Don Matej Palliq

Janjevë | Date: 23 dhe 28 gusht, 2019 | Duration: 126 minuta

Janjeva atëherë në fëmijërinë time si më kujtohet mua ka qenë me të vërtetë në një lulëzim të madh apo në rilindje. Kështu që ne kemi pasur çdo gjë në Janjevë. Ka qenë një qytezë e vogël, e cila i ka pasur të gjitha që i nevojiten njerëzve, qytetarëve për jetë. Do të thotë të gjitha llojet e dyqaneve, të gjitha llojet e shitoreve. Jo vetëm ne që kemi punuar por ka pasur edhe në qendër në të ashtuquajturën Çarshia, ku është zhvilluar ajo jeta tregtare.

Do të thotë prej mëngjesit, mëngjesit të hershëm kur nga kisha dëgjoheshin këmbanat përshëndetëse, njerëzit zgjoheshin dhe përgaditeshin për punën e tyre, ata të cilët shkonin nëpër dyqane, të cilët shkonin për tregti apo për prodhim, dikush bujqësi. Kryesorja gjithë ditën punohej. Në mbrëmje këmbana prapë kumbonte dhe kjo ishte shenja që duhet të ndalohej puna sepse fillon shërbesa në kishë dhe atëherë e ndalonin punën. Dhe pas kësaj meshkujt, burrat, të zotët e shtëpive dilnin në Çarshi, në qendër dhe aty dakordoheshin për punët, bizneset, tregtinë, shitjen, shkëmbimin e artikujve.


Erëmirë Krasniqi (Intervistuesja), Anita Susuri (Intervistuesja), Besarta Breznica (Kamera)

Don Matej Palliq u lind në vitin 1964, në Janjevë. Përfundoi Fakultetin e Teologjisë në Rijekë të Kroacisë në vitin 1990. Më 15 gusht 1990, ai u shugurua si prift në kishën e Shën Kollit në Janjevë. Në vitin 1997 ka qenë i rilokuar për të shërbyer në Letnicë. Pas njëmbëdhjetë muajve kthehet në Janjevë dhe në vitin 1998 shpallet famullitar i kishës së Shën Kollit. Ai sot vazhdon të shërbejë aty si famullitar.

Don Matej Palliq

Pjesa e Parë

Anita Susuri: A mund të prezantoheni, të na tregoni diçka për familjen tuaj, paraardhësit tuaj?

Don Matej Palliq: Me shumë kënaqësi. Unë jam Matej Palliq, i lindur në Janjevë më 11 korrik, në vitin ‘64 prej babait Gashpar, nënës Magdallena, e lindur Macukiq. Njëmbëdhjetë fëmijë kemi qenë në familje, do të thotë familje shumë antarëshe. I shtati jam me rend, shatë motra dhe katër vëllezër. Ja tani shpejtë më ka vdekur njëra motër në fillim të majit, kështu që tani jemi dhjetë të gjallë. E në familje jemi 122, të gjithë janë të martuar, të martuar, jetojnë në Zagreb. Shumica prej familjes, të gjithë janë pikërisht në Zagreb. Prindërit më kanë vdekur në Zagreb 2001-tën dhe 2007-tën babai 2001-tën e nëna 2007-tën. Kështu që, ende jemi të lidhur.

Unë jam i vetmi që kam mbetur këtu në vatrën time nëse mund të thuhet, por jo për tjetër por për shkak të shërbimit që e kam këtu, që e mbaj, e kjo është që deri në vitin ‘90 pasi e kam përfunduar shkollën fillore në Janjevë ‘79-tën e kam vazhduar gjimnazin klasik katër vite në Suboticë dhe pas kësaj, ‘83-tën deri ‘90-tën e kam përfunduar fakultetin dhe Armatën Popullore Jugosllave të atëhershme, ushtrinë në Rijekë. Në vitin ‘90, ja tani do të bëhen 29 vjet që kur u shugurova si prift në të njëjtën kishë, në të njëjtin vend, më 15 gusht tani do të bëhen 29 vite me pjesëmarrjen e familjes time shumë antarëshe, kushërinjve të cilët kanë ardhur atëherë nga Kroacia dhe ka qenë pak e çuditshme, interesante pasi që e kam familjen në Kroaci, përse unë po kthehem në Kosovë.

Domethënë, unë pasi që i kam këtu rrënjët do të thotë gjyshërit, stërgjyshërit, ne jemi familja Karamatiq, Palliq, dikur në kohën e turqve ka qenë i njohur një i familjes time i quajtur Mato. Pastaj turqit pasi që ka qenë i fuqishëm dhe i dalluar në atë vend, atëherë e kanë quatur Mato i Zi, Kara1 Mato, i zi ka qenë. Kështu që, unë e mbaj emrin e tij prej familjes, dhe jemi në familje, nga ana e babait shumë Mata që e mbajmë emrin e atij Kara Mates. Por mbiemrin e mëhershëm e kemi pasur Palliq kështu që ne prej familjes time të madhe menjëherë, ajo është një siç thuhet shqip fis apo rreth, gjini, menjëherë poshtë gardhit të kishës.

Këtu, aty janë Karamatiqët, shumica prej neve jemi kthyer prapë me mbiemrin Palliq kështu që hallat e mia disa janë Karamatiq, babai ka qenë Palliq kështu që… Dhe pastaj është pak interesante tek ne derisa nuk shpjegohet historia e mbiemrit tonë dhe e fisit tonë, “Si ashtu jeni vëllezër, kushërinj e njëri Karamatiq tjetri Palliq?” Por aty një, pikërisht ka qenë si një oazë ku kanë jetuar vetëm ata Karamatiqët. Kështu që, jam krenar për atë fisin dhe prejardhjen time. Unë kam bërë diçka, jemi shumë dhe ja po them, është një ndikim pasi që ne kemi qenë ndër kishë, kemi qenë shumë prej gjyshit dhe gjyshes, më vonë edhe prej mamasë dhe babait të drejtuar kah ajo feja katolike të cilës i takojmë, ku jemi të pagëzuar dhe kemi qenë kryesisht të gjithë njëmbëdhjetë pjesëmarrës, në ato festat në kishë.

Pastaj normalisht, prej njëmbëdhjetë fëmijëve, ja njëri del i dhënë pas kishës, ai kam qenë unë. Jo, asnjë trysni por ajo ka qenë dëshira që unë ta përzgjedh këtë thirrje, të bëhem prift. Përndryshe, ky vend është i njohur për këtë, për atë spirtualitetin sepse në këtë vend dikur, edhe pse ka qenë i zhvilluar, do të thotë, thonë që Novobërda dhe Janjeva kanë qenë vende të minierave në atë kohë. Do të thotë, prej 1303 përmendet Janjeva për herë të parë si koloni e minierave, që njerëzit kanë jetuar këtu me shumë luks dhe pasuri. Do të thotë, kanë pasur ari, kështu që prej atëherë e deri para 20 viteve është kultivuar zanati i shkrirjes së metaleve, ndarjen e xeheve. Ata madje kishin edhe punëtori në shtëpitë private ku e bënin ndarjen e xeheve. Pra, ata ishin zejtarë të aftë.

Kështu që, këtu përpunohej bronzi, alumini, bakri, të gjitha llojet e mjeteve shtëpiake. Janë shitur ato nëpër të gjitha anët e botës, madje ka edhe në Moskë në muze është unaza që është prodhuar këtu. Në muzeun e Moskës, kemi edhe në Bullgari, në Sofje gjithashtu disa pjesë që janë prodhuar këtu. Kështu që njerëzit kanë qenë mjeshtër të aftë, punëtor, të zellshëm dhe prej asaj miniere është krijuar kjo Janjeva ku jemi. Kështu që kjo mua gjithnjë më ka tërhequr, edhe historia e Janjevës edhe dëshira, dashuria për këtë vend dhe në vitin ‘90 unë kam ardhur këtu. Dhe deri ‘97-tën kam qenë me shërbim këtu, më vonë kam qenë i rilokuar në Letnicë, njëmbëdhjetë muaj dhe në vitin ‘98 prapë jam kthyer me shërbim këtu.

Kështu që, edhe sot e kësaj dite, unë e kryej këtë shërbim të përkujdesjes shpirtërore për besimtarët katolikë, të cilët i përkasin kësaj zone të komunës së Lipjanit, dhe njëkohësisht, vitet e fundit, kur pati luftë në Kroaci dhe në Bosnjë, më vonë me bombardimin e Kosovës, luftën në Kosovë, të gjitha këto i kam përjetuar këtu. Kështu që, shërbimi im nuk është vetëm për përkujdesjen shpirtërore, por tani pasi që dihet se është ulur numri i kroatëve në Janjevë, do të thotë në vitin ‘91 kanë qenë 4.551 kroatë, kur kam qenë unë këtu në shërbim. Ja tani fatkeqësisht i kemi vetëm 188 kroatë. Lufta në Kroaci i përshpejtoi kështu që shumë njerëz për shkak të pasigurisë, prej ngushtimit të asaj hapësirës për tregti dhe djelmoshat kanë qenë të ftuar në Armatën Jugosllave edhe ata kanë filluar të ikin të mos luftojnë kundër vëllezërve në tokën tonë, në atdheun tonë Kroacinë.

Kështu që, shumica kanë filluar të ikin dhe pastaj kur hyn te njerëzit ajo pasiguria, sepse konfigurimi i vendit është i tillë që njerëzit kanë filluar të frikësohen, po na shkojnë djemtë, çfarë do të ndodh me ne… Po e ndërroj temën, në rrugën ku jam rritur unë si fëmijë, kemi qenë prej dhjetë shtëpive 111 fëmijë. Kështu që kanë qenë 1200 fëmijë vetëm në shkollë, dhe në kishë do të thotë tetë klasë, 1200 fëmijë. Mund ta paramendoni sa ka qenë i fuqishëm nataliteti por ai nataliteti në atë kuptim ka qenë i pranuar në jetën familjare, dhuratë e Zotit. Do të thotë feja dhe ne të gjithë kemi qenë zejtarë të vegjël, do të thotë në shtëpi kemi pasur, në shtëpinë tonë kemi pasur vreshta, tokën dhe ato i kultivonim. Por kemi pasur edhe zeje, kemi prodhuar disa ornamente prej plastikës, lodra. Kështu që nga kjo kemi mundur të jetojmë.

750 mini fabrika private kanë qenë në Janjevë. Me përpunimin e metalit, plastikës, lëkurës, aktivitete të ndryshme dhe ka pasur njerëz që janë marrë me blegtori dhe bujqësi. Kështu që Janjeva lulëzonte. Viteve të ‘80-ta, në vitet ‘70-’80 kur vjen rilindja më e madhe dhe lulëzimi i Janjevës, ndërtimi, modernizimi, ‘91-tën e përjetojmë atë luftën në Kroaci dhe pastaj vjen shpërngulja. Kështu që prej…

Erëmirë Krasniqi: A mund të ndalemi pak te, te fëmijëria juaj? Si ka qenë jeta? Kujtimet e juaja të para dhe këto.

Don Matej Palliq: Në familje, është një, po… kujtimet e mia, unë mbaj mend prej diku katër-pesë vjet, e kam një motër asaj i kujtohet çdo gjë. Ajo tani jeton në Zagreb, Ankica e cila e di gjithë fëmijërinë tonë dhe unë kam thënë që ajo pak të shkruaj, por ja unë thash që kam qenë i shtati dhe e kam pasur vëllaun më të madh, vëllau më i madh Branko, pastaj shkojnë katër motra pastaj vetëm dy djem, do të thotë vëllau dhe unë, pastaj prapë vjen motra, vëllau dhe edhe dy motra. Kështu që, kemi qenë kështu të përzier por mund të them, ka qenë një ritual dhe tempo dhe rregulla interesante për sjelljen në shtëpi. Ne kemi ditur shumë për kohën moderne atëherë por të gjithë kemi qenë të detyruar të kontribojmë me punën tonë sado që kemi vjet, me punën tonë të përparoj zhvillimi i familjes.

Do të thotë, sido që fillojmë, rritemi, mua për shembull motra ime më e madhe, siç lindte nëna çdo dy vite, atëherë mua motra ime më e madhe nëntë vjeçare më mori përsipër. I ka pasur nëntë vjet, ajo e ka marrë, e ka marrë përsipër obligimin e nënës që ajo mua të më rritë, që unë me të të fle, të më ushqej, të punoj. Kështu që, ato motra të cilat për fat kanë qenë më të mëdha se ne, ato praktikisht janë kujdesur për ne, edhe me ushqim edhe larje dhe të gjitha. Nëna ka pasur obligime të tjera e ato kanë qenë për shembull gatimi, qepja, thurja, ka qenë një [rend] shtëpiak. Babai ka qenë berber dhe një kohë kamarier. Edhe ai me punën e vet ka kontribuar, por kemi jetuar mund të them në mënyrë modeste por gjithmonë të kënaqur me atë që e kemi.

Do të thotë, ne është dashur të punojmë të gjithë, secili që rritet, mua nuk më kujtohet që ndonjëherë kam qenë i papunë. Por si kemi punuar me ato të plastikës pastaj gjithmonë kemi pasur diçka, montonim. Kemi pasur fëmijëri të gëzuar, të lumtur. Me atë punën në mbrëmje, kur të gjithë e përfundonin atë punën, atëherë ishim të kënaqur sepse diçka kemi bërë. Rituali ka qenë i tillë në të gjitha familjet janjevase siç jemi konfigurativisht të kthyer nga njëri-tjetri, atëherë le të themi të shtuneve është larë, të hënën rrobat, është ditur çfarë hahet cilën ditë. E premtja ka qenë ditë e agjërimit dhe aty është ditur çfarë hahet, kështu që disi të gjithë kemi qenë shumë të gjallë, shumë aktiv.

Nganjëherë edhe jemi përleshur normalisht, por kur kemi fjetur në një shtrat nga tre, sepse shtëpia ka qenë përplot, pesëmbëdhjetë njerëz. Por gjithmonë ka qenë me një kuptim për jetën. Do të thotë, kurrë neve nuk na ka rënë ndër mend që do të largohemi diku prej shtëpisë apo të bëjmë diçka të tillë. Gjithmonë kemi qenë të mësuar prej gjyshes dhe nënës të jemi të durueshëm, të jemi punëtorë, të sinqertë dhe krenarë me atë që kishim. Kështu që, unë jam i lumtur që kam pasur një fëmijëri të tillë dhe që e kam pasur atë familje.

Erëmirë Krasniqi: A ka pasur familja juaj ndonjë punëtori?

Don Matej Palliq: E kemi pasur punëtorinë, kemi pasur makina të vogla për prodhimin e plastikës. Për shembull, ne kemi prodhuar kalimero, kemi prodhuar cigarishte, kemi prodhuar disa dekorime, varëse çelsash. E atëherë kemi ditur kur ajo nuk ka qenë e mjaftueshme, kemi qenë shumë dhe kemi mundur të punojmë. Atëherë bënim punë për njerëzit e tjerë që prodhonin. Për shembull, lule, rraketake, motorra, kerre, traktora të plastikës, kukulla. Ne i merrnim këto tek ne me shumicë pastaj i montonim. Kështu që, i ndihmonim edhe të tjerët dhe ne fitonim për të jetuar më mirë. Kështu që, mua më kujtohet kur më është dashur të shkoj në shkollën e mesme në Suboticë, ajo ka qenë dalja ime e parë për diku më larg. Sepse askund përveç në Prishtinë dhe Letnicë nuk kam dalur sepse ashtu ka qenë koha. Atëherë është dashur të shkosh me tren, hera e parë në jetë që kam parë tren, duhet të shkoj në qytet, si do ja bëj? Shqetësoheshin prindërit, ku do të shkoj fëmiu tani në Suboticë, Subotica ka qenë për mua…

Erëmirë Krasniqi: E sa vjet i keni pasur, 16?

Don Matej Palliq: 15, as 15 të plota. As 15 të plota kështu që kjo ka qenë… i pari që është larguar nga shtëpia kam qenë unë. Pastaj më vonë ka qenë vëllau më i madh është shpërngulur në Zagreb, pastaj motrat dhe kështu me radhë.

Erëmirë Krasniqi: A keni pasur treg për ato lodrat që i keni bërë?

Don Matej Palliq: Të gjitha ato i kemi prodhuar ne, pastaj aty ka pasur disa dyqane të mëdha, aty kanë qenë depot, ku i shisnin me shumicë ato mallra. Ne u jepnim atyre, pastaj njerëzit shkonin, shumica prej neve ka tregtuar me Shkupin. Do të thotë, të martën dhe të premten ka qenë Shkupi, të shtunën ka qenë më duket Gjakova apo të hënën. Pastaj të shtunën ka qenë Ferizaji. Do të thotë, i gjithë ai mall është plasuar nëpër tregjet kosovare. Të enjten Vitia dhe kështu, nuk më kujtohet saktë si ka qenë orari. Por kanë shkuar çdo mëngjes, njerëzit zgjoheshin herët, ata që kanë vozitur kanë pasur kombi. Ata çdo ditë kur duhej të shkonin në ato tregjet, në pazar në ora 3:00 të mëngjesit paketoheshin dhe niseshin për shitje.

Gjatë verës, do të thotë diku prej 10, 11 majit deri në fund të muajit të nëntë [shtator] shkonin për të punuar në deti gjatë sezonës. Do të thotë, prej që kalohet Mali i Zi, Kroacia pra ajo nevoja, e atij prodhimit që është bërë në Janjevë, do të thotë ato produkte është dashur të shiten diku në mënyrë që familja të mbijetoj, që të mbahen në jetë, shumë antarë. Do të thotë, familje të mëdha, kanë qenë që ato të shiteshin në tregje dhe nëpër qytete të ish Jugosllavisë së atëhershme dhe më gjerë. Ata kanë qenë njerëzit të ashtuquajtur peçorbar2, apo tregtar të cilët diku në fillim të muajit të pestë apo në gjysmë deri në fund të muajit të dhjetë kanë qenë larg familjes. Do të thotë vet kanë jetuar, familjet kanë qenë këtu.

Ata më vonë atë mallin e kanë shitur edhe diku në rrethinë, në fund të [muajit] të dhjetë apo në fillim të njëmbëdhjetit ju ktheheshin familjeve, ktheheshin në Janjevë. Kryesisht ata që e kanë shitur gjithë atë mallin dhe nga të ardhurat e atyre, prej shitjeve jetohej praktikisht gjithë dimrin dhe përgaditej materiali, do të thotë prodhimet gjatë dimrit prapë për sezonën e ardshme. Shumë njerëz shkurt vinin në shtëpi, shumica që kanë qenë të stacionuar nëpër ato tregje ku i kanë pasur shtandet dhe dyqanet. Ata qëndronin gjatë gjithë vitit por disa herë në vit vinin në shtëpi nga një javë, dy javë.

