Pjesa e Parë
Sali Cacaj: Sali Cacaj nga Deçani, i lindur me 1 shtator 1951, në familjen Cacaj të Deçanit.
Erëmirë Krasniqi: Zotni Cacaj, a mundesh me na folë për kujtimet e hershme të rinisë, për familjen e juaj, dhe rrethin ku jeni rritë?
Sali Cacaj: Po, që nga koha kur unë mbaj mend, si fëmi ne kemi jetuar në një bashkësi familjare, dikun mbi dyzet anëtar të familjes. Kemi jetue në pjesën e vjetër të Deçanit, të fshatit të Deçanit. Infrastruktura e shtëpisë ka qenë, një shtëpi në rrugën kryesore nga ana perëndimore duke shku në fshat, në të djathtë një shtëpi, një kullë tre katëshe, e vazhduar me kullën tjetër dy katëshe, e në brendi ka pasë një bunar që ende edhe sot është. Ka qenë noshta rreth tridhjete metra i thellë, ka qenë një pjesë për bagëti që i thonin posllomi. Kem pasë kosha, dy kosha. Ka qenë dudi, bojlia, kopshti dhe të gjithë ato që më përkujtojnë, ftojtë dhe të gjitha ato që më përkujtojnë fëmijërinë e hershme.
Erëmirë Krasniqi: Qysh ka qenë jeta në bashkësi?
Sali Cacaj: Me të thanë të drejtën, unë e çmoj atë jetë të asaj kohe. E shof që ka qenë një organizim mos të thom veç mjaft i përkrym, ka qenë një hierarki familjare të cilën unë e mbaj mend, që i zoti i shtëpisë ka qenë si me thonë sot president i një organizate apo ni kështu që osht’ respektu skajshmërisht.
Ka pasë një harmoni të pashoqe. Asnjëherë në jetë nuk kom vrejtë grindje në mes, qoftë të gjinisë mashkullore, qoftë të gjinisë femërore. Secili i ka pasë detyrat e veta. Ma vonë i kom kuptu, se në ato kohra nuk e kom kuptu, por ma vonë e kom kuptu hierarkinë dhe organizimin mjaft të mirë, bile mos të thom për atë kohë shumë të qëllum, edhe shumë mund të them, mjaft perfekt.
Ka qenë pjesa [puna] e ndarë e mashkujve apo burrave të shtëpisë, dikush i ka rujt delet, tjetri i ka rujt loptë, tjetri ka qenë në mulli, se ne e kishim edhe një mulli në afërsi të qendrës së Deçanit. Ndoshta nga shtëpia njëqind e pesëdhjetë metra. Mullini osht’ edhe sot e ksaj dite në mbrojtje të trashëgimisë kulturore. Mullini ishte shumë i hershëm, po ma vonë përballë kuvendit komunal të vjetër të komunës së Deçanit, dhe aty mullini i kishte tre gurë, i thonim ne, dhe e di që njerëzit që blunin kanë qenë nga [ana] Drini, nga Ura e Shejtë, të huaj, gjinë, njerëzit, dhe gjithë ato fshatra, jo vetëm të komunës së Deçanit por edhe të Gjakovës, Pejës me rrethinë. I ka lidhë arsyeja sepse mullini ishte në qendër, kur njerëzit shkonin në bjeshkë, e bishin drithërin për ta blu, edhe mas dy dite, tri dite, ai mullini rrinte njëzet e katër orë i hapur, kështu që njerëzit e kanë marrë në çdo kohë, e kanë gjetë aty, jo për ta çu në shtëpi e pastaj për ta bajtë atje.
Mullini ka qenë, kanë punue dy- tre persona në kohën kur ka qenë njeni i smutë, osht’ zëvendësu tjetri. Meqenëse, është çështja te mullini, në mulli kanë punue me kohën baba Zymer, pastaj ka punue ni kohë baba Isufi i cili ishte i zoti i shpisë. Ndërkohë, në periudha të shkurta zakonisht ka qenë jo punë e randë sidomos fizike edhe aq kanë punu edhe të tjerët, edhe baca Demë, edhe im at Asllani apo Azllani si i thojshin. Kanë punu baca Hamëz, baca Bekë dhe shumica kaniherë, edhe ne të rijtë silleshim dhe rrishim andej sepse ka pasë edhe nji llamë ku qëndronte mullisi apo ai që blunte.
Aty ka pasë një oxhak, ka qenë ni shtrat ni lartësi noshta pak me të lartë sesa kauçat e sotshëm, kurse ka qenë nji karakteristikë se përtej shtratit, noshta jo për dy vetë taman, pak më i ngushtë ka qenë, për ni person, pak ma i gjonë se për ni person. Ka pasë një karakteristikë sepse aty ai ka qenë me drrasa, mullini ka qenë i gurit ndërsa ajo ndarja ka qenë me drrasa. Ka pas një dritare nga pjesa e brendshme kur merrte ftoftë për të parë hyn apo nuk hyn dikush, për të parë ndonjë njeri, ai është funksionaliteti i tina në mulli.
Ni karakteristikë ka qenë që përtej asaj dhomës së fjetjes, dhomës ku qëndronte mullixhiu ka qenë ni derë që nuk u vrenjte fare, dërrasa që ishte imitim i prerë e dërrasave që kishte në brendi, një pjesë dikun noshta 3×2 metra, edhe e kanë përdor për t’i mshef gjërat ma të rëndësishme, qoftë ushqimin, qoftë ndonjë person nëse ka asi pozita të palakmueshme me pushtetin, apo gjërat që jonë mshef gjithmonë kanë ekzistu në ato kohra.
Erëmirë Krasniqi: A mundesh me na fol për familjen tonde t’ngushtë?
Sali Cacaj: Po. Gjyshi im i kishte katër vllazën, njeni nga ata nuk ka pasë fëmi, Tahiri. Ndërsa, të tjerët, Halili ka pasë fëmijë, Imeri ka pasë fëmijë dhe im at ishte vetëm, dhe kishte një motër e cila i patë vdek shumë herët prej tuberkulozit. Ka pasë dy fëmijë, bineq pastaj im at… por nuk i kanë jetue, pastaj fëmitë nuk i kanë jetue një kohë, pastaj ne jemi dy vëllezër dhe gjashtë motra.
Erëmirë Krasniqi: Ku keni shku në shkollë?
Sali Cacaj: Shkollën fillore e kam krye në Deçan. Shkollën e mesme, në Deçan e kam kry shkollën fillore që ishte një pjesë nga pjesa e vjetër ndoshta nja tre-katërqind metra. Mësuesi i parë i imi ka qenë Riza Alaj, dhe në vitin e dytë të shkollës fillore. Ishte një person me një pamje të jashtëzakonshme. Ishte taman si artistat e Hollywood-it, i gjatë me një pamje po thom lirisht në atë kohë, ma vonë i shiqonim filmat e Hollywood-it, Rock Ansoni dhe shumë të tjerë artista që kanë qenë si Hemfri Bogardi e asine, ama mësuesi ynë, ma vonë e kam vrejtë, që nuk dallonte nga ata as në pamje as në bukuri dhe as në elegancë.
Ishte një njeri i përkrym, i prerë, i matur, shumë i mençum, shumë autoritativ, karizmatik dhe në një kuptim frymëzimin e pedanterisë e kam pak prej tij aq sa, ndoshta s’mund të jem aq pedant, por e kam pak prej tij. Më vonë, ai ishte drejtor i Normales në Deçan, ma vonë shkoi drejtor në Prizren e shumë më vonë e di që ka qenë për një periudhë të gjatë drejtor i Televizionit të Kosovës.
Erëmirë Krasniqi: Çka ju kujtohet prej shkollës fillore, po mendoj ma gjanësisht?
Sali Cacaj: Shumëçka më kujtohet. Më kujtohet mësuesi ynë me një përkushtim shumë të madh, se në ato kohëra dallonte prej kohërave të sotshme, se kryesisht ne dijen, shkrimin, diturinë për botën, për gjërat e tjera i mësonim vetëm nga mësuesit dhe profesorët. Ndërsa, sot është një kohë që mësohet përpara prej internetit, prej jetës së përditshme. Kujtimet me respektin ma të madh për mësuesin tonë Riza Alaj, i pari ka qenë tepër i afërt, tepër i shoqërueshëm, tepër i ngrohtë, si me thonë i përshpirtshëm mirëpo ka qenë shumë i prerë. Ai ku ka thanë nji gja osht’ kështu, ndryshe nuk ka ba asnjiherë.
Lujshim qysh atëherë si në fëmijëri me ekipet e topit, u ndajshim lujshim, bora kur binte lujshim me bosa bore si shumë të tjera. Shpesh herë, ndërtonim dordoleca që i thomi. Pastaj, mbaheshin turnirët e topit me ciklet e klasave të para mes veti, cila klasë fitonte. M‘kujtohen ato, si gjithmonë kam qenë një aktivist i lojërave, i topit dhe në vrapime.
