Secili frikësohet nga e panjohura. Virusi është ende i panjohur

Nga Mirjeta Qehaja

Prej kur kom qenë në Fakultet të Arteve, unë banoj në Prishtinë. Kur përfundova fakultetin u kyça me punë në organizatën “Roma Veristas Kosova”, dhe për shkak të punës kom vazhdu me qëndru në Prishtinë. Por, kur filloi mbyllja si masë parandaluese e COVID—19, unë kisha ardhë vetëm për dy ditë në fundjavë te familja në shpi në Gjakovë. Por, meqenëse punojshim nga shtëpia, qëndrova për dy muj këtu.

Ne të rinjtë jemi msu me pasë një jetë ma aktive me punë, fakultet, me dalë me shoqni. Me u mbyllë përnjiherë në shpi ka qenë interesant, pak zymtë por edhe kjo i ka pasë anët e veta pozitive. Për shembull, ma përpara një herë në dy javë m’ka ra me shku në Gjakovë, por kur erdha këtë herë në shpi ke ma interesant se jemi afru mes veti ma shumë, kom pasë mundësi me kalu ma shumë kohë me familje dhe kjo ka qenë ana pozitive.

Ndërkohë kom mendu për projekte dhe si mundem me i ndihmu njerëzit e varfun. Do të thotë, ne i kemi shpijat, kemi ku me jetu. Po apelohet me qëndru në shpi edhe ne po qëndrojmë në shpi, por në anën tjetër çka me bo për njerëz që nuk kanë shpi, që jetojnë prej kanaqeve dhe patjetër u duhet me dalë? Kështu që, ne e kemi bo një projekt, kemi rialoku buxhetin e aktiviteteve për me përgaditë pako ushqimore edhe me ua shpërnda njerëzve.

Kjo është e vetmja arsye pse kom dalë jashtë shpisë. Këto dalje i kom bo vetëm në fazën parapërgaditore dhe në momentin kur kemi dalë me i shpërnda pakot. Zakonisht në zyrë e kemi orarin tetë orësh, por kur punon prej shpisë nuk e ki kohën e limitume dhe shumë ma shumë i përkushtohesh punës. Shumë ma shumë kohë më ka marrë puna, sesa kur kom qenë në zyre. Ky ka qenë ndryshim i madh.

Secili njeri frikësohet prej të panjohurës. COVID—19 ka qenë edhe ende është i panjohur për neve. Edhe pse kaluan dy muj, tash jemi tu e kuptu si diçka shumë ma normale edhe pse tash është situata shumë ma e keqe sesa në fillim. Kjo është shqetësuse, por në anën tjetër na si familje e kemi përjetu shumë randë. Jemi frikësu shumë sepse është diçka e re, është e panjohur edhe na duhemi me pasë shumë kujdes.

Për shembull, vetëm vëllau është ai që ka dalë jashtë për me ble gjana ushqimore, edhe ai ka pasë shumë kujdes. Askush nga familjarët tjerë nuk ka dalë për dy muj. Përgjithësisht, vllau është shumë ma i kujdesshëm sesa ne për këto gjana. Ai është kujdesë shumë me i pastru produktet dhe paketimet para se me i përdorë, pra janë pastru të gjitha kur i kemi marrë brenda në shpi. Kemi qenë mjaft të kujdesshëm.

Gjatë kësaj kohe nuk na ka ra me dalë jashtë edhe informatat i kemi marrë vetëm përmes internetit. Ka pasë shumë gjana interesante që ende janë t’u vazhdu. Edhe pse, për një kohë na mendum që u rregullu situata edhe u hapëm përnjëherë me idenë që, “Okej, u rregullu situata. Përfundoi pandemia”. Edhe unë u ktheva në Prishtinë, fillova me punën në zyre, ashtu siç ka qenë dikur. Por, përnjëherë është kthy si boomerang edhe shumë ma keq tash.

Sa ishim të mbyllun në shpi, unë çdo mëngjes kom pasë mbledhje të stafit. Kom fillu ditën me mbledhje në orën 10:00, me t’u diskutuar aktivitetet, menjëherë kom fillu me punë. Unë ma shumë kom qenë e mbyllun në dhomën time, aty merresha me punët e organizatës. Gati krejt ditën isha në dhomë edhe jashtë dhomës kom dalë vetëm me hangër bukë edhe jom fut prapë brenda. Në mbramje jemi mbledhë krejt familja, kemi kqyrë filma ose e kemi pasë ndonji aktivitet tjetër bashkë.

