Syni sheh ndryshe tash

Nga Zake Prelvukaj

Ne nuk e kemi ditë që do të hasim në probleme të padukshme të këtij lloji. Natyrisht që kur mobilizohemi edhe e gjejmë këndin e qetësisë në banesë, fillojmë ta hulumtojmë vetëveten, i kthehemi vetëvetes. Do të thotë, e krijojmë një formulë ndryshe të menduarit dhe punës tonë, menaxhimit të instikteve tona, ndjeshmërisë ndaj edhe objekteve që i kemi në shpi. Tani gjatë mbylljes qëndrojmë më shumë me objektet që i kemi në shpi, pa marrë parasysh cilat janë ato dhe ku, qoftë shtafellaji në kuzhinë, qoftë kompjuteri në tavolinën e punës ku hulumtoj në internet çka po ndodhë sot.

Kështu që, në të gjithë botën, unë po mendoj që njeriu ka fillua të mendoj ndryshe, të ketë respekt shumë ma të madh ndaj hapësirës, ndaj natyrës të cilën mundet më pak me shiju. Dhe ka fillua me mendu si ishte kenë bota e mbyllyn, që nuk ishte kenë mirë, ishte kenë shumë problematike edhe për ne me vazhdu me qëndru të mbyllun në këto ambiente.

Sa i përket artit, e kom kuptu që sado me u mundu me bo diçka tjetër, me shku me njëfarë krijimtarie ma të randë, drejt njifarë preokupimi ma ndryshe si artist, absorbimin që e bëjmë ne në këtë kohë është absorbim i cili është shtresu në ne, në mjeshtrinë tonë. Kur gjendemi para pëlhurës edhe shprehjeve të ndryshme artistike që duam t’i krijojmë, në këtë kohë absolutisht ndryshojnë. Në këtë kohë ngjyrat e mia janë shumë ma të dhezta, janë ma intenzive dhe ma ekspresive.

A është sepse më mungon gjelbrimi, bregdeti, bjeshka? Kohëve të fundit kom fillua të vizitojë natyrën dhe vende të ndryshme, por nuk pikturojsha me këto ngjyra. Mirëpo, tash, në mungesë të atyre edhe të asaj çka prej fëminisë kom përvojësu, kom fillua me i hulumtu, dhe ngjyrat janë absolutisht intenzive dhe natyrore edhe janë të tilla që të disponojnë. Është njëfarë terapie që nuk mund ta përshkruajë me fjalë, sa mund ta përshkruajë me ngjyra si artist.

Jom t’u shkru në atë mënyrën ma filozofike edhe ma të matun, ma ndryshe çka shoh unë në këtë botë edhe në këto 78 metra katror, dhe çka përfitoj ose humbi prej kësaj mbyllje.

Mendoj që nuk është lehtë, është një formulë që nuk mund të zgjidhet, por këtë formulë mundet me na zgjidhë vetëm shpresa që kemi me iu kthy normales, dhe që kemi me ardhë te diçka që kemi me komuniku shumë ma butë me njerëz, kemi m’i hek ato ngarkesa që kanë qenë të panevojshme. Është njëfarë mundësie që ne të restartojmë në çdo gjë, si në krijimtari, si në shkrime, si në mënyrën e të menduarit edhe besoj që ne kemi m’u dashtë shumë, dhe kemi m’u respektu shumë pas kësaj. Mendoj që shpeshherë prej tundjeve të ndryshme, prej luftave të ndryshme, prej krizave ekonomike, prej krizave shëndetësore, epidemive të ndryshme njerëzit kanë filluar me mendu ma ndryshe.

Mirëpo, kjo nuk është luftë frontale siç e kemi pasë dikur, por luftë psikologjike, luftë me gjetë të vërtetën kush je ti dhe kush jemi ne edhe për me restartu diçka, me shpresë diçka shumë ma të mirë. Kjo është karantina e 2020. Kur të kthehemi ktyne viteve pas pesëmbëdhjetë viteve, njëzetë viteve, ka me na u dukë diçka interesante kjo mbyllje edhe ky krijim edhe kjo botë mrenda shtëpisë tonë. Krejt globin e kemi virtualisht edhe punojmë virtualisht, mendojmë virtualisht edhe mundohemi të jetojmë në këtë mbyllje.

