Sami Rama

Mitrovicë | Date: 2 dhjetor, 2024 | Duration: 38 minuta

Kur kena fillu vitin shkollor qater ‘94 – ‘95 atëherë kemi qenë në Bajr tu majt në nji shtëpi private, edhe aty intervenun policia…Atëherë ka qenë dhjetori, 15 dhjetori ka qenë. Ka qenë ni ditë e ftohtë, nji ditë me mjegull e dendur ka qenë, shumë mjegull e dendur. Edhe nxansat duke ardh në shkollë e kanë vërejt policinë që janë tu u sill në atë pjesë ku mbajshim mësim. Ajo shtëpia e ka pas oborrin e rrethuar me muri edhe kemi dal e kemi mbyll derën e oborrit edhe me i qetësu nxansat edhe me fillu procesin mësimor. Edhe ata e kanë kalu murin edhe janë hy në oborr të shtëpisë edhe drejt kanë hy në klasë…E di që më kanë maltretue para nxansave…Çka kanë gjet nëpër banka i kanë fut nëpër stufa, atëherë janë konë stufat e vendosne, i kanë djegë, i kanë shti me shenu ato simbolet e tyre nëpër tabelë. Edhe dikur e di që i kanë lirue, une pak kam qenë i si me thonë i maltretum në mënyrë shtazarake në korridor… I demolun klasët, dhomat, i rrëzun edhe stufat, stufat e ndezur. Para se me asi më shtinën me i kap stufat e ndezura me të thonë të drejtën, derisa mu djegën edhe durtë.


Anita Susuri (Intervistuese), Adea Batusha (Intervistuese), Ana Morina (Kamera)

Sami Rama u lind më 2 maj 1966, në Vidimriq, Komuna e Mitrovicës. Ai ka diplomuar në Fakultetin e Minierave dhe Metalurgjisë në Mitrovicë, i cili ishte pjesë e Universitetit të Prishtinës, dhe ka përfunduar Masterin në Shkenca Teknike. Gjatë viteve ‘90, ai ka dhënë mësim në lëndët profesionale brenda sistemit paralel të arsimit shqip.

Sami Rama

Anita Susuri: Zoti Sami falemnderit që keni pranu me bo intervistën! A mundeni me u prezantu me na tregu vitin e lindjes, diçka për kujtimet e juja të para?

Sami Rama: Falemnderit, unë jam Sami Rama, i lindur me 2. 5. ‘66, në fshatin Vidimriq, Komuna e Mitrovicës. Kështu që, shkollën fillore e kam kalue në fshat edhe në atë periudhën ka qenë shtëpi-shkolla, në shtëpi. Kështu që, pjesën tjetër e kam vazhdu prej klasës së gjashtë deri në klasën e tetë në nji fshat tjetër në fshatin Gushavc, në shkollën fillore “Bajram Curri”. Mbas përfudnimit të shkollës fillore, kam përfundu shkollën e mesme gjimnazin “Silvira Tomazini”, e kam përfundu shkollën e mesme në vitin shkollor 1983 – ‘84.

Kështu që, në vitin 1985 – ‘86 vitin akademik kom fillu studimet në fakultetin e xehëtarisë dhe metalurgjisë në kuader të Universitetit të Prishtinës në Mitrovicë. Studimet i kam përfundu në vitin akademik 1989 – ‘90. Kështu, që kam diplomuar edhe kam marr titullin inxhinjer i diplomuar i metalurgjisë. Pas përfundimit të studimeve në vitin 1990 edhe kam startue në marrëdhënien e punës në shkollën e mesme teknike “Trepça”.

Anita Susuri: Veç pak deri sa vazhdojmë në atë pjesën që na intereson, te pjesa e shkollimit fillor që thatë shtëpi-shkolla, a ka qenë ndonji shtëpi ajo?

Sami Rama: Ka qenë nji fshat që ka rreth shatë kilometra prej qytetit Mitrovicës, kështu që në atë periduhë të viteve të ‘70-ta një bashkëfshatar i joni e ka lëshu shtëpinë për shkollë në atë periudhë, në vitet ‘70-ta. Edhe aty kemi mbajt mësim, aty i kom përfundu edhe klasët e para të shkollimit fillor deri në vitin 1980, ‘79 – ‘80.

Anita Susuri: A ka pas shumë nxansa aty?

Sami Rama: Ka pas nxansa se kemi qenë nji fshat me dikur rreth dyzet shpi. Ka qenë fshat që ka pas nxansa në atë periudhë. Kështu që, pas përfundimit aty e kemi vazhdue klasët tjera në nji fshat tjetër, domethonë në fshatin Gushavc, në shkollën fillore “Bajram Curri”. Tash e ka ndërru emrin, tash quhet shkolla fillore “Harun Beka”, është një luftëtar i lirisë.

Anita Susuri: A ka qenë ajo tamam shkollë, shkollë e re apo?

Sami Rama: Nuk ka qenë shkollë e re, ka qenë shtëpi kështu. Një dhomë, ajo në fshat po mendoj. A kjo ka qenë shkollë, kjo në Gushavc.

Anita Susuri: Po kjo tjetra.

Sami Rama: Kjo në Gushavc ka qenë shkollë. Domethonë tetë vjeçare. Ka qenë e ndërtume shkollë në atë periudhë, nuk e di në cilin vit u ndërtu. Po ka qenë shkollë e ndërtume që ka qenë prej klasës parë deri në klasën e tetë.

