugosllave nuk kishim viza për kërkun, kishim do karta të studentave. Ende funksionojke, karta të studentave me të cilat udhëtonim shumë ma lirë për Evropë.
[15:35.6]
Edhe në atë kohë mandej unë, harrova me tregu që burrin tem tash unë e kam pas në klasën edhe në fillore. Harrova me i tregu do detaje qatëherë, që qysh prej fillores unë thuajse e pata bo që ky ka me qenë burri jem. (qesh)
[15:52.5]
Si fëmijë. Po mandej në shkollë të mesme, dikur ka fundi kur i bëmë 17 vjet, na veç fillum me date, me dalë, përpara thojshin “me kalu” (qesh). Edhe ishim bashkë edhe na dy, mandej fillum kur shku në studime, ai shkoi ushtar, besa shkoi ushtar menjëherë si 19 vjeçar.
[16:17.6]
Edhe unë e regjistrova arkitekturën. Kur u kthy, ai e regjistroi ndërtimtarinë për me shku ushtar, sepse babën e ka pas ndërtimtar, e me marë artin iu doke pak për djalin e vetë, me u marr me art, edhe e regjistroi ndërtimtarin.
[16:33.6]
Edhe aty ai i dha krejt provimet vitin e parë, po prap gjithmonë te librat kur mësojke krejt ishte t’u vizatu, a din. Edhe dikur mandej e bindi babën e tha: “Unë du me shku prap në Akademi të Arteve, nuk po më pëlqen ndërtimtaria”.
[16:50.9]
Edhe mandej ai e çoi, baba i vetë, te Musli Mulliqi, tha: “Ky don me ardh vitin ardhshëm, a mundet m’u përgatitë?” Edhe shkoi në akademi m’u përgatitë, në akademi për me u bo piktor.