Mënyra e artistës

Nga Fitore Berisha

Në mes të shkurtit unë kom shku në Berlin, kom ndejt një javë ditë edhe kom qenë shumë e rraskapitun, por edhe jom smu shumë keq. Kur u ktheva, te ne ende nuk kishte raste të virusit. Ne gjithmonë mendojmë që jemi të izolum dhe shumë larg prej botës, që te ne nuk vjen. Mirëpo, unë kurrë s’kom qenë aq smutë. Jetoj vetëm edhe s’dojsha kërkond me involvu, por gjithmonë t’u thonë, “E kom asmën, s’jom mirë”. Ia fillova mos me pi cigare dhe filloi me m’u keqësu gjendja shumë, sidomos frymëmarrja. Edhe dikur shumë u idhnova, “Unë diçka kom. Duhna me shku me kqyrë, a e kom ndonjë alergji, a diçka?”

Një doktoreshë për të cilën lexova pak, ajo kishte qenë në Kinë edhe kishte punu goxha shumë në këtë fushë, Luljeta Ahmetaj, ajo ma boni testin e gjakut edhe tha, “Ti paske shumë alergji. Ti qenke alergjike edhe në ushqim, edhe në polen, edhe në arra, lajthia, kikirika”. Unë 15 vjet t’u shëru prej asmës, t’u pasë inhalator, t’u… tha, “Jo, ti as asmë nuk ki, as bronkopneumoni. Pse të kanë jep injeksione?” Më ka jep dy javë antihistamin. Unë kom përdorë krejt çka kom mujt edhe kaloi. Kështu filloi edhe izolimi.

Fillova me ra në njëfarë gjendje shumë… frika, m’kapi frika. Frika. Mandej e vërejta që jom ka sillna nëpër atele, nuk jom tu e pa vetën që po muj me u qetësu apo me meditu. Kishte lajme të shumta rreth politikës. Unë thojsha me vete, “Është abuzim mendor për këtë popull, është dhunim, dhunim mendor”. Në anën tjetër u mundojsha me e qetësu nanën tem që jeton edhe ajo vetëm. Një ditë thashë, “OK”.

Më kujtohet një libër ma patën falë në Washington D.C., thirret “The Artist’s way. A Spiritual Path to Higher Creativity” [Mënyra e Artistës. Rrugëtimi spiritual drejt një kreativiteti më të lartë] nga Julia Cameron. “A din çka?” Thashë, “Çu nxirre vetëveten”. Kqyrsha çdo mjet, çdo mjet që kisha me ikë prej realitetit të cilin jemi. Nëse dëshiron që kreativiteti yt si artiste me u zhblloku, shkruj, krejt shkruj, qiti krejt, tri faqe. Faqet e mëngjesit. Thotë, “Sikur qysh e ushqen një fëmijë të vogël, duhesh me ushqy trunin tond, mirëpo për një periudhë të gjatë nuk kthehesh me lexu çka ke shkru. Mundesh me fillu me një fjalë, mirëpo krejt me dorë”. Fillova çdo mëngjes edhe shumë vështirë më vike, se kishte shumë sene, kcejsha prej një teme në një tjetër… s’ka lidhje është veç e jemja, unë kom me lexu.

Mandej çdo ditë m’u pat bo obsesion m’u vesh sa ma pastër dhe sa ma mirë. Në shpi me pizhame m’u gërditke vetëvetja. M’u la, m’u krehë, me qitë maskën edhe me shku në dyqanin Meridian. Të gjitha punëtoret i bona shoqe. Mas mbylljes tre mujore, krejtve ua kom ble nga një çokolladë, se kanë qenë shumë të dashtuna, shumë mikëpritëse. U gëzojsha që dikush po m’kesh, që po i shkëmbej dy—tri fjalë. Por çka ndodhë, të kthena me të shkrumen.

Kaloi java e parë, java e dytë edhe një ditë jom çu në 5:00 të mëngjesit pa nevojë, se rrijsha shumë, gjithë rrijsha shumë t’u kqyrë episoda të serialeve të ndryshme. Një ditë jom çu në 5:00 të mëngjesit edhe e kom bo një kafe, i kom disa xhama plexiglass të mdhaja edhe i kom vendos me punu në to. Kom fillu në 6:00 dhe e kom përfundu në 17:00 masdite. Unë nuk jom ndalë. Kur kom dalë prej studios, s’mujsha me besu që unë e kom bo krejt atë punë, se kom qenë në njëfarë gjendje tjetër.