Do të thotë, kanë qenë kryesisht festat kishtare gjatë të cilave ata nuk punonin dhe qëndronin me familjet e veta. Ato janë për shembull Dita e Shpirtit apo Dita e të Vdekurve, të gjithë shënjtorët 1 dhe 2 nëntor pastaj janë festat e Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri, Pashkët dhe më 9 maj Shën Kolli. Do të thotë, katër-pesë herë në vit do të ishin shkurtimisht por do të ishin me familjen e tyre. Kështu që, më kujtohet edhe babai im i cili ka punuar në Zrenjanin, do të thotë atë pjesën e Banatit dhe të Backës e ka mbajtur. Pastaj ka ditur prej Ratkos që është rritur më i madhi, ai ka shkuar t’i ndihmoj, pastaj motra tjetër e cila është rritur, tashmë ka qenë pas shkollës fillore edhe ajo shkonte ta ndihmonte babain.

Kështu që, ata i mbajtën ato panaire, panaire me shtande dhe e shisnin prodhimin. Babai vinte rrallë në shtëpi, ne e shihnim rrallë por e prisnim me dëshirë sepse e dinim që babai do të na sjellte para por edhe gjithnjë diçka për secilin, prej garderobës apo suvenireve që i sillte për shtëpi. Derisa më vonë kur filloi të punoj si berber në Janjevë, ka qenë gjithmonë në shtëpi. Por ai ritmi neve nuk na pengonte, as familjes, sepse ne e dinim që babai vjen dhe duhet të shkoj. Pse? Për shkak të ekzistencës tonë. Kështu që, shumë meshkuj kanë jetuar me vite të larguar prej familjeve të veta por dihej që ata po fitonin para, ata po fitonin para që të mund të mbijetonim dhe familja të jetonte.

Janjeva atëherë në fëmijërinë time siç e mbaj mend, ka qenë me të vërtetë në një lulëzim të madh apo rilindje. Kështu që, ne i kemi pasur të gjitha në Janjevë. Kështu që ne kemi pasur çdo gjë në Janjevë. Ka qenë një qytezë e vogël, e cila i ka pasur të gjitha që i nevojiten njerëzve, qytetarëve për jetë. Do të thotë, të gjitha llojet e dyqaneve, të gjitha llojet e shitoreve. Jo vetëm ne që kemi punuar por ka pasur edhe në qendër në të ashtuquajturën Çarshi, ku është zhvilluar ajo jeta tregtare. Do të thotë prej mëngjesit, mëngjesit të hershëm kur nga kisha dëgjoheshin këmbanat përshëndetëse, njerëzit zgjoheshin dhe përgaditeshin për punën e tyre, ata të cilët shkonin nëpër dyqane, të cilët shkonin për tregti apo për prodhim, dikush bujqësi. Kryesorja, gjithë ditën punohej. Në mbrëmje këmbana prapë kumbonte dhe kjo ishte shenja që duhet të ndalohej puna sepse fillon shërbesa në kishë dhe atëherë e ndalonin punën. Dhe pas kësaj meshkujt, burrat, të zotët e shtëpive dilnin në Çarshi, në qendër dhe aty dakordoheshin për punët, bizneset, tregtinë, shitjen, shkëmbimin e artikujve dhe kështu. Kështu që kjo ka zgjatur…

Erëmirë Krasniqi: A ka pasur njerëz nga jashtë që kanë ardhur në Janjevë?

Don Matej Palliq: Po ja ne, strategjikisht jemi vend me një konfiguracion të tillë në Janjevë, kushdo që ka ardhur prej të huajve, ka qenë gjithsesi, kryesisht janjevasit janë njohur mes vete. Çfarëdo kombësie që kanë qenë, ne të gjithë jemi njohur dhe kushdo që ka ardhur në Janjevë nga jashtë, është dashur të vij në çarshi, është vërejtur, [telefoni cingëron] pasi e vërejnë, ai është dashur të kthehet. Kështu që, kishte të ardhur, njerëzit punonin, vinin këtu për tregti, për produktet që janjevasit i kishin. Kështu që edhe më tutje shitej shumë, nuk kanë shkuar vetëm tonët por të shumtë vinin këtu për t’i blerë ato prodhimet.

Sidomos ka qenë i njohur djathi janjevas, i cili bëhej këtu vëçanërisht prej bagëtive shtëpiake, do të thotë deles dhe dhisë. Edhe prodhimi i suxhukut janjevas, kështu që sot të shumtë vuajnë për atë (qesh) njerëzit të cilët i takoj jashtë Janjevës, “Oh, a ka ende suxhuk të Janjevës?” Do të thotë, Janjeva ka qenë një vend i njohur në atë zhvillimin e madh. Ne atëherë në fëmijërinë tonë e kemi pasur madje, komuna ka qenë në Janjevë, e kemi pasur policinë tonë, e kemi pasur bibliotekën tonë të qytetit, e kemi pasur Shtëpinë e Kulturës ku performonin shumë yje të mëdha të atëhershme, personalitete si Misho Kovaç…

Erëmirë Krasniqi: A ju kujtohet juve kjo, a keni qenë këtu?

Don Matej Palliq: Po, po, po, unë kam qenë aty, mua më kujtohet. Unë kam qenë në koncertin e Doris Dragoviq, Misho Kovaç, Llepa Lukiq dhe kështu. Ka pasur shumë yje të mëdha që kanë ardhur këtu sepse po them, ka qenë vend i pasur ku të shumtë me kënaqësi vinin, ato personalitetet e njohura. Madje e kemi pasur edhe sallën e kinos, si fëmijë më kujtohet që kemi pasur shumë ngjarje, dhe filma. Unë si fëmijë kam marrë pjesë në korin shkollor, korin kishtar, në grupin folklorik. Do të thotë, gjithçka kemi pasur, edhe kulturalisht edhe sa i përket zhvillimit, që ja sot nuk mund të mburremi sepse e kemi pasur edhe bibliotekën shkollore, e kemi pasur bibliotekën e qytetit ku shkonim me kënaqësi dhe merrnim libra.

Ne kishim sistemin tonë elektrik kur ishte Komuna, kështu që ka qenë një i madh, i madh… Ndodhte diçka në Janjevë, çfarë ka qenë e mundur në atë kohë, do të thotë në vitet e ‘70-ta, ‘80-ta ndër vendet më të njohura në Kosovë, sa i përket zhvillimit. Fatkeqësisht sot nuk kemi asnjë prej atyre institucioneve kulturore përveç unë që punoj me anëtarët e shoqatës, Shoqatës kroate të të rinjve dhe Shën Kolli Janjevë ta mbajmë një kontinuitet, nga pak bibliotekat, leximet, puna me fëmijët, puna me të rinjtë. Kemi për shembull prodhime të ndryshme, ta mbajmë një traditë, që fëmijët të mësohen të rinjtë që duhet diçka të punojnë.

Kështu që i kemi ato punëtoritë artistike, e kemi seksionin e dramës ku çdo vit ne performojmë ose në Zagreb ose në Kistanje ku janë bashkësitë tona apo çdo të tretin vit kjo mbahet në Janjevë në fund të prillit ose në fillim të majit. Kështu që, aty mblidhen shumë pjesëmarrës, antarët e atyre manifestimeve dhe pastaj kryesisht po them e kultivojmë gjatë vitit, më shpesh e kemi atë grupin e dramës dhe recitimit e cila merr pjesë në festat e ndryshme fetare. Do të thotë, kjo është për Krishtlindje, për Pashkët, për disa ngjarje të tjera kur vijnë janjevasit, pastaj ne mundohemi t’i tregojmë, t’i theksojmë të gjitha ato aftësitë e aktrimit amatorë.

Faktikisht, ky është qëllimi që të mos zhduket kjo për çka fola, që Janjeva duhet ta zhvilloj historinë e saj, kulturën e saj dhe traditën e saj. Do të thotë, kryesisht kjo është në dialektin janjevas i cili është i njohur për të gjithë në këtë rreth. E ky është kompozim i një të folurit, komunikimit ndërmjet kombësive që jetojnë këtu në Janjevë, i përbërë prej dialekteve të ndryshme. Do të thotë kemi aty të Dalmacisë, të Vranjës, maqedonas, shqip, turk ndikim i të gjitha kulturave e përfundimi im është, askush ende nuk e ka analizuar pse, cilat janë burimet e atyre fjalëve. Këtë që e fola më herët, që të tonët që kanë shkuar me punë, që tregtonin nëpër të gjitha ato vende, atëherë është dashur normalisht t’i mësojnë gjuhët lokale të atyre njerëzve që të shisnin më lehtë.

Kur ktheheshin shkurt në Janjevë, për disa ditë, atëherë ajo disi, ato fjalët e ndryshme, ajo fonetika dhe të folurit dhe madje mua më kujtohet babai im fliste shumë e zgjaste si Llalla në Vojvodinë. Dhe kur vinte, atëherë ishte qesharake por pak nga pak ne jemi mësuar që babai ashtu flet. Kështu që, të shumtë kanë punuar në Vranjë, ka qenë numër shumë i madh në Vranjë, Gjilan, ajo pjesa e Moravës, prandaj këto i sillnin edhe tek ne. Shumica kanë qenë në Dojran, Ohër, Strumicë, Shkup, në Shkup shkohej çdo të marte dhe të premte. Kështu që, ato ndikimet tek ne vërehen shumë, të paktën unë po e kultivoj këtë sepse ka mbetur numër i vogël i kroatëve, që ajo të kthehet dhe po shkruaj në atë dialekt sa mundem, që të ruhet, që të rinjtë të mos e harrojnë atë.

Sepse pa marrë parasysh sa ka ndikim nga ato vendet dhe popujt, megjithatë ajo ka mbetur tradita jonë. Për shembull, është interesante, përveç atyre, asaj të folurës dhe dialektit, që madje ne kemi pasur, vetëm edhe një grua plakë është që mban ende dimija dhe atë veshjen e vjetër tradicionale, ne e kemi pasur atë ndikimin e turqve që prej as nuk më kujtohet kur kanë filluar. Por me siguri ka më shumë se 200 vjet kur kanë filluar gratë tona të veshin dimija, kemi edhe foto si i kanë bartur vajzat e vogla, çfarë lloj të dimijave, si i kanë bartur vajzat, si i kanë bartur nuset, gratë e reja të martuara dhe si i kanë bartur plakat. Do të thotë, kjo ka qenë, sipas kësaj është ditur, sipas dimijave, sipas asaj veshjes ku ajo, ku vendoset, kujt i takon ajo grua.

Erëmirë Krasniqi: Si ka qenë lidhja juaj me Kroaci prej të kaluarës deri më tani?

Don Matej Palliq: Po shumë e madhe, ne madje, ne gjithmonë e kemi kultivuar, gjithmonë është kultivuar ajo. Shumicën e rasteve kanë qenë mësuesit, madje edhe stërgjyshi im në vitin ‘14-të i cili është marrë si mësues kroat, Filip Çimariq edhe një është Berishiq. E kemi pasur shkollën popullore kroate do të thotë që nga fillimi i shekullit XIX në Janjevë, ka qenë shkolla popullore. Ata për shkak atëherë në vitin ‘14-të tashmë kishte filluar Lufta e Parë Botërore, dhe atëherë ka pasur probleme të ndryshme politike këtu dhe nacionalizëm prandaj i kanë arrestuar dhe me siguri janë arrestuar si mësues kroatë sepse nuk kanë dashur të heqin dorë nga identiteti i tyre kombëtarë. Dhe ata janë dërguar diku kah Shtipi në Maqedoni, atje janë varrosur, diku janë të varrosur. Ku, hulumtuam, kërkuam, ai është pikërisht stërgjyshi im, babai i gjyshes sime. Kështu që, gjithmonë është kultivuar lidhja me Kroacinë.

Ne madje kemi pasur në kohën e turqve kur këtu kishte jeniçerë3 dhe të gjitha, ne e kemi pasur konsullin e Dubrovnikut i cili e ka pasur selinë në Janjevë dhe paguhej haraçi, do të thotë tatimi direkt konsullit dhe të Venedikut atëherë, Republikës së Dubrovnikut. Do të thotë, Janjeva nuk i ka paguar haraç turqve por ka qenë prodhimi i arit dhe gjithë ajo pasuria. Pastaj është paguar haraçi dhe taksa Republikës së Dubrovnikut. Do të thotë, kurrë nuk është ndërprerë lidhja ndërmjet Kroacisë dhe kroatëve këtu prandaj edhe është krijuar ky identiteti kroat dhe ajo vetëdija kroate që jemi kroat, kemi ardhur para 7 mijë, 700 vjet nga Dubrovniku.

Gjithnjë është kultivuar kjo edhe nëpërmjet kishës edhe nëpërmjet zakoneve fetare të cilat i kemi që edhe sot paraqiten disa zakone në Dalmaci, prapë po mundohen t’i rikthejnë e ne ende i kemi këtu. Pa marrë parasysh sa është numri i besimtarëve. Kështu që, kisha gjithnjë i ka kultivuar këto, edhe paraardhësit e mi edhe sot i kultivojmë këto. Në vitin ‘91 kur filloi lufta në Kroaci, normalisht ka qenë fatale për neve, kohë e vështirë. Atëherë fillon shpërngulja por ajo lidhja me Kroacinë, do të thotë populli ynë prej këtu kroatët, kryesisht i kthehen atdheut, i kthehen Kroacisë. Zagreb, kemi tani në Kistanje në vitin ‘96 që janë vendosur atje, kemi numër të madh të tonëve në Dubrovnik, numër të madh në Osjek dhe në Split, por shumica e banorëve janë në Zagreb. Madje edhe dhjetë vëllezërit dhe motrat e mia të cilët janë shpërngulur atje, ata janë të gjithë me familjet e veta në Zagreb.

Kryesisht, shumica prej neve prej ‘91-tës e tutje edhe me ndihmën e Kroacisë dhe qeverisë apo shtetit, i kemi fituar edhe dokumentet kroate. Kështu që, mendoj se shumica prej tyre jo që nuk mund t’i marrin por nuk kanë dorëzuar kërkesë për shtetësi kroate, por shumica prej neve e ka shtetësinë dhe dokumentet me të cilat edhe më tutje komunikojmë në mënyrë shumë më të lehtë domethënë, nuk na nevojiten vizat për askund sepse Kroacia na e ka bërë këtë të mundur, sipas nenit 16 për përkatësinë kroate, identitetin kombëtar kroat dhe shtetësinë kroate.

Edhe sot e kësaj dite bashkëpunojmë shumë me zyren për diasporë të Kroacisë dhe përmes atyre shoqatave tona, kam edhe njëfarë ndihme nga Kroacia, jo shumë të madhe, sepse Kroacia tani është në krizë ekonomike dhe politike siç edhe keni dëgjuar. Por neve kjo na dhemb dhe na vjen keq që është ashtu (buzëqesh) sepse është atdheu ynë. Kryesisht po them, është edhe tendenca e atyre të rinjve, për neve Kroacia është si tokë e premtuar, fatkeqësisht për kroatët vendet e tjera të Evropës janë si të premtuara dhe burim i ekzistencës. Por ne ende themi, të gjithë ne këtu po gravitojmë kah Kroacia.

Erëmirë Krasniqi: Të kthehemi tek jeta juaj. Kur keni marr vendim të bëheni prift?

Don Matej Palliq: Po ja nuk e di se si… asgjë e jashtëzakonshme por është ai angazhimi im në korin kishtar, unë diku prej klasës së dytë kam filluar të këndoj në korin e kishës për fëmijët. Kemi performuar, kemi pasur koncerte të mëdha, festat në kishë kanë qenë gjithashtu të përcjellura me atë korin, korin e fëmijëve. E prej klasës së parë tek ne do të thotë prej pagëzimit, unë jam i pagëzuar me gjashtë ditë, ne hyjmë në atë jetën kishtare fetare. Praktikisht, familja ime shumë antarëshe, kjo ka qenë normale, nuk ka qenë kurrë pikëpyetje a do të shkojmë në kishë apo jo, rregullisht është shkuar në të gjitha aktivitetet fetare, meshat, shërbesat që janë mbajtur. Shumë nga përkushtimet që kemi pasur këtu dhe të cilat edhe sot i kultivojmë, dhe që nga klasa e parë kur regjistrohemi në shkollën fillore, civile, ashtu regjistrohemi edhe në edukimin fetar. Kështu që, ne kemi qenë këtu gjithmonë, pa ndërprerë në atë edukimin e zhvilluar fetar.

Prej ditës së parë si shtatë vjeçar, prej ditës së parë në shkollë, dita e parë është mësimi fetar. E pastaj më vonë i kemi ne ato sakramentet që i pranojmë, por për Janjevën ka qenë madje edhe disa familje komuniste që kanë qenë, do të thotë bashkëshortët, baballarët komunistë që kanë punuar nëpër ato institucionet, kanë qenë disa. Edhe familjet e tyre kanë qenë të kyçura në edukimin fetar. Pra, nuk ishte se dikush u etiketua tani se ne do ta stigmatizonim këtu, sepse ka qenë normale që të gjithë kroatët të shkojnë në kishë. Kështu që, unë dhe familja ime, të gjithë, motrat gjithashtu këndonin në kor, më të vërtetë jemi familje shumë muzikore. Do të thotë, të gjithë njëmbëdhjetë, madje edhe babai dhe nëna kanë kënduar dikur në korin kishtar.

Dhe kështu ka mbetur traditë të performojmë, të ndihmojmë në kishë, në çdo mënyrë që kemi mundur, edhe gjyshja edhe gjyshi, edhe babai, edhe nëna edhe vëllezërit edhe motrat, të gjithë, të gjithë kemi marrë pjesë në ndihmën për përgaditjen e liturgjisë në kishë. Unë disi nuk e kam planifikuar këtë, por kur ka ardhur regjistrimi për shkollë të mesme, atëherë përnjëherë diçka më ka ngrehur të shkoj, familja ime nuk kanë qenë për, sepse kanë menduar që s’do të mund të duroj. Mirëpo, unë kam marr vendim të prerë që do të bëhem prift, që e kam pasur edhe si shembull një prift të ri i cili ka qenë atëherë këtu, ai shumë ka punuar me neve, me fëmijët, është angazhuar të na dërgojë nëpër shëtitje dhe kështu. Edhe unë disi e kam shikuar si shembull, ashtu do të jem edhe unë dhe do të punoj. Nuk ka qenë e lehtë të shkoj nga Janjeva, të ndahesh nga familja, dhe kam qenë i pari që ka shkuar nëpër botë, kam shkuar në Suboticë. Por ja po them, atje me mund të madh, përpjekje dhe dëshirë i kam duruar ato katër vite të gjimnazit të mesëm klasik Paulinum dhe pas asaj…

Erëmirë Krasniqi: E pse në Suboticë?

Don Matej Palliq: Po këtu nuk e kemi pasur atë lloj të shkollës në këtë teren. Më vonë, më vonë në vitin ‘80 e diçka, ashtu në fillim, unë kam shkuar ‘79-tën, diku në fund të ‘80-tave është hapur shkollë e atij lloji edhe në Shkup. Pastaj ne kandidatët nga Kosova, më vonë tonët kanë shkuar në Shkup. Por për atë pjesë, përveç Kroacisë, Serbia, Vojvodina, Maqedonia, Mali i Zi, madje kemi pasur edhe nga Bosnja, nuk kanë qenë vetëm nga Subotica. Do të thotë, ai ka qenë gjimnaz klasik fetar. Ne jemi përgaditur për të gjitha lëndët normale të gjimnazeve të cilat i kanë të gjithë nxënësit e shkollës së mesme nëpër gjimnaze, ne si shtesë e kemi pasur gjuhën greke, edukimin fetar, madje e kemi pasur edhe marksizmin.

