Luljeta Bajri, 1969-70.

Emrush Myftari në Tiranë. Rreshti i parë: Ahmet Luci (majtë); Xhaxhai i Ahmetit dhe një foshnjë (qendër); Emrush Myftari (djathtë). Rreshti i dytë: gruaja e xhaxait të Ahmetit (majtë), nëna e Ahmetit (djathtë). Tiranë, 1936.

Emrush Myftari me miq, Tiranë, 1930.

Luljeta dhe Ademi me fëmijët Mentorin dhe Ilirin në Kopshtin Zoologjik, Beograd 1976.

Bedri Pejani me famijen. Data e panjohur.

Luljeta Myftari Bajri

Pejë | Date: 7 shkurt, 2015 | Duration: 127 min.

N’vitin 1937 shpërthen lufta në Spanjë. Atëhere baba im, Veli Dedi, Xhemajl Kada, Shaban Basha shkojnë si vullnetarë në luftën e Spanjës … Kta kanë qenë të organizum në Batalionin Garibaldi cili ka pasë si sekretaro-sesi udhëheqës të atij Batalioni Luigji Long-un …aty kanë qenë edhe shkrimtarët e njoftun si Orvelli, mandej ka qenë Hemingvej… Babai im ka qenë domethonë me ide të majta… 

Kur ka kapitulu domethanë Lufta e Spanjës ata kanë kalu’ në Francë… Zogu nuk i pranon me u kthy në Shipni meqë kanë qenë me ide komuniste, atëhere baba shkon nëTurqi, shkon nëPalestinë, shkon në kto shtetet e Lindjes domethonë … Prej Turqisë kthehet manena edhe natyrisht se kyqet në Lëvizjen Komuniste ktu në Pejë… edhe e hapë librarinë e parë në Pejë. Libraria quhej Libraria Skënderbej – Vllazën Myftari…

Preteksti për pushkatim ka qenë se ka qenë anëtari Intelligence Service-it, mbasi e ka ditë gjuhën angleze plus e kishte pasë edhe nji mike angleze, njifar Flavia Kingston. Domethonë edhe e konfiskojnë pasuninë e babës.


Lura Limani (Intervistuesja), Donjetë Berisha (Kamerë)

Luljeta Myftari Bajri është juriste dhe u lind në Pejë në vitin 1943. Ajo punoi në shkollën fillore “8 Marsi” si sekretare dhe gjatë viteve të 90-ta iu bashkangjitë Forumit të Gruas të LDK-së, degën e Pejës të cilën edhe e udhëhoqi për një kohë. Bajri vazhdon të merret me aktivitete të ndryshme bamirëse. Tash e penzionuar, Bajri jeton në Pejë me familjen e saj.

Luljeta Bajri

Fëmijëria

[Pjesë e prerë nga video-intervista: intervistuesja e pyet të intervistuarën për fëmijërinë e saj.]

Luljeta Bajri: Unë jam Luljeta Bajri, kam lindur në Pejë në si me thonë, në flakën e luftës në vitin 1943 nga babai im Emrush Myftari dhe nëna Hajrie Mekuli Myftari. Të flas për fëmininë time ndoshta osht’ pak e dhimbshme, por sidoqoftë njerëzit kalojnë nëpër shumë peripeti të jetës. Ne e kem pasë fatin, unë dhe vllavi im Kujtimi, që qysh në moshë të re të mbesim pa prindë, meqë babain tim, në vitin… dikun’ kah fundi i vitit ’44, ose n’fillim të vitit ’45 e kanë ekzekutu’, e kanë pushkatu’ dhe atë në Prishtinë në vendin që quhet Strelishte, tash diku te Tokbahçja. Dhe n’atë vend natyrisht se kanë pushkatu’ edhe shumë njerëz tjerë, patriotë, personalitete t’ndryshme dhe sot e kësaj dite ai ka ngelur pa varr.

Të flas për historinë e familjes sime, kam shumëçka të thom’, edhe pse, ato i kam ndi prej tjerëve. Mas vdekjes së babait, unë kam qenë dikun nji vjet e diçka kur ka vdekë babai, e ndërsa nana ime ka qenë shtatëzanë dhe mbas katër-pesë muajve, mbas pushkatimit të babait, ajo ka lindë djalin, vllaun tim Kujtimin i cili si emën ka qenë i lanun amanet prej babait tim që me ia vu emnin Kujtim se e ka pa se rrjedhat si po shkojnë edhe e ka pritë që diçka ka me ngja me te.

Kisha me folë pak edhe për historinë e babait tim. Babai im ka qenë vllau i tretë ma i vogli, ka pasë edhe dy vllazën tjerë Sherifin dhe Xheladinin të mesmin, edhe Emrushi babai im. Axha ma i madh Sherifi ka qenë nji njeri me ide shumë përparimtare. M’duket atëherë ka qenë i përfshimë në lëvizjet që kanë qenë për demokratizim ma… ato, kanë qenë do lëvizje t’përbashkëta domethonë, edhe serbe edhe shqiptare, për demokratizimin e shoqnisë. Ai ka pas dëshirë që baba im të vazhdojë shkollimin dhe e ka dërgu’ domethonë njihere e ka kry shkollën fillore.

Fillimisht nuk ka dashtë fort, nuk ka qenë fort për shkollë, nuk ka qenë fort i nxehtë, mirëpo e ka pasë nji mik të vetin, profesor në gjimnazin e Pejës, serb. Nji profesor i vjetër, i cili po ashtu ka qenë me ide shumë përparimtare për barazinë kombëtare, për ato krejt… Edhe e ka vërejtë se Emrushi ka nji intelegjencë natyrale dhe i ka thonë, iu ka drejtu’ axhës tim i thotë “Çka po don ky djalë?” “S’po don me shku n’shkollë, s’di çka me bo. Une p’e angazhoj me punu’ rreth shpisë e rreth punëve e ktyne tjera…” Thotë “A ma jep mu ta përgatisë?” Edhe ky e përgatitë, e sheh mandej regjistrohet e krynë, domethonë mas shkollës fillore shkon në gjimnaz, në gjimnaz dallohet si nxanës shumë i mirë. Bile n’hartimet që i bon, ia përcjellin prej klasës në klasë t’u i lexu’ edhe t’u i thonë… se atëherë shkolla ka qenë në gjuhën serbo-kroate.

Mbasi e krynë gjimnazin ai i propozon me shku’ në Beograd ky profesori edhe konkurron me nji shok t’vetin Veli Dedi i cili ka qenë nga Medvegja. Në Beograd nuk i pranojnë, domethonë i kthejnë edhe kthehet baba shumë i demoralizum me gjithë atë shokun e vet. Natyrisht se edhe mixha im, i vjen randë për atë çka ka ngja dhe e përgatitë terrenin që ilegalisht me i qitë në Shqipëri. Domethonë kalojnë Emrushi edhe Veli Dedi, kalojnë në Shqipëri. Në Shqipëri edhe disa pejanë të tjerë kanë shku’, Shaban Basha m’duket, Xhemajl Kada dhe këta kanë shku’ ma herët. Edhe ata orientohen kah me shku’ nëpër shkolla. Veli Dedi edhe baba im shkojnë në liceun e Korçës ndërsa Shaban Basha me Xhemajl Kadën shkojnë në Torino me kry shkollën ushtarake atje.

Natyrisht se në Korçë, në liceun françez të Korçës, aty takohet me shumë personalitete të kohës, dhe sa m’kanë tregu’ edhe shokët e babës, ai ka qenë në nji gjeneratë me Enver Hoxhën. Domethonë jonë njoftë prej liceut të Korçës. Mbasi e kryn liceun e Korçës, atëhere kjo osht’ koha, perioda e mbretit Zog atëhere domethonë n’Shqipëri. Meqë e kishte nevojë për kuadër ushtarak atëhere ky me gjithë Veli Dedin shkojnë në shkollën ushtarake, domethonë si lloj akademie ushtarake n’kohën e Zogut edhe e kryjnë me sukses. Mirëpo, situata n’Shqipëri natyrisht që nuk ka qenë aq e mirë sa duhet. Këta kanë qenë me ide ma progresiste, kanë qenë ma t’hapun.

Edhe n’atë kohë, domethanë viti 1937, shpërthen lufta në Spanjë. Atëhere baba im, Veli Dedi, Xhemajl Kada, Shaban Basha shkojnë si vullnetarë në luftën e Spanjës edhe Justina Shkupi, nji motër medicinale e cila po ashtu e kishte kry nji shkollë speciale m’duket n’Itali ose n’Francë nuk e di dhe ka qenë shoqe me Nanë Terezën, bashkë e kanë kry shkollën medicinale. Lajmrohet edhe ajo si vullnetare me shku’, ajo ka qenë kosovare domethonë, edhe kjo. Në luftën e Spanjës kanë shku’ edhe prej Shipnisë edhe prej Maqedonisë, m’duket edhe prej Malit t’Zi, domethonë aty jonë mbledhë, si me thonë ajka intelektuale shqiptare, prej t’gjitha trojeve shqiptare. Mirëpo, kta kanë qenë të organizum në Batalionin Garibaldi i cili ka pasë si sekretar ose si udhëheqës të atij Batalioni Luigji Long-un nji personalitet të njoftun italian, i cili mandej edhe mbas shlirimit ka qenë kryetar i Partisë Komuniste italiane m’duket, nëse s’gaboj. Edhe aty kanë pasë kontakte, domethonë meqë kanë qenë në kuadër e Batalionit Garibaldi. Aty jonë njoftë edhe me shumë njerëz nga krejt Evropa që kanë ardhë. Për shembull aty kanë qenë edhe shkrimtarët e njoftun si Orvelli, mandej ka qenë Hemingvej, kanë qenë edhe shumë personalitete tjera t’kulturës, t’artit, shkrimtarë. Edhe aty kanë pasë m’duket edhe kontakte mes veti t’mdhaja.

Çdo grup i ktyne vullnetarëve ka pasë se ka botu’ edhe revistën, revistën e vetme në gjuhën, natyrisht anglezët në gjuhën angleze, italianët në gjuhën italiane. Shqiptarët si nji grup ma i vogël… edhe pse nji studiuese e cila e ka studiu’… spanjolle, nuk po m’kujtohet, Suarez m’duket emnin. Nuk po m’kujtohet mbiemni veç, s’po m’kujtohet emni. Ajo e ka studiu’ këtë grupin e vullnetarëve shqiptar në Spanjë, edhe ka thonë se, meqenëse edhe proporcionalisht prej numrit t’popullsisë ata kanë qenë nji grup jo i vogël. Dhe, çka osht’ për t’u cekur, t’gjithë kanë qenë me përvojë ushtarake. Shumica kanë qenë me akademi ose shkolla t’larta ushtarake. Domethonë, kanë qenë njerëz t’përgatitun.

Baba im ka qenë oficier i artilerisë dhe ato sa m’ka spjegu’, aty prej Shqipërisë ka qenë edhe shkrimtari Petro Marko, aty domethonë kanë kriju’ marrëdhanie shoqnore shumë t’mira. Petro Marko ka qenë i moshës ma t’re edhe për ta mbrojtur… edhe ka pasë talent për shkrime, atëhere baba nuk e len kto me shku’ n’front, e çon te italianët, e prezenton e thotë, “Ky osht’ shkrimtar edhe gazetar i mirë. Osht’ shumë ma me interes ky me raportu’ edhe me shkru’ për çka po ngjet,” domethonë me luftën në front, “sesa me shku’ edhe me u vra në luftë”.