Anita Susuri: Ju thatë pastaj që edhe shkollimin e mesëm e keni vazhdu në Mitrovicë. A ka qenë vështirë për shembull…

Sami Rama: Po në periudhën e viteve ‘80 – ‘81 veç kemi fillu në shkollën e mesme “Silvira Tomasini” në gjimnaz. Atëherë ka qenë mësim i orientuem. Dy vite në gjimnaz i kemi majt edhe dy vite kemi majt mësim të orientum, edhe dy vite në shkollë në Zveçan i kemi majt edhe e kemi përfundu vitin e tretë edhe të katërt, vitin shkollor 1983 – ‘84.

Anita Susuri: A ju kujtohet juve ‘81?

Sami Rama: Unë kam qenë nxanës i vitit të parë të shkollës së mesme, po më kujtohet. Më kujtohet shumë, shumë mirë se ka qenë ora e edukatës fizike si nxanës kemi qenë duke mbajtur. E di që profesori u ardh edhe na ka largu dal ngadale prej sallës sportive edhe ekmi dal prej shkollës, po më kujtohet ka qenë 3 prilli në vitin 1981.

Anita Susuri: A keni dal në qytet?

Sami Rama: Kemi dal në qytet.

Anita Susuri: Qysh ka qenë gjendja po më duekt që ka pas edhe…

Sami Rama: Po me thonë drejtën edhe atëherë ka qenë situate e tensionume, situatë e tensionume ka qenë, se ka qenë ajo fushata e vrasjeve, burgosjeve, arrestimeve në atë periudhë ‘81-shin unë si nxanës 14 vjeçar në vitin e parë të shkollës së mesme.

Anita Susuri: A keni pa ndonji dhunë që është bo prej anës policore për shembull?

Sami Rama: Në atë periudhë nuk kam pa, si nxanës i shkollës mesme jo. I kom pa nxënësit duke kërcy prej dritareve të shkollës po. Që me ju bashkangjit demostrusëve, po ka pas, po.

Anita Susuri: A keni vërejt naj ndryshim, për shembull kontroll ma të madhe prej policisë edhe në qytet?

Sami Rama: Po tani, ish pushteti jugosllav, ka qenë nji periudhë kontroll shumë e madhe. Forca të shtume të policisë prej të gjitha pjesëve tjera të republikave të ish Jugosllavisë.

Anita Susuri: Çka e ka karakterizu tjetër këtë pjesën e shkollës mesme për juve, si e kujtoni ju?

Sami Rama: Po ka qenë një periudhë me thonë të drejtën mjaft me sakrificë domethonë në atë periudhë, se ka qenë ajo periudha prej viteve ‘80-ta, ‘83, ‘84.

Anita Susuri: E për fakultetin deshta me ju pyt a keni shku këtu apo në Prishtinë?

Sami Rama: Jo Fakulteti i Xehëtarisë dhe Metalurgjisë ka qenë këtu në Mitrovicë. Po në kuadër të Universitetit të Prishtinës, në kuadër ka qenë në atë periudhë. Atëherë veMetalurgjisë dhe Universiteti i Prishtinës nuk është qujt me ndonji emër sikur tash që quhet Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”, “Isa Boletini”. Atëherë është quajtur vetëm Fakulteti i Xehëtarisë dhe Metalurgjisë në kuadër të Universitetit të Prishtinës.

Anita Susuri: A ka qenë fshtirë për juve si student?

Sami Rama: Atëherë si student po, periudha e vitit akademik ‘85 – ‘86 ka qenë ni flug atëherë i ndërrimit të sistemit, fillun dëmonstratat, fillun pakënaqësitë në vitin 1988 – ‘89 – ‘90, jane organizu edhe protestat. Ka qenë ngjarja e grevës së minatorëve në vitin 1989. Ne kemi qenë të solidarizum si students, atëherë kemi qenë gati edhe absolventa na kur është organizue greva e minatorëve në minierën Trepça, që jemi bashkangjit edhe asaj grevës si studenta. Jemi solidarizu edhe kemi mbajt grevë në kuadër të objekteve të Fakultetit të Xehëtarisë dhe Metalurgjisë në Mitrovicë në atë periudhë, në vitin 1989.

Anita Susuri: A keni shku…?

Sami Rama: Edhe kemi shku, ka shku ni grup i studentave me i vizitue. Kemi marr pjesë në protesta në vitin 1989 në Prishtinë. Kemi ardh në këmbë nga Mitrovica, marsh ka qenë nga Mitrovica deri në Boro Ramiz atëhere është qujt. Tash Pallati i Rinisë, tash Pallati i Rinisë.

Anita Susuri: Domethënë keni qenë edhe ju në minierë apo?

Sami Rama: Ni grup i studentave, unë s’kam qenë në minierë, une s’kam qenë. Kanë qenë grup tjetër studentash organizimi prej ni grupi studentash, jo të gjithë studentat, po grupi organizativ.

Anita Susuri: E a ju kanë thirrë juve me shku edhe në armatë?

Sami Rama: Kem qenë, kem qenë, shërbimin ushtarak e kemi kry, në vitin 1983-’84 e kemi kry, ‘85 jemi kthy prej shërbimit ushtarak. Atëherë ka qenë që u dufke me shku do mos do, në vitin 1984.