Pastaj, mësuesi i klasës se dytë ka qenë nji Qemajl Dobroshi, në klasën e tretë, kah fundi i klasës së dytë profesori Rizaja ka pas nji fatkeqësi, e patën plagosë. Qysh atëherë më kujtohet, nuk di kush por e patën plagosë këtu {tregom me dorë kah lëndimi}. Nuk e di, indirekt konflikte që kanë pasë dhe ne qanim se na kanë vra msusin, por ama shumë kohë kur shiqoja filmat e Shqipërisë, televizionin shqiptar [RTSH], në ni filëm e kanë vra msusin, m’u gjithmonë m’u kthente si… shumë ma herët na kanë vra neve mësuesin. Ama, fatbardhësisht jetoi. Ishte vetëm një plagosje e lehtë, më dukët ka qenë indirekte, kshtu nji konflikt, nuk m ‘kujtohet ma shumë.
Erëmirë Krasniqi: Çka ju kujtohet prej jetës së asaj kohe, se ju jeni po ashtu edhe gjenerata, jeni bash meniherë mas Luftës së Dytë Botërore. Çka ju kujtohet prej qatij aspektit social, qysh ka ndodh q’ai ndryshimi po mendoj socializmi?
Sali Cacaj: Ne, atëherë nuk..
Erëmirë Krasniqi: A e dishit ju qato?
Sali Cacaj: Ne kemi qenë në Deçan, e dishim që atëherë ishte, kishim një frikë që në fëmijëri prej policie, kishim një frikë pak natyrisht prej pushteti, prej ushtrie, prej…. Pleqtë rrëfejshin në kohna të ndryshme për luftërat që jonë ba. Im at, unë preferoj im at se osht’ shqip. Ai ishte njëri prej atyne që ishte ne Luftën e Dytë Botërore, ka marrë pjesë. Ka qenë i plagosun. Realisht, më thonë tanët kanë marrë pjesë noshta në lufta ma shumë të detyrueshme sepse pushteti i atëhershëm i ka detyru njerëzit m’i ba.
Përcaktimet nuk i kanë pasë komuniste në asnjë mënyrë edhe… mirëpo, kanë qenë të kyçyn në disa gjana tjera, ksi tjera si tregojshin pak patriotike, të nivelit të tyre, me atë kapacitetin e tyne çfarë e kanë pasë. E kanë pasë një shoqni mjaft të gjanë. Kanë qenë një familje shumë bujare, bogatstvo sepse unë nuk e mbaj mend shtëpinë time, se ne vonë kemi shku, se ka qenë një hierarki shtëpiake që në odën e burrave apo në kuvendin e burrave, se zakonisht duhet të quhet kuvend e jo odë e burrave, se edhe odë edhe sobë osht’ tyrqe. E di që tek ne e kemi pasë atë hierarki, e kemi pasë kuvendin e burrave apo odën e burrave si i thojnë tash në kullën trekatëshe. Ka qenë ni pjesë e jashtme përpara e drurit, ka qenë edhe një pjesë tjetër për të rinjë dhe për ksi në katin e tretë, po edhe ajo ka pasë oxhakun.
Ndërsa, në shtëpinë poshtë në atë pjesën dykatëshe, brenda në kullë kati i dytë ka qenë katër dhoma të fjetjes. Dhomat e fjetjes e kanë pasë secila banjën për në atë kohë si ka qenë për të ngrohur ujin në shtëpi për ta bajtë edhe për t’u pastru lartë. Ka qenë nji karakteristikë si [që] në shtëpinë tonë kanë qenë ni parë shkallë, se në katin përdhesë ishin bagëtia, domethënë kryesisht ishin lopët dhe kuajt. Ndërsa, delet ishin në ni pjesë tjetër se ato kërkonin një hapësirë më të madhe.
Ni karakteristikë ka qenë gati në çdo kullë, por më kohën i kanë deformu, se unë kom punu shumë për kulla, kam pasë të fotografume. Ndoshta, mbi dhjetë-pesëmbëdhjete mijë fotografime, shumë ma shumë. Gjithsej mbi pesëdhjetëmijë diapozitiva më janë djegë në shtëpi, por më vonë kalojmë tek kjo. E ajo ka qenë ni karakteristikë e cila, nga pjesa e poshtme e ahrit osht’ mbyll dera nga pjesa e pasme. Ka qenë nji shul i thonin të vjetrit edhe drom, dikush shulë dikush drom. Nxerrej nga muri dhe ishte ndoshta i dimensioneve afërsisht dy-trembëdhjetë centimetra, me dy-trembëdhjetë centimetra i drurit të gështenjës shumë të fortë dhe e nxjerrshim nga një pjesë për ta fut në pjesën tjetër për ta mbyllë derën dhe askush s’kishte mundësi për ta hapë nga jashtë.
Por, ka qenë karakteristike që aty brenda ka pasë shkallë dhe prej shkallëve janë ngjitë nalt, pastaj në katin e dytë janë lidhë me pjesën tjetër, ndërsa janë lidhë edhe prej pjesës së jashtme. Në pjesën dykatëshe ka qenë, shtëpia ka qenë, përdhese ka qenë kur kemi hy në hymjen kryesore, në krahun e djathtë ka qenë nji dhomë e ditës, si më thonë në kohën e sotshme, e qëndrimit apo e ndejës si i thojshin. Aty ka qenë me shkëmba që u ulshim, nuk ka qenë e shtruar. Ka qenë pjesa ku laheshin enët, ka qenë një oxhak i madh ku përgatitej uji për çdo gja edhe ushqimet ku përgatiteshin, e ka qenë një dritare ndoshta nja tri metra e gjatë, kështu me dritare të vogla ku në atë pjesë vendoseshin “tamli” që i thojmë na qumështi, në koritat për të vnu mazë që ka qenë njena prej proçeseve po mënoj të familjes për të ba ushqimin ka qenë. Ndërsa mbi atë aty, ka qenë një pjesë që i thojshin çarranik apo vendi i bylmetit që i thojshin. Aty osht’ rujt edhe djathi edhe kosi, edhe turrshinat edhe të gjitha ato domethënë të kuzhinës, si me thonë, shpajzët e vogla që kanë qenë, po aty ishin ato që ishin në bjeshkë, ishin jo nji, por vishin kah dhjetë-pesëmbëdhjetë dinarë. Secili i kishte ndoshta tridhjetë-pesëdhjetë kilogram për deri në pranverë, se e nxjejshin, te ne i thojmë, e nxojmë dhjathin edhe bylmetin për ta pasë nji siguri për ushqimin deri në, deri të fillon stina e pranverës kur fillon prapë pastaj për të mbledhë ushqimin.
Dhe aty ishte ni parë shkallë ishin për katin e dytë, ajo shtëpia jonë ende osht’ e djegun, nuk osht’ krejtësisht e rrënume. E ka pasë nji karakteristikë se ka qenë vetëm një korridor ndoshta afërisht dy metra jo të plota, e lidhke dritaret ndriçuese [që] ishin kah rruga ndërsa aty kishte gjashtë dhoma, si një korridor i lartë, si shkollore, edhe dhomat ishin për fjetje të njerëzve me familjet e veta. Ndërsa në pjesën e epërme në drejtimin e kullës ishte një dhomë, kuvendi i grave apo dhoma e grave si quhej. Aty ka qenë ndoshta dimensioni 5×6 apo 6×6 afërsisht. Aty qëndronin ato gra dhe ato vajza, fëmija, nanat lehona, ato që kishin me përgatit çejzin m’u përgatit për martesë, me ba kanë [ngjyr flokësh], me ba gjithmonë qylyma. Kanë ba gjana të ndryshme, punë dore për t’i shitë në treg në Pejë kryesisht, por ndonjëherë rrallë edhe në Gjakovë për të siguru edhe mjete materiale për nevoja të familjes së ngushtë, përpos renit shtëpiak që kanë pasë.
Reni shtëpiak ka qenë, që e mbaj mend, kur secilit i janë nda pjesa e caktume, si me thonë një shumë e catume e të hollave për nevoja të veta. Pastaj osht’ shumë karakteristike që e kom potencu edhe në do memoare të mia që mu kanë dëmtue në luftë, tek ne kanë marrë nji nuk më kujtohet mbiemri i atyne. Nji kohë kanë ardhë prej Prizreni, pastaj prej Gjakove, ma vonë që mbaj mend kur kam qenë me i rritun, prej Peje. Vishin ni njeri, dy njerëz rrobaqepës qëndrojshin ka dy netë, ma shumë ni natë, dy netë, tri netë u merrshin masën të gjithë familjes. Shumë interesant! Ma vonë e kom kuptu rëndësinë e sajna. U merrshin masën, edhe ato modelet e pantollat si kanë qenë në ato kohna, tirqet për pleqtë e kto, i përgatitshin pas dy- tri jave, pas dy- tri jave, vishin ata dhe i provojshim ku ishin ma të ngushta, ma të gjana, aty për aty i prejke me ato gërshantë ai rrobaqepësi. Ka qenë ni karakteristikë e jashtëzakonshme si me thanë.