Është shumë interesant, në banesën time është një dhomë e cila e ka ballkonin e madh, dhe tash që koha është më e mirë e kom bo njëfarë plazhe të vogël aty që rrezitna. Optikën edhe horizontin e ka kah Bregu i Diellit, tash në këtë kohë që është shumë i gjelbrum është atmosferë e mirë. Në pjesën e sallonit ku është kuzhina e kom edhe pjesën e punës që punoj me studentë online, ligjeroj, mbaj mbledhje me Galerinë e Arteve edhe mbledhje tjera që i kom me Kolegjin “AAB”, edhe natyrisht e përdori për punë tjera.

E kom kandin e kuzhinës që unë e du shumë kuzhinën, shumë përgaditi, boj eksperimente të ndryshme edhe me ushqim, si me ngjyra në piktura dhe ndihem e lumtur. Është koha e cila vjen edhe të ndryshon, prej plazhës në ballkon, natyrisht kur është koha e mirë, i kthehesh kuzhinës, punës. Mandej është ballkoni tjetër, pasi që shumë i du lulet të dy ballkonet i kom shumë të lulëzume edhe shumë të disponume. Tash që nuk pranojmë mysafirë asnjeni prej neve edhe është njëfarë qetësie shpirtërore që ndoshta edhe unë personalisht kom pasë nevojë me pasë. Ndërsa dhoma e madhe, dhoma e fjetjes që pushon, rrin, kom edhe aty televizion edhe ktu televizion, mandej e kemi Netflix—in që kqyrim shumë filma.

Në kohën prej një orë e gjysmë që e kemi për lëvizje, unë dal në “Rrugën C” të Bregut të Diellit, dal vet edhe natyrisht që nuk ka shumë njerëz, mbajë distancë, mbajë dorëza, me maskë edhe e shoh njëfarë ndryshimi që na u ka mundësu për faktin që jemi brenda. E kqyri çdo hap timin, shoh diku lule të vogla që kanë dalë, diku anash njëfarë bari ndryshe që është edhe e analizoj. Përpara nuk e kom ulë kokën me shiqu çfarë bari është dhe çfarë forme ka. Tash çdo gjë analizoj. Syni sheh ndryshe tash, është i etshëm duke e ditë që prapë kom m’u kthy në këtë kështjellën time.

Mandej lulet, gjithmonë kom mbjellë lule, mirëpo lulja nuk është… nuk kom pasë kujdes për çdo ditë ose për çdo dy ditë edhe erën tash po ja u ndi luleve edhe aromën e tyre nuk kom pasë aq shumë kohë me ju nejt afër, dhe vërtetë lulja e ka shpirtin e vet. Po e shoh që lulet po përparojnë se edhe po flas me ato, ato kanë një spektër të madh të ngjyrave edhe e bëjnë njeriun të lumtur.

Në atë një orë e gjysmë që kom dalë në shitore që shitshin lloje të ndryshme të luleve, po të kisha vend e kisha mbushë krejt shtëpinë me lule, se ato të bëjnë m’u ndi të lumtur, se ti po e sjell natyrën prapë në këtë ambientin tënd. Lulet po i sjell në këtë ambient të mbyllur, por lulen po e len prapë me frymu në ballkon. Na i qëndrojmë afër, por ajo prapë e ka njëfarë lirie, se ujin dhe ushqimin e ka, ajo rrin në vendin e vet. Këtë analizë që e bona mes lules dhe meje ka njëfarë pikëtakimi, ajo m’bon mua të lumtur edhe unë e boj ato të lumtur.

Përmbi banesën time e kom studion, kulmi është shumë i naltë edhe aty ka hapësirë shumë të madhe. I kom pikturat e përfundume përmes të cilave muj e përcjelli kontinuitetin e pikturës, e koncepteve të mia. Tani jom duke e punu një pikturë dy metra e dhjetë me dy metra e njëzetë. Çuditërisht këto ngjyra janë krejt të dhezta, këto ngjyra janë diçka e papërshkrueshme. Po e pyti veten, “A jom unë në këtë kohë të mbyllun kështu, që muj e që i dua këto ngjyra? Apo i dua dhe po më mungojnë?” Nuk e di. Mirëpo, pa vetëdije piktura ecën vet dhe është ajo që ne flasim përmes brushës edhe përmes shprehjeve tjera artistike në këtë kohë.