Anita Susuri: A keni pas përvoja të këqija për shembull si shqiptar?

Sami Rama: Domethonë sigurisht se atëherë ka pas nifar segregacioni, ka pas qenë. Dihet periudha atëherë ka pas edhe ushtarë ndoshta të vdekur prej shërbimit ushtarak të ish Jugosllavisë.

Anita Susuri: Po, prandaj pyta. E prej udhëheqësve keni pas naj trajtim të keq apo çka?

Sami Rama: Me thonë të drejtën aty ku kom qenë jo. Nuk kemi pas se në Ohër e kemi kry shërbimin ushtarak. Në tetor në vitin 1985 jemi kthy prej shërbimit ushtarak e në tetor vitin 1985 i kom vazhdu studimet.

Anita Susuri: E gjatë studimeve profesora a keni pas atëherë, kanë qenë disa profesora deri ‘81-tën prej Shqipnisë, pastaj janë dëbu…

Sami Rama: Atë periudhë nuk e kam përjetu kur kanë qenë profesorët e Shipnisë. Kanë qenë tonët, kanë qenë kosovarë që kanë mbajt ligjerata. Prej vitit të parë të studimeve deri në vitin e pestë. Vitet e studimeve akademike kanë qenë të Kosovës që i kanë majt ligjeratat. Po ka pas edhe të Maqedonisë shqiptarë që kanë majt, po. Shqiptarë të Maqedonisë po.

Anita Susuri: E qysh ka qenë për shembull jeta kulturore a ka pas jetë kulturore, sociale në atë kohë?

Sami Rama: Ka pas po gjithmonë kanë qenë të kufizume nifar forme, ka pas jetë kulturore, jetë të organizume po pak kanë qenë më të kufizuara kanë qenë. Se vetëm ‘85-tën, ‘86-tën, ‘87-tën, ‘88-tën veç fillun ato lëvizjet e protestat, pakënaqësitë për shembull me sistemin e atëhershëm edhe faktikisht ishte e nevojshme. Se neve kushtetuta ‘74-tën na definojke që ishim si shtet i barabartë me të gjitha ish republikat e Jugosllavisë.

Anita Susuri: Po tani ‘89-tën osht suprimu.

Sami Rama: Po, ‘89-tën osht suprimu po ‘89-tën.

Anita Susuri: E ju thatë që keni diplomu në vitin…

Sami Rama: ‘89, ‘90-tën, ne qershor ‘90-tën kom diplomue. Edhe e kam marr titullin si inzhinjer i diplomum i metalurgjisë.

Anita Susuri: Domethonë ju ende keni qenë brenda objektit të fakultetit?

Sami Rama: Po, në atë periudhë po ende kemi qenë në objekte. Aty e kemi përfundu aty e kemi bo mbrojtjen e temës së diplomës në objektet e fakultetit në pjesën tjetër të qytetit që po thojmë tash ne, në atë periudhë kemi qenë, po. Diku ‘91, ‘92-tën osht largue fakulteti prej objekteve të veta.

Adea Batusha: Tash kishim hy te kjo pjesa e pytjeve për ‘90-tat, sa më në detaje që kishit mujt.

Sami Rama: Në vitin 1989 – ‘90, në tetor kam filluar si mësimdhënës në shkollën e mesme teknike “Trepça”. Shkolla e mesme teknike “Trepça” është njo prej shkollave të para që është largu prej objekteve shkollore që i ka pas në Zveçan, aty ka vazhdu. Se ka qenë vetëm një shkollë teknike në Komunën e Mitrovicës, ka qenë shkolla e mesme teknike “Boris Kidriq”, në vitin 1986 – ‘87 osht nda në dy shkolla, në atë periudhë. Shkolla e mesme teknike “Trepça” ka kalu në Zveçan me drejtimet kimi-teknologji, me drejtimet gjeologji, xehëtari edhe metalurgji. Ndërsa kjo pjesa e shkollës teknike “Boris Kidriq” ka met në këtë pjesën tjetër të qytetit të Mitrovicës me drejtimet të makinerisë, elektros, ndërtimtarisë edhe komunikacionit.

Tash shkolla e mesme teknike “Trepça” në vitin shkollor qysh thash ‘89 – ‘90 osht largu prej objektit se fillun ato tash, ato dëbimet nga shkolla, arrestimet e vrasjet besa në atë periudhë edhe tash ndërhyn edhe në procesin mësimor fillun atëherë me ndryshue plan-programet, janë ndryshu kurrikulat, qysh po ju thojmë tash, po i definojmë edhe tash shkollën e mesme teknike “Trepça” e kanë dëbu prej objekteve në pamundësi ku me fillu viti shkollor, viti shkollor ‘90 – ‘91 ka fillu në shkollën fillore “Ibrahim Pervizi” në atë kohë është qujtur, tash quhet shkolla fillore “Gjergj Kastrioti – Skenderbeu”.

Adea Batusha: Ku është kjo?

Sami Rama: Shkolla është në pjesën periferike të qytetit, që quhet Vaganicë atje. Që ka lujt ni rol shumë të madh ajo shkolla në atë periudhë se ka qenë e vendosun edhe shkolla e lartë teknike në atë periudhë që ka qenë në Zveçan…

Adea Batusha: Osht mbajt qaty në qat objekt?