Erëmirë Krasniqi: Sa gjenerata jetojshin në kullë?
Sali Cacaj: Kanë jetu tri-katra. Katër gjenerata kanë jetu kështu në kullë, po. Domethënë, secili prej neve e kishte gjyshin gjallë gati, në të shumtën e rasteve. Edhe katragjyshin, ndodhte. Unë nuk e mbaj mend katragjyshin. Ata që janë përpara meje, disa…. Babën Sylë, pastaj baca Hamëz, baba Zymer, ata janë ma të mdhej, kanë tash ende… është një ngjarje 87, 90 vjet, por e mbajnë mend, ata e mbajnë mend. Unë vetëm gjyshin e mbaj mend. Kam mbajtë, edhe krejt pleqtë kanë mbajtë opangat, opingat si me thanë kanë qenë të lëkurës, prej lekurës edhe e kanë qep me penj në anën e epërme, çorapët e leshta qysh kanë qenë.
Erëmirë Krasniqi: A i punojshit edhe kto krejt vetë, apo?
Sali Cacaj: Po, po kto vet i kanë punu. Jo, kto vet i kanë punu. Gratë i kanë punu në shtëpi. Çorapët i kanë punu vet, shokat e brezit, kto shokat për tirqe i kanë punu vet. Kmishat i kanë pre vet, amo tirqet, jo. Tirqet edhe atë jelekun e tirqeve, edhe japon që i thojmë ne, pelerinë që quhet edhe herrka kto kanë qenë. Herrka osht’ mbi kto, si me thanë, tash nji jakne ma e madhe e ka pasë edhe kapolen. Ktu nuk ka pasë pullë, ai i ka pasë me tel për t’u ngjitë kshtu në ketë mënyrë {tregon me duar}. Si sot e di. Shof kaniherë diku-diku.
E ka pas kapolen, për çudi ka qenë me mangë të shkurta. Edhe më kujtohet atëherë qysh me mangë të shkurta, po me mangë të shkurta se osht’ dashtë me lëviz, se ai mitani i leshit, me zhgun edhe kjo atëherë e kanë pamundsu lëvizjen e lirë për të ba punë sa osht’ dashtë për atë nivel. Ndërsa, ajo pelerina që i thojnë tani apo japonxhë i kanë thanë, edhe ajo ka qenë shumë e ranë, më kujtohet kaniherë kur shkojsha me ia marrë babës, unë i vogël menzi e çojsha, ka qenë krejt e zhgunit. Ajo ka qenë vetëm këtë pjesën e krihve, e ka pasë pjesën ktu {tregon kah dora} të hapun për durë, kapolen e ka pasë dhe ngjyrat kanë qenë të bardha me gajtanin e zi edhe kanë qenë të, me… ngjyrosja osht’ ba në shtëpi, e gjanave. Ka qenë e kafes së mbylltë, ne i thojshim me të zi të arrës, me arrë domethënë, me lëvore dhe me lëvore të verrit janë ngjyrosë. Ama ka qenë një ngjyrosje, më kujtohet kurrë se lëshojshin ngjyrën. Një ngjyrë rrinte ashtu. E di unë kur i ngjyrosshin, e mbajë mend. Më kanë interesu kto gjanat e vjetra edhe sot me interesojnë.
Kom pasë mjaftë gjana etnografike edhe jelekë edhe tirqe edhe ksine opanga disa lloje edhe e kom pasë kto brekët e gjata, të brendshmet, për çudi verës nuk i kanë bajtë tirqet, por i kanë bajtë qeto brekët e gjata. Kanë pasë një shtresë ndoshta nja shtatë centimetra afërisht, pak ma shumë, pak ma poshtë. Ajo ka qenë ni pjesë, si me thanë, pak ma e shtypne, e dekorume me lule me do asishne në veti, jo me ngjyra kshtu asishne. I kanë lidhë në atë kohë, jo s’ka pasë llastik.
E kmishat për çudi i kanë pasë shumë karakteristike, kështu pa jakë, që i thojmë na tash jaka ruse, pa jaka kështu vetëm në ketë pjesën që del kështu, kështu të hapne deri këtu, këtu kanë pasë një katror {tregon kah krakrori} noshta ma e madhe se 6×9, 7×10 afërsisht, se jam fotograf e dimensionet pak deformitet profesional. Edhe pastaj janë kanë të lidhne poshtë, edhe verës i kanë përdorë. Kanë qenë taman më kujtojnë kta filmat meksikan, pak mbi gjunjë i kanë pasë, i kanë lidhë kshtu me ni shokë ose me ni shami ose me ni shall i kanë lidhë ktu në brez. Ama, kanë shërby ato pak, edhe ato të bardhat, taman janë dukë si meksikanët, kapuçin e bardhë.
E kto teshat e dimrit, të zhgunit që i thojmë ne, tirqet e kto që i kanë bajtë, e gjyshi im i kishte krejt. Domethënë, derisa ka vdekë në vitin noshta ‘69, 118 vjeç ashtu. Edhe gjyshi ka pas plisin e bardhë, mjekrrën e bardhë deri këtu {tregon me dorë}. Ai ka qenë bari. Ka qenë mjaftë i përshpirtshëm. Dy elemente që ma vonë m’u kanë, si me thanë, më kanë shti në jetë gjatë leximeve, gjatë filmeve, kur ka qenë pyetja përshpirtëria, përpos përshpirtërisë dhe bukëdhanies edhe kujdesit ndaj fëmijëve, kanë qenë një kujdes tepër…. Sot nuk e kemi na qashtu, ndoshta. Bile kemi qenë noshta pak pasiv t’u u kujdes pak ata tepër.
Dy elemente të gjyshit që më kujtohen, ai ishte bari qysh tregojnë të vjetrit. Ni pjesë të bjeshkës që i thojmë na, Nërkunxhe, duke u zhdjerg, t’u zbrit prej sezonës që ka përfundu, sezoni veror. E ka fillu koha e ftoftë duke ardhë poshtë, në rrafsh, ni bjeshkë osht’ e afërt, ajo pranverore, Nërkunxhe quhet, e kanë gjetë ni kaproll të vogël, shumë të vogël. Edhe e ka marrë kaprollin me i dhanë, e ka majtë gjithë dimnin në atë ahrin edhe i ka jep me ushqye, nji kujdes të jashtëzakonshëm por për çudi në pranverë kur kanë shku në bjeshkë prapë në të njëjtin vend e ka lanë. Ni karakteristikë që më banë me u ndi mirë për kushdo që do ta kishte ba atë gjest, por tash më banë m’u ndi mirë që tamon gjyshi im ka pasë ni anë shpirtërore shumë të mirë. I kanë besu Zotit shumë. Fetar nuk jonë deklaru qaq shumë, ama Zotit i kanë besu. Kohë pas kohe kanë shkue, jo gjithë, por të xhumave kanë shku m’u falë se afër ishte xhamia aty. Ama, atë e kanë ba ma shumë e kom vrejtë, se në shtëpi nuk ka pasë elemente fetare, por çdo gja që nuk osht’ dashtë, nuk duhet si më thanë me fishllu natën, nuk duhet m’i pre thonjtë natën, e shumë e shumë gjana tjera të cilat pa spegime pse nuk duhet, veç s’duhet edhe u kry puna.
Erëmirë Krasniqi: Sa i përket vendimmarrjes në bashkësi, qysh ka qenë?
Sali Cacaj: Vetëm edhe një gjë mos të harroj për atë plakun, për gjyshin tim. E mbaj mend kur na shkojshim si ma të ri në mal për punë, nevoja të shtëpisë edhe na bojke, “Pritni ni moment”. E merrke strajcën, strajca po e dini çka osht’? Edhe me shti [sakicën] mrena. Thojke, “Jo, se kajnë drujtë në mal atje, po m’pret mu, po m’pret mu”, na bojshim hajgare në atë kohë, mirëpo ma vonë kuptova që asht’ ni ndjenjë shpirtërore, pak ndoshta e ka kuptimin e vet për ata, për ne ma pak sot. Vendimmarrja ka qenë mendoj shumë e mirë.
Erëmirë Krasniqi : Qysh ka qenë?
Sali Cacaj: Në mramje u mledhshim kur kemi fillu na mas ni kohe kur jemi rrit pak, se nuk na kanë lanë me shkue fmitë në odë. Ni periudhe na kanë lanë ni pjesë pak me qenë të diciplinum atje në cergën e vogël ama jo më nejtë shumë. E mbaj mend rrishim ni orë ma shumë jo. Domethanë, nja ni muj. Mandej mas ni muji tjetër dy orë, mujin tjetër për katër orë, pesë orë. Noshta e kanë pasë si hierarki, si klasë-klasë mos m’u lazdru.
