Me lokacion përballë Kuvendit Komunal, xhamia e Sudi Efendisë u ndërtua në vitin 1569 dhe u shërbente banorëve të “Hasan Emin Aga Mëhallës” dhe “Meshçit Mëhallës”. Përtej funksionit të saj në faljen e namazit, kjo xhami ka shërbyer edhe si mejtep. Çdo vit në këtë xhami vijonin mësimet me dhjetëra nxënës. Prej vitit 1930, për këtë xhami kujdesej Sudi Efendiu, anëtar i respektuar i komunitetit, nga kjo periudhë xhamia e merr emrin e tij, “Xhamia e Sudi Efendisë”. Në oborrin e kësaj xhamie supozohet se ishin varrosur personalitete të kulturës islame, mirëpo ndonjë gjurmë e dukshme nuk ka mbetur nga kjo histori. Gjithashtu këtu, për shumë vite gjatë kohës së muajit të Ramazanit, hoxha Çorr Hafizi kishte recituar tërë Kuranin përmendësh.