Në anën tjetër, babi edhe vllau e kanë një dugojë që punojnë kauqa. Ndërkohë ka ardhë edhe ndonji kauq me u punu ose diçka edhe ata e kanë punu në oborr, nuk kanë dalë as në dugojë me punu. Masandej edhe puna filloi me u ndalë edhe nuk ka pasë punë për një kohë. Të gjithë ishin të papunë. Unë kom qenë e vetmja në familje që kom pasë punë. Fatmirësisht, puna në organizatë ka qenë lehtë e transferueshme online, përndryshe puna me kauqa u ndal. Ne ishim mbyllë brenda.

Sa i përket roleve gjinore, na nuk kemi ndonjë hierarki në familje. Jemi një familje që konsideron që secili i gëzon të drejtat e barabarta. Kështu që, pandemia nuk është që ka ndiku shumë në rolet tona. Raportet brenda familjes kanë mbetë të njëjta, siç i kemi pasë gjithmonë. Nuk ka pasë ndonjë situatë acaruese të llojit, “Ky po e bon një punë edhe tjetri jo”. Këto probleme nuk i kemi pasë. Çdo gjë ka qenë normale, secili i kemi kry punët aq sa kemi mundur.

Në ato dy muajt e parë të pandemisë nuk kom pikturu shumë, pasi që i kom pasë punët e organizatës. Edhe pse nuk duhet me gjetë arsyetime, sepse artisti gjithë duhet me qenë aktiv edhe duhet me punu, por nuk e di pse jom mbyllë edhe unë në këtë aspekt. Mbyllja ka ndiku shumë edhe në anën psikologjike dhe emocionale, dhe nuk kom pasë inspirim që, “Okej, po boj diçka”. Por tash së dyti kur erdha prej Prishtinës mora mësim prej herës së parë edhe e krijova ambientin e punës.

Pandemia ka qenë veçanërisht më e vështirë për komuniteti egjiptian. Në organizatë punojmë me studentë të komuniteteve rom, ashkali edhe egjiptian, kur filloi pandemia dhe kur rialokuam buxhetin, na mendum që, “Okej, na kena me i ndihmu njerëzit që nuk kanë”. Do të thotë, na e kemi marrë buxhetin e studentëve për me i ndihmu njerëzit që nuk kanë dhe eventualisht ndonjë student i cili është me kushte më të vështira.

Në Gjakovë e kemi zgjedhë lagjen “Kolonia”. Lagjja “Kolonia” njihet si lagjja me kushtet më të vështira të jetesës në krejt Kosovën. Aty banorët jetojnë nga mbledhja e kanaqeve. Nëse në Kosovë ekziston ndonjë vend që mundesh me përshkru një jetë ma të keqe, atëherë ajo është “Kolonia” në Gjakovë. Si organizatë kemi vendosur që numri ma i madh i pakove të shpërndahet në këtë lagje.

Në kohën kur neve na është dashtë me qëndru brenda në shpi, ata nuk kanë pasë mundësi me qëndru brenda, sepse nuk kanë pasë si ta sigurojnë ushqimin. Nga kjo ka rrjedh edhe ideja që na duhemi me i shpërnda pakot. Mirëpo, çka ndodhi është që u mbledhën krejt banorët e asaj lagje edhe u bo një tollovi tepër e madhe, njerëzit nuk kishin durim me pritë që pakot të shpërndahen. Kur e mendon, e kupton sa shumë i ndihmon kjo tollovi shpërndarjes së virusit. Për më tepër, banorët që jetojnë aty nuk kanë pasë as mjete higjienike, nuk kanë pasë as maska dhe as dorëza.

Ka qenë shumë e randë me pa atë skenë, por në anën tjetër ka qenë një mundësi e mirë për ta me marrë ushqim falas. Kushtet e tyne të jetesës sigurohen prej kanaqeve dhe mund të paramendohet çfarë kushte kanë pasë përgjatë mbylljes nën pandemi. Kur i dërgum pakot, për ta ka qenë ndihmë shumë e rëndësishme, “Uau na ka ardhë ushqim falas”. Kjo ishte edhe shkaktari i tollovisë së madhe që ndodhi atje. Unë personalisht e përjetova shumë keq, sepse prej organizatës aty kemi shku vetëm unë edhe drejtori.

Për këtë aktivitet, si një pikë shpërndarëse të pakove e shfrytëzum qendrën e Caritas. Njerëzit mbledheshin aty përreth zyrës së Caritas, dhe në momentin kur i kemi shpërnda ka pasë shumë, shumë, shumë njerëz që ndonjëherë më kapshin për durë, “Edhe unë, edhe unë po du pako”. Ka pasë skena të ndryshme. Më bjen në mend një gru që filloi me qajtë edhe me më thanë, “Unë i kom fëmijët jetima edhe nuk kom, çdo pako që po vjen mu nuk jonë t’u ma jap”. Kur i kontrollova listat, atë grua asnjëherë në listë nuk e kishim pasë.

