Pjesa e parë
Nenad Andrić: A mund të na tregoni diçka për veten tuaj, familjen tuaj dhe vendin ku jeni rritur?
Sinan Ramić: Quhem Sinan Ramić, kam lindur në Çagllavicë, në familjen Ramić. Kam jetuar aty për 30 vjet, pastaj erdha në Plemetinë, ku kam jetuar në barakat e punëtorëve, afër termocentralit. Ato ishin baraka që komuna i kishte dhënë si strehim alternativ. Aty kisha një dhomë ku jetoja me gruan dhe fëmijët. Ishim të martuar edhe para se të vija në Plemetinë. Në vitin 1995 u largova nga Çagllavica. Nuk mund të jetoja më atje, kishim një shtëpi të vogël dhe familja ishte e madhe. Pastaj erdha dhe qëndrova për dy javë te familja e gruas, derisa përfaqësuesit lokalë serbë më gjetën një strehim alternativ dhe më dhanë një dhomë në baraka. Menjëherë pas kësaj fillova të punoja në ndërmarrjen komunale dhe përmes saj punoja edhe në termocentral. Përveç punës së rregullt, punoja edhe si punëtor me mëditje. Punonim në arat e misrit, fëmijët i çonim te vjehrri dhe vjehrra që të kujdeseshin për ta, ndërsa unë dhe gruaja punonim për rrogë.
Nenad Andrić: Si do ta përshkruanit ndryshe jetën tuaj para luftës në Kosovë?
Sinan Ramić: Mirë. Në fillim kisha familjen time, kisha edhe hallën dhe fëmijët e saj, i vizitoja shpesh me gruan dhe fëmijët. Jeta ishte si jeta: romët punonin, secili kujdesej për jetën e vet, për shtëpinë e vet, për t’u siguruar ushqim fëmijëve. Nuk kishim pasuri, nuk mund të ishim të pasur. Punonja në termocentral dhe njëkohësisht edhe si punëtor me mëditje, aq sa të kishim bukë për të ngrënë. Kur mora dhomën në baraka, nuk kisha asgjë. Ishte një dhomë bosh. Vjehrra më dha një dyshek, dy qilima, një batanije, dy pjata dhe tre-katër lugë. Kaq kisha.
Më vonë, shefi në punë ma huazoi një kamion që të shkoja në Çagllavicë dhe t’i merrja gjërat nga shtëpia e familjes: disa shtretër, disa jorganë, edhe disa enë të tjera. Ishte vetëm një dhomë, në baraka. Nuk kisha mundësi të tjera, për shembull të ndërtoja një shtëpi. Atëherë ishte shumë e vështirë, tani është më lehtë të ndërtosh. Tani mund të marrësh kredi dhe ta ndërtosh shtëpinë, më parë nuk mundesha. Do të duheshin tre apo katër vjet për ta ndërtuar një shtëpi. Nuk mund të blija as tokë për ndërtim. Pagat ishin të vogla dhe për këtë arsye mbetëm në baraka.
Nenad Andrić: A mund të na tregoni disa kujtime nga fëmijëria juaj?
Sinan Ramić: Ka shumë. Si fëmijë isha shok me të gjithë, sidomos në Çagllavicë. Aty nuk kishte shumë romë, shumica ishin serbë. Në hyrje të Çagllavicës kishte disa shtëpi shqiptare dhe mbaja kontakte me ta. Si i ri shkoja në shumë ahengje lokale; ata që më njihnin e dinin se isha rom, ndërsa ata që nuk më njihnin nuk mund ta dallonin kurrë se isha rom. Flas serbishten përkryer dhe shokët e mi serbë nuk më thërrisnin Sinan, por më jepnin emra të ndryshëm serbë si Siniša ose Dragiša. Vajzat nuk e dinin që isha rom. Isha një fëmijë i varfër, vetëm babai punonte dhe familja jonë ishte e madhe. Në shkollën fillore kisha nota pesëshe nga klasa e parë deri në të tetën. Fillova shkollën e mesme, një shkollë teknike profesionale në Prishtinë. Dhe për shkak të mungesës së mjeteve financiare, pas gjashtë muajsh e lashë.