Shumë normale do të thotë programi ka qenë atëherë sipas rregullores së Ministrisë së Arsimit por kemi pasur lëndë shtesë për të cilat jemi përgaditur që të bëhemi ajo që kemi dëshirë, pra prift. Dhe e kemi jetuar jetën në konvikt, pra ishte nga mëngjesi, zgjimi në pesë e gjysmë dhe pastaj gjithë ditën lutje, shkollë, disiplinë, rend, punë dhe mësim. Pra, ne ishim nën një mbikëqyrje të vazhdueshme, kishim ditë të caktuara orar, një agjendë kur studiojmë, kur dalim, kur shkojmë për shëtitje, kur kemi udhëtime, ose çkado. Por kryesisht ishte disiplinë e rreptë nën kontrollin e kishës dhe drejtuesve të kishës.

Më vonë ‘79-tën, ka qenë viti ‘79 kur kam shkuar, në vitin ‘83 shkoj në Rijekë në fakultet, gjithashtu një shkollë e lartë e teologjisë në Rijekë. Dhe atje e përfundoj fakultetin në vitin ‘90 me një vit në ushtri normalisht, dhe kthehem këtu në vitin ‘90. Ja tani bëhen 30, 29 vite…

Erëmirë Krasniqi: Nuk ju ka zënë trazirat, lufta atje?

Don Matej Palliq: Jo, në kohën e luftës në vitin ‘90 unë jam kthyer këtu, pastaj ‘90-tën kishte filluar në muajin e nëntë, tetë në Kroaci. Kështu që, shumica prej familjes, kushërinjtë e mi nga ana e nënës dhe babait të cilët tashmë jetonin atje, edhe vëllezërit dhe motrat e mia kanë ardhur pavarësisht atyre vështirësive dhe trazirave që tashmë kishin filluar në Kroaci. Megjithatë kanë mbërritur në atë festë, më 15 dhe 16 të nëntit [muaj] ‘90, por shumë prej familjarëve kanë qenë të frikësuar dhe nuk kanë mundur të marrin pjesë në atë festë. Por Janjeva atëherë ende ishte përplot dhe kështu që ka qenë festë shumë shumë e madhe, ka qenë e fundit, festa e fundit e shugurimit të një prifti të ri. Më vonë, këta që kanë qenë kandidatë dhe që kanë studiuar në shkollën e mesme, ata më vonë e kanë kryer këtë nëpër Kroaci.

Por ne, me ato kushte që i kemi pasur më vonë i kemi ftuar ata të vijnë këtu të festojnë me këtë komunitet që është. Kështu që ja, i kam tejkaluar të gjitha ato luftërat, vështirësitë, shtytjet edhe në Kroaci edhe Bosnje edhe Kosovë me dëshirë që të mbijetojmë këtu. Edhe sot e kësaj dite jam optimist, dhe jo vetëm sa i përket fesë por edhe në çdo mënyrë tjetër po mundohem që t’i kultivojmë edhe më tutje ato që Janjevën dhe këta njerëz i ka karakterizuar. Do të thotë, ndershmëri dhe zell, një përkushtim ndaj besimit, një angazhim për identitetin kombëtar me respektin më të madh për të gjithë ata që jetojnë përreth nesh dhe me ne. Ju nuk do të dëgjoni me siguri, nuk besoj se në këto intervista të tjera, edhe pse nuk e di se çfarë po ndodh, por kurrë nuk do të dëgjoni se në Janjevë ka pasur fjalosje apo rrëmujë apo grindje midis kombësive që jetojnë këtu.

Pra, edhe pse ne jemi dy përqind gjithsej do të thotë, 180 njerëz dhe pjesa tjetër janë shqiptarë, ka romë, ka turq, ka edhe një familje boshnjake. Pra, bashkëjetesa mes qytetarëve të Janjevës është sipas një rregulli të pashkruar dhe sipas bontonit toleranca, bashkimi, respekti për njëri-tjetrin. Po, kur shumë tonë që kanë shkuar dhe shqiptarë në mbarë botën, edhe kroatët, në një farë mënyre duket se e humbasin atë. Dhe kur kthehen këtu, ju kthehet një nostalgji për atë që ishte këtu. Prandaj unë po përpiqem që fëmijëve dhe të rinjve t’ua kultivoj atë, po them ato manifestimet të cilat i kemi edhe më tutje edhe përmes edukimit fetar që e mbaj, që edhe më tutje ta mbajnë atë ndershmërinë e vlefshme, respektin dhe krenarinë për atë se kush janë, çka janë, ku janë, që të mund ta marrin atë nëpër botë që ashtu edhe më tutje të vazhdojnë të jetojnë, t’i rrisin fëmijët e vet. Nuk është e lehtë por mendoj që është e mundur.


1 Turk. Kara, ngjyra e zezë.

2 Tregtar që punonin gjatë sezonit jashtë Janjevës.

3 Jeniçerë quheshin ushtarët këmbësorë me pagesë në ushtrinë osmane.

Pjesa e Dytë

Anita Susuri: Desha t’ju pyes për ndikimin e kishës në gjithë jetesën këtu.

Don Matej Palliq: Po sigurisht, që prej fillimit me siguri ashtu ka qenë edhe atë grupin e njerëzve që kanë ardhur nga Dubrovniku, e para ka qenë, bashkëjetesa me kishën. Kështu që ,kur ata kanë ardhur këtu me vete e kanë pasur edhe priftin i cili i ka, i ka mbajtur ato meshat me siguri, liturgjike. Dhe më tutje ajo vazhdimësi e kishës nuk është ndërprerë kurrë. Madje kur kanë qenë 1700 dhe kështu në fillim të vitit, ipeshkvi që ka qenë i Kosovës do të thotë i Shkupit, ai për shkak të të gjitha atyre vështirësive dhe ngjajeve të luftës dhe pushtimit turk, Perandorisë Osmane dhe shkatërrimit të çdo gjëje, ai ka ardhur këtu sepse në Janjevë edhe atëherë ka qenë paqe, përveç që thashë, njerëzit është dashur t’i pranojnë gratë, veshjen por askush nuk ka shkatërruar asgjë. Kisha një kohë është ndaluar të përdoret, por në atë kohë edhe ipeshkvi i atëhershëm e ka pasur selinë në Janjevë.

Do të thotë, kisha gjithmonë ka qenë ajo që ka prirë prandaj edhe është në atë vend, në qendër e ngritur dhe aq madhështore, që dominon në këtë hapësirë dhe të jetë thirrje për të gjithë. Do të thotë, të gjithë kanë qenë të kthyer kah kisha, madje edhe kur nuk kishte orë, ora e kishës dhe këmbana para asaj orës në kullë, këmbana ka lajmëruar dhe i ka njoftuar njerëzit çfarë po ndodh. Do të thotë, ka qenë një besim dhe përgjegjësi e plotë ndaj kishës. Edhe gjatë tifusit i cili ka mbretëruar në vitin 1850-1860 kështu, kur ka qenë tifusi, njerëzit me besimin në Zot e kanë duruar të gjithë ngarkesën. Më vonë, diku pas Luftës së Parë Botërore, prapë vjen një humbje, një sëmundje, edhe tifusi edhe kuga e cila i ka pushtuar.

Megjithatë ata, prapë janjevasit, me besimin në Zot dhe në kishë, të inkurajuar nga priftërinjtë i dorëzohen Zotit dhe ndërtohet në vitin ‘35 një kishë kushtimore në Brus, në Peshter, i cili është pak më larg prej neve, ja kur shkojmë në këmbë, diku dy orë por kah Novobërda, pjesa e Slivovës, atje i jepet betimi Shën Sebastianit, do ta bëjmë kishën, kanë qenë të pasur, vetëm le të ndalet sëmundja. Kështu që, ja edhe sot ajo kisha është betim për Shën Sebastianin dhe vijnë shumë njerëz në janar, që e përmenda prej 17-tit fillon, deri më 20-tin katër ditë. Peligrinazhi është në këmbë, çfarëdo kohe apo edhe kohë e keqe të jetë, për sëmundje të ndryshme, dhe e fitojnë dëgjimin. Do të thotë, kisha ka qenë gjithmonë ajo.

Por ja unë mund të them që sot ka disa që nuk vijnë, të cilët i kanë Krishtlindjet, Pashkët, kur janë ato festat e mëdha, nuk mund t’i detyrosh me shkop, as më dhunë por në përgjithësi, dyert e mia janë të hapura gjithmonë edhe ditën edhe natën. Dhe kur janë të mbyllura, me dry, por për thirrje çfarëdo qoftë, kërkesa, janë të hapura. Janë zgjidhur këtu, tonët nuk janë mësuar të shkojnë në gjykatë për çfarëdo kontesti, kufi, fjalosje familjare dhe kështu. Gjithmonë kështu ka shkuar dhe prandaj sot unë them, unë jam shpesh ky, edhe gjykatës, edhe avokat, marr aktvendime (qesh), i dëgjoj në kishë. Çfarë vendimi do të merrte prifti, dhe bordi i kishës, njerëzit atë e kanë respektuar. Shumica edhe sot e kësaj dite, do të thotë, gjithçka është e kthyer kah kisha.

Kështu që, ka qenë numri më i vogël, të gjithë në këtë rreth janë çuditur, ku ka pasur grindje rreth tokës, rreth, prerja [e drunjve] në mal, çkado apo fjalosjet në familje po mendoj djali, babai, nusja dhe kështu. Nuk kemi shkuar ne në gjyq, më së paku ka raste të janjevasve në gjyq, gjithçka është zgjidhur në kishë. Dhe kjo është e mirë do të thotë është respektuar kështu. Dhe unë sot prapë po them kur vjen dikush, them, “Hajde tani le të thotë njëherë njëri pastaj tjetri”, “A dëshironi tash unë të flas?” “Po, i përndershëm”. Atëherë kur unë them kështu, gjykoj, ata mirë shkojnë të kënaqur në shtëpi dhe kjo është diçka që e veçon këtë popull dhe kjo është e mirë. Vështirë është atë lloj të jetës dhe sjelljes, vështirë e pranojnë shumë priftërinjë dhe kolegët e mi në Kroaci dhe me këtë edhe traditën atje. Pastaj thonë, “Pse unë të merrem me grindjet dhe fjalosjet e tyre?” Pastaj them ashtu janë mësuar, kështu që kisha është qendrore.

Erëmirë Krasniqi: Këtu e keni pasur edhe shkollën, apo jo?

Don Matej Palliq: Po, shkollën fillore edhe sot e kemi. Kemi qenë, kur unë kam shkuar në shkollë, 1200 fëmijë. Do të thotë, ka qenë me katër-pesë klasë. Mua më kujtohet, prej klasës së parë deri të katërtën kemi qenë pesë paralele, gjenerata ime, ‘64. Pastaj më vonë prej të pestës deri të pestën-gjashtën kemi qenë katër, kurse në klasën e shtatë na kanë bashkuar në tri klasë. Dhe kështu kemi mbetur në klasën e tetë tri klasë. Do të thotë kemi qenë shumë, shumë fëmijë por viteve të ‘70-ta, faktikisht… Janjeva, kroatët, fillon ajo shpërngulja prej vitit ‘56, ‘56-tën deri ‘58-tën shkon edhe një grup i njerëzve.

Erëmirë Krasniqi: Pse?

Don Matej Palliq: Po ekonomikisht, Kroacia ka qenë atëherë pak pas Luftës së Dytë Botërore, ashtu në një trend të zhvillimit. Shumica kanë shkuar atëherë, familjet tona, ndoshta dikush edhe për shkak të presionit të komunizmit apo ku ta di, ka qenë më e lehtë të gjindesh në Kroaci. Atëherë tashmë fillojnë ato shpërnguljet, pastaj ndalohet një kohë. Pastaj ‘67-tën, ‘68-tën, ‘69-tën njejtë shumica shkojnë, ashtu individualisht, jo siç ka qenë në vitin ‘90 por individualisht shkojnë ja një familje, tjetra, nuk kthehet askush.

Do të thotë, ata gjinden atje. Kryesisht biznesi dhe puna, ato mini fabrikat i merrnin me vete dhe atje e vazhdonin atë punën dhe pastaj e kanë më të lehtë komunikimin dhe shitjen në Adriatik. Dikur ka filluar edhe turizmi, faktikisht zhvillimi i turizmit në formën e sotme në Kroaci i merr pozitat në vende të ndryshme në Adriatik, përgjatë bregdetit normalisht ku ata shesin produktet e tyre. Kështu që, po zhvillohet një rrugë në Zagreb, rrugë tregtare, Janjeva siç ka qenë këtu çarshia, atje zhvillohet një rrugë Konjishçinska, është shumë…

[Intervista ndërprehet]

Kështu që, ajo rruga është, atje po bëhet shumë luksoze, e pasur, e njohur jo vetëm në Zagreb por në gjithë Kroacinë, në Zagreb Konjishçinska ku shumë biznesmenë tonë zënë hapësirë, i blejnë shtëpitë prej atyre vendasve, banorëve të atyre rrugëve. Dhe ato janë shifra enorme, para shumë shumë të mëdha, po hapen dyqane të mëdha, marketet me disa standarde evropiane. Dhe ky është një lulëzim ku ajo, aty gjithçka ka ndodhur, po them e gjithë Kroacia ka shkuar atje, të cilët shisnin, atje blenin me të madhe, dyqane të mëdha janë hapur. Tekstil, këpucë, bizhuteri, plastikë, pikërisht gjithçka që kemi pasur këtu, ata e dërgonin në Kroaci.

Do të thotë, kjo është viteve të ‘80-ta, ‘70-ta, në fillim të ‘80-tave, pastaj viteve të ‘90-ta pikërisht e përjeton këtë ajo rruga. Edhe ajo rruga dhe gjithçka rreth saj por ajo quhet, “Ku po shkon?” “Po shkoj në Konjishçinska për të tregtuar”. Kështu që shumica po them, të gjithë edhe me pakicë edhe me shumicë atje është tregtuar dhe blerë, dhe janjevasit praktikisht përmes kësaj janë kyçur në jetë atje në Kroaci, Zagreb sidomos. I mbajnë disa tradita të tyre, por ja edhe shkolla, dhe më tutje zhvillohen që këtu ka qenë e rrallë që dikush të shkoj, përveç neve që kemi shkuar në shkolla kishtare, rrallë kush shkonte dhe i kryente ato shkollat e larta, sepse për shkak të familjeve të mëdha është dashur të shkosh menjëherë të tregtosh apo të punosh.

Do të thotë, ka qenë, ka qenë e rëndësishme që fëmija kur ta përfundojë shkollën fillore, menjëherë ta vazhdojë biznesin familjar, punën, të punoj, të ekonomizojë. Kështu që, kjo ka qenë normale për neve. Kështu që, po them rrallë kush ka shkuar në shkollën e mesme e në fakultet mund të them që ke mundur t’i numërosh në gishta. Më vonë, në Zagreb pasi që mundësia është më e madhe edhe universitetet dhe kështu me radhë, fakultete të ndryshme, fillon ajo dhe të rinjtë gjithnjë e më shumë e fitojnë atë dëshirën për shkolla. Kështu që, sot kemi në Zagreb njerëz në pozita shumë të larta, me mjekë dhe kështu me radhë, të ndryshëm dhe kjo është e mirë, që ajo bashkësi që konsiderohen në Kroaci dhe çdokund që janë të getoizuar, por nuk jemi, kemi të tillë që do t’ju ndihmojnë gjithnjë atyre që ju nevojitet.

Kështu që, jemi të lidhur sa i përket marrdhënjeve edhe familjare edhe martesore. Fillojnë normalisht, ky është trend dhe normalisht në çdo vend kudo që njerëzit vijnë dhe vendosen, me njerëzit lokal martohen dhe krijojnë familje. Kështu që, sot kemi gjithnjë e më shumë martesa të përziera, do të thotë, jo të përziera me fe por me kombësi është njejtë, por le të themi ka me boshnjakë, me banorë vendas të Zagrebit, të Hercegovinës dhe kështu me radhë. Kështu që, kjo tashmë është përzier dhe nga pak ajo, ato zakonet janjevase apo të them të folurit dhe kultura dhe të gjitha, nga pak sikur po humben.

Tani po shfaqet ajo e reja, ajo dëshira për tu ripërtërirë. Shumë prej tonëve shumë shpejtë kanë startuar në Zagreb, janë gjetur, i kanë ndërtuar nja dy-tri lagje, në të cilat jetojnë edhe me të tjerë por kryesisht ato janë të ashtuquajtura, shumica e banorëve janë janjevas. Kjo është atëherë një komunitet që ka disa vendbanime ku jetojnë kryesisht janjevasit. Dhe të gjithë njihen por nuk është më ai intimiteti dhe afërsia, sepse teknologjia moderne dhe zhvillimi, nevoja, biznesi dhe gjithë ai ritmi i përshpejtuar i jetesës urbane ju ka sjell, fatkeqësisht shumica shihen nëpër ato festat, në dasma, Pashkët, Krishtlindjet apo ja mos dhashtë Zoti kur dikush vdes. Atje shihen sepse ajo tashmë është ndërprerë pak, këtu që ka qenë intimiteti, ju e shihni sipas konfiguracionit, sipas ndërtimit të shtëpive që të gjithë kemi qenë të drejtuar kah njëri-tjetri dhe kjo ka qenë normale që të njihemi.

Unë kur kam ardhur te ajo shkolla në Suboticë, atëherë më pyet një prift, kur i kam thënë që jemi njëmbëdhjetë fëmijë, “Po Mate, a i di ti emrat e të gjithëve?” (qesh) “Si nuk i di, kur unë e di gjysmën e fshatit”. Gjysmën e vendit, e di gjysma e Janjevës si quhet e lëre më familja. Sepse ata kanë pasur nga një fëmijë, e tek ne kjo ka qenë normale të njihemi dhe diçka tjetër është interesante, një karakteristik e Janjevës, që në Janjevë nuk ka adresim me “Ju”. Do të thotë, ne për shkak të intimitetit dhe afërsisë, komunikimit me njëri-tjetrin, ne të gjithë njerëzit e moshuar i thirrnim ose baca ose axha, njeriun më të vjetër.

Pastaj thoshim, “Si je axha Pashko, axha Roko, axha Pjetër?” E jo, “Si jeni?” Atëherë do të mendonin sa veta jemi. Kështu që, mua më vinte çudi që në Suboticë është dashur të mësoj, që më të moshuarve prej meje duhet t’ju them “Ju”, atëherë mendoj sa janë. Do të thotë, këtu ka qenë e rëndësishme, është mbajtur ashtu si ka qenë në shumë vende përpara, ndoshta para 50 viteve, këtu edhe sot e kësaj dite mjeku, mësuesi dhe prifti janë persona të rëndësishëm në fshat. Kështu që, unë them gjithmonë kur më pyesin, “Pse je ende aty?” “Më mirë të jem i pari në fshat sesa i fundit në qytet”. Domethënë, është ai autoriteti dhe respekti, kur shkohej te mjeku, përgaditeshin sikur të shkonin në Mars.