Shkojnë nji grup prej 15 vetëve nga shkolla fillore “8 Marsi” n’vizitë t’shkollave t’Shqipërisë. Unë nuk di prej nga kishte marrë vesh se kemi me shku’, edhe kur kem shku në Durrës, në një hotel aty… në korridor, m’ka thirrë, aty ku ishim n’grup, m’thërret një njeri. M’thërret edhe m’thotë, “Po t’presim, n’atë sallën tjetër. Po t’pret Petro Marko edhe Justina Shkupi”. Justina Shkupi tash ju tregova edhe ma heret se ka qenë në luftën e Spanjës edhe ajo përmendet në romanin “Hasta la Vista” si infermierja Drita. Edhe, kur m’kanë pa (buzëqeshë), kanë qenë emocionet edhe tynet edhe t’mijat, kanë qenë shumë t’fuqishme, kanë fillu’ te dytë m’përqafu edhe me na shku’ lotë edhe atyne edhe mu. Tha, “Po na vjen shumë mirë që me u taku’ me vajzën e Emrushit”, edhe aty kem fillu mandej me evokimin e kujtimeve prej luftës së Spanjës e prej… Mandej m’kanë marrë edhe në shtëpi, aty kanë thirrë edhe kta disa luftarë t’Spanjës, m’kanë çu n’shpinë e nji luftarit i Spanjës, Ramiz Varvarica i cili ishte martu’ me nji spanjolle, edhe kishte marrë grunë n’Shipni te ajo … Domethonë, kanë qenë emocione shumë t’fuqishme, edhe nga ana ime se shihesha për herë t’parë. Babën s’e kisha njoftë fare e tash shihesha me shokët e babës.

Lura Limani: Çka tjetër ju kanë tregu’ për babën gjatë luftës?

Luljeta Bajri: Urdhno?

Lura Limani: Çka tjetër ju kanë tregu’ për babën gjatë luftës?

Luljeta Bajri: Gjatë luftës baba im ka qenë domethonë me ide të majta. Me ide të majta ka qenë për ate që populli shqiptar prej Luftës së Dytë Botërore të dalë si popull I barabartë me gjithë popujt tjerë të ish- Jugosllavisë, të Jugosllavisë… nejse. Ka qenë në… kur osht’ majtë Mledhja e Bujanit ata kanë fillu’ veç tu i pa idetë e tij, natyrisht se ktu ndikimi ka qenë edhe i ktyne komunistave serbë edhe malazezë t’cilët jonë njoftë qysh prej luftës së Spanjës edhe ata gjithnje jonë mundu’ atje shqiptarët me i lonë n’plan t’dytë, domethonë me i injoru’ krejt. Baba shumë ka, n’atë drejtim, ka pasë konfrontime qysh në Spanjë me komunistat serbë edhe malazezë. Edhe kur osht’ kthy mandej, kur jonë kthy prej Spanjës… aha prej kur ka kapitulu’ domethonë lufta e Spanjës, ata kanë kalu’ në Francë.

Në Francë jonë tubu’ domethonë të gjithë aty në Francë ka pasë studenta shqiptarë shumë që kanë studiuatje. Mandej ka qenë edhe ky Ali Kelmendi si anëtar i Kominterit m’duket, lëvizja komuniste. Edhe në Francë jonë taku’ mandej dhe me Zeqeria Rexha po ashtu intelektual i shquar shqiptar, ka studiu në Francë në Lion. Atëhere takohen në Paris dhe vendosin me e botu’ nji gazetë në gjuhën shqipe, gazeta quhet “Sazani”. Po m’vjen shumë keq se i kom pasë edhe ato gazeta këtu, po gjatë luftës kur o’ djegë shpija, me shpi jonë djegë edhe shumë materiale. Kem arritë diçka me shpëtu’, shumë pak.

Edhe mandej prej Francës, Zogu nuk i pranon me u kthy në Shipni meqë kanë qenë me ide komuniste, atëhere baba shkon në Turqi, shkon në Palestinë, shkon në kto shtetet e Lindjes. Domethonë në Turqi fillon propagandën kundër shpërnguljes së serbëve… qy serbëve (buzëqeshë), m’fal… kundër shpërnguljes së shqiptarëve në Turqi. Prej Turqisë kthehet mandena edhe natyrisht se kyçet në Lëvizjen Komuniste këtu në Pejë. Mirëpo, gjithnji edhe e kanë respektu’ si kuadër i përgatitun, si kuadër i shkollum, si njeri i cili i ka ditë pesë-gjashtë gjuhë t’huja. Mirëpo, edhe ia kanë pasë gjithënji frigën, se ai prej fillimit i ka tregu’ idetë e veta se shqiptarët duhën me dalë prej kësaj lufte si komb n’veti, me pas t’drejtat si gjithë popujt tjerë. Ajo natyrisht, se disave nuk iu ka pëlqy. Kështu që, në një kohë ai pak edhe tërhjeket prej lëvizjes edhe e hapë librarinë e parë në Pejë. Libraria quhej “Libraria Skënderbej – Vllazën Myftari”.

Mirëpo, fillimisht ai e udhëheqë librarinë e ma vonë detyrohet me kalu’ edhe n’Ilegalitet se gjithënji italianët e përndjekin, mandej e burgosin, ka qenë në burgun e Tiranës. Atëhere i thotë, n’librari punon axha im Xheladini edhe e merr edhe nanën time me punu’ n’librari.

Baba im kur kthehet prej Spanjës, prej Spanjës e prej Francës e knej, meqë në luftën e Spanjës vritet Xhemajl Kada edhe vritet Asim Vokshi dy shokë t’ngushtë t’babës. Ai ato çka kanë mbetë, domethonë kujtimet e teshat e Xhemajl Kadës, i bjen në familjen e Xhemajl Kadës domethonë te Rexhë Kada. Gruja e Rexhë Kadës ka qenë tezja ime, Sheqere Kada. Edhe aty, nejse vijnë mandej ngushllimet për vrasjen e Xhemajlit, edhe ai ka qenë oficer me grada t’nalta i ka kry n’Itali. Edhe baba ka qenë shumë i indinjum dhe atje n’Spanjë ka pasë edhe konflikte edhe me kta udhëheqësit e Garibaldit se thotë, “Ju neve shqiptarëve gjithmonë po na qitni në vijat e para t’luftës, ndërsa t’jujt po i runi”. Edhe thotë, “Aty na vriten dy oficerë t’mirë, dy ushtarakë t’mirë t’cilët kanë mujtë me udhëheqë e jo me qenë n’vijat e para t’luftës”. Atëhere e pytë babën tem, i thotë, “Emrush, çka don tash ti me bo? Duhesh me kriju’ familje.” “Nuk muj se une jom me… se po merrna me politikë, me ide, nuk du me marrë n’qafë asnji vajzë t’re. Edhe, nuk ka t’shkollume që mujnë me m’kuptu’. Nuk du me i marrë n’qafë”. “Jo,” thotë “unë ta gjoj nji vajzë. Osht’ kjo balldëskja ime [motra e bashkëshortes], Hajria – çika e Hoxhë Nokshiqit n’Plavë, e cila e ka kry Shkollën Mbretënore në Beograd, Shkollën Mbretënore për amvise n’Beograd”.

Tash do t’ju tregoj pak historinë se gjyshi me gjyshen m’kanë jetu’ deri vonë. Domethonë unë kom qenë 14 vjeçare kur m’ka vdekë gjyshi, mandej ma vonë m’ka vdekë gjyshja. Edhe, ne çdo pushim kur e kishim, axha na çojke n’Plavë mu edhe vllaun. Meqë nuk kishte shumë komunikacion kah gryka e Rugovës, atëherë e porostike nji njeri me nji kali, edhe dy kosha anash. Gruja e axhës na përgatitke nji asi edhe une nji kosh, nji kosh vllau dhe shkojshim kah Qafa e Dillit. Në Qafë të Dillit, axha na ndalke gjithë, ka qenë nji burim I ujit, me pi me hongër diçka dhe me pushu’. Edhe, na tregojke, kanë qenë katër varre aty.

Tregojke, thojke, “Janë katër varre, njeni prej varreve osht’ i vllaut tim Sherifit, i cili ka shku’ si vullnetar me luftu’ në kufinin malazez, për mos me hy ushtria malazeze, për mos me hy n’Kosovë, edhe aty bjen si dëshmor”. Domethonë, sot edhe kësaj dite vorri osht’ atje. Nejse, tash po ju tregoj për nanën time. Nana ime e kryn atë Shkollën Mbretërore. Mbreti domethonë Aleksandri atëhere i ish-Jugosllavisë e çon nji shkresë në Plavë. Gjyshi im ka qenë imam në xhaminë kryesore aty të Plavës, ku thotë se nji vajzë prej Plavës e Gusisë mundet me ardhë, mund ta dërgoni në Shkollën e Amviseve n’Beograd.Edhe ajo paraqet para xhematit. Mirëpo kërkush nuk pranoi, thanë, “Jo, nuk i çojmë vajzat atje me u ba…” domethonë qysh e kanë përdorë atëhere (buzëqeshë), “me u ba shkina”. Edhe gjyshi thotë, “Mirë unë e kom pasë obligim me paraqitë këte, une e çoj vajzën time.” Edhe e çon nanën time. Kjo ka qenë motra e katërt me rradhë. Pasi e kryn atë Shkollën e Amviseve me nji sukses shumë t’mirë, m’vjen keq që nuk e kom, ia kanë dhonë edhe ate stemën e kunorës, ajo si kunorë ashtu e punume, e prarume me ari, plus edhe diplomën. Jonë kallë edhe ato krejt.

Kthehet në Plavë edhe ajo domethonë i mledhë, bohet si nji, i mledhë krejt vajzat e Plavës, iu jep këshilla për përgatitjen e ushqimit, si duhet me i rritë fmitë, për… si duhet me i rritë foshnjet, si duhet… i mson punëdore, krejt ato përvojat që i ka marrë n’atë shkollën e Beogradit. Edhe, kur i propozon Rexhë Kada për këte, atëhere takohen me… vjen ajo ktu n’Pejë, nana ime. Takohet me babën, fejohen edhe mbas nji kohe martohen. Ka qenë martesa e babës tim pak si njifar senzacioni n’Pejë se osht’ hera e parë që vjen ni nuse n’Pejë me vella t’bardha. Plus, shkon baba me marrë me mobilin e vet privat që e ka pasë. Këtu kanë qenë edhe fotografijat, jonë kallë krejt. Edhe, gjyshi im e përgatitë nji përcjellje shumë t’mirë edhe dinjitoze, thërret musafirë shumë edhe vjen nana ime ktu në Pejë me jetu’ mandej.

Natyrisht, se menihere fillojnë peripetitë, burgosjet e babës. Për katër vjet sa kanë jetu’ bashkë, ma shumë nuk ka qenë te shpija se ka qenë. Kohë mbas kohe ka ardhë, nëpër burgje nëpër andej. Edhe, kur e pushkatojnë babën nana mbetet domethonë me mu si fmi, edhe lindë mandej edhe vllau. Ktu basitset shpija edhe e qesin me pushkatu’ axhën tim ktu n’kopsht. Meqë e kërkojshin nji radiostacion, duheshin me gjetë pretekst pse ishte pushkatu’. Edhe ka qenë, preteksti për pushkatim ka qenë se ka qenë anëtar i Intelligence Service-it, mbasi e ka ditë gjuhën angleze. Plus, e kishte pasë edhe nji mike angleze njifar Flavia Kingston po m’duket, që ka jetu’ n’Zagreb edhe ka ardhë, ka qenë edhe këtu te na n’Pejë disa herë ktu n’familjen tonë. Domethonë edhe e konfiskojnë pasuninë e babës.