Më duheshin para për biletën e autobusit, për të ngrënë, për të blerë rroba dhe ne thjesht nuk i kishim. Shokët e mi të shkollës nga Çagllavica më ndihmonin, por nuk mundnin ta bënin gjithmonë. Prapë dilnim bashkë në ahengjet lokale dhe aty askush nuk mund ta dallonte që isha rom. Një herë, në një nga këto ahengje, po bisedonim me disa vajza dhe njërës prej tyre i thashë që jam rom, ajo nuk më besoi. Me mua ishte një shok, sot mik i vjetër me të cilin flas edhe sot, ai është serb. I thashë: “Branko, hajde këtu.” Fola me të në gjuhën rome, vajza u habit dhe aty e pyeta se kush mendonte se ishte rom, shoku im Branko apo unë, dhe ajo nuk mund ta dallonte. Unë isha rom. Sa isha beqar, dilja shumë, nëpër dasma. Nuk ka vend në Kosovë ku të mos kem qenë në ndonjë dasmë: Gjilan, Prizren, Mitrovicë, Vushtrri, Janjevë, Lipjan, Prishtinë… Nuk kam nevojë ta përmend Graçanicën, ishte afër shtëpisë sime, kisha dajë dhe halla atje, edhe motra ime ishte martuar atje, familje e madhe.
Nenad Andrić: Kam dëgjuar një tregim se keni punuar si kamerier në Hotelin Grand në Prishtinë, a është e vërtetë?
Sinan Ramić: Jo, ishte vëllai im ai që punonte si kamerier në Hotelin Grand. Unë punoja në një kafene lokale në Çagllavicë. Aty fillimisht u punësova si zjarrfikës për kaldajën e ngrohjes qendrore, duke mbajtur zjarrin ndezur. Pas një kohe u avancova në banakier dhe nga banaku u avancova në kamerier. Kam qenë në atë botë për gati pesë vjet. Ishte nga viti 1985 deri në vitin 1990.
Nenad Andrić: Si ishte ajo puna juaj, a ju pëlqente?
Sinan Ramić: Ishte një lokal i vogël dhe si kamerier merrja shumë bakshishe, dhe si kamerierë duhej edhe t’i mashtronim pak njerëzit. Ai lokal kishte muzikë live çdo natë dhe unë kisha klientët e mi të rregullt; atyre nuk ua ndryshoja çmimin dhe ata më jepnin bakshishe të mira. Ishte punë e rëndë. Natën mund të ecje lirshëm nëpër rrugë dhe të mos kishe frikë nga asgjë apo askush. Unë punoja në lokal, vëllai im punonte në Prishtinë në hotel, dhe babai punonte në ndërtimtari. Kishim një jetë të thjeshtë, të varfër. Ishim të varfër, por të ndershëm. I gjithë fshati na njihte si fëmijët e Bajramit, të varfër, por të ndershëm.
Punonim me mëditje në fshat për një familje serbe. Ai burrë serb gjithmonë e thërriste babain tim “krushk”, sepse edhe gruaja e tij edhe nëna ime ishin nga Graçanica dhe kishin jetuar në të njëjtën rrugë, dhe na angazhonte të punonim në kopshtin e tij. Na linte çelësin e shtëpisë kur ai dhe gruaja ishin në punë. Gruaja e tij na linte ushqimin brenda dhe na thoshte që kur të kishim uri, të hynim në shtëpi dhe të hanim. Ata pyesnin pse unë nuk haja, dhe unë u thosha: “Nga respekti për shtëpinë tuaj.” Ishim të varfër, por të ndershëm. Diçka që edhe sot mund të shihet.
Këtu kam punuar edhe si punëtor me mëditje për serbët dhe ata janë shumë të kënaqur me mua. Kam pasur në dorë shumë nga paratë e tyre gjatë punës për ta dhe kurrë nuk u ka munguar asnjë cent. Më dërgonin të shkoja të merrja mall për dyqanet e tyre dhe udhëtoja me shumë para me vete, atëherë me tren, deri në katër mijë euro nga paratë e tyre. Vizitoja shumë kompani, blija mallin dhe madje ndihmoja edhe të tjerët që bënin të njëjtën gjë. Ata kurrë nuk kanë pasur mungesë të asgjëje dhe edhe sot e kësaj dite, disa serbë nga këtu ende punoj në dyqanet e tyre, më lënë të kujdesem për traktorët e tyre, për shtëpitë e tyre.
Nenad Andrić: Si kanë jetuar romët dhe jo-romët së bashku menjëherë pas luftës, si ishin marrëdhëniet mes të gjithëve?
