Ridvan Gashi

Fushë Kosovë | Date: 21 tetor, 2025 | Duration: 63 minuta

Para luftës, në atë mahallë kushtet e jetesës për romët kanë qenë të mira, të gjithë romët kanë qenë të integruar. Kur them se kanë qenë të integruar, dua të them se secili punonte, secili kishte zanatin e vet ku punonte, ekzistonte një lloj rregulli, për ta thënë kështu, ku secili e dinte çfarë bënte dhe ku. Nuk vareshin nga ndihma sociale, siç është tani, ishin të organizuar politikisht, ishin të punësuar, dhe kishim aktivizëm, edhe aktivizëm politik, romët e kishin zërin e tyre, në Fushë Kosovë. Shumë romë në Fushë Kosovë punonin në kompani të njohura si korporata e energjisë elektrike, ujësjellësi, fabrika e luleve — një kompani ku para luftës, prej ‘90 deri në ‘99, punonin mbi 500 familje; tani nuk punon askush aty, sepse ndodhi modernizimi dhe gjithçka u privatizua.


Elvis Avdi (Intervistuesi/ Kamera)

Ridvan Gashi ka lindur dhe është rritur në Fushë Kosovë, në lagjen rome të njohur si Logionica. Pas luftës së vitit 1999, pjesa më e madhe e familjes së tij të gjerë u shpërngul, ndërsa ai mbeti në Kosovë. Ai ka punuar në shumë projekte të fokusuara te komuniteti dhe ka qenë i përfshirë në iniciativa që mbështesin përfshirjen dhe përfaqësimin e komuniteteve Rome, Ashkali dhe Egjiptase. Ai është gazetar në lajmet e televizionit rom në Radio Televizionin e Kosovës (RTK).