Ndërsa këtë aktivitetin në ‘Agimi’ unë e trajtoj sikur… sikur një dhuratë për kombin diçka që është shpirtërore dhe që është ndoshta kashta e fundit për të cilën unë jam kapë, jo vetëm unë por edhe të tjerët. Është një dhuratë edhe për kombin, një dhuratë për qytetin, por është një përfitim shumë i madh se unë kam marrë shumë dashuri prej atij aktiviteti, unë kam marrë shumë lavde prej atyne aktiviteteve. Unë jam shumë e sigurtë që njerëzit janë të vetëdijshëm që unë, unë e kam dhanë shpirtin për një ngjarje të tillë dhe jo vetëm unë. Unë kam qenë aty pse të gjithë të tjerët kanë qenë aty. Ne të gjithë e kemi deshtë atë punë, ne të gjithë e kemi deshtë atë aktivitet. Nuk muj me thanë që njëra ka ndiku në tjetrën, por muj me thanë që asnjëra pa tjetrën s’ka mund të bëjë. ‘Agimi’ është Indira njeri, piano është Indira profesion edhe pse… si brenda njërës si brenda tjetrës… nuk ka art pa ia dhanë zemrën.
Indira Çipa u lind më 14 korrik, 1962 në Prizren. Studioi Muzikën, sekcioni i pianos në Universitetin e Prishtinës. Për një kohë punoi si moderatore në Televizionin e Prishtinës. Më pas vazhdoi studimet e magjistraturës në Universitetin Sveti Kiril-Metodij në Shkup, Maqedoni Veriore. Gjatë viteve 1990-1996 ishte pjesë e Shoqërisë Kulturore Artistike “Agimi”, ku kontriboi me recitale pianistike. Ndërsa, nga viti 1997- 2004 punoi në Universitetin e Tetovës si profesoreshë e pianos. Sot, Çipa ka marrë titullin Doktor në fushën e Studimit të Krijimtarisë dhe Performimit Pianistik. Znj. Çipa poashtu ushtron profesionin si tutore e pianos.