Sinan Ramić: Në fillim, menjëherë pas luftës, serbët dhe romët ishin këtu bashkë dhe silleshin mirë me njëri-tjetrin, ndërsa shqiptarët jo. Pse? Sepse menjëherë pas luftës, pasi u kthyen, nuk mund të dilje dhe të ecje lirshëm dhe nuk e dije se nga mund të vinin plumbat. Romët dhe serbët ishin bashkë, mblidheshim të gjithë, nëse kishte probleme me serbët, romët ndihmonin, nëse romët kishin probleme, ndihmonin serbët, i gjithë fshati mblidhej për t’i mbrojtur romët.
Me shqiptarët nuk kishim shumë kontakt pas luftës. Pse? Ndoshta sepse disa prej tyre kishin humbur babanë, nënën, motrën dhe kjo i kishte lënduar shumë. Tani jetojmë sikur të mos kishte pasur luftë, shkojmë lirshëm në Obiliq dhe në Prishtinë, blejmë ushqim atje dhe punojmë atje. Ka njerëz që punojnë në organizata shqiptare, ka edhe romë që punojnë atje. Ka shumë nga fëmijët tanë që punojnë në Lipjan në marketin Viva Fresh. Ata kanë transport të organizuar, rroga e tyre është 450–500 euro.
Është shumë ndryshe nga viti 1999. Deri në vitin 2003 ose 2004 nuk ishte aq mirë, prapë shkonim në Obiliq, por si? Vetëm nëse kishe një shok me makinë. Nëse nuk mund të flisje, thoshin: “Shiko, ja magjupi.” Sot shkojmë lirshëm në Obiliq, nëpër dyqane, hamë në restorante, blejmë furnizime dhe i marrim më lirë atje. Ata na shesin dru dhe qymyr për dimër. Nëse ke para, mund të blesh ushqim dhe dru. Na shesin edhe dru për zjarr me borxh ose me këste.
Nenad Andrić: Cilat festime, tradita dhe zakone kanë qenë të rëndësishme për ju dhe familjen tuaj? A ka pasur ndonjë dallim mes festimeve para luftës dhe tani?
Sinan Ramić: Po, para luftës, siç dihet, kishim Ederlezin, që është festa më e madhe e romëve. Edhe Vasin. Vasi është në dimër, njerëzit rrinin brenda, por shumica e romëve e festonin. Edhe Krishtlindjet, i festonim të gjitha festat. Por për Ederlezin, vishemi më bukur, blinim disa qengja, pije, dhe shkonim te lumi për të marrë degë shelgu. Shtëpinë e zbukuronim me degë shelgu, rrinim zgjuar gjithë natën, çdo shtëpi kishte një radio të mirë, lëshonim muzikë festive me zë të lartë gjithë natën. Në mëngjes, gruaja çohej herët dhe i lante fëmijët me ato degë shelgu. Burri, si kryefamiljar, lahej i pari, pastaj therte qengjat, thërriste dikë për ndihmë nëse i duhej, ndonjëherë shkonte edhe te të tjerët për t’i ndihmuar në atë ritual. Kjo traditë u mbajt nga romët edhe pak pas luftës dhe pastaj, ngadalë, filluan të mos e festonin më Ederlezin, Vasin dhe të gjitha të tjerat.
Nenad Andrić: Pse ndodhi kjo?
Sinan Ramić: Shumë romë janë kthyer në Islam. Islami thotë se është haram të festohen Ederlezi, Vasi dhe festat e tjera, dihet që duhet të festojmë vetëm festat islame, si Bajrami i Ramazanit dhe Kurban Bajrami. Ende ka romë që e festojnë Ederlezin.
Nenad Andrić: Përmendët se muzika ishte gjithashtu një pjesë e madhe e traditës rome dhe, sa di unë, ju jeni edhe muzikant, luani tarabuka. Gjithashtu keni qenë pjesë e shoqërisë kulturo-artistike lokale?
Sinan Ramić: Po, quhej “Miloš Obilić”, ai serbi. U bashkova rastësisht. Askush nuk dinte të luante tarabukën. Askush nuk dinte të luante tarabukë, unë kisha luajtur më parë, por jo shumë, ndërsa vëllai im po, ai luante në bateri dhe tarabukë. Pse? Sepse nuk më interesonte. Por këtu shkova, më thirri drejtori im. Muzika popullore luhej në shkollë, më ftuan të ndihmoja dhe të pastroja dyshemetë pas provave. Shkova një herë, dy herë, tri herë… Ritmi më hyri në kokë. E pyeta koreografin nëse mund të luaja edhe unë. Ai më pyeti: “Çfarë?” “Tarabukë,” i thashë. Më tha ta merrja dhe të bashkohesha. Atëherë nuk e kisha instrumentin. I thashë se do ta gjeja. “Nesër është prova tjetër,” më tha, “dhe ti do të luash.”