E di që kur shtronte darka askush nuk e fillonte para zotit të shpisë, bukën e ndante i zoti i shpisë edhe e di që kur e ndante bukën, thojke “Hajde, ju boftë mirë të gjithëve”, tanve thojshin atëherë, të gjithëve e kanë përdor ma pak. Fillojshim me hangër bukën ajo rendi i ushqimit qysh ka qenë e sofrën apo sinijen ka qenë me qu ai që qohet ma i mrami. Shumë interesant, a din kshtu. Mandej e kishin pasë ni kohe me javë-javë. Herë ni javë njeni, ni javë njeni, po e kanë lanë qeshtu.
Periudha kur jemi panda prej shtëpisë ka qenë, ai që osht’ çu ma i mrami në sini, kush ka dashtë me hangër ma kadale e ka çu sininë domethanë e ka pastrue sininë. Ka qenë nifarë ferrashtë i thojshin, e drunit i marum kshtu me një pjesë dhe troshat qaty i qitshin dhe ua qitshin zogjve përjashtë atje, se pak trosha. Ja kemi pasë nji pjesë atje në oborr e kemi pasë te bunari ua qitshim zogjve, ndërsa gjanat e tjera ma të mdhaja ia qitshin qenëve se i kemi pasë aty.
Pas darke e di që zoti i shpisë ulej në ballë, kta pleqtë ma të vjetër u ulshin, gjyshi im në ketë anën tjetër. Zoti i shpisë ka qenë Isufi, baba Isufi i thojshim. Edhe ai fillonte, “A po ja nisim?” “Po.” “Hajde, qysh kalut sot?” Ia bojke çobanit. “Kah i pate dhetë sot?” “Ktu, ktu, ktu.” “A pate naj problem?” “Jo”, “Mirë”.
Këtij tjetrit, “Ti, loptë kah i pate?” “Ktu, ktu, ktu”, “Naj problem?” “Jo”. Domethanë, secilin e pytke nën ni punët që i ka ba, a ka pasë ndonjë problem? A ka pas naj telashe, a naj mosmarrëveshje me dikon? Amo vazhdimisht pytke qeshtu. Edhe të nesrit thojke, “Kta nesër ku donë me i çu?” “Du me i çu në këtë pjesën tjetër me i kullotë se ishin disa regjione me i çu”. Nëse dikush kish me shku, çobani te miqtë e vet ose kish ndonjë nevojë tjetër me pa dikun ose ndonji gzim me shku, noj dasëm atëherë e bante ni zëvendësim. Thojke, “Demë, ti do shkojsh mi lshu dhetë nesër. Kujdes se s’je msu me to. Vjen edhe ky, merre ni djalë le t’nimon se ky sot nuk osht’ ktu”.
Vazhdimisht jemi marrë, janë marrë tanët, kanë shitë, molla kemi pasë shumë. Mollat më kujtohet në vazhdimësi “dardha Hasi”, si i thojmë ne, hasi e hesë tash osht’ dykuptim. Hesë që hahet e ka kuptimin dhe Hasi, janë të Hasit dhe anena regjionit të Hasit. Ende knenaj më duket kah Drenica e knena i thojnë kakiqke dardha që m’ka ra me i pa. Eh, asi shitshin në regjionin tonë e ma vonë në kto tash që po i quajnë në gajbe, koshat e drunit. Dardhat i merrshim në kosh të madh domethanë, noshta sa gjysma e ksaj {tregon kah ulsja në dhomë} nxentë ajo, i qitshin aty e pastaj i kanë shit me kilogram qysh ka dhanë ajo.
Ndërsa molla e di që kanë shit edhe në Beograd, edhe në Zagreb, edhe në Suboticë edhe në Varazhdin, edhe ne Rijekë edhe në Lublanë edhe ktu në Split, e di në atë kohë. Mirëpo, ka qenë sistemi i trenit atëherë i dërgojshin në Pejë, edhe në Pejë i vendosshin në ni vagon. Pastaj e di që gjatë gjithë dimnit nuk i shifshim prindtë, kur i shifshin në gjysmë vjetorin që ka qenë 21 ditë atëherë. Nuk i shifshim se ish dikush, ish në Zagreb, dikush ish në Rjekë, dikush Lublanë, ka pak shiteshin, ka pak në treg me kilogram, me dy-tre kilogram por qëndronin ma gjatë atje.
Tregojshin qysh shumëkush kanë flejtë, shumë njerëz në ni dhomë, domethanë të vendeve të ndryshme dhe të tjerët nga regjioni jonë që kanë pasë shitje atje. Na çojshin kaniherë naj panoramë me kujtohet të Lublanës ,më dukej interesant, Franc Porshernin nëse s’gaboj aty ajo Emona, Lublana, lumi Emona e ksi gjanash.
Erëmirë Krasniqi: Çka ndodhi me këtë bashkëjetesë? A osht’ shpërnda najherë?
Sali Cacaj: Po, po, kjo tash rritja e anëtareve të familjes dhe nevojat tash për të jetu dikush edhe vetëm… se zakonisht përpara kanë jetu njerëzit kryesisht në bashkësi familjare, se ne, thashë që kishim edhe mullinin tanë. Familja jonë kishte edhe në ni fshat atje në periferi të komunës së Gjakovës diku mbi 300 ari tokë. Kishte dhe atë pjesën, e kanë fitue ata të drejtën e çifçinjë disa vendas që ua kanë jep ni periudhë të gjatë që ka qenë me ligje të ish-Jugosllavisë së vjetër dhe nuk e di sa ka qenë mbi tri vjet apo mbi pesë vjet apo mbi dhjetë vjet me punu pastaj ata e kanë fitue nja gjashtë-shtatëdhjetë përqind të saj.
E bashkësia familjare, unë kom qenë dikun 13 vjeç e gjysmë afër 14 vjeç domethënë, ‘64 – ‘65 jemi shku afërisht në bashkësinë familjare. Qeshtu dikun rreth 13 vjeç e diçka kam qenë, 13-14 vjeç. Jemi nda si në bashkësi familjare me pëlqim. Ka ardhë ni kushëri i jani. Nuk ka pasë asnji mosmarrëveshje, asnji pakënaqësi, asnji ngatërresë, secilit që i ka ra me short janë nda dhe me short osht’ ni karakteristikë, që me short njerëzit ma pak ankohen, kshtu si me thanë, se qat’ e ka fat të vetin edhe u krye. Me short kur jonë qitë kanë zgjedh ma i vogli, gjithmonë zgjedh ma i vogli kush osht’, atij ma të madhit i mbet shorti i funit, qeshtu. Kështu që, në familjen tanë, babait tim apo im at na ra kulla e vjetër, kulla e vjetër me pjesën e bunarit dhe kishim një pjesë bojlia, e naltë dudi, koshi edhe ni pjesë e posllomit.
Posllomi i ra ni bacës Demë që mori ai dhe e dërgoi në ni pjesë ma larg aty, noshta nja 200 metra larg asaj pjese, ni arë tjetër e bani shtëpijen atje. E kulla dykatëshe i ra atyne, na i thojmë të Babës Isuf, atij të zotit të shtëpisë i cili ka qenë ni punëtor i jashtëzakonshëm edhe ka qenë ni njeri që ka punu ditë e natë, por ka pasë vetëm ni vajzë, nuk ka pasë djalë. Ai ka vdekë në prag të luftës, qaty ‘98-tën ka vdekë. Deri atëherë, ka vdekë 95-96 vjet përafërsisht ka vdek. Gjyshi im ka vdekë njëqind e diçka vjet, gjyshja 99, qeshtu kanë jetu plot. Disa ma shumë, disa ma pak. Kështu që, pa naj konflikt.
Pastaj ne kemi jetu në kullë dikun nja deri në vitin ‘80. Kemi jetu dikun në kullë ‘79- ‘80. Në të ‘80-tën e kemi ndërtu ni shtëpi tjetër në qendër të Deçanit të cilën na osht’ marrë ni pjesë për nevoja të komunës për t’u ndërtu ni ndërtesë pesë-gjashtë katëshe e cila është edhe sot. E kanë marrë në atë kohë 16 ari edhe me ato të holla e kemi ndërtu ni shtëpi prapa asaj pjese, dikun rreth 240 metra katror ka qenë. Nji shtëpi shumë të mirë e kem pasë. Pjesën ku kemi jetu ka qenë 24 ari, domethanë aty e cila osht’ djegë në luftë dhe e cila osht’ e djegun ende, dhe në qat’ shtëpi e djegun në luftë unë kom qenë veprimtar i pajtimeve. Aty kanë flejtë edhe Anton Çetta edhe Azem Shkreli edhe Bajram Kelmendi edhe Ramizi edhe Esat Stavileci. E ka përmend në ni intervistë para vdekjes, e ka përmend që kemi flejtë edhe Pajazit Nushi, krejt këto elita kanë qenë. Ni karakteristikë osht’ pasi jemi nda që unë në vitin ‘75 jom njoftë me arbëresh me studime, por ma vonë noshta…
Erëmirë Krasniqi : Çka keni studiu?