Do të thotë, në atelenë time në një kand është shtafellaji me një pikturë të nisun që e kom lanë, mirëpo i jam kthy një tjetrës edhe kështu shëtiti kohë pas kohe në këtë kohën e karantinës edhe hulumtoj vetëveten edhe e pyes vetëveten. Ky hulumtim po më shtin me pyet vetëveten, “Pse është kjo?” Unë po mendoj që kjo është reflektim i asaj të padukshmës në mua, por edhe të padukshmës që na ka mbyllë. Në të vërtetë për nga natyra jom njeri i qetë, dhe kjo është formula e jetës në jetën e karantinës dhe aktivitetet e karantinës, pra për të pasur qetësi.

Si profesoreshë, mësimi virtual për mu nuk ka paraqitë shumë probleme. Ne artistat kaniherë i prekim edhe pikturat e studentëve edhe jemi afër. Piktura si pikturë gjithmonë duhet të përvojsohet, sipas mendimit tim, në hapësinë fizike. Prej studentëve që i kom unë, nuk kom numerikisht shumë studentë, edhe ne punojmë me mësim individual. Njëherë në fillim m’u ka dukë e randë, se m’vike keq prej studentëve që nuk i kanë materialet dhe nuk i kanë kushtet. Dikush është në një shtet tjetër, dikush në Kosovë, mirëpo prapë se prapë kemi pasë sukses, sepse kom pasë mirëkuptim me studentë. Disa i kanë pasë materialet, disa kanë punu me formate të vogla edhe çka është ma e mira na e kemi bo një bisedë jashtë asaj që e kemi pasë në syllabuse.

Na gjithmonë i kemi pasë dhjetë minuta, pesëmbëdhjetë që kemi bisedu. Tash së bashku me studentë e kemi bo një hulumtim të terrenit të artit nacional. Do të thotë, të artit tonë që u lonë shumë mbas dore. Jom mundu me studentë t’i shpalosim, ta jepim një kritikë pse është e mirë, çka i ka dhonë koha asaj pikture. Studentët kanë shkru ese. Një student i imi shumë mirë e ka shpjegu motivin e vet, ai e ka përjetu shumë të randë mbylljen. Ata e dojnë jetën ndryshe nga jeta e tyne tash, hulumtojnë në mënyrën e vet çka dëshirojnë nga këto vitet e veta. Për ta është shumë e randë m’u mbyllë.

Sa i përket mësimit virtual unë jom nda shumë e kënaqun. Kom nxjerrë edhe unë prej vetes si pedagoge, por edhe studentët kanë hulumtu shumë nisur nga udhëzimet, propozimet dhe sygjerimet që ua kom dhanë. Çka kemi me bo në fund si bashkëpunim student—profesor, jom t’u mbledhë materiale të ndryshme, biseda të ndryshme, se bashku me të tre vitet që u ligjeroj tani, që me bo një art, shpresoj që kemi me bo një art online natyrisht. Ka me kenë një film i shkurt me zo të artikulum edhe me veprën, ato që e kemi punu së bashku në këtë kohë të karantinës.

Këto shkrime që jonë t’u bo në këtë kohë, dhe sado mendojmë ne që nuk flasin, pas një periudhe të gjatë kohore kanë me folë shumë për këtë kohë, nga një perspektivë individuale, por edhe kombëtare për mënyrën sesi ne e kemi menaxhu këtë situatë. Ka me dalë njëfarë ditari shumë i kërkum për këtë kohë, por shumë i neglizhum në këtë moment.


Zake Prelvukaj (1961) është piktore dhe profesoreshë e pikturës. Prelvukaj ka ekspozuar punën e saj në galeri të panumërta kombëtare dhe ndërkombëtare, ndër to Muzeu Kombëtarë i Grave në Art në Washington D.C., Galeria NW në Cambridge, dhe Galerinë Kombëtare të Kosovës. Ajo ka realizuar murale, mozaikë dhe art publik, dhe po ashtu ekspozita dhe diskutime përmes fondacionit të artit Ballkani i Ri. Ajo ka ligjëruar në fakultete dhe institucione kulturore në vende të ndryshme, së fundi ligjerata e saj në Muzeun e Paqes në Diksmuide. Në vitin 2010, ajo është avancuar në profesoreshë të rregullt të pikturës në Universitetin e Prishtinës. Ajo jeton dhe punon në Prishtinë.