Sami Rama: Qaty në qat objekt, shkolla fillore, shkolla e mesme e jona, fakulteti, shkolla e lartë. Dikur u tubun të gjitha institucionet shkollore në njifarë forme e kanë zhvillu procesin mësimor në qat objekt shkollor qaty.

Adea Batusha: A ka pas shumë vizita policore?

Sami Rama: Ka pas. Në vitin ‘91 – ‘92 në vitin shkollor në atë periudhë kemi kalu në nji shtëpi private tani, Diku afër stacionit të autobusave…

Adea Batusha: Pse?

Sami Rama: Për shkak që të largohen forcat policore.

Adea Batusha: A ju kanë largu…

Sami Rama: Na kanë largu prej atyshit po. Edhe kemi vendosur në një shtëpi afër stacionit të autobusave, Sheremet Maliqi pronari i asaj shtëpisë ka qenë. Që e ka lëshu shtëpinë si podruma, kati përdhesë edhe zhvillojshim shkolla e mesme “Trepça” ende. Shkollën “Boris Kidriq” diku ‘91 – ‘92 e kanë largu edhe ato prej objektit. Ai ka majt mësim në shkolla tjera në shtëpi edhe ajo. Në vitin ‘92 – ‘93 ende kemi majt në qat shtëpi vitin shkollor.

Tani kemi kaluar prapë në shkollën fillore, prapë jemi kthye. Tu mendu që do të na lejojnë shkollat fillore si shkollë e mesme edhe do të vazhdohet procesi mësimor. Edhe në atë periudhë janë majt edhe zgjedhjet e lira atëherë në Kosovë në atë periudhë ‘92-tën, që janë majt zgjedhjet e para. Edhe u krijun institucionet tona. U kriju qeveria, qeveria jonë kaloj në atë periudhë në ekzil.

Edhe fillun të krijohen edhe institucionet tona arsimore, sistemi jonë paralel i arsimit, të krijohet dokumentacioni pedagogjik. Fillojnë të krijohen dëftesat librat amë, të krijohen ditarët edhe vulat edhe të gjitha që të përgaditen tamam për proces mësimor, në vitin ‘92 – ‘93 kemi mbajt aty po prapë ka intervenu policia. Kemi kalu në një shtëpi në lagjen Bajr, pronar ka qenë Latif Vidishiqi, Latif Jashari.

Adea Batusha: Më fal që po të ndërprej, edhe qeto intervenime qysh kanë ndodh a u ditë a u prit diçka?

Sami Rama: Çdo moment u pritke, çdo moment u pritke. Kom pas rastin në vitin 1993-tën, me 20 maj ka qenë më kujtohet shumë mirë, ditë e ejte ka qenë, forca të shumta policore, unë isha në fshat atje tu jetue, erdhën na bastisën. Atëherë kontrollojshin edhe ora tetë e mëngjesit ka qenë. Atëherë i mbajshim ne ditarët me veti si kujdestarë të klasës, dëftesat. Edhe në atë periudhë ne i vulosëm dëftesat me Republikë të Kosovës, diplomat i kishum edhe mi gjetën, në shtëpi mi gjetën.

Atëherë më kanë arrestue, në shtëpi më kanë arrestue edhe mi kanë marr me dëftesa, me ditarë që i kemi pas edhe na kanë çue në sigurim SUP [MPB] i thojshin në atë periudhë. E kanë marr edhe ni kusheri edhe babën e ndjerë edhe na kanë maltretue prej mëngjesit deri në mbramje. Për shkak të gjithave dhe dokumentacionit. “Pse po mani mësim me këto vula të Republikës së Kosovës?”. I kemi pas edhe dëftesat edhe diplomat të gjitha.

E në vitin 1994-tën në dhjetor kur kena fillu vitin shkollor qater ‘94 – ‘95 atëherë kemi qenë në Bajr tu majt në nji shtëpi private, edhe aty intervenun policia. Ishim tu majt mësim me tri ndërrime në atë periudhë. Ishte si ushtrues detyre zavendës drejtori ka qenë Blerim Baruti edhe ishim në ndërrimin e dytë prej orës 11:00, ishim me dy kolege tjera, gjuhës shqipe dhe matematikës Drita Idrizi edhe Advie Haxhiu. Edhe aty në ora 11:00 ka intervenu policia edhe na ka nxonë në shtëpi private. Ishin dhomat që i pregaditum për mësim, me karrika, me banka edhe tabelat.

Kështu që, edhe fillum me majt procesin mësimor. I ndezëm stufat, i ndezën ata punëtorët teknikë që mu nxë klasët për me fillu processing mësimor. Atëherë ka qenë dhjetori, 15 dhjetori ka qenë. Ka qenë ni ditë e ftohtë, nji ditë me mjegull e dendur ka qenë, shumë mjegull e dendur. Edhe nxansat duke ardh në shkollë e kanë vërejt policinë që janë tu u sill në atë pjesë ku mbajshim mësim. Ajo shtëpia e ka pas oborrin e rrethuar me muri edhe kemi dal e kemi mbyll derën e oborrit edhe me i qetësu nxansat edhe me fillu procesin mësimor.