Kur është dashur të shkojmë në kishë ka qenë njejtë veshja e veçantë edhe për neve fëmijët edhe për të rriturit, do të thotë nuk mund të shkosh në kishë si të duash, kjo sot nga pak po humbet. Do të thotë, njejtë është përgaditur për shkollë, fëmija duhet të jetë i veshur për kishë, dhe thuhej, “Ke rroba për të premten dhe për të shenjtën”. Do të thotë, teshat e punës dhe teshat elegante, garderobë. Kështu që, ne dikur si fëmijët pak kemi ditur që me atë veshje të re kur kthehemi nga kisha, ta mbajmë [veshur] sepse është e bukur, e pastër dhe e re për ne. Por motra gjithmonë, “Jo, veshi të vjetrat pastaj shko të luash”. Dhe kështu që ka qenë po them, një ritëm dhe tani jam duke u përpjekur t’i përshkruaj të gjitha në dialektin janjevas dhe në atë ligj të zakonshëm për çdo gjë që nuk është shkruar, që të mbetet gjurmë e shkruar.

Njerëzit dhe të rinjtë e sotëm mund të përpiqen të mos kthehen më, mos dhashtë Zoti edhe ajo kriza që ka qenë në Janjevë, por edhe të dijnë që aty ka pasur vlera që janë kultivuar, që duhet dhe me të vërtetë është e nevojshme që ajo të vazhdojë edhe sot, në mënyrë që njerëzit të jetojnë më të lumtur dhe në komunikim me njëri-tjetrin. Kjo mungon, mungon. E ja në Janjevë është ende, unë po mundohem t’i bëj të interesuar të rinjtë, i thërras në shtëpi, pasi që nuk ka institucion tjetër kulturor, që të qëndrojnë aty dhe t’i heqin ato telefonat mobil dhe atë teknologjinë dhe të fillojnë të jetojnë. Një ditë e kam takuar një vajzë e cila mbanë dëgjuese, po kalon, më përshëndet, i them, “Hiqi [dëgjueset] pastaj fol me mua”. I erdhi pak turp dhe kështu.

Por ky, ky trend i zhvillimit teknik dhe teknologjisë e kap edhe këtë vend, gjë që mendoj se është normale por po mundohem që ta vendosi një kufi, ta dijnë që duhet të jenë me njëri-tjetrin, që duhet ta dëgjojnë njëri-tjetrin dhe pak më shumë të shoqërohen. Prandaj edhe po i organizoj ato seksionet e dramës dhe provat e dramës. Unë kam çdo të shtune, tani do të fillojmë, kur fillon shkolla. Në kishë gjithashtu në ora 15:00 të gjithë fëmijët katolikë, do të thotë që shkojnë në edukim fetar edhe shqiptarët edhe serbët, të gjithë duhet. Në ora 15:00 vijnë, kemi këndim, program, bisedë, kështu janë kryesisht të gjitha.

Erëmirë Krasniqi: A ju ndihmon ndonjëkush?

Don Matej Palliq: Jo, vet. Një orë, një orë e gjysmë e kam me ata pastaj e kemi të hënën, të marten, të mërkurën. Gjithashtu kam takime me ta nëpërmjet edukimit fetar, gjithashtu nëpërmjet bisedave, do të thotë secila klasë veçanërisht. E të shtunën vijnë të gjithë, të gjithë fëmijët prej klasës së parë deri të tetën. Pastaj merremi vesh çka do të bëjmë gjatë asaj jave, ku do të takohemi, ku në kishë, çfarë do të bëjmë, provat kur janë, kështu i publikoj ato në kishë. Kështu që, ato të gjitha i pranojnë dhe pastaj kemi gjatë atyre festave të mëdha fetare festat kishtare i kemi punëtoritë. Do të thotë, ne kurrë për shumë vite për Krishtlindje, Vitin e Ri nuk blejmë asgjë prej stolive dhe dekorimeve, por ata i bëjnë vet ato nëpërmjet atij materialit reciklues. Do të thotë, asgjë nuk hedhim por të gjitha i mbledhim dhe pastaj i shpikim modelet, kështu që madje edhe në internet kemi disa prodhime tona. Pastaj për Pashkë njejtë ashtu vezë, ato lulet, dhe kështu të gjitha prej asgjëje, po mendoj prej atij materiali që e kemi, fëmijët punojnë dhe i prodhojnë. Dhe aty ata gjinden dhe shoqërohen dhe njoftohen.

Erëmirë Krasniqi: T’ju pyes diçka, kur kemi folur me njerëzit, të gjithë kanë thënë që Janjeva ka qenë vend i qetë. Por më intereson, si i keni parë të gjitha këto ngjarjet politike në Janjevë? Nuk po më intereson për kohën e tashme, çfarë ka ndodhur viteve të ‘90-ta, a ka qenë ajo… mund të flasim edhe për këtë por edhe më parë, si ka…?

Don Matej Palliq: Po ja kam thënë si ka qenë atëherë, sistemi komunist, sistemi, po.

Erëmirë Krasniqi: A është ndjerë ajo?

Don Matej Palliq: Këtu jo shumë, por ne kemi qenë, kemi paguar taksë normalisht, të gjithë ata… Kur komuna jonë ja, ai është një represion ndaj bashkësisë kroate, në Janjevë atëherë, që na e kanë marr komunën nga Janjeva dhe e kanë zhvendosur në Lipjan. Që na e kanë marr minierën e Kishnicës që ka qenë në pronësinë e kroatëve dhe këta kanë qenë drejtora dhe është zhvendosur në Prishtinë. Pastaj më vonë, si e kemi formuar atë “Metalikun” në vitin ‘47, fabrikën për prodhimin e metalit dhe paisjeve metalike dhe prodhimeve të tilla, gjithashtu ka filluar pak nga pak marrja do të thotë e pushtetit. Këtu kemi pasur disa nga komunistët tanë që ishin nën ndikimin e tyre dhe u siguruan që njerëzit, ja këto institucione të largoheshin.

Falë po mendoj, nuk ka pasur aq represione të mëdha të llojeve të tjera të komunizmit, sepse kemi pasur taksa të mëdha. Pra, për ne kishte taksa të mëdha për ato zejet që i kishim dhe njerëzit e paguanin rregullisht. Kështu që, bashkia dhe shteti ishin të kënaqur, duke i paguar taksat, taksat e 750 zejtarëve. Ka qenë edhe ajo që dikur merrnin dhi, lopë, dele prej njerëzve dhe kështu shpiknin. Sidomos atëherë në vitet e ‘50-ta, shumica ndoshta edhe atëherë kanë filluar të shkojnë në Kroaci sepse prej shtëpive ju merrnin çdo gjë. Do të thotë, taksë për bagëtinë, për prodhimet. Vreshta kemi pasur të gjithë, mua më kujtohet edhe prej neve merrnin, nuk ka qenë ajo teprim i rakisë, verën është dashur ta jepim. I kemi pasur dy dhi, prej atyre duhet një viç ta japësh dhe kështu me radhë.

Jemi gjetur dhe kemi jetuar, por askush nuk binte nën ndikimin e atij komunizmi veçanërisht, përveç atyre po them, disa që kanë qenë, të cilët nuk bënë asgjë për veten e tyre, familjen, por edhe në dëm të komunitetit të tyre, këto institucione na janë marr sot. Po them ashtu, shkolla e parë popullore kroate që ka qenë atëherë ka qenë zhvillim i Kroacisë, i kroatëve dhe i Kroacisë. Por, më vonë në komunizëm siç ka qenë trend në çdo vend, na vijnë mësuesit, policët, doktorët prej vendeve të ndryshme të Jugosllavisë atëherë dhe nga pak vjen ai ndikimi që nuk i kemi më njerëzit tonë dhe pikërisht atëherë unë mendoj që ndalet ai vullneti dhe dëshira për shkollim.

Do të thotë, nuk mundem ta them me siguri, por e kam analizuar dhe vëzhguar atë pak. Pse nuk na është dhënë nevoja e e dukimit, do të thotë këtu janë shumë edhe sot keni shumë njerëz inteligjent, shumë të aftë. Por neve diçka na kanë dhënë, di, nuk di, le të shkoj në shtëpi, nuk do të shkoj në shkollë të mesme. Kështu që, nëse nuk e ke bazën në shkollën fillore, nuk ka qenë e mjaftueshme të mësosh vetëm shkrim dhe lexim, e tek ne, sikur ka qenë vetëm ashtu kur flas me të shumtë të gjeneratës time apo më të rinj, ka qenë, “Ashtu kinse, nuk ka rëndësi, le të shkoj. Jepja 2, jepja 4, jepja 5”. Kështu që unë kam qenë i shkëlqyeshëm, por nuk kam ditur shumë. Kur kam ardhur në Suboticë, unë për shembull e dija vetëm tabelën e shumëzimit. Asgjë tangens, kotangens, logaritmi, po e shikoj çka është kjo, asnjë gjuhë. Rusisht, kam mësuar pak shqip por njejtë ka qenë, kallxuesi, emri, mbiemri dhe asgjë, shko 5, hajde.

Rusisht, skaska, 5, do të thotë praktikish nuk na është… Nga ajo anë, ata mësuesit, arsimtarët nuk na kanë dhënë platformë të mjaftueshme të arsimimit që ne të mund të kyçeshim më vonë. Për mua ka qenë çudi që unë kam vazhduar dhe kolegët e mi më vonë të cilët e kanë përfunduar atë shkollën, duhet të jetë vetëm vullneti dhe dëshira që diçka të bëhem dhe të arrijë, po të kyçesha pas të folurit të Janjevës këtu, neve askush nuk na ka mësuar as kroatisht, as serbisht praktikisht, as shqip, asgjë. Por vetëm ashtu, lëre se fëmijë është. Sepse kanë qenë 40 fëmijë në klasë dhe ka pasur shumë pak mësues që kanë nxitur diçka. Por edhe mësimdhënësit, por po them, më duket që nuk na është dhënë mjaft në atë kohë prej komunizmit, që ne si kroat të përparojmë në ndonjë gjë.

Kështu që ka qenë, “Jepjau, mbyllja, ata do të merren me biznes”. Dhe kështu që kjo ka qenë diçka që mendoj se ishte e gabuar. Dhe nga ana tjetër, unë mendoj se ne ishim disi nga të gjithë të tjerët të kufizuar në arsim. Dhe pastaj normalisht, [telefoni cingëron] kur nuk i ke prindërit inteligjent, të shkolluar, atëherë ka qenë normale që prindërit për shkak të ekzistencës së familjes, menxi kanë pritur ta përfundojmë, t’i kapemi punës apo këta që kanë qenë fermerë, blegtorë apo ne që në shtëpi i kemi bërë ato prodhime, t’i kapemi asaj pune në mënyrë që të mbijetojmë dhe të jetojmë. Dhe ja po them, kur kjo është në Kroaci, ndryshe ka qenë, ndryshe ka ndodhur, kemi shumë prej tonëve që ja sot kemi profesorë, edhe mjek edhe njerëz të angazhuar politikisht që i kanë përfunduar të gjitha ato shkencat e mundshme.

Apo kanë mundësi, dhe kjo është totalisht normale sot pa shkollë të mesme të mos… dhe po them, ai “Metaliku” që është themeluar në vitin ‘47, tonët prej biznesit familjar, do të thotë ata metal-punuesit, vet e kanë themeluar kooperativën në mënyrë që të fillojnë diçka për njerëzit që, ose kanë qenë analfabetë por kanë mundur të punojnë, e kanë pasur atë feeling [anglisht – ndjenjë] apo ndjenjën e prodhimit në vete në duar të veta.

Erëmirë Krasniqi: Dhe këtë juve ju ka siguruar shteti?

Don Matej Palliq: Dhe shteti pak nga pak e merrte pushtetin dhe tonët më vonë, ai që ka qenë komunist, ka mundur të jetë kryesues i ndonjë fjalimi apo drejtor, e këta të tjerët kanë qenë vetëm punëtorë të thjeshtë dhe kështu me radhë. Kështu që, shumica kanë qenë të punësuar aty, por nuk ka ndodhur ndonjë zhvillim, por nuk ke mundur të përparosh shumë.

Erëmirë Krasniqi: E ai maskenballi që e keni pasur, si u kultivua ajo? A është gjithashtu ndonjë traditë e Zagrebit, apo jo, apo është kroate?

Don Matej Palliq: Jo, kjo është ashtu, kroate, kroate e ne këtë e kemi vazhduar këtu. Kështu që, shpesh kjo, kjo ka qenë me të madhe, madje e kemi pasur të ndaluar një kohë në komunizëm, pastaj të rinjtë këtu e kanë organizuar vet pastaj i mbyllnin në burg në polici dhe kështu. Janë marrë në pyetje…

Erëmirë Krasniqi: E pse, si ka ndodhur kjo?

Don Matej Palliq: Po ne gjithmonë jemi lidhur me fe, do të thotë në sistemin komunist është lidhur, “Aha, ata janë të fuqishëm në besim, aha”. Kështu që, këtu ka pasur priftërinj, kolegë të mi të mëparshëm të cilët janë arrestuar, asgjë nuk kanë thënë por ju kanë xhiruar meshat, predikimet, gjithçka që ka qenë në kishë. Apo çfarë ka folur me popullin, kështu që të shumtët kanë qenë të mbyllur nëpër burgje atëherë komuniste, pa arsye edhe me nga dy vjet, dhe me nga tri. Ja, e mbyllin por kisha u kujdes që ta vendoste tjetrin. Domethënë, nuk ka qenë diçka, populli kundërshtonte, por ata kanë ditur si ta bëjnë të hesht, dhe populli dhe atëherë fajsonin padrejtësisht…

Erëmirë Krasniqi: Si të burgosur politik?

Don Matej Palliq: Shumica, shumica politikisht sepse ja populli, po shpërndahet feja. Mua më kujtohet kur kam qenë në ushtri, atëherë menjëherë më kanë thënë, “Prift mos shpërndaj ndonjë propagandë fetare”. Unë po them, “Po çfarë të bëj në ushtri, kujt?” Kështu që, kjo ka qenë propagandë fetare. Por kemi qenë trima, të pa frikësuar, dhe përkundër atyre, atyre le të themi qëndrimeve dhe shkollave, dhe në shkolla të mesme të na rekrutojnë, ne në Janjevë edhe sot e kësaj dite është ajo famë dhe tregim dhe nuk e kemi asnjë polic. As në ushtri nuk e kemi asnjërin këtu, gjithmonë ka qenë rekrutimi në shkollë, policia dhe ushtria, oficerët e APJ-së. Por në shtëpi na është reprezentuar ndryshe kjo. Jo, sepse duhet të jesh komunist.

Sepse pastaj e ndërpren me kishën, do të thotë kur vetëm prej një oficeri, i cili ka shkuar, gjenerata ime dhe më kujtohet kur vinin për pushime unë edhe ai gjatë verës, pastaj luanim në oborrin e kishës sepse nuk kishte vend tjetër për futboll, basket dhe kështu edhe sot e kësaj dite. Dhe kur luanim aty, kur është dashur të cingëroj për kishë, të shkohet për kishë, ai shkonte në shtëpi. Do të thotë nuk i ka interesuar më, e ka qenë njëri prej djemve më të mirë sa ka qenë në kishë. Por, po them do të thotë ka qenë për qëllim të na largojnë nga kisha, e sa më i madh që ka qenë presioni, do të thotë, ne edhe më shumë jemi drejtuar kah kisha. Kështu që, kisha ka pasur shumë domethënje. E tani, burgosi priftërinjtë, merrjau, ja kurdisin ndonjë proces dhe i mbyllin. Por populli edhe më tutje ishte trim dhe i fuqishëm normalisht me përkrahjen e ipeshkëve tonë atëherë edhe në Sarajevë, edhe në Shkup, edhe në Prizren. Kështu që gjithmonë na kanë dhënë përkrahje të durojmë. Do të thotë, është një sentiment i krishterë, katolik ta mbajmë fuqinë e besimit dhe të qëndrojmë karshi çfarëdo represioni dhe mundimi.

Pjesa e Tretë

Erëmirë Krasniqi: A mund të flisni për lidhjen me Prizrenin, unë kam dëgjuar që ju… këngët prizrenase.

Don Matej Palliq: A po, po, po.

Erëmirë Krasniqi: Po ekziston lidhja, a është fetare dhe çfarë lidhje është ajo?

Don Matej Palliq: Po ja, lidhja me Prizrenin gjithsesi deri sot ka mbetur por gjithmonë është kultivuar ajo sepse ne kemi qenë artarë, kryesisht ari, miniera dhe kështu dhe ka pasur këtu shumë njerëz të pasur, familje të pasura. E Prizreni ka qenë i zhvilluar, i ri, kështu që Prizreni ka pasur artarë. Ne takoheshim bashkë me pizrenasit në Letnicë. Do të thotë, prej fillimit me të tetin [gusht], ashtu 15-20 ditë jemi takuar, takoheshim me prizrenasit në Letnicë. Siç kanë qenë ata esnaf njerëz dhe biznesmen, zotërinj, kështu që shumë gra tona janë martuar për prizrenas apo ato vinin këtu. Dhe kjo ka qenë një lidhje e mirë, unë mendoj që ajo është, fillimisht është tregtia, linja e tregtisë ku tonët me ata kanë bashkëpunuar shumë dhe i kanë shkëmbyer ato prodhimet.

Këtu është punuar me bronz, me bakër, me zing, alumin prodhime të tilla dhe ata normalisht kanë qenë filigranë të cilët kanë punuar në tregti me neve. Dhe tani, aty menjëherë pas atij kontaktit tregtar ka ardhur edhe deri te bashkësitë martesore, krijimi i familjeve, kështu që kemi po them, një lidhje shumë të madhe. E nga ana tjetër, ne e kemi edhe lidhjen kishtare me Prizrenin, sepse Prizreni është dioqeza e vjetër e Shkup-Prizrenit e cila ka vazhduar deri ‘96-tën, ka qenë e drejtuar kah ne edhe me kishë. Domethënë, Prizreni është një qendër edhe sot është restauruar, ishte rreth dy muaj më parë që u kushtua katedralja në Prizren. Pra, institucionalisht, dhe me kishë, ekzistonte një qendër për katolicizëm atje.

Kështu që ne ishim të drejtuar nga ajo anë dhe pastaj them me besim ata ishin të fortë, ne ishim të fortë këtu. Pra, kjo ishte një marrëdhënie shumë e ngushtë, e cila ka mbetur edhe sot. Kështu që ju sot keni shpalljen e dioqezës së Prizrenit. Pra, nuk ka dioqezë të Kosovës por një dioqezë prizrenase-prishtinase, ku Prizreni merr një rol tjetër të rëndësishëm në Kishën Katolike në botë.

Erëmirë Krasniqi: A mund të flasim kur keni ardhur ju këtu në vitet e ‘90-ta, a jeni bërë prift?