Baba meqë e ka pa situata kah po shkon, ka pasë biblotekë shumë t’pasun me libra jo vetëm n’gjuhën shqipe, po edhe n’gjuhë tjera. Meqë ka qenë n’Itali, ka shëtitë nëpër Evropë domethonë. Tu e pa situatën çfare osht’, krejt biblotekën e murrën në ato isbet e vjetra që kanë qenë në shpinë e babës aty edhe e ve nji mur… plus edhe materialet që kanë qenë të librarisë. Natyrisht se krejt aty nuk ishin, mbesin edhe shumë libra edhe jashtë. Diçka që m’ka mbetë prej fëminisë time, ka pas prej t’gjitha qendrave n’Evropë ku janë botu’ revistat shqipe, i kem pasë ktu. Kem pas revistën “Vatra”, revistën “Dielli”, revistën “Flamuri i Arbërit”. Nuk po m’kujtohen edhe tash, veç n’qendrën domethonë n’Amerikë Faik Konica ku ka vepru’ me gjithë Fan Nolin edhe ato revista.

Fatkeqësisht, meqë kem qenë gjithnjë në mbikqyrjen e Shërbimit Sekret domethonë si familje, dikush që ka qenë prezent kur asht ba murimi, kur jonë hi ato librat, ka lajmru’. Meqenëse nuk kanë gjetë, atëhere krejt kopshtin e kanë groposë gjoja me lypë radiostacionin. E kanë qitë axhën me u pushkatu’, nana ime ka shku i ka thonë, “Unë jam gruaja e Emrushit. Ne e kem këte t’vetmin mashkull te shpija, nëse duhet m’u pushkatu’, pushkatomni mu”. Nejse, radiostacion nuk gjejnë kurgjo edhe atëhere e rrëzojnë murin, kanë bajtë me qerre dy-tri ditë. Natyrisht qysh m’ka tregu’ axha, se unë kom qenë atëhere e vogël, dy vjeçe e gjysë. E marrin krejt biblotekën me libra me makina t’shkrimit, me material çka ka pasë aty edhe shkojnë. Nanës time mandej i keqësohet gjendja shëndetësore edhe meqenëse gjithnji nën mbikqyrjen përcjelljen prej familjes, ia bjen domethonë… kem qenë si familje e anatemume pak. Jo prej popullit, n’popull kem pas autoritet shumë t’madh, t’gjithë na kanë respektu’.

Bile m’kujtohet ka qenë nji profesor i gjimnazit t’Pejës, shok me babën, Mikel Marku. Nji profesor i cili ka dhonë gjuhën serbo-kroate në gjimnazin për paralelet shqipe. Edhe n’çdo 28 nandor ai vijke me na vizitu’ neve dhe na bijke libra, na bijke fletore, lapsa. I thojke axhës, “Xhelë, Emrushi t’gjithëve na ka përkrahë, na ka dhonë libra, na ka dhonë materiale, s’ka kqyrë. Na ka dhonë krejt çka kem dashtë prej librarisë, na duhem me u kujdesë për fmitë e Emrushit pasi kanë mbetë pa prindë”. Nana ime, i propozon mjeku me shku’ në Plavë masi iu ka keqësu gjendja shumë, edhe shkon në Plavë me ne dytë.

Lura Limani: N’cilat vite?

Luljeta Bajri: Urdhno?

Lura Limani: N’cilat vite?

Luljeta Bajri: Vitet ’44. Fundi i ’44-shit, domethonë mas pushkatimit t’babës, ose fillimi i ’45-tës ashtu. Shkon në Plavë te prindtë e vet sdhe atje kujdesen natyrisht nana e vet, motrat e veta. N’vitin ’46, plus aty kujdesen edhe dy mjekë hungarezë t’cilët kanë qenë miqt e gjyshit tim, që kanë ardhë gjatë Luftës t’Dytë Botnore dhe iu ka pëlqy shumë Plava si vend piktoresk me liqenin e ato. Nuk jonë kthy në Hungari, kanë mbetë n’Plavë aty si mjekë. Edhe ata vazhdimisht kanë ardhë me u kujdesë për nanën.

Une dy vjet e gjysë, diçka ma tepër, na vdes nana! Na vdes nana dhe ne mbesim në Plavë te gjyshi e gjyshja. Aty e kem pasë edhe nji teze vajzë, tezen Fatime e cila vendosë mos me u martu’, vetëm me na rritë neve. Mirëpo, ktu n’familjem time të axhës domethonë mbeten disa vdekje, domethonë pushkatohet… vdes në frontin e luftës axha Sherifi, vdes nana ime, pushkatohet baba, domethonë familja mbetet vetëm me axhën, edhe dy gratë e axhës, asaj që i vritet burri atje edhe… Atëhere axha im vjen në Plavë me na marrë neve. Gjyshja me tezen nuk dojnë me ndi me na lshu. Kush me na kqyrë? Mendojnë se kanë me na kqyrë ma mirë atje n’Plavë. Mirëpo, axha ia hekë kapelën gjyshit edhe i thotë, “T’lutem, na kemi qaq tragjedi t’randa kem përjetu’, barëm fmitë ama, njerin prej fmive”. Edhe shkon i thotë, “Une nuk muj me u kthy pa njërin, pa një fmi”. “Ani,” thotë, “cilin po don Xhelë me marrë?”. Thotë, “Valla, une p’e marrë vajzën”. Edhe m’merr, axha m’merr mu, m’bjen ktu n’Pejë. Mirëpo, tanë kohën as une nuk jom këtu e qetë, edhe pse e vogël, se po e lypi vllaun (buzëqeshë). Edhe vllau andena… jem msu’ bashkë me qenë. Atëhere e merr gjyshi, mbas nji kohe e merr edhe vllaun e bjen, domethonë na rritemi te axha.

Axha ka pasë edhe gruja e axhës kanë pasë kujdes maksimal, nuk kanë pasë fmi. Domethonë edhe atyne iu ka plotësu’ një dëshirë, që na kanë pasë fmi neve. Axha ka bo çmos që na me pasë fmininë sa ma t’lumtun, sa ma t’bukur. Na i ka plotësu’ t’gjitha kushtet, kem vazhdu’ shkollën, domethonë ka qenë, unë bile n’momente mendoj se nuk kom bo për fmitë e mi, qaq sa ka bo axha edhe gruja e axhës për ne. Axha ka qenë nji njeri shumë i mençëm, i hapun. Mu nuk m’ka ndalë, për qi kanë qenë vitet, natyrisht vitet kur vajzat nuk jonë lonë bash për me shku’ n’aktivitetet shkollore e ato, mu s’më kanë ndalë kurrë.

Domethonë, çdo aktivitet që osht’ bo në shkollë, korin e shkollës, orkestrën e shkollës, ekskurzionet e shkollës, tona ato sletet që kanë qenë n’atë kohë, mu kurrë nuk m’kanë ndalë. Në nji mënyrë, n’krah temin mandej kanë fillu’ edhe shoqet e mija, meqë axha ka pasë autoritet këtu në rrethin ku ka jetu’ edhe ku ka…

Rinia

[Pjesë e prerë nga video-intervista: intervistuesja e pyet të intervistuarën për rininë e saj.]

Luljeta Bajri: Shkollën fillore, e kam kry në Pejë, atëhere jonë ndrru’… kom qenë njihere n’shkollën n’Karagaq atëhere quhej “Miladin Popoviç”, mandej u ndërtu shkolla “Ramiz Sadiku”, ktu shkollë e re, kem kalu’ ktu. Kom kalu’ shumë mirë, i kom pasë shoqet shumë t’mira. Kem bo shumë aktivitete, aktivitete t’lira, kori i shkollës, shëtitjet e ndryshme, mbas asej kom vazhdu’ në gjimnazin e Pejës. Domethonë n’gjimnazin e Pejës ka qenë viti ’56-’57, vitin e parë. Atëhere kemi qenë veç dy paralele shqipe. Në njënën paralele kanë qenë krejt mashkuj dhe paralelen tjetër ku kam qenë edhe une me shoqet e mia, kanë qenë njo 15 vajza edhe tjerët mashkuj. Muj me thanë se perioda ma e bukur e jetës time ka qenë në gjimnazin e Pejës. Kem pasë një shoqni shumë t’sinqertë edhe shumë t’mirë. Çdo pushim ose çdo ndojhere si gjithë nxanësit tjerë, ndojhere edhe kem ikë edhe prej orëve (qeshë), edhe i kem shfrytëzu’ ato për me shku’ deri te burimi, te kisha atje. Mandej, kem bo edhe shumë shëtitje edhe në Radavc, kshtu që deri në maturë kem kalu’ shumë bukur.

Matura ka qenë në vitin ’61-’62, domethonë kem qenë maturanta. Atëhere natyrisht se nuk boheshin organizime me festu’ mbramjen e maturës si tash që po bohet, s’kishte as lokale, as kurgjo. Ne e kishim kopshtin shumë t’madh, edhe shpinë e kishim t’madhe, se axha m’ka vdekë fatkeqësisht, edhe axha m’ka vdekë heret n’vitin ’57 kur unë kom qenë n’vitin e dytë n’gjimnaz. Fillimi i vitit t’dytë n’gjimnaz. Edhe vllau ka qenë dikun n’shkollën fillore. Edhe për ne kjo ka qenë edhe nji goditje se mbetëm pa… mbetëm vetëm me grunë e axhës. Gruja e axhës gjithashtu ka qenë nji gru shumë bujare, gru shumë e mirë e cila nuk e ka pasë kërkend t’vetin. S’ka pasë vlla, s’ka pasë motër, e vetme, plus e ka pasë nji djalë t’axhës – babën e Dervish Rozhajës.

Du me cekë edhe këte për Dervish Rozhajën. Dervish Rozhaja atëherë ishte student n’Beograd dhe nji student shumë i dallum, i cili mandej doktor shkence, ma i riu n’ish-Jugosllavi ka qenë, dikun n’moshën njizet e diçka vjeçare ka doktoru. Ai sa here vijke prej Beogradit, me vizitu’ familjen, rrijke nji ditë dy n’familje edhe menihere vijke te na sepse ktu kishte libra, me lexu’, domethonë kishte dëshirë me ardhë ktu për me u asi… Në nji mënyrë shpija jonë ka qenë, e kanë frekuentu shumë njerëz të cilët e kanë dashtë librin, e kanë dashtë domethonë… Kanë ardhë njerëzit t’cilët kanë qenë t’interesum n’atë kohë, n’atë kohë ka pasë shumë pak libra n’gjuhën shqipe domethonë, edhe gjitha ato revistat, ato librat jonë shfrytëzu’ prej ka ardhë Dervish Rozhaja, ka ardhë nji kushëri i joni Hasan Bala, i cili studionte m’duket për teknologji n’Sarajevë. Mandej, Jusuf Gërvallën e kem pasë ktu kojshi se ai u rritë te daja. Edhe ai shpesh vijke, ka qenë dikun gjeneratë me Kujtimin, ndoshta nji vjet ma i ri se Kujtimi. Edhe vijshin këtu u mbledhshin t’gjithë. Derisa tjerët lujshin me top ose diçka, Jusufi hypke naltë atje n’çardak edhe i merrke ato libra, revista ka qenë prej fillimit, ka qenë i interesum për lexim.