Edhe ata e kanë kalu murin edhe janë hy në oborr të shtëpisë edhe drejt kanë hy në klasë. Ka qenë klasa në këtë forms, siç jemi në këtë zyre, tabela bile ka qenë në këtë pjesë kështu {tregon djathtas}, dera ka qenë në këtë formë {tregon përballë}, edhe kam qenë para nxansave, kam qenë me maturanta. Kom majt mësim, ka qenë drejtimi kimi e teknologjisë. Edhe i kanë ra shkelëm derës edhe kanë hi drejt e në klasë. Bile nxansave para se me hi ju thash, “Mos u frigoni, në qoftë se kanë diçka, kanë me mue”. Edhe janë hi edhe kanë thanë, “Çka po bon ti këtu?” thash, “Po maj mësim”. Tha, “Qysh po man mësim i vetmi ti” thash, “Janë kolegët tjerë nëpër klasë”.

E di që më kanë maltretue para nxansave. Edhe më kanë marr më kanë qit në korridor, e di aty kur i kom thonë, “Nxansat liromni e ndaj meje boni çka të doni” tha, “E shohim çka bojmë edhe ndaj teje edhe ndaj nxansëve”. E di që te nxansit janë hi i kanë maltretue, nëpër dhoma po mendoj. Çka kanë gjet nëpër banka i kanë fut nëpër stufa, atëherë janë konë stufat e vendosne, i kanë djegë, i kanë shti me shenu ato simbolet e tyre nëpër tabelë. Edhe dikur e di që i kanë lirue, une pak kam qenë i si me thonë i maltretum në mënyrë shtazarake në korridor.

Edhe e kom pa që nxansat i kanë liru dikur edhe i kanë qit përjasht, duke shkuar rrugës e kanë takuar një profesor Bashkim Koliqi ka qenë ai ka majt mësim në shkollën tjetër “Boris Kidriq”. Shkolla tjetër majke në shpi tjetër ma poshtë, në qat lagje njejtën lagje. Edhe e di që më kanë liru, kur më kanë lirue as vet se kom ditë kom shku nifarë qoshi afër lagjës. Edhe më ka vërejt profesori Bashkim e di që më ka marr edhe më ka çue me më dhonë ndihmën e parë në një ambullantë të improvizume “Nënë Tereza” ka qenë në lagjen Bajr.

Atëherë ma kanë dhonë ndihmën e parë. Po para se me më lëshue policia… se i demolun klasët, dhomat, i rrëzun edhe stufat, stufat e ndezur. Para se me asi më shtinën me i kap stufat e ndezura me të thonë të drejtën, derisa mu djegën edhe durtë, me të thonë të drejtën. E di qaty tani profesori Bashkim më ka marr edhe më ka çu drejt e në ambullantën e improvizume “Nënën Terezë” ka qenë në atë periudhë e kam marr ndihmën e parë.

Neve në atë periudhë e kishëm nifar morali të fortë, idealin që do mos do edhe prapë mas disa dite ju kthejshim procesit mësimor prapë ju kthejshim procesit mësimor. E në vitin 1994 – ‘95 këto dy shkolla janë bo bashkë shkolla e mesme teknike “Trepça” shkolla e mesme teknike “Boris Kidriq” edhe aty osht propozu edhe është marr vendimi atëherë prej ministrisë, qeverisë në ekzil që shkolla të quhet shkolla e mesme teknike “Arkitekt Sinani”. Pas përfundimit të vitit shkollor në vitin ‘74 kemi kalu prapë në shkollën fillore të “Ibrahim Pervizit” në atë periudhë që u qujt.

Aty e kemi fillu prapë procesin mësimor e di që në vitin ‘95 na ka ardh policia prapë në shkollë, mas dite në ndërrimin e tretë u bomë bashkë me këtë shkollën tjetër ishëm edhe ishëm të gjithë mësimdhënësit kur fillojshim me mësu në sallë edhe erdhën forcat policore, erdhën forcat policore edhe na rrethun aty me bastisë, më kujtohet shumë mirë kur ishëm të gjithë rreth tavolinës profesorët dhe profesoreshat edhe aty na kanë arrestu gjashtë profesorë, na kanë marr edhe na kanë çu në SUP edhe na kanë maltretue, po prapë ju kthejshim procesit mësimor.

Adea Batusha: A ju kanë lëshu qat ditë?

Sami Rama: Qat ditë na kanë lëshue.

Adea Batusha: Edhe herën e parë që të kanë arrest qat ditë?

Sami Rama: Po qat ditë. Qat ditë më kanë lëshue. A në fshat edhe nesrit na kanë marr, dy ditë. Në fshat kur kam qenë atëherë na kanë arrestu dy ditë. Edhe prapë e vazhdojshum procesin mësimor deri në vitin kur ka filluar lufta çlirimtare nën udhëheqjen e komandantin legjendar Adem Jasharit.

Adea Batusha: E cilën landë e ke jep ti?

Sami Rama: Landën profesionale e kom dhonë të drejtimit përfitusi metaleve ka qenë atëherë, metalurgji është qujtur. I kom dhonë landë për shembull përfitimi i metaleve me ngjyrë, njohja e materialeve, këto landë i kom dhanë, po i kom dhonë katër-pesë landë.

Adea Batusha: Domethonë ty të ka ra me u konë mësimdhënës gjatë krejt qesaj periudhe…

Sami Rama: Prej 1990-tën deri 2021-tën kam qenë mësimdhënës.

Adea Batusha: Domethonë qeto vjet e fundit ti je bo drejtor?

