KUFIRI MES NESH
Isha fëmi kur për të parën herë vizitova veriun e Shqipërisë. Nuk më kujtohet dita, por me ç’më tregon mamaja ime, Gazmira, ka qenë nëntori i vitit 1980. Sjell ndërmend pak gjë nga ai udhëtim. Faktin që ishte emocional… udhëtonim vetëm unë dhe im atë. Motra ime, Venera, sapo kishte mbushur 11 muaj dhe mamaja qëndroi në shtëpi me të. Di të them që nuk ishte një udhëtim turistik, përndryshe do isha përqëndruar te rrugëtimi, jo destinacioni. Kujtoj liqenin, ujërat blu thuajse në të gjelbërt si dhe tragetin. Kujtoj po ashtu një rrugë të ngushtë me gropa, ose jam duke e ngatërruar me një tjetër rrugë të ngushtë me gropa, aq të zakonta në Shqipërinë e kohës.
Im atë dhe unë kishim një qëllim. Ndërmorrëm atë udhëtim tetë orësh nga Tirana për të arritur në kufirin me Kosovën dhe pritur prindërit e tij; ata i’a kishin dalë të merrnin vizat për të ardhur në Shqipërinë e komunizmit të egër të Enver Hoxhës. Isha e emocionuar sepse do t’i takoja gjyshërit për të parën herë. Në fakt, edhe babai im po i shihte të vetët për të parën herë që prej 1959-ës. E kishte lënë qytetin e lindjes si 17 vjeçar, atëherë kur të rinjtë u lanë jashtë sistemit shkollor, sajë një vendimi të ministrit famëkeq të Punëve të Brendshme, Aleksandër Rankoviç, për ta mbyllur gjimnazin e vetëm të Gjakovës.
Një numër adoleshentësh, djem dhe vajza, u larguan drejt Shqipërisë për të vazhduar studimet. Di pak rreth aventurës së tyre sepse im atë nuk fliste fort rreth saj. Çka di me siguri është se ata – një grup të rinjsh idealistë – e kaluan kufirin ilegalisht. Gjakova ndodhet shumë pranë Kukësit. Me të mbërritur në Shqipëri, ku kujtonin se ishin të sigurt, një pjesë e madhe u dërguan në kampet e punës në Lushnje. Babai im qëndroi atje për dy vjet. Nuk e pati të lehtë. E sillte në kujtesë atë periudhë si ndër më të vështirat. Për 35 vjet i’u ndalua hyrja në Kosovë dhe mundësia për ta parë familjen.
Ne ruajmë ende shumë fotografi të familjarëve tanë në Kosovë. Këmbenim rregullisht fotografi dhe në fakt, gjithçka rreth tyre e mësonim vetëm përmes fotove. Gjyshja nga ana e mamasë, Sanija, ishte po ashtu nga Gjakova. Burri i saj – gjyshi nga mamaja, Aliu – ishte tregtar. Fundi i Luftës së Dytë Botërore i gjeti në Shqipëri. Vendosën të qëndrojnë. Sanija dhe Bashkimi merreshin vesh shumë mirë bashkë. Mbaj mend fort mirë kur flisnin për njerëzit, lagjet dhe ngjarjet në Gjakovë. Ishte një ushtrim kujtese, besoj. Më shijonin pa fund bisedat e tyre që zgjasnin për orë të tëra mbrëmjeve, atëhere kur Sanija, të cilën ne e thërrisnim thjesht nona, vinte për të fjetur tek ne.