Kur ka ardhë në fundjavë djali më ka thanë, “Krejt këtë punë e ki bo për një ditë a?” Thashë, “Po”. “Krejt këto detajet?” Thashë, “Po”. Kur e shihsha njerëzit tjerë çka po thojnë, unë veç kështu… s’po di me tregu sinqerisht ndjenjën. Thojsha, “Kuku, a ti e bone këto a? E kush kesh unë?” Ajo punë ka përfundu në “Gjirafa” ku punon Patriku, djali i vogël. Është ulë ai kryesori i “Gjirafës” edhe ka ndejt dhjetë minuta edhe ka thanë, “Tash po e di nëpër çka paska kalu nana jote gjatë pandemisë”. Ky ka thonë, “Pse?” “Se po e shoh të njejtën figurë në pozita të ndryshme edhe në disponime të ndryshme”.

Filloi shumë me më marrë malli për njerëz. Ndoshta shpenzojsha kohë në Viber, por dikur më hupi edhe interesimi në njerëz. Ka qenë një fazë që më hupi krejt interesimi për krejt njerëzimin, s’dojsha as me u lajmëru në telefon. Kjo ka qenë dikur mas prillit. Prilli ka qenë për mu ma i vështiri. Më hupi besimi edhe fillova me mendu që kom harxhu shumë energji në sende të kota edhe në njerëz të kotë. Tash jom tu e selektu rrethin tem.

Nji gjë ia kom premtu vetës. I kom premtu vetës që s’kom me lonë kërkon me më lëndu, t’u fillu edhe prej një personit që është në rrugë, në çdo interaksion me njerëz kom vendosë që s’kom me leju me më lëndu. Por duhet me i thanë, “Më fal, por më ke lëndu ose nuk po ndihna mirë me këto që m’ke thanë”. Ndoshta shumë vonë në jetën tem, por e kom marrë një vendim që duhna me mbrojt vetëveten për hatër të vetëvetes. Mandej kjo po më kushton shumë emocionalisht, sepse po i rivizitoj këto ndjenja. Ma patë thanë një herë një psikolog kur isha në terapi në Island që duhna aty për aty me i thanë personit, në mënyrë shumë të mirë, e jo me e ripërtypë më vonë. S’po më merr gjumi, anksioziteti, fillova me pi leksilium, që as gjatë luftës nuk kom pi leksilium.

Edhe pse folshim që është krejt ndryshe, që krejt bota është në këtë pozitë, më vike tonë kohën ajo ndjenja e izolimit të luftës 1999. Ndonjëherë nuk mujsha me besu, hisha me verifiku në internet, thojsha, “Mirë je, mirë je”. Non stop i thojsha vetit, “Duhesh me qenë e lumtur çfarë hapësire ke, nuk ke okupator mbi kry”. Në atë kohë kom qenë e re, me beba, me vjehrri, me një gjendje shumë ma të randë. Veç unë kom operu atëherë. Unë kom qenë ajo që e kom mbajtë krejt hymjen, gatujsha bukë për 15 njerëz. Tash, tash ka qenë… non stop dojsha me i thonë vetëvetes, “Fitore, vlerësoje, vlerësoje! Çfarë studio ki! I ki njerëzit poshtë, nana është mirë, djemtë jonë mirë”. Me këtë e mbajsha shpirtin, që s’bon me i harru edhe t’mirat.

Befasia më e madhe që thojnë, “Nëse arrinë me befasu vetën, ajo është befasia më e mirë”. Gjatë kësaj kohe kom fillu me vizatu me dy durë. Une s’e kom ditë që di me vizatu me dy durë. Kjo lidhshmëria është… ana e djathtë e trurit, por unë nuk e kom ditë që jonë të lidhura. Kur mundesh ndjenjat e tua m’i qitë në letër, mandej mundesh edhe m’u koncentru. Unë kom punu shumë gjatë pandemisë, se mu më duhej meditimi, se kur i punon vijat, aty ka përsëritje, kur je në gjendje që vjen prej lëvizjeve të përsërituna, truni të qetësohet.