Don Matej Palliq: Ashtu, po, po. Unë këtu në vitin ‘90-të në muajin e nëntë zyrtarisht jam bërë prift. Do të thotë me festën e madhe të familjes time, përkrahjen dhe kështu me radhë familja ime prej ‘79-tës kur kam shkuar në shkollë, ata i kam pasur përkrahës material dhe shpirtëror deri më sot. Por me praninë e prindërve të mi dhe familjes më të afërt, unë në mënyrë ceremoniale, zyrtarisht jam bërë këtu prift. Pas dy jave, do të thotë dy javë e kam pritur dekretin, emërtimin prej ipeshkvit të atëhershëm nga Shkupi, emërtimin prej ipeshkvit Herbut shkupjano-prizrenas. Pastaj ai më ka emërtuar këtu dy vjet si ndihmës i kolegut për punën me fëmijë dhe me të rinj.

Kështu që, një vit e kam pasur atë dekretin dhe pas një viti është shtyrë, kështu që në vitin ‘97 në muajin e nëntë kam qenë këtu. Pastaj kam shkuar pak në Letnicë një vit njejtë punë me të rinjtë dhe më vonë kthehem si kryesues i famullisë, do të thotë famullitar që edhe sot ende e kam atë titull. Në vitin ‘98 në muajin e nëntë kthehem në Janjevë dhe vetëm normalisht, pa asnjë ndihmë prej motrave të nderit apo prej dikujt prej kolegëve, deri sot e kësaj dite. Në vitin 2004 më i jepin dy motra nderi të cilat më ndihmojnë në punë edhe mjeksore edhe pastorale dhe në të gjitha aspektet. Edukimin fetar sa munden, dhe duke luajtur në instrumente dhe këndim në kishë.

E sot e kemi vetëm një e cila kujdeset për të sëmurit në Janjevë dhe përreth, sepse ne para dy-tri vitesh këtu e kemi pasur edhe ambullantën. Mjeku vinte çdo të mërkure, mjeku Zvonko Stasheviq i cili të gjithë pacientët pa marrë parasysh cilës kombësi dhe fe i takojnë. Domethënë, çdo të mërkure aty ishte kontrolli, e kemi pasur ambullantën, motra nëpërmjet ndihmës së parë, mbështjellje me fasha, kujdesi ndaj shtypjes, sheqeri, tabletat. Kemi pasur ndihmë nga kompania kosovare farmaceutike, me ata marrëveshje dhe kontratë, dhe me Ministrinë e Shëndetësisë që mund të punojmë dhe të shpërndajmë barëra të cilat na jepnin gjithashtu prej kompanisë kosovare farmaceutike, me zotëri Lutfinë dhe Haki Ejupin.

Kështu që, e kemi pasur atë grupin e njerëzve që vepronim. Përveç tjerash, këtë e kemi bërë edhe në kohë krizash dhe kurrë nuk ka pasur, do të thotë çdo gjë ka qenë gratis, kurrë nuk ka pasur kurrfarë pagese, as deri më sot. Do të thotë, barërat që i fitonim nga ana kosovare edhe kroate, prej Plivës diku tri vite. Të gjitha nevojat që i kishim, do të thotë, ne vetëm sipas kërkesës, kështu që ne shumë, përveç fetare dhe tjetër ekonomike, Caritas, shpërndarja e ushqimit, veshjes. Tani shpejtë i kemi pasur ato… Do të thotë, atë jetën sociale shoqërore dhe fetare gjithmonë e kemi bërë në kishë. Kështu që, falë edhe dërgesave nga Gjakova, prej Kroacisë dy motra nderi, unë kam mundur t’i përfundoj edhe disa aktivitete.

Sepse unë vet nuk mund të arrij çdokund, edhe kisha edhe të gjitha, por ja po them, me ndihmën e tyre… e tani kam mbetur vetëm me një motër nderi, me motrën Ermina, e cila po sakrifikohet, i ka 82 vjet ende i viziton të sëmurit, kujdeset, i lanë, ua kontrollon shtypjen e gjakut, barërat dhe kështu. Ambullantën e kemi ndërprerë sepse më fizikisht nuk kemi mundur të durojmë sepse më vonë dy vitet e fundit të ambullantës, qe dy-tri vite si e kemi ndërprerë. Do të thotë, para katër vitesh, nuk kishte njerëz nevojtar vetëm nga Janjeva por vinin edhe prej vendeve të tjera. E pastaj ka qenë ajo çka po bëjnë ambullantat, çka po bëjnë shtëpitë e shëndetit nëse të gjithë shkojnë në kishë.

Por edhe sot motra dhe unë, sepse unë e kam bërë mjeksinë në Gjermani, merrem vesh në të. Nëse nevojitet ndonjë gjë, domethënë 24 orë barëra dhe nëse kam diçka apo më vjen nga Kroacia, ne dimë që është e nevojshme t’ju jepësh njerëzve. Domethënë, gjithçka falas. Nuk ka njeri i cili vjen në këtë derë e që kthehet pa i dhënë ndihmë, ose materiale ose mjeksore dhe kështu me radhë.

Erëmirë Krasniqi: Pra, ju keni qenë këtu kur ka vizituar Shesheli, a ju kujtohet kjo?

Don Matej Palliq: Po më kujtohet ajo ditë, pikërisht një… dentisti shoku im Ferid Koçani ka qenë tek unë dhe unë e kam përcjellur deri në qendër, atëherë fëmijët të rinjtë më thanë, “A Shesheli, Shesheli!” Thashë, “Hajt të shohim”. Unë e kam përcjellur deri tek Çarshia, sepse dikur ka qenë e pamundshme nëpër kalldërm, nëpër rrugë të keqe të vish deri tek kisha, rrallë. Njerëzit parkoheshin në qendër deri ku ka qenë asfalti. Këndej nuk kemi pasur as gurë as asfalt kështu që tani është rregulluar pak. Ne që kemi qenë vendas kemi ditur të vozisim nëpër kalldërm por njerëzit zakonisht jo. Unë po e përcillja doktor Feridin deri te qendra dhe më duket diku në dalje të Çarshisë e kam parë një grup njerëzish, masën ashtu.

Dhe më thanë që kanë shkuar pas Sheshelit. Unë personalisht nuk e kam parë. Shesheli vetëm në universitet kur ka ardhur si profesor i asociuar i Juridikut në Prishtinë i kam dëgjuar ato fjalimet e tij, këtu nuk ka thënë asgjë. Do të thotë, ka ardhur deri te stacioni i policisë i cili është në qendër, është kthyer në këmbë diku deri te dalja nga Janjeva me shoqërimin e përkrahësve të vet. Por kurrfarë fjalimi nuk e ka mbajtur, kurrfarë mitingu. por…

Erëmirë Krasniqi: Nuk ka ardhur deri te kisha?

Don Matej Palliq: Jo, jo, vetëm deri te qendra. Mua më kujtohet saktë ju thash që kam zbritur poshtë për ta përcjellur doktorin Ferid dhe pastaj kam dëgjuar. Po shoh ashtu masë njerëzish. Te unë nuk ka ndikuar por kam parë njëfarë frike te njerëzit e rinj, “Shesheli, shesheli erdhi!” Siç ka qenë zakoni i tij që do t’i masakroj kroatët, t’i bëj sallatë dhe kështu me radhë. Këtu asgjë nuk ka mbajtur, kurrfarë mitingu. Madje pak më vonë i kam pyetur njerëzit nëse ka thënë ndonjë gjë. Asgjë. Do të thotë ka ardhur por vetëm paraqitja ka qenë një stimulim i sigurt për kroatët, sepse në Kroaci ishte rrëmujë dhe ngjarjet e luftës që kishin ndodhur. Edhe nëpër Vojvodinë, edhe nëpër Bosnje në çdo vend tashmë dhe pastaj ka qenë edhe frika për këtu.

E kur krijohet paniku tek njerëzit atëherë është shumë e vështirë të përmblidhesh, ta ruash sigurinë, stabilitetin. Që unë si prift i ri atëherë, unë e kam ditur që do të mbes këtu, që do të jem deri te i fundit, sa të ketë kroat të fundit do të jem aty. Por njerëzve nuk kam mundur t’u jep atë garancion që asgjë nuk do të ndodh. Do të thotë, ka qenë e pasiguri e madhe. Dhe pastaj kur dikush më pyeste, “Çfarë të bëjmë për shpërngulje, ka filluar shpërngulja?” Thosha, “Lutuni dhe vet merrni vendim. Merruni vesh në shtëpi”. Sepse t’i jepësh dikujt garancion të rremë çfarë do të ndodh këtu, askush nuk ka ditur çfarë do të ndodh.

Kështu që, ja kjo që ka qenë. Tonët shkonin shumë, përditë dhe shkonin me konfirmim prej kishës. Domethënë, ne kemi dhënë, kolegu dhe unë, të ashtuquajturën fletë pagëzimi, do të thotë dëshmia që dikush është i pagëzuar. Kështu që, me këtë shkonin, lajmëroheshin në Kroaci, i fitonin dokumentet apo fletë kurorëzimin apo fletën familjare. Do të thotë, ne e kemi arkivin me të dhëna ku është regjistruar më herët gjithë familja, kur janë lindur, kur janë pagëzuar, kur i kanë marrë ato sakramentet tjera. Kështu që, me këto ata kanë shkuar në Kroaci, lajmëroheshin te institucionet shtëtërore dhe kishtare. I kalonin kufinjtë, një kohë ka qenë, deri ‘97-tën me atë vulën e kishës ke mundur madje ta kalosh kufirin.

Domethënë, për viza në ambasadë dhe kështu me radhë. Mendoj aty Kroacia na ka ndihmuar shumë dhe na ka mundësuar ashtu që, edhe pse ka qenë edhe në Bosnje, edhe në Kroaci edhe barikada edhe ndalesa dhe të gjitha, askush prej tonëve që janë shpërngulur nuk ka pësuar. Ne nuk kemi viktima, as në Janjevë, as në Kroaci.

Anita Susuri: E si kanë ndikuar ato shpërnguljet në atmosferën dhe njerëzit që kanë mbetur këtu dhe te ju?

Don Matej Palliq: Si, lidhur me Kroacinë?

Anita Susuri: Jo, kur kanë filluar të shkojnë që këtu.

Erëmirë Krasniqi: Ҫka u bë me Janjevën?

Don Matej Palliq: Ka qenë e tmerrshme, me panikë sepse siç po e shihni konfiguracionin, mua më kujtohet, nëna ime sa ishte ende aty ‘92-tën kur ka shkuar fqinja e parë, ajo na ka thënë, “A kijamet, u kry”. Unë i them, “Ҫka u kry nënë, i ke këto tjerat?” “Jo, këta kanë shkuar”. Domethënë kjo është një panikë, euforia e cila i ka kapluar, i ka kapluar njerëzit sepse familjet shumë antarshe, shumë djelmosha kanë shkuar, të rinjtë shkojnë, çfarë do të ndodh me të moshuarit. Nëse ndodh diçka, kush do të na mbroj, kush do të na mbroj? Sepse vet konfiguracioni i vendit po them, është dikur në një kohë, kur kanë qenë ato luftrat pa atë lloj të armës së avancuar.

Do të thotë, kanë hyrë në mënyrë strategjike, në Janjevë askush nuk ka mundur të kaloj e të mos vërehet apo të vendoset në hyrje Zhabica, e ashtuquajtura derë e Janjevës. Të vendoset roja dhe nuk ke nga. Atëherë ka qenë ndryshe çdo gjë, do të thotë ke mundur nga të gjitha anët madje edhe bombardimin, avionët, helikopterët, afrohen, kush ka mundur kë ta ndaloj. Do të thotë teknologjia dhe zhvillimi ka përparuar, kështu që është krijuar paniku dhe frika. Ka filluar gjithnjë e më pak të ketë punë, disi na kanë vendosur në disa margjina, zorrë qorre. Unë mendoj se kjo është politikisht, që nëse Millosheviqi atëherë do të kishte urdhëruar që nuk guxon të shpërngulesh, nuk do të kishim guxuar.

Megjithatë, a ka qenë ajo me plan apo si, ne nuk kemi pasur refugjatë as nga Kroacia, do të thotë refugjatë nga Krajina, ku tonët kanë qenë të vendosur ‘96-tën në Kistanje. Refugjatë ka pasur edhe në Gushtericën e Epërme dhe të Poshtme, gjithkund. Në Janjevë nuk ka pasur, kemi pasur madje edhe shumë shtëpi të zbrazëta kroate ‘95-tën, ‘96-tën, që kanë qenë të kompletuara. Askush nuk i ka vendosur, do të thotë tani, a ka qenë që të shpërngulen sistematikisht, kështu që neve këtu nga pazari na vinin shleperat përditë. Njerëzit i caktonin shleperat nesër apo pasnesër, është paketuar çdo gjë që ka mundur të nxjerret prej shtëpisë. Askush nuk e ka ndaluar këtë, policia e ka ditur, shteti e ka ditur, të gjithë e dinin. Askush nuk i dha fund asaj, por le të shkojnë.

Kështu që, bartëm gjithçka, prindërit e mi i morën të gjitha. Nëna ka lënë diçka, nëse dikush vjen që të mund të akomodohet, diçka, divane të vjetra, shtrata, shporeta, dollap dhe kështu. Por ajo që ka qenë e vlefshme, do të thotë çdo gjë që ka mundur, i mori mobiljet dhe të gjitha kanë qenë të regjistruara në një listë kështu që ata e kanë kaluar edhe kufirin me atë listën e konfirmuar. “Shko”. Tani pse, pse ajo po them, edhe politikisht është luajtur ashtu e për neve ka qenë, këtu ka pasur frikë, panikë çfarë do të ndodh me ata që mbesin. Kështu që unë nuk mund t’ju them, as këta që kanë mbetur, as unë që kam mbetur më vonë me ata, që kemi qenë aty tre, pastaj dy dhe pesë motra nderi, të gjithë kanë shkuar.

Unë kam mbetur vet, dymbëdhjetë vjet kam jetuar në këtë shtëpi të madhe. Nuk mund të them që jam hero, por nuk kam dashur t’i lë njerëzit. Do të thotë askush nuk e ka ditur se çfarë do të ndodh, a do të shkojnë të gjithë. Dhe këta njerëz që kanë mbetur këtu, nuk kanë pasur ku dhe si, kryesisht dikush ka edhe dashuri ndaj Janjevës, ndaj atdheut, shtëpisë së lindjes. Kështu që, ne sot kemi mbetur të vetmuar që jetojnë vet nëpër shtëpia ku le të themi në një rrugë ndoshta njëri vet jeton por nuk do ta braktis shtëpinë e vet. Unë këtë mund ta kuptoj kur vjen një moshë e shtyrë, është një lloj ndjenje e pronësisë edhe e imja është për pronën dhe kështu. Kështu që deri sa ka të tillë, unë gjithsesi dhe le t’ju jep Zoti shëndet, mençuri dhe forcë, unë do të jem me ta këtu deri sa janë. Dhe këtu nuk kam asnjë problem tani, falë Zotit.

Do të thotë, kjo është një, ajo që keni thënë, Janjeva është e qetë. Janjeva nga ana tjetër, vërtet do të duhej të ishte vendi më i zhvilluar sot për shkak të këtij komuniteti njerëzish. Këtu tek unë kanë qenë në vitin ‘90, në vitin 2000 në fakt, menjëherë pas bombardimeve, 52 ambasadora të KB-së. Hoxha dhe unë kemi qenë bashkë në teracë tek unë të ulur, na pyesnin, “Si mundeni?” I ndjeri Irfan, imam këtu në Janjevë, “Si mundeni bashkë?” Ne jemi përqafuar, ne takoheshim çdo dhjetë ditë, ne e kemi pasur deklaratën për paqe dhe tolerancë, që t’i thërrisnim liderët kosovarë, edhe Turqinë dhe Kroacinë që diçka të bëjnë me këtë vend.

Sidoqoftë, ne edhe sot marrim ndihmë për infrastrukturë, zhvillim, dhe supozohet se jemi një shembull i komunitetit edhe ndëretnik edhe ndër-kulturor edhe fetar. Për të qenë me të vërtetë një shembull për botën se si njerëzit mund të jenë bashkë, sepse ne nuk kishim ushtri këtu. Kishim refugjatë, unë isha duke u kujdesur për katolikët nga rajoni i Moravës, nga Prishtina që erdhën këtu gjatë bombardimeve. Hoxha është kujdesur për muslimanët, ne gjithmonë e kemi pasur një bashkëjetesë.

Erëmirë Krasniqi: E si ka qenë gjatë luftës?

Don Matej Palliq: Ne e kishim vetëm policinë gjatë bombardimeve, që aty ishte gjithmonë. Është e mundur që ka pasur forca përforcuese por i kemi vetëm dy shqiptarë që kanë pësuar. Njëri është diku mbi Janjevë, i cili ka qëlluar në roje dhe ka qenë pak nën ndikimin e alkoholit, nuk e di, është vrarë. Është edhe njëfarë Xhafa i vjetër i cili ka qenë diku mbi Janjevë nga ana e Shashkovcit ka kaluar andej, nuk i ka dëgjuar rojet ata që kanë qenë kundër zjarrit, apo çka, kundërajror. E nuk i ka dëgjuar, këtu i kemi, vetëm dy, dy vrasje, dy vdekje gjatë luftës. Do të thotë, këtu ka qenë qetë, policia ka qenë dhe vetëm një mbrëmje ka pasur panik. Ne, të gjithë ata refugjatë që ishin atje, u përpoqëm të kujdeseshim për ta dhe t’i vendosnim ata në këto shtëpi boshe Kroate. Kështu njerëzit që ishin këtu, domethënë kroatët, ata u dhanë gjithçka, edhe çarshafë, mobilje dhe enë, të gjitha në mënyrë që të mund të jetonin normalisht. Ata jetuan…

Erëmirë Krasniqi: Ata kanë qenë shqiptarë?

Don Matej Palliq: Shqiptarë, po. Edhe kroatët kanë dhënë gjithçka. Domethënë ata i kemi vendosur në shtëpi kroate. Dhe pas luftës, do të thotë kur është ndërprerë lufta, kur janë kthyer nëpër shtëpia, ata u kanë kthyer të gjitha gjërat ndershmërisht njerëzve që ua kanë dhënë ato. Edhe sot shumica vijnë dhe më falënderohen për atë kujdesin, sepse ne kemi qenë atëherë më të organizuar. Pronari i “Anijës”, restaurantit “Anij”a i cili është ende i joni, zotëri Eseti, djali i tij i ndjerë ka qenë gjithashtu pronar.

Ata të gjithëve na kanë mundësuar, do të thotë refugjatëve dhe kroatëve sasi të madhe të miellit të cilën nuk e kemi paguar as pas luftës. Kështu që, ky ka qenë një gjest i mirësisë, unë jam kujdesur për ata refugjatë, që të kenë të pakten miell, dhe ushqimet thelbësore që kemi pasur sepse kemi ndarë nga pak edhe vajin dhe sheqerin, që, që të mos jenë fëmijët e uritur sepse ka qenë kohë krize. Të gjithë e dijmë këtë.