Dashta me ju tregu’ edhe këtë ngjarjen e maturës. E krymë maturën, dojshim me bo diçka me organizu’, edhe u mbledhëm po bisedojmë. Domethonë kem qenë një shoqni shumë e sinqertë edhe shokët e klasës kanë ardhë te une, na kem shku’ te shokët e klasës, nuk kem pasë ashtu ngurrime, ato… nji shoqni shumë e sinqertë. Thotë, “T’kishim me u taku’ me u mledhë diku, po s’po kemi ku”. Edhe une tash, “Une po e pys grun e axhës çka po m’thotë edhe vijmë, na e kem kopshtin ktu, edhe mledhëm n’kopsht”. Une p’e… tha, “Po nonë, ma mirë me ardhë këtuse me shku’ tjetër kah, ejani”. Kishim kopshtin shumë t’madh e t’bukur. Ishte nji pishë, pisha sot e kësaj dite osht’ aty, t’cilën e ka mbillë axha im diku n’vitin 1931 kur u ble kjo shpi, shpija këtu që osht’ e vjetër e babës. Atëhere erdhën shokët e klasës, e rregullum, i qitëm dritat, natyrisht muzikë e krejt (buzëqeshë). Krejt… ka qenë ngjarje edhe për krejt rrethin, se s’ishin, nuk organizoheshin atëherë. Edhe krejt kto muret përreth {dëfton kah muret e dhomës} kojshitë kishin hypë me pa çka po bojmë na, çka po knojmë e po lujmë (qeshë). Edhe, ajo kangë osht’ si nji kujtim i bukur prej mramjes t’maturës që e kem festu’ bashkë.

Kryhet matura. Ishin shumë t’pakëta mundësitë për me shku’ n’studime. Mandej axha na kishte vdekë, nuk kishim kurrëfar burimi për jetë. Natyrisht kem qenë familje ekonomikisht kem qenë n’rregull domethonë, se na ka lonë axha pasuni, shpinë e tokën, e nuk kem hekë kshtu. Mirëpo, për ndonji asi… plus gruja e axhës ish e lidhun shumë për ne, kshtu që asaj i dukej shumë e vështirë une tash m’e lonë, ishte e vjetër, relativisht e vjetër, m’e lonë une edhe me shku’ n’studime. Edhe une isha pajtu’ me ato, e kom kry maturën edhe mjafton. Mirëpo, daja im Esat Mekuli i cili ka pasë një kujdes shumë t’madh për ne, në vitin ’56 kur ka ajo bora e madhe n’Pejë, dy metra, bora e kuqe i thojshim. Se n’mes t’borës ka qenë edhe nji shirit qështu katër gishta {tregon dimenzionet me pëllëmbë}, ka qenë nji shirit i kuq. Bora dy metra ka qenë, domethonë o’ blloku’ krejt, çdo gja. Thojshin se prej kur kanë fry erënat n’Afrikë, e kanë pru atë zallin prej shkretëtinave.

Nejse, edhe daja im martohet me Sahadete Doku Mekuli, e Ohrit, mjeke. Edhe e bjen me vizitu’ dy motrat që i kishte t’martume ktu n’Pejë. Vijnë me tren natyrisht, se kjo rrugë s’ka ekzistu’, vetëm treni. Vijnë me tren edhe prej trenit me saja se s’kanë mujtë. Dhe kur kanë ardhë këtu te kjo rruga jonë para shpisë tonë, i thotë grusë t’dajës, kto ma ka tregu’ gruja e dajës, thotë, “Sahadet, ktu i kom dy fmitë t’motrës, na po shkojmë m’i vizitu’ edhe ato motrat tjera. Ti çka bon me kto motrat tjera, a m’i respekton a i don osht’ çashtja jote. Qeta dy fmijë, du me m’i kqyrë si me qenë fmitë tanë”. Edhe asej i ka mbetë ajo… {qet dorën n’gjoks}. Mandej masi vizitojnë, vijnë na vizitojnë edhe neve edhe ne çdo pushime shkojshim, masi gjyshi e gjyshja kalojnë në Prishtinë, na shkojshim për çdo pushime, shkojshim te daja, te gjyshi e te gjyshja. E kreva maturën edhe u ndala me aq.

Vjen daja me grunë e vetë, edhe i drejtohen grusë t’axhës. I thojnë, “Xhixhë,” xhixhë i thojshim, “na jem ardhë me marrë Lulen për studime, m’e marrë n’Prishtinë me studiu’ atje”. “Ouu,” ajo ia nisë me qajtë thotë, “Une i kom rritë kta fmijë, tash po doni me m’i marrë t’gatshëm” natyrisht si edhe çdo prind. Thotë, “Nuk bon me lonë me maturë, osht’ gjynah, dojmë me marrë”. Ma në fund ajo bindet, “Mirë,” thotë, “atëherë une Kujtimin du me martu’, s’muj une me ndejtë vetun, ju po ma merrni çikën”. Kujtimi osht’ ma i ri se une (qeshë), domethonë 17 vjeçar. Ata fillunë me qeshë (buzëqeshë).

Nejse, edhe erdh koha une me shku’ në fakultet. E kujtoj atë ditë me shumë mall edhe me nji, une i pregatitsha teshat n’kofer për me shku’ për Prishtinë, gruja e axhës m’i nxirrke teshat prej koferi. Ajo qante pse une po shkoj n’Prishtinë, une qajsha pse ajo nuk po m’len me shku’ n’Prishtinë me vazhdu’ studimet. Edhe ma n’fund kur e pa që mo veç u lodha, “Hajt çika jeme, paloi teshat”, e msheli koferin, “Hajde po t’përcilli deri n’stacion”. Veç m’i qiti edhe kushtet, “Për çdo javë ki me ardhë me m’a pastru’ krejt shpinë, me m’i bo krejt punët, me m’i la teshat, krejt ato”. “Krejt,” thashë, “për çdo javë, unë kom m’i bo.” Edhe me t’vërtetë kom ardhë për çdo javë me ia rregullu’. Jo, se nuk muj, po e vjetër ka qenë (buzëqeshë).

Regjistrohna n’Fakultetin Juridik, ishte gjenerata e dytë e Fakultetit Juridik në kuadër të Universitetit t’Beogradit. Isha vetëm une shqiptare, ishte edhe nji tjetër e Mitrovicës nji Mykelefa Shabanoviç. Nanën e kishte myslimane e babën shqiptar, po nuk e dijke shqipen shumë, mirëpo e mante veten si shqiptare. Edhe ishin nja katër-pesë serbe malazeze, disa ishin ardhë prej Serbisë, disa prej ktuhit, edhe t’gjithë profesorët i kishim prej Universitetit t’Beogradit edhe t’Shkupit. Domethonë, msimi zhvillohej n’gjuhën serbo-kroate. Diku kem qenë 56-57 vetë mashkuj e femna krejt. N’gjeneratë me mu ka qenë edhe Adem Demaçi. Adem Demaçi e kishte kry Albanologjinë e mandej regjistrohet edhe me kry edhe Juridikun. Domethonë ishte viti ‘62-‘63 kur unë regjistrohna n’Fakultetin Juridik. E kryj vitin e parë, e kryj vitin e parë me sukses. Regjistrohna n’vitin e dytë, i ndëgjoj ligjëratat, jepi shumicën e provimeve. Msojsha se e kisha edhe atmosferën te daja shumë t’mirë. Domethonë, edhe atje me libra, me bibloteka, mandej i kisha bisedat me grunë e dajës, me dajën, të gjithë më motivojshin për me msu’ sa ma shumë.

Edhe du me tregu’ ktu nji detal për Adem Demaçin, ishte po domethonë viti ‘63, ‘63, ishte… organizohej Seminari i Gjuhës Shqipe në Prishtinë. Ishte hera e parë që organizohej seminari, dhe ishim në nji landën Fillet e së Drejtës, ishim me nji profesor prej Beogradit që na majke ligjëratat. Muj me thanë, edhe këtu muj me thanë se profesorët që kanë ardhë prej Beogradit kanë qenë shumë korrekt. Na kanë mbajtë ligjëratat shumë mirë, kanë majtë edhe ushtrime. Edhe në nji moment t’u… ligjëratat, ky Adem Demaçi e çon dorën edhe kërkon leje prej profesorit, thotë, “A bon me m’liru’ se mbahet ligjerata, Seminari i Gjuhës Shqipe në Prishtinë edhe unë jom gjuhëtar, kom dëshirë me shku’ marrë pjesë n’atë seminar.” Tha, profesori e pytë, iu drejtu’, “Albanski jezika?”, atëhere ishte Šiptarskijezik dhe ishte Albanski jezik (buzëqeshë), ishin dy gjuhë. Ky Adem Demaçi çohet edhe e mban ashtu, nji rafall si me thanë nji ligjeratë t’vogël (qeshë). Thotë, “Na jemi për ju, jemi t’gjithë albancipër t’hujtë, për ne na jem shqiptarë, për veti. Edhe gjuha nuk ka dallim Albanski jezik osht gjuha shqipe, osht’ e njejtë si n’Shipni, si kudo që flitet o’ gjuha shqipe.” Qaq shumë e mbajke me emocion e asi, saqë ai profesori i erdh keq që kërkoj falje, “M’fal, m’fal, t’lutem, unë s’kom ditë që ka asi. Kom mendu’ që ka dallim mes gjuhës shqipe dhe gjuhës… albanski jezik edhe šiptari jezik”, nejse edhe ai del prej atje. Ky osht’ moment për Adem Demaçin.

Edhe erdhi fundi i vitit t’dytë, viti ’64. Viti ’65 ishte për Kosovën vit mjaft i randë se ishte aksioni kur i qitën flamurat ma s’pari, edhe u burgosën shumë t’ri e t’reja. Edhe, mu m’kishte mbetë edhe nji provim me dhanë, me nji moment vikendi ishte edhe unë i thom grusë t’dajës, provimin e kisha edhe dy-tri ditë, i thom grusë t’dajës unë duhna me shku për Pejë. Ajo, “Mos shko për Pejë, e ki provimin, duhesh me dhonë”. “Diçka ka ngja,” unë nuk dijsha çka ka ngja, “une gjithqysh duhna me shku’ për Pejë”. Me tren vijmë n’Pejë. Kur vijmë n’Pejë këtu bash afër shtëpisë, n’këtë udhëkryqin për shkollën “8 marsi,” aty del nji vajzë edhe m’thërret “Luljeta, a je mirë, a je…?”Unë “Po, pse?”Thotë, “Kanë qitë fjalë se ty t’kanë burgosë edhe t’kanë pa me, t’lidhun me hekra n’durë, t’kanë çu n’burg”. “Jo,” thomë. “Pse çka ka ngja?”, thotë, “Mos vet çka ka ngja? M’a kanë marrë n’burg Selajdin Dacin”.Ishte motra e Selajdin Dacit. Kanë marrë n’burg shumë tjerë, Shefqet Deçanin e shumë njerëz këtu, t’cilët si duket ishin t’organizum.