Në anën tjetër ka pasë plot njerëz tjerë që pritshin edhe kjo ka qenë diçka shumë tragjike që ka me mbetë me mu shumë gjatë, dhe po mendoj që duhet patjetër me kriju ndonjë punë artistike në lidhje me këto ngjarje. Unë kom shumë dëshirë që ngjarjet negative që i përjetoj me i paraqit në mënyrë vizuale, që të paktën përmes artit me i procesu me të tjerët.

Kur e kam pasë ekspozitën “Holokausti”, në të e kam paraqitë tragjedinë që ju ka ndodhë njerëzve. Ne e dijmë që kur e përmendim Holokaustin, e mendojmë, “Ju ka ndodhë vetëm hebrejve”, por as në libra të historisë në gjuhën shqipe nuk përmendët që viktima kanë qenë edhe romët. Kështu që, për mu ka qenë shumë e rëndësishme me i përfshi këto përvoja.

Ekspozitën “Holokausti” e kam fillu prej një vizite një javore në Auschwitz, ku i kom pa artifaktet e asaj kohe. Unë atë vizitë e kom përjetu tepër randë edhe mendova që me paraqitë edhe përmes ngjyrave që edhe tjerët me pa se ku ka çu racizmi edhe pse duhet me u ndalë racizmi. Pas Auschwitz, përjetimi i dytë më i keqi është kjo situata në “Koloni” të cilën e kom përjetu, dhe të njëjtën mendoj që duhet paraqitur në pëlhurë.

Në lagjjen “Kolonia” janë rreth dyqind shpija, dhe komuna e Gjakovës ka dhanë ndihma vetëm për njëzetë shpia, dhe kjo ndihmë ka qenë vetëm një thes me miell. Nuk ka qenë ndonjë ndihmesë e madhe. Kur shkon në atë lagje duhesh me pasë për krejt ose mos me shku hiç. Duhen me u përgatitë dyqind pako, sepse nuk munesh dikuj me i ndihmu, e dikuj tjetër jo. Kjo krijon një situatë shumë më të randë. Aty duhet me shku shumë i përgatitun. Na kemi bisedu me një shoqen tonë që punon në Këshillin e Evropës edhe ata në të njejtën kohë kanë pasë me shpërnda pako, ajo na e mundësoi që kur të shkojmë, me shku me dyqind pako.

Përderisa këtë kohë e kom shfrytëzu me i ndihmu të tjerët, unë e kom anashkalu vetëveten, por nuk pendohem. Vullnetin për me punu e kom pasë. Për ata që kanë pasë kohë, pa marrë parasysh a janë artistë, ka qenë një moment tepër i mirë me u rikthy edhe me mendu ma shumë për veten dhe rreth asaj se çka dojnë me bo në të ardhmen pas pandemisë.

Shpia jem e dytë është ateleja edhe pse nuk është personale, por jom mësu me atë ambient. Ne që mirremi me art e dijmë që një rol të madh e luan ambienti ku je mësu me punu. Unë nuk kom qenë e mësume me punu në shpi, unë jom mësu në atele. Andaj, unë e përjetova shumë keq kur u mbyll Fakulteti i Arteve, sepse unë vetëm që nuk flejsha aty. Kur erdha në shpi, normal më është dashtë me kriju një ambient, një hapësirë ku kam me punu dhe me i pru krejt materialet, por unë as materialet nuk i kisha marrë me veti.

Më është dashtë një ditë me shku me i marrë materialet, por inspirim nuk kom pasë. Ndodh është çështje e empatisë, sepse unë e përjetoj shumë randë nëse dikuj i ndodh një ngjarje e keqe, dhe unë mundohna që gjithsesi me gjetë një zgjidhje. Kështu që, tu e ditë që e kom një rol në organizatë, atëherë jom mundu me bo gjithçka të mundshme që krejt kohën me shfrytëzu për punë që me iu ndihmu njerëzve në nevojë. Në këtë aspekt e kam lënë veten anash dhe s’kom punu. Arti nuk ka qenë prioritet.

Për mu është shumë ma mirë nëse në dy vitet e ardhshme nuk hapi ndonjë ekspozitë. Për mu hiç nuk është problem, sepse ka kalu një kohë e gjatë që s’kom pikturu. Mirëpo, pas dy viteve unë mundem me dalë me një cikël të ri të pikturave. Kështu që, është mirë me shfrytëzu këtë kohë. Në anën tjetër që do të më mungojnë vizitat në Galeri, me pa piktura të reja, me pa art të ri, qoftë art konceptual apo ku ta di. Kjo pjesë ka me më mungu shumë, por në aspektin personal nuk besoj.