Isha shumë vetëm edhe me vetëveten fillova… unë edhe ashtu kom punu veç për qejf temin, s’ka nevojë me iu pëlqy të tjerëve. Satisfakcioni ma i madh kur unë e ndajsha punimin me njerëzit e mi, reagimet e tyre ma mbajshin shpirtin. Edhe kur m’thojshin, “Ah po, diçka paska ndryshu tek ti. Paskan ndryshu edhe ngjyrat. S’i paske mo ftyrat e depresionume qysh i ki”. Ia nisën pak njerëzit me më psikoanalizu, gjë që është OK, por ndonjiherë nuk jom e lumtur kur e bëjnë.

Nuk e di pse, por në punën teme, në këtë dialog, po du me gjetë njëfarë shprese mrenda. Me zor jom t’u dashtë me lypë atë shpresë. Jom tu e hulumtu, jom tu e lypë, jom tu e lypë, jom tu e lypë edhe tonë kohën po duhna me detyru vetëveten mos me ra, se po e shoh që është depresion global. Ndoshta pse kom jetu shumë gjatë me një njeri depresiv kronik edhe ka pasë shumë efekt në krejt neve. Krejt kohën është njëfarë lufte me e luftu depresionin. E shoh edhe djali jem që jeton me të, tonë kohën vike edhe veç kqyrshim komedi, stand—up komedi. Si shkojke ai, të hanën unë bisha në një gjendje krejt tjetër. Dita e hanë ka qenë për mu tepër e randë, se u ballafaqojsha me realitetin.

Ka kohë që nuk kom mendu për mbylljen, e kom shti në njëfarë vendi, e kom lonë. Mirëpo, tash kur po duhna me i rikujtu, jom mundu me e fshi. Nuk e di, se nuk ka qenë ndjenjë e mirë. Kur po hi me lexu tash fletorën, bllokun, ditarin, po e shoh që shumë ma vështirë paska qenë sesa që unë muj me elaboru. Unë s’kisha as interesim mo. Edhe pse aty—ktu dilshim shumë pak, por filloi mos me m’u dukë edhe logjike me dalë me u taku me njerëz. Non stop tu e mendu, “Kadale, Fitore! Ke gjendje të ndjeshme shëndetsore, je auto—imune, me u smu çka ka me ndodh me ty? Kush ka me u kujdesë për ty? Qysh ki me udhëtu nëse të duhet ndihmë tjetër ma shumë për shëndetin”.

Po më duket që në një mënyrë kemi me u infektu secili prej neve. Secili e ka imunitetin ndryshe—ndryshe, secilin ka me na prek. Është ka vjen ma afër e ma afër neve. Unë s’di qysh kom shpëtu deri tash, deri këtu. Kom pasë kontakt me njerëz që e kanë pasë e nuk e kemi ditë ose t’u fol me një shoqe, të dyjat kemi qenë një muj ditë të izolume. Ajo ka qenë në janar, unë në shkurt. Ajo ka qenë dy muj shumë smutë, unë një muj. Folshim, “Mos e kemi pasë?” Më ka dhimtë fyti, u kullsha, temperaturë.

Financiarisht fillova shumë m’u frikësu çka ka me ndodhë nëse… qysh kom me mbijetu financiarisht, sepse e kom mbajtë vetëveten me art. Patriku ma bojke, “Fitore mos ki gajle, unë kom kursime”. Leka thojke, “Fitore unë jom hala t’u punu, e kom rrogën e madhe, kom kursy”. Edhe pse shumë vështirë, kurrë s’kom lypë prej fëmive, por në anën tjetër jemi bashkë në këtë. Ma bojshin, “A je ti normal? Ti s’ki me hekë për kurgjo”. Ka qenë përnime gjimnastikë mentale.

Sinqerisht unë u dorëzova krejt, s’kom interesim më m’u marrë, as me kriju art, as m’u marrë me art në sferë publike. Unë me Prishtinë, diçka m’u ka thy zemra. Shumë pak intelektualë kanë mbetë me ta çmu artin, m’ka ra vullneti për me kriju në vendin tem. S’është me rëndësi a e krijon një mural me njëqind metra katrorë në 2005, 2006 apo në 2019. Vlera e saj i hup në momentin që vendosin kompanitë me pastru krejt ndërtesën dhe me renovu. Përveç tjerash edhe të ofendojnë.

Gjatë mbylljes kisha shumë presion me qenë produktive. Ky presion edhe m’ka mbajtë, se unë s’kom qejf fort tjerët me më tregu çka me punu, por daja jem e kish një teknikë shumë të mirë. Thojke, “Materiali që t’ka mbetë, ajo pëlhura, a po hypim nalt po e shtrëngojmë edhe po e rregullojmë?” “Tash a?” “Po de, tash”. “Po dajë, po e lojmë ma vonë”, “Jo, jo, tash” edhe e kryjshim. U bojke një ditë, dy ditë, një javë. “Në pëlhurë kurgjo, s’ke fillu a?” “Jo”, “Diçka s’je t’u punu Fitore”. “Po, po, jom. Jom, por po m’dhemb shpina”.