Kur vij te shpija, shpija ish bastisë ish bo krejtësist, kishin çdo gja e kishin kthy, e kishin asi. Ftesa për bastisje kishte ardhë n’emën timin. Edhe aty përmendej edhe neni i cili ligjit penal atëhere të Serbisë. Kur vij e gjoj grunë e axhës të shtrime n’shtrat, gati pavetëdije, vllaun m’a kishin marrë në polici. Edhe une i afrohna grusë, edhe asaj i kishin thonë se Luljetën e kanë marrë n’burg. Ajo ishte tmerru’ krejtësisht, thotë, “Tash boll e kalumëatë kohë, atëherë tash prapë me na ngja t’njejtat…” Edhe une vij e i afrohna “Xhixhë, xhixhë!”, “Kush je ti?”Nuk po m’njef, “Luljeta!” “Jo, Luljetën e kanë marrë n’burg. M’kanë thonë që e kanë pa me durë t’lidhuna”. “Jo,” thashë “unë jom Luljeta”. “Kujtimin ma kanë marrë n’burg” une u tmerrova çka pashë. Po pres, mas pak po vjen Kujtimi. Ata e kishin lshu’ edhe i kishin thonë se gjithsesi duhet motrën me e thirrë me ardhë se a osht’ n’Prishtinë n’studime, m’e thirrë me ardhë ktu se Letërthirrija osht’ n’emën t’sajna. Arsyeja pse ishte bo kjo, nuk e di pse. Ndoshta pse e kishim atë dangën si familje, ndoshta edhe pse n’fakultet atje isha edhe kolege edhe me Adem Demaçin nuk di, nuk di pse. Edhe, vjen Kujtimi m’tregon, thotë, “Lule nesër n’ora tetë duhesh me shku’ n’Sekretariat”. Natyrisht se m’erdhi rondë, po s’kisha çka me bo, duhej t’nesërmen. Besa, jo n’ora tetë n’mëngjes po i kishin thonë dikur mbasdite, kur të dalin ata shërbysit prej atyhit.

T’nesërmen… bastisja ishte bo, ishin marrë disa libra që kanë mbetë. Edhe do revista që kanë mbetë prej librarisë. Na në mur, qysh e ka pasë vendosë baba nji fotografi të madhe të Skënderbeut, nuk e kem lëvizë kurrë prej murit atë fotografi, ajo ka qenë aty Skënderbeu. Edhe atë fotografi tha e kanë… kanë pytë, “Çka po ju duhet? Çka po ju duhet kjo fotografi ktu?”Demek Skënderbeun m’e mbajtë. Nejse, n’ora dy t’nesërmen vjen Kujtimi me mu edhe shkojmë n’Sekretariat. N’Sekretariat, Kujtimin nuk e lojnë me ardhë naltë, e ndalin poshtë. Edhe mu, natyrisht se derisa i kom hypë ato shkallave, zemra jeme e din e ka përjetu’ shumë rondë, mirëpo mandej e kom marrë veten edhe e kom hypë n’dhomën ku m’drejtun me shku’.

Aty ishte nji shqiptar, emnin nuk po muj me ia ditë s’po m’kujtohet, mbiemnin Haskaj, t’cilët kishin marrë pjesë këtu n’bastisje. Edhe mbi tavolinë e kishte qitë nji libër të Zogut, martesa e Zogut me ato fotografitë e Xheraldinës e ato motrat e Zogut e krejt. Disa revista aty edhe filloi pytja… Gjoja se une i kom furnizu’ shokët e klasës me libra, gjoja… e kem pasë “Lahutën e Malcis’” ju kom dhonë me lexu’… e qësi ia nisi gjëthfar asi. Une e mohojsha, thojsha, “S’osht’ e vërtetë. Hiç s’osht’ e vërtetë”. Kur e pa qi m’dha Zoti njifar force me u përmbajtë (buzëqeshë). Kur t’gjitha i mohova thashë, “Nuk osht’ e vëretetë”, atëherë filloi tha, “Kom dashtë me kapë atë fotografinë e Skënderbeut edhe m’e shkelë me komë edhe me e thy”. “Po,” thash “çka ka lidhje Skënderbeu me këtë periodë? Skënderbeu dihet kur ka jetu’, ai osht’ nji shëmbëlltyrë historike. Kjo nuk ka lidhje me kurgjo, ai osht’ shëmbëlltyrë historike. Po edhe që e kishit bo, s’kishit bo noj trimni t’madhe që kisht thy fotografinë e Skënderbeut, plus ajo fotografi qysh e ka vendosë baba im, qaty osht’ nuk e kem ngucë”. Edhe, nejse filloi prapë edhe me kërcënime. Aty e kishte edhe revolen afër te tavolina, tha, “Mirë, ti nuk po don me folë, me m’tregu’, me pranu’ ktu”. Thashë, ë “Unë, s’kom çka me pranu’, se s’jonë kto t’vërteta kurgjo. Jo natyrisht se dora e pushtetit osht’ e gjatë, mundet me bo çka t’don, mirëpo unë nuk kom çka me thonë tjetër”. “Mirë,” tha, “ti nuk don me thonë para meje, po jonë tjerë që s’ki qare pa i thonë”. Edhe une dal shkallave teposhte, vij te shpija, Kujtimi s’osht’. Kujtimin e kanë, policët e kanë shti mrenda atje, tash ai po frigohet për mu çka po bojnë me mu atje naltë. Unë tash po frigohna e kanë mbyllë Kujtimin masi m’lshunë, kanë qenë drama, drama shumë t’ronda.

Mbas nji kohe, Kujtimi i pytë ata e thotë, “More, motra çka ka ba?”. “Jo,” thojnë “motra ka dalë” edhe vjen Kujtimi mandej këtu te shpija (buzëqeshë), nejse gëzimi ishte i madh. Mbas asaj mo nuk m’kanë… mandej ma vonë fillunë domethonë ramja, filloi veç ajo era e ramjes së Rankoviçit, vitet e… Eh, gruja e axhës smutë n’shtrat. Kur na pa t’dyve natyrisht se ajo u bo…Prej asaj dite ajo nuk u çu mo prej shtratit, tetë mujë ka qenë e smutë, une i ndërpreva studimet se s’mujsha me e lanë. S’mujsha m’e lanë, s’kish kush me kqyrë. Ajo mas tetë mujve vdiq. Dhe, ka qenë për te nji goditje shumë e randë, goditje shumë e randë. Natyrisht edhe smundja, iu keqësu’ gjendja, situata, vdiq.

Unë mbeta ktu n’Pejë, vllau shkoi n’studime n’Sarajevë. Mandej, unë njoftohem me Ademin bashkëshortin tim. Dhe, mbas nji kohe Ademi ishte student n’Beograd, ishte kah fundi. Kur i kryn studimet, nji kohë jemi argëtu’ edhe mandej jemi martu’ n’vitin ’65, ’65. Martesa ime me Ademin ka qenë temë diskutimi nëpër konferencat e Partisë Komuniste, po, se ne ishim dy fmitë e baballarëve që ishin pushkatu’. Se edhe Ademit ia kanë pushkatu’ babën ktu në Tabje. Ktu kanë pushkatu’ shumë qytetarë t’Pejës, edhe t’njoftun. Sidoqoftë, (qeshë) dashnia osht’ ma e fuqishme se krejt, tonat, edhe ne martohemi n’vitin ’65.

Ademin e pranojnë n’punë në një koperativë bujqësore diçka, mbas dy muje i vijnë karakteristikat ku me ditë prej kah edhe e përjashtojnë prej pune dhe e çojnë ushtar. Unë mbes vetun prapë, vllaun e kisha n’studime. Mbes vetun, mirëpo vjen vjehrra jeme me jetu’ këtu n’shpi t’babës se shpija ishte vetun. Duhej dikush me ndejtë aty me mbikqyrë. Vjen vjehrra ime edhe domethonë nji vjet, mas nëntë muajve m’lindë djali se isha shtatzanë, m’lindë djali Mentori djali i parë. Edhe, në një mënyrë, domethonë plotësohet pak jeta, kujdesna rreth fëmiut, rreth punimit të kopshtit se s’kishim edhe burime për jetë, s’kishim shumë.

Vjehrra punojke në nji… ishte punësu’ sado kishte metë shumë e re, e vejë 22 vjeçare me dy djem jetima, o’ dashtë me i shkollu’ ata fmijë, o’ detyru’ me hi edhe n’punë, njifar kooperative diku ka punu’. Njanin djalë e kishte n’Prizren – Mehdi Bajri, studionte muzikën, shkollën e mesme t’muzikës. Ademi ishte n’Beograd, duhej me i çu pare edhe atij n’Beograd, atëhere domethonë. Kshtu qi, mbas nji vjete Ademi ka qenë n’Bostonë ushtar, mbas nji vjete kthehet, edhe e pranojnë në punë në Gjykatën në Gjyrakovc. Mbas Gjyrakovcit kthehet në punë në Gjyqin e Pejës, Gjyqin e Pejës.

Atëhere Ademi, prej Gjyqit t’Pejës, Gjyqit Komunal si praktikant në Gjyrakovc kalon në Gjyqin Komunal në Pejë. Natyrisht se atëhere fillojnë pak edhe demokratizimi era, deri atëhere gjykimet ishin mbajtë në gjuhën serbo-kroate. Tash kur vijnë gjyqtarët shqiptarë fillojnë proqeset gjyqësore m’u mbajtë n’gjuhën shqipe edhe veç fillon nji frymë tjetër nëpër gjyqe. Unë do t’ju tregoj vetëm nji detal. Kur ka fillu’ punën Ademi në gjyq, i vjen nji i fshatit një punë që ka pasë n’gjyq edhe ai përapara kur ka ardhë, deri sa ka ardhë n’gjyq, gjyqtarët kanë qenë serbë. Dhe e kanë detyru’ para zyres t’gjyqtarit ku ka qenë, me i hekë kpucët, me e hekë ato, me e heqë kapelën osht’ deshtë, kapuqin e bardhë edhe me i hekë kpucët edhe m’e hy aty. Edhe ata qysh ishin msu’ n’atë… Ademi tash, Ademi ishte aty gjyqatar edhe vjen i hekë kpucat i shkreti, edhe ashtu i përvujtun dhe i drejtohet… “Pse i ke hekë kpucat?”, thotë “Na kanë detyru’ me i hekë kpucat, nuk ke mujtë me hy kpuca aty”. Thotë, “Kthehu veshi kpucat!”.

Ka fillu’ nji frymë e re në gjyqe, aty jonë punësu’ mandej shumë përpos Ademit, ka qenë AbdylAziz Daci, Shefqet Deçani, kryetar i gjyqit ka qenë Mikel Marku – nji njeri i cili i ka përkrahë shumë, i cili i mandej tragjikisht ka pësu’, t’u e rrahë e kanë mbytë aty n’vitet ’90, ’98, ’97 ashtu. Tu e pa se situata në gjyqe po ndryshon, ka fillu’ nji liberalizim, ato seancat mbaheshin në gjuhën shqipe, krejt… Në nji moment ka qenë viti ’71 po m’duket, del letra e Titos. Letra e Titos, e cila i gjykon, domethonë i gjykon këto… proqese që kishin fillu’ nëpër gjyqe. Jo vetëm n’Kosovë, po krejt m’duket ka qenë nji fushatë n’krejt Jugosllavinë.