Sami Rama: Po, drejtor. Prej vitit 1994 vitin akademik deri në vitin 2008-2009 kam qenë asistent i angazhum në fakultet si bashkëpunëtor i jashtëm. Kom majt mësim, kom majt disa orë ushtrime në Fakultetin e Xehëtarisë Metalurgjisë, të Drejtimit Metalurgjisë i kom majt. Deri në vitin akademik 2008-2009, kom qenë edhe asistent i angazhum. E në vitin 2007 i kom përfundu studimet postdiplomike edhe e kom marr titullin magjistër i shkencave teknike.

Anita Susuri: Deshta edhe me ju pyt se osht ni dallim tash ju kur keni qenë student edhe me nxansit e juj se kam ndëgju që shpesh në shkollë të mesme po edhe në fakultet kanë pas të drejtë me shku në minierë brenda, me bo si lloj praktike.

Sami Rama: Po.

Anita Susuri: E tash për shembull vitet ‘90-ta ka qenë…

Sami Rama: Tash jemi proces arsimor që mbas luftës kanë ndodh shumë ndryshime. Kanë fillu shumë reforma prej vitit 2000 e këndej. Edhe në periudhën e viteve të ‘90-ta, atëherë nëpër shkolla të mesme, ka qenë për shembull shkolla e mesme teknike “Trepça” edhe shkolla e mesme teknike “Boris Kidriq” osht zhvillu mësimi praktik. Po atëherë ka qenë kombinati “Trepça”, praktikën, profesionet që i kanë përmbajt i kanë kry praktikën në “Trepçe”. Nxansat që e kanë kry profilin e metalurgjisë kanë qenë në shkritoret e “Trepçës” atëherë.

Në shkritoren e plumbit kanë qenë, në shkritoren e zinkut, që ka qenë metalurgjia e zinkut në këtë pjesën tjetër të qytetit. Ndërsa metalurgjia e plumbit ka qenë në Zveçan. Mirëpo edhe në atë periudhë e kanë kry praktikën. Edhe ne si studenta, ne si students në atë periudhë ni pjesë e kemi krye, kemi qenë në vizitë edhe në “Trepçe” kemi qenë. Kemi qenë në fabrikën e llamarinës për shembull, në “Llamkos”, kemi qenë në fabrika të ndryshme për shembull që e kemi kryer praktikën që është përshtatur tamam procesit mësimor, pjesën teknike.

Anita Susuri: E tash vitet e ‘90-ta ajo ka mungu plotësisht…

Sami Rama: E tash po, prej viteve të ‘90-ta tani ka mungu plotësisht, mësimi praktik nuk ka qenë i organism si duhet, jo. Po prej viteve të ‘90-ta deri vitin ‘99, po. Na ka mungu shumë se atëherë veç fillun pushteti jugosllav, procesi serbo-sllav ti largoj gjithë punëtorët prej punëve. Të gjitha ndërmarrjet ti mbyll për shembull, ti mbyll në atë periudhë. Edhe faktikisht është e pamundshme me e zhvillue procesin e mësimit praktik nëpër këto ndërmarrjet për shembull, ku ishte procesi i praktikës profesionale të harmonizohet me pjesën teorike të procesit mësimor.

Anita Susuri: Si i keni ndihmu nxansat në këtë aspekt?

Sami Rama: Jemi mundue në forma të ndryshme jemi mundu në atë periudhë. Në forma të ndryshme. Bile shpesh me nxansa të rregullt tash që majm mësim, shpesh ja kujtoj atë periudhë ju thom, “Ma me rregull janë ardh nxansat në atë periudhë” për shembull “se në qet periudhë që po vini që sju mungon asgjë”. Sinqerisht po thom, kanë ardh me shumë sakrifica për shembull në proces mësimor. Nashta s’kanë guxu t’ju duken edhe librat në dorë se ku po shkojnë me majt mësim, po flas ëpr nxënësit e shkollimit të mesëm kryesisht. Kryesisht ka qenë një periudhë mjaft… po ka qenë nji, unë për veti ndihna krenar për atë periudhë të lavdishme.

Anita Susuri: Domethonë deri kur ka vazhdu, deri ‘99-tën që kanë fillu bombardimet?

Sami Rama: Deri ‘99-tën, deri me 24 mars viti 1999-tën.

Anita Susuri: Si ka qenë qajo ditë e fundit në shkolla?

Sami Rama: E tash veç u vërejt që situata po përkeqësohet. Ka ndodh masakra e Reçakut, ka ndodh në vitin 1999 në janar, me 15 janar. U ndëgjojshin që ndodhshin masakrat e shumta, vrasje. Kështu që u dasht me ndërpre edhe procesin mësimor me fillimin e bombardimeve të NATO-s.

Anita Susuri: Më duket edhe në Mitrovicë në pazar e patën hedh…

Sami Rama: Po ka qenë ‘98-tën ka qenë në tregun e qytetit, edhe aty një numër i amdh i plagosunve kanë qenë, ni number i madh i qytetarëve, po. Po nuk e di datën e saktë.

Anita Susuri: Si ka qenë pastaj kur është ndërpre, veç ka fillu domethonë situata ma e fshtirë, ma e keqe?