Erëmirë Krasniqi: A ju ka kërcënuar dikush apo diçka?

Don Matej Palliq: Jo, jo, jo, jo nuk mund të them. Unë po ju them, e kam pasur atë listën e refugjatëve, unë madje kam folur atëherë me komandantin, që refugjatët nuk ka nevoj edhe nëse i sheh, t’i ndaloj, t’i maltretoj, t’i shënoj sepse unë e di cilët janë katolikë, hoxha e di cilët janë muslimanë. Kështu që, ne jemi munduar edhe unë edhe ai, i ndjeri Irfani im Bikliqi, ta mbajmë një paqe, bashkësi, dhe po them ja, është fati jonë që e kemi pasur atë mullirin, i cili edhe sot ekziston. Pronari i mullirit, i cili ka pasur grurë të vendosur në silos, që kemi pasur të paktën thelbësoren për jetë edhe miellin.

Ja, unë e falënderoj atë sigurisht, që ka qenë, është treguar i mirë kur kam shkuar pas luftës ta shoh faturën, sa duhet të paguaj dhe kështu. Pastaj ka thënë “Jo, Don Matej, falë Zotit që kemi mundur”. Dhe i ka marr ato letrat e mia, nuk e kam ditur çfarë do, të gjitha i ka shqyer, unë nuk e di as sa miell ka pasur, në sasi të madhe. I ka shqyer të gjitha dhe ka thënë, “At harroje, Zoti ka dhënë bereqet dhe falë Zotit që jemi gjallë, që kemi mundur t’i ndihmojmë ata njerëz, që askush nuk ka vdekur, as fëmija, as askush prej urisë dhe prej varfërisë”. Kështu që, këtu ka qenë mjaft mirë.

Vetëm një natë ka pasur panikë. Lart prej Shashkovcit prej asaj pjese të Janjevës kanë filluar të ikin. Ata erdhën në kopshtin e kishës, unë dola, si një lider. Nuk e di as si as çka, prej nga, kam thënë, “Nuk po shkojmë në kishë”. Sepse e para nëse ndodh, kisha e para do të bombardohet normalisht sepse është në një vend që shihet dhe dominon. Unë kam thënë, “Nuk ka problem”. Unë kisha rreth njëqind njerëz në shtëpinë time atë natë, thashë, “Të gjithë me fëmijët, futuni këtu brenda”. Tashmë kisha refugjatë që jetonin këtu, flenin nga Minca dhe Kabashi dhe nga Stuplla. Nga tre muaj kanë qenë këtu, kanë jetuar. Unë isha vetëm dhe i vendosa të gjithë këta në ato dhoma të mëdha, thash këtu e shohim çfarë po ndodh në mëngjes.

E këta që nuk kanë pasur fëmijë, pastaj ata i kemi vendosur nëpër shtëpitë përreth, ku njerëzit i kanë pranuar për fjetje. Nuk e di si ka qenë aty, sa kurajo nga ana ime por nëse, nëse dikush do ta kuptonte që aty i kemi, (qesh) që i kemi vendosur aty, mendoj që nuk do të ishte mirë. Por nuk e di, kështu ka qenë, një lëvizje e pa menduar. “Hyni të gjithë në shtëpi, fëmijët vendosni nëpër shtretër, nëpër ulëse, tavolina, kudo që mundeni. Të shohim në mëngjes”. Pastaj në mëngjes diku në ora 6:00, gjithë natën nuk kemi fjetur normalisht askush. E kam thirrë komandantin dhe e kam pyetur, “Çka ndodhi me Shashkovcin?” Dhe ai ka thënë “Jo, jo, ka kaluar, ka pasur diçka të shtëna”, thotë, “por nuk është bërë asgjë, lirisht mund të kthehen të gjithë nëpër shtëpitë e veta”.

Kështu që, ata janë falënderues edhe sot dikush thirr dhe vjen, kur vijnë nga Gjermania, Zvicra, “Ne kemi qenë te ti”, them, “Nuk kam ide se kush ka qenë”. Sepse me të vërtetë ka qenë natën shpejtë. Kur i kam parë fëmijët zbathur, pa këpucë, që janë pa tesha, përnjëherë ka filluar, unë kam thënë, “Jo, jo, ku t’i lëmë tani natën, të ngrihen”. Ka qenë muaji i katërt, kam thënë, “Në kishë jo, sepse është e madhe, do të ngriheni por po shkojmë të gjithë në shtëpi kush mundet”. E të gjithë me fëmijët, prindërit, meshkujt, të gjithë brenda e këta që kanë qenë vetëm i kemi vendosur dhe kështu që, ja kështu.

Pjesa e Katërt

Don Matej Palliq: A do ta bësh pyetjen Anita apo…

Anita Susuri: Po mund të na flisni për janjevasit dhe për traditat e tyre?

Don Matej Palliq: Po janjevasit që vijnë, gjithsesi ajo është një mbështetje e madhe për ne, përveç që kam folur për ato të përbashkëtat, për kujdesin e Kroacisë, atdheut amë për neve. Ndihmën më të madhe dhe mbështjetjen më të madhe e kemi pikërisht prej janjevasve të cilët ende, pas ‘91-tës një kohë nuk vinin, ka qenë e vështirë sepse Kroacia ka qenë e okupuar, familja, nuk kanë mundur, shkonin përmes Hungarisë. Unë kur kam shkuar t’i vizitoj familjarët e mi, atëherë është dashur përmes Vojvodinës, Hungarisë dhe të hyj atje diku, ka qenë udhëtim 18 orë. Shumica edhe janë frikësuar të vijnë, kështu që një kohë kemi qenë vetëm.

E më vonë, prej ‘96 – ‘97 kanë filluar të vijnë tani gjithnjë e më shumë, ja tani afër e kemi një festë 08.09. Dhe prej të pestit, katërtit-pestit vijnë shumë sepse me të pestin festohet Shën Nëna Terezë në katedralen e Prishtinës do të jetë festë e madhe, çdo vit është, dhe pastaj marrim pjesë në atë festë. Pastaj me të pestin e fillojmë triditëshen apo përgaditjen për të tetin në Letnicë. Kështu që vijnë shumë janjevas dhe po presim një fluks të madh të mysafirëve, madje me autobusë do të vijnë të organizuar pastaj këtu na nevojitet… dhe pastaj këtu kemi nevojë për strehim dhe darka dhe kështu. Por kjo është për neve zakon që e duam dhe që neve më shumë na jep vullnet, energji dhe fuqi të mbesim dhe të mbijetojmë në vatrat tona.

Dhe këta janë kryesisht njerëzit të cilët, shumica prej tyre, me mjetet e tyre materiale ata ndihmojnë këtë bashkësi dhe kishën. Do të thotë, kisha të mbetet dhe varrezat tona janë rregulluar dhe ata japin ndihmë financiare, e njëkohësisht kjo për neve është edhe mbështetje morale që ato ditë ta ndjejmë një lidhje familjare, bashkësinë, shumica prej tyre që as nuk kanë lindur këtu të vijnë me kënaqësi këtu. Do të thotë, kjo është diku pesë-gjashtë herë në vit ku ne edhe më shumë e ndjejmë përkrahjen e bashkësisë, të janjevasve tonë, e me këtë edhe të Kroacisë. Ja ky është një, po them një arsye që ne që jemi këtu të mbetemi, të paktën tendenca është të shkohet e nga pak edhe kjo po ndodh.

Kthim nuk ka, sepse është shumë vështirë infrastrukturalisht, ujë nuk ka, nuk kemi, ja një ditë, pikërisht kur është dashur, të hënën ta ndezim pasi që e kemi hapur bunarin dhe i kemi rregulluar të gjitha, ta ndezim, ka shkuar rryma. Kam thirrë, kam pyetur çka u bë, shtyllat elektrike janë djegur në Sushicë. Do të thotë, këtu rrjeti elektrik është në gjendje shumë të keqe dhe pak nga pak kur fryen frymë apo murmuron diku, menjëherë shkon rryma. Ne e dijmë këtë, ujë nuk kemi, në mëngjes më tregoi fqinja që kur e hapëm bunarin patëm ujë. Uji është shumë i turbullt tha, erdhi ujësjellësi dhe nuk e di pse ende vazhdon ai trendi ndaj popullsisë, ndaj popullit që jeton këtu.

Jo vetëm ndaj kroatëve, do të thotë as për bajram nuk ka pasur ujë, kanë festuar, mua më ka ardhur shumë keq që ka ndodhur ajo sepse as nuk mund t’i presësh mysafirët, nuk mundesh asgjë. Por përse është ashtu? Ai qëndrim ndaj Janjevës ende, e cila është shembull i bashkëjetesës, kultivimit të atyre traditave, ja më keni pyetur për shembull ne i kemi ato ngjarjet që e veçojnë vetëm bashkësinë kroate apo katolike me festa fetare, kishtare, kjo është disa herë në vit e njëra prej tyre është kur ne fillojmë në shkurt, varet kur janë Pashkët, kur të bie data e Pashkëve në muajin e plotë.

Pastaj para se ta fillojmë atë përgaditjen për Pashkët, 40 ditë para asaj, ajo quhet, gjithmonë është e marte, do të thotë gjithmonë është e marte. E mërkurja e pastër që është fillimi, është e mërkurja e nesërmja e së martes që të fillojmë në atë kohën pas lutjeve dhe përgaditjeve për Pashkët, të marten një ditë më parë zakonisht përgaditen krofne, petulla të ndryshme ato… Është festë e madhe atë ditë, do të thotë më parë, ka mbetur si traditë nga Kroacia ku quhet karneval apo maskenball, atë ditë përpara do të thotë çdo gjë është e lejuar që njerëzit të çmenden, të sillen si të duan, të maskohen.

Këtu zakonet kanë qenë gjithmonë, do të thotë madje po them, mendoj që e kam përmendur, dikur në kohën komuniste janë organizuar ato karnevalet nëpër gjithë fshatin. E njerëzit përgaditeshin me muaj qepnin maska, nuk ka pasur për tu blerë si sot maska të gatshme por janë qepur, janë përgaditur. Pastaj shoqëria përgaditeshin fshehurazi që të mos dijë askush, kur të dalin, askush të mos i njoh. Mua më kujtohet si i vogël, jemi veshur me të ndryshme, indian, kauboj, pastaj ato që i kemi pasur lojërat, lodrat. Pastaj burrat janë veshur kryesisht si gratë, janë grimosur, të ndryshme, që madje as nuk kanë mundur t’i njohin. Edhe si prift [janë veshur], do të thotë atë ditë çdo gjë ka qenë e lejuar.

Shkojnë nëpër fshat, shoqëria mblidhet dhe e festojnë atë ngjarje, pastaj shkojnë dhe kërkojnë nëpër shtëpia, zakonisht, ashtu të maskuar të mos i njohësh kush janë dhe vijnë para shtëpisë për të kërkuar, kjo është në Kroaci madje këndohet edhe tek ne këtu njejtë, “Karneval, karneval, sot është dita, na jepni diçka dhe dalim jashtë”. Nëse nuk i jepin asgjë, pastaj këta i shajnë, sepse nuk dihet kush çka ka thënë sepse janë të maskuar. Kështu që, zakonisht burrat janë veshur si gratë, gratë si burrat, mustaqe, grim, gjithçka, gjithçka ka qenë e lejuar. Domethënë secili është veshur ndryshe, shtriga, prostitute (qesh) gjithsesi apo kauboj apo çkado, në cigane apo ashtu, atë ditë çdo gjë lejohet. Dhe kryesisht paradite kurse pasdite masovikisht.

Pastaj pas, ne tani këtu jemi pak, pak në numër. Pastaj organizojmë këtu në shtëpinë time poshtë në sallë maskenballin dhe zgjedhjen për maskën më të bukur. Do të thotë, kemi shpërblime. Maska më e bukur, maska e dytë, e treta dhe pastaj çdo fëmijë që është i maskuar fiton ndonjë gjë. Por kryesisht tani blihen ato maskat e spiderman-it, princeshave, ku ta di ato serialet turke, me gjithçka vishen. E më parë ka qenë në Shtëpinë e Kulturës. Do të thotë në mbrëmje, kur kalohej e gjithë Janjeva, kalonin kolona të atyre të maskuarve pastaj në mbrëmje takoheshin në ballo në Janjevë dhe prapë me maska ka qenë.

Dhe njejtë është zgjedhur maska më e mirë, kështu që ja po them, ajo e martja para fillimit të agjërimit, e nesrit kur nata, natën, në ora 12:00 kur fillon e mërkurja, ndërprehet çdo gjë. Dhe fillojnë ato agjërimet ku shumë njerëz si përgaditje për Pashkët e mënjanojnë alkoholin, duhanin. E atë ditë mund të pijnë, të dehen, të tymosin dhe të gjitha. E në ora 12:00 ndërprehet ajo dhe fillon koha e atij agjërimit. Do të thotë, shumica e heqin alkoholin, mishin, cigaret, vese të ndryshme të tjera për ta mbajtur trupin e tyre në të njëjtën përulësi dhe modesti për t’u përgatitur për Pashkë.

Pastaj kur vinin Pashkët, në kishë natën kemi festë, sapo të filloj ora 12:00, pastaj të gjithë e ndezin dhe pastaj kemi prapë festë këtu në sallë tek unë, festa e Pashkëve. Pastaj pijnë, nuk kanë pirë 46 ditë, e kur fillon pastaj edhe pija, tymosja, menxi presin të fillojnë në ora 12:00. Disa vazhdojnë edhe më tutje të mos tymosin dhe të mos pijnë, kurse disa menxi presin që të fillojnë. Kështu që, këto janë zakone të kultivuara, të mira dhe kemi ne diku, edhe një zakon shumë të mirë e që më parë është kultivuar shumë është i 23-ti ku e kemi Shën Juren, e 22 prapë gjithçka është e lejuar dhe shoqëria bashkohet, takohen.

E ashtuquajtura rifana apo Shëngjergji, gjithë ditën dhe gjithë natën këndohet, pihet, dhe atë ditë është e lejuar edhe të vjedhësh. Do të thotë, ata që përgadisin mish apo çfarëdo, pastaj vijnë ata, hyn në shtëpi, vjedh ndonjë gjë, askush nuk ta ndalon. Edhe nëse të zënë, askush nuk ta ndalon. Do të thotë, ato kanë qenë shoqëri të vajzave të reja, djelmoshat dhe të ndryshëm, ngriteshin tendat jo në shtëpi por jashtë diku. Kështu që, të gjitha kodrat tona lartë kanë qenë me tenda dhe janë përgaditur shoqëritë për ato. Pastaj pihet dhe festohet deri në mëngjes. Në mëngjes ndërprehet muzika, kryesisht të gjithë flenë, shkohet me zgjim të hershëm, lahen. Është lartë një burim në Teqe, atje është varri i një dervishi. Atje kanë shkuar dhe atje kanë, janë shpërlarë, kthehen dhe fillojnë të flejnë pastaj është qetësi për gjithë ditën, atë, atë 23-tin.

Kështu që, këto janë zakonet që e kanë shënuar, që kanë qenë karakteristike vetëm për bashkësinë kroate në Janjevë, që janë kultivuar dhe edhe sot e kemi karnevalin ende. Por atë, rifanën disa takohen diku, e ndezin, pastaj kemi traditë ndezjen e zjarrit më 23.06. para Shën Ivanit. Ato janë zjarre të mëdha dhe askush nuk i ndalon, do të thotë zjarret, shoqëria ndezin zjarre, kapërcehet zjarri, pihet, festohet, piqet misri, edhe në muajin e gjashtë ka. Kështu që, kjo është diçka që ne ende e kultivojmë.

Tani pak më pak, një zjarr e ndezim vetëm ta shënojmë atë. Por po them unë po mundohem që fëmijët të mos e harrojnë, por këto tradita të jenë, diçka prej atyre janë pagane me siguri. Por, kjo po e mban këtë komunitet dhe nganjëherë e bëjmë festën, nuk është keq që të festojmë, të mos jemi gjithmonë depresiv, të munduar, me ato ndihmesa teknike por të dijmë të jemi edhe bashkë.

Erëmirë Krasniqi: Në Janjevë nuk ka pasur kurrë vjedhje? Sepse edhe nëse harronin diçka, njerëzit i kthenin…

Don Matej Palliq: Kurrë, kurrë. Po, njerëzit, sot të premten një njeri, janjevas i vjetër, ma ka sjell, ka gjetur diçka në çarshi sepse ka qenë ditë e pazarit dhe ma ka sjell, “Ja Don Mato, këtë e kam gjetur në çarshi”.

Erëmirë Krasniqi: Si është kultivuar ajo?

Don Matej Palliq: Kjo është kultivuar ashtu që në shtëpi ka qenë le të themi vetëm një digresion, ne kemi qenë njëmbëdhjetë fëmijë. Dhe po të mos na kishte rritur ashtu nëna dhe gjyshja, që nuk guxon ta prekësh diçka që është e huaja, përndryshe do të ishim njëmbëdhjetë kriminelë, po të na lejonin të vjedhnim (qesh). E do të thotë, ne kemi pasur kopshte, pemishte, vreshta. Mua nuk më kujtohet që në shtëpi nuk kemi pasur çelës. Do të thotë, kurrë nuk ka qenë e mbyllur, as dyert e oborrit, as shtëpia prej dikujt. Të gjithë kemi qenë, njerëzit kanë qenë ashtu të ndershëm dhe këtë e kanë ditur edhe ata që kanë ardhur në Janjevë, edhe tregtarët edhe shqiptarët edhe romët. Nëse diçka ka humbur, çelësin, kuletën, unazën e arit, vathin, çkado, orën, nëse e ka humbur.

Dikush nëse e ka gjetur prej kroatëve, ai e ka sjell në kishë. Kështu që ende i kam në arkiv disa çelësa, disa orë, diçka prej arit, kuleta, pa dokumente kuptohet, që i kanë gjetur, janë sjellur në kishë por pronarët nuk janë lajmëruar. Kur diçka gjindej, pastaj të dielën më lajmronin në kishë, “Janë gjetur çelësat, është gjetur kuleta. Kush është pronari, le të vjen t’i merr”. Kjo dihej edhe shqiptarët e dinin, pastaj kujt i ka humbur, nëse ka dëgjuar, sepse edhe policia e ka ditur që dikush e ka lajmruar, pastaj vinin tek ne dhe pronari i cili, poshtë në zyre e kemi zyren, poshtë lajmëroheshin. A duket ajo kuleta kështu, kështu, sa para i ke pasur, dokumente dhe kështu.

Motra ime që është më e vogël se unë, Antonija, ajo e ka gjetur një kuletë shumë shumë të madhe, e premte ka qenë. Ka kaluar diçka për të blerë në treg dhe e ka gjetur kuletën. Ka pasur franga zvicerane, më kujtohet edhe marka edhe dinarë atëherë dhe të gjitha dhe ka ardhur njeriu normalisht, e ka shitur bagëtinë dhe i ka fituar ato para në treg. Dhe normalisht që e ka humbur të gjithë jetën praktikisht, dhe ai, ajo menjëherë na ka dhënë neve kur e ka sjell, nuk e ka hapur fare. Me të për dore, dhe e ka sjell aty te prifti. Dhe të njejtën ditë vjen njeriu, në polici është lajmruar dhe kështu. Dhe pastaj e ka pyetur kolegu Nikolla atëherë, “A e ke pasur atë, atë dhe atë? Sa para i ke pasur?” “Kaq, kaq dhe kaq”, e ka ditur.