Mirëpo, ma s’shumit natyrisht që sulmohen gjyqet shqipe, edhe sipas kësaj letre përjashtohen nga gjyqi Ademi edhe Abdyl Aziz Daci. Përjashtohet edhe nji serb, gjoja me ballancu’ pak situatën se nuk po sulmohen vetëm shqiptarët po edhe ata serbët, edhe ata serbët ka qenë nji gjyqtar i dështum, i cili ka pi shumë raki… nejse çashtja e tyne, i përjashtojnë. Kjo osht’ goditja e dytë, përjashtimi i dytë prej punës. Edhe ne mbesim prapë, pa kurrëfar burimesh për jetë.

Jeta Profesionale

[Pjesë e prerë nga video-intervista: intervistuesja e pyet të intervistuarën për jetën profesionale.]

Luljeta Bajri: Në ndërkohë unë pranohna në shkollën fillore “8 Marsi” si sekretare e shkollës, njëkohësist vazhdoj edhe studimet me korrespodencë në Prishtinë, sepse dajës tim i kishte ardhë shumë randë ajo pse i kisha ndërpre studimet. Edhe vazhdimisht m’thojke, “Luljeta, ti duhesh me kry fakultetin”. Natyrisht e kom pasë përkrahjen shumë t’madhe edhe t’dajës edhe t’grusë t’dajës. Shkojsha me fmi t’vogël, ma kqyrshin ata fëminë (buzëqeshë). Unë msojsha natën edhe shkojsha i jepsha provimet. Tash e kisha pak ma vështirë se i kisha ndëgju krejt ligjeratat në gjuhën serbo-kroate edhe librat i kisha, literaturën serbo-kroate. Tash kish fillu’ veç ajo Universiteti i Prishtinës, kush ishin pranu’ shumë profesorë n’gjuhën shqipe. Edhe gjenerata ime, tre-katër prej gjeneratës sime kishin mbetë aty si profesorë Avni Gjakova, Hasim Loshi, Faik Brestovci, nuk di edhe disa tjerë. Kshtu që, tash e kisha shumë vështirë, duhej me msu’ edhe ma tepër, mos me dalë para… duhet me i dhonë provimet para kolegëve t’mi që kisha qenë n’fakultet. Nejse, e krymë edhe ato. E krymë për nji kohë relativisht asi… edhe punojsha, edhe…

Kom pasë fatin që jom pranu’ në nji shkollë, në nji kolektiv të mrekullushëm, shkollën “8 Marsi”. Edhe pranimi im aty ka qenë pak i vështirë. Po ju tregoj kto detaje se jonë, jonë me interes me ditë çfarë atmosfere ka qenë atëhere. Konkurroj aty, natyrisht konkurrojnë edhe disa tjerë, po i plotësoj kushtet, edhe prej Komitetit, ose Lidhjes Socialiste, vjen n’shkollë, “Nuk bon m’e pranu’ se ajo osht’ e papërshtatshme. Osht’ bija e Emrush Myftarit”. Unë aty e kisha si koleg edhe msusin tim, t’cilin e kom dashtë shumë edhe ka qenë shumë msus i mirë, Kamber Pajaziti. Kamber Pajaziti t’u m’njoftë mu si nxanëse, tu e njoftë edhe familjen time, kundërshton. Thotë, “Çka ka lidhje pse osht’ bija e Emrush Myftarit? Ajo osht’… e ka kry shkollën, une e njof si nxanëse qysh prej shkollës fillore, nuk bon mos me e pranu”. E natyrisht une pranohna. Mirëpo, tashti fillojnë kundër msusit pse kishte folë me m’përkrahë mu. Edhe, e denojnë kto organet e Lidhjes Komuniste ku kanë qenë ato mledhjet. Ai detyrohet m’e lshu’ punën aty n’shkollë edhe me shku’ n’Prishtinë. M’e lshu punën detyrohet, domethonë vet me e lshu’ punën, për mos me degradu’, mos me përjashtu’ e lshon punën e shkon n’Prishtinë. E krejt familjen e ka pasë ktu n’Pejë.

Unë, këtë fakt, e kom marrë shumë vonë vesh. Nuk i ka tregu’ kërkujna. Mandej, i kish tregu’ dikujt edhe m’ka tregu’. Nejse vazhdoj une punën aty, sekretare e shkollës, shkolla jonë muj me thonë se ka qenë ndër shkollat me renome, jo vetëm n’Pejë, po edhe ma gjerë. Ka qenë nji kuadër shumë i mirë, kem pasë kushtet për punë shumë t’mira. Shkolla ka pasë kabinetet e gjitha t’mundshme, e biologjisë, fizikës, kimisë. Kem pasë… kem projektu’ filma, kem pasë filma, për çdo javë ju kem dhonë filma. I kem marrë prej Qendrës Kinematografike n’Prishtinë nganji film, natyrisht me tematikë që i përshtatej nxanësve. Domethonë, ka frymu’ shumë shlirshëm edhe shumë bukur. Kem pasë biblotekë, kem pasë mandej seksione t’ndryshme t’aktiviteteve. Edhe nxanësit e shkollës kanë qenë t’dallum, gjithënji kanë fitu’ edhe nëpër kto konkurset që mbahen t’diturisë, kanë fitu’ vendet e para.

Vjen viti ’81, demonstratat t’cilat natyrisht i përjetojmë shumë randë. Ata që kanë qenë edhe dëshmitarë okularë, që kanë pa tmerret që kanë ngja gjatë atyne demonstratave, mirëpo o’ mundu gjithënji me i heshtë, mos me u marrë vesh. Gruja e dajës e cila ka qenë drejtoreshë e repartit e gjinekologjisë, e pregatitë spitalin për me i pranu’ t’plagosunit n’spital. Me gjithë vajzat e veta i veshë me mantilla t’bardhë edhe i bajnë sa munden t’plagosunit n’spital m’i strehu’. Prej atij momentit, ajo ka qenë, ka përjetu’ sulmet t’hatashme. Une kom qenë edhe dëshmitare e letrave kërcënuse që i kanë ardhë prej serbëve, prej malazezëve, prej… gjoja… E për këte, edhe për dajën tim ka qenë nji gja shumë e randë, se kanë punu’ me mish e shpirt për çashtjen e përgjithshme për popullin. Daja në një relacion krejt tjetër për kulturën, kjo tjetra për shëndetësi. Plus, ka qenë edhe profesoreshë në Fakultetin e Mjeksisë, atëherë fillojnë për familjen tortura, presione, edhe kjo e goditë shumë randë dajën tim. Mirëpo…

Aktivizmi

[Pjesë e prerë nga video-intervista: intervistuesja e pyet të intervistuarën për periudhën e aktivizmit.]

Luljeta Bajri: Fillon praprë një periudhë shumë e randë për popullin shqiptar. Ajo koha e cila kishte qenë prej vitit ’71, prej themelimit të Universitetit të Prishtinës deri n’vitin ’81, kishte qenë nji bum, një përparim shumë i madh i popullit shqiptar. Meqë ishin shkollu’ shumë të rinjë edhe kishin arritë sukses, edhe me t’vërtetë ka qenë shkollim cilësor, për kohën që ka jetu’ se kanë punu’ si profesorët me përkushtim, edhe studentat kanë msu’ me përkushtim, që fatkeqësisht, sot pak ka ndryshu’. Ajo jetë… ne kishim kalu’ familje, domethonë vllau im kish kriju’ familjen e vetë, ishte martu’ me nji kolege atje prej Sarajevës, studente. I kishin lindë dy fëmi Arbeni edhe Florina, dy fëmi të mbarë edhe shumë të mirë. Mu m’kishin lindë, i kisha tash tre djemë, kisha Mentorin, Ilrin edhe Gazmendin. Edhe kta ishin rritë së bashku edhe fëmitë e vllaut, edhe fëmitë e mi. E kanë çu nji fëmini shumë t’bukur edhe shumë t’lumtun, erdh viti ’81. Unë them se gati te andrrat, në nji mnyrë u… rranjosën. Domethonë, e dishim se po na vjen nji periudhë shumë e randë.

Mirëpo, atëherë filloi edhe Lëvizja, mbas demonstratave të ’81-shit, u burgosën shumë të rinjë, u dënun me burgime të gjata. U mbajtën shumë proçese gjyqësore. Nëpër shumicën e ktyne proqeseve ka qenë mbrojtës edhe bashkëshorti im Ademi. Masi e përjashtun prej gjyqit, ai regjistrohet, e jep provimin për… në fakt, provimin e kishte dhanë gjyqtari, edhe mund të merrte edhe licensën e avokatit. Edhe fillon me punu’ si avokat, dhe i mbron shumë të rijë që ishin dënu’ në këto proqese gjyqësore.

Natyrisht se fëmitë tanë e vazhdun shkollën. Erdh koha e studimeve, erdh viti ’91, edhe nji goditje e randë për popullin shqiptar – mbyllja e shkollave shqipe. Ne të cilët e kishim përjetu’ periodën e pas Luftës së Dytë Botnore, edhe sidomos për vllaun tim i cili punonte në gjimnazin e Pejës, edhe ishte nji profesor shumë i respektum i filozofisë, e përjetoi shumë randë largimin prej shkollave. Tash e kishte brengën për fmitë e vetë, se sidoqoftë ne, përkundër që ishim familje e anatemume, nuk… shkollimin nuk na e kanë pengu’. Ashtu qysh kem mujtë, e kem vazhdu’, për dallim prej Shipnisë, andej familja kur ka qenë asi… krejt familja osht’ skeju’ s’ka mujtë edhe me vazhdu’ shkollimin.

Atëhere, largohem prej shkollave, detyrohem që shpijat me i shndërru’ në shkolla. Me nji moment, të gjithë personeli arsimor mbetet pa rroga. Duhej m’e bo diçka, duhej m’e shpikë nji organizim ndryshe. Edhe vllaun tim e kishin caktu’ me nji komision për mbledhjen e ndihmave. Për me ndihmu’ ktyne, arsimtarëve që kishin mbetë pa rroga, se ata s’kishin burime tjera t’jetës. Unë kur e ndiva ate, natyrisht m’erdhi mirë, por e ndiva edhe njifar shqetësimi në zemër se e disha që ish shumë i ndishëm edhe ka me i kushtu’ me shëndet ajo. N’vitin ’91… ai ka qenë përndryshe, fizikisht ka qenë shumë i fuqishëm, ka qenë, ka qenë shumë i durushëm… mirëpo, si duket krejt atë durimin e ka palu’. N’vitin ’91 përjeton nji infrakt të randë edhe vdes në moment. Për mu ka qenë nji goditje shumë e randë, tash m’dukej ajo vdekja e prindërve gati kojshi n’krahasim me kto çka ngjau me vllaun. Mirëpo, duhej gjetë forcë, duhej gjetë forcë që t’kujdesesha edhe për grunë e vllaut, për fëmitë e vllaut, për fëmitë e mi. Ta merrsha pak ma me… si me thonë, me durim, me forcë këtë dhimbje të madhe. Dhe, nuk jom mundu’ mos me u dorëzu. Atë dhimbjen e madhe jom mundu’ me e shndërru’ në forcë për m’i përballu t’gjitha këto sulme, t’gjitha këto goditje që na i kishte përgatitë jeta. Fmitë e vllaut mbesin natyrisht n’moshën ma delikate. Vajza 13 vjeçare, djali 12 vjeçar. Fëmitë e mi ishin pak ma t’rritun, kshtu qi u gjetën n’mes veti njifar…

Në horizont shihej se diçka do t’përgatitej për Kosovën. Ishte rezistenca paqësore prej ‘91-shit, deri në vitin ’98-’99 kur veç u bo ma se e domosdoshme me u bo diçka, se nuk shkonte mo me atë rezistencë paqësore. Edhe pse, ajo e ka meritën e vetë të madhe për internacionalizimin e çështjes shqiptare në botë. Se qaq shumë ishte mundu’ Serbia, me propagandën e saj, me librat e saj, me paraqitë popullin shqiptar si një popull pa kulturë, si një popull që nuk meriton me pasë shtet. Një popull… si me thanë, nji popull të egër. Ishin dëshmitarë të një kohe që duhej të gjithë aq sa dijshim, dhe aq sa mujshim me bo diçka për çashtjen e përgjithshme. Kshtu që organizohem me gratë ktu t’Pejës, organizohem në Forumin Demokratik të Grusë. Natyrisht, me iu ndihmu’ femnave, me shiqu’ për çashtjen e arsimit. Ndihmat që duhej me i mledhë…

Lura Limani: N’cilin vit jeni organizu’?