Sami Rama: Tash kur u ndërpre procesi, tash popullata osht organizu për shembull. Disa janë mobilizu edhe në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, ni pjesë e mësimdhënësve në atë periudhë, janë mobilizue. Faktikisht një pjesë edhe janë dëbu në Shqipëri. Po gjatë asaj periudhe atje është vazhdu edhe procesi mësimor. Edhe nëpër kampe, kam njohuri që është bërë edhe organizimi i procesit mësimor.

Anita Susuri: E për juve si ka qenë personalisht kjo kohë e luftës, kur ka fillu, a keni qenë ende në Mitrovicë?

Sami Rama: Këtu kam qenë gjatë asaj periudhe prej 24 mars deri me 18 qershor kur jemi kthye në Mitrovicë diku kemi qenë së bashku me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, me ni grup me të afërmit e mi edhe me bashkëshorten time, që nuk mu ka nda askund. Ksajde kemi qenë tanë kohën, nuk kemi shku në kolonë në Shqipëri po kemi qenë tanë kohën deri me 18 qershor të vitit 1999 kur janë kthye në Mitrovicë.

Anita Susuri: Si keni mujt me i ikë kësaj kolonës se e di që kanë hi nëpër shpija i kanë nxjerrë njerëzit?

Sami Rama: Me 14 prill atëherë veç u bë nji, si të them një dëbim masiv i popullatës nga Mitrovica. Edhe atëherë kanë tubu gjithë popullatën e Mitrovicës afër ujësjellësit, këtu në një lagje të qytetit që quhet Shipol, atje i kanë pas tubu krejt popullatën. Edhe ni pjesë të popullatës e kanë dëbu qat ditë me 14 prill në vitin 1999-tën. Edhe janë nisë ni pjesë e popullatës dikush me vetura, dikush me makina të ndryshme. Po ni pjesë e popullatës është nda atë mbramje 14 prill 1999-tën, edhe kemi qëndrue afër shkollës fillore tash quhet “Fazli Grajçevci”.

Aty kemi qëndru deri në mëngjes si popullatë. Edhe me 15 prill tash ni pjesë e popullatës mendum që po na kthejnë nëpër shtëpia, por jo edhe prapë jemi nda, aty jemi nda, pjesa e popullatës ka shkue për Shqipëri. Tash që festohet si Ekzodi ‘99 që një pjesë e madhe e popullatës kanë shkue në kam prej Mitrovicës, në Shqipëri, në kamë. Ka qenë kolonë edhe tash festohet si dita e Ekzodit ‘99. Osht edhe ai lapidari në Kukës, në qoftë se keni qenë në vizitë. Ne për çdo vjet gati me nxansa shkojmë edhe e vizitojmë atë lapidar, në Kukës është i ndërtuar.

Edhe me 16 prill ne me ni grup, po thom të drejtën me disa djem të agjallarëve, me prindin teme dhe em bashkëshorten ne kemi qëndru knena nëpër male. Edhe mendimi ka qenë që ti bashkëngjitem Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës edhe me ta kemi qëndru deri me 9 qershor. Kemi qëndru në pjesën e Shalës kemi qëndru knenaj, në zonën e Shalës e tani në fund kemi zbrit në Kçiq kur u nënshkrua marrëveshja e Kumanovës, me 9 qershor 1999, e me 18 qershor jemi kthy në Mitrovicë.

Anita Susuri: Çka keni përjetu gjatë qasaj kohe që keni qenë në mal?

Sami Rama: Kemi përjetu mjaft, tash me i kujtu ato… me thonë të drejtën i kam pas të shkrume në nji bllok kështu, doemthonë në fletore i kom pas të shkrume krejt, çdo ditë e kom pas të shkrume. Po më ka hup pas lufte, pas lufte më ka humb.

Anita Susuri: Thatë që edhe shpinë ju kanë djegë.

Sami Rama: E kanë djegë edhe shpinë e kanë djegë kështu tamam. Literaturën po thom ma së shumti e kom nostalgji se i kom pas diku 800 tituj të librave i kom pas edhe nga letërsia edhe nga shkenca e kom pas literaturën shumë. Kam pas libra lektyra prej klasës parë deri tetën. Tani kam pas libra romane të ndryshme komplete për shkollë të mesme. Tani literatura shkencore të studimeve.

Anita Susuri: Në cilin vend e keni pas shpinë?

Sami Rama: Në Kroj të Vitakut, te lagja Kroi Vitakut.

Anita Susuri: A e keni edhe sot aty?

Sami Rama: Po. Atëhere na kanë pas djegë, po.

Anita Susuri: E kur jeni kthy e keni pa shpinë e djegne, si e kishit përshkru?

Sami Rama: Me thonë të drejtën ne u kthyem, po nuk kishim ku të kthehemi. Ishin shtëpitë e djegura me temel. Shtëpi të djegura. Atëherë kemi qëndru në një shtëpi të mikut në fshatin Vaganicë ni periudhë pesë vjeçare si familje. Se unë kam qenë ni vëlla me katër motra. Nana me motra ka shku në Shqipëri. Unë me babë e me shoqe kemi qëndru këtu tonë kohën nuk jemi largue. Edhe aty jemi vendos deri sa janë kthye prej Shipnisë me 2 korrik 1999-tën. Edhe aty kemi qëndru pesë vite deri 2004 – 2005, tani kemi banu me qira, tani jemi vendos ni banesë, si familje. Ka qenë ni periudhë mjaft sfiduese, mjaft. Po kur mendojshe që anëtarët e familjes kanë shpëtu atëherë ish pak ma… kur e mendojshe që disa kanë dhonë jetën, osh pak çështje ma…

Anita Susuri: E kur ka qenë hera e parë që jeni kthy nëpër objektet e shkollave edhe shpesh dëgjoj raste që janë gjet edhe shenja të dhunës ehde shkatërrimit?