Dhe pastaj e ka nxjerr letërnjoftimin dhe thotë, “A ky je ti, urdhëro”. Pastaj ai ka thënë, “Kush e ka gjetur?” Dhe e ka thirrur nënën time, ky thotë nuk ka rëndësi, “Jo, jo ma sillni”. Dhe ai e nderoi motrën time me diçka. Nëna, “Jo, në asnjë mënyrë, kjo është detyrë e jona”. Sepse ajo nuk donte para fëmijës t’i jepet ndonjë gjë, sepse pastaj fëmiu do të mësohej. Jo, dhe pastaj kur ka dal motra, ajo ka thënë “Jo, jo nuk guxon asgjë t’i [jepësh], nuk duam asgjë. Kjo është e jotja”. “Jo, jo, unë dua t’ju nderoj me diçka”. Pastaj diçka pak i ka dhënë, nëna ka marr diçka, thotë, “Jo, ja para priftit po i marr por jo sepse është fëmijë, fëmija është i detyruar ta kthej”. Do të thotë, ne nëse e kemi gjetur një dinar, pesë para, ne është dashur ta sjellim në shtëpi e nëna thoshte, “Dërgojeni ato në kishë”.

Kështu që, për neve është çudi, unë ende nuk kam probleme këtu, ja keni dëgjuar pak më herët që më thirrën edhe kur kam jetuar vet lartë, në banjo jam, në dhomë bëj diçka. Nuk e di kush ka hyrë, shtëpia është e madhe, mund të bëj çfarë të doj, të hyj, të mos e gjej kurrë. Ende nuk kam pasur ndonjë arsye ta mbyll dhe dikush të merr. Do të thotë, kam dokumente, zyrja, shtëpia e hapur, nganjëherë ka pak para në tavolinë. Kurrë as shqiptarët, as romët, as kroatët, kurrë askush nuk më ka marr asnjë gjë. Domethënë, ka qenë rregull në Janjevë, nuk guxon të vjedhësh, mund të kërkosh, mund të marrësh. Do të thotë, rreth vreshtave tona që kanë qenë pemishte, nuk ka pasur gardhe, asgjë nuk ka pasur, vetëm kufiri poshtë. Por e kalonin, që të mos arrish deri lartë te ndonjë vreshtë e të shkosh prapë poshtë njerëzit kalonin.

Mundesh ti edhe sot ta këpusësh një arrë apo mollë apo dardhë dhe të kalosh kah rruga ta marrësh, askush nuk do të thotë gjë. Do të thotë, është ruajtur vetëm rrushi prej dëmeve të mëdha. Sot Janjeva, unë vetëm kam thënë për shtëpinë time dhe hapësirën e kishës, së fundi na kanë thyer shupën e cila është jashtë derës së hyrjes. Ajo është thyer tashmë tri herë për të marr diçka prej hekurit, bakër dhe këto, që ka kabllo të vjetra. Le t’i marrin nuk ma ndjen sepse edhe ashtu unë duhet t’i pastroj por në këtë hapësirë ende askush. Unë madje, sa herë e kam derën e kishës të hapur, shtëpinë e hapur e harrojmë unë apo motra ta mbyllim. Kush hyn i fundit, kurrë asgjë. As që kam frikë që dikush do të merr ndonjë gjë. Unë madje ju kam thënë disa herë, “Nuk duhet të bëni mëkat të vidhni. Eja – më nevojitet kjo, ja unë do ta jepi, nuk është problem, ka aty gjithçka. Çkado që të nevojitet, unë do t’ju jepi, nuk është problem. Vetëm mos bëni mëkat”.

Por i kam disa familje, sidomos familja Pacolli e cila është në nam të keq për vjedhje, të cilët janë si termitet, janë dhjetë. Ku futen, aty gjithçka e prishin dhe e shkatërrojnë. Fëmijë të pashëm, fëmijë të bukur, unë them “Pse po vjedh, eja, do të jap, pyetni”. Babain e kanë më duket hajdut dhe pastaj kështu shkon. Dhe tani të gjithë janë në gjyq, dhe në polici, të gjithë e dijmë që ata janë si termitet. Kështu që, njerëzit tani po frikësohen, sepse nuk ka pasur raste të vjedhjeve. Tani po frikësohen ta lënë shtëpinë vet, janë ata që jetojnë vet. Madje kanë filluar të futen tek ata por po i gjejmë. Nuk e dijmë çka, si t’i ndalojmë, është dashur të shpërngulen nga Janjeva diku në Obiliq e nuk kanë dashur, sepse këtu e kanë më të përshtatshme të vjedhin.

Ka shumë shtëpi të zbrazëta, të gjitha i kanë vjedhur nëpër ato shtëpitë e shkatërruara. Dhe tani është ajo frika tek ata që jetojnë vet, janë futur në dy shtëpi ku, gruaja ka qenë në kishë vitin e kaluar, nëpërmjet kulmit i kanë hyrë. E kanë thyer, e kanë hapur kulmin, kanë hyr brenda, kanë marr ca euro, diçka prej arit, i kanë gjuajtur të gjitha nëpër shtëpi, i kanë prerë kolltuqet. Kanë menduar që ka shumë ari, jeton vet, ajo është profesoreshë në shkollë. Për një orë që ka qenë në kishë, madje edhe brenda e kanë bllokuar që nëse vjen të mos mund të hyj. Kështu që, edhe ajo vet e ka thyer. E unë tani po e kuptoj, po them, “E di Sllavicë çfarë është frika, kur ke hyrë aty, kur e ke parë shtëpinë tënde ashtu”. Ajo ende jeton vet por ka frikë të shkoj diku në mbrëmje apo ta lërë vetëm shtëpinë.

Ja tani fqinja ime aty, është njëra i ka vdekur nëna, ajo është vetëm në atë rreth. Fqinja e parë, vjen në shpejtësi apo në kishë dhe kthehet shpejtë, thotë, “Nuk e di, do të ma thejnë shtëpinë”. Do të thotë, nuk është tek ne edhe tani asnjë janjevas nuk do të hyj dhe të thej apo të merr por ja ajo familja, prej tyre të gjithë kemi nga pak frikë dhe me siguri edhe dikush tjetër. Do të thotë ne, unë i kam thënë edhe komandantit, ne rregullisht Pacolli, Pacolli, Pacolli. Pacollët nuk munden vet sepse ata janë ende, fëmijë të vegjël nuk janë të rritur. Ata janë ashtu, vjedhin çka të munden, bagëtinë, pulat, dele, dhi, kuaj dhe pastaj i kthejnë. Njerëzit e dijnë që ata vjedhin pëllumba, pula pastaj shkojnë tek ata, i gjejnë të vetat, dhe jau kthejnë. Ata thonë, “Fëmijë është, çfarë t’i bëj?”

Kështu që kjo, por me siguri është edhe dikush, sepse kombin na e kanë vjedhur në janar, kanë hyrë në një shtëpi, shiheshin shenja të mëdha, në një shtëpi ku jetojnë motër e vëlla vetëm. Natën, ju kanë marr 600 e diçka euro, të gjitha dokumentet e mundshme, asaj gruas kuletën, kështu vetëm ato i kanë marr dhe disa xhaketa. Do të thotë, është edhe dikush që fshihet pas Pacollëve. E tani, aty është vështirë, ne kemi stacion shumë të dobët, përkatësisht pesë ose gjashtë oficerë policie që nuk mund t’i mbajnë tri ndërrime. Natën ka qenë vetëm një polic, dje ka qenë vetëm komandanti, gjithë ditën i vetëm, gjithë ndërrimin. Ai as nuk mund të dal në patroll as nuk mundet asgjë.

Domethënë, atë që e thash më herët, më duket që as institucionet kosovare, as shteti i Kosovës nuk brengoset për neve, të paktën kemi lajmërime. Tani, kur ndërkombëtarët ishin ende këtu, këtë vit ishte debati pikërisht këtu në këtë dhomë, që nuk ka shumë incidente në Janjevë. Unë them, “Nëse doni, ne do t’i bëjmë, atë e bëjmë lehtë por ju duhet ta mbani atë që nuk ka”. Ne kemi qenë në Komunën e Lipjanit, stacioni i policisë i fundit me incidente. Thash, “Thoni falë Zotit, prandaj sjellni më shumë policë që të zhduket edhe ajo”. Njëfarë austriaku po më shikon kështu, Tomasi, thotë, “Po ne nuk kemi por”, thotë, “ja nuk kemi”.

Ne do ta bëjmë nesër incidentin. A dëshiron pesë, dhjetë, sa dëshironi? Por ju duhet të thoni, “Falë Zotit që këta njerëz jetojnë në harmoni, që jetojnë bashkë”. Pastaj kështu, aty diku është ulur dhe kështu u ndal, “Po father Mateo…” I them “Nuk ka aty father. Nesër unë t’i bëj dhjetë incidente. A dëshironi të jemi të parët në listë, lehtë është ajo, por përse ta bëjmë këtë në vend se të jemi të drejtë”. Kështu që, ajo që është e mirë si duket edhe institucioneve të larta dhe të përgjegjshme nuk ju konvenon, por çka është e keqe duhet ta mbështesim. Krimin, drogën, duhanin, aty tashmë ka filluar droga, i kanë ato, e tymosin barin dhe ato. Unë thashë, “Kjo duhet të shtypet”. Do të thotë, lokalet ku ata takohen, ku unë e ndjej tymin dhe kur kaloj nga rruga e ndjej erën.

Ne duhet ta parandalojmë këtë, që nesër të mos kemi hajna sepse ata duhet të vijnë deri tek droga. E sa është ende në fillim, në fillim disa gjëra ne t’i sanksionojmë dhe t’i rregullojmë, apo jo. Por ja fatkeqësisht po them, kemi apeluar edhe përmes ambasadës kroate dhe përmes qeverisë kroate, edhe ish kryeministri Haradinaj ka qenë këtu, edhe presidenti Thaçi, të gjithë këta edhe Atifetja sa ka qenë, tri herë ka qenë. Do të thotë të gjithëve ju flasim për atë mirësinë, bashkësinë, për bukuritë të cilat i ka ky vend, dhe për atë bashkëjetesën bashkësinë që vazhdon ende, që këtë duhet ta mbajmë, edhe ata ta përkrahin këtë dhe ky të jetë një shembull në publik, televizion, gjithkund se si njerëzit mund të jetojnë bashkë.

Jo, po ndodh e kundërta, askush nuk shqetësohet për neve. Apelojmë, kërkojmë, unë edhe kam kërkuar që stacioni policor të paiset më mirë, po ndihmoj edhe unë sa mundem, por që të rritet numri i policëve, të zhduket krimi sepse është vend i vogël, të gjithë njihemi. Domethënë kush kalon, tani fatkeqësisht ka njerëz të rinj të cilët nuk i dijmë dhe me siguri vijnë. Dhe është vjedhur kombi, është vjedhur traktori, të vjedhura ato. Do të thotë, dikush vjen me ndihmën e vendasve të cilët i drejtojnë, “Aty duhet të vjedhësh”. E tani, që ajo të ndalohet, ne e dijmë, unë kam kërkuar dhe ka qenë disa herë dhe disa herë pa kërkesën time prej policisë sipas rregullave të tyre dihet.

Ata i kanë rregullat e veta, unë i kam të miat, por kam thënë. Sugjerimi im ka qenë që në hyrje të Janjevës të vendoset një checkpoint [anglisht – pikë kontrolli] kush vjen, pse të mos vjen, shkon e viziton familjen, shkon pak ulet në kafene në Janjevë, blen suxhuk, çkado. Por të regjistrohet kush ka ardhur, e nëse ka bërë diçka, ne e kemi të regjistruar. Do të thotë, jo kontroll i njerëzve, tani ne frikë të mbjellim por thjesht një komunikim normal nuk duhet çdo ditë, por disa herë të vendoset dhe këta hajdutët, “Aha prit, ndoshta do të jetë sonte”. Por nuk mundet një polic ta braktis stacionin, nuk guxon, është rregull e tyre. Nuk mund të dalë të patrulloj, do të thotë mund të bëj kush çfarëdo në fshat.

Dhe deri sa e thërrasim Lipjanin, deri sa vjen patrulla dhe sa herë na kanë thënë, “Patrulla është e zënë, në teren është, prisni”. E çfarë të presim, ne nuk kemi këtu vrasje, sulm ndaj personave, Janjeva është vend i lirë. Do të thotë mund të shëtiten njerëzit në dy apo tre të natës, askush askënd nuk do ta sulmoj. Por te ato vjedhjet dhe thyerjet kurrë nuk mund ta dish çfarë ka me vete hajni. Do të thotë, ka rrezik, po të më vinte në shtëpi unë mendoj se do të ikja, merr vjedh, vetëm të mos më godas, të mos më lëndoj. Çfarë do t’i bëj unë…

Erëmirë Krasniqi: Në të kaluarën e keni pasur atë zakon [i drejtohet intervistuesit] ta derdhin ujin?

Anita Susuri: Po, të pastrohen rrugët kur kalon prifti?

Don Matej Palliq: Po, dhe të shtunën pastroheshin, ka qenë zakon që të shtunën të pastrohet gjithçka. Madje nëna ime ka mbetur vetëm me babain, por çdo të shtune, edhe pse ka qenë e vjetër dhe nuk ka pasur ujë, ajo është dashur ta pastroj rrugën. Deri ku është e jona dihej kufiri. E tani nëse kjo tjetra nuk e pastron, fqinja do të thotë [pjesa]e saj mbetet e pistë e nesër njerzit shkojnë në meshë. Shkojnë në kishë apo për ta vizituar njëri-tjetrin, do të thotë edhe ky ka qenë një zakon le të themi vajza ku ka qenë e martuar, ajo të dielën pasdite, pas drekës në shtëpinë ku është martuar, pasdite shkon t’i vizitoj prindërit e saj dhe familjen e saj.

Kështu që, nëse pasdite kalohet apo nga kisha kthehen njerëzit apo nga kafeneja, kanë kaluar e rruga ka qenë e pistë, sokaku i ashtuquajtur, ne e quanim sakak. Nëse është i pistë, u turp, do të thotë gruaja nuk është punëtore, shtëpitë kanë qenë të pastërta, të rregullta. Do të thotë, pa marrë parasysh dhe nuk kemi pasur ujë në Janjevë, sikurse sot. Nuk ka pasur ujë, sidomos verës, por rrugët kanë qenë të pastërta, shtëpitë kanë qenë të pastërta, sepse të dielën shkohej në meshë. Dhe mos dhashtë Zoti të jetë diçka e pistë. Kështu që, Janjeva ka qenë shumë e pastërt. Unë sot kam pritur, një ditë ka rënë shi natën por po pres kur bie shi, pak të laget dhe çuditem kur kaloj, sidomos në disa vende ku po e shoh që edhe shqiptarët jetojnë aty.

Përpara asaj kthese, pranë kubeve, shkurret, bari, askush nuk dëshiron t’i pastroj. Atë nëna ime apo cilado janjevase atëherë, do të thotë meshkujt nuk pastronin, gratë pastronin. Për gruan është turp nëse mashkulli del i pistë nga shtëpia. Më kujtohet edhe kur kam qenë prift këtu ‘90-tën – ‘92-tën. Sa ka qenë nëna, nganjëherë nëpër baltë kur shkoja poshtë, shkelja diku në baltë, i lë këpucët jashtë shtëpisë, nuk ka këpucë brenda shtëpisë. Aty janë çilimët, tepihët, mos dhashtë Zoti. Dhe unë dathem para shtëpisë, kur ka dal ajo, më shërben, del. Kur kthehem, këpucët i kam të pastërta. Shumica janë çuditur, që në Janjevë mysafirët gjithmonë i kanë pasur këpucët e rregulluara dhe të pastërta, të lara, do të thotë kështu ka qenë ky zakoni.

Të mos dilet nga shtëpia, unë i them, “Nënë, po unë prapë do të shkoj deri lartë”. Ajo thotë, “Jo, baltë e thatë”. Do të thotë, meshkujt kanë qenë zotëri, që nuk ka qenë mirë, asgjë nuk kanë prekur, por kur del mashkulli do të thotë ai është pasqyrë se çfarë është amvisja. Edhe fëmija, edhe mashkulli, bashkëshorti, duhet të dal i rregulluar, i veshur, të gjitha dhe të shihet kur hyhet në shtëpi, që oborri është i pastër, që shtëpitë janë të pastërta. Kështu që, janjevaset janë gra shumë pedante, shumë të rregulluara dhe të pastërta, edhe rrugët gjithashtu. Do të thotë kjo është dashur, që dikush të mos kaloj e të thotë, “Çfarë amvise është kjo? Nuk është amvise”. Do të thotë kurrfarë gruaje.

E tani është e kundërta, dhe një ditë një grua poshtë rrugës, te çarshia kah fundi, thotë ajo, “Kurrë nuk ka qenë [më lehtë]”. Është e shtruar me kubëza, do të thotë shumë më lehtë është të mirëmbahet sepse më herët ka qenë dheu, balta, kalldërma, një gurë del e nëna e kthen në vend apo kushdo. Duhet ta vendosësh në vend, sot është shumë më lehtë, janë kubëzat. Tani e kam organizuar traktorin që ata ta pastrojnë këtë, pak më herët erdhi. Të pastrohet oborri dhe e mirëmbaj unë vetëm sa mundem këtë rreth, një ditë kam shkuar poshtë, i kam këputur ato që janë rritur, gjembat, i mblodha mbeturinat. E më shikojnë dhe çuditen “Don Matej, çfarë po bën?” “Ju po gjuani, unë po pastroj”. “Po prapë do të gjuajnë”. Them, “Nuk do të ketë kaq”.

Kështu që, disa herë i kam organizuar ato aksionet, por nuk ka gjë. Madje edhe ambasadori norvegjez, disa herë bashkë, ish. I tashmi është ky drejtori i OSCE-së, Jan Bratu, kemi organizuar pastrim “Cleaning Janjevo” por kujt, ata prapë po gjuajnë. Mua më duket interesante, hajnë smoki, e gjuan kanaçen, gjuajnë, ju them, “Pse po gjuani?” Kështu është, një lloj tradite dhe tani po mundohem t’i edukoj fëmijët, e kam vendosur një kovë në oborr. Sa herë që ju jap diçka, akullore, keks, ushtria kroate na i sjell ato kanaçet, ato shishet me ujë. “Ja ku e ke atje, nuk e ke problem ti bësh katër hapa, dhjetë, pesëmbëdhjetë, njëzet, vetëm gjuaje atje në kovë”.