Luljeta Bajri: N’vitin ’91, n’vitin ’91-92 qatëhere jemi formu’.

Lura Limani: Qysh doli idea, apo si jeni taku’?

Luljeta Bajri: Po natyrisht, e kemi formu’ kryesinë e punës, mandej kemi pasë degë në t’gjitha fshatrat. Kem shku’, kem mbajtë… nëpër fshatëra i kem vizitu’, ju kem dhonë këshilla grave, iu kem ndihmu qaq sa kem mujtë. Edhe, vjen përjashtimi i punës i gjithë shqiptarëve viti ’91-’92, prej shkollave, prej punës, domethonë krejt ai kuadër, sidomos femnat të cilat kishin kry fakultete, edhe formojnë komisionin për regjistrimin e largimit të femnave prej punës, prej shkollave, prej punës. Edhe i kom pasë edhe shënimet diku po… aty vrehet se numri ma i madh i t’përjashtumeve ka qenë i ato të cilat kanë pasë kuadër të lartë profesional. Mandej, vijnë kto me kuadër t’lartë, me kuadër t’ultë edhe ato tjerat në shkollë fillore edhe nuk i kanë asi…

Lura Limani: Prej “8 Marsit”, a ju kanë largu’ juve?

Luljeta Bajri: Jo, jo. E mund t’them se “8 Marsi” ka qenë si nji oazë e arsimit. Meqë kem qenë shkolla etnikisht t’pastër nuk kem pasë asnji paralele në gjuhën serbo-kroate. Edhe pse, kanë tentu’ disa herë m’i hapë paralelet, mirëpo ishte rrethi që nuk kishte nxanës, kem qenë etnikisht t’pastër edhe kem vazhdu’ mund t’them në mënyrë pak ma normale punën. Përkundër, shpesh, ardhjes së policisë, kërcënimeve, ato… mandej, në shkollën tonë jonë strehu’ edhe tri shkolla tjera – Shkolla e Artit, se i kanë largu’ krejtësisht; Shkolla e Mjeksisë, për katër-pesë vite kanë ndalë msimin, edhe Shkolla e Lartë Komerciale, n’këtë shkollën e vogël ktu te hamam xhamia që osht’, edhe kjo ka qenë n’kuadër të shkollës “8 Marsi”.

Kadale, kjo rezistencë zihet se nuk bon me shku’ deri n’fund edhe n’vitin ’98 osht’ sulmi në familjen e Jasharajve, në nji mënyrë, veç del në pah se lufta osht’ e domosdoshme. Pas vdekjes së vllaut, pas përfundimit të luftës e kisha nji, mund t’them edhe nji andërr, nji andërr që t’bojsha diçka, që t’delte n’pah diçka gjithë ajo veprimtari edhe ajo jetë e babës sim. Materialet, shkrimet e kishte pasë personalitetin dhe jo vetëm kto t’Kosovës edhe Jugosllavisë, mirëpo edhe me personalitetet t’Francës e Anglisë. I’a vuna vetit për detyrë m’e shkru’, me folë për nji monografi sado t’vogël, s’paku t’mbetet për gjeneratat, le t’dijnë, se kur vijnë edhe nipat e mi s’kanë me ditë për familjen e gjyshit t’vet ose stërgjyshit.

Në Tiranë e kisha djalin e axhës Esat Myftarin i cili n’vitin ‘63, kishin ikë për Shqipëri. Kishte ikë Esat Myftari, kishte ikë Naime Daci, kishte ikë Zyme Belegu, kishte ikë Namik Luci. Këta t’gjithë kanë qenë nji gjeneratë, nji gjeneratë. Natyrisht me ato idealet se Shqipni, po shkojmë në shtetin amë, se kanë me u pritë para dursh, mirëpo, situata ishte krejt e kundërt. Ata natyrisht se pranohen atje, por me një lloj dyshimi, gjoja se kanë ardhë për m’e, si me thonë, m’e shiqu’ situatën e… jo për ideal, jo për ideal. Dhe, mbas nji kohe, kur e shohin se çfarë osht’ situata atje, natyrisht se ata reagojnë. Edhe Esati, Esat Myftari burgoset dhe denohet për agjitacion edhe propagandë dhetë vjet. Edhe, dhetë vjet i mban në burgjet, në burgun e Shipnisë. Mandej n’bisedë me te, ma vonë thotë se në burg ka qenë, në burgjet shqiptare ka qenë koka e Shqipërisë. Ka qenë intelegjenca, njerëz t’shkollum që kanë qenë jashtë, kanë qenë krejt nëpër burgjet shqiptare. Edhe tha për mu ka qenë edhe nji përvojë shumë e madhe se kom komuniku’ me shumë njerëz.

Ma ka tregu’ nji detal, nji detal se n’burg osht’ taku’ me nji… ose kur ka shku’ me marrë nji libër n’biblotekë m’duket, nuk e gjon, ajo biblotekistja nuk e gjon librin edhe thotë, “Lema emrin, kur t’vjen libri unë t’paralajmroj, ti prit n’sallë”. Ai pret n’sallë, edhe natyrisht se ka pasë edhe lexusë tjerë aty, edhe thërret “Myftari?”, ky çohet. Kur nji plak e çoi kokën n’moment, tha, “Unë e morra librin, kur e morra librin erdh m’u afru afër. Tha ‘Myftari, prej nga je ti?” Tha, “Unë jam nga Peja. ‘Mos rassisht e ki njoftë Emrush Myftarin?’” Tha, “Po, une e kom pasë axhë”. Tha, “Une jom nji shok i Emrushit, me t’cilin kem qenë n’Francë bashkë. Kem botu’…”, ai gazetar kishte qenë, nuk po m’kujtohet tash emri. E mandej tha “E kem kriju nji shoqni shumë t’mirë, edhe shpesh buzë detit shkojshim e bisedojshim, m’tregojke për shumë ngjarje”. Ma vonë, te dytë kanë ra n’burg, “Kshtu që edhe n’burg shumë gjana i kem asi…”.

Mandej kur u bo demokratizimi pak atje n’Shipni, kto e lirojnë njo dy vjet përpara, e lirojnë prej burgut. Nji kohë punon si punëtor krahu, mandej zgjidhet në parlamentin e parë demokratik t’Shqipnisë (buzëqeshë). Zgjidhet si deputet parlamenti edhe e shkrun deklaratën e parë për Kosovën, memorandum për Kosovë. E mandej kontaktet i kem pasë edhe ma shpesh, shkojshin n’Shipni. Edhe unë… ai kishte pasë takime me shumë… me Petro Markon, Skender Luarasin, me shumë shokë që kishin ba muhabet. I lindi edhe atij idea për me bo diçka, me qenëse edhe Mehmet Shehu ka qenë n’Luftën e Spanjës, domethonë jonë njoftë prej Luftës t’Spanjës, jonë njoftë baba im edhe Mehmet Shehu, i drejtohet me nji letër Mehmet Shehut thotë “Me bo diçka për Emrushin”. Mehmet Shehu i thotë “Shkruj ti çka t’a merr mendja, ato kujtimet e tuja që i ke ndi prej familjes krejt” dhe i’a dërgon letrën. Mirëpo, heshtet. Mbetet me aq. Duket, aty ka qenë dora e Enver Hoxhës.

Tash filloj unë me hulumtu’, shkoj në Arkivin e Kosovës, aty e kom pasë edhe nji shoqe pejane ka qenë Sulltane Ukaj, ka punu’ aty, historiane. E gjoj përkrahjen e saj shumë, për m’e hulumtu’ dokumetnacione. Gjoj mjaft dokumentacione, mirëpo m’thojnë se ka ekzistu’ dosja e Emrushit, t’cilën e kanë pasë disa historianë n’dorë, mirëpo nuk ka qenë klima e përshtatshme për me shkru’ për ate. Se hala kanë qenë ato garniturat komuniste që kanë pasë kundërshtimet mes veti, edhe msojnë, m’tregojnë për Institutin e Albanalogjik, njeni… m’drejtojnë te ai se ai e ka pasë dosjen. Edhe une shkoj, Bislimi mbiemnin, nuk po m’kujtohet emri, m’pranon, e thërras me telefon, m’pranon, shkoj. Tha “Dosja e Emrushit ka qenë shumë e madhe. Ka pasë shumë dokumente, fatkeqësisht ne historianët që nuk kem ditë, na i kem marrë veç ato çka na kanë vyjtë neve. Për shembull, për ndoj shkrim ose diçka edhe n’vitin ’91 kur jonë tërhekë serbët, e kanë marrë edhe dosjen me veti. Nuk e kanë lonë ktu, e kanë marrë”.

Unë tentoj mandena me i kapë lidhjet me Beograd, me shqiptarë atje që ishin. Nji profesor, profesor Petrit… s’po m’kujtohet mbiemri, m’bjen n’mend ndoshta. Ai m’thotë, “T’kishte qenë ma heret, kom mujtë me hy n’Arkivin e… tash osht’ e pamundun se Arkivi Shtetënor ose Ushtarak osht’ nën mbikqyrjen e Rusisë. Aty s’mundet kërkush me hy”. Kshtu qi dështon edhe çashtja, por ato letra pak që kanë ngelë, pak bisedat me njerëz që e kanë njoftë. Me qaq pak materiale sa kem mujtë me siguru’, edhe Esati që ka bisedu’ atje n’Tiranë, botohet monografia në vitin 2011, edhe promovimi bahet në Pejë. Vijnë personalitete prej Shipnisë, ministri i Punëve t’Jashtme Alfred Serreqi, vjen nji historian Bici, vijnë edhe dy profesorë tjerë, vjen edhe nji bashkëluftar Halit Gjuka, i babës që ka qenë. Edhe ai i tregon mandej ato peripetitë qi kanë pasë gjatë luftës. Jom, domethonë osht’ për mu edhe për vllaun tem, osht’ realizu’ nji andërr që s’paku të mbetet nji libër për gjeneratat që vijnë për veprimtarinë e babës.