Mandej i bleva disa blloka, akuarel edhe u ulsha edhe çdo ditë e pata bo që sa herë të ulna me shiku ndonjë serial, apo me ndëgju muzikë, a diçka, të vizatoj. Kisha probleme me qafë, vizatojsha në bllok të vizatimit. Por, daja në një mënyrë ma imponojke që, “Piktura është ka t’pret!” Dy piktura i ka lypë një shoqe prej Brukselit. Unë katër muj i kom fshi e i kom punu, i kom fshi e i kom punu se nuk m’kanë pëlqy. Ka qenë e imponume, punë të komisionume. Ma bojke, “Tole, po ti nisi paret”, “Mori, s’i kom kry”. “Po s’ka lidhje i kryn ti”, “Jo, pa i kry nuk muj”. “Çkado që bon ti, mu m’pelqen. Veç kryji ti. A t’i nisi paret?” “Jo kom pare njiherë, të tregoj kur s’kom” “Të lutem tregom”. Kështu që, presioni i imponum ishte negativ në mu.

Muji i parë i izolimit ka qenë tmerr. Muji i parë ka qenë rreth librave që kom me i lexu, shkathtësive të reja që du me i mësu, fillova me mësu italisht. Presioni që më duhet me dashtë trupin tem për me qenë në gjendje m’u ndi mirë me vetëveten ka qenë i pranishëm. Non stop ka qenë presioni i kohës, “Tash është koha!” Dikur e lashë krejt. “A din çka? Leje, kur të vjen, vjen”. Shumë presion i kom bo vetëvetes. Unë kom shumë pritje prej vetëvetes, non stop. Kështu që, lypsha edhe arti jem me ndryshu. Mandej krejt kjo u shndërru në njifarë anksioziteti, njifarë nervoze.

Idhnimi jem është që nëse koronavirusi është i prodhuar nga vetë njeriu, atëherë jemi nën kontrollin e do njerëzve ma të fuqishëm dhe jeta e njeriut nuk ka kurrëfarë vlere. Mendoj që shumëçka i ka shkatërru njerëzit, njerëzit që kanë qenë të vetizolum, lidhjet mes njerëzve janë shkatërru t’u jetu shumë afër bashkë, sepse kanë fillu me njoft njoni—tjetrin. Njerëz që i kanë ikë relacionit, që kanë jetu në një shpi, një familje, por kanë pasë orare të ndryshme në jetërat e tyre. Izolimi i ka bo që me u ballafaqu, me fillu me njoft njoni—tjetrin edhe me pa që s’kanë me mujt me vazhdu bashkë.

E kom vërejtë që gjatë izolimit njerëzit në Prishtinë kanë qenë shumë të kujdesshëm, “Oh, më falni!” Tani ka shumë agresivitet. Unë fillova me humb durimin, fillova me pasë mllef. Pse kerri po don me m’shkelë mu në trotuar edhe unë veç e humbsha veten. E shihsha që çdo javë e kom pasë ka një shpërthim, e kjo m’kushtojke shumë. Kështu që, nja dy vjet kemi me qenë kështu deri në momentin sa thojnë, “Ah, vaksina!” Atëherë kemi me fillu m’u ndi ma të sigurtë.


Fitore Berisha (1971) është artiste pamore e cila ka punuar në Kosovë dhe Islandë në njëzetë vitet e fundit. Ajo përqendrohet në pikturë, murale dhe medie tjera. Puna e saj eksploron problemet njerëzore dhe pengesat nga jeta e përditshme, të cilat ajo i regjistron gjatë udhëtimeve të saj në shumë vende të ndryshme. E mbingarkuar nga padrejtësia dhe ndarja në shoqëri, përmes artit të saj Berisha lufton në mënyrë që fytyra e një gruaje të shtypur, fytyra e një burri të lënduar ose fytyra e një fëmije të braktisur të përfaqësojë vuajtjet kolektive në shoqëri. Ajo ka pasur më shumë se dhjetë ekspozita individuale, si dhe prodhoi shtatë murale arti dhe shfaqje vallëzimi.