Pastaj i djegim por ashtu ndonjëherë edhe përmi gardh kur ka aty. Uh gjithmonë, gjithmonë mbledhi mbeturina, unë jam bërë kompani komunale (qesh). Tani po pres të bie shi e të lagen ato pak rreth rrugës, të marr lopata dhe me ata fëmijët të fillojmë t’i pastrojmë të gjitha. Sepse është turp, të gjithë po presin diçka, dikush tjetër, e çfarë po bën Komuna, po nëse nuk është Komuna hajde pra ne [ta pastrojmë]. E jona është, kurrë nuk ka qenë pyetje, prandaj po them. Janjeva ka qenë e pastër sepse nuk është pyetur, e imja është, unë duhet të kujdesem. Komunale kemi edhe sot, kemi mbledhjen e mbeturinave.

Njerëzit nuk dëshirojnë t’i paguajnë mbeturinat tri-katër euro, katër euro në muaj, dy herë. E kemi atë kamionin e bukur të vogël, i cili mund të kaloj nëpër të gjitha rrugët sepse Janjeva është, i ka rrugët e ngushta. Tre punëtorë janë, pastaj unë kam nënshkruar marrëveshje, e kam sjell marrëveshjen nga Komuna ta nënshkruajnë për mujore. E mërkurë, e shtunë, shkon kamioni dhe i mbledh mbeturinat, e çfarë dëshiron tjetër por po të vjen njeriu, ai duhet ta merr rrogën, mbeturinat dhe ndotjen po ta merr. Jo, nuk dëshirojnë të paguajnë, as katër euro sepse nuk ka dënim. Dhe unë para dy vitesh e kam dhënë atë propozim në Komunë, kush hedh mbeturina unë do ta lajmëroj ose dikush kush e ka parë apo policia, ta lajmërojnë dhe 50 euro.

[Intervista ndërprehet]

Erëmirë Krasniqi: E rreth atij çilimit e keni përmendur atë, a e kanë punuar gratë?

Don Matej Palliq: Po gratë kanë punuar, gratë kanë punuar çilima, gratë kanë punuar boshqe, gratë kanë punuar me arna të ndryshme dhe ato vendoseshin, kryesisht arnat kanë qenë të ngushta, ato kanë qenë shtigje të gjata me ngjyra të ndyshme, me shumë arna dhe këto vendoseshin kryesisht nëpër holle apo mbi shtigje. E çilimat janë punuar ata të mëdhenjtë apo janë blerë çilimat prizrenas apo mendoj të pazarit, ata me ngjyra. Dhe këto i vendosnin dikur, deri sa nuk kanë ardhur tepihët. Por edhe sot kemi disa, disa familje që i vendosin ende ato shtigjet prej arnave, të cilat janë kualitet. Ato janë laj-shpërlaj, asgjë, kështu që ne i kemi pasur kryesisht ato.

Dhe jemi kujdesur që të mos ndyhen, të mos shkelen ka qenë për shembull zakon që edhe pse në mbrëmje nuk hidheshin mbeturinat, as nuk hidheshin ato që kanë mbetur nga darka, jo t’i hedhin jashtë, por i kanë mbajtur në dhomë. Në mëngjes të mos, në mëngjes bën, por në mbrëmje kemi qenë zakonisht nëpër shtëpia dhe jashtë nuk hedhnin, që të mos del gruaja e re e cila ka lindur nuk guxonte të dilte jashtë dhe kështu. Të gjitha këto kanë qenë disa zakone, unë mendoj të mira dhe kam shkruajtur për ato duke dashur që nënën janjevase e cila ka lindur, ka pasur sens pa kurrfarë kushte të mëdha për jetë por ka qenë e durueshme edhe në rritjen e fëmijëve edhe në ritualin ditor edhe në atë javor dhe mujor.

Gjithçka që është dashur, të gjitha janë bërë me respektimin e vjehrrit dhe të vjehrres dhe bashkëshortit, apo burrit, aty e kishte ujin, të rregulluar, aty e ka gotën, aty i ka të gjitha. Thotë, “Grua më jep ujë”. (qesh) Kështu që meshkujt kanë qenë të tillë, unë nuk kam mundur ta kuptoj këtë më vonë kur kam ardhur, e shoh kur hyj apo disa herë me të njejtit njerëz rri ulur, kur hyj apo dal, kthehem, gratë ngriten. “Çfarë po bëni?” “Ah mashkull”. Ju them, “Harrone këtë”. Do të thotë, ka qenë një sistem patriarkal, që meshkujt janë kënaqur me këtë. Ai ka mundur edhe të pij edhe të bëj çfarë të dojë por kurrë asgjë nuk ka prekur. Gratë i kanë gëlqerosur shtëpitë, gratë të gjitha i kanë bërë gratë, e bashkëshorti punonte në mënyrë që të sigronte jetesën.

Do të thotë, këta kanë qenë burrat tonë, baballarët të cilët kanë qenë jashtë kryesisht larg familjeve të veta dhe kjo respektohej. Ai fiton dhe duhet ta respektojmë babain sepse babai na sjell për të ngrënë. Nëna jonë, më kujtohet gjithnjë ka thënë, “Jeni krenar”, thoshte “babai nuk ka sjell miell apo ushqim tek fqinjtë por tek ne në shtëpi. Atë që e kemi, me atë duhet të jeni të kënaqur”. Kështu që kjo ka qenë diçka e madhe dhe unë qëmoti e kam filluar librin “Nëna janjevase” t’i lartësoj pak ato gratë e paarsimuara por që kanë pasur shpirt të madh, shumë kuptim për jetën dhe mirëkuptim dhe durim. Do të thotë, i kanë respektuar duke filluar nga bashkëshorti, vjehrri, vjehrra, kunati, kunatat, të gjitha, të gjitha ato, të gjitha nusja duhet t’i duroj dhe t’i bart.

Erëmirë Krasniqi: Ju pyeta për çilimat sepse kur i shikoja ato fotografitë nga e kaluara, i kanë çilimat mbrapa [si dekor].

Don Matej Palliq: Mbrapa, kur janë fotografuar patjetër, që të mos dalin qerpiçët. Qerpiçët apo diçka, por vendoseshin çilimat dhe pastaj duart kështu {e tregon pozën} dhe kjo ka qenë, fotografohen, ka qenë diçka e madhe fotografimi. Por tonët, ajo është një krenari, të tonët qëmoti por ende e kemi, në Bullgari kemi pasur bashkësi të madhe. Do të thotë në fund të shekullit XIX, XVII, në fillim të XIX-tit tonët emigrojnë në Bullgari, në Sofje, Smolian dhe Plovdiv dhe atje ka ende edhe sot bashkësi të mëdha, kroatët të cilët janë të vetmit që ende e mbajnë bashkësinë, janjevasit. Disa janë shpërngulur për Kroaci, unë i kam vizituar në vitin ‘96, pastaj jo më.

Do të thotë, ata janë kroatët që kanë shkuar prej këtu për shkak të arit, puna, biznesi, kështu. Atëherë tonët prej këtu, familja e tyre le të themi nënat, baballarët dhe kështu i kanë pasur disa leje franceze si pasaporta sepse Bullgaria atëherë siç duket ka qenë nën atë. Ku kemi, gjyshi im e ka pasur dhe i shkruante “kroat”. Dhe do të thotë që atëherë ata kanë udhëtuar shumë, madje deri në Moskë. Shkonin në Argjentinë, në Amerikë kemi qenë, në Titanik është dashur të jenë dy prej tonëve, njëri Ivkiq dhe një tjetër Berishiq. Të hypin, i kanë pasur biletat, mirëpo nuk kanë arritur deri në Itali dhe pastaj nuk, nuk kanë mundur të hipin. Por përndryshe i kanë pasur biletat, ende ekzistojnë ato bileta tek njëri nip Pera, i atij Tune Ivkiqit, bileta për Titanik që është dashur të shkoj.

Stërgjyshi im, gjyshi i nënës, ai ka qenë në Amerikë edhe vëllau dhe kështu, ata janë, i kemi madje edhe varret aty ku kanë jetuar, tonët ku janë varrosur dhe shkruan në kroatisht. Tek varret i kemi përmendoret që janë dërguar nga Amerika në atë kohë me anije, me muaj, përmendore nga Amerika e cili ka ardhur aty për gruan, për nënën, babain, kështu. Kështu që, në shekullin e XVIII-të dhe XIX-të të shumtë kanë shkuar atje, i kemi dy bashkësi kroate atje në Amerikë, pikërisht janjevase. Fëmijët e tyre tani pak flasin, thërrasin ndonjëherë dhe kështu tani me internet është e mundshme gjithçka që të kontaktojmë, pastaj po ju kthehen edhe familjes po i kërkojnë rrënjët, librat këtu. Kështu që, edhe atëherë, kemi dokumente ku të shumtë prej atëherë janë regjistruar si kroatë, besimtar kishtar Shën Nikola dhe kështu me radhë, udhëtonin nëpër botë.

Domethënë, ka qenë shumë e zhvilluar por sepse kanë qenë të mençur, të zgjuar, kanë ditur. Stërgjyshi im ka jetuar atje, gruaja i ka vdekur këtu, ka mbetur gjyshi im Bashko. Atij njëri që ka shkuar shpesh për Amerikë, ai e gjen një grua prej këtu, dhe e pyet, “Marija, a dëshiron të martohesh për Kolën? Ai është në Amerikë, e ka një djalë këtu”. Ajo thotë, “Dua”. Dhe ai e merr, nuk e di, ajo e din që ai Kola, Nikola Macukiq është atje dhe ajo niset me atë njeriun me anije dhe kanë udhëtuar tri javë. Dhe vjen në Amerikë e merr atë njeriun [Kolën] dhe atje u lind xhaxhai i nënës sime Marko. Ata kthehen të gjithë në Janjevë dhe më vonë u lindën edhe tre-katër fëmijë këtu. Dhe këtu jetuan por asgjë nuk ishte në pyetje, a e do Kolën? E du! Ulu në anije, ai ta paguan biletën, ajo vjen atje dhe ata martohen dhe kurorëzohen në Amerikë dhe kështu (qesh).

Erëmirë Krasniqi: Si kanë qenë dasmat këtu?

Don Matej Palliq: Dasmat, shumë të mëdha, domethënëse, të dielën. Të dielën dasmat, asesi ditëve të tjera, të dielën dhe të hënën, do të thotë dy ditë ka zgjatur dasma. Paradite ata kurorëzoheshin patjetër në kishë, të premten martoheshin në Komunë, kështu ka qenë. Tri ditë përpara vijnë në kishë të porsamartuarit për këshilla martesore dhe kështu është. Eshtë ditur që duhet ta bëjnë këtë, pastaj kurorëzohet të premten në Komunë, të dielën martohen në kishë në ora nëntë. Pastaj secili kthehet në shtëpi të vet, pastaj dërgohen dhuratat, dhurata për të porsamartuarit. Në ora 14:00 nisen prej shtëpisë së dhëndrrit, prej shtëpisë së dhëndërrit shkojnë te nusja pastaj i jepen dhuratat nuses, dhe atje bëhet një festë lamtumirëse nga shtëpia. Kështu familja e saj, pastaj ajo vjen te… dasma vazhdon te dhëndërri.

Erëmirë Krasniqi: A ka ndonjë traditë që është kultivuar vetëm në Janjevë?

Don Matej Palliq: Vetëm në Janjevë? Po, po, po, tradita të mëdha. Ka qenë për shembull i veçantë dashi, atëherë tani jo, dashit i janë vendosur mollat e kur vinin për ta marr nusen, pastaj e nxjerrnin një nuse tjetër pastaj ai pyet, “Nuk është ajo, unë e kam këtë”. Pastaj deri sa nxirret ato janë uratat e veçanta të prindërve, e këtë ende e kultivojnë tonët në Zagreb, që prindërit, nëna dhe babai e bekojnë nusen që të mund të martohet. Pastaj kanë qenë këngët e veçanta dhe vajzat që janë familjarisht të lidhura me të apo shoqet, ato të gjitha mblidhen dhe pastaj shkojnë pas saj. Praktikisht prindërit e bekojnë, pastaj vijnë ato vajzat, gocat, shoqet dhe familja edhe ata e jepin.

E para kësaj kemi mjaft zakone. Derisa ata fejohen, fejohen pastaj kjo bëhet të enjten, ngjyrimi dhe kështu. Ato janë zakone të mëdha. Vëllau im ka provuar diçka të tillë në Zagreb kur është martuar me nusen, të bëj diçka e diçka ja kemi arritur por unë kam shkruar diçka për këtë, dhe do të doja që prapë të kthejnë ndonjë gjë. Kjo nuk është vetëm traditë por është më shumë shoqërim dhe njohje me familjen. Prej dhëndrrit shkojnë tek vajza, dhurojnë, sjellin dhurata, kush çka e gjithë familja pastaj ajo e përgaditë një valixhe të madhe, pastaj dhuratat për familjen e tij. Pastaj ai i sjell dhe ato tregohen, pastaj gratë shikojnë çka kujt i ka dhënë dhe si.

Do të thotë, janë përgaditje për ato dasmat dhe dhuratat, duhet të përgaditen edhe paratë. Domethënë, nuk ka shkuar aq shpejtë sikur sot, tani dëshirojmë të martohemi, po martohemi. Jo, por është ditur se çka përgaditet. Kështu që, ka pasur raste kur ato përgaditjet bëhen, gjyshet kur nuk janë të kënaqura që ka shkuar te ky, kjo për këtë, pastaj gjyshet përziheshin. Pastaj gjenin, pastaj djemve ju dukej interesante ajo vajza e cila është përgaditur për martesë. Dëgjohej, të gjithë njihemi, pastaj bëhet interesante për djemtë. Pastaj thonë, “Ku ka qenë më herët?” Por kur përgaditet për martesë atëherë është interesante. Atëherë gratë përzihen kështu që ka qenë, dihej edhe më herët por vinte deri te fejesa apo fejoheshin, bëhet interesante për dikë tjetër, atëherë e prishin atë fejesën dhe marrveshjen.

Por e gjithë kjo shkonte përmes kishës. Do të thotë, nëse janë fejuar, atëherë është dashur të vijnë këtu të ndahen pastaj t’i kthejnë ato gjërat, dhuratat dhe kështu. Ceremoni e madhe, por domethënëse, e mirë më shumë për shkak të njohjes. Pastaj kur nusja vinte në shtëpi duhej të kishte para në këpucë, pastaj kunati më i vogël apo kushdo prej meshkujve duhet të ngritet me karrige, pastaj vjehrrën e ngrisin në karrige pastaj ajo jep para. Ja puth dorën secilit dhe secili ka para. Domethënë përgaditen dhe ka shumë hargjime sepse secilit që ia puth dorën duhet të ketë para brenda dhe t’ia jep. Pastaj aty mblidhen para ohoho, kështu që dasmat kanë qenë interesante.

Erëmirë Krasniqi: Don Matej, a keni edhe diçka për fund, diçka që ne nuk ju kemi pyetur por do të ishte mirë që…

Don Matej Palliq: Po nuk e di çka, ka pasur shumë gjëra interesante rreth Janjevës lidhur me ato zakonet dhe këngët prizrenase. Le të themi ne nuk e kemi folklorin tonë, e kemi kryesisht të mbledhur prej atyre ndikimeve të ndryshme të vendasve prej këtu. Kështu që dikush, njerëzit çuditen si i këndojmë ne të gjitha këngët, do të thotë maqedonase, dalmatine, kosovare, prizrenase. Unë i kam mbledhur disa poezi e do të shohim tani t’i bëjmë këngë disa. I kemi disa muzikantë tonë në Kroaci që do të mund të bënin diçka. Do të thotë e kemi një ritëm me shtatë takte dhe vallëzim dhe dasma dhe valle kryesisht luajmë, nuk e kemi atë vallëzimin kroat apo ku ta di, vallcerin, por kemi kryesisht valle.

Dhe kjo ende kultivohet tek ne sepse e kemi atë melosin lindor-bizantin në vesh dhe ne këndojmë shumë, kemi këndim shumë të lartë. Të gjithë jemi kryesisht të talentuar për muzikë, do të thotë rrallë ndonjë janjevas që nuk këndon, e tani unë mendoj që është për shkak të konfiguracionit, klima, ajri, ne jemi 740 metër në lartësi bregdetare kisha. Dhe aty është një qarkullon një, qarkullon nëpër luginë, nëpër atë vend, atëherë ajri që qarkullon këtu na jep një fonetikë dhe pastërti të zërit. Kështu që, ne shumë këndojmë, shumë edhe flasim, shumë shpejtë, me lartësi të zërit që është interesante për këtë klimë.

E tani e gjithë kjo do të duhej të filloj të kultivohet dhe të ruhet sepse fatkeqsisht shumë gjëra ne nuk i kemi në formë të shkruar. Kemi fotografi por nuk e kemi të shkruar. Pse? Askush nuk ka shkruar, kemi konsideruar që këtu do të jemi gjithmonë dhe atëherë ajo u transmetua gojarisht, nga brezi në brez. Kështu që shumë njerëz e dinë akoma, unë disa i regjistrova por duhet të bëj edhe diçka në mënyrë që t’i ruaj ato të dhëna. Këtë që po e bëni ju e që në fakt do të duhej ta bënim ne vetë, sepse kjo monografia është një pjesë, kronologjikisht nuk është e rregulluar por është punuar shumë në të. Ai profesori jonë Çollak i cili ka qenë në Padova, ai mblidhte material. Por…

Erëmirë Krasniqi: Ai ka qenë prej këtu?

Don Matej Palliq: Ai ka qenë nga Janjeva. Por ka pasur diçka prej materialit, vajza e saj kur ka vdekur ai ia ka dhënë Fakultetit Filozofik kroat, dega e gjuhësisë. Nuk e di pse nuk ka lejuar që ajo të publikohet, megjithatë, po ju them ai biznesi dhe të gjitha ato që kanë ndodhur këto 40 vite të fundit, 30-40 edhe shpërngulja dhe të gjitha, siç duket ne edhe kemi harruar se çka është e vlefshme. Atëherë ka qenë shqetësimi ku do të shkoj, çka do të bëj, si, problem i ekzistencës, kujt ja ka ndier për atë jetën materiale dhe praktikisht për vatrën dhe familjen, disi kemi harruar shumë gjëra. Kështu që mendoj se, ja tani do të vijnë për Zonjën e Vogël1 tani në këtë të tetin-nëntin [muaj] kemi filluar t’i rishikojmë përmes një këndvështrimi kulturor t’i zgjojmë disa njerëz dhe të shohim çfarë po mbajnë nëpër shtëpia. Disi t’i mledhim ato në një vend, ndonjë ndërtim dhe do të mund ta formonim pak edhe muzeun edhe kulturën, të shkruhet ajo, të jepet të dihet se kush jemi, çka jemi dhe çka ka qenë e vlefshme dhe e mirë këtu.

Erëmirë Krasniqi: Ju faleminderit shumë.

Don Matej Palliq: Falemnderit edhe juve për përpjekjen, kur të del diçka, më lajmëroni të di çfarë më tutje, të di çfarë të bëj më tutje.


1 Festë e krishterë e cila shënon ditëlindjen e Shën Marisë së Virgjër.

Download PDF