Sali Cacaj: Unë kom qenë në Suboticë, tregtinë e jashtme ni kohë. Pastaj mas dy vite tregti të jashtme atje, si me thanë u ba ni lajmërim që m’u lajmëru te referentat. Kom shku te referentat. Thanë, “Ti nuk je regjistru në Tregtinë e Jashtme, por në Agronomi”. Thashë, “Jo more, unë i kom provimet, e kam indeksin, e kom kto, por jo”. “Jo,” thanë, “shko te dekani”. Dekani më pat’ thanë që, “Osht’ rend dhe osht’ rregull kshtu, s’ki çka ankohesh, ligji osht’ ligj qysh të kanë tregu ata naltë”. Për çudi, u befasova se unë dhe ai banojshim afër, afër tij banojsha ni shtëpi në anën e kundërt, në Suboticë o fjala. E te dera kur doli, nuk e prita që do del, tha, “Mos u merr me atë punë së ktu osht’ shteti prapa”.
Pastaj unë nuk e disha, s’i kuptojsha ato punë. Në Agronomi nuk isha i interesum. U ktheva ka [këtu]. Bisedova me babën. Shkum deri në Gjakovë, e kemi pasë mik shtëpie Bardhyl Çaushin. U konsultum me të, edhe sipas Bardhylit këto janë tendenca të njerëzve të cilët i kanë orientu njerëzit kryesisht në Agronomi dhe jo në profile të cilat… në ni kuptim shteti ka pasë ni selektim për shumë gjana të tilla dhe ajo paska qenë ni pjesë selektuese e shtetit. Pastaj…
Erëmirë Krasniqi : E qysh vendoset ju me shku në Suboticë?
Sali Cacaj: Më pëlqente tregtia e jashtme. Kshtu, a dinë si të rijtë, që i pëlqente kamera, ni shok shkoi në kamerë, Murati shkoi në Çeki. Njëherë shkoi në Zagreb, pastaj aty, unë s’kisha mundësi atje. Shumë m’u duke shumë larg familjes. Më pëlqente kameraman, na e dojshim ma shumë në kuptimin e imixhit, se kameraman osht’ ni shërbim që tash e dimë të gjithë edhe në atë kohë e kemi mendu ma ndryshe.
E në Suboticë tregtinë e jashtme ma shumë shenjat e para të orientimit për ni gja të tillë, babait tim apo im at ia ka dhanë ky Ibrahim Mushkolaj, deçanas i cili ka qenë shef i Doganës dhe ai baba im më thotë që, ai thotë që qeky osht’ ni profil i cili osht’ me rëndsi dhe ka ni perspektivë të fortë, dhe për zotën qashtu osht’. Pastaj jam kthye ktu në ekonomik, qashtu.
Erëmirë Krasniqi : Në cilin vit?
Sali Cacaj: Në ‘74, ‘73 përafërsisht qashtu.
Erëmirë Krasniqi: A keni qenë pjesë e protestave të ‘81-tës?
Sali Cacaj: Jo. Ma vonë jonë kanë protestat se unë në vitin ‘78, ‘79 kam shku në shërbim ushtarak.
Erëmirë Krasniqi: A mundeni me na shpjegu pak qet’ pjesë të jetës. Domethënë, keni studiu mandej keni shku në…?
Sali Cacaj: Në studime ktu kemi pasë, nuk kemi pasë x njerëzish kshtu në gjenerata të ndryshme. Ajo që ka qenë ma karakteristike, po edhe në shkollë të mesme kom qenë, jom marrë me aktivitete sportive edhe me dramë. Në aktivitete sportive kom lujtë për shkollën, kom lujtë për ekipin e Deçanit disa vite, i cili ekipi i “Kurrsdierit” në atë kohë, emërtimi i një bjeshke që ka garue në nën-lidhje i thojshim atëherë. Nën-lidhje Klina, Istogu, Peja, Gjakova kshtu ka qenë ni nën-lidhje katër-pesë afërsisht osht’ sikur tashti regjioni, regjionale si me thanë.
Nën lidhje kom lujt, kam lujt numrin dyshin edhe pesëshin. Në ato kohna kom lujtë ndeshje miqësore, tri ndeshje në reprezentacionin e Kosovës miqësore në Pejë i kem pas dy edhe në Gjakovë i kem pasë. Kam pasë në tremijë metra, tri-katër herë vendin e parë në gjimnazin e Deçanit edhe ni herë në nivel të Kosovës me gjithë nji kushëri timin, ai ka vdekë, dytë e kem nxanë vendin e parë, dytë na Cacaj në tremijë metra, Cross-i që ka qenë në atë kohë. Qeshtu.
Ndërsa për studime kemi pasë shokë të gjeneratës, kemi banu në konviktin në këto që kanë qenë te konvikti, të fakulteti juridik/ekonomik. Këtu te ato konviktet e vjetëra që kanë qenë, ish-kazerma ushtarake. Pastaj në konviktin 1 kom banue, 2, 3. Treshin, edhe në treshin kom banue.
Ndërsa në vitin ‘74- ‘75s ka qenë seminari për kulturë dhe gjuhë shqipe. Aty jom njoftë me arbëresh. Kanë qenë Antonio Bellushi që osht’ ende gjallë, ka qenë Karmelo Kandreva që ka qenë si drejtor regjional i arsimit e i kulturës në Kozencë, Zef Keramonta apo Mozakaj i cili sot e shpesh herë vjen në seminar ende, Ernest Stoqi që ka qenë gjeolog. Ka qenë Nat Furtino, i cili ka vdek para tri vjete, prift arbëresh, nji ndër mrekullistat ma të mdhaj të kishës katolike, në Vatikan, për bashkimin e fesë që ka ba shumë libra.
Emanuelo Jordani ka qenë po ashtu si prift pastaj Kardinal, e kom pasë mik të mirë. E njof, kom qenë…. Në atë kohë i kom njoft përmes arbëresheve, dëshira për të njoft njerëzt tanë që ata arbëresht i kanë pas dy-tri libra: “Shpirti i Arbrit Rron”, “Gjaku i Arbrit Rron” edhe “Gjaku i Shprishur”. Dhe, aty jonë do motive krejt tjera, krejt ndryshe, krejt ni, si me thanë, për mu ni frymëzim tjetër të dalur prej rrethit ku ishim, se në atë kohë na e kqyrshim vetëm, e ndëgjojshim “Kukësin” ma shumë në radio. E ndëgjojshim “Tiranën” dhe televizionin kryesisht kemi qenë… “Tiranën” kqyrshim filma. Frymëzimi kryesor ai çfarë ka qenë për ta rujt ndoshta edhe identitetin ka qenë familja nji, shkolla dy, dhe televizioni frymëzimi i asaj kombëtares nga filmat e dramat e ndryshme.
Ajo që ka qenë me arbëresht pastaj e kom njoft Ymer Jakën në ato kohna, Anton Çettën, profesor Antonin, Mark Krasniqin, ndonëse Mark Krasniqi ka qenë kur isha i ri disa herë në shtëpinë tanë. Mbledhte shënime gojore për tregime, i pytke disa gjana kanunore pleqtë aty edhe të rrethit të afërt. Atëherë kam njoft Latif Berishën, Presidentin Rugova që atëherë njifem, prej atëherit jemi njoft, Zekeria Canën dhe prej atëherit unë kom pasë ni shoqni me ta .
Ndërsa në Shkup kom shku me ata nja dy herë. Kem njoft atje këtë Xhevat Gegën dhe Petro Janurën profesorë kishin qenë në ato kohna që më kujtohet, shtëpitë e tyre dikun nashta 4×6 metra kanë qenë biblioteka që nuk më ka ra në shtëpi private tek ne me pa se na vishim… unë visha nga nji zonë rurale krejtësisht. E nga ‘74 pastaj kom shku te arbëreshet nja shtatë-tetë herë deri dikun…
Erëmirë Krasniqi: I studiojshit apo qysh?
Sali Cacaj: Jo, kom shku si vizitë më patën ftu edhe kom shku kshtu. Me të thanë të drejtën gjithë ato fshatra njifsha mandej qaty pak orientimi për fotografi ka qenë pak motivi nga kullat, motivi nga pleqtë tanë, shifsha filma kauboj e ksine dhe shifsha do tradita kanunore tek na dhe disa veshje karakteristike që asnjiherë në asni film nuk më ka ra. Me ka ra në disa filma për t’i pa që kanë qenë disa të Shqipërisë ma vonë pastaj ata në shkollë “Kapedan Lleshin” edhe nja dy-tri filma që kanë qenë me kostumet tonat. Ai ka qenë frymëzimi im të merrem me fotografi.