Edhe n’këtë moshën e tretë që jom, domethonë pas penzionimit, e kom gjetë dhe nji aktivitet të cilin e kom shumë për zemër. M’e bo diçka për fmitë e familjeve t’varfuna qi nuk kanë mbështetje as n’familje, qi ndoshta edhe n’shkolla lihen… Jemi nji organizatë, punojmë në nji organizatë humanitare t’cilën e ka themelu’ nji austriake, nji Maria Marta në Vitomiricë, aty jom qe katër vite, edhe e jepi atë kontributin tem modest. Ndoshta përvojën që e kom gjatë jetës, edhe do ta thom nji thanje shumë t’bukur të grusë së presidentit Roosevelt, Eleonore Roosevelt e cila thotë, “Kur kemi fillu’ të mos japim kontribut, kemi filluar ngadalë të vdesim”. Domethonë deri sa jemi n’gjendje me dhonë diçka, n’kontribut nuk duhet me kursy.

Ju falemnderit shumë për kohën që keni gjetë, për kte punë kaq të vyjshme që po e bani dhe që po i regjistroni historitë e njerëzve. Nuk osht’ kjo veç historia e familjes sime, ka edhe shumë familje tjera që e kanë pësu’ ndoshta t’njejten… mos t’thom tragjedi, po t’njejten… përvojë gjatë jetës. Prandej, keni çka të boni. Ju lumtë për punën që po e boni.

Lufta

[Pjesë e prerë nga video-intervista: intervistuesja e pyet të intervistuarën për kohën e luftës.]

Luljeta Bajri: Pas gjithë atyne përpjekjeve për rezistencën pa dhunë, edhe m’duket se kishte ardhë momenti se duhej ba diçka. Edhe pse kjo periudhë kishte sjellë deri te internacionalizimi i çështjes shqiptare në botë. Kishte fillu’ edhe bota me n’a njoftë, vjen deri te dalja në skenë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Goditja e parë osht’ në vitin 1998 me ekzekutimin e gjithë familjes të Adem Jasharit, mandej fillon edhe lufta kadalë-dale t’zhvillohet. Kyqen natyrisht edhe shumë t’rijë shqiptarë edhe vjen momenti kur lufta merr hov të madh edhe detyrohem, domethonë na përzojnë. Pejën sidomos e përzojnë prej, nji… ndoshta ishim edhe pak naivë, nuk na merrke mendja se do t’vij deri te ai shkatërrim edhe ai i madh. Kshtu qi, unë me bashkëshortin tim nuk dojshim me dalë prej shpisë, une e kisha përgatitë poshtë podrumin edhe kisha me hy n’podrum, gjoja se ata nuk munden edhe m’e hy n’podrum edhe me [e pakuptim. 1:42 – Lufta]. Por, nuk na merrke mendja që ka m’u zhvillu’ nji luftë aq e ashpër. Mirëpo, e pam n’momentin e fundit se nuk ishte ma ktu, na hynën policia mrenda. Krej gati përreth kishin ikë, edhe ne bashkohemi për m’u bo bashkë, me familjen ktu afër kojshisë i kishim … [e pakuptim. 2:05 – lufta]. Tubohem aty bashkë, n’mëngjes na hyjnë policia, ushtria-policia, disa me maska, disa pa maska, edhe na thojnë “Nesër n’mëngjes me ju gjetë ktu… ju [e pakuptim. 2:25] demek, sa ma parë me ikë”. Edhe na ikim, dalim me tri kerre.

Ma heret krejt familja ishim këtu, djalin e vogël e kisha n’Prishtinë Gazmendin, ai punonte n’Zyrën Amerikane atje, edhe nuk mujtëm me ardhë. Këtu i kisha kta dy djemtë tjerë, Mentorin edhe Ilirin me familjet e veta, edhe me fëmi t’vegjël. Ilirin e merr familja e bashkëshortes tij, shkon se s’kishim vend edhe për me kerr. Atëherë nisem na, bashkë me Mulaqët edhe nisem për me shku’ m’u nisë kah Rozhaja andej. Kur vijmë në punktin, osht’ para se me shku’ n’Rozhajë, …[e pakuptim.] nji vend aty ku ishte punkti i policisë. Nji polic e njef Ademin aty, boshnjak ni polic. Edhe e kishin qitë lajmin se Ademin e kanë vra.

N’atë kohë dy ditë përpara ishte vra Bajram Kelmendi me djemtë e vet, ajo ishte nji goditje shumë e randë. Edhe na pritshim, edhe te na ka me ngja diçka. I afrohet ai polici boshnjak edhe i thotë, “Adem, a je i gjallë a?”Tha, “Po, si po sheh, jom gjallë.” Tha, “Edhe ka pasë arsye shumë për me pëlcitë edhe zemra prej ktyne çka po shohin, por jom gjallë”. Thotë, “Une i kom edhe tri kerre pas meje, t’lutem nëse ka mundësi…” se ju merrshin edhe kerret, i qitshin prej kerreve, edhe ai m’duket ju boni atyne me shejë edhe na lshunë.

Shkum kah Mali i Zi, e kalum Rozhajën. Rrugës delshin malazezet, na gjujshin me gurë, njena me bukë. Ia thej shofershajbën [xhami i përparëm i veturës] ktij kojshisë. Nejse, shkum n’Ulqin. N’Ulqin ishte mbledhë gati prej Kosovës tona anët. N’Ulqin, atmosfera ishte shumë e randë. M’pengojke shumë se gratë menihere e gjejshin, u adaptunë menihere, thirrshin njona-tjetrën nëpër çajna, nëpër kafe me bo biseda kështu. Shumë m’pengojke, m’vijke shumë randë. M’u duke shumë e randë diçka me shku’ me pi kafe, me bo biseda.

E kishim… Iliri ishte njoftu’ me, n’vitin ’97 ose ’96 me Vanessa Redgrave edhe ajo kishte ardhë ktu n’Pejë. Do t’thotë Ilri kishte ardhë natyrisht me pa situata qysh osht’, me marrë infrmacione. Se ajo, ka qenë ambasadore e Vullnetit t’Mirë, a diçka ka qenë n’Kombet e Bashkume. Edhe takohet me Ilrin, edhe m’thotë Iliri, “Mamë a t’a thrrasim nji ditë n’mëngjes?” “Po more, thirre” thashë. E thërrasim këtu n’mëngjes, edhe ajo merr informata, e bisedojmë. Me na u gjindë Vanessa, me marrë vesh ku jemi na, me na i përgatitë krejt dokumentat, e me na marrë n’Itali. Me dalë n’Itali me na pritë tre deputetë e parlamentit italian – Vincenzo Siniscalchi, gruja e vet avokte nuk di si e ka pasë emrin. Dalin me na pritë në Bari.

Na shkojmë me anije Bari-Bari. Shkojmë n’Itali. N’Itali na vendosin me nji qendër për refugjatë, edhe na presin shumë mirë në lagjen Marechiara ajo pjesa ma e bukur e Napolit. Në Napoli shkojmë, në Napoli vijshin me na vizitu’ personalitete t’ndryshme…

Ademin e intervistojnë, vijnë shumë gazetarë e intervistojnë për me marrë informata për situatën t’cilën… Bile e kom diku edhe artikullin që osht’ shkru’ atje në një gazetë italiane. Iliri gjithmonë e ka deshtë muzikën, domethonë tre djemtë tonë edhe pse une e bashkëshorti kemi qenë jurista, ata nuk i kem shti, i kem lonë t’lirë m’e zgjedhë çfarë profesioni dojnë ata, kështu qi tanë kanë shku’ kah kultura. Iliri me muzikë, Mentori me muzikë, Gazmendi si kamerman, e qashtu.

Edhe Iliri, Vanessa kishte ndigju ktu Ilirin t’u ekzekutu’ n’piano edhe i kishte pëlqy shumë, i ka pëlqy shumë. Edhe duket i ka përcjellë edhe atyne që osht’ pianist. S’ka kalu’ as nji javë po m’duket, i’a kanë pru pianon n’atë qendër Ilirit me ekzekutu’ n’piano, me ushtru’ domethonë. Edhe e thërrasin Mia Pia Fanfani, gruja e atij presidentit italian Fanfani[1] e cila ishte në atë shoqatën Acrobaleno italiane, nji shoqatë për ndihma humanitare që i kish ndihmu’ edhe Kosovës. Merr vesh, i’a organizojnë Ilirit nji koncert humanitar në nji kishë shumë t’vjetër në Napoli, Santa Chiara nji kishë shumë e bukur. Me ekzukutu’ edhe m’e mbledhë donacionet për me iu ndihmu’ ktyne shqiptarëve që ishin, gjindeshin n’kampin e Maqedonisë Stankovec, ose ky kampi tjetër që ka qenë. U ba nji koncert i mrekullushëm, m’dhimet shumë që nuk osht inçizu’, po i kom disa fotografia prej koncertit. 45 minuta ekzekuton me piano, aty ka qenë ajka e Napolit. Edhe jepen donacione, mledhen ato donacione për atje. Mandej i mban edhe nja dy koncerte, nja dy koncerte aty në Napoli, natyrisht humanitare.

Vjen koha për me u kthy, tre mujë e gjysë kem ndejtë në Napoli. Kah fundi ia nisëm me u mërzitë, Mentori me famlije s’na mirrke mendja që ka me u kry shumë shpejtë, bombardimet vazhdojshin hala. Mentori e merr familjen edhe niset për Gjermani. Aty mbesim na me Ilirin edhe vjehrra ime, Ademi, mbesim në Napoli. Por, kthehem, edhe na kthehem. Kur vijmë, shpija shkrum e bame. Krejt kto shpijat përreth kanë qenë t’kalluna plotësisht, duhej fillu’ krejt nga e para. Nuk më dhimej qaq shpija, isha e lumtur që s’pari kishim shpëtu’, kishin shpëtu fmitë dhe kishim shpëtu’ si familje. Nuk m’kishte pësu’ as fmitë e vllaut se ata ishin jashtë edhe gruja e vllaut ishte n’Sarajevë. Shpija e vllaut atje ishte rrafsh me tokë. Nuk m’u ka dhimtë qaq shpija, sa m’u ka dhimtë që na u kanë djegë t’gjitha kujtimet. Fatmirësisht, Mentori i kishte mbledhë disa albume, i kishte shti me nji thes të najllonit. Ishte shku’ në podrum, nën qymyr i kishte mshefë. Edhe ato kishin shpëtu’, mirëpo na ishte kallë nji biblotekë me pesë-gjashtë mijë libra. Libra shumë t’vjetra që kishin mbetë edhe prej bilbotekës t’babës. Natyrisht edhe te vllau ishte kallë. Në biblotekën e babës, kem pasë edhe librin e Pjetër Budit, i cili i botum n’vitin 1663 – ndër librat e para t’shkrume në gjuhën shqipe. Edhe ai libër ishte kallë.

Mirëpo, edhe diçka nji detal du me iu tregu’, jam e lumtun që prej t’gjithë atyne librave që kishin ngelë, mbasi e kishin marrë biblotekën, përkthimet në gjuhën shqipe prej Fan Nolit, prej ktij Faik Konicës, prej tjerëve, daja im Hasan Mekuli ishte ardhë i kishte mbledhë dhe mandej ato jonë ribotu’. Ajo e mira që jonë ribotu’, domethonë nuk kanë shku’ poshtë ato libra.


[1] Fanfani ishte kryeministër i Italisë dhe president i Asamblesë Gjenerale të Kombeve të Bashkuara.

Download PDF