Komunikimi me kolegë në lidhje me artin ka me më mungu shumë. Duke e marrë parasysh që inspirimi është momental, nuk është që e ke në një kohë të caktume, “Okej në këtë kohë kom m’u inspiru”. Bisedat me kolegë për artin ose për ngjarjet që ndodhin brenda ditës janë shumë të rëndësishme. Këtu secili detaj, gjithësecili send mundet me ndiku në aspektin artistik. Duke e marrë këtë parasysh, ka me më mungu shumë kjo kohë edhe kontakti me njerëz. Në anën tjetër, normal publikimi i punëve të mija online nuk më duket shumë efektiv.

Fatmirësisht brenda familjes nuk është infektu askush me COVID—19, dhe shpresoj që nuk do të ndodhë, por ne e dijmë sesi ka eskalu situata tash. Secili e njohim një njeri që është i infektuar, dikush që e kemi njohur ma herët ose ngjashëm. Çka është ma e keqja, shumë raste e të të infektuarve me COVID—19 po vdesin, gjë që po na bën të kujdesemi më shumë. Edhe pse, ka njerëz që fatkeqsisht hiç nuk besojnë që koronavirusi ekziston. Njerëzit po dalin pa pikë brenge për të tjerët dhe nuk e kanë parasysh dëmin që po ia shkaktojnë shoqërisë.

Duhemi me pasë shumë ma shumë sensibilizim brenda popullatës, që secili me ndiku mos të përhapet ky virus. Te na familjarisht jemi shumë të kujdesshëm. Përderisa nuk ka vaksinë, duhemi m’u rujt shumë. Nëse brenda shtëpisë kishim qenë vetëm disa veta në moshë më të re, ndoshta nuk kishim pasë aq shumë kujdes, por na kujdesin më të madhin e kemi ndaj prindërve, sidomos ndaj babit i cili ka sëmundje të sheqerit dhe të zemrës. Kemi kujdes ekstrem që ky virus mos të arrijë deri te babi. Këtu e kemi frikën ma të madhe.

Sa i përket shëndetit të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian, gjatë kësaj periudhe nuk ka pasë përkujdesje institucionale. Organizata të pavaruna dhe komuna e Gjakovës kanë dhanë maska ose dorëza, dhe kështu kanë ndihmu pak në këtë aspekt. Në mesin e këtyre komuniteteve ka njerëz që lypin kanaqe e deri te ata ma të ngritur që janë profesora. Kështu që, po flasim gjithmonë për ata njerëz që i kanë kushtet shumë të vështira ekonomike edhe që jetojnë nga kanaqet. Nëse të gjithë ne të tjerët jetojmë, ata mbijetojnë. Do të thotë, ata kanë ushqim sot për sot.

Në mesin e komuniteteve pakicë nuk ka shumë të infektum, dhe kjo po mendoj që është shumë e çuditshme. Kur po publikohen statistikat, po del që nuk ka. Unë e njoh vetëm një njeri në Gjakovë që ka vdek tash rishtazi prej COVID—19, por raste të tjera të infektumve nuk është që kom ndëgju për to. Nuk e di, është shumë e çuditshme edhe po mendoj që ndoshta edhe nuk po raportohet për ta.

Nëse nuk merremi me shëndetin edhe të komuniteteve pakicë do të jetë shumë më keq për shoqninë në tanësi, sepse do të lejohet që virusi të shpërndahet. Ti mundesh me qenë racist dhe mos me u marrë me këto komunitete, por nëse nuk trajtohen ato raste, ata do ta shpërndajnë ma tepër. Duhet secili me u trajtu në mënyrë të barabartë. Është shumë e çuditshme sesi deri tash nuk ka shumë raste brenda komunitetit që e kanë virusin. E them e çuditshme, pasi që COVID—19 nuk njeh etni.


Mirjeta Qehaja (1995) është piktore dhe aktiviste për të drejtat e minoriteteve. Si pjesëtare e komunitetit egjiptian në Kosovë, Qehaja punon të vë në pah diskriminimin dhe shkeljet e të drejtave të pjesëtarëve të komunitetit rom, ashkali dhe egjiptian në Kosovë dhe mbarë botën. Puna e Qehajës është prezantuar në ekspozita të shumta në tërë Kosovën. Në vitin 2017, ajo mori çmimet e para në ekspozitën, “Privatësia e dhunuar” në Fakultetin e Arteve në Universitetin e Prishtinës, dhe në ekspozitën “Ngjyra: Ëmbëlsira e Syrit të Artit” në Kosovo Art Exchange Gallery në Mitrovicë. Në fund të po të njëjtit vit, ajo hapi ekspozitën “Barrierat”. Dy vite më vonë, Qehaja hapi ekspozitën e dytë individuale “Holokausti” në Galerinë Qahili. Tani, ajo është duke punuar drejt përfundimit të magjistraturës në pikturë.