Pastaj prej Subotice që kesh orientu këtu. Edhe këtu i kisha do probleme të natyrës së tillë edhe u orientova mandej krejt në fotografi. Ma shumë për të kontribu për kullat, për figurat e pleqve si krijues në fotografi që kom pasë noshta, noshta ma shumë se 50 mijë diapozitiva të asaj kohe. Të Kalabrisë kanë qenë mbi 10 mijë, arbëresh, pamje të ndryshme, krejt…
Erëmirë Krasniqi: A keni mbajt naj trajnim apo ishte kjo veç një hobi i juaji?
Sali Cacaj: Fotografi? Fotografi kom sigurue literaturën në Zagreb dy-tri literatura që kanë pasë ata. Më kujtohet ni Millan Fizi e ka pasë, bile thojsha ky duhet me qenë si… se ka qenë ni film “Kulla e Fizajve” e thojsha mos ka naj lidhshmëri, a din, pak këto deformitetet tona që janë të tilla. Edhe, kom pasë ni njohuri të tillë. Kom shku pastaj kom përcjell do revista të fotografisë, e kom noshta nja pesë-gjashtë libra krejt çka osht’ dashtë mi pasë që mësohen. A kom lyp librat që janë msue në akademi drejtimi i fotografisë në Zagreb, të gjitha ato i kom shfletue, i kom studiue se mundësia për të shku edhe çka dojsha unë nuk u dashke ma shumë për qato gjana.
Kështu që kom qenë në Kalabri, bile i kom marrë edhe dy [fotografi] që rastësisht më kanë qellu në {ia tregon intervistuesës}… të arbëreshëve që kam qenë në atë kohë edhe ni kujtim që ma ka rujt ni shok, ma ka jep para tetorit të vitit të kaluar kur unë e kam thirrë… di shumë arbëresh, atëherë mendojsha që osht’ kush e di se çka qashtu, më të ri, edhe në dasmën e njerit prej arbëresheve që ma ka çue ni kartolinë të asaj kohe me Univerzitetin e Shqipërisë me shqiponjën arbëreshe edhe ni tekst mjaft karakteristik {Ia jep kartolinën intervistueses dhe i thotë lirisht mund ta marrësh}.
Po du me thanë ni… frymëzimet e identitetit kombëtar që prej familjes, prej gjyshit, prej dajës. Dajën, e kom pasë, vllaun e nanës, ka qenë ni gjeneratë ka studiu me Esat Mekulin, profesorin Markin në Shqipëri kanë shku pastaj në Itali, e Lufta e Dytë Botërore i ka nxanë në Itali e pastaj ai ka shkue në Angli. E prej Anglie ka jetu në Australi si mjek edhe si jurist ka qenë. Ka vdek para pesë vjete. Ka thanë që i ka dy fëmi që na kurrë nuk i kemi pa. Njenin e ka në NATO thonte, osht’ pilot, e dy vajzat tjera në Francë. Na nuk ua dimë as emrin as s’kemi vnu kontakte me ta.
Erëmirë Krasniqi: E qysh ia fillutë pra me dyqanin e parë? E di që keni pasë një dyqan të fotografisë më duket?
Sali Cacaj: Prej atëherë, kom fillu njëherë në vitin ‘75 – ‘76 në Deçan me “Foto Ulëza”. Pastaj kam shku në shërbimin ushtarak pak kshtu, edhe masi jom ardh në vitin ‘80 pastaj ja kom fillu me “Foto Drini”. Faktikisht 40 vjetorin e fotografisë e kom pikërisht në ketë vit me lejen që e kom pasë në ‘76-tën, me të vërtetë realisht kom… ma herët edhe ‘72 edhe ‘71 edhe ‘70-tën edhe në shkollë të mesme vazhdimisht prej shkollës fillore jam marrë me fotografi.
Arsyeja ka qenë se nji shok i ngushtë i imi që kemi qenë të afërt edhe Cacaj edhe tezak edhe baba i tij e ka pasë aparatin, por në atë kohë s’na lejshim, po masi i vdiq baba i mbeti nanës aparati. Edhe e morëm aparatin edhe nuk ishte zor aty, dy-tri gjana, te fotografi shkum na msoj qysh më fotografu. Edhe gati krejt fotografitë e shkollës së mesme i kom fotografu unë. Pastaj prej atyhit ka qenë ajo dëshira ma herët se nuk e përmenda këtë. Ka qenë ni nëna Razë sa i bojshim rigje me ma jap aparatin kur shkojshim na në shëtitje si nxënës, ka qenë ni aparat “Rregulla 2B” kurrë nuk e harroj, e ka pasë.
E kjo osht’ ajo vazhdimësia pastaj e fotografisë që kom dashtë me lanë ni gjurmë në ni sferë tjetër, meqenëse nuk u bo në tregti të jashtme kshtu. Jom anëtar i “Shoqatës së Artistëve dhe Piktorëve të Kosovës”. Jom anëtar i “Shoqatës së Artistëve dhe Piktorëve Gjithëkombëtar”. Kom qenë anëtar i “Shoqatës së Fotografëve Evropian”. Jom anëtar i shoqatës, akademisë.. i shoqatës jo i akademisë po “Shoqatës Akademike Evropiane”. Osht’ ni shoqatë me seli në Bruksel. Osht’ bile ky, njo osht’ i Gilanit ni profesor që i mbanë atë për regjionin tanë domethanë për këtë mas lufte e ka, ndërsa atë…
Kom qenë fotograf i Miss Evropës ‘96-tën zyrtarisht. Kom konkurue në nji panair, kom ndjek panairet e fotografisë noshta që 30 e sa vjet, 40 vjet. Në dy-tre raste s’kam mujt me shku në kohë të luftës edhe noj herë që kom qenë me presidentin i nxanun.
Erëmirë Krasniqi: Me çka u prezentojshit?
Sali Cacaj: Jo, unë nuk kom prezentu, por kam shiku teknikën, teknologjinë, formën, mënyrën e fotografimit pastaj objektivat, aparatet, printerët, maqinat e fotografive. Kom pasë zyrtarisht, sikur osht’ “McDonald’s”, ky djali mund ta dinë {i referohet kameramanit}. Ka qenë Kodak Express-i që u ka leju me ni standard, kualitetin me testin që osht’ dashtë me bo çdo ditë në mëngjes, testin e kemikalëve në maqina edhe me rujt edhe me përcjell tek ai kryesori që ka qenë në Zagreb, kanë qenë ata, për me ta konfimu çdo tre muaj a ke të drejtë me majt atë [lejen]. Kerkush se ka pasë në Kosovë, e kam pasë unë. As në Shkup s’e ka pasë kush, në Beograd e kanë pasë nji në atë kohë. Domethanë, Kodak Express-in zyrtarisht. Kom edhe atë lejen e tyne, e kom pasë lejen prej atyne. Kshtu sa i përket fotografisë.
Me arbëreshë qe ato motivet edhe nji motiv ta tregoj që në gjimnazin e Liceut “De Rada”, në vitin ‘74, ‘75, ‘76, te arbëreshët që kom qenë në atë kohë, më arbëreshe aty. Ajo osht’, njëra osht’ e fejumja ime {bënë me dije kah fotoja} në atë kohë, nusja. Qeshtu si të rijtë, si aventurista kem shku pak pa qenë racional në aspektin edhe noshta edhe ekonomik edhe profesional, por thjeshtë dëshira për të njoftë njerëz tanë nga atje.
Mirëpo, atje e kom shfrytëzu edhe kom pasë ba shumë fotografi edhe të pleqve edhe të rrugëve edhe mund të tham që noshta mbi 50 fshatra arbëreshe edhe sot gjendet edhe secilit fshat ia di tri-katër rrugë. Edhe sot e ksaj dite që janë “arbrishë” quhen, po ata nuk e kanë rruga po “udha”, udha “De Rada”, udha “Garibaldi”, udha “Iliria”, udha “ Skënderbeg” ndërsa në Shën Mitër, atje Shën Mitri ku ka qenë De Rada, Skënderbegi ka qenë sheshi, Skënderbeg auto shkolla, Skënderbeg radio, Skënderbegi ka qenë filmi, Skënderbeg gjithçka ka qenë e ka frymu Skënderbeg, kështu me ka krejt.
E kam marrë pjesë në disa manifestime kështu arbëreshe në vjeshtë që bahen. Janë edhe në pranverë në kohën e pashkëve. Janë të jashtëzakonshme kostumet qaq më mbeten mbresë që më janë djegë në shtëpi sa lirisht muna me thanë nuk kom pasë dëshirë ma me jetu, ndoshta edhe po boj gabim po jeta ime m’u ka dukë kurgja nëse nuk do të janë në krahasim, sepse konsideroj që m’u ka djeg identiteti im se kom pasë fotografi mjaftë të nivelit edhe artistike, por edhe dokumentare e kanë pasë kta. Kom qenë ni kohë nja katër herë, kom qenë edhe në… kështu kto frymëzimet e mija që kanë qenë tek Arvanitasit. Edhe atje kom ba shumë fotografi, kom njoft personalisht Aristio Kolën. Çdo gja më kanë humb…
Erëmirë Krasniqi: Ndërsa fotografitë e Pajtimeve?