Meqë nuk e kisha, çfarë të bëja? Ku ta gjeja tarabukën? Shkova te një rom tjetër këtu, te Hamiti, dhe e pyeta nëse kishte tarabukë, ai tha: “Po.” Atëherë e mora vetëm për një provë. Pas tri provave shkuam në një koncert në Velika Hoça. Edhe atëherë nuk kisha tarabukë. Shkova te Fatoni [një fqinj tjetër] dhe mora tarabukën e tij. Drejtori im tashmë e kishte thirrur dhe i kishte thënë që të ma jepte tarabukën derisa ta gjenim një për mua. Kur shkuam në Velika Hoçë, ishte hera ime e parë atje. Luajtëm dhe na shkoi mirë dhe, kur u ktheva, ia ktheva tarabukën Fatonit. Pak më vonë shkova te vëllai im në Graçanicë, ai e kishte tarabukën e axhës sonë, ia shpjegova dhe ma dha. Ende e kam këtu. Luaja muzikë popullore, kishim koncerte këtu në Plemetinë, Graçanicë…
Nenad Andrić: A keni qenë edhe në vende të tjera jashtë këtu?
Sinan Ramić: Po, kam qenë, kemi qenë. Kam qenë në Jagodinë, Krushevac, Kopaonik, kam qenë në Beograd në emisionin “Žikina Šarenica”, po atë ditë ishim edhe në Obrenovac, kishte edhe atje disa koncerte popullore. Të nesërmen në mëngjes ishim në televizionin Pink, te Neša Ristić, ku edhe unë luajta. Kam qenë edhe në Republikën Srpska [Bosnjë e Hercegovinë], ku qëndruam katër deri në pesë ditë duke luajtur. Atje atëherë kishte një aksion vullnetar për dhurimin e gjakut. Aty dhurova gjak dhe u shpërbleva me një pllakë të artë dhe një medalje.
Nenad Andrić: Për sa dhurime jepet pllaka e artë, për 50?
Sinan Ramić: Ma dhanë sepse erdha nga Kosova, meqë ishim atje me folklor, më nderuan në atë mënyrë.
Nenad Andrić: A e dinin sa herë keni dhuruar gjak më parë?
Sinan Ramić: Deri atëherë kisha dhuruar gjak 60 herë.
Nenad Andrić: Pllaka e artë jepet për 50 dhurime?
Sinan Ramić: Jo, për 100.
Nenad Andrić: Atëherë si e morët me 60?
Sinan Ramić: Atje, në Republikën Srpska, në Bosnje, si shenjë mirënjohjeje.
Nenad Andrić: Pra deri tani, sa herë keni dhuruar gjak, 60 apo më shumë?
Sinan Ramić: Deri sot kam dhuruar gjak 120 herë.
Nenad Andrić: Mashallah, mashallah. Si arritët deri te dhurimi i gjakut?
Sinan Ramić: Është një histori e trishtë. Shumë e trishtë.
Nenad Andrić: A mund të na e tregoni historinë?
Sinan Ramić: Po, sigurisht. Motra ime ishte shumë e sëmurë dhe askush nuk donte të dhuronte gjak për të. Ajo ishte në spital në Nish. Kjo ishte në vitin 1991, 1992. Ju kam gënjyer, herën e parë dhurova gjak në vitin 1986, pastaj në mënyrë aktive nga viti 1993. Kishte edhe një rast me vajzën e axhës sime, ajo ndërroi jetë. Kur isha në ushtri, ajo vuante nga leucemia. Unë isha në ushtri, të gjithë dhuruan gjak për të, por nuk arritëm ta shpëtonim.
Isha në ushtri kur më erdhi një telegram. Po shërbeja në Lubjanë. Komandanti im ishte gjithashtu nga Çagllavica. Ai doli dhe më shikonte, tha: “Ramić.” Unë thashë: “Po, shoku komandant?” “Përgatitu,” më tha. Unë thashë: “Si? Nuk kam para për udhëtim, askush nuk më ka dërguar.” Ai tha: “Mos u shqetëso për paratë, vetëm përgatitu.” Në atë moment mendova se më kishte vdekur babai. Kështu mendova. Ai punonte në ndërtimtari [dhe mendova] se ishte dehur dhe kishte rënë nga skela. E pyeta oficerin: “A më ka vdekur babai?” Ai tha: “Jo, shko dhe përgatitu, duhet të shkosh në shtëpi.” U shtanga, nuk kisha para. Shokët e mi atje e dëgjuan që nuk kisha para, oficeri ua kishte thënë, dhe derisa u ndërrrova me rrobat civile, ata mblodhën para për mua. E pyeta sërish oficerin: “Çfarë është? A ka të bëjë me babain tim?” Ai tha: “Jo, babai yt është mirë, por duhet të shkosh në shtëpi.”