Sami Rama: Ne e kishim dokumentacionin si shkollë në shkollën fillore “Ibrahim Pervizi” në atë kohë. Dokumentacioni pedagogjik, po ni pjesë disa kolegë e kishin pas shpëtue atë dokumentacionin krejt çka ka mbetë. Edhe na ën shtator 1999-tën veç kemi fillu me procesin mësimor, në shtator viti 1999-tën, veç kemi fillu në qat shkollë, domethonë në shkollën fillore “Ibrahim Pervizi”. Se na objektin e shkollës krejt në objektin tjetër të qytetit edhe në Zveçan, shkolla e mesme për shembull “Boris Kidriqi” e ka pas në këtë pjesën tjetër të qytetit. Sot e atë ditë është ai objekti, po tash ajo pjesa e tjetër e qytetit e shfrytëzon për institucione tjera.

Anita Susuri: Adea [a ke ndonjë pyetje]?

Adea Batusha: Qat pjesën për shkolla-shtëpi e mora vesh krejt, kështu që…

Anita Susuri: Nëse doni edhe diçka me shtu për pjesën e shtëpi-shkolla, tash s’po di…

Sami Rama: S’po di çka me shtu tjetër, unë e kom pas ëprgadit me shkrim edhe vet kështu si intervistë, e kom marr edhe si dokument që e kom te Amnesty International, që e ka publikue këtë rastin, periudhë ‘94-tën. Në këtë shtëpinë në Bajr që na ka shti me durë me mbajt stufat që na u kanë djegë durtë. Qe na kanë maltretu, e kanë maltretu edhe atë kolegun, ato dy koleget, profesoreshën Drita edhe profesoreshën Advije në atë periudhë.

Anita Susuri: A keni dëgju që ka pas dhunë edhe te kolegët e tjerë për shembull? Jo të shkollës juj?

Sami Rama: Po ka pas edhe në atë shkollën tjetër se deri qat periudhë kemi qenë dy shkolla. Po ka pas edhe në atë shkollën tjetër maltretim. Ka pas maltretim edhe në shkollën fillore, kur vishin policia që na maltretojshin, na rrahshin. Se kish najher që u përzijshim me nxënësit e shkollës fillore. Ni klasë e shkollës fillore, ni klasë e shkollës mesme, që mos të bijmë në sy ndaj policëve sërbo-sllav.

Adea Batusha: E nxansit a janë knoë shumë shpesh viktima të këtyne maltretimeve?

Sami Rama: Kanë qenë edhe nxansët, çdo herë që na kanë rrehë policia, kanë qenë viktima edhe nxansat. Po, edhe nxansat kanë qenë. Çdo aktivitet sportiv në qat shkollë është majt në atë periudhë. Çdo garë sportive, ose ndonji program festiv osht majt në qat shkollë, në shkollën fillore “Ibrahim Pervizi”, na i kemi thonë gjithmonë Vaganicë, se në qat periudhë është qujt Vaganicë si lagje e Mitrovicës.

Anita Susuri: E a keni ndonjë kujtim prej helmimeve të nxanësve? Keni pas raste te ju?

Sami Rama: Ajo ka qenë ën vitet ‘90 – ‘91. Unë e kam pas motrën në atë periudhë nxanse e gjimnazit që është helmue, po. Ka pas pasoja shumë, shumë të rana. Bash në periudhën e helmimeve në vitin 1990 – ‘91 ka qenë, në atë kohë.

Anita Susuri: A është mjeku këtu?

Sami Rama: Këtu është mjeku, ka qenë bashkë me ni vajzë të afërt, çikë të agjës, ato kanë qenë shoqe të klasës bashkë edhe dyjat u patën helmue, në qat periudhë po.

Anita Susuri: Po më duket ma shumë në sistemin nervor ka ndiku?

Sami Rama: Ato tani më doket mjekët francezë, se mas luftës ka qenë Bernard Kushneri bile ai ka qenë që i ka pas identifiku që ka qenë helmim i nxanësve te ne.

Anita Susuri: Mirë, zoti Sami, falemnderit shumë!

Sami Rama: Me nder qofshi, ishte kënaqësi!

Anita Susuri: … edhe për kontributin edhe intervistën.

Sami Rama: Po thom ka qenë ni periudhë shumë e lavdishme, ka qenë luftë që nuk harrohet. PO pe qesim edhe na pak si anash. Se qeta janë krejt përfaqësuesit e institucioneve tona të asaj periudhe. Krejt janë kuadra që kanë dal prej qasaj periudhe, e viteve ‘90 – ‘99. Krejt të qasaj periudhe janë tu e udhëheqë shtetin qetash. Krejt janë gjenerata të qasaj periudhe. S’dueht ta hedhim poshtë atë periudhë, ka qenë ni kontribut i jashtëzakonshëm. Jo vetëm i mësimdhënësve po edhe i popullatës se popullata ka qenë e organizume i kanë ëlshu shtëpi-shkolla. Edhe ka qenë kontribut shumë i madh.

Download PDF