Sali Cacaj: Jo, as të pajtimeve, as të dhunës nuk kom ba. Të pajtimeve prej ditës së parë kom ba deri të Verrat e Llukës.
Erëmirë Krasniqi: E qysh u bat’ aktivist për të drejtat e njeriut?
Sali Cacaj: Të drejtat e njeriut, vullneti, dëshira ime ka qenë sepse në vitet e ‘90-ta, në fillim pas shpalljes së Lidhjes Demokratike, formimit të Lidhjes Demokratike, unë që nga dita e parë kom qenë në aktivitete me presidentin Rugova, që të thashë që jam njoft ‘74 – ‘75, kem pasë takime me arbëresh, shifeshim. Osht’ e randsishme që presidenti ka qenë në këto koloninë e shkrimtareve që u majke në Deçan, edhe shkrimtarët edhe artistët majshin atje.
Atje e kam taku ma shumë, bile dy herë ka qenë në shtëpi time. Kemi hangër darkë, vonë e kem çu atëherë s’kishim makinë, ka pasë dy kilometra prej poshtë dej naltë dikun në mramje kah ora dhjetë e verës, njëmbëdhjetë, i kem çu deri te hoteli me gjithë nji djalë të axhës. Aty i kemi përcjell për mos me i lanë vetëm. Të dytën herë e kemi çu me nji djalë të kojshive, e murrem kerrin e çum’ se nuk kish dëshirë me ec n’kamë. Nuk e donte bukën kallamoqe, nuk e preferonte. E me presidentin atëherë jemi konë në kontakte të vazhdueshme edhe me Bardhyl Çaushin kam pasë raporte tepër të mira. I ka lanë bletë një periudhë tek unë, familjarisht njifemi, me profesor Markin sidomos. Mandej prej viteve të ‘90-ta e në Këshill të Drejtave të Njeriut ju thash, që kur bani nji rrahje e policisë pikërisht do kushëri të mi, ni Idriz Cacën edhe ata, në shpejtësi vllau i fotografoi, pastaj i fotografova edhe unë, se edhe vllau ma i ri ka qenë, por në shpejtësi i ka fotografue. E pastaj qeto fotografi banë nji bujë të vetën, se fotografia e kishte të vetën për arsye se ishte ana vizuele për t’u pa. E mandej kom ba fotografi noshta, noshta, noshta përmi 10 mijë shkrepje, i kom pasë vetëm për dhunën deri në prag të luftës. Të luftës asgja nuk kam.
Erëmirë Krasniqi : A kanë ata [Këshilli] naj kopje, a ju ka mbet ? Po mendoj fotografitë që jonë përdorë për dokumentim?
Sali Cacaj: Në Këshill të të Drejtave të Njeriut kryesisht kem punu, noshta osht’ e pakapshme për dikon, por kom punu noshta permi tre-katërqind mijë fotografi për dhjetë vjet, kah pesë mijë, kah katër mijë, se e kisha edhe llaboratorin tim nuk pritojsha. I kom punu vetë. E kom mshel lokalin. Kur e kom mshel lokalin perden dhe në mramje, se i kisha do punëtorë e s’dojsha me ngarku kërkon edhe në përjashtim dy-tri herë gjitmonë i kom ba vetë, vetë i kom prue në Prishtinë. Pastaj e kom pasë një pjesë të makinës sikur këta që bunkerin, sikurse e kishin përgatit dikur argjendart për një pjesë të fshehtë, qetu më pat’ msu njeni nën karrikë qysh me vendos. edhe ishin ato si me thanë kah dy-treqind copa. I vendosshim njëherë ato federat e sfungjerit të kerrit në asi kur kqyrke kshtu s’kishte gja. Disa herë mi ka përcjell nji Osman Cacaj ni veprimtar.
Erëmirë Krasniqi: Çfarë rasti dokumentojshit?
Sali Cacaj: Dhuna, rrahja. Kom ni numër…
Erëmirë Krasniqi: Të policisë?
Sali Cacaj: Po, të policisë. Kom ni numër mjaft, kom ni numër në shtëpi ende, po kryesisht nuk i kam nji pjesë, nuk i kam ma, se i kam pasë edhe negativat në shpi. Çka s’kam pasë në shtëpi i kom shpëtu, a jonë djeg, a i kanë marrë, nuk e di. Se në shtëpinë time kanë nejt përmbi dy-tre javë policia, pastaj kanë dalë edhe jonë djeg i kanë djeg shtëpia noshta. Ende osht’ shtëpia e djegne.
Erëmirë Krasniqi: Në çfarë vendesh ma shumë, në rrethin e Pejës, në krejt Kosovën?
Sali Cacaj: Ja, ja, në krejt venet në Kosovë kom qenë. Kom qenë edhe Ylefete Humolli kur ka qenë [vrarë], kom qenë edhe në Drenicë edhe në Mitrovicë, kom qenë edhe në…
Erëmirë Krasniqi: A mundeni me qenë ma i detajshëm rreth rasteve se osht’ mirë me i pasë…
Sali Cacaj: Rastet… po, rastet jonë do të tmerrshme. Ndër rastet ma të vështira ka qenë ni Elizabeta Katanollin kur e kanë dhunue në Pejë. Ka qenë një ndër rastet që unë nuk kom mujt m’u përmbajtë, përkundër edhe rasteve të tjera, por ajo ka qenë më ndryshe. [Siç] po duket gjinia femërore njeriu ma pak përmbahet, duron domethanë. Më shkojshin lot e s’mujsha me fotografu në spital.
Në spital kemi fotografu disa njerëz kshtu, duke e faleminderue doktor Mahir Morinës, stafit të tij dhe disa motrave që kanë qenë aty se ata ishim të lidhur në mes veti. Nji rast tjetër ka qenë Sabrije Rrustaj në protestën shkollore ku ja kanë hek krejtësisht veshin me pendrek, Samile Popovci edhe disa të tjera që me pa ftyrën e saj… janë të tmerrshme ato fotografi. Edhe “Corriere della Sera” edhe “Republika” edhe “Spiegel-i” edhe “Times-i” i kanë pasë, edhe “Hürriyet-i” i Turkisë i kanë pasë në faqet e para. Natyrisht m’i kanë marrë, i përcjellshim, se unë kom qenë anëtar i Këshillit të Drejtave të Njeriut edhe në Prishtinë e i përcjellshim.
Unë i kisha, na e kishim një prioritet sepse nuk u dashke mjete me i punu fotografitë atje, se unë i punojsha, e kisha makinën tepër të mirë që 1500 copë në orë mundte me i punu maqina. Kanë qenë atëherë të mdhaja maqinat, kapacitetet shumë të mdhaja, kështu që mund të them ndoshta rreth 500.000 fotografi për dhjetë vjet i kem shpërnda, se atëherë s’ka pasë skanime, interneti, në delegacion i jepshim dy mijë, tre mijë, një mijë, pesëqind ma shumë ma pak.
Erëmirë Krasniqi: E qysh e kishit definu fotografinë, si dokumentare apo më shumë… ?
Sali Cacaj: Unë? Jo, si dokumentar osht’ ajo, tjetër kuptim nuk ka. Ka qenë tjetri rast specifik, e kemi pasë qitë bile në faqen e parë të gazetës “Republika” nëse s’gaboj te Isuf Rizi, se tash mundet me m’u ngatërru. Ka qenë ni Zonol Lushaj i Gjonaj të Hasit që ka punu furrëtar për 20 e sa vjet në Beograd dhe ata u ka jep byrek, bukë e krejt mëngjesin e ka ushqy për 24 vjet, dhe në ni kuptim si korbi që thotë populli, “Korbin ushqeje sa të dush, sytë t’i nxjerr se t’i nxjerr”. Atij ia kanë nxjerr edhe sytë, i kam fotografitë, kem qenë edhe në varrim. Osht’ karakteristikë ata dy mësuesit që i kanë vra në Uqsh.
Erëmirë Krasniqi: Kjo ndodhke gjatë të ‘90-tave ?
Sali Cacaj: Jo, jo, jonë pa ‘90, ‘92, ‘93, ‘94 edhe pak ma vonë ma pak, kanë shku t’u u zbeh pak këto gjana, me përjashtim. Por atëherë ka qenë ni specifikë që kudo që ndodhte një rrahje ma e vogël e ndjejshim si me qenë një therrë e trupit tanë. Por pas lufte numrat e njerëzve u banë, viktimat u banë vetëm numër, jo ma shumë, fatkeqësisht. Ka qenë rasti i atyne mësuesve që kem shku me gjithë Zenun Çelën në Uqsh atje, kemi shku me Bajram Kelmendin, Imer Jakën edhe kemi shku me Pajazit Nushin ktu në Gjonaj të Hasit, ni Zonol Lushaj.