U përgatita, mora paratë që m’i kishin mbledhur dhe ai më dha leje tetëditore. Shkova në stacion për të blerë biletën, por isha në Lubjanë. Në orën 15:30 kisha trenin, e mbaj mend sikur të ishte dje, në orën 08:00 të mëngjesit isha në Fushë Kosovë. Ushtarët atëherë nuk paguanin biletë për autobusin urban, kështu që shkova në Prishtinë. Nga Prishtina për në Graçanicë kisha autobus në orën 10:30, por atëherë nuk munda të prisja. Shkova direkt në shtëpi. E pashë babain gjallë dhe i pyeta: “Çfarë ka ndodhur?” Djali i axhës erdhi dhe më tregoi çfarë kishte ndodhur. Tha: “Gjuka është e sëmurë, na duhet gjak për të, prandaj ta kemi dërguar telegramin.”
Nuk e hoqa uniformën, atëherë ishim të lirë, kur Jugosllavia ishte ende një në vitin 1986. Shkova në Shkup. Shkova në spital dhe në atë kohë jeta e saj varej në një fije. Infermieret filluan një transfuzion të drejtpërdrejtë gjaku nga unë tek ajo, mjeku më shikonte dhe unë isha i veshur si ushtar. Gjaku rridhte ngadalë dhe unë isha aty për një orë, me një gjilpërë në venë. Mjeku rrinte pranë meje, duke matur tensionin, pulsin… E mbajti kështu derisa ajo i hapi sytë. Ajo ishte zgjuar për dhjetë minuta, ma hoqën gjilpërën dhe unë isha i zbehtë si fantazmë. Djali i axhës, që ishte aty me mua, kishte shumë para, ishte mirë ekonomikisht. Ai punonte në ndërtimtari, kishte punuar tre vjet në Libi dhe kishte gjithë paratë e botës. Më pyeti nëse kisha nevojë për diçka, nëse doja të haja diçka. I thashë të më sillte pak ushqim, pak verë të kuqe dhe një kavanoz me panxhar turshi.
Nga viti 1993 fillova të dhuroj gjak në mënyrë aktive. Motra ime ishte në shtratin e vdekjes. Shkova në Nish dhe atje desha t’i rrah disa mjekë. T’i çoja në gjyq. Pse? Ata po çuditeshin pse mbiemri im ishte Ramić dhe i saj Selimović. U thashë se ishte mbiemri i burrit të saj. Më kërkuan certifikatën e lindjes me mbiemrin e vajzërisë. “Ku ta gjej unë atë?” i pyeta. “Ajo është e martuar me burrin e saj. Unë jam Ramić, ajo është Selimović, ajo është motra ime.” Mjeku i dytë që erdhi më lejoi të dhuroja gjak, por prapë kërkonte certifikatën e lindjes. Sikur ishin të verbër që nuk e shihnin sa shumë i ngjanin njëri-tjetrit. Kështu fillova të dhuroj gjak, kur pashë padrejtësitë që ndodhnin, jo vetëm ndaj motrës sime, por ndaj të gjithëve.
Nga viti 1993 punoja në Prishtinë në një kompani, Yugoplastika. Ajo prodhonte pjesë plastike për veturën Yugo. Thirrjet e hapura për dhurim ishin të rregullta, kështu që dhurova gjak për herë të parë. Pas kësaj fillova të shkoja rregullisht në institutin e transfuzionit për të dhuruar gjak. Dhe kur një herë fillon dhe mësohesh me këtë, nuk mund të ndalesh më. Tash e 32 vjet, në mënyrë aktive. Çdo tre deri në katër muaj. Këtu te Kryqi i Kuq kam marrë edhe dy medalje, pllaka, për herën e 35-të, pastaj për herën e 75-të. Tani në nëntor ose dhjetor, e kam harruar kur ma thanë, do të vijnë njerëz nga Beogradi, nga Kryqi i Kuq, dhe duhet të marr një çmim. Me shumë gjasë do të jetë financiar. Për 120 herë, në komunën e Obiliqit askush nuk ka dhuruar gjak më shumë se unë.
A mund ta pi një cigare?