Erëmirë Krasniqi: Çfarë rastesh?
Sali Cacaj: Q’ai rasti i furragjisë në Beograd që ka qenë. I tmerrshëm ka qenë ai fotografimi. Kem fotografu disa ushtarë që na kanë ardhë në arka të vdekun, edhe ka qenë ni Selman Meta i komunës së Pejës, nuk po më kujtohet momentalisht fshati. Ka qenë ni karakteristikë që unë nuk e kom kuptu në atë moment kur e kom ndesh se kishte edhe raste shumë të vështira, se ishte vështirë me i pa njerëzit të rrehun e të dhunum e të malltretum në atë menyrë të skajshme. Kish raste me thonë tash të lehta nuk jonë konë, po sa i përket lëndimeve fizike…
Ai ushtari, nji Selman Meta që më kujtohet, se i di qindra i di përmendsh. Në uniformë ka qenë i lidhun krejt qysh vijnë ata me këtë arkë, e kemi hek prej arke e kemi qit’ në lomë mas sanve, e ka pasë ni erë të papërmbajtun besom m’u ka dasht m’u afru dy-tri herë me ja zgidh rrypin, po s’mujsha me qëndru afër, u dashke mu largu me marrë ajër. Pastaj, apet visha, ato kryesisht [unë] i kom ba. Mund të thom nashta qindra njerëz i kom që i kom rrotullu me durë të mijat. Ajo që ka qenë karakteristike te ai se ka qenë pak… kufoma ka qëndru shumë, kufoma osht’ ajë shumë në trup dhe kur e kom desh, se u dashke me desh me fotografu në krejt trupin, kështu edhe kështu {tregom me duar anët}. Unë e pranoj ni realitet, kama si e zezë edhe u pëlcit lëkura, unë mendova, kom mendu që osht’, që jonë hollahopke. Thashë i ka vesh për dimën për ftoftë, kur ma vonë e vërejta që pëlciti lëkura, a din, shumë ranë.
Mandej janë kta të fundit në prag të luftës në Sllup, në Gllogjan, Sllupqe, dy-trembëdhjetë në Gllogjan, të gjithë së bashku, se njerëzit edhe atëherë ma ishte vështirë s’mujshin me qëndru. Njerëzit, unë edhe prindi ka qenë i qëndrueshëm kur ka pasë fatkeqësi, bile ni vlla që na u kanë pasë myt në bjeshkë, o konë rrxu nga shkëmbi e nuk ja ka pa kush lotin. Ne jemi ma të qëndrueshëm kështu, ama rastet të tilla kaniherë… në fillim e kisha ma problem, shumë ma problem se u dashke me fotografu, u mushin sytë lot, m’u dhimke, e përjetojsha. Dikur pak sikur e morra ma shumë si duhet me kry detyrën edhe fillova m’u adaptue, e kryjsha ma ndryshe.
E atje në Sllup ka qenë q’ai rast që osht’ dashtë 13- 14 vetë, njeni ka qenë edhe punëtor i televizionit, kanë qenë dy-tre mësues. O dashtë m’i hek prej kamionit poshtë, kanë qenë këto… njifarë mbështjellse sikur të gardërobës që jonë najlon me numra me çelë. Në ni moment në Hadërgjonaj, shumë ka pasë ai Selmani i televizionit synin e hekun, ka pa masakrime në ma të ndryshme.
Erëmirë Krasniqi: Krejt këto raste ju i kuptojshit përmes Këshillit apo… a ju ftojshin?
Sali Cacaj: Jo, faktikisht ma shumë i disha [pasi që ishin] të regjionit anej, gjithkush edhe në bastisje edhe në ksishne më orientojshin mu, se kom qenë edhe anëtar i Këshillit edhe shumicën e rasteve kom shku vetun. Nja dy herë i pata marrë nja dy, po problem ish me ta e pak e pava që dej t’u msojshin ata ish pak ma problem, kështu që ma shumë vetun kom shku. Kom pasë raste që më kanë shoqnu të afërsisë familjare e ksishne përgjithësisht kshtu, po edhe Këshilli ma larg më tregonte kur u bante kshtu si me thanë në Mitrovicë, e në Kaçanik. Nuk më kujtohet emni, Zekeria Cana më ka thirrë e kemi shku në ora nja-dy të natës me një taksist që nuk e di momentalisht emnin, dikun duhet me konë. E kanë myt, e kanë gjetë të vdekun. Ni hanë si dilli shkëlqente edhe ai qeni ku kemi shku të veni, qeni i kishte marrë dorën edhe unë isha ma i ri atëherë, isha shumë ma i ri se edhe ajo po na ndajnë 26 vjet ato raste. Noshta, noshta dy-treqind metra menzi e kem hek dorën prej qenit, e Zekiraja s’mujti me ngajtë, taksisti ngajti ma shumë se unë se ish ma djal i ri…
E domethanë ka raste shumë, shumë të rana edhe kjo në Gllogjan ka qenë shumë atëherë kur u ba ajo protesta me… protesta ajo që gjujti policia Agron Mehmetin e Him Haradinen që i vrau tre, të tretit momentalisht s’pom kujtohet emri. Ketë Himën e kanë vra përtej shkolle e na thanë që osht’ dikun i vramë edhe njeni. Na e lypëm, kta i murën, nuk e gjetëm. Kemi shkue me gazetarin Curr Mazreki, Emon Selmanaj, kemi shku me Osman Cacën. Kemi lypë te bazeni e Radoniqit me gjetë edhe atë, nuk e gjetëm. Nuhi Bytyqi na kanë thanë që… e din Nuhi Bytyqi, gazetar osht’ Nuhiu.
Nuhiu ka qenë dhandër i Gllogjanit edhe e ka lidhë rasti pak ma shumë edhe e kom marrë prej ni telefoni satelitor qysh kanë qenë, thashë, “O Nuhi, kemi qenë te bazeni i Radoniqit tanë ditën, nuk ka kurgja”, “Jo, bre,” tha, “Sali, nër shkollë te shaptejtë e Gllogjanit e ke dikun nja njëzet metra në anën e poshtme”. Kur kem shku e kem gjetë. I ka pasë dy bume, ni kallashnikov e ka pasë, ai kishte qenë i lëndum.
Erëmirë Krasniqi: Në trup a?
Sali Cacaj: Po, po, ktu i kish pasë bumet edhe kallashnikovin me veti si ushtar që ka qenë, si i UÇK-së pa uniformë.
Erëmirë Krasniqi: A osht’ kjo [ngjarje] krejt ma vonë?
Sali Cacaj: Si rast ma specifik. E mandej e di që i shkreti kishte vdek, kishte ec pak zhag edhe e di që kishte vdek. E pamë që kishte vdek nga gjakderdhja e tepërt që s’ka pasë mundësi kush me i jep ndihmë se u banë veç dy-tri ditë pastaj, a din, se lëndimi ka qenë ktu edhe ktu{ tregon me dorë kah barku}, jo dishka ma shumë. Ka pasë raste të ndryshme që me thanë tash nga ma të ndryshmet ka.
Erëmirë Krasniqi: E qysh, qysh erdhët në kontakt me njerëzit e Pajtimit të Gjaqeve?
Sali Cacaj: Me njerëzit e Pajtimeve të Gjaqeve fillova t’iu tregoj në fillim, kërkoj falje që dola nga tema, Nimon Alimusaj, ai ishte profesor në gjimnaz edhe disa studenta, disa nxanës edhe të tinaj. Nimoni erdhi tek lokali im dhe kisha ni thellësi pak jo breg rruge dhe ishim afërsi familjare më te kshtu nga djali i tij, ishte faktikisht edhe në shoqërinë në “Shpresa” që unë isha organizator, nji Iliri shumë ma herët edhe vllain e tij e kisha pasë profesor të gjeografisë, arsimtar në shkollën fillore e tha, “Osht’ konë mirë me ardhë edhe me ba edhe fotografi edhe me nimu”, se tha, “të shkojnë organizimet ty për, ke qenë edhe organizator kështu edhe futboll kur ke lujt ke qenë organizator, edhe në shoqni ‘Shpresa’”, tha, “edhe besoj që munesh me ndihmu shumë kur fillon Pajtimi i Gjaqeve, kshtu-kshtu”. I kom thanë, “Po, jom në dispozicion në çdo kohë”.
Erëmirë Krasniqi: E kur ishte kjo?
Sali Cacaj: Kjo fillimeve të viteve të ‘90-ta.
Erëmirë Krasniqi: Nuk keni noj datë?
Sali Cacaj: Nëse nuk gaboj ka qenë Frori, fillimi i Frorit, Shkurtit ka qenë përafërsisht qeshtu.